• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ndihmë për shërimin e Anilës

March 15, 2016 by dgreca

Hija e brengosjes së kuptueshme dhe peizazhi i vrenjtur i vuajtjes së rënduar, studentes 20 vjeçare Anila Brahaj nga fshati Gjonaj i Hasit (Komuna e Prizrenit), i kanë mbuluar gëzimin dhe bukurinë e natyrshme në fytyrën dikur të hareshme të saj.

Ajo, që nga ditët e para, me shumë shpresë dhe sukses të lakmueshëm, vijonte studimet në fakultetin juridik, pranë Universitetit shtetërorë “Ukshin Hoti” në qytetin historik të Prizrenit.

Por, para pakë kohe, mu në vlugun e studimeve dhe moshën e saj më të mirë, ajo mjerisht mori lajmin e dhimbshëm për goditjen nga sëmundja e leukemisë akute.

Një lajm i hidhur, që zbehu ëndrrat e studentes së mrekullueshme 20 vjeçare, një  pezullim i padëshirueshëm i mësimeve dhe largim i përvuajtur nga shokët dhe shoqet e Universitetit, mundim i rëndë edhe për prindërit, vëllezërit e motrat, si dhe tërë familjen e saj, që e duanë aq shumë Anilën, deri në adhurim.

Një goditje vërtetë e pafat, pikërisht në momentin kur të gjithë neve, na ndajnë vetëm edhe pak ditë nga fillimi kalendarik i Pranverës, stinës më të bukur të gjelbërimit dhe rilindjes së jetës në këto anë e më gjerë.Ajo nuk u ankua kurrë më parë, qoftë dhe njëherë të vetme, deri më tani,çdo gjë ishte në rregull me jetën e saj.

Anila ,vetëm, para pak ditësh, papritmas mori vesh diagnozën e trishtuese të sëmundjes që e mundon.Gëzimi i saj dhe shpresa e familjes u goditën fort nga ky lajm i papritur.

Studentja shembullore, nga një thesar i dijes u kthye në një mal me vuajtje për bashkëfamiljarët dhe të gjithë të afërmit e dashamirët e saj, të cilët duan ta shohin atë përsëri shëndosh e mirë.

Mjerisht leukemia, është shndërruar në plagën më të dhimbshme dhe “bestsellerin” më të hidhur në Kosovë, si në asnjë vend tjetër në rajon.

Shkaqet e kësaj sëmundje që në vendin tonë, kaq shpesh përsëritet, sigurisht duhet kërkuar te konsumimi i ushqimeve të dyshimta të cilat me lejen e pushtetarëve tanë të korruptuar, pa asnjë kontroll, për çdo ditë futen nga Serbia në Kosovë.

Në një vend të varfër me kaq shumë milioner të dyshimtë, në spitalet e të cilit mungojnë edhe barnat më elementare,ku nuk ekzistojnë sigurimet shëndetësore të banorëve as përkrahja institucionale e të sëmurëve, natyrisht ndihmat nga populli i varfër e i papunësuar, mbeten të vogla e të kufizuara.

Kurse, milionerët e rinj, kurrë nuk e hapin qesen e mbushur me parat haram të grumbulluara përmes hajnisë, të cilët po qese nuk bëhet fjalë për tenderë milionësh e me përfitime të mëdha për ta, për raste sëmundjesh të rënda si këto, edhe pse të pa kurueshme në vend, ata asnjëherë nuk e zgjatin dorën e tyre koprrace!.

Një paradoks trishtues ky, që edhe në shekullin XXI, e kthen këtë vend në përjetimet e kohës së Migjenit.

 Megjithatë Anila ka shumë besim te njerëzit human dhe vullnetmirë, me ndihmën e të cilëve, ajo shpreson të shërohet përsëri.

Familja nuk ka mundësi financiare të përgjigjet për shërimin e Anilës kurse një ndërhyrje e suksesshme për kurimin e kësaj sëmundje, mund të bëhet vetëm jashtë vendit, në mënyrë që ajo të buzëqeshë përsëri dhe gëzoj vitet e rinisë që ka përpara,.

Ndaj,lutjeve të saj për ndihmë, drejtuar të gjithë bashkëkombësve shqiptar kudo janë ata, u bashkohet edhe autori i këtyre rreshtave, me dëshirën më të mirë që Anilës ti buzëqesh përsëri fati, të trajtohet sa më shpejtë me sukses dhe kthehet familjes plotësisht e shëruar, e mbushur me shpresa të reja dhe gëzim e hare që ajo i meriton, si dhe të shijojë bukurinë e luleve të kësaj dhe shumë pranverave tjera

Për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që kanë mundësi të ofrojnë ndihmën e tyre dashamirëse për shërimin e Anilës, këtu më poshtë, po vendosë edhe Numrin e Gjirollogarisë si dhe IBAN Numrin e Bankës ku mund ti depononi ndihmat tuaja, menaxhues i të cilave është Prindi i Anilës, Isen Brahaj.

 Kontoja për kontribuuesit në Kosovë;

Nr. i llogarisë: 1501090003545035

 Ndërsa për ndihmat nga diaspora, luteni të përdorni konton me këtë:

SWIFT CODE: RBKOXKPR

IBAN dhe Nr. të llogarisë: XK051501090003545035

 Edhe për ata që dëshirojnë të pyesin, kërkojnë sqarime të nevojshme apo të komunikojnë drejtpërdrejtë me prindërit, lidhur me ndihmat apo gjendjen e Anilës, numrat e telefonit janë: +386 49 377 173 dhe +386 49 292 688.

 

Për ndihmën dhe mbështetjen tuaj ,sado modeste dhe të çfarëdo shume apo natyre qofshin ato, të gjithë kontribuuesit nga cilado anë e trojeve shqiptare, të çdo moshe dhe gjinie, do të mbeten përjetësisht të falënderuar, nga Anila Brahaj dhe Familja e saj.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Anila Brahaj, Ndihmojeni

Nga Tirana në New York: Matteo Brento debuton në Amerikë

March 15, 2016 by dgreca

Nga Ermira Babamusta/

Këngëtari nga Pulia, i njohur për pubikun shqiptar si italiani i X-Factor Albania do prezantojë këngën e tij të re titulluar #21 (Goodbye My Love) / “Mirupafshim Dashuria Ime” në “Mollën e Madhe”. Matteo Brento është një nga Vipat e ftuar special, që do udhëtojë në New York për të performuar në Javën e Modës Shqiptare NY.

Nga X-Factor për në “Mollën e Madhe” është një hap i madh suksesi, që Matteo Brento e arriti shumë shpejt. Këngëtari me famë në Europë i muzikës pop rok së shpejti do shkojë në Amerikë për të debutuar në New York për herë të parë me këngë në italisht, shqip dhe anglisht. Manaxhimi i Matteos ka deklaruar për shtypin se përformanca live do mbahet me datën 27 mars 2016 në Times Square. Manaxhimi i tij në Amerikë ka konfirmuar që Matteo do këndojë gjatë fashion show të Albanian Fashion Week NY (Java e Modës Shqiptare në New York), organizuar nga Mrika Krasniqi që do mbahet me 25-30 mars.

“Jemi krenar të kemi prezent artistin e famshëm italian Matteo Brento, vendas i Garganos, tek eventi historik ndërkombëtar Java e Modës Shqiptare në New York. Ne do sjellim modën e lartë shqiptare nga e gjithë bota, si dhe një mbrëmje kulturore plot argëtim,” tha Mrika Krasniqi themeluese e Agjencisë së Modës Shqiptare në New York.

“Jam shumë i gëzuar të mar ftesën nga Java e Modës Shqiptare NY. Ndjehem shumë krenar dhe mirënjohës ndaj organizatores Mrika Krasniqi që më ftoi në këtë event madhështor. Jam shumë i lumtur dhe dua të sjell performancën time më të mirë që të prezantoj kulturën italiane në Amerikë. Në këtë event kam zgjedhur edhe këngë në shqip. Dua të falenderoj fansat e mi nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Amerika dhe të gjithë ato që më kanë ndenjur besnik gjatë gjithë kohës, si dhe ato dashamirës që më ndjekin nga qyteti im Monte Sant’Angelo,” tha ylli i X-Factor, Matteo Brento.

Ylli i pop rokut Matteo Brento do lançojë këngën e tij të re #21 (Goodbye my love) në qendrën botërore të muzikës dhe modës – Qyteti i New Yorkut. Kënga e re është shkruar dhe kompozuar nga artisti i famshëm Michele Bisceglia, themelues i kompanizë muzikore ‘IF. Kënga është përshtatur nga Alessandro Di Lascia në bashkëpunim me trajneren vokale Cristina Bisceglia.

“Ishte me të vërtetë kënaqësi të punoj me Matteo Brento, jo vetëm për vlerën e tij artistike që sjell, por edhe për karakterin e dashur që të bën për vete. Jam tepër i lumtur të shkruaj dhe kompozitoj për Matteon. U afruam të dy menjëherë nga ana artistike dhe momentalisht po bashkëpunojmë së bashku për të prezantuar një këngë të re në Shqipëri tek “Kënga Magjike” më vonë këtë vit. Kjo do t’i përshtatet fuqisë së vokalit dhe elegancës të stilit të Matteos,” tha artisti i talentuar Michele Bisceglia, fitues i çmimin “Kënga më e mirë origjinale”. Më herët këtë vit Matteo Brento u vlerësua si “Princi i Pop Rokut” nga mediat ndërkombëtare, ku doli në kopertinën e revistës NY Elite si dhe në revistën prestigjioze Star People në Tiranë. “Elegant, me klas por rok” shkruan revista Touch Fashion, ndërsa revista GWN në Londër e konsideron Matteon “ylli ndërkombëtar i pop-rokut që është në rritje me një zë të fuqishëm dhe prezencë komanduese në skenë”. Matteo Brento do udhëtojë në New York në datat 24-30 mars, i shoqëruar nga manaxheri i tij italian Armando Roberto. (www.matteobrento.com)

“New Yorku shënon një hap shumë të rëndësishëm të karrierës time. Është fillimi i një bashkëpunimi shumë të mirë me autorin e mirënjohur Michele Bisceglia, themelues i ‘IF. Ai është kantautori i dy këngëve tv mia; #21 (Goodbye My Love)/’Mirupafshin dashuria ime,’ të cilën do e prezantoj në New York, edhe një këngë të dytë enkas për Kënga Magjike në Shqipëri,” tha këngëtari Matteo Brento.

“Në New York gjithashtu do bëj edhe spotin e videoklipit të këngës #21 (Goodbye my Love). Jam shumë i lumtur që do bashkëpunoj me regjizorin Julian Biba, që është tepër i talentuar dhe profesionist. Më pëlqen shumë koncepti për videoklipin. Po flasim gjithashtu edhe për mundësinë e një filmi të shkurtër inspiruar nga kënga ime e re,” shtoi artisti Matteo Brento.

“Është nder i madh që Matteo ka përzgjedhur këngën time për t’a kënduar në Amerikë. E kam shkruajtur ‘#21 (Goodbye My Love)’ për të përkujtuar lindjen e dy binjakëve të mi Giovanni dhe Giulia Marie. Kjo këngë ka një kuptim të veçantë për mua dhe e dua shumë. Është më tepër e veçantë dhe emocionuese që Matteo do t’a këndojnë në New York, në qendrën botërore të muzikës kontemporare. E imagjinoj se si do jetë sekuenca e tingullit bashkë me zërin e Matteos që do këndojë vargjet e mia. Nuk mund t’i përshkruaj dot ndjenjat që më mbushin zemrën,” pohoi kantautori Michele Bisceglia.

Menaxhimni i Matteo Brento gjithashtu konfirmoi që Matteo po bashkëpunon me kompozitorin e njohur Michele Bisceglia, i cili po shkruan një këngë për festivalin e madh Kënga Magjike, që mund të perceptohet si festivali  famoz ‘Sanremo’ në Itali.

Matteo Brento po bashkëpunon me regjizorin Julian Biba, themelues i “True Venture Films” dhe me Orges Bakalli, Drejtor i Fotografisë/Asistent Regjizor, për të filmuar videoklipin e këngës ‘#21 (Goodbye My Love)’ në mars 2016 në New York. Kënga është pëlqyer dhe po flitet edhe për mundësinë e një filmi me metrazh të shkurtër inspiruar nga kënga, me producent dhe skenarist Julian Biba. Koncepti i videoklipit është krijuar nga Julian Biba dhe kënga i dedikohet lirisë, dhe të gjithë herojve që luftojnë për të mbrojtuar liritë dhe të drejtat tona.
“#21 (Goodbye my love) është një këngë shumë e bukur, e cila kur këndohet nga artisti i talentuar Matteo Brento kënga mer një kuptim më të fuqishëm dhe të çon në një botë tjetër. Për videoklipin e këngës #21 (Lamtumirë Dashuria ime) kemi si qëllim të filmojmë në vendet më të njohura të Nju Jorkut. Shpresoj që të bashkëpunoj me Matteon edhe në projekte të tjera në të ardhme,” tha regjizori dhe producenti Julian Biba, filmi i së cilit (Paftuar) do shfaqet në festivalin famoz botëror të Kanës.

Filed Under: Kulture Tagged With: debuton në Amerikë, Ermira Babamusta, Matteo Brento

VATIKANI DHE “SHQIPNIA”

March 15, 2016 by dgreca

PAPA GJON PALI II PUTHI TOKEN E GJERGJ KASTRIOTIT/

Nga Fritz RADOVANI*/

 ■Gjergj Kastrioti – Skenderbeu – i la Popullit Shqiptar: Shtetin e Lirë Shqiptar, Flamurin, Unitetin e Gjuhës, Trojeve dhe të Fesë, si dhe Identitetin Europjan Perëndimor.

Per këta sot flasin: Flamuri ynë me Shqipen dykrenare, Perkrenaria e Shpata e Tij.

■Mbështetja kryesore e Gjergj Kastriotit në Europë, ishte Shteti i Vatikanit. Kryesisht të gjithë Papët e Romës e mbështetën Prijsin e Shqiptarëve Gjergj Kastrioti, si Mbrojtës i Krishtenimit Europjan, Lirisë së Atdheut të vet dhe Luftar i vendosun per identitetin e Shqiptarëve me frymen kulturës përparimtare të Europës Përendimore.

■Mirënjohja e Vatikanit per Gjergj Kastriotin asht kenë dhe mbetet e përjetshme!

■Në mënyren ma të paligjëshme, kur në Shqipni sllavokomunistët jugosllavë vendosën në qeverisjen provizore sherbëtorët terroristë Enver Hoxha me shokë, veprimi i parë që ata kanë zbatue nga porositë e Titos, ishte “premja e mardhanjeve diplomatike të shtetit Shqiptar me Vatikanin, me 25 Maji 1945, dhe nxjerrja jashtë e Delegatit Apostolik të Vatikanit nga Shqipnia Imzot Leone G.B. Nigris.” Asgja e papritun. Në fillim të Janarit të 1945, kur Kuvendin e Fretenve e vizituen terroristi Sheuqet Peçi dhe Mehmet Shehu, të dy kerkuen nga Provinçiali At Mati Prennushi shkëputjen e Kishës Katolike nga Vatikani dhe, të dy morën të njajtën pergjegje: “Françeskanët nuk do të perzihen në politikë dhe, se nuk do të pranojnë me disktue premjen e marrdhanjeve me Vatikanin, mbasi nuk e kemi nder mend me u kthye Ortodoks si Kishat Autoçefale të Lindjes…”

Po këte mendim e mbështetën edhe Imz. Vinçenc Prennushi dhe At Pjeter Mëshkalla në Tiranë, si dhe të gjithë Klerikët Katolik që u perfshine në Gjenocidin e njohun komunist.

■Këte mendim e dinin edhe Aleatët që në shtator 1944 nga Don Ndre Zadeja, se kur u takue me kolonelin anglez Neel i pat kerkue: “Theksova nevojën që Populli Shqiptar, i vorfen e me armiq shekullor që janë sllavi, bullgari, greku, Italia, ka nevojë për nji mbrojtje nga Fuqitë e hueja…” Prokurori Sotir Dodona, shenon: “Këtu nuk ka bërë tjeter veç detyrën e kollonës së pestë dhe ka treguar një urrejtje për frontin N.Çl.” (Dosja 677).

■Në Maji 1945 Delegati Apostolik Imz. Leone G.B. Nigris, kur u largue perfundimisht  nga Shqipnia me urdhen të Enver Hoxhës, Ai la në vendin e Tij Imz. Frano P. Gjinin, si Regjent i Delegacionit Apostolik në Shqipni, i cili deklaroi: “Unë nuk do t’a ndajë kurr grigjen teme nga Selia e Shejtë…” (1945).

■DOSJA 1302/II – A, Imz. Gjini deklaron: “Nji kopje të letres u vendos t’i jepet Misionit Anglez ose Amerikan, per dijeni nga ana e tyne si dhe me vue në dijeni Vatikanin, mbasi perfundimisht ishin nderpre korespondencat nga Shqipnia. Dergimi i kësaj letre në Vatikan kishte për qellim që të vihej në dijeni Selia e Shejtë se Kleri Katolik Shqiptar, nuk i nderpret lidhjet me Te, dhe se kjo çeshtje, asht vetem kërkesë kamngulëse e qeverisë komuniste të Tiranës e kryesueme nga Enver Hoxha.” (1946).

■Mosnjohja e Regjentit Imz. Frano Gjini nga qeveria e Tiranës, lidhja e saj me qeverinë komuniste jugosllave, vrasja e Malësorëve të Veriut dhe të Mirditës, per mospajtim me okupacionin e Shqipnisë nga Jugosllavia e Titos, vazhdimsia antikombtare e politikës së PKSh që në formimin e saj me 8 nandor 1941, e detyrojnë Imz. Gjinin me ba hapin e Tij të randsishem, per me evitue mundsinë e Enver Hoxhës me akuzue Klerin Katolik, prandej, Ai Urdhnoi: “Mos implikimi i çdo Kleriku, kushdo kjoftë, me asnji çeshtje politike, pra ndalimin e plotë të marrjes me politikë. Urdhni asht i padiskutueshëm dhe i pakundershtueshëm.” (Origjinali ruhet në Arkiv.)

■Imzot Frano Gjini, arrestohet me 15 Nandor 1946, torturohet dhe mbasi nuk pranon asnjë akuze dhe shpifje, pushkatohet me 11 Mars 1948 me Prelatët e Klerit Katolik.

■Perpjekjet e Tiranës “kuqe” per shkëputje nga Vatikani vazhdojnë deri në korrik 1951, kur pjesa e mbetun e Klerit Katolik “aprovoi” “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare”.

Klerikët që nuk e nenshkruen atë Statut u pushkatuen ose u zhdukën me të tjera mjete nga sigurimi i shtetit, tue u urdhnue direkt nga Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha,  që edhe ajo urdhnonte nga karrigat e Kuvendi Popullor…

***

9 NANDOR 1989, Muri i Berlinit ra!

■Në Rumani vritet Çaushesku me të shoqen nga turmat e popullit rumun…

■14 Janar 1990, në Shkoder mendohet me u rrezue busti i Stalinit… Bahen arrestime.

Me 11 Nandor 1990, Don Simon Jubani thotë Meshen e parë në Rrëmaji mbas 1967…

Në Shkurt 1991, formohen në Shqipni Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna…

Shqiptarët mbas Lirisë së Fesë, kerkojnë formimin e partive politike e zgjedhje të Lira.

Mbas heqjes në Shkoder të bustit E. Hoxhës, në 20 Shkurt 1991 hiqet shtatoria në Tiranë.

Rinia Shqiptare brohoritë: “E duam Shqipninë si gjithë Europa!”

***

■16 TETOR 1978, Karol VOJTILA zgjidhet Papa i Kishës Katolike në Vatikan.

Fillon takimet me udhëheqës shpirtnor e politik nga gjithë Bota…fillon lidhjet me shumë shtete të mbetuna pezull si ShBA, BRSS, Hungari, Çekosllovaki, Rumani etj…(1990).

20 Mars 1991, vjen per vizitë private Zv/Ministri Claudio Celi, pergjegjës per mardhanje të Vatikanit në KSBE, dhe me rasen e vizitës së Tij në Shkoder, jemi takue në Turizmin e Shkodres, ku kemi shkembye mendime per lidhjet e ardhëshme me Vatikanin.

■22 Gusht 1992, Papa Gjon Pali II ban Apelin e sigurimit Paqës në Ballkan…

■2 Dhjetor 1992, Shqipnia bahet antare e “Konferencës Islamike”…

■Prill 1993, Paraqet letrat kredenciale pranë Selisë Shenjte Ambasadori Villy Kamsi.

■25 Prill 1993, PAPA GJON PALI II viziton Atdheun e Gjergj Kastriotit…

■21 Shtator 2014, PAPA FRANÇESKU, viziton Tiranën në pragun e “rilindjes”…

Janë ba dy vjetë që “Rilindja” e Tiranës nuk gjenë asnjë “Katolik” të pa bamë synet, me e dergue Ambasador në Vatikan… Mos ndoshta, “ngerrçi” i para 70 vjetëve, që në 1945 na nxori nga Europa per 50 vjetë, na ka marrakotë…e janë ba 25 vjetë që “Shqiptarët” nuk gjejnë ende çelsat e “Dyerve të Europës”…Po, rrijnë tue shikue “hanën”…?!

■Bahet fjalë per “40 Martirë të Kishës Katolike”, kur numuri i vertetë i Atyne Martirëve që u pushkatuen, u mbyten nder balta e kampe pune, Ua nxorën Shpirtin tue i shkye per gjymtyrësh, e sot nuk kanë as Varre, po shka asht ma keq “edhe fshihen si numur nga

Libri Martirizimi i Kishës Katolike në Shqipni 1944 – 1990”, Liber i cili, Ju dhurue edhe Papës Gjon Pali II, kur vizitoi Shqipninë…E numuri nuk asht 40, po asht 131 Klerikë, që ka perfshi Gjenocidi nga të cilët, janë zhdukë nga faqja e dheut 61 Klerikë Katolik.

■Sikur para Kathedrales së Shkodres të digjeshin librat e shkruem nga 1945 e deri 1993, kunder Papëve e Vatikanit, tue perjashtue “Inkuizicionin e Kishës”, jam i sigurt se flaka e atyne librave do të shihej jo vetem në Romë, po edhe në Athinë, Beograd e Stamboll!

            *Vazhdon Pjesa e VI…

Melbourne, 16 Mars 2016.

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, VATIKANI DHE “SHQIPNIA”

Studentët shqiptarë në Berlin, pritje publike për Joseph DioGuardin dhe LQSHA

March 15, 2016 by dgreca

Studentët shqiptarë në Berlin organizojnë një pritje publike për DioGuardin/

Ne fundjave Presidenti i Liges Qytetare shqiptaro-Amerikane, Joseph DioGuardi udheton drejt Berlinit, ku studentët shqiptarë do t’i ofrojnë një pritje të ngrohtë publike. Në një njoftim derguar për Gazetyën Dielli nga shoqata e studenteve OASA, shkruhet:Kemi nderin të ju informojmë për një manifestim për ditën e Diel, me datën 20. mars 2016 në Universitetin Teknik në Berlin, ku do të mirëpritet një delegacion i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA) nga SHBA, në krye me Joseph J. DioGuardin.
Ky manifestim organizohet nga studentët dhe alumni shqiptarë nga Gjermania. Organizimi përmban mirënjohje dhe nderime publik për Joseph J. DioGuardin, bashkshorten e tij Shirley Cloyes dhe drejtoret e LQSHA, ndër ta Faton Bislimi.
Një artikull përgaditur për shtyp të redaktuar gjeni bashkangjitur në këtë Mail
të cilin mund ta publikoni sipas vlersimit tuaj.

Për informacione shtesë në lidhje me këtë aktivitet si dhe për t’u regjistruar si pjesëmarrës, vizitoni webfaqen zyrtare të OASA-s: www.oasa.berlin

***

Studentët shqiptarë në Berlin organizojnë një pritje publike për DioGuardin

Nën organizimin e OASA e.V, Organizatës së Studentëve dhe Almuni Shqiptarë në Berlin, të dielen më 20 Mars duke filluar në orën 12:00 në ambientet e Universitetit Teknik të Berlinit (Str. des 17 juni, 133, Instituti i Kimisë), do të pritet delegacioni i udhëhequr nga ish-Kongresmeni Joseph DioGuardi dhe znj. Shirley Cloyes, respektivisht Kryetar dhe Këshilltare për Cështje të Ballkanit, të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në nderim të punës mbi çerekshekullore të lobit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne jemi të lumtur, që në mesin tonë të dielën, do të kemi dy figura kyçe të historisë kombëtare siç janë z. DioGuardi dhe znj. Cloyes. Ish-Kongresmeni DioGuardi është simbol i luftës së parezervë lobiste dhe diplomatike për kauzën kombëtare shqiptare dhe gurthemel i miqësisë moderne shqiptaro-amerikane,” ka thenë Agon Kamberi, udhëheqës i OASA-s. Roli I rendësishëm që lobi shqiptar në SHBA ka luajtur është i paçmueshëm. “Ne ndihemi krenar të mirëpresim delegacionin nga Amerika në krye me z. DioGuardi,” ka shtuar Kamberi.

Ndërsa, një ndër anëtarët e Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, profesori Faton Bislimi, i cili ka organizuar visitën e DioGuardit në Berlin, ka theksuar se pa përkushtimin vetëmohues të diasporës shqiptare kudo në botë, e vecanerisht asaj në SHBA, Kosova nuk do të ishte shtet i pavarur e i lirë në miqësi të vërtetë më SHBA-në, a as Shqipëria nuk do të ishte një demokraci dhe anëtare e NATO-s. “Përkundër këtyre arritjeve, ne në vazhdimësi punojmë me miqët tanë në Kongresin dhe Administratën e SHBA-së për të çuar përpara cështjen shqiptare ne Maqedoni, Mal të Zi, edhe Luginën e Preshevës,” ka thënë Bislimi.

Përpos takimit publik të së dielës, ku të gjithë të interesuarit janë të mirëpritur, delegacioni nga Amerika do të ketë edhe takime tjera në Berlin me zyrtarë gjermanë. “Ne u jemi thellësisht mirënjohës Organizatës së Studentëve dhe Alumni Shqiptarë në Berlin për punën e palodhur në organizimin e këtij evenimenti, ku fjalime do të mbajnë z. DioGuardi, znj. Cloyes, fjalime të cilat do të ndiqen nga një diskutim me publikun, nën moderimin e znj. Vjollca Hajdari,” ka shtuar Bislimi, duke potencuar edhe ndihmesën e madhe që ka dhënë Kompania Ecolog International e drejtuar nga z. Lazim Destani për realizimin e kësaj vizite të delegacionit të kryesuar nga DioGuardi në Gjermani.

“Gjeneratat e reja shqiptare kudo që janë, e vecanerisht ato në diasporë, sikur ne në Gjermani, nuk duhet asnjëherë të harrojnë të kaluarën dhe kontributin e atyre, duke përfshirë këtu edhe figurën historike të DioGuardit, që bënë të pamundurën për kombin tonë. Historia jonë ka qenë e mundimshme, por duke e njohur atë sa më drejtë, ne po ndërtojmë një të ardhme më të qartë.” ka përfunduar Kamberi.

Për informata shtesë në lidhje me këtë aktivitet si dhe për t’u regjistruar si pjesëmarrës, vizitoni webfaqen zyrtare të OASA-s: www.oasa.berlin

Filed Under: Mergata Tagged With: Berlin, presin Joseph DioGuardi, Studentet shqiptare

VEGIMI DELIRANT

March 15, 2016 by dgreca

Nga Rexhep KASUMAJ-Berlin/

“Do të koalicionojmë derisa të mbarojë agjenda euroatllantike”, thanë, e kjo domethënë, u kërcënuan krerë të partive bashkësunduese në Prishtinë.

Dhe do t’më përftojë një mendim me notë alarmi: si mund ta shtyjnë përpara këtë agjendë bandat frenuese të saj? Po të ndodhte ky besatim dhe, tutje, meqë procesi aderues prolongohet pambarimshëm – aherë rezulton se ata do mbeten në kupolën pushtetare, poashtu pambarishëm.

Vetë ideja është rrënqethëse, vdekjeprurëse, e fundjetshme..!

Por fillimisht hijadhë, e më pas kthjellësisht, më erdhi, për çudi, një ndihmë nga s’e prisja: nga Erih Honekeri, diktatori entuziast i Gjermanisë lindore.

Në orët dramatike në prak të shkërmoqjes së Rendit të vjetër të Europës, pat thënë pompozisht: Muri i Berlinit do mbahet në këmbë edhe 100 vjet!

Por, pa u tharë pështyma
që shoqëronte fjalën marroke, Ngreha tragjike do rrafshohej përdhê.

Anipse nuk gjendet asnjë justifikim që prek tehun e mprehtë të arsyes, një kuptim shpjegues është krejtësisht real.

Ndaj, pra, nuk është veçse përrallë ngushëlluese fajtorësh dhe, poaq, vegim delirant despotësh.

Kështu është sot, e kështu kje  përherë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Rexhep Kasumaj, VEGIMI DELIRANT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2997
  • 2998
  • 2999
  • 3000
  • 3001
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT