• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NE SOFREN E DIELLIT-JULIA GJIKA

January 8, 2021 by dgreca

KËTO DITË ME TY/

Nga Julia GJIKA/

Këto ditë unë mendoj për ty,/

të mendoj në stinën e jargavanit,/

ndoshta se jam në stinën e borës dhe akullit./

O sikur të fluturoja dot si fluturojnë zogjtë/

në stinën e pranverës!/

Të këndoja me ta një këngë gëzimi,

lartësive ku ngjiten ata.

Këto ditë mendoj për ty

dhe jam 200 vjet pas teje.

“Fije bari” në duart e mija

në një nga vjershat lexoj:

shkruan se je sot me mua.

Sikur i ke shkruar dy orë më parë:

Vërtet ti sot je me këdo që të ka njohur,

sepse ti vazhdon të thuash të vërtetat.

Në qiellin madhështor shikoj atë që ke parë ti ,

lexoj Amerikën, poemën më të madhe të botës.

Wollt Whitman me zemrën sa krahërori.

Amerikën dhe heronjtë e saj atje i mban,

njerëzit nga të gjitha kombet, të gjitha racat

ti i deshe pa dallim.

Sot është e diel.

Në kisha po bien këmbanat.

155 vjet, që mungon Kapiteni.

Ai që lidhi plagët e këtij vendi

veri- jugë, jugë- veri.

Ai që ushqeu paqen e drejtë jetëgjatë.

Ai që e vranë me një plumb prapa veshit.

Po tani, shumë shekuj më vonë,

duan t’a vrasin prapë, në zemër,

ku t’a gjejnë zemrën e tij?

Jargavani me gjethet në trajtë zemre fëshfërin:

Këtu reh, këtu në gjelbërimin tim!

Unë ndjej sot,

atë që ti ke ndjerë 200 vjet më parë,

aromën dhe muzikën që shoqëron dritën.

“Endërroj të isha me ty

të bëhesha shoku yt -shkruan

Kushedi jam vërtet me ty?”

Vërtet ti sot je me mua.

Nuk guxoj të tregoj për turmat,

nuk guxoj, them se të lëndoj, ja p.sh

janë ngritur në protesta “Paqesore”!

heronjtë po i zbresin nga piedestalet

keshtjellën e lirisë në Washington,

guxuan t’a sulmojnë,

drita e gjelbër në semaforë s’punon si më parë,

kur duhet të hapet, ndalon.

Të kundërtën bën e kuqja,

kur duhet të ndalojë hapet,

kaos krijohet asgjë tjetër.

Këto ditë të mendoj, Wollt Whitman.

Dua të këndoj me ty një këngë gëzimi.

Për stinën e jargavanit, ëmbëlsinë e jetës,

për dritën që errësirën dëbon.

I bashkohem këngës së zogjve të pranverës

me ta për lirinë në shekuj të këndojmë!

6-7 Janar /2021

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Julia Gjika, KËTO DITË ME TY

Presidenti Trump dënon dhunën

January 8, 2021 by dgreca

Përballë kërcënimit për t’u larguar nga detyra, Presidenti Trump dënon dhunën/

Nga Patsy Widakuswara/

Në një video të publikuar të enjten mbrëma, Presidenti Donald Trump tha se ai është i skandalizuar nga “dhuna, kaosi dhe anarkia” që u panë kur mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin në Uashington të mërkurën. Zoti Trump po përballet me thirrje në rritje nga demokratë dhe republikanë të cilët thonë se ai duhet të hiqet nga detyra. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë Patsy Widakuswara, njofton.

Ndërkohë që skenat e sulmeve me dhunë të mbështetësve të tij në Kapitol kanë bërë xhiron e botës, Presidenti Donald Trump publikoi të enjten mbrëma një video ku flitej për ngjarjen e së mërkurës.

“Si të gjithë amerikanët, unë jam i indinjuar nga dhuna, kaosi dhe anarkia,” thotë ai në video.

Ai pranoi që Kongresi e ka çertifikuar rezultatin e zgjedhjeve, por nuk e uroi Presidentin e zgjedhur Joe Biden, siç është tradita në Shtetet e Bashkuara.

“Vemendja ime tani është te garantimi i një tranzicioni të qetë, të rregullt dhe të pandërprerë të pushtetit,” tha ai.

Po të enjten, zoti Biden përsëri e qortoi ashpër presidentin.

“Ai që nga fillimi ka ndërmarrë një sulm në shkallë të gjerë ndaj institucioneve tona të demokracisë. Dje ishte kulmi i këtij sulmi të pandërprerë,” tha zoti Biden.

Por ai nuk foli për thirrjet në rritje për të hequr Presidentin Trump nga detyra për nxitjen e dhunës së turmave.

Thirrjet erdhën nga udhëheqësi i ardhshëm i shumicës në Senat, Chuck Schumer dhe nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, të cilët po bëjnë presion për të aktivizuar amendamentin e 25-të të Kushtetutës.

“Duke nxitur rebelim, siç bëri dje, ai duhet të hiqet nga detyra. Edhe pse kanë mbetur vetëm 13 ditë, çdo ditë mund të jetë një spektakël horrori për Amerikën,” tha ajo.

Edhe anëtari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Adam Kinzinger bëri thirrje për heqjen e zotit Trump.

“Janë të gjitha shenjat se presidenti është bërë i pandjeshëm, jo vetëm ndaj detyrës dhe betimit të tij, por edhe ndaj vetë realitetit,” tha zoti Kinsinger.

Amendamenti i 25-të lejon heqjen e një presidenti i cili “nuk është në gjendje të kryejë kompetencat dhe detyrat”. Heqja bëhet përmes një votimi nga nënpresidenti dhe shumica e kabinetit. As nënpresidenti Mike Pence dhe as ndonjë anëtar i kabinetit nuk e kanë mbështetur publikisht thirrjen.

“Me kohën që ka mbetur, mendoj se do të kishte disa pengesa praktike dhe ligjore për ta bërë këtë. Pra, mund të bëhet, por do të ishte shumë e vështirë,” thotë John Fortier në Institutin “American Enterprise”.

Ndërkohë, një prokuror federal që po heton për trazirat, ka thënë se do të ngrejë akuza kundër cilitdo që i nxiti ato, duke përfshirë ndoshta edhe Presidentin Trump, i cili u kërkoi mbështetësve të marshonin drejt Kongresit për t’u bërë presion ligjvënësve të bllokonin çertifikimin e fitores së zotit Biden. Prej muajsh ai ka thënë se mund të humbasë vetëm nëse zgjedhjet do të manipuloheshin.

“Imazhet janë tronditëse dhe trishtuese. Dhe mendoj se ky ishte përfundimi fatkeq, por disi i parashikueshëm i denigrimit të demokracisë nga ana presidentit,” thotë analisti Jason Grumet.

Zonja Pelosi tha se nëse nënpresidenti Pence nuk do të aktivizojë amendamentin e 25-të, Dhoma e Përfaqësuesve do të shikojë mundësinë për të ngritur përsëri akuza për shkarkimin e zotit Trump. Herën e parë, procesi i shkarkimit filloi në fund të vitit 2019 por në shkurt 2020, Presidenti u shpall i pafajshëm nga Senati.

*Zeri i Amerikes

Filed Under: Featured Tagged With: Përballë kërcënimit për t’u larguar nga detyra, Presidenti Trump dënon dhunën

Ligjvënësit amerikanë kërkojnë hetim të forcës policore që mbron Kapitolin

January 7, 2021 by dgreca

Ligjvënësit amerikanë po bëjnë thirrje për një hetim të forcës policore që mbron Kapitolin, duke i falenderuar ata në të njëjtën kohë për veprimet e tyre, pas sulmit të së mërkurës në selinë e organit legjislativ të vendit nga një turmë mbështetësish të presidentit Trump.

Kërkesa u bë nga dy demokratë të cilët në Kongresin e ri do të drejtojnë nënkomisionet që mbikëqyrin buxhetin për Policinë e Kapitolit.

“Do të ketë shumë video, disa që ngrenë shqetësime, disa që tregojnë heroizëm. Na duhet një hetim i plotë se si u shkel kaq shpejt siguria e Kapitolit”, tha senatori Chris Murphy.

Ligjvënësi Tim Ryan vuri në dukje mungesën e përgatitjes përpara tubimeve të planifikuara të së mërkurës, ku mbështetësit e Presidentit Donald Trump u mblodhën për të mbështetur refuzimin e tij të vazhdueshëm dhe të pabazë të humbjes së zgjedhjeve.

“Mendoj se është mjaft e qartë se do të ketë një numër njerëzish që do të pushohen nga puna shumë, shumë shpejt sepse ky është një turp si i turmës, i presidentit, i kryengritjes, dhe përpjekjes për grusht shteti , por edhe i mungesës së planifikimit profesional dhe ballafaqimit me atë që e dinim se do të ndodhte”, tha ai.

Ligjvënësja Ilhan Omar shtoi: “Ne harxhojmë miliarda dollarë për sigurinë kombëtare dhe sot nuk arritëm të mbrojmë kryeqytetin e vendit tonë nga një turmë e paligjshme. E papranueshme!”

Seria e ngjarjeve të së mërkurës filloi me Presidentin Trumpin duke folur në një tubim në mesditë pranë Shtëpisë së Bardhë, duke i kërkuar turmës të vazhdonte luftën për rezultatet e zgjedhjeve, ndërsa anëtarët e Kongresit po përgatiteshin për çertifikimin e votave dy kilometra larg.

“Ne do të ecim nëpër Bulevardin e Pensilvanisë … dhe do të shkojmë në Kapitol … do të përpiqemi t’u japim republikanëve tanë … llojin e krenarisë dhe guximit për të cilën kanë nevojë për të marrë vendin përsëri në dorë”, tha ai.

Nga ora 13:30, Policia e Kapitolit po u kërkoi gjithë personave që ishin në ndërtesën e Dhomës së Përfaqësuesve dhe atyre në një ndërtesë ngjitur me Bibliotekën e Kongresit që të evakuoheshin. Pak pas orës 2 pasdite, u njoftua për “një kërcënim të jashtëm të sigurisë të vendosur në pjesën perëndimor të Ndërtesës së Kapitolit “, pasuar së shpejti nga një tjetër alarm që sinjalizonte një “kërcënim sigurie brenda ndërtesës”.

Ligjvënësit dhe personeli u udhëzuan që të gjenin strehë, të mbyllin dyert dhe të qëndrojnë larg dritareve.

Robert Contee, shefi i Departamentit të Policisë Metropolitane të qytetit, tha se Policia e Kapitolit në atë moment i kërkoi ndihmë departamentit të tij për forca shtesë.

Në disa nga videot e shumta të shpërndara në mediat sociale dhe nga organizatat e lajmeve, oficerët e Policisë së Kapitolit mund të shihen të rrethuar nga turmat jashtëzakonisht të mëdha që kaluan nëpër barrikada dhe iu shmangën oficerëve që po përpiqeshin të ndalnin përparimin e tyre. Protestues të tjerë u ngjitën në mure ndërsa disa thyen dritaret për t’u futur brenda ndërtesës.

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, së bashku me nënpresidentin Mike Pence, i cili po kryesonte seancën e çertifikimit, u evakuuan.

Turma kaloi orë të tëra brenda ndërtesës, përfshi në zyrën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, duke lënë pas dyer dhe mobilje të dëmtuara përpara se të dilnin duke u ndeshur me pak rezistencë.

Sipas zotit Contee, deri në orën 18:00 kur Policia e Kapitolit, e ndihmuar nga oficerët lokalë si dhe Garda Kombëtare dhe agjencitë federale të zbatimit të ligjit, rimorën kontrollin, policia kishte qëlluar për vdekje një grua dhe tre persona të tjerë humbën jetën për shkak të problemeve mjekësore.

Policia Metropolitane tha se arrestoi 52 persona dhe 14 nga oficerët e departamentit u plagosën.

Kryebashkiakja e Uashingtonit Muriel Bowser vendosi një ndalim-qarkullimi që hyri në fuqi më vonë, dhe zgjati gjatë gjithë natën. Rreth orës 21 ligjvënësit ishin përsëri brenda në Kongres për të rifilluar seancën e tyre.

“Sapo kalova nëpër Kapitol për t’u kthyer në Dhomën e Përfaqësuesve,” tha ligjvënësja republikane Kelly Armstrong të mërkurën vonë. “Policia e Kapitolit është ende atje. Të rraskapitur, të gjakosur, të fashuar, disa janë në barela. Ata e bënë punën e tyre sot dhe e bënë mirë. Janë akoma këtu. Në mbrojtje të Kapitolit të Shteteve të Bashkuara në mënyrë që Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati të mblidhen dhe të përmbushin detyrën kushtetuese”.

Senatori republikan Mitt Romney shkroi në Twitter falënderimet e tij për Policinë e Kapitolit, FBI-në, Shërbimin Sekret dhe Gardën Kombëtare, duke vlerësuar “profesionalizmin dhe trimërinë” e tyre.

Ndërsa po hynte e enjtja, FBI-ja lëshoi një thirrje për publikun për të siguruar foto, video ose informacion në lidhje me protestuesit.

Në orën 1:13 të mëngjesit erdhi një njoftim i fundit i Policisë së Kapitolit se nuk kishte më kërcënim të brendshëm të sigurisë.

Ndërsa në anën perëndimore të Kapitolit po bëhen përgatitjet për inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Joe Biden më 20 janar, zonja Bowser tha se ajo e zgjati urdhërin e emergjencës për 15 ditë “për të siguruar paqen dhe sigurinë”.

Shërbimi Sekret amerikan udhëheq përpjekjet e sigurisë për inaugurimin, por zakonisht merr ndihmë nga agjenci të shumta si Policia e Kapitolit, policia Metropolitane, Administrata Federale e Aviacionit dhe Garda Kombëtare.(Zeri i Amerikes)

Filed Under: Opinion Tagged With: Chris Murphy, Hetime per Policine, Kapitol

KUJTESA – Bunkeri i “Kosovës së Lirë” nën mëshirën e kohës!

January 7, 2021 by dgreca

– Në shenjë të 22 vjetorit të themelimit të Radios “Kosova e Lirë”/

Nga pika ku u desh t’i lëmë veturat e deri në bunkerin që ndodhej në Majën e Pallanikut, ecëm së bashku rreth 40 minuta. E gjithë rruga në Malet e Berishës, përveç se lloç, ishte përpjetë e terren goxha i vështirë. Të gjithë këtë rrugë, Nusret Pllana dhe ekipi i Radios “Kosova e Lirë” në vitin 1999, e bënë çdo ditë për 3 muaj, duke bartur gjenerator e pajisje të radios, të cilat peshonin disa dhjetëra kilogram. Para kësaj, ky ekip, çdo ditë raportonte në lëvizje.

Ajo çfarë ishte më e rëndë se vet rruga, ishte pamja e bunkerit të radios. Të hyje në të, tashmë ishte e pamundur, ani pse brenda tij më parë ishte një radio e tërë, ku lehtë hynin deri në pesë persona.

Vendi tashmë ishte shndërruar në një strofull të kafshëve.

-Brenda mund të ketë ndonjë ari…ose ujk…ose ndoshta ndonjë dhelpër që është strehuar nga i ftohti i dimrit – bisedonim mes vete. – Është me gjethe brenda, se bunkeri është i madh, deri në katër metra – fliste me nostalgji Nusreti, teksa përpiqej me një dru ta hapte sadopak hyrjen, që të paktën, të dukej më mirë përmes kamerës. Ani pse nuk ishte përgjegjësi e tij të kujdesej për të, i vinte turp ta shihte shikuesi të lënë në atë gjendje. Ai edhe buzëqeshi pak në njëorëshin e qëndrimit pranë bunkerit, se ndoshta nuk i besohej që një vend me peshë kaq të madhe në historinë tonë, është lënë nën përkujdesjen e kafshëve të egra të malit.

Për çdo metër vend aty, Nusreti kishte nga një tregim.

Por, këto tregime nuk do t’i dëgjojnë ndonjëherë vizitorët. Aty s’ka ndonjë ciceron t’ua shpjegojë atyre këto gjëra, kjo pasi atje nuk shkon më askush. Të shkohet atje, është thuajse e pamundur. Bunkeri që dikur fliste për tërë Shqipërinë, sot është harruar nga Kosova.

Fidan Zejnullahu, gazetar/ T7

Filed Under: Kulture Tagged With: Kosova e Lire, Nusret pllana

GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR NË NORVEGJI

January 7, 2021 by dgreca

Rexhep Kurtishi mësues i Shkollës Shqipe “Naim Frashëri” Oslo, Norvegji, rrëfen ekskluzivisht për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Norvegji nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Rexhep Kurtishin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SI ORGANIZOHET DHE FUNKSIONON MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË NORVEGJI

Në Norvegji mësimi në gjuhë shqipe organizohet nga Parlamenti norvegjez. Norvegjia vitet e fundit është zhvilluar në një shoqëri e prekur nga kultura dhe shumëllojshmëria gjuhësore, që ka ndryshuar rrënjësisht parakushtet shkollore. Të dhënat shkencore vërtetojnë se fëmija mëson më mirë gjuhën që e kupton, pra gjuhën amtare. Në planprogramin arsimor të vitit 1987 nocioni dygjuhësi përcaktohet si epiqendra e të mësuarit e saj. Sipas Aktit tëArsimit, paragrafi 2 – 8, nxënësit me një gjuhë amtare të ndryshme nga norvegjishtja dhe Samishtja/ lapone mund të aplikojnë për të mësuar në gjuhën e tyre amtare derisa të kenë aftësi të mjaftueshme në norvegjisht për të ndjekur arsimin e rregullt në shkollë. Mësimi në gjuhë amtare u ofrohet nxënësve në një formular ku prindërit njoftohen hollësisht dhe në bashkëpunim me udhëheqësit e shkollës japin pëlqimin e tyre për të nënshkruar. Komunat ofrojnë mësimin në gjuhë amtare sipas dispozitave dhe kushteve të përcaktura në rregulloren e shkollës fillore. Në Norvegji, sipas të dhënave statistikore, mësimi në gjuhë amtare zhvillohet në 120 gjuhë të ndryshme. Komuna e Oslos filloi mësimin në gjuhë të huaj amtare në vitin 1969. Nga viti 1974 mësimi në gjuhë të huaj/amtare u bë me një administratë të vetme dhe me një sektor me buxhetin e vet. Plan programi mësimor i vitit 1982 për arsimin fillor në kapitullin 6 thotë: “Parakusht që nxënësi me gjuhë tjetër nga norvegjishtja të ndihet si në shtëpi me dy gjuhë është dy gjuhësia”, tek ato lëndë mësimore ku nxënësit kanë nevojë. Shkolla fillore e detyruar nëntëvjeçare u miratua në vitin 1969, kurse ajo 10 vjeçare me reformën e vitit 1997. Nga vjeshta e vitit 2019, u vendos që nga klasat 1 – 4 të ketë deri në 15 nxënës, kurse nga klasat 5 – 10 deri në 20 nxënës. Numri i nxënësve shqiptarë, sipas të dhënave statistikore, figuron rreth 1800. Për nxënësit shqiptarë, mësimi në gjuhë amtare ofrohet për ata që nuk e zotërojnë mjaftueshëm gjuhën norvegjishte. Numri i orëve mësimore ndryshon nga kapaciteti i njohurive të nxënësve nga 1 deri në 3 orë. Mësim në gjuhë amtare u jepet nxënësve deri në klasën e tretë, kurse nga klasa e katërt e më lartë jepet mësim në dygjuhësi dhe kjo zgjat deri në gjashtë vite. Edhe kjo varet nga niveli i aftësimit të gjuhës nga nxënësi. Nëse nxënësi arrin ta mësoj gjuhën shpejt, i ndërpritet mësimi në aftësi dygjuhësore. Ora e punës mësimore zgjat 60 minuta. Ky orar mësimor dallon nga komuna në komunë. Kjo formë e mësimit nuk praktikohet në Oslo, kurse në komunën Asker ku unë punoj që nga viti shkollor 1997/’98, praktikohet dhe vlerësohet shumë mësimi në gjuhë amtare. Në Norvegji, nxënësit deri në klasën e shtatë nuk vlerësohen me notë, por me testime. Në Suedi nxënësit vlerësohen me notë edhe në gjuhën amtare, pra në gjuhën shqipe. Kurse në Norvegji në gjuhë shqipe nxënësit nuk vlerësohen me note, përpos në shkollimin e mesëm, nëse nxënësi si lëndë fakultative zgjedh gjuhën amtare, atëherë jep provimin dhe merr notë. Orë mësimi në gjuhë shqipe nuk praktikohet në arsim të mesëm.

QYTETET KU MËSOHET SHQIP, KURRIKULAT MËSIMORE

Në çdo qytet ku ka fëmijë shqiptarë, organizohet dhe praktikohet mësimi në gjuhën shqipe. Ky organizim ndryshon nga qyteti në qytet. Shumica dërmuese e fëmijëve shqiptarë janë nga Kosova, Maqedonia dhe vitet e fundit ka edhe nga Shqipëria. Nga Shqipëria janë ato familje që kanë jetuar në Greqi apo Itali, pra në shtetet e Bashkimit Evropian. Me keqardhje i përdora emrat Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri në vend se të përdori emrin e përbashkët Shqipëri. Rreth 2000 fëmijë shqiptarë të arsimit fillor ndjekin mësimin në gjuhë amtare. Mësimi në gjuhë shqipe është parakusht për t’u aftësuar në gjuhën norvegjishte. Në përdorim, praktikojmë planprogramin arsimor nga Enti i Arsimit të Norvegjisë, nga Shqipëria, Kosova dhe nga viti i kaluar edhe nga Diaspora shqiptare. Nga viti shkollor 1994/’95 kemi përdorur tekste shkollore nga Shqipëria, pastaj tekste mësimore nga prof. dr. Shefik Osmani, tani i ndjerë dhe nga viti shkollor 1998/’99 nga Diaspora të përpiluara në Shqipëri.

MËSIMI I GJUHËS AMTARE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT

Gjuha amtare është palca e kombit për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar në Norvegji. Norvegjia si shtet demokratik është shembull për mundësimin e dhënies së mësimit në gjuhë amtare si kusht për ruajtjen e identitetit kombëtar. Në Norvegji fliten dhe përdoren rreth 120 gjuhë, në mesin e tyre edhe gjuha shqipe. Puna e palodhshme e mësuesve shqiptarë mundësojnë që fëmijët e tyre ta mësojnë, zotërojnë dhe ta kultivojnë gjuhën dhe letërsinë shipe, historinë, artin, kulturën dhe traditat shqiptare, të nxiten dhe të motivohen për të mbajtur kontakte të përhershme me të afërmit e tyre, me vendlindjen dhe me atdheun e tyre të dashur. Në shkollat ku ndiqet mësimi në gjuhën shqipe, mbretëron dashuria për t’u përshëndetur në shumë gjuhë, po ashtu edhe në gjuhë shqipe. Në hyrje të shkollës ku punoj, valon flamuri ynë kombëtar së bashku me flamuj të tjerë dhe përdorimi i tyre bëhet në festimin e Kombeve të bashkuara më 24 tetor si dhe në kohën e festës sonë kombëtare. Në orët mësimore mbretëron fryma demokratike duke përdorur pyetje demokratike pa dalluar nivelin e nxënësve. Për punën time mësimore flasin nxënësit, udhëheqësit e shkollës, kolegët e mi norvegjez si dhe prindërit. Ky vit për mua do të jetë vit i fundit, vit pensionimi. Më 11 mars mbush 67 vjet, moshë pensionimi në Norvegji.

SI PRITET MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË NORVEGJI

I falënderojmë organet e Entit të Arsimit të Norvegjisë që na kanë mundësuar zhvillimin e mësimit në gjuhë amtare në shkollat norvegjeze. Sipas pedagogëve me famë norvegjeze dhe botërore, mësimi në gjuhë amtare është burim kryesor për ndërtim urash dhe kusht për të mësuar më mirë një gjuhë tjetër, respektivisht gjuhën norvegjeze dhe për t’u integruar në shoqërinë norvegjeze. Për çdo nxënës, duke filluar nga institucionet arsimore parashkollore (kopshtet), raportohet tek udhëheqësit e shkollave ku fëmijët do të regjistrohen për aftësitë dhe nivelin e arritur gjuhësor. Fëmijët që kanë arritur ta mësojnë rrjedhshëm gjuhën norvegjeze, nuk u ofrohet mësim në gjuhë amtare. Ky qëndrim nuk ka qenë para 10 vitesh. Më parë, të gjithë fëmijët kanë pasur të drejtë të mësojnë në gjuhë amtare, pa dallim niveli gjuhësor. Në komunën ku shkolla ime i përket, mësimi në gjuhë amtare mbahet në orar të rregullt, e jo pas orarit të rregullt mësimor. Në orë të punës mësimore, punohet në grupe dhe pyetjet nuk janë kontrolluese por  demokratike. Për çdo vit, mësuesi i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, raporton me shkrim për suksesin e nxënësit dhe vazhdimin e mësimit të gjuhës shqipe për vitin e ardhshëm. Po ashtu,  mbahen dy mbledhje prindërore në vit, për të dhënë një përmbledhje për mbarvajtjen e punës edukative me nxënësit. Pyetjet demokratike të përdorura në orët mësimore formësojnë dhe zhvillojnë kujtesën deri tek dhënia e përgjigjes. Vëmendja e  vullnetshme është predispozitë për përceptimin e drejtë dhe të plotë e të gjitha vetive të të menduarit.

SHKOLLA E MËSIMIT PLOTËSUES TË GJUHËS SHQIPE NË OSLO

Prof. dr.Gani Banjska, tani i ndjerë, së bashku me mr. Qatip Halitin, në verë të vitit 1993,  tubuan bashkatdhetarët dhe u pajtuan për një shkollë plotësuese në Oslo. Në fillim tubuan rreth  80 nxënës të grupmoshave të ndryshme dhe kështu filloi mësimi në gjuhën shqipe të shtunave dhe të dielave. Mësimi fillonte në orën 8:30 dhe mbaronte në orën 13:00. Pas një viti, në vitin shkollor 1994/’95 u mbajt një mbledhje e përgjithshme, përfshirë intelektualë dhe prindër për hapjen e shkollës shqipe dhe për themelimin e Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë në Norvegji me seli në Oslo. Themeluesit e shkollës shqipe të mësimit plotësues “Naim Frashëri” ishin: prof. dr. Gani Banjska, Mr. Qatip Haliti, prof. Tahir Haziri, Bajram Gega, Selim Kukleci, Rexhep Kurtishi, Luljeta Kermendi, Ramush Zharku si dhe disa aktivistë. Të gjithë të lartëpërmendurit janë me kualifikim të përshtatshëm arsimor. Mësimi plotësues mbahej nga tri orë mësim në tri paralele. Me nxënësit punonin këta arsimtarë: Rexhep Kurtishi, Luljeta Kermendi, Antigona Qena dhe Nexhmije Mazrekaj. Puna mësimore në Oslo organizohej në tre nivele: në nivelin e ulët, të mesëm dhe të lartë. Numri i nxënësve rritej për çdo vit shkollor. Në vitin shkollor 2019/ 2020,  numri i nxënësve ka arritur në 130. Vitet e fundit, me nxënës të shkollës shqipe janë duke  punuar: Marlijenda Manaj, mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe nga Fieri, Imri Trena, agronom nga Kacaniku, Mustafa Ibrahimaj, mësues i histories nga Istogu, Rexhep Kurtishi, mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe nga Kumanova si dhe udhëheqës i drejtorit, Ramush Zharku,  historian nga Kaçaniku. Imri Trena punon në shkollën shqipe që nga viti shkollor 1999/ 2000.  Lëndët mësimore: Gjuhë shqipe dhe letërsi, histori kombëtare, gjeografi, art figurativ dhe art  muzikor. Në kuadër të shkollës shqipe në Oslo, u formua edhe Shoqata Kulturore Artistike Shqiptare. Në bashkëpunim me organet dhe asociacionet norvegjeze, në mars të vitit 1998 u  mblodhën ndihma financiare për krizën në Kosovë. Këtu u angazhua edhe Kryqi i Kuq së bashku me nxënësit dhe arsimtarët e shkollës. U organizuan festa  dhe manifestime kushtuar atdheut dhe kombit shqiptar. Me veprimtari të kombit dhe kultures shqiptare u bashkangjitën edhe disa aktivistë norvegjezë: Berit Backer, Bjørn Pedersen, gazetari Lars, i cili ka qenë pjesëtar  i UÇK – së dhe disa të tjerë. Veprimtaria e shkollës shqipe“ Naim Frashëri” në Oslo zhvillohet në bashkëpunim me shoqatën kulturore shqiptare “Rilindja” të udhëhequr nga Alush Balichi dhe  Metush Bajrami. Kryetar i mëparshëm i kësaj shoqate ka qenë Rexhep Shehu. Shkolla shqipe është kurorëzimi i përpjekjeve të intelektualëve dhe bashkatdhetarëve atdhedashës. Kjo shkollë  do të mbetet gjithnjë një dritë e pashuar për të gjithë brezat e shqiptarëve në Norvegji. Kjo shkollë ka ndikuar që edhe në qytete të tjera të mbahet mësimi shqip me arsimdashës.

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR SHQIPTARËT NË AMERIKË Kur flet gjuhën amtare, shkon drejt në zemër, kurse kur flet një gjuhë të huaj, shkon drejt në tru. Të ruash dhe të kultivosh gjuhën shqipe është sikur çelësi që përdoret për të hapur dyert dhe dritatret. Angazhimi i shqiptarëve kudo në botë për arsimimin shqip, përfaqëson faqen më të ndritur të histories sonë kombëtare. Uroj shëndet për bashkatdhetarët dhe punëtorët e arsimit në Amerikë, për punën e tyre të palodhshme për ndriçimin e kombit shqiptar. Të përkujtojmë me respekt e dashuri Federatën Mbarëshqiptare “Vatra”, e cila nga koha e Fan Stilian Nolit dhe Faik Konicës, ka shpërndarë rreze diturie dhe dashurie tek të gjithë shqiptarët. Përzemërsisht nga Norvegjia për vëllezërit dhe motrat tona në Amerikë.

Filed Under: Featured Tagged With: Norvegji, Shkolla shqipe, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 244
  • 245
  • 246
  • 247
  • 248
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT