PËRKUJTOHEN NË TIRANË JOSIF DHE VASIL PANI
Përurohet libri kushtuar këtyre atdhetarëve “At e bir për mëmëdhënë”./
Nga KOLEC TRABOINI/
Përurimi i një libri u bë shkas që në Muzeun Historik Kombëtar të mblidhen dardharë e devollitë, por edhe shkrimtarë e artistë për të përkujtuar dy nga figurat më të rëndësishme të Komunitetit shqiptar të Amerikës, veprimtarëve e drejtues të Shoqatës “Vatra” Josif e Vasil Pani. Libri është shkruar nga i biri i Vasil Panit, Sotiri, i cili jeton në Boston të Amerikës, pikërisht atje ku e kanë zhvilluar veprimtarinë atdhetare babai dhe gjyshi i tij. Veprimtarinë e hapi Kolec Traboini, i cili është kujdesur për botimin e librit. Ai theksoi se përtej përurimit kemi përkujtimin e këtyre dy figurave që nuk kursyen asgjë për çështjen kombëtare dhe meritojnë nderim e respekt nga të gjitha brezat që do të vijnë. Është një libër historik me shumë interes, që jo vetëm meriton të lexohet por edhe e pasuron bibliotekën e pasionantëve të historisë kombëtare, në të cilën komuniteti shqiptaro-amerikan zë një vend të rëndësishëm Fjalën kryesore e mbajti Prof. Nasho Jorgaqi, shkrimtar e studiues, i cili e njeh më mirë se kushdo veprimtarinë e shqiptarëve të Amerikës dhe ka botuar veprën voluminoze për jetën, veprimtarinë e krijimtarinë e Fan Nolit. Megjithëse e kam njohur veprimtarinë e Josif Panit, për mua tha Profesor N. Jorgaqi, ky libër është një vlerë e veçantë, sepse sillen kujtimet familjare gërshetuar aq mirë me dokumente të shumta dhe origjinale. Mund të thosha, theksoi shkrimtari Nasho Jorgaqi, se ky libër ka ardhur në kohën e duhur, madje historia e komunitetit shqiptar të Amerikës do të ishte i mangët pa këtë libër për Josif e Vasil Panin. Në vazhdim ai solli fakte nga jeta e Josif Panit këtij njeri punëtor por të pasionuar që bënte njëkohësisht edhe punën e botuesit dhe të gazetarit. Ai ishte ndër veprimtarët e parë, u njoh e bashkëpunoi me atdhetarin e madh Sotir Peci, ishte edhe mik i ngushte e besnik i Faik Konicës. E çuditshme por e vërtetë, vuri në dukje Profesor Nasho Jorgaqi, se Josif Pani ishte një njeri me ide të majta socialdemokrate, ndërkohë që dihet se Faik Konica ishte i djathtë madje konservator, e megjithatë ishin miq shumë të ngushtë e kurrë nuk u prishën me njeri-tjetrin, sepse të dy ishin atdhetar të mëdhenj dhe punonin me përkushtim për kombin. Ne vazhdim ai foli edhe për Vasil Panin, vazhdimësinë e ndritur të Josif Panit që Noli i madh e karakterizon atdhetar e bujar i madh e me shpirt të mirë. Vasil Pani ishte zgjedhur kryetar i “Vatrës” më shumë se asnjë njeri tjetër, në tre periudhat më të vështira të cilat i përballoi aq mirë sa siç thoshte Noli po të mos që Vasil Pani shoqata “Vatra” do të kishte pushuar së qeni prej kohësh. U sollën përshëndetjet e shoqatës “Devolli” dega Amerikë për kontributin e autorit të librit Sotir Pani i cili, u tha, vazhdon veprën e babait e gjyshit të vet. Këtë botim shoqata e vlerëson një vlerë e shtuar në veprimtarinë e shqiptarëve të Amerikës. Letërsia jonë dokumentare sot ka një vepër tjetër të re, tha në fjalën e tij Prof. Musa Kraja duke e përgëzuar autorin dhe duke vlerësuar dy figurat kombetare Josif e Vasil Pani, të cilët qëndrojnë krahas atdhetarëve të mëdhenj të periudhës së Pavarësisë e me pas. E mori fjalën edhe Novrus Shtylla duke çmuar veprimtarinë e palodhur të Sotir Panit si vazhdues i denjë i babait dhe gjyshit të vet. Nga Bostoni një grup emigrantesh shqiptare, Fuat Memelli, Jani Plasa, Kiço Çeku dhe Kostandin Mosko i dërguan një përshëndetje, të cilën e lexoi Kolec Traboini. “Çdo 28 Nëntor, te shtëpia e Sotir Panit në Dardhë, është ngritur flamuri shqiptar, ndërsa me ardhjen në Amerikë, ngrihet te shtëpia e tij këtu në Boston. Siç ka thënë Fan Noli, ne mërgimtarët, vetëm degët kemi në dhera të huaja, ndërsa rrënjët i kemi në atdheun tonë.” – thuhej ndër të tjera në letrën e emigranteve shqiptarë nga Amerika. Të pranishmit i përshëndeti autori i librit “At e bir për mëmëdhenë” Sotir Pani, i cili theksoi se e ndjente për obligim të sillte kujtimet e dokumentat që me durim i kishte mbledhur, se pari për rrethin familjar, por kur e pa se dorëshkrimi kishte marrë një formë të plotë vendosi ti botojë. Ai falënderoi të pranishmit, shtëpinë botuese “Emal” dhe Muzeun Historik Kombëtar për ketë organizim që është një nderim dhe përkujtim për Josif e Vasil Panin që tërë ja kushtuan Atdheut. Po kush kanë qenë Josif e Vasil Pani: Nga fundi i shekullit 19-të i riu nga Dardha e Korçës Josif Ligor Pani emigroi ca kohë në Greqi ku ra në kontakt me atdhetarët shqiptarë. Por atje u konfliktua me qarqet shovinistë të fqinjit të jugut dhe vendosi të shkojë emigrant në Amerikë në vitin 1903. Josifi qe ndër veprimtarët e parë e më të njohur për çështjen shqiptare. Veprimtaria e tij kishte dy drejtime kryesore, organizator shoqatash atdhetare që më pas do të formonin “Vatrën” dhe botues gazetash e revistash në gjuhën shqipe. Ishte botues i gazetave “Sazani” dhe “Drejtësia” si dhe autor i librit “Adriatiku dhe lufta europiane” . Gjithashtu autor i plot shkrimeve në gazetën “Dielli”. Josif Pani ishte bashkëpunëtor i ngushtë me Faik Konicën, me të cilin e lidhte një miqësi e madhe. Aq tipike ishte kjo miqësi sa që Faik Konica nuk pranonte të dilte në fotografi me ndonjë tjetër, këtë privilegj ia ka bërë vetëm gazetarit e botuesit Josif Pani. Nën shëmbullin e Faikut, Josif Pani njihet për polemikat e forta me greket e Amerikës por edhe me shqiptarët që punonin për Greqinë në dëm të çështjes shqiptare. Josif Pani jepte kontribut të madh edhe në Federatën “Vatra” deri sa këtë veprimtari atdhetare do ta vazhdonte i biri Vasil Pani. Në vitin 1922 kthehet në Atdhe, në fshatin Dardhë. Është e njohur lidhja e miqësia e tij me Hil Mosin që aso kohe ishte prefekt i Korçës dhe ndihmoi për hapjen e rrugës Korçë -Dardhë në vitin 1929. Faik Konica kur e mori vesh se Josif Panit kishte vdekur në Dardhë të Korçës më 14 maj 1934, ka shkruar:“Josif Pani, ish një shqiptar me karakter të shëndoshë, një nacionalist me ndjenja të këthjellta, bashkëpuntor i imi i vjetër dhe një mik i patundur.” Vasil Josif Pani ishte fare i ri kur në vitin 1912 u kthye nga Amerika në Shqipëri dhe u fut në radhët e luftëtarëve të çetës së Themistokli Gërmenjit. Mori pjesë në luftë kundër forcave andarte greke që donin të pushtonin Korçën e fshatrat përreth. Qëndroi në çetat atdhetare edhe në vitet 1913-1914, por edhe në xhandarmërinë e qytetit në ruajtjen e rendit, e më pas do të shkonte përsëri në Boston të Amerikës pranë babait të vet. Në gazetën “Drejtësia” 1920, atdhetari Naum Cerja ka shkruar:“Josifi (Pani) nuk e kurseu djalin e tij, por e bëri therror në altarin e atdheut si Abrahami Isakun dhe e dërgoi shpresën dhe ngushëllimin e pleqërisë, Vasilin, 19 vjeçar, të mbrojë truallin e shenjtë të Atdheut me krahërorin dhe gjakun e tij.” Vasil Pani ka hapur asokohe një restorant të madh në Boston, i cili u bë qëndra ku mblidheshin shqiptarët dhe veprimtarët e “Vatrës” me Fan Nolin dhe Faik Konicën. Vasil Pani një pjesë të madhe të fitimit në restorant e kalonte për Federatën “Vatra”, sa edhe Noli do ta pranonte se, të mos ishte Vasil Pani Federata Panshqiptare “Vatra” do të ishte shuar e harruar. Duke i njohur meritat, anëtarët e Federatës e zgjodhën fillimisht për 10 vjet kryetar i “Vatrës. Por u zgjodh dhe dy herë të tjera. Vdiq papritur më 11 dhjetor 1947 në moshën 52 vjeçare. Fjalët e shprehura nga shqiptarët e Amerikës për këtë humbje të madhe janë me të vërtetë prekëse. Vetë Fan S. Noli për këtë figurë të Komunitetit Shqiptar në Amerikë, ka vënë në dukje tre kategori ku mund të ndahej jeta e tij: Vasil Pani patriot, Vasil Pani si besnik, dhe Vasil Pani si shpirtmirë për ta përmbyllur me fjalët: “Vasil Pani ka qenë kurdoherë në krye të taborit të Shqiptarizmë….
LAJMI I MUZEUT HISTORIK KOMBETAR/
“At e bir për mëmëdhenë”, historia e panjohur promovohet në Muzeun Kombëtar Historia e panjohur promovohet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Jeta e vepra e Josif dhe Vasil Panit, bashkëpunëtorë të afërt të Fan Nolit dhe Faik Konicës vjen kështu nëpërmjet një libri të ri. Në prag të vjeshtës 2016 vjen për lexuesit libri me titull “At e bir për mëmëdhenë” i shkruar nga Sotir Pani, përgatitur për botim nga Kolec Traboini në serinë e botimeve Pantheon, nga shtëpia botuese Emal. Një libër ky që veç jetëshkrimit ka edhe një mori dokumentesh me shumë vlerë e që mbase për herë të parë bëhen të njohura për lexuesin shqiptar. Në këtë libër kemi dy kapituj kryesorë për dy jetë atdhetarësh, por që kanë një përputhshmëri, sepse të dy këta kishin një veprimtari dhe një ideal të përbashkët. Josif Pani, ky mik për kokë i Faik Konicës, ishte ndër themeluesit e shoqatave të para shqiptare në Boston, më pas edhe i Vatrës, ndërsa i biri Vasil Pani, do të ishte ai që do të mbante të gjallë këtë shoqëri shqiptarësh për vite me radhë. “At e bir për mëmëdhenë” është një libër me plot ngjarje jo vetëm për dy figurat e mëdha atdhetare Josif e Vasil Pani, që shteti shqiptar i ka vlerësuar e dekoruar, por është i m LAJMI I MUZEUT HISTORIK KOMBETAR “At e bir për mëmëdhenë”, historia e panjohur promovohet në Muzeun Kombëtar Historia e panjohur promovohet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Jeta e vepra e Josif dhe Vasil Panit, bashkëpunëtorë të afërt të Fan Nolit dhe Faik Konicës vjen kështu nëpërmjet një libri të ri. Në prag të vjeshtës 2016 vjen për lexuesit libri me titull “At e bir për mëmëdhenë” i shkruar nga Sotir Pani, përgatitur për botim nga Kolec Traboini në serinë e botimeve Pantheon, nga shtëpia botuese Emal. Një libër ky që veç jetëshkrimit ka edhe një mori dokumentesh me shumë vlerë e që mbase për herë të parë bëhen të njohura për lexuesin shqiptar. Në këtë libër kemi dy kapituj kryesorë për dy jetë atdhetarësh, por që kanë një përputhshmëri, sepse të dy këta kishin një veprimtari dhe një ideal të përbashkët. Josif Pani, ky mik për kokë i Faik Konicës, ishte ndër themeluesit e shoqatave të para shqiptare në Boston, më pas edhe i Vatrës, ndërsa i biri Vasil Pani, do të ishte ai që do të mbante të gjallë këtë shoqëri shqiptarësh për vite me radhë. “At e bir për mëmëdhenë” është një libër me plot ngjarje jo vetëm për dy figurat e mëdha atdhetare Josif e Vasil Pani, që shteti shqiptar i ka vlerësuar e dekoruar, por është i mbushur me plot fakte, dokumente, fotografi dhe përshkrime të veprimtarive nga jeta e Komunitetit Shqiptar të Amerikës. Me 260 faqet e tij, libri është një histori e gjallë, e dokumentuar që i shton njohuritë edhe për shoqatën atdhetare “Vatra”, e quajtur dhe Qeveria Shqiptare në mërgim. Kolec Traboini u shpreh se, “Është një libër historik me shumë interes, që jo vetëm meriton të lexohet por edhe e pasuron bibliotekën e pasionantëve të historisë kombëtare, në të cilën komuniteti shqiptaro-amerikan zë një vend të rëndësishëm”. Gjatë ceremonisë së promovimit folen dhe prof. Nasho Jorgaqi si dhe Prof. Musa Kraja.
*Falenderojme shkrimtarin Kolec Traboini, qe e ndau kete ngjarje me lexuesit e Diellit
LAMTUMIRË NOLTE-s : PA TEK GULAGU PARAKUSHTIN E SHOAH

Shkruar nga SERGIO ROMANO/ Kur fliste për veten, Ernst Nolte, i shuar në Berlin në moshën 93 vjeçare, nuk përcaktohej thjesht “historian”. Parapëlqente të quhej mendimtar i historisë, një studjues idesh, konceptesh, kategorish e metodash historiografike. Kishte qënë nxënës i filozofit Martin Heidegger, ishte diplomuar me një tezë mbi marksizmin dhe idealizmin gjerman e kishte shmangur rekrutimin, gjatë luftës së dytë botërore, për një të metë në dorë. Mbas universitetit i u kushtua gjatë studimit të tre lëvizjeve “fashiste” n’Evropë ndërmjet dy luftërave : fashizmi italian, nacionalsocializmi gjerman dhe Veprimi Francez.Për disa vjet librat e tij u përkthyen e u botuan në gjuhë të tjera, pa shkaktuar skandal pikëpamjet dhe përsiatjet e shprehura në to. Por ishte e qartë, që nga punimet e para, se pyetjet e hartuara nga Nolte do të kishin vënë në diskutim disa prej sigurivet të mbas luftës së dytë. Ҫ’kishte qënë Reich-u i Tretë ? E keqja absolute ? Një unicum i historisë bashkëkohore apo një dukuri e lidhur me të tjera ngjarje evropiane ? Një monokraci, një polikraci, apo madje, simbas një përcaktimi të Goebbels-it, një anarki autoritare ? Cilët qenë rrënjët e kundër semitizmit të Hitlerit ? Cili qe roli i hebrenjve në Revolucionin e Tetorit ? A ishte e pranueshme të zhdukej si “revizionizëm” gjithshka që nuk përkonte me normat e ortodoksisë historiografike ? A ishte e pranueshme të paditej një historian, sepse kishte shprehur dyshime mbi arsyet e një ngjarjeje historike të dënuar botërisht ?
Skandali shpërtheu kur Nolte, më 1987, shkruajti një libër mbi “luftën civile evropiane”, mbasi kishte botuar një vit më parë në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” tekstin e një konference të titulluar E shkuara që nuk don të shkojë. Tema e përsiatjeve të tij ishte, në thelb, fajësimi i Gjermanisë, proçesi që shumë historianë e burra Shteti i kishin bërë dy herë kombit gjerman gjatë Nëntëqindit : mbas fundit të Luftës së madhe e mbas luftës së Dytë botërore. Por ndërmjet dy proçeseve ka një ndryshim të rëndësishëm. Ai i kryer mbas 1918-ës, pati si pasojë nenin 231 të traktatit të Versailles (në të cilin Gjermania u detyrua të njihej fajtore e luftës), dhe një ngritje shqytesh të gjithë inteligjencës gjermane kundër një vendimi që u quajt i poshtër dhe i njëanshëm. Ndërsa proçesi i dytë u mbajt në Nurenberg, u mbyll me dymbëdhjetë dënime me vdekje dhe e la Gjermaninë gojëmbyllur deri sa pikërisht Nolte, kujtoi se kishte ardhur tashmë çasti për t’a vendosur nazizmin, si çdo ngjarje tjetër, në një perspektivë historike.
Nolte mendonte se në politikën e Hitlerit kishte edhe një përgjigje bolshevizmit ; që lageri ishte versioni gjerman i gulagut ; se fati i caktuar hebrenjve nuk ishte i ndryshëm nga ai që bolshevikët i kishin caktuar borgjezisë, klerit dhe aristokracisë ruse ; që “nata e thikave të gjata”, gjatë së cilës Hitleri kishte asgjësuar formacionet naziste të Ernst Rӧhm, ishte e barazvlerëshmja e spastrimeve me të cilët Stalini kishte hequr qafe pëdhunisht disa prej përgjegjësve më të mëdhenj të revolucionit bolshevik, nga Lev Kamenjev tek Grigori Zinoviev, nga Nikollaj Buharini tek Lev Trockij.
Filozofi Jürgen Habermas u përgjigj në “Zeit” të Hamburgut se argumentat e Nolte-s shuanin kujtesën e genocidit ebraik dhe zvogëlonin përgjegjësitë e Reich-ut të tretë. Ndonjë studjues e mbrojti, të tjerë qenë edhe më t’ashpër se Habermas. N’analizë të fundit rrahja e mendimeve qe më shumë politike se historiografike. Pak, ndërmjet kundërshtarëve të Nolte-s, mohonin mprehtësinë e analizave të tij. Ndërsa shumë druanin se argumentat e tij ndihmonin të shkarkohej Hitleri nga fajet e tij dhe tërthoras i sillnin dobi krijimit të lëvizjeve neonaziste. Ishin të njëjtat shqetësime, që u shprehën tani afër, kur Instituti i historisë bashkëkohore të Munihut vendosi të bëjë të njohur një botim “shkencor” të Mein Kampf, Bibla e Hitlerit : dy vëllime, një hyrje prej 80 faqesh, një bibliografi prej 122 faqesh. Kur vepra arriti në libraritë ndrojtjet u zhdukën. Shkenca historike gjermane e kishte varrosur Hitlerin nën një ortek shënimesh të dokumentuara përsosmërisht (3500). Kalimi i kohës i ka sjellë dobi Nolte-s dhe veprës së tij, sot ende e kritikuar, por gjithmonë e pranuar dhe e njohur për meritat e saj.
Në disa vështrime i ka ndodhur Nolte-s ajo që i ka ndodhur Renzo De Felice-s. Të dy ishin paditur se quanin të denjë për analizë historiografike njerëz dhe lëvizje politike (në rastin e De Felice-s, Mussolini dhe fashizmi), mbi të cilët ishte shqiptuar një gjykim i paapelueshëm. Kjo spjegon faktin që Nolte, për shumë vite ishte i zgjedhuri i asaj pjese të kulturës italiane që ishte rishikuese, ose më thjesht, e lodhur nga skemat thjeshtëzuese me të cilat shkruhej historia italiane që nga Bashkimi deri te fashizmi.
Për vëmëndjet dhe dëshmitë e vlerësimit që i vinin nga Italia, Nolte ishte i lumtur. I priste me dëshirë ftesat që i vinin nga studjuesit italianë. Shfletonte me kënaqësi përkthimet italiane të veprave të tij. Gjente n’Itali një farë shpagimi për ftohtësinë me të cilën trajtohej nga një pjesë e kulturës gjermane. I shpiegova një ditë se rasti i tij i ngjiste atij të një tjetri intelektuali të huaj, Georges Sorel, i vlerësuar n’Itali për shumë vite, më shumë se sa lexohej e studjohej në Francën e tij. Ishte një profet i revolucionit, një teoricien i sindikalizmit revolucionar, por i a kushton poppullaritetin n’Itali një liberali konservator, Benedetto Croce-s. Besoj se Nolte-s ky krahasim i pëlqeu.
“Corriere della Sera” Faqja “Kultura” , 19 gusht 2016 E përktheu Eugjen Merlika
KARABURUNI, MAGJIA QË SFIDON ARKITEKTËT
NGA PËLLUMB GORICA/
Udhëtimet jashtë Tiranës, në fundjavë, në gjirin e natyrës së mrekullueshme të vendit tonë, janë sa të këndshme, dhe aq mbresëlënëse, sa kur kthehesh, pavarësisht nga lodhja fizike ndjehesh i ripërtërirë, e me një ndjenjë kënaqësie brenda vehtes. Sepse në këtë vapë përvëluese të verës ka edhe ca oaze qetësie. Deti i tërheq të gjithë të pushojnë brigjeve të tij. Sidomos kur dita është e bukur e me diell, dhe e ngrohtë nën një qiell pafundësisht të kaltër, pa asnjë re, të jep mundësinë të shijosh udhëtimin drejt hapsirash të pashkelura për shumë syresh ndër ne.
Pjesë e një udhëtimi drejt Vlorës
Mëngjesi ishte tepër premtues për një udhëtim drejt natyrës dhe detit. Është një nga ato mëngjese ku e ndjen të ngrohtin, por jo atë nxehtësinë që ka gjithmon ky muaj. Pikërisht ky mot ledhatar është prova e pakundërshtueshme e një dite të re. Qyteti zgjohet nga lëvizjet njerëzore dhe nga automjetet. Të jesh, në pritje të një udhëtimi të ri në vendet turistike është emocion më vete.
Tabelat e shkruara buzë rrugës me dritën e mrekullueshme të kësaj dite të urojnë një udhëtim të mbarë. Peisazhet ndryshojnë nga ndërtimet në të dy anët e rrugës, të cilat janë tregues i shpërthimit të vrullshëm të veprimtarisë ekonomike. Katrorët e fushave, përmasat e kodrave dhe lumenjve, fshatrat e shumtë e qytetet me radhë trazohen e formojnë një qilim shumëngjyrësh, po të përvëluar nga dielli i verës. Po udhëtojmë drejt Vlorës dhe shpesh na parakalojnë makina të shumta me shpejtësi. Vlora është një qytet me një histori madhështore, që kurrë nuk i kanë munguar kontributet e saj në dobi të kombit. Por si çdo qytet, që ka të veçantën e tij, Vlora me natyrën e pacaktuar në çdo stinë, por sidomos në verë është e vizitueshme nga shumë turistë. Zhurmat e makinave që kalonin bri nesh, zërat e kalimtarëve dhe murmërima e valëve të detit e bëjnë më kumbuese ardhjen tonë,si parathënie e një çlodhje të udhëtimit prej disa orësh. Por ajo që e bën të bukur qyetetin e Vlorës është pikërisht magjia e detit. Para syve ai shtrihet i kaltër si një pasqyrë gjigande. Në horizont spikasin kodra të veshura me ullinj dhe male hijerënda, të radhitur përbri njëri- tjetrit, e të mbështjellë nga një hartë resh të bardha. Ashtu si natyra që ka krijuar kufij të pakapërcyeshëm, malet dhe deti janë kurorë dhe vlera e vaçantë e Vlorës. Drita e pastër e qiellit e bën më të qartë pamjen e tij, ndërsa një fllad i lehtë e sillte më pranë jehonën e dallgëve. Anijet e ankoruara, varkat, çadrat dhe shezllongët e bëjnë më të padurueshme dëshirën të jesh pranë tij.
Ecim nëpër rrugën transballkanike që të nxirrte andej nga preferia e qytetit. Kalojmë Ujin e ftohtë, i cili është i njohur për pamjen e tij të mrekullueshme. Është një rrugë e gjallërueshme sidomos në verë, e mbushur me ndërtime që i ngjiten faqes së kodrës. Ato kanë mbirë gjithandej buzë detit, kryesisht në pallate shumëkatëshe dhe vezulluese, afër njëra-tjetrës aq sa të zihet fryma kur kalon përbri tyre. Por akoma pa kaluar tunelin e ujit të ftohtë ndesh një trafik në pak a shumë se normalja, dhe një kaos gjithë zhurma e pluhur të rrugës.
-Çfarë po bëjnë me këtë pjesë rruge? – pyesim një burrë të moshuar kur ndalojmë për pak çaste. Por në fjalët e tij ka një frymë revoltë, e cila është përgjigje e thatë si e çdokujt kur e pyet shpejt e shpejt.
-Po e shtrojmë, pasi ka vite që po zgjerohet dhe nuk dihet se kur do mbarojë.
Ndërsa dalim nga tuneli, të rëndon shikimin dendësia e ndërtimeve me komplekse të larta, ngjitur me njeri- tjetrën buzë detit deri tej Orikumit, e shumica prej tyre hotele. Pak më tutje, në Jonufër në vazhdën e surprizave të pakëndëshme të bien në sy ndërtime pa kriter, toka e kafshuar egërsisht, ndotje dhe plehra që hidhen vend e pa vend si diçka e zakontë. Natyrisht në buzë të rri pyetja: Kur do të mbarojnë një herë e mirë këto ndërtime të nëmura ?!…
Duhet ta ruajmë natyrën nga dëmtimet e të papërgjegjshmëve dhe përfituesve abuzivë, të cilët me egon e tyre po e shkatërrojnë atë, duke mos menduar për pasojat që vijnë sojesh. Të respektojmë natyrën, sepse, duke e shkatërruar atë nuk kemi të drejtë më pas të ankohemi. Jemi në dijeni të prishjes së këtyre ndërtimeve në emër të zhvillimit të turizmit dhe progresit. Por, sikurse ekzistojnë qënie njerzore që prodhojnë energji, drejtësi për të tjerët, e lenë gjurmë në emër të së mirës, në të njënjtin kohë ekzistojnë dhe qënie njerzore të tilla në emër ç’nderues të vlerave, të veshur e ngjeshur me pushtet, që vjedhin e shkatërrojnë natyrën, të mirën, të bukurën, e pasurive tona kombëtare.
Gjiri i Vlorës me natyrën interesante që ka përreth, ujërat e kristalta, plazhet e shumta i bëjnë pa dyshim vizitorët të kalojnë pushime të këndshme. Midis gjërave që afrohen këtu, vizitorët kanë mundësi zgjidhje jo vetëm duke u rrezitur në plazh, por edhe të eksplorojnë brigjet dhe panoramat e shumta të Gadishullit të Karaburunit, i cili nuk është larg, por shumë i dëshiruar besoj nga të gjithë.
Karaburuni, udhëtim në tokën e ndaluar të diktaturës
Po shkojmë drejt tij në një shëtitje në det si një vend ideal për pushime ditore, edhe pse në Shqipëri vende të bukura ka plot. Po pak dihet për vlerat e mëdha të tyre…
Vitet e fundit udhëtimi me anije e mjete të tjera lundruese këtu është kthyer në një destinacion të dëshirueshëm për pushuesit e shumtë që kanë preferuar brigjet e Vlorës, e sidomos për të gjithë ata që dëshirojnë t’i ikin rutinës dhe ritmit ditor të qyteteve të mëdha. Me shëtitjen romantike nëpër peisazhet e Karaburunit udhëtarët ndihen të gëzuar dhe të mrekulluar. Natyrish ardhja jonë këtu është një kënaqësi me të vërtetë e paharrueshme, edhe në një qëndrim që zgjat disa orë me risinë joshëse e të pashtershme në shpirt.
Karaburuni ka formën e gadishullit, ndaj emërtohet si i tillë, dhe është një prej atyre vendeve të lakmueshme. Një mal shkëmbor i rrethuar nga deti, me pak gjelbërim, dhe që të vret sytë me panoramë e tij gri. Kjo është përshtypja e parë e kujdo që e shkel dhe vështron natyrën e tij, blun e detit me afsh dielli nën pasqyrën e kaltër të qiellit. Tharmi i kësaj natyre duhet shfrytëzuar akoma më shumë për të mirë në zhvillim të turizmit. Dikur para viteve ’90, por edhe vite më pas, Karaburuni dhe Sazani ishte një ëndërr për shumicën e shqiptarëve për të shkelur dhe pushuar pranë brigjeve të tij, por sa ëndërra nuk u realizuan dot atëherë, sepse këtë privilegj e kishin një pakicë. Të shkelje aty përbënte sekret ushtarak. Duhej lejë e posaçme nga Dega … Ndal, Zonë Kufitare !… Kur erdhi demokracia, (një kapërcyell që do të ishte i dhimbshëm), rrodhën në të ngjarje të rënda. Për të mbushur xhepat e skllevërve të parasë lulëzoi këtu me mënyrë të paligjshme e të rrezikshme biznesi i trafikut të qënieve njerzore drejt brigjeve italiane. Ishte koha kur shqiptarët, dhe jo vetëm ata, u dyndën për të gjetur rrugë të papërshtatshme të kalonin detin, të cilat shpesh ishin me humbje jetësh njerzore. Kjo gjëndje vazhdoi vite me radhë, dhe ne të gjithë i kujtojnë tragjeditë e rënda që ndodhën e u përjetuan aty. Deti është dëshmitar i humbjeve, të cilat jetojnë në dhimbjen e nënave dhe baballarëve, motrave e vëllezërve. Askush nuk mund të thotë se kjo ishte normale, ashtu sikundër mund të pranohej lejimi i këtij fenomeni nga pushteti i kohës. Shoqërisë njerzore i duhen kujtuar këto ngjarje. Harresa e tyre është gabim i madh. Asgjë nuk duhet harruar, sepse u bë e mundur të frenohej disi fenomeni. Erdhi një kohë që turizmi, i cili duhet të lulëzojë më shumë nga inisiativat private, edhe pse do të përballej me probleme, e pengesa absurde , siç ishte moratoriumi për ndalimin e mjeteve të vogla lundruese, ishte një dëm për zhvillimin e tij, duke ngritur përsëri mure të mbyllur për këto peisazhe të bukur…
Përmes kaltërsive të Karaburunit
U ndalëm në Radhimë. Ishim pak metra larg detit që llokoçitej lehtë bregut. Një nga një zbritëm nga autobuzi për t’u gjendur pranë tij. Një fllad i këndshëm e gjallërues endej bregut që e dallgëzonte lehtë detin. Dielli i ngrohtë, por jo shumë i nxehtë. U akomoduam në anijen “Rexhina” për të pritur çastin e nisjes. Ajo është një anije e vogël udhëtarësh. Padurimi për t’u nisur çdokush e detyron të kërkojë shpjegime, por janë proçedurat e udhëtimit në det. Natyrisht ne e pritëm me kënaqësi këtë çast në një udhëtim eksplorues në Karaburun. Të gjendesh në det të hapur nën zhurmën ritmike të motorrit dhe dallgëve të vogla që përplaseshin, duke lënë pas gjurmë të shkumbëzuara është bukur, duke na dhënë mundësinë të shijonim udhëtimin. Herë- herë kreshtat e dallgëve përplaseshin beftas në trupit të anijes. Deti reflekton kaltërsinë me fuqinë e magjishme të madhështisë së tij. E kaltra e tij dhe e qiellit shkëlqente nga drita e diellit. Është dhe kjo pastërti e qiellit që kthjellon gjithçka; na bënte të shikonim me hollësi çdo gjë në breg, që edhe të nxisin dëshirën për t’i fotografuar. Natyra ka krijuar shkëmbinj që në kohëra i ka gërryer pa mëshirë deti me dallgë. Asnjë arkitekt, piktor sado i guximshëm qoftë s’do ia dilte dot mbanë të thurë mrekulli të tilla për syrin tonë. Thuajse asnjë nga ne nuk kishte udhëtuar këtu, dhe ndjesia e kuriozitetit, që të shkakton e panjohura e kësaj natyre të grish t’i vështrosh me shumë kënaqësi. Pamjet janë interesante me forma të shtresës shkëmbore shkallë – shkallë, ku gjire të fshehura të ftonin të pushoje. Pak përtej bregut, dhe në lartësitë e Karaburunit vraga rrugësh e përshkojnë atë, por ndesh edhe dëshmitë e ndërtimeve ushtarake, në ca godina të shkatërruara, bunkerë, tunele dhe qëndra zjarri, që socializmi i ndërtoi edhe këtu me shumicë, si në çdo pëllëmbë të Shqipërisë, të cilat të sjellin në kujtesë periudhën kur këtu popullohej vetëm nga ushtarët. Natyrisht është e kuptueshme se sot ato ndërtime fortifikuese nuk mund të jenë gjë tjetër përveçse gërmadha.
Në shpellën e Haxhi Aliut
Po shkojmë drejt shpellës së Haxhi Alisë. Kush ishte ky Haxhi Alija ?! Mbase ndonjë pirat deti i zoti, mbase ndonjë shenjt i krijuar nga njerëzit … Ajo do ta pasuronte me tej udhëtimin tonë. Fundja ky ishte qëllimi i udhëtimit, zbulimi i vendeve interesante me përbërësit e kurtheve të natyrës. Atmosfera bëhet më gazmore kur të rinjtë nën tingujt e këngëve ritmike vallëzojnë. Ata të shpenguar duan të marrin sa më shumë kënaqësi nga ky udhëtim. Stafi i anijes i miqësuar me ne, sikurse ne me ata, të përkushtuar krejtësisht që udhëtimi në det të jetë i këndshëm, e shoqërojnë atë me tregime për detin, malin e Karaburunit, dhitë e egra dhe gjarpërinjtë helmues, shpellat, koralet, Majën e e Frëngut, etj. Kalojnë minutat mes këtyre bisedave të këndshme dhe ja ku iu afruam shpellës së famshme, që është disi larg, përballë ishullit të Sazanit. Masivi i tij në mes të detit, shfaq konturet aq qartë në një ashpërsi diku të veshur me drurë, e diku me fortifikime ushtarake.
-Pas pak do t’i afrohemi shpellës së njohur të Haxhi Alisë- flet nga kabina e anijes, Arbeni, kapiteni i saj. Patjetër bëhesh tepër kureshtar të mësosh nga ai për misteret e kësaj shpelle, që në lashtësi ka qënë një vendstrehim për piratët e detit. Por kur çdokush është përballë saj befasohet nga përmasat gjeometrike, e futur thellë barkut masiv të malit. Aty, ku bregu shkëmbor shtrihet pingul mbi det, të shfaqet zgavra e saj me mbi 30 metrash gjatësi. Hyrja e saj ka një lartësi mbi 10 metra, dhe është shpella më e madhe detare në Shqipëri. I mrekulluar nga emocionet që ndodhesh këtu, duke bërë ëndërrën realitet, dhe jo vetëm kaq, nuk i shmangesh ngasjes të eksplorosh labirinthet e saj.
Historia e kësaj shpelle është përmbledhur në një legjendë, që në thelbin e vet tregon për piratin Haxhi Aliu, mjaft i njohur i shekullit të XVII-të. Në këtë shpellë ai strehohej së bashku me anijet dhe njerëzit e tij. Ajo i ofronte atij vendin më të përshtatshëm për të sulmuar anijet turke, veneciane, dalmate, napolitane, etj dhe për të ruajtur mallrat e plaçkitura. Edhe pse legjenda i ka zmadhuar trimëritë e tij ajo ka ardhur deri në ditët tona ndërmjet rrëfimeve që tregojnë se Haxhi Aliu ishte një hero, dhe tmerr i anijeve të Venedikut, Venecianëve, të Anglisë e Napolit, dhe që nuk i trembej askujt në përleshjet me ushtri, e piratët nëpër Mesdhe. Ai ishte nga Ulqini dhe kishte mbaruar shkollë detarie në Stamboll. “Deti ishte shtëpi a ime-thoshte Haxhi Aliu,por pragu i kësaj shtëpie është toka. Dallgët e detit i kam jastëk për kokë, ato do të jenë dhe guri i varrit tim”. Interesante kjo histori që natyrisht tregon guximin e Haxhi Aliut. “ Një pirat turk me origjinë algjeriane nga Afrika i dërgon një letër Haxhi Aliut. “Arrnaut, hiqmu nga sytë, hiqmu nga udhët e detit! Unë jam më i fortë se ti. Përndryshe, do t’a rrjep lëkurën tënde dhe do ta bëj pergamen për të shkruar në të suret e Kuranit.” Me të marrë letrën Haxhiu ju përgjigj kështu: “Kafkën tënde unë do ta bëj kokë për çibukun tim. Dhe u nis Haxhi Aliu, ngriti velat për t’u ndeshur me piratin turk. Ai u hodh në anijen e tij dhe vrau çdokënd që i doli përpara. Piratin, që ia kërkonte lëkurën e zuri të gjallë, ia preu veshin me gjithë vath; pastaj atë vath ia nguli në hundë dhe ashtu e tërhiqte zvarrë nëpër kuvertë të anijes”. Thonë se Haxhi Aliu ky pirat i detit u vra me të birin nga venecianët dhe e varrosën në Sazan.
Impresione
Të ngarkuar me impresionet e Karaburunit, të shpellës së Haxhi Aliut dhe me këtë hapsirë me thyrje të bregut shkëmbor, e me gjire të vegjël si të vizatuar me dorë, ne vazhdojmë drejt Shën Vasilit. Ky gji i vogël prej vitesh është kthyer në një kënd të qetë. Aty ndodhet një kalatë për tu ankoruar anije të vogla, motobarka e skafe, duke u kthyer në një vend pushimi ditor me kushtet të përshtatshme, e që të bëjnë të ndjehesh i kënaqur. Dhe duke e shijuar këtë pushim nën ngopjen e nxehtësisë përvëluese të rrezeve të diellit, ne i u gëzuam fatit, se po pushonim në një gji të qetë, ku magjike është deti dhe kthjelltësia e tij. Jo më kot atje nuk kishte shumë pushues. Personalisht i adhuroj këto vende të bukura për pushime, me qetësinë mbretëruese përmbi çdo gjë tjetër. Natyrisht të kaplon një ndenjë kënaqësie e thellë me ajrin e freskët, i cili i farfuronte dallgët, duke e thithur me tërë mushkritë aromën e detit që të futet thellë në shpirt, të shoqëruar me rrezatimin e diellit, i cili shpërndante reflekse të shëndritshme. Është një gjë që edhe ata që s’janë poetë i bën të fantazojnë.
Ja përmes këtyre përjetimeve të bukura me miq, ngrohtësi, dritë, diell, det, natyrisht njeriu nuk ka se si të mos ndjehet i lumtur. Është një lumturi që buron më së shumti nga vet peisazhi i këtij vendi të gdhendur dhe të qendisur si me dorë nga nëna natyrë, e pikturuar me ngjyrën e dritës dhe penelin e detit.
Zamiri, bashkëshoqëruesi ynë nuk priti fundin e udhëtimit për të falenderuar ata që u bën pjesë e tij. Në fytyrat e të gjithëve endej një lodhje e lehtë, por edhe kënaqësia e një dite të kaluar këndshëm, mes erës, detit dhe magjisë së kaltër. Shpirti ynë kishte nisur që të rrihte nën ritmin e valëve, dhe jo më kot ne ishim në Karaburun.
Colleen Hyland, Zv/ ambasadorja e re e SHBA-ve në Kosovë
SHBA zv/ambasadore të re në Kosovë/
-Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj takon Zëvendësambasadoren e re të SHBA-ve në Kosovë, Colleen Hyland/
PRISHTINË, 9 Shtator 2016-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, sot ka takuar Zëvendësambasadoren e re të SHBA-ve në Kosovë, Colleen Hyland.
Hoxhaj i uroi Zëvendësambasadores Hyland mirëseardhje në misionin e ri në Kosovë, duke e njoftuar për progresin, forcimin e shtetit të Kosovës, si dhe për proceset e tjera të rëndësishme brenda dhe jashtë Kosovës. Njoftimi i dërguar thekson se, ministri ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe qeverisë së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhënë në të gjitha fushat, si dhe ka vlerësuar lartë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve. Ministri Hoxhaj ka theksuar vullnetin e qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit me SHBA-të si një nga partnerët më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës në botë./b.j/








