• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova, demokracia, drejtësia

December 17, 2016 by dgreca

1-suzana-tahiriNga Suzana Tahiri/Shteti më i ri i Europës vazhdon të ballafaqohet një varg problemesh, çka u reflektuan edhe në mbledhjen e mesdhjetorit të Parlamentit Europian për Kosovën. Kosova, sipas institucioneve europiane duhet të përmbushë edhe dy kritere në mënyrë që autoritetet e Brukselit të merren me procedurën e liberalizimit të vizave.Kjo u konfirmua edhe në deklaratën e Presidencës Sllovake të BE-së, e cila u publikua në mungesë të një deklarate përfudimtare të Këshillit të BE-së, për miratimin e të cilave nuk u arrit konsensus.

Nga pozita dhe opozita kosovare kërkohet ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe vazhdimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Përtej këtyre kërkesave shoqëria kosovare përballet me papunësi të lartë, me numër të lartë të azilkërkuesve, me institucione të brishta, me mungesë demokracie në klasën politike, etj.

Është për t’u shënuar zvogëlimi i numrit i luftëtarëve që rreshtohen pranë ISIS, por nga ana tjetër duhet menduar më shumë nga qeveria për projekte zhvilluese në zona tërësisht të varfëra dhe pa asnjë shpresë.

Po ashtu lufta kundër korrupsionit në nivelet më të larta është ende një “fushë e paeksploruar” nga sistemi i drejtësisë në Kosovës, çka kërkon reforma më të thella dhe përgjegjshmëri më të lartë nga strukturat legjislative dhe ekzekutive.

Një sfidë po aq e madhe është edhe demokratizimi i partive kryesore, të cilat duhet të marrin modelet më të mira euro-atlantike, të kufizojnë mandatet e të zgjedhurve dhe të rrisin garën e konkurimit.

Filed Under: Komente Tagged With: demokracia, Drejtesia, kosova, Suzana Tahiri

Papa mbushi 80 vjeç

December 17, 2016 by dgreca

1-papaPapa Françesku mbushi 80 vjet! Vjet të shkrira për Krishtin e Kishën e tij, nga periferia – në periferi e deri në zemrën të krishterimit, në Romë, ku nga rregulltar jezuit e ipeshkëv i periferive, që ishte, u bë Papa i skajeve e skutave të mbarë dheut. Të flasësh për vitet e gjata të veprimtarisë së Jorge Mario Bergoglios, do të thotë të shkruash vëllime të tëra. Që edhe po shkruhen. Po ne sot duam të kujtojmë me mirënjohje të thellë vetëm ç’e lidh Françeskun me shqiptarët, duke nisur nga vizita në trojet tona, tek shenjtërimi i Nënë Terezës, lumnimi i martirëve të Kishës Katolike shqiptare, krijimi i kardinalit II të shqiptarëve….

I takoi Françeskut ta çonte deri në fund lartimin e Nënë Terezës në nderimet elterit, nisur nga Gjon Pali II i cili, më 20 dhjetor 2002, pati njohur virtytet heroike të Motrës imcake shqiptare, për ta Lumnuar më 19 tetor 2009. Ndërsa Françesku e shenjtëroi më 4 shtator 2016, duke hapur kështu, listën e shenjtorëve shqiptarë të kohëve moderne me emrin e Asaj, që ia kishte fituar prej kohe zemrën mbarë botës.

Dy ngjarje të mëdha, në një vit, për këto troje falë dashurisë së Françeskut për shqiptarët: menjëherë pas Shën Terezës, Papa Françesku miratoi një proces lumnimi, nisur që më 10.11.2002 në katedralen e Shkodrës e përfunduar lumnisht, në të njëjtën katedrale, më 5 nëntor 2016.

E pak para kësaj date, pikërisht më  9. 10. 2016 – ishte e diel – në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Françesku gjatë njoftimit lidhur me mbledhjen e koncistorit për krijimin e 13 kardinajve të rinj, të shtunën, më 19 nëntor, natën e mbylljes së Portës Shenjte të Mëshirës në Bazilikën e Shën Pjetrit, i çuditi përsëri shqiptarët. Lexoi emrat e trembëdhjetë kardinajve të rinj, të cilëve u shtoheshin edhe katër të tjerë, një kryeipeshkëv, dy ipeshkvij nderi dhe një meshtar… ishte shqiptar, dom Ernest Simoni, prift i kryedioqezës Shkodër–Pult.

Po kush ishte ky meshtar i shpëtuar nga masakra e madhe, pas burgimeve e persekutimeve të rënda? I vetmi i mbetur gjallë pas fortunës së martirizmit? Ishte një prift, që shërbeu gjithnjë ndër katunde, prej këndej, jo shumë i njohur edhe në gjirin e bashkësisë katolike shqiptare. U desh të vinte 21 shtatori i vitit 2014, që të bëhej i njohur jo vetëm nga të vetët, por nga gjithë bota, që i kishte sytë te Shqipëria, prej nga i fliste Papa Françesku. Pashë me sy martirizimin e martirët – pati thënë Papa – që me këtë vizitë i bënte një dhuratë të re shqiptarëve, duke  i folur përsëri , pas Gjon Palit II, botës mbarë për martirizmin e madh të këtij populli të vogël. E duke lënë pas porosi, që kanë vlerë për sot e për ardhmërinë. Sepse ishte  në Shqipëri pikërisht për të përforcuar në fe Kishën e për të inkurajuar vendin e vuajtur nga ideologjitë e së kaluarës.

Duke u takuar me Presidentin e Republikës dhe me Trupin Diplomatik, Françesku pati kujtuar:

“Respektimi i të drejtave njerëzore, ndër të cilat spikat liria fetare dhe ajo e shprehjes së mendimit, është kushti paraprak për vetë zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të një vendi. Kur respektohet dinjiteti i njeriut dhe njihen e garantohen të drejtat e tij, lulëzon edhe shpirti krijues e nismëtar, e personaliteti njerëzor mund t’i shpalosë nismat e veta në dobi të së mirës së përbashkët”.

E pas porosisë, një përgëzim:

“Ju përgëzoj posaçërisht për një karakteristikë fatlume të Shqipërisë, që duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje: e kam fjalën për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme”.

Një Shqipërie, që ecën me hapa të pasigurta drejt një ardhmërie ende të paqartë, Papa i kujtoi se:

“Globalizimit të tregut duhet t’i përgjigjet globalizimi i solidaritetit; rritja ekonomike duhet shoqëruar me më shumë respekt për botën e krijuar; bashkë me të drejtat individuale duhen mbrojtur edhe ato të realiteteve të ndërmjetme mes individit e Shtetit, me në krye familjen. Shqipëria sot mund të përballet me këto sfida në kornizën e lirisë dhe të stabilitetit, që duhen përforcuar dhe që japin shumë shpresa për të ardhmen”.

Ndërsa në takimin me bashkësinë katolike të martirizuar, Kryebariu nuk mund të mos e quante tokën shqiptare, tokë martirësh. Gjatë Meshës,  kulm i vizitës së tij njëditore në Shqipëri, Françesku theksoi:

“Duke sjellë përsëri në mendje dhjetëvjeçarët e vuajtjeve mizore e të persekutimeve të egra kundër katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve, mund të themi se Shqipëria ka qenë tokë martirësh: shumë ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e besimtarë laikë e paguan me jetë besnikërinë e tyre. Nuk munguan provat e guximit të madh e të qëndrimit të patrandshëm në shpalljen e fesë. Sa e sa të krishterë nuk u përkulën përballë kërcënimeve, por vijuan pa luhatje udhën e filluar! Shkoj sot, shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet, dhe, i prekur thellë në shpirt, vë lulen e lutjes e të kujtimit mirënjohës e të përjetshëm. Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër e motra, për t’ju mbajtur më këmbë; Ai ju priu e ju ngushëlloi e, së fundi, ju ngriti lart mbi krahë shqiponje, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit (cfr Leximi I)”.

E në përfundim të këtyre radhëve, shkruar për t’i uruar Papës argjentinas 80-vjetorin e ditëlindjes, urimi që ai i la Shqipërisë, në prag të rikthimit në Romë…

“Uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira”.

.. dhe thirrja:

“Kishë, që jeton në këto troje të Shqipërisë, faleminderit për shembullin e besnikërisë ndaj Ungjillit! Shumë nga bijtë e bijat tuaja vuajtën për Krishtin, edhe deri në flijimin e jetës. Uroj që dëshmia e tyre t’i mbështesë hapat tuaj, të sotëm e të nesërm, në udhën e dashurisë, të lirisë, të drejtësisë e të paqes. Amen!”.

E tani, që është radha jonë, ne  urojmë, Atë i Shenjtë, që dëshmia Juaj e ndritshme të na i mbështesë hapat në udhën e dashurisë për Krishtin, për Ju, që jeni mëkëmbësi i Tij, për lirinë, drejtësinë e paqen, që ju  dëshironi t’i gëzojnë të gjithë popujt e botës, edhe populli i vogël shqiptar, që e vizituat të parin në Evropë, sepse i vogël në numër, por i madh në qëndresë për Krishtin e Selinë e Shën Pjetrit! Gëzuar!(kortezi:Radio Vatikani)

Filed Under: Featured Tagged With: 60 vjec, Gazeta Dielli, Papa

Amerika Përgatitet për inaugurimin e presidentit

December 17, 2016 by dgreca

Një nga veçoritë e demokracisë amerikane është një tranzicion paqësor i pushtetit nga presidenti në largim tek pasardhësi i tij. Janë vite të tëra planifikimesh që bëjnë të mundur transformimin e kryeqytetit Uashington në një paradë televizive globale, një detyrë tepër e vështirë për nga përmasat. Me një hartë gjigante përpara, udhëheqësit ushtarakë bëjnë planet për këtë ditë të rëndësishme.1-amerika

Një hartë e madhe është version i vogël i kryeqytetit Uashington DC. Pikërisht këtu zyrtarët nga i gjithë vendi planifikojnë paradën e 58-të të inaugurimit të presidentit:“Ka shumë pjesë të lëvizshme. Ka një hapësirë të ngjeshur ku po punojmë rreth zonës së Kongresit. Në një kohë të shkurtër duhet të sigurojmë gjithë këto aktivitete që duhet të përfundojnë me sukses atë ditë”.

Për t’u përgatitur, forcat e armatosura shpalosin një hartë 12 me 18 metra të Uashingtonit. Harta nënvizon rrugën e paradës dhe logjistikën për partnerët ushtarakë, federalë dhe zyrtarët vendas:

“Jemi të kënaqur që si ushtri duhet të kemi partneritet bashkëpunimi me agjenci të tjera federale në qytet, pasi kemi të bëjmë me shumë njerëz”.

“Kemi pothuajse 7 apo 8 mijë ushtarë që vijnë nga 40 shtete të cilët duhet t’i sjellim këtu dhe t’i shpërndajmë ku duhet për të kryer misionin e tyre ditën e inaugurimit. Pastaj duhet t’i kthejmë në vendet e tyre brenda 72 orësh”. 

Janari në Uashington është zakonisht me temperatura të ulta. Një tjetër faktor për një tranzicion të qetë:

“Nuk mund t’i mbash njerëzit e ushtrisë atje më gjatë nga ç’është e nevojshme.”

Dita e Inaugurimit më 20 janar është e premte. Dhe të premtet janë zakonisht të qeta në Uashington. Por me zgjedhjen e një presidenti vërtet të veçantë, planet në realitet mund të ndryshojnë nga ato në letër.(VOA)

Filed Under: Komente Tagged With: Amerika Përgatitet, e presidentit, për inaugurimin

2016- Viti i kanabisit: Varfëria josh shqiptarët për drogën

December 17, 2016 by dgreca

Viti 2016 u përmbyt me lajme për shkatërrrim të parcelave të kanabisit apo gjetjen e drogës. Sa më shumë shkatërrohej, aq më shumë mbillej. Disa e shohin madje si mundësi punësimi.Po e humb Shqipëria luftën me drogën?

1-droga-shqipNe Foto: Rreshen, ish pularia kthehet ne magazine droge/

Një rrugë e pashtruar, ende e mbushur me pellgje nga shiu i fundit të çon drejt ca barakave në afërsi të qytetit Rrëshen. Po bie muzgu. Errësira është mbuloja e duhur që ish-punëtoret e kanabisit të flasin. Ato duket se ende kanë frikë, pas aksionit të fundit policor të para pak javëve, kur policia me një aksion të befasishëm e paralizoi të ashtuquajturin laboratorin e drogës në afërsi të qytetit Rrëshen. 4,2 tonë drogë pastrohej, thahej dhe paketohej në pularinë e dikurshme, fare pak kilometra larg qendrës së qytetit Rrëshen.

Mira und Rita (emrat e ndryshuar) ishin të papuna, para se të fillonin punën tek kjo magazinë për pak më shumë se 10 euro në ditë. „Më besoni ose jo, ne e bëmë për bukën e gojës për fëmijët”, ankohet Mira, një grua rreth të 50-ve me flokë të prera shumë shkurt. Ajo është e zemëruar: Për ata atje lart, që nuk e çajnë kokën për të varfrit, për policët, „që fitojnë më shumë se ne”, për bosët e drogës. „Na u tha që ishte sherebelë”, betohet ajo, duke shtuar se nuk e dinte, që po thante kanabis.

Të punësohesh në industrinë e kanabisit?

Ndërsa Rita një bjonde e re, rrëfen se ishte gëzuar shumë fillimisht që kishte gjetur më në fund punë. Ajo përkëdhel vajzën 5-vjeçare. „Nuk dija gjë, të betohem, deri sa pashë policinë brenda”, shton ajo. Mund të kesh ndoshta dyshime për atë, se këto dy gra nuk dinin gjë se punonin në një magazinë kanabisi, por jo për gëzimin për punën e gjetur. Mjafton një vështrim në shtëpinë e tyre për ta kuptuar këtë: Brenda çatia pikon, ngrohje nuk ka, jashtë radhiten kapulët me plehra.

Albanien Cannabisanbau (DW/L. Arapi)Varfëria nxit të papunët të punojnë në magazina kanabisi/

Megjithë premtimet patetike, qeveria shqiptare nuk i ka dalë të zbusë varfërinë e shtresave të thjeshta në Shqipëri në këto vite. Papunësia është e lartë, ndërsa ndihma ekonomike për familjet në nevojë shumë e ulët: 75 Euro për familje në muaj. A është kjo një ndër arsyet pse fermerë në vështirësi dhe të papunë vendosin të kthehen në kultivues të kanabisit?

Kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha shikon tek përhapja e mbjelljes së kanabisit ndër të tjera edhe një problem social. „E vërteta është se mijëra shqiptarë nuk kanë alternativë tjetër, sepse mungojnë masat ekonomike dhe sociale të qeverisë, sidomos për zonat rurale. Njerëzit janë para alternativës, bukë për fëmijët ose drogën. Për fat të keq, shumë kanë zgjedhur alternativën e dytë.”

Më shumë se 2,5 milionë rrënjë të shkatërruara në 2016-n

Duket një pazar i lehtë për bosët e drogës të gjejnë punëtorë për tharje, paketim apo për mbjelljen e kanabisit. Në magazinën e drogës pranë Rrëshenit punonin të ardhur edhe nga qytete të tjera. Sipas burimeve të Deutsche Welles, nëse një kultivues kanabisi arrin ta shpëtojë parcelën nga kontrollet e policisë, e shet kilogramin për rreth 200 Euro. Në Europë pastaj çmimet rriten. Shpesh droga mbillet në zona malore, disa kultivues madje kanë zhvilluar sisteme ujitjeje, e i ruajnë parcelat me armë.

Berlin, Bundestag Lulzim Basha (DW/Auron Dodi)Kreu i PD-së, Lulzim Basha

Droga nuk është një fenomen i ri. Edhe më parë, Shqipëria njihte Lazaratin, apo zonën e Malësisë së Shkodrës si zona ku mbillej drogë, por viti 2016 mund të quhet viti i kanabisit në Shqipëri për shkak të masivizimit në të gjithë vendin. Sipas Policisë së Shtetit janë shkatërruar më shumë se 2,5 milionë rrënjë, 5204 parcela janë identifikuar me ndihmën e palës italiane. Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Altin Qato, e kundërshton perceptimin se situata ka dalë jashtë kontrollit. „Ky është një numër më i madh se viti i kaluar, kjo ka krijuar një kontekst, sikur situata mund të ketë dalë jashtë kontrollit. Ne e argumentojmë këtë me një organizim më të mirë të policisë për kontrollin e territorit, duke rritur numrin e forcave të policisë, të aktivizuar për të goditur këtë aktivitet, kemi rritur bashkëpunimin me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, sidomos me qeverinë italiane.”

Albanien | Generaldirektor für die öffentliche Sicherheit Altin Qato (Policia e Shtetit)Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Altin Qato

Por opozita e akuzon qeverinë se kanabisi lulëzoi këtë vit edhe për një arsye tjetër. Sipas saj ekziston një aleancë e disa segmenteve shtetërorë me kriminalitetin e organizuar. „Nuk ka shqiptar që të besojë se kjo mund të ndodhte pa implikimin e segmentëve të politikës, policisë. Ka pasur investigime të medias, që tregojnë se si segmente të policisë janë të domosdoshëm për të garantuar kultivimin, e trafikimin e kanabisit e se kjo ndodh me mbështetje e mbrojtje politike nga lart”, thotë kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Hije mbi segmentë të policisë

Gazetari Elvis Nabolli, kryeredaktor i televizonit „Rozafa” në Shkodër, i saponderuar me Çmimin e Ekcelencës për Gazetari Investigative nga platforma BIRN ka hulumtuar gjatë mbi fenomenin e kanabisit në Shëipëri. Sipas të dhënave të tij, mbjellja e kanabisit është një lojë e rrezikshme për fermerët e thjeshtë, por jo për bosët e saj.”Kam pasur biseda me persona të lidhur me këtë industri, duhet të theksohet se kjo industri kontrollohet nga njerëz të fuqishëm, me lidhje të konsiderueshme me përfaqësues të shtetit, duke nisur nga policë të thjeshtë, deri tek shefa që kanë lidhje me hallka në shtet.”

Por drejtori në Policinë e Shtetit, Altin Qato nuk i pranon hijet që hidhen mbi policinë, që sipas tij ka punuar këtë vit më shumë se kurdoherë tjetër. „Kemi hasur edhe raste, kur elementë të veçantë kanë bashkëpunim, por ky nuk është fenomen. Ne nuk e shmangim përgjegjësinë e punonjësve të policisë, ka punonjës të veçantë, të implikuar në këtë aktivitet por ne kundërshtojmë se nuk është si fenomen.”

Elvis Nabolli Journalist (privat)Gazetari investigativ, Elvis Nabolli

Sa raste të identifikuara ka për implikim të policëve? Drejtori Altin Qato thotë për Deutsche Wellen se „për momentin që flasim kemi rreth 40 procedime penale të punonjësve të policisë, 8 prej tyre janë të arrestuar, janë rreth 43 procedime displinore që sipas informacioneve tona, ata nuk kanë vepruar.”

Ndërkohë dimri ka mbërritur edhe në Shqipëri. Kjo do të thotë, se nuk raportohet më për shkatërrim të parcelave të kanabisit, por më shumë për konfiskimin e drogës. „Të vjelat” kërkojnë rrugëdaljen përmes Adriatikut drejt Italisë, e shtigjeve tokësore drejt Malit të Zi e Serbisë për të kaluar pastaj në Europë. Shqipëria po kthehet në një „Kolumbi” të Europës, akuzon opozita. Por lajme të tilla nuk u interesojnë edhe aq shumë dy punëtoreve të kanabisit, Ritës dhe Mirës. Ato duan të sigurojnë bukën e fëmijëve. „Po qe se do të kishim prapë një shans të tillë, ne prapë do të shkonim”, thonë  ato. Në Shqipëri luftohet për mbijetesë.(DW)

Filed Under: Opinion Tagged With: Droga, shqiperia, Varfëria, Viti 2016

Vazhdojnë protestat në Shkup

December 17, 2016 by dgreca

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të vazhdojë gjatë ditës së shtunë shqyrtimin e ankesës së fundit të Partisë Social Demokrate në opozitë, për ta përmbyllur gjithë procesin zgjedhor. Komisioni gjatë natës së kaluar ka pranuar vetëm një ankesë të partisë shqiptare Besa.1-protestat-shkup

Ndërkohë, përkrahësit e partisë së ish-kryeministrit Nikolla Gruevksi, VMRO DPMNE, kanë vazhduar protestat e tyre përpara selisë së KSHZ-së.

Komisioni tha se do të shqyrtojë ankesën e LSDM-së gjatë ditës së shtunë, ndërkohë që kryetari i Komisionit Aleksandar Cicakovski tha se “në këtë mbledhje do të përgatiten të gjitha vendimet për t’i dorëzuar ato”.

Ankesat e mbetura janë refuzuar nga anëtarët e komisionit, me përjashtim të dy që janë tërhequr nga LSDM-ja.

Përkrahësit e VMRO-DPMNE sërish, si edh enjë natë më herët, janë mbledhur përpara selisë së KSHZ-së për, siç thonë, të mos lejuar që të “vidhet fitorja e partisë në pushtet”.

Ata kanë kënduar këngë dhe kanë brohoritur slogane partiake dhe për Maqedoninë dhe kanë hedhur fishekzjarrë dhe gjësende të tjera mbi ndërtesën e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Me të përfunduar të mbledhjes së KSHZ-së, anëtari i VMRO-DPMNE, Dime Spasov tha se do të vazhdojnë të “qëndrojnë përpara KSHZ-së dhe se nuk do të ikin nga askush”.

Protestuesit thonë se do të vazhdojnë protestat deri sa KSHZ, të mos e verifikojë rezultatin zgjedhor.

Në bazë të një rezultati paraprak të publikuar partia e Gruevksit VMRO-DPMNE ka fituar dy vende në Parlament më shumë se ajo e Zoran Zaev, LSDM, në opozitë, respektivisht 51 deputetë me 49 syresh.

Filed Under: Politike Tagged With: në Shkup, Vazhdojnë protestat

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2320
  • 2321
  • 2322
  • 2323
  • 2324
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT