Drejtësia politike franceze nën diktatin politik të Serbisë
Nga Bardhyl Mahmuti/
Në të gjitha kontaktet që kam pasur lidhur me mbajtjen e Ramush Haradinajt në Francë është thënë në mënyrë kategorike se ai është tërësisht i pafajshëm. Kur të gjithë janë të vetëdijshëm për pafajësinë e tij mbajtja e Ramush Haradinajt në Francë me urdhër të Serbisë nuk është asgjë tjetër pos diktat politik i Serbisë mbi drejtësinë franceze.
Vendimi i Gjykatës së Apelit në Colmar për të shtyrë sjelljen e vendimit për lirimin e Ramush Haradinajt është një vendim politik që ka për qëllim nxitjen e konflikteve të reja në Ballkan.
Është poshtërsi e paparë heshtja e institucioneve të BE-së përballë mbajtjes peng të Ramush Haradinajt nga drejtësia e një shteti të BE-së që zbaton urdhrat e qarqeve politike të Beogradit.
Është momenti i fundit që institucionet shtetërore të Kosovës të ndërmarrin një fushatë të gjerë diplomatike kundër forcave që dëshirojnë të destabilizojnë paqen e brishtë të kësaj pjese të Evropës.
Mesazh i Editorit të Diellit
Miqtë e mi, ju kërkoj ndjesë që nuk kam mundur ti përgjigjem publikisht shqetësimit tuaj. Telefonatat tuaja, mesazhet personale në fb, për tu dhënë përgjigje shpifëseve të mi dhe të Vatrës, i vlerësoj, por jo, nuk do të përgjigjem. Nuk do të bie në batakun e tyre. Po te shihnit emailet e tyre, apo komentet e pa moderuara ne Dielli online, me fjalor WC-je , do të pështiroseshit….Kam zgjedhur rrugën e heshtjes për t’i injoruar shpifësit e mi. Zot, fali se nuk dine ç’bëjnë!
I mëshiroj shpifësit e mi; Kush nuk përjeton dashuri e ngrohtësi në jetën e përditshme, prodhon urrejtje. Unë dëgjoj këshillen e miqëve të mi vatranë:Injorojë shpifësit! Ashtu kam bërë, ashtu do të bëj. Nuk kam as moralin, as kulturën, as edukatën e tyre! Vazhdoni shpifësit e mi, shpifni…dhe pastaj moralizoni!
Po ashtu kam një mesazh për ndonjë portal që është vënë në dispozicion të shpifësve të mi: Vazhdoni, krahas pornografisë, botoni dhe shpifje!
DREJTESIA FRANCEZE NE KURTHIN SERB: SHTYHET VENDIMI PER HARADINAJ
*Vendimi për Haradinajn shtyhet për 6 prill/
- AAK:autoritetet gjyqësore të Francës janë vënë në shërbim të ish bashkëpunëtorëve të Milloshevicit/
* Reagon Qeveria e Kosovës: Keqpërdorimi i drejtësisë nga Serbia/
*Fatmir LIMAJ: Mërzituni për shtetin, jo për Ramushin!/
Gjykata franceze në Colmar të Francës ka vendosur që të shtyjë për 6 prill vendimin në lidhje me rastin Ramush Haradinaj. Ky i fundit është paraqitur të enjten para gjykatës, por drejtësia franceze ka kërkuar edhe një muaj afat për t’i shqyrtuar argumentet shtesë të deponuara nga Prokuroria Speciale e Serbisë.Pas seancës gjyqësore, e cila ka zgjatur vetëm disa minuta, Haradinaj është paraqitur para medieve dhe një mase njerëzisht të tubuar aty, duke thënë se shtyrja e vendimit ishte e padrejtë.“Vendimi i radhës pritet më 6 prill. Jam peng politik. Ky proces është më së paku ligj dhe më së shumti politikë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka përsëritur se pafajësia e tij është vërtetuar dy herë, me proceset gjyqësore ndaj tij të zhvilluara në Tribunalin e Hagës.“Lufta 1998-99 është filtruar në Gjykatën e e Hagës. Luftë tjetër nuk ka ndodhë, pra unë jam peng politik. Të gjithë ata që janë pjesë e këtij veprimi duhet t’u vijë turp si për edhe për ligjin edhe por të gjitha”, është shprehur ai.Ramush Haradinaj, është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër- arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit.
Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte. Nisur nga këto akuza, Prokuroria Speciale e Serbisë, pati paraqitur dhe kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi.Por, gjykata franceze, në seancën e mbajtur më 9 shkurt, nuk vendosi përfundimisht për këtë rast, duke e lënë Haradinajn nën masën e lirimit me kusht dhe duke e shtyrë vendimin për datën 2 mars.Para kësaj seance gjyqësore, autoritetet serbe, kishin deponuar materiale shtesë, çka besohet se kishte ndikuar që gjykata në Colmar, të zvarriste marrjen e vendimit përfundimtar.
Por, Haradinaj, kishte deklaruar se fletë-arresti ndaj tij është i motivuar politikisht nga autoritetet serbe.Haradinaj i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndalimi i tij nga autoritetet franceze nuk është dashur të ndodhë fare, ngase fletë-arrestet serbe, ka vijuar ai, janë të pakuptimta. Urdhër-arrestet serbe, ka thënë ai, nuk po respektohen tashmë nga vendet shumë shtete, si Gjermania, Britania e Madhe e vende tjera.Ndalimin e tij në Francë, Haradinaj e ka cilësuar si mbajtje peng, që vjen si pasojë e veprimeve politike të lidershipit të Serbisë.
“Nikoliq, Vuçiq e Daçiq kanë qenë pjesë e strukturave të Millosheviqit që u kanë shkaktuar tragjedi popujve të Ballkanit, prej Bosnjes, Kroacisë dhe Kosovës. Asnjëri nga ta nuk ka kaluar nëpër ndonjë gjykatë, qoftë vendore apo ndërkombëtare. Ndërkaq unë kam kaluar para (nën jë proces gjyqësor) një gjykate ndërkombëtare e cila e ka filtruar, pra e ka dhënë pafajësinë time, për luften gjatë vitet 1998 – 1999”, ka thënë Haradinaj.Pas aktakuzës së parë të ngritur ndaj tij nga Tribunali i Hagës për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati dhënë dorëheqje nga posti më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës.Ai ishte dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Në vitin 2008, Gjykata e Hagës e shpalli atë të pafajshëm. Katër vjet pas u bë rigjykimi i tij, po në Tribunalin e Hagës. Por, në vitin 2012, Ramush Haradinaj serish u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për krime lufte.Haradinaj ishte komandant i lartë i ish-UÇK-së, kurse pas luftës, ai ishte themelues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetar i të cilës është edhe sot.
Qeveria e Kosovës: Keqpërdorimi i drejtësisë nga Serbia/
-Shtyrja e sërishme e vendimit për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është dëshmi e keqpërdorimit të drejtësisë nga Serbia/
Prishtinë, 2 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se shtyrja e sërishme e vendimit për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është dëshmi e keqpërdorimit të drejtësisë nga Serbia, e cila në emër të informatave shtesë, po zvarrit një proces të ndërtuar mbi akuza të fabrikuara, përmes rrugëve të paligjshme dhe me synime degraduese për tërë popullin e Kosovës.Përmes këtyre lojërave të ulëta, për përfitime të brendshme politike, Serbia, duke keqpërdorur drejtësinë, po përpiqet të dëmtoj po ashtu imazhin dhe personalitetin e ish–kryeministrit Ramush Haradinaj, të qytetarëve të Kosovës dhe shtetin e Kosovës.Besojmë se drejtësia franceze nuk do të tolerojë një gjendje të tillë.Qeveria e Kosovës, po ashtu, i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i jap fund njëherë e përgjithmonë këtyre akteve të patolerueshme të Serbisë, ndërkaq, kërkon nga institucionet franceze të mundësojnë kthimin e z. Haradinaj në Republikën e Kosovës./b.j/
AAK: Shtyrja e vendimit, përpjekje për mënjanimin politik të tij Haradinajt
PRISHTINË, 2 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaroi sot se, shtyrja edhe për një muaj e mbajtjes së Ramush Haradinajt në Francë është abuzim me drejtësinë. “Vendimi është i palogjikshëm, dhe krejtësisht i pakuptueshëm. Është e habitshmë se si autoritetet gjyqësore të Francës janë vënë në shërbim të ish bashkëpunëtorëve të Milloshevicit, të cilët përmes Haradinajt po e provokojnë rëndë stabilitetin dhe paqen në Kosovë”, thekson deklarata e sapodërguar.
AAK, vijohet më rej, dyshon se shtyrja e vendimit për lirimin e Haradinajt, është përpjekje e drejtpërdrejtë për menjanimin politik të tij.
