• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vetëvendosje rrokullisë një kamion me prodhime serbe

March 3, 2016 by dgreca

Lëvizja Vetëvendosje tha se ka rrokullisur një kamion me prodhime serbe në kundërpërgjigje të bllokimit të librave shqip për Luginën e Preshevës nga pushteti serb.

Veprimtarë të lëvizjes Vetëvendosje thanë se kanë përmbysur një kamion me prodhime të Serbisë që shiten në Kosovë.

Në një njoftim të kësaj lëvizjeje thuhet se ky veprim “është përgjigje ndaj aktit kriminal të Republikës së Serbisë, e cila dje i ktheu pas mbi 103.000 libra shqip, duke lënë pa shkollë nxënësit shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit”.

Një ditë më parë autoritetet serbe kthyen në Kosovë rreth 103 mijë libra në gjuhën shqipe që ishin dhuruar nga Ministria e Arsimit e Kosovës për shkollat në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Që nga fillimi i vitit shkollor, librat ishin mbajtur ne doganë, për t’u kthyer prapa, me gjithë kundërshtimin e përfaqësuesve shqiptarë në Luginën e Preshevës, një zonë e banuar me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Lëvizja Vetëvendosje tha në një komunikatë se “16 vjet pas luftës, autorja e masakrave dhe e shkatërrimeve të mëdha në Kosovë, Republika e Serbisë, e kontrollon dhe e shfrytëzon Kosovën ekonomikisht me produktet e saj, pa e njohur atë. Në të njëjtën kohë, Republika e Serbisë vijon të shantazhojë përmes minoritetit serb në Kosovë, duke kërkuar të ndërtojë një shtet brenda shtetit me projektin e “Zajednicës”.

Këto aksione të Republikës së Serbisë nuk gjejnë përgjigje reciproke nga Republika e Kosovës, udhëheqja e korruptuar e të cilës e ka çuar Kosovën në përulje. Jo vetëm që nuk po mundet Qeveria e Kosovës të vendosë regjim reciprociteti tregtar me Serbinë, duke kontrolluar kufijtë e vet, por as nuk po mundet të kujdeset për fëmijët shqiptarë në Serbi, të cilëve nuk ka mbërritur t’ju sigurojë as librat shkollorë, edhe pse ka negociuar dhe vazhdon të negociojë me Qeverinë e Serbisë për vite me radhë”.

Për këto arsye, thuhet në komunikatë, veprimtarët e lëvizjes Vetëvendosje “do të vazhdojnë aksionet e tilla deri sa Republika e Serbisë të pranojë reciprocitet me Republikën e Kosovës. Pabarazia dhe nënshtrimi janë të papranueshme. Ata nuk i lejojnë librat tanë, ne nuk do t’i pranojmë prodhimet e tyre”.

Filed Under: Komente Tagged With: permbys, trakun serb, vetevendosja

DASH: Shqipëria burim kryesor marijuane

March 3, 2016 by dgreca

Sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për luftën kundër lëndëve narkotike, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend kryesor burimi për prodhimin e marijuanës dhe një pikë tranziti për dërgesat e kokainës dhe heroinës me destinacion përfundimtar tregjet evropiane. Gjatë vitit 2015, thuhet në raport, autoritetet shqiptare kryen një sërë arrestimesh dhe kapën një sasi të madh droge nga prodhuesit dhe rrjetet e trafikantëve që veprojnë në vend, duke vazhduar prirjen e vitit 2014. Ky sukses i dedikohet kryesisht vazhdimit të bashkëpunimit me autoritetet italiane dhe shtimit të angazhimit të udhëheqjes politike dhe asaj të policisë. Me përjashtim të kanabisit, Shqipëria nuk është prodhues kryesor narkotikësh të tjerë,  substancash kimike bazë, ose drogash sintetike. Qeveria e Shqipërisë nuk mban statistika të përdorimit të drogave. Me përjashtim të marijuanës, përdorimi i narkotikëve të tjerë nuk është i shpeshtë, thekson raporti i DASH. Sipas policisë shqiptare, thuhet në raport, gjatë 10 muajve të parë të vitit 2015, u kapën 6.87 tonë marijuanë, u shkatërruan 689,815 bimë marijuane në një sipërfaqe prej 44 hektarësh, sipas identifikimit nga ajri të autoriteteve italiane. Autoritet po ashtu kapën 55.3 kg heroinë dhe 26.4 kg kokainë. Shqipëria vazhdon të marrë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për të përmirësuar aftësitë e saj në luftën kundër narkotikëve. Raporti vjetor i DASH për narkotikët, përgatitet për Kongresin, në kuadër të ligjit për ndihmat për vendet e tjera dhe pasqyron përpjekjet e një sërë vendesh kryesore për të luftuar gjithë aspektet e trafikut të drogave.

Filed Under: Komente Tagged With: burim kryesor, DASH: Shqipëria, marijuane

Prizren-DokuFest 2016 me 4500 aplikime

March 3, 2016 by dgreca

-DokuFest nisi në vitin 2002, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë/

 PRIZREN, 3 Mars 2016-B.Jashari/ Kanë mbërritur mbi 4500 aplikime për DokuFest 2016, edicionin e 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, që do mbahet në qytetin e Prizrenit, në Kosovë, nga 5 deri 13 gusht.

“Thirrja për aplikim për edicionin e 15-të të DokuFest është mbyllur. Falënderojmë të gjithë 4500+ filmëbërësit të cilët kanë aplikuar me filmat e tyre”, shprehen organizatorët.

Bëhet e ditur se, programi i plotë i festivalit do të shpallet në fillim të muajit korrik. “Një numër i programeve speciale do të shpallen më herët. Festivali do të mbahet nga data 05 – 13 gusht në Prizren, Kosovë”, thekson DokuFest.

Në 24 nëntor 2015 ishte hapur ftesa për të gjithë autorët e dokumentarëve, filmave të shkurtër dhe animacioneve të aplikojnë me filmat e tyre për edicionin e 15-të të Festivalit.

Në DokuFest 2015 në qendër ishte tema e migrimit me filma nga e gjithë bota dhe rajoni. Nga 228 filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtë, 124 bënin pjesë në programet garuese.

DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, me 4500 aplikime, Prizren-DokuFest 2016

ATE NIKOLLA MARKU, APEL PER FALJEN E NAZMIJE VISHES

March 3, 2016 by dgreca

NJE MUNDESI PER NAZMIE VISHEN/

Besoj se cdo kush nga ne, eshte tronditur nga ngjarja qe i ndodhi vajzes Nazime Vishes. Fatkeqsite jane pjese e jetes se njerzimit. Askush nuk mundet te ndryshoje ngjarjet qe ndodhin nen efekte tronditjeje apo emocioni, panvarsisht se pasojat jane ekstremisht te renda. Veprimet e renda nuk jane nje film qe mund ta kthesh mbrapsht. Askush nuk eshte i mbrojtur nga rastesi qe sjellin tragjedi.

Ne qe jemi prinder dhe kemi vajza, jemi te ndjeshem kundrejt tyre. Nje vajze ne rritje e siper, ne fillim te adoleshences, ne menyre te hidhur perjeton nje trazire shpirtrore deri ne veprimin qe solli nje krim apsolutisht te rende per nje familje. Fatkeqsia qe i ndodhi Nazime Vishes, e cila per hire te se vertetes, ishte ne hapat e pare drejt pjekurise, mund ti ndodhe cdo kujt ne ate moshe qe ishte ajo.

Sfida me e madhe eshte tek familja e viktimes. Bashkshortja humbi bashkshortin, femijet humben babain e tyre dhe familja birin e saj. Sa force duhet per ta perballuar nje humbje njerzore dhe per ta quajtur ate ngjarje nje aksident te jetes. A mundet familja e viktimes ta fali veprimin e Nazimes ne moshen e saje adoleshente? Per ti dhene nje mundesi jetes se Nazime Vishes mendoj thellsisht dhe mbi parime hyjnore se presidenti i republikes zoti Bujar Nishani duhet ta fale ne emer te jetes. Nje vajze qe sa fillon jeten e saje, e nis me nje ngjarje shume te rende, me nje krim. Eshte nje ferr i vertete kur jeta fillon me dy plage te renda, ku njera eshte ne ndergjegje dhe tjetra ne familjen e viktimes. Falja nga presidenti, nuk perligj verpimin e Nazimes, apsolutisht jo, thjesht falja i jep nje mundesi, nje jete qe ta jetoje tashme me dinjitet  me te mirat dhe fatkeqsite qe ka ajo.

Dinamika e ngjarjes dhe mosha e Nazimes, te japin arsyetimin e drejte se duhet te shkojme drejt nje mundesie per nje jete drejt normales per Nazimen. Askush nuk pranon ne ato rrethana qe mikun tend qe te fut ne shtepi ta shkelesh ne hijen e tije familjare dhe njerzore.

Gjithsesi, falja per Nazime Vishen dhe per aq sa ka mbetur ne denimin e saje, nuk i jep te drejte askujt te marri jete njeriu per cfardo arsye morale te perligjur. Jeten e ka dhene Zoti dhe Ai mundet ta marre kur mbaron puna e Tije.

Natyrisht qe pergjegjesia e presidentit eshte e madhe ne kete rast. Presidenti, ne ndergjegjen e tije si president i atdheut, mundet ta shohe rastin e Nazimes si nje rast i pazakonte dhe teper i vecante ne shume analiza dhe arsyetime, per shkak te ngjarjes dhe veprimit ne ballafaqim me moshen e vajzes. Shpresoj shume ne mirkuptimin e familjareve te viktimes sepse, asgje nuk mundet te ktheje njeriun e tyre te dashur per gjithmone. Sigurisht qe nje reflektim njerzor, human dhe besim plote nga familja e viktimes do tja lehtesonte shume vendimarrjen e presidentit por dhe te shoqerise shqiptare, e cila eshte ne nje trysni te tmerrshme nga ngjarje te tilla. Askush nuk do te donte qe jeta e tije te behej me nje hije viktime nga pas shpines e shkaktuar nga vete personi. Me shume dhimbje per familjen e viktimes por dhe per ate qe Nazimja nuk mund ta fshije gjithe jeten e saje veprimin e saje ne nje moshe te vogel, i kerkoj presidentit te republikes zotit Bujar Nishani qe ta fale ate pjese denimi qe vuan Nazime Visha. Shpresoj shume dhe lutem ne mirkuptimin e familjareve te viktimes sepse ajo ngjarje ishte nje tragjedi per te gjithe.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ate Nikoll Marku, falenje, Nazmije Vishes

POETI I NËMUR BILAL XHAFERRI

March 3, 2016 by dgreca

Sprovë nga Prof. dr. Resmi Osmani /

Për lexuesit e rinj, që s’kanë njohje për për poetin, po jap pak të dhëna për jetën e tij. LIndi në Ninat të Konispolit, më 3 nëntor 1935.Rridhte nga familja e rilindasit të shquar Hoxha Tasinit. Kur ishte tetë vjeë i vdiq e ëma. Në vitin 1945, të atin, Xhaferr Hoxha, e pushkatuan si nacionalist. Gjyshin e shpallën kulak.I sekuestruan pasurinë. I mbetur jetim, luftoi për ekzistencë, si puntor krahu.U arsimua si mundi, arriti të kryente një shkollë dyvjeçare për teknik ndërtimi. Punoi në kantieret e veriut për ndërtimin e rrugëve dhe urave. Krijimtaria e tij letrare në Shqipëri, u shtri në tetë vite(1960-1968). Në vitin 1968, iu hoq e drejta e botimit dhe u internua në Kullë të Sukthit.Në shtator 1969, për ti shpëtuar burgut, u arratis dhe mbërriti në Amerikë, ku pas një aktiviteti të dendur patriotik e letrar, vdiq në vitin 1986. Me rastin e Njëqind Vjetorit të Pavarësisë, u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin “Nderi I Kombit” .

Bilal Xhaferri, shfaqet si poet me ndjeshmëri të lartë ideoemocionale dhe artistike në  fillim të viteve 60-të. Poezitë e para i botoi ne faqen letrare të “Zëri i Rinis”, gazetën “Drita”, revistat “Ylli” e Nëntori” etj. Ai u shfaq si poet lirik, emocional, spontan, disi enigmatik,i frymëzuar, plot freski e ndjenja të holla, me vargje tingëlluese plot bukuri. U pëlqye shumë nga lexuesit dhe rrethet letrare të atyre viteve. Poezia e tij ishte si një rrymë oksigjeni jetëdhënës që i drejtohej zemrës dhe ndjenjave më të mira njerëzore, që bënte kontrast me poezinë lavdëruese, të   rreme e të sheqerosur që shkruhej në ato vite. Poezitë i përmblodhi në vëllimin “Lirishta e kuqe” që u botua në vitin 1967, por pas incidentit të njohur tashmë, ato nuk u shpërndanë dhe u kthyen në brumë për karton.

Nganjëherë fati i librave është më i hidhur se i njerëzve!

Opusi i plotë i poezive të tij u botua pas vdekjes, më 1995 nga “Rilindja” në Prishtinë në librin me titull “Eja trishtim” dhe vitet e fundit, në përmbledhjen e veprës së tij nën kujdesin e Prof. Bashkim Kuçukut.

Për të kuptuar më mirë poetikën e Xhaferrit, lexuesit i duhen bërë të njohura disa veçori dhe parime të tij krijuese, që ai i shpërfaq  vetë në poezitë e tij.

    Bilali ishte poet ndryshe nga brezi i poetëve bashkëkohës. Ai nuk shkroi mbi parimet e socrealizmit, për këtë dëshmon gjithë poezia e tij. Studjuesi S.Hamiti [1]ka vënë në dukje se”Xhaferri duket një krijues I vetmuar për kohën, duket I lidhur me poezinë e paraluftës, port ë shkuarën nuk e merr në stilin e himnizimit e të lavdërimit, si mbështetje të problemeve aktuale, por si kërkim për të bërë ndërkomunikim të kohërave. Ky kërkim ra në sy të lexuesve të cilët u entusiazmuan nga krijimtaria e tij, por edhe të censurës që rrinte syçelët për të gjetur armiq.”Kredon e tij poetike ai e shpreh në poezinë “Arti im”:

            Mund të shkruaja me lehtësi vargje të lehta

             Politikisht tëe xhelatisura, siç duhet,

             Duke rendur pas suksesit,

             Poezive mund tua ngjishja me shkelma,

             Siç ua ngjeshim teneqeve të lëshuara rrugëve.

Këtu aludimi është fare i qartë: ai mund të shkruajë vargje ashtu siç I do letërsia lavdëruese zyrtare dhe shpreh sigurinë se këta vargje(redaktorëve)

….. Idiotëve do tu hynin në shpirt,

                    Do t’u nxirnin klithma entuziaste,

                     Klithma plot mallëngjime histerike….

Por ai nuk do që t’i ndërtojë vetes një piedestal fallco teneqesh, artin e tij ai e do që:

….Jo të më shërbejë mua gjersa

                    Të jem velur,

                    Por që unë t’i shërbej atij

                    Gjersa të jem gjall dhe gjersa të jem

                    Vdekur…..

Është kundër të shkruarit teë vargjeve të sheqerosura, artit për art, por as vargjeve himnizuese e lavdëruese që ato vite ishin në modën e vjershërimit. Fare sheshit e qartësisht, ai shpreh pikpamjet e veta për individualitetin dhe misionin e tij si poet: Se ai do të këndojë këngën e tij vetëm me zërin e tij, sipas vokacionit të tij të brendshëm-ai nuk vjen në poezi për poza e bujë, për të shtuar edhe një poet në borderotë e redaksive ,por:

                     Secili vjen e sjell atë që ka,

                     Unë sjell zemrën time vëlla…..

Në njërën nga poezitë, ai jep edhe kredon e tij poetike se e thur poezinë duke patur në qëndër të ngjarjeve dhe gjërave ,në qendër të botës dhe kohës njerinë.

       Përsa i takon përmbajtjes, formës dhe thurjes së vargjeve, Xhaferri është poet rebel. Ata që e kanë njohur(N.Mane[2] etj) dëshmjnë se ai ishte poet spontan,mbante me vete një bllok dhe laps të vogël, poezitë I vinin vet-vetiu, për të ato ishin kënga e shpirtit dhe i lindnin nga gjendja e tij ideoemocionale dhe psikologjike. I hidhte në letër ashtu si i buronin nga gurra e tij krijuese, pastaj ai i lëmonte vargjet me kujdes si argjendari gurin e çmuar, deri sa ato të merrnin tërë shkëlqimin dhe bukurinë. Ndodhte që të njëjtën poezi, ta shkruante në dy-tri variante deri sa të arrinte te më e mira.

Si shumë poetë të atyre viteve, ai nuk zbaton kanunet e vjershërimit, rimat dhe metrikën, të cilat i konsideron si vargonj që lidhin mendimin pas formës dhe që kufizojnë shprehjen e idesë. Vargjet e poezive janë të lira, të thurura pa rrokjet metrike. Ai shkruan se i do vargjet:

                Krejt të lira

                Si hapësira,

                Si era,

                Si drita

                 Me vargje si vargmalet që shtrihen nga veriu në jug

               Dhe nga jugu në veri,

Me vargje të mbirë nga balta jote, Shqipëri.

Por ka raste kur vargjet thuren edhe me strofa dhe me vargje të rimuar.Në teknikën e sendërtimit të vargjeve, i jep më shumë vend fjalës së bukur, çuditërisht të bukur, tingëlluese, të vënë në vendin e duhur. Janë metafora dhe simbole domethënëse që lexuesit i mbeten në mend. Refrenet dhe përsëritjet janë të rralla, por kur përdoren ato krijojnë ritmin dhe theksat tonikë që i japin poezisë kumbim të brendshëm:

                 Eja trishtim,

                 Eja me hapa fletësh që bien nga degët,

                 Eja me hapa shiu që këputet nga fletë,

                 Eja trishtim !…….

Në aspektin konkret të poezive dhe pozicionimin vetiak, varësisht nga tematika dhe idetë që dëshiron të përçojë, stili i tij, sipas S.Hamitit, është: dramatik, elegjiak, baladesk, përkushtimor, rrëfimtar dhe rastësor.

          Bilali është poet lirik dhe emocional. Në vargjet e tij ai derdh drithërimat e shpirtit dhe rrahjet e zemrës së shqetësuar; edhe kur në poezitë e tij jepen gjendje dramatike dhe dhembja e thellë e shpirtit, qofshin ato balada, elegji apo lirikat e dashurisë. Ato jepen plot ndjenjë, mendim e thellësi, për këtë i vjen në ndihmë stili i tij, fjala e gjetur, bukuria e saj dhe pesha që i jep mendimi. Kësisoj gjuha e përdorur dhe qëndrimi ideoemocional ndaj objektit dhe subjektit, shprehin më së shumti botën e tij shpirtërore, idenë që kërkon të transmetojë te lexuesi. Këto ngjizen dhe trupëzohen mjeshtërisht me figura e metafora që merren kryesisht nga natyra. Vini re vargjet e mëposhtme:

           Pylli I vogël në lartësinë e kodrës mbi lumë

           Veshi gëzofin e mjegullave si shkumë,

           Dhe vuri në qafë shallin e mëndafshtë të Ylberit,

           Bie shi i argjendtë nëpër dritën e artë të diellit.

Se ç’forcë e mocionale kanë poezitë e tij, mjafton ti hidhet nje veshtrim poezisë “Në internim” e botuar më 1979 në revistën “Krahu i Shqiponjës”. Është rrënqethëse dhe kur e lexon ngjall emocione të forta, keqardhje dhe një revolt të brendshme për vetminë dhe vuajtjet e poetit të internuar, të privuar nga liritë e të drejtat, miqtë, të dashurit dhe të dashurat. Mjetet shprehëse dhe figurat janë të fuqishme: errësira, shiu, nata, kukuvajka dhe balta, krijojnë zymtësinë e atmosferës së natës së vjeshtës së vonë, natë në të cilën poeti është i ndryrë në barakën e ftohtë. Poeti pyet veten: kush është ajo që e kërrusur përmes shiut është nisur për te ai? Dhe përgjigjen e jep po vetë:

            Më kot kujtoj sonte

            dikë që e dua

            më kot më shkon mendja

            tek dikush që më do mua!

             Jo, asnjeri s’do shkundë pika shiu,

             në prag të derës sime këtë natë!

             Rrugën e ka mbuluar balta

             dhe errësira…..

Poeti është i internuar, i nëmur, i mallkuar. Tek ai e dashura nuk mund të shkojë pa u vetsakrifikuar. Ai e di këtë, prandaj me pikëllim, e mbyll poezinë me vargjet:

…..Ndoshta do të më rrjedhë tërë jeta

         larg asaj që e dua,

         larg asaj që më do mua.

           Xhaferri është poet tragjik.Studjuesi S.Hamiti[3] e ka quajtur poet I “nemun”, njdersa kritiku K.Shala, e konsideron atë ndër poetët më tragjikë të letërsisë shqipe. Ngaqë: tragjike jeta e tij nga fëmijëria deri në vdekje, tragjik fati i Çamërisë dhe atdheut, tragjik fati i veprës së tij letrare që u ndalua dhe u burgos në dosjet e sigurimit të shtetit dhe që u gropos në tokë nga miqtë e tij për tu ruajtur e që për dekada mbeti e panjohur.Tragjikja që shprehet në poezitë dhe artin e tij, është shprehje e gjëmës dhe fatkeqësive personale, familjare dhe të bashkëkombësve, etnisë së tij.Tragjizmi dhe trishtimi që rrjedh sojesh janë shenjat e identitetit të tij poetik. Si njeri, si natyrë e ndjeshme, ai s’kishte si të mos e shprehte në art këtë gjendje të përhershme që e ndiqte ngado si një nëmë, si një mallkim.

Tematika dhe tipologjia. Duke i gjykuar në aspektin përmbajtësor tematik, tipologjia e poezive mund të  përcaktohet në disa grupime: balada, elegji, poezitë e përkushtimit, të dashurisë dhe poemat. Përveç këtij përcaktimi tipologjik, poezitë e Xhaferrit, mund ti grupojmë edhe në apektin tematik, në atë se kujt i drejtohen dhe përse bëjnë fjalë.

     Dallohen poezitë e etnisë, ndër to ato për Çamërinë:”Baladë çame”, “Natë çame”, “Janinë vjeshtë”,” Pranvera”. Kosovës i kushtohet poezia “Kosovës”, ndërsa Shqipërisë:”Shqipëria 1976” dhe “Atdheu”. Ndjenjës së hidhur e të pangushëllueshme të humbjes së atdheut nga mërgimi prej tij, i kushtohen edhe tri poezi të tjera të gjetura më vonë:”Arbëreshët”, “Braktisje” dhe “Aromë çamërie.”

Për Çamërinë dhe etninë, për të ngjizur poezitë e tij,  siç  thotë vetë, shkriu arin e shpirtit në vargjet e tij më të mira. Ishte ky si një detyrim i birit për nënën, një detyrym moral e atdhetar, por edhe një mënyrë për të shprehur emocionet dhe ndjenjat që i merrnin frymën.

Në këtë grup ndrit si një diamant “Balada çame”.Është kryevepra e poezisë së tij. Pajtohem me vlerësimet e shprehura dhe kam bindje se ajo është lirika më e mirë e Xhaferrit, dhe jo vetëm kaq, është ndër lirikat më të mira të letërsisë shqipe. Është tragjedia çame e humbjes së atdheut. Është kënga elegjiake e humbjes, një klithje drithëruese e shpirtit të poetit. Për ta shprehur sa më fuqishëm idenë e tij poetike, ai ka futur një risi, duke ndërthurur  baladën me elementet e elegjisë. Balada është e ndërtuar me 21 vargje, relativisht pak, por ajo është një masë e ngjeshur dhe e rëndë si superyjet, një univers poetik ku pesha specifike e fjalës në varg, është si gurthemeli, ato lidhen me hallka të arta dhe kanë shkëlqim diamanti edhe kur janë me ngjyrime të errëta. Kësisoj ato rrëfejnë gjithë zezonën rrënqethëse e të tmerrshme të tragjedisë çame. Nuk po zgjatem më tej me këtë baladë, ngaqë i kam kushtuar një esse të veçantë”Balada çame, kryevepra poetike e Bilal Xhaferrit”[4]

Poezitë e tjera për Çamërinë, elegji të mirëfillta, trajtojnë të njëjtën temë, atë të braktisjes, e cila është një dhimbje sfilitëse për poetin dhe gjithë çamët muhaxhirë, që me trup jetojnë në  Shqipëri por që me  mendje e shpirt janë në Çamërinë e tyre, dashurinë e tyre të përjetshme. Këto vjersha megjithëse përjetime vetjake për atë kob të rëndë shprehin gjithashtu brengën e popullatës të një krahine të tërë të mbetur shkretë. Poezia “Shqipëri 1976, e shkruar në Amerikë, ngjan si shfrim per diktaturën dhe keqardhje për mjerimin e varfërinë. Është model i lirikës politike qytetare. Gjithësej tre strofa, po i japim tëo plota:

Vend i vogël,

                   kohë e vogël,

                   racion i vogël.

 

                   Errësirë e madhe,

                   frikë e madhe,

                   mjerim i madh.

 

                   Dhe rrugëve të Atdheut,

                   si kukuvajkë nën hënë,

                    leh e ulurin

                   “Gazi “ 69    

Në dy strofat e para, që duket si të kundërta, antonimet e vogël- e madhe, janë të dyja madhësi të së keqes: të mirat të vogla, të këqiat të mëdha dhe si të mos mjaftonin ato, në vargun e parafundit shfaqet “Gazi “69 famëkeq i sigurimit të shtetit, Brenda të cilit ishte liria e lidhur me vargonj, për tuburgosur në qelitë e errëta. Një poezi sintezë, me esencën e mendimit dhe perceptimit të së keqes së madhe që vuanin shqiptarët. Është e paarritshme në llojin esaj.

        Poezitë e përkushtimit dhe të dashurisë, u drejtohen persoanave konkretë, nismëtoret  e emrave të tyre janë vënë në krye të vjershave. Përmbajtja lidhet me subjektin dhe shpreh afeksionin dhe disponimin e poetit për të. Poeti  ishte vëlla i tri motrave. Ishin familja, gjaku i tij. Por jeta u tregua mizore, u nda shpejt prej tyre dhe mbeti fillikat. Më i lidhur ishte më të voglën, Antikën. Poezia “Fli” i kushtohet asaj. Është thurur në formën e ninullës, por jo përkundëse, gjumëndjellëse, porse meditative e sentimentale. Nata, koha e gjumit, pasqyrohet me figura qiellore, të marra nga folklori çam:

Pulëza u ngrit lart mbi male

            Dhe shkoi me zogjtë e vet

            Të shpupurisë kashtën e kumtrit.

            Ty të ka zenë gjumi

Pas kësaj vjen soditja e motrës që fle: rrezet e hënës ulen dhe puthin faqen e zbehtë dhe era i murmurit te perdet një melodi që ajo ndoshta e dëgjon nëpër ëndfërr, por një fjalëz e vetme: faqja e zbehtë, mjafton për të treguar mjerimin dhe vështirësit e saj të jetës. Në mbyllje vijnë vargjet:

Fli motra ime,

           E vogla, e shtrenjta, motra ime,

           Fli zemër!

           Gjumin e ëmbël

     Në jetë,ajo s’është e lumtur, për këtë nuk mjafton dashuria vëllazërore, të paktën të jetë e tillë në gjumë, një lumturi iluzore, ëndërrimtare.                

Të tilla poezi  veç ”Motrës sime Antikës”, janë edhe”Kushtim S.M.” “Vijmë nga errësira”,”Rini uloke”, “Ti lulëzon në peisazhet e trishta” “Lule të vona” etj.

Lirika të mirfillta kushtuar dashurisë, Xhaferri ka lënë dy:njëra në trajtën e një poeme të paplotë, pasi ka humbur gjatë ruajtjes, të titulluar “Mjegulla”. Poema bën fjalë për një dashuri efemere, të pashprehur, si një vision ndjesor.Duket si një gjë e shkruar me një frymë, me ngut, si përjetim lirik i një dite të fundvitit. Lirika e tij më e mirë dhe më e ndjerë kushtuar dashurisë, është ”Ti lulëzon në peizazhet e trishta”. Është shkruar si një elegji për humbjen e të dashurës , që është larg tij, shumë vite pasi ai ka shkuar në Amerikë. Mosha po i ikën, në flokë kanë dalë thinjat, por kujtimi dhe pamja që ai e sjell në sytë e mendjes, ashtu si ajo ishte kur ata duheshin në vitet e rinisë.

Ti ke mbetur në kujtimet e mia,

              E shkrirë së bashku me ato bukuri transparente,

              E ndriçuar nga vezullimet e perëndimeve të florinjta,

              Që digjeshin në muzgjet e mbushur me luleshege….

Ai, i gjendur mes një përfytyrimi të ndezur, pyet veten se kur do të kthehet përsëri atje, te ato mrekulli dikur të përjetuara, që të ulet të presë në takim vashën, nën shegët, degët e të cilave plot lule të kuqe, vareshin si tufa fishekzaresh mbi zalle. Por:

             Tani lulet e shegëvë janë shkundur të gjitha

             dhe kokrrat janë vjelur dhe fletët kanë rënë

             vetëm ti lulëzon në peizazhet e trishta,

             Vetëm ti e ruan pranverën në shpirtin tënd.

Vjersha  vijon me tone të qeta, të përmallshme e aspak patetike, me shpresën se një ditë ata do të ritakohen:

             Dhe kur të kthehem unë i ngrirë

                                                      nga acari i dimrit

             do gjej tek ti ngrohtësisë e diellit të majit

              do gjej aromat e luleve dhe këngët e zogjve

              dhe dora jote e ëmbël do të më shkundë

                                                                        borën prej flokëve.

              Ashtu me faqen në prehrin tënd do bije në gjumë

              gjersa agimi të përhapë mjegullat e bardha  mbi lumë.

Vargjet janë elokuente, flasin vetë dhe çdo koment vetëm do t’ua zbehte bukurinë. Ka edhe poezi të tjera, ku poeti shfaq qëndrimin emocional për këtë ndjenjë të thellë e të fuqishme njerëzore, e cila në vend që ti sjellë gëzim, prehje e lumturi, i sjell pikëllim, trishtim e brengosje. E tillë ishte jeta e tij, e tillë dhe dashuria.

Për të hyrë në kopshtin poetik të Bilal Xhaferrit, kaluam nën harkun e ylberit të “Baladës çame” dhe për të dalë do të kalojmë nga dera e poezisë “Eja trishtim”. Kjo poezi, është mbyllja e natyrshme e krijimtarisë së tij poetike, e jetës së tij vetiake, tragjike, plot dhimbje e kobe. Sikundër ve në dukje studjuesi K.Rrahmani[5],ai u këndoi dhe i ngriti në art këto humbje sa vetjake dhe të etnisë.

Është krejt e kuptueshme që pas thirrjeve lamtumirëse të “Baladës çame”, pas “Natës çame” dhe “Vjeshtës së Janinës”, që përshkohen nga kulmi i kobeve të mëdha, poeti të lutet: ”Eja trishtim”. Trishtimi për të është prehri i ëmbël i prehjes dhe strehë e qetësisë. Ngushëllimi i vetëm që i ka mbetur. Po e jap të plotë:

Eja trishtim,

                     eja me hapa fletësh që bien nga degët,

                      eja me hapa shiu që këputet nga fletët….

                      eja trishtim.

                      Eja me hapa tingujsh që dridhen në mbrëmje,

                      eja me hapa zemrash që rrahin me dhembje…

                      eja trishtim,

                      o prehër i ëmbël që nuk më braktise kurrë,

                      o strehë e qetësisë sime,

                      o ëndërrime të mia,

                      o gji I shpresës sime!

                       Eja trishtim,

                       trishtim,

                       eja.       

Në mbyllje të kësaj sprove, e them me bindje se kjo është vetëm si një zbulim i sipërfaqshëm. Krijimtaria e këtij poeti është si deti i thellë ku fshihen perlat. Duhet lexuar e rilexuar disa herë, në kohë të ndryshme, në mosha të ndryshme dhe në gjendje të ndryshme shpirtërore dhe ideo-emocionale. Pas çdo rileximi, jam i sigurtë se do të zbulojmë plot të papritura që më parë na kishin kaluar pa u vënë re.

Duke u nisur nga sistemi i vlerave dhe veçantive stilistike, jam i një mendimi me studjuesin Sabri Hamiti, se poezitë më të buklura, me vlera antologjike, që do të mbeten si pjesë tërësore e poezisë shqipe janë: Baladë came, Natë çame, Janinë vjeshtë,Kosova, Atdheu,Pranvera,Ti lulëzon në peizazhet e trishta,Eja trishtim, Në Internim e ndonjë tjetër.

Bilal Xhaferri është dhe do të mbetet një zë i veçantë i poezisë shqipe.

Tiranë, 25 shkurt 2016.

[1] Hamiti, Sabri: “Poeti I nemun-Bilal Xhaferri,Rilindja, Prishtinë 1995

[2] N.Mane,”Diplomacia e mohimit”, Miku I të gjithëve.

[3] Po aty

[4] Osmani,Resmi www zemrashqiptare. Net/news/id_26786

[5] Rrahmani ,Kujtim”Gramatika e fshehtë e motiveve” Podujevë 1988.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bilal Xhaferri, POETI I NËMUR, Prof. Dr. Resmi Osmani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3034
  • 3035
  • 3036
  • 3037
  • 3038
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT