• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZADE LAJQI NDERROI JETE- SOT HOMAZHET,NESËR VARRIMI

November 6, 2020 by dgreca

 – VATRA NGUSHËLLON FAMILJET LAJQI DHE DEMAJ-

Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA” dhe Gazeta e saj”Dielli”ngushëllojnë z. Sylë LAJQI me familje për humbjen e bashkëshortes së Tij Zade Lajqi (Demaj).

      ZADE LAJQI (Demaj)përballej prej kohësh me sëmundjen. Zemra e saj pushoi së rrahuri të Martën me 3 Nëntor 2020 në moshën 64 vjecare.

   Sot, e Premte 6 nëntor 2020, nga ora 2 PM deri në 9 PM familja dhe miqtë presin ngushëllime në Shtëpinë Mortore Yorktown Funeral Home.

Shtëpai mortore ndodhet në adresën:

945 E Main St, Shrub Oak, NY 10588

Tel : (914) 962-0700

Varrimi do të kryhet të shtunën me 7 nëntor.Nisja drejt varrezave: Kensico Cemetery, që ndodhen në adresën: 273 Lakeview Ave, Valhalla, NY 10595, bëhet në orën 10 AM…

Filed Under: Komunitet Tagged With: nderroi jete, Zade Lajqi

Xhorxhia shkon në rinumërim

November 6, 2020 by dgreca

Sekretari i shtetit të Xhorxhias në SHBA, Brad Raffensberger, tha se votat e zgjedhjeve presidenciale në këtë shtet do të rinumërohen.

Ai po ashtu tha se 4,169 vota mbeten për t’u numëruar dhe se rreth 8,000 vota të ushtrisë me kusht janë ende në postë dhe do të numërohen vetëm nëse arrijnë deri në fund të ditës.

“Tani për tani, Xhorxhia është shumë pranë rezultatit”, tha ai, por shtoi se “me një diferencë kaq të vogël, do të ketë rinumërim”.

Kandidati demokrat për president, Joe Biden, ka epërsi të vogël ndaj presidentit Donald Trump në Xhorxhia, me vetëm pak më shumë se 1,000 vota.

“Interesi për zgjedhjet tona padyshim që shkon përtej kufijve të Xhorxhias. Rezultati përfundimtar në Xhorxhia, në këtë pikë, ka implikime të mëdha për të gjithë vendin”, tha Raffensberger.

Xhorxhia i siguron një kandidati 16 vota elektorale.

Sipas rezultatve të deritanishme, Biden i ka 253 vota elektorale, ndërsa Trump 214.

Një kandidati i duhen së paku 270 vota të tilla për t’u zgjedhur president.

Numërimi i votave në disa shtete kyçe, përfshirë Pensilvaninë që ka 20 vota elektorale, vazhdon.

Rinumërimi në Xhorxhia mund ta vonojë shpalljen e fitores nga cilido kandidat.

***

Biden prin në Pensilvani, Trump me akuza për procesin zgjedhor

Numërimi i votave nëpër shtetet kyçe është duke vazhduar në Shtetet e Bashkuara.

Kandidati për president i Partisë Demokratike, Joe Biden, është më pranë fitores, ndërsa ai republikan, njëherësh president i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë akuza që sulmonin procesin demokratik të vendit.

Biden ka dalë në epërsi ndaj presidentit Trump në shtetin e Pensilvanisë. Trump nuk mund të rizgjidhet nëse nuk fiton 20 votat elektorale të Pensilvanisë, pa marrë parasysh sa shtete të tjera fiton. Shanset e tij për të siguruar rizgjedhjen do të varen nga zhvillimet në këtë shtet.

Biden ka shënuar epërsinë me 5,587 vota, raporton Reuters.

Në Xhorxhia, sipas rezultateve të fundit, Biden ka një epërsi prej 1,097 votash kundrejt presidentit Trump.

Biden gjithashtu po mban një epërsi të vogël në Arizona dhe Nevada. Në Arizona, epërsia e tij u ngushtua në rreth 47,000 vota, dhe në Nevada ai ishte përpara me rreth 11,500 vota.

Nëse trendi aktual vazhdon, Trump përballet me një rrugë të vështirë për të mbajtur Shtëpinë e Bardhë. Në një konferencë për media ai bëri një deklaratë të ashpër, duke pretenduar – pa siguruar ndonjë provë – për mashtrime në shtetet ku po vazhdon numërimi i votave dhe kërcënoi me veprime ligjore në të gjithë vendin.

Biden ka fituar deri më tani 253 vota të Kolegjit Zgjedhor, dhe e gjithë vëmendja u përqëndrua në numërimin e votave në Pensilvani, ku u numëruan fletëvotimet nga zonat përreth Filadelfias.

Një kandidati presidencial ka nevojë për të paktën 270 vota të Kolegjit Zgjedhor për të fituar Shtëpinë e Bardhë.

Secili shtet ka një numër të caktuar të votave të Kolegjit Zgjedhor, bazuar në popullsinë e tij.

Biden do të bëhej presidenti i ardhshëm nëse fiton Pensilvaninë, ose dy nga këto shtete: Xhorxhian, Nevadan dhe Arizonan.

Fushata e Trumpit ka nisur një stuhi të veprimtarisë ligjore duke sfiduar procesin e numërimit, ndërsa hedh dyshime mbi rezultatet e zgjedhjeve.

Fushata e Trumpit gjithashtu ka sfiduar një rregull të Pensilvanisë që lejon shtetin të numërojë fletëvotimet me postë nga dita e zgjedhjeve të arritura deri në tre ditë më vonë.

Presidenti Trump gjatë fushatës së gjatë dhe të egër sulmoi vazhdimisht integritetin e sistemit të votimit të vendit.

Trump dëshiron që asnjë fletëvotim i pranuar pas ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor të mos numërohet. Ekzistojnë vendime gjyqësore që lejojnë numërimin e atyre votave në shtetet ku lejon legjislacioni vendor.

Në konferencën e mbajtur në Shtëpinë së Bardhë më 5 nëntor, ai edhe një herë pretendoi, pa prova, se demokratët “po përpiqeshin të vidhnin zgjedhjet”.

“Ne mendojmë se do të ketë shumë procese gjyqësore”, tha Trump.

“Në fund të fundit, unë kam një ndjenjë që gjykatësit do të vendosin,” shtoi ai.

Platformat e mediave sociale Twitter dhe Facebook, ku fjalimi i presidentit u transmetua drejtpërdrejt, vendosën paralajmërime mbi përmbajtjen.

Disa ekspertë ligjorë kanë thënë se proceset e mundshme gjyqësore nuk ka gjasa të ndikojnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Një gjykatës i Miçiganit më 5 nëntor hodhi poshtë një proces gjyqësor të inicuar nga fushata e Trumpit, e cila kërkoi një ndalim emergjent të numërimit të votave në këtë shtet.

Biden u ka kërkuar amerikanëve që të kenë besim në procesin zgjedhor duke shfaqur besimin se ai do të jetë fituesi përfundimtar pasi të numërohen të gjitha votat.

“Askush nuk do të na rrëmbejë demokracinë. Tani dhe asnjëherë”, tha ai në një postim në rrjetet sociale pas deklaratave akuzuese të Trumpit.

“Amerika ka arritur shumë, bëri shumë beteja dhe duroi shumë për të mos lejuar që kjo të ndodhë”, shtoi Biden.

ë nxitur nga retorika e Trump, turma të vogla të mbështetësve të tij mbajtën demonstrata jashtë disa qendrave të votimit. Disa demonstrues anti-Trump u mblodhën gjithashtu në të gjithë vendin.

Të dyja organizimet ishin përgjithësisht paqësore, por megjithatë u raportuan disa përleshje të vogla midis grupeve.(Peragatiti Kestin Kumnova-RFL)

Filed Under: Featured Tagged With: Biden, Georgia, Trump

ZGJEDHJET NE USA- Sfidë e re ligjore nga ekipi i fushatës zgjedhore të presidentit

November 6, 2020 by dgreca

Ekipi i fushatës zgjedhore të Presidentit Donald Trump vazhdoi të paraqesë sfida ligjore ndaj numërimit të votave të enjten, megjithëse pësoi disa goditje në dy shtete të rëndësishme për të fituar zgjedhjet.

Në Nevada, shtet me prirje demokrate ku ish-nënpresidenti Joe Biden ruan një diferencë të ngushtë ndaj Presidentit Trump me vazhdimin e numërimit të votave, kampi zgjedhor i presidentit dhe republikanët e këtij shteti njoftuan se po paraqesin padi me pretendimin se të paktën 10,000 vetë, që nuk kanë status rezidenti në atë shtet, kishin votuar në mënyrë të paligjshme dhe votat e tyre ishin pranuar për numërim.

“Në këtë vend është e papranueshme të numërohen votat e paligjshme. Kjo po ndodh në shtetin e Nevadës,” tha ish-shefi në detyrë i shërbimeve të zbulimit, Richard Grenell, në një konferencë për shtyp në Las Vegas.

Joe Gloria, zyrtari përgjegjës për regjistrin e votuesve në Komunën Klark në Nevada i hodhi poshtë këto pretendime. “Nuk jemi në dijeni të fletëvotimeve të parregullta që janë pranuar për numërim,” tha zoti Gloria në një konferencë për shtyp.

Punonjësit e ekipit zgjedhor të presidentit njoftuan të mërkurën se do të paraqesin padi për të ndalur përkohësisht numërimin e votave në Pensilvani – një shtet kritik për rizgjedhjen e presidentit – deri kur vëzhguesve t’u lejohet qasje më e mirë për të ndjekur procesin e numërimit të votave.

Padia në Nevada, sfida e katërt kryesore ligjore që nga e marta për zgjedhjet 2020, pason vendimet e gjykatave në Xhorxhia dhe Miçigan që nuk pranuan të shqyrtojnë sfidën ligjore të ekipit për rizgjedhjen e presidentit lidhur me trajtimin e fletëvotimeve në këto shtete.

Në Xhorxhia, republikanët ngritën akuza se bordi lokal i zgjedhjeve po lejonte përfshirjen e fletëvotimeve të pavlefshme të dërguara me postë në procesin e numërimit. Por një gjykatës e hodhi poshtë padinë pasi një zyrtar lokal zgjedhor dëshmoi se fletëvotimet në fjalë “kishin arritur në kohë”.

Në Miçigan, një gjykatës lokal hodhi poshtë kërkesën e zyrtarëve të fushatës zgjedhore të Presidentit Trump për të ndalur numërimin deri kur të vihej në zbatim një “qasje e pranueshme” në procesin e përpunimit të fletëvotimeve, si për shembull kamera për të xhiruar pamjet dhe aktivitetin me kutitë ku hidhen votat. Një ditë më parë vendimit të gjykatësit, zoti Biden ishte shpallur fitues në këtë shtet nga organizatat mediatike.

Megjithëse humbi dy sfida ligjore në Xhorxhia dhe Miçigan, presidenti arriti një fitore fillestare në Pensilvani, ku një gjykatës i apelit dha urdhër që vëzhguesit republikanë të lejoheshin për të ndjekur numërimin e votave në një sallë konferencash, nga një distancë prej 2 metrash nga personi që bën numërimin.

Këshilltarë të ekipit zgjedhor të Presidentit Trump e përshëndetën vendimin, duke u zotuar se do të vazhdonin betejën në Pensilvani dhe shtete të tjera që i nevojiten presidentit për fitore.

“Do të vazhdojmë të luftojmë për këto zgjedhje sepse këtë dëshiron populli amerikan,” tha menaxheri i fushatës së zotit Trump për rizgjedhje, Bill Stepien gjatë një komunikimi me shtypin.

Kampi i zotit Biden i cilësoi paditë e rivalit si të pavlefshme.

“Synojnë t’i japin kampit të zotit Trump mundësinë për të argumentuar se duhet të ndalet numërimi i votave. Por nuk do të ndalet,” tha këshilltari i fushatës zgjedhore të zotit Biden, Bob Bauer.

Rezultatet e zgjedhjeve rrallë herë sfidohen. Por ky ka qenë procesi më i sfiduar përmes sistemit gjyqësor dhe presidenti tha se “rreziku më i madh” për të është humbja në gjykatë.

Duke mos përfillur thirrjet e zotit Trump për të ndalur numërimin e votave, zyrtarët e zgjedhjeve në gjashtë shtete ku rezultatet mbeten ende të pashpallura: Alaska, Arizona, Xhorxhia, Nevada, Karolina e Veriut dhe Pensilvani, vazhduan numërimin dhe ekspertët ligjorë thonë se nuk ka gjasa që gjykatat të ndalin numërimin.

“Nuk mendoj se ndonjë prej tyre (padive gjyqësore) do të ketë ndikim duke ndalur numërimin e votave në një mënyrë që ndikon tek zgjedhjet, në ditët e ardhshme,” tha Jordan Strauss, ish-prokuror federal dhe aktualisht drejtor menaxhues me firmën konsultuese, Kroll. “Ka plot zëra dhe aludime, por asnjë prej sekretarëve të shteteve në këto katër shtete nuk e ka certifikuar ende rezultatin”.

Nga shtetet e padeklaruara, Pensilvania ka gjasa të tërheqë vëmendjen më të madhe në paditë gjyqësore pasi ka 20 vota elektorale, që e bën të domosdoshme për rizgjedhjen e presidentit.

Para ditës së zgjedhjeve, republikanët u përpoqën pa sukses përmes një padie që u paraqit para Gjykatës së Lartë, të pengonin planet e Pensilvanisë për të numëruar vota të dërguara me postë që arrinin deri në tri ditë pas ditës së zgjedhjeve.

Por disa nga anëtarët konservatorë të Gjykatës së Lartë sinjalizuan se mund të jenë të hapur për ta marrë përsëri në shqyrtim këtë çështje.

Duke pasur parasysh numrin relativisht të vogël të votave që kanë mbërritur që nga e marta në Pensilvani, kjo çështje mund të jetë e pavlefshme, thonë ekspertët.

“Numri i fletëvotimeve që do të marrin nuk ka gjasa të jetë aq i madh sa të ndryshojë rezultatin në numërim, edhe nëse i përjashtojnë nga totali këto fletëvotime,” tha Sylvia Albert, drejtore për votimin dhe zgjedhjet pranë grupit “Common Cause”, një nismë qytetare.

Ish-prokurori federal Strauss pohon se mund të mos ketë vota të mjaftueshme që mbërrijnë me vonesë për të përmbysur rezultatin pro ose kundër njërës palë.

“Duhet të shohësh një rezultat, një mundësi për sukses që e bën sfidën të vlefshme jo vetëm nga ana ligjore, por edhe praktike,” tha zoti Strauss.

Aktivistë për të drejtën e votës, të cilët ndoqën votimet të marrtën dhe po ndjekin procesin e numërimit të votave thonë se nuk kanë marrë raportime për probleme sistematike në këtë proces. Megjithë sfidat dhe akuzat e kampit zgjedhor të Presidentit Trump se vëzhguesit nuk janë lejuar të ndjekin numërimin e votave, individë të emëruar nga të dy palët rivale në zgjedhje vazhdojnë të ndjekin procesin e numërimit, thonë ata.

“Nga raportimet që kam marrë dhe pamjet e xhiruara nga procesi, numërimi po vazhdon brenda parametrave të caktuara në ligj,” thotë zonja Albert.

Në disa zona numërimi po ecën shumë ngadalë, por zyrtarët zgjedhorë kanë paralajmëruar prej kohësh se mund të ndodhin vonesa pasi pati një pjesëmarrje shumë të lartë në votimet me postë si rezultat i pandemisë,” thotë zonja Albert.

“Nuk ka asgjë për t’u çuditur nga këto që po ndodhin tani,” thotë zonja Albert. “Zyrtarët zgjedhore thjesht po bëjnë punën duke numëruar votat, asgjë më shumë”.(Kortezi-VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: ekipi i Presidentit, sfida Ligjore

UÇK-ja, KRENARI KOMBETARE

November 6, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/ Të gjykosh në Hagë UÇK-në nga një gjykatë speciale unike në botë e ngritur tinëz për bijtë që luftuan për Lirinë e Kosovës është një ogur i zi për drejtësinë.  Të vendosësh në bankën e të akuzuarve Heronjtë e Luftës për Liri dhe t’i barazosh me kryekriminelin e Ballkanit Sllobodan Millosheviçin me të njejtën akuzë si: “Krime kundër njerëzimit” është përsëri drejtësi e frikshme. 

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dha këto ditë dorëheqjen si president i Kosovës për t’u përballur me akuzat në Hagë.

Thaçi deklaroi se nuk do të dalë para gjyaktës së Hagës si president, por si një ish-drejtues i UÇK-së.

Ai i bëri thirrje partive të Kosovës që të angazhohen për të siguruar vazhdimin e mirëqeverisjes së vendit. “Kjo nuk është lamtumirë, por mirupafshim. Do të dalim faqebardhë,” mbylli Thaçi deklaratën e tij të fundit si president i vendit.

Zyra e Prokurorisë së Specializuar të Republikës së Kosovës e zhvendosur në Hagë do të verë në bankën e të akuzuarve luftëtarët e Lirisë për Pavarësinë e Kosovës.  

Të akuzuarit janë: Presidenti i Kosoves, Hashim Thaci, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Salih Mustafa, ish-eprori i lartë i UÇK-së.

Arrestimet arbitrare që po bën kjo gjykatë speciale duket sikur më sjellin shumë pranë terrorin e serbëve që ushtruan një shekull karshi mijëra shqiptarëve në Kosovë, të cilët u vranë, u persekutuan, u burgosën, u dëbuan nga trojet e tyre, u hodhën në gropa massive, mijëra të humbur dhe askush nuk është gjykuar për këto krime të përbindshme.  Kjo është nje lojë e pistë dhe e ndyrë nga qarqe të caktuara politike të udhëhequar nga lobi serb në botë të cilët duan me çdo kusht ta pagëzojnë UCK-në si kriminale dhe Pavaresia e Kosoves me shtetin e saj të rrëzohet  nga themelet.  

Kjo gjykatë speciale qe ka të punësuar një ekip prej 170 personash dhe harxhon 44 milionë euro në vit po trondit mbarë shqiptarët dhe opinionin botëror pasi Liria në Kosovë ka një emër:

UÇK-në.

Këta bij e ndjenë në asht robërinë serbe dhe dualën të luftojnë për Lirinë.  Nënat në Kosovë që lindnin djem u bënë heronj, se i kërkoi koha, i kërkoi Kombi, i kërkoi Liria.

Të gjitha këto akuza duan të hedhin poshtë ndërhyrjen e NATO-s dhe të konfrontojnë Kombin tonë me aleatët historik.

Populli shqiptar, shoqatat atdhetare dhe mbi të gjitha shteti shqiptar duhet të ngrihet në këmbë për poshtërimin dhe mohimin e vlerave atdhetare që i bën kjo gjykatë speciale në Hagë,  UÇK-së.  

Së bashku duhet të dalim me deklarata në mbrojtje të Lirise dhe të Pavarësisë së Kosovës e cila po kërcënohet dhe po vihet në rrezik.  Këtë lojë të drejtuar nga lobi serb dhe bashkëpunëtorët e tyre përfshi dhe tradhtarë të Kombit i duhet dhënë fund njëherë e përgjithmonë, pasi Kosova është e pavarur dhe askush s’ka të drejtë ta gjykojë dhe terrorizojë.  

UÇK-ja është krenaria kombëtare dhe luftoi me armë në dorë me udhëheqësit e tyre të sprovuar kundër bishës hitleriane të Sllobodan Millosheviçit i cili mjerisht ka lënë vezët e gjarpërit në shpirtrat e tyre të helmuar dhe vazhdon të infektojë në masë.

Larg duart nga UÇK-ja!   

6 Nëntor, 2020

New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Kozeta Zylo, larg duart, uck

Krime serbe në Kosovë – një libër tronditës

November 6, 2020 by dgreca

Rexhep Shahu: Krime serbe në Kosovë – një libër tronditës/

-Së shpejti del në Prishtinë dhe në qytetet e tjera./

-Varret masive të shqiptarëve janë ende në Serbi./

Kriminelët serbë në pushtet Vuçiq e Daçiq nuk i tregojnë ato varre dhe kanë veshe kostumin e viktimave dhe drejtojnë gishtin e akuzës kundër shqiptarëve.

Shqiptarët, besoj naivë, duket u mjaftuan, u nginë me lirinë e Kosovës, me Kosovën pa serbë, me shtetin e tyre të dytë shqiptar të lirë dhe i lanë të qetë kriminelët serbë, nuk i paditën as Vuçiqin as Daçiqin as shtetin kriminal serb në asnjë gjykate penale ndërkombëtare.

Shqiptarët dënohen, shkojnë nëpër gjykata për të provuar drejtësinë, shqiptarët duhet të paguajnë ende për lirinë, ndërsa serbët fërkojnë duart e krimit.

Edhe trupat e pajetë të shqiptarëve që janë në varrezat masive në Serbi janë pjesë e çmimit të rëndë që shqiptarët paguan për lirinë.

Janë disa libra që shqiptarët nuk i kanë lexuar, politikanët e intelektualët shqiptarë që duhet të jenë të lexuar nuk i kanë lexuar. “Shqiptarët e fuqitë e mëdha”, libër i shkruar nga kryeministri serb Vladan Gjorgjeviq, gurra e të ligës serbe kundër shqiptarëve, botuar në 1913 në frëngjisht e gjermanisht e pastaj përkthyer në serbisht nuk e kanë lexuar politikanët e intelektualët shqiptarë. Ndoshta e kanë shfletuar, por nuk e kanë lexuar, nuk e kanë lexuar, nuk e kanë lexuar, nuk e kanë thithë, nuk e kanë bërë pjesë të vetëdijes. Ky është libri që i bën shqiptarët me bisht. E ka shkruar kryeministri serb Vladan Gjorgjeviq, e ka përkthyer kryeministri shqiptar Mustafa Kruja, e kam botuar unë në 2015. Më 1928 e ka përkthyer dhe botuar në Zarë, Mustafa Kruja dhe që nga ajo kohë deri në 2015 nuk e botoi as Tirana as Prishtina. Kush i pengoi, kë kishin frikë Tirana e Prishtina…

Ai libër u thotë Fuqive të mëdha se shqiptarët janë me bisht, janë të pazhvilluar, janë muslimanë fanatikë, të paqytetëruar, nuk u duhet dhënë shtet, nuk duhen njohur, por na i jepni neve serbëve një shekull shqiptarët që ti kulturojmë, ti civilizojmë ne dhe pastaj ua japim ne një autonomi kulturore…

Pra këtë libër nuk e kemi përfillë. Librin ‘Shpërngulja e shqiptarëve’ të Vaso Çubrilloviqit nuk e kemi lexue, nuk e kemi njofte ani se shumëkush mban hundët përpjetë si hajvan e gënjen veten, por dy referatet e Vaso Çubrilloviqit nuk i kemi njoftë as politikani as intelektuali as dreqi as i biri. Në 2015 edhe atë e kemi botuar libër, por askush nuk e lexon.

Dhe themi pastaj si shkojnë shqiptarët si gomari në ëndërr.

Me librin e Vladan Gjiorgjeviqit, Vaso Çubrilloviqit e gjithë traktatet serbe kundër shqiptarëve ne nuk jemi të njohur, nuk i dimë, nuk i kemi lexuar si popull dhe qajmë sot. Nuk flitet në shkollat e auditoret tona për këto traktate urrejtje, jo të mësojmë urrejtjen prej tyre por të dimë se si na përfytyron fqinji ynë serb.

Ky libër i ri ‘Krime serbe në Kosovë’, bashkë me librin e Vladanit, të Çubrilleviqit, me platformën e Ivo Andriçit dhe gjithë platformat tjera, kanë qenë e janë dokumente të mjaftueshme me e paditë Serbinë në Gjykatën e Hagës për krime çnjerëzore pasi ajo e ka të dokumentuar politikën kriminale, strategjinë kundër shqiptarëve.

Titulli: Krime serbe në Kosovë

Konsulent në dy botimet: Sadik Ram Llapashtica

Me parathënie dhe pasthënie nga Çerçiz Loloçi

Redaktor: Rexhep Shahu

Shtëpia Botuese e Promovuese Klubi i Poezisë, Tiranë.

Arti grafik: Blendi Shahu

Filed Under: Histori Tagged With: Agim Neza, Çerciz Loloci, krimet serbe, Rexhep Shahu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 317
  • 318
  • 319
  • 320
  • 321
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT