• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Thaçi: Prishtinë-Tiranë-Tetovë, trekëndësh akademik

October 14, 2016 by dgreca

 

1-thaci-portret

-Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,  i ndahet titulli ‘Doctor Honoris Causa’ nga Universiteti i Tetovës/

1-thaci-salle

-Universiteti i Tetovës është pikë e patejkalueshme e trekëndëshit akademik Prishtinë-Tiranë-Tetovë/

-Prishtina, Shkupi dhe Tetova janë gjithnjë e më afër njëra-tjetrës/

TETOVË, 14 Tetor 2016- Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot Universiteti Shtetëror i Tetovës i ka ndarë titullin ‘Doctor Honoris Causa’.

Në akademinë solemne, të mbajtur pasdite, presidenti Thaçi ka thënë se Universiteti i Tetovës është pikë e patejkalueshme e trekëndëshit akademik Prishtinë – Tiranë – Tetovë.

Ai ka thënë se lidhja e Prishtinës me Tetovën, Shkupin, Prizrenin, Kërçovën, Gjakovën, Dibrën dhe me qendra tjera urbane ku jetojnë shqiptarët është një lidhje historike, kulturore, arsimore, familjare e kombëtare dhe mbi gjitha vëllazërore.

“Prishtina, Shkupi dhe Tetova janë gjithnjë e më afër njëra-tjetrës. I lidhë historia, e sotmja dhe e ardhmja. Liria e njërës është produkt i tjetrës dhe e kundërta. Liria jonë është produkt i yni i përbashkët”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Ndërtimi i autostradës Arben Xhaferi është infrastrukturë e ofrimit të qendrave tona”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se në Tetovë ka shkuar tash e sa decenie në kapacitete e kohëra të ndryshme dhe se kujtimet e tij për këtë hapësirë janë të llojllojshme.

“Në fakt, nga ky vend sot mund të përkujtojmë shumëçka që ka të bëjë me ne, si gjeneratë dhe si popull. Dikur elita e shqiptarëve në Maqedoni, sikurse e gjithë shqiptarëve tjerë në ish Jugosllavi, formohej në Universitetin e Prishtinës. Mu aty, në ambiente universitare ka lind dhe është zhvilluar ideja e një gjenerate që do të di t’i mbrojë interesat kombëtare, në thyerje kohësh dhe sfidash me përmasa historike. Kjo elitë edhe sot udhëheq me jetën politike, akademike dhe kulturore të shqiptarëve në Maqedoni”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se nga kjo retrospektivë mund të evokojmë situata nga më të ndryshmet për këtë rrugëtim të përbashkët dhe të suksesshëm.

“Para disa dekadave ishim aktorë dhe dëshmitarë të një procesi të madh ndryshimesh historike”, ka thënë ai, duke shtuar se rruga për të ardhur këtu sot është produkt i sakrificës së madhe edhe të kësaj gjenerate, si vazhdimësi e pandërprerë e përpjekjeve të gjeneratave para nesh.

Në akademinë e ndarjes së titullit ‘Doctor Honoris Causa’, presidenti Thaçi ka folur edhe për marrëveshjen e Ohrit.

Ai ka thënë se synimet e përbashkëta, si të Kosovës, ashtu edhe të Maqedonisë, përputhen me aspiratën reale për të qenë së bashku pjesë e familjes euroatlantike.

Titullin ‘Doctor Honoris Causa’, presidenti Thaçi ka thënë se e ndjen si çmim për gjeneratën e tij, për gjithë ata studentë nga Kosova e Tetova, që së bashku sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe emancipimin e shqiptarëve kudo ku ata gjenden.

Pjesëmarrës në këtë akademi solemne ishin liderët politikë të shqiptarëve në Maqedoni, zyrtarë të lartë të Qeverisë dhe Kuvendit në Maqedoni, kryetarja e komunës së Tetovës, përfaqësuesit e komunave të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, rektorë dhe përfaqësues të shumicës së universiteteve publike në Maqedoni, Shqipëri e Kosovë, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, përfaqësues të shoqatave të të burgosurve politikë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare në Maqedoni.

Universiteti Shtetëror i Tetovës është themeluar në 17 dhjetor të vitit 1994 si iniciativë e intelektualëve shqiptarë, të shoqatave dhe asociacioneve të ndryshme apolitike dhe të gjithë dashamirësve të arsimit të lartë në vend dhe më gjerë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Thaçi: Prishtinë-Tiranë-Tetovë, trekëndësh akademik

Energjia-Takim në Sarajevë, Kosova merr Presidencën

October 14, 2016 by dgreca

 

1-sarajeve

-Kosova merr Presidencën në kuadër të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për 2017-ën/

-Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë do mbahet në Prishtinë/

2-stavileciPRISHTINË, 14 Tetor 2016-B.Jashari/ Në takimin e14-të të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë që po mbahet në kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, Sarajevë, Kosova mori Presidencën për vitin 2017.

Ministri kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci pas marrjes së presidencës nga homologu i tij nga Bosnja dhe Hercegovina prezantoi prioritet e propozuara nga Kosova për vitin e ardhshëm që do të jenë njëkohësisht edhe prioritet e këtij komuniteti.Sipas tij, këto prioritete janë në linjë me obligimet kontraktuale që Kosova ka në kuadër të Komunitetit të Energjisë si dhe janë të bazuara nga konkluzionet e axhendës së Parisit, me fokus te kapitulli i zhvillimit të qëndrueshëm, efiçienca e energjisë, burimet e ripërtëritshme dhe ambienti.

Gjithashtu, gjatë vitit të ardhshëm do të vazhdohet me procesin e reformave në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet liberalizimit dhe integrimin në tregun rajonal.Një nga të arriturat shumë të rëndësishme sa i përket Kosovës në këtë takim është miratimi njëzëri i aneksit 8, i cili dëshmon për interferimin e Serbisë dhe krijimin e barrierave në operim të Operatorit kosovar të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut  (KOSTT), parim ky që bie ndesh me përgjegjësitë kontraktuale ndaj Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Ky është edhe një hap që e dëshmon se Serbia duhet të tërhiqet nga interferimi në operim dhe të hyrat e KOSTT, po ashtu shtron nevojën që KOSTT sa më parë të njihet si zonë rregulluese e pavarur në kuadër të ENTSO-I, thekson njoftmi dërguar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Kosovës.

Në  kuadër të takimit të 14-të, Gjeorgjia u anëtarësua me të drejta të plota në Komunitetin e Energjisë dhe kjo tregon se komuniteti është një nga partnerët më strategjikë për sektorin e energjisë.Duke përfunduar, ministri kosovar Stavileci uroi që ky vit të jetë një vit i suksesshëm dhe realizimit të prioriteteve. Ai  po ashtu ftoi homologët e tij për pjesëmarrje në takimin e radhës, i cili do të mbahet në Prishtinë në fund të vitit të ardhshëm.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Energjia, kosova, presidenca, sarajeve

REUTERS: PLANI I FHEHTE RUS PER EUROPEN LINDORE

October 14, 2016 by dgreca

 

1-europa_qendrore_e_lindore

Përgatiti për Diellin Gjon Kadeli/Ënti që merret me studime strategjike, dhe me ato të cështjeve ndëkombëtare, me qendër në Uashington, dhe enti që merret me studime reth demokracisë, me qendër në Sofie’ përgaditën raportin lidhun me planin rus, i cili u ba i ditun dy ditë ma parë.

Ky raport bazohet në një studim prej 16 muajsh lidhun me planin e naltpërmendun. Në raport thuhet se, Rusia ka filluar një fushatë të fshehtë, masash ekonomike e politike, për të manipuluar pesë shtete të Europës lindore dhe qendrore. Qëllimi i këtij plani asht për të diskredituar modelin liberal demokratik perëndimor, dhe për të minuar marrëdhanjt ndëratlantike.

Në raport thuhet se Moska bane përpjekje për bashkpunim me politikanë prorus, kështu që të dominojë tregun e energjisë, dhe degë të tjera të ekonomisë, të pengojë përpjekjet për të paksuar korrupsionin, kështu që të ketë ndikim ndaj qeverisë Bullgare,Hungareze,, Serbe, Sllovake dhe asaj të Latvisë

“Në atë raport thuhet se në disa vende, ndikimi rus ka sfiduar stabilitetin dhe animin pro perëndimore; si edhe qëndrueshmëninë Euro-Atlantike.”

Ish zyrtari i Departamentit të Shtetit Heather Conley, i cili ishte personi kryesor që përgaditi raportin, si edhe zyrtarë amerikanë, thanë se janë dakord me të dhanat që paraqiten në atë raport, të cilat vejnë në dukje veprimtarinë ruse në Europën lindore.

Një zyrtar amerikan, i cili ka pasë studjuar sjelljet ruse që nga koha, perpara shpartallimit të Bashkimit Sovjetik më 1991 tha se”Rusia ka ndërmarrë një fushatë të vazhdueshme, për të marrë mbrapa,atë që Putini e konsideron “zonë asnjanëse, që gjoja me të drejtë i takon Rusisë, në Europën lindore; kështu që tu kundervihet, jo vetëm planeve të NATOs e të Bashkimit Europian por edhe bazës demokratike të këtyne instuticioneve.”

Në veprimet në fjalë të Putinit, përfshihen rushfete, propagand e gënjeshtra(rrena ditën me diell). “Nga një herë”vrasjen e atyne që kritikojnë Kremlinin në Rusi dhe jasht vendit, dhe tashti edhe perdorimin e mjeteve elektronike, për të minuar nga mbrenda kundërshtarët dhe për të dobsuar institucionet perëndimore.

“Zyrtari amerikan tha se “Në planin e Kremlinit, përmenden një varg përpjekjesh për të zgjeruar ndikimin ne  Europën lindore e qendrore”

Në këto përpjekje përfhiheshin përpjekje “madhore.” si për shembull, kontrata për të ndertuar dy reaktorë bërthamore në Hungari me një cmim prej 12.2 milairdë Eurosh, që u nënshkruar me Hungarinë, kushtet e të cilës nuk janë të qarta, për të bind tregëtarët pro rus që të zanë pozita të nalta qeveritare, kështu që ata, mund të mbrojnë interesat ruse.

Heather Conley tha në një intervistë se, qëllimi për këtë studim ishte për të theksuar se , sfidës në fjale, nuk i ashtë kushtuar vëmendja e mjaftueshme, nga politikanet amerikanë e europianë.

Në atë raport bahen propozime për marrjen e masave, kundër atyne që ai i quajti Një veprimtari “jo  e ndershme” të ndikimit të fshehtë rus.

Në këto përfshihen ma shumë përqëndrime në veprimtaritë jo ligjore dhe në rishtimin e ndihmave nga Shtetet e Bashkuara, për të përforcuar sistemin qeverisës, dhe për t’iu kundërvene ndikimit rus në vendet në fjalë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon kadeli, per Europen Lindore, plani i fshehte rus

Jeta e Katerinës

October 14, 2016 by dgreca

 ….Katja rrjedh nga një familje patriotësh të persekutuar politikë nga rregjimi komunist. Në vitin 1945 i pushkatojnë pa gjyq të atin, Gjergj Cima Maçin, vet i dytë. Ishte koha kur ish partizanët dhe komunistët e zonës Pulti në Xhan të Dukagjinit, i bënin thirrje popullit të dorëzojë armët. Mbas Meshe në Kishë, ata që kishin armë i dorëzuan, mes tyre edhe i ati i Kates dorëzoi një revolver të prishur./
1-katerina1-prinderit13-vellai-koleci-e-rozana-ok4-nikolla-ok
Ne Foto: Katerina                                        Prinderit e Katerines                         I vellai i Katerines; Koleci me te bijen Rozana    I vellai, Nikolla
 Nga Mimoza Dajçi/

Mimoza-Dajci       Jeta e Katerinës është e trishtë dhe shumë e dhimbshme. Me Katen, siç e njohim shkurt, jemi veprimtare të organizatës së gruas “Hope & Peace” në New York, por së bashku kemi miqësi të vjetër qysh në Shqipëri, pranë Shoqatës së Gruas ish të Persekutuar Politike. Katja rrjedh nga një familje patriotësh të persekutuar politikë nga rregjimi komunist. Në vitin 1945 i pushkatojnë pa gjyq të atin, Gjergj Cima Maçin, vet i dytë. Ishte koha kur ish partizanët dhe komunistët e zonës Pulti në Xhan të Dukagjinit, i bënin thirrje popullit të dorëzojë armët. Mbas Meshe në Kishë, ata që kishin armë i dorëzuan, mes tyre edhe i ati i Kates dorëzoi një revolver të prishur.

– Me kë tallesh ti – i thotë i plotëfuqishmi i zonës – nuk e shikon që kjo pistoletë nuk punon? – dhe e ofendoi rëndë.

Aq u desh dhe malësori krenar nuk e duroi dot fyerjen, e godet me grusht në fytyrë. Gjergj Cimën e arrestojnë, e mbajnë një javë të izoluar nën tortura të tmershme në një shtëpi të improvizuar si burg, e pas gjashtë ditësh në të gdhirë e pushkatojnë së bashku me një kundërshtar tjetër të rregjimit. I ati Kates, Gjergji ishte rritur jetim dyerve të botës, kur ai ishte vetëm 4 vjeç i kishin vdekur të dy prindërit nga malarja.

Për familjen Cima filloi kalavari i vuajtjeve të mëdha. Roza, nëna e Kates e cila mbeti e ve me 6 fëmijë të vegjël, 4 djem e 2 vajza nuk kishte të ardhura të mjaftueshme të ushqente fëmijët me bukë, detyrohet dy prej vocërrakeve ti lerë në shtëpinë e fëmijës. Katja 7 vjeç dhe vëllai i saj Koleci 5 vjeçar, u rritën mes lotësh e dhimbjesh me jetimorët e gjorë.

Vitet kaluan, ngjarje të reja rodhën edhe për Katen, të cilën nëna dhe vëllezërit e martojnë me Dedë Lulin, djalë patriot e punëtor ngjitur me fshatin e saj. Familja e re vendoset në Laç të Krujës, ku shtohet me një djalë, Kastriotin. Deda siç ju tregova ishte shumë punëtor, njeri i përkushtuar për familjen dhe mekanik i zoti për rregullimin e makinave. Sigurimi shtetit ja vuri syrin për ta bërë bashkëpunëtorë të tij. Një herë dy, tentuan, por aha, asnjë përgjigje pozitive nuk morën prej tij.

Një ditë prej ditesh Deda arratiset. Të shoqes së tij nuk i tregon planin që kishte në kokë së bashku me dy miqtë e tij. I thotë se, do të shkojë për disa ditë në fshat tek daja i sëmurë. Katja ishte në gjumë, djali i vogël po ashtu, kur organet e sigurimit gati sa nuk i shqyen derën e shtëpisë dhe hyn brenda për kontroll. Katen e bombarduan me pyetje e fyerje të rënda, ndërkohë që ajo ishte shumë e re në moshë e nuk kishte dijeni fare se çfarë kishte ngjarë. I shoqi i kishte thënë në besim të plotë se sigurimi do që, ta rekrutojë, por nuk mundem ta bëj një gjë të tillë i kishte thënë ai së shoqes. Nuk mund të bëhem spiun i njerëzve të mi, komshive miqve e farefisit, më mirë pranoj plumbin, se sa të bëhem spiun. Po të refuzonte hapur Deda rrezikonte 20 vite burgim. Pranon arratisjen dhe nuk bëhet spiun, por pasojat do ti hiqte familja, gruaja dhe djali i vogël.

Bëjnë ç’bëjnë një prej vëllezërve të Kates ish i burgosur politik në Spaç, Koleci i thotë një mikut të tij të mirë Nikollës, që kur të dilte nga burgu ti propozonte për martesë motrës së tij. Bashkë burgu i kishte lidhur e kishin parë tek njeri tjetri një miqësi të mirë e të sinqertë. Nikolla dilte pas një jave nga burgu, pas një dënimi 10 vjeçar si “spiun i jugosllavëve” dhe “armik i popullit”. Vëllai Kates pa tek ky i ri cilësitë e një malësori trim e të dhimbsur për njerëzit. Kur Nikollën e arrestuan, ai ishte fare i ri vetëm 18 vjeç. Nikolla ishte arratisur nga Mali Zi me disa shokë të tij, por përfunduan në duart e egra të sigurimit shqiptar dhe dënohet me 13 vjet heqje lirie. Në Shqipëri nuk kishte asnjë nga familja. Kur të dilte nga burgu nuk kishte derë ku të trokiste. Koleci, vëllai i Kates, meqë kishte vite që kishte ndarë çapën e bukës me atë dhe e njihte mirë, i afroi këtë propozim për motrën e tij, tashmë të divorcuar nga i shoqi, dhe që jetonte me djalin akoma në Laç të Krujës.

Dera e Kates troket, mysafiri i paftuar i tregon se kush ishte dhe i zgjat letrën e të vëllait. Katja pasi e dëgjon e dërgon menjëherë tek vëllai i madh Nikolla dhe nëna e saj. Pas bisedash të gjata familja e Kates mendojne dhe vendosin se do të jetë më mirë nëse ajo martohej me këtë njeri të mirë e të vuajtur sikurse dhe familja e tyre, aq më tepër që e kishte rekomanduar vëllai i tyre, Koleci.

Katja si përfundim në pranverën e 74′ lidh kurorë me Nikollën, i biri që në atë kohë ishte vetëm 3 vjeç, e quante Nikollën babë dhe ai bir. Në vitin 1991 Katja së bashku me të shoqin marin një vizë tre mujore për në Mal të zi, për tek familja e Nikollës, i cili kishte 35 vite pa parë njerëzit e tij. Djalin e vetëm që kishin (17 vjeçar) e lenë tek vëllezërit e Kates.

Nikolla mëson në vendlindje se i kishte vdekur e ëma, pikëllohet e qan nën zë. Jeta luftë, por nuk kishte çfarë të bënte. Aty i paraqitet një rast për të marë vizë amerikane. Shfrytëzon momentin, hyn së bashku me Katen në Ambasadën Amerikane ku u njihet statusi i azilantëve politikë, e pas gati një viti arritën në New York, ku Katja jeton edhe sot. Jetuan për disa vite së bashku, u vjen edhe i biri Kastrioiti, por në vitin 1997 pas një ataku në zemër Nikolla ndëron jetë.

Kastrioti njihet me një vajzë italiane, jetojnë së bashku në Belgjikë. Jeta rrodhi e tillë dhe Katerina Cima jeton vetëm në New York, rrethuar me shumë dashuri nga mikeshat e kushërirat e saj. Eshtë një grua fisnike dhe shumë mikëpritëse. Të gjithë e duan dhe e respektojnë. Dera e saj është kurdoherë hapur për njerëz të mirë.

*    *   *

Dedë Luli, pas arratisjes nga Shqipëria më 22 prill 1972, nëpërmjet Greqisë mbërin në Australi, ku një mik i tij e sistemon me punë e shtëpi. Me ardhjen e parë të tij në Shqipëri kërkon të takojë të birin, me të cilin kalon disa ditë nëpër atdhe, e më pas e mer me vete disa muaj në Austriali. Kur e takon të birin pas 16 vitesh e pyet:”I kujt je ti more djalë”. Kastrioti i vendosur i përgjigjet: “I Dedë Lulit”.

Sipas Kates faji i vetëm i Dedës ishte se ai, nuk i tregoi asaj që kishte planifikuar arratisjen. Djali, Kastrioti pregatitet të shkojë me bashkëshorten në Austraili, aty ku i jati i ka afruar shtëpi, e një jetë më të mirë e më të rehatshme, falë punës së tij e duarve të tij të arta si mekanik makinash.

Ndërsa Koleci vëllai Kates, pasi vuajti dënimin si “armik i popullit” në burgjet Burrel e Spaç, me krijimtarinë e tij letrare hodhi dritë mbi vuajtjet e shtresës ish të persekutuar politike nga rregjimi komunist në Shqipëri, veprat e tij më të spikatura janë: “Përbindshja”, “Jashtë Parajsës”, etj. Ndërsa vajza e Kolecit, Rozana ish kompione e shahut për vitin 1978, sot është avokate e zonja dhe nderuar në Shqipëri.

New York, nentor 2016

Filed Under: Komunitet Tagged With: Jeta e Katerinës, Mimoza Dajci

Njeriu i mirë, Petrika TOLE

October 14, 2016 by dgreca

 

1-familja-tole-ok1-tole-ok-11-burre-e-grua-tole

KUJTESE:Në muajin qershor të këtij viti, futbolli korcar dhe komuniteti shqiptaro-amerikan korcar, në Amerikë, do të tronditej, nga ikja e parakohëshme e djalit guximtar dhe trimit korcar, Petrika Tole, një prej futbollistëve me emër, mbrojtësit me fanellën nr 8 i klubit të Futbollit  “Skëndërbeu” i Korcës, dhe anëtar i ekipit kombëtar Shpresa, në vitet ’70-të,  Petrika Tole/

1-raimondaok

Nga Raimonda MOISIU/

Sikush nga ne, afër dhe larg,  dëshiron  të sjellë në kujtesë dhe të promovojë vlera qytetare, që në etapa  dhe forma të ndryshme, në ecjen e njerëzve  me kohën e për kohën, nëpërmjet kontributit të tyre modest dhe historik,  kanë komunikuar dhe vazhdojnë të komunikojnë,  mesazhe modeste e komplekse, dialogimin  e së kaluarës, qartësinë e së tashmës dhe udhën e së ardhmes, ndjenja të shpallura këto, për të kuptuar festën e jetës, krenarisë, dhe përjetësisë. Vlera që sigurojnë identitetin e qytetarisë dhe inteligjencës  korçare, sfidës, për të kuptuar dritën që ata lanë pas,  duke bërë të njohur emrin dhe kontributin e vlerave kombëtare dhe historike të jetës social -kulturore, tema dhe jetë interesante, vlera e personalitete që duhet të respektohen e nderohen në cdo kohë dhe  të marrin vendin e merituar në histori, art e kulturë. Sikundër dihet nostalgjia, respekti e nderimi  na bën mirë për të kaluarën, dhe për t’i lënë trashëgim brezave të ardhshëm dhe kujtesës së kombit. Të mos harrojmë se Korca e kulturës e qytetërimt ka pasur njerës që nga filantropistë dhe artistë, sportistë dhe shkrimtarë, intelektualë e qytetarë të devotshëm, që kanë shkrirë, vrullin, pasurinë, shpirtin talentin dëshurinë për vendlindje, komb e dinjitet, dhe ia kanë dalë: Shkruan historinë!  Kësaj here në vëmendje do të dëshiroja të rikthehem te një ndër vlerat sportive të qytetit të Korcës, futbollit korcar, dhe pikërisht, e një prej ikonave të futbollit korcar, Petrika Tole.

Në muajin qershor të këtij viti, futbolli korcar dhe komuniteti shqiptaro-amerikan korcar, në Amerikë, do të tronditej, nga ikja e parakohëshme e djalit guximtar dhe trimit korcar, Petrika Tole, një prej futbollistëve me emër, mbrojtësit me fanellën nr 8 i klubit të Futbollit  “Skëndërbeu” i Korcës, dhe anëtar i ekipit kombëtar Shpresa, në vitet ’70-të,  Petrika Tole. Për t’u njohur me figurën dhe profilin njerëzor, sportiv,  qytetar dhe intelektual të Toles,  falë talentit dhe fizikut të tij prej atleti, energjik, pasionant i futbollit, adhurues i futbollit, falë inteligjencës dhe këmbëve të forta në fushën e lojës, Tole, sikundër e thërrësin korcarët, fitoi shumë shpejt  zemrat e publikut futboll-dashës korcar dhe atij shqiptar në tërësi. Lajmi i trishtë se një nga ikonat e futbollit korcar, një mbrojtës  i mirë dhe luftarak, i pakalueshmi dhe njeriun që adhuruan në futboll,  Petrika Tole u nda nga jeta,  u prit me dhimbje e dëshpërim të thellë nga familja, bashkëshortja e fëmijët,  nga publiku sportdashës korcar dhe shqiptar, vecmas nga ata që kanë patur fatin ta njohin, ta kenë mik dhe koleg, shprehnin ngushëllimet dhe dhimbjen e tyre në rrjetin social e shtypin shqiptar. Në një bisedë ngushëlluese telefonike që pata me bashkëshorten e Toles, znj. Valentina Cini Tole, kërshërisë sime për të ditur më shumë rreth ish -futbollistit korcar, mbrojtësit me nr 8, znj. Tole, e respektoi dhe ndjehu një moment homazhi  malli, mungese, dhimbje, dashurie  dhe admirimi, për njeriun që e pati pjesë të jetës së saj për 30 vjet, duke e vlerësuar edhe si një tribun promovues dhe përcjelljen e vlerave  njerëzore, sportive dhe qytetare.

Origjina, familja dhe talenti i një sportisti me emër

Babai i Petrika Toles, ka qenë boksier me kampionin e amerikës Latine, Rafael Dishnica-Gërnjoti, dhe Pandi Shano, Ali Kastrati, Thanas Qafzezi, etj. Ndërsa xhaxhai i tij, Stavri Tole ka qenë futbollist, por për Petrikën, mund të them, se ai e kishte edhe dhunti, i lindur për të luajtur futboll. Petrika kur ishte vetëm nëntë  vjet aktivizohet në ekipin e fëmijëve me trainierin e mirënjohur korcar, i ndarë edhe ai para disa muajve nga jeta, Trajan Veriga. Më vonëkaloi në ekipet e tjera me tranierët: Kosta Koco dhe Petro Mile, -nis të tregojë, Valentina.

Peti, -sikundër e thërrisnim në familje,- ishte  njeri me një zemër të madhe dhe me vullnet të celiktë. Ai kishte sedër, bënte të pamundurën të arrinte cdo qëllim që i vinte vetes. Në vitet ‘71-‘72, ai ka luajtur me të rinjtë dhe ka dalë golashënuesi më i mirë me 36 gola. Ka luajtur me Shpresat për kampionatin ballkanik, në Rjekë, Selanik,  dhe Shkup. Si viti më i mirë i tij kanë  qenë, vitet  ‘76-‘77-ë,  kur ekipi i futbollit “Skënderbeu”  zuri vend të dytë. Më duhet të përmend një moment emocional, që e sjell gjithmonë në kujtesë:  Në atë kohë unë i ndiqja ndeshjet e Klubit të Futbollit  “Skënderbeu”, të Korcës, si një adhuruese e futbollit dhe skuadrës së qytetit tonë,  pa e ditur se në të ardhmen,  njëri prej tyre e pikërisht Tole, më vonë do ishte bashkëshorti im. Një nga ndeshjet më të bukura të tij, ka qenë me skuadrën e “17 Nëntori”, në Korcë , Petrika shënoi në atë ndeshje, dhe gjithë stadium në korr thërriste emrin e tij, gjatë gjithë kohës; Tole, Tole! Me golin e shënuar nga Tole, ekipi i “Skënderbeu”-t, fitoi ndeshjen. Momenti më i vështirë në karrierën sportive të futbollit, për Tolen, ka qenë përsëri me ekipin e futbollit të “17 Nëntori”-t, por kësaj rradhe në Tiranë.

Petrika në fillim të ndeshjes u godit në kokë, ra në koma dhe u rikuperua pas 21-ë ditë, ndeshje të cilën e kam parë në TV-n.Një moment i vështirë dhe i dhimbshëm për të gjithë ne si familje, por edhe për sportdashësit korcarë. Këtu dua të shtoj edhe dicka tjetër; Petrika luante fort, por nuk godiste, nuk i dëmtonte të tjerët.

Në vitin 1997-ë, emigruam në SHBA-s, nëpërmjet llotarisë amerikane dhe u vendosëm në Cikago, shtetin e Illionis. Sigurisht largimi nga vendlindja, Korca, që Peti e donte aq shumë dhe ndarja me futbollin korcar, ishin brengat e tij, i cili do t’i vuante  deri në fund të jetës së tij. Si gjithë emigrantët edhe në hasëm vështirësitë, por shpirti i lirë dhe optimist i Petit, na inkurajonte për t’i kaluar lehtë ato. Ai nuk dinte të fliste anglisht, po ashtu edhe ne, por me guxim, mëndje të shëndoshë e krahëtë fortë, ai mori patenten CDL-truck-driver-(shofer kamioni), për të drejtuar makinat e mëdha,pra në transportin amerikan. Pra, ai ish -futbollisti, me këmbët e forta në fushën e lojës, tanimë, i binte Amerikës  kryq e tërthor,  me po ato këmbë të forta duke ngarë kamionin e tonazhit të rëndë, ditën e natën,për një javë rresht. Amerika është toka e mundësisë dhe Peti hapi kompaninë e tij, në kontratë me FEDEX, duke punësuar  dhjetëshoferë të tonazhit të rëndë, shumica prej tyre, amerikanë. Petrika punoi shumë fort, fitoi respektin e të gjithëve, por edhe ne na e bëri jetën të bukur e të lehtë në Amerikë.

Petrika e pëlqente futbollin,ishte pasionant dhe adhurues i futbollit. Ai  ndiqtepothuajse cdo ndeshje të ekipit korcar “Skënderbeu” dhe të kombëtares  shqiptare, edhe këtu në Amerikë. Kënaqej me fitoret e ekipit të “Skënderbeu”-t, skuadrës së tij të zemrës që e donte aq shumë, ku u rrit u formua si një futbollist i mirënjohur dhe i dha aq shumë nga shpirti forca e talentit dhe inteligjencës së tij, në fushën e lojës. Emisionet sportive ishin të preferuarat e tij të djelave. Nga skuadrat e huaja pëlqente Gjermaninë. Bashkëshorti im, dhe ai ish-futbollisti i mirënjohur korcar, ishte një shpirt dhe njeri i lirë. Petrika gëzohej për cdo arritje të shqiptarëve këtu në SHBA. Kishte edhe shpirtin e bamirësit, ndihmonte me gjithë shpirt këdo që i kërkonte ndihmë. Petrika, si cdokush nga ne e donte jetën. Kishte shumë plane për të ardhmen, por sëmundja e papritur dhe ikja e parakohëshme, bëri që këto projekte të mbeten në mes. Kishte shumë mall për Korcën, miqtë e tij të shumtë, stadiumin e vendlindjes, i mungonin sportdashësit korcarë, brohoritjet e tyre në korr, dhe një nga dëshirat e herëshme të tij, ishte të kthehej në Korcë. Momentet e fundit të jetës, na la amanet të prehej në vendlindje, dëshirë që ne familja e tij, unë e djemtë me dhimbje e dashuri ia plotësuam. Petrika Tole,një nga ikonat e futbollit korcar prehet tashmë në varrezat e qytetit të tij të shtrënjtë, Korcës. Na mungon shumë, vecmas djemëve të tij, akoma më shumë. Ai ishte shoku, miku, mentori, heroi dhe shëmbulli i sakrificës, punëtorit të palodhur, që me mund e djersë, bëri edhe amerikanët të punojnë për të. Ai ishte simboli i  bashkëshortit shëmbullor dhe babait të përkushtuar e të dashur. Djemtë e adhurojnë shumë personalitetin e Atit të tyre dhe e mbajnë atë udhërrëfyes në jetën e tyre, -përfundon rrëfimi e saj, znj. Tole.

Postcriptum

Në dt.13 shtator 2016, në ambientet e bibliotekës “Thimi Mitko”, të qytetit të Korcës, u mbajt Eventi përkujtimor , Rikthim ndër vlera, – In Memoria -të dy ish-futbollistëve të ekipit “Skënderbeu” i Korcës, i dy ikonave të futbollit korcar, ndare nga jeta këtë vit, -Maksim Tuxhari, i vlerësuar  si Balerini i Futbollit Korcar, dhe Petrika Tole,- mbrojtësin e mirë të kohës, futbollistin e përkryer,  trimin e guximtarin, Tolen e “Skënderbeut”, dhe futbollit Shqiptar, du futbollistë me simbolikën e përbashkët -fanellën me nr 8! Një aktivitet i këndshëm dhe një përkujtim i mrekullueshëm i ideuarnga publicistja dhe shkrimtarja korcare me banim në Amerikë, Raimonda Moisiu dhe mbështetur  plot qytetari e profesionalizëm, nga  legjendat e futbollit korcar e shqiptar, ikonat;, Teodor Vaso dhe Aleko Pilika, për njohjen e vlerave dhe kontributit të tyre cilësor të këtyre figurave të futbollit korcar. Më duhet të theksoj edhe mbështetjen morale e financiare, të familjeve Tuxhari dhe Tole. Për t’u njohur  me figurën e tyre miq shokë kolegësi ikonat e futbollit korcar ndër vite, Dhimitraq Dembo, Aleko Pilika, Neim Tuxhari, Vasillaq Thimo, Xhambazi, Stratobërdha, aktori i mirënjohur korcar Guri Koco, etj,  dhe të afërm sollën kujtime,  mbresa dhe momente të paharruara e mbresëlënëse për profilin e tyre njerëzor, sportiv qytetar dhe intelektual.

I përjetshëm kujtimi dhe kontributi i tyre sportiv.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: NJERIU I MIRË, Petrika Tole, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2432
  • 2433
  • 2434
  • 2435
  • 2436
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT