• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOLE RODHE-SI U SHUA VATRANI NË BURGUN E BURRELIT?

December 3, 2020 by dgreca

SOT 71 VJETORI I VDEKJES- KOLË RODHE,VATRANI, DEPUTET I PARLAMENTIT TË PARË SHQIPTAR(KORCË), PREFEKTI, LUFTËTARI I LIRISË U SHUA NË BURGUN BURRELIT….

   * Atdhetari vatran Kolë Rodhe, që la Amerikën për të bërë Shqipërinë, u akuzua si armik i popullit dhe u mbyll në burgun e Burrelit, ku u shua dhe sot nuk ka as varr…

Kole Rodhe, i dyti ne kembe, nga e djathta.

   * Vajza e Kolë Rodhes, mësuesja Eleni Leka(Rodhe), e martuar me poetin e pushkatuar Genc Leka, do të persekutohej e flakej rrugëve…

-A do të kujtohet sivjet ish deputeti i harruar i Parlamentit të Parë shqiptar?

NGA DALIP GRECA

Në radhën e vatranëve, që ndriçojnë në rrugëtimin më shumë se një shekullor të Federatës Panshqiptare të Amerikës ”VATRA”, qëndron edhe Kolë Rodhe, luftëtari i lirisë kundër bandave greke, ish kryetari i Besa-Besë, Kryetari i Shoqatës”Arsimi” në SHBA, vatrani i përkushtuar, botuesi i së përdyjavshmes kombëtare ”Vullnetari”, deputeti i Korçës, prefekti i Beratit, Gjirokastrës, Shkodrës, martiri që u burgos nga turqit, grekët dhe komunistët, i cili pati një fund tragjik duke u shuar në burgun famkeq të Burrelit. Më kot kërkova me ngulm kronikat e viteve 1946, 47, 48 të gazetës Dielli, për arrestimin, burgosjen, dhe vdekjen tragjike të vatranit Kolë Rodhe. Nuk e gjeta, shkaku merret me mend: Në atë kohë Vatra mendonte se Qeveria e Enver Hoxhës ishte demokratike dhe në faqet e Diellit botoheshin fjalimet, biografia e Hoxhës, reportazhet dhe sukseset e qeverisë komuniste, lëvdohej Enver Hoxha, madje shahej dhe Amerika e mbrohej Bashkimi Sovjetik. Edhe kur shkruhej ndonjë fjalë për arrestimet e nacionalistëve, qofshin edhe vatranë, kalohej me ndonjë fjali të thatë, ku lajmi mbetej i dyshimtë. Kështu kur u arrestuan intelektualë e nacionalistë të Korçës, në fund të kronikës shkruhej:”Thonë se me këtë grup armiqsor është arrestuar edhe Kristo Kirka e Kolë Rodhja…”

  Ndërsa në Diellin e Prill-Maj 1955, gjuha e Diellit është e mprehtë, therëse, kritike. Kupa e helmit është mbushur.Vatranët e Amerikës e kanë mësuar të vërtetën. Që në faqen e parë botohet kronika e vdekjes në burgun e Burrelit: “Kriminelët komunistë bëjnë kërdinë… Vazhdon pamëshirë çfarosja sistematike e patriotëve në Shqipërinë e Kuqe….Edhe Kristo Kirka vdiq në burg….”

Shkrimi vijon:” Pas Kolë Rodhes, Bahri Omarit, Kol Tromarës, Akile Tasit, Hito Sadikut, dhe shumë shqiptaro-amerikanë  e vatranë të tjerë, u vranë nga komunistët  e Shqipërisë ose vdiqën në burgjet e tyre të tmerrshme…Kristo Kirka vdiq në burgun e”Kryetrimave”, ku kishin vdekë dhe vatranë të tjerë, si Kolë Rodhja”

     Shqiptari i Amerikës ndjen dhimbje.Vatranët vajtojnë për vatranët që po i grinte diktatura…

    ***

   … Kolë Rodhe është ndër ata vatranë, që u nderua vonë nga shteti shqiptar, ndërkohë që shteti komunist e pat shpallë armik, luftëtarin e Lirisë, që luftoi gjithë jetën kundër armiqëve të Shqipërisë. Etaloni i demokratëve, vuajti në burgun e Burrelit, ku u shua dhe ende nuk i dihet varri as sot. Nuk mjaftoi vetëm dënimi i tij, por dhe familja u përndoq e u end dhimbshëm në Kalvarin e vuajtjeve. Përveç bashkshortes, edhe vajza e tij do të kalonte në ferrin e vuajtjeve për shkakun se ishte e bija e armikut të Partisë, Kolë Rodhes, që kishte vdekur në burg, por ishte edhe e shoqja e poetit, “armikut të rrezikshëm të partisë”, që u pushkatua me akt-akuzë për poezitë dhe përkthimet, Genc Bardh Leka.

Me propozim të Vatrës, Kolë Rodhe u nderua nga presidenti Bujar Nishani me Urdhërin e Artë të Shqiponjës, në nëntor 2015.

Po kush ishte Kolë Rodhe?

Kolë Rodhe lindi me 25 Korrik 1883 në qytetin e Korçës. Familja i mundësoi shkollimin bazë, gjimnazin. Ndjenja e shqiptarizmit e burrëroi herët, e rreshtoi me armë në dorë në radhët e çetave të Lirisë, por edhe e përplasi herët në qelitë e burgjeve. Ishte 18 vjeç, kur u burgos nga Xhonturqit, si njeri që trazonte Perandorinë. Pas 9 muajësh burg lirohet, por nuk mundi të jetonte më në Korçën e dashur, pasi emri i tij ishte vendosur në rreth. Ndjenja e patriotizmit e çon në Odesë të Rusisë me qëllim që të mbledhë ndihma për familjen e dëshmorit Papa Kristo Negovani, të masakruar nga grekomanët. Më pas kontribuon për mbledhjen e fondeve për gazetën e Sotir Pecit”Kombi” që botohej në Boston. Atdheari është i kudondodhur në vorbullën e Lëvizjes Kombëtare. Gjendet në Sofje dhe në Bukuresht, ku ka vendosë lidhje me patriotët shqiptarë të atjeshëm, ka kontakte me priftin patriot At Naum Çere e të tjerë. Më 1908 është me taborrin  e shqiptarëve që kërkojnë organizimin e Lëvizjes Kombëtare, mbështetës i patriotëve shqiptarë në Amerikë. Lëvizja e këtushme(SHBA) i jep pjekuri guximit dhe shpirtit të tij atdhetar. Fillimisht me Nolin e më pas dhe më Konicën, Kristo Kirkën, Kolë Tromarën, e patriotët e tjerë, bëhet një nga shtyllat e lëvizjes shqiptare në SHBA. Është në taborin mbështetës,kur Noli themeloi Kishën Ortodokse Shqiptare, gjendet aty kur u dha mesha e parë. Zgjidhet Kryetar i Shoqatës Besa–Besën, është kryetar i pleqësisë për degën e Vatrës në Marlboro, është ithtar i përgatitjes së Trupave vullnetare me djemtë e shqiptaro-amerikënve dhe i oficerave shqiptarë, për t’i dërguar më pas në Shqipëri për t’u mbrojtë nga fqinjët grabitqarë të tokave arbërore.

***

Që kur ishte tek shoqata Besa-Besën, Kol Rodhe kreu një akt që pakëkush do ta bënte. Shoqata Besën e kishte në programin e saj mbrojtjen e Atdheut. Ata kishin krijuar edhe uniformat ushtarake për të qenë të gatshëm kur t’i kërkonte Atdheu. Në kapelat e uniformës shkruhej në gjuhën shqipe”Liri a Vdekje”. Kur Kol Rodhe ishte në krye të Besa-Besë, si kryetar i saj, dha shembullin për të tjerët: Unë i pari,- tha ai. Pastaj bëri ftësën:

   -Të tjerët pas meje t’i ndihim Atdheut që po rënkon!

Dhe u nisën drejt Shqipërisë. Kur mbërritën në Korfuz, u zbuluan dhe u arrestua nga Xhonturqit. E dërgojnë në burgun e Janinës, më pas në kalanë e Gjirokastrës. Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos në numrin e saj të 17 majit 1917, jepte këtë kronikë:” Si vetëtimë u përhap kushtrimi prej Gjirokastre, që përcillte lajmin e bukur që atdhetarët Nikolla(Kolë) Rodhe dhe Vasil Tromara, pas 8 muajësh burg në Delvinë, Janinë e Gjirokastër, muarën berarët dhe u liruan nga burgu. Këta atdhetarë vuanin si martirë për çështjen kombëtare, se vjet në verë ardhë nga Amerika e i burgosën në Delvinë pas Kryengritjës.”

            Sapo fiton lirinë, kthehet në qytetin e tij dhe vendos lidhje me luftëtarët e lirisë. Krijon grupimin e tij me një masë të konsiderushme luftëtarësh të lirisë nga Gora, Opari dhe me ta çliron Bërzeshtën, Pogradecin etj. Sërish kthehet në Korçë dhe merr pjesë në çlirimin e saj. Kapet prapë nga xhonturqit dhe burgoset në bodrumet e Mitropolisë së bashku me shokët e tij. Sapo u përhap lajmi, fshatarët e fushës së Korçës mësyjnë dhe shpërthejnë burgun. Kola lirohet dhe bashkohet me çetën e Sali Butkës dhe Kajo Babienit, sulmojnë Kolonjën e çlirojnë dhe nisën drejt Beratit.

       Kudo ku luftohej për liri atje ishte Kol Rodhja. Mori pjesë në Luftën e Çifligut përkrah shokut të armëve Spiro Ballkameni. Shokë armësh e idealesh me Themistokli Gërmenjin, Çerçiz e Bajo Topullin, mori pjesë në Luftën e Mashkullorës, ku merr plagë dhe e nisin drejt Vlorës.

    Nëse do të vazhdonim të shfletonim kronikat e bëmave atdhetare të këtij luftëtari të Lirisë, do të shënonim:Kolë Rodhen me 1 dhe 2 prill 1914, e gjejmë shef të Xhandarmërisë në Korçë. Në krye të forcave të mbrojtjes së qytetit ai shtyp kryengritjen e grupimeve të komitëve grekë, të ndihmuar nga ushtarët grekë, e ashtquajtur kryengritja e Vorio Epirit.

Më 1915 kthehet sërish në Amerikë. Si përherë aktiv. Në shkurt 1916 është ndër krijuesit e shoqatës “Arsimi Kombëtar” dhe në krye të saj, si kryetar.

   Me gazetën e tij”Vullnetari”, që nisi botimin me 1916, u bë një avokat i aftë i Vatrës dhe i Lëvizjes Kombëtare në SHBA.

Numri i parë i Vullnetarit është publikuar me 18 Shkurt 1916 në Natick-Massachusetts. Botohej dy herë në muaj.Ishte gazetë politike e satirike.Që në numrin e parë gazeta botoi programin, ku spikaste qëllimi i botuesit dhe mbështetësve të gazetës: Gazeta ka si qëllim të mbrojë vetëqeverimin dhe tërësinë e Shqipërisë, të forcojë Lëvizjen Kombëtare, të godasë çdo kundërshtar, që pengon Lëvizjen Kombëtare, të demaskojë publikisht para shqiptarëve intrigantët, provokatorët, dhe përçarësit, të mbajë lart nderin e atdhetarëve të shkëlqyer dhe shqiptarëve Kombëtarë etj. Vullnetari, që në numrin e parë denonconte masakrat e grekëve në Jug të Shqipërisë dhe vajtonte fatin e popullit të masakruar, ndërkohë që godiste fort përçarjet mes shqiptarëve, përfshi dhe tek shqiptarët e Amerikës.

     ***

Si shumë atdhetarë të tjerë përkrahës dhe dishepuj të Fan S.Nolit, edhe Kol Rodhja, kthehet në Atdhe për të”bërë Shqipërinë”. Korça e vlerësoi kontributin e birit të vet duke e zgjedhur deputet të të parit Parlament Shqiptar më 21 prill 1921.

Gazeta “Posta e Korçës” e datës 9 mars 1922 shkruante: “Votoni për kandidatët e pandarë të Im Zot Nolit, zotin Kolë Rodhe dhe Faslli Frashëri…”.

   Ndërsa më 11 Mars 1922, e njëjta gazetë shkruante:”Populli e tregoi me fakte besimin e tij, duke i dhënë votat zotit Kolë Rodhe për postin e deputetit.”

Studiuesi Teki Selenica do të shkruante në librin e tij statistikor”Shqipëria më 1927”: I zgjedhur për trimërinë dhe respektin që krijoi Korça e mrekullueshme, Korça shqiptare midis Banush, Hamdi, e Estref Frashërit, Loni Kristos, Pandeli Calës, Kristo Kirkës, Pandeli Evangjelit, Sejfi Vllamasit, Sotir Pecit, …vuri edhe Kol Rodhen.”

