• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KU JE, O SHTET?- SI MUND TE DUROHET FYERJA E NJE KOMBI ?

July 6, 2016 by dgreca

A ka shtet Republika e Shqipërisë që pranon të fyhet heroi kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Lezhë nga një pseudo-historian turk ?/

-Opinion nga Lek Gjoka/ Jacksonville-Florida/

Sipas të gjithë masmedias shqiptare një skandal i rëndë ka ndodhur tek varri i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Lezhë.

Pseudo historiani turk Talha Uğurluel, gjatë një vizitë që ka zhvilluar tek varri i heroit tonë kombëtar e ka sharë dhe ofenduar Skënderbeun. Ndër të tjerash ai ka shtuar: “Skënderbeu nuk bëri luftë, por plaçkitje, terror mbi gra, fëmijë dhe pleq të pambrojtur. Ai ishte sikurse është sot PKK një parti terroriste që vret dy-tre vete dhe largohet duke lëne terror nga pas”.

Fjalimi i pseudo-historianit është shoqëruar me duartrokitje nga vizitorët turq. Ai është shprehur se shqiptarët këtej e tutje duhet të zgjedhin sesi te jetojnë, si Mehmet Akif Ersoy shqiptar, por besnik i Osmaneve, apo si Skënderbeu tradhtar i Perandorisë osmane-turko.

Pseudo-historiani turk njihet si një studiues i periudhës osmane. Veç publikimeve historike ai drejton edhe disa ture turistike për qytetarët turq në vendet e rajonit. Qëllimi i tureve është njohja e historisë së Perandorisë turke në zonat kur dikur shtrihej perandoria. Fjalimi që mban në video është pjesë e leksioneve që ai mban edhe në universitetet turke, fatkeqësisht me shumë mllef e gënjeshtra për heroin dhe historinë tonë…

I vetmi zyrtar shqiptar që ka reaguar është kryetari i Bashkisë së Lezhës zoti Fran Frroku i cili nder të tjera ka thënë: Fjalët fyese janë dashakeqëse dhe nuk do të kenë asnjë përfitim në qëllimet e tilla. Në nuk i cenojmë heronjtë e tyre, çdo popull ka heronjtë e tij  ne pretendojmë që njihemi mirë me heroin tonë kombëtar, larg pikëpamjeve fetare, është një hero që ka bërë emër me historinë e tij dhe me kontributin tij ndaj kombit tone shqiptar dhe personalisht e dënoj si akt”.

Në të njëjtën linjë për ngjarjen ka qenë edhe Myftinia e Lezhës. Imami i xhamisë së qytetit Mois Shehu tha se komuniteti mysliman lezhjan distancohet nga akte të tillë, duke deklaruar se është e pafalshme që të fyhet një hero kombëtar siç është Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

“Distancohemi nga ky akt  dhe duhet ti lemë historianët  të flasin dhe më shumë  se ka folur historia për heroin tonë që është heroi i vetëm kombëtar  ne s’kemi se çfarë shtojmë. E dënojmë si akt  që të fyet një hero kombëtar  i një populli siç jemi ne”, shprehet Shehu.

Sigurisht zëri i një krye bashkiaku apo përfaqësuesve te fesë islame në Lezhë ka vlerën e tij por Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk është vetëm heroi i lezhjaneve por i gjithë kombit shqiptar ndaj qeveria e Shqipërisë pse jo edhe e Kosovës duhet të reagoj.

Me çudit fakti se perse qeveria socialiste duhet të prese disa kohe qe të firmoset një peticion online për shpalljen non grada të këtij pseudo-historiani turk që na fyen heroin kombëtar ndërkohe që vete Kushtetuta e Shqipërisë i ka dhëne të drejte qeverise në ligjet e saja për të mbrojtur figurat dhe heronjtë e kombit shqiptar pavarësisht së kujt besimi fetar i përkisnin duke e shpallur direkt non grada pseudo-historianin turk Talha Uğurluel.

Nuk e kuptoj pse ministria e kulturës nuk jep dorëheqjen apo do të pres demonstrata qe mund të dalin edhe jashtë kontrollit dhe të shfrytëzohen edhe nga politika e korruptuar shqiptare. Faktikisht kjo ministre duhet të ishte larguar nga qeveria Rama që në përplasjen e pare në vendosjen e pllakës se Sulltan Mehmetit në kalanë e Lezhës me force. Madje me paturpësi ne një emision televiziv ku edhe ajo ishte pjesëmarrëse fyhen qytetaret e Lezhës sepse si qytetare të besimit katolik nuk e duan pllakën e Sulltan Mehmetit të kalaja e Lezhës së është mysliman sepse “ai sulltan i përket historisë së kombit shqiptar”(sipas ministres se kulturës ne emisionin televiziv Opinion tek Klan TV).Sigurisht zonja ministre e di që i përket historisë por historisë se pushtimit të trojeve shqiptare , të vrasjeve, të burgosjeve, të eliminimit me zjarr e hekur të gjuhës shqipe, të kthimit me dhunë në besimin e perandorisë osmane etj. dhe sipas teje duhet që t’iu tregojmë turisteve të huaj se ja në respektojmë Mehmet pushtuesin e vendosim mbi heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu!.

Gabohesh rende jo veten ti por çdo politikan në Shqipëri dhe Kosovë që nuk e di arsyen që bëheni sahan lëpirës në duart e Erdoganit i cili do të ringjalle historinë e pushtimeve të perandorisë osmane duke investuar miliona euro si në telenovelat turke që transmetohen nga TV shqiptare ashtu duke hapur medrese për myslimanet shqiptare. Personalisht nuk jam kundra hapjes se shkollave fetare të çdo lloj besime por sipas rregullave të ministrisë së arsimit të Shqipërisë. Nuk mund të tolerohet festimi i mbarimit të shkollës së mesme në medresenë e Shkodrës ku festohet vetëm me flamur turk e jo edhe atë shqiptar. Sigurisht ministrja e arsimit zonja Nikolla ka pase “gabim” numrin e syzeve dhe nuk e ka pare mungesën e flamurit kuq e zi në Shkodër!.

Duke kaluar nëpër vitet që nga rrëzimi i diktaturës komuniste deri sot politika shqiptare po bën shumë gabime të pa falshme ndaj kombit shqiptar. Gabimi i pare ishte nga qeveria demokratike dhe lideri i saj Berisha me futjen e Shqipërisë në Konferencën e Shteteve Islamike(megjithëse asgjë nuk përfituam madje shumica nuk pranon ta njohë as Kosovën si shtet) dhe tani qeverisja socialiste me kryeministrin Rama që bën një sy qorr e një vesh shurdh duke mos mbrojtur historinë dhe heronjtë e kombit shqiptar siç është rasti i pllakës se Sulltanit në kalanë e Lezhës apo fyerja e fundit e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nga pseudo-historian turk të cilin shteti shqiptar nuk e shpall person të pa dëshirueshëm për Shqipërinë ndërkohe që qeveria greke shpall person nën grada gazetarin Marin Mema vetëm se filmoi e tha në një dokumentar të vërteten e gjenocidit grek ndaj popullsisë çamë në trojet e tyre .

Jacksonville Florida

Korrik 2016.

Filed Under: Opinion Tagged With: fyerja e heroit Kombetar, Lek Gjoka, pseudohistoriani turk

JA PSE DUHET TË TROKISNI NË ZYRËN E AVOKATES SË EMIGRACIONIT EGI DEROMEMAJ

July 6, 2016 by dgreca

Bashkatdhetarë, që jetoni në Nju Jork, Nju Xhersi, apo në Michigan(ku Pastor & Deromemaj; Associates, P.C ka dy zyra): Keni probleme me emigracionin? Keni të pazgjidhur statusin e qëndrimit apo keni marrë deportim, apo e keni familjen të ndarë, këtu dhe në vendlindje? Keni çeshtje azili,vizash për emigracion familijar, rikthim nga deportimet,mbrojtje nga deportimi, apelime, viza për investim biznesi ,viza martese ,viza pune,çështje kriminale lidhur me emigracionin,rregullimin e dokumentacionit për nënshtetsi amerikane dhe shumë shërbime të tjera?-Drejtojuni avokates  shqiptare Egi Deromemaj në zyrën e saj në Times Square, NY dhe në qytetin TROY dhe DEARBORN në Michigan . Pse duhet t’i drejtoheni Egit? Sepse, ajo  vjen vetë nga një familje që e ka fituar statusin e azilit përmes përballjes ligjore, por edhe pse ka arritur që bashkë me partneren e saj t’ia dalë mbanë në shumë përballje me klientët, që i ka marrë përsipër t’i mbrojë. E përgatitur në shkollat amerikane dhe duke njohur psikologjinë dhe hallet e shqiptarëve, Egi ia ka dalë mbanë. Firma e saj ligjore ia ka arritur që të zgjidhë shumë probleme të emigracionit, që nga më të thjeshtat e deri tek më të komplikuarat. Zyra e saj është e specializuar vetëm për çështje të emigracionit.

Gjatë përvojës së avokatja Deromemaj ka arritë që t’u japë zgjidhje çështjeve për kerkim azili. Shumë qytetarë prej trevave shqiptare,që kanë qenë të detyruar të largohen nga vëndi i tyre për arsye të ndryshme, kanë shkuar në zyrën e saj, pasi kanë pasur nevojë për mbështetje ligjore lidhur me rregullimin e lejeqëndrimit e deri tek marrja e nënshtetsisë, janë ndarë të kënaqur me avokaten shqiptare që flet shqip.

Ndiqeni bisedën që zhvilluam me avokaten Egi Deromemaj, që të merrni më shumë informacion:

Pyetje: – Zonja avokate a mund ta prezantoni për lëxuesit e Gazetës “Dielli” Firmën Ligjore “Pastor & Deromemaj”?

Znj. Egi Deromemaj: – Pastor & Deromemaj; Associates, P.C. është një nga firmat ligjore me të njohura  për emigracion. Firma jonë ka filuar veprimtarinë e saj që në vitin 2001 nën drejtimin e avokates Caridad Pastor Cardinale.Mbas pesë vitesh punë të përbashkët nga unë dhe Carrie vendosëm që ta vazhdojmë aktivitetin tonë si partnere të përbashkëta dhe krijuam firmën PASTOR & DEROMEMAJ. P.C..

Firma jonë ka tre zyra ,dy prej tyre gjinden në Michigan, njëra në qytetin TROY dhe tjetra në qytetin DEARBORN dhe së fundmi kemi hapur  zyrën ton te re me vendodhje në Manhattan, New York.

Zyra jonë është e specializuar vetëm për çështje të emigracionit, ku zgjidhen rastet nga më të thjeshtat e deri tek ato më të komplikuarat.

Pyetje – Ju sapo jeni vendosur edhe në Shtetin e Nju Jork-ut krahas Michigan-it, përse kjo lëvizje?

Znj. Egi Deromemaj: – Siç e përmënda më lartë ne filluam veprimtarinë me zyrën tonë në Michigan por gjatë tërë veprimtarisë sonë kemi pasur klientë edhe nga New York-u, kështu që për të funksionuar më mirë dhe për ti ofruar shërbimet tona klienteve dhe njëkohësisht, që të jemi më afër komunitetit shqiptar këtu, vendosëm që të hapim  zyrën tonë në shtetin e  New York-ut. Shkurt i jemi afruar komunitetit që jeton në Nju Jork e nju Xhersi, duke e vendosur zyrën tonë në zemër të Manhattanit,në Times Square dhe Broadway.

Pyetje – Çfarë përvoje sjell zyra Juaj avokatore në zgjidhjen e problemeve të emigracionit?

Znj. Egi Deromemaj: – Zyra jonë gjatë veprimtarisë së saj ka ofruar shërbime të panumerta siç janë azili,viza për emigracion familijar, rikthim nga deportimet,mbrojtje nga deportimi, apelime, viza për investim biznesi ,viza martese ,viza pune,çështje kriminale lidhur me emigracionin,rregullimin e dokumentacionit për nënshtetsi amerikane dhe shumë shërbime të tjera.

Gjatë karrierës sime kam hasur në raste të ndryshme të komplikuara , por më të ndjeshmet jan ato të familjeve ku njeri nga antaret e saj rezulton të jetë i deportuar dhe qëndron larg familjes ,kështu që ne si zyrë për emigracion kemi ndimuar që familjet të bashkohen duke kërkuar peticion për falje dhe nuk kemi dështuar asnjëhere në këto çështje.

 

Pyetje – Të çfarë natyre kanë qenë çështjet e emigracionit shqiptar që ka zgjidhur zyra juaj?

Znj. Egi Deromemaj: – Zyra jonë ka trajtuar çështje të shumta për komuniteti shqiptar duke filluar nga ato për kerkim azili,nga që shumë qytetarë nga trevat shqiptare kanë qenë të detyruar të largohen nga vëndi i tyre për arsye të ndryshme dhe të gjithë ata që kanë ardhur këtu kanë pasur nevojë për mbështetje ligjore lidhur me regullimin e lejeqëndrimit e deri tek marrja e nënshtetsisë, po ashtu vlen të cekim rastet ku familjet janë ndarë për arsye se njeri nga antarët e familjes ka qenë i detyruar të kthehet mbrapshtë prej nga ka ardhur për shkak të ligjeve strikte të qeverisë amerikane.

Në shumë raste ku personat jan deportuar dhe kanë tentuar disa herë me ndihmën e zyrave të tjera të kërkojnë falje për tu kthyer në Amerikë por janë refuzuar ,kanë ardhur tek zyra jonë dhe kemi arritur sukses, duke i sjellë në Amerikë dhe i kemi bashkuar me familjet e tyre në kohë relativisht të shpejtë.

Pyetje : -Përse duhet të trokasë një emigrant shqiptar në zyrën Tuaj?

Znj. Egi Deromemaj: – Jemi të vetdijshëm që egzistojnë një numër i madh zyrash ligjore në Nju Jork dhe në Michigan, ashtu si edhe në shtete të tjerë. Pse duhet të vijnë tek ne? Po sepse ne i shohim problemet mbi emigracionin për emigrantët si detyrimin absolut tonin dhe ndjehemi të afta t’u ofrojmë zgjidhje.

Këtu e kanë bazën dhe sukseset tona në përvojen tonë të gjatë në çështjet e emigracionit për të cilat jemi specializuar.

 

Pyetje : – Për lexuesit e Diellit: Kush është Egi Deromemaj?

 

Znj. Egi Deromemaj: – Unë jam e lindur në Tiranë me 1987. Ne vitin 1995 familja ime ka emigruar në Amerikë. Familja ime ka kërkuar azil me të arritur këtu dhe mbasi një periudhe të gjatë dhe shumë vështërsive arritëm që të fitojmë çështjen. Kemi përjetuar jetën e vështirë të një familje emigrantësh ashtu si shumë familje të tjera që vijnë këtu me ëndrren amerikane të lirisë. Kështu që jam e vetëdijshme çka do të thotë të vish si emigrant në Amerikë dhe përmes çfarë vështersive i duhet të kalojë çdo person apo familje deri sa te regullojë lejeqendrimin në Amerikë. Kjo më ndihmon shumë në përjetimin e çeshtjeve qe ndjek.

Pyetje : – Shkollimi juaj?

Znj. Egi Deromemaj: – Unë kam të kryer bachelors në Wayne State University në Detroit, Michigan. Pastaj studimet për juridik i kam kryer në University of Detroit Mercy School of Law ne Detroit, Michigan.

Pyetje:-  Përse zgjodhët si profesion avokatinë?

Znj. Egi Deromemaj:- E kam parë vetë çdo të thotë të lësh vendin tënd dhe të shkosh në një tokë të huaj,dhe kam parë me sytë e mi se me çfarë vështirësish ballafaqohen këta njerëz dhe që kur isha e vogël, gjithmonë e kam patur ëndërr për të arritur në një pozitë ku unë do të mbroja të drejtat e këtyre njerëzve dhe kam qënë me fat që kam patur një familje e cila më ka shtyrë të edukohem dhe një ditë të bëhem kjo që jam sot.

Pyetje – Diçka për familjen tuaj?

Znj. Egi Deromemaj: –Familaj ime? I detyrohem shumë. Pa mbështetjen dhe dashurinë e saj asnjëherë nuk do të arrija këtu ku jam sot.

Pyetje :- Një mesazh për bashkatdhetarët?

Znj. Egi Deromemaj: – Të mos harrojm kush jemi , të jemi krenarë që jemi shqiptarë….Dhe të mbështesim njëri-tjetrin.

 Pyetje:- Adresa Juaj? Si mund t’ju gjejne te interesuarit:

Firma jone ligjore  Pastor & Deromemaj, P.C. gjendet ne adresen:

1501 Broadway

12 Fl. Rm. 12107

New York, NY 10036

Phone: (646) 571-2118

Fax: (646) 304-7360

Email: egi@pdimmigrationlaw.com

pdimmigrationlaw.com

-Faleminderit për bisedën.

– Znj. Egi Deromemaj: Ishte kënaqesi!

Bisedoi:Dalip Greca

Filed Under: Interviste Tagged With: dalip greca, EGI DEROMEMAJ, JA PSE DUHET TË TROKISNI NË ZYRËN E AVOKATES TË EMIGRACIONIT

Imzot Rrok Mirdita, Personalitet i shquar i Kishës Katolike,Vizionar Profetik!

July 6, 2016 by dgreca

* Botohet me rastin e shugurimit meshtar me 4 Korrik 1965/

 *Çfarë nuk përmendi media shqiptare për Shkëlqesinë e Tij Rrok Mirdita, ish kreun e kishës katolike shqiptare?

  Nga  Tonin Mirakaj-New York/

Që prej ndarjes nga jeta, më 7 Dhjetor 2015, është shkruar dhe folë me shumë dashuri dhe respekt për jetën, arritjet dhe meritat e të ndierit Imzot Rrok Mirdita, Argjipeshkëv Metropolitan i Tiranës dhe i Durrësit. Është e vërtetë e pamohueshme se sukseset e Shkëlqesisë së Tij, që nga shugurimi në Kathedralen e Shkodrës me datën 25 Prill 1993, nga Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali i Dytë, janë monumentale në ndërtimin e Kishës Katolike, të cilën e gjeti gati krejtësisht të shkatërruar nga diktatura, në arsim, nga shkolla elementare tek Universiteti Katolik i Tiranës, në shëndetsi, klinika, spitale dhe shërbime të tjera sociale.E,që kunorëzon  arritjet e Tij,është ndërtimi i Kathedrales së Shën Palit në kryeqytetin e Shqipërisë,në Tiranë.

Analizat e përpjekjeve të Tij, për të ndërtuar një “Shqipëri me Zotin”, një Shqipëri për të gjithë shqiptarët, përshkruarjnë kryesisht periudhën afër 23 vjeçare, nga shugurimi Argjipeshkev deri në kalimin e Tij në Amshim. Është përmendë fare pak, periudha e jetës së Tij nga viti 1973 deri në 1993, 20 vjet shërbimi dhe dedikimi shembullor në Qendrën dhe Kishën Katolike “Zoja e Këshillit të Mirë”në New York, dhe sukseset që arriti gjatë kësaj periudhe në avancimin e komunitetit Katolik Shqiptar.

Ka qenë e natyrshme për shtypin dhe median vizive, ti japin rëndësi shërbimit Tij baritor në Atdhe, nga se janë dëshmitarë të përpjekjeve të Imzot Mirditës, në kondita shumë të vështira, ku gjeti përveç Kishës dhe Klerit në një gjendje të mjerushme, një popull që besimin në Zotin e kishte të ndaluar me ligj për afër një gjysëm shekulli, dhe ishte edukuar si adhurues i partisë dhe i diktatorit që e drejtonte, dhe mbi të gjitha, një fukarallëk të përgjithshëm në fshat, në qytet, nga Veriu në Jug i krijuar nga centralizimi i ekonomisë, dhe kontrolli i jetës njerzore, nga një sistem kriminal i quajtur “sigurimi i shtetit”. Ishte një fillim i zorshëm që kërkonte ndihmë nga “Provania Hyjnore”!

E them me bindje se Imzot Rroku,solli në Atdhe vizionin,guximin,vendosmërinë dhe vullnetin që pati këtu në New York,gjatë 20 viteve që shërbeu pranë Qendrës dhe Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë.Mbi të gjitha Imzot Rroku kishte besim tek Ati që i shërbente,se në çdo ndërmarrje ishte dora e Atij që e drejtonte.Si një person shumë afër Tij (jo për merita të mija) mund të them me bindje të plotë se Imzot Rroku  parashifte të ardhmen me  vizion profetik. Çdo gjë që projektonte Imzoti, realizohej. Shpesh herë gjatë bashkëpunimit 20 vjeçar kam ra dakord me mendimet e Tij,me dyshim se mund të realizohen? Por,çka e profetizonte Imzoti, bëhej realitet!

Mbas shugurimit meshtar me 4 Korrik 1965, nga shkëlqesia e Tij Aleksandër Tokiç, Argjipeshkev i Tivarit, shërbeu ndër Kisha të vendlindjes në Salce dhe Kllezna për rreth 7 vjet. Erdhi pranë Qendrës Katolike shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Qershor të vitit 1973, me leje të Argjipeshkvit të Tivarit, për të ndihmuar të ndierin Monsinjor Joseph Oroshi, në kryemjen e detyrave shpirtërore emigrantëve shqiptar në New York, numri i të cilve po shtohej me besimtarë nga trojet shqiptare të Malit të Zi.

Këtu Dom Rroku gjeti të formuar Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”, si Qendër Katolike shqiptare, jo famulli.Për arsyena administrative ishte pjesë e famullisë së vendit “St. Joseph’s Parish”. Lokali në 4221 Park Avenue në Bronx, ishte i vogël por i mjaftueshëm për atë kohë, ble me çmim që mundsinat lejonin. Mesha e parë në “Kishën” tonë u celebru natën e Krishtlindjes vitit 1969, nga i ndieri Monsinjor Joseph Oroshi.Kjo që ishte ëndërr nga fillimi i “Lidhjes Katolike Shqiptare Amerikane” më 16 Qershor 1962, u realizua. Prej 25 Dhjetorit të vitit 1969, shërbimet  fetare që kryheshin ndër Kisha të vendit, vazhduan në Kishën tonë. Për tre vjet, Qendra funksiononte e kufizuar me një meshë të Dielën, mbledhje të Këshillit të Kishës simpas nevojës, një meshë për dëshmorët e kombit me rastin e festës kombëtare të 28 Nëndorit, dhe botimin e revistës “Jeta Katolike” që ishte filluar që nga viti 1966.Për të ardhshmen mendohej fare pak.

Arritjet që u përshkruan, ndonse quheshin sukses, nga se kishim diçka, shpejt u pa qartë se nuk ishin të mjaftueshme për komunitetin, as për një prift të ri, me aftësi dhe energji maksimale, dhe vullnet për arritje të reja.

Dom Rroku çmonte dhe respektonte autoritetin e administratorit të Qendrës të ndierit Monsinjor Joseph Oroshi, po e shifte qartë se Qendra duhet të përshtatet ndryshimeve të kohës që po kalonte Kisha Universale, mbas Këshillit të Dytë Ekumenik, dhe rregullave Diocesane për Kshilla të Kishave, dhe pjesëmarrjen laike në aktivitete jo religjioze.

Për të zhvilluar aktivitete shoqërore, duhej vend më i madh dhe më komod.Zmadhimi i qendrës ishte problem i parë, që kërkonte përpjekje të meshtarve, Këshillit të Kishës dhe krejt shoqërisë. Në fillim të vitit 1975 doli në shitje një ndërtesë që ndodhej ngjitur me qendrën tonë.Meshtarët dhe Këshilli vendosën ta blejnë, dhe në vend të saj të ndërtohej Kisha e re, ngjitur me lokalin që kishim.

Plani i ndërtimit të Kishës së re, kërkonte 300 mijë dollarë.

Për të përballuar shumën e nevojshme meshtarët dhe Këshilli i Kishës, në Maj të vitit 1975, vendosën të kërkojnë një “kusht” prej 500 dollarësh për familje, për të filluar ndërtimin e objektit të ri. 136 familje u përgjigjën me nga 500 dollarë, dhe 16 me nga 1000, që sollën Shumën rreth 84 mijë dollarë.Pagesa e rregullt vjetore prej 100 dollarësh për familje vazhdonte nga viti 1968, që sillte shumën afërsisht 50 mijë në vit.Për atë kohë dhe gjendjen ekonomike të mërgatës,këto ishin shuma të konsiderueshme që siguruan suksesin e inisiativës.

Mbasi u siguruan lejet e nevojeshme kishtare e juridike, puna për të ndërtuar Kishën e re filloi me 15 Maj 1976, nën drejtimin e meshtarve Mons. Joseph Oroshi dhe dom Rrok Mirdita, duke pasë përkrahje të plotë të Këshillit të Kishës.Gjatë punimeve, vazhdonte fushata për mbledhjen e shumës së nevojshme për të përballuar shpenzimet e ndërtimit, që gjithmonë dilnin më shumë se ishin paraparë.Punimet vazhduan për afër dy vjet dhe u kunorëzuan me inagurimin e Kishës së re me 24 Shatator 1978, mbajtë në “Chateau Pelham” në Bronx, me pjesëmarrje të 800 personave, ndër të cilët udhëheqsit kryesor të komunitetit shqiptar të New Yorkut.Kremtimi u kryesua nga Dom Rrok Mirdita. Dedikimi i Kishës së re, u bë me 14 Janar 1979, nga Eminenca e Tij Terence Cardinal Cooke, Argjipeshkev i New Yorkut.

Dom Rrok Mirdita luajti rol vendimtar në suksesin që u arrit në një periudhë të shkurtë, dhe mund të thuhet pa dyshim se ishte krah i djathtë i administratorit Mons Joseph Oroshit, në përpjekje për realizimin e këtij objekti fetar dhe kombëtar, që solli shumë kënaqësi në komunitet.Gjatë kësaj kohe njoftësia, influenca dhe dashuria për Dom Rrokun në bashkësinë katolike dhe atë shqiptare,u shtua me përmasa të admirueshme,dhe siguroi vazhdimësi udhëheqje në Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”. Pa vonesë u bë e kjartë se Dom Rroku kishte aftësi udhëheqje dhe vision për të ardhmen e komunitetit. Kjo u provua me kontributet dhe gjenerozitetin që realizojë ndërtimin e objektit të ri.

Në Bronx, që nga fundi i vitit 1973, funksiononte Qendra e dytë Katolike shqiptare e “Shën Palit dhe Shën Pjetrit”, formuar nga Dom Lazër Sheldia, e cila i kryente shërbimet fetare pjestarëve të Qendrës, në Kishën Amerikane “Holly Rosary”, në Eastchester Road.Kjo nuk solli ndonjë ulje të pjesëmarrjes së komunitetit në Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”,nga se ardhja e emigrantëve të rinj  vazhdonte,dhe shumica frekuentonin Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Në këtë kohë Qendra kishte vend të mjaftushëm për të zhvilluar aktivitete shoqërore, kështu që fillojë një gjallëri e re, kryesisht meritë e priftit të ri dhe energjik Dom Rrokut. Ky, formoi korin e Kishës, që u shoqërua me grupin muzikor, grupin e kërcimtarve “Rozofati” dhe shoqatën e prindërve.Këto aktivitete sollën rritjen e vazhdueshme të pjesëmarrjes në Kishë.Dom Rroku krijoj një rreth të gjerë bashkëpuntorësh e aktivistësh që bënë të mundur avancimin e idenave të Tij, që përvec kënaqësisë në komunitet, sollën rritje në ndihma financiare të nevojshme për mbajtjen e Kishës.

Më 19 Qershor 1981, në marrëveshje me Diocesin e Tivarit, Eminenca e Tij Terence Kardinal Cooke, Argjipeshkëv i New Yorkut, me dekret special e inkardinoj Dom Rrok Mirditen prift i Arkidiocesit të Tij, me detyrë pranë Qendrës Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Bronx, New York.

Administratori i Qendrës Mons Joseph Oroshi dhe Këshilli i Kishës vendosën ta kremtojnë inkardinimin me një “Mbramje Vallëzimi” që u mbajtë me datën 10 Janar, 1982 në lokalin “Alex and Henry’s Roman Gardens” me një pjesemarrje të  gjerë të komunitetit. Argëtimin e bëri grupi muzikor “Rozofati”, krijuar nga Dom Rroku, që drejtohej nga Fran Shala.Mbrëmja u kryesuar nga Tonin Mirakaj, kryetar i Këshillit të Kishës.

Që nga fillimi, Këshilli i Kishës, zgjidhej nga administratori, simbas krahinave, njoftësive, rekomandimeve e tjera kësisoji, por jo aftësive që ishin të nevojshme për drejtimin dhe udhëheqjen e bashkësisë.Kjo mënyrë zgjedhjesh nuk ishte e pranushme për priftin e ri, dhe duhej ndryshuar që t’i përshtatej  situatës që solli ardhja e emigrantëve të rinj, dhe udhëzimet që vinin nga zyra e Diocesit për Kshillat e Kishave.

Në këtë kohë, po afrohej pensionimi i administratorit  të Qendrës, dhe drejtimi gradualisht po kalonte te Dom Rroku.Organizimi i Këshillit të Kishës dhe i zgjedhjeve ishte pikë me rëndësi që kërkonte një rregullore të bazuar në udhëzimet zyrtare dhe shembulla, si veprohej ndër Kisha të vendit. Dom Rroku u vu në kontakt me Kishën “Shën Philip Neri” në Bronx, ku merr orientimin e nevojshëm, dhe mbas studimit që pasoj, përgatiti “Rregulloren e Këshillit të Kishës Zoja e Këshillit të Mirë”, që përcakton mënyrën e zgjedhjeve, afatin në Këshill dhe rregulla të tjera të nevojeshme për drejtimin dhe pjesëmarrjen e komunitetit në udhëheqje. Ajo rregullore vazhdon prej asaj kohe, me plot sukses.

Një ngjarje që pritej me shumë gëzim, në atë kohë ishte shugurimi i gjakonit Pjetër Popaj, meshtar.Dom Rrok Mirdita ishte i vendosur me e kremtu shugurimin në mënyrë madhështore.Sa u caktua data e shugurimit 16 Nëndor 1985, filluan përgatitjet nga një komision që vepronte nën direktiva dhe udhëzime të Dom Rrokut.

Me datën 24 Nëndor 1985, prifti i ri Dom Pjetër Popaj, do kremtonte meshën e parë, në Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”. Komisioni prëgatitës me pëlqimin e Dom Rrokut vendos që kremtimi të bëhet në mbrëmje të datës 24 Nandor. U sigurua lokali “Imperial Manor” në Rt 4, New Jersey, që kishte vend të mjaftuarshëm për më se 1000 persona, që parashifej pjesëmarrja.U bënë lajmërimet me anë të mjeteve të komunikimit të kohës.U siguruan dy orkestra, njëra Amerikane dhe tjetra Shqiptare. U ftuan personalitete të Kishës dhe të komunitetit.U ftua Dom Simon Filipaj, nga Mal i Zi, Dom Prenk Ndrevashaj nga Detroiti e të tjerë.U ftua kryetari i shtetit të New Yorkut, i ndershmi Mario Cuomo. Ishte një rast gëzimi që Dom Rrok Mirdita dhe komisioni përgatitës dëshironin që të dilte sa më i suksesshëm. Më se 1000 persona morën pjesë në“Darkën Gazmore”të këtij rasti.

Kryetari i shtetit lëshoj një “proklamatë”, në të cilën vinte dukje se ishte rasti i  parë në histori, që shugurohet një prift shqiptar në Amerikë.Proklamatën e solli asistenti i kryetarit Cuomo për mardhënje ethnike z.John Nikas.

Për të gjithë organizimin prej fillimit, ishte kujdesi dhe dëshira e Dom Rrokut që gjithcka të dalin sa më mirë, kështu që ky rast gëzimi të mbetet kujtim për priftin e ri Dom Pjetër Popaj dhe gjith komunitetin Shqiptar të New Yorkut.

Më 1 Korrik 1986, administratori i Kishës Mons. Joseph Oroshi del në pension.Eminenca e Tij John Kardinal O’Connor emroj menjëherë Dom Rrok Mirditën administrator në Qendrën dhe Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Aktiviteti i parë i administratorit të ri, ishte përcjellja e Mons. Oroshit me një darkë gazmore, me pjesëmarrje të gjërë të komunitetit, me qëllim që ti jepej nderimi qe meritonte.Kjo “darkë gazmore” u mbajtë me 21 Shatator 1986 në “Eastwood Manor”, ku morën pjesë më se 700 persona, ndër të cilët Mons.John Doherty, Vicar Episkopal i Bronxit, Dom Prenk Ndrevashaj i ardhur nga Detroit, Anthony Athanas nga Boston Mass. Dr.Rexhep Krasninqi kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, Imam Isa Hoxha dhe të tjerë personalitete të shquara të komunitetit.

Me 4-6 Korrik të vitit 1986, në New York u mbajtë “Harbor Festival” me rastin e 100 vjetorit të Statutit të Lirisë, me pjesëmarrje grupesh muzikore nga më se 120 shtete të Botës.Me datën 6 Korrik,grupi i kërcimtarve Rozofati, i prëgatitur nën kujdesin e Dom Rrokut, performoj për 14 minuta në platformën madhështore të ngritur në Maiden Lane, përpara mijra spektatorve.Në prezentimin e grupit shqiptar, moderatori vuri në dukje aktivitetin e shkëlqyeshëm të Dom Rrokut në avancimin e komunitetit shqiptar të New Yorkut.

Sukseset e arritura nuk ishin të mjaftuarshme për Dom Rrokun.Ai gjithmonë mendonte si do të jetë komuniteti në të ardhmen.Ishte e qartë se zona e Bronxit ku ishte Qendra dhe Kisha shqiptare, nuk kishte shumë prespektivë për të ardhmen. Emigrantët shqiptar, që avancuan shpejt ekonomikisht, kishin filluar të largoheshin nga Bronxi, për në zona të klasës së mesme, në Westchester e vende më të preferuara.Frekuentimi i Kishës, në atë kohë ishte i kënaqshëm, por, për një vizionar si Dom Rroku, që parashihte të ardhmen me qartësi,nuk ishte i pranushëm, qëndrimi në vend-numëro! Duhej menduar për të ardhshmen e komunitetit, e këtë situatë Ai e studionte me seriozitetin më të madh.(Vijon)

Filed Under: Histori, Komunitet Tagged With: Imzot Rrok Mirdita, Personalitet i shquar i Kishës Katolike, Tonin Mirakaj, Vizionar Profetik!

SKENARI RUS I PASIGURISË BALLKANIKE

July 6, 2016 by dgreca

Shkruan: Dr. Islam LAUKA, diplomat/*

Para pak ditësh, në Moskë, mbylli punimet Kongresi i 15-të i Partisë “Rusia e Bashkuar”, e njohur ndryshe si partia e pushtetit, apo partia presidenciale. Ideator, themelues dhe udheheqësi i saj i vërtetë është Presidenti Vladimir Putin. Kongresi miratoi platformën zgjedhore dhe listën e deputetëve të kësaj partie për zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen me 18 shtator 2016.

Kongresi nuk do të tërhiqte vëmendjen, në qoftë se, gjatë punimeve të tij, nuk do të ishte nënshkruar një dokument i titulluar “Deklaratë mbi Bashkëpunimin”. Ky dokument është firmosur nga përfaqësuesit e partive politike nga pesë vende ballkanike, Serbi, Mal i Zi, Bosnje Hercegovinë, Maqedoni, Bullgari. Në emër të Partisë “Rusia e Bashkuar”, ai është firmosur nga Zëvendësekretari i Këshillit të Përgjithshëm të saj, Sergej Zheleznjak, i cili, njëkohësisht, është edhe Zëvendëskryetar i Dumës së Shtetit.

Pasi thekson domosdoshmërinë e kërkimit të zgjidhjeve të përbashkëta, jashtëbllokiste, për problemet e sigurisë ballkanike dhe europiane, Deklarata e sapo nënshkruar, e ofron vetë zgjidhjen për Ballkanin – nëpërmjet krijimit të hapësirës së shteteve të pavarura, neutrale, në këtë rajon. Zëvendëskryetari Zheleznjak, krijimin e kësaj hapësire e formuloi si “Aleanca e Shteteve Neutrale”.

Skenari i ri i Moskës për Ballkanin, duhet parë në lidhje të ngushtë me kontekstin gjeopolitik e gjeostrategjik në rajonin tonë e më gjerë.

Nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, Moska e ka konsideruar si një hap të drejtuar kundër saj dhe vetë popullit të rajonit tonë. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maria Zaharova, vlerëson se anëtarësimi në NATO i republikave ish-Jugosllave, nuk bëhet me vullnet të lirë, por nëpërmjet imponimit, imponim që ajo e lidh me sindromën e Stokholmit, sipas të cilës, viktimat i detyrojnë që të duan xhelatët e tyre (kupto sulmin e NATO-s kundër Jugosllavisë në vitin 1999, I.L.)

Duke qenë kundër Rusisë dhe kundër rajonit, në logjikën e Moskës, politika e zgjerimit të NATO-s nuk duhet të mbesë pa përgjigje dhe më mirë se në vendin e krimit, kjo përgjigje nuk ka se ku të jepet tjeter.

Këtë javë do të mblidhet samiti i NATO-s në Varshavë, ku, midis të tjerash, mendohet se do të diskutohet dhe vendoset për masat, lidhur me politikën e përmbajtjes së Rusisë, pas agresionit të saj në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë, në vitin 2014. Sipas Moskës, një paralajmërim i tipit të “Aleancës së Shteteve Neutrale” në Ballkan, në prag të Samitit të Varshavës, është i domosdoshëm.

Rezultatet e referendumit të Breksitit, tashmë, dihen. Moska nuk dëshiron që t’i ikë nga duart ky çast fatlum, pa e shfrytëzuar mirë, duke thelluar përçarjet brenda BE-së dhe, sidomos, midis kësaj të fundit dhe vendeve ballkanike që synojnë integrimin euroatlantik. Pikërisht në dritën e këtyre zhvillimeve bëhet më e qartë arsyeja e daljes së Moskës me ofertën e re, për sigurinë ballkanike.

Pavarësisht mbështjelljes me të cilën paraqitet, oferta e re e Kremlinit ka si qëllim sigurimin e neutralitetit ushtarak të vendeve të Ballkanit ndaj NATO-s, natyrisht, të atyre vendeve që ende nuk i janë bashkuar kësaj aleance dhe, nga ana tjetër, angazhimin e tyre, mundësisht edhe ushtarak, ndaj Moskës. Që do të thotë përmbysje e balancave të tanishme të sigurisë, duke çuar në destabilitet dhe pasiguri rajonale

“Argumentet” e disa “idiotëve të dobishëm” që minimizojnë rëndësinë e këtij dokumenti dhe pasojat negative që mund të sillte sendërtimi i tij në jetë, nuk qëndrojnë. Sipas tyre, Deklarata është nënshkruar nga secila parti, në baza dypalëshe. Ajo ka karakter ndërpartiak, prandaj nuk kanë vend supozimet për aleancë ndërshtetërore, ose bllok.

Ky argument, mbase, mund të qëndrojë po të bëhej fjalë për parti liberale, në sisteme liberale. “Rusia e Bashkuar” nuk klasifikohet si e tillë, ajo është parti dominuese në Rusi dhe është në pushtet, që nga themelimi i saj, në vitin 2001. Ajo i afrohet më shume partisë që funksionon sipas parimit  “kur themi partia nënkuptojmë Lenini, kur themi Lenini nënkuptojmë Partia”, duke zevëndësuar emrin e Leninit me atë të Putinit. Në uebsajtin zyrtar të kësaj partie shkruhet hapur se “ky projekt ka si qëllim të kthehet ne një doktrinë stategjike dhe, në të ardhmen, të përfshihet…në arkitekturën e re të sigurisë kontinentale”. Po të varej gjithçka nga “Rusia e Bashkuar”, me firmosjen e Deklaratës, do të pasonte dekreti presidencial i Vladimir Putinit për krijimin e “Aleancës së Shteteve Neutrale” në Ballkan.

Partitë nënshkruese nga pesë vendet ballkanike janë, kryesisht, në opozitë, por dy prej tyre, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur, e udhëhequr nga Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjes, Milorad Dodik dhe Partia Progresive e Serbisë, e udhëhequr nga Kryeministri Aleksandër Vuçiç, janë në pushtet. Për këtë të fundit, “Rusia e Bashkuar”, nuk ka dhënë ndonjë njoftim zyrtar, por nënshkrimin e saj e pohon bashkëpunëtorja e Institutit të Sllavikës në Moskë, Elena Guskova, në shkrimin e saj “Lufta e Fshehtë e Rusisë dhe Serbisë”, botuar më 2 korrik 2016. Sipas Guskovës, përfaqësuesi i kësaj partie, Marko Gjuriç, pjesëmarrës në Kongres së bashku me Zëvendëskryetaren e Partisë, Maria Obradoviç, e ka justifikuar nënshkrimin e Deklaratës me “politikën e balancuar” të Kryeministrit Vuçiç.

Megjithatë, kjo politikë e balancuar nuk e ka penguar Beogradin zyrtar të pranojë ndërtimin në Nish të një baze ushtarake ruse dhe të lërë të hapur mundësinë e ndërtimit të një tjetre në Zrenjanin; të marrë pjesë si vëzhgues në Asamblenë Parlamentare të Traktatit të Sigurisë Kolektive, bllok i krijuar dhe dominuar nga Moska në hapësirën ish-sovjetike; të marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta me trupat ruse në Serbi, në Rusi, ose në rajone të tjera të ndjeshme, nga pikëpamja e sigurisë.

Nga ana tjetër, siç deklaroi Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, Serbia e ka garantuar Moskën, se nuk do të marrë pjesë në veprimtaritë e NATO-s që prekin interesat e Rusisë.Deklarata përmban edhe elementë të tjerë, si nevojën e bashkëpunimit të vendeve ballkanike me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik, si alternativë ndaj integrimit europian, si dhe bashkëpunimin për mbrojtjen e objekteve të kultit të fesë së krishterë.

Elena Guskova, në shkrimin e lartpërmendur, i shton “Aleancës së Shteteve Neutrale” edhe përmasën fetare. Ajo e cilëson atë si hapin e parë në rrugën e zgjerimit të bashkëveprimit të shumëanshëm midis Rusisë dhe vendeve ortodokse të Ballkanit në të gjitha sferat: ekonomiko-tregtare, financiare, energjetike, kulturore e shkencore.

Në bazë të njoftimit zyrtar të Partisë “Rusia e Bashkuar”, gjatë qëndrimit në Moskë të partive nga pesë vendet ballkanike, u diskutua edhe rreth teknologjisë së “portokallinjtë”, “ndryshimit të regjimeve pa dhunë” që, sipas kësaj partie, kërcënon hapësirën ish-jugosllave, duke patur si qëllim destabilizimin e situatës politiko-shoqërore në Serbi, në Republikën Serbe të Bosnjes dhe Maqedoni. Zëvendëssekretari i Këshillit të Përgjithshem të kësaj Partie, S. Zheleznjak i klasifikoi protestat e fundit në Beograd, Banja Llukë dhe Shkup si operacione që zhvillohen nga forca të huaja dhe ofroi “përvojën e suksesshme” ruse kundër ndërhyrjeve të tilla në punët e brendshme të shteteve, në mënyrë të veçantë, përvojën e vendeve të tij, pas vitit 2012, me ndalimin e shumë OJQ-ve të financuara nga jashtë, të klasifikuara nga Moska si “agjentë të ndikimit”.

Të gjitha të dhënat dëshmojnë që, kohët e fundit, politika ballkanike e Rusisë ka shënuar një shkallë të re të aktivizimit të saj. Ky fakt është pranuar, tashmë, gjerësisht, nga politologë, analistë dhe ekspertë, brenda e jashtë rajonit tonë. Në një shkrim të botuar para pak ditësh në sajtin e revistës beogradase “NIN”, me titull “Lufta e fshehtë e Rusisë në Serbi. Sulmi politik, agjenturor dhe propagandistik i Moskës”, Tania Nikoliç thekson se Rusia po fiton në betejën që ajo po zhvillon me Perëndimin, lidhur me Serbinë dhe sjell si dëshmi të kësaj teze rritjen e simpatisë së serbëve ndaj Moskës, deri në masën 70%. Në një shkrim tjetër, me titull “A po e fiton Rusia betejën për mendjet dhe zemrat e Ballkanit Perëndimor?”, Robert Lexher, pohon të njëjtën gjë – rritjen e ndikimit rus në Ballkan, duke kombinuar ”fuqinë e butë” me “fuqinë e fortë”. Një tjetër studiues, Jasmin Mujanoviç, në shkrimin me titull, “Duke humbur Ballkanin në Paris”, ngre shqetësimin e rrezikut të nënvlerësimit të ndikimit rus në Ballkan, duke theksuar se Moska nuk bën thjeshtë “spoilerin” (prishësin) në rajonin tonë, por në rivalitet të ashpër gjeopolitik me Bashkimin Europian dhe NATO-n, lufton për rikthimin e saj në Ballkan.

Dalja e Moskës me skenarin e “Aleances së Shteteve Neutrale” është pjesë e këtyre perpjekjeve për rikthimin në Ballkan dhe për minimin e pozitave të NATO-s dhe BE-së në këtë rajon.

Duke patur parasysh dinamikën e kësaj politike dhe trajektoren në rritje të ndikimit rus, gjykoj se ka ardhur koha që Brukseli të shkundet nga apatia dhe, nëse nuk dëshiron që pas Breksitit, t’i rrëshqasë nga duart, jo një vend, por një rajon i tërë, të merret më seriozisht me problematikën ballkanike.

Institucionet europiane duhet ta dinë që nuk mund të vazhdohet pafundësisht me shtampat “shumë është bërë, mbetet ende shumë për të bërë”. Gjërat duhet të thuhen me emrin e tyre të vërtetë.

E njëjta gjë vlen edhe për Aleancën e Atlantikut të Veriut. Në Samitin e Varshavës, NATO duhet ta pranojë që shpallja e “Partneritetit Strategjik” me Rusinë, në vitin 2010, në Lisbonë, ishte gabim strategjik dhe sot, pas 6 vjetësh ky prioritet nuk është gjë tjetër veç gërmadhë e iluzioneve të humbura perëndimore ndaj Rusisë. Në vend të Partneritetit Strategjik me Rusinë, doktrina e re e NATO-s, me siguri, do të ofrojë masat e kësaj organizate për të përmbajtur orekset në rritje të Rusisë, sidomos në drejtim të Balltikut, të Europës Qëndrore dhe Juglindore. Tashmë, është e qartë se, në qoftë se mund të flitet për marrëdhënie midis NATO-s dhe Rusisë, ato duhet të jenë selektive dhe situative, në fusha ku mendohet që bashkëpunimi është i domosdoshëm dhe me interes të ndërsjelltë.

Sa i takon Ballkanit, duhet të vazhdojë politika e dyerve të hapura për anëtarësimin në NATO dhe, në këtë kontekst, të përfshihet edhe Kosova në Partneritetin për Paqe.

Zyrtarët e BE-së duhet ta kuptojnë se, dashje pa dashje, ata po bëhen palë me klasat e korruptuara politike në Ballkan, për zgjatjen e jetës së tyre në pushtet, duke u hedhur hi në sy popujve, me takime e samite, pafund, duke krijuar përshtypjen e rreme se Ballkani është në axhendën e integrimeve, ndërkohë që rezultatet janë minimale, ose inekzistente.

Është e pajustifikueshme që, me vite të tëra, të zvarritet proçesi i liberalizimit të vizave me Kosovën, duke kërkuar pretekste nga më bajatet, si pajisja me zyrë e këtij apo atij funksionari shtetëror, me qëllim vonimin ose bllokimin e këtij proçesi. Pa folur për mungesën e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur e sovran nga 5 shtete anëtare të BE-se.

Së fundi, kur thuhet që integrimi në BE, bëhet mbi baza individuale, do ishte mirë që ky kriter të përfshijë edhe besnikërinë dhe angazhimin individual të shteteve ndaj politikës së Bashkimit Europian, lidhur me Rusinë.

*[1] Autori është President i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Islam Lauka, i pasigurise, ne Ballkan, Skenari rus

ME 11 KORRIK 2016 TURNEU I GOLFIT KUSHTUAR KATEDRALES”NENE TEREZA”

July 6, 2016 by dgreca

Edhe kete vit eshte njoftuar nga grupi organizator, i prirur nga Anton Raja me bashkepunetore:Martin Pjetri, Leon Gjoni, Ismer Mjeku, Simon Qafa,Mark Curanaj,Mark Tushaj,do te organizohet turneu i Golfit. Data e organizimit do te jete 11 Korriku, ne Blue Hill Golf Course ne adresen :

285 Blue Hill Road

Pearl River, New York 10695

Per me shume klikoni mbi flyer

Filed Under: Featured Tagged With: 11 Korrik 2016, Katedralja Nene Tereza, Turneu i Golfit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2671
  • 2672
  • 2673
  • 2674
  • 2675
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT