• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHALA TAKOI NE KOMBET E BASHKUARA DREJTORESHEN E UNESCO-s

September 23, 2015 by dgreca

OKB: Elvana Shala , Ambasadorja e vullnetit të mirë për Kosovën në IHRC,  takon  drejtoreshen gjenerale të UNESCO-s znj. Irina Bokova/UN – NEW YORK : ( 2 3  shtator 2015 )  Ambasadorja e vullnetit të mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, e cila është ftuar nga drejtori i përgjithshëm i Institutit për Diplomaci Kulturore (ICD) me seli në Berlin, z. Mark Donfried, të marrë pjesë në Samitin vjetor për të rinjtë në OKB, i cili zhvillon punimet paralel me sesionin e 70-të të Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, thotë në një dekleratë të saj , se është takuar dje edhe  me drejtoreshen gjenerale të UNESCO-se znj. Irina Bokova .Në qendër të bisedës së këtij takimi – sipas satusit të saj në rrjetin social facebook – thuhet të ketë qenë biseda rreth zhvillimit të diplomacisë kulturore në Kosovë si dhe rëndësinë e antarësimit të Kosovës në UNESCO.Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, znj. Elvana Shala , e cila po qëndron gjatë këtyre ditëve në New York, në kuadër të Samitit Vjetor për të Rinjtë në Kombet e Bashkuara, u takua dje me  drejtoreshen gjenerale të UNESCO-se znj. Irina Bokova , thotë deklerata .Duke shtuar se m e ke të rast ajo ka biseduar rreth zhvillimit të diplomacisë kulturore në Kosovë si dhe rëndësinë e antarësimit të Kosovës në UNESCO.“Gjate bisedimeve Ambasadorja Shala – theksoi se pranimi i Kosovës në UNESCO është shumë i rëndësishëm dhe përveç tjerash vendit tonë do ti sillte me shumë perspektiva rinore, mundësi shkëmbimi ndërkulturor dhe mundësi bashkëpunimi mes të rinjëve të Kosovës dhe të rinjëve të vendeve të ndryshme botërore në fushën e kulturës edukimit dhe shkencës”.Nderkaq thuhet se  znj. Bokova ka vlerësuar lartë pjesemarrjen e Kosovës në këtë samit dhe ka shprehur mbështetjen e saj për të rinjtë e Kosovës./Beqir SINA/

Filed Under: Kronike Tagged With: e UNESCO-s, NE KOMBET E BASHKUARA DREJTORESHEN, SHALA TAKOI

Presidenti Nishani i jep dekoratën “Nderi i Kombit” aktores së shquar MarieLogoreci

September 23, 2015 by dgreca

TIRANE- Presidenti i Republikës Bujar Nishani çmoi sot  (23 shtator 2015) aktoren e shquar MarieLogoreci (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit” të shoqëruar nga ky motivacion: “Në vlerësim të interpretimeve mjeshtërore e të paharrueshme të gruas dhe nënës shqiptare, duke skalitur me realizëm një galeri mbresëlënëse e simbolike portretesh në skenat teatrale, dhe të kontributit thelbësor e të pamohueshëm të saj si një nga themelueset dhe pionieret e kinematografisë sonë”.

Presidenti Nishani u shpreh gjatë ceremonisë solemne ku ishin të pranishëm familjarë dhe të afërm të aktores shkodrane, artistë dhe personalitete nga fusha e artit dhe kinematografisë: “Të flasësh, dhe aq më tepër të vlerësosh institucionalisht një artiste të lindur si Maria, apo Tushi siç e thërrisnin që në vogëli, me një shpirt aq të pasur e të dlirtë njerëzor, është e vështirë për këdo, jo vetëm për mua. Gjinitë artistike që ajo përvetësoi, zhvilloi dhe përsosi që herët, duke u endur plot kureshtje fëminore nëpër rrugicat hijerënda apo auditoret e shkollës femërore të ‘Motrave Stigmatine’, aty në djepin e pashtershëm shkodran të kulturës dhe dijes ishin të shumta. Dhe pavarësisht se Marija njihet më tepër si aktore dhe regjisore, nuk duhet harruar për asnjë dekikë se ajo mund të ishte bërë edhe një piktore, instrumentiste virtuoze, këngëtare e famshme, gjuhëtare rigoroze apo ndoshta edhe një etnografe e përkryer.”

 “Jam më se i bindur se në gjerdanin e panumërt të roleve dhe interpretuesve të skenës dhe kinematografisë sonë të shekullit të kaluar nuk ka pasur gur më të shndritshëm se MarijeLogoreci, e cila mishëronte dhe pasqyronte katërcipërisht të gjitha virtytet e rralla e të çmuara të gruas dhe nënës shqiptare. Asnjëri prej nesh nuk mund të fshijë nga kujtesa personazhet teatrale si Mbretëreshën Gertrude tek ‘Hamleti’ i Shekspirit, Fatimen tek ‘Halili dhe Hajria’ e KolëJakovës, BernardaAlbën e Lorkës, Tringën tek ‘Shtatë shaljanët’ e NdrekLucës, por figura me sy të përlotur e Lokes tek ‘Toka Jonë’ apo ajo e dhembur e Nanës tek drama e Loni Papës ‘Cuca e Maleve’ trupëzojnë vërtetësisht e me besnikëri të gjitha tiparet dhe vetitë më të mira shekullore të grave dhe nënave fisnike shqiptare.” – vuri në dukje Presidenti.

 “Që në fillim të mandatit tim i kam vënë vetes një detyrë institucionale për të vlerësuar zyrtarisht e për t’u shprehur mirënjohjen, qoftë edhe me pak vonesë, të gjitha atyre figurave të rëndësishme historike, artistike, shkencore, atdhetare, të cilat pluhuri i harresës së periudhës diktatoriale gjysmë shekullore dhe ndryshimet e vrullshme të tranzicionit demokratik edhe mund t’i kenë lënë pa dashur në hije. Dhe këtë zotim institucional, por thellësisht edhe personal do të vazhdoj ta përmbush me përpikëri deri ditën e fundit të qëndrimit në detyrën e Presidentit të Republikës. Prandaj, më lejoni që në përfundim të kësaj fjale të shkurtër, por më se të sinqertë, të shpreh edhe njëherë falënderimin dhe mirënjohjen e pamatë për aktoren e madhe dhe zonjën fisnike që hijeshoi skenat dhe ekranet tona duke na pasuruar jo vetëm estetikisht mendjen e shpirtin, por edhe duke na bërë të ndihemi krenarë që jemi shqiptarë, bashkëkombas të MarieLogorecit, të cilën sot në 95-vjetorin e lindjes së saj, në mënyrë më se të merituar, e shpall zyrtarisht edhe ‘Nder të Kombit.’ – u shpreh Kreu i Shtetit.

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: dekoroi, Marie Logorecin, presidenti Nishani

Rilindja si model i tradhtisë së Pezës

September 23, 2015 by dgreca

Shkruan:Pirro GUREMANI/Rikthimi te Konferenca e Pezës, tashmë është bërë një model i tradhtisë së skalitur të Enver Hoxhës që u bëri shqiptarëve me mbështetjen e Miladin Popoviçit dhe “viçëve” të tjerë serbistë. Nëse Edi Rama si kryebashkiak dhe më pas si kryesocialist dhe tashmë si Kryeministër e ringriti Pezën e tradhtisë enveriste, vazhdimësi që po i bën Erion Veliaj, është hapur një trashëgimi e një tradhtie që nisi me Enver Hoxhën dhe po vazhdon me kryebashkiakun e Ramës si një pjellë e tradhtisë që po rilind edhe në 2015-ën Arsyet se përse ky njeri që pretendon në moral dhe vlera njerëzore shkon dhe bën homazhe në Pezë, është e qartë: ai është kryekëput një enverist dhe një diktator që beson vetëm tek ideologjia staliniste për një rikthim në filozofinë e nomenklaturës së kuqe që e ka pagëzuar me emrin “Rilindje”.
Është e vërtetë se t’i rikthehesh historisë dhe të rishkruash atë, do të jetë një sfidë e atdhetarizmit. Nëse për rreth gjysmë shekulli një populli iu mohua e drejta ta njohë historinë reale të shqiptarëve, është fatale që për mbi 25 vjet me radhë kjo histori ka vazhduar të mbajë peng të vërtetat e domosdoshme të asaj që është historia e shkruar me penën e burrave të shtetit shqiptar dhe personaliteteve që në një formë a në një tjetër u etiketuan “armiq” apo “tradhtarë”. Kështu donte filozofia e diktaturës sllavokomuniste. Starti i kësaj tradhtie të historisë dhe ngjarjeve të kohës nisi pikërisht në atë ditë, kur u mbajt Konferenca e Pezës më 16 shtator 1942. Them kështu, sepse të vetmen gjë pozitive që pati kjo konferencë komplotiste, ishte parrulla e shkruar e saj “Bashkim pa dallim feje, krahine, ideje”, sepse jo vetëm që asnjë presje e kësaj parulle madhore nuk u zbatua, por ata që menduan si idealistë në vlerat e kësaj konference, u vranë një e nga një, u eliminuan në forma të ndryshme, u etiketuan “tradhtarë”, sepse prapaskenat e kësaj konference i dirigjonin serbët e deleguar dhe të atashuar në PKSH.
Nëse sot pranojmë që Partia Komuniste Shqiptare ishte shtojcë e Partisë Komuniste Jugosllave, për vetë ndodhitë dhe realitetet e ndodhura kohë pas kohe dhe që u ndriçuan tërësisht në këto vitet e demokracisë, duhet thënë se çdo lloj konference apo takim, mbledhje apo marrëveshjeje, mori ngjyrën e zezë të tradhtisë kombëtare me inskenime serbe tipike të UDB dhe që kishin si objektiv qëllimin e madh strategjik të Titos për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, si republikë e shtatë.
Kështu u veprua edhe me Marrëveshjen e Mukjes, kështu u bë edhe në Konferencën e Beratit, kështu ndodhi me të gjithë ata që njiheshin si bij të devotshëm të kombit, edhe pse ishin komunistë, por që nuk e pranonin tutelën jugosllave të Miladin Popoviçit apo Dushan Mugoshës, Velimir Stojniçit apo emisarëve të herëpashershëm të Titos. Vrasjet e dyshimta të Qemal Stafës, të Vojo Kushit, Xhoxhi Martinit, Sadik Stavelecit, Perlat Rexhepit, Jordan Misjes, Branko Kadisë apo vrasjet e Vasil Shantos e Ali Demit, por edhe vrasja tipike e Mustafa Gjinishit dhe shumë e shumë personaliteteve të tjerë. 8 nëntori 1941 ishte fillimi i një skenari, kurse starti i tradhtisë së madhe nisi në Pezë, pikërisht nën mirëbesimin e pezakëve, Shyqyri Pezës dhe Myslymit, që u keqpërdorën për qëllimet e dyshimta të PKSH dhe PKJ.
Shqiptarët panë një shfaqje të radhës këto ditë në Pezë që riktheu drapër e çekanin, riktheu Enver Hoxhën, riktheu lavdinë e tradhtisë komuniste nën mbështetjen e kryebashkiakut të ri që si rilindas i Edi Ramës po bëhet një model i tradhtisë së idealeve të besimit të votës që në mënyrë të verbërt i dhanë këtyre pinjollëve.

Çfarë na solli realisht Konferenca e Pezës?

Është kjo pyetja që mund të bëjë çdo shqiptar. Realisht ajo solli një instalim të një filozofie tradhtare për interesat e një populli që aspiroi për “liri dhe demokraci” dhe jo për luftë klasash e diktaturë. Kujtimi që i bëhet një konference me ideale të tradhtuara, është njëlloj si të rikthehesh tek mendësia dhe filozofia e një kohe që mbolli zi dhe shkatërroi vlerat e një populli të tërë dhe që e provoi katërcipërisht koha se ku përfundoi ky vend dhe ky popull nën regjimin e stalinistëve enverisë që e nisën tradhtinë e tyre pikërisht në Pezë, në atë 16 shtator fatzi e të kobshëm për jetën e një vendi e një populli që e do lirinë dhe e dëshiron demokracinë. Për këtë themi që Konferenca e Pezës është starti i tradhtisë së madhe që e dëshirojnë aq shumë socialistët shqiptarë. Kjo të lë në mendje edhe arsyen se, përse çirren aq shumë dhe i mbajnë iso Edi Ramës socialistët tipikë dhe i rikthehen Pezës për të rregulluar shijet e sinkronizuar filozofinë e tyre me atë enveriste.

Disa fakte që duhen kujtuar

Kam dëgjuar dhe lexuar një intervistë të Xhemile Gjinishin, motrën e personalitetit Mustafa Gjinishi në Peqin, e cila ka thënë se, “vrasja e Mustafait nisi që në Konferencën e Pezës, të cilën ai e quajti tradhti, sepse veprimet që u bënë pas asaj konference ishin kundër interesave të shqiptarëve. Këtë Mustafai ia kish thënë edhe Myslym Pezës që e kishte mik për kokë dhe nuk ia merrte mendja kurrë që edhe babë Myslymin siç e thërrisnin aso kohe, do ta bëte për vete Enver Hoxha, se donte të mshifte pabesitë e veta. Unë e them gjithmonë se vëllanë tem e vrau Enver Hoxha dhe Myslym Peza, kur mori vesh se e kanë vra Mustafa Gjinishin, tha se “për Mustafën gjaku do të shkojë deri në gju të kalit”, por sa vajti në Tiranë edhe Myslymi heshti dhe u bë palë me komunistat vrasës. Ma kanë thanë se sapo Mustafa hyri në një mbledhje të përbashkët me jugosllavët, tha se “këtu ka mbet me fol vetëm serbisht”, se aq i fok ishte ai nga prania e jugosllavëve në vendin tonë dhe brenda PKSH. Kjo është e vërteta. S’ka kush t’ma ndrrojë mendjen mua për këtë gjë”. Atëherë çfarë i duhet sot një populli që aspiron për një të ardhme një konferencë që startoi tradhti kombëtare dhe që nuk i solli vendit asnjë prospertitet? Përse Edi  Rama nuk heq dorë nga Konferenca e Pezës.

Normalja e Elbasanit dhe Konferenca e Pezës

Në këtë fillim viti të ri shkollor pas rreth 73-vjetësh do të ishte e udhës të kujtohej një personalitet kombëtar si Ernest Koliqi, ideatori dhe frymëzuesi, po aq sa edhe zbatuesi i një filozofie të madhe për hapjen dhe konsolidimin e shkollave shqipe në gjithë trojet shqiptare. Ka qenë shtatori i vitit 1941, kur me një vendim të asaj kohe të Ministrisë së Arsimit, kur ministër ishte Ernest Koliqi, mbi 400 arsimtarë normalistë dhe të shkollës amerikane të Fullcit, shkuan në Kosovë, trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, si dhe në Çamëri. Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht sublim se ai dha frytet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në hapjen e dëshirës për të mësuar dhe rrënjosur shqipen në të gjithë trojet shqiptare. Frytet e atij akti janë sot Kosova e lirë, janë dëshira e mijëra e mijëra shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Çamërisë për shqiptarizmin e tyre, si një krenari kombëtare. Pyetja që lind është se përse nuk kujtohet një akt i tillë që ka ndodhur po në shtator, një vit para Konferencës së Pezës që bëri të kundërtën e asj që bënë 400 normalistët shqiptarë.
Vendimet historike merren nga burra historikë, kudo ku ato janë ekzekutuar në çdo vend të botës. Kjo vlen veçanërisht edhe për personalitetin e ish-ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi në kohën kur ai u bë dishepull i shqiptarizmës.
Ishin vite lufte, vërtet, por gjithsesi ata që drejtonin jetën publike të këtij vendi ditën të shfrytëzojnë gjithçka në shërbim të kombit. Vendimi i marrë në atë shtator, si sot e 74 vjet më parë, është gdhendur në kujtesën e brezave si një akt sublim i një shqiptari të madh. Vërtet ishte luftë, por shkollë gjithsesi bëhej ashtu si dhe sot. Ndryshimi qëndron në atë se shkollat shqipe nuk ishin të konfirmuara në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri, pikërisht atje ku gëlonte shqiptarizmi, se institucionet shkollore shqiptare ishin të ndaluara nga pushtuesit shekullorë serbo-grekë. Rreth 400 normalistë morën me vete bekimin dhe uratën e një ministri që nënshkroi vendimin prej shqiptari që djemtë dhe vajzat e arsimuara në Normalen e Elbasanit, tashmë 199 vjeçare, më tej të hapnin shkolla ku të mësohej shqipja dhe të shkruhej gjuha e ëmbël naimjane. Vërtet ishte luftë, por ministri i Arsimit i asaj kohe i shpalli luftë asimilimit të shqipes në trojet tona shumë shekullore. 400 normalistët nga e gjithë Shqipëria, pjesa më e madhe nga Elbasani, u kthyen në shqiponja të gjuhës dhe të këndimit, duke hapur shkolla në Prizren dhe në Tetovë, në Podgoricë dhe në Prishtinë, në Gostivar dhe në Gjakovë, në Ulqin dhe në Filat, vetëm e vetëm të fitohej beteja e shqiptarizmit.
Ernest Koliqi ishte ministri i Arsimit i kohës që sfidoi kohën dhe bëri atë që të meritonte nderimin e brezave të të tërë nxënësve që dolën nga bankat e shkollave shqiptare, atje, ku i thonë bukës bukë dhe ujit ujë. Për 74 vjet, shqipja triumfoi si ajo manushaqja bukuroshe e Naimit, që çeli mes ferrash për të kundërmuar si Lahuta e Malësisë që mbushi vendin me burrni. Askush tjetër nuk kishte bërë një akt të tillë, akt, i cili radhitet krah Shpalljes së Pavarasisë, radhitet krah Mbretërisë Shqiptare, ashtu siç do të doja ta renditja krah lëvizjeve të mëdha që sjellin po aq ndryshime të mëdha në jetën e një vendi. Çdo normalist kishte me vete në çantën e tij një vendim ministror të një njeriu të madh, vendim, i cili u jepte krenari, dinjitet dhe i bënte mësuesit e trojeve shqiptare ambasadorë të shkollës shqipe. Nuk ishte e pakët, aq më tepër e lehtë që në mes të pushtuesve greko-serbë të hapje shkolla shqipe.
Ernest Koliqi u persekutua nga regjimi sllavo-komunist, por ai, si dhe 400 normalistët e tjerë, një pjesë e të cilëve formuan edhe familje në tokat shqiptare, e kishin hedhur farën e rilindasve dhe ajo kishte zënë rrënjë. Nuk mund të harrosh dhjetëra dhe dhjetëra arsimtarë që në ato vite lufte me një flamur kuq e zi në gji, mes peripecive të kohës shkuan atje, ku e kërkonte momenti historik, duke i qenë mirënjohës ministrit të tyre, Ernest Koliqi.
Dhe vitet shkuan e shkuan plot 74 dhe ai akt historik i këtij burri ka mbetur në qerthullin e tranzicioneve i panderuar për vlerat që mbart, aq më tepër që bëjmë fjalë për një vendim të shkruar shqip nga një shqiptar, për një vendim të nënshkruar nga një ministër shqiptar për një Shqipëri të vërtet që duhej dhe duhet të flasë shqip. Nuk di se ç’duhet bërë për t’i dhënë vendin e merituar figurës së ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi, që do të ishte edhe një rehabilitim i persekutimit që ju bë atij nga falangat sllavo komuniste. Kur mendon se, persekutori tipik  stalinist Enver Hoxha, njeriu që nuk mbaroi njëherë një shkollë të lartë, e mohoi veprën e Ernest Koliqit dhe e shpalli atë heretike, kjo të sjell në kujtesë kryqëzimin e Jezu Krishtit dhe mohimin e shenjtërisë së veprave të mëdha, aq më tepër që si e tillë ishte edhe shqiptarizmi.
Kur mendon dhe shikon se si pas 73-vjetësh kujtohet Konferenca e Pezës, konferencë, e cila vendimet i mori të mëdha, por realizimin e pati antishqiptar, këtu vihen ballë për ballë mes tyre Ernest Koliqi dhe Enver Hoxha, njëri ministër Arsimi i Shqipërisë së vërtetë, tjetri diktator i Shqipërisë së cunguar, njëri dishepull i shqiptarizmit, tjetri udhëheqës i anti shqiptarizmit.
Është mëkat dhe gjynah i madh të bësh krahasim mes Ernest Koliqit dhe Enver Hoxhës, se është një lloj sikur të vlerësosh Judën para Jezusit apo Profetit Muhamed. Janë dy epoka që vërtet ndryshuan, njëra solli bardhësinë e arsimimit të bijve të kombit kudo në trojet shqiptare, ndërsa tjetra solli robërimin e bijve të shqipes. Krahasimin e bëj vetëm si një kujtesë për këdo dhe kushdo qoftë ai sot, ministër Arsimi apo Kryeministër, politikan apo president se, rikthimi i kujtesës historike për Ernest Koliqin është rikthim në vlerat e vërteta. Ndërsa rikthimi i kujtesës diabolike për Enver Hoxhën është rikthim në diktaturë, duke nëpërkëmbur dëshirën e një populli vërtet për liri dhe demokraci dhe jo për drapër dhe çekan. Enver Hoxha e mohoi, e shpërfilli, e denigroi Ernest Koliqin, ndërsa vepra e ministrit të Arsimit Ernest Koliqi u lartësua vetiu se e tillë ishte ajo. Kurse një popull i tërë e errësoi, e denigroi e poshtëroi dhe e urren emrin Enver Hoxha, se i tillë ishte ai. Nuk mund të ketë më rikthim, por do të ketë vlerësim për aktet e mëdha që e përbëjnë kombin siç është gjuha, arsimi, të mbrujtura me shqiptarizëm.
Në këtë shtator 106 vjet më parë u mbajt edhe Kongresi i Elbasanit, që i dha shqiptarëve njohjen e gjuhës, hapjen e shkollës Normale dhe Universitetit të Parë Shqiptar. Pikërisht për këto, kurrë nuk flet dot Edi Rama, se ora i ka mbetur tek veprimet staliniste tipike diktatoriale dhe gjithçka i është thartuar në mendje nga droga e madhe që po i kapet dhe që po ia drogëzon qeverisjen që nisi si Rilindje dhe po përfundon si Ridiktaturë përmes drogmenëve të qeverisjes.

Filed Under: Opinion Tagged With: i tradhtisë, Pirro Gurmani, Rilindja si model, së Pezës

Vizita e Papës dhe fushata presidenciale

September 23, 2015 by dgreca

Nga Rafael Floqi/

Papa Françesku do të jetë udhëheqësi i parë i Kishës Katolike që do të mbajë një fjalim gjatë një seance të përbashkët të Kongresit amerikan më 24 shtator. Ligjvënësit amerikanë po përgatiten për të dëgjuar komentet e Atit të Shenjtë, i njohur si “Papa i të varfërve”.

Në Kongresin amerikan, padurimi ka arritur temperatura të larta ndërkohë që pritet fjalimi i Papa Françeskut gjatë një seance të zgjeruar. Më i ekzaltuar nga të gjithë është personi që e ftoi, kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, i cili është një katolik i devotshëm. Në një video të posaçme, zoti Boehner tha se ligjvënësit janë të interesuar për atë që ka për të thënë Papa.

“Është mënyra se si ai u afrohet të varfërve. Ka dhe disa pikëpamje që ngjallin polemika, por ai është Papa!” Ndryshimi i klimës, Kuba dhe varfëria janë çështjet që Shtëpia e Bardhë do t’i ketë në krye të rendit të ditës, kur Presidenti Barack Obama të përshëndetet me Papa Franceskun të mërkurën. Por përtej temave politike të nxehta, një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se të dy burrat do të trajtojnë subjekte të ndryshme nëse mund të ngrihen, pasi Papa është i prirur për të vepruar kështu. “Presidenti  ka dëgjuar nga Papa opinionet për një numër çështjesh që ata të dy kujdesen,” tha zyrtari. ” Dy koncepte të gjera që përcaktuan edhe takimin e parë mes Obamës dhe Papa Françeskut, të mbajtur në mars 2014 në Vatikan qenë: Konflikti dhe varfëria.

Papa u ka kërkuar me forcë katolikëve në të gjithë Evropën për të pritur numrin masiv të refugjatëve sirianë qe aktualisht kërkojnë strehim nga vendi i tyre i shkatërruar nga lufta. Vatikani vetë ka strehuar një familje siriane, dhe u ka kërkuar kishave të bëjnë të njëjtën gjë. SHBA janë angazhuar për të marrë në rreth 10.000 refugjatë sirianë më shumë në vitin e ardhshëm fiskal,më shumë pritet pas kësaj, ndërsa disa kombe të vogla kanë marrë në dhjetëra mijëra. Nuk është e qartë se si Papa do ta trajtojë këtë mospërputhje.

Por Papa duket të përqëndrohet më shumë për në bazë të përbashkët në takime me liderët, me çështjet e sikletshme që të mos dalë në një mënyrë konfrontuese. Në Kubë, në vend që ta qortonin ashpër regjimin e Kastros për dekada e kufizimit të lirisë për popullin e vet, presidenti Raul Kastro u largua duke u thënë gazetarëve se Papa po bën atë ta konsiderojë kthimin në gjirin e Kishës Katolike duke u lutur përsëri.

Por, disa analistë thonë se këto pikëpamje mund ta bëjnë zotin Boehner të pendohet për ftesën që bëri. Papa Françesku ka folur haptazi për rreziqet që i kanosen planetit tonë nga padrejtësitë ekonomike dhe ndryshimi klimatik, si dhe ka mirëpritur marrëveshjen bërthamore me Iranin. Pikëpamjet e Papës për këto çështje janë të afërta me ato të Presidentit Obama.

“Kur ai të thotë në Kongres se p.sh. duhen mirëpritur emigrantët dhe refugjatët, ose se duhet mbrojtur mjedisi, atëherë demokratët do të duartrokasin me zjarr. Po republikanët çdo bëjnë, do rrinë duarkryq? Nëse duartrokasin do mërzisin konservatorët” , shpjegon prifti analist Thomas Reese.

Një ligjvënës republikan, Paul Gosar, tha se do ta bojkotojë fjalimin për shkak të përqëndrimit të Papës tek tematika e ndryshimeve klimatike.

Nga demokratët, përfaqësuesi Luis Guterrez, vuri në dukje kontrastin ndërmjet përkushtimit të Papa Françeskut ndaj emigrantëve dhe retorikës së ashpër anti-emigracion të kandidatit republikan Donald Trump. “Papa Françesku është e kundërta e zotit Trump; është antidota ndaj këtij helmi.”

Në fakt, ardhja e papës të martën në Uashington në mënyrë të pashmangshme  shihet në kuadër të sfondit dhe garës agresive presidenciale të 2016, pavarësisht nga fakti se shumë nga ata që garojnë e kanë distancuar veten nga politikat e Papës.

Shtatë prej 15 kandidatëve republikanë të nominuar janë ose e kanë praktikuar fenë katolike, që është më shumë se më parë. Fushata Demokratike përfshin një katolik, me shumë – ish guvernatorin e Maryland Martin O’Malley, i cili po ashtu planifikon të marrë pjesë në meshën në Uashington të mërkurën. Dhe nuk mund të jetë edhe një tjetër demokrat katolik, nëse në garë do të futet nënpresidenti Biden. Ndërkohë, fushata është duke u larguar nga çështjet që prekin parimet e doktrinës katolike dhe deklarimet e fundit të Papës.Në disa nga këto fusha – përfshirë edhe ndryshimet klimatike, pabarazinë ekonomike, emigracionit dhe marrëdhëniet me Kubën – Demokratët kanë një aleat tek Papa Françesku.

“Unë nuk jam një katolik, por unë jam një admirues i madh i Papës, sepse unë mendoj për atë që ai është duke u përpjekur të bëjë, ta marrë institucionin e nderuar, Kishën Katolike Romake, dhe  ta verë në një themel të fortë të shkrimeve të shenjta tek fjalët e Krishtit “, tha favoritja kryesore Hillary Rodham Clinton, një metodiste,  ABC News në fillim të këtij muaji.

Në çështje të tjera të politikës, duke përfshirë edhe debatin mbi mos financimin e Planifikimit Familiar dhe të mbrojtjes se lirisë fetare, mësimet e kishës mbeten ne një linjë më me republikanët – edhe pse Papa Francesku  iu jepet atyre një ton më të zbutur.

“Ai flet me elegancë dhe thjeshtësi të tillë për gjërat që janë me vërtetë të rëndësishme. Unë mendoj se vendimet që ai është duke bërë  lidhen me sigurimin e tregimin e mëshirës për njerëzit – për gratë që kanë pasur aborte, apo divorce – gjë që e bën më të lehtë për njerëzit që të shpëtojnë nga një mënyrë tradicionale katolike e të trajtuarit të problemeve – dhe kjo është fantastike , “tha Jeb Bush.

Vështirësia në vënien e një etiketë ideologjike Papës, shpjegon edhe atë pse vizita e Papës ka marrë relativisht pak diskutime gjatë fushatës dhe ajo zakonisht del kur kandidatët janë pyetur në lidhje me të nga gazetarët.

Çdo cikël zgjedhor sjell një tjetër diskutim “votën katolike.” Vihet re se shpesh se asnjë kandidat në historinë moderne nuk ka fituar një shumicë popullore për president, pa pasur shumicën e katolikëve në vend.

Por kjo është e gabuar t’i mendosh e katolikët, të cilët përbëjnë një të pestën e popullsisë së vendit, si një bllok, thotë John C. Green, një studiues kryesor i kryqëzimin të fesë me politikën që drejton Institutin C. Bliss Ray të politikave të Aplikuara në Universitetin e Akron. Një e treta e të gjithë katolikëve janë jo të bardhë dhe kryesisht hispanikë – dhe ata votojnë fort Partine Demokratike, thotë Green.

Mbeten dy të tretat, që janë gati të ndarë në mënyrë të barabartë midis republikanëve me prirje të katolikëve tradicionale, e progresistëve të cilët janë të prirur të votojnë për demokratët dhe të moderuarve të cilët janë “zgjedhësit thelbësorë.”  

Kandidatët janë duke i ofruar Papa Franceskut një mirëseardhje të ngrohtë – dhe një përqafim të kujdesshëm. Edhe pse ata kanë shprehur admirim për të dhe stilin e tij gjithëpërfshirës, ata kanë theksuar se nuk pajtohen me shumë nga politikat e tij.

“Unë nuk do të shkoj në meshë për politikat ekonomike apo për gjëra  politike”, tha Bush në qershor, pas publikimit nga Papa të qarkores prej 192-faqesh  që fajësonte ndikimin e djegies së lëndëve djegëse fosile dhe veprimtarisë njerëzore për ndryshimet klimatike.

Në krye të denoncimeve të  pabarazisë të Papa Fraceskut është “rrënja e së keqes shoqërore” që shkakton problemet e të varfërve që duhet të “zgjidhet rrënjësisht, duke refuzuar autonominë absolute të tregjeve dhe spekulimet financiare”. Kjo deklaratë e Papës që është lexuar gjerësisht si një qortim i kapitalizmit.

Disa konservatorë, gjithashtu kanë qenë kritikë ndaj Papës për rolin e tij në ndërmjetësimin rifillimin e marrëdhënieve diplomatike me Kubën.

Edhe kur Papa Francesku ishte në Havanë të dielën, Gov Chris Christie (RN.J.), një katolik praktikues, i tha CNN-it: “Unë thjesht mendoj se Papa ishte e gabuar. Eshtë fakt, se pagabueshmëria e tij është në çështjet fetare, jo në ato politike. “

Senatori Marco Rubio (R-Fla.), një tjetër katolik, shprehu një pikëpamje të ngjashme në ABC. Ndërsa ai e ndjek Papën “100 për qind” në çështjet shpirtërore, duke përfshirë mësimet mbi shenjtërinë e jetës, Rubio tha: “Papa, si individ, si një figurë e rëndësishme në botë, ka edhe mendimet e tij politike. Dhe me ato, sigurisht, ne jemi të lirë të pajtohemi ose jo me to.”

Në ciklet zgjedhore të kaluara – dhe nën papët e fundit – kanë qenë më shpesh demokratët të cilët janë vënë në mbrojtje nga prononcimet e zyrtarëve te Vatikanit dhe katolikëve në Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 1960, kur John F. Kennedy kërkonte të bëhej presidenti i parë katolik i vendit, ai shkoi përpara një audience armiqësore të (priftërinjve) ministrave protestantë në Houston për të thënë: “Unë besoj në një Amerikë, ku ndarja e kishës nga shteti është absolute; ku asnjë prelat katolik nuk do te pyetet nëse zgjedhim nje president katolik  dhe se si do të veprojmë “

Kohët e fundit, kur senatori John F. Kerry (D-Mass.)  konkurroi për president si lider për listën Demokratike në vitin 2004, kryepeshkopi i St Louis paralajmëroi kandidatin që mbështet të drejtat e abortit “të mos paraqitej për kungim” në kishë. Mohimi i Kungimit është një izolim që i rezervon të ligji kataolik për gjithë “ata që vazhdojnë me mëkate të mëdha.”, Kerry tha se ai do të vazhdonte të shkonte në meshë dhe për të marrë kungimin pavarësisht paralajmërimit .

Nuk ka asnjë shenjë se zyrtarët katolike po kërcënojnë ndonjë përballje të tillë me politikanët e secilës palë në këtë kohë.

Dhe madhështisë dhe eksitimit që rrethon vizitën është e vështirë që çdo politikan t’i rezistojë. Edhe republikanët,të cilët nuk pajtohen me disa prej deklarimeve të Papës Francesku po planifikojnë të marrin pjesë në disa nga paraqitjet e tij. Të paktën tre pretendentët të GOP-së  – Rubio dhe senatorë republikanë Ted Cruz (Tex.) Dhe Rand Paul (Ky.) – Do të jetë në audiencë kur Francis do t’i drejtohet ne një sesion të përbashkët të Kongresit të enjten.

Gov i Ohios John Kasich, i cili u rrit si katolik, por u bë një protestant, tha gjatë një aktivitet të kohëve të fundit të fushatës në Neë Hampshire se ai kishte konsideruar marrjen pjesë në disa nga takimet e Papës.

“Unë kurrë nuk kam takuar një Papë,” tha Kasich. “Por unë nuk mendoj se unë mund ta bëja.

“Ajo që më pëlqen në lidhje me Franceskun është se ai është një djalosh i cili është per gjera pro besimit, dhe jo aq shumë per gjera ku thuhet “mos”  për gjërat që duhet të bëjmë për të qenë njerëz më të mirë,” shtoi Kasich.

Edhe pse vizita e Françeskut ka gjasa të ketë një ndikim të menjëhershëm në garën presidenciale, ajo mund të vazhdojë të kumbojë  gjatë – veçanërisht pasi vendi po shkon në një fushatë të përgjithshme zgjedhore.

Ajo çka do të pasojë  pas çështjeve që Papa Françesku do të ngrerë gjatë vizitës së tij, tha David Campbell, kryetar i departamentit të shkencave politike në Universitetin e Notre Dame,është se “Kjo nuk është aq shumë që ai do të na tregoje se çfarë të mendojmë”, tha Campbell.

Papa mund të thotë gjëra të tjera të pakëndshme edhe për demokratët, si për martesën e homoseksualëve apo abortin. Zoti Reese shpreson që Papa t’i japë këtë mesazh Kongresit:

“Shpresoj që t’u bëjë thirrje të lënë mënjanë dasitë partiake dhe se është koha të bashkohen për të zgjidhur problemet e vendit dhe të botës. Këtë mesazh do ta duartrokasë i gjithë populli amerikan.”

Ndoshta do të duhet vizita e Papës që anëtarët e Kongresit të ndërpresin luftën e brendshme dhe të punojnë së bashku.

Filed Under: Analiza Tagged With: fushata presidenciale, Rafael Floqi, Vizita e Papës dhe

Deputetë, mos i harxhoni vezët, populli ka nevojë!

September 23, 2015 by dgreca

Shkruan: Saranda R. Shala/

Zhvillimet e fundit politike  ne Kuvend ,dhe diskutimet mes pozitës dhe opozitës,duken mjaftë të ashpërsuara.Kuvendi kohëve të fundit të ngjan tamam me një teatër,ku aktorët kryesorë janë deputë të cilët janë zgjedhur me votat e popullit.

Perveç mospajtimeve,kundërshtimeve nga të dyja palët,tash më  kanë filluar të përdorin dhe metoda nga më të ndryshmë të stilit “Kong fu”. Kuvendi  si një  institucion ligjvënës,duhet të dallohet nga” Koteci i pulave”,pasi vezet zakonishtë nuk e kanë vendin aty.

Nuk e di pasi vezet thyhen më lehtë mos më mirë ne vend të tyre do të kryente punë” Suxhuku”, në këtë rast. Deri më tani,sjelljet e pushtetarëve,ashtu si viteve tjera, na tregojnë  se kemi të bëjmë me një qeveri,  jo serioze,ku imazhin i tyre udhëhiqet për shfaqje e jo për punë.

Mbase si duket i kanë rregulluar punët dhe nuk po dinë më çfarë të bëjnë.Atyre nuk ju kërset e as nuk  brengosën fare  se a do të kenë bukë në sofër kur të kthehen nga puna:Nuk e kanë problem fëmijët e tyre a do të kenë mundësi për tu shkolluar, e as  nuk e bëjnë dert qe dikush nuk ka mundësi  një medikament të vetëm për ta blerë qoftë kur është në pyetje jeta e njeriut.Sapo të vijë koha e zgjedhjeve japin premtime nga më të ndryshmë,tregojnë aftësitë humane e ndërpersonale sa të ngjanë me altruista, mbase dhe Nëna Terezë me humanitetin e saj do të dukej e vogël para tyre. Luajnë role nga më të ndryshme deri të marrin votat e popullit.

Prandaj ky popull bashkë me shoqëritë civile,media,intelektualë,do të duhej të ngrehë zërin e tyre.Te mos lejoj të tallen më për të parë një skenë politik,ku shohim më shumë arrogancë sesa vepra.

Filed Under: Opinion Tagged With: mos i harxhoni vezët, populli ka nevojë!, Saranda R. Shala

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3517
  • 3518
  • 3519
  • 3520
  • 3521
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT