• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Jajaga në SHBA

March 23, 2016 by dgreca

Foto ARKIV i Gazetes Dielli/Kosovë – Jajaga në SHBA, pritet takimi me Biden/

PRISHTINË, 23 Mars 2016-B.Jashari/.-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, sot në Washington pritet të takohet me zëvendëspresidentin e SHBA-ve, Joe Biden.“Sot në Washington pritem në Shtëpinë e Bardhë nga Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden. Krenare për marrëdhëniet e fuqishme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar në ‘facebook’ Presidentja kosovare Jahjaga, e cila përfundon mandatin në muajin e ardhshëm.Herën e kaluar, në 25 nëntor 2015, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua  në kryeqytetin e Kroacisë Zagreb me Zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, derisa po merrte pjesë në Samitin Bërdo-Brioni, me ftesë të Presidentes së Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq dhe Presidentit të Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor.Presidentja Jahjaga dhe Zëvendëspresidenti Biden diskutuan për zhvillimet në Kosovë dhe rajon dhe përparimin e arritur në aspiratat e integrimit evropian dhe euroatlantik. Presidenti Biden rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përparimin e Kosovës, theksonte njoftimi i Presidencës kosovare i dërguar nga Zagrebi.

Filed Under: Kronike Tagged With: Presidentja Jajaga në SHBA, pritet takimi me Biden

Aktori Vildan Maksuti merr hapat e para të karrierës në Amerikë

March 23, 2016 by dgreca

Nga Ermira Babamusta/
Vildan Maksuti është aktor, model, skenarist dhe regjizor i dramave teatrale. Vildan Maksuti është aktor i njohur nga Kumanova që jeton dhe vepron në Belgjikë. Edhe pse tepër i ri, ai ka një karrierë dhe jetë të pasur artistike dhe është një ndër artistët me famë që ka prekur skenat europiane përkrah emrave të njohur të artit.
Nëpërmjet karrierës së tij artistike dhe humanitare Vildan Maksuti ka shërbyer si ambasador i kulturës dhe vlerave shqiptare në Europë. Ai krenohet të përcjellë vlerat e kombit shqiptar në mbarë botën.
“Jam krenar që jam shqiptar nga Maqedonia. Nëpërmjet artit dhe kulturës mund të përcjell vlerat e kombit tim në mbarë botën. Nëna ime gjithmonë më ka folur në shqip edhe pse kemi shumë vite në Belgjikë dhe në shtëpi akoma flasim në gjuhën shqipe. I jam mirënjohës shtetit të Belgjikës që na priti me krahë hapur dhe na ka mirëpritur si vendas. Bashkë me motrën time, Xhen Maksuti patëm mundësinë të bashkëpunojmë Belgjikë-Maqedoni për projektin e mirënjohur edukativo-kulturor të BE-së “Erasmus +”, i cili i dha mundësi shkollave shqipe të jenë pjesë e programeve europiane,” tha Vildan Maksuti.
Vildan Maksuti për herë të parë doli para kamerës në Europë në vitin 2005 për reklamën e Interpolis Glashelder (Hollandë), e cila u shfaq në National Geographic.
Karriera e tij prej aktori profesionist nisi menjëherë pas diplomimit nga Akademia e Arteve në Bruzh, Belgjikë (L’Academie des Beux Arts) në 2008 me sukses të shkëlqyer si student i dalluar. Profesorët e Vildanit gjithmonë kanë folur për të si një aktor të talentuar dhe me perspektivë. Fillimisht ai mer pjesë në shfaqe teatrale organizuar nga Akademia e Arteve në Belgjikë.
“Dua ta sfidoj veten duke provuar role të ndryshme si në aksion, komedi, dramë ose film romantik. Aktrimi është pasioni im që nisi kur isha vetëm 6 vjeç kur babi më çoi për herë të parë në një shfaqe teatrale në Kumanovë. Dhe aty u dashurova me artin dhe aktrimin,” tha aktori Vildan Maksuti.
Vildan Maksuti e nisi karrierën e tij të aktrimit në moshën 16 vjeçare me produksionin e famshëm amerikan Bigfoot Entertainment me filmin “The Curiosity of Chance” (Kurioziteti i Shansit). Me regjizor Russell P. Marleau, Nominuar për çmimin prestigjioz Emmy. Filmi fitoi 4 çmime si “Filmi më i mirë” dhe “Regjizori më i mirë” në festivale ndërkombëtare.
Aktori Vildan Maksuti paraqitet edhe në serialin e famshëm televiziv “The White Queen” (Mbretëresha e Bardhë) me aktor kryesor yllin anglez Max Irons. Me produksion të BBC, kjo dramë historike është nominuar me 3 Golden Globes, Emmy dhe ‘People’s Choice Awards’.
Në 2013 Vildan Maksuti kreu studimet për aktrim tek Fakulteti i Arteve Dramatike në Shkup, Maqedoni nën kujdesit e profesorit Vladimir Milcin.
Vildan Maksuti është një yll filmi ku shtypi ndërkombëtar shkruan për suksesin e tij në Evropë. Vildani ka luajtur një rol të shkurtër në filmin e njohur “Dossier K” me regjizor Jan Verheyen, produksion i Eyeworks.
Më pas Vildani paraqitet në serialin e famshëm 20-vjeçar belg “Familie” (regjia Guy Thys dhe JP Van Steertegem, 2010). Vildani luan rolin “Ksander”, një djalosh 20 vjeçar që futet në botën e krimit. Ndërsa në serialin tjetër famoz “Vermist” (regji Jan Verheyen, Eyworks, 2011) Vildan Maksuti luan rolin e “Martin” në këtë dramë aksion me polici.
Vildan Maksuti luan rolin kryesor në filmin “Blue Rorschach” (regji Charles Bockaert, 2013). Ky film është një dramë, që tregon problemet familjare mes dy vëllezërve. Vildani luan rolin e një nga vëllezërve “Niko”.
Në serialin “Verboden Liefde” (regji Wendi Montellano, 2014) Vildan Maksuti luan rolin kryesor “Gio”, një djalë Italian që dashurohet me një vajzë belge dhe duhet të fitojë zemrën e saj.
Në serialin e famshëm belg “De Ridder” (regji Eric Taelman, 2016) Vildan Maksuti luan rolin kryesor në sezonin 4 në rolin e “Artan Malaj”. “De Ridder” është një dramë aksion me investigime policore. Në këtë film mamaja e Vildan Maksutit, Ramize Maksuti, shfaqet në rolin e “Mamasë”. Vildan dhe Ramize Maksuti ishin dy yjet e ftuara në tapetin e kuq të festivalit të filmit në Belgjikë “Film Festival Oostende”.
“Në serialin De Ridder ku luaj rolin kryesor kemi filmuar për 3 muaj në Belgjikë. Kjo dramë aksion nga produksioni Eyeworks është mjaft interesante sepse ndryshe nga serialet e para, në këtë sezon storja është në vazhdimësi. Unë luaj rolin e një djali shqiptar Artan Malaj, tepër inteligjent por që fajësohet për krime që ai nuk i ka bërë. Dhe e vërteta nxirret në pah,” rrëfen Vildan Maksuti.
Vildan Maksuti është regjizor i shfaqes teatrale “Të Mos Bëhet Vonë” (2013) një dramë komedi që u performua në shumë qytete në Maqedoni. Në bashkëpunim me Departamentin e Policisë së Kumanovës dhe Teatrin Kombëtar të Kumanovës ky produksion teatral pati për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit kundra dhunës në familje, si dhe të fuqizojë vazjat, femrat dhe fëmijët të denoncojnë dhunën. Gjithashtu është regjizor i shfaqes teatrale “24 Lies In a Dream” në Belgjikë.
Në 2014 Vildan Maksuti u zgjodh si aktori kryesor në videoklipin e famshëm “Light It Up” (me 4.5 milion shikime ne Youtube) të Dj. Antoine, i cili ka bashëpunuar me yjet e muzikës si JLO, Akon, Mark Anthony, Pitbull, etj.
Në 2016 Vildan Maksuti u ftua si një nga Vipat në Albanian Fashion Week në New York që do zhvillohet me 25-30 mars në Manhattan. Vildani do jetë një nga yjet e Tapetit të Kuq në natën e madhe të Albanian Fashion Show që do zhvillohet me 27 Mars 2016. Java e Modës Shqiptare në New York është organizuar nga Mrika Krasniqi, themeluese e Agjencisë së Modës Shqiptare në New York dhe Nil Production.
“Jam shumë i lumtur që karriera ime po mer një drejtim të ri me udhëtimin në New York. Kam shkruar disa skenare dhe dëshiroj së shpejti të sjell filmat e mi për publikun. Falenderoj Mrika Krasniqin për ftesën në eventin madhështor Albanian Fashion Week NY. Do jetë një natë e paharruar me modën më të mirë shqiptare dhe të huaj,” tregon modeli, aktori dhe skenaristi Vildan Maksuti.
Gjithashtu Vildan Maksuti do jetë pjesë e videoklipit të Mbretit të muzikës Pop Rock, Matteo Brento, për këngën #21 (Goodbye My Love) / (Lamtumirë Dashuria Ime). Ylli i X-Factor Albania Matteo Brento do xhirojë videoklipin në New York, ku Vildan Maksuti do jetë një nga aktorët që do shfaqet në këtë videoklip.
Momenatalisht Vildan Maksuti po shkruan disa skenare të filmave me metrazh të gjatë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Amerike, Ermira Babamusta, happat e pare, Vildan Maksuti

ANARKIA E PRONAVE

March 23, 2016 by dgreca

DISA PYETJE PUBLIKE PËR ZOTIN ARTAN LAME/

Nga Nuro Kulluri/*

I nderuar zoti Artan Lame, unë quhem Nuro Kulluri nga Dukati i rrethit të Vlorës dhe  jam një nga pronarët autoktonë. Jam moshë e shkuar dhe kur të jetë dita, nuk mund të largohem i qetë nga kjo jetë pa i thënë mendimet  e mija drejt ashtu si i mendoj pasi kam përjetuar gjithçka ka ndodhur në fshatin dhe krahinën tonë. Në takimin e organizuar me datën 9 Mars 2016 “Për çështje të pronësisë së komuniteteve fetare”, ku palën e Qeverisë e përfaqësonit ju dhe drejtoresha e AKKP  znj Sonila Qato, u deklarua se komuniteteve fetare do t’u kthehet prona e tyre. Pyetjes së z.Axhem Ymeri, Kryetar i Koalicionit të Shoqatave të Pronarëve se me çfarë baze juridike komuniteteve fetare do ju kthehet prona dhe ne qytetarëve  vazhdon të na rëmbehet prona ju dha një përgjigje gjysmake se kjo “do bëhet në bazë të një marëveshje”. Ju e dëgjuat se kjo krijoi indinjatë që u kritikua në diskutimin tim dhe të përfaqësuesve të tjerë të pronarëve që kërkuan nga kleri të mos bëhet palë dhe të mos mbështesi gabimet e qeverisë por të lartësojnë parimet dhe pastërtinë e moralit fetar që nuk pranon kusarinë. Por cila qënka kjo marrëveshje, kush e ka nënshkruar dhe a do ti qëndrojnë kohës këto marëveshje !

Përse për institucionet fetare bëhet marëveshje për ti kthyer pronat ndërsa për pronarët e zonave turistike bëhet marreveshje gjoja “për zhvillim” por në thelb për t’ua vjedhur pronat. Mos vallë këtë marrëveshje ua kërkon Evropa ?? Nëse kjo është e vërteta  por nuk besoj :“ Evropa pastë faqen e zezë nëse na shkatërron si në vitin 1913”  Nëpërmjet shtypit të lirë po ju drejtohem për marrë përgjigjen tuaj publike pasi era e keqe u dëgjua edhe në intervistën që ju dhatë në darkën e ditës së Premte datë 19 Mars 2016 në TV News 24. Intervista juaj më indinjoi se gjatë gjithë intervistës ju nuk thoni pronarët por vazhdoni të thoni ishpronarët, emërtim abuziv, që i përket kulturës së kusarisë, që la pas Ramiz Alia. Por mendoj se ajo që nxin dhe ju turpëron janë mendimet tuaja për të justifikuar shtetin që sipas jush nuk paska faj se ka lejuar të pushtohen pronat. Çdo njeriu I dua të mirën dhe  edhe pse nuk njihemi ju them: Mos kini frikë të thoni të vërtetën se vetë Shteti kishte dhe ka detyrim Kushtetues t’ja kthejë shqiptarëve pronën qe ja ka grabitur me ligjet e diktaturës dhe se kompensimi duhet vetëm për prona që janë tjetersuar për nevoja publike.  Ju sqaroj se e dija që jeni Drejtor i Pergjithshem i ALUIZNI-t por pyeta se ku keni punuar më parë. Më thanë se jeni publicist, opinionist, studiues i historisë, veprimtar i shoqërise civile për mbrojtjen e trashëgimise kulturore, koleksionist etj. Me ato që dëgjova në intervistë mendova: Ky njeri kaq i zgjuar i ka vënë vetes detyrë për të ndërtuar Shqipërinë apo punon për ta shkatëruar këtë vend se këtë detyrë i kanë ngarkuar. Kjo është pyetja që nuk di ti jap përgjigje dhe kërkoj përgjigjen tuaj. Besoj se nga kjo pyetje dhe përgjgja juaj do të reflektojnë dhe politikanët e tjerë, të paktën ata që siç thonë këtej nga ne “nuk u ka plasur cipa”

Problemi I anarkisë së pronës për të cilin ju drejtohem nuk zgjidhet me mashtrime dhe kompensime por me kthim fizik conform Kushtetutës . Rruga që po zbatoni po polarizon jo vetëm bashkëfshatarët e mij në Dukat por thuajse të gjithë shoqërinë dhe dëmton të ardhmen e Shqipërisë, prandaj ju kërkoj të keni burrërinë të përgjigjeni jashtë politikës me ndershmëri siç kemi shprehjen : me dorë në zemër.

Në intervistën e dt. 19 Mars, ju deklaruat se problemi pronave për ish pronarët është i mbyllur, se nuk kemi çfarë tu kthejmë dhe folët për fushatën e legalizimeve të ndërtimeve të paligjshme si një fitore dhe arritje të politikës etj. Unë mendoj se kjo është vjedhje në emër të ligjit dhe ju këshilloj të largoheni nga kjo veprimtari që shkatërron shtetin. Unë mendoj se ju bëni një punë të dëmshme dhe shkatërruese, për të ardhmen e shtetit Shqiptar dhe të shqiptarëve me çdo firmë që ju vendosni për të legalizuar një ndërtim pa leje që një person i tretë ka bërë në tokën që nuk është pronë e tija. Unë besoj se opinioni shoqëror por dhe Perëndia do  ndëshkojë ju dhe të gjithë ata që i shkaktojnë padrejtësi popullit. Ju ftoj të reflektoni: Me çfarë të drejte morale politikanët duan të përvetësojnë pronat tona në Karaburun. A është kjo tjetersim prone për nevojë publike apo është vjedhje e maskuar në emër të ligjit. Shqipëria nuk ekzekuton vendimet e gjykatave dhe vazhdon ta mashtrojë Evropën, që akoma nuk e ka kuptuar se sa shumë e kanë mashtruar në këto 25 vjet lidhur me pronat. Të shohim se si do vendosi Gjykata Kushtetuese për ligjin e dhjetorit 2015 me të cilin Qeveria kërkon të maskojë vjedhet e pronave 1991-2015.  Por Gjykata e Strasburgut me 17 Mars 2016 e dënoi përsëri Shqipërinë, por sa dënime të tjera duhet të japi Strasburgu që shteti të mos tallet me pronat tona dhe të drejtat themelore të njeriut. Ju mund ta dini se Karaburuni është pronë e dukatasve autoktonë,  por pas 1991 politikanët po synojnë ti quajnë prona publike. Ne i dimë se ku janë kufijte dhe pronat e secilit. E dimë gjithashtu se KKKP dhe gjykatat kanë bërë matrapazllëqet të shumta me vendimet e tyre duke shkaktuar mbivendosje. Sipas mendimit tuaj dhe sa kohë  do vazhdojnë këta politikanë ta mashtrojnë SHBA dhe Europën dhe të justifikohen me ligjet që miratojnë në atë palo-Kuvend. Zgjidhje ka por është veprimtaria juaj dhe e atyre që janë me një mendje me ty që pengojnë zgjidhjen dhe duke pasur në dispozicion median e turullosni opinionin. Zgjidhja do të vijë nga Shtëpia e bardhë dhe Ambasadori i SHBA se Shteti ka detyrim ti kthejë pronat, se shteti i ka dokumentat në arkiva, pra zgjidhja është që Shteti ti hapi arkivat të kthejë pronat . Vetëm pas kësaj klasa politike ka të drejtë të pretendojë se vendosi themelin e demokracisë, duke dhënë këtë shenjë që filloi t’a dekriminalizojë veten . Sipas mendimit tuaj edhe sa kohë do vazhdojë ti nënshtrohet populli vjedhësve që deklarohen si parti e majtë apo e djathtë ? Ju rikujtoj se për të mbrojtur pronat e të parëve të tyre nga politikanët zaptues, në vitin 2001 i gjithë fshati i Dukatit, u përleshën me policët dhe forcat speciale të dërguar nga Qeveria Berisha. Në 2001 kur dukatasit me gurë e shkopinj e vunë përpara policinë e armatosur, kryetari i opozitës, zoti Edi Rama, sot Kryeministër ka thënë me gojën e tij se “DUKATI KA TË DREJTË”. Në vitin  2013, Sali Berisha,filloi të analizojë dhe guxoi të thotë se “me pronarët kam gabuar”. Tani në pronat tona në karaburun po afrohen ca deputetë dhe ca që thonë se janë turq dhe vijnë gjoja për të investuar sipas ligjit të turizmit ! Ju pyes se kujt i intereson ti pastrojmë kusarët siç pastohen çibanët ? Ju pyes personalisht ju kujt  i shërbeni.  Mirëpres  burrërinë dhe përgjigjen tuaj.

*I nderuari z. Editor

Vatra dhe gazeta “Dielli” eshet e evtmja dritare nga ku ne percjellim shqetesimet dhe dhimbjen qe po na shkakton Politika dhe Shteti Shqiptar ne keto 25 vite tranzicion. Dielli mbetet per ne e vetmja gazete qe I perket shtypit te lire, ku nuk jemi censuruar as edhe nje here te vetme.. Ju lutem te shikoni mundesine e publikimit te letres qe ju kemi derguar dt 20 MArs 2016, pasi ne gazetat qe publikohen ne Tirane, redaksite hezitojne te botojne shkrime kritike per anarkine dhe shkeljen e te drejtes se prones  se trasheguar.Ky eshte krimi dhe padrejtesia me e thelle qe u eshte bere shqiptareve qe nga koha e mesjetes. Nese ne shkrimin qe ju kemi derguer ka diçka qe nuk shkon ju lutem na informoni.

Me respect

*Nuro Kulluri

Pronar autokton nga Dukati i Vlores,

Kryetar i degës Dukat të Shoqatës “Krahina Jonë“

Tiranë, me 20.03.2016

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Artan Lame, Kulluri Nuro, per pronat, Pyetje publike

ITALI – AUSTRI : Beteja ajrore para 100 viteve

March 23, 2016 by dgreca

Nga  Dr. Niko FERRO & Andrea Liko/

Gjatë betejave në Luftën e Parë Botërore u përdorën edhe  avionët. Materiali ynë synon të sjellë diçka nga përplasja ajrore Itali – Austri me fakte që botohen për herë të parë… A ka pilotuar  i madhi  Aleksandër Moisiu mbi Fushën e Myzeqesë ?…Piloti legjendar Julius Arigi…

Ndër pak më shumë se katër vite të Luftës së Parë Botërore, viti 1916 ka specifikat e veta. Kështu në gjitha fushëbetejat e panumërta; kështu edhe në Lushnjë. Ne nuk po ndalemi tek “dialogët” transhe – transhe, as në përplasjet mes zhegut të pluhurt  lëkurdjegës, apo  baltrave bezdisëse deri në cfilitje.

Informacioni i ri është për betejat ajrore, kur “zogjtë e hekrit” bënin dëm të madh dhe linin shtangur myzeqarët deri dje indiferentë. Në muze ruhen dëshmi gojore të banorëve të zonës së Divjakës, Libofshës, Gradishtës etj., por së fundi hulumtimi të ofron edhe dëshmi të kohës, shkruar gazetave, dërguar shtabeve, apo analizuar nga kancelaritë përkatëse.

Dihet që për herë të parë, avionët u përdorën më 1911, në luftën italo – turke, paçka se Franca kishte të tillë që më 1909. Madje, midis pilotëve turq ishte edhe një shqiptar, Avni Xhaxhuli nga Leskoviku…  Kur u ngrit i pari me avion, kapiteni  italian Piazza e shihte veten zot, por kur më 10 shtator 1912  “Nieuporti” u rrëzua prej artilerisë, pilotët kuptuan se nuk ishin Gilgameshi i pavdekshëm.

… Sidoqoftë, e ndihmuar nga francezët, ushtria italiane kishte një trup ajrore  e njohur si “Skuadrilia Nieuport” dhe me të i qendroi  fort përballë “skifterëve” austriakë. Sipas dëshmive të kohës, këta avionë nuk ishin shumë të shpejtë. Për shembull, avioni “Nieuport – 10” lëvizte me afër 140 km në orë, ndaj edhe u ndoq nga “Nieuport – 11”, i quajtur “bebe” për shkak të përmasave të vogla. Edhe vet pilotët italian nuk shquanin për dëshirë të madhe apo talent manovrimi.

Përkundrazi, austriakët kishin në përdorim avionët më të mirë të kohës, të quajtur  “Luftfahntrupper”. Paçka se me strukturë të thjeshtë, ata arrinin tek 200 km në orë dhe ishin të pajisur me mitrolozë. Sipas historianit sërb të Akademisë Ushtarake, nënkolonelit S. Gjukiq, avionët më shumë shërbenin për të ruajtur koridoret detare, si për shembull kanalin e Otrantos. Më efikase kjo u bë kur vet avionët niseshin nga platforma të posaçme, sipas shembullit të anijes angleze “Forius”.

Ushtria italiane solli avionë edhe në Shqipëri, fillimisht në një bazë të ngritur enkas pranë Vlorës. Aeroplanë të tipit “Nieuport – 11” kontrollonin gati tërë vijën bregdetare sa për të mbrojtur trupat e veta, aq edhe për të mbajtur larg zonës “italiane” trupat austriake. Sidomos, më të ruajtura ishin gjiret dhe grykëderdhjet e lumenjve deri tek Shkumbini, si platzdarma  strategjike…

Austro – hungarezët erdhën me trupa të shumta e me interesa të mëdha në Shqipëri. Reparti “Flik – 6” u transferua në Shkodër, por në Lushnjë e përreth mbetën reparte të tëra. Dhe patjetër edhe një pistë e fshehtë për avionët. Ajo u hap buzë lumit, diku në zonën e Çermë – Divjakës, veçse në kushte të sekretit maksimal.

Dhe kështu, plot 100 vite më parë, e tërë kjo zonë fushore e bregdetare midis grykëderdhjeve të Semanit e Shkumbinit  u kthye në arenë të përballjes së dy superfuqive të kohës dhe teatri i luftimeve shpesh transferohej në ajër. Përballjet ishin të ashpra. Çdo ditë, në trekëndëshin Lushnjë – Libofshë – Kavajë,  “zogjtë e hekrit” të ekipeve të Italisë dhe Austrisë përfshiheshin në lojën e tyre vrastare. Avionë  të repartit nr. 34 kryenin sulme mbi objekte ushtarake apo prodhuese austro – hungareze. Ndërkohë, kundërpërgjigja ishte gati dhe shpesh herë, edhe e suksesshme. Ndofta edhe për shkak të numrit : italianët kishin 12 avionë, ndërsa kundërshtarët e tyre, 22 të tillë.

Në këto vite, si ushtar i thjeshtë pilot, në ushtrinë austriake shërbente edhe aktori i madh Aleksandër Moisiu, i cili e kishte fluturimin  hobi. Nuk e dimë në se ai ka fluturuar ndonjëherë mbi Fushën e Myzeqesë, pasi  gjeniu i skenës u rrëzua në Francë, u burgos atje. Kur u arratis pas 6 muajësh, ai shkoi në Gjermani dhe nuk rezulton të jetë rekrutuar përsëri.

Ndër pilotët austriak, më i shquari ishte Julius Arigi. Një herë ai arriti të futet në hapsirën e Vlorës, goditi dhe fundosi piroskafin italian të ankoruar aty.

Gjatë verës së vitit 1916, në zonën e Lushnjës është zhvilluar një nga betejat më të egra ajrore midis këtyre dy kundërshtarëve të fortë. Ka qënë ende mëngjes kur skuadrilia italiane kaloi Semanin dhe, gjithmonë përgjatë bregdetit, iu afrua Divjakës me synim Durrësin. Sipas tyre, ata po shfrytëzonin terrenin, befasinë e fshehtësinë. Mirëpo nuk ishte ashtu. Syçelët, austriakët i identifikuan shpejt dhe urdhëruan pilotët e tyre me Arigin në krye të sulmonin furishëm. Vetë Julius Arigi pilotonte një “Harisa Brandenburg C.I.61-64”. Sipas dëshmive gojore të ruajtura, qielli atë ditë u trazua keqasi se “zogjtë e hekrit  po hanin njëri – tjetrin”. Për t’iu kthyer burimeve historike, kamikazi austriak i ajrit  rrëzoi  pesë avionë armiq, tipi “Farman”; madje njeri prej tyre ra në Kënetën e Karavastasë. Këtë e konfirmon edhe piloti tjetër austro – hungarez, S. Lasi. Autoritet italiane raportuan për dy pilotë të humbur, Francesco Scarioni dhe Attilo Viziono.

Pak ditë më vonë beteja ajrore u zhvillua mbi qytetin e Lushnjës. Dhe përsëri fitues doli austro – hungarezi  Julius Arigi i cili rrëzoi avionin italian të kapitenit Castelleto dhe ndihmësit Pesci… Pas këtyre përplasjeve, ky pilot u vesh me vlera supermeni e u bë legjendë… Gjithësesi, të vështirë “Asi i asëve”, siç nisën ta quajnë edhe vet italianët, e pati me pilotin e talentuar Cesare Sabelli, në një betejë mjeshtërore mbi fushën e Tërbufit. Piloti italian, trim, i aftë e krenar, në pamundësi për të rrëzuar Arigin, nuk e uli avionin në bazë. Ai iku në Bari për tu tërhequr nga beteja të tilla…

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: : Beteja ajrore, Dr. Niko FERRO & Andrea Liko, ITALI – AUSTRI, para 100 viteve

70 VJETORI I VRASJES PABESISHT TË DIJETARIT DON NIKOLLË GAZULLI

March 23, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Ne Foto: DON NIKOLLË GAZULLI(1893 – 1946)

■“… Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasadori diplomat i vjetër pan-serbian i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet” – vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M. tek libri “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990” fq. 36, 1993.

■Aty ku u lé Besa dhe Burrnia, tash 70 vjet po mbretnon tradhëtia!

■Kush ishte Ky Burrë që as nuk i tutej syni nga bishat antishqiptare?! – Shikoni foton!

Asht i Fisit shekullor të Gazullorëve. Asht lé me 1893 në Dajç të Zadrimës. Gjimnazin e ka perfundue në ata thëmele ku qeveria jugosllave porositë mikun e vet gjinokastrit, që sa maparë “me e shkatrrue me kulm e temel atë çerdhe”… Studimet e nalta i vazhdoi në Insbruck dhe Tirol per filozofi dhe teologji. Në 1917 shugurohet në Romë. Vjen në Atdhe dhe i kushtohet prirjes së vet në lamen e gjuhësisë, ku mbetë shkenctar i vertetë. Koha e prodhimtarisë asht shumë e shkurtë tue dijtë se edhe në 1927, u dënue kater vjetë burg nga Ahmet Zogu, pikrisht kur vari vllaun e Tij Don Gjon Gazullin, në 1927 në Shkoder.

Asht e vertetë se “Malësorët e Veriut në 2000 vjetë nuk e ndrruen Fenë Katolike”, po si e ruejtën dhe me sa gjak i lane Ata shkambijë e shpella, ku në dy gjunjë nder shtroje e mbuloje kashtet luteshin para Kryqit dhe betoheshin per “Besë, Burrni e Bujari”, ndaj mikut dhe shokut, ate e dijnë vetem Ata shkrepa, ku asht daltue historia e Atyne Viseve!

■Pabesia e “çlirimtarëve” të Enver Hoxhës, Koçi Xoxes dhe Mehmet Shehut ndaj Veriut, sot duhet zanë vendin kryesor në faqet e historisë, dhe duhet ti bahet e kjartë kryesisht Rinisë Shqiptare, se “çlirimtarët” zhytën Shqipninë e Gjergj Kastriotit në vitin 1944 nën thundrat gjakatare të sllavokomunistëve jugosllavë, grekë dhe bolshevikë stalinistë.

■Kur nder krahinat e Berdicës vazhdonte qendresa antikomuniste në Dhjetor të 1944, mbas Taraboshit ishin të rreshtuem formacionet jugosllave me shtypë rezistencën…

■Kur krimineli Mehmet Shehu nuk ia doli me thye priten e Prekë Calit, tradhëtisht i ra mbas shpine nga krahinat e pushtueme prej forcave jugosllave, të cilat morën pjesë në luftën kunder Malësorëve të Kelmendit perkrah “çlirimtarëve” tradhëtarë të M. Shehut, dhe mbasi vrane 118 Burra të Malësisë, i hollën nder lumej e prroska…

■Pandi Kristo pohon: “Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë faj e pafaj vetëm sepse kanë qenë katolikë!” Lista e kriminelëve vrastarë asht ajo që ka dekorue kryeministri Rama.

■Po, per Klerikët Katolik kishte ndonjë “urdhër sekret” nga E.Hoxha? – Edhe ajo asht e ruejtun pranë arkivit të “Seksionit Katolik në Degen e Mbrendshme të Shkodres”…

■Shikoni arkivin e Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (Drejtoria e Sigurimit të Shtetit)… Mbrenda të cilit vepronte Seksioni Katolik. Jugosllavët kishin Seksionin nr. 2, ku ishte prezent referenti per Klerin Katolik Shqiptat. Këta seksione sllavokomuniste kishin një qellim të perbashkët: Zbatimin e Gjenocidit kunder Klerit Katolik Shqiptar, shkatrrimin me kulm e thëmel të çerdhes Françeskane, dhe shfarosjen e inteligjencës katolike, të përgatitun nder universitetet Europjano Perëndimore. Eksperienca jugosllave dhe greke me Popullsinë Shqiptare nder shekuj, per zhdukjen e Saj graduale do të zbatohej nga të gjitha palët e interesueme me mjetet ma barbare, simbas porosive të referentëve…që aso kohe ishin shpernda nder të gjitha fshatrat e Malësisë, mbrenda brigadave të Ndjekjes.

■Rradhen e kishte Don Nikoll Gazulli, Prifti i Shkrelit, shkenctar dhe Klerik i njohun në rrethet intelektuale Europjane. Referenti jugosllav përgatiti terrenin per vrasjen e Don Nikollit, me anën e “malësorëve kapadai”, tue ua mbushë kokat boshe me biseda dhe shpifje kunder Priftit, i cili “edhe mund të vritet nga fshatarët e vet, kur Ai tradhëton Atdheun e Fenë.” Këte referenti e kishte lexue nder libra sekrete fetare Ortodokse. Per me u “sigurue” malësori shkon dhe takon At Konrrad Gjolaj në Kuvendin e Fretenve në Shkoder, dhe sigurohet se, ashtu asht kur “tradhëtia e Priftit vertetohet botnisht…”

■Me daten 23 Mars 1946, i papajtueshmi Don Nikoll Gazulli me pushtetin komunist në Shqipni, gjindet i vramë në Rrencë – Suka të Vrithit, dhe varroset në Sterkujë me urdhen të dy prej kriminelëve ma të urryem nga krahinat e Maleve të Veriut, Zoji Thëmeli kryetar i Degës së Mbrendshme të Shkodres, dhe toger Baba i Koplikut…

■Emni i vrasësit mbeti “sekret Rrëfimi” i pashkruem në librin e At Gjolaj “Çinarët”.

■Deri në vitin 1990 pak kush e ka njoh dijetarin Don Nikoll Gazulli, autor i veprave të mëdha “Fjalorthi Toponomastik”, “Fjalorthi i Ri”, “Fjalorthi i fjalëve të rralla të Malësisë Veriore”, punimeve të botueme në “Hylli i Dritës” me pseudonim “Gelasius”, dhe sa Veprave të tjera, të cilat nuk mund ta dijmë se sa nuk janë plaçkitë… ashtusi veprat e At Justin Rrotës, At Donat Kurtit, Don Aleksander Sirdanit etj.., në këta 70 vjetë!

***

■Sot né perkujtojmë 70 vjetorin e kësaj vrasje të pabesë të Don Nikoll Gazullit!

■Kultura Shqiptare pa Këta Kolosë, që vune thëmelet dhe kulmin e Asaj binaje që thirret Shqipni, vetem vyshket… Po, Gjaku i Tyne i shkuem rrëkajë per “Atdhé e Fé”, do ti vadisin per mos me vdekë kurrma!

■Jo heshtje! Shqiptarë…

Asnjeni prej Tyne Gegënishten e bukur të daltueme në shkam nuk e ka marrë me vete!

■Asht Gjuha e Atyne Maleve që nuk shuhen as, sheshohen, dhe as thërmohen kurrë!

*Pjesa e VI… Vazhdon Pjesa e VII…

Melbourne, 22 Mars 2016.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 70 VJETORI I VRASJES PABESISHT TË DIJETARIT, DON NIKOLLË GAZULLI, Fritz radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2970
  • 2971
  • 2972
  • 2973
  • 2974
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT