-Përgatitje për protesën e 17 shkurtit në Prishtinë/
PRISHTINË, 10 Shkurt 2016/ Liderët e tre partive opozitare në Kosovë, Ramush Haradinaj i AAK, Visar Ymeri i VV dhe Fatmir Limaj i Nisma, sapo kanë përfunduar një takim në selinë e AAK-së në Prishtinë.
Pas takimit u deklarua se, “kundërshtimi politik opozitar është i vendosur dhe do të vazhdojë të jetë më i fuqishëm se asnjëherë më parë, deri në shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme”.
“Protesta e 17 shkurit, do të jetë ndër protestat më të mëdha të organizuara deri me tash”, thekson deklarata e dërguar pak më parë.
Në 17 shkurt është dita e 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në 9 janar 2016, në protestën në Prishtinë, kundër qeverisë, sipas opozitës ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës, ndërsa sipas Policisë së Kosovës ishin 8 mijë. Më parë, në ditën e festës së 28 nëntorit 2015, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës./b.j/
Kosova, thellim bashkëpunimi me Irlandën e Mauritaninë
-Ambasadori i Irlandës dhe ambasadorja e Mauritanisë dorëzojnë letrat kredenciale/
PRISHTINË, 10 Shkurt 2016/ Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga priti sot në takime të veçanta ambasadorin e Irlandës në Hungari, jorezident për Kosovën, Pat Kelly, dhe ambasadoren e Mauritanisë në Itali, jorezidente për Kosovën, Mariem Aouffa. Ambasadorja dhe ambasadori në ceremonitë e zhvilluara dorëzuan letrat kredenciale.
Presidentja Jahjaga çmoi mbështetjen që Irlanda i ka dhënë institucioneve të Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe gatishmërinë e shprehur për të vazhduar mbështetjen për procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në institucionet ndërkombëtare. Duke vlerësuar marrëdhëniet midis dy vendeve, Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Ambasadori Pat Kelly theksoi përkushtimin e qeverisë së Irlandës për të mbështetur institucionet e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike dhe për thellimin e bashkëpunimit në çdo sferë me interes për të dyja vendet.
Në pritjen tjetër të veçantë, Presidentja Jahjaga e uroi ambasadoren Aouffa për detyrën e re, duke i dëshiruar punë të suksesshme gjatë mandatit të saj si ambasadore jorezidente e Mauritanisë në Republikën e Kosovës.
Presidentja Jahjaga vlerësoi marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Mauritanisë, ndërkohë që theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit midis dy vende në të gjitha fushat me interes bilateral.
Ambasadorja Mariem Aouffa shprehu gatishmërinë e institucioneve të Mauritanisë për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Republikës së Kosovës në çdo sferë me interes për të dyja vendet./b.j/
Ministri i FSK-së viziton Kolegjin e Luftës të Forcave të Armatosura të Turqisë
PRISHTINË, 10 Shkurt 2016/ Gjatë vizitës tre ditore në Republikën e Turqisë, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli zhvilloi një takim të veçantë me komandantin e Kolegjit të Luftës të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, gjenerallejtënant Tahir Bekiroglu.
Ministri Demolli fillimisht e ka falënderuar gjeneralin Bekiroglu për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Turqisë po jep për FSK-në në shumë fusha, sidomos në fushën e arsimimit të kadetëve të FSK-së në Akademitë Ushtarake të Turqisë.
Ministri Demolli dhe gjenerali Bekiroglu biseduan edhe për vazhdimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen, si dhe mundësinë e rritjes së bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të FSK-së dhe Ushtrisë së Turqisë.
Nga ana e tij, komandanti i Kolegjit të Luftës, gjenerallejtënant Tahir Bekiroglu, premtoi ndihmën e tij për sa i përket edukimit dhe arsimimit të kadetëve të FSK-së në shkollat ushtarake të Turqisë.
Gjithashtu ministri Demolli takoi edhe gjeneral majorin Hasan Nevzad nga Instituti Strategjik Kërkimor, si dhe kadetët e FSK-së të cilët po shkollohen në Turqi.
Ndërsa në Qendrën e Korpusit të 3-të të Ushtrisë dhe Komandës së Zbarkimit të Shpejtë të NATO-s, ministri Demolli u prit nga gjeneral majori Tayyor Sungu, i cili e njoftoi me misionin e kësaj qendre. Më pas, ata diskutuan lidhur me shkëmbimin e përvojave edhe në fushën e stërvitjeve.
Njoftimi dërguar sot nga Ministria e FSK-së thekson se, në të gjitha takimet që pati ministri Demolli në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë e Republikës së Turqisë mori përkrahje për bashkëpunimin e ndërsjellë në mes të dy institucioneve./b.j/
Qeveria e Kosovës, 18 vendime për Parkun Kombëtar të Sharrit
-Qeveria e Kosovës miratoi nismat për lidhje të bashkëpunimit policor në luftimin e krimit me qeveritë e Italisë, Belgjikës, Lituanisë dhe Estonisë, si dhe nismën për lidhjen e marrëveshjes në fushën e zbatimit të ligjit për parandalim dhe luftim të krimeve të rënda me qeverinë e Danimarkës/
PRISHTINË, 10 Shkurt 2016-B.Jashari/ Qeveria e Kosovës sapo mbajti sot një mbledhje me 26 pika në axhendë, 18 prej të cilave ishin vendime për “vënie në mbrojtje strikte” të zonave të ndryshme malore në Parkun Kombëtar të Sharrit.
Qeveria e Kosovës miratoi nismat për lidhje të bashkëpunimit policor në luftimin e krimit me qeveritë e Italisë, Belgjikës, Lituanisë dhe Estonisë, si dhe nismën për lidhjen e marrëveshjes në fushën e zbatimit të ligjit për parandalim dhe luftim të krimeve të rënda me qeverinë e Danimarkës.
Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e 74-të, të shtatën në vitin 2016, të cilin e nisi me dy mbledhje brenda ditës së 8 janarit.
Në mbledhjen e 29 janarit, qeveria ka themeluar Këshillin Organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në 17 shkurt, ndërsa tashmë aktivitetet festive kanë nisur.
Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të mëdha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
QEVERIA E KOSOVËS MBAN ANKANDIN E BONOVE TË THESARIT
PRISHTINË, 10 Shkurt 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur Ankandin e Bonove të Thesarit KV003-16, ku u ofertuan Bono Thesari 12-mujore në vlerë nominale prej 25 milionë euro. Shuma e ofertuar do të shërbej për ri-financimin e instrumentit të emetuar në shkurt 2015.
Njoftimi dërguar sot nga Ministria e Financave thekson se, në ankandin e Bonove të Thesarit, tregu ka shfaqur kërkesë për blerje në vlerë 72.2 milionë euro. Kjo është shuma më e lartë që ndonjëherë ka ardhur si kërkesë e tregut të Bonove të Thesarit. Ndërsa, është pranuar vetëm shuma e shpallur paraprakisht e cila është 25 milionë Euro. Norma e interesit për këtë ankand ishte 0.97% vjetore, gjë që paraqet një dallim prej 56 pikësh bazë krahasuar me normën e interesit të ankandit të kaluar të bonove 12-mujore, e cila ishte 1.53%.
Blerësit e Bonove të Thesarit sipas kategorive janë Bankat private me 24.75 milionë euro si dhe Kompanitë e sigurimeve me 0.25 milion euro dhe si rezultat i normës më të ulët të ri-financimit do të ketë edhe të hyra buxhetore prej 138,036.59 euro.
Ankandi i Bonove të Thesarit i mbajtur dje është edhe një tjetër vlerësim pozitiv që kanë institucionet financiare në vend për stabilitetin financiar të qeverisë së Kosovës, duke shprehur kështu interesimin e tyre të lartë dhe gatishmërinë për Bonot e Thesarit. Por, njëherit është edhe përkushtim i qeverisë së Kosovës për transparencë dhe treg të pastër të bonove të thesarit, thekson deklarata./b.j/
*Foto Gazeta Dielli-Behlul Jashari: Qeveria e Kosovës në mbledhje, 10 shkurt 2016
Pushtues të vetvetes
Nga Ilir Levonja/
Lartë e poshtë, apo poshtë e lartë…, siç thoshte teto Ollga dikur. Në universin e botës virtuale, qarkullon edhe një ftesë. Një ftesë për kthimin apo jo të Fatos Nanos në politikë?. Votoni, të konfirmojmë mbështetjen për mua! Do të përfitoni edhe diçka…
Së pari, mu kujtuan fjalët e Sabri Godos në vjeshtën e 2011-ës.
Në atë kohë, zgjedhjet për Presidentin e Republikës ishin larg. Por fakti që ish top modeli i PD, Bamiri, qe acaruar me krahun nga erdhi në pushtet. Fushata presidenciale ishte e zellshme. Gati të afrohej. Dhe një ndër ofertat e bisedimeve të palëve, ishte edhe emri i Sabri Godos. Plaku i urtë iu përgjigj interesit të shtypit duke thënë tekstualisht. ”Tani moshat tona mund të dalin nga Presidenca, dhe jo të hynë.” Aludonte me këtë edhe për faktin e rigjenerimit. Megjithëse jepte dhe një version për një President asnjanjës. Ndodhi që disa muaj më vonë, dhjetor, që ashtu të ishte. Plaku i mirë doli nga dera e presidencës. Në kuptimin që ndërroi jetë. Dhe i qoftë dheu i lehtë, për faktin se na la një bagazh të madh veprash. Por edhe një personalitet model…, se si duhet dhe e meriton Shqipëria një politikan. Mirëpo, kujt ia tha? Dhe kush po e kujton? Që të gjykoi ndryshe sot.
Ndofta kjo ftesë virtuale, mund të jetë edhe një ofertë nga ato që quhen spam. (Letrat e shukosura në koshin poshtë tavolinës.) Ose e porositur. Pasi ekzistojnë me dhjetra webe me emrin e Nanos. Por që çuditërisht e përmbajnë këtë ftesë. Dhe që kanë një numër galopant ndjeksish.
Mos t’i mëshojmë Nanos. Në fund të fundit, për aq sa dha. T’i heqim kapelen në kuptimin e rotacionit. Zgjedhjet brenda një Partie. Bëri, tha, veproi…, u mënjanua. Madje demonstroi vullnet perëndimor në një fushatë presidencialesh. Që turpërisht e braktisi Partia e tij. Ndofta pikërisht për frymën liberale brenda radhëve të të vetëve. Dhe që në kulturën politike shqiptare, deri sot përshtatet kështu: rri se nuk di gjë ti. Pra le t’i mëshojmë rikthimit… Përse ne shqiptarët dukemi të pashpresë në rigjenerim.? Përgjigjet mund të jenë të shumta. Por ajo më e dukshmja është fakti që edhe brezat e rinj brenda forcave politike, jetojnë nën presionin e njëshit. Janë si të sugjestionuar. Dhe sapo hap gojën për një mëndje ndryshe. Të shohin me dyshim. Je socialist apo jo? Je demokrat apo jo?
Në fakt radhët brenda subjekteve janë plot me intelektualë të rinj. Me plot tituj dhe perceptim ndryshe nga politikëbërja e deritanishme. Që sado të na ketë emocionuar në rrahje këmbësh kur kemi tronditur bulevardet, prapë mbeti një botë plot konflikte. Plot dështime…, aq sa dhe një emër ambasadori bëhet ngërç kombëtar. Eshtë absurditet social, i cili vetëm vendeve të drobitur prej luftrash, regjimesh, diktaturash etj…, si vendi ynë, nuk i nevojitet. Por ja që tek ne po ndodh me shumicë. E tillë është dhe kjo ftesë. Dhe kaq e kaq shumë zëra që vlojnë të lumtur në rikthimin e Nanos.
Nuk e shpëton Ps-ën, nuk e shpëton Pd-ën…, nuk e shpëtojnë në përgjithësi politikën shqiptare, rikthimi. Apo rikthimet. Por rigjenerimi, rifreskimi i saj. Pse jo edhe një alternativë e re. Këto nuk janë tema tabu. Por vitalitet i një kombi të cilin nuk e mundën, pushtimet, uzurpimet, diktati i të huajit. Por që fatkeqësisht po e firon pushtimi i vetvetes.