Reforma në drejtësi, zyrtarja e DASH, telefonoi Bashën e Berishën
Një komunikatë e orëve të mbrëmjes së të premtes, nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ka bërë të ditur mbi një komunikim telefonik mes ndihmës-sekretares së Shtetit për Çështjet Europiane dhe të Euroazisë, Victoria Nuland, dhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Sigurisht që në qendër të telefonatës ka qenë reforma në drejtësi, teksa Nuland ka nxitur udhëheqësin e opozitës për përparim në lidhje me miratimin e kësaj reforme. Victoria Nuland ka theksuar se krerët e partive politike duhet ta përdorin takimin e 6 qershorit mes Bashës dhe kryeministrit Rama, për të rënë dakord mbi miratimin e shpejtë të një reforme kuptimplotë dhe tërësore në drejtësi. Nuland nënvizoi gjithashtu se kjo reformë gëzon mbështetje të gjerë mes popullit shqiptar, ndërsa mbetet prioritet i lartë në marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, por edhe për përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.Nga ana e tij, zoti Basha rikonformoi qëndrimin e Partisë Demokratike në mbështetje të formulës së vendeve të rezervuara të propozuar nga SHBA dhe BE që prej muajit shkurt 2016 për institucionet e reja të sistemit të drejtësisë, si dhe e njohu ndihmës-sekretaren e Shtetit me zgjidhjet e propozuara nga PD për thjeshtimin e arkitekturës së drejtësisë në funksion të moskapjes politike. Duke theksuar se korrupsioni në drejtësi është produkt dhe pasojë e korrupsionit politik, Basha nënvizoi vendosmërinë e opozitës për të garantuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe në veçanti për votimin biometrik dhe elektronik, si prioriteti kryesor i demokracisë shqiptare. Gjithashtu, Ndihmës/sekretarja e Shtetit ka zhvilluar edhe një bisedë me ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Sipas asaj që mësohet nga Partia Demokratike, biseda ka patur si kryefjalë reformën në drejtësi. Nuland ka theksuar në bisedë rëndësinë e madhe të kësaj reforme për integrimin e Shqipërisë në Europe dhe shprehu vlerësimin e saj në përpjekjet e fundit të ambasadorëve të SHBA dhe BE për një kompromis midis palëve në ditët që vijnë. Në bisedën telefonike, Berisha ka theksuar se beson se një kompromis në rast se qeveria dëshiron reformën, është plotësisht i mundshëm. Sipas Berishës, kërkesa e opozitës për vende të rezervuara është një kërkesë anti-kapje, bazohet plotësisht në rekomandimet ndërkombëtare dhe Qeveria nuk ka asnjë arsye të mos e pranojë. Berisha thotë se thjeshtimi i arkitekturës së institucioneve të drejtësisë është plotësisht i mundshëm dhe se shpreson që palët do bien dakord për këtë. Në bisedë Berisha ka ngritur edhe atë që Lulzim Basha e quajti disa ditë më parë si “nëna e reformave”, reformën zgjedhore.“Kërkesa e opozitës për të votuar, së bashku me nenet e reformës në drejtësi, edhe nenin për votimin dixhital, biometrik, do të dëshmonte vullnetin e qeverisë për një proces zgjedhor transparent, jetik për vendin”, është shprehur ish-kryeministri.
KOMBETARJA KUQ E ZI HUMBET MIQSOREN ME UKRAINEN
Ka qenë e pasukseshme miqësorja e fundit e djemve të De Biasit. Pjesa e parë e barabartë, por jo e tillë e dyta. Ishte vërtetë një pjesë e dytë për t’u harruar ka qenë ajo e mbrëmjes së sotme për kuqezinjtë në miqësoren ndaj Ukrainës që u luajt në Bergamo të Italisë, duke u mbyllur me rezultatin final 1-3.
Si në pjesën e parë kuqezinjtë kanë pësuar gol pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë, duke u gjendur sërish në disavantazh ndaj ukrainasve të cilët shënuan golin e dytë me anë të Yarmolenko në minutën e 49-të.
Ka qenë minuta e 87-të, kur Konoplyanka përfitoi nga një gabim i Agollit në mbrojtje duke shënuar edhe golin që vulosi gjithçka.
Ndryshe nga pjesa e parë, kuqezinjtë e drejtuar nga Gianni De Biasi, përveç një goditje dënimi të Kaçes dhe një gjuajtje të Lenjanit që kapi shtyllën, nuk ka gjetur forcën e duhur për të ndryshuar rezultatin, duke mos e vënë në rrezik portierin ukrainas.
Një tjetër kombëtare u pa në pjesën e parë, ku ashtu edhe si në miqësoren e kaluar me Katarin, kuqezinjtë kanë pësuar gol që në minutat e para të ndeshjes. Ka qenë Stepanenko, ai që në minutën e 9-të ka kaluar në avantazh ukrainasit.
Por ky avantazh nuk ka zgjatur më tepër se 4 minuta, pasi numri 10-të i Shqipërisë, Armando Sadiku ka barazuar shifrat.
Ky i fundit ka pasur edhe një mundësi të artë për të kaluar kuqezinjtë në avantazh në minutën e 37-të.
Kosova ka triumfuar në miqësoren e pare
Kosova ka triumfuar në miqësoren e parë pas pranimit në UEFA e FIFA, duke mposhtur me rezultat 2:0 Ishujt Faroe/
Skuadra e Albert Bunjakit nuk e nisi mirë ndeshjen pasi në minutën e 37’të, gjyqtari kryesor i ndeshjes përjashtoi Bersant Celinën nga loja, duke e ndëshkuar direkt me të kuq – një vendim tejet i çuditshëm.
Sidoqoftë, Kosova vazhdoi me paraqitjen e mirë dhe edhe përkundër se ishin me një lojtar më pak, ku gjetën rrugën drejt golit në minutën e 44’tër. Albert Bunjaku shënoi me kokë për 1:0.
Në pjesën e dytë, djelmoshat e Bunjakit vazhduan të ruanin rezultatin derisa kohë pas kohe krijonin raste. Në minutat e fundit të ndeshjes, Elbasan Rashani shënoi golin e dytë për Kosovën pas një depërtimi të mirë të Berishës, për rezultatin përfundimtar 2:0
Trajneri i Ishujve Faroe uron Kosovën
Trajneri i Ishujve Faroe, Lars Olsen, ka uruar Kosovën për fitoren ndaj ekipit të tij, derisa është befasuar me paraqitjen e djelmoshave të Albert Bunjakit
Ai e uroi ekipin e Përfaqësueses së Kosovës për fitoren prej 2:0 ndaj skuadrës së tij, duke thënë se nuk i lan të krijojnë shumë raste në pjesën e dytë.
“Në kartonin e kuq ka ndryshuar ndeshja, pasi në 25 minutat e parë Kosova ka pasur përparësi. Pas kartonit të kuq dhe në pjesën e dytë e kemi pasur topin në posedim, por jo edhe rastet”.