• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kush i mbrojti hebrenjtë në Shqipëri ?

February 9, 2017 by dgreca

Sikur historia të shkruhej ashtu siç ka ndodhur/1 MergimKorca

Shkruar nga Mërgim Korça/

Porsa e lexova titullin me të cilin emërtohej dekorimi i familjeve si edhe individëve shqiptarë të cilëve u vlerësohej skajshëm lart nga ana e Presidentit Nishani sakrifica si edhe ndihma e lart’e tyre dhënë hebrenjëve të strehuar përgjatë Luftës II-të Botërore në Shqipëri, më përshkoi një drithmë rrënqethëse gëzimi e përforcuar edhe nga fakti se jo vetëm që njérin nga kryefamiljarët e këtyre familjeve e kam patur në rrethin më të ngushtë të miqve të mij, porsé nga ana tjetër, edhe për faktin se përgjatë së gjithë periudhës diktatoriale komuniste, veç faktit se miku im vlerësohej lart si specialist aftësishë të posaçme në fushën e Tij si inxhenier, prapseprap kjo familje shikohej shtrembër si e deklasuar.  Doemos pozicionimi i mbajtur nga Presidenti Nishani me këtë rast më dhá një farë shprese se Ai e kishte kuptuar më në fund qëndrimin e gabuar të ish historianëve tonë përgjatë periudhës thuajse gjysëm shekullore të diktaturës komuniste, që historín’e shkruar e kishin ndërtuar plot me heshtje si edhe shtrembërime rreth të vërtetave, vetëm e me vetëm t’i qëndronin besnikë vijës së partísë tyre ! 

Padyshim që në vijim, në qoftë se qëndrimi i Presidentit Nishani do të kishte qenë vërtet parimór, gjë që e përforconte edhe vetë motivacioni i shkruar se përse 35 familjeve të dekoruara me titullin NDERI I KOMBIT u jepej ky titull madhor :  “Në vlerësim të aktit heroik e të pashembullt njerëzor për shpëtimin e hebrenjve nga përndjekja naziste në Shqipëri; për rolin dhe kontributin e paçmuar në lartësimin e vlerave të rralla e tradicionale shqiptare të mikpritjes, bujarisë dhe Besës si dhe për konsolidimin e harmo nisë dhe bashkëjetesës shumëshekullore fetare të kombit tonë “ !  E doemos në vazhdim edhe vetë zënja në gojë e faktit se si Presidenti shfaqi edhe keqardhje shtetërore se si nuk mundën ta shpëtonin edhe albanologun e madh Norbert Jockl, në parím si edhe fillimisht … më gëzoi shumë. Mirëpo heshtja në vazhdim nga ana e Presidentit  Nishani rreth interesimit të vetë K/Ministrit Mustafa Kruja që i telefonoi Kontit Ciano, (ministër i Punëve të Jashtëme të Italisë si edhe dhëndër i Mussolinit), për problemin e profesorit Jockl ku me ç’rast ai i tha se do t’i lutej Mussolinit t’i telefononte Hitlerit lidhur me të, ndikoi jo për mirë tek unë dhe  enthuziazmi im ndaj Presidentit Nishani në vënd që të më rritej, erdhi duke u fashítur.  Me pak fjalë kthesa që mendova se po fillonte nga ana e Presidentit Nishani që historianët ta ndiqnin nga ana e tyre që të vërtetat historike të thuheshin ashtu siç kishin qénë duke i lënë më një anë shtrembërimet ideollogjike, nuk kishte qenë gjë tjetër veçse një iluzion i imi !  Nisur tashti nga kjo shpresë imja, e ngjallur në një farë mënyre nga nisma e Presidentit Nishani për t’i dekoruar familjet shqiptare që kishin shpëtuar Izraelitët banues në Shqipëri, po ia jap lexuesit të ndershëm të plotë kuadrin se si u zhvilluan asokohe ngjarjet dhe ky i fundit t’i gjykojë daç rrethanat si edhe situatat e të arrijë në përfundime të papríra nga ideologjí shtrembëruese të fakteve historike !

Im Atë, Xhevat Korça, porsa qé kthyer nga një inspektim i shkollave në Kosovë.   Sapo erdhi i telefonoi mikut të families dhe kryeministrit të Shqipërisë, Mustafa Merlika Krujës duke e informuar se qé kthyer nga Kosova.  Nuk u mbush një orë dhe veç kur bije zilja dhe në derë u shfaq kryeministri i cili, porsa hyri, kërkoi nga im Atë ç’dinte t’i thosh për hebrénjtë në Kosovë si edhe rrezikimin e deportimit të tyre nga ana e gjermanëve.  (Dua të saktësoj se duhet të ketë qenë para mbarimit të vitit shkollor dhe nga veshja e t’im Eti si edhe e Mustafa Krujës, muaji prill ose maksimumi maj i vitit 1942).

Nga që im Atë nuk kish ndonjë informacion shkalle të gjerë veç rastit të një profesori hebré, mik i albanologut Norbert Jockl-it, të cilin im Atë kishte urdhëruar ta emëronin në arësim, atëbotë Mustafa Kruja i shpjegoi shkurtimisht se si një ditë më parë i kishte kërkuar audiencë Konsulli i Përgjithshëm i Gjermanisë i cili i kishte paraqitur një listë prej mbi 320 familjesh hebréje, banuese në Kosovë, me të gjitha adresat e tyre të banimit duke i kërkuar kryeministrit sqarime rreth tyre.  Mustafa Kruja e kishte marrë listën dhe i kishte thënë se do të merrte masa të menjëherëshme t’a sqaronte këtë informacion.  Në fakt në Kosovë nuk kishte asokohe këmbë ushtari gjerman dhe kjo rrethanë i a lehtësonte dukshëm punën kryeministrit për t’i shpëtuar ata hebrénj nga masakra eventuale e mundëshme. I telefonoi pa vonesë ministrit të Punëve të Brëndëshme Mark Gjomarkajt duke e porositur t’a lajmëronte menjëherë edhe Engjëll Çobën, aso kohe Sekretar i përgjithshëm i Kryeministrisë, e të vinin menjëherë në zyrën e Kryeministrit, për ku u nis edhe vetë ai me gjithë t’im Atë.  Mbas disa ditëve mësova se Engjëll Çoba, në krye të një grupi prefektësh si edhe zv/prefektësh, ishte drejtuar për në Kosovë i ndjekur nga shumë autobuse të kompanisë S.A.T.A. dhe atje, në bazë listave emërore me gjithë adresat e sakta, i kishin paisur hebrénjtë me pasaporta shqiptare ku të quajturin David e kishin emërtuar në dokument Daut, kurse Mojsiun me emrin Mahmut e kështu me radhë duke i hipur në autobusa dhe nisur urgjentisht për në Shqipëri.  Ndërkohë Konsulli i Përgjithshëm i Gjermanisë ishte njoftuar se informatat e tija kishin qenë të pasakta e si duket të papërditësuara nga informatorët e tij.  Përgjatë këtij konteksti e kam të drejtën të ngul këmbë që studjuesit e historisë t’i a gjejnë fillin urdhërit të Kryeministrit Mustafa Kruja lidhur me ato veprime pro-hebréje, sepse në arkiva do të ketë, pa as më të voglën mëdyshje, edhe urdhëra në vazhdim lidhur me problemin në fjalë.  Cila arësyeja që un’e kam këtë bindje ?  Sepse lidhur me atë ngjarje, ish Mëkëmbësi i Mbretit në Shqipëri zoti Francesco Jacomoni, në faqet 288-289 të librit të tij titulluar :  La Politica dell’Italia in Albania, (Politika e Italisë në Shqipëri-M.K.), me botues Cappelli Editore botuar më 31 Maj 1965, pohon tekstualisht :  “Një demonstrim nga ana e Mustafa Krujës i asaj që ishte burrnía e tij, d.m.th. aftësia për t’i përballuar situatat me guxím si edhe zemërgjerësí, e pata pak kohë mbasi ai kishte marrë përsipër Kryesinë e Këshillit Ministrór.  Ishte paraqitur tek ai Konsulli i Përgjithshëm i  Gjermanisë dhe i kishte dorëzuar një notë verbale me të cilën qeveria naziste kërkonte dorëzimin e mbi treqind familjeve hebréje që, refugjatë nga Jugosllavia, kishin gjetur strehim në Shqipëri, (se Kosova njihej si territor Shqiptar – M.K.) … Në Shqipëri në fakt nuk kishte asnjë këmbë ushtari gjerman që të mund t’i identifikonin … ramë në ujdí … Ata do të paiseshin me pasaporta shqiptare me emër fallso … Roma nuk u njoftua zyrtarisht lidhur me këto zhvillime, por privatisht u informua drejtori i përgjithshëm i çeshtjeve rezervate, Ministri Fuqiplotë Vidau. Ai ishte njeri me zemër të gjerë dhe në saje të tij mundësuam nëpërmjet përfaqësíve tona jashtë shtetit, t’i paisnim hebrénjtë gjermanë, bohémë, polakë, ungarezë dhe rumunë me pasaporta shqiptare. Atyre u krijohej mundësía t’u shmangeshin persekutimeve raciale duke i u drejtuar Shqipërisë.”   Me kapitullimin e Italisë në Shtatorin e vitit 1943, edhe Shqipëria u shkel nga këmba e ushtrisë gjermane. Si formë kushtetuese drejtimi, vëndin tonë e drejtonte Këshilli i Lartë i Regjencës i përbërë nga katër Këshilltarë, e pastaj si aparat ekzekutiv qeverit’e ndërsjella. Në vazhdim, edhe Këshilli i Lartë i Regjencës i qëndroi vendosmërisht besnik pozicionímit të Qeverisë Mustafa Kruja ndaj hebrénjëve dhe kësisoji deri ditën që nga territori shqiptar u largua edhe këmba e ushtarit të fundit gjerman, hebrénjtë e strehuar në Shqipëri nuk i ngacmoi askush duke shpëtuar që të gjithë !  Edhe me kaq sa u paraqit deri këtu, besoj se asnjë njeri i drejtpeshuar dhe i ndershëm nuk e vé më në dyshim faktin se qé qëndrimi tejet njerëzor, i prerë dhe i guximshëm i qeverisë së kryesuar nga Mustafa Kruja, i ndjekur pastaj edhe nga qeveritë pasuese, përgjatë periudhës Regjencës, që dijtën të manovrojnë mes dallgëve të atyre rrethanave të caktuara historike dhe arritën të krijonin kushtet që mbas lufte të konsolidohej thënja :  Vetëm në Shqipëri hebréjtë e strehuar atje, dolën nga Lufta e II-të Botërore, në numur më të madh nga ç’hynë !  E doemos, me këtë rast unë, marr lejen të shtroj një pyetje thjeshtë retorike :  A mund të shpëtoheshin hebrénjtë në Shqipëri aq në mënyrë masive mos të kishte populli mbështetjen e qeverive respektive, fillo nga ajo e kryesuar nga Mustafa Merlika Kruja e pastaj edhe në vazhdim nga të gjitha qeverit’e tjera nën juridiksiónin e Regjencës ?  Është fillimisht pozicionimi njerëzor e pastaj edhe i guximshëm i të gjith’atyre qeverive, që e kushtëzuan radhitjen e Popullit Shqiptar,  aq të nderuar mes emrave të Murit Yad Vashemit ! 

E për t’i mbyllur edhe këto radhë që lexuesi eventual ta kuptojë plotësisht se jam krejtësisht i paanshëm tek i trajtoj problemet, por dua të vé në dukje edhe ta theksoj faktin se kur Qeverija e Mustafa Krujës mori masat që mori ndaj hebrenjëve banues në Kosovë, as në Kosovë e as në Shqipërinë Ëmë, nuk kishte këmbë ushtari Gjerman. Kurse në vazhdim, mbas kapitullimit të Italisë në muajin Shtator të vitit 1943, Gjermanía territorin Shqiptár pranoi ta quajë rrugë kalimi për tërheqjen e trupave të saja duke pranuar, nga ana tjetër, të mos ndërhynte në punët e brëndëshme të vëndit tonë. Pikërisht këta fakte nga njera anë u hedhin dritë zhvillimeve rreth hebrenjëve të strehuar në Shqipëri në vija të përgjithëshme por, nga ana tjetër, e shtrojnë gjithashtu për diskutim edhe pohimin e Presidentit Nishani, të përmëndur në fillimet e kësaj analize lidhur me motivacionin përse shpërndaheshin titujt NDERI I KOMBIT ku theksohet “:  “Në vlerësim të aktit heroik e të pashembullt njerëzor për shpëtimin e hebrenjve nga përndjekja naziste në Shqipëri …”, ku unë nuk qëndroj dot pa i theksuar dy të vërteta që Presidenti Nishani nuk i përmënd, në një kohë që në faqet e historísë patjetër që duhen vënë në dukje !

Së pari, meritën e madhe që i takon Qeverisë kryesuar nga Mustafa Kruja lidhur me transferimin e gjith’atyre familjeve Izraelite nga Kosova në Shqipëri e duke i paisur edhe me letra njoftimi të kamufluara me këtë rast ku, doemos kjo meritë u takon pastaj në vazhdim edhe vetë Këshillit të Naltë të Regjencës si edhe qeverive nën juridiksiónin e Tij, që ato gjeneralitete i quajtën të mirëfilltë.

Së dyti, mos zënja në gojë e rrethanave lehtësuese që u krijuan në Shqipëri lidhur me shpëtimin e hebrenjëve ku Komanda Gjermane nuk ndërhynte në punët e brëndëshme të qeverive shqiptare, do apo nuk do Presidenti Nishani, ato janë të vërteta të cilave faqet e historisë nuk duhet t’u shmangen !

ARËSYEJA PSE U HARTUA KY SHKRIM :  Fillimisht unë, si shum’i entuziazmúar lidhur me dekretin Presidencial ku, me aq sa mund të dalloja unë dora-dorës, ishte ndjekur një kriter i drejtë lidhur me shpërndarjen e titujve dhe jo si zakonisht, i ndikuar kryekëput nga ideollogjia e kaluar e trashëguar nga historianët e indoktrinuar ku këndvështrim bazë ishte ai sipas luftës së kllasave !  Mirëpo nga që në vazhdim e pashë se Presidenti Nishani nuk i kishte vënë vetes detyrë që t’u jepte një leksjon historianëve lidhur me shkrimin e historísë, e ndjeva për detyrë … në mënyrë modeste dhe aq sa mundesha unë të kontribuoja me përvojën time, (për të cilën nuk kam asnjë meritë personale), t’ia bëja sa më të qarta lexuesit eventual të këtyre radhëve zhvi-llimet e mirëfillta historike të ngjarjeve përgjatë shtegut të peripecíve të familjeve Izraelite, ndonëse duke u munduar të shtoj qoft’edhe një grimcë sado të vogël ngjarjesh edhe faktesh por doemos duke i hedhur dritë së përgjithëshmes që historía duhet vetëm e me vetëm të përfaqësojë ngjarjet e ngjara ashtu siç kanë ngjarë !

E përgjatë kësaj vazhde nuk kam se si mos të ndaloj e t’i them dy fjalë edhe lidhur me familjen e dekoruar Nosi, të Elbasanit, ku prapseprap sipas meje, së vërtetës i anashkalohet.  Nuk kam asnjë vërejtje përkundrazi,  lidhur me emrat e Stiliano-s, motrës tij Adelina-s si edhe djalit të tij Vasilit, (për emrin e Kelkira-s nuk dij se ç’të them se lidhur me dekorimin e familjes Nosi nuk e njoh-M.K.).  Por ama nuk kam se si mos të ndalem e ta pohoj botërisht se në emërtimin e atyre që u akordohet titulli i lartë NDERI I KOMBIT lidhur me shpëtimin e hebrenjëve, nga ana e dekretuesit Presidentit Nishani, mungon emri i Lef Nosi-t. Ai si pjesëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, ndonëse mbulonte atë post aq të lartë, e mori në shtëpinë e tij në Elbasan, e strehoi dhe e mbajti atje duke i a shpëtuar jetën hebréut prof.Mark Menahemit,(që në Maqedoní, tek e transportonin me tren drejt kampeve të vdekjes naziste, ish hedhur nga treni dhe kishte hyrë në Shqipëri) !   Kushdo mund t’a gjurmojë këtë fakt sepse prof. Mark Menahemi e ka bërë publike këtë ngjarje mbas vitit 1991, porse që ta mësojë saktë lexuesi, ai u dënua me katër vite burg nga diktatura komuniste me motivacionin se … kishte ndihmuar familjen Nosi !  E sa për informacion, duke pas qenë Lef Nosi atdhetár i shquar si edhe intelektual i mirëfilltë, nuk kish se ku përfundonte tjetër … veçse para skuadrës pushkatimit, mbas marrjes pushtetit nga diktatura komuniste.  Prandaj me gjithë zemër do ta kisha përgëzuar plotësisht Presidentin Nishani, në qoftë se Ai përgjatë këtij dekreti presidencial, do ta kishte pasë patur parasysh t’u mëkonte historianëve bashkëkohës të hiqnin dorë nga shtrembërimet e fakteve nisur nga shtysa ideollogjike dhe të kaluarat historike t’i paraqisin ashtu siç kanë ngjarë !  

Nuk kam se si mos të shtoj me këtë rast se edhe faktet që sjell unë, në asnjë mënyrë të mos konsiderohen të tilla nga historianët por, mbështetur në gjurmët e dokumentuara arkivale të sillen si edhe të komentohen siç e kërkon e vërteta !

Do t’i mbyll këto radhë me një pohim i cili nuk është se sjell shumë ujë në mullirin tim por … të thëna nga i madhi shkrimtar, poet si edhe mendimtár Oscar Wilde :

Gjithsecili mund të bëjë një faqe historíje por … vetëm njerëz të mëdhenj e kanë mundësínë ta shkruajnë historínë ! (E botoi:Gazeta Minerva)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Kush i mbrojti hebrenjtë, Mergim Korca, ne Shqiperi

RRUGA DEÇAN VETËM NË KRONIKA TELEVIZVE

February 9, 2017 by dgreca

….RELITETI ASKUND NË HORIZONT !/1-2

Nga Esad Gjonbalaj/

Fillimin i punimeve në këtë rruge me rendësi jetike për Plavë Gucinë patën filluar me 25 shtator2014 dhe inaugurimi i fillimit të punimeve qe bërë me  një pompozitet të madhe se kinse kjo rruge do të përfundoj për 3 vite e në fakt nga e tërë hapësira rrugore ku është punuar  gjer me sot në këtë segment janë hapur vetëm 4km dhe në tërsi vetëm 2km janë të  asfaltuara kur dihet se kjo rruge është e gjat rreth 35km.

2-2Nëse për tri vite na qenkan hapur vetëm 4km atëherë valle si është e mundur që gjer ne përfundim te këtij viti (2017 periudha e paraparë) të përfundojnë 30 km e ardhshëm.Premtimi i vjetruar i tri  viteve mbeti vetëm në letër sepse thuajse çdo gjë është heshtur tani e me siguri do të riaktualizohet në prag të ndonjë fushate zgjedhore apo të ndonjë interesi personal të ndonjë individi apo të ashtuquajturi politikan të rangut lokal apo qendror. Fillimit te punimeve aso kohe ju patëm gëzuar që të gjithë sepse kjo rrugë ka një rendësi jetike për mbijetesën rajonit te Plave Gucisë por edhe të lidhjeve dhe ndërlidhjeve të territoreve shqiptare në këtë pjesë të Shqipërisë natyrale.

Ky segment rrugor me gjithë paqartësitë dhe të panjohurat për publikun se a është e arritur një marrëveshje e realizuar ndërshtetërore me Malin e Zi apo kjo nisme paska vetëm qëllim   të marrjes së primatit se unë e bëra e unë e nisa. Kjo nismë kërkon transparencë si nga komuna e Deçanit e po ashtu edhe nga organet qendrore gjegjësisht Qeveria e Kosovës sepse nuk mund te lihen dhe nëpërkëmben interesat jetike të një pjese të atdheut  nën mëshirën e individëve të çfarëdo rangimi na qofshin ata.

 

Esad Gjonbalaj

9 Shkurt 2017

Filed Under: Komunitet Tagged With: Esad Gjonbalaj, NË KRONIKA TELEVIZVE, RRUGA DEÇAN VETËM

Departamenti Amerikan i Shtetit mbështet ambasadorin Lu

February 9, 2017 by dgreca

Konfirmohet mbështetja e DASH për ambasadorin LU/

zyrtari i DASHDepartamenti Amerikan i Shtetit ka besim të plotë tek ambasada dhe ambasadori amerikan në Shqipëri.
Këto janë fjalët zyrtare ekskluzive për Top Channel, i cili iu drejtua Departamentit Amerikan të Shteti pas artikullit të Huffington Post, ku Luke Cofey drejtor i politikave të jashtme në Heritage Fondation, kritikon politikat e SHBA-ve në Ballkan dhe konkretisht për Shqipërinë, ndërhyrjen e ambasadorit Donald Lu në politikat e brendshme.
Top Channel kontaktoi DASH dhe zyra e shtypit atje, në emër të zëdhënësit Mark Toner, thekson se qellimi madhor amerikan në Shqipëri është mbështetja e reformave me qëllim anëtarësimin e vendit në BE.
“Politikat e SHBA kanë si qëllim të mbështesin anëtarësimin e vendit tuaj në BE dhe reformat e nevojshme për të arritur këtë qëllim. Këtu përfshihen mbështetja ndaj reformës në drejtësi, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe gjithashtu lufta ndaj ekstremizmit të dhunshm.  Ambasadori LU dhe ekipi i tij kanë punuar në partneritet me autoritetet shqiptare ashtu si dhe me shoqërinë civile për të cuar përpara politikat dhe qëllimet e Amerikes.  Departamenti i Shtetit, ka besim të plotë tek ambasada jonë dhe vetë Ambasadori në Shqipëri. Si miq dhe aleatë të Shqipërisë në Nato, SHBA-të nxisin fuqimisht  të gjitha palët të respektojnë fuqinë e ligjit dhe proceseve demokratike. Ne duam të shohim një Shqipëri të fortë dhe të integruar në familjen euro-atlantike”,- thuhet në reagimin zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Konfirmohet mbështetja e DASH, për ambasadorin LU

Vendimi për Haradinajn më 2 mars

February 9, 2017 by dgreca

1 HaradinajNjë gjykatë franceze në Colmar ka shtyrë vendimin për lirimin ose ekstradimin në Serbi të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, deri më 2 mars. .Pas përfundimit të seancës Haradinaj tha se ‘Serbia po provon ta pengojë rrugën e Kosovës”. “Shpresoj se vendimi mos po merret me herët se 2 marsi është shumë gjatë. Është humbur shumë kohë në një kërkim ekstradimi që është abuziv nga ana e Serbisë që është pa bazuar”.

“Kjo nuk është asgjë e re që nuk e di Franca dhe e gjithë bota. Kryeministri i Serbisë Vuçiq ka qenë ndihmës i Sheshelit dhe kanë udhëhequr formacione paraushtarake, dhe atëherë kanë pasur edhe ushtri. Presidenti Nikoliq gjithashtu ka udhëhequr formacionet paraushtarake, ndërsa ministri i punëve të jashtme të Serbisë Daçiq ka qenë ndihmës i Milosheviqit”. 

“Prandaj atyre nuk iu interesojnë viktimat, nuk iu interesojnë ligjet, ata keqpërdorin këtë përparësi që janë pjesë e Interpolit dhe provojnë ta pengojnë rrugën e Kosovës”, tha Haradinaj para Gjykatës në Colmar. .

Gjatë seancës, kryetari i trupit gjykues e ka pyetur Haradinajn nëse pranon të ekstradohet në Serbi në bazë të kërkesës që ka parashtruar Serbia.

Mirëpo, përgjigja e Haradinajt ishte kundër, duke ia rikujtuar gjykatësit se “ky rast është krejtësisht politik”.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëherësh ish-kryeministri dhe aktualisht kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në vitin 2012 ishte shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte nga një Gjykatë Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish Jugosllavi.Rigjykimi në vitin 2012, u bë katër vjet pas një vendimi të së njëjtës Gjykatë e cila më 2008 e nxori të pafajshëm nga të gjitha akuzat që e ngarkonin për shkelje të ligjeve të luftës.

Ramush Haradinaj pati dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës. Ai u dorëzua vullnetarisht në Gjykatën e Hagës, pasi Prokuroria e akuzoi atë dhe dy bashkë luftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj, për krime lufte.

Ndalimi i Ramush Haradinajt nga policia franceze nuk është veprimi i vetëm, pasi që ndalime të tilla të personave të kërkuar nga Serbia përmes INTERPOL-it, ka pasur edhe në të kaluarën.

Autoritet e Kosovës kanë thënë se kanë adresuar te faktori ndërkombëtar çështjen e fletë-arresteve të lëshuara nga Serbia ndaj qytetarëve të saj, por ka mundur të bëjë pak në këtë drejtim, ngase Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it dhe organizatave tjera ndërkombëtare të sigurisë.

Kosova e cila ka shpallur pavarësinë në shkurt të vitit 2008, kishte aplikuar për anëtarësim në INTERPOL në prill të vitit 2015, por që vitin e kaluar kjo organizatë suspendoi aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.

Filed Under: Komente Tagged With: 2 Mars, Gjykata ne Colmar, Haradinaj, vendimi

MUSINE KOKALARI,DUART E ARTA EDHE NEN DHE’ ME PRANGA….

February 9, 2017 by dgreca

MUSINE KOKALARI, DUART E ARTA EDHE NEN DHE’, LIDHUR ME TELA  ME GJEMBA/

1 MusinejaFoto:Musine Kokalari- Foto te sjella nga e mbesa Evi Kokalrai per veprimtarine qe organizohet te Shtunen, 11 Shkurt 2017, ne sallen e takimeve te Vatres, me rastin e 100 vjetorit te Lindjes/

Nga Agim Xh. Dëshnica/

Kthim në kohë/

Teksa shfletojmë librat e letërsisë së dënuar, na dalin parasysh, si mirazh në shtegtimin e dhimbshëm, poetët e shkrimtarët e lirisë, Musine Kokalari, e munduar në burg  e internim, e harruar në vetmi deri në fund të jetës; poetët atdhetarë françeskanë, të masakruar mizorisht; poetët Namik Mehqemeja e Trifon Xhagjika, Vilson Bloshmi e Genc Leka, të pushkatuar pa mëshirë, Havzi Nela, i varur barbarisht në litar, të gjithë për poezitë  kushtuar lirisë  e dashurisë ndaj jetës, edhe shumë të tjerë; poetët, shkrimtarèt e gjuhëtarët Arshi Pipa, Martin Camaj, Isuf Luzaj, Bilal Xhaferri e të tjerë, të ikur nga përndjekja drejt lirisë, por të përmalluar për atdheun deri në fund të jetës.

Në shtatë vitet e para, pas mbarimit të luftës, sidomos në shkollat e mesme pothuaj gjithë të rinjte lexonin me ëndje librat jo vetëm të autorëve të huaj,  por edhe  të poetëve e shkrimtarëve tanë, të botuara para e gjatë luftës. Në mjediset e ngrohta e të pasura të librarive private ende të pambyllura, shumë vetë kërkonin librat, “Seç më thotë nënua plakë” e “Rreth Vatrës” të shkrimtares Musine Kokalari, “Vallja e Yjeve” të Lasgush Poradecit, “Kapllan Aga i Shaban Shpatës” të Mitrush Kutelit, “Nga Tirana në Stokholm” të Vedat Kokonës, romanet, “Afërdita” të Sterjo Spasses, “Gremina e Dashunisë“ të Mustafa Greblleshit etj. Mandej nisi dhuna, grabitja e librarive, mbartja me kamionë, shfarosja e shkatërrimi i librave dhe i kulturës kombëtare. Një rrymë shkretane me kundërvlera letrare, me emrin “realizëm socialist” u shfaq ,edhe në vendin tonë, me armë e mburrje,  me hymne e lavde për diktaurën, edhe kjo e shqyrtuar imtë nga lart. Letërsia e bukur e Rilindësve, e zhvilluar më tej nga pasardhësit e tyre, u ndërpre, heshti trishtueshëm.

Ardhja e shkrimtares së ardhëshme në jetë e në atdhe.

Musine Kokalari e lindur në dhjetë shkurt 1917 në Adana të Turqisë, kthehet më 1921 në atdhe me pjestarët e tjerë të familjes, mëspari në Gjirokastër. Aty mori mësimet e para në shqip. Nëntë vjet më vonë, familja shpërngulet në Tiranë. Më 1937, mbaroi shkollën normale “Nëna Mbretëreshë”. Pas një viti vijoi studimet në Universitetin e Arteve të Bukura në Romë, La Sapienza. Gjatë viteve universitare Musineja, krahas studimeve, jetoi çaste të lumtura, duke u marrë, me krijime letrare me tema familjare. në shqip e italisht. Ndërkohe pati letërkëmbim të pasur me shkrimtarët e shquar, Lumo Skëndo (Mi’hat Frashëri) e Alberto Moravia të cilët vlerësonin krijimet e saj në letërsi. Ende studente në Romë, përgatiti librin e parë me skica e tregime, “Seç më thotë nënua plakë”, botuar më 1941 në Tiranë. Një libër ky i këndshëm për të gjitha moshat, kushtuar jetës në qytetin e saj, që u prit mirë nga lexuesi i gjerë. Dita e botimit të këtij libri shënon shfaqjen e shkrimtares së parë shqiptare në botën e letrave shqipe. Më 1941 mbrojti shkëlqyeshëm doktoratën me temën “ Shqipëria dhe Naim Frashëri”. E kthyer në atdhe, Musineja dëshironte të merrej vetëm me letërsi. Në një letër të vitit 1943, ajo shkruante: “Unë dua të shkruaj, të shkruaj, të shkruaj vetëm letërsi e të mos merrem me politikë Ata që kanë patur fatin ta njohin nga afër, tregojnë se ajo ishte e çiltër, e dashur, e butë, e ditur, jashtëzakonisht e zgjuar, altruiste, por edhe krenare, dinjitoze e me karakter të forte, të pathyeshëm, mishërim i aftësisë dhe ndeshmërisë njerëzore. Si e tillë, ajo bashkëpunoi me dijetarët Sotir Kolea e Selman Riza, Namik Resuli e Aleksandër Xhuvani, poetët Lasgush Poradeci e Arshi Pipa, shkrimtarët Vedat Kokona e Sterjo Spasse. Pas një viti botoi librin e dytë “Rreth Vatrës”, me përrallat e bukura të gjyshes në mjedisin e këndshëm të jetës së përditëshme familjare. Pas disa muajsh librin e tretë, “Sa u tund jeta”. Kritika letrare e vlerëson si një roman etnografik të arrirë, ku tregohet historia e një dasme në Gjirokastër me ritet e njohura të jugut e me këngë të mbledhura me kujdes, vatër më vatër. Atje tregohet fati i një gruaje në familjen gjirokastrite, vihen re ngjyrime realiste të përshkrimit, njohja e jetës shpirtërore dhe e zakoneve, kujdesi i veçantë për gjuhën, shprehitë dhe ligjërimin e grave të qytetit. Me këto libra, Musineja na kujton françeskanët. At Bernardin Palaj e At Donat Kurti, mbledhësit e palodhur të këngëve e rapsodive, përrallave e fjalëve të rralla në malet e veriut, të cilët jashtë çdo logjike, pas luftës u ndëshkuan, njeri humbi jetën në hetuesi, tjetri  u plak burgjeve.

Lufta e ndëshkimi i idealit kombëtar.

Lufta e përhapur, edhe në Shqipëri, rrëmbeu më 1944, edhe shkrimtaren atdhetare. Si një nga themelueset e Partisë Socialdemokrate, me punën e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Më 12 nëntor të po atij viti, nisi kalvari i përgjakur i mundimeve. Vëllezërit Muntas e Vesim Kokalari, botues të kryevepra botërore, kushëriu Syrja Kokalari, u pushkatuan pa gjyq nga terroristët komunistë. Pas katër ditësh u arrestua edhe vetë Musineja. Rreth 17 ditë në burg, e torturuar me pyetje e kërcënime, ajo me përgjigjet e saj, i hutoi komisarët e armatosur. Më tej do të vijonte, pa u ndalur, goditja kundër tërë fisit të Kokalarëve.

Paslufta  e mundimeve.

Në dimrin e ftohtë 1945, një vit ky i turbulluar nga dënimet mizore kundër atdhetarëve të pavarësisë; nga zhurma  e  shtypit dhe fjalimet, për kinse votime të lira, demokraci e fjalën e lirë, Musine Kokalari për ironi te fatit u pranua në Lidhjen e shkrimtarëve, Në atë vit  mundi të botonte librin me 60 esse “Sikur të isha lule”, por prapësitë e kohës  nuk iu ndanë. Në 11 Janar 1946, pas votimeve të 2 dhjetorit 1945, sipari “Qeveria Demokratike”, rrëshkiti e ra dhe u shfaq dhunshëm Republika Popullore, me një parti, Partinë e Punës. Pa kaluar as dymëdhjetë ditë, Musineja u arrestua përsëri për qendrimin e saj opozitar, në mbrotje të ideve atdhetare e lirive demokratike. Një lukuni hetuesish, prokurorësh e kryetarësh me dorën e hekurt të diktatorit, u sulën kundër asaj vajze të kulturuar. Pas torturash çnjerzore, para trupit gjykues shkrimtarja demokrate, u mbrojt vetë: “unë nuk dëshiroj të jem komuniste për të dashur vendin tim, por unë e dua vendin tim. Përherë mendoj se s’jam komuniste, e dua progresin në vendin tim. Ju mburreni se fituat dhe tani doni të asgjësoni ata të cilët i quani kundërshtarë politikë. Une mendoj ndryshe nga ju, por vendin tim e dua. Ju më dënoni për shkak të idealit tim. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen.” Në çastin, kur një britmë e porositur u dëgjua në sallë: “me vdekje në litar” kryetari tha: “e degjon çfarë kerkon populli?“ Musineja me qetësi u përgjigj: “nesër ketë do të kërkojnë edhe për ju!” Asnjë avokat, as dëshmitar mbrojtës, nuk u pa pranë saj.  Edhe sot zëri shkrimtares jehon: “S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj, në burg nuk duhet të jem!”

Si kryetari, edhe prokurori u ngritën në këmbë dhe thanë: “Ne nuk lejojmë të vazhdosh mbrojtjen”.  Vendimi i caktuar qysh më parë: 20 vjet heqje lirie, me burgim të rëndë në Burrel. Ndër të tjera, u ndalua të botonte dhe u përjashtua nga Lidhja e shkrimtarëve. Libraria e saj u mbyll. Lexuesit e rinj prisnin më kot para portës së kyçur. Edhe librat u dënuan e u mbartën me kamion në drejtim të panjohur. Të gjitha këto ngjarje u zhvilluan në harkun kohor nëntor 1944-1946.

Edhe pse burgimi u mbajt tepër sekret, papritur emri i shkrimtares shqiptare, u bë i njohur ndërmjet tridhjetë shkrimtarëve të burgosur në botë më 1960. Jehona për lirimin e tyre u përhap edhe në vendin tonë. Diktatori dinak kërkoi largimin nga burgu e nga sytë e botës, duke e internuar në Rrëshen, më parë fshat, më 1949 qytet e qendër e rrethit të Mirditës. Pra, shkrimtaren demokrate e fshehën në thellësi të maleve, ku dielli dukej e zhdukej, nga një kep në tjetrin dhe nata binte, përhapej e qetësonte shpirtrat e munduar në kampe minierash e internimesh. Me ata njerëz të varfër e të harruar nga bota, Mirdita e bukur e pishave, e lumejve, e ajrit të pastër, për habi ngjante si burg. Vendasit e kujtojnë me nderim, të drobitur nga punët e rënda, me krahë, në bujqësi e ndërtim, në dimrin e ftohtë me borë e në vapën e verës. Ajo binte në sy menjëherë, me pamjen fisnike, veshjen e hijshme e të ecurit midis atij qyteti të varfër. Një mësues e poet nga kryeqyteti, i harruar edhe ai në fshatrat mbi Rrëshen, shënonte në kujtimet e veta, se teksa zbriste në atë qytet të vogël, udhës ishte hasur me Musinenë, madje e pat përshëndetur, kur në kohën e lirë ajo shkonte në bibliotekë, ulej, lexonte e shkruante. Ndëshkimi, përndjekja e çdo prapësi ndaj saj, vinin nga dora e fshehtë e diktatorit zilar E. Hoxha. E sëmurë rëndë, askush nga zyrtarët s’pyeti për të, askush nuk u kujdes për mjekimin e saj në spital. U shua në vetmi më 1983. Siç tregojnë, në ditën, kur do të pushonte përgjithmonë në tokën që e deshi aq fort, u mbart me kamion zhavori dhe u mbulua, vetëm nga varrmihësit.

Nga doreshkrimi “Mbi jetën time.”

Sado diktatori u rek më kot t’ia mbyllte gojën vajzës së hijshme shkrimtare prapa maleve me burgje e kampe, ajo flet, edhe sot me dorshkrimin e saj: “Komunistët më varrosën për së gjalli, se nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje? Une s´jam fajtore ”.Më tej shënimet vijojnë: “C’fat tragjik, Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetes sime. Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin. Këtu kuptova një gjë. Për mua jo vetëm që nuk interesohen, por duan të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s’kanë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. C´do të ngjase? Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-kendej. Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit.  Kam 38 vjet që nuk e di c’domethënë familje. Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokratizohet puna e krahut dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë”.

Vetëm nga këto pak rreshta kushdo mund të përfytyrojë, se cila qe e dënuara pa faj, demokratja e pahepur deri në fund me ëndërra për një jetë më të mirë në demokraci, shkrimtarja me shpirt bujar.

Dhimbje e nderim.

Në shkrimet kushtuar vajzës demokrate dalin në dritë  ngjarje të panjohura e rënqethëse.  Nga kërkimet e juristit e historianit Mexhit Kokalari, bëhet e ditur një ndodhi tronditëse, kur u zbulua gropa, ku prehej Musineja pas vuajtjeve të shkaktuara nga diktatori i egër, u pa se duart e saj, ishin të lidhura me tela me gjemba!! Tela të ndryshkur kufiri?! Tela të përgjakur burgjesh e kampesh?! Tela pushkatimesh? Veçse ai, që urdhëroi dhunimin e fundit, gabohej! Telat ishin këputur e tretur, ndërsa mbi tokë çelin lule, vepra jeton e shpirti saj, yll ndër yje.

                                                           ***

Musine Kokalari megjithëse iku nga kjo botë dhe nuk e pa ditën e lirisë, ajo mbeti e paharruar në zemrat e  mendjet e atyre që kanë lexuar veprat e saj. Nga ajo kohë, do të kalonin dhjetë vjet, kur pas ngadhnjimit të demokracisë, Presidenti i Republikës, aso kohe doktor Sali Berisha e nderoi me medaljen “Martir i Demokracisë”, më pas me titullin “Nderi i Kombit,” Më 2009 u botua vëllimi i parë i veprave të saj. Antropologu Mauro Geraci botoi në Itali “La mia vita universitaria”, ditar ku Musine Kokalari rrëfen miqësitë e ngrohta të viteve universitare. Dr. Agata Fijalkowski në Universitin e Drejtësisë në Lankaster shkruante: “Duke e përkujtuar herë pas here me nderim,  imazhi i Musinesë është një tregues kyç për të gjetur, se çfarë duhet kujtuar, dhe kush duhet  ndëshkuar.” .

Tashmë pasardhësit e Kokalarëve e përjetësojnë nëpër muze, me mbledhje  letrash e dorëshkrimesh. Çmime letrare, shkolla e rrugë, mbajnë emrin “Musine Kokalari”. Qindra vajza e gra, të rinj e të moshuar, shoqërojnë përherë me miratim çdo shkrim kushtuar kujtimit të shkrimtares pa tela me gjemba rreth duarve të arta, teksa dëgjon nga nënua plakë këngët e jetës pranë vatrës që t’i dëgjojë bota.

                                        ***

Shkruesi i këtyre radhëve te trishtuara  në shenjë nderimi  i ka kushtura këto vargje:

*PËR TY QË DESHE

TË ISHE LULE!

Motër e muzave, Musine,

të pret qyteti me legjenda,

te Mali i Gjerë, shtëpitë përpjetë,

me lule, gjethe sipër muresh,

teqe, selvi në qiell lartuar!

 

Qyteti i Bajos e i Çerçizit,

qyteti i dijes, i Çabejit,

tek sillen retë mbi kala,

mbi Argjironë ndër mendime,

në gji fëmijën me dridhërimë!

 

Ja, Palortoja po hap dritaret!

Ka mall, të pret mëhallë e bukur!

O motër moj, o Musine!

Me çantë visaresh, lehtë e lehtë,

e qeshur ngjitesh nëpër sokak!

Të pret krahëhapur portë e lartë,

shtëpi e gurtë, zemër e mirë,

oda e qetë, vatër e ngrohtë!

O motër moj, o Musine!

 

Por çfarë të thoshte ty nënua plakë…

atje rreth vatrës, urtë e butë?

Mos vallë kërkoje ndër shkëndi

për miturinë yjet e bukur,

shpresat si ëndrra për rininë,

o motër moj, o Musine?

 

Në qiell shpirti të harrohej,

me fjalë të arta për Naimin,

për ditë me dritë nga perëndon,

kur qark fantazma endej në botë,

me gjak e tmerr sa tundej jeta!

 

Më kot një dorë me adhurim

e pafuqishme drejt teje nderej!

Më kot dhe grusht i rreptë i dhunës,

padrejtësisë nëpër zymti,

ngrihej mbi ty me kërcënim,

kur ne me mall kërkonim vjollca,

për ty, që deshe të ishe lule,

o motër vuajtjesh, o Musine!

 

Filed Under: Featured Tagged With: DUART E ARTA, EDHE NEN DHE', Musine Kokalari, pranga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2206
  • 2207
  • 2208
  • 2209
  • 2210
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT