• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ivanov akuzohet për grusht-shteti

March 1, 2017 by dgreca

Ivanov:“Derisa të jem President i Maqedonisë nuk do t’i jap mandatin asnjë njeriu, e asnjë partie e cila angazhohet, apo në programin e saj ka platformë për rrënimin e sovranitetit, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë…./

1 IvanovNe Foto: Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov/Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka refuzuar të mandatojë për kryeministër, liderin e Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev. Në një paraqitje të jashtëzakonshme, Presidenti Ivanov tha sa se shkas për këtë vendim është platforma e partive politike e arritur sipas tij në “shtetin fqinj”, me të cilën sipas tij rrënohet karakteri unitar të shtetit të Maqedonisë.

“Derisa të jem President i Maqedonisë nuk do t’i jap mandatin asnjë njeriu, e asnjë partie e cila angazhohet, apo në programin e saj ka platformë për rrënimin e sovranitetit, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë, pasi thellë besoj se këto janë vlera themelore me të cilat askush nuk ka të drejtë të bëjë tregti dhe as që mendoj të heq dorë nga këto vlera”, ka deklaruar Ivanov duke drejtuar akuza të rënda ndaj liderit social-demokrat për shkelje të Kushtetutës dhe tradhti të interesave kombëtare.

“Me këtë platformë Maqedonia është shantazhuar, ndërsa karakteri i saj unitar, pavarësia dhe sovraniteti i saj janë rrezikuar. Procesi i koalicioneve pas-zgjedhore dhe formimi i Qeverisë së re, u bë peng i kësaj platforme pas-zgjedhore të një shteti të huaj. Dhe jo vetëm kaq, negociatat dhe pranimi i platformës së huaj është vepër e dënueshme sipas kodit penal, pasi kjo do të thotë sjellje e Maqedonisë në pozitën e gjunjëzimit apo varësisë nga një shtet i huaj”, ka shtuar Ivanov.

Ivanov tha se nuk pret reagim nga bashkësia ndërkombëtare për mosdhënien e mandatit ashtu siç ndërkombëtarët nuk reaguam për platformës shqiptare, të hartuar sipas tij në një shtet fqinj, duke aluduar në Tiranën zyrtare.

“Nga bashkësia ndërkombëtare presim qartë dhe publikisht ta dënojë këtë platformë që paraqet përzierje e paskrupullt në punët e brendshme dhe ridefinim të karakterit unitar të shtetit tonë. Shumë mirë na kujtohet se bashkësia ndërkombëtare doli me qëndrime të tilla në raste të njëjta në vende tjera në rajon”, ka deklaruar Ivanov.

Ndërkohë, vendimi i presidentit ka shkaktuar reagime të ashpra të partive politike, në veçanti të Lidhjes social-demokrate. Zoran Zaevvendimin e ka quajtur grusht-shtet dhe të rrezikshëm për të ardhmen e stabilitetit të Maqedonisë.

“Gjorge Ivanov ka shkelur Kushtetutën e Maqedonisë dhe me këtë ka bërë grusht-shtet. Ai po e çon vendin në krizë të rënë me pasoja të rënda për të ardhmen e tij. Ai po shkakton krizë kushtetuese duke shkelur vullnetin e qytetarëve dhe firmave të siguruara për formimin e Qeverisë. Ivanov po pengon trasferin e pushtetit.Ai është vënë në mbrojtje të krimit të VMRO-së dhe NIkolla Gruevskit. LSDM-ja dhe unë si kryetar nuk do t’i lejojnë askush të luaj me të ardhmen e shtetit për qëllime të vetme kriminale. Ivanov duhet sa më parë të tërheq vendimin. Ai nuk guxon të shkelë mbi vullnetin e qytetarëve”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev duke i bërë thirrje qytetarëve për qetësi dhe ruajtjen nga provokimet e mundshme.

Vendimi i Presidentit Ivanov është dënuara edhe nga dy partitë politike shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, duke e të cilësuar të dëmshëm për të ardhmen e vendit.

“Vendimi i Ivanovit rrezikon komunitetin shqiptar në Maqedoni, andaj i ftojmë SHBA-të, BE-në dhe NATO-në që të ndërhyjnë në rikthimin e shtetit të së drejtës, për të garantuar paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.(RFL)

Filed Under: Featured Tagged With: Ivanov akuzohet, për grusht-shtet

Drejtësia franceze dhe lajthitjet serbe

March 1, 2017 by dgreca

Drejtësia franceze të mos bie pre e presioneve dhe lajthitjeve të Serbisë në rastin Haradinaj/
Fetnete-Ramosaj

Nga Fetnete RAMOSAJ/ 

Nesër Gjykata e Apelit në qytetin Colmar të Francës lindore, pritet të vendosë lidhur me kërkesën e autoriteteve serbe për ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilin Beogradi e akuzon për krime lufte.Që nga 4 janari kur u ndalua nga autoritetet franceze në Aeroportin ndërkombëtar të Basel-Mulhouse (në pjesën franceze të këtij aeroporti), në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, përkatësisht nga Unioni Serbi-Mali i Zi në vitin 2004, union që si i tillë nuk ekziston më që nga viti 2007, Serbia ka vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat e saj institucionalë dhe ata ndërkombëtarë ku mund të ushtrojë ndikim, për ta përndjekur Ramush Haradinajn dhe për të ndikuar politikisht në rastin e tij.

Zbatimi dhe marrja si të mirëqena i urdhërarresteve të këtilla, të motivuara politikisht, të lëshuara nga aparati shtetëror i kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, të ricikluara dhe të aktivizuara nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Millosheviqit, të cilët sot e udhëheqin Serbinë, me qëllim të përndjekjes ndaj ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, si dhe ndaj ish-luftëtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është padrejtësi dhe tallje me drejtësinë ndërkombëtare, aq më tepër është mosnjohje dhe mosrespektim i vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare, pjesë e vendimmarrjes së të cilave ishte edhe vet Franca, sikurse që më 1999 ishte pjesë e luftës së përbashkët të botës demokratike – Aleancës Veri Atlantike të NATO-s kundër regjimit kriminal të Serbisë së Millosheviqit për të ndërprerë gjenocidin që po e kryente Serbia ndaj popullit të Kosovës.

Siç dihet, Ramush Haradinaj, në të dy nivelet e gjykimit në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës (që është mekanizmi më i lartë i drejtësisë ndërkombëtare i themeluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë) është shpallur i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për periudhën e luftës në Kosovë, ndonëse për t’u përgjigjur në ato akuza të fabrikuara të Serbisë, e të trajtuara në Tribunalin e Hagës, u desh që për më shumë se tetë vjet (mars 2005-nëntor 2012) të përballet me drejtësinë ndërkombëtare. Duhet përmendur se në mars të vitit 2005, sapo ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës, Ramushi kishte dhënë dorëheqjen nga pozita e Kryeministrit të Kosovës dhe ishte vetdorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës. Natyrisht se gjatë dy proceseve gjyqësore në Tribunalin e Hagës, mbrojtja e Haradinajt nuk pati nevojë të thërriste asnjë dëshmitar të mbrojtjes për ta dëshmuar pafajësinë e tij.

Po çfarë po ndodh sot? Me gjithë fabrikimet dhe vënien në përdorim të dëshmitarëve të montuar e të përpunuar nga Beogradi, në shumicën e rasteve nën forcën e dhunës e të kërcënimeve, por edhe të joshjeve dhe të pagesave të larta në këmbim të dëshmive akuzuese, në Tribunalin e Hagës, maskat u çjerrën. Një armatë e tërë ushtarakësh, policësh, mjekoligjorësh, agjentësh të shërbimeve civile e ushtarake serbe, të gjithë të implikuar në krime të luftës kundër popullsisë shqiptare gjatë luftës në Kosovë,  ishte vënë në sulm kundër Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, por përpjekjet për fabrikime dëshmish dhe montime akuzash u shkuan kot.

Mjafton të përmendim rastin e agjentëve të Agjencisë Informative të Sigurisë së Serbisë (BIA) Igor Juçinac (Igor Jučinac), Millutin Radanoviq (Milutin Radanović) e Predrag Zhelkoviq (Predrag Željković), të cilët në qershor të vitit 2009, ishin kapur në vepër nga Policia e Kosovës në Çagllavicë derisa ishin në aksion për mbledhjen e dëshmive të rrejshme për të materializuar shpifjet dhe fabrikimet e Beogradit zyrtar “për trafikim organesh të serbëve”. Siç u dokumentua edhe përmes deklaratave dhe videoxhirimeve të transmetuara publikisht, këta pjesëtarë të BIA-s kishin nxitur familjarë të serbëve të zhdukur, por edhe qytetarë shqiptarë, për të dhënë dëshmi të rrejshme me qëllim të trillimit të aferës për gjoja trafikimin (transplantimin) e organeve njerëzore gjatë luftës nga UÇK-ja, duke u ofruar të paktën shumat prej 100 mijë deri në 300 mijë euro vetëm për një deklaratë të tillë. Aso kohe, agjentët e shërbimit sekret serb BIA, deklaruan para organeve të hetuesisë se shumat e premtuara për dëshmitarët e tillë (të rrejshëm) i paguante shteti.

Për ata që i njohin sadopak rrethanat e luftës në Kosovë, e dinë se kush është viktima e kush xhelati, ndonëse Serbia dhe aleatët e saj kanë investuar aq shumë nëpërmjet propagandës që shqiptarët t’i paraqesin si viktimizues. Kur i shohim reagimet që vijnë nga Serbia, dhe atë nga aparati shtetëror të cilin e përbëjnë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Millosheviqit, detyrimisht të shkon mendja të mendosh se ç’kohë është?! Serbia, në vend se të kërkojë falje dhe të përgjigjet penalisht për të bëmat kriminale e gjenocidin e shkaktuar gjatë luftërave në Kosovë, Bosnjë e Kroaci, gjatë të cilave i kreu krimet më të tmerrshme kundër njerëzimit deri në shkallë gjenocidi, të papara në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore, ajo sikur të mos kishte ndodhur asgjë, pa u distancuar fare nga e kaluara kriminale, po tenton t’i imponohet Europës për t’u rehabilituar në pozitën e kryexhandarit të Ballkanit, duke i akuzuar të tjerët për ta shfajësuar veten. Po ajo klasë politike që kreu gjenocid gjatë një dekade të fundshekullit XX ndaj shqiptarëve, kroatëve, boshnjakëve e të tjerëve, sot e udhëheqë Serbinë. Pozitat më të larta në shtet i mbajnë persona të tillë që vetëm pak po të funksiononte drejtësia, do të duhej të ishin në burg e jo në poste publike udhëheqëse.

Shtrohet pyetja: Cilët janë ata që po vazhdojnë ta akuzojnë dhe përndjekin Ramush Haradinajn? Cilët janë ata që po bëjnë presion politik mbi mekanizmat e drejtësisë në Francë, duke bërë rolin e viktimës?!

Ivica Daçiq (Ivica Dačić), tash Ministër i Jashtëm i Serbisë, apo “Slloba i Vogël”, siç kishte preferuar ta thërrisnin derisa ishte përkrah kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq (Slobodan Milošević), në të gjitha ndërmarrjet gjenocidale kundër popujve joserbë, në cilësinë e zëdhënësit të partisë SPS të Millosheviqit, shpesh herë nuk dihet a është ministër i Serbisë apo ambasador i Rusisë. Riardhjen e tij në pushtet që nga viti 2012, Daçiq ia dedikon gjuhës së ashpër, arrestimeve dhe keqtrajtimeve ndaj shqiptarëve. (Mjafton të kujtojmë arrestimin dhe poshtërimin e policëve të Kosovës në kufirin me Serbinë në kohë zgjedhjesh). Daçiq në cilësinë e Ministrit të Jashtëm të Serbisë, pas arrestimit të Haradinajt, kishte deklaruar se “rasti i ish-komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj është test për Europën se a është legale vrasja e serbëve”, duke e akuzuar edhe për vrasjen e dëshmitarëve! Të ndalemi këtu. Daçiq është një nga personat kompetentë që mund dhe duhet të japë përgjigje në akuzat e parashtruara. Ndër të tjera duhet të sqarojë veprimtarinë e  të ashtuquajturës Drejtoria e Gjashtë (Šesto odeljenje Centra DB-Beograd) e njohur si “Drejtoria për Vrasje” (Odeljenje DB za ubistva), e formuar zyrtarisht por në mënyrë të jashtëligjshme në vitin 1999 në kuadër të Qendrës së Sigurimit Shtetëror serb në Beograd, e cila ka operuar edhe në Kosovë gjatë kohës së luftës dhe të pasluftës. Nën përkujdesjen e kësaj “drejtorie” rezulton të jenë kryer krime të shumta monstruoze dhe ekzekutime enigmatike në Serbi dhe jashtë saj. Ndonëse “Drejtoria e Gjashtë”, për shkaqe konspirative përbëhej vetëm nga pesëmbëdhjetë persona, siç është bërë publike, kishte fuqi të jashtëzakonshme dhe të drejtë që të angazhonte në operacionet e saj çdo pjesëtar aktiv të Shërbimit Shtetëror serb, e në veçanti pjesëtarët e Njësisë për Operacione Speciale (JSO).  Sipas kryeshefit të kësaj “Drejtorie” Ratko Romiq (tashmë i dënuar me 40 vjet  burgim për vrasje politike të kryera në Serbi), kjo drejtori sekrete ishte formuar “për kryerjen e shërbimeve të fshehta dhe aktiviteteve operative jashtë vendit”. Krahas likuidimeve misterioze, ekipet e kësaj drejtorie njëkohësisht mësohet se janë marrë me zhdukjen e dëshmive dhe të dëshmitarëve të krimeve të luftës në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë, pra edhe në Kosovë. Pra, është një mekanizëm që me “dekret” të shtetit serb është marrë me zhdukjen e dëshmive dhe të dëshmitarëve. Është e ditur publike se dy pjesëtarëve të këtij  njësiti sekret për likuidime, iu dhanë pozita të larta në Qeverinë Daçiq.

Kur jemi këtu, duhet theksuar se është mirë që Daçiqi ta sqarojë rastin e paradokohshëm të një dëshmitari pjesëmarrës në krime kundër shqiptarëve, likuidimi i të cilit ka kaluar fare në heshtje në Serbi. Daçiq është mirë të tregojë se çfarë ka ndodhur me dëshmitarin Radoslav Ognjenović (58 vjeç), i cili u gjet i vdekur më 4 janar 2017, në rrethana të pasqaruara në periferi të Beogradit, pasi që paraprakisht dy ditë më herët ishte zhdukur gjatë orarit të punës. Ognjenović ishte shoferi i kamionit me të cilin i transportoi për në Serbi trupat e 86 civilëve shqiptarë (në mesin e tyre edhe 49 anëtarë të Familjes Berisha nga Suhareka). Tashmë dihet se ky kamion u gjet në lumin Danub në Serbi, më 6 prill 1999. Kamioni ishte pa targa, kishte vetëm një logo që tregonte se i përkiste thertores “PIK Progress Export” nga Prizreni. Siç është dokumentuar, më 7 prill 1999, 53 trupa si dhe tri koka të prera nga trupat e tyre u dërguan me një kamion në qendrën stërvitore të policisë serbe në Batajnicë, ku i hodhën nëpër gropa dhe i dogjën, ndërkaq të tjerët përfunduan në varrezën masive në Petrovo Sello. Ky dëshmitar u likuidua vetëm disa javë para publikimit të raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) me seli në Beograd “Fshehja e dëshmive të krimeve gjatë luftës në Kosovë, Operacioni i fshehjes së trupave” (i publikuar më 1 shkurt 2017), sipas të cilit, zyrtarët më të lartë të qeverisë së Serbisë, më saktë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe departamentet e ushtrisë së ish-Jugosllavisë, përkatësisht të Serbisë, kanë qenë të përfshira drejtpërdrejt në fshehjen e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë. Mbetjet mortore të qindra prej tyre u gjetën në varrezat sekrete masive në Serbi (Batajnicë, Petrovo Sello, Peruçac, Rudnicë etj.).

Zoran Stankoviqi (Zoran Stanković), gjithashtu njeri i afërt i Sllobodan Millosheviqit, i cili për një kohë të gjatë ka qenë në krye të VMA-së (Akademisë Mjekësore Ushtarake) në Beograd, i shpërblyer me poste të larta ministrore (ministër i shëndetësisë, ministër i mbrojtjes), në cilësinë e “patologut” ka shprehur gatishmërinë që të dëshmojë pranë autoriteteve franceze kundër Ramush Haradinajt! Falsifikimeve dhe fabrikimeve të Stankoviqit dhe të tjerëve si ai, të bëra në emër të “profesionalizmit”, ka kohë që u ka dalë boja! Janë zhvlerësuar shkencërisht edhe në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës. Por në vend të gatishmërisë për të dëshmuar kundër Ramush Haradinajt, është mirë që Stankoviqi të dëshmojë e të japë llogari për mbi 5 mijë obduksione të dyshimta mjeko-ligjore të kryera në VMA dhe të zbardhë dyshimet e bazuara për eksperimentimet që janë bërë gjatë luftës (1998-1999) me shqiptarët në vend të minjve në bodrumet nëntokësore të VMA-së dhe të Institutit për Siguri të ish-RSFJ-së në Beograd. Nuk është e rastit pse Stankoviqi sot gjendet në pozitë për “përkujdesjen” ndaj shqiptarëve në krye të Trupit Koordinues të qeverisë së Serbisë për komunat Bujanoc, Preshevë e Medvegjë!

Edhe Lubisha Dikoviqi (Ljubiša Diković), Shefi aktual i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, i akuzuar publikisht nga Fondi për të Drejtën Humanitare për vrasjen e të paktën 1400 civilëve shqiptarë në pranverën e vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë, veçanërisht në rajonin e Drenicës ku ka operuar në krye të Brigadës 37 të Motorizuar të UJ-së me seli në Rashkë, duke i mohuar akuzat për këto krime ka thënë se nuk ka ardhur në Kosovë për të vrarë, por se atij i takuakan meritat se paska mbrojtur 15 mijë civilë shqiptarë! (Çuditërisht të njëjtën përgjigje e kanë dhënë edhe kriminelë të tjerë serbë nga Beogradi kur janë pyetur për arsyen e dërgimit të njësive speciale nga Beogradi në Bosnjë! Sipas kësaj logjike del se  edhe në Srebrenicë njësitet e Serbisë paskan shkuar për të mbrojtur popullin e atjeshëm! E kanë mbrojtur duke vrarë mbi 8000 civilë).  Komandanti i Brigadës 37 të Rashkës, Lubisha Dikoviq, gjatë luftës në Kosovë ka pasur nën komandën e tij 4500 veta. Është e vërtetë se në rajonin e Drenicës, në të cilin ka operuar, Dikoviq ka përdorur një taktikë paksa më të ndryshme ushtarake në krahasim me njësitet tjera të ushtrisë serbo-jugosllave. Dikoviq, nuk i ka rrethuar fshatrat e Drenicës në formë “patkoi” (siç planifikohej në planin e famshëm sekret serb për spastrimin etnik të Kosovës dhe siç u veprua praktikisht në fushëbeteja), por ato i ka vënë në rrethim të plotë, pa ua lënë asnjë shtegdalje. Ndaj popullsisë civile të këtij rajoni, të cilën Dikoviqi thotë se e ka mbrojtur (!), forcat ushtarake-policore dhe paramilitare serbe i aplikuan format më të tmerrshme të gjenocidit. Mbase Dikoviqi mund ta konsiderojë “mbrojtje” okupimin e Drenicës, pasi që në ndërmarrjet antinjerëzore e antishqiptare edhe gjatë luftës në Kosovë kisha dhe shteti serb krimin ndaj joserbëve e kanë konsideruar si “ndëshkim që vjen nga Zoti”!

Mjafton që secili të shohë raportet sekrete të Dikoviqit të bëra gjatë kohës së luftës, apo edhe sot të shkojë në Drenicë: në Qirez, Rezallë, Likoshan, Vërbovc, Izbicë, Çikatovë të Vjetër, Gllanasellë, Drenas, Poklek, etj., për të parë nga afër “humanizmin” e Dikoviqit, e pse jo të shohin edhe varrezën sekrete masive në Rudnicë të Rashkës, e zbuluar pikërisht në rajonin e përgjegjësisë së Dikoviqit. Dy vite më parë në Rudnicë u gjetën mbetjet mortore të 53 civilëve shqiptarë nga rajoni i Drenicës, ku kishte vepruar Dikoviqi. Ende nuk janë kryer të gjitha gërmimet në këtë lokalitet, ku dyshohet se ka edhe shumë trupa të tjerë (shifrën se në këtë varrezë masive gjenden trupat e 250 deri në 400 civilëve shqiptarë, e ka deklaruar vet prokuroria për krime lufte e Serbisë).

Velko Odalloviq (Veljko Odalović), tash sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, duke e ditur se është i pamundur ekstradimi i Haradinajt në Serbi, insiston që megjithatë autoritetet franceze Haradinajn ta dërgojnë në Gjykatën Speciale! Velko Odaloviq, para të gjithëve personalisht duhet të përgjigjet për krimet e shumta të kryera ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj serbëve e të tjerëve para dhe gjatë luftës në Kosovë. Anëtari i SPS-it dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Sllobodan Millosheviqit, Velko Odaloviq, gjatë luftës në Kosovë ka qenë kryetar i të ashtuquajturit Qarku i Kosovës, i emëruar prej qeverisë së Serbisë. Qarku të cilin e ka kryesuar Odaloviq ka përfshirë dhjetë komuna: komunën e Podujevës, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Drenasit, Shtimes, Shtërpcës, Ferizajt, Kaçanikut dhe të Lipjanit, prandaj si përgjegjësi kryesor i pushtetit serb në këtë qark ishte urdhërdhënësi kryesor për krimet e kryera në komunat e lartpërmendura. Për këtë ka dëshm, dëshmitarë dhe prova të pakontestueshme. Në të njëjtën linjë janë vënë edhe zyrtarë të tjerë serbë. Është interesant se të gjithë ata rezultojnë të jenë të përfshirë në krime lufte në Kosovë. Sa u përket Nikoliqit e Vuçiqit është kuptimplotë dhe e ditur publike deklarimi i Sheshelit, i bërë një vit më parë, kur deklaroi se në të gjitha që ai i ka bërë, i ka pasur bashkëpunëtorë Aleksandër Vuçiqin e Tomislav Nikoliqin. “Maja Gojkoviq, Tomislav Nikoliq dhe Aleksandar Vuçiq kanë marrë pjesë në të gjitha që unë kam qenë i përfshirë. Ata ishin bashkëpunëtorët e mi”, u deklaroi Shesheli medieve të Beogradit më 28 mars 2016.

Nuk është mirë që edhe tetëmbëdhjetë vjet pas humbjes së luftës në Kosovë, Serbia të vazhdojë ta mbajë peng dhe ta terrorizojë rajonin duke mos e pranuar të vërtetën, duke mos i pranuar përgjegjësitë e krimeve të luftës dhe të gjenocidit ndaj shqiptarëve e të tjerëve në dekadën e fundit të shekullit XX. Deri më tani Serbia jo vetëm që asnjëherë nuk ka kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin e bërë ndaj popullit shqiptar, por asnjëherë nuk e ka bërë publike të vërtetën për luftën e Kosovës as para popullit të vet. Nuk i ka bërë publike humbjet reale që i pësoi si agresor në Kosovë, nuk e ka dhënë numrin e saktë të dëmeve në njerëz që ka pësuar gjatë luftimeve. Janë bërë bajat fabrikimet, falsifikimet, montimet e gënjeshtrat me të cilat po shërbehet.

Serbia duhet ta dijë se barrën e krimeve e të gjenocidit të kryer si shtet gjatë luftës në Kosovë nuk mund t’ia bartë Ramushi, nuk mund t’ia bartë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk mund t’ia bartin shqiptarët as të tjerët. Është barrë e rëndë e krimeve mizore që nuk ia merr përsipër askush. Përndryshe, serbizmi si ideologji raciste që po vazhdon ta kultivojë dhe ta aplikojë Serbia, po del t’ua kalojë të gjitha ideologjive raciste, të shfaqura në Europë gjatë shekullit XX.

Me rastin Haradinaj drejtësia franceze po e humbë prestigjin që e gëzon në botë si shtet i të drejtës dhe i demokracisë, prandaj nuk guxon të bie pre e lajthitjeve dhe e presioneve të Serbisë. Nesër duhet ta lirojë pa kusht Ramush Haradinajn dhe t’i kërkojë falje për ndalimin e padrejtë! Shqiptarët dhe bota demokratike dhe liridashëse nesër presin drejtësi!

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe lajthitjet serbe, Drejtësia franceze, Fitnete Ramosaj

Kosova, mbështetje nga Italia për integrimet evropiane

March 1, 2017 by dgreca

unnamed (7)-Kryeparlamentari Veseli është pritur sot në takime të veçanta nga drejtuesit e të dy dhomave të Parlamentit të Italisë, kryetarja e Dhomës së Deputetëve, Laura Boldrini dhe nga kryetari i Senatit, Pietro Grasso/

unnamed (8)PRISHTINË, 1 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, është pritur sot në takime të veçanta nga drejtuesit e të dy dhomave të Parlamentit të Italisë, kryetarja e Dhomës së Deputetëve, Laura Boldrini dhe nga kryetari i Senatit, Pietro Grasso.Në këto takime, u diskutua për bashkëpunimin dypalësh, për ndihmën që Italia i ka dhënë Kosovës dhe popullit të saj që nga lufta e këtej, si dhe për fushat në të cilat mund ta mbështesë Kosovën në të ardhmen, thekson njoftimi i dërguar.Kryetarja e Dhomës së Deputetëve, Laura Boldrini dhe kryesenatori italian, Pietro Grasso, konfirmuan përkrahjen e Italisë për proceset e integrimit evropian të Kosovës, duke shtuar se tashmë Kosova ka hyrë në një kapitull të ri dhe shumë shpresues për marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian.Kryeparlamentari Veseli e ka ftuar kryetaren Boldrini për vizitë zyrtare në Kosovë, ku u pajtuan që të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi nëpërmjet të cilës Italia do ta mbështesë Kosovën në reformat e nevojshme për integrime evropiane.Kryetari Veseli i njoftoi drejtuesit e lartë të shtetit italian për proceset në të cilat ndodhet Kosova aktualisht, në kuadër të integrimeve evropiane, për angazhimet e institucioneve të Kosovës dhe detyrat që dalin për Kuvendin në këtë proces, në fushën e legjislacionit.Kreu i Kuvendit tha se integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO është orientim strategjik i Kosovës, ndërsa e ka falënderuar shtetin italian për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po i jep Republikës së Kosovës.Gjatë vizitës zyrtare në Romë, kryeparlamentari Veseli ka zhvilluar takime edhe me senatorët Aldo Di Biagio dhe Francesco Scalia, me të cilët ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar mes Kosovës dhe Italisë./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: kosova, mbështetje nga Italia, për integrimet evropiane, Veseli

Thaçi: Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin do jetë i pavarur

March 1, 2017 by dgreca

-Nuk do të jetë zëvendësim i dialogut në Bruksel, që duhet të sjell pajtimin në mes të Kosovës dhe Serbisë/

unnamed (4)PRISHTINË, 1 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka mbajtur takimin e dytë konsultativ me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mjeteve të informimit për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, për të cilin tha se do të jetë i pavarur, i paanshëm dhe gjithëpërfshirës. Sipas tij, ky forum do të krijojë një mekanizëm mbështetës për dialogun e brendshëm të hapur në mes komuniteteve në Kosovë dhe nuk do të jetë zëvendësim i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, që duhet të sjell pajtimin në mes të Kosovës dhe Serbisë.

unnamed (5)unnamed (6)

“Ai është një proces tjetër, i ndarë prej këtij që po nisim këtu. Por, ky proces këtu, e vërteta dhe pajtimi në Kosovë, do të jetë ndihmues për arritjen e marrëveshjeve të reja dhe për pajtim ndërshtetëror në mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi presidenti Thaçi.Presidenti Thaçi ka folur edhe për rekomandimet e përgjithshme të takimit të parë konsultativ për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, të mbajtur në 13 shkurt 2017.“Komisioni do të organizojë edhe takime publike, programe mediale dhe sesione informative për të promovuar punën, gjetjet dhe rekomandimet e komisionit. Do të themelojë edhe komisione ‘grassroot’ që do të ndihmojnë pajtimin në nivel komunal, si dhe do të sponsorizojë përpilimin e politikave që do të mbështesin implementimin e rekomandimeve të komisionit”, u shpreh presidenti Thaçi.Presidenti theksoi se është e natyrshme që ky komision do të ballafaqohet edhe me sfida si thyerja e konspiracionit të heshtjes së komuniteteve, fitimi i besimit të viktimave dhe i besimit të të gjitha komuniteteve, këmbëngulja në implementimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të komisionit dhe të tjera.“Sfidë do të jetë edhe komponentja rajonale pasi ka viktima që jetojnë jashtë Kosovës”, u shpreh ai.Presidenti Thaçi theksoi se institucionet shtetërore kanë vullnetin institucional e njerëzor që të ndriçojnë të kaluarën dhe të shërojnë plagët e së kaluarës dhe komisioni ka përkrahjen e protagonistëve ndërkombëtarë, veçanërisht të BE-së, të OSBE-së dhe të UNDP-së./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: do jetë i pavarur, për të Vërtetën dhe Pajtimin, Thaçi: Komisioni

MPJ ndihmon filmin e ri kosovaro-britanik “Fusha e mëllenjave”

March 1, 2017 by dgreca

Kosovë-MPJ ndihmon filmin e ri kosovaro-britanik “Fusha e mëllenjave”/

unnamed (3)-Ka përkrahur financiarisht edhe filmin “Home”, i cili së fundmi ka fituar çmim në BAFTA Film Awards/

PRISHTINË, 1 Mars 2017-B.Jashari/ Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot regjisoren Arzana Kraja dhe producentët, Harvey Ascott dhe Besnik Krapi, të cilët janë pjesë e projektit më të ri filmik kosovaro-britanik “Fusha e mëllenjave” që do të fillojë së xhiruari së shpejti.Ministri Hoxhaj ka konfirmuar se MPJ do ta përkrahë financiarisht projektin e ri filmik, ndërkohë që ka thënë se ndjehet shumë mirë kur sheh se talentet kosovarë arrijnë suksese të mëdha edhe në arenën ndërkombëtare, veçmas pas sukseseve të fundit.“Dy vitet e fundit janë viti i sukseseve të mëdha të talenteve tanë nëpër botë, në fushën e artit, kulturës dhe sportit. Është kënaqësi që kemi mundësinë ta mbështesim projektin më të ri të kësaj natyre, i cili pa dyshim do të tregohet i suksesshëm në Kosovë dhe jashtë saj”, ka thënë Hoxhaj.MPJ ka përkrahur financiarisht edhe filmin “Home”, i cili së fundmi ka fituar çmim në BAFTA Film Awards.

Filed Under: Kulture Tagged With: “Fusha e mëllenjave”, Behlul Jashari, MPJ ndihmon filmin e ri kosovaro-britanik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2167
  • 2168
  • 2169
  • 2170
  • 2171
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT