• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SI KA NDRYSHUAR RAPORTI I NJERIUT ME ZOTIN NË KUSHTE PANDEMIE GLOBALE

October 22, 2020 by dgreca

IMAM DR. TAHIR KUKAJ: SI KA NDRYSHUAR RAPORTI I NJERIUT ME ZOTIN NË KUSHTE PANDEMIE GLOBALE

Imam Dr. Tahir Kukaj, Këshilltar për Çështjet Fetare i Kryetarit të Bashkisë së New Yorkut Bill DeBlasio, NYPD Chaplain dhe Zv. President i Qëndrës Islame Kulturore Shqiptare në Staten Island New York, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ndryshimet e jashtëzakonshme që ka pësuar shoqëria njerëzore dhe besimtarët në vëçanti pas prekjes nga Covid-19. Një raport i ri i njeriut me Zotin, teknologjia dhe religjioni, si motivohen besimtarët për të mos humbur besimin e shpresën? Çfarë do të thotë të jetosh në një botë të pasigurtë? Roli i prijësve fetarë. Me Imam Dr. Tahir Kukaj bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

SI KA NDRYSHUAR BOTA, PSIKOLOGJIA E BESIMTARËVE PARA DHE PAS PREKJES NGA COVID 

Bota ka ndryshuar shumë pothuajse në të gjitha aspektet, me këtë ndryshim është krijuar edhe një huti e madhe. Në këtë kaos mund të them kan ra shumë imazhe në të cilat njerëzit kishin besim. Dashuria për njeriun, vlerat njerezore, qyteterimi u testue në një shkallë të ndjeshme. Gjendja e besimtareve ishte e rëndë sikur edhe gjendja e  gjithë të tjerëve, edhe pse aspekti shpirtëror ishte më i qëndrueshëm, ishte një burim forcë dhe stabiliteti. Në fakt krizat dhe gjendja e rëndë e dallon besimtarin nga të tjerët. Besimtarët nuk kan humbur besimin në Krijuesin e gjithësisë, në këtë krizë besimtarët shohin edhe mëshirën e Zotit, duke përdorë forcën e besimit për ti dal në ndihmë atyre që kanë nevojë. Faltoret: Kishat, Xhamiat, Sinagogat ishin të parët që organizuan ndihma humanitare, Imamët, Priftërinjtë e klergjitë tjerë ishin në radhën e first responders – aktivistëve të parë. Falë bujarisë së besimtarëve, skamnorët e të varfërit kanë gjetur strehë dhe ushqime si dhe shërbime medicionale. Kjo krizë ishte një rast që besimtarët ti tregojnë botës se humanizmi është rruga e shpëtimit, besimi në Zot është fuqia dhe urtësia me të cilën do ta kalojmë këtë krizë.

NJERIU, BESIMI, MOSBESIMI, DASHURIA

Njeriu në kriza e gjendje të rëndë është përherë më i ndjeshëm dhe aktiv. Me siguri se distanca gjeografike nga njeri-tjetri ka pasur edhe ndikimin e vet psikologjik. Është e vërtetë se në shumë raste kemi edhe largim dhe izolim në mes njerëzve, edhe pse kjo nuk është e shëndoshë në aspekin mental, megjithatë kjo krizë ka ofruar grupe të njerëzve edhe më shumë, këtu e kam fjalën për besimtarët e të gjitha besimeve pa dallim. Besimtari ndjen përgjegjësi morale dhe shpirtërore të jetë optimist dhe konstruktiv. Njerëzit në kriza janë më besimtarë, kërkojnë qetësi dhe prehje, fatkeqësisht, njerëzit kur është koha e qetësisë e jetës normale, harrojnë Zotin, harrojnë se situata ndryshon, duhet të jemi mirënjohës ndaj Krijuesit për mirësitë e Tij të pa numerta. 

VDEKJE, DHUNË, LUFTËRA, EPIDEMI, KU ËSHTË ZOTI? NGJARJE NATYRORE APO NDËSHKIM I ZOTIT MBI BOTËN MËKATARE?

Kjo pyetje është shumë me vend, aq sa është edhe e vjeter. Vëlla i dashur, njeriu është krijese autoritative në këtë planet, çdo gjë i shërben atij, kështu Zoti e ka krijue këtë sistem, ashtu e ka pajis njeriun me aftësi dhe talent që të jetë i aftë dhe dominant në botën ku jetojmë. Këtë aftësi të tij, jo rallë njeiu e ka përdore dhe e përdorë në mënyrë të gabuar dhe nganjëherë tejet të dëmshme. Kështu kur krijojmë kaosin e tragjedinë, kërkojmë ta fajësojmë dikënd tjetër, kështu në këtë rast ata që nuk besojnë në Zot, thua se e gjejnë momentin të shfryjnë mllefin e mosbesimt të tyre ndaj Zotit dhe besimtareve, thua se Zoti duhet të jetë shërbetorë i marrive dhe mëkateve të njerëzve. Por, nëse e shohim këtë aspekt nga këndi i besimtarit, e shohim prezencën e Zoti përherë, e në mënyrë të veçantë në raste të krizave. Zoti është aty ku njeriu sakrifikon pasurinë e tij për të ushqyer  skamnoret, Zoti është aty kur njeriu i del në krah atij që është i shtypur, Zoti është aty pranë babës e nënës që kujdesen për ti rritur fëmijët me edukatë dhe moral që të mos përfundojnë me droga apo në rrugë të ligë ku është shkatërrimi i tyre. Ai që nuk ka sy të shohë dritën e Zotit në shërbim të krijesave të Tij, ai njeri asnjëherë nuk do e ndjejë prezencën e Zotit.

Zoti na mëson se njeriu në këtë botë sprovohet në shumë aspekte, me shëndet, sëmundje, vështirësi ekonomike dhe me pasuri, me liri dhe burg e po ashtu edhe me fatkeqësi natyrore. Zoti nuk na ndëshkon, Zoti është i Mëshirëshëm, këtu ne vuajmë rezultatin e veprimeve tona si njerëz. Kur thashë më herët se humanizmi është testuar rëndë, e kemi vërejtur qartë se si vendet e mëdha dhe të zhvilluara, janë tregu shumë të ngadalshëm e të mos them ma keq ndaj vendeve të varfra, sa është ndihma ndaj vendeve dhe popujve që vuajnë për bukë goje a po për ndonjë penicilin e gjera esenciale për jetë. Investimet marramëndëse në armatim dhe shkatërrim, sikur një përqindje e vogël e kësaj gare për armatim të përdorej për mirë qenien njerëzore, me siguri se jeta do ishte shumë më vlefshme. Planifikohet se si të shumëfishon bilionat e trilionat për ata që nuk kanë nevojë për to, por nuk planifikohet se si të luftohet varferia, urrjetja, sëmundja, dhe në fund, fajësohet Zoti?

TË MOTIVOSH BESIMTARËT NË KOHË TË VËSHTIRA PANDEMIE GLOBALE

Prijësit fetarë, si Imamet, Priftërinjtë apo Rabinët, janë shembull për besimtarët, duhet të gjejnë forcë dhe guxim të jenë në vijën e parë të frontit. Feja na mëson se Zoti është në kontroll mbi çdo gjë. Ne gjejmë mbështetje dhe përkrahje në Zotin. Mëshira e tij është e pafund. Bëjmë thirrje përherë te besimtarët, besoni në Zotin tuej Krijues, përpiqu ta ndihmosh njeriun, vëllaun-motrën tuej njeri pa dallim. Ajo që i ka ndodhur sot dikuj nesër mund të të ndodhë ty, andaj bëhu dorë ndihme, thuej fjalë optimizmi, ndriço mëndjen e njerëzve me udhëzime të shenjta.  Besimtarët gjatë gjithë historisë njerëzore kanë lanë gjurmë të heroizmit dhe urtësisë që ne si njerëz mund të mësojmë nga ta për të ndryshuar gjëndjen në dobi të njeriut.

PANDEMIA-RELIGJIONI-TEKNOLOGJIA-BESIMTARËT

Teknologjia është vënë në shërbim të njeriut në shumë aspekte, kjo është si rezultat i mëndjeve të ndriçuara, kështu është kur përdoret dhuntia e Zotit për mirësi e progres. Lutjet fetare të organizuara  në aspekt virtual ka lehtësuar gjëndjen shumë, pastaj takimet e konsultimet përmes rrjetit -internetit- ka ndihmue të lehtësohet jeta e njerëzve shumë. A nuk e shohin njerëzit mëshirën e Zotit në këtë mirësi- invencion-. Pse nuk e shohin Zotin këtu pikërisht. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE BESIMTARËT KUDO NË BOTË

Lexuesve të Diellit, ju përshëndes nga zemra, ju uroj jetë dhe shëndet, keni kujdes mirëqënien e familjes,  edukoni fëmijët në frymë besimi në Zot, duajeni dhe vlerësoni lart kombin në të cilin Zoti ju krijojë. Ruani traditat shekullore të shqiptarëve në aspektin e vëllazërisë së gjakut dhe besimit. Besimi nuk është arsye ndarje por arsye bashkimi.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Imam tahir Kukaj, Kushte Pandemie, Raporti me Zotin

Shfletim- ”I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire”

October 22, 2020 by dgreca

Shkruan: Lekë Mrijaj-Në këtë libër, bashkautorët Nikollë Loka dhe Nikolin Kurti si askund tjetër më mirë, japin fakte studimore për dom Shtjefën Kurtin, i cili ishte prift katolik shqiptar, atdhetar, dashamir i Zotit dhe i popullit të Tij dhe me në fund nga klika komuniste mesjetare enveriane u martirizua për Fe e Atdhe apo nën moton: “Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnia”. Vlen tē potencohët se tashmē I Lumi Dom Shtjefën  Kurti u lind në Ferizaj të Kosovës, më 25 dhjetor të vitit 1898. U shugurua meshtar në Romë më 13 maj 1921. Erdhi në Shqipëri më 6 janar 1930, bashkë me Dom Luigj Gashin e Dom Gjon Bisakun. U arrestua në Tiranë më 28 tetor 1946. Dom Shtjefën Kurti si një Prift dhe tashme disa vite nga Selia e Shënjt-Vatikani, është I Lumnuar i Kishës Katolike. I arrestuar me 1946 për shkak të dergimit të një letre Papes, i cili e informoi atë për persekutimin e Kishes në Shqipëri. Dënimi me vdekje i tij u ndryshua me vonë në 20 vjet burgim. Me 1963 ai është liruar nga dhënia e amnistisë. U arrestua serish me 1967 për shkak se rezistoi deri ne fund të sekularizimit të një ndertese të Kishës katolike dhe u dënua pastaj me punë të detyrueshme. U ri/arrestua prapë me 1970 nën arsyetimin se fshetas kishte pagëzue një fëmijë me ritet e katolicizmit. Ai u denua me vdekje dhe u ekzekutua nga nje skuader speciale pushkatimi me 20 nentor 1971.  Libri është botuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2018. Pikërisht në këtë monografi studiohen dhe hulumtohën zhanret të ndryshme tē jetës së dom Shtjefën Kurtit si dhe veprimtaria e tij jetësore, misionare, kombëtare e gjithëperfshirëse. Thënë më gjerësisht, ky libër mund të konsiderohet si një nder asetët me vlerë të çmueshme në sfondin e shkencës, kulturës, sepse mbi të gjitha është një libër që ka një qasje tejët objektive dhe realiste i cili është i pasuruar me burime të shumta të fusnotave, të cilat i japin nuanca të një kameleoni vetë këtij libri shkencor. 

Bashkautori i dytë Nikolin Kurti, (nipi i klerikut të persekutuar dhe disidentit) që në fillim të librit potencon se ky libër është shkruar me rastin e 120 vjetorit të lindjes me këto fjalë: “I dashur axha Shtjefën, të vranë dhe të zhdukën për mos me tregue, por rrojtëm ne, që të kujtojmë e tregojmë për ty. Nuk vajtojmë se të kemi humbur, por jemi krenar që të kemi të tillë. I lumi Dom Shtjefën lutu për ne. I yti me dashuri dhe përkushtim Nikolin Kurti, data 6 dhjetor 2018”. 

Paraprakisht në parathënie të librit ”I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire” me një fjalë hyrëse tejët koncize paraqitet Shkelqësija e Tij, mons. George Frendo O.P. Arqipeshkëv i Metropolit i Tiranë – Durrësit, i cili veq tjerash potencon duke thënë se është mjaft i njohur qëndrimi i Enver Hoxhës për besimet, për çdo besim. Por ai tregonte një urrejtje të veçantë për Kishën Katolike. Kjo duket shumë qartë në një fjalim të Enverit, në të cilin, pasi mburret për suksesin e tij në luftën kundër besimeve, përshkruan rezistencën e madhe që ka hasur nga ana e Kishës Katolike. Autorët e këtij libri siq thotë Mons. George Frendo O.P., nuk u kufizuan vetëm me historian e Dom Shtjefnit, por, me shumë hollësi, që do të thotë se i përshkruajnë shumë mirë rrethanat në të cilat ka jetuar dhe vepruar Dom Shtjefni. Për shembull, kur flasim për emërimin e tij si famullitar i Ferizajt, pikërisht caktimi i tij si sekretar i Kryeipeshkëvisë së Shkupit, japin një përshkrim të detajuar të historisë dhe gjendjes së këtyre qyteteve. Kjo e bën më interesant leximin e këtij libri. Ndërsa në vazhdim mons. George Frendo O.P., tha se libri përshkruan shumë mirë jetën shpirtërore të Dom Shtjefnit, zellin e tij baritor për ta drejtuar popullin drejt Krishtit dhe Kishës, aftësinë e tij si predikues, dashurinë e tij për popullin shqiptar të shpërndarë në Shqipëri, Kosovë dhe Shkup – dhe kjo tërhiqte vëmendjen e autoriteteve serbe. Në fakt, para se të bëhej viktimë e komunizmit të Enver Hoxhës, Dom Shtjefni ishte edhe objektiv i urrejtjes së serbëve kundër shqiptarëve në Kosovë. Libri bëhet ende më interesant kur flet për rolin e Dom Shtjefnit gjatë pushtimit fashist, luftës së dytë botërore dhe veçanërisht në periudhën e regjimit komunist. Autorët përshkruajnë shumë mirë fillimin dhe zhvillimin e persekutimit të kishës Katolike gjatë regjimit shumë mizor të Enver Hoxhës. Dom Shtjefni ka treguar një kurajo të jashtëzakonshme, duke mbrojtur dhe ndihmuar katolikët e burgosur. Sigurisht ju do të mbeteni të habitur duke lexuar se sa është përpjekur t’i mbrojë klerikët dhe murgeshat, viktima të sistemit ç’njerëzor dhe ateist. U dënua me njëzet vjet burg, por u lirua pas gjashtëmbëdhjetë viteve dhe gjashtë muaj, më 2 maj 1963, dhe u vendos në Gurëz. Shumë, janë faqet që flasin për muajt e fundit të jetës së tij nga arrestimi i dytë, më 11 qershor 1970 deri në vdekjen e tij më 29 shtator 1971, tha në fund të parathënies Shkelqësia e Tij, Mons. George Frendo O.P. Arqipeshkëv i Metropolit Tiranë – Durrës.  Në vazhdim të librit, është konceptuar edhe një poezi apo një krijim poetik, kushtuar Dom Shtjefën Kurtit “O i lumnumi Dom Shtjefni” një poezi e shkruar nga poetja, Valbona Jakova, poete dhe përkthyese e njohur, fituese e dhjetra çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, jeton në Itali. 

Nga bashkautorët e këtij libri jepen të dhëna, prova e sqarime faktike e hulumtuese rreth prejardhjes dhe vendbanimeve ku banoi familja Kurti si dhe prejardhja e kësaj familje gjë qe argumentohet shumë mirë edhe nga Edith Durham, e cila veq tjerash argumenton dhe përmend se në vitin 1908 rreth 60 fshatra katolikë në rrethinat e Gjakovës dhe vëren se ata kishin pak kisha dhe mungesë të priftërinjve. Tre priftërinj dhe një frat nga Gjakova shkonin përmes rreziqeve të mëdha nga një fshat në tjetrin, duke bërë më të mirën për tu shërbyer njerëzve. Njëra ndër familjet që u largua nga Mirdita, e qe e ruajti kujtimin e prejardhjes së saj nga ai vend është dhe familja Kurti me të dy degët Kurti dhe Jakova. Në vitin 1883, konsulli austro-hungarez në Prizren, ndër krerët mirditas që i kishin dërguar atij një peticion, përmend edhe Bek Kurtin. Ndërsa në fund të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX, përmendet si mësues në shkollën shqipe të Gjakovës një mësues laik, i quajtur Mëhill Kurti. Në një bisedë të zhvilluar në Rrëshen në vitin 1995, shkrimtari Kolë Jakova, familja e të cilit ka mbajtur mbiemrin Kurti deri sa u vendos në Shkodër, kushëri me Kurtët e tjerë, ishte shprehur: “Ç’është e vërteta edhe unë jam me origjinë prej Mirdite, konkretisht prej Repsi. Prej atje të parët e mi kanë ikur në vitin 1720 dhe kanë shkuar e janë vendosur në një fshat në afërsi të Gjakovës, të quajtur Plangçorë”. Ndërsa i biri, Sokoli e sqaron më tej origjinën: “Familja jonë e ka origjinën nga Repsi i Mirditës. Bëhet fjalë për disa breza më parë. Për arsye ekonomike, paraardhësit tanë u larguan nga Repsi dhe u vendosën në rrethinat e Gjakovës, ndërsa një prej tyre u ndal në Prizren”. Edhe Nikolin Kurti thotë të njëjtën histori prejardhje të familjes, me pak ndryshime: “Prejardhja jonë rrjedh nga Mirdita. Rreth viteve 1750, Kolë Kurti me vëllezër: Sebën, Andrenë dhe Toninin janë shpërngulur për në Gjakovë”. Sigurisht si stacion i parë për emigrantët zakonisht ishin fshatrat, por në kushtet e mungesës së perspektivës në fshat, disa familje kaluan në qytet, ku punuan si shegertë te zanatçinjtë, ose u muarën me tregti, në kushtet e tregut të virgjër, të kërkesave në rritje të popullatës për rroba të reja, zbukurime ari dhe argjendi, nevojës për pajisje shtëpiake, etj… Sipas traditës gojore të familjes Kurti, “një pjesë e familjes Kurti, në vitin 1878, kur po ndërtohej hekurudha u transferua nga Gjakova dhe u vendos në Ferizaj. Në fakt, nga të dhënat e një libri për themelimin e qytetit të Ferizajve, shkruhet se në periudhën e themelimit të Ferizajve, këtu u vendosën edhe “20 shtëpi shqiptarësh katolikë të ardhur nga Prizreni dhe Shkodra”. Një lëvizje nga Gjakova në Prizren është e logjikëshme, po të kemi parasysh se Prizreni po fitonte përparësi si seli Kryeipeshkëvnore dhe diplomatike, ku u vendosën konsullatat e huaja, qytet zejtar dhe me shkollë shqipe. Duhet theksuar se edhe në Promemorien drejtuar Lidhjes së Kombeve, vetë Kurti e paraqet veten prizrenas bashkë me Gjon Bisakun, ndërsa Luigj Gashi nga Shkupi. Dr. Lazër Radi që e ka njohur nga afër Dom Shtjefnin e jep në librin e tij si të lindur në Prizren. Qytetarët e Prizrenit të cilët kishin gjetur punë në qendrën e re të Ferizajve ishin më të privilegjuar se të tjerët, për shkak të afërsisë që kishte vendbanimi i ri me qytetin e tyre. Sipas traditës, Zef Kurti, i martuar me Petrën nga Janieva, me të cilën kishin lindur katër djem: Jakun, Luigjin, Gjergjin dhe Tukun u vendos në Ferizaj, bashkë me katër djemtë e tij: Jakun, Luigjin (Dom Luigj Zef Kurtin), Gjergjin dhe Tukun. Në fakt, në Ferizaj u vendosën edhe Kurtë të tjerë. Ndër kryefamiljarët e parë Kurtë në Ferizaj përmenden: Anton Kurti, farmacist, i ati i Vilson dhe Marsel Kurtit, tregtar dhe Violeta Kurtit-Pufjës, veterane e arsimit; Luigj Kurti, klerik; David Kurti, teneqepunues; Gjergj Kurti, Gjovalin Kurti, berber, Jak Kurti, i ati i Dom Shtjefën Kurtit, Kolë Kurti, Leon Kurti, teneqepunues; Zef Kurti. Janë 8 familje, të cilët, nisur nga mbiemri i përbashkët Kurti, tepër i rrallë ndër katolikët shqiptarë, duhet t’i mendojmë si kushërinj në mes tyre. Nga ana tjetër, gjykuar nga emrat që mbajnë disa prej tyre: Anton, Luigj, David, Leon del se ata janë familje qytetare. Qytetari tregojnë dhe profesionet që ushtronin një pjesë e tyre: farmacistë, klerikë (në atë kohë), teneqepunues, berber. 

Duke kaluar në qytet dhe ruajtur besimin katolik, familjet Kurti u bënë pjesë e aristokracisë katolike. Katolikët e qyteteve në kontaktet që kishin patur me të huajt, përmes shkollës shqipe dhe kishës katolike kishin fituar elemente kulture dhe qytetërimi. Ata u lidhën në mes vetes dhe krijuan një kastë të mbyllur dhe relativisht të pasur. Duke qenë se në kishat katolike filloi së pari arsimi shqip, patën avantazhin të mësojnë të parët shkrim dhe këndim në gjuhën amtare, duke u bërë nëpunës, sidomos në shërbim të konsullatave të huaja. Nisur nga statusi i tyre shoqëror, studiuesi Brahim Abdyli në librin “Mërgata shqiptare në Zvicër dhe roli i saj”, hedh hipotezën se një degë e Kurtëve, e emigruar herët në Zvicër ka hyrë në fisnikërinë zvicerane. Në Rapperswil, të St. Galles, familja Kurti (Curti) ka dhënë në disa breza udhëheqës në komunën e Rapperswil-it dhe Konfederatën e Zvicres.  Sipas tij, “Kurtët janë shqiptarë, të ardhur nga Milano, që u vendosën në Rapperswil të Zvicrës dhe i kanë dhënë këtij shteti disa personalitete të njohura: Dr. med. Franz Josef Curti (1737-1818), kryeplak i fundit i Rapersvilit; Basil Ferdinand Curti (1804-1888), deputet i i Landit; Dr. med. Ferdinand Curti (1826-1921) Deputet i Landit; Teodor Curti (1848-1914) deputet i Kuvendit Kombëtar, i Landit dhe publicist; Franz Kurti (1854-1898), kompozitor; Dr. h.c. Franz Karl Curti (1880- 1948); Dr. iur. Alfons Curti (1882-1957), Kryetar i Komunës së Vendit dhe Prof. Merle Curti (1897-1996) historian. Sheshi i Rapperswil-it pranë liqenit mban emrin “Sheshi Kurti“. Nën kalanë e këtij qyteti janë zhvilluar luftërat nga vendasit kundër tyre”. Dihet se mbiemri Kurti gjendet te shumë popuj dhe në shumë vende. Por, sipas të dhënave të nxjerra nga studimet gjenealogjike, përhapjen më të madhe e ka në Shqipëri, me 33 %, çka do të thotë se një në tre persona në botë që e mbajnë këtë emër është shqiptar. Në vend të dytë vijnë ata që jetojnë në SHBA me 20 % dhe pastaj me rradhë: në Itali 9 %, Gjermani 6 %, e vende të tjera më pak. Mbiemri Curti në Zvicër është shkruar me ”C“ në vend të “K“, por me i-në shqipe në fund të fjalës. 

Njëkohësisht në këtë pjesë të këtij artikulli si nenpjesë jepën të dhëna të tjera edhe rreth famullive (shënimi im) dhe katolikëve shqiptarë në Kosovë ndaj po e veçoj famullin time të Zllakuqanit e cila sipas të dhënave të bashkautorëve Loka e Kurti, kjo famulli ngrihet si famulli në vitin 1895, me shkëputjen nga Peja. Në atë kohë kishte 2 350 katolikë etj., mund ti gjëni nē faqet tjera të librit. Në pjesët tjera me radhë trajtohën të dhëna të tjera rreth prejardhjes dhe vendbanimeve ku banoi familja Kurti, vitet e para të jetës, fëmijëria, shkollimi, vitet e para të shërbimit meshtarak, promemoria, një monument atdhetarie, si famullitar në Kurbin dhe në Gurëz, famullitar në Tiranë (1938-1939),  si klerik katolik në vitet e pushtimit, Kishë për të gjithë besimtarët, madje flitet për Konvertimin e  Hebrenjve në katolikë, si dhe për klerikët e kishës sonë martire ku edhe u dënua për Fe dhe Atdhe si dëshmimtar i Kishës martire, I kryqëzuar si Krishti, si dhe Lumturimet nga Kisha, Ringjallja dhe përjetësia dhe në fund të këtij libri flitet për Dom Shtjefën Kurtin në publicistikë, poezi dhe në kujtime, Prima ante mortum etj. 

Libri apo monografia në fjalë dedikuar dom Shtjefë Kurtit është  një sintezë e shumë ngjarjeve nga periudha në fjalë dhe njëherësh përbën një kontribut të çmueshëm për historinë e popullit shqiptar e qe prapa vetës permban foto,  dokumente, leterkembime e skanime të gazetave ditore faktike të shumta për të Lumin dom Shtjefën Kurtin të cilat hedhin dritë mbi një nga periudhat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare dhe perskutimit të klerikëve shqiptar nga ana e Enver Hoxhës (shënimi im diktator mesjetar i Shqipërisë dhe shqiptareve pa dallim…).

Përmes këtij recensioni të këtij libri apo me konkret të themi të këtij prezentimi kemi shpalosur e prezentuar në pika të shkurtëra disa pikëpamje kruaciale të hulumtimeve shkencore të librit ”I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire” i bashkautorëve Nikollë Loka dhe Nikolin Kurti ndaj të dy bashkautorët i përgëzoj dhe i komplimentoj për këtë libër tejët frytdhënës dhe i’u dëshirojmë shëndet dhe suksese në rrugëtimet tjera akademike! 

Filed Under: Analiza Tagged With: I Limu Dom Shtjefen Kurti, Leke Mrijaj

Çështje tufe…

October 22, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi-Kur mbizotëron psikologjia e tufës, i dyti ndjek të parin, dhe të gjithë shkojnë pas; të gjithë ankohen se janë të varfër e të këputur, se, sado të punosh, nuk bëhet ‘hajër’. Dje, në diktaturë, këto ishin të vërteta. Sot njerëzit i sheh se nuk jetojnë keq, ose të paktën jo më keq se kudo gjetkë. Ankesa a qarja është kthyer në zakon dhe ka marrë udhën e traditës.
Edhe qeverinë që kanë, e meritojnë, sepse ajo nuk ka ardhur me dhunë (me manipulime votash, ndoshta). Pas zgjedhjeve asgjë nuk ndryshon, pavarësisht se cila parti vjen, mentaliteti mbetet stabël, mendësia është po ajo që ka qenë. Dhe ‘leaderi’ e përforcon këtë ide, kur deklaron se politika është e domosdoshme, dhe se njerëzit duhet të kenë nevojë për ‘të, kur kudo gjetkë është e kundërta, politikanët kanë nevojë për popullin dhe jo anasjelltas. Vizitori është i prirur të besojë se njerëzit vërtet vuajnë, por sheh se askush nuk është në burg, veç për krime ordinere. Çështja është se njerëzve iu mungon individualiteti, si ata që presin; dhe si në tufë, shtyjnë njeri tjetrin e nuk lënë asnjë të kalojë.
Zelli është i paçmuar, nëse është për punë të mira. Por, nëse i gabuar, sa më i madh zelli aq më e madhe është e keqja. Kur njeriu udhëhiqet nga arsyeja, kjo nuk tregon se arsyet që ka dhënë më parë i ka ndryshuar, dhe as se ka hequr dorë nga parimet që i ka nderuar, edhe nëse nuk mund të gjejë parime të tjera më të mira,  madje edhe nëse ka provuar vjedhje prone a konfiskime.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Çështje tufe

SHQIPTARO-AMERIKANËT MË AFËR PRESIDENTIT TRUMP DHE PRESIDENTI MË AFËR FITORES

October 22, 2020 by dgreca

-Me 20 Tetor, i dërguari special i Presidentit Trump në bisedimet e paqes Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, pati një takim për afër dy orë me perfaqësues të zgjedhur te komunitetit shqiptar dhe chaldean në Michigan…

-Ditën e Marte më 13 Tetor, në Suburban Show Place, Novi, u mbajt një miting i madhi thirrur që më parë, ku folësi kryesor ishte Eric Trump. Salla e parapregatitur për rreth 1000 persona u mbush shumë kohë përpara se eventi të fillonte. Grupimi “Albanian Americans for Trump”, u përfaqësua nga vatranët Mondi Rakaj dhe Valentin Lumaj.

Kur kanë mbetur më pak se tre javë nga dita e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, fushata elektorale është nxehur në kulmin e saj. Kandidatet Trump dhe Biden vazhdojnë intensivisht takimet dhe mitingjet me elektoratin. Në pjesëmarrje dhe në substancë, këto mitingje ndryshojnë si dita me natën. Ndërsa në tubimet e suportuesve të Presidentit Trump, vihet re një pjesëmarrje e jashtëzakonshme me turma entuziaste nga 20-30 mijë vetë, në tubimet e kandidatit Biden vihen re 20 deri ne 30 persona, duke perfshirë këtu gazetarët dhe shërbimin sekret. Betejat më të fuqishme po organizohen në shtetet e lëkundura ku fitorja mund të anojë majtas apo djathtas.Ndër këto shtete është edhe Michigani, të cilin katër vite më parë e fitoi Presidenti Trump me vetëm 10 mijë vota më shumë se kundërshtarja Clinton.

Edhe shqiptaro-amerikanët në Michigan, janë angazhuar fuqishëm në këtë fushatë. Në ndryshim me katër vite më parë, vihet re një zhvendosje e preferencëssë komunitetit shqiptar nga demokratët ku mendohet të kenë votuar më së shumti në 2016, drejt republikanëve në këto zgjedhje elektorale. Ky është një përceptim i dalë nga kontaktet e vazhdueshme me njerëzit dhe nga studimi dhe krahasimi i bërëi fakteve në këtë periullë kohe 4-vjeçare.

Kështu, këtë vit elektoral dallojmë se krerët e institucioneve fetare, janë pro votës për Trump. Dom Fred Kalaj, famullitar i Kishës Katolike të Shën Palit, Dom Ndue Gjergji i Kishës së Zojës Pajtore, Dervish Elidon Pashaj i Teqes Bektashiane, kishim një prononcim të Imam Neki Kaloshi apo tëRabbi Joel Kaplan te komunitetit Jewish shqiptar,të cilët janë shprehur në mbështetje të Presidentit Trump. Megjithësë liderët e kulteve fetare shprehen si individë dhe jo në emër të institucioneve që përfaqësojnë, prapëseprapëështë një indikacion i mjaftueshëm për të kuptuar se vlerat përbashkuese dhe pikat e lidhjes midis institucioneve fetare dhe partive politike rezultojnë të jenë më së shumti me Partinë Republikane. Sigurisht që janë vlerat konservatore është baza ku mbështeten institucionet fetare dhe Partia Republikane. Po ashtu deklarimi i tyre për të mbështetur Trump, mund të shërbejë edhe si orientim për anëtarët e bashkësive që drejtojnë.

Në të njëjtin drejtim edhe krerët e shoqatave dhe grupeve shoqërore në përgjithësi në Michigan janë pozicionuar djathtas apo në mbështetje të Presidentit Trump. Përmend këtu nënkryetarin e Federates Vatra njeherëshKryetar i nderit i Vatrës Michigan, Alfons Grishaj, si dhe Kryetarin aktual të kësaj dege Mondi Rakaj, jo vetëm janë deklaruar pro Trump, por kanë qenë aktivë për muaj me rradhë në mbështëtje të fushatës nëpërmjet grupimit legal në nivel kombëtar “Albanian Americans for Trump”.  Përmend këtu edhe vatranë të tjerë dhe njerëz me influence si Kolonel Dritan demiraj, Julian Çefa, Kujtim Qafa, Franz Grishaj, Irena Dedivani, Odeta Fecani, Mark Gjokaj, Luigj Gjokaj, Ndrec Gojani etj. Po ashtu, kryetari i shoqatës Malësia Ruzhdi Gjokaj, Kryetari i Shoqatës Dukagjini Arben Sokoli, Kryetari i Shoqates Kastrati Petrit Dodaj, Drejtori i Televizionit ALBTVUSA Gani Vila, Drejtori iTelevizionit ACTV, Eduard Aliko etj., të gjithë këta, si individë, dallohen dukshëm me aktivitetin e tyre në terren apo rrjete sociale si suportues të Presidentit Trump.

Nuk është rastësi që Federata Vatra dhe shumica e anëtarësisë së saj në qendër dhe degë, është në mbështetje të Presidentit Trump. Anti-komunizmi, ideologjia e djathtë dhe vlerat konservatore tëVatrës dhe Partisë Republikane, janë arsyet që vatranët në përgjithësi mbështesin Presidentin Trump.

Vetëm në ditët e fundit patëm disa evente të rëndësishme të “Albanian Americans for Trump”, me përfshirjen direkte të vatranëve të Michiganit

  • Ditën e marte 20 Tetor, i dërguari special i Presidentit Trump në bisedimet

e paqes Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, pati një takim për afër dy orë me perfaqësues të zgjedhur te komunitetit shqiptar dhe chaldean në Michigan. Takimi u organizua nga  drejtorii Koalicionit per fitoren e Trump, Sean Moscynsky dhe u moderua nga pjestarët e ketij Koalicioni.

Takimi filloi me nje fjalë të gjatë të ambasadorit Grenell dhe me pas ai ju pergjigj pyetjeve të të pranishmeve. Në emër te komunitetit shqiptar përshëndeti famullitari i Kishës shqipare tëshënPalit, Dom Fred Kalaj, I njohur në këtë komunitet për pikëpamjet t tij konservatore dhe mbështetës i Presidentit Trump. Moren pjesë anëtarë të Albanian Americans for Trump, nga Vatra Kryetari Mondi Rakaj, kolonel Dritan Demiraj dhe Valentin Lumaj. Shume ne ate takim e quajtën hipokrizi dhetë çuditshme pjesemarrjen dhe përshëndetjenme superlativa për ambasadorin Grenell e kryetarit te Shoqatës Malësia, Ruzhdi Gjokaj, i cili vetëm pak muaj më parë, e kishte akuzuar ambasadorin Grenell për tradhëti ndaj Kosoves dhe kërkonte dorëheqjen e tij nga roli i negociatorit. Keto akuza ai i kishe bërë nëpërmjet një letrepublike të nënshkruar dhe të dërguar presidentit Trumpku po ashtu denigronte edhe figurën e Presidentit.

Përpara tubimit o urganizua nje takim i vecantë, tete-a-tete, midis Ambasadorit Grenell dhe kolonel Dritan Demiraj, ku morëm informacion se u biedua për situatën në Shqipëri, për degradimin e demokracisë dhe rritjen e kriminalitetit nën qeverisjen e Kryeministrit Rama, po ashtu biseduan për situatën parazgjedhore atje.

Mëvonë, Ambasadori Grenell e vazhdoi axhendën e tij në qytete te tjera të Michiganit.

-Ditën e Marte më 13 Tetor, në Suburban Show Place, Novi, u mbajt një miting i madhi thirrur që më parë, ku folësi kryesor ishte Eric Trump. Salla e parapregatitur për rreth 1000 persona u mbush shumë kohë përpara se eventi të fillonte. Grupimi “Albanian Americans for Trump”, u përfaqësua nga vatranët Mondi Rakaj dhe Valentin Lumaj. Për shkak të angazhimit te tyre në fushatë dhe njohjeve me disa udhëheqës të fushatës së Trump, atyre u ishin rezervuar vendet në qendër të rreshtit të parë së bashku me përfaqësues të rëndësishëm të PR dhe të Koalicionit për Fitoren e Trump. Në mes të entuziazmit të pjesmarrësve, Eric Trump theksoi edhe një herë nevojën që Amerika ka nevojë për një mandat të dytë të Presidentit dhe ftoi qytetarët që të votojnë në masë.

Mbas mitingut, Mondi Rakaj dhe Valentin Lumaj, patën rastin të“meet and greet”, të shtrengojnë duart dhe të ndajne një bisedë të shkurtër me Eric, djalin e Presidentit Trump. Atai shprehënEric, urimet më të mira për shërimin dhe shëndetin e Presidentit Trump dhe i premtuam se Shqiptaro-Amerikanët në Michigan do të votojnë për Presidentin. Eric i falenderoi për mbështetjen dhe shpresonte të takoheshim prapë së shpejti.

  • Takimit me Eric Trump i parapriu një bisedë telefonike disa ditë më parënë mes Eric Trump dhe Kryetarit të degës së Federatës Vatra në Michigan, njëkohësisht pjestar i grupimit“Albanians Americans for Trump”, Mondi Rakaj. Biseda u mundësua me ndërmjetësinë e znj. Evi Kokalari. Më poshtë është transkripti I plotëi bisedës së regjistruar:

Eric Trump: -Mondi, jam Eric Trump, si jeni?

Mondi Rakaj: -Mirë jam Eric, si po shkojne punët?

Eric Trump: -Mirë, ju falenderoj shume per mbështetjen, ne këtu po punojme shumë dhe do të fitojmë.

Mond Rakaj: -Shumw mirw, ne [komuniteti shqiptar] kemi nevojë për Presidentin Trump edhe për katër vite të tjera.

Eric trump: -Do t’ja arrijme, ju premtojmë se do t’ja arrijme dhe ju jemi mirenjohes per mbeshtetjen tuaj.

Mondi Rakaj: -Po ashtu kërkojmë qëPresidenti Trump të jetë më afer komunitetit shqiptar

Eric Trump: -Po patjetër, ne i duam shqiptaret, jane njerëztë fortë, të fortë si guri dhe neve na pëlqen ashtu. Duket se janë njerëzit e fortë si shqiptarët që e pelqejnë Trump-in, apo jo?

Mondi Rakaj: -I thuaj atij [Presidentit Trump] në emrin tim se ju jam mirënjohës për çfarë ka bërë për Kosovën

Eric Trump: -Faleminderit, do t’ia them patjetër, Do t’ia them patjetër

Mondi Rakaj:  -Zoti e bekofte [Presidentin], nuk gjej fjalë që t’a falenderoj. Ne këtu në Michigan po përpiqemi që të bashkojmë komunitetin tonë

Erik Trump: -Është me shumë rendësi, veçanërisht në shtetin tuaj.I ftoni te gjithë të votojnë dhe ne ju falenderojmë shumë për gjithçka po bëni.

Mondi Rakaj: -Faleminderit shumë

Eric Trump: -Mbetsh me shendet

Mondi Rakaj: -Gjithashtu edhe Juve.

  • Një aktivitet tjetër i një rëndësie të veçantë u organizua nga znj.Evi Kokalari, shqiptare-amerikane nga New Yourk-u, anëtare e bordit financiar te fushatëssë Trump atje, dhe përfaqësuese e “Albanian Americans for Trump” e cila organizoi një takim shumë të suksesshëm në mes përfaqësuesve të religjioneve të ndryshme dhe shefit strateg ne Shtëpinë e Bardhe, Stephen Bannon. Vlen të theksohet se z. Bannon është një person shumëi rëndësishëm në rrethin e Presidentit Trump. Ai ka qenë këshilltari kryesor i Presidentit Trump në 2016 dhe drejtoi fushatën e cila i dha fitoren Presidentit Trump.Takimi u moderua nga znj. Evi Kokalari dhe u transmetua direkt nga Telivizioni Syri.net.

Nga përfaqesuesit e klerit ishin Dom Fred Kalaj, famullitar i Kishës Katolike Shqiptare të Shën Palit i shoqëruar nga dhjetra anëtarë të famullisë, mbështetë të Trump, Imam Neki Kaloshi iQendrës Islamike në Tiranë, dhe Rabbi Joel Kaplan ikomunitetit Jewish shqiptar. Nga salla e Kishës së Shën Palit asistoi dhe mundësoi lidhjen direkte Valentin Lumaj.

Mbas prezantimit, në fjalën e tij, z. Bannon për rreth 30 minuta, shpjegoi në hollësi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve. Ai theksoi se Demokratët dhe radikalët e majtë për katër vjet rresht kanë orkestruar sulme të vazhdueshme për të rrëzuar Presidentin Trump. Ai tha se, qëllimi nuk është vetëm për te marrë Presidencën, por edhe për të shkatërruar Donald Trump si individ, pasi Trump nuk i përket dhe nuk ka qenë kurrë pjesë e establishmentit korruptiv tëWashingtonit dhe nëpërmjet shkatërrimit të personit Trump, si mbrojtës i njeriut të thjeshtë, ata duan që t’ju dërgojnë një mesazh edhe të tjerëvë si Trump, që të mos guxojnë kurrë të garojnë për President.

Bannon tha gjithashtu se duke parë zhvendosjen e Partisë Demokrate drejt të majtës ekstremiste, komunitetet të ardhura nga vendet post-komuniste si Shqipëria, Evropa lindore, Azia, Kina, vendet latine etj. të cilët e kuptojnë se një qeveri me thelb materializmin ateist pa Zot, nuk është qeveria që qëniet njerëzor që janë krijuar sipas imazhit të Zotit dëshirojnë të kenë, prandaj këto komunitete do të votojnë Presidentin Trump. Ai theksoi se këto zgjedhje janë beteja e jetës tonë çdo votëbën diferencë, prandaj kjo e rrit rendësinë e votës së komunitetit shqiptar.

Më pas biseda virtuale vazhdoi me Dom Fred Kalaj, i cili tha se shqiptarët këtë rradhë nuk votojnë vetëm për personin por edhe për  principet, në këtë rast ne e duam edhe personin edhe principet që të orientojne drejt demokracisë së vërtetë, lirisë së besimit në të gjithë botën. Më pas, Dom Fred Kalaj, Imam Neki Kaloshi dhe Rabbi Joel Kaplan, thanë lutje për shëndetin e Presidentit Trump dhe të gjithë qytetarëve të prekur nga Covid-19, zgjedhjë te lira dhe të ndershme dhe paqe në mes njerëzve.

Këto aktivitete dhe substanca që mbartin në thelb, shërbejnë si apel ndaj shqiptarëve në Michigan dhe jo vetëm, që ta kuptojnë momentin historik ku ndodhet Amerika, vendi ynë i shtrenjtë ku duam të rrisim fëmijët tanë dhe të ardhmen e tyre: Votoni Presidentin Trump.

Pregatiti Valentin Lumaj

Michigan, 21 Tetor 2020

Filed Under: Emigracion Tagged With: afer Fitores, afer presidentit trump, Presidenti Trump, Valentin Lumaj

TURNER CLASSIC MOVIES PROFILES ALBANIAN DIRECTOR XHANFIZE KEKO

October 21, 2020 by dgreca

by Rafaela Prifti-Xhanfize Keko is Director of the Week at Turner Classic Movies. Women Make Film series was launched on September 1st. Since then, every Tuesday TCM airs movies directed by women filmmakers around the world. Last night, it aired the movie Tomka and His Friends (1977) by Albanian director Xhanfize Keko. Turner Classic Movies celebrates classic movies without commercial interruptions. The network began in 1994 by founder Ted Turner to bring Turner’s Entertainment’s massive library of classic films onto the TV screen.

As a female director, she was a pioneer in Albania’s film industry. Her professional career spans from the early fifties into early nineties, at a time when creativity and artistry grappled with restrictions imposed by Albania’s communist regime. Nevertheless, Xhanfize Keko directed eleven full length feature films for younger audiences that generations of Albanians, including the author of these lines, grew up watching. In May of this year, director Mevlan Shanaj presented a documentary on a premier creator of children’s films, Xhanfize Keko (1928 – 2007). She studied documentary techniques at the Russian Academy of Arts in Moscow. In 1952, the young director Keko co-founded the New Albania Film Studio, according to the TCM webpage. For two decades, she was a documentary editor and developed her own style that she shared with audiences in her documentary short film in 1971. Four years later, Keko directed Beni Walks on His Own (a mechanical translation from Albanian title, Beni Ecen Vete) and two years after that Tomka and His Friends (Tomka dhe Shoket e TIj). Her movies present a sensitive and unique approach to family and personal matters through the eyes of the children. International film critics have praised the Albanian director for her originality and technical craftsmanship.

It is worth noting that the movie was remastered by the Library of Congress in Washington DC. It raises an important point that needs to draw more attention to the poor storage conditions and the antiquated quality of past works, Albania’s artists have long demanded that the films and art produced in the pre-nineties period be remastered in order to save the creative works that are part of our history and collective memory.

Filed Under: Kulture Tagged With: DIRECTOR XHANFIZE KEKO, PROFILES ALBANIAN, Rafaela Prifti, TURNER CLASSIC MOVIES

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 336
  • 337
  • 338
  • 339
  • 340
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT