Ministri i Financave i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti dhe Ministri i Financave i Republikës së Shqipërisë Arben Ahmetaj, të mërkurën në Tiranë nënshkruan Memorandumin për Bashkëpunim, me qëllim mbështetjen teknike mbi realizimin e Kadastrës Fiskale në Republikën e Shqipërisë.
Nënshkrimi i këtij Memorandumi ka për objektiv përcaktimin e kuadrit të përgjithshëm të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë për asistencë teknike për realizimin e Kadastrës Fiskale në Republikën e Shqipërisë, bazuar në eksperiencën e krijimit dhe funksionimit të Kadastrës Fiskale në Republikën e Kosovës.Për realizimin e këtij Memorandumi, Ministria e Financave e Republikës së Shqipërisë merr përsipër të bashkëpunojë me Ministrinë e Financave të Republikës së Kosovës duke vënë në dispozicion strukturat dhe kapacitetet e nevojshme me qëllim realizimin e Kadastrës Fiskale në Shqipëri.Ndërsa, Ministria e Financave e Republikës së Kosovës merr përsipër të bashkëpunojë me Ministrinë e Financave të Republikës së Shqipërisë nëpërmjet dhënies së asistencës përgjatë procesit të realizimit të Kadastrës Fiskale në çdo hap të tij, duke siguruar informacionet që lidhen me objektin e Memorandumit si dhe merr përsipër që bazuar në eksperiencën e saj mbi funksionimin e Kadastrës Fiskale në Republikën e Kosovës, të ofrojë asistencë lidhur me infrastrukturën ligjore që aplikon për administrimin dhe mbledhjen e taksës së pasurisë së paluajtshme.Ministrat Hoti dhe Ahmetaj takimit të përbashkët në Tiranë, ku pjesë e delegacionit ishin edhe drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore Sakip Imeri, u.d. drejtori i përgjithshëm i Doganës Fahri Gashi, si dhe drejtori i Departamentit të Tatimit në Pronë Shkelzen Morina shprehën gatishmërinë e ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit për funksionalizimin e pikës së përbashkët Doganore në Portin e Durrësit dhe shkëmbimin e eksperiencave dhe informacioneve nga fushëveprimi i doganave dhe administratave tatimore të të dyja vendeve. Ministri Avdullah Hoti tha se “Në këtë takim u bë e ditur se është bërë progres në shumicën e çështjeve që janë dakorduar gjatë takimeve të mëparshme ndërmjet dy ministrive, gjithashtu kemi identifikuar disa çështje, për të cilat pritet një intensifikim më i shtuar siç është luftimi i ekonomisë jo formale, krijimi i lehtësirave të ndërsjella për zhvillimin e bizneseve si dhe krijimin e një pike të përbashkët Doganore në Portin e Durrësit si masë për qarkullim më të shpejtë të mallrave të cilat hyjnë në Shqipëri dhe kanë destinacion Kosovën dhe për këtë falënderoj edhe ministrin Arben Ahmetaj dhe Qeverinë e Shqipërisë për gatishmërinë që po na ofron në këtë drejtim”.Ministri Avdullah Hoti gjithashtu bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për krijimin e një klime më të favorshme për të bërë biznes dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në mënyrë që sektori privat si promotor i zhvillimit ekonomik i të dy vendeve të merr një kahje më të mirë zhvillimore.Ndërsa, ministri i Financave i Republikës së Shqipërisë, Arben Ahmetaj duke i uruar mirëseardhje Ministrit Hoti, në emër të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë u shpreh se takimet e tilla çdo herë janë frytdhënëse dhe në dobi të të dyja vendeve.“Shqipëria dhe Kosova nuk janë dy tregje. Ne kemi bërë hapa konkretë në funksion të unifikimit të tregjeve tona, rritjes së volumit tregtar dhe nxitjes së shkëmbimeve dypalëshe”, shtoi Ministri Ahmetaj.Ai gjithashtu shtoi se “Sistemi i Përbashkët i Tranzitit, i finalizuar në dhjetor 2016, përmes ndërlidhjes automatike të sistemeve elektronike, u mundëson tashmë bizneseve nisjen e një procedure tranziti në territorin e Shqipërisë apo të Kosovës dhe mbylljen e tij në vendin tjetër, duke shmangur kontrollet e panevojshme kufitar dhe reduktuar ndjeshëm kohën dhe kostot për sipërmarrjen”.Ndërsa, sa i përketë nënshkrimit të Marrëveshjes për bashkëpunimin mbi realizimin e kadastrës fiskale, ministri Arben Ahmetaj tha se “Sistemi i katastrit fiskal është një mundësi e mirë . Kjo ndihmonë Shqipërinë për një administrim më të mirë dhe u jep vlerë pronave të Shqipërisë. Unë dua të kopjoj Kosovën për sistemin e fiskalizimit të pronave”, ka thënë ndër të tjera Ahmetaj. Gjatë ditës po ashtu të dy ministrat vizituan edhe pikën doganore në Portin e Durrësit, ku bënë të ditur se Dogana Shqiptare, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë filluar një projekt të përbashkët për hapjen e Zyrës së Operimit të Doganës Kosovare pranë Degës së Doganës Durrës. Ministri Hoti dhe Ministri Ahmetaj këtë pikë doganore e cilësuan si projekt me shumë rëndësi sidomos për qarkullim më të shpejtë të mallrave të cilat hyjnë në Shqipëri dhe kanë destinacion Kosovën.
Konferenca e fundit për shtyp si kryetar shteti e Presidentit Obama
Presidenti në ikje i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama u shpreh të mërkurën se, presidenti i zgjedhur Donald Trump mund të mos i ndjekë këshillat e tij për disa çështje, duke qenë se i fitoi zgjedhjet dhe duke i kundërshtuar ato. Obama deklaroi se, me të marrë detyrën, Trump do të përballet me “kompleksitetin” e këtyre çështjeve dhe ka gjasa që opinioni i tij të ndryshojë, si për Obamacare dhe reformën e punës. Në një konferencë për shtyp, e fundit si kryetar shteti, Obama i cilësoi bisedat telefonike të zhvilluara me Trump si “konstruktive” dhe në disa raste “të gjata”.Obama tha se, këshilla më e mirë që mund të jeptë Trump, – dhe që ia ka dhënë,- është të mbështetet tek stafi i tij. “Është një punë me një magnitudë aq të fortë, saqë nuk mund ta bësh dot i vetëm”, u shpreh Obama. Konferencën Obama e hapi duke mbrojtur mediat e atashuara pranë Shtëpisë së Bardhë, duke thënë se gazetarët që mbuluan aktivitetet e administratës së tij ishin një aspekt i rëndësishëm i funksionimit të demokracisë. “Ne u japim llogari atyre që na kanë sjellë këtu. Dhe ju e keni bërë detyrën”, tha Obama për reporterët. “Nuk është nevoja të jesh servil, duhet të jesh skeptik”, vijoi ai. Fjalët e presidentit të parë me ngjyrë të Amerikës ishin një kontrast ndaj atyre të Trump, i cili akuzoi strukturat e shtypit pranë Shtëpisë së Bardhë për raportim të “lajmeve të rreme”. Më tej, Obama preku edhe marrëdhëniet me Rusinë, të cilat pas konflikteve në Ukrainë dhe Siri kanë prekur minimumin historik. “Mbajtja e marrëdhënieve konstruktive me Rusinë është një prioritet për SHBA dhe në interes të gjithë botës. Por me Putin ka patur një përshkallëzim të ndjenjës anti-amerikane”, theksoi Obama. Nuk mungoi edhe një përgjigje sa i takon Bradley Manning, ndihmësi i themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, i cili po shkon drejt lirimit. “Manning ka shlyer një dënim të ashpër në burg, një dënim që nuk ishte në proporcion me krimin. E kam shqyrtuar me imtësi rastin e tij”, tha Obama, duke shtuar se mesazheve të Assange në rrjetet sociale, nuk ua vë veshin. Ndryshe nga parardhësi i tij, George W. Bush, Obama e mbyll mandatin e tij me një rritje thuajse rekord të aprovimit. Një sondazh i CNN/ORC, i publikuar të mërkurën tregoi se 60 për qind e amerikanëve e aprovojnë punën që ai ka bërë si president.
Kosovë-Thaçi falënderon Biden
-Presidenti Thaçi falënderon zëvendëspresidentin e SHBA Biden për angazhimin për evitimin e tensioneve mes Kosovës e Serbisë/
PRISHTINË, 19 Janar 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në rajon.Presidenti Thaçi ka falënderuar zëvendëspresidentin Biden për angazhimin e menjëhershëm të tij, por edhe të SHBA-së që të evitohen tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë.“Ju faleminderit që keni dërguar te të gjitha palët porositë që duhet të evitohen sjelljet që nxisin tensione”, është shprehur në këtë telefonatë presidenti Thaçi, cituar në njoftimin e dërguar mbrëmë vonë nga Presidenca e Kosovës.Presidenti Thaçi ka shtuar se dialogu dhe bashkëpunimi janë e vetmja rrugë përpara për Ballkanin Perëndimor.“Jemi të përkushtuar për dialog, për normalizim, për pajtim”, u shpreh presidenti Thaçi./b.j/
Histori Shqiptaro-amerikane: A do të bashkohet Olsi Rama me familjen?
Olsi Rama, është një i ri shqiptar, shumë i talentuar që jeton në Elmwood Park të Ilinois-it dhe stërvitet për të arritur rezultate të kënaqshme në sportin e peshëngritjes. Historia e 18-vjeçarit Olsi, ka zënë faqet e një prej gazetave më të rëndësishme në SHBA si, “Chikagotribune” për arsyen e vetme se, prindërit e tij shqiptarë, bashkë me motrën janë dëbuar tashmë nga Shtetet Bashkuara të Amerikës, për shkak se ishin emigrantë të jashtëligjshëm, ndërsa Olsi duke qenë se ka lindur atje, është detyruar të jetojë i vetëm. “Prindërit e mi, tani jetojnë në një vend tjetër. Ata erdhën në Amerikë pa dokumente, bashkë me motrën time, kur nëna ishte shtatzënë me mua. Unë kam lindur këtu dhe kam shtetësi amerikane. Prindërit e mi u kthyen sërish në Shqipëri pas 10 vitesh qëndrim këtu” tregon Olsi. Duke treguar pasionin për mundjen, i riu thotë se, e ndan atë me vështirësitë e të jetuarit vetëm dhe pa mbështetjen e familjes. Ai pranon se takohet çdo verë me familjen e tij, prindërit Ferrick dhe Natasha Rama dhe motrën 20-vjeçare Lediana, por kaq nuk mjafton. Ajo që ata humbasin janë garat e tij të mundjes, ku Olsi premton shumë. Vetëm nga garat dimërore ai ka arritur të renditet i nënti në Ilinois, një rezultat shumë i mirë, sipas trajnerit të tij. Megjithatë, Olsi shprehet se nuk e di nëse në të ardhmen do vazhdojë t’i përkushtohet pasionit të tij për këtë sport, pasi dëshiron të ndjekë edhe studimet e larta për inxhinieri elektrike ose finance. Dëshira e tij më e madhe është që të rritet sa më shpejt dhe të mbushë 21 vjeç, atëherë kur ka të drejtë të kërkojë edhe bashkim familjar. “Sytë e prindërve të mi janë tek unë. Ata krijuan gjithë këto mundësi për mua dhe unë dua të bashkohem me ta”,- thotë djaloshi shqiptaro-amerikan, Olsi Rama.(SHK)
KERKOJNE LIRIMIN E HARADINAJ, LULE TEK VARREZAT E DESHMOREVE
Aleanca e Gruas së Kosovës (AGK) e prirë nga kryetarja z.Magbule Shkodra së bashku me nëna, motra, bija nga mbar Kosova, sot ne shenjë solidarizimi dhe në kërkim të lirimit të plotë të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) z.Ramush Haradinaj vendosen kurora lulesh në varrezat e dëshmoreve në Gllogjan.