    Në shtypin e kohës gjenden gjurmët e veprimtarisë së vlerësuar atdhetare të Kolë Rodhes. Gazeta e Vatrës, që dilte në Korçë nën drejtimin e Hasan Bitinckës”Shqiptari i Amerikës”, në artikullin me titull”Deputeti i Korçës” botuar në numrin e 24 marsit 1923, ku jepet një kronikë nga punimet e Parlamentit të 22 marsit, shkruan:” Pardje(22 mars), doli Qeveria para Parlamentit për shkoqitje e votëbesim.Fjala e Kryeministrit u karakterizua prej opozitës si konferencë premtimesh e shpresash për të ardhmen…prej opozitës folën Isuf Benga, Luigj Gurakuqi, Ali Këlcyra, Bahri Omari, Koço Tasi, Kol Rodhe e Medi Frashëri.”

    Kol Rodhe përveçse deputet aktiv, kreu dhe detyra të tjera shtetërore, paçka se ishte kundërshtar i hapur i Monarkisë, Mbreti Zog, e ngarkoi me detyra qeveritare si Prefekt në Shkodër, Berat, Fier, Gjirokastër. Kundërshtarët politik ia vlerësonin atdhetarizmin dhe përkushtimin Kombëtar. Ai kishte dhënë prova me armë në dorë për mbrojtjen e Atdheut. Pushtimin fashist të Shqipërisë e priti me revoltë, ashtu siç kishte pritë të gjithë pushtuesit. Në ditëpushtimin fashist ai dha dorëheqjen nga detyra shtetërore. Edhe pse e përkrahu luftën kundër pushtuesit Kolë Rodhe nuk pranoi thirrjet për të marrë pjesë në Konferencën e Pezës, Kongresin e Përmetit, Konferencën e Beratit etj. Kola kishte përvetësuar demokracinë amerikane- ishte për një pluralizëm e demokraci alla amerikane.I kuptoi shpejt qëllimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe kërkoi të veprojë për ta ndalë të keqen.

Ishte kjo arsyeja që u vu në krah të opozitës përballë komunistëve, duke qenë në radhën e socialdemokratëve në zgjedhjet e para pas çlirimit. Nuk pranoi që të votonte me 2 Dhjetor 1945, abstenoi në votime së bashku me vajzën dhe gruan e tij. Ishte kundërshtar i hapur i bashkëpunimit me Jugosllavinë. Për këto qëndrime arrestohet me 27 Janar 1946 dhe në qershor, atdhetari, që kishte luftuar aq shumë për pupullin e tij, me pranga ndër duar, gjykohej para popullit si “armik i popullit”! Dhe kush?… Ai luftëtari i përhershëm për çlirimin e Atdheut, që kishte luftuar me turqit, grekët, e italianët…Gjykohet së bashku me 37 antikomunistë (Grupi i Sami Qeribashit dhe Musine Kokalarit) në qershor 1946.Mbajti qëndrim burërror para Trupit Gjykues. Dëshmia e atij gjyqi vjen nga kronika prej sallës së Gjyqit, që e ka përcjellë Gazeta e Frontit Demokratik”Bashkimi” në numrat e 19 dhe 21 qershor 1946, kur shkruan:

” Kolë Rodhja jep llogari.”

Akuza: Kolë Rodhja zhgënjeu komunistët, të cilët përdorën reputacionin e tij në popull duke e vënë në Kryesinë e Frontit Demokratik”…

Kryetari i gjyqit, sulmonte me mllef atdhetarin e orëve të para: – “Armik i popullit”!..

– Sabotator!

– Ujk plak…!

Kryetari i Trupit gjykues:- I pranon akuzat?

Kola:-Asnjë!

Kryetari:-S’ke pasur lidhje me tradhtarët?

Kola:-JO!

Prokurori:-Po asnjë faj nuk ke bërë ti, Kolë Rodhja?

Kola:-Asnjë!

Prokurori:- Mos të kemi sjellë kot këtu?…

(Salla dhe trupi gjykues(të orkestruar) qeshin…)

Prokurori:- Gënjen Kol Rodhe…Ti thua që rinia nuk duhet të merret me politikë. Ti ke qenë Inspektor i Ministrisë së Brendshme…Nuk ke përkrahur lidhjet tona me Jugosllavinë. Kërkoje Autonominë e Kosovës.Po, o Ujk plak, po Kol Rodhe…Ti deshe Regjencën e Mehdi Frashërit, deshe ndërhyrje të jashtme, se gjendja qenka e errët…Deshe shpërndarjen e ushtrisë, mbrojtjen e atdheut…deshe qeveri koalicioni me shumë partira, deshe të prishësh unitetin politik e popullit shqiptar…

Akuzat vazhdonin lumë….

Ç’ti thoshte Kola këtij prokurori militant ?  Dhe zgjodhi heshtjen….   

Kol Rodhja kur gjykohej ishte 67 vjeç… Trupin gjykues i dha dënimin me 30 vite burgu. Mosha, torturat, e lodhën patriotin, që një vit pas dënimit u shua në burgun famkeq të Burrelit…

     Kalvarit të vuajtjeve nuk i shpëtoi as familja e tij, e cila u “shpërblye” për aktivitetin patriotik të Kolës duke e hedhur në krahët e mjerimit dhe punët e krahut!

 Vajza e tij, e martuar me poetin disident Genc Leka,u përjashtua nga arsimi. Ndër akuzat që i formuluan ishte dhe ajo e vjehrrit, Kolë Rodhe,ish deputet i Zogut(kështu e quante Vangjel Çërrava) dhe shtonte në raportin e tij konfidencial për organet e  diktaturës: Babai i saj, ka vdekur si “armik” në Burgun e Burrelit…Deputet i Zogut!

     ***

BIBLIOGRAFI

 1- Gazeta Dielli, 16 Prill 1947, faqe 1(Gjyqi i Korçës)

2- Gazeta Dielli-Prill-Maj 1955, F .1

 3- Klara Çelo”Udhëve të Historisë)-Të pathëna për shqiptarët e famshëm-Vëllimi i I, Faqe 99-104

4-Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos 17 maj 1912, 25 Maj 1914

5-Gazeta”Shqiptari i Amerikës”,24 mars 1923

6-Gazeta e Korçës, 26 prill 1924

7-Gazeta “Bashkimi”, 21 Qershor 1946

8-Teki Selenica”Shqipëria më 1927”, f 21, Pasqyra A

9-Gazeta “LIRIA A”- 14 Mars 1996, faqe 6 , 8, autor Gaqo Rrota-ish deputet.

10-Gazeta”Dita”,6 tetor 2008: Klara Çelo”Kolë Rodhe, një jetë në shërbim të atdheut”.

Captions: 1- Kolë Rodhe

2-Grupi i Besa-Besën me uniformat, ku shkruhej shqip:”Liri a Vdekje”. Kolë Rodhe, i dyti nga e majta, në këmbë. Flitet se ky grup dërguan nga Amerika Flamurin Kombëtar dhe ia dorëzuan Marigo Pozios në Korfuz.

3- Pleqësia e degës nr. 19 të Vatrës në Marlboro. Kola, i dyti nga e djathta.

4-Kolë Rodhe në çetën e Gorës,i pari djathtas.

5- Gazeta “Vullnetari” që botohej nga Kolë Rodhe

6- Në Kishën e Shën Gjergjit, ku Noli u dorëzua Dhespot.

7. Vajza e tij Eleni me bashkëshortin Genc Leka, i cili u pushkatuar nga diktatura.

Filed Under: Featured Tagged With: Burgu i Burrelit, dalip greca, Kole Rodhe, Vdekja

BURRI I BESËS DHE BURRI I SHTETIT

December 3, 2020 by dgreca

SHKRUAN: GEZIM ZILJA/

-Si i shpëtoi jetën i burgosuri politik Bedri Çoku, Kryeminstrit Fatos Nano-

-Nano në Shtëpinë e Bedriut: Ty Bedri të detyrohem jetën dhe kurrë nuk kam për ta harruar nderin që më ke bërë. Prania  jote në helikopter, nga Tepelena deri në Tiranë dhe anasjelltas, në atë kohë, rrezikonte edhe jetën tënde. Po t’i them këto edhe në sy të gruas…

– Sa morën pushtetin komunistët Bedri Coku u  shkarkua nga detyra….

Shkruan: Gezim ZILJA/DIELLI

Bedriu Çoku është nga miqtë e mi më të mirë. Ka kryer 22 vjet burg politik dhe bashkë me vitet e të atit dhe të dy vëllezërve të ndjerë bëhen plot 63 vjet burg. Bedriu është fare ndryshe nga disa të burgosur politikw, qw unë kam njohur. Nuk ankohej, nuk tregonte vend e pa vend ato që kishte hequr, nuk urrente, veç kërkonte të dënohen krimet e komunizmit, përndryshe thoshte, nuk do të ketë demokraci. I kërkoja shpesh të më tregonte nga jeta e burgut, por mezi ia nxirrja fjalët me çengel. Kur këmbëngulja, më drejtohej me atë humorin e tij të hollë prej fusharaku babaxhan, pa e ngritur zërin: – Më rokanise kokën. Ore nga Fieri jam unë. Mos prit ndonjë gjë të madhe! Për mua është fat, që e njoh dhe e kam mik. 

Bedriu në kohën e trazirave në mars 1997, drejtonte sistemin e burgjeve të republikës. Nga burgjet e Sarandës dhe  Bënçës, nën presionin e bandave të armatosura ishin arratisur gjithë të burgosurit, me përjashtim të dymbëdhjetë pushtetarëve të diktaturës dhe ish-kryeminstrit Fatos Nano ( dënuar për shpërdorim detyre,) që nuk pranuan të largoheshin nga burgu. Bedri Çoku kërkoi takim urgjent me Ministrin e Drejtësisë dhe i propozoi masa sigurie, veçanërisht për Fatos Nanon, kryetar i partisë socialiste, të transferohej në Tiranë, në burgun 313.   

Afër mesnatës, e thirri Ministri i Drejtësisë, dhe e njofton se me urdhër të Presidentit të Republikës, Sali Berisha, duhet të nisej menjëherë me helikopter, për të marrë Fatos Nanon. Nuk u mendua gjatë Bedri Çoku, mori helikopterin dhe u nis, i shoqëruar nga një oficer i Ministrisë së Brendshme. Dhjetëra banda nga Tepelena, Memaliaj e Gjirokastra, vigjëlonin me kundërajrorë, mitralozë të rëndë e automatikë dhe në çdo çast mund të godisnin “alikopterin qeveritar”  edhe për argëtim. Edhe pse komisariati ishte i pushtuar me forcën e armëve, nga bandat e Komitetit të Shpëtimi Publik (KSHP) të Tepelenës, ia doli të lidhej me shefin e komisariatit Bernard Caushaj, të cilin e njoftoi të ndizeshin zjarre rreth vendit, ku do të ulej helikopteri, detyrë që oficeri trim e kryeu me sukses. Reth orës 1.00 helikopteri u ul pa problem. Bashkë me rojet e burgut shkuan në qelinë e Fatos Nanos, që rrinte shtrirë në krevat me kokën e futur nën batanie. Edhe pse Drejtori  hyri në qeli  buzagaz, i dënuari nuk e uli batanien, që e mbulonte deri te hunda. – Ngrihu se do të shkojmë në Tiranë! Kam ardhur vetë të të marrë me helikopter për në burgun 313, se aty je më i sigurt. Urdhëri për të larguar prej këtu është dhënë nga Presidenti i Republikës.-  Fatos Nanua dukej i trembur dhe mosbesues. Ndihej më i sigurt atje, në atë vrimë të burgut të Bënçës, duke menduar se shteti kishte marrë rrokullimën. Me të njohur drejtorin, largoi mbulesën dhe hodhi këmbët në dysheme.

 – Më fal se nuk të njoha…Epo, me ato që po dëgjojmë …kohë të vështira po kalojmë…  – Duhet të kesh besim tek unë. Do të jem edhe vetë në helikopter. Nuk ka pse trembesh. Çdo veprim bëhet për të siguruar jetën tënde…

– I burgosuri, tashmë i ngritur në këmbë, plot gjallëri deklaroi: – Kam besim te ty Bedri! Me ty kaloj  oqeanin në këmbë po deshe, nuk e kam problem. Njihesh Bedriu me Fatos Nanon. Si njeri i drejtë e pa paragjykime e respektonte ish zv/drejtorin e institutit të studimeve M.L. tashmë  kryetar i partisë socialiste. Madje, në çdo inspektim që bënte, ai e pranonte ftesën e të burgosurit, për një kafe në qelinë e tij. Asnjë e shtënë me mitraloz apo pushkë nuk qëlloi helikopterin, që po ngrihej, ndërkohë që nata po venitej e po ia linte vendit ditës.

Me sa dukej KSHP-të, që kontrollonin plotësisht qytetin e Memaliajt e Tepelenës, ishin informuar se ç’po ndodhte andej nga  burgu i Bënçës. Të burgosurin e çuan drejt e në qeli në masa të rrepta sigurie. -Tashmë je plotësisht i sigurt,- i tha Bedriu duke u larguar. I burgosuri i hodhi dorën në sup, miqësisht, dhe deklaroi: – Kurrë nuk kam për të ta harruar. Jetën time ta detyroj ty… Nesër me siguri do të vish të më takosh apo jo?- Nënteksti dhe pasiguria ishte e qartë: -Mirë që më solle këtu,  por a do të jem gjallë, nesër?-  Drejtori qeshi, i ra krahëve dhe u largua,  pa i thënë asnjë fjalë. Po atë ditë, të dy pinin kafe te qelia numër 47. Muaj më vonë, para shtëpisë së Bedri Çokut qëndruan disa makina me targa qeveritare dhe në derë të shtëpisë u shfaq së bashku me avokatin e tij besnik, ish i burgosuri, tashmë me kostumin e Kryeministrit të Shqipërisë. Bedriu i habitur i ftoi brenda. Kryeministri me humorin e zakonshëm,  plot batuta, s’pushonte së foluri për vuajtjet e tij në burgun e Bënçës, ku nuk i mungonte asgjë. Njeriu që kishte bërë pesëfishin e kohës së tij në burgjet e diktaturës, e dëgjonte dhe buzëqeshte hidhur pa e ndërprerë mysafirin hokatar e të zhurmshëm. 

Para se të ngrihej, Fatos Nano përsëriti fjalët që kishte thënë, kur u transferua në burgun 313. -Ty Bedri të detyrohem jetën dhe kurrë nuk kam për ta harruar nderin që më ke bërë. Prania  jote në helikopter, nga Tepelena deri në Tiranë dhe anasjelltas, në atë kohë, rrezikonte edhe jetën tënde. Po t’i them këto edhe në sy të gruas  dhe  mikut tonë, avokatit të nderuar, se, në ka njeri që shpëtoi Shqipërinë nga lufta civile, ky je ti,- burri yt-, iu drejtua pastaj gruas së drejtorit të burgjeve. Po të isha eliminuar unë, pa diskutim që do të shpërthente lufta e përgjakshme. Yt shoq vuri jetën në rrezik për të më shpëtuar mua, por edhe për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët nga një katastrofë të madhe… 

Disa muaj më vonë, me fitoren e PS-së, pjesa dërrmuese e ish të burgosurve dhe internuarve politikë të punësuar në burgje e polici, megjithëse të trajnuar e diplomuar, u pushuan nga puna. Bedri Çoku transferohet si zv/drejtor në burgun 325. Duke parë se në drejtimin e  burgjeve, e policinë e shtetit ishin vendosur njerëz të ish sigurimit të shtetit e gjithfarë militantësh, banditësh e kokëpalarësh të Komiteteve të Shpëtimit Publik, tepër i fyer edhe pse me dy fëmijë të vegjël, nuk e pranoi detyrën e re. Hapi një dyqan të vogël ushqimesh atje në lagje… Kryeminstri nuk ishte bërë më i gjallë, qysh prej vizitës në shtëpi. Dikur Bedriu dërgoi një letër dorazi te Fatos Nano. Përgjigje nuk mori kurrë.  Ja çfarë tregon më tej burri i besës dhe shqiptari i mirë, Bedri Çoku: Mbeta pa punë, edhe pse isha diplomuar jurist në Fakultetin Juridik të Tiranës. Gjeta ngushëllim, ngaqë borxhin që i mbeta  Partisë së Punës së Shqipërisë, sepse u lirova para kohe, pasi më kishin mbetur edhe tetë vjet burg, ua shleva pasardhësve të  diktatorit, që më lanë tetë vjet pa punë…Marrë nga tregimi me të njejtin titull. Pershtatur për shtypin e ditës.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bedri Coku, Burri Beses, Burri i shtetit, Gezim Zilja

NEW YORK, Festohet 23 vjetori i TV KULTURA SHQIPTARE

December 3, 2020 by dgreca

Televizioni“Kultura Shqiptare” në Nju Jork Festoi 23 Vjetorin/

Nga Marjana Bulku/Dielli

Mes një mjedisi të ngrohtë familjar plot ngjyra feste , mes kujtimesh e retrospektivash të shumta, pamjesh filmike, interpretime artistësh dhe përshëndetje miqsh e bashkëpunëtorësh u festua përvjetori 23 -të i televizionit Kultura shqiptare në Nju Jork.Ky televizion e startoi veprimtarinë e vet në 28 nëntor 1997 dhe jo rastësisht transmetimi i parë ishte filmi “ Nëntori i dytë” .Televizioni Kultura shqiptare NY , pronë e Familjes Belliu (Adem, Mimoza, Gertion dhe Vera Belliu) e ka ndjekur sistematikisht jetën dinamike të komunitetit shqiptaro-amerikan ku ngjarjet , protagonistët dhe efektet e këtyre transmetimeve kanë qenë të shumta.

Themeluesit e këtij televizioni Mimoza dhe Adem Belliu  falenderuan me përzemërsi pjesmarrësit dhe bashkëpunëtorët e shumtë :të vjetër e të rinj të cilët i kanë dhënë këtij televizioni frymëmarrje të gjërë kudo ku ka shqiptarë dhe jo vetëm.

Vitet e fundit Albanian culture tv e ka zgjeruar veprimtarinë e vet në Tiranë e Prishtinë pas suksesit apsolut që solli bashkëpunimi shumëvjeçar me televizionin Pasqyra Shqiptare në Kanada, Federatën Panshqiptare Vatra ,organizatën  ,gazetën më të vjetër shqiptare Dielli, Motrat Qiriazi , si dhe me shumë individualitete të spikatura të jetës sociale dhe kulturore në Nju Jork duke u shndërruar në këtë mënyrë në një dritare komunikimi e rrezatimi me anët e ndritëshme që na falin sadopak dritë në kohë dritëhijesh .

Filed Under: Featured Tagged With: 23 Vjetori-Albanian Culture TV, Festohet, Marjana Bulku

SOT NË VATËR, GOLDEN MEMBERSHIP…

December 3, 2020 by dgreca

Një anëtarësimi i veçantë është bërë sot, e Enjte-3 Dhjetor 2020, në Vatër. Bashkatdhetarja Drita Shala, -e shoqëruar nga Paulin Mrnaçaj, anëtar i Këshillit të Vatrës,- është anëtarësuar  në Vatër.

Ajo deklaroi për gazetën DIELLI se kishte kohë që e ndjente veten pjesë të Federatës Panshqiptare të Amerikës“VATRA“  prandaj dhe kishte vendosur që anëtarësimin ta bënte fare të vëçantë duke paguar Golden Membership dhe duke dhuruar së bashku me Paulinin edhe për Gazetën DIELLI. Ata arkëtuan sot në arkën e Vatrës $800.00(tetëqind dollar).

Faleminderit Drita!

Faleminderit Paulin!

Faleminderit familjes Mrnaçaj, pjesë e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”!

Filed Under: Politike Tagged With: Drita Shala, SOT NË VATËR

EDITORIAL – VATRA, FLAMURI, BASHKIMI DHE PËRÇARËSIT *

December 3, 2020 by dgreca

Ky është Flamuri që Shoqëria “Bashkimi” ia dhuroi Bandës së Vatrës 2 vite para se të merrte rrugëtimin drejt Atdheut në Misionin e Shenjtë….së bashku me Trupat Vullnetare të Vatrës.

Federata Panshqiptare e Amerikës ”VATRA”, me krenari e ka mbajtë lartë Flamurin Kuq e Zi, si simbol të krenarisë Kombëtare, simbol lirie dhe bashkimi, duke u ngritë mbi përçarjet, mbi ideologjitë, kurthet, mbi intrigat dhe xhelozitë, mbi pakënaqësitë individuale, mbi karrierizmin, temperamentet e gjaknxehtësitë e çastit, apo nga duart e zgjatura nga Beogradi,Tirana komuniste me agjentët e dërguar, apo nga panhelenikët e Vorio Epirit… Kjo ka bërë që plagët e përçarjes përgjatë më shumë se një shekullit jetë të Federatës, të mjekohen në kohën e  duhur dhe Vatra sërish është gjendur e bashkuar dhe e ka kryer me devotshmëri e nder detyrën e saj si shërbestare e Kombit prej më shumë se 108 vitesh.

            Çdo 28 Nëntor VATRA, edhe pse e izoluar nga Atdheu,e ngriti dhe e mbajti lart Flamurin Kombëtar, atë me Shqiponjën dy krenare në sfondin e kuq të gjakut të dëshmorëve të Kombit, pa pranuar mbi të as shenjat e fashizmit e nazizmit, as yllin e kuq me drapër e çekan të bolshevizmit,edhe pse mbi shpinë kishte presionet, përndjekjet, kundërvëniet me festimet masive të Misioneve komuniste të Tiranës dhe Beogradit në SHBA, që u diktonin shqiptarëve të festonin me Flamurin me Yll të Kuq !…

            Federata e ka lartësuar Flamurin Kuq e Zi të Gjergj Kastrioti- Skënderbeut 7 muaj para Pavarësisë, dhe e ka orientuar Kuvendin Kombëtar të Vlorës,të 28 Nëntorit 1912, që të vështronte drejt PERËNDIMIT, Jo LINDJES….

AKSIOMA E FEDERATËS: VATRA nuk është pronë e asnjë individi, e asnjë familjeje, e asnjë kombinacioni babe e bij’,dajë e mbesë, nip e gjysh! Është pronë dhe institucion Kombëtar.

       Edhe këtë 28 Nëntor Vatra, ajo ligjorja, me emrin e plotë, siç e pagëzoi Faik KONICA dhe e bekoi Imzot NOLI ”Federata Panshqiptare e Amerikës ”VATRA”, është në të njëjtin pozicion duke e mbajtur me krenari Flamurin e  themeluesëve, pavarësisht gurëve që po i hedhin mbi shpinë pa mëshirë një grup i  pakënaqur më shumë prej vetes se prej Vatrës.

        Siç kanë njoftuar disa portale,apo rrjete sociale, i ashtuquajturi Komision i 5 Tetorit na paska krijuar një vatër tjetër! Dhe qenkan lodhur shumë e rropatur në mbi 50 mbledhje ilegale për gjatë një viti! Dhe për çfarë? Për të sulmuar institucionet e Federatës! Bravo! Do ta kishin zili “fitoren e Pirros”, të gjithë ata që e kanë sulmuar për gjatë më shumë se një shekulli!

           Si për ta bërë më qesharake aventurën e përçarjes së Vatrës dhe krijimit të një Vatre të re, Komisioni i paligjshëm,organizoi Kuvend – dhe zgjodhi 31 tetorin, e njohur në Kalendar si “Halloween”,ditë “historike” për të përçarë Vatrën. Pesë tetoristët organizuan Kuvendin me maska, sipas tyre, të autorizuar nga anëtarësia prej 60 vatranësh, që u japkan përkrahje… (Vetëm një degë e Fedeartës Panshqiptare të Amerikë”VATRA”, ajo e Queensit-NY, ka 149 anëtarë, po 12 degët e tjera që janë rreth federatës?). Zotëri, ju jeni frakson, dhe nuk mund të rikrijoni federatën, po-një shoqatë me emër tjetër-, po, – krijojeni kur të doni dhe ia pafshit hajrin! Nëse vazhdoni historia do t’ju gjykojë për aventurën tuaj antivatër.Deri dje kishit si shkak biografitë e ish kryetarit, po tani që për herë të parë në 108 vite histori në Krye të Federatës erdhi një shqiptar i Kosovës, i cili nuk ka CV komuniste? – Ç’patët?

    Në shifrën e pretenduar(60 anëtarë) që ka raportuar kjo e ashtuquajtur vatër- përfshihen edhe  ata që janë anëtarësuar në kundërshtim me Kushtetutën e Vatrës, pa informuar qendrën,njerëz që nuk kanë haber nga Vatra, madje kanë krijuar dhe një dege të dyshimtë në Staten Island, pa e pyetur fare qendrën, siç dikton Kushtetuta. Zotëri,në cilin nen të Kushtetutës së Vatrës shkruhet se mund të marrësh njerëz nga rruga t’i anëtarësosh në  Vatër, pa njohur frymën e shenjtë të vatrës, dhe më pas t’i vërsulësh kundër saj për ta shkatërruar? Në cilin nen të Kushtetutës shkruhet se një fraksion mund të thërrasë Kuvend?

       Të sulmosh Vatrën është njësoj si të sulmosh faltoret e shenjta!Çfarë ideali Kombëtar e motivon këtë grupim të pakënaqurish, që po e sulmojnë pa mëshirë Federatën? A nuk ndjejnë dhimbje nga plagët që mundohen t’i shkaktojnë ?…Dhimbjeee….

Nuk paskan qenë me shpirt në Vatër, paskan qenë vetëm fizikisht. Nëse do të ishte gjallë Faik Konica, me satirën e tij therse, do t’ua bënte gjyqin në publik, që të mos shihnin rrugë nga të shkonin dhe jo të bënin kuvende!

          Në qendër të kësaj vorbulle është dega e Vatrës në Virxhinia, ku ata jetojnë(e thirrur si dega e Washingtonit), e cila në Kuvendin e 2017, kur dhe nisi divorci, raportoi se kishte një anëtarësi prej 28 persona, por 6 prej tyre nuk konfirmoheshin(shënuar nga vetë dega) dhe 6 të tjerë janë larguar dhe i kanë dërguar anëtarësinë në Qendër.Me sa veta ka mbetur kjo degë që pretendon ta thërrasë veten-Vatra e vërtetë?

 Një tregues tjetër është se 10 anëtarë ishin nga dy familje(6 Buçaj dhe 4 Zotaj), ndërsa dega që i mbanë iso sot, në atë Kuvend raportoi se kishte 14 anëtarë(është dega e Dr. Kaliqit, që nuk ka pranuar t’i japë informacion qendrës për Fondacionin e Vatrës, që e ka kthyer si pronë private- dhe ka mbetur në bordin e kohëkrijimit vetëm Kaliqi dhe ish kryetari)!. Që nga Kuvendi i vitit 2017,  këto degë nuk iu bindën Qendrës, nuk paguan anëtarësi,ndërkohë që dega e Virxhinias publikisht sulmoi Vatrën dhe zyrtarët e saj. Ishte kjo arsyeja që Vatra e përjashtoi këto 2 degë nga Federata, me votë unanime, mbështetur në arsyetimin: “duke analizuar jo vetëm tendencat por edhe aktivitetin e tyre në dëm të aktivitetit të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”,  si dhe në fyerjet dhe pengimin e organeve drejtuese të Vatrës të zgjedhura në mënyrë të rregullt ligjore, ashtu si Kanunorja e Vatrës e ka të shkruar në nyjen 39 të saj, si dhe duke u mbështetur në nyjet 40, 52, 53 të Kanunores,  me votë të hapur dhe unanime:

KUVENDI VENDOSI

Të përjashtojë nga THE PAN-ALBANIAN FEDERATION OF AMERICA VATRA (THE HEARTH):

a- Dega Washington DC

 b-Dega Newburgh

            2- Çdo anëtar që ka kryer aktivitetin e tij në këto dy degë, por që nuk ka dëmtuar  dhe penguar aktivitetin e Federatës në punën e saj ka të drejtë të riantarësohet si anëtar i THE PAN-ALBANIAN FEDERATION OF AMERICA VATRA (THE HEARTH) në degën më të afërt apo edhe në qendër.

          Dhe Pesë tetoristët e bënë Kuvendin e paligjshëm të fraksionit të tyre duek mashtruar edhe ndonjë të ftuar. Si mund të bësh Kuvend, kur je përjeshtauar dhe si mund të krijosh një degë të re Vatre, pa marrë leje në qendër, ndërkohë që Kushtetuta shkruan: Nyja 39: Vatra përbëhet nga Degët, të cilat nuk quhen(nuk njihen)pjestare të federatës në qoftë se nuk i ka njohur ose nuk i njeh Komisioni(Sot Kryesia e Vatrës”.! Ndërsa në Nyjen 42, shkruhet: Çdo dege, posa njihet nga Komisioni i Vatrës,i dorëzohet vula e degës, dy fletore për rekorde dhe Lista e anëtarëve. Nëse dega përjashtohet ajo duhet të kthejë gjithçka në qendër! A e kanë lexuar ndonjëherë Kushtetutën e Vatrës ata që kanë ndërmarrë ofensivën kundër saj?

            Pas të ashtuquajturit Kuvend të 31 tetorit,(Ku një organizatë e njohur dhe me peshë në komunitet nuk pranoi të bëhej vegël dhe të shkonte të përshëndeste Kuvendin me maska,-  u ftuan me anë të mashtrimit dhe 3 organizata të komunitetit, 2 prej të cilëve u larguan nga Kuvendi, duke mos pranuar që të bëheshin instrument të përçarjes së Vatrës, me logjikën: Nuk kemi ardhë për ti shërbyer ndonjë fraksioni, ne vlerësojmë Vatrën si federatë),- Sekretari kësaj amalgame, ka nxituar të hyjë në mënyrë të paligjshme në websitin e “Commonweallth”-it në Massachusetts, dhe ka tentuar të bëj regjistrim të paligjshëm të vatrës që polli komisioni 5 tetori, asaj të 60 anëtarëve të pretenduar, duke zhvendosur emrat e zyrtarëve dhe të Kryesisë së Federatës me 12 degë e me më shumë se 600 anëtarë, duke thyer rregullat më elementare amerikane. Federata nuk rrëmbehet me mashtrime të tilla, as me inate e mllefe, zotërinj!…Gjithçka u ndal në kohën e duhur.

         Po pse po kërkojnë ta përçajnë Vatrën me çdo kusht-, kujt i intereson shkatërrimi i saj? Vetë Vatrës dhe historisë së saj-JO! Vatra nuk mund të shkatërrohet me Kuvende të paligjshme, me rrëmbime Logosh e vulash,me raporte fallso në Facebook dhe në rrjetet e tjerë sociale, me tentativa për të thyer pasworde, me tentativa për ta regjistruar paligjshmërisht…, Vatra nuk mund të çohet në shtëpi,Vatra nuk mund të shkatërrohet nga zemrimet e çastit, as nga  qejfmbetjet për shkak mosvlerësimi, as prej ndonjë vatrani, që mburret për kontributet e shkuara dhe e qëllon me gurë vatrën e tanishme,as nga ndonjë vatran, apo nga ndonjë dezertor me porosi prej ushtrisë së Enver Hoxhës, që pa rënë komunizmi(në vitet 80-të)  shkonte turist dhe qëndronte në Hotel Dajti apo Tirana-Hotel, apo shkruante në gazetën e qeverisë së Tiranës në Boston(Liria) për mrekullitë dhe bukuritë e Shqipërisë komuniste….VATRA është pasuri Kombëtare dhe do të mbetet e tillë!

       Pse gjithë ky mllef? Pakënaqësia e dy degëve ka nisë që pas Kuvendit të Qershorit 2017.Ish Kryetari i atëhershëm, kishte krijuar bindjen se kanditatura më e mirë për kryetar Vatre, do të ishte- ish Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë i vendosur prej Qeverisë së Partisë Demokratike në atë post, i shkarkuar me pompozitet dhe arrogance dhe zhurmshëm, në darkën vjetore të Ish Këshillit Shqiptaro Amerikan, shtator 2013. Ai ftoi shpesh për kafe e dreka kandidatin për t’i mbushë mendjen ta pranonte postin,(çuditerisht tash e mohon, por kanë qenë dhe të tjerë në ato dreka e kafe që e dëshmojnë të vërtetën)… mirëpo më pas ai hoqi dorë nga ajo zgjedhje, nuk dha arsye as para dhe as gjatë Kuvendit- nuk i informoi strukturat e Vatrës për arsyet.Në Kuvendin e vitit 2015 në Jacksonville u votua vetëm një kandidaturë , nuk u kërkua e dytë; ndërsa në Kuvendin e vitit 2017, kandidatura e dytë u konsiderua e domosdoshme! Gjithësesi në kuvend u prezantuar dy kandidatura. Kandidatura e ish Konsullit pati pretendime se nuk i plotësonte kushtet e vjetërsisë në Vatër.Kushtetuta në fuqi e Vatrës , ajo e vitit 1926, e riprintuar në vitet 1954 dhe 1995, nuk kërkon kushte vjetërsie për Kryetarin.Kjo spjegon faktin se në të shkuarën Vatra ka ftuar intelektualë jashtë Amerikës për t’u bërë kryetarë të saj, siç ka qenë rasti i Mit’hat Bej Frashërit. Kushtetuta nuk vendos kushte për kryetarin, por për delegatët në Kuvend, të cilët sipas nyjës 30: “Delegat në Kuvend të Vatrës s’mund të pranohet veç se një njeri që ka qenë anëtar i rregullt të paktën 2 vjetët e fundit dhe që ka paguar të paktën 6 këstet e fundit.” A e kishte vjetërsinë prej 2 vjetësh ish Konsulli? Në përgjigje të pyetjes, mjafton të përmendim faktin se në Kuvendin e Majit 2015 në Jacksonville, ai u zgjodh anëtar i kryesisë së Vatrës(pra e kishte se ishte në bordin e Vatrës). Gjithësesi, vetë ish kryetari, kërkoi mënjanimin e kushtit të vjetërsisë,e hodhi në votë dhe miratoi me vendim Kuvendi, që kandidimi ishte i rregullt.Madje pas Kuvendit u bë një darkë madhështore, plot humor, valle, këngë, dhe fotografi, ku të pranishëm ishin të dy; ish Kryetari dhe kryetari i zgjedhur, jo vetëm kaq por u shpërndanë edhe Mirënjohje! Pra Kuvendi përfundoi me traditën e Darkës tradicionale, pse më pas u pretendua se ishte i parregullt!?

         Ka dhe një problem tjetër; që në Kuvendin e vitit 2013 u hodh ideja dhe nisi diskutimi  për ndryshime në Kushtetutë të Vatrës,u propozua të shtoheshin amendamente, mirëpo dukej se Vatra nuk e kishte durimin, as kapacitetet juridike për ta kryer këtë mision, dhe ashtu siç kishte ndodhur dy dekada më parë, dukej se kjo inisiativë do të dështonte.Diskutimi u zvarrit nëpër kuvende të mëpasme, edhe në Kuvendin e 2017, madje edhe në Kuvendin e 2020, por ende nuk ka nje Vendim përfundimtar për ta printuar, dhe as mund të ketë pa u unifikuar projektet ndër vite.Ky projekt as sot nuk ka marrë miratim përfundimtar edhe pse është shtruar në fund të kuvendeve, kur delegatët dremisnin nga lodhja dhe nuk kishin durimin ta dëgjonin kryetarin e Komisionit, dhe gjenin rrugën më të shkurtër, ia delegonin Kryesisë kompetencat, ajo të ndiqte proceduart. Por çudia ndodhi me ish kryetarin e atëhershëm, i cili 6 muaj pasi pat lënë detyrën në kuvendin e 2017-tës, e printoi me insiativën dhe shpenzimet e veta Kushtetutën dhe ua dërgon të gjithë vatranëve sipas listës që ai kishte siguruar nga kompjuteri i abonentëve të gazetës Dielli në Zyrën e Vatrës!. Dhe në mënyrë më të çuditshme nuk përdori adresën e vet në Virxhinia, por adresën e qendrës së Vatrës Bronx, NY, pa shënuar emër dërgusi mbi zarf, por një letër brenda zarfit të firmosur prej ti,ku jepte sqarime! Shumë nga kopjet e kthyera janë ende në Vatër. Ndoshta i gjithë ky nxitim i parapriu veprimeve të mëpasme të Komisionit të paligjshëm” 5 Tetori” për të gjetur”ligjshmëri” në një veprim të paligjshëm.

    Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” i ka rreth vetes degët dhe anëtarësinë me gjithë presionet dhe makinacionet që po përdorin përçarsit e Federatës, duke ju dërguar thirrje, ftesa në emër të Vatrës, madje kanë mashtruar edhe ndonjë klerik, duke e ftuar në emër të Vatrës, kanë dërguar emaile, buletine, kanë gjetë strehë edhe në ndonjë portal apo gazette, që i ka për qejf përçarjet dhe i hedh benzinë zjarrit… etj.

Por Vatra ka kaluar situata më të vështira dhe ia ka dale ta ruaj bashkimin.Nuk mund ta shkatërrojnë Vatrën dy degë të përjashtuara nga Kuvendi i 19 Janarit 2020 pse kanë shkelë Kushtetutën e Vatrës apo disa individë, që nuk e dinë as vetë se përse janë të pakënaqur dhe pse po e luftojnë Vatrën. Vatra ndjenë mbështetjen e anëtarësisë aktuale prej më shumë se 220 vatranësh në qendër, mbështetjen e degëve si në Queens New York  me 149  anëtarë, Michigan -85  anëtarë,  dega në Manhattan 47 anëtarë (të përgatitur për t’u anëtarësuar edhe 17 anëtarë të rinj) dega në Hudson Valley-New York 62 anëtarë, dega në Hartford – CT me 23 anëtarë, dega në Jacksonville me 35 anëtarë,  dega në Tampa-Florida me 32 anëtarë, dega në Worcester MA, që u riorganizua këto ditë me anëtarësi të paguar për vitin 2020 prej 23 anëtarësh, dega në Fort Lauderdale-Florida  me 17 anëtarë, dega në Toronto – Canada me 23 anëtarë, me dega në New Jersey me 27 anëtarë, dega në Orlando,dhe është e gatshme dhe një tjetër degë në Florida,si dhe dega e re në Boston, në vendthemelimin e Vatrës historike, ku komisioni prej 13 anëtarësh po bën përgatitjet e fundit. E falenderojmë edhe Shoqatën Besa-Besë në Boston, që ka bërë anëtarësimin e udhëheqjes së saj në Federatën Pan shqiptare VATRA.

           Zotëri të grupit përçarës, Ju e keni sulmuar Federatën me të gjithë mjetet, keni hedhur shumë gurë mbi të, dhe keni shpifur pa limit, ajo  vetëm ka heshtë pasi ka menduar se një ditë do ta kuptonit se jeni futur në rrugë pa krye. Tash u sos durimi prej zullumit tuaj: Shihemi në Gjyq!…

Kaq për këtë herë, ka dhe më për të thënë.

  • Editoriali shpreh qëndrimin zyrtar të Federatës Panshqiptare të Amerikës-VATRA- sipas mendimeve dhe gjykimeve të shprehura në mbledhjen e Kryesisë e organizuar virtualisht në prag të festës së Flamurit.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Editorial, Flamuri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 287
  • 288
  • 289
  • 290
  • 291
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT