• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SEANCES PER DEMARKACIONIN I PARAPRIU PROTESTA

September 1, 2016 by dgreca

-Protesta në sheshe rreth ndërtesës së Kuvendit të Kosovës/

–BE: Thirrje për një ambient të qetë gjatë debatit dhe votimit/

-Para protestës, Policia: Gjetëm rreth 50 çanta me koktej molotovi në një depo në Prishtinë/

-Protestë dhe reagime të Lëvizjes Vetëvendosje/

–Lista Serbe: Nuk marrim pjesë sot në seancën e Kuvendit të Kosovës/

  • Komunikata e Policisë: JA ARSENALI I PLOTE QE GJETEM 

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Prishtinë Behlul JASHARI/

1 Proteste

1 Polici

PRISHTINË, 1 Shtator 2016/ Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhjet sot në një seancë plenare, ku shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, i kundërshtuar nga opozita, është pika e 6-të e axhendës 8-pikëshe.

Ky projektligj është miratuar njëzëri në 4 gusht nga qeveria e Kosovës, e cila është takuar edhe dje në mbledhjen e 107-të, të 39-tën këtë vit.

1 Foles

Në kundërshtim të ratifikimit të demarkaciont, subjekti më i madh opozitar kosovar, Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar protestë para Kuvendit të Kosovës, me fillim në orën 11:00 sot në ditën e seancës plenare. LVV protestën e sotme e ka paralajmëruar si historike, ndërsa dy partitë e tjera opozitare AAK e Nisma kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në protestë, por pas bojkotit disa muajsh do marrin pjesë në seancën plenare dhe edhe me votë do jenë kundër demarkacionit.

Në seancën e Kuvendit të paralajmëruar për në orën 11:30, para demarkacionit në axhendë janë dy interpelanca sipas kërkesave nga deputetetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të kryeministrit Isa Mustafa, në lidhje me kodin telefonik shtetëror të Kosovës, si dhe

në lidhje me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.

Seanca nis me koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, ndërsa dy pikat e fundit në axhendë janë shqyrtimi i raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2015, si dhe propozimi i Grupit Parlamentar të AAK-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

BE: THIRRJE PËR NJË AMBIENT TË QETË GJATË DEBATIT DHE VOTIMIT

-Deklaratë e Zyres së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së/

Bashkimi Evropian, përmes një deklarate të Zyrës dhe të Përfaqësuesit të Posaçëm në Kosovë, bën thirrje për ambient të qetë gjatë debatit dhe votimit, ndërkohë që pritet sot seanca plenare e Kuvendit, ku  ë axhendë është shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, i kundërshtuar nga opozita edhe me protestë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në prag të debatit dhe votimit të sotëm në Kuvendin e Kosovës për ratifikim të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, BE-ja në Kosovë ju bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve të angazhohen për një ambient të qetë gjatë debatit dhe votimit. BE-ja në Kosovë, po ashtu rikujton se e drejta për të protestuar është një e drejtë demokratike, me kusht që ajo të jetë e shprehur në mënyrë paqësore dhe në pajtim me ligjet e Kosovës”, theksohet në Deklaratën e sapodërguar të Zyres së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së.

Në një njoftim tjetër dërguar më parë bëhej e ditur se, Shefja e re e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, me kombësi bullgare,  mori pozitat e saj sot, më 1 shtator 2016.Në të dy pozitat Apostolova e pason diplomatin slloven, Samuel Zhbogar.

PRISHTINË-PARA PROTESTËS, POLICIA: GJETËM RRETH 50 ÇANTA ME KOKTEJ MOLOTOVI

Policia e Kosovës deklaroi pak më parë se, “në funksion të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore duke përfshirë edhe angazhimet e saj në garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike edhe gjatë zhvillimeve të parapara për sot, rreth orës 10:00, gjatë një operacioni për parandalim të veprimeve të kunderligjshme, gjatë një bastisje me urdhër edhe të organeve kompetente, brenda në një depo në Prishtinë ka arrit të gjej rreth pesëdhjetë (50) çanta me koktej Molotovi, ku një pjesë e madhe e tyre është e perpunuar, vaj i zi, dhe benzinë të përpunuar”.

Policia ka dërguar edhe disa foto të këtyre dëshmive nga vendim i ngjarjes.

Më parë është njoftuar se, “lidhur me protestën e paraparë të mbahet sot në Prishtinë gjatë zhvillimeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës, protestë e cila megjithatë nuk është e lajmëruar ashtu siç parashihet me procedurat dhe Ligjin mbi tubimet publike, Policia e Kosovës me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke hartuar planin operativ për menaxhimin e situates së sigurisë, para, gjatë dhe pas këtyre zhvillimeve”.

LISTA SERBE NUK MERR PJESË NË SEANCËN E KUVENDIT PËR DEMARKACIONIN

Lista Serbe nuk do marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka konfirmuar deputeti i saj Nenad Rashiç, pa dashur të japë hollësi se pse. “Është e vërtet se Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme. Nuk dëshirojmë të komentojmë më shumë në këto momente mirëpo është zyrtare se nuk do të marrim pjesë”, citohet ai nga media, e cila ka njoftuar edhe për konsultime të Listës Serbe me Beogradin.Kuvendi i Kosovës prtiet të mblidhjet sot në një seancë plenare, ku shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, i kundërshtuar nga opozita edhe me protestë të Lëvizjes Vetëvendosje,  është pika e 6-të e axhendës 8-pikëshe, por që sipas zhvillimeve të fundit ka mundësi të shtyhet sepse koalicioni qeverisës pa Listën Serbe që ka 11 deputetë nuk ka vota të mjatueshme, së paku 80 të Kuvendit 120 anëtarësh. Sipas disa paralajmërimeve e deklaratave, edhe po të votonin serbët, vështirë do kishte vota të mjaftueshme.

KOSOVË-KDI: VOTIMI DHE PROTESTAT PËR DEMARKACIONIN, KONFORM VLERAVE TË DEMOKRACISË

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) pret që seanca e sotme parlamentare e Kuvendit të Kosovës, ku parashihet ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të zhvillohet në frymën e një debati të hapur dhe konstruktiv duke respektuar faktet e paraqitura dhe pikëpamjet e ndryshme politike.
“Pavarësisht epilogut, marrëveshja për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi nuk duhet të prolongohet më tej, por duhet t’i nënshtrohet procesit të votimit për t’i hapur rrugë zhbllokimit të jetës politike e institucionale”, thekson deklarata e dërguar.
Më tej KDI shprehet se, deputetët si përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve, sot më shumë se të tjerët kanë përgjegjësinë që të marrin vendime për tema që kanë kaluar nëpërmjet polarizimeve të mëdha shoqërore, ndërsa vota e tyre të bazohet në vullnetin e  tyre dhe të mos jetë e ndikuar nga presione apo shantazhe
“Vendimet e dala nga vota e deputetëve, cilat do qofshin ato, duhet të jenë të pranueshme nga të gjitha institucionet, partitë politike dhe qytetarët të cilët përmes votës së tyre i kanë zgjedhur ata”, thekson deklarata.
Në anën tjetër, vijon KDI, protestat si një e drejtë qytetare duhet të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore, pa cenuar të drejtat e qytetarëve të tjerë dhe pa cenuar institucionet e shtetit, ndërsa autoritetet shtetërore duhet të garantojnë shprehjen e kësaj të drejte dhe të krijojnë kushte të mjaftueshme për të protestuar.

AGK, SHQETËSIM PËR ARRESTIMIN E GAZETARIT

Asociacioni i Gazetarëve të Kosvës -AGK deklaroi sot se me shqetësim ka pranuar lajmin se është arrestuar gazetari i KlanKosova, Dibran Istrefi, gjatë kryerjes së detyrës së tij. “Nga informatat e para që i kemi nga terreni mësojmë se gazetari është arrestuar përkundër mbajtjes së akreditimit në vend të dukshëm”, thuhet në reagim.

Gjithashtu, vijohet më tej, nga burime tjera dhe të pakonfirmuara jemi informuar se gazetari tashmë është liruar.

“I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve përkatëse që ta lirojnë sa më shpejt nëse deri tashmë nuk e kanë liruar, dhe gjithashtu i ftojmë që të kenë kujdes të veçantë në trajtimin e gazetarëve.

Ndalja e gazetarëve në çfarëdo forme paraqet trysni ndaj punës së tyre dhe ndaj lirisë së shprehjes, por është edhe në kundërshtim të drejtpërdrejt me aktet më të larta juridike të vendit tonë si dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në reagimin e AGK derisa shumë gazetarë po raportojnë nga zhvillimet në Kuvendin e Kosovës ku ende nuk ka filluar seanca dhe në protestën e LVV rreth tij.

LVV: POLICIA E GRUPE ANONIME JANË ANGAZHUAR JASHTËLIGJSHËM KUNDËR VETËVENDOSJE!-s

Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar këtë komunikatë: Gjatë gjithë natës policia dhe grupacione të panjohura janë angazhuar në një fushatë pa precedent bastisjesh dhe shpifjesh, kundër VETËVENDOSJE!-s.

Arsyeja e vetme për këto gjeste diktatoriale, është dëshira e Thaçit, Veselit e Mustafës për t’ia dhuruar 8200 hektarë Malit të Zi, kundër ligjit, kundër vullnetit qytetar e kundër dëshirës së deputetëve.

Gjatë natës janë bastisur e vazhdojnë të mbahen në kontroll e presion ambientet komerciale dhe magazinat e kompanisë që kanë marrë përsipër zërimin dhe ekranin LED për protestën. Këto ambiente janë bllokuar prej orës 1 pas mesnate dhe policia po i mban të bllokuara ende.

Po ashtu policia ka bllokuar edhe magazinat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku ndodheshin materialet dhe parrullat për protestën e sotme.

Gjatë natës, kur policia ka qenë e angazhuar maksimalisht për sabotimin e protestës, grupe të panjohura kanë shpërndarë fletushka me përmbajtje urrejtëse dhe ofenduese kundër VETËVENDOSJE!-s. Ato vende të botës ku nxitet dhuna e urrejtja ndaj opozitës, të gjitha kanë përfunduar keq, në konflikt apo në regjim fashist.

Këto aksione prej regjimit shtypës policor kanë si autor direkt Thaçin, Veselin e Mustafën. Ata janë gati ta çojnë vendin në shkatërrim, janë gati të përdhosin demokracinë, të bëhen si Sadami, Asadi apo Gadafi, vetëm e vetëm që të realizojnë projektet e tyre rrënuese për vendin, siç është Demarkacioni e Zajednica. Këto projekte janë çmimi i qëndrimit të tyre në pushtet.

I bëjmë thirrje qytetarëve të mos lejojnë pushtetin e frikës të bëhet pushtet i terrorit. Masivisht autobusët po nisen nga çdo vend i Kosovës për të ardhur në protestën e sotme. Bashkangjitu dhe ti, për demokracinë, për atdheun tënd.

***

POLICIA E KOSOVËS: NË KUFI ME MALIN E ZI NUK KA ASNJË INCIDENT

Policia e Kosovës deklaroi pak më parë se, “pas shkrimeve të publikuar sot nëpër disa portale dhe media lidhur me gjoja një incident të armatosur në brezin kufitar Kosovë-Mali i Zi, informon opinionin dhe mediat se raportime të tilla janë të pabazuar dhe të pavërteta”.

“Zyrtarët kompetent të Policisë së Republikës së Kosovës janë në nivel të kryerjes së detyrave dhe autorizimeve edhe në brezin kufitar shtetror dhe deri në këto qaste nuk ka të raportuar apo të konfirmuar asnjë incident të tillë”, thekson njoftimi i dërguar.Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës nisi sot me vonesë rreth dyorëshe një seancë plenare, ku shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, i kundërshtuar nga opozita edhe me protesta të Lëvizjes Vetëvendosje, është pika e 6-të e axhendës 8-pikëshe. Pritjet janë që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës.

Partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaroi pak më parë se, “beson se marrëveshja e Demarkacionit me Malin e zi, merr epilog me votimin në Kuvend, prandaj edhe beteja për rrëzimin e kësaj marrëveshjeje, sot, duhet të zhvillohet aty”.

“Demarkacioni duhet të rrëzohet me votën e të gjithë deputetëve, pa dallim partie politike, rajoni, apo etnie. Vota kundër është votë për Kosovën si një dhe e pandashme”, shprehet AAK.

Komunikatë për media
 
Informacion shtesë lidhur me angazhimet dhe veprimet e Policisë së Kosovës në garantimin e rendit dhe sigurisë së përgjithëshme
 Prishtinë, 1 shtator 2016
 Policia e Kosovës gjatë të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore për mbajtjen e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike, mbrojtjen e pronës private dhe shtetrore si dhe në funksion të menaxhimit të situatës së sigurisë së përgjithshme dhe parandalimit të aktiviteteve të kunderligjshme në vend, ka ndermarr veprime hetimore dhe operacionale permes të cilave janë identifikuar dhe sekuestruar disa pajisje të dyshimta të cilat mund të paraqesin rrezik për jeten e qytetarëve, si dhe shkaktojnë dëme materiale në qoftë se arrihet deri te posedimi dhe perdorimi i tyre.
Disa persona të dyshuar, poashtu janë shoqruar nga Policia e Kosovës, për intervistim lidhur me dyshimet e bazuar për veprime të kunderligjshme.
Me datë, 01.09.2016, në rrugën “28 Nëntori” në Prishtinë në një depo të një objekti, gjatë bastisjes së realizuar nga Policia me urdhër të organeve kompetente janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë si në vijim:
  • 25 Canta me shishe të vogla nga qelqi te mbushura me materie të lëngshme
  • Gjashtë pako të ndryshme me shishe të mbushura me materie te lëngshme
  • Shtatë plastike të improvizuara për hedhjen e mjeteve te ndryshme
  • Pesë shishe plastike 10 litërshe të mbushura me materie te lëngshme
  • Dy hinka ngjyre të kuqe
  • Tri qese me gur të madhësive të ndryshme
  • Një qese me maska vizatimore
  • 25 Canta me shishe te vogla nga qelqi te mbushura me materie te lëngshme
  • Shtate Canta me kavanoz me materie të lëngshme
  • Një qantë me 31 shishe të vogla ngjyre vjollce me materie të lëngshme
  • Shtate megafonë
  • Një paketë me ID të personave me emra dhe mbiemra të tyre.
  • 21 sprej me ngjyrë.
Deri më tani të gjitha këto janë të konfirmuara, përderisa evidentimi  është ne proces.
Gjatë zhvillimeve sot, sipas procedurave ligjore nga Policia janë shoqëruar për intervistim dhjetë (10) përsona të dyshuar, nga ta, dy (2) deputetë të kuvendit të RKS-së, dhe të gjitha veprimet tjera janë ndermarr në koordinim me prokurorinë kompetente.
Njëri nga të ndaluarit e dyshuar me iniciale E. A. (1983),  në ora 11:25 është kapur afër ndërtesës se Qeverisë së RKS-së, duke tentuar të ndërhyjë në kabllotë e sistemit të transmetimit televiziv, ku ka hap njërën prej kutive të sinjalit të televizionit dhe ka tentuar ta këpus, ai në krah kishte qantën në të cilën kishte edhe gjësendet e dyshuara. 
Është konsultuar Prokurori kompetent, ku për të dyshuarin e lartcekur me iniciale E.A. ka urdhëruar që të hapet rast “Hyrje në sistemin kompjuterik”, të intervistohet dhe të lirohet në procedure të rregullt.
Policia është duke realizuar me kompetence detyrat dhe përgjegjësit e saj ligjore dhe falënderon të gjithë për mirkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar në funksion të identifikimit të aktiviteteve ilegale të cilat për rrjedhojë mund të krijojnë rrezik dhe pasiguri për qytetarët tanë dhe institucionet e vendit.
 
Me respekt
Zyra për Informim e PK-së
DPP-Prishtinë

 

 

Filed Under: Featured, Politike Tagged With: Behlul Jashari, Protesta, Seanca e demarkacionit

SHUMË PAK DHE TEPËR VONË!

September 1, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Anë e mbanë botës po bëhen përgatitje për të shënuar shënjtërimin e Nënë Terezës më 4 shtator, 2016. Natyrisht se atë ditë vëmendja dhe sytë e botës do të drejtohen kah Vatikani dhe Roma, epiqendra e aktiviteteve, aty ku Papa Françesku do të kryesojë meshën dhe ceremoninë për lartësimin e Shënjtëreshës Nënë Tereza, bijës së kombit shqiptar dhe Nënës së më të varfërve anë e mbanë botës. Por nuk feston vetëm Vatikani dhe Kisha Katolike. Festojnë të gjithë njerzit vullnetmirë dhe dashamirës të paqës anë e mbanë botës. Festojnë shtete dhe organizata ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara. Këtë ditë e shënojnë komunitete dhe organizata fetare dhe bamirëse anë e mbanë botës.

Është e vërtetë se Nënë Tereza i takon botës. Por ajo pikëspari i takon kombit shqiptar. Ajo prej aty doli. Do e s’do dikush, ajo aty i ka rrënjët, si bartëse e virtyteve më të shëndosha të kombit shqiptar. Përfaqsuesja më e denjë e frymës së vëllazërimit më të kulluar midis njerëzve pa dallim, e cila gjatë gjithë jetës luftonte ndasitë midis besimeve, kulturave dhe kombeve. Ndërkaq, ndonëse isha në dijeni të shumë përgatitjeve anë e mbanë botës për shënjtërimin e Nënë Terezës, u turra të shoh se si do e kujtojë Shqipëria bijën e saj në këtë ditë të shënuar. Gjeta njoftimin e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, të cilën lexuesi mund ta lexojë më poshtë – botuar më 31 Gusht, 2016, — vetëm tre ditë para ceremonisë në Vatikan — ku flitet për një ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare kushtuar shënjtërimit të Nënë Terezës. Tepër vonë dhe shumë pak, thashë me vete, pasi Vatikani kishte njoftuar datën e shënjtërimit shumë kohë më parë, pothuaj në fillim të këtij viti. Pa dashur të futem në polemika me askënd, lexuesi të vlerësojë vet nëse Shqipëria mund të bënte diçka më shumë dhe më heret, për tu përgatitur për këtë ditë. Por mu duk si një vendim marrë me gjysëm zemër, pa bindje dhe vullnet serioz se me të vërtetë duhej bërë diçka me këtë rast.

Do e s’do njeriu, ky moment të sjellë ndër mendë për ata që u kujtohet letra që qarkulloi kohët e fundit e që Nënë Tereza i kishte dërguar Ramiz Alisë, drejtuar, “Zotit President të vendit tonë të dashur Shqipëri”, më 2 shtator 1989 pas një vizite që kishte bërë në atdheun e saj. Në atë letër ajo shpreh kënaqësinë e saj që, "Pas shumë vjet lutjesh dhe dëshire për të vizituar vendin tim , më në fund i miri Zot ma dha këtë dhuratë të bukur të shoh popullin tim”. Në atë letër, Nëna Tereze i shkruan Ramiz Alisë se veprimtaria e saj, “nuk është çështje biznesi, as politike" dhe shton se, "Unë nuk kam as ar e as argjent, por juve do t’ju jap motrat". Kërkesa e Nënë Terezes bie në veshë të shurdhët dhe refuzohet kategorikisht nga Ramiz Alia, nga ai, të cilit Nënë Tereza iu drejtua si, “Zotit President të vendit tonë të dashur Shqipëri”.

Shqipëria e gjysëm shekulli më parë nuk kishte nevojë as për Nënë Terezën as për motrat e saja, i kishte shkruar Ramiz Alia, Nënë Terezës, pasi “Shqetësimi i juaj për njerëzit e varfër përbën detyrën humane e patriotike të mijëra e mijëra djem e vajzave të popullit tonë, që si mjekë e infermierë… i janë përkushtuar shëndetit e mirëqenies së njerëzve tanë”. Kjo ishte atëherë, po sot pas 25 vitesh post-komunizëm?

Shpresohej për një mëkëmbje të vlerave, të kulturës dhe traditave të shtypura kombëtare nga regjimi komunist për pothuaj gjysëm shekulli. Kultura nuk është një njoftim ose grumbull njoftimesh, por është një fuqi gjykuese morale e vlerave për të cilat shquhej Nënë Tereza dhe për të cilat në këtë tokë ajo u vlerësua me çmimin më të lartë të kësaj bote, me Çmimin Nobel për Paqë. Ndërkaq të djelën më 4 shtator do t’i akordohet titulli më i lartë nga Kisha Katolike, Shënjtëreshë, që mund t’i jepet njeriut të vdekshëm, për meritat, veprimtarinë dhe trashëgiminë që la pas për mbarë botën.

Po të duam të jemi të saktë dhe të sinqertë me vetveten, duhet të pranojmë ashtu siç është prononcuar shpesh edhe ajo vet në shumë raste, Nënë Tereza i përket këtij grumbulli njerzish në këtë tokë, këtij kombi të quajtur shqiptar.

Jo vetëm, sa për sy e faqe, por ajo shprehimisht i përkiste këtij kombi me gjakun dhe zanafillën e saj si element i përbashkët i këtij kombi –megjithëse armiqtë e kombit shqiptar u përpoqën dhe gjithnjë përpiqen ta përvetësojnë atë si të tyren ose të pakën të hedhin tym rreth zanafillës së saj. Po mos ta kishte, kombi shqiptar do të duhej të çpikte një Nënë Tereze, dhe si të tillë duhej t’a mbajë në shuplakë të dorës, për nder të vet si bijë e këtij populli dhe për hir të së vërtetës, po se po, por edhe për sytë e botës. Kjo, në mos për asgjë tjetër, atëherë të bëhet jo vetëm për dëshirën, por edhe për nevojën që shqiptarët, me vlerat që përfaqëson Nënë Tereza, të marrin pjesë në valle me popuj të tjerë, jo si një popull i prapambetur në Europë, por si një komb i cili në venat e gjakut të tij ndjenë thellësisht nevojën për lartësimin moral dhe shoqëror, vlera këto mbi të cilat Nënë Tereza — bijë e këtij populli — kishte përqëndruar veprimtarinë dhe jetën e saj. Mungesa e nderimit dhe vlerësimit të duhur ndaj veprimtarisë së Nënë Terezës, sidomos në këtë moment historik, kam drojë se madje edhe në këtë periudhë post-komuniste, ve në pikëpyetje vullnetin dhe gatishmërinë e Shqipërisë së sotëme për tu ngjitë në shkallët dhe për tu venë në radhët qytetërore me kombet si motra të botës së përparuar.

***

Ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare kushtuar shenjtërimit të Nënë Terezës 3 – 10 shtator 2016 në BKSH

16-08-31-02-51-59big_nene_tereza_poster_nga_bksh

Biblioteka Kombëtare, në nderim të figurës së shquar të nënë Terezës dhe shenjtërimit të saj, fton publikun e kryeqytetit të vizitojë në datat 3-10 shtator ekspozitën “homazh” kushtuar Nobelistes së paqes përmes titujve dhe veprave që kanë në fokus jetën frymëzuese dhe veprimtarinë e saj shembullore.

Nga lutjet dhe poezitë e shkruara prej vetë shenjtores te poezitë që ajo u frymëzoi poetëve shqiptarë, nga albumet mbresëlënëse te monografitë studimore, intervistat, jetëshkrimet e deri dhe bibliografitë për të, kjo ekspozitë sjell në trajtë simbolike marrëdhënien e privilegjuar që vetë Shqipëria dhe shqiptarët, për të cilët lutjet ajo nuk i rreshti kurrë, kanë ngjizur tashmë mes Nënën e tyre të shenjtë, plot krenari e përkushtim.

Përmes një bashkëpunimi përherë të suksesshëm me Muzeun Historik Kombëtar dhe Ministrinë e Kulturës, në këtë ekspozitë do të ekspozohen edhe disa nga objektet personale të Nënë Terezës, si kryqi, rruzarja dhe shalli i saj, sot pronë e MHK.

Ju mirëpresim!

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Nene Tereza, Teper vone

GËZUAR 90 VJETORIN E LINDJES, Z. AGIM KARAGJOZI!

September 1, 2016 by dgreca

1 ok Karagjozi.IMG (2)VATRA URON PRESIDENTIN E NDERIT, Z. AGIM KARAGJOZI, ME RASTIN E 90 VJETORIT TË LINDJES/

1 Karagjozi Klinton

1 foto e perb ok

2 Tropoje 8 qersh 1998.IMGMe 1 Shtator 2016 z. Agim Karagjozi, President Nderi i VATRES, feston 90 Vjetorin e Lindjes. Ai u lind me 1 Shtator 1926 në Qytetin e Gjirokastrës, në një familje të pasur qytetare, që shquhej për Atdhetarizëm.

Katër klasë të arsimit fillor i bëri në qytetin e lindjes, klasën e pestë në Vlorë. Në vitet 1938 – 1944 vazhdoi shkollimin në liceun e Korçës, në gjimnazin e Gjirokastrës dhe në gjimnazin e Tiranës.

Që në moshën 16 vjeçare i riu Agim Karagjozi u përfshi në veprimtari aktive me Rininë Nacionaliste të Ballit Kombëtar. Në vitet 1943-44, ishte anëtar aktiv në rininë e Ballit Kombëtar në Gjirokastër, Vlorë e Tiranë. Në verë 1944, ishte vullnetar në batalionin “Besnik Çano” që shkoi në Kosovë për të luftuar kundër forcave të Mihajloviçit në Qafë të Morinës, ku ra dëshmor i riu Hamit Troplini.

Në moshën 18 vjeçare, nëntor 1944, së bashku me të atin dhe shumë nacionalistë të tjerë mori rrugën e mërgimit, përmes një odiseje të vështirë, me një motobarkë arritën në Itali. Saga e ikjes nuk përfundoi aty, por vazhdoi drejt Turqisë. U regjistrua dhe kreu studimet universitare për inxhinieri elektrike në Robert College të Stambollit. Ëndrra e tij ishte “Toka e Lirisë”, Amerika. Pas studimeve, më 1956 ai erdhi në Amerikë. Pa asnjë mëdyshje mori kontakte me vatranët dhe u bë pjesë aktive e Vatrës. Po mbushen 6 dekada, që është pjesë e Vatrës, duke shënuar një rekord historik të Federatës 104 vjeçare dhe duke u bërë kështu vatrani me më shumë vite aktive në Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA.

Inxhinier Agim Karagjozi e udhëhoqi Vatrën për dy dekada, madje në kohë shumë të vështira, nga viti 1992 deri në vitin 2010, kur dha dorëheqje për arsye shëndetsore. Për shumë kohë ai pat drejtuar edhe degën më të madhe të Vatrës, atë me nr. 29 në Nju Jork.

  1. Karagjozi së bashku me atdhetarët e tjerë nacionalistë u bënë pengesa kryesore e regjimit komunist të Tiranës, që u përpoqën ta neutralizonin veprimtarinë Kombëtare, antikomuniste të Vatrës, ndërsa pas rrëzimit të komunizmit, mbështetën forcat e reja demokratike.

Kosova e robëruar, ishte plaga që i shkatonte më së shumti dhimbje Agim Karagjozit. Ai e orientoi Vatrën kah Kosova, duke i dhënë mbështetje pa kushte drejt Lirisë. Dr. Ibrahim Rugova, tek Vatra dhe Karagjozi, shihte dritaren drejt Washingtonit.

  1. Agim Karagjozi me bashkëpunëtorë nuk kurseu asgjë për Lirinë e Kosovës. Ai e hodhi Vatrën në aksion për të mbledhur ndihma për Luftën, dhe me një delegacion, që e udhëhoqi ai, i dërguan ndihmat monetare tek përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës në Tiranë. Jo vetëm kaq, por së bashku me një grup vatranësh, ai shkoi deri në Tropojë, duke udhëtuar përmes Shqipërisë së rebeluar, që kishte rrëmbyer armët, dhe duke vënë jetën në rrezik,shkuan në spitalin e qytetit, takuan të plagosurit e Luftës, duke dorëzuar ndihmat që kishin marrë prej Amerike. Z. Karagjozi e ndjeu veten me fat, tek përfaqësoi Vatrën historike në takimin këshillues me Presidentin Bill Klinton, përpara se të bombardohej Serbia, ashtu si dikur, paraardhësi i tij i famshëm,ish kryetari themelues i Vatrës,  Fan S Noli, pat takuar presidentin Wilson, në takimin me përfaqësuesit e Kombeve në SHBA, dhe iu lut për shpëtimin e Pavarësisë së Shqipërisë në prag të Konferencës së Paqës.

Po ashtu, ai ndjehet me fat që në ceremoninë për pranimin e Shqipërisë në NATO,organizuar në Shtëpinë e Bardhë nën drejtimin e Presidentit George Bush,mori pjesë bashkë me një grup vatarnësh.

  1. Karagjozi do të mbahet mend edhe për faktin se ishte ai që e bëri Vatrën me një shtëpi stabël. Për rreth një shekulli Vatra ka vuajtur për ta pasur të vetën një shtëpi, por kjo u bë realitet vetëm në sajë të seriozitetit me të cilin e kreu Karagjozi detyrën e kryetarit për grumbullimin e fondeve të shtëpisë së Vatrës. Edhe pse kryetarët e Vatrës patën kërkuar me këmbëngulje që fondet të shpenzoheshin për gazetën dhe botime të tjera, apo për emërgjenca, ai kurrë nuk tha”PO”, por kundërshtoi me argumenta, dhe i sigurtë punoi dhe siguroi fondin e domosdoshëm. Po t’i shtosh këtij faktin edhe kontributin që dha i biri, Zyhdi Karagjozi, që gjeti një banesë që shitej përmes bankës, dhe duke mos marrë asnjë interes për vete, duhet thënë pa mëdyshje se vatranët u bënë me shtëpi nga Agim Karagjozi dhe i biri, Zyhdiu.

Për aktivitetin e tij atdhetar z. Agim Karagjozi është nderuar nga Qyteti i Lindjes,që e ka shpallë “Qytetar Nderi të Gjirokastrës”, është nderuar nga Presidentët e Shqipërisë me ” Shqiponjën e Artë” dhe me Urdhërin “Nder i Kombit”.

Të gjithë vatranët, Kryetari Buçaj, Kryesia dhe Këshilli i Vatrës, Gazeta Dielli, e urojnë Presidentin e Nderit të Vatrës, z. Agim Karagjozi:

GËZUAR 90 VJETORIN E LINDJES!

 

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: 90 - VJETORIN, dalip greca, e lindjes, Gezuar, Vatra, Z. AGIM KARAGJOZI

AT E BIR PËR MËMËDHENË

August 31, 2016 by dgreca

NGA KOLEC TRABOINI/ Jeta e vepra e Josif dhe Vasil Panit, bashkëpunëtorë të afërt të Fan Nolit dhe Faik Konicës në një libër të ri. Gjatë një takimi qe kish pasur Skënder Luarasi me të birin e Vasil Panit, i kishte thënë që nëse do të botosh ndonjë herë një libër për babanë e gjyshin, duhet ti vesh titullin “At e bir për mëmëdhenë”. Kaluan shumë vite që atëherë. Sotir Pani pas 1990, do të shkonte të jetonte përgjithmonë Amerikë, ku kishin punuar e jetuar babai dhe gjyshi i vet, dhe kjo porosi e marrë në atdhe nga një atdhetar i madh si prof. Luarasi, i biri i Petro Nini Luarasit, do ta shoqëronte kudo. Dhe ja në prag të vjeshtës 2016 vjen për lexuesit libri me këtë titull i shkruar nga Sotir Pani, përgatitur për botim nga Kolec Traboini në serinë e botimeve Pantheon, nga shtëpia botuese Emal. Një libër ky që veç jetëshkrimit ka edhe një mori dokumentesh me shumë vlerë e që mbase për herë të parë bëhen të njohura për lexuesin shqiptar. Në këtë libër kemi dy kapituj kryesorë për dy jetë atdhetarësh, por që kanë një përputhshmëri, sepse të dy këta kishin një veprimtari dhe një ideal të përbashkët. Josif Pani, ky mik për kokë i Faik Konicës, ishte ndër themeluesit e shoqatave të para shqiptare në Boston, më pas edhe i Vatrës, ndërsa i biri Vasil Pani, do të ishte ai që do të mbante të gjallë këtë shoqëri shqiptarësh për vite me radhë. Ka qenë fundi i shekullit 19-të kur Josif Pani emigroi ca kohë në Greqi ku ra në kontakt me atdhetarët shqiptarë. Por atje u konfliktua me qarqet shovinistë të fqinjit të jugut dhe vendosi të shkoje emigrant në Amerikë në vitin 1903. Josifi qe ndër veprimtarët më të njohur për çështjen shqiptare. Veprimtaria e tij kishte dy drejtime kryesore, organizator shoqatash atdhetare që më pas do të formonin “Vatrën” dhe botues gazetash e revistash në gjuhën shqipe. Ishte botues i gazetave “Sazani” dhe “Drejtësia” si dhe autor i librit “Adriatiku dhe lufta europiane” . Gjithashtu autor i plot shkrimeve në gazetën “Dielli”. Josif Pani ishte bashkëpunëtor i ngushtë me Faik Konicën, me të cilin e lidhte një miqësi e madhe. Aq tipike ishte kjo miqësi sa që Faik Konica nuk pranonte të dilte në fotografi me ndonjë tjetër, këtë privilegj ia ka bërë vetëm gazetarit e botuesit Josif Pani. Nën shëmbullin e Faikut, Josif Pani njihet për polemikat e forta me greket e Amerikës por edhe me shqiptarët që punonin për Greqinë në dëm të çështjes shqiptare. Josif Pani jepte kontribut të madh edhe në Federatën “Vatra” deri sa këtë veprimtari atdhetare do ta vazhdonte i biri Vasil Pani. Në vitin 1922 kthehet në Atdhe, në fshatin Dardhë. Është e njohur lidhja e miqësia e tij me Hil Mosin që aso kohe ishte prefekt i Korçës dhe ndihmoi për hapjen e rrugës Korçë -Dardhë në vitin 1929. Faik Konica kur e mori vesh se Josif Panit kishte vdekur në Dardhë të Korçës më 14 maj 1934, ka shkruar: “Josif Pani, ish një shqiptar me karakter të shëndoshë, një nacionalist me ndjenja të këthjellta, bashkëpuntor i imi i vjetër dhe një mik i patundur.” Dihet sa i kursyer ishte Faik Konica në vlerësimet e lavdërimet e bashkatdhetarëve të vet, por për Josif Panin thoshte çdo lëvdatë. Vasil Josif Pani ishte fare i ri kur në vitin 1912 u kthye nga Amerika në Shqipëri dhe u fut në radhët e luftëtarëve të çetës së Themistokli Gërmenjit. Mori pjesë në luftë kundër forcave andarte greke që donin të pushtonin Korçën e fshatrat përreth. Qëndroi në çetat atdhetare edhe në vitet 1913-1914, por edhe në xhandarmërinë e qytetit në ruajtjen e rendit, e më pas do të shkonte përsëri në Boston të Amerikës pranë babait të vet. Në gazetën “Drejtësia” 1920, atdhetari Naum Cerja ka shkruar: “Josifi (Pani) nuk e kurseu djalin e tij, por e bëri therror në altarin e atdheut si Abrahami Isakun dhe e dërgoi shpresën dhe ngushëllimin e pleqërisë, Vasilin, 19 vjeçar, të mbrojë truallin e shenjtë të Atdheut me krahërorin dhe gjakun e tij.” Vasil Pani ka hapur asokohe një restorant të madh në Boston, i cili u bë qëndra ku mblidheshin shqiptarët dhe veprimtarët e “Vatrës” me Fan Nolin dhe Faik Konicën. Vasil Pani një pjesë të madhe të fitimit në restorant e kalonte për Federatën “Vatra”, sa edhe Noli do ta pranonte se, të mos ishte Vasil Pani Federata Panshqiptare “Vatra” do të ishte shuar e harruar. Duke i njohur meritat, anëtarët e Federatës e zgjodhën fillimisht për 10 vjet kryetar i “Vatrës”. Ishte koha kur shoqata Vatra pësoi nje ndarje ne mes te Bostonit dhe Detroitit ku vepronte Refat Gurazezi. Ai ishte kryetar i shoqatës Vatra deri në vdekjen e tij të papritur më 11 dhjetor 1947 në moshën 52 vjeçare. Fjalët e shprehura me këtë rast për këtë humbje te madhe janë vërtetë prekëse. Vetë Fan S. Noli për këtë figurë të Komunitetit Shqiptar në SHBA, ka vënë në dukje tre kategori ku mund të ndahej jeta e tij: Vasil Pani patriot, Vasil Pani si besnik, dhe Vasil Pani si shpirtmirë për ta përmbyllur me fjalët: “Vasil Pani ka qenë kurdoherë në krye të taborit të Shqiptarizmës.” Edhe Faik Konica ka qenë një nga miqtë më të afërt të Vasil Panit. Në fotografinë që i kishte dhuruar më 16 maj 1937 Konica pat shkruar: “Mikut të dashur zotit Vasil Panit për kujtim”. Është ajo fotografi, me e bukura e Konicës, që për gjysmë shekulli u ruajt në sëndukët e familjes Pani dhe tanimë është bërë e njohur dhe përdoret gjerësisht nga media dhe shtypi shqiptar. Ajo fotografi me kushtimin është vendosur në kapakun e librit. Interesante është shtrimi i një problemi që ende nuk ka gjetur zgjidhje. Çfarë u bënë biblioteka dhe gjërat personale të Faik Konicës. Dikush e qarkullon një letër që gjoja Faik Konica ka shkruar para vdekjes duke lënë porosi si testament, por mesa duket, me faktet që sillen në këtë libër, ajo letër është e stisur. Faik Konica kish vdekur papritur me 15 dhjetor 1942. Sillen fakte se ai e ka biseduar me Vasil Panin, kryetarin e shoqatës”Vatra” se dëshira e tij ishte që të varrosej në Shqipëri nëse i ndodhte ndonjë gjë. Dhe Vasil Pani e mori përsipër këtë amanet, por ishte kohë lufte. Kështu që Faik Konica u varros në Forest Hills Cemetery të Bostonit. Në restorantin Court House u ruajtën gjerat e Konicës. Por me vdekjen e Vasil Panit nuk u muar vesh se ku shkuan rreth 3000 librat dhe disa nga gjërat personale të Faik Konicës. Zhdukja e këtij thesari diture ka mbetur mister edhe sot e kësaj dite. “At e bir për mëmëdhenë” është një libër me plot ngjarje jo vetëm për dy figurat e mëdha atdhetare Josif e Vasil Pani, që shteti shqiptar i ka vlerësuar e dekoruar, por është i mbushur me plot fakte, dokumente, fotografi dhe përshkrime të veprimtarive nga jeta e Komunitetit Shqiptar të Amerikës. Me 260 faqet e tij , libri është një histori e gjallë, e dokumentuar që i shton njohuritë edhe për shoqatën atdhetare “Vatra”, e quajtur dhe Qeveria Shqiptare në mërgim. Një libër historik me shumë interes, që jo vetëm meriton të lexohen por edhe e pasuron bibliotekën e pasionantëve të historisë kombëtare, në të cilën komuniteti shqiptaro-amerikan zë një vend të rëndësishëm.

 

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: AT E BIR PËR MËMËDHENË, Josif e Vasil Pani, Kolec Traboini

Diaspora, të rriten investimet në Kosovë

August 31, 2016 by dgreca

-Ministrja Bajrami priti në takim kryetarin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare për Evropë/

PRISHTINË, 31 Gusht 2016 –Gazeta DIELLI/ Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti sot në takim kryetarin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare për Evropë, Ylli Blakajn, dhe kryetarin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare për Berlin, Mustafë Abazin.

Temë e diskutimit ishte krijimi i kushteve sa më të përshtatshme për investime të bizneseve të diasporës shqiptare nga Evropa në Kosovë.

Ministrja Bajrami i njoftoi bashkëbiseduesit me reformat që ka ndërmarrë Qeveria e vendit në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në vend dhe u zotua se Qeveria e Republikës së Kosovës do të punojë ngushtë me Rrjetin e Bizneseve Shqiptare nga Diaspora, në mënyrë që të gjitha shqetësimet e tyre në lidhje me realizimin e investimeve në Kosovë të trajtohen me prioritet nga institucionet tona.

Blakaj shprehu falënderimin e tij për Qeverinë e Kosovës dhe tha se së bashku me institucionet qeveritare do të punojnë në adresimin e sfidave me të cilat ballafaqohen investitorët nga diaspora, në mënyrë që të rritet volumi i investimeve në Kosovë./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: diaspora, ne Kosove, të rriten investimet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2523
  • 2524
  • 2525
  • 2526
  • 2527
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT