Nga Enver Bytyçi/
Para tri ditësh aktivistë të Vetëvendosjes sulmuan me vezë ministrin e Drejtësisë të Kosovës, Hajredin Kuçi. Të paktën krerët e partisë opozitare të aksionit revolucionar në Kosovë e kanë marrë përsipër këtë akt që dy të rinj kryen në rrugët e Prishtinës të premten e kaluar. Duke kaluar në intervistë të gjitha ato që kanë ndodhur dhe po ndodhin në Kosovë, më duhet të ndaloj në disa momente kryesore, me qëllim që t’i afrohem sa më shumë logjikës në veprimet e partisë së zotit Kurti.
Së pari më duhet të them se largimi nga kreu i Vetëvendosjes i Albin Kurtit u provua të jetë manipulativ dhe jo i vërtetë. Nuk ka rëndësi nëse një lider thirret si kryetar i një force politike, pasi ai të japë dorëheqjen. Me rëndësi është protagonizmi i tij. Albin Kurti dëshmoi se është de facto kryetar i Vetëvendosjes. Ai ka lënë në hije të gjithë lidershipin tjetër të opozitës, madje dhe Ramushin legjendar në raport me Albinin. Ai është bërë protagonist i të gjitha zhvillimeve në Kosovë dhe tashmë qytetarët janë vënë në dilemë nëse Visar Ymeri është apo nuk është kreu i Vetëvendosjes. Nëse shohim rrjedhat e zhvillimeve në opozitën e Kosovës, atëherë vërejmë shumë lehtë se aty ku ka tym dhe ku ka zjarr është Albin Kurti. Kur politika zhvillohet normalisht, atëherë del në skenë Visar Ymeri.
Edhe në rastin e Hajredin Kuçit, pak orë pasi ndodhi ngjarja, zëdhënësi i Vetëvendosjes mori përsipër aktin e sulmit kamikaz kundër një personi në detyrë, njëkohësisht profesor dhe doktor shkencash. Të njëjtën gjë bëjnë organizatat e shumta ekstremiste në botë kur ato kryejnë akte ekstremiste. Madje shpesh herë ndodh që akte të paorkestruara nga këto organizata merren si përgjegjësi e tyre, thjesht për të dëshmuar se janë gjallë në jetën politike e shoqërore. Nuk e di nëse drejtuesit e Vetëvendosjes kane ditur ose jo për sulmin e radhës kundër ministrit të drejtësisë. Por oponioni u njoftua se ajo është organizatore e këtij sulmi.
Së dyti, pse pikërisht Hajredin Kuçin? Mund të thuhet se janë gjuajtur me vezë edhe anëtarë të tjerë të kabinetit Mustafa. Por gjithçka pati ndodhur në ato ditë tensioni të paprecedentë në Kosovë. Ka disa ditë që Kosova duket se është rikthyer në jetën normale, ndonëse fragile të saj. Pikërisht kur është menduar se po rikthehet normaliteti dhe as vetë zotit Kuçi nuk i ka shkuar ndërmend se mund të gjendet pre e një aksioni të tillë, ai u përball me dy vezëgjuajtës aksionistë e revolucionarë të tillë, që vetë Leon Trocki do t’i kishte zili. Ndërkohë askush nuk ka dëgjuar gjatë gjithë këtyre ditëve e javëve të krizës politike në vend, që Hajredin Kuçi të jetë shfaqur me qëndrime ekstremiste kundër veprimeve të opozitës. Ministri i Drejtësisë respektoi kodin etik të vendit të tij të punës deri në limitet e perfeksionit, me qëllim që të mos bëhej palë në konfliktin midis Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, megjithëse si anëtar kabineti ndoshta do të duhej të vihej në krah të kryeministrit. Por as këtë nuk e bëri ai. Atëherë pse e gjuajtën me vezë?
Unë besoj se Vetëvendosjes, disave në LDK dhe madje edhe në PDK nuk iu konvenon një ministër I aftë si Hajredin Kuçi. Mbaj mend para pesë vitesh, kur po bisedoja me nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës të asaj kohe, Ekrem Kryeziu, dhe ai më thoshte: “Ne i gëzohemi faktit që PDK nuk ka ndonjë tjetër me performancën e Hajredin Kuçit, se ndryshe kurrë nuk do të vinim në pushtet”. Sinqerisht m’u kujtua kjo bisedë, teksa po kërkoja të gjeja arësyet e sulmit kundër ministrit të Drejtësisë së Kosovës. Dhe nuk gjej do arësye tjetër veç faktit se ai është ministri më i aftë i qeverive të dhjetë viteve të fundit. Dhe nëse i përmbahemi fabulës se “Pema me kokrra gjuhet me gurë”, atëherë do të shkonim në një variant, sipas të cilit ministri Kuçi u sulmua si një pemë me kokrra për shtetin dhe qeverinë e Kosovës. Aftësia e maturia e tij i bën mesa duket hije jo vetëm opozitës, e cila duket se është instrumentalizuar nga një pjesë e pozitës, dmth është vënë në lojën e interesave personale e klanore në Kosovë. Nuk dihet me ose pa qëllim, me ose pa shpërblim, por fakt është se Vetëvendosja kishte njëmijë arësye psh të sulmonte ministrin e brendshëm, i cili drejton policinë e shtetit, me të cilën opozita është përballur dhunshëm. Nuk ishte ministria e Drejtësisë e përfshirë në asnjë akt antiopozitar. Megjithatë ministri i drejtësisë gjuhet sot me vezë e nesër nuk dihet me çka.
Por akti në fjalë mund të arësyetohet edhe në një drejtim tjetër. Albin Kurti dhe ndonjë deputet tjetër i Kosovës kanë kryer vepër penale, duke hedhur gazlotësjellës në parlament. Që t’i shpëtojnë drejtësisë ata kaën tri rrugë: Osë ta detyrojnë parlamentin në kushte jo krize të shpallë amnistinë e veprave penale të kryera nga këta dy-tre deputetë, ose ta çojnë Kosovën në gjendjen e Shqipërisë së vitit 1997. E treta mundësi është të përgjigjen para drejtësisë.
Por pikërisht këtë mundësi të fundit ata duan ta evitojnë. Prandaj, me qëllim që t’i bëhet presion drejtësisë, dmth prokurorisë dhe gjykatës, ata kanë përzgjedhur të qëllojnë me vezë ministrin e Drejtësisë. Me këtë rast “vrasin” dy zogj: Dëmtojnë kabinetin e Isa Mistafës, dhe duan të paralizojnë me presion rrugësh sistemin e drejtësisë. Dhe të dy këto aspekte i kanë lançuar si të ashtuquajtura shkaqe të aksionit të voeve. Kanë thënë se gjuajtën për shkak se Kuçi është pjesë e qeverisë që ka nënshkruar marrëveshjen me Serbinë dhe kanë specifikuar se “nuk kemi besim te drejtësia”.
Nëse i analizojmë këto du sebepe të Albin Kurtit, atëherë dalim te e vërteta se Hajredin Kuçi nuk ka nënshkruar marrëveshje me Serbinë. Nënshkrimin e tyre e kanë bërë fillimisht Thaçi e pastaj Isa Mustafa. Po me Hashim Thaçin nuk ia mban Albin Kurtit të merret, prandaj merret me profesorët e qeverisë dhe të veprimtarisë akademike të Kosovës. Duhet të jesh rrugaç me diplomë që të sulmosh një profesor-doktor. Hajredin Kuçi është Fehmi Agani i qeverisë së Kosovës edhe pse kjo qeveri nuk ka të bëjë aspak me performancën e qeverisjes së Ibrahim Rugovës. Dmth zoti Kuçi mund të krahasohet me Fehmi Aganin, por në përmasa më të vogla, për shkak se përmasat morale të kësaj qeverie janë një milion herë më të vogla sesa të qeverisjes së Ibrahim Rugovës.
Nga ana tjetër përceptimi i Vetëvendosjes nuk është përceptimi i Zotit në qiell. Sipas logjikës së Albin Kurtit, nëse ai e përcepton diçka se është e keqe, ajo duhet sulmuar, linçuar dhe ndëshkuar. Dmth Albini vuan sëmundjen e diktatorëve: Ai vendos çka është e mirë e çka është e keqe, çka është patriotizëm e çka është tradhëti. Më bën përshtypje se në Gjermani këtë mënyrë përceptimi e zhvilloi një austriak si Hitleri. Në Serbi, një serb I Malit të Zi, si Milosheviçi, në Bosnjë një serb I Malit të Zi dhe një serb I Serbisë, Karaxhiç e Mlladiç. Tash në Prishtinë filozofinë e gjykimit e madje të ndëshkimit arbirtrar e zhvillon një shqiptar i Malit të Zi, Albin Kurti. Albini e zbuloi “grupin armiqësor” të Prof. Dr. Hajredin Kuçi! Po pse thirret në përceptimin e tij kreu faktik i opozitës së Kosovës? Sepse ka llogari me drejtësinë. Që llogarinë të mos e shlyejë, atëherë duhet sulmuar drejtësia. Ky është shteti që nesër do ta demonstrojë, nëse vjen në pushtet Albin Kurti. Kur një opozitar ose një opozitë i bën presion drejtësisë pa marrë pushtetin, çfarë do të prisnin qytetarët e Kosovës, pasi ajo të vijë në qeverisje? Kuptohet një system drejtësie të politizuar dhe për pasojë edhe të korrupptuar. Opozita e shpresës po shndërrohet kështu në opozitë të dhunës mbi drejtësinë.
Sulmi mbi Hajredin Kuçin ishte thjesht një sinjal, një shenjë, një akt më tepër për të dëshmuar se çfarë përfaqëson opozita e Albin Kurtit.
Mirenjohje në Nju Jork për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Z. Shpend Maxhuni, gjatë qëndrimit në shtetin e Bashkuara të Amerikës u nderua me mirënjohje nga Shoqëria ilire të oficerëve të zbatimit Ligjit/
NEW YORk CITY : Më 4 nëntor 2015, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, i shoqëruar nga dy oficerë të lartë të stafit të tij, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vazhdën e takimeve zyrtare me agjenci të ndryshme të policisë, ka marrë pjesë edhe në dy vjetorin e themelimit të shoqatës së policëve nga rradhët e uniformave blu të New Yorkut- NYPD – Shoqëria ilire e Zyrtarëve të zbatimit të ligjit.
Kjo ceremoni ishte dedikuar dy vjetorit te themelimit ka nderuar me pllakat mirënjohje disa nga personalitetet të larta të policisë – personalitetet e vitit brenda agjencive të zbatimit të ligjit në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut – NYPD, dhe në këtë rast, si një shenjë vlerësimi, Shoqëria ilire e Zyrtarëve të zbatimit të ligjit ka nderuar edhe Drejtorin e Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni i cili e mori këtë çmim për vizionin jashtëzakonshëm dhe udhëheqjes, së provuar në luftimin e terrorizmit dhe krimit të organizuar transnacional.
Në këtë ceremoni Drejtori i Përgjithshëm Z. Shpend Maxhuni, në një fjalim para të pranishmëve, iu falenderua Shoqatë Shqiptare të Zyrtarëve të Zbatimit të Ligjit dhe oficerëve të lartë të NYPD për bashkëpunimin dhe mbështetjen e Policisë së Kosovës në luftimin e të gjitha dukurive negative në Kosovë e rajon. “Zoti e bekoftë policinë – Zoti i bekoftë SHBA dhe Shqiptarët” tha numëri një i policisë së Kosovës.
Ai ka deklaruar për shtypin kosovar se :”Qëllimi i kësaj vizite ishte përparimi i bashkëpunimit të vazhdueshëm me të gjitha agjencitë e policisë, për të parandaluar dhe luftuar të gjitha llojet e krimit veçanërisht terrorizmit dhe krimit të organizuar në Kosovë, rajon dhe arenën ndërkombëtare”./Beqir SINA/
NJË LIBËR QË ZHVESH “LIBRAT E BARDHË”
Shkruan:ISMAIL SYLA*/
Libri “Mashtrimi i Madh” i autorit Bardhyl Mahmuti është vepra më sistematike dhe më gjithëpërfshirëse në gjuhën shqipe përballë një mal librash “të bardhë” të qeverisë dhe administratës serbe që si objekt kanë stigmatizimin e luftës së organizatës më të suksesshme politiko- ushtarake shqiptare, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kur lexon dy pjesët e librit, prej të cilave mund të dalin tri vepra më vete, (Gjenocidi, Antiamerikanizimi dhe Shtetndërtimi) të dhënat, sistemimin e tyre, rrjedhën kohore të ngjarjeve, pikëvështrimin serb, çmontimin e këtij pikëvështrimi, zhveshjen dhe dekompozimin e tij, nuk ke si të mos ndjesh se je duke u ballafaquar me një aparat shtetëror të organizuar si në aspektin politik, ashtu edhe atë policor, ushtarak (në terren), por edhe propagandistik, brenda opinionit publik serb dhe me ndikimi në qarqet ndërkombëtare, me tendencë të gjithë pranisë dhe falsifikimit të ngjarjeve.
Autori me durim dhe kulturë akademike arrin t’i paraqes disa nga ngjarjet kyçe të viteve 1998-1999, me theks të veçantë, por edhe të plotë si Kleçka, “Panda” dhe Reçaku. Duke nxjerrë të vërtetën, autori ndjek linjën kronologjike të këtyre tri ngjarjeve, versionin që përpiqet ta shes shteti serb, aktorët e këtij falsifikimi, ku hyjnë gjyqtarët, prokurorët, gazetarët, analistët ushtarakë dhe autoritetet e larta shtetërore serbe.
Me kalimin e kohës, si rezultat i kundërthënieve të brendshme, por mbi të gjitha si ngadhënjim i të vërtetës, zë fill zbardhja e ngjarjeve, duke e nxjerrë në pah inskenimin vetë burimet serbe, apo ajo pjesë e bashkësisë ndërkombëtare e cila në çdo kohë është racionale, e paanshme dhe realiste, si kryesuesi i OSBE-së ambasadori William Walker, (ky është krim kundër njerëzimit, për vrasjen e civilëve shqiptar në fshatin Reçak) ose shefja e ekipit mjekoligjor evropian finlandezja Helena Ranta, e cila thotë se “nuk bëhej fjalë për asgjë tjetër pos për fshatarë të paarmatosur, të cilët ishin vrarë në ato tesha që kishin pasur të veshura.” (f.110).
Duke lexuar, p.sh. rastin “Kleçka”, mënyrën se si e dizajnon gjyqtarja dhe gazetarët serb, detyrimin e pranimit të fajësisë para kamerave të “autorëve” të “krimit” nuk ke si të mos e përjetosh si një lexim dramatik ardhjen e momentit kur fillon zhveshja e versionit serb, pikërisht nga burimet serbe. Brenda logjikës falsifikatore, brenda kurdisjes nuk del vetëm dhuna fizike dhe psikologjike mbi viktimat që ta pranojnë fajin forcërisht, por mbi të gjitha del natyra e një shteti që mbi një shekull ka ushtruar dhunë sistematike kundër shqiptarëve të Kosovës.
Autori në këtë libër deri në fund arrin ta zbërthejë qëllimin përfundimtar të politikë antishqiptare të Beogradit: gjenocidin. Rrahjet, ndjekjet, shpërnguljet kulmojnë edhe me vrasjen e njerëzve me motive skajshmërisht kundërnjerëzore me gjenocid. Autori arrin ta argumentojë faktin se në thelbin e politikës shtetërore të Milosheviqit kundër Kosovës, por edhe në luftërat e mëparshme në Bosnjë dhe Kroaci, ishte gjenocidi, vrasja e paramenduar që ka për qëllim shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesshëm të një kombi, etnie, race apo feje si të tillë. Duke u mbështetur në të drejtën ndërkombëtare autori arrin që ta dëshmojë se vrasjet, dëbimi i shqiptarëve dhe dhunimi i femrave në Kosovë u bë në funksion të shkatërrimit të shqiptarëve si të tillë. (Kapitulli i 5 dhe gjashtë i pjesës së parë të librit përbën argumentimin shkencor të gjenocidit serb në Kosovë).
Duke u bazuar në të dhëna të sakta, mbi qindra e qindra burime, autori arrin që të gjejë gjithë kundërthëniet e shënimeve qoftë brenda “Librit të Bardhë” qoftë në deklarimet e pjesës së zhgënjyer të aparatit të dhunës, qoftë edhe tek gazetarët e rrallë serbë që ishin zëra të vetmuar kundër regjimit të Milosheviqit.
Nuk ka si të mos mbesin në mendje gjatë rrëfimet kur policët serbë “vranë çobanët e paarmatosur, që nuk kishin as thikë për të prerë bukën.” (f. 48), nënën dhe fëmijën me të meta sepse “nuk kishim nevojë për dëshmitarë” (f.49), tregimi për kokën e zier dhe kafkën e shndërruar në llambë tavoline (f.49) deri tek vrasja e foshnjës në djep me arsyetimin se “më i mirë është shqiptari i vdekur se shqiptari i gjallë” (f.49). Argumentet e shumta që sjell autori dëshmojnë në mënyrë të pakontestueshme se qëllimi i politikës serbe në Kosovë ishte shkatërrimi i tërësishëm apo i pjesshëm i shqiptarëve si të tillë.
Ne këtë kontekst duhet të shihet edhe strategjia serbe për mohimin e qëllimit të tillë. Autori mbështetet te nocioni “Negacionizëm” për të ndriçuar arsyet e mohimit të qëllimit të tillë, sepse ky nocion “nënkupton tërësinë e qëndrimeve të miratuara dhe shpjegimeve të dhëna për të mohuar vërtetësinë e gjenocidit ose një krimi kundër njerëzimit. Në këtë aspekt, mohimi i gjenocidit mund të konsiderohet si pjesë përbërëse e krimit, e ndërthurur me të, sepse përcakton strategjinë e shkatërrimit të së vërtetës dhe kujtesës.” (f.265).
Kjo strategji sqaron arsyet pse “u vendos që Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të kryente një varg sulmesh terroriste të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së. Qëllimi i këtyre sulmeve ishte që UÇK-ja të paraqitej në sytë e bashkësisë ndërkombëtare si organizatë terroriste dh, në të njëjtën kohë, përmes këtyre aksioneve t’u jepej zjarr ndjenjave antishqiptare në Kosovë dhe në tërë Serbinë (…) (f.79).
Në çmontimin e kësaj strategjia Bardhyl Mahmuti aplikon një qasje origjinale: ai bazohet ekskluzivisht në burime të pakontestueshme serbe siç janë dëshmitë e Vuk Drashkoviqit, i cili në atë kohë ishte zëvendëskryeministër i Jugosllavisë dhe përgjegjësit për politikë të jashtme dhe në dëshmitë e Radomir Markoviqit, shefi i atëhershëm i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, i cili udhëhiqte eskadronet e vdekjes.
Në librin “Mashtrimi i Madh” janë evidentuar me pedanteri idetë dhe konceptet e lagjes së publicistëve, eseistëve, sociologëve, historianëve, gazetarëve, filozofëve dhe intelektualëve të fushave të ndryshme por që kishin emërues të përbashkët ANTIAMERIKANIZMIN si këndvështrim ideologjik. Verbimi ideologjik me antiamerikanizëm bëri që historianë e politologë, filozofë e sociologë, gazetarë e publicistë, politikanë dhe prokurorë, të orientimit të djathtë e të majtë u mobilizuan për ta “mbrojtur Evropën nga imperializmi amerikan”. Ky këndvështrim ideologjik shpjegon faktin pse u ndodhën në një front të përbashkët figura të shquara të skenës politike dhe intelektuale evropiane nga spektri i ekstremit të djathtë deri te spektri i ekstremit të majtë. Vetëm antiamerikanizmi mund t’i bashkonte në një front njerëz si Dick Marty, Carla Del Ponte, Christophe Châtelot-ja, Renaud Girard-i, Regis Debray-ja, Bo Adami, Jürgen Elsässer-i, Patrick Barriot-i, John Laughland-i, Serge Halimi, Jean-Marie Lepen-i, Dominique Vidal-i, Bernard Lugan-i, Dominique Venner-i, Philippe Conrad-i, Jean-Arnauld Derens-i, Pierre Péan-i, Xavier Raufer-i… (f.560).
Autorë të kësaj lagjeje injorojnë në tërësi luftën çlirimtare të popullit të Kosovës dhe atë e shohin vetëm në funksion të pretekstit që të intervenojë NATO, e cila për ta nuk është asgjë tjetër pos instrument për nënshtrimin ushtarak dhe politik të Evropës perëndimore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (513).
Edhe pas përfundimit të luftës kjo fushatë nuk u ndërpre. Fatkeqësisht, si rezultat i mobilizimit të tillë sot me miliona faqe interneti, libra, artikuj dhe analiza stigma¬tizojnë UÇK-në si organizatë “terroriste” që ka vrarë civilë të pafajshëm.(f.560) . Fushata u intensifikua sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Për intelektualët, politikanët dhe juristët e këndvështrimit ideologjik antiamerikan të cilët ndërhyrjen ushtarake të NATO-s e shihnin si të paligjshme vazhduan ta konsiderojnë shpalljen e pavarësisë si të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Në analizën shkencore autori argumenton se as ndërhyrja ushtarake e NATO-s (Kapitulli i katërt) e as shpallja e pavarësisë së Kosovës (Kapitulli i shtatë) nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Analizat e këtyre çështjeve në raport me të drejtën ndërkombëtare janë të domosdoshme për të nxjerrë në shesh se mobilizimet e dikurshme kundër ndërhyrjes ushtarake të NATO-s dhe kundër pavarësisë së Kosovës nuk kanë asnjë bazë shkencore. Përkundrazi, në themelet e kësaj logjike qëndron antiamerikanizmi si këndvështrim ideologjik.
Kjo qasje na mundëson që të shohim motivet e vërteta të mobilizimeve që mohojnë të drejtën e pavarësisë së Kosovës.
Pjesa e dytë e librit i kushtohet çmontimit të nocioneve që ishin konstruktuar për të stigmatizuar shqiptarët në përgjithësi dhe UÇK-në në veçanti. Nga të gjitha nocionet që ishin krijuar për të njollosur shqiptarët autori ndalet në tri nocionet më të theksuara nga ata që kishin hyrë në procesin e kumbarisë së nocioneve të fabrikuara nga propaganda serbe: “fundamentalizëm islamik”, “marksizëm-leninizmi i tipit stalinist” dhe “mafia shqiptare”.
Bardhyl Mahmuti tërheqë vëmendjen se “sado paradoksale t’i duket dikujt që një grup i caktuar të stigmatizohet në të njëjtën kohë si “fundamentalist islamik” dhe si i majtë ekstrem i tipit stalinist të Enver Hoxhës, pra ekstremist fetar dhe ithtar i ideologjisë që kishte ndaluar besimin fetar në Shqipëri, teksti i përgatitur nga shërbimet sekrete jugosllave dhe serbe kundër UÇK-së” synonte që të gjejë sa më shumë ithtarë. Antimarksistët të shohin UÇK-në si strukturë marksiste ndërsa ata që janë të irrituar nga terrorizmi i fundamentalizmit islamik ta shohin UÇK-në si organizatë të tillë terroriste.
Autori ka arritur me mjeshtri të përmbysë kualifikimin e shoqërisë shqiptare si shoqëri klanore, të nxjerrë në shesh se prapa këtij kualifikimi qëndron përpjekja për të krijuar kontekstin shoqëror të funksionimit të mafies, si formë më e lartë e organizimit kriminal. Krijim i nocionit “mafia shqiptare” shërben si urë lidhëse në mes dy nocioneve të lartpërmendura.
Duke u mbështetur në faktet e pakontestueshme të botimeve zyrtare të shtetit serb Bardhyl Mahmuti argumentoi se nocioni “Mafia shqiptare” është nocion i konstruktuar nga Shërbimi Sekret i Serbisë dhe se asnjë kriter shkencor historik, antropologjik e as sociologjik nuk lejon që ky nocion të përdoret për hapësirën shoqërore shqiptare. “Mafia shqiptare” nuk ekziston siç nuk ekzistojnë as “kumbarët e mafies shqiptare”. Përkundrazi, autori duke u mbështetur në “kumbarinë” si nocion i marketingut, ku publiciteti bëhet me kosto shumë të vogël, (f.431) nxori në shesh motivet e vërteta të atyre që hynë në procesin e kumbarisë të promovojnë «produktet» e sajuara nga Shërbimet Sekrete Serbe.
Në këtë kontekst duhet të shihet ndër të tjera edhe libri i ish prokurores së Tribunalit të Hagës Carla Del Ponte “Përndjekja, unë dhe kriminelët e luftës” nga i cili mediet veçuan thënien se gjoja Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një “ndërmarrje kriminale që kishte rrëmbyer më shumë se 300 serbë, romë, shqiptarë dhe pjesëtarë të grupeve tjera etnike, të cilëve u kishin hequr organet vitale për t’i shitur në klinika jashtë shtetit”! (f.388)
Ky libër, në kontekstin historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shërbeu si cytës i mobilizimeve të reja të personaliteteve të moçme. Vetëm në raport me shpalljen e pavarësisë duhet të shihen edhe mobilizimet e qarqeve serbe dhe ruse në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe dorëzimin e Projekt rezolutës për hetimet lidhur me supozimet e Carla Del Pontes dhe iniciativa e Delegacioneve parlamentare zvicerane dhe suedeze, për të hapur debat në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me “pasojat e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.
Akuza për trafikim organesh nga ana e UÇK-së është akuzë që është hedhur poshtë nga shumica e atyre që i njohin mirë zhvillimet në këtë pjesë të Ballkanit. Për dallim nga të gjithë ata të cilët e cilësojnë këtë akuzë si të motivuar ideologjikisht dhe politikisht Bardhyl Mahmuti në veprën e vet i nxjerr në shesh se cilat janë motivet ideologjike dhe politike të bartësve të kësaj akuze. Ai sjell prova të pakontestueshme se prapa kësaj akuze qëndron Shërbimi Sekret Serb (f.424), zbulon për publikun se kush ia dorëzoi Carla Del Pontes mbi 27000 faqe materiale të përgatitura nga ky shërbim (f. 448-449), cilët ishin faktorët që ndikuan që Komisioni për Çështjet Juridike dhe të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës të emërojë Dick Marty-n në kryet të ekipit që do të raportonte për këtë çështje. (f.388-389)
Libri “Mashtrimi i madh” zhvesh arsyet e vërteta të kësaj fushate sidomos gjatë periudhës kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë duhej të jepte qëndrimet e veta lidhur me ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Për të hedhur poshtë këto akuza të pabaza mund t’u referohemi ekspertëve të ndryshëm botëror, specialist të transplantimeve të organeve njerëzore. Por, autori edhe në këtë rast gjen ekspertin më të njohur serb të kirurgjisë vaskulare, Goran Kronjan, i cili ka qenë shef i ekipit për transplantimin e organeve në Akademinë Spitalore Ushtarake në Beograd. Secili lexues që do të lexojë Kapitullin e Dytë të Pjesës së dytë (f.445-499) do të bindet se Bardhyl Mahmuti ka gjetur mënyrën më të mirë për t’i çmontuar tërësisht akuzat e tilla.
Libri “Mashtrimi i Madh” ka një koherencë edhe në strukturimin e vet. Kapitulli i parë i librit fillon me akuzat që i visheshin UÇK-së për gjoja vrasjen e civilëve në Kosovë. Gjatë tërë librit argumentohet se kush qëndron prapa këtyre vrasjeve. Por, kapitulli i fundit i librit (f.499-550) çmonton listat e civilëve serbë, shqiptarë dhe të përkatësive tjera etnike të vrarë dhe të zhdukur që i visheshin UÇK-së.
Është rrëqethëse kur shohim në këto lista që i vishen UÇK-së emrat Fehmi Aganit, Gafurr Lokut, Agim Hajrizit, Latif Berishës, Bajram Kelmendit dhe veprimtarë tjerë të çështjes kombëtare.
Të gjithë atyre që ende kanë dilemën më të vogël se kush qëndronte prapa këtyre vrasjeve libri i Bardhyl Mahmutit u sjell argumente të shumta të cilat nuk mund t’i kontestojë askush.
Ky shkrim meriton të mbyllet me fjalët sintetizuese të autorit Bardhyl Mahmuti:
Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, familjarët e 1392 fëmijëve, të 1739 grave dhe të rreth 10000 civilëve shqiptarë të të gjitha moshave që u vranë gjatë zbatimit të politikës së gjenocidit në Kosovë presin ngadhënjimin e drejtësisë! Familjarët e 1657 personave të cilët ende konsiderohen të zhdukur jetojnë në ankthin e përditshëm të zbulimit të rrethanave të zhdukjes së tyre.
Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë 20.400 femra shqiptare, të përdhunuara në funksion të zbatimit të politikës së gjenocidit, presin dënimin e kriminelëve!
Plagët e hapura nga lufta gjenocidare e regjimit të Milošević-it nuk mund të shërohen pa ndriçimin e plotë të të gjitha krimeve. Mbeturinat e regjimit të vjetër dhe kumbarët e nocioneve që stigmatizonin UÇK-në si “organizatë terroriste” janë bërë pengesa kryesore që të dalë në shesh e vërteta e plotë. Ajo e vërtetë për “listën e krimeve të bëra nga Shërbimi Sekret Serb kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë që do ta rrëzonte në gjunjë Serbinë.”
Gjunjëzimi i Serbisë së Milošević-it, logjika e të cilit ende mbizotëron në institucionet shtetërore, është kusht i domosdo¬shëm për ngadhënjimin e demokracisë në Serbi dhe do të hapte rrugën e pajtimit mes popujve. (556)
“Kosova dhe gjithë rajoni kanë nevojë për DREJTËSI! Po e përsëris se vetëm ndriçimi i plotë i krimeve të kryera dhe dënimi i kriminelëve të vërtetë do të krijonte premisat e nevojshme për pajtimin mes popujve dhe mbylljen e kapitullit më tragjik të shekullit XX-të”. 557.
*Bardhyl MAHMUTI, Mashtrimi i Madh, Çabej 2015
Kosova, anëtarja e 200 e Federates Ndërkombëtare të Hendbollit
PRISHTINË, 7 Nëntor 2015/ Kosova u bë sot anetarja e 200 e Federates Nderkombetare të Hendbollit.
“Pas votimit nga ana e delegateve te pranishme këtu ne Sochi, Rusi, Federata e Hendbollit të Kosovës u bë anëtarja e 200 e asociacionit më të madh botëror të hendbollit”, bën të ditur Federata kosovare.
Njoftoht edhe konfirmimi i IHF-së, që i është dhënë Kosovës me rastin e pranimit si anëtare e plotë./b.j/
Presidenti Nishani nderon aktorin e humorit Muharrem Hoxha
Nga Shefqet Kërcelli/
Mbrëmjen e djeshme në një ceremoni të organizuar në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu”, presidenti i Republikës Bujar Nishani nderoi aktorin e humorit Muharrem Hoxha me titullin “Mjeshtër i Madh”. Në këtë aktivitet kulturoroartistik krahas presdientit Nishani morren pjesë qytetarë dhe intelektualë të Durrësit, familjarë të aktorit, personalitete dhe aktorë të mëdhenj të skenës shqiptare, të filmit, teatrit, estradës dhe muzikës, nga Durrësi, Tirana, Shkodra, Vlora, Korca, etj. me të cilët aktori ka bashkëpunuar në vitet e karrierrës së tij artistike. Fillimisht Presidenti Nishani vlerësoi qytetarinë dhe intelektualizmin e banorëve të Durrësit dhe përpjekjet e tyre në vite për të mbajtur gjallë një traditë të spikatur kulturore artistike ku gjinia e humorit zinte të vecantë. Më pas ai evidentoi kontributin që kanë dhënë plejada e aktorëve, regjizorëve, muzikantëve, skenaristëve e personelit të institucioneve kulturore të qytetit të Durrësit në jetën artistike të qytetit por dhe në mbajtjen e një klime humori në realitetin e asaj kohe. Ishin këto shfaqje skenike të niveleve të ndryshme amatore dhe profesionale që me humor, satirë, sarkazëm, batuta, situate groteske etj, vrisnin frikën e diktaturës dhe lehtësonin dhimjen dhe gjendjen shpirtërore të njerzve. Estrada e Durrësit dhe simotrat e saj në qytete të tjera të vendit, si një strukturë e vecantë e artit skenik, përmes humorit, në vite kanë thyer mjaft tabu të jetës shoqërore. Vend të vecantë në fjalën e vet zoti Nishani i kushtoi vlerave njerzore, familjare dhe aktoriale të zotit Muharrem Hoxha. Mbas marjes së titullit zoti Hoxha falenderoi presidentin per këtë vlerësim dhe theksoi se, “këtë çmim ja dedikoj kolegëve të mi të estradës, me të cilët ndava mbi tre dekada punë në skenë”. Mbrëmja bashkoi mjaft humoristë dhe muzikantë, kolegë të Remës, të cilët i dhuruan pjesmarrsve emocione të vecanta nëpëmjet muzikës dhe disa numurave humoristike ku interpretuan dhe humoristët nga Estrada e Durrësit e Shkodrës si dhe këngëtarët Reshit Gjini, Luan Zhegu, Irma Libahova dhe Bujar Qamili. Muharrem Hoxha ose Rrema, siç e njeh publiku dhe miqtë e tij, gjatë 40 vjetëve pa ndërprerje, në Pallatin e Rinisë dhe estradën e qytetit, ka sjellë mbi 80 role të spikatura. Dhënia e këtij titulli përkon me daljen në pension të Muharrem Hoxhës , ndërkohë, aktorë të tjerë bashkëkohës të tij, kanë dalë më parë në pension. Ata gëzohen për çmimin e Muharrem Hoxhës, por njëkohësisht shprehin dhimbje, për tkurrjen e kësaj gjinie të artit skenik. Janë miqtë e tij Roland Koca, Aishe Stari, regjisori Haxhi Rama, Fadil Hasa, Zyliha Miloti, humoristët e Vlorës, Cekja i Beratit, Bujar Kapexhiu, aktori Robert Ndrenika, Xhelal Tafaj, etj. të gjithë që i bashkohen festës. Aktori Muharrem Hoxha ka lindur me 18 janar 1954. Ka punuar për një periudhë të gjatë nga ’73 deri ’86 tek “Pallati i Rinisë” në qytetin e Durrësit, ku ka bashkëpunuar me aktorët e humorit si Fadil Hasa, Ramazan Njala, Enver Likmeta dhe Gani Kalaja. Në estradën e Durrësit ai ka punuar dhe me aktorë të tjerë si Roland Koça, Sanie Hoti, Xhelal Tafai, Hysen Bashkhysa etj. Ai ka marrë pjesë tek Teatri i Kukullave për 14 vjet, po kështu është angazhuar në mbrëmjet e Vitit të Ri, si në programet për fëmijë dhe në ato për të rriturit. Rrema ka luajtur dhe në filmin për femijë “Velat e Bardha”, i cili është xhiruar në Itali.Aktivitetet dhe bashkëpunimet e tij me aktorë dhe regjisorë të disa qyteteve tona kanë bërë që ai të jetë një ndër humoristët më të pëlqyer jo vetëm për qytetin e Durrësit ku ai punon, por dhe për qytete të tjera. Në Shkodër ai ka bashkëpunuar me aktorë të tillë si Zyliha Milotin, Paulin Prekën, Zef Dedën, Gëzim Kruja, Drane Xhoi. Gjithashtu ai ka luajtur dhe me aktorët e qytetit të Korçës ku do të veçonim Zamira Kita, Aleko Prodani, Petrika Riza, Klaudeta Riza, Marko Bitraku, Albana Prodani etj. Me trupën e Korçës vecojmë shfaqjen “Ju ftojmë në dasmën e babait”. Nuk mund të lëmë pa përmendur dhe bashkëpunimin me aktorë të humorit në qytetin e Elbasanit si Ilmi Belshaku, Dimitraq Topuzi, Antoneta Doka. Në vitin 1983 në qytetin e Lushjes nderohet me çmimin “Laureat i festivalit”. Të njëjtin çmim e merr dhe në Fush-Arrëz, në 1989. Në vitin 1996, në festivalin kombëtar të humorit është vlerësuar si aktori më i mirë. Ai është vlersuar në vitin 2000 si “Njeriu i shekullit”, “Krenaria e qytetit”, për Durrësin, ka fituar cmimin “Qemal Hajdini”, si “Aktori me i mirë” në festivalin e Dibrës së Madhe në vitin 2008. Në vitin 2003 është nderuar me Urdhrin “Naim Frashëri i Argjendë”, nga presidenti Moisiu, ndërsa në vitin 2010 ka marrë “Naim Frashëri i Artë”. nga presidenti Bamir Topi, etj. Një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Muharremit, aktori Roland Koca që bashkë me Fadil Hasën e Rremën përbënin tre muskëtierët e Estradës së Durrësit shprehet se, Rrema me ndjenjën e humorit, shpirtin human e finik, këmbënguljen në realizmin e roleve e karaktereve njerzore mbetet simbol i humorit në Durrës dhe një përfaqsues tipik i kësaj gjinie në rang kombëtar. Si aktor karakteresh të shtresave të ndryshme Rema ka pasur një komunikim të vecantë me spektatorët, jo vetëm në sallë por dhe në komunitet. Ai mban mend qindra persona të cdo niveli, një vecori e tij që ja mundësonte skalitjen e roleve e personazheve në shfaqjen e radhës. Estrada e Durrësit u fuqizua mbas vitit 1974, kur u bënë pjesë e saj, një sërë aktorësh e regjizorësh të talentuar, të cilët ndoqën shembullin dhe trashëgëminë e pioniervë të kësaj gjinie Ramazan Ngjala, Nikolin Xhoja, Spiro Strati, etj. Nga viti në vit niveli artistik dhe pjekuria profesionale e trupës sonë ka shënuar rritje, tha ai. Ne dhe në fushën e parodisë patëm sukses me angazhimin e zonjës Liri Lushi, ndërsa del në pah dhe madhështia e Haxhi Ramës si regjizor për mëse dy dekada. Mendoj se në shfaqjen “Tre burra kërkojnë një grua” në të tre si aktorë, pra Rema, Fadili dhe unë kemi bërë një nga perforamncat më të mira skenike. Përpjekjet tona për të sjellë para publikut dicka të re, kanë qenë një vecori tjetër e punës sonë, përpiqeshim me orë të tëra për të zbërthyer një personazj, karakter, për të mos e lënë spektatorin të mërzitej. Por mbi të gjitha ne kemi pasur një kolektiv të mrekullueshëm, ku miqësia e sinqeriteti mishëronin një bashkëpunim të frutshëm në shfaqje dhe jashtë saj. Ndaj dhe kjo mbrëmje ka kaq shumë pjesmarrje.Të gjithë i gëzohen faktit që një koleg i tyre nderohet me titullin “Mjeshtër i Madh”. Ta gëzojë këtë titull Miku dhe kolegu ynë “Muharrem Hoxha”! Por njëkohësisht uroj që kjo traditë e spikatur e humorit durrsak të ketë vijimësi në të ardhmen. Më gëzon fakti që në këtë mbrëmje ka dhe plot aktorë të rinj të kësaj gjinie, theksoi aktori durrsak Roland Koca.