“Ne jemi të bindur se Haradinaj do të lirohet, sepse të ashtuquajturat dëshmi të Serbisë kundër tij, janë trillime dhe shpifje ordinere, por autoritetet franceze duhet ta kuptojnë se drejtësia e vonuar është padrejtësi, dhe ato po e vonojnë drejtësinë në rastin Haradinaj”, përfundon deklarata e AAK, partisë së drejtuar nga Haradinaj.
Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës. Në 29 nëntor 2012 u shpall i pafajshm për të gjitha pikat e akuzës.
“Më në fund, pas shtatë viteve të gjata, dhe dy gjykimeve të gjata, kjo Gjykatë ka sjellur drejtësi për Ramush Haradinajn dhe për popullin e Kosovës”, theksonte deklarata e Ben Emmerson në emër të ekipit mbrojtës.
Ramush Haradinaj në 4 janar 2017 është ndaluar në Aeroportin e Baselit sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004./b.j/
Fatmir LIMAJ: Mërzituni për shtetin, jo për Ramushin!/
Këta që sot po e drejtojnë shtetin tonë, ka vite që me entuziazëm kanë punuar në rrënimin e dinjitetit të shtetit. A nuk ishin po këta udhëheqës të shtetit tonë që pak ditë para se të ndalohej Ramushi, e akuzonin atë me po të njëjtat akuza me të cilat edhe është lëshuar fletarrestimi nga Serbia.
Të bashkohemi dhe ti kthejmë dinjitetin shtetit tonë. E gjithë e keqja që po na ndodhë është në Prishtinë, mos ta kërkojmë diku tjetër.F. L
FJALIMI OPTIMIST I PRESIDENTIT DONALD TRUMP

Nga Frank Shkreli/Të marten mbrëma, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald trump mbajti fjalimin e tij të parë, në një sesion të përbashkët të dy dhomave të Kongresit amerikan. Me një ton të ri optimizmi, ai e quajti fjalimin e vet, një mesazh të fuqishëm uniteti dhe një mesazh nga zemëra. “Ne mund të jemi një vend i përçarë në lidhje me politikat që duhet të ndjekim, por jemi një vend i bashkuar kundër urrejtjes dhe të keqës, në të gjitha format e tyre.”
Ai i tha Kongresit dhe nepërmjet tij popullit amerikan dhe botës se, “Tani ka filluar një kapitull i ri i Madhërishëm i Amerikës” dhe se “Një krenari e re kombëtare po përhapet anë e mbanë vendit”. Presidenti Trump deklaroi se, “Një hov i ri optimizmi po i bën të arritshme ëndërrat që deri tani dukeshin të parealizueshme.” Ai vazhdoi duke thënë se “Jemi dëshmitarë”, të asaj që ai cilësoi si, “Një ringjallje e një fryme dhe entuziazmi të ri amerikan”, duke u premtuar njëkohsisht edhe aleatëve të Shteteve të Bashkuara anë e mbanë botës se, “Amerika është prap e gatëshme të udhëheq”, duke theksuar se, “Të gjitha kombet e botës – miq ose armiq – do të shohin se Amerika është e fortë, Amerika është krenare dhe se Amerika është e lirë.”
Në fjalimin e tij, Presidenti Trump iu referua 250-vjetorit të ardhëshëm të themelimit të Shteteve të Bashkuara dhe shpalljes së pavarësisë amerikane – që do festohet në vitin 2026 – e të cilën ai e quajti si një moment të rëndësishëm në historinë botërore –duke pyetur, “Si do të duket Amerika ndërkohë që i afrohemi 250-vjetorit të themelimit të Shteteve të Bashkuara? Çfarë vendi do u lëmë pas fëmijve tanë”, duke premtuar se, “Unë nuk do të lejojë që gabimet e dekadave të kaluara të përcaktojnë të ardhmen tonë.”
Por, përveç optimizmit që përçonte, fjalimi i presidentit Trump para Kongresit ishte gjithashtu edhe një fjalim programesh dhe propozimesh në fushën e politikës së mbrendshme dhe të jashtme, pasi këto politika janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën dhe përqendrimi i tepëruar mbi njërën prej këtyre, zakonisht bëhet në kurriz të tjetrës. Ne, tha presidenti Trump, për një kohë të gjatë kemi parë se si klasa e mesme në Amerikë ka vazhduar të pakësohet në numër, ndërkohë që firmat amerikane kanë ekportuar operacionet dhe pasurinë jashtë Amerikës. Ne, theksoi Z. Trump, kemi financuar dhe ndërtuar shumë projekte anë e mbanë botës, por kemi lënë pas dore fatin dhe mirëqenjen e fëmijve tanë, përfshirë të atyre në qytetet siç janë Çikago, Baltimore dhe Detroit. Ne kemi mbrojtur gjithashtu, nënvijoi ai në fjalimin e tij, kufijt e vendeve të tjera, ndërkohë që kemi lënë hapur kufijt tanë për këdo që dëshiron të vijë këtu, ndërsa po futen gjithashtu edhe sasi të mëdha droge, me një ritëm të paparë. Kemi shpenzuar triliona dollarë për të ndihmuar vendet përtej detit, ndërkohë që po shkatërrohet infrastruktura jonë, tha udhëheqsi amerikan në fjalimin e tij para Kongresit. Ai u bëri thirrje anëtarave republikanë dhe demokratë të Kongresit amerikan që të bashkohen në mbështetje të agjendës së tij të politikës së jashtëme dhe të mbrendshme, pasi kjo është dëshira e miliona amerikanëve të cilët në zgjedhjet e nëntorit të kaluar ishin të bashkuar, “Për një kërkesë të thjeshtë, që Amerika t’u kushtojë vëmëndjen kryesore shtetasve të vet më së pari, sepse vetëm atëherë mund t’a bëjmë përsëri Amerikën të Madhërishme”.
Ndër të tjera,ai premtoi, rritjen e buxhetit të mbrojtjes duke thënë se forcat e armatosura të Amerikës do të kenë burimet financiare dhe njerëzore për të cilat kanë nevojë, duke bërë thirrje për një rritje ndër më të mëdhat të buxhetit të mbrojtjes në historinë e Amerikës.Ndërkohë, propozoi që “Infrastruktura në shkatërrim e sipër të zëvëndësohet me rrugë, ura, tunele, aeroporte dhe hekurudha të reja anë e mbanë këtij vendi të mrekullueshëm”, u zotua Z. Trump. Në lidhje me këtë, Presidenti u solli ndër mend të pranishëmve se “Amerika ka shpenzuar afërsisht gjashtë trilionë dollarë në Lindjen e Mesme, ndërsa në vendin tone po shkatërrohet infrastruktura.” Me gjashtë trilionë dollarë”, shtoi ai, “do ta kishim rindërtuar vendin tonë, jo njëherë por dy herë e ndoshta edhe më shumë.Mbi të gjitha, Presidenti Trump u angazhua se do të realizohen të gjitha premtimet e bëra popullit amerikan gjatë fushatës së tij, përfshirë ndër të tjera, kufizimin e imigracionit, krijimin e vendeve të reja të punës për amerikanët, për përmirsimin e arsimit kombëtar, luftën kundër terrorizmit e ashtu me rradhë, ndërkohë që numëroi disa prej këtyre premtimeve të cilat ai tanimë i ka vënë në zbatim me anë të urdhërave ekzekutivë të Zyrës së Presidentit.Duke iu drejtuar aleatëve të Amerikës dhe botës, Presidenti Trump bëri thirrje për një politikë të jashtme të një angazhimi të drejtë për drejtë me botën. Poltika jonë e jashtme, tha ai, “Është një politikë e rolit udhëheqës të Shteteve të Bashkuara, bazuar në interesat jetike të sigurimit kombëtar, interesa të cilat ne i ndajmë me aleatët tanë anë e mbanë globit”. Presidenti Trump deklaroi para Kongresit se Shtetet e Bashkuara, “Mbështesin fuqimisht NATO-n, një aleancë kjo e farkëtuar nepërmjet lidhjeve gjatë dy Luftërave Botërore që rrëzuan fashizmin dhe Luftës së Ftohtë që shëmbi komunizmin”. Ai përsëri u bëri thirje vendeve anëtare të NATO-s të pëmbushin obligimet e tyre financiare ndaj aleancës perëndimore, gjë që shtoi ai, “pas bisedimeve të sinqerta, aleatët kanë filluar tanimë të bëjnë pikërisht këtë”, është shprehur udhëheqsi amerikan. “Ne do të respektojmë institucionet historike, por do të respektojmë gjithashtu edhe të drejtat sovrane të kombeve”, ka theksuar presidenti Trump. Amerika, nënvijoi ai, është gati të bëjë miq të rinjë dhe të lidhë marrëdhënie të reja parneriteti, ku dhe kur përputhen interesat e përbashkëta. Por, ai paralajmëroi gjithashtu se përgjegjësia e tij e parë është të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara dhe jo botën, duke shtuar se nën udhëheqjen e tij, Shtetet e Bashkuara do të respektojnë të drejtat sovrane të popujve anë e mbanë botës, duke thënë se, “Vendet e lira janë mjeti më i mirë për të shprehur vullnetin e popujve dhe se Amerika respekton të drejtën e të gjitha vendeve të hartojnë vetë rrugën e tyre.”
Ai përfundoi fjalimin e tij me shpresën se në 250-vjetorin e Pavarësisë së Shtetet Bashkuara më 2026, do të kemi një botë më paqësore, një botë më me drejtësi dhe një botë më të lirë.Nëqoftse realizohen të gjitha premtimet e bëra prej tij, Presidenti Trump u zotua, se më fund do të kemi një Amerikë më të madhërishme se kurdoherë më parë për të gjithë amerikanëtpa dallim, duke deklaruar se, “Ky është vizioni ynë, ky është misioni ynë. Por ne mund t’i realizojmë këto vetëm duke punuar së bashku, pasi jemi një popull me të njëjtin fat dhe të një gjaku. Të gjithë ne nderojmë dhe përshëndesim të njëjtin flamur dhe të gjithë ne na ka krijuar e njëjta Perëndi”, u shpreh Donald Trump.Me këto fjalë, Presidenti Trump përfundoi fjalimin e parë, para Kongresit të Shteteve të Bashkuara, një fjalim i cili u karakterizua nga shumë eskpertë, madje edhe nga disa që nuk janë përkrahës të tij sidomos në qarqet mediatike këtu në Amerikë, si fjalimi ndoshta më i miri që ka mbajtur Z. Trump gjatë karirerës së tij. Chris Wallace, analist i entit televiziv Fox, komentoi se, “Mendoj që fjalimi ishte padyshim, fjalimi më i mirë që kam dëgjuar nga Donald Trump. Në të vërtetë”, shtoi ai “Ishte fjalimi më i mirë që kam dëgjuar nga cilido qoftë president në të njëjtat rrethana.” Ndërsa nga ana tjetër e spektrit politik edhe Kirsten Powers, stratege e Partisë Demokrate dhe komentatore në entin televiziv CNN e cilësoi fjalimin e Presidentit Trump para Kongresit, si “Më të mirin që kisha dëgjuar ndonjëherë.” Ndërsa Gayle King e rrjetit televiziv CBS u shpreh se “Presidenti Trump tha prej fillimit se do të fliste nga zemra dhe besoj se ai e bëri një gjë të tillë”. Ndërsa komentatorja liberale dhe kritike e ashpër e Donald Trump, Rachel Madow e rrjetit televiziv amerikan MSNBC u shpreh se mendon se ishte “një fjalim që do të pritet mirë nga amerikanët”. Ndërsa në qarqet politike, në përgjithësi, fjalimi i president Trump u lavdërua nga republikanët dhe u kritikua nga demokratët, natyrisht bazuar në pikëpamjet e tyre politike dhe partiake ndaj propozimeve dhe programit të Presidenti Trump, qoftë në fushën e politikës së mbrendshme ashtu edhe atë të jashtme. Por tashti mbetet për tu parë se cilat do të jenë rezultatet e zbatimit të agjendës politike dhe ekonomike të Presidentit Trump dhe cila do të jetë mbështetja ndaj kësaj agjende në Kongresin amerikan, jo vetëm nga demokratët që janë shpallur tanimë kundër saj, por edhe nga ana e republikanëve, disa prej të cilëve nuk janë plotësisht dakort me disa elementë të agjendës së tij.
Pasi fjalimi i Presidentit Trump të martën mbrëma para Kongresit amerikan u vlerësua ndryshe nga fjalimet e mëparshme të fushatës së Z. Trump — për nga optimizmi dhe tonet pozitive por edhe për nga thirrja e tij për unitet e bashkpunim të përçuara në atë fjalim – mbetet për tu parë nëse kemi të bëjmë me një Donald Trump si president në Shtëpinë e Bardhë, ndryshe nga Donald Trump i fushatës për president. Sfida pra dhe prova e vërtetë, përballë të cilës gjëndet Presidenti Trump dhe kombi amerikan, është nëse kjo agjendë politiko-ekonomike që ai shpalosi të martën mund të bëhet realitet në muajt dhe vitet e ardhëshme.
