Historia-SYLËMUESIT E GJAKOVËS
-me fjalë të luftarëve të Sh. Polluzhës/
Nga Qamil S. LLASHTICA/ Nënkryetar i degës së Vatrës, Toronto-Kanada/
Nga fundi i vitit 1944 serbët kishin mobilizue shumë forca kundër ushtrisë vullnetare të Shaban Polluzhës që po luftonte heroikisht në Drenicë. Për këtë qëllim serbët kishin nisun nga Gjilani nji brigadë që përbahej nga të rijtë e kësaj ane, kjo brigadë ma vonë u quejt ,,brigada e rinisë” komandant të saj ishin herojt e popullit dhe dëshmorët e atdheut, Isuf Kiki dhe Raif Cerrnica. Kjo brigadë jo vetëm që nuk luftoi kundër atdhetarëve drenicakë por ajo i ndihmoi tërthorazi dhe ma në fund kaloi në anën e Shaban Polluzhës, por para kësaj ajo u kujdes dhe kreu punë me shtabin çetnik që ishte vendosun në Prekaz.
Ishte dimën, kishte ra borë, nxente njifarë dielli, gjilanasit kishin ndezun disa zjarre dhe po ngroheshin e po pushonin. Komandantët i mblodhën luftarët dhe u treguen se po vinte Brigada Sulmuese e Gjakovës dhe se do të kalonte këtupari dhe i urdhnuen luftarët që të mos e flisnin asnji fjalë me ta. Askush nuk e dinte kuptimin e fjalës ,,sulmues” disa thanë se ndoshta i kanë sytë e lëmuet dhe kështu mbeti, vazhduen të ngroheshin dhe t’i prisnin ,,sylëmuesit,,. Nuk vonoi shumë dhe që nga larg u ndie zhurma e tyne. Po vinin me kangë e brohori, këndonin kangë partizane dhe kangë për bashkim-vëllaznimin. Kur kaluen pranë gjilanasve të cilët në radhë të parë po ua shikonin sytë, u thanë ,,… ju nuk po doni me luftue, tashti na ia tregojmë qefin atij, ka me e pa ai se kush asht brigada sulmuese,, dhe lëshuen disa fjalë mjaft të randa kundër atdhetarit të madh –Shaban Polluzha. Ashtu me kangë e me zhurma u nisën drejt pozitave të drenicakëve.
Rini e çmendun po shkonte drejt vdekjes, drejt vëllavrasjes, dejt tradhtisë …
Ne e dinim fort mirë se çka do t’i gjente këta të shkretë ,,gjilanasit e dinin taktikën luftarake të drenicasve. E kobshme për serbët ishte fjalia ,,a dulën krejt” (a dolën të gjithë? )– luftarët zinin pozitat rend në ndonji çubak dhe para vetit kishin ndonji arë, rogë, ledinë apo ndonji vend të zhveshun, në këtë vend prisnin të dilnin serbët, prisi i tyne pyeste me shenja e pa zhurmë ,,a dulën krejt,, dhe kur merrte përgjegjen se dolën të gjithë, atëherë i pari e merrte në shej të parin, i dyti të dytin, i treti të tretin e kështu me radhë deri te i fundit dhe ai që mbetej në kambë – të gjithë ndaj tij… – rrallëkush shpëtonte lëkurën në këtë rast. Unë shpresoj që drenicasit të mos e kenë përdorë këtë taktikë të kobshme ndaj sylëmuesëve tanë.
Mbas nji hamle (kohe) u ndëgjue krisma – sylëmuesit hynë në luftë. Dikur vonë pushoi pushka. Po kthehej Brigada Sulmuese e Gjakovës po kthehej e përgjysmueme, e sakatosun dhe e përgjakun; nji pjesë kishin mbetun atje në kodra të tjerët të plagosun e të ngarkuem në saja, gjaku i tyne shkonte vazhgë nëpër borë, britmat dhe gjamët e tyne ndëgjoheshin deri në kupë të qiellit. Luftarët e Brigadës së Rinisë ishin po në atë vend, sylëmuesit tashti po ktheheshin të heshtun e pa zhurmë, gjilanasve u shkonte mendja t’u thoshin ,,a jeni ju qata sulmuesit….,, po urdhni ishte urdhën dhe nuk folën.
Jo këta të mjerë nuk i kishin sytë e lëmuet po ,,koka u kishte marrë erë,, kush ua shpërlau trunin dhe ua nguliti në kokë idenë e bashkimit dhe të bashkëjetesës me serbët? Kush i mori në qafë këta kokëshkretë që shkuen ,,si qeni në rrush,, kush tjetër përpos atij apo atyne që u ngjitën deri në shkallët ma të nalta të federatës jugosllave dhe që jetuen si faraonë — faraonët e Gjakovës.
Qamil S. Llashtica
Toronto, KANADË
MESUESI SHKODRAN PROF. DR.DAVID LUKA, “NDERI I MAMURRASIT”
Nga Ahmet ZANI/
Si rrallëherë qyteti i Mamurrasit dhe një pjesë e banorëve të saj kanë festuar një aktivitet kulturor për nder të mësuesit David Luka. Mësuesi i nderuar David Luka do të kalonte një pjesë nga mosha e rinisë së tij në zonën e Mamurrasit si mësues, ndaj për të vlerësuar punën dhe aktivitetin e tij kanë menduar kolegët mësues për t’i propozuar titull nderi. Këshilltarët e Bashkisë së këtij qyteti do të konsideronte obligim plotësimin e kërkesës duke miratuar që një vit më parë dhe këshilltarët në unanimitet të plotë propozimin e Shoqatës Kulturore Patriotike Kurbin.
Vladimir Korriku anëtar i Kryësisë së Shoqërisë Patriotike të Kurbinit njëkohësisht ish- nxënës dhe tashme drejtori Shkollë në qytetin e Mamurrasit do të organizonte aktivitetin për nder të mësuesit të shquar David Luka, ndersa aktivitetit nuk do të mungonin një mori kolegësh dhe nxënësish nga zonat e Kurbinit të cilët kanë pritur me mjaft dashamirësi ardhjen nga qyteti i Shkodrës mësuesin e ndëruar David Luka.
Për t’i dhënë titullin e Nderit këtij personaliteti me mjaft vlera ish- kryetarja e këshillit bashkiak të Mamurrasit mësuesja Arjeta Sula do të ftonte legjendën e dijes së Kurbinit z. David Luka për të marrë dekoratën: Prof. Dr. z. David Luka Nderohet nga Këshilli i Bashkisë së Mamurrasit me motivacion: Qytetar Nderi i Mamurrasit: Intelektuali, mësuesi i nderuar, studiuesi i trevave të Kurbinit
Mjaft emocionuese për tërë të pranishmit teksa qytetari i Nderit të Mamurrasit pasi ka marrë dekoratën do të sillte mjaft kujtime nga aktiviteti i tij. Me mjaft dashamirësi ai do të kujtonte thuajse tërë kolegët në vitet e punës si mësues, i nderuar me mjat intelegjencë dhe pasion për Kurbinin. Miqtë ish- kolegët dhe të ftuarit e tjerë do të vlerësonin punën e këtij njeriu të vecantë i cili ka lënë gjurmë të çmuara në fushën e mësuesisë qytetari i Nderit të Mamurrasit Prof. Dr. David Luka.
Festivali Folklorik “Hasi Jehon”në Kosovë përmbyllet me çmime
-Gjatë tre netëve të Festivalit, në sallën e shtëpisë së kulturës në fshatin Gjonaj, përmes programeve të 18 shoqërive kulturore artistike parakaloi foklori i trevave shqiptare, me veshjet karakteristike, ritet, zakonet e doket/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 5 Maj 2016/ Përfundoi mbrëmë me ndarje çmimesh edicioni i 27 i Festivalit Folklorik Hasi Jehon, i nisur në 2 maj, në Kodrën e Pajtimit në fshatin Gjonaj, rajon kufitar Kosovë-Shqipëri në rrethinën e Prizrenit.
Pjesëmarrësit ishin nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, ndërsa për paraqitjen më komplete të riteve dokeve, pjesës së folklorit burimor nga treva prej nga vjen me “Malësorin”, çmimin kryesor të festivalit, u nderua Shoqëria Kulturore Artistike “Besiana” nga Bresana, fshat në krahinën e Opojës në malet e Sharrit në lartësi mbidetare mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri, të dytë, të shqiptarëve.
Me çmimin “Malësorja” u nderua Shoqëria Kulturore Artistike “Ilirida” nga Shkupi, ndërsa me “Lauhtën e Festivalit Hasi Jehon 2016” u nderuan Ansambli “Bajram Shabani” nga Kumanova dhe Ansambli autokton “Rugova” nga Peja.
Me çmimin “Nazmije Hoxha”, që e mban emrin e këngëtares hasjane, u nderua Ganimete Asllani nga Mitrovica.
Me mirënjohje për vepër jetësore u nderua artistja hasjane Safete Rugova, të cilën drejtori i Festivalit Hasi Jehon, Haziz Hodaj, e quajti monument të kulturës hasjane.
“Ky festival sot quhet dasma hasjane, nëpër të cilën parakalon tradita e të gjitha viseve shqiptare, prandaj sot në Has nis dasma gjithshiptare”, është shprehur ai në fillimin e aktivitetit treditësh të Hasi Jehon.
Gjatë tre netëve të Festivalit, në sallën e shtëpisë së kulturës në fshatin Gjonaj, përmes programeve të 18 shoqërive kulturore artistike parakaloi foklori i trevave shqiptare, me veshjet karakteristike, ritet, zakonet e doket.
Para parakalimit në skenë të shoqërive kulturo-artistike, në sallën e shtëpisë së kulturës në Gjonaj, u hap ekspozita e prodhimeve të bukës dhe ekspozita e veshjes hasjane. Karakteristikë e këtij viti ishte demonstrimi i gatimit nga gratë hasjane si dhe përgatitja e materialit për veshjet karakteristike dhe origjinale hasjane.
Përfaqësuesja e Lartë BE-së Mogherini në Kosovë
-Vizita sot e Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë/Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian do jetë bashkë me Dimitris Avramopulos, Komisioner për Migracion, Punë të Brendshme dhe Shtetësi/
-Përfaqësuesja e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë \ Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, do pritet e flasë pasditën e sotme edhe në një seancë solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës/
PRISHTINË, 5 Maj 2016-B.Jashari/ Përfaqësuesja e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë \ Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, mbërrin sot në Kosovë, ku do takojë krerët e shtetit, një ditë pasi Komisioni Evropian propozoi heqjen e vizave për qytetarët kosovarë.
Burimet zyrtare të qeverisë theksojnë se, gjatë takimit Kryeministri Isa Mustafa dhe Mogherini do të diskutojnë për proceset eurointegruese të Kosovës dhe do t’iu adresohen qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini, do pritet e flasë pasditën e sotme edhe në një seancë solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Adresimi i Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë /Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, është e vetmja pikë në axhendë.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini është ndërmjetësuese e udhëheqëse e dialogut të nivelit të lartë kryeministror drejt normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd në Bruksel, ku janë zhvilluar 30 raunde. Ajo pason Baroneshën Catherine Ashton.
Takimi i parë kryeministror Kosovë-Serbi në Bruksel është zhvilluar në 19 tetor 2012, ndërsa raundi i fundit në 27 janar 2016.
Sipas njoftimit të sapodërguar Gazetes Dielli nga Qeveria e Kosovës, vizita sot e Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë/Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian do jetë bashkë me Dimitris Avramopulos, Komisioner për Migracion, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, ndërsa axhenda është kjo:
13.10 – Kryeministri Isa Mustafa pret Zonjën Federica Mogherini dhe Komisionerin Avramopulos.
(Vetëm Pamje)
14:15-14:45 – Konferencë për shtyp e Kryeministrit Mustafa, Zonjës Mogherini dhe Komisionerit Avramopulos.
Vendi: Salla e konferencave për shtyp P38,
15:00-15:40 – Takim me Presidentin Hashim Thaçi.
Vendi: Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës,
15:45-16:15 – Takim me Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
Vendi: Zyra e kryetarit, kati 1, Kuvendi
(Vetëm Pamje)
16:15-17:00 – Fjalimi i Zonjës Mogherini në Kuvend.
Vendi: Salla e seancave Plenare