• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Esat Pashe Toptani i Ilir Ikonomit

January 25, 2017 by dgreca

esat-pasha-ballina

ikonomi

RRETH LIBRIT “ESAT PASHË TOPTANI (NJERIU, LUFTA, PUSHTETI)”  TË ILIR IKONOMIT/

Asllani 53

NGA ASLLAN BUSHATI/

Këto vitet e fundit janë botuar shume libra biografik, ose të karakterit historik, por që në qendër kanë një personalitet  politik. Në jetën shqiptare kjo pothuaj  nuk  është një dukuri e re,  sepse edhe më përpara  janë  shkruajtur  shumë libra për Skenderbeun, Ali Pashë Tepelenën, Bushatëlinjtë, Isa Boletinin, Bajram Currin, Idriz Seferin, Ded Gjoluli, Mic Sokolin, Azem e Shote Galicën, Hoxhë Kadrinë, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi,Cerciz Topullin, Avni Rustemin e shumë e shumë të tjera. Por e reja e botimeve të kohëve të fundit  është  se në qëndër janë vënë figura qëndrore ose komplekse  të politikës shqiptare si : Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Enver Hoxha dhe së fundëmi Esat  pashë  Toptani, për të cilat  sipas medias ,lexueshmëria ka qenë më e madhe  se sa pritej.

Para disa ditësh  në një të përditëshme shqiptare, lexova titullin e një artikulli  që afërsisht thonte: “… kush është i interesuar për ringjalljen e tradhëtarit  Esat pashë Toptanit”? Më erdhi për të qeshur  dhe nuk e lexova për dy arsye: së pari se kjo  më kujtoi  kohën e shtetit totalitar ,ku  cdo gjë servirej bardhë e zi (ose atdhetar ose tradhëtar), dhe së dyti,  sepse isha në përfundim të leximit të librit “Esat Pashë Toptani-njeriu, lufta,pushteti”, të studiuesit serioz dhe gazetarit të mirënjohur të  VOA-së Ilir Ikonomi.  Libri prej 550 faqesh më mjaftonte të kisha gjykimin tim  të painfluencuar nga artikulli i mësipërm  për autorin, personazhin historik, dokumentacionoin,stilin, fotografitë, lidhjen etj.

Tani i “cliruar” nga  cdo efekt anësor,  mund të them se studiuesi  Ilir Ikonomi, na  befasoi me materialin shumë voluminoz (shumica  i  pa njohur më parë) ,që paraqet para lexuesit për figurën komplekse të Esat pashë Toptanit. Personalisht mendoj se nuk kemi të bëjmë me një libër të theshtë biografik, por kemi të bëjmë  me  një punë të mirfilltë kërkimore  e shkencore ,  bazuar kjo  në qindra dokumenta autentike  e mijra citime . Libri (studimi) është paraqitur me një stil të shkruari të thjeshtë,pa përsëritje, pa ndërlikime frazore e me një fjalor letrar të pasur. Nga këndshikimi logjik, në asnjë rast nuk deklarohet ose theksohet se kjo është një e vërtetë e pakontestueshme, por me fakte të drejpërdrejta dhe me burime të tjera shkresore  , autori e shtynë lexuesin të mendojë e gjykojë vetë.  Pra,  Esat pashë Toptani, pas leximit, nuk është më  i Ilir Konomit,por i lexuesit. Ky i fundit me materialin që merr,vetëdijen e tij  dhe me bagazhin që posedon , ka të drejtën e vet ta vlerësojë Esat Toptanin real  si gjeneral   e si politikan, si atdhetar apo si tradhëtar, si trim apo frikacak, si njeri i mprehtë apo injorant, si i besës apo si i pabesë, si opportunist apo si dinak, si babaxhan apo si dallaverexhi etj.  Por në të njejtën kohë studiuesi  Ilir Konomi, nuk është vetëm vëzhgues e  ofrues  faktesh . Ai  tërthorazi   cfaq  mendimin e vet, i  cili është llogjik e i bazuar në  dokumenta dhe u hap një hpsirë të re në radhë të parë historianëve për ta riparë  e rivlerësuar Esat Toptanin  në kontekstin e kohës që ka jetuar ,se sa ai i ka shërbyer kauzës së Kombit ose sa dëme i ka sjellë asaj. Nisur nga sa më lart autori me të drejtë shtron pyetjet për Esat pashë Toptanin se :”Ku e mësoi artin e të folurit,që i bënte intervistat e tij të tingëllonin më koherente dhe më bindëse sesa  belbëzimet e shumë prej udhëheqësve që njohim? Përse u vra dhe kush u gëzua nga vrasja e tij? Përse historianët shqiptarë nuk kanë dashur kurrë të merren seriozisht me të, por i bien shkurt dhe e shpallin tradhtar?”. Autori e përshkruan Esat Toptanin në disa prej momenteve më të rëndësishme të jetës : ”Përballja me sultan Abdyl Hamitin,rrethimi i Shkodrës, rivaliteti me Ismail Qemalin, bashkëjetesa dhe ndarja me Princ Vidin,rikthimi në Durrës dhe qeverisja nën rrethimin e rebelëve të Shqipërisë së Mesme,lufta në Frontin e Selanikut, Konferenca e Paqes dhe vrasja nga Avni Rustemi në Paris”.

Tani pyetja shtrohet edhe për mua (si autor i këtyre rrshtave) se si e shoh sot Esat pashë Toptanin?  Para se ta lexoja botimin e Ilir Ikonomit , njohuritë e mija për këtë figurë ishin të pakta dhe kryesisht ato që ka shpalosur shtypi  zyrtar dhe historiografia shqiptare. E thënë shkurt tradhëtar dhe dallaverexhi, sinonim i njeriut që i ka bërë keq atdheut. Kurse mendimi që kam sot për të është  më i gjërë, më kompleks dhe nuk mund ta them  me nje ose disa epitete, por sipas kohës, rrethanave dhe  alternativave që ka patur në dispozicin, parë të gjitha nga këndshikimi i interesave kombëtare.

Esat pashë Toptani gjeneral, kryesues i delegacionit të Parlamentit turk prej katër vetash i komunikon padishahut sulltan Abdyl Hamiti i dytë se ka rënë nga froni, lajm që tronditi  Turqinë dhe gjithë botën e asaj kohe. Pyetja shtrohet pse nuk qenë në gjendje ta bënin  këtë gjeneralë të tjerë të cilët do të hynin në histori me këtë veprim? Mendoj se gjeneral Esat pashë Toptani  ishte trim, guximtar, por edhe avanturier  duke synuar poste më të larta. Tjetër, Esat pashë Toptani deputet në parlamentin turk mbron hapur kryengritjet në Kosovë dhe bën përgjegjëse qeverinë se ka qenë shkaktare e zemërimit të popullit shqiptar dhe se është sjellë me brutalitet duke ju drejtuar me gisht  e duke bërë debat të ashpër  me kryeministrin dhe  ministrin e luftës.  Kur zona më e nxehtë e luftës bëhet Shkodra, Esati emrohet komandant i trupave  shqiptare të përforcimit (rezerviste), domethënë zëvëndës komandant i frontit të luftës me Malin e Zi. Kur komandanti turk  (Hasan Rizai), vritet, Esati emrohet komandant i frontit të luftës post të cilin e mbajti jo vetëm shtatë muajt e rrethimit të Shkodrës, por deri kur pjesën turke të ushtrisë e përcolli me anije nga Durrësi. Dokumentat që sjellë Ilir Konomi  për kohën e rrethimit në Shkodër dhe veprimtarinë ushtarake e diplomatike të Esatit, janë mbresëlënëse. Ai  e ruajti ushtrinë dhe popullsinë e qytetit me rrethinave, në kushte ekstreme, deri në kafshatën e fundit të bukës nën kërcënimin serioz të luftës dhe urisë. Mbante lidhje (krahas prijësve vendor ) edhe me austriakët, italianët, francezët, britanikët,rusët ,grekët, serbët,  madje dhe me armiqt e frontit malazest,në një kohë që Stambolli nuk i dërgoi asnjë ndihmë ushqimore gjë e cila solli urinë duke përdorur edhe mish kali të ngordhur vetëm për të mbetur gjallë. Ushtarët turq shpesh nuk deshën të luftonin e të vriteshin për një qytet shqiptar  që nuk i përkiste më Turqisë, por Esati i bindi dhe e mbrojti Shkodrën. Pyetja shtrohet se me këtë a ka vend ti thuhet atij se është tradhëtar dhe se  e dorëzoi Shkodrën kur për të kishte edhe një vendim të fuqive të medha për ta marrë ata në drejtim? Esati akuzohet se ka gisht në vrasjen e komandantit turk dhe se mund të ketë përfituar mjete monetare në mënyrë të pa drejtë, por ato mbeten akuza të pavërtetuara e si të tilla mund të jenë ashtu sic mund të mos jenë të vërteta.

Esat pashë Toptanin, disa e akuzojnë si turkofil me lidhje të forta me xhonturqit, por  pyetjes së gazetarit të” Corriere della sera”në korrik 1913 se :’Besoni se Shqipëria mund të mbetet nën sovranitetin formal të Stambollit? Ai i përgjigjet:Aspak. E përjashtoi në mënyrë absolute cdo formë të sovranitetit osman në Shqipëri dhe bashkë me mua këtë e përjashtojnë të gjithë shqiptarët. Gjatë dominimit prej pothuaj pesë shekujsh,turqit nuk kanë lënë në tokën tonë kujtime të tilla, për të dëshiruar sadopak që sundimi i tyre të vazhdojë ende tek ne si emër apo si kujtim historik”.

Esati pati kontradikta me Ismail Qemalin, disa të drejta e disa qëllimkëqija. E pranoi formalisht ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri, por për qëllime e ambicje personale edhe i vendosi gurë në rrota qeverisjes së tij, për të cilën mori ndëshkimin e largimit  forcërisht nga Shqipëria. Austriakët fillimisht e përkrahën,por jo vonë e braktisën si i pabesueshëm për to. Italianët e përkrahën me gjatë, por menduan se autoriteti i tij,  mund t’ju rrezikonte qëllimet e tyre për  mbikqyejen e Shqipërisë dhe pushtimin e Vlorës me rrethina. Malazezët  e luftuan  dhe në pamundësi për ta mundur kërkuan ta korruptonin. Serbët i pranuan me vështirësi planet dhe qëllimet e tij për sundimin në një shtet të vogël në mesin e Shqipërisë. Por e ndihmuan  kur Esati ishte në rrezik, dhe si shpërblim,  ky i fundit  i ndihmoi për të kaluar nëpër Shqipëri , e për tu imbarkuar në anije  në kohën që austriakët pushtuan Serbinë. Grekët deshën ta afronin, por i trembeshin autoritetit dhe arrogancës së  tij. Britanikët qenë pothuase skeptikë, francezët besuan  përgjithësisht tek Esati, e ndihmuan, e cuan në frontin e Selanikut, por nuk ja njohën meritën në shkallë ndërkombëtare  Shqipërisë si shtet fitues në krah të Antantës. Amerikanët e vlerësuan sa Presidenti Willson e priti në takim zyrtar, ku Esati   i deklaroi:”Protektorati  italian, i urryer nga të gjitha pikpamjet, do të ishte një burim turbullirash të vazhdueshme në Ballkan. Përkundrazi, një mandat i përkohshëm, që t’i  besohej një fuqiie të painteresuar,do të ishte dicka e shkëlqyer. Kjo fuqi duhet të ishte Amerika, nga e cila shqiptarët presin lumturinë e tyre”.

Nga dokumentat e paraqitura nga Ilir Ikonomi, del se  Esati , vec e vec, me  shumicën e aktorëve ka lidhur marrveshje dhe  i kanë  dhanë mjete monetare të shumta të cilat i përdori për mbajtjen e ushtrisë   e për interest e tij personale. Këto mjete shpesh diktuan qëndrimet dhe lëvizjet e tij nga një aktor tek një tjetër, por shtetit të ardhëshëm shqiptar nuk i mbeti barrë pagesa e ndonjë dokumenti  të Esat pashë Toptanit. Ai ishte mosbesues për këdo, por dhe të tjerët ishin mos besues ndaj tij. Koha nga shpallja e pavarsisë së Shqipërisë e deri në konsolidimin e shtetit nga Ahmet Zogu ishte shumë e vështirë.

Nga gjithsa më lart, duke e studiuar me kujdes botimin e Ilir Ikonomit, unë nuk mund të them me se Esat pashë Toptani ishte thjeshtë tradhëtar, ashtu sic nuk mund të them se ishte një hero i vërtetë. Ai ishte një ushtarak dhe një politikan me  të mira dhe  dobësi si shumë udhëheqes  të së shkuarës dhe të sotëm të Kombit Shqiptar. Unë pajtohem plotësisht me autorin kur thotë se:”Ky punim nuk ka si qëllim “rehabilitimin” e Esat pashës. Ai është shkruar për të dhënë rreth tij një vlerësim objektiv, të pandikuar nga ideologjia”.

Gjej rastin ta falenderoj përzemërsisht studiusin dhe gazetarin e mirënjohur Ilir Ikonomi, për punën e madhe studimore që ka bërë me punimin”Esat pashë Toptani-njeriu, lufta, pushteti”, me të cilën na ndricoi një pjesë të historisë sonë të viteve të para  të jetës së Shtetit tonë Shqiptar.

Filed Under: Featured Tagged With: asllan Bushati, esat Pashe Toptani, Ilir Ikonomi

1929- Fan S. Noli:Një tragjedi në tri akte ndaj shqiptarëve

January 25, 2017 by dgreca

Mars 1929 / Fan Noli në revistën franceze « Le Cris des Peuples » : Një tragjedi në tri akte ndaj shqiptarëve në Jugosllavi dhe Greqi – Shpronësim, dëbim, asgjësim/

Noli

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France/

9 Noli

Nga Aurenc Bebja*, Francë/Revista mujore franceze « Le Cris des Peuples », 4 marsin e vitit 1929, ka botuar shkrimin e Fan Nolit, i cili gjendet në faqen n°18./

Serbët dhe grekët po ushtronin metoda barbare shpronësimi, dëbimi dhe asgjesimi ndaj bashkatdhetarëve tanë, të cilët, për arsye të politikave makiavelike, fatkeqësisht u gjendën jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë.

Në vijim, analiza alarmuese e Fan Nolit përreth kësaj situate : « Diktatura jugosllave peshon rëndë mbi të gjithë popujt e nënshtruar nga militaristët serbë. Ajo është shtypëse për shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të Ulqinit, Tivarit, Hotit, Grudës, Plavës, Gucisë dhe Dibrës,  të aneksuara me radhë në vitin 1880, 1912, 1919 dhe 1924 nga Serbia.

Bëhet fjalë për afërsisht një milion banorë të privuar nga të drejtat më bazike. As edhe një shkollë e vetme shqiptare për këtë popullatë kompakte që e kalon numrin e asaj të Shqipërisë së pavarur e të gjymtuar nga Traktatet. Asnjë shoqatë, madje as për bamirësi, nuk është lejuar për ta. Asnjë anëtar nuk i përfaqësonte në Skupshtinën (Kuvendi Serb) e shpërbërë.

Udhëheqësi i tyre, Ferhat Draga, u dënua me njëzet vite burg për kryerjen e krimit në lidhje me shpalljen e rikandidimit të tij për t’u rizgjedhur në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kolegu i tij, ish-deputeti « Nisam Xhafurri (Gjafuri) », u vra pabesisht në vitin 1927, për të njëjtën arsye. Rivali i tyre, Jusuf Ahmeti, u vra kohëve të fundit, për arsye se guxoi të zgjidhej anëtar i këshillit bashkiak të qytetit të Prishtinës.

Kështu hiqen qafe liderët problematikë. I vrasin në mes të ditës dhe në mes të qyteteve. Vrasësit janë anëtarë famëkeqë të bandave fashiste të cilat terrorizojnë këta rajone që nga luftërat ballkanike nën kujdesin e qeverisë së Beogradit. 

***

 Disa të shtëna me revole mjaftojnë për udhëheqësit. Sa për banorët, ata ekzekutohen me mitraloz ose detyrohen të emigrojnë për t’u lënë vendin pushtuesve fashistë serbë. Në këtë lloj mënyre « serbizohen » sistematikisht të gjitha rajonet shqiptare et sidomos ato të ndodhura afër kufirit shqiptaro – jugosllav ose përgjatë hekurudhave. Dhjetëra mijëra të pafatë janë të detyruar të shkojnë jashtë vendit në këtë mënyrë çdo vit.

Më e keqja është se asnjë shtet nuk dëshiron t’i marrë këta refugjatë. Turqia është e mbushur plot, Shqipëria është e varfër për t’u ofruar atyre një shtëpi të re, ndërsa vendet e tjera janë të mbyllura ndaj këtij lloj migrimi masiv. Kështu, kohët e fundit, një grup prej tre mijë të këtyre emigrantëve, pasi u endën nëpër gadishullin e Ballkanit – nga toka – për muaj e muaj, u detyruan gjithashtu të lëvizin edhe nëpërmjet detit…; Nuk i lejonin të zbarkonin në asnjë port. Disa të mbijetur të këtij udhëtimi u vendosën në Shqipëri. Të tjerët vdiqën nga uria, i ftohti, lodhja dhe nga sëmundjet e marra gjatë rrugëve.

Po fati i shqiptarëve të krahinës së Çamërisë (Epiri i Jugut), e aneksuar nga Greqia, e cila nuk është ndryshe (nga shembulli Jugosllav). Kjo është vetëm një përsëritje e të njëjtës tragjedi me tri akte : Shpronësim, dëbim, asgjësim.

***

Unë kam folur më sipër për një milion shqiptarë në Jugosllavi. Sipas jugosllavëve, atje tani ka vetëm 700 000 ! Mos vallë i kanë hequr qafe 300 000 ? Dhe sa kohë do u duhet për të eliminuar ata që kanë mbetur ? Ata (jugosllavët) do të veprojnë shpejt kësaj here dhe pa formalitete të panevojshme. Dhe kjo do të jetë lavdia më e madhe e « Dorës së Bardhë Panserbe » !Në mes të Europës po përsëritet një tragjedi po aq e përgjakshme sa ajo e armenëve në Azinë e Vogël. Por tragjedia armene ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore, kur ishte e vështirë të ishe human, ndërsa tragjedia shqiptare në Jugosllavi ndodh para syve tanë në kohë paqeje, kur është e vështirë të imagjinohet se mund të jemi aq mizor.Pra, kancelaritë evropiane, të cilat janë të vetëdijshme për këtë çështje, nuk janë shqetësuar fare. Me sa duket, tonet e zbutura nuk janë në modë… Në Azinë e Vogël, bëhej fjalë për krishterë që u shfarosën nga muhamedanët turq. Në Jugosllavi dhe Greqi, bëhet fjalë për muhamedanë shqiptarë të shfarosur nga krishterët serbë dhe grekë. Ky është ndryshimi. Dhe kjo shpjegon në një farë mase indinjatën e djeshme dhe apatinë e sotme. A jemi ende në mesjetë ?E gjitha kjo e ka një shpjegim : vrasësit e armenëve ishin turqit, armiqtë e Luftës së Madhe ; vrasësit e shqiptarëve janë serbët dhe grekët, aleatët e Luftës së Madhe.

Gjithçka u lejohet aleatëve fisnikë. Por atëherë, a jemi ende në luftë ? Fatkeqësisht, po. Vetëm naivët besojnë se kemi bërë paqen e Versajës ! 

Fan Noli

Ish – Kryeministri shqiptar »

Shkroi:Aurenc Bebja,Francë/ – 25 Janar 2017(Kortezi:www.darsiani.com)

Filed Under: Featured Tagged With: 1929- Fan S. Noli: Një tragjedi, Aurenc Bebja, ndaj shqiptareve, në tri akte

KOL BIB MIRAKAJ: MË NË FUND NJË E VËRTETË HISTORIKE

January 24, 2017 by dgreca

1-Frank-300x212-1Nga Frank Shkreli/Më në fund, historia flet, njihet e vërteta.  Të pakën në një rast.  Deri tashti dikush tjetër dhe të gjithë të tjerët — emër e pa emër, të merituar e të pa merituar, — morën kredinë për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë nga nazistët gjermanë, në Shqipërinë e okupuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, por asnjëherë, në këto 25 vitete fundit, nuk iu përmend emri protagonistit kryesor të shpëtimit të hebrenjve shqiptar, Kolë Bib Mirakajt, të cilin historiografia komuniste e karakterizon me epitete fyese të lloj-llojshme.Shumë vite më parë, unë e kisha dëgjuar rolin që kishte luajtur Kol Bib Mirakaj në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nga babai i bashkshortës time Vitores, (Pashk Ademi Markgjonaj), por edhe nga bashkohas të Kol Bibës, si Ernest Koliqi, e të tjerë.  Por në mungesë të ndonjë dokumentacioni si ky që ka zbuluar dhe botuar në librin e tij Faik Quku – i mbajta të dhënat e tyre, të qeta, në heshtje mbrenda vetes.  Ishte një heshtje, jo vetëm për mua por edhe për shumë të tjerë që kishin dëgjuar të njëjtën bisedë, por në mungesë të dokumentacionit sip është ky i paraqitur nga autori Faik Quku, duhej pranuar në heshtje ato që dëgjonim e lexonim për shpëtimin e hebrenjve shqiptare, megjithse jo të gjitha të dhënat e këtij rasti që kemi dëgjuar deri tani, i përgjigjeshin të vërtetës.  Mbarë Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët kudo, me të drejtë duhet të jenë krenarë për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë nga nazistët, por është një njollë e zezë mbi ata që kanë promovuar këtë akt me të vërtetë humanitar të shqiptarëve, por përmendur kurr rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka në këtë mes.   Por, ja tani, gazeta e Tiranës Telegraf sjellë një lajm për lexuesit e saj, në lidhje me librin e autorit Faik Quku me titull, “Qëndresa Shqiptare Gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ku dokumentohet roli i Kol Bib Mirakës në shpëtimin e hebrenjve, dokumenta të kohës këto, të nënshkruara nga dora vet e tij, si Ministër i Mbrëndshëm i Shqipërisë sëa saj kohe.  Tashti, kemi librin e Faik Qokut dhe dokumentacionin siç duket të padiskutueshëm që përbën mbrenda vepra e tij në lidhje me rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka gjatë luftës.Sipas gazetës Telegraf, në librin e tij, autori Faik Quku, bazura në dokumentacion, ka paraqitur disa të vërteta rreth jetës dhe veprës së Kol Bib Mirakajt.  Siç mund të shihni në linkun e gazetës Telegraf http://telegraf.al/politike/kole-bibe-mirakaj-ministri-shqiptar-qe-shpetoi-2000-hebrenj, spikaten dy gjëra me rëndësi historike, sipas dokumentave të zbuluara nga autori.  Një nga këto të vërteta ka të bëj me vendimin e Kol Bibë Mirakës për të paisur me pasaporta shqiptare 2000 hebrenjtë që gjatë Luftës së Dytë Botërore ndodheshin në territorin shqiptar, një akt ky që mundësoi strehimin e tyre në Italinë jugore, të çliruar nga anglo-amerikanët, duke i shpëtuar ata nga forcat naziste.  E vërteta e dytë me rëndësi është fakti i zbuluar me këtë libër se Ministri “fashist” Kol Bib Mirakaj kishte refuzuar shumën e parave që hebrenjtë donin t’i jepnin atij si shpërblim për vendimin e tij humanitar, jo një herë, por refuzoi parat dhe napolona ari, dy herë: një herë Shqipëri dhe tjetrën herë në Romë, ku Kol Biba ishte i mërguar dhe ku jetonte në skamjen më të madhe, për të cilin kujdesej urdhëri françeskan, nga të cilët varej për bukën e gojës.

Ta merr mendja se vendimi i Kol Bib Mirakës, si ministër i Mbrendshëm i asaj kohe — duke paisur me pasaporta hebrenjtë shqiptarë për tu larguar shëndosh e mire nga vendi — mund të kishte pasur pasoja të rënda për ‘të, po të ishte zbuluar ky akt humanitar i tij nga nazistët.    Thonë se burri dhe miku i mirë njihet në ditë të vështirë!  S’ka dyshim se për hebrenjtë shqiptarë Kol Bib Mirakaj, jo vetëm që ishte burrë dhe mik i mirë në një ditë tejet të vështirë për ta, por autori Faik Quku provon se ai në të vërtetë ishte diçka më tepër, ai ishte shpëtimtari i tyre, i cili  madje edhe refuzoi çdo shpërblim nga hebrenjtë shiptarë për paisjen e tyre me pasaporta shqiptare, gjë që tani dihet se bëri të mundur largimin e tyre për në Itali.  Si do që ta merrësh, për atë kohë, por edhe për sot, ky ishte një akt heroik nga ana e Kol Bib Mirakës!

Tashti, kemi librin e Faik Qukut dhe dokumentacionin që përbën mbrenda vepra e tij, mbi rolin e Kol Bib Mirakës në shpëtimin e 2000 hebrenjve shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, që vet Pal Bib Mirakaj do të shprehej se nuk kemi më nevojë tani, “Me pranue më heshtjen tonë për një cilësim të tillë që nuk i përgjigjet së të vërtetës”, sepse ka shkruar ai në librin e tij “Vrasja e Nji Kombi” se me heshtje, “Mua më është dukë se bajmë krim kundër vetetes, kundër historisë e kundër fëmijve e njerzëve tanë, që do të mbeteshin me kryeultë për breza të tanë, para shoqënisë.”
Kol Biba do të falenderonte Faik Qukun, se me librin e tij mbi këto të vërteta të dokumentura nga jeta e Kol Bib Mirakës, ai i jep “histori-shkruesit të së nesërmes nji dokument që ta kenë të gjithë Shqiptarët për studim”, një dokument që ai do të pohonte se ia “nxjerrë kartat në shesh dhe ia parashtron haptas Gjyqit të Historisë”, ngjarjet e asja periudhe.  Ndonse nuk e kam lexuar librin, duke vlerësuar nga këto të dhëna të paraqitura në Gazetën Telegraf, me librin e tij, autori Faik Quku zhdukë  jo vetëm heshtjen por edhe shumë paragjykime dhe të pavërteta të promovuara nga disa pseudo historianë shqiptarë mbi rolin dhe veprimtarinë e shumë personaliteteve shqiptare, përfshirë Kol Bib Mirakën gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Filed Under: Histori Tagged With: 2000 hebrej, Faik Quku, Frank shkreli, Kol Bibe miraka, te shpetuar

HISTORI AMERIKANE-Një president i ve në Shtëpinë e Bardhë

January 24, 2017 by dgreca

2 Presidenti

Gjenerali Endrju Xhekson(Andrew Jackson) triumfoi në zgjedhjet presidenciale të 1828 përmes një fushate elektorale të ashpër. Shumë baltë u hodh mbi kandidatin që kishte fituar zemrat e popullit amerikan. Gjenerali Endrju Xhekson ishte Heroi i betejës historike të Nju Orleansit, fitorja e të cilës shpëtoi pavarësinë e SHBA.

Por triumfi i tij qe tragjik. Pak para se të inagurohej si president i SHBA, gruaja e tij e shtrenjtë vdiq nga një atak masiv në zemër.
Nuk vdiq nga gëzimi, por i plasi zemra nga një hidhërim i mbledhur 40 vjeçar, të cilin s’e mundi dot.

3 Mbreteresha

Dy fjalë nga historia./
Edhe 30 vjet pas shpalljes së pavarësisë së SHBA,( 1776), Britania e madhe e ruante të nxehtë ndjenjën e hakmarrjes ndaj Amerikës që i kishte ikur nga duart. Pasi u çlirua nga luftrat në Evropë, u angazhua sërish në luftë me SHBA , e vendosur për ta kthyer atë në gjendjen e mëparshme, dmth në gjendjen koloniale. Lufta kundër Britanisë së madhe, (1812-1815) për nga rëndësia e saj konsiderohet si lufta e dytë e amerikanëve për të mbrojtur pavarësinë e vendit .  1 Pamje
Me zbarkimin e trupave angleze në Merilend dhe marshimin e tyre drejt kryeqytetit të vendit Uashington DC, njerëzit nxituan ta braktisnin atë, si një vend pa zot. Në ato momente kritike, kujtesa njerëzore ka përcjellë figurën e Dolli Medison, gruas se presidentit Xhejms Medison, e cila shpëtoi nga Shtëpia e Bardhë, një portret të Xhorxh Washingtonit dhe dokumenta të rëndësishme, për të mos rënë në duart e anglezëve. Ushtria britanike i vuri zjarrin Shtëpisë së Bardhë (këtë emër e mori pas restaurimit) dhe godinës së Kongresit amerikan. Krenaria amerikane mori një goditje të rëndë. Por anglezët nuk e dinin që në marshimin drejt jugut, në Luizianë i priste gjenerali Endrju Xhekson. Fitorja e Betejës së Orleansit ndaj ushtrisë britanike, thyerja e Anglisë në përmasa të mëdha qe vendimtare në mbrojtjen e pavarësisë së Amerikës. Amerikanët nuk flisnin për asgjë tjetër veçse për këtë fitore të madhe. Xhekson fitoi famë në të gjithë Amerikën si Heroi kombëtar. ( Siç thuhej,ai ishte hero me H të madhe) Kishte shpëtuar pavarësinë e Amerikës, kundrejt një pushtim i dytë nga Britania e madhe. Populli e krahasonte Xheksonin me Xhorxh Washingtonin.
…Endrju Xhekson mbeti jetim që në moshën 14 vjeç. Fati e privoi nga dashuria e prindërve në një moshë delikate. Jeta e bëri të ashpër, trim të çartur dhe po aq neglixhent, deri atë ditë që vendosi të vazhdojë studimet për t’u bërë avokat. Pas kësaj, udhëtoi për në West, në Nashville, Tennesee, për të provuar mundësitë që i jepte ai vend në profesionin e vet. Këtu ai takoi të bukurën e njerëzoren Rejçëll (Rachel). Rejçëll ishte e martuar dhe për shkak të natyrës së saj të butë, të qeshur e talentit që manifestonte në ditët festive, të gjithë e e admironin dhe vlerësonin .Në të kundërtën , i shoqi bëhej shumë xheloz dhe abuziv. Ai e keqtrajtonte. Ato kohë sado të vuante gruaja nga keqtrajtimi i burrit, divorci ishte diçka që nuk ndodhte kollaj. Endrju iu bë shok e mbështetje gruas së re dhe përfundimisht ra në dashuri me të. Rejçëll dhe Endrju u rrëmbyen dhe u larguan nga ai shtet. Më pas u kthyen sërish dhe familja e saj e pranoi Xheksonin si njeri të shtëpisë. Ish bashkëshorti i saj kishte bërë kërkesën për divorc duke e akuzuar për tradhëti bashkëshortore,mirëpo procesi i divorcit ende nuk kishte përfunduar, gjë që ata të dy nuk e dinin. Kështu, në sytë e opinionit Rejçëll ishte një grua që kishte tradhëtuar të shoqin dhe njëkohësisht bashkëjetonte me një tjetër(Endrjun). Ajo u akuzua për bigami. Kjo njollë turpi e ndoqi gruan për afro dyzet vjet rresht. Ndërsa Endrju Xhekson ngjiti shkallët e karierës së vet, arriti lavdinë e respektin, kundërshtarët e tij politikë nuk linin rast pa e sulmuar moralisht si një burrë që i kishte marrë gruan një tjetri, dhe të shoqen, gjatë fushatës së tij për president, e quajtën si një grua pa moral për të cilën nuk mund të kishte vend në Shtëpinë e Bardhë. Xheksonin e “akuzonin” për tipin e tij të rrëmbyer dhe mungesë të kontrollit të vetvetes, duke e bërë këtë si argumentin kryesor që mund të shkatëronte integritetin e Republikës dhe institucioneve të saj. Publiciteti i emrit të Rejçëll për një çështje shumë private e zhyti atë në depresion. Ajo i pat thënë një mikeshe “Unë më mirë bëhem roje në portën e Zotit, se jetoj në atë pallat në Washington.” Asaj nga natyra nuk i pëlqente të ishte në qendër të vëmendjes. Rejçëll e paralajmëroi Xheksonin se kishte frikë që fama që kishte marrë pas fitores së Nju Orleansit dhe popullariteti i madh ( që krahasohej me atë të Xhorxh Washingtonit) do ta bënte që një ditë ai të vlerësonte lavdinë e tij, mbi familjen.

Gjithësesi, gjatë fushatës presidenciale, Rejçëll nuk dinte shumë se ç’bëhej dhe as akuzat që i ngrinin të shoqit, sepse atë kohë ajo nuk banonte në Washington D,C. Kur Endrju Xhekson u zgjodh president , Rejçëll shkoi në Washington DC, dhe filloi të përgatiste veshjen për ditën e inagurimit. Aty mësoi të tëra epitetet me të cilat opinioni e kishte veshur atë dhe të shoqin. Pas gati dyzet vjet martese, dashurie dhe devotshmërie për të shoqin, në mëndjet e liga ende ruhej i freskët divorci dhe historia e dashurisë së saj me Endrjun. Armiqtë politikë të së shoqit kishin gërmuar dokumentat e divorcit, kaq kohë të shkuara, dhe ‘zbuluan’ që gruaja e Xheksonit paska qenë tradhëtare dhe bigamiste! Kjo ishte shumë e rëndë për të. Rejçëll nuk mbajti dot më. Vdiq nga një atak masiv në zemër, në prag të Krishtlindjeve. Endrju nuk mund ta besonte vdekjen e saj. I lutej doktorit të bënte diçka se Rejçëll nuk kishte vdekur. Humbja e gruas qe e papërballushme për Endrju Xhekson. Ai fajsoi kundërshtarët e tij politikë për vdekjen e gruas së dashur, duke deklaruar: ” Ata që që e vranë Rejçëll të shohin nga Zoti për mëshirë. Zot i madh, fali vrasësit e saj, siç do t’i falte ajo. Por unë, kurrë!’
Zonjën e parë të vendit e veshën me fustanin e bardhë që kishte prerë për ditën e inaugurimit .
Për Endrjun, Rejçëll qe dashuria e tij më e madhe. I mbetur jetim që në fëmijëri, Rejçëll i solli atij paqe, ngrohtësinë e familjes e lumturi në jetë. Ata e vuanin shumë mungesën e njeri-tjetrit kur Xhekson largohej për arsye pune, dhe i lumturoheshin ditëve që kalonin bashkë. Ata ishin tek të 60 -tat dhe kishin kaluar një jetë të tërë si njerëz të respektuar. Vdekja e Rejçëll ndodhi pak kohë para se ai të hynte në Shtëpinë e Bardhë. Njerëzit prisnin “një mbrëmje festive triumfi”, por Endrju ishte i zhytur në trishtim. Për muaj të tërë Endrju Xhekson qëndroi larg, mënjanë, e i mbyllur .
Megjithatë, me presidencën e Endrju Xheksonit filloi një periudhë e re në të cilën populli dhe jo elita , ishte forca udhëheqëse në politikën amerikane. Në vitet e Xheksonit demokracia lulëzoi në Amerikë. Ai kishte një personalitet të fuqishëm, trimëri të dukshme dhe një lidhje magjike me popullin. Endrju Xhekson ndryshoi vendin duke u përballur me vështirësi të reja brenda dhe jashtë . Ai eliminoi në administratë çdo gjë që e shikonte të dëmshme për mirëqënien e popullit.
Qe një presidencë e një presidenti të fortë, me autoritet dhe njerëzor, që në mëndje e në zemër ruajti çdo ditë kujtimin e gruan së tij të shtrenjtë.
Presidenti Xhekson u varros në të njejtin varr me Rejçëll. Ishte 8 Qershor 1845. Mbi pllakën e varrit u shkrua thjesht:
“Gjeneral Endrju Xhekson. Lindur 15 mars1767 .Vdiq 8 qershor, 1845.
(Albana Lifschin,6 dhjetor,2017)

Filed Under: Fejton Tagged With: Albana Lifschin, ne Shtepine e Bardhe, Një president i ve

Avni Ponari: Biznesi ka nevojë për më shumë mbështetje nga shteti

January 24, 2017 by dgreca

1 Avni PonariNjerëz nga e gjithë bota erdhën këto ditë në Uashington me rastin e inaugurimit të presidentit të ri amerikan. Biznesmeni nga Shqipëria Avni Ponari, drejtor i përgjithshëm i kompanisë së sigurimeve Sigal, erdhi për të parë inaugurimin e Donald Trumpit, i frymëzuar që një bizensmen si ai vetë, është tani president i Shteteve të Bashkuara. Në një intervistë para ceremonisë së inaugurimit të Presidentit të ri amerikan, ai flet me optimizëm për vizionin e ri që pret të sjellë administrata Trump. Ndërkohë, ai ngre shqetësime për hapësirat e pamjaftueshme për zhvillim që ka biznesi në Shqipëri:

Zëri i Amerikës: Ju keni ardhur për të ndjekur ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri amerikan. Cfarë përfaqëson për ju ku element i demokracisë amerikane?

Avni Ponari: Unë do të thoja që është një nga ngjarjet më të rendësishme jo vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por për të gjithë globin sepse zgjedhja për herë të parë e një biznesmeni në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aq më tepër të një vendi demokratik siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të thotë shumë. Do të thotë që ne sot ndërtojmë ekonominë e tregut, por deri tani nuk ka pasur një udhëheqës të kësaj natyre që të jetë në krye të ekonominë e tregut. Unë mendoj që me ardhjen e zotit Trump në krye të Shteteve të Bsahkuara, gjërat do të jenë totalisht ndryshe. Bota do të jetë më e hapur drejt biznesit, ekonomia do të jetë më me synime të qarta për t’u zhvilluar, njerëzit do të kenë më shumë mundësi dhe hapësira për të punuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Ponari, të kthehemi tek përvoja juaj si biznesmen. A mund të flisni për klimën e biznesit në Shqipëri. Si ka evoluar, çfarë shihni problematike, apo pozitive në vitet e fundit në këtë klimë?

Avni Ponari: Biznesmenët në Shqipëri dhe në Ballkan, politikës i duhen. I duhen në pikëpamjen e asaj që ata duhet t’i japin tonin zhvillimin të vendeve. Politika duhet të jetë ajo që duhet ta drejtojë, t’i hapë hapësirat, të krijojë sa më shumë mundësi që ajo të zhvillohet. Fakti që sot Shqipëria, me gjithë ato resurse, nuk është atje ku duhet të jetë tregon se ne s’kemi bërë sa duhet punën tonë, por edhe politika s’ka qenë atje ku duhet për të ndërtuar një të ardhme të sigurtë, për të patur një objeksion të rendësishëm dhe për të pasur një strategji të caktuar.

Zëri i Amerikës: Cfarë problematikash konkrete ka qeverisja aktuale në drejtim të biznesit, si e shihni ju?

Avni Ponari: Do të thoja që politika duhet të jetë afër, jo vetëm ta përdorë biznesin vetëm për qëllime mediatike, por të diskutojë dhe të flasë për mundësitë dhe zhvillimet që duhen. Sot Shqipërisë i mungon industria financiare jo-bankare. Eshtë ndërtuar sistemi bankar, por nuk është ndërtuar sistemi financiar jo-bankar. Pra mungon në Shqipëri bursa, mungon tregu i letrave me vlerë. Një industri sigurimesh shumë e vogël.

Zëri i Amerikës: Përse nuk ka ardhur kapitali i huaj për të shfrytëzuar këtë potencial. Ka kapital të huaj të investuar kryesisht në energjetikë, por nuk ka kapital të huaj në sektorin financiar, as në industri të tjera. Cfarë e pengon?

Avni Ponari: Duke përcaktuar, sipas meje, dy drejtimet kryesore të zhvillimit të vendit që janë turizmi dhe agrobiznesi që janë mundësitë më të mëdhaja për Shqipërinë, do të thoja që hapësirat janë të mëdha. Por akoma nuk është krijuar infrastruktura e duhur, nuk është krijuar ajo baza e shëndoshë që çdo gjë të jetë e vendosur në shina të drejta dhe të mos ndryshojë vit pas viti, por ajo gjithmonë, nëse ka ndryshime të jetë në sensin pozitiv dhe asnjëherë të mos shkojë në drejtimin e kundërt. Këtu e kisha fjalën që në fillim që politika dhe biznesi duhet të ulen jo për t’u pare në televizor, por të ulen për të diskutuar se cilat janë mundësitë dhe kush janë prioritetet e zhvillimit të ekonomisë.

Zëri i Amerikës: Por nuk bëhet fjalë për kornizë ligjore, pasi Shqipëria ka evoluar me ligjet. Këtu bëhet fjalë, me sa kuptoj për zbatimin e ligjeve, apo jo?

Avni Ponari: Natyrisht, sot në Shqipëri ekziston një bazë e madhe ligjore, por mundësia dhe përgatitja apo institucionet përkatëse për të mbikqyrur dhe ndihmuar tregun privat nuk janë në nivelin e duhur. Akoma kemi mangësi të asaj natyre; nuk zhvillojmë indistri të tëra, siç është industria financiare jo-bankare që ajo të zhvillohet, siç janë tregu privat i pensioneve, rritja e rolit të tregut dhe industrisës së sigurimeve. Pretendojmë se ndërtojmë një shoqëri tregu dhe akoma nuk kemi liberalizuar tregun e pensioneve, tregun e shëndetit privat, nuk kemi liberalizuar tregje të tjera që i thashë pak më sipër.

Zëri i Amerikës: Pse nuk është liberalizuar? Ekziston si treg, apo jo? Në fakt ju përfaqësoni tregun e sigurimeve private?

Avni Ponari: Eshtë e vërtetë, por që të funksionojë drejtpërdrejt tregu i pensioneve private do të thotë që të krijohen, ashtu siç ekzistojnë në të gjithë botën shtyllat. Do me thënë të liberalizohet një shtyllë, që do të thotë që jo vetëm të paguash tek sigurimet shoqërore në të cilat pensioni është i detyrueshëm, por duhet të paguash edhe një alternative tjetër, të paguash për pensionin tënd drejtpërdrejt. Sepse ajo që sot shqiptarët paguajnë në punësim, e gjithë ajo para shkon për të paguar pensionet e atyre që kanë punuar vite më përpara. Eshtë një garanci për atë që puguan, por nuk është pensioni i tyre.

Zëri i Amerikës: Këtu në Amerikë… po përpiqem të gjej një parallel. Këtu është pagesa e asaj si pensioni sot në Shqipëri, me detyrim që janë sigurimet sociale, tjetra është në baza vullnetare. Ju propozoni diçka që të ishte e imponuar?

Avni Ponari: Sot ekziston e drejta për të investuar në një fond privat, si e drejtë, por jo si detyrim. Ne flasim këtu për shtyllat e pensioneve private që janë të ndara në tre kollona. Sot është vetëm ajo që është shtetërore. Në rast se liberalizohet, atëherë thuhet që ky 27%, nëse marrim atë shifër që paguhet nga paga sot, dhe ndahet, 24% do të shkojë tek sigurimet shoqërore që është shtetërore dhe 3% do të shkojë vetëm për pensionin privat të secilit, atëherë do të kemi një pension, por të ndarë në dy sektorë të ndryshëm: atë që është shtetëror dhe atë që është privat. Pra nuk do të flasim më për pensione minimale, por do të kemi pensione shumë të larta dhe do të kemi njerëz të kënaqur për faktin se do të kenë pensione të garantuara në dy drejtime të ndryshme.

Zëri i Amerikës: Por ajo nuk është e garantuar. Konkretisht këtu në Amerikë kaluam një krizë ku të gjithë ata që i kishin pensionet tek privati pësuan një humbje minimalja një e treta. Asnjë gjë që është në tregun privat nuk është e garantuar, si formulë ekonomike sepse tregu privat ka ngritje-ulje.

Avni Ponari: Natyrisht që rreziqet janë kudo. Edhe banka vetë ka rrezik. Pra edhe çdo para që vendos në bankë, ti mund të falimentosh. Por shteti prandaj ekziston, prandaj ekziston institutcioni mbikqyrës, veçanërisht për industritë financiare mbikqyrja ka një rol shumë të rëndësishëm. Dhe roli i shtetit në këtë rast është i jashtëzakonshëm. Cdo qytetar duhet ta dijë përmes këtij autoriteti se ku ndodhen paratë e tij. Pra këtu kemi të bëjmë me një mbikqyrje reale të asaj që secili ka investuar. Ashtu siç është bursa, ashtu siç janë industritë e tjera. Pra ekziston mundësia gjithmonë e falimenteve, sepse biznesi është biznes, por nga ana tjetër ekziston edhe mundësia reale e ruajtjes dhe investimeve në rast se mbikqyrësit e këtyre institucioneve kryejnë detyrën siç duhet.

Zëri i Amerikës: Të kalojmë tek sektori tjetër i sigurimeve: sigurimet për shëndetin. Ku qëndroni ju si sektor privat?

Avni Ponari: Edhe këtu kemi të bëjmë me nevojën për liberalizim dhe reformë reale, sepse kur flasim për reformë flasim për ndërthurjen e elementëve të sistemit privat me sistemin shtetëror. Në të gjithë botën, në ato vende ku unë kam përvojë janë të ndërthurura të dyja këto elemente së bashku. Do të thotë që çdo njeri është i detyruar të paguajë tek sistemi shtetëror, por paguan edhe tek sistemi privat. Pra nëse sistemi shtetëror garanton një minimum të caktuar duke filluar nga 1,000-10,000 euro, ndërsa në sistemin privat mund të garantohesh 500,000 euro duke paguar një shtesë mbi detyrimin për sistemin shtetëror. Kjo në Shqipëri nuk ekziston. Ekzistojnë sot klinikat private, spitalet private, ekziston një rrjet i tërë në të gjithë Shqipërinë. Por nuk ekziston, që klienti të shkojë ashtu siç shkon në spitalin shtetëror, të shkojë edhe në spitalin privat dhe pjesën mbi shpenzimet-kuotë t’i paguajë vetë klienti. Sot spitalet dhe klinikat private funksionojnë si dyqanet e zarzavateve: njerëzit shkojnë, bëjnë analiza gjaku, paguajnë kesh, shtrohen në spital, paguajnë kesh, sepse dy sistmet nuk janë të lidhura së bashku. Nëse këto dy sisteme janë të ndërthurura në atë formë siç e ka eskperienca botërore që deri në një nivel të caktuar është sigurimi shëndetësor i detyrueshëm dhe mbi këtë nivel secili mund të zgjedhë ose spitalin shtetëror, ose atë privat dhe të dyja të jenë të pagueshme mbi të njëjtën formulë. Në spitalin shtetëror kosto do të jetë më e lire dhe mund ta shfrytëzosh p.sh. spitalin shtetëror për 10 ditë, përkujdrejt shtimit për tri ditë në spitalin privat. Këto janë të rregulluara në të gjithë botën, por është vetëm çështje dëshire dhe strategjije i qeverisë për ta bërë ose jo këtë.

Zëri i Amerikës: Por në Shqipëri nuk është vetëm infrastruktura, por edhe fuqia blerëse. Cfarë mund të pritet nga një pensionist që të paguajë sigurime privatisht. Ju si e gjykoni forcën blerëse të individit?

Avni Ponari: Sot në Shqipëri paguhet 3.7% e pagës për sigurime shëndetësore – një shifër jo e vogël, dhe e gjithë kjo shkon për spitalet shtetërore, në të cilat flitet se shërbimi është shumë i vogël.

Zëri i Amerikës: Por 3.7% është mesatarja. Për atë pjesë të popullatëst që jeton në varfëri duhet të mendojmë që paguan zero, apo jo?

Avni Ponari: Prandaj këtu ka rolin e tij shteti. Shteti futet për atë pjesë të popullsisë që nuk ka mundësi të paguajë as elektricitetin. Shteti është i detyruar të marrë iniciativë dhe të mbështesë ato zona (të varfra) që të vazhdojë jeta edhe atje. Kjo është njëkohësisht edhe për ata që kanë nevojë shëndetësore. Në Shqipëri ka një numër prej 600,000 -700,000 të punësuar – një numër jo i vogël për popullatën e Shqipërisë. Gjithë ky numër njerëzish që paguajnë sigurimet shëndetësore. Ka me dhjetëra njerëz që nuk do të paguajnë, por do të mbulohen nga ata që kanë paga më të larta, që kanë kontribute më të mëdhaja dhe do të paguajnë edhe për atë pjesë tjetër të popullsisë.

Zëri i Amerikës: Cfarë përqindjeje e popullatës shqiptare është e paaftë të përballojë financiarisht sigurimet shëndetësore për veten?

Avni Ponari: Pjesa më e varfër, më e lodhur ekonomikisht që nuk ka mundësi ta përballojë koston mund të jetë 15-20 apo 30%. Por asnjëherë nuk mund të themi që është në atë gjendje sa nuk mund të paguajë një normë të caktuar për sigurimet shëndetësore.

Zëri i Amerikës: A ka të bëjë kjo (niveli i ulët i sigurimeve të popullatës) në një lloj mënyre edhe me faktin që në Shqipëri nuk ka qenë tradita e pagesës së siguracioneve?

Avni Ponari: Fakti që sot njerëzit i drejtohen shtetit edhe nëse i digjet shtëpia, do të thotë që ai nuk e kupton se çfarë duhet të bëjë për ta mbrojtur shtëinë e tij. Fakti që digjet një dyqan apo një maganizë, të gjithë zënë dyert e bashkive, zënë dyert e qeverisë. Apo në rastin konkret të përmbytjeve. Në qoftë që qeveria, bashkitë dhe të gjithë institucionet përkatëse tërhiqet nga kjo përgjegjësi, dhe atë përgjegjësi ia lënë atij institucioni që është i rendësishëm për ta bërë, që është industria e sigurimeve, atëherë ne do ta kemi të zgjidhur realisht këtë problem.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Avni Ponari, biznesi, zeri i amerikes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2242
  • 2243
  • 2244
  • 2245
  • 2246
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT