• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Krerët e shteteve urojnë Pavarësinë e Kosovës

February 17, 2017 by dgreca

1-thaciPrishtinë, 17 shkurt 2017 – Liderë nga e gjithë bota e kanë uruar presidentin e vendit, Hashim Thaçi, për nëntëvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në urimin e tij për presidentin Thaçi, ka shkruar se e ardhmja e Kosovës sovrane, multietnike dhe demokratike bazohet në rajonin e Ballkanit stabil, të begatë dhe plotësisht të integruar në bashkësinë ndërkombëtare.“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë të uroj popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë suaj më 17 shkurt. Partneriteti mes dy shteteve tona mbështetet në vlerat dhe interesat e përbashkëta. E ardhmja e Kosovës sovrane, multietnike dhe demokratike bazohet në rajonin e Ballkanit stabil, të begatë dhe plotësisht të integruar në bashkësinë ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kremtuan së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës fitimin e medaljes së artë historike në Lojërat Olimpike në Brazil, si dhe debutimin e përfaqësueses së Kosovës në garat ndërkombëtare të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA). E mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit tonë të gjerë dhe të thellë, të përqendruar në mbështetjen e rritjes së zhvillimit demokratik dhe ekonomik, forcimin e sundimit të së drejtës në Kosovë, zgjidhjen e kontesteve me fqinjët, si dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftëtarëve të huaj terroristë”, ka shkruar presidenti amerikan në urimin e tij.Madhëria e Saj, Mbretëresha Elizabeta II e Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re, me urimin e saj për pavarësinë, popullit të Kosovës i ka përcjellë edhe urime për sa më shumë lumturi në këtë vit.“Kam kënaqësinë e madhe për t’ju përcjellë, Shkëlqesia Juaj, urimet e mia me rastin e shënimit të ditës tuaj shtetërore, së bashku me urimet e mia më të mira për lumturinë e popullit të Kosovës në vitin vijues”.Kurse, Presidentja e Konfederatës zvicerane, Doris Leuthard, në urimin e saj ka shprehur bindjen se besimi reciprok dhe miqësia që dy shtetet tona gëzojnë do të thellohen edhe më shumë.“Kremtimi i Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës është një mundësi e mirëpritur për mua që t’ju përcjell, Shkëlqesia Juaj, në emër të Këshillit Federal Zviceran urimet tona më të sinqerta dhe dëshirat më të mira për prosperitetin e vendit tuaj, si dhe për shëndetin dhe mirëqenien tuaj personale. Jam e bindur se besimi reciprok dhe miqësia që dy shtetet tona gëzojnë do të thellohen edhe në vitin vijues. Ju lutem pranoni, Shkëlqesi, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, ka shkruar në urimin e saj Doris Leuthard, Presidente e Konfederatës zvicerane.Edhe lideri austriak, Alexander Van der Bellen, në telegramin e tij dërguar presidentit Thaçi ka uruar mirëqenie dhe të ardhme të begatë për Kosovën dhe qytetarët e saj.“Me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës së Kosovës me kënaqësi të madhe ua përcjell urimet e mia më të ngrohta. Përfitoj nga kjo mundësi të ju dërgoj urimet e mia më të mira për mirëqenien tuaj, si dhe për një të ardhme të begatë të Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj”, ka shkruar lideri austriak.Ndërkaq, Presidenti i Republikës italiane, Sergio Mattarella, në urimin e tij ka shkruar se marrëdhëniet mes dy vendeve tona do të vazhdojnë të njohin perspektiva gjithnjë e më të gjera në rrafshin politik dhe atë ekonomik.

“Me rastin e festës kombëtare, kam kënaqësinë që në emër të popullit italian dhe në emrin tim t’ju përcjell urimet më të sinqerta për mirëqenien e popullit mik kosovar. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona vazhdojnë të njohin perspektiva gjithnjë më të gjera në rrafshin politik dhe atë ekonomik. Italia mbështet plotësisht përpjekjet e Kosovës në forcimin e institucioneve të saj demokratike dhe në zbatimin e reformave që çojnë vendin drejt një integrimi të thellë evropian. Për këtë qëllim – rritjes demokratike dhe stabilitetit – Italia kontribuon vendosmërisht edhe përmes pjesëmarrjes së saj në misionet ndërkombëtare të tilla si EULEX-i e KFOR-i. Edhe vetë Kosova është duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin rajonal, veçanërisht përmes vazhdimit të dialogut me Serbinë. Duke konfirmuar edhe një herë miqësinë e qëndrueshme dhe afërsinë e Italisë me shtetin tuaj, shpreh urimet e mia më të mira për mirëqenien tuaj dhe atë të popullit mik kosovar”, ka shkruar presidenti italian.

Presidentin Thaçi e ka uruar edhe i pari i shtetit hungarez.

Kreu i shtetit hungarez, János Áder, në urimin e tij është shprehur i nderuar për të dërguar urimet e tij të përzemërta për presidentin Thaçi dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e kremtimit të Ditës së Pavarësisë më 17 shkurt.“Kam kënaqësinë të theksoj se vitin që shkoi marrëdhëniet tona janë thelluar edhe më tej dhe së bashku me kontaktet tona intensive ne kemi krijuar një kornizë për të përmirësuar bashkëpunimin tonë ekonomik. Hungaria mbetet një mbështetëse e përkushtuar për të ardhmen tuaj evropiane dhe vazhdon të ndihmojë Kosovën në jetësimin e aspiratave të saj euroatlantike. Ju uroj sukses të vazhdueshëm dhe urtësi në kryerjeve e detyrave në detyrën tuaj të lartë”, ka shkruar Presidenti i Hungarisë, János Áder, në telegramin e tij.Një urim të përzemërt me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi e ka marrë edhe nga presidentja kroate, Kollinda Grabar-Kitaroviq.Në urimin e saj, Grabar-Kitaroviq shkruan se Republikën e Kosovës dhe Republikën e Kroacisë i lidh miqësia e përhershme e popujve tanë, bashkëpunimi, si dhe interesat dhe synimet e shumta të përbashkëta. Në këtë frymë, presidentja kroate e ka ftuar presidentin Thaçi edhe për vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë.

“Ju përcjell, në emrin e qytetarëve të Republikës së Kroacisë dhe në emrin tim, urimet më të përzemërta me rastin e Ditës së Pavarësisë dhe përvjetorit të shpalljes së Republikës së Kosovës, si dhe dëshira të sinqerta për prosperitet dhe suksese të reja për shtetin tuaj dhe popullin mik të Kosovës. Republikën e Kosovës dhe Republikën e Kroacisë lidh miqësia e përhershme e popujve tanë, interesat dhe synimet e shumta të përbashkëta, bashkëpunimi në shumë fusha, posaçërisht përkushtimi për rritjen e prosperitetin dhe mirëqenies së qytetarëve tanë. Në këtë frymë, kam nderin të ju ftoj për vizitë zyrtare Republikës së Kroacisë. Besoj se një vizitë e juaja Kroacisë do t’i japë një shtyse të re zhvillimit të marrëdhënieve tashmë shumë të ngushta mes dy shteteve tona dhe do të ofrojë një mundësi për të shqyrtuar propozime të reja për të begatuar lidhjet tona edhe më tej. Bashkëpunimi mes dy vendeve tona për forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe bashkëpunimit në Evropën Juglindore zë një vend të rëndësishëm. Republika e Kroacisë mbështet fuqishëm të ardhmen e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian e në NATO dhe është e gatshme që të vazhdojë të ofrojë ndihmë dhe të ndajë njohuritë dhe përvojat të procesit të procesit të saj integrues euroatlantik. Me shpresë që juve, zotëri president, do ta kem rastin t’ju gostis sa më shpejt të jetë e mundur në Republikën e Kroacisë, ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, ka shkruar presidentja kroate Grabar-Kitaroviq.

Letra urimi për këtë ditë kanë dërguar edhe Presidenti i Shqipërisë, Presidentja e Estonisë dhe Presidenti i Panamasë.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në urimin e tij ka siguruar se Shqipëria, bazuar në frymën dhe vizionin evropian e euroatlantik, do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit dhe do ta mbështesë pa asnjë rezervë në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror. “I nderuar Zoti President, me rastin e 9-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të përzemërta e vëllazërore, për ju dhe të gjithë shtetasit e Kosovës. Përfitoj nga rasti të përshëndes, gjithashtu, të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe funksional të Kosovës, si dhe kontributin e rëndësishëm të dhënë në funksion të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit. Jam i bindur se falë këtij progresi, por edhe mbështetjes domethënëse të organizatave më të rëndësishme të partnerëve, Kosova shumë shpejt do të bëhet anëtare aktive e organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe do të avancojë krahas vendeve të tjera të rajonit, në agjendën e saj evropiane”, thuhet në letrën e presidentit Nishani.

Presidenti Nishani është shprehur se marrëdhëniet ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Kosovës janë shumë të veçanta dhe të një rëndësie thelbësore, si për të ardhmen e kombit shqiptar ashtu edhe për stabilitetin dhe përparimin e rajonit.“Ndaj edhe ju siguroj se Shqipëria, bazuar në frymën dhe vizionin evropian e euroatlantik, do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit dhe do ta mbështesë pa asnjë rezervë në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror. Me urimet më të mira e vëllazërore në këtë ditë të shënuar, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, përfundon letra e urimit e presidentit Nishani dërguar presidentit ThaçiPresidentja e Republikës së Estonisë, Kersti Kaljulaid, në letrën e saj të urimit për presidentin Thaçi ka shkruar se është e sigurt se marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimi mes dy shteteve do të vazhdojë të intensifikohet në të ardhmen.“Më lejoni të ua përcjell juve dhe popullit të Kosovës urimet dhe dëshirat më të mira me rastin e lumtur të festës shtetërore të Republikës së Kosovës. Jam e sigurt se marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimi mes dy shteteve do të vazhdojë të intensifikohet në të ardhmen. Ju lutem, Shkëlqesia Juaj, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë si dhe dëshirat e mia më të mira për mirëqenien e Republikës së Kosovës dhe popullit të saj”, thuhet në letrën e presidentes Kaljulaid dërguar presidentit Thaçi.

Edhe Presidenti i Republikës së Panamasë, Juan Carlos Varela Rodríguez, e ka uruar presidentin Thaçi duke shprehur përkushtimin e tij për të punuar drejt konsolidimit të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.“Zotëri President, me rastin e kremtimit të përvjetorit të nëntë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në emër të popullit dhe qeverisë sime, me kënaqësi shpreh urimet më të ngrohta për popullin kosovar. Ju shpreh, Shkëlqesia Juaj, përkushtimin tim për të punuar drejt konsolidimit të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit, që fatmirësisht ekziston mes shteteve tona. Pranoni, zotëri President, respektin tim të thellë dhe shprehjen e konsideratës sime më të lartë dhe të veçantë”, ka shkruar presidenti Juan Carlos Varela Rodríguez në urimin e tij dërguar presidentit Thaçi.Më herët, presidenti Thaçi është uruar edhe nga krerë shtetesh dhe liderë të tjerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Zvicrës, Austrisë, Italisë, Hungarisë, Kroacisë, Malit të Zi, Belgjikës, Suedisë, Holandës, Emirateve të Bashkuara dhe San Marinos.

***

 Për Ditën e Pavarësisë, presidentin Thaçi e ka uruar edhe Presidenti i Malit të Zi, Fillip Vujanoviq.Në urimin e tij, presidenti Vujanoviq ka shkruar se marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës janë një shembull i bashkëpunimit të mirë fqinjësor në rajon.“Në emër të qytetarëve të Malit të zi dhe në emrin tim, ju përcjell urimet e përzemërta për festën shtetërore, 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Republikës së Kosovës i uroj stabilitet dhe përparim të mëtejshëm, ndërkaq qytetarëve të Kosovës mirëqenie. Marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës janë një shembull i bashkëpunimit të mirë fqinjësor në rajon. Ato kontribuojnë fuqishëm në stabilitetin e tij dhe në të ardhmen prosperuese evropiane të qytetarëve të të gjitha shteteve të rajonit. Jam i bindur se do të vazhdojmë përpjekjet e përbashkëta në këtë drejtim. I nderuar zotëri president, ju uroj shëndet dhe suksese në detyrën tuaj të lartë”, ka shkruar Vujanoviq.Edhe Madhëria e Tij, Mbreti i belgëve, Philippe, e ka uruar presidentin Thaçi me rastin Ditës së Pavarësisë.“Me rastin e festimit të përvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës ju përcjell, Shkëlqesia Juaj, urimet e mia për mirëqenie dhe shëndet për ju dhe për qytetarët tuaj”, ka shkruar në telegramin e tij Mbreti Philippe.

Kurse, Madhëria e Tij, Mbreti Carl XVI Gustaf i Suedisë, uron mirëqenie për popullin e Kosovës në telegramin e tij dërguar presidentit Thaçi.“Me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Kosovës, dëshiroj të përcjell Shkëlqesia Juaj urimet e mia më të sinqerta dhe dëshirat më të mira për shëndetin dhe lumturinë tuaj, si dhe për mirëqenien e popullit të Kosovës”, ka uruar Mbreti i Suedisë.

Edhe Madhëria e Tij, Mbreti i Holandës, Willem-Alexander, në urimin e tij dërguar presidentit Thaçi ka përcjell dëshirat më të mira për popullin e Kosovës.“Me rastin e Ditës së Pavarësisë së vendit tuaj ju përcjell, Ekselenca Juaj, urimet dhe dëshirat e mia më të mira për mirëqenien e popullit të Kosovës”, ka shkruar Mbreti i Holandës.Princi i Kurorës i Abu Dhabit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, në telegramin e tij përcjell urimet për mirëqenie, prosperitet dhe progres.“Kam kënaqësinë që me rastin e Ditës së Pavarësisë së vendit tuaj, Shkëlqesisë Suaj dhe popullit tuaj mik të ua dërgoj urimet më të ngrohta miqësore duke ju dëshiruar mirëqenie, progres dhe sukses nën udhëheqjen tuaj të urtë”, ka shkruar në urimin e tij Princi i Kurorës i Abu Dhabit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ndër urimet e tjera për Republikën e Kosovës që kanë arritur deri më tash është edhe një letër urimi për Ditën e Pavarësisë, që presidenti Thaçi e ka marrë nga Ministria e Punëve të jashtme e San Marinos.“Ju përcjellimet urimet tona më të përzemërta me rastin e Ditës së Pavarësisë, si dhe urimet më të mira për mirëqenien tuaj, për prosperitetin, progresin dhe mirëqenien e popullit mik të Republikës së Kosovës”, thuhet në urimin e Ministrisë së Jashtme të San Marinos.

Përgatiti për Diellin: Behlul JASHARI

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Krerët e shteteve urojnë, pavaresine e Kosoves

Konsullata e Kosovës në Nju Jork, pritje festive për 9 Vjetorin e Pavarësisë

February 17, 2017 by dgreca

Nga Dalip Greca/*1 Ok Teuta 4Në mbrëmjen e së Enjtes, 16 Shkurt 2017, në mjediset luksoze të Yale Club në Manhattan, Nju Jork, Konsullata e Përgjithshme e Kosovës ka organizuar një pritje festive për përfaqësitë diplomatike dhe drejtues e veprimtarë të komunitetit shqiptar.

IMG_2576

Të pranishmëve ua ka uruar mirëseardhjen Konsullja e Përgjithshme e Kosovës, zonja Teuta Sahatçija. Në fjalën e saj përshëndetëse, duke iu drejtuar Ministrit të Diapsoprës,Valon Murati, I pranishëm në këtë festim, si dhe përfaqësuesve diplomatik të shteteve dhe të gjithë pjesmarrësve,kryediplomatja e Kosovës në Nju Jork, tha se ndjehej e nderuar që në emër të Institucioneve të Republikës së Kosovës, t’u uronte mirëseardhjen dhe mikëpritjen në këtë ambjent të bukur për të festuar së bashku ditëlindjen e 9-të të shtetit të ri të Kosovës.1 agim Gjon Rozmari

Konsullja tha se në këtë ditë shumë të veçantë kujtojmë sakrificën e madhe të shumë brezave nën pushtimin e egër, rezistencën e gjatë dhe paqësore, që shpëtoi arsimin dhe shëndetin, luftën heroike për çlirimin e Kosovës, ku humbën jetën 13.500 persona, ku u dëbuan jashtë kufijve një milion njerëz, ku u dogjën shtëpi, institucionet dhe u shkatërrua  infrastruktura.

Ne e dimë, tha Konsullja Sahatçija, se rruga drejt pavarësisë ishte e gjatë dhe shumë e vështirë për njerëzit që donin të jetojnë në liri.

Konsullja ka falenderuar diasporën shqiptare në SHBA për kontributin e saj për Kosovën. Ne, tha ajo, festojmë sot Ditën e pavarësisë, edhe falë punës së madhe, angazhimit, përkushtimit të diasporës sonë në Amerikë, që ishte gjithmonë e gatshme për të ndihmuar  e kontribuar me çdo mjet që të mundnin.

Pavarësia e Kosovës, theksoi konsullaj e përgjithshme e Kosovës,  është një projekt i përbashkët i njerëzve tanë, i SHBA dhe miqëve tanë, që ndryshuan rrjedhën e historisë.Ne, tha Sahtaçija, ju jemi përjetësisht mirënjohës.

Më pas Sahatçija paraqiti disa nga sukseset e Kosovës: Sot Kosova është njohur nga 113 shtete. Ajo u bë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare.

Me Shtetet e Bashkuara, tha ajo, ne kemi miqësi shumë të veçantë, kemi bashkëpunim dhe respekt reciprok. Ne jemi mirënjohës dhe të përkushtuar për të vazhduar së bashku në këtë rrugëtim.

Duke folur për të ardhmen e Republikës së Kosovës, zonja Sajatçija tha se: Bashkimi Evropian është qëllimi i vendit tonë. Ne, tha ajo, e shohim vendin tonë në BE në të ardhmen e afërt. Të gjitha përpjekjet tona institucionale janë të përkushtuara drejt përgatitjes së Kosovës për t’u bërë vend që do të kontribuojë në BE.

Kosova është gjenerator i stabilitetit në rajon, që lufton për marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë dhe ne mbetemi fuqimisht të përkushtuar për të ardhmen tonë euroatlantike.

Më pas Konsullja e Përgjithshme është duartrokitur, kur ka renditur disa nga arritjet e Kosovës. Më lejoni, tha ajo,  të ndaj me ju disa lajme të mira:

Kosova është vendi që ngriti buxhetin e saj për 30%, është vendi që ka arritur të rrit GDP-në 4%. SAA u nënshkrua me BE-në, papunësia është ulur, dhe kryeministri premtoi se do të vazhdojë ulja edhe për vitin e ardhshëm.

Kosova, tha ajo, u bë vendi ku bujqësia po arrin suksese të pabesueshme. Verërat tona dhe produkte e tjera bujqësore janë eksportuar në BE dhe SHBA. Industria e përpunimit të drurit ka  gjetur rrugën e saj në tregun evropian. Teknologjia e informacionit po bëhet aset i fuqishëm i Kosovës…

Lufta kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit ka arritur rezultate të dukshme pozitive që është deklaruar në “Raportin e Progresit Compact” si “reflekton përgjegjësinë në rritje të institucioneve të Kosovës” deri në Standardet Evropiane.

Po ashtu, tha ajo, ka lajme të tjera të mira nga ne:

Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e parë të artë në Lojërat Olimpike të Rios. Distria dhe Akili janë duke sjellë vazhdimisht medalje në xhudo. Kombëtarja e Futbollit të Kosovës është pjesmarrëse e e ndeshjeve eleminatore për Kampionatin Botëror .

Rita Ora, Era Istrefi, Dua Lipa janë duke përcjellë në Botë imazhin pozitiv të Kosovës, ashtu siç ajo e meriton.

Filmi “shok” është nominuar për OSCA, Film “Home” është fitues i Festivalit të Filmit BAFTA. “Dokufest” në Prizren është bërë pika e grumbullimit për krijuesit e filmit dhe artistëve nga e gjithë bota.

Fjalimi përshëndetës i Konsulles së përgjitshme të Kosovës, zonjës Teuta Sahatçija, është mbyllur me urimin e mirëseardhjes për të ftuarit. Ajo i falenderoi  të gjithë për ardhjen dhe ndarjen e gëzimit me përfaqësuesit e Kosovës në kremtimin e Ditës së Festës Kombëtare, 9 vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Një përshëndetje të veçantë u ka drejtuar të ftuarëve edhe Ministri i Diasporës z. Valon Murati.

Në këtë event kanë marrë pjesë edhe Kryetari I Vatrës dr. Gjon Buçaj me zonjën Nikoleta, zv/Kryetari Agim Rexhaj me zonjën Laura, anëtarët e Këshillit të Vatrës Adrian Neritani(ish ambassador I Shqipërisë në OKB), Besim Malota, editori i Diellit etj.

Të pranishëm ishin kryetarë shoqatash dhe veprimtarë të komunitetit.

*Për më shumë fotografi nag aktiviteti shkoni ne facebook/dalip Greca

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Konsullata e Kosoves ne Nju Jork, pritje festive për 9 Vjetorin e Pavarësisë, Teuta Sahatcija

Gazmend Freitag ekspozitë në “BIENNALE AUSTRIA”

February 17, 2017 by dgreca

Nga Hazir Mehmeti/Gazmend Freitag, Biennale

       Piktori Gazmend Freitag  ekspozitë në “BIENNALE AUSTRIA” Vjenë/

Gazmend Freitag, Biennale Austria

Vjenë, 13 shkurt 2017/Organizuar nga shoqata e njohur për ofrimin e veprave artistike, Binnale Austria, në qendër të Vjenës u hap ekspozitë javore e pikturave nga disa autor kombesh të ndryshme që jetojnë në Austri dhe nga vende tjera. Kësaj radhe  me dy piktura: “Akt mit rotem tuch” dhe “Tish” merr pjesë edhe piktori shqiptar Gazmend Freitag i cili jeton në Linz të Austrisë. Veç piktorit tonë, aty kemi veprat emrave te njohur piktoresh nga kombe të ndryshme: Eugenio Azzola, Herbert Bauer, Alessandra Bisi, Admira Bradaric,, Pascal Dorothee, Eddie, Darius Foroutan, Michael Gerisl, Ingrid Halter, Claudia Hiddemann- Holthoff, Bozena Kormout, Gerlinde Kosina, Regina Merta,  Domingo Parada, Helga-Anna Puchner, Rosangela Scheithauer, Soha Yehia Abou Hussein,  Chris UI, A. Verdier-Fourmond, Gisela Zimmermann.

Mes shumë aktiviteteve Gazmend Freitag është edhe  anëtar i Shoqatës ::Kunstprojekte:: në Vjenë. Është krenari të prezantosh e të  jesh pjesë e katalogut ndërkombëtar, të njihesh me artistë të njohur e veprat e tyre nga shumë vende me traditë në artin e pikturës. Biografia e artistit tonë tani është e botuar në disa gjuhë botërore katalogëve të  piktorëve aktiv me vepra të shpërndara e të kërkuara.

Talentin për pikturim Gazmendi e ushtroj që në bankat e shkollës në Prizrenin piktoresk, ku mori mësimet e para Pikturat e Gazmend Freitag, karakterizohen me një gjallëri që flasin nga çdo kënd i tyre. Pasqyrimi artistik përmes grafitit dhe ngjyrave është diçka e veçantë ku njeriu nxjerr mesazhin e veprës natyrshëm dhe me shije. Pikturat nudo janë  profesionale dhe dalin nga vet shkolla e tij specifike e mjeshtërisë me specializim tek Mag. Annelies Oberdanner në Linz, diçka e veçantë nga piktorët shqiptarë. Malli për vendlindjen e tij, Prizrenin e bukur, nuk e lë të qetë asnjëherë. Ai me dashuri e besnikëri milimetrike i shpreh ato në urat e gurta, ndërtesat e kalanë madhështore e cila i rri mbi kokë në histori po si plisi me shkëlqimin e tij. Rrugicat me kalldrëm guri shekullor, dyert e drunjta karakteristike të kthejnë aty pranë vatrës ku piktori kaloi rininë e gjimnazistit.  Nuk mund të kuptohet plotësisht krijimtaria e tij pa portretet në grafikë të bëra me frymëzim dashurie të shumë personaliteteve të njohura kombëtare si: , Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Shën Teraza, Ismail Kadare, Ali Podrimja e të tjera. Ato janë vlerësuar nga kritik arti në disa revista në Austri dhe Itali bazuar në energjinë, specifikën shprehëse të tij artistike.  Shtypi vendor e ka vlerësuar artin e kultivuar nga piktori ynë në shumë gazeta e revista. Bazuar në hapat e Gazmendit dhe energjitë e tij të pashtershme, do kemi vepra të reja të nivelit të kohës ku që krijohen në vendet perëndimore ku vlerësohet arti.

Kështu,  njeriu ynë i cili imazhin tonë e ngritë përmes brushës së tij, qëndrimit të tij prej artisti e njeriu që krijon madhështinë e të bukurën e cila do jeton gjatë.  Vendlindja nuk të lë të qetë, të thërret kudo që je në përkujtimin e peizazheve nga syri i një kohe që nuk harrohet. Dashuria ndaj vendlindjes e mbjellë në shpirt është navigator në çdo cep të globit. Këtë e dëshmon edhe Gazmend Freitag.

Gazmend Freitag, u lind në Pataçan të Poshtëm të komunës së Rahovecit, më tej regjioni i Prizrenit, ku kreu shkollimin fillestar, një pjesë të studimeve në UN e Prishtinës,  kurse prirjen e tij në artin e grafikës dhe pikturës e specializoi në Austri. Pikturat e tij janë ekspozuar në shumë qytete të Austrisë, Italisë, Sllovakisë, por jo edhe në vendlindje. “Gjithmonë në qenien time e kam vendlindjen time, ëndërroj të krijoj kushte për hapje të një ekspozite në Prizren, Prishtinë e Tiranë. Shpresoj se nuk do jetë e largët realizimi i dëshirës sime”, shprehet me mall Gazmend Freitag.

Filed Under: Kulture Tagged With: “BIENNALE AUSTRIA”, ekspozitë në, Gazmend Freitag, Hazir Mehmeti

KRYEIPESHKEVI I SHKUPIT: JU TREGOJ BARBARIZMAT E SERBEVE KUNDER SHQIPTAREVE

February 17, 2017 by dgreca

-RAPORTI I KRYEIPESHKVIT TE SHKUPIT LAZER MJEDA MBI
PUSHKATIMIN E DHUNEN SERBE NE KOSOVE E MAQEDONI ME 1912-ten/

-BARBARIZMI KUNDER SHQIPTAREVE, TRASHIGIMI SHEKULLORE E SERBVE/1-Kadeli-160x300-1

Pergaditi per Diellin:Gjon Kadeli/

Ky raport iu dergue kryeipeshkvit Mjeda nga pritfnit Dom Zef Rama i famullise se Shkupit dhe nga Dom Krasniqi i famullise se Prizrenit.
Ne kete raport vihet ne dukje trajtimi i eger nga serbet i shqiptareve te kryeipeshkevise qe kryesonte Mjeda, si edhe ato kunder shqiptareve ne pergjithsi.
Ne Kumanove, nji ushtar serb zbuloi ne zyren e famullise, se si ishte sulmue nji katund shqiptaresh. Ata qe nuk kishin ikun perpara mberrijtjes tone, ishin mshefun nen kulmet e shtepive te tyne.
Shtepive iu vu zjarri dhe kur flaka mberrijti kulmet, te mshefunit dolen jashte. Ne vazhdoi ushtari,ishim perpara dyerve te shtepive dhe kur ata dillshin ne i vritshim. Kjo gja ngjau sepse,  gjoja, dikush nga ai katund, kishte gjuejt me pushke kunder njisive serbe. Ushtari
shtoi se kur fmijet dilshin nga shtepite qe po digjeshin, per te ruejt fisheket  ata i thershim me bajoneta.
Ne Shkup, megjithse kur hyne serbet nuk u ba ndonji qendrese, gjate 15-te diteve qe vazhduen operacionet ushtarake, per cdo nate 20-30 shqiptare u hodhen ne lumin Vardar. Pevec kesaj, mbas kalase se qytetit gjindej nji grope e madhe, ne ate grope serbet hodhen ma shume se nji qind kufoma shqiptaresh. Shume shqiptare te plagosun u lane ne
spital te vdisnin nga uria dhe shume prej tyne u hodhen ne lumin Vardar. Tre shqiptare u theren me bajoneta dhe vdiqen afer ures se Vardarit, vetem se po ecshin ne rruge, Serbet, edhe puset i perdoren per te hedhun shqiptaret ne to. Dhunimet e grave u bane edhe perpara syve te burrave te tyne.
Per t’i ba gjanat edhe ma zi, serbet e Shkupit u jepshin alkol falas ushtareve dhe ata piheshin, dhe si rrjedhim bashin lloj lloj te keqijash.
Ne Tetove, 85 shqiptare qe u zune ne shtepite e tyne u vrane, gjoja per arsye te ndryshme.
Ne Gostivar, komandanti serb kerkoi 200 lira, dhe kur shuma ne fjale iu dorzue, qyteti peshtoi pa shume dame, se vetem 6 shqiptare u masakruen.
Ne Ferizaj vetem 3 shqiptare muslimane te moshes mbi  15 vjete peshtuen. Si rrjdhim i lutimeve te ashpra, gjate 24 oreve edhe shume serbe u vrane.. Nji grue shqiptare, mbasi i vrane burrin, mori ne dore pushken dhe vrau pese serbe. Nji serb ka thane se 1200 shqiptare jane mbledhun nga katundet e rrethueme per t’i vra te gjithe per njiheri.
Edhe ne Gjillan u bane lloj loj masakrash, megjithse,  nuk u ba ndonji qindrese kunder pushtuesve.
Ne Prishtine numri i shqiptareve te vrame e kalon pese mijshen.
Prizren.Qyteti u dorzue pa lufte, por kjo nuk ndikoi qe te mos
baheshin masakra kunder shqiptareve. Me rastin e festes se Kurban
Bajramit. rreth 800 dele u dorzuen ne pazar per t’u pre. Serbet
mberrijten me shpejtesi dhe konfiskuen delet ne fjale, per t’i
perdorun per ushqim per ushtrin, tuej mos lejue keshtu muslimanet te
festoshin Bajramin.
Komondanti serb kishte nevoje per furnizime per ushtrin, per te
marrshue drejt Lumes, por i mungoshin kuajte. Ai thirri 200 shqiptare
te rij, i ngarkoi sejcilit 50 kilogram ushqim dhe i detyroi te
udhtoshin shate ore per te mberrijtun ne bazen ushtarake.
Gjenerali Jankovic ishte informue se fiset e Lumes nuk do t’i lejoshin
forcat serbe te hishin ne Lume pa lufte. Prandej a i shpalli ata, se
gjoja jane rraca ma e ulet e njerezve, dhe shtoi se duhet te vriten te
gjithe. Shtese e pembledhsit te artikullit. Nuk ka kurrfar dyshimi se
karakterizimi i fiseve te Lumjaneve nga gjenerali Jankovi ka te baje
me faktin se forcat pushtuese serbe kane psue humbje te medha gjate
luftave te ndryshem qe kane ba kunder Lumjaneve, menji fjale, u ka
hasun  sharra ne gozhde. Gjate operacioneve ushtarake serbe mblodhen
burra, gra e fmije, me qellim per t’i zhdukun te gjithe, dhe per te
djegun katundet e tyne. Femijet i mueren prej krahnoreve te nanave te
tyne, i gjueshin ne grumbuj kashtash dhe i digjshin per se gjalli. Ata
u cane barqet me bajoneta grave shtatzan, dhe bajonetat ne fjale jau
ngulshin edhe femijeve te pa lindun. Kjo gja asht e pa perftyrueshme,
por e vertete.
Katerqind burra te Lumes u dorzuen, mbasi u ishte premtue se do te
liroheshin, pa u ndeshkue,  u derguen ne burgun e Prizrenit dhe u
prene te gjithe, katerdhet deri me gjashdhete cdo dite. Nji njeri qe i
ka pa me syte e tij keto gjana ka thane se 1500 kufoma shqiptaresh
jane pa rreth e perqark Prizrenit gjate atyne diteve. Ka mundesi qe
kjo te jete arsyeja qe gazetaret e huej, nuk u lejuen te shkoshin ne
Prizren.
Ne Gjakove menyra e veprimit nuk ishte e zakonshme, dhe ishte ma
barbare. Ushtaret serb u lejuen te veproshin lirisht e te bashjin te
gjitha te zezat. Prifti i famullise se Shkupit ka thane se, serbet i
kishin tregue atij, se Malazezet i kishin marre grate me veti, dhe
ishin pa ma vone ne Gjakove, tuej bajte arme dhe tuej vra gra e fmije
te zones.
Nji ushtar serb, tuej besue se ishem bashkatdhetar i tij, me ka tregue
me knaqesi te madhe, se vetem pak katunde te zones se Tetoves,
Shkupit, Kumanoves, Presheves, Gjillanit, Ferizajt, Prizrenit,
Gjakoves e Pejes kane mbatun mbi siperfaqen e tokes. Ata i kishin
djegun te gjitha. Kjo ishte menyra se si duhej te silleshin ndaj
shqiptareve, perfundoi ai.
Nji ofoicer serb ka pohue se 75 per qind e shqiptarve duhej te vriteshin.
Serbet dhe aleatet e tyne e filluen kete lufte, gjoja per te “lirue te
krishtenet nga barbaria muslimane.” Por do te ishte, pa dyshim, ma e
sakte te quhej “Kryqzate per Orthodoksine dhe per zhdukjen e
shqiptarve.”
Pa e zmadhue aspak gjate ketij sulmi 25000 shqiptare u zhduken nga
faqja e tokes arbnore.
Duhet te vehet ne dukje se, tuej marre parasyshe vrullin fillestare te
kesaj lufte, terbimi serb ishte drejtue, ne menyre te vecant, kunder
katolikeve, per te friksue muslimanet te mos baheshin katolike, per
arsye se ka pase njerez qe kane pas nderrue besimin.

Shkup, 24 Kallnduer, 1913-te
Lazer Mjeda

Kryeipeshv i Shkupit

Filed Under: Histori Tagged With: Barabarizmat e Serbeve, Gjon kadeli, Kryeipeshkevi, Lazer Mjeda

I dënuar 3 herë me vdekje

February 17, 2017 by dgreca

Dossier/

Hasan Reci, intelektuali antikonformist i dënuar tre herë më vdekje në një cerek shekulli/1 zoti Hasan Reci

Në Foto:Hasan Reci/

Ja si u asgjesuan pionierët e të majtës anglo-amerikane mbas vitit 1939 në Shqipëri/

Nga Shefqet Kërcelli/

Intelektuali Hasan Reci, është i vetmi shqiptar dhe ndoshta i vetmi person në botë që është dënuar tre herë me vdekje, një rast unikal ky për dënimet botkuptimore-politike. Herën e parë, në shtator 1935, si udhëheqës në kryengritjen antizogiste të Fierit, vendim i cili si pasojë e presionit popullor u kthye në burgim të përjetshëm. Herën e dytë u dënua me vdekje nga Gjykata e Lartë ushtarake në maj 1942, pasi u kap në flagrancë në një orvatje për një aksion në një bazë ushtarake italiane në afrësi të Kasharit. Edhe këtë radhë, për arësye që do i shpjegojmë më poshtë, vendimi u shndërrua me burgim dhe internim në ishujt e Italisë. Herën e tretë u dënua me vdekje nga Gjykata e lartë ushtarake e regjimit komunist, në janar 1948, me akuzën si armik i popullit dhe i shtetit. Mbasi prokurori Nevzat Haznedari kërkoi në pretencë dënimin e tij me vdekje, kryetari i gjykatës Niko Ceta e pyeti të pandehurin sipas procedurës,  për të thënë fjalën e fundit. Hasani me gjakftohtësi e pyeti kryetarin e gjykatës: “Unë jam dënuar me vdekje në regjimin e Zogut si antizogist. Në okupacionin fashist italian, jam dënuar me vdekje si antifashist. Prapë sot në regjimin e Partisë Komuniste po dënohem me vdekje si antikomunist. Ju pyes: Cfarë jam unë atëherë?!… Kryetari Niko Ceta, nuk ishte në gjendje ti jepte përgjigje, përvec frazës bajate : ti je një armik i popullit! Por, këtë herë, sic u tha në atë kohë, ishte e treta e vërteta, sllavo komunistët s’të falin. Kështu,  Hasan Reci u ekzekutua me pushkatim, pa marrë përgjigjen për pyetjen që bëri. Qysh atëhere po mbushen gati 70 vjet dhe pyetja ka mbetur ende pa përgjigje. Nëpërmjet këtij shkrimi historik do përpiqemi ti japim sadopak përgjigje pyetjes: Kush ishte intelektuali tiranas Hasan Reci dhe pse u pushkatua nga rregjimi komunist?

Hasan Selim Reci ka lindur në Tiranë më 17 janar 1904, në një familje të varfër tiranase, e cila banonte në periferi të saj. Babai i tij Selimi, punoi gjithë jetën për tu siguruar fëmijëve ushqim dhe shkollim. Dikush nga të moshuarit e lagjes thotë se, Hasani ka lënë dicka të shkruar rreth jetës e familjes së tij, mbase ato janë kycur në arkat metalike të Arkivit Qendror të Shtetit. Gjithsesi nga kujtimet e miqve dhe kolegëve të tij kemi mësuar se, Hasani mbasi kreu shkollën  në Tiranë, në fillimvitet 1920 ndoqi Normalen e Elbasanit, saktësisht një kurs për mësuesi në shkollën fillore shqipe. Mbasi punoi si mësues për pak kohë e ndërpreu atë dhe ndoqi shkollën teknike amerikane të Harry Fulltz-it, e cila hapi dyert më 1922. Në moshën 20 vjecare, bashkë me Reshat Këllicin dhe shokë të tjerë, aderoi në shoqërinë “Bashkimi”, themeluar nga Avni Rustemi. Mbas përfundimit të Shkollës teknike të Fulltz-it, Hasani u emërua përsëri mësues i shkollës fillore.  Në vitin 1928, Hasani me mikun e tij Qemal Kadesha hodhën hapat e parë për krijimin e lëvizjes sindikaliste në Tiranë. Me shkathtësinë, angazhimin dhe përpjekjet e tyre kryesisht jashtë orarit të punës, të dy bashkëmoshatarët tiranas, krijuan dy shoqata sindikaliste profesionale, “Shoqatën e Mësuesve” dhe “Shoqatën e Rrobaqepësve”.  Me këto organizime theksojmë faktin se, Hasan Reci dhe Qemal Kadesha janë themeluesit dhe pionierët e lëvizjes sindikaliste në Shqipëri. Ndërkohë Hasani nuk hoqi dorë nga problemet e arësimit kombëtar shqiptar. Një nga shokët e ngushtë të Hasanit ishte Ramazan Jarani, gjithashtu mësues, i cili kishte përfunduar Robert Kollexh në Stamboll, {pionierja e shkollave amerikane në Ballkan e më gjerë}, madje ka qenë dhe n/prefekt i Durrësit në vitet ’20. Pamvarësisht nga bindjet politike, dy mësuesit u pajtuan në lidhje me karakterin laik që duhej të kishte shkolla shqipe. Madje për realizimin e kësaj marrëveshje midis tyre u ra dakord që zoti Jarani të merrte përsipër botimin e një reviste pedagogjike me titullin “Shkolla laike”, kurse  zoti Reci do të drejtonte përmbajtjen e saj. Në vitet ’30, murtaja komuniste kishte mbërthyer Evropën. Idetë komuniste depërtuan dhe në Shqipëri dhe prekën të gjitha shtresat e popullsisë. Si dicka e re për kohën preh e kësaj murtaje rranë dhe intelektualë, të pasur e përfaqësues të shtresës së mesme, se pjesa e varfër po e po. Që të gjykojmë gjakftohtë qëndrimin e cdo personi duhet ta vendosim atë në kohën e rrethanat që jetoi, në Shqipërinë e kohës dhe jo me grahmat e këndvështrimet e sotme, se kështu i largohemi të vërtetës. Në Shqipërinë e koklavitur të viteve ’30 dhe personazhi i këtij dossieri, zoti Hasan Reci, nuk i shpëtoi ndikimit të këtyre ideve revolucionare. Kështu në vitin 1931, Hasani kontaktoi me Hysni Lepenicën dhe Skënder Mucon, asokohe anëtarë të Komitetit të Clirimit Nacional, të cilët kishin lidhje me Halim Xhelon, përgjegjës i fraksionit komunist që vepronte në përbërje të komitetit të Gjenevës. Gjithashtu Hasan Reci kryesonte në Tiranë një celulë komuniste, që përbëhej kryesisht nga të rinj, të cilët qenë nxënës dhe ishnxënës të Shkollës amerikane “Harry Fultz”, të cilët e quanin veten komunistë si: Xhevdet Doda, mësues, Mustafa Gjinishi, nënpunës, Mustafa Kacaci, nënpunës, Uan Filipi, infermjer, Isuf  Kambo, dezinjator, etj. {Si shpjegohet që këta përfaqsues të së majtës shqiptare që dinin anglisht, gjatë viteve 1941-1950, u asgjësuan të gjithë???}. Dhe prova e parë për të ardhmen e lëvizjes komuniste u dha që në hapat e parë. Në vitin 1929, Kominterni nëpërmjet shefit të Sekretariatit të Federatës Komuniste në Ballkan, Gjergj Dimitrov, dha porosi që të ngrihej një “Qendër organizative”, prej tre personash, të cilët të merrnin barrën e krijimit të Partisë  Komuniste Shqiptare. Mos me u zgjat në këtë histori, mbas përpjekjesh u vendos që anëtari i tretë i kësaj qendre, që duhet të ishte komunist vendas u caktua Hasan Reci, madje për këtë u morr pëlqimi nga Kominterni. Por, Hasan Reci nuk u pajtua që në fillim me të gjitha pikat e programit të lëvizjes komuniste. Ajo që e bashkonte Hasanin me Ali Kelmendin ishte aspirata e njëjtë për të cliruar vendin nga prapambetja dhe shtresat e varfëra nga mjerimi. Dy pionierët e lëvizjes komuniste në Shqipëri kishin një ndryshim të madh për rrugët dhe mënyrat e triumfit të revolucionit socialist në Shqipëri. Së pari, ndërsa A.Kelmendi e barazonte socializmin me Diktaturën e Proletariatit, ashtu si zbatohej në ishBashkimin Sovjetik, Hasan Reci, përkundrazi e konceptonte socializmin si një rregjim demokratik, i cili do të luftonte varfërinë jo me anë të Diktaturës së Proletariatit, por nëpërmjet demokracisë popullore. Cështja e dytë themelore që e ndante Alinë me Hasanë, ishte rruga që duhej ndjekur për realizimin e idealit socialist. Qysh në vitin 1932, në lëvizjen majtiste shqiptare brenda dhe jashtë vendit, ishin përvijuar në mënyrë të qartë dy programe strategjiko-taktike që duhej zbatuar në shqipëri. Këto dy vija morën emrin vija “bolshevike” dhe vija “clirimtariste”. Vijën e parë e kishin miratuar krerët e “Grupit Komunist të Shqipërisë” në Bashkimin Sovjetik, Ali Kelmendi, Sejfulla Maleshova, Koco Tashko, Tajar Zavalani, Llazar Fundo, etj. Sipas këtij grupi, PKSH që do formohej në Shqipëri, duhej të ecte në gjurmët e partisë bolshevike, pra, të punonte për përgatitjen e revolucionit socialist sipas shembullit të revolucionit të tetorit dhe me fitoren e tij të vendosej diktatura e proletariatit si në BS. Kjo taktikë nisej nga teza se, në Shqipëri  ekzistonte një rend kapitalist sadopak i zhvilluar dhe një klasë punëtore e aftë të mbështeste revolucionin socialist. Si rrjedhim PKSH-ja duhej të bashkëpunonte me të gjitha forcat majtiste antikapitaliste dhe antiimperialiste, me kusht që revolucionin socialist ta drejtonte PKSH, pa bërë lëshime me ta. Ndërsa Platformën e dytë, atë  “clirimtariste” e kishin miratuar krerët e Komitetit të Clirimit Nacional {Halim Xhelo, Kostandin Boshnjaku, Omer Nishani, Lano Borshi, Riza Cerova}, etj. Ndryshe nga “bolshevikët”, militantët  “clirimistë” niseshin nga teza se Shqipëria ishte një vend i prapambetur, se nuk ishte cliruar ende nga hallkat e feudalizmit, se rendi kapitalist ende nuk ishte vendosur plotësisht, se klasa punëtore ishte në fillimet e saj, se Shqipëria ishte një vend gjysëm kolonial dhe se detyra kryesore e lëvizjes majtiste në Shqipëri ishte fitorja e plotë e pavarësisë, revolucioni demokratik përparimtar, përmbysja e rregjimit totalitarist zogist, zhdukja e mbeturinave feudale, madje edhe realizimi i bashkimit  nacional të trojeve etnike. E kush shqiptar me mëndtë e sotme s’do e përqafonte këtë program të një të majtë shqiptare?!  E kur?! Në vitet e turbullta 1930-1940.  I dashur lexues! Le ti ndjekim me kujdes këto zhvillime të lëvizjes komuniste të atyre viteve, për ta dalluar “engjëllin” nga “djalli”, për të parë se si kjo e majtë që aspironte Hasani me shokë mori goditje të vazhdueshme për një tre cerek shekulli, deri në eleminimin fizik të pionierëve të këtyre ideve. Madje nqs flasim për fillesat e socialdemokracisë në Shqipëri, themeluesit e saj janë burrat e sipërpërmendur të grupit të “clirimtaristëvë”. Zonja Musinë Kokalari, etj, për mendimin tim shënojnë brezin e dytë të këtyre idealeve. Për të realizuar qëllimin dhe programin e tyre “clirimistët” kërkonin aleancë me të gjitha forcat antizogiste, antifashiste dhe demokratike  përparimtare për të përmbysur bashkarisht regjimin zogist dhe për të vendosur jo një diktaturë të proletariatit, por një regjim demokratik përparimtar në gjirin e të cilit PK të ushtronte ndikimin e saj. Sipas “clirimistëve” peshën e komunistëve në regjimin demokratik do ta përcaktonte vota popullore. Këtyre ideve, programeve dhe pozicionimit të lëvizjes komuniste në Shqipëri i mëshon fort dhe Prof.Doktor i ndjerë, Kristo Frashëri, në monografinë kushtuar jetës dhe veprës së Hasan Recit, botuar në vitin 2005.  Të dyja rrymat e lëvizjes majtiste shqiptare ishin pranuar nga Kominterni, si dy rrugë të mundshme dhe të përshtatshme për kushtet e Shqipërisë së prapambetur. Madje Kominterni  bënte presion që këto dy rryma të bashkëpunonin mes tyre. Kjo është arësyeja që Ali Kelmendi u lidh ngushtë me Hasan Recin, duke parë dhe ndikimin e tij në Tiranë, si bir tiranas. Sepse Hasani drejtonte një celulë komuniste ku bënin pjesë dhe Anastas Plasari, nënpunës, Kolë Berisha, gazetar dhe Pjetër Deda, përkthyes. Regjimi zogist duke parë ndikimin e kësaj celule, ra në gjurmë të saj që në vitin 1933. Pamvarësisht se me veprimtarinë e tyre ata nuk paraqisnin rrezik imediat për regjimin zogist, anëtarët e celulës, përshi Hasanin u arrestuan, por në mungesë të provave mbas disa muajsh u lanë të lirë. Në raportin që dërgoi në Komintern në dhjetor të vitit 1936, Ali Kelmendi midis të tjerave propozoi që anëtar i qendrës të jetë Hasan Reci, bashkë me Selim Shpuzën, Demir Godellin, Ali Kelmendin dhe Ymer Dishnicën. Në gusht të v.1934, në qytetin e Korcës u mbajt një konferencë, në të cilën morën pjesë dy anëtarë të qendrës së Korcës bashkë me Demir Godellin, Selim Shpuzën dhe Hasan Recin. Në këtë takim një ditor u vendos që të punohet për organizimin e lëvizjes komuniste ndër qendra dhe prefektura, ku aktualisht nuk ka asnjë organizatë komuniste, si në Shkodër dhe gjithë Shqipërinë e Veriut, gjithashtu në Vlorë, Gjirokastër e gjetkë, si dhe përgatitja e terrenit për thirjen e një kongresi kushtetues të PK. Kur u kalua në pika të ndryshme, Hasan Reci njoftoi se në Tiranë ekzistonte një organizatë e fshehtë nacionaliste , e cila kishte për qëllim të përmbysej monarkia dhe të zvëndësohej me një republikë demokratike, propozim që u kudërshtua nga pjesmarrësit e tjerë.

{Dënimi i parë më vdekje}

Pamvarësisht kësaj kundërshtie, Hasan Reci forcoi lidhjet me grupin e Korcës dhe u mobilizua për kryengritjen antizogiste. Për organizimin e kryengritjes, Qendra e “organizatës së fshehtë”, kishte krijuar tre komisione, të cilat kishin për detyrë të merreshin me përgatitjen e kryengritjes së armatosur në tre sektorë të ndryshëm, në popullsinë civile, në ushtri dhe xhandarmëri. Për mobilizimin e popullsisë civile, qytetarë dhe fshatarë, Qendra e “organizatës së fshehtë”, kishte ngarkuar dy përgjegjës kryesorë, Kostë Cekrezin për antizogistët e djathtë dhe Hasan Recin, për antizogistët e majtë. Në zbatim të këtij plani, Hasan Reci, së bashku me Tajar Zavalanin, Demir Godellin, Riza Cerovën, M.Gjinishin, Uan Filipi, M.Macaci, Isuf Kambo, etj, u angazhuan seriozisht për të zgjeruar rrjetin e pjesmarrësve në kryengritjen e Fierit. Krerët e “Organizatës së fshehtë” vendosën që kryengritja e armatosur të shpërthente në vjeshtën e v.1935, pasi të kishte filluar pushtimi i Abisinisë nga Italia e Duces. Sipas tyre, Italia fashiste e angazhuar në fushatën luftarake të Afrikës Lindore, nuk mund të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri, në bazë të traktatit të Tiranës, të nënshkruar me qeverinë zogiste të v.1927. Por, ngjarjet nuk rrodhën sic ishin planifikuar. Më 14 gusht 1935, sapo krisën në Fier dhe Skrapar armët e para, kryengritja u shtyp. Në Fier revolta u shtyp po atë ditë, ndërsa në Skrapar vazhdoi disa ditë, derisa u vra udhëheqësi i saj, Riza Cerova. Policia kreu arrestime në masë. U burgosën jo vetëm pjesmarrësit e revoltës së armatosur, por dhe qytetarë e fshatarë të thjeshtë. Në mes tyre u arrestuan dhe simpatizantët dhe anëtarët e kryesisë së “Grupit Komunist të Tiranës”. Listën e tyre policia zogiste e kishte përgatitur më pare. Kështu që të nesërmen e dështimit të kryengritjes, më 15 gusht 1935, midis qindra të arrestuarëve ishte dhe Hasan Reci me 92 anëtarët majtistë. Më 16 gusht 1935, H.Reci u torturua egërsisht në hetuesi, derisa nuk kishte fuqi për të folur. Ai nuk e pranoi akuzën. Prej tij hetuesia nuk nxorri asnjë njoftim për pjesmarrësit e tjerë. Gjyqi kundër të pandehurve u zhvillua nga 22 gushti deri më 17 shtator 1935. Ai dha dënime me vdekje për të gjithë ata që u konsideruan krerë të “Organizatës së fshehtë”, Ali Shkupi, Ramiza Dibra, Nuredin bej Vlora, Ahmet Shehu, Bektash Cakrani, Neki Starova, Muhamet Këlcyra, Pilo Papa, Gegë Marka Gega, Mustafa Kacaci, Jaja Bace. Njësoj u dënuan dhe anëtarët e grupit komunist të Tiranës, Hasan Reci, Mustafa Gjinishi, Uan Filipi, Kostë Kollumbi. Midis vendimeve të gjyqit, ai që la përshtypjen më të thellë, sidomos ndër qytetarët e Tiranës, ishte dënimi me vdekje i Hasan Recit. Dhjetra lutje, të nënshkruara nga qytetarët e tiranës vërshuan në pallatin e Zogut, në të të cilat kërkohej anullimi i dënimit me vdekje për H.Recin. Protestoi gjithashtu Komiteti i Clirimit Nacional në Gjenevë, njëkohësisht pati protesta nga qarqet intelektuale majtiste evropiane. Biles një nga protestat mbante nënshkrimin e shkrimtarit të njohur francez Hanri Barbys, {Henri Barbusse}. Për këto dënime të rënda reaguan dhe diplomatë perëndimorë në Lidhjen e Kombeve. Nën presionin e brendshëm dhe të jashtëm, mbreti Zog u tërhoq dhe dekretoi për të gjithë krerët e organizatës së fshehtë, shndrimin e dënimit me vdekje me burgim të përjetshëm, me përjashtim të 11 xhandarëve, të cilët kishin marrë pjesë direkt në kryengritje dhe u pushkatuan. Hasan  Reci u dërgua në burgun kështjellë të Gjirokastrës, burg i sigurisë së lartë, ku qëndroi 5 vjet, deri më 7 prill 1939, kur mbas pushtimit fashist u arratis nga ky burg  për në Jugosllavi. Atje u bashkua me shokun e tij të ngushtë, Mustafa Gjinishin dhe më pas u takuan me Myslym Pezën e Haxhi Lleshin, me të cilët lidhën dhe miqësi. Të katër u kthyen në Shqipëri më 1940, ku Myslymi qëndroi në Pezë, Haxhi Lleshi në Dibër, ndërsa  Hasan Reci dhe Mustafa Gjinishi u rivendosën në Tiranë. Theksojmë se pamvarësisht gjithë këtyre ngjarjeve Hasani nuk ndryshoi bindjet e tij të formësuara dekadën e kaluar.

{Fund i pjesës së parë, pjesa e dytë vijon në numurat e ardhshëm të “Diell-it”}

Filed Under: Politike Tagged With: 3 herë, Hasan reci, I dënuar, me vdekje, Shefqet Kercelli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2190
  • 2191
  • 2192
  • 2193
  • 2194
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT