Tregim nga Lek Gjoka/Zilja e mbarimit të mësimit të drekës se si iu duk Hasimes si më e trishtë jo si gjithmonë. Studentët e shkollës së mesme gjithë zhurmë dilnin me vrull nga klasa dhe drejtoheshin nga kafja e shkollës për të ngrënë
drekën. Radha e gjatë dhe e sikletshme e studentëve e shqetësoi më shumë se duhet. Kur radha mbaroi doli për pak çaste nga kafja. Në një cep papritmas sytë i shkuan tek televizori. Fërkoi me duar se mos ishte në ëndërr.
– Oh zot! – psherëtiu me vehte kur pa me dhjetëra forca policë që kishin rrethuar një ndërtesë të vogël në Southsajd blvd. Papritmas në një cep të televizionit dalloi foton e Sefës djalit të tij të madh, që asnjëherë që kur ushtria serbe i vrau babain dhe hallën, nuk kishte qetësi shpirtërore. Poshtë fotos së tij dy fotografi të te te njëjtit person sikur e turbulluan fare. Dy pika loti i
vërshuan me shpejtësi në faqe. E njohu menjëherë Dragan Gjogiqin vrasësin e burrit dhe të kunatës. Me dhjetëra vite kërkohej në Evropë nga Gjykata e Hagës për krimet në Kosovë dhe u çudit se si kishte hapur biznes mu në mes të Floridës.
– Hasime, Hasime! – dëgjoi pas krahëve zërin e drejtoreshës së shkollës. Ajo ktheu kokën nga ana e zërit dhe foli me një frymë.
– Më kërkon policia jashtë.
– Po, diçka jo lajm i mire.
– E, di e di!
– Djali yt Sefa ka rrëmbyer një biznesmen në Southsajd
blvd. dhe e kërcënon se do ta vrasë. Keni pasur probleme me kënd sepse Sefa me është dukur djalë i urtë si e bëri ai këtë punë?
– Okej, zonja drejtoreshë. Po iki tek policia se po më pret. Biznesmeni që im bir ka marrë peng është ushtarak serb që Sefës i ka vrarë babain
– Çfarë, është kriminel lufte?
– Jo vetëm babain por edhe hallën pasi e përdhunoi e vrau. Djali ishte i vogël dhe ishte fshehur tek stalla e bagëtive dhe ka parë gjithë skenën tragjike. Më fal se më duhet të largohem. Më duhet ti mbush mendjen Sefës të mos bëhet vrasës si Dragani. Le ta dënojë Haga për gjitha ato krime lufte që ka bërë me shqiptaret etnike të Kosovës.
U nis ngadalë drejt makinave të policisë. Drejtoresha u çudit dhe u mallëngjye njëkohësisht nga fjalët prej burrneshe të Hasimes.
– Pritni, pritni! – iu thirri me të madhe policëve dhe u nis drejt makinës ku kishte hyrë Hasimja…
Me të arritur në Southsajd blvd. ndërtesa ishte rrethuar e tëra nga makinat e policisë. Snajperët ishin në gatishmëri. Hasimja zbriti ngadalë nga makina e policisë dhe u nis drejt ndërtesës. Disa policë u nisën nga pas por ajo ju bëri me shenjë që të mos e ndjekin nga pas dhe shefi i policisë iu tha të ndalojnë.
– Çdo gjë do përfundojë paqësisht! – iu drejtua ajo policëve – djali im nuk është terrorist.
Sa hyri në ndërtesë një grup gazetarësh u nisen drejt zonjës Smith drejtoreshës së shkollës.
– Zonja Smith, drejtoreshë Smith! – i thirri nga larg një
gazetar i Njuz 25 i cili e kishte pasur mësuese në shkollë të mesme, – çfarë ka ngjarë që ju jeni në një makinë policie më nënën e një terroristi?
Ajo e shikoi pak si me inat dhe pa pritur pyetje tjetër shpërtheu me force:
– Kujdes me fjalorin. Ai nuk është terrorist por…
– Si nuk është terrorist, ai është një emigrant që ka marrë peng tre persona dhe ndoshta mund ti ketë vrare! – e ndërpreu një gazetare tjetër e Njuz 4
– Nuk ka vrare askënd. Është një djalë i ri që në fëmijërinë e tij ka përjetuar një tragjedi të tmerrshme familjare.
– Çfarë tragjedie? Çfarë hyn ajo në këtë mes?
– Si nuk hyn, personi që i shkaktoi tragjedinë duke i vrarë babain, përdhunuar dhe vrarë hallën në Kosovë është një ish ushtarak i ushtrisë së ish-Jugosllavisë që kërkohet në Hagë për krime lufte por ai me emër të rremë me paratë e grabitura në lufte ka hapur biznes mu në mes të Floridës ndaj…
Turma e gazetarëve e la në mes drejtoreshën dhe u nis
me vrap nga hyrja e ndërtesës ku dolën katër persona
bashkë me Hasimen dhe dhjetëra policë. Njëri një tullac
rreth të gjashtëdhjetave ishte i lidhur me pranga. Hasimja me Sefën u nisën si me vrap pa folur drejt makinës së policisë dhe hynë brenda. Një djalë moshatar me Sefën bashkë me shoqen e tij u ndalen tek gazetaret e shumtë.
– Sa terror përjetuat në këtë rrëmbim disa orësh, – iu
drejtua një gazetar i Njuz 25.
– Nuk përjetuam aspak terror! – ia ktheu vajza.
– Si quheni, dhe nga jeni? ! – e pyeti një tjetër.
– Më quajnë Tatjana, jam nga Serbia . Me Markun të dashurin tim nga Shqipëria erdhëm me shokun e tij Sefën shqiptar nga Kosova kur Dragani në polemike e sipër me Sefën mori pistoletën dhe desh ta vriste
– Si nisi polemika?
– Sefa e njohu vrasësin e babait dhe të hallës.
– Si e njohu, shumë njerëz mund të ngjasojnë?
– Sigurisht që ngjasojnë por fytyrën e një vrasësi e mban
lehte në kujtesë. Gjithashtu ai i kishte përdhunuar dhe vrarë hallën e tij vetëm njëzet e tre vjeçe, madje i kishte marrë edhe medaljonin që ia kishte dhuruar vëllai i saj që jetonte në Gjermani kur kishte mbushur njëzet vjeç, ai medaljon ishte molla e sherrit mes tyre dhe Dragani e kujtoj saktësisht ngjarën dhe…
– Çfarë?
– I tha Sefës të kam vrarë e përdhunuar në Kosovë në shtëpinë tënde, tani ma solli fati të te vras edhe ty në Florida dhe mori pistoletën nga një sirtar dhe e mbushi.
– Si ka mundësi që nuk ka të vrarë?
– Sepse i dashuri im Marku iu hodh përsipër dhe atij i rrëshqiti pistoleta të cilën sa hap e mbyll sytë e mori Sefa dhe…
Pa mbaruar mirë fjalën Tatjana gazetarët u nisën me vrap nga ana e shefit te policisë i cili iu tregoi fill e për pe gjithë ngjarjen.
– I arrestuari! – e pyeti si me vrull një gazetar, – do të vuaj dënimin në Florida për tentative vrasjeje.
– Jo, jo, ai do të dërgohet në Hagë sepse…
– Përse në Hagë kur ai ka kryer një krim në Florida! – e ndërpreu një gazetar tjetër.
– Sepse më parë duhet të përgjigjet për krimet e luftës
që ka bërë në Kosovë sepse më qindra jetë që ai ka marrë nuk do prehen të qetë në varre derisa të ketë drejtësi në Hagë dhe brenda një jave ai do të jetë në bankën e të akuzuarve për krime lufte…
Sefa po shikonte pa u shqetësuar lajmet në njuz 25 kur e ëma hyri pa bërë zhurmë në dhomën e tij dhe e përqafoi.
– Të lumtë biri im! – shqiptoi ajo lehtë.
– Nënë, tani sikur më duket se mu ringjall babai dhe halla.
– E di, e di o zemër sepse vonë por drejtësia na troket në derë.
Jashtë nata nuk pranonte të flinte. Nënë e bir bisedonin
dhe lotonin njëkohësisht. Ato ishin lotë dhimbje dhe gëzimi që po udhëtonin në një jetë ku drejtësisë shpesh herë ia ngatërrojnë rrugën…
LEK GJOKA
Marre nga libri me tregime
“PËRROI I DJALLIT”
Tirane 2013