• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DR. IBRAHIM RUGOVA U RIZGJODH PRESIDENT PARA 15 VITEVE

March 4, 2017 by dgreca

-Kosova para 15 viteve zgjodhi Presidentin e Qeverinë e parë në liri/1 Beluli Rugova-Rilindja para 15 viteve: Presidenti Rugova: Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’/1 RD Rugova

-FJALA E PLOTË E PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA, E PIKËRISHT PARA 15 VITEVE – NË 4 MARS 2002, NË MINUTAT E PARA PAS RIZGJEDHJES PRESIDENT/2 Behluli Rugova

-Kjo është e ardhmja e Kosovës, që tashmë ka filluar. Njohja formale e pavarësisë së Kosovës do ta siguronte dhe shpejtonte këtë process/

3 Rugova-Dyert e Presidencës së Kosovës do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe do të gëzojnë përkrahjen tonë. Prandaj, i ftojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunim, sepse Presidenca dhe institucionet e tjera të Kosovës do të jenë në shërbim të tyre/

-PRESIDENTI HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA : DUHET TË GJEJMË NJË ZGJIDHJE PËR RILINDJEN, QË TË MUND TË VAZHDOJË SI NJË GAZETË TRADICIONALE. RILINDJA EDHE ME BOTIME TË KOHËPASKOHSHME, DUKE VAZHDUAR TË JETË HISTORI E SHKRUAR E KOSOVËS/

DUHET TË GJEJMË NJË ZGJIDHJE PËR RILINDJEN, QË TË MUND TË VAZHDOJË SI NJË GAZETË TRADICIONALE/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 4 Mars 2017/ Para 15 viteve, në 4 mars 2002, Kosova zgjodhi presidentin dhe qeverinë e parë të pasluftës.  Zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e lirë që nga qershori 1999 u mbajtën në 17 nëntor 2001, por kishte vonesë rreth 3 muaj e gjysmë për zgjedhjen e Presidentit e të qeverisë, derisa u arrit dhe nënshkrua marrëveshja e tre liderëvve kryesorë të partive, Ibrahim Rugova – LDK, Hashim Thaçi – PDK dhe Ramush Haradinaj – AAK.

Pas marrëveshjes, Kuvendi i Kosovës, për vetëm 45 minuta seancë, në një atmosferë të mrekullueshme e festive, e bëri Kosovën me të gjitha institucionet: President i Kosovës u zgjodh Ibrahim Rugova (LDK), ndërsa Kryeministër Bajram Rexhepi (PDK). Sipas marrëveshjes, zgjedhja e institucioneve u bë në paket, në votimin e hapur 88 deputetë votuan pro, 15 abstenuan e 3 ishin kundër. Seanca kryesohej nga Kryeparlamentari i atëhershëm, Nexhat Daci, i cili ishte zgjedhur më herët në konstituimin e Kuvendit të Kosovës menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithëshme.

Ibrahim Rugova, Presidenti i parë i Kosovës nën okupim në kohën e Lëvizjes për liri e pavarësi, i zgjedhur në 24 maj 1992 në zgjedhjet e para shumëpartiake presidenciale e parlamentare,  u zgjodh edhe President i parë i Kosovës së lirë.

“Presidenti Rugova: Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”. Kështu e citonte para 15 viteve, në 5 mars 2002, në kryetitull balline gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, për të cilën lideri historik Rugova ka folur menjëherë pas rizgjedhjes President.

“Ju e dini qëndrimin tim për të ardhmen e Kosovës. Kam punuar dhe unë dëshiroj që sa më parë të njihet pavarësia e Kosovës dhe gjithësesi që ajo do të jetë e pavarur, e lirë, demokratike dhe e integruar në rrjedhat e civilizimit europian e botëror, po në atë afat që thatë ju”,  është përgjigjur Presidenti Rugova në pyetjen që i bëra, si kryeredaktor i gazetës Rilindja, se si e sheh Kosovën pas tre vitesh të mandatit. Me këtë pyetje të parë ishte edhe urimi për të sapozgedhurit President e Kryeministër i Kosovës.

Të posazgjedhurit, Presidenti Rugova e Kryeministri Rexhepi, në 4 mars 2002 folën para gazetarëve që përcillnin punimet e Kuvendit të Kosovës, ku në ambientet për mediat  gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja me ekipin e saj special punonte në një zyrë të improvizuar për një botim të jashtëzakonshëm  të gazetës historike, të mbyllur kundërligjshëm e padrejtësisht nga UNMIK me dëbim nga Pallati Rilindja rreth dy javë më parë në 21 shkurt 2002, pak ditë pasi kishte festuar 57 vjetorin në 12 shkurt.

Në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në funddhjetorin 2002  për gazetën Rilindja, e cila vazhdoi të dalë me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm,  Presidenti historik Ibrahim Rugova theksonte: “Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë. Pastaj, me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë…Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta Rilindja, t’i sigurohet vendi”.

“Është shumë mirë që gazeta Rilindja edhe nëkëto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt”, shprehej Rugova.

Në fund të intervistës, në falënderimin dhe urimin për Vitin e Ri 2003, Rugova u përgjegj: “Urime, po ashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për Rilindjen, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit”.

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 72 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

FJALA E PLOTË E PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA, E PIKËRISHT PARA 15 VITEVE – NË 4 MARS 2002, NË MINUTAT E PARA PAS RIZGJEDHJES PRESIDENT
Për gati tri vjet pas luftës, Kosova në liri ka pasur një progres të madh së bashku me UNMIK-un, KFOR-in dhe OSBE-në në të gjitha fushat e jetës.
Poashtu, Zgjedhjet lokale të vitit 2000 dhe Zgjedhjet nacionale të vitit të kaluar ishin një progres i madh në vendosjen e rendit dmeokratik në Kosovë.

 

 

 

Në këto zgjedhje populli i Kosovës tregoi një kulturë të lartë demokratike e politike. Dhe, këto ditë, po përfundojmë me sukses implementimin e Zgjedhjeve nacionale për ndërtimin e institucioneve të Kosovës.
Sot ndihem shumë i nderuar për besimin që ma dha Kuvendi i Kosovës për të marrë përsipër Zyrën e Presidentit të Kosovës. Ky është një nderim dhe obligim i madh për mua. Ju siguroj se Presidenca e Kosovës do të shprehë unitetin e popullit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Brenda fuqive të mia do të punoj për të mirën dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

 

 

 

Njëherësh do të punojmë që të kemi një ndarje dhe koordinim të pushtetit të degës legjislative, ekzekutive dhe pavarësi të gjykatave, që t’u përgjigjen kërkesave dhe interesave të qytetarëve. Pra, do të kemi një Presidencë të unitetit, Kuvend demokratik dhe Qeveri efektive e stabile, me të gjitha ministritë, për të siguruar një shtet të së drejtës dhe të sigurtë për të gjithë.

 

Në punën tonë të ardhshme të të gjitha institucioneve të Kosovës do të jetë koncentrimi në zhvillimin ekonomik, në sigurimin e investimeve dhe në privatizimin me prioritet. Pra, do të punojmë të kemi një ekonomi të hapur e konkurrente, për të krijuar vende të reja të punës për të rinjtë e Kosovës, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullatës sonë.
Poashtu, do të punojmë në integrimin e grupeve etnike në jetën politike, ekonomike e sociale të Kosovës. Pra, jo vetëm mbrojtje klasike, por integrim të plotë të tyre dhe garantim të ruajtjes së identitetit të tyre. Ne, si shumicë kosovare-shqiptare, kemi përgjegjësi për integrimin e serbëve, të boshnjakëve, të turqve, të romëve dhe të ashkalinjve e egjiptianëve kosovarë në shoqërinë e Kosovës. Pra, të gjithë ne jemi kosovarë dhe do të veprojmë si kosovarë, në të mirë të Kosovës.
Kujdes të veçantë do të kemi për forcimin e SHPK-së dhe të TMK-së në punën e tyre.
Do të punojmë që të zhvillojmë edhe shoqërinë civile dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët. Do të zhvillojmë një shoqëri të tolerancës, të mirëkuptimit e të pajtimit midis njerëzve dhe të respektimit të njëri-tjetrit.
Do të punojmë së bashku në ndërtimin e një Kosove të lirë, demokratike, paqësore, prosperuese, të pavarur e të integruar në Bashkimin Evropian, në strukturat Veriatlantike dhe në marrëdhënie miqësore me SHBA, në bazë të vullnetit politik e dmeokratik të popullit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kjo është e ardhmja e Kosovës, që tashmë ka filluar.

 

 

 

Njohja formale e pavarësisë së Kosovës do ta siguronte dhe shpejtonte këtë proces.
Do të punojmë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët tani, si dhe për krijimin e miqësisë me popujt e rajonit tonë dhe të botës.
Jemi të bindur se të gjithë duhet të punojmë për një Kosovë të lirë në bashkësinë e popujve të botës së lirë. Për një Kosovë prosperuese e më të pasur për ne dhe fëmijët tanë.
Do të zhvillojmë një bashkëpunim të ngushtë me UNMIK-un në konsolidimin e institucioneve demokratike të Kosovës, si dhe me OSBE-në. Ndërsa, me KFOR-in do të punojmë ngushtë në forcimin e sigurisë, i cili deri tash ka bërë dhe po bën një punë të shkëlqyeshme.
Kam nderin që nga kjo Mbledhje solemne e Kuvendit të Kosovës të përshëndes Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presidentin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni, për angazhimin e tyre për prosperitetin e Kosovës. Përshëndetje të veçantë i shprehim Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali II, për kujdesin e tij të përhershëm për Kosovën.
Me këtë rast dëshiroj të falenderoj ambasadorin Menzis për angazhimin e tij të palodhshëm gjatë kësaj kohe për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, si dhe shefin e Zyrës britanike, zotin Llojd, të Zyrës gjermane, zotin Shmunk, të Zyrës franceze, zotin Garanshe, të Zyrës italiane, zotin Tafur, si dhe të Zyrës kanadeze, zotin Barber.
Poashtu, falenderojmë Komisionerin për politikë të jashtme dhe siguri në BE, zotin Solana që u angazhua në këtë proces.
Në mënyrë të veçantë falenderojmë zotin Shtajner, i cili na ndihmoi shumë për të arritur marrëveshjen për përfundimin me sukses të ndërtimit të institucioneve të Kosovës.

 

 

 

Falenderojmë të gjitha partitë politike që u treguan konstruktive në arritjen e suksesit për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, kryetarin e PDK-së, z.H.Thaçin, kryetarin e AAK-së, z.R.Haradinaj dhe prof.Mark Krasniqin.
Në fund të këtij procesi demokratik mund të themi se gjithë kjo ishte një përvojë demokratike për ne dhe për qytetarët e Kosovës. Duhet të mendojmë që për zgjedhjet e ardhshme të zgjedhim një sistem elektoral më të thjeshtë dhe më efektiv. Kjo tregon se kosovarët i pranojnë proceset demokratike dhe se dinë dhe janë të aftë të udhëheqin me veten dhe me vendin e tyre.
Kryeministri Rexhepi dhe Qeveria do të gëzojnë përkrahjen tonë.
Edhe një fjalë: të gjithë jemi pajtuar se këto zgjedhje dhe ndërtimi i institucioneve janë një ngjarje historike në historinë më të re të Kosovës.

 

 

 

Në këtë kuptim ambasadori Menzis ka propozuar që 10 dhjetori – Dita e Konstituimit të Kuvendit të Kosovës të shpallet Ditë nacionale. Sugjeroj që Kuvendi i Kosovës të marrë parasysh këtë propozim kur të vendosë në të ardhmen për këtë çështje.
Në fund të kësaj fjale dëshiroj të them se dyert e Presidencës së Kosovës do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe do të gëzojnë përkrahjen tonë. Prandaj, i ftojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunim, sepse Presidenca dhe institucionet e tjera të Kosovës do të jenë në shërbim të tyre.

 

 

 

Janë institucionet tuaja, qytetarë të dashur, pra, t’i respektoni dhe t’i përkrahni. Unë do të jem në shërbimin tuaj për të mirën e Kosovës.
Jam i bindur se do të kemi përkrahjen tuaj për fillimin e ndërtimit të një pallati presidencial – shtëpie të bardhë të Kosovës, që do të jetë shtëpi e të gjithë kosovarëve.
Qytetarë të dashur, përkundër obligimeve të përditshme, çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur “Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj.

PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA: DUHET TË GJEJMË NJË ZGJIDHJE PËR RILINDJEN, QË TË MUND TË VAZHDOJË SI NJË GAZETË TRADICIONALE

-Gazeta Rilindja, pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës/

 Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive për gazetën Rilindja të jubileut të 60-vjetorit, i vlerëson lart zhvillimet dhe proceset që shpiejnë drejt statusit final – Pavarësisë së Kosovës, për çka ai pret njohje të drejtpërdrejtë nga SHBA-të dhe BE-ja, e mandej edhe nga vendet fqinje e të tjera. Me këtë rast Presidenti Rugova priti në Rezidencën e tij kryetarin e Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorin e Rilindjes, Behlul Jashari, i cili  ia dhuroi Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të kësaj gazete tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik ku më 12 shkurt1945 doli numri i parë i gazetës së parë të Kosovës. Presidenti Rugova dha përkrahjen e plotë për të drejtën dhe ridaljen e Rilindjes duke e vlerësuar “pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës”. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja, e cila gjatë gjashtë dekadave, është në jetën dhe në familjet e kosovarëve.

Nga intervista e botuar më 12 shkurt 2005:

RILINDJA: Z. Presidenti, Ju falenderojmë shumë për këtë intervistë për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, që në këtë 12 Shkurt ka Ditën e Jubileut të 60-vjetorit. Kemi edhe një falenderim të madh për përkrahjen Tuaj për krijimin e kushteve për punën e “Rilindjes”, të drejtën legjitime të saj.

 PRESIDENTI RUGOVA: Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60-vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejt të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmeriumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!

 RILINDJA: Shumë faleminderit Z.President.

PRESIDENTI HISTORIK RUGOVA: RILINDJA EDHE ME BOTIME TË KOHËPASKOHSHME, DUKE VAZHDUAR TË JETË HISTORI E SHKRUAR E KOSOVËS

-Me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë/

Nga intervista ekskluzive e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, që kam zhvilluar para afër 15 viteve, botuar në gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja – numër special në ditën e 31 dhjetorit 2002  për festën e Vitit të Ri 2003:

RILINDJA: Z. President, falemnderit për këtë intervistë për botimin special të gazetës «Rilindja» për Vitin e Ri. Kemi edhe një falënderim të madh për Ju zoti President i Kosovës për mbështetjen dhe angazhimet për një zgjidhje institucionale për gazetëntradicionale të Kosovës «Rilindja», të cilës shpresojmë se së shpejti do t’i krijohen kushtet dhe mundësitë të rifillojë botimin e rregullt. Mendojmë që është një rast shumë i mirë që «Rilindja» të rifillojë botimin e rregullt në ditën e përvjetorit të saj të 58-të, më 12 shkurt 2003. Shfrytëzojmë rastin, dhe kemi nderin dhe kënaqësinë, që qysh tash t’Ju ftojmë në festën, në solemnitetin që do të bëjmë, edhe për Ditën e Rilindjes edhe për rifillimin e botimit të gazetës «Rilindja».

PRESIDENTI RUGOVA: Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë.

Pastaj, me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë, pra derisa bëmë edhe Televizionin Satelitor. Kjo ka qenë shumë e rëndësishëme. Pra, ishte një bazë e informimit në Kosovë. Dhe, një mirënjohje për ju dhe të gjithë ata që në këto vite të vështira punuan dhe mbajtën të gjallë informimin në Kosovë.

Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta “Rilindja”, t’i sigurohet vendi. Duhet të bisedohet dhe të shihen mundësitë. Edhe zyra ime për informim do të interesohet për këtë çështje; besoj edhe komisioni për media i Parlamentit, që është krijuar tash së voni, edhe institucionet e tjera. Duhet parë punën e statusit të “Rilindjes”. Ju mund të jeni si gazetë e pavarur, por duhet të shikojmë sa mund të ndihmoheni nga institucionet tona. Është shumë mirë që gazeta “Rilindja” edhe nëkëto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt.

RILINDJA: Z. President, Ju falënderojmë shumë për këtë përkrahje të madhe për “Rilindjen”. Shfrytëzojmë rastin, kemi nderin dhe kënaqësinë, që t’ Ju urojmë: Gëzuar Vitin e Ri 2003, më shumë shëndet, mbarësi, suksese për Ju dhe për gjithë Kosovën.

PRESIDENTI RUGOVA: Urime, po ashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për “Rilindjen”, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, PARA 15 VITEVE, U RIZGJODH PRESIDENT

Mogherini: Kosova të ratifikojë demarkacionin, BE-ja liberalizon vizat

March 4, 2017 by dgreca

Mogherini takohet me pushtetin dhe opozitën në Prishtinë/

 Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, ka ripërsëritur mesazhin e Brukselit se demarkacioni me Malin e Zi mbetet kusht i pandryshuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.Këto komente, Mogherini i ka bërë në Prishtinë, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

“Propozimi i Komisionit Evropian ishte shumë i qartë. Janë dy kushte, të cilat duhet të plotësohen para se të bëhet liberalizimi i vizave”, ka thënë Mogherini.

“Këto dy kushte janë që Kosova ta përmirësojë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku ka përparime, dhe kushti i dytë është ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ku që nga vizita e ime e fundit vitin e kaluar, nuk ka pasur përparime”, ka thënë Mogherini.

“Nëse Kuvendi e voton demarkacionin, ne, BE-ja do të lëvizë shumë shpejt në procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë ajo

“Është koha e fundit ta ratifikoni Marrëveshjen me Malin e Zi dhe kjo do ta zhbllokojë liberalizimin e vizave. Ky vendim është në duart e Kuvendit të Kosovës”, ka shtuar Mogherini.

Ajo u ka bërë thirrje partive politike që ta kenë të qartë se kur është fjala për interesat e popullit, siç është liberalizimi i vizave, ato duhet ta tejkalojnë debatin ndërpartiak dhe të gjejnë rrugën përpara.

“Besoj që partitë të gjejnë një formë pajtimi dhe ta ratifikojnë këtë marrëveshje. Populli i Kosovës e dëshiron liberalizimin dhe nuk e meriton mungesën e konsensusit për liberalizimin”, është shprehur zyrtarja e lartë e BE-së.

Tutje, Mogherini ka përshëndetur angazhimin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Ajo ka thënë se dialogu mbetet formë e pazëvendësueshme për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka kërkuar ndihmën politike Mogherinit dhe Bashkimit Evropian për të shtrirë ndikimin tek opozita që ta mbështesë demarkacionin me Malin e Zi. Njëherësh ka kërkuar edhe shtimin e presioneve politike mbi përfaqësuesit serbë, që të kthehen në institucione.

“Kemi kërkuar ndihmën e Mogherinit që t’i kalojmë pengesat e krijuara me ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me malin e Zi”, ka deklaruar ai.

Mustafa ka thënë se te kriteri i dytë, që ka të bëjë me luftimin e krimit dhe korrupsionit, Kosova ka shënuar përparime të dukshme.

“Kosova është e përcaktuar në rrugën e saj evropiane”, ka thënë Mustafa, duke shprehur bindjen se një ditë edhe Kosova do të jetë shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

Sa i përket dialogut me Serbinë, ai ka ritheksuar se mbetet i përkushtuar që ky proces të vazhdojë.

“Ne e shohim dialogun me vendet fqinje, edhe me Serbinë si alternativë të pazëvendësueshme për normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimin e proceseve në Ballkan dhe Evropë, pavarësisht disa kundërshtimeve që i kemi nga opozita”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri Mustafa ka bërë të ditur se ka kërkuar mbështetjen e Brukselit që proceset të ecin më shpejt, duke përfshirë edhe kërkesën e BE-së drejtuar Beogradit që të ndalë ndikimin te përfaqësuesit serbë, në mënyrë që ata të kthehen në institucionet e Kosovës.

Në anën tjetër, Mogherini ka deklaruar se kjo nuk ishte vetëm një vizitë e radhës në Ballkan, territor ky që po u ekspozohet tensioneve.

“Është me rëndësi që të sjellim këtu, në rajon, mesazhin e BE-së, që të vazhdoni drejt rrugës evropiane. Ky mesazh vlen për gjithë rajonin, pra edhe për Kosovën”.

“Kosova duhet të vazhdojë shtegtimin evropian, kurse BE-ja duhet ta mbështesë këtë rrugëtim”, ka thënë Mogherini.

Paraprakisht, Mogherini ka takuar ndaras në Prishtinë, presidentinHashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Kabineti i presidentit të Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, ka njoftuar se Thaçi ka vlerësuar se vizita e Mogherinit vjen në një moment më të mirë për Kosovën dhe rajonin.

“Kemi sfida të ndryshme, por prioritete të njëjta”, është shprehur presidenti Thaçi, duke shtuar se është e rëndësishme që BE-ja të mbështesë tërë rajonin në aspiratën e vet për t’u bërë pjesë e saj.

Kurse, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nëpërmjet një komunikate ka konfirmuar se temë qëndrore e takimit ka qenë çështja e marrëveshjes për shënjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Me këtë rast, kryeparlamentari Veseli ka ritheksuar qëndrimin e vazhdueshëm të Kuvendit të Kosovës që sapo të vijë marrëveshja e shënjimit të kufirit nga Qeveria, ajo do të procedohet në seancë.

“Qytetarët e Kosovës janë gjeografikisht, politikisht, kulturalisht pjesë Evropës. Prandaj, ne do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona ndaj Bashkimit Evropian si institucione dhe si popull”, ka thënë Veseli.

Opozita nuk ndryshon qëndrim për demarkacionin

Mogherini ka zhvilluar një takim edhe me përfaqësuesit e partive parlamentare, përfshi edhe opozitën dhe përfaqësuesin e Listës Serbe.

Pas takimit me Mogherinin, përfaqësuesit e opozitës nuk e kanë ndryshuar pozicionin e tyre në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka thënë se BE-ja e ka vënë kusht demarkacionin për liberalizimin e vizave, por nuk është qëndrim i BE-së që marrëveshja aktuale me Malin e Zi duhet të ratifikohet.

Sipas tij, ratifikimi mund të ndodhë kur të bëhet përmirësimi i shënjimit të vijës kufitare, ngase marrëveshja aktuale, siç është shprehur ai, është e padrejtë dhe në dëm të tërësisë territoriale të Kosovës.

Një pikë tjetër, në të cilën është ndalur opozita, ishte edhe diskutimi me Mogherinin në lidhje me ndalimin e Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze. Ata kanë kërkuar që BE-ja të përdorë ndikimin e vet që të lirohet Haradinaj dhe të lejohet të kthehet në Kosovë, si dhe që të shfuqizohen fletarrestimet e Serbisë ndaj zyrtarëve të Kosovës.

Mogherini në Mitrovicë: Ura do t’i bashkojë komunitetet nga jugu dhe veriu

Shefja e diplomacisë evropiane, Mogherini, ka qëndruar më pas edhe në Mitrovicë, ku është takuar me autoritetet lokale të komunës jugore dhe veriore të qytetit. Ajo i ka vlerësuar pozitivisht punimet për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër.

“Ura do t’i bashkoj të dy komunitetet nga veriu dhe jugu. Ky nuk është rezultat i jashtëtokësorëve, por i njerëzve”, ka thënë ajo.

“Është rezultat i bisedimeve nga vendimmarrësit e dy shteteve në Bruksel”, është shprehur Mogherini.

Pas zhvillimeve që pasuan veprimin e autoriteteve lokale të Mitrovicës veriore për ndërtimin e një muri në veri të qytetit, i cili më pas u rrënua ngase ishte vlerësuar si ilegal, Mogherini tha tani po sheh përparime të dukshme.

Vizita e Mogherinit në Kosovë po realizohet në kuadër të një turni që ajo po zhvillon në rajonin e Ballkanit. (REL)

Filed Under: Reportazh Tagged With: liberalizojme vizat, Mogherini ne Prishtine, Ratifikoni kufirin

Në Kushtetutën maqedonase, Populli shqiptar nuk është shtetformues!

March 4, 2017 by dgreca

Rreth artikullit të Harry Bajraktarit me titull,,Me politikë kundër shqiptarëve nuk mund të zgjidhet kriza në Maqedoni,,botuar në gazetën,,Dielli,,më datën 3 mars 2017/

Nga Skënder Karaçica/

Kundërshtimi i platformës politike shqiptare nga ana e presidentit Ivanov,që ka të bëjë me zgjedhjen e qeverisë së re dhe të institucionit ligjvënës të parlamentit të Maqedonisë,padyshim se ka krijuar krizë politike dhe me shenja të keqësimit të situatës në shkallë ndëretnike.Përkitazi me gjendjen e krijuar në këtë vend për shkak se proceset demokratike janë vonuar dhe kanë mbetur peng i politikës së keqe tash e sa vjet,ku me këtë krizë janë anashkaluar dhe anatemuar çështja e (pa)zgjidhur shqiptare në hapësirën e vet etnike në Maqedoni.

Për gjendjen aktuale të krizës politike në këtë vend multietnik,ku populli shqiptar si popull i dytë shumicë me një përbërje kombëtare 40 përqind,ende me aktin më të lartë juridik të Kushtetutës e ka statusin e pakicës kombëtare dhe jo shtetformues,ashtu siç shkruan në artikullin e tij Harry Bajraktari.Po i tregojmë H.Bajraktarit siç ka vënë në dukje,,keqpërdorët Kushtetuta dhe ligjet,të drejtat tjera që u takojnë shqiptarëve me aktin më të lartë juridik,,me këto të dhëna të H.B.nuk mund të pajtohem,ndonëse Kushtetuta e ka vendos si parim se,,shteti i Maqedonisë është i popullit maqedonas dhe të tjerëve(!).Kush mund të jenë ata të tjerët,.prandaj z.H.Bajraktari populli shqiptar sipas të këtij akti të lartë juridik janë pakicë kombëtare dhe jo shtetformues.Mos të lejojmë që para faktorëve relevantë ndërkombëtar të flasim me faktet që shkon ndesh kundër të vërtetës historike se çështja shqiptare në Maqedoni ende nuk është zgjidhë në frymën e barazisë kombëtare të subjektivitetit në shkallë kushtetuese si shtetformues,por ka mbetur në pozitën e pakicës kombëtare që nga viti 1945 e deri me sot.

Pa ndryshimet e Kushtetutës aktuale dhe të amendamenteve ku pozita e popullit shqiptar si popull i dytë shumicë do të avancohet në shtetformues,duke e lanë pozitën e sotme denigruese të pakicës kombëtare në muzeun e kohës së pushtetit antishqiptar sllavo-maqedon,prandaj në këtë rrafsh H.Bajraktari dhe të tjerët mos të ngatrrojnë konceptin kushtetues që shqiptarët i ka lanë tash e një shekull në margjinat ligjore të pakicës me barasvlerën me pakicat tjera në këtë vend multietnik.

Këso kohe po me këto ,,vlerësime,,rreth krizës politike në Maqedoni,janë paraqitur edhe institucionet në Tiranën dhe Prishtinën zyrtyare,duke aluduar në ,,ligjet kushtetuese se ,,shqiptarët janë shtetformues,,si dhe ,,gjuha shqipe është zyrtare,,(!)duke i dhënë alibi aparatit shtetëror se ai nuk ka të drejtë të kundërshtoj çështjen shqiptare,kur po ky pushtet në Maqedoni përmes Kushtetutës i ka denigruar shqiptarët deri në atë shkallë që edhe përmes skandaleve ,,shkencore,,të Akademisë së Shkencave e të Artit në Shkup,për shqiptarët dhanë alarmin se ata paskëshin ardhur nga malet dhe në një tokë të ,,huaj,,e vërteta ata janë me shekuj në tokën e vet etnike.

Për fund po ritheksojmë se Harry Bajraktari në këtë paraqitje nga Nju Jorku,çështjen e (pa)zgjidhur shqiptare në Maqedoni e ka interpetuar nga distanca pa hedh dritë sa duhet ne realitetin e kohës se për pakicën kombëtare në Maqedoni vendos ,,shumica,,e bashkësisë sllavo-maqedone dhe jo bashkësia e dytë shumicë shqiptare etnike.Kur flasim dhe shkruajmë për krizën në Maqedoni dhe në takimet tona me miqtë tanë nëpër botë dhe Amerkikë,duhet të prezentojmë realitetin e hedhur të ligjeve antishqiptare që ka akorduar pushteti dhe segmente të caktuara me Kushtetutën e këtij vendi,që ndaj shqiptarëve ka vendosur pozitën e pakicës dhe jo shteformues.Shpresoj se H.B.këtë shpalosje të problemit të (pa)zgjidhur shqiptar në Maqedoni do të marrë me konsideratë!

 

Filed Under: Komente Tagged With: Kushtetuta e Maqedonise, Populli shqiptar, Skender Karacica

Përbetimi rus…

March 4, 2017 by dgreca

Shkruan Rexhep KASUMAJ- Berlin, mars 2017/Nga Kullat e Kremlinit vjen shqetësimi i stisur. Një shkollë e vjetër pansllave që kurrë s’u lodh të punojë kundër shqiptarëve. Vërejtja e Moskës ka po atë amzë të njohur dhe po atë floskulë të fshehtë diplomatike: perëndimi dhe shqiptarët destabilizojnë Maqedoninë.

Po kush e thotë këtë?

Rusia që (pa vajtur larg në të kaluarën e errtë) përzihet e ndërhyn me spiunim kibernetik, para dhe ushtri kudo që i diktojnë interesat e saj për resurse, tregje e shtigje gjeopolitike në botë?

– Ajo anekson Krimenë e Detit të zi me vjegën që rusët e përsekutuar vendorë e nëvojisin këtë.

– I vë poashtu Ukrajinës, me vrasje e gjak, jashtë kontrollit gati gjysmën e territorit sovran tash sa vjet.

– Gjunjëzon për vdekje deri në kufijtë e zhbërjes, një komb e qytetní të tërë: Sirinë dhe atllasin kulturor të Shamit.

– I ofronte ndihmë danaike Greqisë në orën e vështirë të krizës, që ajo të refuzonte Brukselin dhe, këso udhe, ti jepte një të çarë Ngrehës europiane.

– Publikon, e mbase, falsifikon dokumenta të besueshëm të rivales Klinton, duke ndikuar zgjedhjet dhe, më pas, përplasjet civile në Amerikë.

– Ka hedhur në qarkullim misionarët subverzivë në Baltik që, dhe atje, popujt të thërrasin për mëshirë hemetat ruse.

– I jep kredi prej 50 milionë eurosh Marine Le Pen, shefe e Frontit nacional, që Franca të ndjekë britët dhe të shuhet Europa komunitare.

– Gatitet (me ç’thonë) të turbullojë ujërat elektoralë dhe në Berlinin e Zonjës së rëndë Merkel.

– Mban peng e të çorientuar Serbinë, duke i dhënë krah shpirtit testamental të krimit në filozofinë shtetërore të saj.

– Instrukton e mbështetë një grusht shteti në Mal të zi, ku, sipas skenarit komplotues, duhej të mbetej i vrarë premieri i tij.

– I ndërsen serbët boshnjakë për ta defunksionalizuar Bosnjën me projektin e Reich – ut të madh serbian (“nga varret në perëndim e deri tek tempujt në jug”).

– Bën shpesh një ekuacion simetrik mes Kosovës e Krimesë, anipse kanë territore, histori, popull, gjenealogji e përmasë krejtësisht ë ndryshme.

– Shpall se vetëvendosja e popujve është themel i lirisë, por, ndërsa kërkon t’i njihet pushtimi i gadishullit heterogjen – refuzon të njohë Kosovën, vullnetin e ligjshëm të popullit të saj shqiptar.

Ja ky është indi i politikës ruse që rikthen teatrin e vjetër në motin e ri. Por, njëkohësisht, ky është dhe kodi i sjelljes reale në marrëdhëniet ndërkombëtare: një lokomotivë që nuk e lëvizin as drejtësia e parimet dhe as dhimbja e lotët. Janë vetëm interesat e fuqia që përcaktojnë frymën dhe rendin tij.

Dhe të botës, mjerisht!

Filed Under: ESSE Tagged With: Përbetimi rus..., Rexhep Kasumaj

Java teatrore e sime mëje

March 4, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1) 8 Marsi
Më 8 Mars të këtij viti, 2014, mbushen plot dhjetë vjetë nga dita që ndërroi jetë dhe mori dhe’ ime më. Për disa ditë ajo do të mbushte shtadhjetë. Nuk e arriti. Bëri në mënyrë përfekte avazin e të shoqit.
Sa herë që vjen marsi, javën e parë unë e kam thirrur gjithmonë si java e saj. Kjo grua me histori nga njerëzimi i madh, asnjëherë pjesë e ndonjë e hallke shteti, apo qeverie, veç në atë të fundit, punëtore. Një pastruese shkollash dhe spitalesh. Thjesht njerëzim i madh, kishte në vetvevete sharmin e një intelektualeje klasi. Arsimimi i saj, përvoja e jetës.
Vështrimin psikoanalist më të përsosur në botë, kulturën e domosdoshme për të folur fare qetësisht edhe me personalitetin më të lart. Qoftë ky nga shteti, arti apo shkenca. Asnjëherë e friguar nga miqësia, qoftë edhe kur shoqet e saj ishin gra të deglasuara. Priste dhe i shkonte me kënaqësi një gruaje nga Pluku. Gruaja e Kapllan Resulit. Me humor të hidhur. Aq sa do kënaqeshin duke ia hedhur dhe pritur njëri-tjetrit. Ajo dhe Cekja i madh.
Ajo dhe shkrimtari humorist, i ndjeri dhe i madhi Shaban Manahasa.
Në javën e saj unë do flas për kurajon në fundin e jetës. Dhe dashurinë. Ndofta këtë të dytën mund edhe ta kem. Të parën nuk e di. I përket së ardhmes.
2) Java teatrore
Përse java e saj? Ka të bëj me kurajon. Me zemrën. Duhet të jetë prova më e madhe për njeriun, afati i jetës. Të dish se ke edhe kaq ditë apo kaq orë, etj. Dhe pa diskutim që nuk është çështje moshe. Jeta është e dhimbsur për çdo të tillë. Eshtë bota e ethshme ku njeriu mund të t’i lyp fatit mëshirë. Nuk bëhet pis. Ose nuk i trëmbët faktit të të gjëndurit në atë lloj situate. Janë gjëra njerëzore. Ku ta dish.? Janë përvoja të trishta, aq sa edhe ti shkruash nuk ke dëshirë. Por, jeta, e tillë qënka. Ka qënë java teatrore e saj. Në fund do të ikte. E kishte vendosur. Ndaj ditën e parë, në dhomën e pastër, mes librave të mi. Të cilët i ruante me fanatizmin më të madh dhe ku unë vetëm asaj i besoja që të mos dilte ndonjë kopje nga shtëpia. Kërkoi të takohej me njerëzit. Afati vetëm për dy ditë. Të tjerat ditë i donte me fëmijët. I donte të pastra dhe pa një pasqyrë në dhomë. Ditë ku njeriu nuk do ta shohë veten as për fytyrë.
E filloi me krushkën e madhe. E donte atë njeri. Flisnin bashkë për tekat dhe grindjet e të rinjëve të tyre. Teatër njerëzor. I tha që po vdiste, i fali shallin e saj, ndërsa tjetra qante. U përqafuan…, ndërsa ajo i kërkoi të mos qante.
U ndanë pa fjalë. Unë dëshmitari i gofusor. Kisha urdhër të mbaja veten. Kështu e disa ditë me radhë.
Ditën e fundit, u tha vajzave dhe nuseve të mos mbanin zi. Urrente të zezën. Donte ngjyrat. Dritën, diellin.Mbylli sytë në prehrin e djalit të madhe. Dashuria e brishtë. Meraku i saj.
Edhe sot e kësaj dite pyes veten. A do e kem ndonjëherë këtë kurajo? Unë, biri i saj .?.
3) Dashuria për lulet
Izabel Aliende, autorja e famshme e Shtëpisë së shpirtrave, e përndjekura e Pinochetit për shkak se është e mbesa e Salvador Aliendes, të cilën e kam edhe në listën e miqve këtu në facebook, më ka edukuar ritin e magjik të dheut të vendlindjes. Në vitin 1973 ajo do të ikte nga Kili për në Venezuele, mori me vete një vazo me lule. Më pas do të shkruante, ajo tashmë është rritur njësoj si malli im. Zbulova së fundi, pavarsisht moskomunikimit, këtë e kishte praktikuar edhe një shoku im i shkollës. Fred Basha nga Fieri. Me siguri, me dhjetra e mijra emigrantë të tjerë. Im vëlla më vendosi një kalem begonje me një grusht dhe’ në një shishe plastike nga ato mbi njëlitroshet të Cocacola-s. Mu kujtua Izabela. Më kujtohet edhe tani që po shkruaj këto radhë. Begonja ia ka kaluar mallit tim. Si unë dhe Fredi nga Fieri, i kemi jo thjesht lule, por gjymtyrë të nënave. Kapilarë të zemrave.
Ka një tjetër dashuri tek njeriu, që herë me naivitet, herë me çiltërsi, me dashje, pa dashje, shpall një tjetër dashuri e cila gati gati bëhet e krahasueshme me atë të njëriut për njëriun. Pra ekzistenca e një tjetër dashurie, asaj për lulet. Oborri i sime mëje dominohej nga mullagat. Por debulesa e saj ishin zambakët, begonja. Mbronte me dhimbje një zhardhok zymbyli. Një kajsi të çelur nga një hedhurinë. Një mandarinë apo një nespull. Sa herë që vjen pranvera më shkon mendja tek kjo dashuri. Tashmë unë jetoj në një vend me pranverë të përhershme, aq sa më vjen keq që kur shoh si stinët të ngrëthurura tek njëra-tjetra, nuk kuptohen kur vijnë, nuk kuptohen kur ikin. Me një fjalë nga ana që lind dielli çelin sythë të rinj, nga ana që perëndon, bien gjethet e vjetra. Por prapë shenjat e asaj tonës i kam me vete. Mi tregon lulja e saj, begonja.
4) Disa fjalë me ‘të …
Cigaren e kam lënë, nuk të shoqëroj më. Begonjën e krasita, ia kaloi edhe shtatit tim. Kam mbjell dhe zambak, kam lule fasuleje plot të tjera. Gjeta Elvin duke shikuar fotot e mia me ty. Më pyeti i tregova gjerë e gjatë. Mu hodh në qafë, më përqafoi. Eshte bërë djal i madh. Të përshendes e bukura ime.

Filed Under: ESSE Tagged With: e sime mëje, Ilir Levonja, Java teatrore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2160
  • 2161
  • 2162
  • 2163
  • 2164
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT