• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Platformë kombëtare, sa nuk është bërë vonë!

January 14, 2017 by dgreca

Kosovë-Lëvizja për Bashkim: Platformë kombëtare, sa nuk është bërë vonë!/PRISHTINË, 14 Janar 2017-Gazeta DIELLI/ Lëvizja për Bashkim, e drejtuar nga Valon Murati, ministër i Diasporës në Qeverinë e Kosovës, deklaroi sot:

Serbia po e realizon edhe një projekt të saj shtetëror në veriun e Kosovës: atë të rrjetit hekurudhor të Serbisë!
Sot ajo edhe praktikisht e ka nisur qarkullimin e trenave në këtë pjesë të Kosovës!
I gjithë opinioni shqiptar është i shqetësuar dhe plot pezëm! Në të njëjtën kohë të gjithë i ka kapluar një gjendje stepjeje dhe pamundësie për t’u kundërpërgjigjur! Edhe qytetarët, edhe institucionet, edhe të gjitha partitë politike e madje edhe shoqëria civile të vetmen formë të reagimit e kanë ofshamën, sharjet e fajësimin e njëri-tjetrit për këtë gjendje!
Në realitet, gjendja e tillë nuk është pasojë e pamundësisë për t’iu përgjigjur politikës serbe, por është drejtpërdrejt pasojë e një politike të gabuar të ndjekur përgjithësisht që nga paslufta e këtej!

Shqiptarët, nëse duan vërtet t’i përgjigjen siç duhet Serbisë, apo nëse duan t’i realizojnë synimet e veta dhe të ecin përpara, duhet urgjentisht që përmes përfaqësuesve të vet të mblidhen e ta hartojnë platformën kombëtare për të dalë nga kjo situatë dhe për ta filluar një jetë të mirëfilltë politike e zhvillimore!
Përndryshe, treni është vetëm hyrje në synimet e përgjithshme të Serbisë ndaj Kosovës!
Kështu, siç jemi, të çorientuar dhe të përçarë, Serbia i realizon pa probleme të mëdha synimet e veta!

Lëvizja për Bashkim
14.1.2017

Filed Under: Komente Tagged With: Levizja per Bashkim, Pa kufij

Njerëz të fjalës

January 14, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Njerëz të fjalës. Ka mbi disa ditë që mbetët duke ia nxjerrë sytë shoku-shokut. Edhe pse e dini fare mirë që jeni po aq fajtorë sa shefat tuaj. Po aq bashkmëkatarë sa ata. Dhe që i meritoni edhe vetë ato për të cilat akuzoni, ish shokët tuaj, ish shefat tuaj, ish bashkluftëtarët tuaj. Dhe sot anasjelltas, jo më shok, jo më shef, jo më bashkluftëtar. E për më keq, as gazetarë.

Mendimi juaj ky, jo imi.
Eshtë për të ardhur keq që acarit politik të këtyre viteve, po i bashkangjitet edhe acari i gazetarisë. Një lloj lufte paralele, e cila pa asnjë diskutim. Po e dobëson më shumë Shqipërinë tonë.
Indinjatat e grupeve për mos rilidhje kontrantash të përfunduara. Ku pas kuintave të një shoqërie kaos. Një i liruar nga puna, i përgjigjet me foto pranë oxhakut. Duke na e treguar veten si viktima më e pafajshme e demokracisë sonë. Një lloj qaramanie që ne vdesim ta tregojmë. Na bien më qafë kot. Shih se si ma punuan. Shih sa të poshtër që janë. Deri dje ishim shokë. Sot ma futën. Pse, se ja i telefonoi ai nga sipër etj. Fushata është përpara. Duhen të tjerë njerëz etj.
Kjo është më se normale në demokracinë shqiptare. Nuk është një risi që u shpik sot. Zotat janë ata që lëvrojnë paratë. Dhe këto para të pamerituara. Në atë ekonomi 100% informale. Janë ekzistenca e çdo lloj editori, shtypshkronje. Apo të tjera ngrehina të cilët bosët tuaj. Dhe ju i konsideroni si progres shqiptar. Në të vërtetë, janë kanceri shqiptar. Vatra ku buron rroga juaj, por dhe fama juaj. Pasi për moral as që bëhet fjalë fare. Gjithçka tjetër u duket më se e drejtë, pavarsisht se tek-tuk kritikoni sistemin, mjaft që çatia juaj të mos pikojë. Por ja që sistemi kafshon, urdhëron, të zbyth, të shburrëron. Të nxjerr në anë të rrugës me koshat e plehrave.
Edhe pse një vit më përpara të dha medalje nderi.
Edhe pse një vit në përpara ti u vrave për atë.
Le të përmendim disa gropa të tjera të demokracisë sonë.
Të paktën ju kemi mundësi zgjedhje, pasi u mbaron kontrata. Kemi bërë nga një vilë. Dhe keni rezervuar nga një apartament në Golem, si shtëpi verore. Dhe e fundit fare … për hatër të asaj devotshmërie mëngjarashe. Me mangësi morale nga profesioni. I keni ca numra llogarie bankare. Ca meleona. Në mos ju drejtpërdrejtë, gratë tuaja.
Kjo falë sistemit. Lojës së shefave tuaj, me lejet e ndërtimit, me televizionet kërpudha. Me metodat e Kremlinit si aferat e kamerave të fshehta etj. Me shantazhin ballas. Mjaft që shefi tu paguaj mirë.
Ka pena shqiptare që për hatër të shefit, i kanë kujtuar kolegut edhe varrin e të birit. Kjo është makabre. Kjo nuk është shqiptare. Megjithatë ka ndodhur tek ne.
Dhe ta dini, kultura e shtypit tonë nuk është sa maja e thojit, e shtypit, e kolegëve me njëri-tjetrin si ajo e kohës së Branko Merxhanit.
Sikur edhe nesër Klani, ta pushojë nga puna Fevziun. Me aq reklamë sa i ka bërë. Me aq pompozitet librash. Sa armatave të tjera të krijuesve. U kërkohen maska kundragazi tek dera e televizioneve, gjoja si bartës të kolerës. Edhe pse janë taksa pagues. Dhe qytetarë të ligjit për shpërndarjen e taksave. Prapë nuk kanë asnjë sekondë reklamë në 5 vjetë. Jo më 5 orë reklamë javë. Pra sikur nesër ta heqi. E verteta është se e ka paguar, superpaguar. Aq sa madje pafrikë mund të jetojë në resorset e Turqisë një pensionim shekullor.
Në një rast të tillë askush nuk pyet për moralin e profesionit. Sedrën përballë parave të taksave paguesve. Mbytjen që i bëjmë hapësirës reale të fjalës. Apo kulturës tonë kombëtare në përgjithësi.
Pa zënë në gojë mendimin ndryshe.
Vetëm aty nuk duhet kund mendimi ndryshe, por vetëm ai i shefit.
Megjithatë, po e përsëris, se, sikur nesër nga puna ta pushojnë Fevziun. Njerëzit prapë Klanin do mallkojnë.
Eshtë një çudi shqiptare kjo, që merren me raportet midis njerëzve. Dhe jo me firot nga realiteti i mbrapshtë.
Vdesim për atë që po na i lëron arat. Vdesim për të qënë ithtarë për inat të mullixhiut.
Mirëpo sa gazetarë të tjerë nuk kanë asgjë. Veç barrierave të gardheve nga pushteti juaj absolut. Sa arsimtarë me lopata presin plot ankth trukun e ministrit të radhës. Për një testim, a një vend pune me ”sakrificë” partiake. Dhe aspak profesionale.
Dhe në fund të vitit. Kanë veç nga një palë brekë. Dhe u luten ëngjujve të tyre, për nga një rrogë shpërblim. Ndërkohë ata që punojnë në shkollat periferike, u duhet të depozitojnë shurrën për shkak të mungesës së banjove etj.
Ky është shteti ynë. Kjo është demokracia jonë. Ku shqiptari po e ha shqiptarin.
Shtypi jonë ka disa shoqata që herë më herë bëjnë deklarata. Dhe vetëm kaq. Por edhe në Turqinë e errët. Aty ku sot arrestohen gazetarë. Ka jo solidaritet, por pushim absolut të shtypit. Kështu edhe në Greqi. Ju nuk e bëni. U mjafton ajo keqardhje me lirizëm xhami nga dritarja e zyrës. Ndërkohë i bindeni unanimisht shefave të kapur. Dhe më e keqja akoma, zbuloni mangësitë e demokracisë sonë kur u lëndohet sedra e juaj. Në fakt jeni aty misionarë të shoqërisë. Që i falet një informaliteti me shumicë. Një varfërie të skajshme. Një shoqërie me mundësi fare të pakta për të zgjedhur.
Ku statuti i nënpunësit. I çdo të punësuari është thjesht një paçavure higjenike. Pasi kemi me shumicë, jo punëdhënës. Por bejlerë që po patën ndonjë qindshe në xhep, u japin pagë popullit. Po nuk patën, puthu me Milon.
Çfarë tjetër mund të përmend?
Eshtë kohë plot gropa.
Kohë kasetash fushatash.
Kohë e ikjeve.
E përsëris, koha kur shqiptari po e ha shqiptarin.
Dhe pasdikutim pjesë e këtij mëkati janë edhe njerëzit e fjalës.

14 janar 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, Njerëz të fjalës

Drejtësi në Hagë

January 14, 2017 by dgreca


1 krimet e serbeve ne kosove
Tregim nga Lek Gjoka/Zilja e mbarimit të mësimit të drekës se si iu duk Hasimes si më e trishtë jo si gjithmonë. Studentët e shkollës së mesme gjithë zhurmë dilnin me vrull nga klasa dhe drejtoheshin nga kafja e shkollës për të ngrënë
drekën. Radha e gjatë dhe e sikletshme e studentëve e shqetësoi më shumë se duhet. Kur radha mbaroi doli për pak çaste nga kafja. Në një cep papritmas sytë i shkuan tek televizori. Fërkoi me duar se mos ishte në ëndërr.
– Oh zot! – psherëtiu me vehte kur pa me dhjetëra forca policë që kishin rrethuar një ndërtesë të vogël në Southsajd blvd. Papritmas në një cep të televizionit dalloi foton e Sefës djalit të tij të madh, që asnjëherë që kur ushtria serbe i vrau babain dhe hallën, nuk kishte qetësi shpirtërore. Poshtë fotos së tij dy fotografi të te te  njëjtit person sikur e turbulluan fare. Dy pika loti i
vërshuan me shpejtësi në faqe. E njohu menjëherë Dragan Gjogiqin vrasësin e burrit dhe të kunatës. Me dhjetëra vite kërkohej në Evropë nga Gjykata e Hagës për krimet në Kosovë dhe u çudit se si kishte hapur biznes mu në mes të Floridës.
– Hasime, Hasime! – dëgjoi pas krahëve zërin e drejtoreshës së shkollës. Ajo ktheu kokën nga ana e zërit dhe foli me një frymë.
– Më kërkon policia jashtë.
– Po, diçka jo lajm i mire.
– E, di e di!
– Djali yt Sefa ka rrëmbyer një biznesmen në Southsajd
blvd. dhe e kërcënon se do ta vrasë. Keni pasur probleme me kënd sepse Sefa me është dukur djalë i urtë si e bëri ai këtë punë?
– Okej, zonja drejtoreshë. Po iki tek policia se po më pret. Biznesmeni që im bir ka marrë peng është ushtarak serb që Sefës i ka vrarë babain
– Çfarë, është kriminel lufte?
– Jo vetëm babain por edhe hallën pasi e përdhunoi e vrau. Djali ishte i vogël dhe ishte fshehur tek stalla e bagëtive dhe ka parë gjithë skenën tragjike. Më fal se më duhet të largohem. Më duhet ti mbush mendjen Sefës të mos bëhet vrasës si Dragani. Le ta dënojë Haga për gjitha ato krime lufte që ka bërë me shqiptaret etnike të Kosovës.
U nis ngadalë drejt makinave të policisë. Drejtoresha u çudit dhe u mallëngjye njëkohësisht nga fjalët prej burrneshe të Hasimes.
– Pritni, pritni! – iu thirri me të madhe policëve dhe u nis drejt makinës ku kishte hyrë Hasimja…
Me të arritur në Southsajd blvd. ndërtesa ishte rrethuar e tëra nga makinat e policisë. Snajperët ishin në gatishmëri. Hasimja zbriti ngadalë nga makina e policisë dhe u nis drejt ndërtesës. Disa policë u nisën nga pas por ajo ju bëri me shenjë që të mos e ndjekin nga pas dhe shefi i policisë iu tha të ndalojnë.
– Çdo gjë do përfundojë paqësisht! – iu drejtua ajo policëve – djali im nuk është terrorist.
Sa hyri në ndërtesë një grup gazetarësh u nisen drejt zonjës Smith drejtoreshës së shkollës.
– Zonja Smith, drejtoreshë Smith! – i thirri nga larg një
gazetar i Njuz 25 i cili e kishte pasur mësuese në shkollë të mesme, – çfarë ka ngjarë që ju jeni në një makinë policie më nënën e një terroristi?
Ajo e shikoi pak si me inat dhe pa pritur pyetje tjetër shpërtheu me force:
– Kujdes me fjalorin. Ai nuk është terrorist por…
– Si nuk është terrorist, ai është një emigrant që ka marrë peng tre persona dhe ndoshta mund ti ketë vrare! – e ndërpreu një gazetare tjetër e Njuz 4
– Nuk ka vrare askënd. Është një djalë i ri që në fëmijërinë e tij ka përjetuar një tragjedi të tmerrshme familjare.
– Çfarë tragjedie? Çfarë hyn ajo në këtë mes?
– Si nuk hyn, personi që i shkaktoi tragjedinë duke i vrarë babain, përdhunuar dhe vrarë hallën në Kosovë është një ish ushtarak i ushtrisë së ish-Jugosllavisë që kërkohet në Hagë për krime lufte por ai me emër të rremë me paratë e grabitura në lufte ka hapur biznes mu në mes të Floridës ndaj…
Turma e gazetarëve e la në mes drejtoreshën dhe u nis
me vrap nga hyrja e ndërtesës ku dolën katër persona
bashkë me Hasimen dhe dhjetëra policë. Njëri një tullac
rreth të gjashtëdhjetave ishte i lidhur me pranga. Hasimja me Sefën u nisën si me vrap pa folur drejt makinës së policisë dhe hynë brenda. Një djalë moshatar me Sefën bashkë me shoqen e tij u ndalen tek gazetaret e shumtë.
– Sa terror përjetuat në këtë rrëmbim disa orësh, – iu
drejtua një gazetar i Njuz 25.
– Nuk përjetuam aspak terror! – ia ktheu vajza.
– Si quheni, dhe nga jeni? ! – e pyeti një tjetër.
– Më quajnë Tatjana, jam nga Serbia . Me Markun të dashurin tim nga Shqipëria erdhëm me shokun e tij Sefën shqiptar nga Kosova kur Dragani në polemike e sipër me Sefën mori pistoletën dhe desh ta vriste
– Si nisi polemika?
– Sefa e njohu vrasësin e babait dhe të hallës.
– Si e njohu, shumë njerëz mund të ngjasojnë?
– Sigurisht që ngjasojnë por fytyrën e një vrasësi e mban
lehte në kujtesë. Gjithashtu ai i kishte përdhunuar dhe vrarë hallën e tij vetëm njëzet e tre vjeçe, madje i kishte marrë edhe medaljonin që ia kishte dhuruar vëllai i saj që jetonte në Gjermani kur kishte mbushur njëzet vjeç, ai medaljon ishte molla e sherrit mes tyre dhe Dragani e kujtoj saktësisht ngjarën dhe…
– Çfarë?
– I tha Sefës të kam vrarë e përdhunuar në Kosovë në shtëpinë tënde, tani ma solli fati të te vras edhe ty në Florida dhe mori pistoletën nga një sirtar dhe e mbushi.
– Si ka mundësi që nuk ka të vrarë?
– Sepse i dashuri im Marku iu hodh përsipër dhe atij i rrëshqiti pistoleta të cilën sa hap e mbyll sytë e mori Sefa dhe…
Pa mbaruar mirë fjalën Tatjana gazetarët u nisën me vrap nga ana e shefit te policisë i cili iu tregoi fill e për pe gjithë ngjarjen.
– I arrestuari! – e pyeti si me vrull një gazetar, – do të vuaj dënimin në Florida për tentative vrasjeje.
– Jo, jo, ai do të dërgohet në Hagë sepse…
– Përse në Hagë kur ai ka kryer një krim në Florida! – e ndërpreu një gazetar tjetër.
– Sepse më parë duhet të përgjigjet për krimet e luftës
që ka bërë në Kosovë sepse më qindra jetë që ai ka marrë nuk do prehen të qetë në varre derisa të ketë drejtësi në Hagë dhe brenda një jave ai do të jetë në bankën e të akuzuarve për krime lufte…
Sefa po shikonte pa u shqetësuar lajmet në njuz 25 kur e ëma hyri pa bërë zhurmë në dhomën e tij dhe e përqafoi.
– Të lumtë biri im! – shqiptoi ajo lehtë.
– Nënë, tani sikur më duket se mu ringjall babai dhe halla.
– E di, e di o zemër sepse vonë por drejtësia na troket në derë.
Jashtë nata nuk pranonte të flinte. Nënë e bir bisedonin
dhe lotonin njëkohësisht. Ato ishin lotë dhimbje dhe gëzimi që po udhëtonin në një jetë ku drejtësisë shpesh herë ia ngatërrojnë rrugën…

LEK GJOKA
Marre nga libri me tregime
“PËRROI I DJALLIT”
Tirane 2013

Filed Under: LETERSI

HIJA E FUQISË SË PUTIN-it MBI NJË EVROPË TË DOBËT

January 14, 2017 by dgreca

Shkruar nga ANGELO PANEBIANCO/

E përktheu Eugjen Merlika/

 Mbasi të jenë shqiptuar frazat riruale (“Paralelet historike janë gjithmonë të rrezikëshme”, “Ҫështjet janë të gjitha të ndryshme” etj.) është rasti të  pyetet nëse Evropa, përballë Rusisë së Putinit, a nuk është në  prag të një situate që na kujton të tjera : psh.atë në të cilën u gjind Athina në shekullin e IV para Krishtit, kur pësoi politikën zgjeruese të mbretit maqedon Filipit II (babai i Aleksandrit të Madh). Nëse krahasimi ju duket disi i çartur, le të marrim në shqyrtim faktet. Për të parën herë në historinë e Shteteve të Bashkuara, një tjetër fuqi e madhe ka ndërhyrë në fushatën presidenciale për të përkrahur, nëpërmjet cyber attack-ve, mikun Donald Trump në dëm të armikes Hillary Clinton. Ndoshta Trump-i thotë të vërtetën kur mëton se nuk është i përfrikësueshëm prej rusëve, ndoshta jo. Edhe në hamëndjen më të mirë, Shtetet e Bashkuara – “Lordi mbrojtës” i Evropës që nga fundi i Luftës së Dytë botërore _ , janë gati të vendosin një partnership të përhershëm me Rusinë. Nuk është e vështirë të kuptohet se kush paguan harxhin. Perëndimi i mundshëm i marrëdhënieve atllantike, ashtu si i kemi njohur, mund të lerë një Evropë të zbuluar, në një pozitë dobësie të madhe e cila mund të shtyhet drejt një marrëveshjeje me rusët, në kushtet e vëna prej tyre. Përgjithësisht, ndoshta  kanë të drejtë ata që mendojnë se politika e Trump-it rrezikon të tërmetësojë sigurinë dhe ekonominë.

Politika e Trump-it (edhe për qëndrimin e tij më shumë pro business se sa pro treg, siç ka shkruar Luigi Zingales mbi Vetëm 24 orë, të 8 janarit), mund të shkallmojë atë sistem të lidhjeve politike, ekonomike e të sigurisë – “bota e lirë” e kohëve të Luftës së ftohtë – për të cilën Shtetet e Bashkuara kishin qënë drejtues dhe garantë. Ndoshta jemi në prag të një ndryshimi rrënjësor gjeopolitik.

Të shohim Rusinë më pas. Është një fuqi kontinentale që, si të gjitha fuqitë kontinentale të historisë, ka parapëlqyer shtrirjen tokësore kundrejt asaj tregëtare, e mësuar prej shekujsh të imponohej mbi fqinjët, duke ushtruar fuqinë ushtarake kur ishte nevoja. Historia e kultura e shtyjnë n’atë drejtim. Duke marrë Krimenë me forcë (duke dhunuar kështu rregullin, mbi të cilin është themeluar paqja n’Evropë, sipas të cilit ndryshime të mundëshme të kufinjve duhet të kryhen në mirëkuptim), ka respektuar traditën, ka bërë atë që prej kohësh bënin si carët ashtu edhe kryetarët sovjetikë. Sigurisht Putin ka kundërvepruar edhe kundrejt gabimeve të vlerësimit dhe arrogancës perëndimore, por kjo nuk mjafton për të fshehur faktin se udhëheqja ruse vepron duke zbatuar prej shekujsh të njëjtën mënyrë : valëvit rrezikun e “rrethimit ndërkombëtar”, për të justifikuar imperializmin tokësor e për të siguruar miratimin e brëndëshëm. Politika e saj e jashtëme pasqyron historinë e një Vendi që nuk ka njohur kurrë demokracinë liberale. Sot, thuhet, ndoshta ka arritur me Putinin më të mirën e demokracisë që mund t’i lejohet. Por bëhet fjalë për një demokraci autoritare, jo liberale, që fshin me forcë kundërshtarët e brëndshëm më të frikshëm. Mbasi, siç thonë ekspertët e çështjeve ruse, sidoqoftë Putin është më i miri i sheshit, merret me mënd se çfarë mund të bëhet Rusia mbas tij, një fuqi kontinentale jo liberale dhe një rrezik për lirinë e fqinjëve të saj.

Të shqyrtojmë së fundi Evropën. Është e ndarë, e hutuar, e trembur. Integrimi i saj është në rrezik shkërmoqjeje për shkak të rritjes së fuqishme, në brendësinë e saj, të forcave kundëreurodashëse. Pëson sulmin e terrorizmit islamik. E mësuar për shtatëdhjetë vjet të pajtojë sigurinë e saj tek Shtetet e Bashkuara, nuk është në gjëndje t’a përballojë vetë. Kur të arrijë çasti i duhur, Putin do të jetë i gatshëm t’i ofrojë Evropës jo vetëm marrëveshje të leverdisëshme tregëtare, por edhe ndihma kundër terrorizmit. Kjo ofertë do të duket e besueshme, duke mbajtur parasysh rolin që ka fituar Rusia në Lindjen e Mesme. Të vënë përballë mundësisë që një fuqi kontinentale jo liberale, gjeografikisht e afërt, të përzerë pak nga pak si “Lord mbrojtës”, fuqinë e vjetër liberale, evropianët do të ndahen mes pro rusëve e kundër rusëve. Partia proruse është që tani shumë e fuqishme n’Evropë (Putin e miklon e, pjesërisht e mban me para). Është ushqyer nga dy rryma, kundër amerikanizmi tradicional i të majtave të vjetra e të reja dhe nga i ashtuquajturi “sovranizëm” i keqdashësve të Evropës : fuqitë e kundërta me Bashkimin evropian janë, pothuaj të gjitha rusodashëse. Në Francë, jo vetëm Marine Le Pen, por edhe favoriti i zgjedhjeve presidenciale, republikani Fillon, është filorus. Duhet shtuar se partia pro ruse është e mbështetur nga një bashkëlidhje e gjërë interesash ekonomike, e cila ka pësuar sanksionet për Krimenë dhe don të bëjë marrëdhënie lirisht me Rusinë. Partia e kundërt, mbi të gjitha ushqehet nga ata Vende (Polonia, Balltiket, etj.) që kanë pësuar deri pak dhjetëvjeçarë më parë imperializmin e Rusisë dhe i ndruhen një rritjeje të re të ndikimit të saj politik.

Si në rastin e athinasve të shekullit të katërt, do të ketë evropianë që do të hipin në qerren e fituesit e të tjerë që do të kërkojnë t’i bëjnë qëndresë, duke i kujtuar bashkqytetarëve të tyre, siç bëri oratori i madh Demosteni, se të pranosh kushtet e vëna nga një fuqi autoritare do të thotë që, shpejt a vonë, të vesh në rrezik liritë e tua.

Nuk bëhet fjalë të mohohet se ndonjë formë bashkëjetese me Rusinë duhet kërkuar. Por bëhet fjalë të kuptohet se Rusia dhe Amerika nuk janë të barazvlefshme e të arrihet një marrëveshje me të parën, pa mbrojtjen e sigurinë e së dytës, do të thotë t’i nënështrohesh përgjithmonë idesë për të patur një Evropë të dobët e të ndarë (integrimi evropian nuk i leverdis rusëve) dhe subjekt të trysnisë nga një botë iliberale. Është jetike që evropianët të jenë plotësisht të vetëdijshëm për ndryshimin gjeopolitik që ka për karrem perëndimin amerikan dhe që shpejtohet nga zgjedhja e Trump-it dhe nga Brexit.  Për të mos qenë të papregatitur, për të kërkuar t’i rrëmbejnë amerikanëve më të shumtën e garancive politike, kur Trump dhe Putin do të përpiqen të merren vesh.

“Corriere della Sera”, 13 janar 2017

E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: ANGELO PANEBIANCO, Eugjen Merlika, EVROPË TË DOBËT, HIJA E FUQISË SË PUTIN-it, MBI NJË

TË TAKOHESH SËRISHT ME PAPA FRANÇESKUN…

January 14, 2017 by dgreca

                                                                  – mbresë /

1 Visari me Papennga Visar Zhiti/ Të takohesh përsëri me Papa Françeskun, të shtrëngosh duart me Shenjtërinë e Tij, të vështrohesh në sy, të prarohesh nga drita e vështrimit të tij, e mirësisë, ku pëziehen një si ngazëllim qiellor dhe përkushtimi përdëllyes i Bariut, të shkëmbesh disa fjalë, ku Ai menjëherë të thotë atë që të duhet, edhe pse çastet pranë tij janë tejet të pakta, megjithatë ato të japin ndjesinë e një përjetësie biblike tënden…                                                                                                                  Në atë copëz rruge nga ku ti je nisur nga ana ku rrinte Trupi Diplomatik, teksa i afrohesh Atij, që po pret në këmbë, i bardhë, i qirinjtë, i ëndërrt, ndërkohë e ndjen dhe si një Mik të hershëm, të kapin emocione të veçanta dhe një përgjegjësi e bukur, superbe.                                                                                                                   Po shkon drejt Tij si qytetar shqiptar, përfaqësues i vendit tënd, mbart me vete nga kumtet shekullore, pëshpërima liturgjike buzukiane, hedh dhe një hap tjetër, në vend të dekoratave që të tjerët përreth kanë plot, ti e mbush gjoksin me dhimbjen e plagëve të martirëve të vendit tënd, ke dhe Fishtën, “Lahutën e Malcis” anglisht, krah teje të shoqërojnë përunjësisht imazhet e dy kardinalëve shqiptarë, me të cilët ke qenë në ferrin e diktaturës si bashkëvuajtës, vazhdon të ecësh, të lëbyrin sytë buzëqeshjet magjepsëse të Shenjtores tonë Nënë Tereza përhapur nëpër ajër si flatra pëllumbash, një hap tjetër, shungëllojnë muret e tempujve të ringritur, lëvizin ikonat me të kuqen e kardinaltë onufriane, ndjen besën dhe vëllazërinë proverbiale midis feve në vendit tënd, të kapllojnë shqetësime të tanishme, ecja të rëndohet, mbi supe ke tragjedinë tënde, kurse nëpër këmbë si gracka të përshfaqen ligësitë e shkaktarëve, të pjellave vrastare, fyerjet, hapat hutohen, përbaltjet e klanit presidencial të republikës së banalitetit, heshtja pikëlluese e popullit, braktisjet, guri sizifian i mundimit, dashuria e atyre që vetëm dinë të duan, etj, engjëlli mbrojtës vetmitar që prin, gjenerata e engjëjve ringjallëse e atdheut, ku jeni?…  ndërkaq ti ke arritur para Papa Françeskut, ndal aty duke u përkulur lehtë… Shenjtëria e Tij po të priste, të sheh, të kupton menjëherë, të jep dorën, atë dorë që e kanë shtrënguar mijëra e mijëra njerëz nga kudo, anonimë e të shquar, edhe nga vendi yt, fëmijë e të moshuar, varfanjakë, artistë, burra shtetesh nga të gjithë kontinentet, krerë të feve, etj, etj, ndërsa Ai me ato duar ka larë dhe këmbë të burgosurish çfardo, këmbët e vuajtjes, të njeriut, të penguara, të vrara, të ecjes së njerëzimit, por tani Ai është me ty, për ty i gjithë dhe ti e ndjen se duhet të thuash diçka në emër të asaj që je, që nuk ia ke thënë më parë, e dua Shqipërinë, të thotë Ai sërisht, por që kumbon e re, e veçantë, zëri të nëpërmend meshat e Tij të shenjta e ti merr zemër e i thua se aq sa bëtë Ju, Shenjtëria Juaj, vitin që shkoi, për shqiptarët dhe kishën e tyre, sa ç’ka bërë Selia e Shenjtë tani për Shqipërinë, etj, nuk ishin bërë për 1.000 vjet, 2.000 vjet dhe Ai qesh me zë, Ju jemi mirënjohës, shton ti dhe Ai zgjat krahët e kap fort të tutë e ti ndjen ngrohtësi apostolike të Atij që sot është udhëheqësi më i fuqishëm moral i botës. Do të doje të vazhdoje t’i thoshe se bota është bërë më e mirë me Ju, por duhet të largohesh që të vijë tjetri në takim pas teje, i një vëndi tjetër, por atë që ti s’arrite t’ja thoje dot, e përplotëson jot shoqe me përqafimin që i jep Papa Françeskut si një Marie e veshur me të zeza. Dhe teksa ikni, shikoni në dritaret e mëdha mikelanxheleske vegimin e Birit, të Krishtit në Qiell. Amen!

Filed Under: Featured Tagged With: Papa Françeskun, TË TAKOHESH SËRISHT ME, Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2269
  • 2270
  • 2271
  • 2272
  • 2273
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT