• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Jahjaga: Deputetët sot dështuan

March 15, 2016 by dgreca

 PRISHTINË, 15 Mars 2016/Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka shkruar sonte në ‘facebook’:

Dua ta shpreh qartazi dhe publikisht zhgënjimin tim me deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që sot dështuan të emërojnë anëtarët e rinj të Organit Shqyrtues të Prokurimit, njëri nga kushtet kryesore të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ky dështim, në ditët kur në Kosovë pritet ekipi i Bashkimit Evropian për të vlerësuar përparimin e Kosovës në plotësimin e kritereve që jemi zotuar t’i përmbushim, rrezikon të vazhdojë t’i mbajë qytetarët e Kosovës të izoluar për shkak të interesave të ngushta të atyre që prioritet kryesor duhet ta kenë mirëqenien e qytetarëve. OSHP-ja është institucion i rëndësishëm dhe mungesa e transparencës dhe llogaridhënies në këtë institucion si dhe ndikimi politik mbi të ka kohë që është bërë pengesë për zhvillimet pozitive në Kosovë.U bëj thirrje institucioneve të Kosovës, Qeverisë dhe Kuvendit dhe të gjitha subjekteve politike që të marrin përgjegjësinë dhe të gjejnë zgjidhje në mënyrë që ky kriter të plotësohet pa vonesë.

Kuvendi i Kosovës, pika e vetme e seancës nuk kaloi as në votim të dytë

-Pikë e rëndësishme edhe për liberalizimin e vizave: Shqyrtimi i rekomandimit të Organit Përzgjedhës të Pavarur për emërimin e anëtarëve të Organin Shqyrtues të Prokurimit/

-Opozita nuk mori pjesë në seancën e Kuvendit. Para seancës, sot, qeveria e Kosovës zhvilloi mbledhjen e 79-të, të 12-tën në vitin 2016, prej ku iu bë ftesë opozitës që të kthehet në Kuvend/

 -Këtë javë, në 17 dhe 18 mars, në Kosovë do të qëndrojë një mision i ekspertëve nga shtetet anëtare të BE-së për të vlerësuar përmbushjen e 8 rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Mars 2016/ Kuvendi i Kosovës zhvilloi sot një seancë plenare vetëm me një pikë në axhendë, të rëndësishme edhe për liberalizimin e vizave: Shqyrtimi i rekomandimit të Organit Përzgjedhës të Pavarur për emërimin e anëtarëve të Organin Shqyrtues të Prokurimit. Seanca u mbyll pa miratim, në mungesë të votave të nevojshme.

“Shpresoj që do të gjendet një zgjidhje. Unë nuk mund të konstatoj nëse duhet përsëritur votimi më, për faktin se përgjigjja është konkrete. Shpresoj që vërtet kemi ardhur në pikën që ndoshta grupet parlamentare duhet të deklarohen, por sidoqoftë nuk ka kaluar dhe presim që në seancat e ardhshme të vendosim për procedurat e mëtutjeshme”, tha kryesuesi i seancës, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti,  pas votimit të dytë, ku nuk pati vota të mjaftueshme si edhe në të parin.

Pas dy votimeve të përsëritura, Kuvendi nuk pati kuorum për emërimin e kryesuesit dhe të një anëtari të të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Nënkryetari Haliti bëri të ditur gjithashtu, se sipas rekomandimit të Organit Përzgjedhës të Pavarur, asnjëri nga kandidatët e propozuar nga komuniteti serb, nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për procedim në seancë plenare.

 Si u pa gjatë seancës, deputetetët e grupit parlementar të LDK-së me 33 anëtarë nuk votuan fare. Në sallën plenare të seancës së Kuvendit të Kosovës pa opozitën ishin 75 deputetë, 40 votuan pro, një kundër dhe një abstenoi.

“Pika (për Organin Shqyrtues të Prokurimit) ka të bëjë me liberalizimin e vizave dhe për këtë arsye do ta mbajmë seancën”, ka paralajmëruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke përmbyllur seancën e 10 marsit, e cila u zhvillua edhe pse opozita dy herë hodhi gaz lotsjellës në sallën plenare.

Opozita, me kërkesat për largimin e qeverisë e zgjedhje të jashtëzakonshme, ka paralajmëruar vazhdimin e protestave në 26 mars, ndërsa ka deklaruar se nuk do marrë pjesë në seancën e sotme duke theksuar se “bojkoti i Kuvendit të Kosovës është kundërshtim i marrëveshjeve për asociacionin e komunave serbe dhe demarkacionin e kufirit”.

Para seancës së Kuvendit, sot, qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi mbledhjen e 79-të, të 12-tën në vitin 2016, prej ku iu bë ftesë opozitës që të kthehet në Kuvend.

“Në emër të qeverisë i bëj ftesë opozitës që të kthehet në Kuvend, që të dialogojmë për të gjitha problemet që opozita i konsideron se e shqetësojnë, që subjektet e veçanta të opozitës të heqin dorë nga mjetet e dhunës për arritjen e qëllimeve politike, dhe po ashtu të hiqet dorë nga diskursi i cili ndjell urrejtje dhe i cili krijon një ambient në të cilin shfaqet dhuna dhe sulmi ndaj objekteve publike, institucioneve publike, policisë, objekteve private të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Kuvendi dhe qeveria u mbledhen sot ndërkohë që këtë javë, në 17 dhe 18 mars, në Kosovë do të qëndrojë një mision i ekspertëve nga shtetet anëtare të BE-së për të vlerësuar përmbushjen e 8 rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave.

 Në 18 dhjetor 2015, Komisioni Evropian ka publikuar raportin e fundit në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky raport ka konstatuar se nga gjithsejt 95 kritere të Udhërrëfyesit, 87 janë zbatuar plotësisht, gjersa ka dhënë rekomandime për 8 kritere që janë vlerësuar si të plotësuara pjesërisht.

 Misioni vlerësues do të jetë i përbërë nga katër ekspertë nga shtetet anëtare të BE-së dhe zyrtarë të Komisionit Evropian. Ky mision i paraprinë vizitës së Komisionerit Avramopoulos,  të paralajmëruar në Kosovë për t’u njohur për së afërmi me progresin e bërë në adresimin e kritereve të fundit për të rekomanduar më pastaj heqjen e vizave për qytetarët kosovarë.

 Ministria për Integrim Evropian ka koordinuar procesin dhe së bashku me institucionet tjera përgjegjëse kanë bërë pregaditjet e nevojshme për të pritur misionin vlerësues dhe për të prezentuar të gjitha masat e ndërmarra në zbatimin e 8 rekomandimeve të fundit në këtë proces.

Në seancën e kaluar, në 10 mars, Kuvendi i Republikës së Kosovës  ka miratuar Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian. Ky Program është dokumenti kryesor strategjik kombëtar për zbatimin e axhendës evropiane që mbulon periudhën pesëvjeçare 2016-2020 dhe fokusohet në tre aspekte strategjike të anëtarësimit në BE: Përmbushjen e detyrimeve të MSA-së; Përafrimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së; Zbatimin e legjislacionit të përafruar. 

Zbatimi i Programit do të nisë menjëherë me hyrjen në fuqi të MSA-së në fillim të muajit prill 2016.

Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg me Bashkimit Evropian, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosovë-Jahjaga: Deputetët, sot dështuan

The MassMutual Scholars Program

March 15, 2016 by dgreca

Vatra’s Educational Foundations would like to share the scholarship opportunity listed below with students who may qualify: 
The MassMutual Scholars Program 
The MassMutual Scholars Program is funded by the Massachusetts Mutual Life Insurance Company and is focused on expanding access and opportunity of higher education and employment to students who reflect the rich cultural diversity of our nation. They seek to increase the number of students completing college nationally, assist in decreasing student debt, raise awareness of careers in insurance and financial services, and recruit and retain the top talent touched by our programs. MassMutual looks forward to offering $150,000 in total funding for the 2016-2017 academic year.Eligibility criteria

  • Open to students of all majors
  • Will be entering sophomore, junior, senior or 5th year senior in pursuit of an undergraduate degree at an accredited college or university
  • Must be full-time undergraduate
  • Minimum Grade Point Average (GPA) 3.0
  • Must complete and submit for federal financial aid by completing the Free Application for Federal Student Aid (FAFSA) form at www.fafsa.ed.gov
  • Must show proof of U.S. citizenship or legal U.S. permanent residence

Please go to http://www.massmutual.scholarsapply.org/ for more information and to apply online. Please click here to view flyer with more information. The deadline is March 31, 2016 at 5:30pm.

Filed Under: Featured Tagged With: The MassMutual Scholars Program, Vatra's Educational Foundations

“Vetvrasja e një Kombi” dhe shtrembërimet historike të diktaturës

March 15, 2016 by dgreca

Nga  Mërgim Korça/

Nuk kam se si këto radhë mos t’i nis me pohimin madhor të autorit të librit i cili, në faqen e VIII-të të parathënjes q’i bën ai vetë librit, thotë shprehimisht e me gërma kubitale :
“… KISHA FILLUE PUNËN ARSIMTAR ME 1917 E FRYTET E KËNAQËSHME I KISHE PARASYSHË DITA E DITËS, FRYTE QË U RRITËSHIN VIT PËR VIT. KISHE PROVËN E PËRDITËSHME SE ISHE TUE SHARTUE SHPIRTIN TIM NË ZEMRAT E TYNE, SIÇ E KISHTE SHARTUE AT GJERGJ FISHTA, AT AMBROZ MARLASKAJ, MATI LOGORECI, NDUE PALUCA, GASPËR MIKELI E TË TJERË VETERANË T’ARSIMIT SHQIPTAR.
Porsa fillojshin të njohin historinë e Atdheut, entuziazmi i flakët, përzí me ankth, pushtonte zemrat e njoma të tyne e etja i shkrumonte me dijtë përherë e ma shumë. Të vegjël me moshë, të rritun në shpirtë, ishin gati me dhanë jetën për Atdhé, për bashkimin e të gjithë Shqiptarëve nën hijen e flamurit të Skenderbeut, e ma vonë, besa, disa nder ata ranë në Ltérin e Atdheut, për zgjanimin e Shqipnisë e për mbrojtjen e saj nga komunizmi.”
. . . . . . . . . .
Kaq, vetëm sa për një hap të parë duke ia hyrë detyrës q’i kam vënë vetes ta ndjek edhe ta analizoj me sy kritik vëllimin e autorit Kol Bib Mirakaj. Por ksisoji, nuk qëndroj dot pa ia bërë të qart’edhe lexuesit se si autori në fjalë atë që ai e quan shumë bukur shartim të shpirtit mësuesit në zemrat e nxënësve, nuk kishte si mos të më ngjallte në nënvetëdijen time një shumllojshmërí ndjenjash si edhe të më prekte thellë ! Pyes veten : A i kanë më, ndërsjelltas të tilla ndjenja, si mësuesit edhe nxënësit e sotëm në Shqipëri ? Apo internacionalizmi proletar, i diktuar dhunshëm përgjatë thuajse gjysëm shekulli nga diktatura komuniste, ua vuri shqelmin këtyre ndjenjave duke ngjallur atë EGOIZMIN E SKAJSHËM që mendimtari i madh Baba Rexhebi e quante : “ E keqja madhore e cila i ka gllabëruar njerëzit dhe nuk i lejon ata ta shikojnë më … ZOTIN E MADH ! “
DY FJALË RRETH VËLLIMIT NË PËRGJITHËSÍ : Që në krye dua ta them se me autorin e librit nuk më lidh asgjë e posaçme pararendëse, qoftë e trashëguar pa lé personale. Kjo e përgjithëshmja. Nga ana tjetër, dua që lexuesi ta dijë se nuk kam patur asnjëherë rast tjetër si përgjatë leximit të faqeve të këtij vëllimi titulluar “Vetvrasja e një Kombi”, që të kemqenë i detyruar dhe, thuajse secilën fjalí të shkruar në të gjitha faqet e librit, ta nënvizoj me ngjyra për vetë sqarimet që ato japin si edhe pozicionimin skajshëm asnjanës që ato paraqesin sa i takon autorit të tyre ! Do të shtoja këtu edhe një këndvështrim tjetër timin sipas të cilit, duke e lexuar këtë vëllim gjatë vitit 2015, shtatëdhjet’e një vite mbas përfundimit të konfliktit të II-të botëror si edhe gjashtëdhjet’e katër vite mbasi u shkrua nga vetë autori, vetë paraqitja e fakteve të kohës, shkoqitja e tyre sipas këndvështrimit të vetë autorit të vëllimit dhe ç’ësht’edhe më e rëndësishmja, paanësíja e skajëshme se si i trajton Z.Kol Bib Mirakaj rrethanat si edhe qëndrimin ndaj tyre, “… për t’i lanë historishkruesit të së nesërmes nji dokument që t’a kenë të gjithë Shqiptarët për studim”, tamam që më befasojnë ! Dhe me tëvërtetë që ky pohim i tij, me shikimin mbrapavështrues tonin, për aq sa i njohim zhvillimet e ngjarjeve në përgjithësí e deri në një farë mase edhe më gjerë, sa u takon saktësísë referencave, këndvështrimeve, thellësísë së vlerësimeve e doemos edhe rëndësísë që Z.Kol Bib Mirakaj u jep ngjarjeve vetë e gjithashtu edhe qëndrimeve për t’u mbajtur, të gjitha së bashku përbëjnë një mësimdhënje shëmbullore! Pikërisht kjo larmí paraqitje faktesh si edhe gjykimesh që jepen nga autori i vëllimit, na e bën tejet të vështirë analizën e kësaj vepre karakteri historik ! Neve në këtë mes na bíje barra, jo e papërfillëshme për nga pesha që duhet mbajtur, të dijmë t’ia paraqisim lexuesit të ndershëm, asnjanës si edhe gjykues të drejtë, aq pohime të Z.Kol Bib Mirakajt sa jo vetëm që mos ta mbingarkojmë lexuesin me thënje të autorit vëllimit por … t’ia forcojmë e aspak të mos ia zbehim shtysën që ai vetë ta lexojë këtë vëllim e përfundimet pastaj t’i nxjerrë në vetë të parë ! Nga ana tjetër nuk mundem t’i shmangem pohimit si edhe ftesës që u drejtoj historianëve bashkëkohës ta studjojnë këtë vepër shkencore karakteri historik ku autori, gërshetimine ndërsjellë të fakteve historike dhe vetëm fakteve, lidhur këta me gjykimin e tyre, ka patur në qëndër të vëmëndjes, gjithënjë kryekreje,INTERESAT KOMBËTAREdhe jo kurrë ato të grupit palé ato vetësore !
Pika kulmore tË cilave u hidhet dritË nga autori: Z.Kol Bib Mirakaj që në faqen me # 2 të vëllimit të tij thekson se si “ … Synimi i bolshevizmit është ZHDUKJA E PERSONALITETIT TË NJERIUT !“E bilé që ky pohim të mos mbetet i përgjithshëm edhe prai VAGËT, ai përcakton sakt’edhe dy faktorët e përdorur nga ai sistem për ta transformuar njeriun në një maqinë të pavullnetëshme :
1- Faktorin ekonomik
2- Faktorin moral
Dhe né, për ta bërë të prekëshme këtë idé që shtron autori i vëllimit, po sjellim një nga citatet e famëshme të Leninit që thotë : “E gjithë shoqëría do të kthehet në një zyrë si edhe një fabrikë të vetme, me punë të njajtë, si edhe pagë të njajtë.”
Nuk mundemi ta anashkalojmë këtë gur themeli që shtron Z.Kol Bib Mirakaj pa e mbështetur me thënjen e Tij madhore se si : “ … Kolkozet, (kupto kooperativat bujqësore – M.K.), fermat e fabrikat e çfardotjetër kompleks prodhimi që demagogjia komuniste me propagandë të paturpëshme, kërkon ti japin iluzionin masave të puntorëve, se gjoja janë pronë e tyre, për dobinë e përbashkët të puntorit e të punëdhanësit, (shtetit) … asht gënjeshtër e pathemel … Gënjeshtër e paturp, me që puntori asht i detyruem me punue përtej çdo kufini të ligjeve fizike me pagesë urije, pa të drejtë me kontrollue punëdhanësin …”. E nënvizuam këtë pohim të autorit, sepse deshëm që lexuesi ta shikojë se me ç’realizëm ai vetë, PA I PASË PËRJETUAR SITUATAT ASPAK NË VETË TË PARË, KA NJOHUR ME THEMEL LIDHUR ME SA E SI AI KA PËRSHKRUAR !
Sa i takon gjëndjes europiane pas përfundimit të konfliKtit të II-të Botëror, Z.Kol Bib Mirakaj shprehet sikur bën një parashikim karakteri jo vetëm largpamës por edhe thuajse VEGIMORtek pohon : “… Sa çmendí ka kenë m’e lanë Shqipninë nën sundimin e Rusisë, e me sigurí do të jenë kujtue tashma Anglia dhe Amerika, në se u ka dalë kllapía dhe euforía rusveltjane – çërçiljane … se qëllimi i vërtetë i drejtuesve të Kremlinit ishte dhe mbetet : IMPERIALIZMI PANSLLAV, i trashiguem nga Carët, me ndryshim se Carët synojshin me muejtë m’e shtrije Perandorinë deri përtej Dardaneleve e deri në grykë t’Otrantos kurse Carët e kuq synojnë të dominojnë drejtazi apo tërthorazi gjithë lamshin e Botës … Ultimatum duhet me u dhanë tiranëve të Kremlinit para se të jetë tepër vonë që të vihen në hullí t’arsyes … e vetëm tue pasë Bota e Lirë në krye Sh.B.A.- të … mund të shpëtohet njerëzimi nga shkatrrimi i nji Lufte të Tretë Botnore … Ky asht realiteti tragjik qi rrjedhë nga hapja e dyerve t’Europës dhe t’Azisë … imperializmitpansllav “. Mendoj se nuk ka asnjë arësye të shtoj unë komente ndaj këtyre thënjeve të Z.Kol Bib Mirakaj, por i cili ka pohuar edhe lënë me shkrim jo pak, por po e përsëris 64 vite të shkuara, dhe ka ndërtuar një shteg përgjatë të cilit jo vetëm që u shtjelluan ngjarjet gjatë këtyre dhjetvjeçarëve por … edhe sot si sot nuk ke se ç’i luan një presje pohimeve të Tij !
Me këtë rast nuk mundem të hesht e të mos e shtrij vëzhgimin disi më gjerë dhe, mbështetur në pohimet e Z.Kol Bib Mirakaj si edhe në zhvillimet e ngjarjeve në vazhdim, mos ta vé në dukje se sa kobzí ishte qëndrimi i Aleatëve Perëndimorë të cilët për interesat e tyre të çastit luajtën me fatet e miliona njerëzve kombesh të ndryshëm që dashur padashur u inkuadruan në shtetet që formuan t’ashtuquajturin Kampin Socialist t’Europës Lindore ! Konkretisht në vëndin tonë një pjes’e mirë atdhetarësh të mirëfilltë u përfshinë edhe ata fillimisht në radhët e asaj që u emërtua Lufta Nacional Çlirimtare ! Kurse atdhetarët e tjerë, të cilëve shikimi u përfshinte një lak më të gjerë kohor, gjeografik e gjithashtu edhe njohurishë karakteri të mirëfilltë historik e që kryesisht ishin intelektualë si edhe atdhetárë të mirëfilltë që për interesa kombëtare i kishin rrezikuar në mënyrë të përsëritur edhe jetët e tyre, nuk u bashkuan me L.N.Çl., por ama formuan atë kategori e cila me anën e atentateve nga ana e t’ashtuquajturve Njësite Guerrile, ranë që në fillim nën plumbat e atyre që pikërisht u përdorën nga drejtuesitpansllavësi masha kriminale gjaksore kundra elitës së kombit tonë ! Në vazhdim, pjesa tjetër e mbetur gjallë e kësaj kategoríe atdhetarësh, u kositën nga skuadrat e pushkatimeve që vepronin, e ndjej të nevojëshme ta theksoj edhe një herë, nën urdhërat e të lidhurve këmb’e kokë për interesa thjeshtë personale, me drejtuesit sllavë të asaj që qé emërtuar Partia Komuniste Shqiptare !
Me këtë rast më duket sikur e dëgjoj nga përtej gropës ku iu kalbën eshtrat Patër Giovanni Faustit, meshtarit të pushkatuar me 4 Mars të vitit 1947, (si m’i ka pasë rrëfyer Ernest Dema i burgosur që 16-vjeçar dhe i dënuar nga i njejti trup gjykues si edhe në të njajtin grup me Patër Faustin), i cilinë fjalën e Tij të fundit qé shprehur : “… Fillimisht mjérintelektualët si edhe klerikët ! Në vazhdim mjér të kámunit !Mbas tynemjérklasa katundare seç’kanë me hjekë ! Në vijím, shtegu juej ka me ju çue drejt asaj qi për klasën puntore t’cillën keni m’e krijue, të thuhet mjér ajo!Përgjatë ksí shtegu mandej mjér e gjithë kategoríja drejtuese e cilla e mbështeti krijimin si edhe forcimin e shtetit të diktaturës proletare e mandej si e verbët ecte mbas gjurmëve të diktatorit ! E s’fundit mjér i gjithë populli !“
Me pak fjalë, autori i veprës që po trajtojmë, sikur t’i kishte pasë dëgjuar fjalët profetike të Patër Faustit shprehur në fjalën e Tij të fundit para trupit gjykues, e lidhur kjo me aq përvojë sa mund të kishte parë qartë se si kur Gjermania hitleriane – naziste të mos kishte më se si të përbënte një rrezik për anglo – amerikanët, e kur diktatori i kuq Stalini i kishte shfaqur hapur synimet e tij që ishin bërë të qartë, Z.Kol Bib Mirakaj ua heq vrejtjen aleatëve perëndimorë që nuk e lejuan Gjermaninë hitleriane të merrej vetëm për vetëm me Rusinë Bolshevike e t’i a dërmonin brinjët ndërsjelltas njera tjetrës ! E pikërisht ndër ato rrethana kur tashmë ishte lëshuar kushtrimi lidhur me gjëndjen e përgjithëshme se MBAROI SHQIPËRIA, Kol Bib Mirakaj bën pohimin madhor “ENVER HOXHËN ME SHOKË I SOLLI NË FUQÍ SLLAVIZMI ME AMERIKANËT DHE JO AFTËSÍJA E TYRE ! T’I A SHTRIJMË DORËN VLLAZNISHT KUJTDO QË FATI OSE GJYKIMI I SHËNDOSHË E KA SHTYE TË PËRQAFOJË KAUZËN ANTIBOLSHEVIKE …”!
Në vazhdim Z.Kol Bib Mirakaj na jep edhe një mësim tjetër madhor tek pohon se “ … Raportet në mes popujve rregullohen në bazë interesash e forcash dhe jo simpatíshë, demagogjishë e iluzionesh … e pra nëse nuk do të jemi në gjëndje ti paraqitemi Botës së Lirë si trup kombëtar që mund t’apim kontributin që na përket në kauzën e madhe të mbrojtjes kundra bolshevizmit pansllav, ne do të vazhdojmë të ngelim siç jemi sot, grupthe grindavecësh, element shkatrrimtar e jo ndërtues, askush nuk ka për t’na vue veshin … Né në vend që të përpiqemi për shpëtimin e Atdheut, përpiqemi ti nxjerrim sytë shoqi-shoqit !”
Pikërisht kjo hedhje vështrimi mbrapavështrues ndaj si i shpjegon autori i librit në fjalë situatat qoftë gjatë zhvillimit të ngjarjeve të L.II-të Botërore si edhe në vazhdim, na detyrojnë të pranojmë se si Nacionalizma Shqiptare në përgjithësí rá në kurthin e ngritur nga komunistët jugosllavë që ishin organizatorët e asaj q’u emërtua L.N.Çl. ! Kjo e fundit, e kurdisur prej tyre me qëllimin e caktuar që të luftohej pikërisht ajo kategorí e mirëfilltë e cila e krijoi dhe vazhdoi ta mbështeste forcimin e Shtetit Shqiptar,duke dashur të dërguarit e Jugosllavisë t’i pengoninsi edhe paralizonin brezat e intelektualëve si edhe dashuruesve të Atdheut Shqiptar në lidhjet e tyre me brezat pasues e në vazhdim edhe taasgjësoninatë vijueshmërí !
Lidhur me këtë pozicionim sa për një shëmbull të prekshëm ku historianët bashkëkohorë, ish dishepujt e atyre pseudohistorianëve pjella të diktaturës komuniste, q’e shtrembëruan si deshën historínë si edhe të vërtetat e saja dhe në një kohë që edhe sot njeri syresh, e pikërisht ai i cili mundohet objektivisht të duket sa më i paanshëm, profesor Pëllumb Xhufi shprehet e thotë : “ … Mustafa Kruja u bë kryeministër i një prej qeverive kuislinge më të urryera të historisë Shqipërisë …”, për hir të së vërtetës nuk rrijmë dot pa ia kundërvënë dy anë të së njajtës medalje, atë të personalitetit të shquar atdhetár dhe nënshkrues të Dokumentit Pavarësísë e gjithashtu të kryesuesit të qeverisë, por edhe gjuhëtarit më se të shquar Mustafa Krujës, e cila qeveri jo pak por pikërisht 30 (tridhjetë) vite para Kongresit të Drejtshkrimit, e zyrtarizoi si qeverí vendimin e marrë nga Instituti i Studimeve Shqiptare q’e caktoi të folmen e qytetit të Elbasanit si Gjuhë Zyrtare të Njësuar Shqipe, (Vendimi Nr.61 dt.21 shkurt 1942), gjë të cilën asnjeri nga tekstet e historisë e as edhe asnjeri historian i ish diktaturës komuniste kurrë nuk e kanë pohuar !
Gjithashtu lexuesi i vemendshëm po iu referua Ditarit Politik të ish ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë Fashiste të asaj kohe si edhe dhëndërrit të Mussolinit, Contit Galeazzo Ciano, do të gjejë se ai, në Ditarin Politik të tij, (botim i Rizzol-it i vitit 1990 në faqen 556), lidhur me emërimin në Shqipëri të Mustafa Krujës si Kryeministër ka shkruar : “ … ky një lëshim i mëtejshëm ndaj ekstremistëve të nacionalizmës shqiptare !
Ndalemi pikërisht këtu tashti dhe sjellim njërin nga pohimet madhore me të cilët shprehet autori i vëllimit kuptimplotë ” Vetvrasja e një Kombi “, Z. Kol Bib Mirakaj,tek thotë se ç’ka shkruar “ … asht e vërteta e çveshun lakuriq e ngjarjeve.” Ja pra si e cilëson qëndrimin si edhe veprimet e Mustafa Krujës autori i vëllimit të sipërpërmendur në faqen 68 ku ai ndër të tjera pohon edhe thotë :
“ Përsa kam pasë rasë ti njoh burrat e Shqipnisë, (në rasa e kohë të mjaftueshme për të mujtë me dhanë nji gjykim), mund të them se, në se ndokush ndër ta e meriton cilësinë që të quhet Burrë shteti e patriot, këto cilësí i ka Mustafa Kruja, me të vërtetë; nder’e vlerë kombtare, kur atyne cilësive u shtohet edhe kultura e gjanë e Tij. Prandej asht dam i madh që nji vlerë e tillë të struket anash … Megjithse, edhe unë jam i akuzuem nga “ata” që patriotizmin e kanë në maje të gjuhës, dhe “theorinat” i bajnë në tavolinat e kafeve, e ndjej për detyrë të baj edhe nji tjetër dëshmi ndaj këtij Burri :
Prej Majit 1942, e deri në dorëheqjen e kabinetit, kam kenë edhe unë Ministër – Sekretar i P.F.SH., në qeverin e Tij, dhe kam pasë rasë ti ndjek e njoh imtësisht ndjenjat e Tija, përpjekjet e zotsinë e shqueme, dhe dishmoj para Zotit e Kombit, se : Gjithë veprën e Tij, Ai e ka zhvillue me ndjenjën ma të kullueme për të mirën e Atdheut, për aqsa e kanë lejue rrethanat e kohës. Ndershmëninë e Tij ia dëshmon gjendja e Tij në këte mërgim: Ai kje pa bukë në bark e pa strehë ku me shtij kryet mbrendë, po të mos kishin kenë thonjtë e së motrës e bujaria e Mbretit Zog.
Asht Ky, e jo “ai”, që disa të pandërgjegjshëm donë ta paraqesin, kush asht Mustafa Kruja. E për tashti, po e la me kaq këtë atdhetar e Burrë të shquem dhe shumë të vuejtun, për të shpjegue prap tjera gja në rradhën e veprimeve tona.“ E doemos nuk kam se si mos ta vé në dukje faktin se si me cilësorin disa të pandërgjegjshëm, autori i vëllimit që diskutojmë, ka cilësuar shtrembëruesit e historisë së vëndit tonë të cilët, që nga 7 prilli i zí e në vazhdimin e saj të kobshëm mbas asaj q’e quajnë “dita e çlirimit”, nuk kanë shkruar histori të mbështetur në fakte por vetëm histori t’indoktrinuar!
Gjatë kësaj vazhde, pa ndërhyrë unë fare me mendimet si edhe me pikëpamjet e mia, ia rekomandoj lexuesit t’i ndjekë me vëmëndje të përqëndruar shkëmbimet e mendimeve përballë njeritjetrit të autorit vëllimit, Z.Kol Bib Mirakaj drejtuar Mussolinit në takimin me të më 23 Prill të vitit 1943 si edhe anasjelltas replikat e Duçes. Mbasi t’i keni lexuar unë vetëm një pyetje shtroj : A ka se si të quhen pikëpamje si edhe logjikë e një kolaboracionisti egoist e tradhëtar problemet që shtron Z.Kol Bib Mirakaj, apo pohime të një atdhetari të palëkundshëm ndaj interesave të Atdheut të Tij dhe vetëm Atdheut tek i drejtohet dhe i thotë : “ Duçe ! Po ta veni Popullin Shqiptar në gjendje m’e mbrojtë egzistencën e tij, do t’i jepni edhe provën konkrete se vërtetë e doni me zemër ashtu siç e keni deklarue. Kësisoji do t’i zhdukni çdo dyshim që ka sot ndaj Italisë … ! “ Dhe më poshtë pastaj vazhdon edhe se si i ka propozuar “ Pushimin e funksjonit të Partisë Fashiste Shqiptare dhe zëvëndësimin e saj me Lëvizjen e Bijve të Shqipes … sepse Ju vetë e dini se një Lëvizje Kombëtare për të kenë i sigurtë suksesi i saj, duhet të ketë zanë fill nga ndjesitë e tradicjoni i Popullit … “
Në vazhdim ndonjë nga pohimet e Duçes në përgjigje zotit K.B.Mirakaj, (pohime të cilët gjënden në arkiva tek dosja – Protokolle Takimesh -) : “ Jam thellësisht i prekun nga sinqeriteti me të cilin më foli kaq kjartë e me zemër haptë kamerata Mirakaj. Më keni folë burrnishtedhe tjeraherë si Ju shkëlqesë, ashtu dhe të tjerë përgjegjësa e patriotë Shqiptarë… Ju jap autorizimin ta shkëmbeni Partinë Fashiste Shqiptare në “Lëvizjen e Bijve të Shqipes” e t’i jepni ato karakteristika e atë frymë që ma mirë e ma me dobi u përshtaten ndjenjave, nevojave e dishirave të popullit tuej … Çdo therorí duhet të bajë nji popull për të dalë me nder ! “
Përgjatë këtij shtegu po sjellim tashti një dokument nga Arkivi i Londrës rreth takimit që kanë patur dy kolaboracionistët me damkë, (sipas historianëve të partisë komuniste), Gjon Markagjoni si edhe Kol Bib Mirakajme Majorin P.A.B.Neel me 3Prill 1943. Dokumentin ia sjell jo aq lexuesit të paanshëm i cili nuk ka pse ta marrë mundimin e të hulumtojë aq thellë; kurse e sjell pikërisht për vazhduesit e veprës së historianëve të indoktrinuar të cilëve jo vetëm që ua rekomandoj ta gjejn’e ta lexojnë dhe, pa patur ata asnjë detyrim të më besojnë mua, t’i gjurmojnë vetë zhvillimet e veprimeve të atyre atdhetarëve të shquar që ata vazhdojn’edhe sot e i quajnë kolaboracionist’edhe tradhëtarë të Atdheut vetëm se të ndikuar nga ideologjía e tyre e mbrapshtë komuniste. Nga ana tjetër e sjellim këtë dokument që të krahasohet me sa e si i hedh dritë takimit me Majorin Neel autori i librit, zoti Kol Bib Mirakaj, krahasuar ato me dokumentin zyrtar anglez :
ARCHIVES – N. 1328 HS5/132
S.O.E. ALBANIA – B.L.O. Report “J”
Volume (Formerly 41/490/19) 116
SUBJECT
ALBANIA B.L.O. Report “J”
W/Cdr. P.A.B. Neel
Capt. J.C. Hiberdine
F.H. Brandt
Ja edhe përkthimi i përmbledhjes sintetike lexuesit të nderuar, (siç e kanë artikuluar në dokumentin arkivor vetë anglezët takimin) :

-“ Kam pasë qenë vënë në dijení nga K. sapo arrita në Verí se atje gjëndeshin dy bashkëpunëtorë të njohur, Gjon MARKAGJONI si edhe Kol Bib MIRAKAJ, dhe përgjatë gjithë dimrit kishte raporte të vazhdueshme se të dy personat pranonin armë si edhe të holla nga GJERMANËTqë të luftoheshin vetë partizanët. Takimi u zhvillua në shtëpin’e Kol Bibës në IBALLE (B.53)duke qen’i pranishëm edhe Hilmi LEKA. Ata vetë pohuan se, që nga kapitullimi i Italisë që të dy ata kanë patur raste të pranonin poste zyrtare me GJERMANËTpor ata i refuzuan sepse nuk ishin mbështetës të pushtimit GJERMAN. Që të dy ishin pro-ITALIANË … sepse vetë pozicioni gjeografik i saj, ësht’e ditur se ia jep mundësitë si shtet t’ia japë SHQIPËRISËdorën udhëzuese ndaj së cilës ajo ësht’edhe aq nevojtare.
Ata që të dy pohuan se e admironin lart ANGLINË, jo në atë livel AMERIKËN, por duke mos ngjarë kjo aspak me RUSINË.
Kol Biba pohoi se po të mos ia garantonin ALEATËT SHQIPËRISËmbas lufte kufijtë si edhe fati i KOSOVËStë mos vendosej nga një plebishit i drejtë, i cili t’i siguronte popullit një ideal për të cilin të luftonin, kishte me qen’e pamundur për cilindo të organizonte në shkallë të gjerë një kryengritje kundra GJERMANËVE.-“
Nuk kam se si mos të shtoj përgjatë këtij shtegu, se si lexuesi do të gjejë përgjatë leximit të librit shkruar nga Z. Kol Bib Mirakaj, edhe dokumenta autentike se si e trajtonte “ÇËSHTJEN SHQIPTARE”Komandanti i Shtatmadhorísë së nacionalistëve sllavë Drag.M.Mihajloviqi ku mes gjashtë dokumentashshihet fryma skajshëm sllave dhe kundrashqiptare e tyre, në një kohë që pala besnike e Kremlinit, ësht’e tepërt ta diskutojmë se tashmë ësht’e ditur, e donte inkuadrimin e plotë të Shqipërisë në Federatën Jugosllave gjë që e mbështeti fort edhe Enver Hoxha në atë famëkeqe mbledhje të Byrosë Politike të Partisë mepohimin e tij më 15 Dhjetor të vitit1947, në pranín’e të dërguarit të Mareshallit Tito, Sava Zllatiç-it, ku Enver Hoxha deklaron, (proçes-verbali i asaj mbledhje ruhet në dokumenta Arkivi – shënim M.K.) :” … Tani që e likuiduam këtë pengesë, (Nako Spirun – shënim M.K.), duhet t’a fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin,PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË…”
I citova të gjitha sa sipër për të vetmen arësye që lexuesi të më ndjekë duke kuptuar se si e vërteta rrethtë gjithë varguttë zhvillimeve përgjatë dhjetravjeçarëve, bije dukshëm ndésh me pohimet në vazhdimësí si edhe qëndrimet e asaj kategoríe e cila jo vetëm që pretendon se i trajton zhvillimet historike por edhe është ngarkuar, e kjo edhe e keqja më e madhe,t’i rihartojë tekstet e HISTORISË SË SHQIPËRISË !
Në këtë drejtim, pa as më të voglin dyshim, vëllimi me kujtime si edhe konsiderata karakteri historik i titulluar nga vetë autori “VETVRASJA E NJË KOMBI” i shkruar nga Z.Kol Bib Mirakaj, jep një dëshmí jo vetëm të saktë por edhe të mirëfilltë lidhur me heshtjen rreth së vërtetash si edhe shtrembërimeve sa u takon fakteve historike që gjatë kohës së diktaturës si edhe sot e kësaj dite, vazhdojn’e trajtohen me të njajtin fanatizëm nga historianët e ideollogjizuar të dikurshëm.(Kortezi:Gazeta Minerva)

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe shtremberimet e Diktatures, Mergim Korca, Vetvrasja e nje Kombi

Shenjtërimi i Nënë Terezës me 4 Shtator

March 15, 2016 by dgreca

Ati i Shenjtë firmos dekretin: Më 4 shtator, shenjtërimi i Nënë Terezës/

Nënë Tereza do të cilësohet zyrtarisht si “e shenjtë” ditën e dielë, më 4 shtator 2016.Kjo pasi Papa Françesku ka firmosur sot dekretin e shenjtërimit të saj, event ky që do të mbahet në bazilikën e Shën-Pjetrit në Vatikan. Ndryshe nga sa kishte kërkuar Kisha Katolike Indiane, ceremonia e Shenjtërimit të Nënë Terezës do të jetë eventi kryesor i Viti Jubilar të Mëshirës në Vatikan.

Dhe data 4 shtator do të shënohet në Kalenderin Apostol, pikërisht si Dita e Shenjtores shqiptare Nënë Tereza e Kalkutës.Kujtojmë se në 17 dhjetorin e kaluar, Papa Françesku ka firmosur dekretin për njohjen e mrekullisë së kryer nga Nënë Tereza në shërimin e plotë nga një tumor në tru, në gjendje mjaft të avancuar të një besimtari nga dioqeza e Santos, në San Paolo të Brazilit.

Kurse më 19 tetor të vitit 2003, Papa Gjon Pali II e shpalli Nënë Terezën si “E lume” dhe sipas rregullave të së drejtës kanonike, festa e saj kremtohet çdo vit më datën 5 shtator, pikërisht në ditën e saj të lindjes.

Filed Under: Komente Tagged With: 4 shtator, Nene Tereza, shpallet Shenjtereshe

Në Tiranë vendoset busti i Papa Françeskut

March 15, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani përuron bustin e Papa Françeskut: Të përsosim veten e të tjerët rreth nesh për të rigjetur dhe fituar paqen me njëri-tjetrin, në mënyrë që Shqipëria të bëhet vërtet një zonjë e hirshme./

15 mars 2016- Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani mori pjesë sot paradite në ceremoninë e përurimit të bustit të Atit të Shenjtë, Papa Françeskut në Tiranë, me autor skulptorin Qazim Arifi, ku ishin të pranishëm gjithashtu anëtarë të Qeverisë, deputetë të Kuvendit, Nunci Apostolik Imzot Ramiro Moliner Ingles, përfaqësues të Trupit Diplomatik, Kryebashkiaku Erion Veliaj, drejtues të pushtetit vendor dhe të bashkësive fetare në vend, etj.

Në fillim të ceremonisë, Kreu i Shtetit shqiptar, së bashku me Nuncin Apostolik dhe Kryebashkiakun e Tiranës përuruan bustin e Atit të Shenjtë, Papa Françeskut me rastin e trevjetorit të tij Papnor.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit vuri në dukje se pikërisht në këtë bulevard, të cilin Papa Françesku e përshkroi personalisht duke e bekuar vetë këtë popull të shumëvuajtur martirësh, ndihej i emocionuar sepse “në cilësinë e Kryetarit të Shtetit, por edhe si qytetar i këtij vendi, mbushem me krenari kur mendoj se kemi fatin të jemi të gjithë dëshmitarë se si busti i Atit të Shenjtë po përurohet pikërisht këtu, pranë Kambanës së Paqes dhe aq më tepër, përpara ish-muzeut të diktatorit, ideologjia e dështuar e të cilit dikur u përpoq jo vetëm të shembte kisha e xhamia, të burgoste e të vriste klerikë e besimtarë të pafajshëm, por madje të na shpallte të gjithëve pa përjashtim, ateistë.”

Duke theksuar se megjithëse Shqipëria përjetoi gjatë shekullit të kaluar një periudhë të errët të historisë së tij në diktaturë, kur përveç të tjerash, ajo u karakterizua edhe nga ndalimi i fesë duke u vetëshpallur në mënyrë absurde si vendi i vetëm ateist në botë, Presidenti Nishani u shpreh: “Besimi në Zot dhe në vlerat e vërteta njerëzore as mund të ndalohet, as mund të zhduket, as mund të tjetërsohet kurrsesi sado shtypëse dhe gjakatare të jenë forcat tiranike që u rrekën më kot ta bënin atë. Bashkësitë fetare në vendin tonë, klerikët dhe besimtarët e devotshëm në përgjithësi, Kisha Katolike në veçanti me martirët e saj frymëzues ia doli mbanë ta ruajë të paprekur atë besim e të ringjallet sërish në fundin e vitit të largët 1990.”

Kreu i Shtetit nënvizoi faktin se: “Me parimet dhe me besimin e patjetërsueshëm të kësaj Kishe, u rrit, veproi, bëri bamirësi, ushqeu me dashuri e shpresë duke u lartësuar në sy të gjithë njerëzimit shtatvogla, por vepërmadhja Nënë Terezë. Dekreti i shpalljes shenjtore të Nënë Terezës pritet të firmoset nga Ati i Shenjtë, duke e shndërruar atë ditë në njërën prej më të rëndësishmet në historinë e kombit shqiptar e duke na bërë krenarë jo vetëm ne, bashkatdhetarët e saj, por botën mbarë dhe të gjithë ata që kanë pasur fatin ta ndiejnë e  ta përjetojnë mirësinë, butësinë dhe dashurinë e saj pa kushte, deri në mrekulli. Përfitoj nga rasti sot t’i shpreh edhe njëherë Atit të Shenjtë, Papa Françeskut falënderimet më të ndjera si dhe mirënjohjen e thellë në emër të të gjithë shqiptarëve për këtë shenjtërim më se të merituar!”

Presidenti Nishani vuri në dukje: “Bashkëjetesa dhe harmonia fetare mes komuniteteve fetare dhe besimtarëve shqiptarë na ka bërë të veçantë jo vetëm në rajonin tonë, por në mbarë rruzullin. Modeli i lartësimit drejt qiellit të pastër shqiptar të minareve të xhamive, krah përkrah kambanoreve të katedraleve dhe kishave ortodokse dhe katolike dhe teqeve bektashiane, shërben vërtet si diamanti i kurorës fisnike që mban në kokë prej shekujsh populli ynë, por këtë vlerë të rrallë duhet ta ndajmë e ta përhapim edhe me popujt e tjerë në këto kohë kaq të turbullta kur besimi fetar po keqpërdorohet e po shfrytëzohet për të nxitur urrejtje dhe gjakderdhje barbare të paimagjinueshme në shekullin e njëzet e një.”

“Shqipëria dhe besimtarët shqiptarë, jo vetëm ata katolikë, e pritën Papa Françeskun më 21 shtator 2014 duke i hapur dyert e zemrave e të shpirtrave, sepse Ai, veç të tjerash, erdhi në këtë tokë heronjsh dhe martirësh, edhe për të na dhënë një këshillë, duke na përgëzuar njëkohësisht për të: Që ta ruajmë si sytë e ballit bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme. Duke vështruar bustin e të këtij prelati të shenjtë, të këtij njeriu të përunjur, por jashtëzakonisht mbresëlënës, të cilin kam pasur fatin ta takoj, më vijnë ndër mend fjalët aq aktuale të Papa Françeskut në mesazhin e tij më të fundit me rastin e Ditës Botërore të Paqes, që m’u dorëzua në Institucionin e Presidentit në Ditën e Krishtlindjeve nga Nunci Apostolik: ‘Mposhtni indiferencën dhe arrini paqen!’ Le të na shërbejë ky mesazh i thjeshtë, por mjaft kuptimplotë e frymëzues për të përsosur veten dhe të tjerët rreth nesh dhe për të rigjetur dhe fituar paqen me njëri-tjetrin në mënyrë që Shqipëria të bëhet vërtet një zonjë e hirshme, ashtu siç edhe e meriton!” – u shpreh Presidenti Nishani gjatë fjalës së Tij me këtë rast.

Filed Under: Kronike Tagged With: busti i Papa Fraceskut, ne Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2995
  • 2996
  • 2997
  • 2998
  • 2999
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT