Në takimet me liderët europianë, Zv.presidenti Pence i garantoi ata duke i thënë se, Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për bashkëpunim dhe partneritet me Bashkimin Europian.
Numri dy i Shtëpisë së Bardhë ndodhet këto ditë në Bruksel, ku zhvilloi takime me presidentin e BE-së, Jean Claude Juncker; Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe presidentin e Këshillit të Europës, Donald Tusk.
Nga ana e tij, Tusk u shpreh se takimi me zotin Pence ishte “vërtet i nevojshëm”, pas zërave të shumtë që kanë qarkulluar në muajt e fundit e që vinin në dyshim marrëdhëniet SHBA-BE.
Zoti Tusk tha gjithashtu se, zv.presidenti Pence kishte shprehur mbështetjen e SHBA për një Europë të bashkuar. Po ashtu, zyrtarë të tjerë europianë thanë për mediat në fund të takimeve se, ndiheshin të inkurajuar dhe se kishin marë nga Pence atë që kërkonin.
Por disa të tjerë thanë se, dëshirojnë të dëgjojnë të njëjtat fjalë nga presidenti Trump para se, të ndihen të sigurtë. Ndërkohë Zv.Presidenti amerikan Mike Pence, ka paralajmëruar sërish vendet anëtare të NATO-s, që të përmbushin detyrimet e tyre sa i takon shpenzimeve për mbrojtjen. Zoti Pence deklaroi se, populli amerikan mund të humbasë durimin me ato vende që nuk realizojnë objektivat.
KOSOVË-15 VJET NGA MBYLLJA DHUNSHËM E GAZETËS RILINDJA
-Sot u mbushën 15 vjet nga mbyllja dhe dëbimi i dhunshëm i gazetës tradicionale e historike të Kosovës Rilindja/
-“Zbatohet vendimi i UNMIK-ut për largim nga Pallati i Rilindjes – Gazeta ‘Rilindja’ detyrimisht ndërpret botimin derisa t’i sigurohet lokali i ri i punës”, theksonte në ballinë gazeta në numrin e fundit të përdishëm para 15 viteve, në 21 shkurt 2002/
PRISHTINË, 21 Shkurt 2017/ Sot u mbushen plot 15 vjet nga 21 shkurti 2002, ditës kur administrata e UNMIK detyrimisht mbylli gazetën tradicionale e historike të Kosovës Rilindja me dëbim prej shtëpisë së saj, të kundërligjshëm dhe të dhunëshëm.
Gazeta Rilindja kërkoi të drejtën edhe me padi në gjykatë e edhe duke nxjerrë rreth 40 numra protestues të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm.
“Zbatohet vendimi i UNMIK-ut për largim nga Pallati i Rilindjes – Gazeta ‘Rilindja’ detyrimisht ndërpret botimin derisa t’i sigurohet lokali i ri i punës”, theksonte në ballinë gazeta në numrin e fundit të përdishëm para 15 viteve, në 21 shkurt 2002. Atë ditë, administratori i UNMIK-ut në orën 16:00 ndërpreu edhe energjinë elektrike pasi kohë më parë na e kishte ndërprerë edhe ujin në vazhdimësi të presioneve për të dëbuar Gazetën Rilindja nga Pallati i saj e që edhe mban emerin e saj. Pallatin Rilindja aministrata e UNMIK e mbylli edhe me grila hekuri për t’u pamundësuar hyrjen gazetarëve dhe punëtoreve të tjerë të gazetës.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, me punën e gazetarëve e punonjësve tjerë të saj nëpër shtëpa si në kohën e luftës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e kohëpaskohëshme në 30 dhjetor 2008, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.
Në kushte të jashtëzakonshme, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, për shpalljen e Pavarësisë para 9 viteve në 17 Shkurtin historik nuk arriti të dalë të nesërmen, por në 22 Shkurt 2008 doli numër festiv me kryetitullin: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.
Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.
“Dita e 17 Shkurtit 2008 e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës është dita më e madhe në historinë e shqiptarëve, pas ditës së 28 Nëntorit 1912 të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Edhe pse në një distancë të largët kohore prej 95 vjetësh, duket se po ndodh diç e afërt nga ajo që është dashur të ndodh që atëherë me përfshirjen edhe të Kosovës në pavarësinë shqiptare. Pavarësia po ndodh në kushte krejt të reja e pas shumë sakrificave e ecjeve rrugës së gjatë që na solli në cakun më madhor: të rrugës së afërt të Kosovës, shtetit më të ri, dhe Shqipërisë shtet gati një shekull, drejt Bashkimit Evropian”, shkruante në ballinë Rilindja.
Lart te logoja po në faqen e parë gazeta historike shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 72 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.
Në një vend normal, të lirë e demokratik, të sundimit të ligjit e të drejtësisë, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në këtë 12 shkurt 2017 do të festonte 72 vjetorin.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes të uzurpuar, “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifillloi në 7 nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën Rilindja edhe për punëtorët e saj, por që ende nuk u bë.
Zgjidhja për Rilindjen, që ka statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës, pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar, që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.
Në arsyetimin e kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 shkurt 2014. “Kompensimi i punëtorëve në procesin e likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore Gazetare Rilindja, për dëbimin kolektiv nga puna dhe dëmet”, është kërkesa tjetër drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në shkresën e 21 shkurt 2014.
Një e drejtë tjetër e garantuar me ligj për punëtorët e gazetës Rilindja, por që ende nuk u realizua, është pagesa e 20 përqindëshit të vlerës së çdo prone, përfshirë Arkivin e Rilindjes, pasuri e madhe e gazetës tradicionale dhe kombëtare, për dërgimin e të cilit në Arkivin e Kosovës kemi nënshkruar marrëveshjen në 29 janar 2007 bashkë me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit – tash Privatizimit, duke pasur për këtë edhe vendimin me shkrim të Kryeministrit të Kosovës.
Para 12 vitesh, në vitin e 60 vjetorit, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, në 3 Maj 2005, gazeta Rilindja në numrin e jashtëzakonshëm protestues në ballinë shkruante në kryetitull: “Gazeta Rilindja e drejtë e shkelur”. Poashtu në ballinë theksonte: “Rilindja në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit ka këtë mesazh: Në Kosovë nuk ka liri shtypi derisa ka gazetë të mbyllur e të dëbuar padrejtësisht nga autoritetet”. Ky mesazh proteste është edhe i ditës së sotme dhe i gjithëmonëshëm derisa të ridalë e përditshmja Rilindja.
Behlul Jashari
Kryeradaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes (Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson)
“Pa Koment” i autores Vilhelme Vrana Haxhiraj
AKTUALITETI I FJALËVE TË SAMI FRASHËRIT
“Shqipëria çka qenë, ç’është dhe ç’duhet të bëhet”/
Nga Frank Shkreli
Këtu në Shtetet e Bashkuara, e hëna e tretë e shkurtit festohet çdo vit si Dita e Presidentëve, ditë që shënon kujtimin e ditëlindjeve të baballarëve të kombit, Xhorxh Uashingtonit dhe Abraham Linkolnit. Është një ditë festë për amerikanët, për të përkujtuar kontributin e tyre në themelimin dhe në ruajtjen e unitetit kombëtar, por njëkohsisht është edhe një ditë për të pasqyruar dhe për t’u kujtuar brezave të sotëm dhe të ardhëshëm amerikanë, trashëgiminë e vlerave të tyre, si njerëz dhe si patriotë të këtij vendi.
Si asnjë vend tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kujtojnë me ditë festash dhe ruajnë trashëgiminë historike të kombit dhe të udhëheqsve dhe patriotëve të gjithë historisë së saj, të vjetër dhe të re. “Një komb”, ka thënë presidenti Xhon Kenedi, “e tregon veten me burrat që dalin nga trupi i tij, por një komb e kallëzon veten gjithashtu edhe me burrat që ai nderon dhe me burrat që kujton…”
Edhe kombi shqiptar gjatë historisë së tij ka pasur burra të cilët meritojnë dhe duhet të kujtohen dhe të nderohen, nga brezat e sotëm dhe të ardhëm të shqiptarëve, për kontributet e tyre historike ndaj kombit dhe për trashëgiminë e tyre historike, kulturore dhe shpirtërore që kanë lënë pas. Njëri prej këtyre burrave të kombit shqiptar është edhe Sami Frashëri, (Qershor 1, 1850 – Qershor 18, 1904) autor i manifestit politik dhe ideologjik, “Shqipëra ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, botuar nga në Bukuresht të Rumanisë më 1899, dokument ky, i cili sipas historianëve, është një nga veprat më të njohura të Rilindjes Shqiptare, që kontriboi drejtë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Në këtë manifest, Sami Frashëri flet për të kaluarën, për periudhën në të cilën jetonte ai si dhe për të ardhmen e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, ashtu si e shikonte ai, nga këndveshtrimi i tij. Në manifestin e tij politik dhe ideologjik, që konsiderohet si njëra prej veprave madhore të historisë së kombit shqiptar, Sami Frashëri e cilëson Gjergj Kastriotin-Skënderbe si një burrë që rrallë i ka shokët në histori, duke deklaruar se periudha e udhëheqjes së tij ishte “m’ë bukur e m’ë bekuar e gjithë kohërave për vendin tënë, se atëherë i gjithë kombi ishte i bashkuar dhe u nderua në gjithë botën”, shkruante Sami Frashëri. Në të vërtetë, kjo është vlera dhe trashëgimia politike dhe shpirtërore e mesazhit të tij shkruar 118 vjetë më parë, një mesazh i cili duhet të tingëllonte edhe sot si një kambanë e zgjimit kombëtar për ata që duan ta dëgjojnë, sa nuk është vonë: Bashkimi i Shqiptarëve me një mendim e me një qëllim. Por, bashkim të trojeve shqiptare nuk mund të ketë pa bashkim të mendjeve, qëllimeve dhe interesave të përbashkëta të shqiptarëve, sidomos mbrenda por edhe jashtë Shqipërisë. Sami Frashëri shkruante si një profetë që parashikon të ardhmen. Sikur e kishte paraparë 100 e sa vjetë më parë, dëshirën dhe përpjekjet e sotëme të shqiptarëve – deri tani të dështuara — për tu integruar në Evropë, duke thënë se si njëri prej kombeve më të vjetra të Evropës, kombi shqiptar ka të drejtë të jetojë në liri dhe të zëjë vendin që i takon midis popujve dhe kombeve të qytetëruara të Evropës.
Analiza që Sami Frashëri i bën situatës së atëhershme, me të cilën përballej Shqipëria dhe kombi, tingëllon e freskët edhe për gjëndjen aktuale politike sot, anë e mbanë trojeve shqiptare. Ai ka folur për rreziqet e jashtëme me të cilat, sipas tij, përballej kombi shqiptar e që ishin, “zgjedha e huaj”, dhe “lakmitë shoviniste të fqinjëve”, por mbi të gjitha, Sami Frashëri ka theksuar mungesën e periudhës, siç e cilëson ai, “më të bukur e më të bekuar të të gjithë kohërave për vendin tonë, të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut”, atëherë kur “gjithë kombi ishte i bashkuar dhe u nderua në gjithë botën”. Sami Frashëri në manifestin e tij veçon posaçërisht rrezikun e madh që i kanoset kombit nga,”grindjet dhe përçarjet midis shqiptarëve”.
Mesazhi i manifestit “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet”, i ka qëndruar kohëve dhe shërbën edhe sot – për ata që duan të shohin si të tillë — si një udhëzim dhe ndriçim për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, për përkushtimin ndaj të mirës së atdheut të përbashkët dhe për dashurinë për njëri tjetrin, ndërkohë që u bën thirrje shqiptarëve të të gjitha kohërave: “O burrani, o shqiptarë! Zihuni me të dy duart në besë, në lidhje e në bashkim, se kjo do t’ju shpëtojë!” Sikur donte të lente një amanet për gjithë brezat por sidomos për brezin e sotëm të klasës politike shqiptare në të gjitha trojet, Sami Frashëri i porositë shqiptarët për bashkim, si një qëllim i përbashkët madhor, duke shkruar: “Ja qëllimi ynë! Ja puna jonë e shenjtëruarë! Ja besa jonë! Në mes të shqiptarëve të vërtetë s’ka ndonjë ndarje, ndonjë çarje, ndonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezër, të gjithë një trup, një mendje, një qëllim, një besë!” Kush e ndëgjon sot këtë mesazh?!Sami Frashëri me manifestin e tij politik të para më shumë se një shekull, sfidon shqiptarët edhe klasën e sotëme politike që të ri-zbulojë dhe të rivlersojë këshillat dhe udhëzimet e tija me qëllim për të ringjallur rishtas, ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit- Skënderbe, unitetin dhe krenarinë kombëtare, për të punuar për të mirën e përbashkët afatgjatë të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Ky është një mesazh actual dhe i përhershëm!
Drejtë këtij objektivi, ka theksuar Sami Frashëri,”Të mos trembemi nga asgjë, të përpiqemi që mos të pushojmë deri sa të fitojmë atë që kërkojmë; jemi në të drejtën tonë; Perëndia është gjithnjë ndihmësi i të drejtëve, Perëndia është e drejta vetë!” Prandaj, këshillon ai, “Të mos rrimë të mpirë e të ngrirë, të levizim duar e këmbë, të tundemi e të lëkundemi, të ecim të lirë në udhën e Perëndisë, në udhë të së drejtës: Perëndia, e drejta, kombi, gjuha, Shqipëria, Shqiptaria.” Nga këndveshtrimi sotëm politik dhe njerëzor, është interesant se si më shumë se një shkeull më parë, Sami Frashëri i balancon të drejtat e njeriut dhe të kombit duke u bazuar në filozofinë klasike të të drejtave natyrale dhe në natyrën e Perëndisë, duke shkruar se,”Perëndia është e drejta vetë.”
Sami Frashëri, është i qartë gjithashtu se sipas tij dhe mendimeve të rilindasve të asaj periudhe, mendimet e të cilëve ai pasqyron — politika, as atëherë as sot — nuk duhet të përdoret si një mjet për avancimin e ngushtë të interesave personale e vehtjake, në kurriz të interesave madhore të kombit, kritikë kjo jo vetëm për bashkohasit e tij, por edhe për pushtetarët e sotëm. Ai pyet se si është e mundur që, “Një komb kaq trim e që s’e kursen gjakun, të humbasë duke u copëtuar prej kombeve të dobët e të frikshëm! Mend kemi, trimëri kemi, gjuhë të bukur e të lehtë kemi, e të mos dimë a të mos duam t’i përdorim gjithë këto për të mirën tonë, po të rrimë me duar lidhur. Kjo është më e keqja, të punojmë për humbjet tona, të nxjerrim themelet e kombit tonë me padituritë e të verbërve të vetë ?!”
Duke lexuar disa prej shkrimeve të Sami Frashërit njeriu ndahet me ndjenjën se dashuria për kombin e përbashkët dhe për njëri tjetrin — parime themelore këto që predikonin rilindasit shqiptarë 100-e ca vjetë më parë, por të cilat janë zhdukur nga radari dhe nga fjalori politik bashkohor i klasës së sotëme politike – duhej të ishte dhe të mbetej baza morale e politikës së një shoqërie, që njëkohësisht është edhe çelsi për sigurinë e mbrendshme, por edhe që kombi shqiptar të njihet nga bota për kontributet e tij, pikërisht ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit, siç na kujton Sami Frashëri.Sot ekziston nevoja urgjente për ringjalljen, rivlersimin dhe zbatimin e këtyre parimeve të shqiptuara nga rilindasit si Sami Frashëri në trakatin e tij politiko-shoqëror – pasi çdo eksperiment tjetër politik ka dështuar deri tani — ashtuqë kombi shqiptar të shkojë me hapa të sigurt drejtë së adhmes. Nevojitet shkrirja e këtyre ideve dhe avancimi i këtyre parimeve politike, kombëtare dhe shpirtërore për të ndryshuar drejtimin e të ardhmes së historisë së shqiptarëve. Por, kjo nevojitë gjithashtu edhe një strategji afatgjatë kombëtare — e cila sot për sot mungon — nga burrshtetas të stërvitur dhe të bindur në parimet e rilindasve, gjë që kërkon guxim moral, aftësi politike dhe njohuri praktike, por mbi të gjitha nevojitë dashuri për atdheun dhe respekt për të afërmin, i cili mund të jetë kundërshtar politik, por jo armik. Janë këto parime morale dhe politike të rilindasve, por mbi të gjitha zbatimi i tyre, dhe jo interesat partiake, qeveritare ose zgjedhore të një individi, grup individësh ose një partie, ato që duhet të vendosin të ardhmen afatgjatë të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.Prandaj, në këtë ditë të presidentëve amerikanë, kur Amerika kujton dhe feston trashëgiminë patriotike dhe politike të presidentëve të saj, për shqiptarët kudo, le të shërbejë programi politik dhe ideologjik i Sami Frashërit, “Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet”, si një rast dhe frymëzim për të ri-zbuluar parimet, idetë dhe trashëgiminë e porosisë së Sami Frashërit dhe të rilindasve të tjerë të kombit shqiptar, parime këto që gjithnjë janë aktuale, të freskëta dhe të pavdekshme.Shqipëria dhe kombi shqiptar mbijetuan falë veprave dhe sakrificave të rilindasve, megjithë dështimet historike të brezave të 100-viteve të fundit, për ta bërë Shqipërinë dhe shqiptarët ashtu siç i dëshironte Sami Frashëri. Prandaj, tu jemi mirënjohës atyre rilindasve, përfshirë demokratin dhe iluministin Sami Frashëri, për atë që krijuan si dhe për trashëgiminë që lanë pas, një trashëgimi kjo e pasur kombëtare, morale dhe politiko-shoqërore, por e cila nuk duhet të mbetet vetëm në librat e historisë, por të mësohet, të ruhet, të zhvillohet dhe të kultivohet nga të brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve.
IMZOT RROK GJONLLESHAJ, KRYIPESHKËV I TIVARIT, VIZITOI VATRËN
Të Hënën në mesditë, me 20 Shkurt 2017, Imzot Rrok Gjonlleshaj, Kryeipeshkvi i Tivarit, vizitoi Selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”. Ai shoqërohej nga Pater Pashko Gojcaj, famullitar në Kishën e Shën Ndout në Tuz, nga Fran Cotaj, Anton Raja, Gjeto Dushaj,dhe Isa Brijaj. Mysafirët u pritën nga zv/Kryetari i Vatrës z. Asllan Bushati dhe anëtari i Këshillit të Vatrës Zef Balaj, e editori Dalip Greca.





Zv/Kryetari Asllan Bushati u uroi mirëseardhjen mysafirëve dhe i prezantoi me veprimtaritë dhe jetëgjatësinë 105 vjecare të Vatrës.Ai u ndal në bashkëpunimin për më shumë se një shekull të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra me bashkësitë fetare në SHBA. Vatra e ka të shenjtë harmoninë fetare, që vjen që nga bashkëpunimi i Imzot Nolit me dom Zef Oroshin, Imam Vehbi Ismailin e Baba Rexhepin. Për më më shumë se 100 vite Vatra ne festimet e saj ka të pranishëm udhëheqësit fetarë. Bushati i prezantoi mysafirët edhe me qëndrimet e Vatrës për zhvillimet në trojet Kombëtare dhe kërkoi që të luftohet për qëndrushmëri për mosasimilim në trojet e rrezikuara nga ky fenomen.
Imzot Rrok Gjonlleshaj falenderoi për mikpritjen dhe vlerësoi veprimtarinë shekullore të Vatrës. Ai vecoi kontributin e shqiptarëve të Amerikës dhe Vatrës në drejtim të Kosovës dhe trojeve të tjera kombëtare. Shqiptarët e Amerikës tha Imzot Rrok Gjonlleshaj, Kryeipeshkëv i Tivarit, e kanë treguar veten për kontributin e madh që kanë dhënë për fe’ dhe Atdhe. Kontributi i tyre për Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë është i jashtzakonshëm. Po ashtu ai vlerësoi dhe mbështetjen që po japin në këto momente shqiptarët e Amerikës edhe për Katedralen e Tivarit.
Editori i Diellit përshkroi shkurtazi rrugëtimin e Vatrës dhe kontributin e saj për cështjen Kombëtare. Ai u ndal në katër momente historike të veprimtarisë së Vatrës: 1- Fushata e madhe “Të shpëtojmë Shqipërinë” e 3 Qershorit 1917, ku Vatra mblodhi 150 mijë dollarë për të shpëtuar Pavarësinë e Shqipërisë(Më shumë se 2 milionë dollarë me kursin e sotëm) 2- Aksioni për Huanë Kombëtare të Vatrës për shtetin shqiptar më 1921,ku u grumbulluan 198 mijë dollarë(Me kursin e sotëm rreth 3,5 milionë dollarë) 3- Stërvitja dhe dërgimi i Trupave vullnetare në Shqipëri më 1920 për të mbrojtë kufijtë jugorë të Shqipërisë, si dhe i Bandës Muzikore”Vatra”-pjesmarrëse në Luftën e Vlorës( e cila kreu rolin e Bandës së Shtetit Shqiptar) 4-Manifetsimi i madh me 20-30 Nëntor 1969,me ratsin e 60 vjetorin e Gazetës”Dielli”, manifetsim që nisi me 20 Nëntor në Boston dhe përfundoi me 30 nëntor në Nju Jork, ku Vatra bashkoi shqiptarët e Italisë, arbëreshët me ata të Amerikës.

