• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SA ATDHE NA MORE ME VETE?!

August 31, 2015 by dgreca

Ramiz LUSHAJ/
SA ATDHE NA MORE ME VETE?!/
Për ty, o Mark Krasniqi/

Baci Mark, në udhën tande drejt një tjetër jete:/
-Thuaj ditës të sodit, sa Atdhe na more me vete?!/
Flamuri Shqiptar nuk të la vetëm as në Amshim./
Ende kolosë si Ju po i duhen Kombit për Bashkim…/

Në jetë kurrë s’doje ta bashkoje emrin me djajtë/
As në varreza s’doje t’ përzihen eshtnat me sllavët./
Ti ndoshta nuk ishte ëngjëll se s’të lanë kohnat/
Si shenjtor i madh të kërkojnë brezat, epokat./
Tiranë, 30 gusht 2015.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Mark Kraniqi, NA MORE ME VETE?!, SA ATDHE

GJITHË KOMBI SHQIPTAR NDEROI AKADEMIK MARK KRASNIQIN

August 31, 2015 by dgreca

-Mesazhi i fundit në librin që doli nga shtypi vetëm një ditë para vdekjes ishte – bashkimi kombëtar/
-Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe familjes i kanë arritur shumë telegrame ngushëllimi, nga të gjitha anët e trungut gjeoetnik shqiptar dhe nga diaspora jonë e gjerë. Mbledhje komemorative kushtuar akademik Mark Krasniqit dhe homazhe/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 30 Gusht 2015/ Gjithë kombi shqiptar nderon akademik Mark Krasniqin. Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u mbajt sot mbledhje komemorative kushtuar akademik Mark Krasniqit, i cili u shua në 28 gusht në moshën 95 vjeçare në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa e përfaqësues të tjerë institucionalë e politikë morën pjesë në mbledhjen komemorative, ku të pranishmëve i janë drejtuar kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Hivzi Islami dhe sekretari i Jusuf Bajraktari.
“Akademik Mark Krasniqi e jetoi një jetë me plot peripeci, duke përjetuar rrugëtimin e rëndë dhe kompleks të Kosovës edhe si dëshmitar edhe si pjesëmarrës i tij, me të gjitha ngritjet dhe rëniet; rrethanat ishin të tilla që asnjë ditë shkolle nuk e bëri në gjuhën shqipe. Por gjithmonë duke qenë optimist – deri në minutin e fundit të jetës nuk pushoi të kontribuojë në fushën e shkencës dhe të çështjes kombëtare dhe në këtë front pa dyshim doli fitues. Të gjitha energjitë intelektuale, fizike dhe emocionale për kaq këto dekada të jetës i la në dispozicion të shkencës, të krijimtarisë dhe të çështjes kombëtare shqiptare. Gjithë veprimtaria e tij shkencore, letrare, publicistike dhe publike përshkohet me mesazhe të qarta optimizmi dhe qëndrese. Mesazhi i fundit në librin që doli nga shtypi vetëm një ditë para vdekjes ishte – bashkimi kombëtar”, theksoi akademik Islami.
Presidentja Jahjaga e kryeministri Mustafa poashtu bënë homazhe në nderim të figurës markante të Akademik Mark Krasniqit, dhe i shprehën ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe kolegëve, për këtë humbje të madhe për të gjithë qytetarët dhe Republikën e Kosovës.
Drejtuesit institucionalë e politikë të Kosovës kanë dërguar telegrame ngushëllimi me rastin e ndarjes sot nga jeta të akademik Mark Krasniqit, duke shprehur vlerësimet më të larta.
“Njërin prej njerëzve më të mëdhenj të Kosovës që ka punuar për lirinë dhe pavarësinë” e ka vlerësuar presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga akademik Mark Krasniqin, ndërsa kryeministri Isa Mustafa personalitet të “kontributit të jashtëzakonshëm për Kosovën”.
Për akademik Krasniqin, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shprehet se “ka lënë gjurmë të pashlyera”, ndërsa zv/kryeministri i parë Hashim Thaçi e vlerëson “një nga figurat e shquara të botës intelektuale dhe politike shqiptare përgjatë dy shekujve”. “E harxhoi një jetë në shërbim të atdheut”, thekson kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe familjes i kanë arritur shumë telegrame ngushëllimi, nga të gjitha anët e trungut gjeoetnik shqiptar dhe nga diaspora jonë e gjerë.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka njoftuar se ditën e diel, më 30 gusht 2015, në orën 13:00, do të mbahet mbledhja komemorative me rastin e vdekjes së akademik Mark Krasniqit, ndërsa homazhet nga ora 13:30-15:00, në mjediset e Akademisë.
Arkivoli me trupin e pajetë të akademik Mark Krasniqit niset për në varrezat e Prishtinës nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në orën 15:00, ndërsa varrimi do të bëhet në orën 17:00.

FJALA E KRYETARIT AKAD. HIVZI ISLAMI, NË MBLEDHJEN KOMEMORATIVE TË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE TË ARTEVE TË KOSOVËS ME RASTIN E VDEKJES SË AKADEMIK MARK KRASNIQIT, 30.08.2015
E nderuar familje Krasniqi,
Miq të nderuar,
Zonja dhe zotërinj
Të premten, në ora 00:35 minuta të mëngjesit, në Qendrën intensive të QKUK-së të Prishtinës, vdiq njëri nga personalitetet më të shquara në fushën e shkencës dhe të kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shek. XXI, anëtari i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe njëri nga doktorët e parë të shkencave në Kosovë, akademik Mark Krasniqi. U shua dijetari, intelektuali, profesori, organizatori i punës shkencore-hulumtuese dhe i institucioneve arsimore e shkencore të Kosovës dhe veprimtari i spikatur i çështjes sonë kombëtare, që la gjurmë të thella në jetën e gjithmbarshme të Kosovës dhe të botës shqiptare.
Ju thërras që me një minut heshtje ta nderojmë prindin, gjyshin, kolegun dhe mikun tonë të dashur, Akademik Mark Krasniqin.
Lavdi!
Duke qenë pjesë përbërëse e lagjes së vogël, por të fortë intelektualësh, dijetarësh dhe patriotësh të Kosovës, sikurse Esad Mekuli, Idriz Ajeti, Ali Hadri, Anton Çetta, Gazmend Zajmi, Dervish Rozhaja, Hilmi dhe Fehmi Agani e të tjerë, me punë, mund dhe guxim të pashoq, akademik Mark Krasniqi dallohej në ngritjen, organizimin dhe zhvillimin e arsimit të lartë, të institucioneve shkencore dhe të veprimtarive kulturore e shoqërore të Kosovës. Këto angazhime ishin pashmangshmërisht të lidhura me luftën e tij për barazi, çlirim dhe afirmim kombëtar. Këtij brezi i takon pa dyshim dhe merita për ngritjen e institucioneve dhe të kuadrove për Universitetin e Prishtinës, i cili luajti një rol të madh në përmbushjen jo vetëm të funksionit arsimor, shkencor dhe edukativ, por u bë dhe faktor i fuqishëm integrativ i shqiptarëve në gjithë ish-Jugosllavinë. Prof. Mark Krasniqi drejtoi me sukses për shumë vjet disa institucione të rëndësishme shkencore e kulturore të Kosovës, nga ato universitare deri te Shoqata e Shkrimtarëve dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
Me rezultatet e pakontestueshme në fushën e shkencës, para së gjithash të asaj gjeoetnografike, të mbështetura në fuqinë e argumenteve dhe të dhënave shkencore, prof. Marku arriti ta gjurmojë thellë kulturën materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve dhe ta pasqyrojë objektivisht realitetin e ndërlikuar dhe kompleks hapësinor dhe shoqëror të Kosovës, duke u bërë emër dhe jashtë suazave kombëtare. Deri në paraqitjen e tij në fillimet e viteve të 50-ta të shekullit XX, epërsinë e studimit shoqëror-gjeografik dhe etnografik të Kosovës e kishin antropogjeografët, historianët dhe etnografët serbë, trajtimet e të cilëve përshkoheshin thellë nga të pavërteta, gjysëm të vërteta, shtrëmbërime dhe paragjykime deri te ato shoviniste dhe raciste.
Në rrethana tepër të rënda të kohës nuk ishte aspak lehtë për studiuesin shqiptar që të merrej me këto çështje, e lere më t’i kundërshtonte pikëpamjet e bollshme antishqiptare, të thyente klishetë e metodologjisë klasike të shkollës tashmë me traditë të gjatë, të drejtimit antropogjeografik, të Cvijiqit dhe ithtarëve të tij, madje duke qenë brenda Akademisë Serbe të Shkencave dhe punonjës shkencor i saj. Në fillim të viteve të 60-ta kaloi të punojë profesor në fakultetet e para të Prishtinës, në kohën kur hegjemonizmi serbomadh ishte tërbuar dhe me ngulm kërkonte që Kosova të kundrohej vetëm si çështje serbe. Pas ndjekjes së disa studiuesve dhe veprimtarëve shqiptarë, në adresë të prof. Markut pasuan shantazhet dhe kërcënimet më brutale, duke u hapur një fushatë e gjerë, e paparë deri atëherë në gjithë botën objektive shkencore. Kulminacioni arriti në mars të vitit 1966, kur u sulmua rëndë libri i tij shkencor, i botuar tre vjet më parë, që në fakt ishte doktorata e tij e mbrojtur në Universitetin e Lublanës në vitin 1960 nën drejtimin e shkencëtarit dhe akademikut të njohur Anton Melik. Ky botim i kishte vënë bazat për studime të mëtejme në disa fusha të shkencave sociale-hapësinore dhe kulturore-historike. Profesori ishte ndër shqiptarët e rrallë në Kosovë që i përgjohej telefoni nga organet policore në kohën e Rankoviqit.
Akademik Mark Krasniqi e jetoi një jetë me plot peripeci, duke përjetuar rrugëtimin e rëndë dhe kompleks të Kosovës edhe si dëshmitar edhe si pjesëmarrës i tij, me të gjitha ngritjet dhe rëniet; rrethanat ishin të tilla që asnjë ditë shkolle nuk e bëri në gjuhën shqipe. Por gjithmonë duke qenë optimist – deri në minutin e fundit të jetës nuk pushoi të kontribuojë në fushën e shkencës dhe të çështjes kombëtare dhe në këtë front pa dyshim doli fitues. Të gjitha energjitë intelektuale, fizike dhe emocionale për kaq këto dekada të jetës i la në dispozicion të shkencës, të krijimtarisë dhe të çështjes kombëtare shqiptare. Gjithë veprimtaria e tij shkencore, letrare, publicistike dhe publike përshkohet me mesazhe të qarta optimizmi dhe qëndrese. Mesazhi i fundit në librin që doli nga shtypi vetëm një ditë para vdekjes ishte – bashkimi kombëtar.
Edhe pse në moshë të shtyrë, në dobi të kauzës sonë, në vitet e 90-ta të shekullit XX u vu në krye të një partie politike shqiptare, duke u bërë pjesë e “Alternativës” së atëhershme shqiptare me dr. Rugovën si prijës. Për punën dhe kontributin e tij, në vitin 2003 nga Presidenti I. Rugova u dekorua me “Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, ndërsa në vitin 2014 presidenti i Shqipërisë B. Nishani ia dha çmimin “Nderi i Kombit”.
Duke marrë pjesë aktive në studimin e shumë çështjeve shoqërore-kulturore dhe në zhvillimin e mendimit ashkencor, prof. Marku merrte pjesë aktive në afirmimin dhe emancipimin e shqiptarëve në hapësirat ballkanike e më gjërë. Jo vetëm në krijimtarinë shkencore, letrare dhe publicistike, por edhe në procesin e emancipimit social, kulturor, politik dhe nacional të shqiptarëve, me ndjenjën e përgjegjësisë shoqërore-kombëtare, gjithnjë u prononcua dhe pati guximin ta thoshte atë që e mendonte. Si intelektual i orëve të para, me ndjenjë të fortë individualizmi, mbeti brenda synimit kolektiv për emancipim dhe përparim të kombit shqiptar dhe pjesë e kujtesës së tij kolektive. Me kurajon dhe thellësinë shkencore, intelektuale e krijuese që kishte, ishte reagues i pavonuar ndaj shumë dukurive dhe proceseve të ndjeshme dhe të dëmshme për shkencën, shoqërinë dhe interesin kombëtar. Njihej si polemist i mprehtë me bartësit e pikapamjeve antishkencore dhe antishqiptare. Vepra e tij shkencore në përgjithësi mbetet për shumë çështje burim reference.
Me rrugën e bujshme dhe komplekse shkencore, intelektuale e publike dhe trashëgiminë e begatshme, profesor Mark Krasniqi la gjurmë të pashlyeshme në jetën shkencore, kulturore, kombëtare dhe shoqërore të shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe në fillim të këtij që po e jetojmë. Si i tillë do të mbetej i pavdekshëm.
Me këtë rast Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së akademik Mark Krasniqit, si dhe të gjithë miqve dhe shokëve të tij të shumtë anë e mbanë botës shqiptare.
Akademisë dhe familjes i kanë arritur shumë telegrame ngushëllimi, nga të gjitha anët e trungut gjeoetnik shqiptar dhe nga diaspora jonë e gjerë.
Për jetën dhe veprën e akademik Mark Krasniqit do të flasë anëtari i Akademisë dhe sekretari i Seksionit të Shkencave Shoqërore, dr. Jusuf Bajraktari.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, GJITHË KOMBI SHQIPTAR, MARK KRASNIQIN, NDEROI AKADEMIK

Marrëveshja për Asociacionin dhe Planifikimi Hapësinor i Kosovës

August 31, 2015 by dgreca

Shkruan: arch. Ylber Vokshi -Ylli/
Me vite të tëra,me të drejtë është kërkuar nga vendimmarrësit kosovar të trajtohet seriozisht problematika e Planifikimit Hapësinorë në tërë territorin e Kosovës. Ajo është nënçmuar,neglizhuar,është shpërfillur në ekstrem,edhe se ishte formuar një Ministri (MMPH) e cila si veprimtari parësore,pos mjedisit,duhej të merrej me planifikimin e territorit të Kosovës,si një nga objektivat ma të rëndësishme në funksionimin normal të një shteti. Zhvillimi hapësinor i territorit duhej të vazhdonte me krijimin e Politikave hapësinore të cilat duhej materializuar me Planifikimin Hapësinor, dhe me instrumentet e tija të definuar me përpilimin e Dokumenteve Hapësinore.
Niveli lokal (Komunat) e kanë vendin e vetë të definuar,përgjegjësitë dhe obligimet shumë mirë të precizuara në ligjet aktuale që e mbulojnë këtë fushë (Ligji nr. 04/l-174 për Planifikimin Hapësinor).E si u veprua në këto gjashtëmbëdhjetë (16) vite tregon realiteti i zymtë i Kosovës. Nga ana jonë,me fajin tonë u sabotu-neglizhua funksionimi i tërë territorit të Kosovës në aspektin hapësinor dhe urban,përfshirë edhe veriun ku MMPH e kishte zyrën regjionale me përfaqësimin e minoritetit serb. E sot bëjmë marrëveshje për fushën e “planifikimit urban dhe rural” edhe se është evidente, me pasoja afatgjate për një jetë të dinjitetshme urbane dhe rurale,që kjo popullatë e ka merituar pos shumë shekujve trusni.
Kështu nuk u veprua në vitet e pas luftës,u bënë keqpërdorime të mëdha me hapësirën e saj në zonat urbane dhe rurale,posaçërisht sot janë evidente veprimet e pa kontrolluara në zonat urbane të vendbanimeve kryesore, me Prishtinën si prijësëtare të degradimeve të mëdha. Sot po merremi me sanimin-korrigjimin e një pjese të pasojave të mëdha të ndërlidhura me legalizimin e ndërtimeve pa leje,proces të cilin disa po dëshirojnë ta tregojnë si “sukses” të tyre. Ku ishte zhvillimi urban dhe rural i vendbanimeve tona,të cilat askush nga vendimmarrësit kosovar nuk e përfillën me vite të tëra,gjatë tërë këtyre viteve u punua me inercion,duke plotësuar vetëm interesat regjionale,partiake,klanore apo individuale. Pasojat e veprimeve të tilla me hapësirën tonë janë shumë ma komplekse dhe do ta përcjellin ketë shoqëri në dekadat e ardhshme. Veprimeve tona të pa kontrolluara do ta paguajnë gjeneratat e ardhshme, si është edhe rasti i fundit me Marrëveshjen për Asociacionin/ Bashkësinë e komunave me shumicë serbe të Kosovës,që është fryt-rezultat i mos punës tonë kronike,në fushën e planifikimit urban dhe rural.
Ka shumë çështje kontestuese dhe të rrezikshme në ketë dokument kompleks. Por unë do të parashtroi disa pyetje-dilema që lindin vetvetiu nga formulimet nga kjo marrëveshje,vetëm për fushën e Planifikimit Hapësinor të cekura në pikën e). Çka do të thotë formulimi i çuditshëm dhe i pa qartë në Marrëveshjen … i apostrofuar në pikën rendore 4 të objektivave nën e) “ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rurale”,apo në versionin anglisht “e) “Exercise full overview to coordinate urban and rural planning”. Cilin qëllim e ka kjo terminologji që ka mundësi të interpretohet sipas dëshirës së palëve në marrëveshje. Përse nuk është përdorur terminologjia e cila është e përfshirë në ligjet dhe dokumentet hapësinore aktuale të Kosovës,ku këto komuna janë pjesë e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës. Përse në fushën e planifikimit urban dhe rural,mbikëqyrja i delegohet Asociacionit kur ato përgjegjësi i kanë Komunat me Ministrin e Planifikimit Hapësinor,çka po fshihet pas kësaj,se shpejti do të vërehet kur do të fillon implementimi i kësaj marrëveshje në teren,pas hartimit të Statutit të saj.
Ç’kuptim ka pika l) ku theksohet së” bën monitorimin kur kërkohet për zbatimin e objektivave të tij”. Kjo është kompetencë ekskluzive e nivelit qendror (MMPH) e cila një-herit garanton dhe siguron funksionimin e tërë tërësisë territoriale të shtetit të Kosovës.
Apo në fazat e ardhshme të zhvillimeve politike,gjegjësisht të hartimit të Statutit të Asociacionit/Bashkësisë si dhe zbatimit të tij,do të definohen këto “pa qartësi” të qëllimshme. Do të jetë kjo një sfidë e madhe për Qeverinë dhe Gjykatën Kushtetuese të shtetit të Kosovës. Tek atëherë do të shpalosën të gjitha prapaskenat e një marrëveshje të tillë,e cila në këtë fushë as që ka pasur nevojë të potencohet në ketë dokument. Ligjeslacioni aktual i përfshin të gjitha elementet qenësore,të bazuara në normat dhe standardet ndërkombëtare,ku pushteti lokal ka autorizime të mëdha në fushën e Planifikimit Hapësinor dhe Urban në tërë territorin e komunës përkatëse.
Për profesionistët e vërtetë pika e) e objektivave qartë shihet si një çështje me prapavijë tërësisht politike,me mundësi interpretimesh të ndryshme e të dyshimta, pa marr në konsideratë konsekuencat e pritura,të mundshme dhe reale! Do të kenë pasoja të pa riparueshme në ruajtjen dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të Kosovës.
E para herë në jetën time profesionale,do të kisha dëshirë të gaboi në qëndrimet e mija lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin/ Bashkësinë e komunave me shumicë serbe të Kosovës,por… Koha së shpejti do ta vërtetoi këtë.
Prishtinë
arch. Ylber Vokshi -Ylli
31.08.2015 arkitekt i pavarur
ylberv@gmail.com

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Planifikimi, Hapësinor i Kosovës, Marreveshja per asociacionin, Ylber Ylli

ZGEDHJET E HUMBURA TE 21 QERSHORIT 2015 DHE JUSTIFIKIMI I PAJUSTIFIKUSHEM PER HUMBJEN E QERSHORIT 2013

August 31, 2015 by dgreca

Ne rast se te perndjekurit politike dhe pronaret e vertete nuk do te shohin nje rivlersim te tyre si mbeshtetsit kryesore te PD si lider e se djathtes atehere diskutimet per krijimin e nje fronti te Djathte me te perndjekurit .pronaret, partite e djatha tradicionale dhe me te gjithe ata qe do te gjejne veten ne kete front te djathte, do te behet realitet./
NGA SIMON MIRAKAJ/
Une nuk marr persiper rolin e analistit por do jap mendimin tim si nje kontribues prej cerek shekulli I se djathtes kryesuar nga PD. Ky eshte kendeveshtrimi im per keto zgjedhje.
1.Humbja e zgjedhjeve te 21 Qershorit sipas mendimit tim i ka rrenjet te humbja e zgjedhjeve te Qershorit te 2013. Kesaje humbje te thelle pavarsisht difekteve apo blerjes se votes, qe u justifikua humbja, nuk u be nje analize per te gjetur shkaqet U mjaftua duke thene se fajtore ishin drejtoret me arrogancen e tyre .Mendoj se ishte nje justifikim i pa justifikushem.
2.Deshtimi i zgjedhjeve te 21 Qershorit sipas mendimit tim eshte firmose ne menyre indirekte me bojkotin qe ju be pjesemarrjes ne parlament kur maxhoranca paraqiti para parlamentit variantin e saj per ndarjen territoriale. Ketu ka dy qendrime te PD qe bien ne kundershim me njera tjetren.Ne njeren ane bojkoton e nuk paraqet alternative si opozite e ne anen tjeter merr pjese ne zgjedhje . Pjesemarria ne zgjedhje ligjeroi alternativen e maxhorances.Nje politikan i mire thote CHURCHILL parashikon ate qe do te ndodhe sot,neser,pase nje muaj,e pase nje viti e ka kurajon te thote pse nuk ndodhi. As nje maxhorance nuk harton ligje per opoziten por harton ligje kryesisht per te realizuar programin e saj .Shkak tjeter mendoj eshte dhe perzgjedhja e individeve per kryebashkiak,le te ndalemi te rasti i Durresit. U diskutua se i vetemi qe mund te fitoje ne Durres ishte z.Duka,nje biznesmen i sukseseshem,nje njeri me reputacion I cili merrte vota majtas e djathtas mbasi ka qene dhe nje sportist i mire. Ky nuk u perzgjodh megjithese i kishte te gjitha mundesite per te fituar Bashkine e Durrsit .U perzgjodh zj Duma,nje zonje nga Tirana perzgjidhet per Kryebashkiake ne Durres a thua se e djathta Durrsake spaska intelektual per te hyre ne gare per bashkine e Durresit . Po keshtu u humben bastionet e djathta si Kavaja ,Kurbini, Shijaku, Kruja, Dibra, Kelcyra.etj . Nuk mundet te justifikohet humbja duke na thene se na i vodhen votat .Gabime u be dhe ne perzgjedhjen e anetarve per keshillin bashkiak. Sipase mendimit tim u perzgjodhen jo sipase kontributeve por sipase miqesive. E them kete se nuk munde te vendoset ne liste i 53 Bislim Ahmeti, I cili eshte kryetari i levizjes studentore nendori 90 dhe nje nder themelusit e PD, apo Murat Basha .Asnje I perndjekur nuk ishte ne liste si fitues vetem si plotesues .Ne raste se do i qendrojme ketij arsyetimi atehere ne po pregatisim dhe humbjen ne 2017 se ata pra perseri do na i vjedhin votat. Mendoj se zgjedhjet u humben edhe per nje shkak tjeter te mos funksionimit te aleances se djathte, duke u larguar si PL, PBK, PDK etj. Po kujtoj me kete raste dhe nje thenje te Konices ne mos gabohem, se te bashkuar e pamundura behet e mundur, ndersa te ndare e mundura behet e pa mundur.Dhe ashtu sic tha dhe Lideri historik i kesaj partie z.Berisha,duhet nje analize e thelle e sinqerte. Une kam thene dhe po e perseris se PD duhet te beje nje riformatim te ri te drejtuseve qendror. Ne drejtime te PD duhet te jene njerez me experience politike ,per ta ngritur ne pjedestalin qe meriton. Mendoje se edhe me rindertimin e strukturave u gabua. Jane ato struktura qe e cuan PD te qeverise vendin per 14 vjet. Pra,Kryetare ,dy nen kryetare e sekretare i pergjithshem.Ne kryesi te ishte nje perfaqesues i pronarve i propozuar nga pronaret po keshtu dhe nje perfaqesuesi te perndjekurve i propozuar nga ata e nje nga dhjetoristet i propozuar prej tyre.,nje prej pensionisteve i propozuar po prej tyre.
3.E Djathta ka te gjithe potencialin e nevojshem politik ,per te dale fituse ne zgjedhjet e 2017 .Duhet te kemi parasysh se zgjedhjet nuk fitohen pse duam ne. Ato fitohen nese gjejme njerzit e duhur, nxirren gabimet e humbjes mbase nje analize te thelle dhe tjetra mendoj une motivimi I njerzve. Ne mendoj deri tani nuk kemi nje ekip qe te con drejt fitores.Ka nje koncept te gabuar per mendimin tim zevendesimi i ekipit me te rinj. Apsolutisht nuk jam kundra te rinjeve se kjo do ishte nje marrezi. Ne nje skuader futbolli trajneri alternon te vjetrit me te rijte. Ndersa kur ben nje zevendesim total me te rij, ai ekip behet fitues mbas nje apo dy dekadash. Per mendimin tim numeri dy i partise eshte pa pervojen e nevojshme politike per te qene numeri dy i nje partie sic eshte PD .Ai mund te behet i afte si drejtues partie mbasi te kete fituar eksperiencen e nevojshme. z.Selami mund te ishte njeriu i duhur ne ate post, Alibej, Patozi. .z.Basha mendoj duhet te therrase te gjithe, te degjoje dhe zerin kundra brenda PD .Nuk mund te lihen jashte vlera te tilla si ,Mark Marku,Selami Xhepa, Enkeled Alibeja,Rusmaili ,Pernaska ,Hoti, Hoxha, Xhaferri, Maliqi, Beja,Juka ,Paluca,Karapici ,Meksi,Brojka.Kroqi,Musaraj, Ibra ,.etj.Mendoje se z.Basha duhet te marre nje takim me intelektuale te PD e te se djathtes. Te marre mendimet e tyre per hartimin e nje strategjie qe te con drejt fitores ne zgjedhjet e ardheshme. Vetem te bashkuar e pamundura behet e mundur. E te gjithe duhet te mbeshtesim z.Basha per te shkuar drejt fitores ne 2017. z.Basha senatoret apo te vjetrit ne thojza jane pasuri te pa zevendesushme.
Per mendimin tim Kryetaret kane dhene maksimumin. Por u gabua me indvidet, pra me perzgjedhjen e kandidateve.Duhet te heqim dore nga zgjedhja e kandidateve nga mardhenjet miqesore.Kandidati duhe te perzgjidhet nga baza.,nga antaresia…
4. Nga partite e vogela mendoje jane dy ato qe qene te sukseseshme.LSI,PDIU. Kur je ne qeveri sigurisht qe fillojne rrjedhjet. Mua me teper me shqeteson humbja e qendres se djathte. Mendoje se PD e lideri i saj duhet te jene me afer te perndjekurve politik,e pronarve. Si dy shtresat kryesore te mbeshtetjes se saj. Ajo nuk duhet ti shikoje vetem si prodhues votash por edhe perfitues prej ketyre votave,kete nuk e them per aspektin ekonomik .Nuk mund te mohohen perpjekjet e vazhdushme per integrimin e tyre,vemendje me shume ne prezencen e ketyre shtresave ne vendim marrjet politike.
5.Per arritjet e nje qeverie barometri eshte populli. Them duke marre parasysh eksodin qe po ndodh mbas nje cerek shekulli, se qeveria nuk eshte ne drejtimin e duhur. Nuk besoj se ka njerez qe largohen nga vendi tyre me deshiren per tu larguar, jo atyre ju eshte vrare shpresa.Mendoj se pergjegjesia me e madhe i bie qeverise. Ka digastere qe nuk kane funksionuar ne lartesin e duhur.Mbase freskimit duhet nje rifreskim i disa digastereve qe vete kryeministri e din rezultatin e tyre.
6.Qeveria ka bere nje hap perpara me demshperblimin.Duke e njohur ligjin e demshperblimit e duke e vazhduar ate . Qeveria i ka dhene prioritet te burgosurve qe jane gjalle,mire po ne njeren ane vazhdon demshperblimin e ne anen tjeter ka bere shume largime nga puna te kesaje shtrese,me e zelleshme ne kete drejtim eshte treguar LSI. Qeveria duhet te nxjerre nje vendim sa me pare per dosjet e prapambetura jashte afatit qe situata te mos agravoje. Duhet te pershpejtoje dhe dhenjen e kesteve per trashigimtaret.
7.Per sa i perket reformes ne drejtesi une jam pesimist. Drejtesia mendoj se ka nevoje per te gjetur njerzit e duhur se ligjet jane. Sigurisht qe ka nevoje per reforme,e kjo arrihet duke marre pjese te gjitha palet,edhe shoqeria civile.Por reforme nuk mund ta bejne ata qe hartuan ligjet e diktatures, qe moren mijra jete njerzish,qe shkatrruan Kisha , Xhamia,Teqe e i kethyen ne stalla. Nuk munde te jene pjese e reformes ata qe hartuan kushtetuten e 76.qe ashpersoi luften e klasave qe shkaterroi ekonomine e vendit, qe mbushi burgjet e qe ekzekutoi qindra te pa fajshem .Mendoj se reforma per drejtesi nuk ka nevoje per shkaktaret e padrejtesise.
Ne rast se te perndjekurit politike dhe pronaret e vertete nuk do te shohin nje rivlersim te tyre si mbeshtetsit kryesore te PD si lider e se djathtes atehere diskutimet per krijimin e nje fronti te Djathte me te perndjekurit .pronaret, partite e djatha tradicionale dhe me te gjithe ata qe do te gjejne veten ne kete front te djathte, do te behet realitet.

Filed Under: Analiza Tagged With: 21 qershor, humbja e qershorit 2013, Simon Mirakaj, zgjedhjet e humbura

Pa varr edhe themeluesi i qytetit të Korçës, Iljaz bej Mirahori; monument jo e jo!

August 31, 2015 by dgreca

Nga Vepror HASANI & Raimonda MOISIU
Pas lajmit të dy ditëve më parë për prishje të varreve të gjyshërve të vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Samiut, ia vlen të veçohet dhe fakti se pa varr është dhe themeluesi i Korçës, Iljaz bej Mirahori. Pra, as varr as ndonjë monument, siç e ka fjala vjen Themistokliu i pushkës dhe i penës.
SAHATI
Shumë vite më parë, eshtrat e tij preheshin në një varr me shtrat në tyrben pranë Xhamisë së Madhe të Korçës, në pjesën e pasme të saj. Aty ndodheshin edhe varret e dy djemve të tij, Mehmet beut dhe djalit të vogël Sefer shah beut. Pranë të shoqit (Iljaz bej Mirahorit) qëndronte edhe gruaja e tij, e cila ishte bijë e sulltan Mehmetit II. Në hajatin e tyrbes ishte varrosur gruaja e dytë e Mirahorit dhe shërbyesja. Tashmë, që prej një shekulli nuk gjendet më asnjë gjurmë e gjashtë varreve të përmendura më sipër.
Varret u shkatërruan nga ushtria greke, e cila hyri në Korçë më 7 dhjetor 1912 dhe qëndroi aty deri më 22 tetor 1916, kur u përzunë nga francezët. Gjatë kësaj kohe grekët plaçkitën pronat dhe pasuritë e myslimaneve, pazarin që ishte pronë e tyre dhe grabitën gjithë floririn e qytetit. Plaçkitja përshkruhet me detaje nga Petro Harrizi te libri i tij “Historia kronografike e Korçës”.
Iljaz bej Mirahori njihej si njeri me pasuri të përmasave të mëdha. Pronat e tij gjendeshin gjithandej: në Korçë, në Kolonjë, në Përmet, në Janinë ku kishte punuar si sanxhakbej e gjetkë. Në Kostandinopojë pronat e tij nuk kishin të numëruar: dyqanet, shtëpitë, ujësjellësat, hamamet ishin të shumta, veçanërisht në lagjen “Ivlanka”. Në trashëgimin e tij pasurore bënin pjesë edhe një sërë shkollash të ndërtuara për djem dhe vajza. Kjo ishte edhe një nga arsyet që nxiti grekët për të kërkuar flori edhe në eshtrat e të vdekurve, por jo e vetmja arsye, ata synonin zhdukjen e çdo shenje që tregonte se qyteti i Korçës u ndërtua nga myslimanët dhe banohej prej tyre.

PAMJE

Iljaz bej Mirahori pati tre djem: Mehmet beun, Sefer shah beun dhe Muhamet beun, i cili u vra në një nga betejat në afërsi Bagdatit. Vajzat e tij ishin: Fatimeja, Shoh-Hatun, Aishja, Hondi dhe Hatixheja. Dy vajzat e fundit i kishte me gruan e dytë. Kishte gjithashtu një shërbëtore turkeshë, një skllave të quajtur Hurshide Abdullah dhe disa skllevër, të cilëve më pas u dha lirinë as qëndrimit për një kohë të gjatë në Turqi, u kthye sërish në atdhe me ëndrrën për të ngritur një qytet të madh dhe të bukur, por që të braktiste Turqinë iu desh të linte peng te sulltan Bajaziti II djalin e madh, Muhametin, i cili do të vritej në Bagdat. Më 1486 nisi ndërtimin e xhamisë së Madhe dhe të qytetit. U ndërtuan dyqane, lokale, hane, hamame, etj. Gjithashtu u ndërtua edhe një shkollë (e para në Shqipëri) për vajza dhe djem. Nisi të konturohej edhe pazari, i cili do ta bënte Korçën qytet të famshëm. U ngritën menca për të varfërit. Mirahori dha urdhër: “Të gatuhet dy herë në ditë, në drekë e në darkë. Do të gatuhet çorbë gruri dhe orizi, por edhe gjellë të tjera, dhe do të hajë kushdo që do të jetë i pranishëm në kohën e bukës, i vobektë, pasanik, i varfër, i huaj, udhëtar apo banues, fëmijët e studentëve e të tjerë. Kushdo qoftë, ç’kado që të hanë, e kanë hallall e t’u bëjë mirë”.

XHAMIANë Xhaminë e Madhe të Korçës për shumë kohë u ruajt një këmishë prej teli hekuri të rrahur, e cila mund të rëndonte gjer në 10 okë, që mesa duket Mirahori e kishte përdorur gjatë luftimeve në Turqi, shkruan Nuçi Naçi, te libri i tij, “Korça dhe katundet perqark”, gjithashtu një shkop i gjatë e me dobec në fund, sepse siç thonë ia kish ënda shumë bujqësinë, një anteri e bardhë e linjtë e me gajtanë të mëndafshtë, shumë e gjerë dhe e gjatë, gjë që na tregon se ka qenë shtatmadh, dy riza, me të cilat fshihej, të qëndisura me mëndafsh dhe një krehër i brinjtë, me të cilin krihej. Krehri, meqë i ka dhëmbët të rrallë e të trashë, na tregon se do ta ketë patur perçen të gjatë, shkruan Naçi, ndërsa shton se ka patur edhe një palë tespie të zeza, të shkuara në një gjalmë të mëndafshtë, tri lugë, që një nga këto është e brinjtë, ndërsa dy të tjerat të drunjta e të qëndisura me tel shumë të gjerë. Ka qenë njeri me shtat të madh sikundër na tregojnë rrobat e tij, por edhe shkopi, i cili ishte i gjatë afro tre kute të sotme”, përfundon Naçi. Sot nuk gjendet asnjë shenjë e tyre e relikteve te tij, Për datëlindjen e Mirahorit jepen data të ndryshme, ashtu sikurse edhe për vdekjen. Sipas Rustem Myteveliut, Mirahori lindi në vitin 1408 në fshatin Panarit të Kolonjës. Kur ishte rreth 14 vjeç. Babai i tij, siç shkruan vetë Mirahori në testament, quhej Abdullah. Iljazi u mor peng nga sultan Murat II. Fal aftësive të tij fitoi një sërë titujsh: Iljaz bej, Iliaz bej Mirahor, Mirahor Evel që do të thotë Mirahor i parë, ose gjeneral i parë i kalorësisë, dhe Khoxha Mirahor, titull që iu dha nga vetë sulltani dhe që ka kuptimin “i madh” dhe “i nderuar”. Siç shpjegon Sami Frashëri te “Kamus-ul alam”, (fq 1028), “Mirahori, kishte qenë pedagogu i preferuar i Sulltan Bajazitit II”. Sipas Nuçi Naçit, Mirahori vdiq në vitin 1500, sipas Sami Frashërit në vitin 1501, ndërsa sipas studiuesit Nedai Thëllimi në vitin 1512. Për Mytevelinjtë, Mirahori jetoi një shekull.Mirahori është themeluesi i qytetit të Korçës, por pa varr në qytetin që e themeloi vetë.

Korçë: prishen varret e gjyshërve të vëllezërve Frashëri

IMG_20150824_152827 (1)
Varret e gjyshërve të vëllezërve Frashëri, (Abdylit, Naimit dhe Samiut) nuk ekzistojnë më. Deri në fillim të gushtit këto varre gjendeshin në oborrin e xhamisë së themeluesit të qytetit të Korçës, Iljaz bej Mirahori, pasi ata që preheshin aty ishin në të njëjtën kohë ishin edhe pasardhës së Mirahorëve. Por ja që një fadromë që punonte për rikonstruksionin e territorit para xhamis, bëri që eshtrat të dalin mbi sipërfaqe. Sigurisht të dëmtuara. Megjithatë puna nuk u ndal.

Që eshtrat e gjyshërve të vëllezërve Frashëri preheshin pikërisht aty, na u konfirmua prej Besnik Myteveliut, pinjoll i familjeve që krijuan qytetin. Madje këta të fundit, përveç se kanë filluar të ndihen të alarmuar nga gjithë ajo që ndodhi, nuk arrijnë të kuptojnë dot përse nuk u ndal puna që nga çasti kur eshtrat nisën të dilnin mbi sipërfaqen e tokës.

VARRET 2

Njerëz që u ndodhën aty, pohuan se numri i varreve të prishura mund të ishte 20 apo 30. Gjithë sheshi u mbush me skelete të vdekurish. Megjithatë askush nuk mund të thotë me siguri sa ishte numri i varreve të prishura. Për të zbardhur sadopak këtë ngjarje tejet dëshpëruese, familja Myteveli kërkoi ndihmën e portalit “tesheshi.com” me qëllim zbardhjen sadop pak të kësaj ngjarjeje, por që realisht nuk ishte e lehtë.

Organet kompetente nuk flasin

Mëngjesin e ditës së hënës, u interesuam posaçërisht për këtë ngjarje në Komisariatin e Policisë së Korçës për të mësuar sa ishte numri i varreve të prishura, çfarë po bëhej konkretisht me eshtrat e dëmtuara, si do të evidentoheshin eshtrat që u përkasin gjyshërve të vëllezërve Frashëri, deri ku kishin shkuar hetimet etj., por drejtuesit e Komisariatit na thanë se duhet të interesoheshim pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Korçë, por edhe atje, për të njëjtat pyetje, nuk morëm asnjë përgjigje, duke u justifikuar me faktin se çështja i kishte kaluar Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Korçë.

Për këtë arsye, Besnik Myteveliu, si palë e dëmtuar, u paraqit në Prokurori për të mësuar mbi hetimet që po kryheshin, por edhe Prokuroria nuk u tregua e gatshme të jepte ndonjë shpjegim. Deri më tani gjithçka po mbahet në heshtje të plotë. Ajo që dihet ka të bëjë me faktin se eshtrat e gjyshërve të vëllezërve Frashëri u nxorën nga varret.

Familja Frashëri

Dri më sot shumëkush njeh vetëm tre vëllezërit Frashëri, por në të vërtetë Emineja me Halitin patën një sërë fëmijësh çupa dhe djem. Haliti u martua me Emine Mirahorin, stermbesen e Iljaz bej Mirahorit nga Korça. Patën 6 djem dhe 2 vajza:

1- Abdylin (1839-1892), u martua me Ballkëzin, vajzën e Ibrahim Laçit

2- Nafisenë (1841-1894), u martua me Halim Bej Permetin, nuk lanë fëmijë ????

3- Sherifin (1843-1874), u martua me Hatixhenë (Hatçenë)

4- Naimin (1846-1900), u martua me Hatixhenë (Hatçenë), pas vdekjes së Sherifit

5- Shanishanë (1848-1871), u martua në Elbasan, lanë djale Vasfi Pashën në Stamboll (1870-1931) Ai la vajzën Lejla (1910) dhe djalin Ohran (1911). Ohrani la një vajzë, Samira

6- Saminë (1850-1904), u martua me Ballkëzen, pas vdekjes së Abdylit

7- Tahsimin (1853-1876), vdiq i ri, student

8- Mehmetin (1856-1918)

Vepror HASANI/Raimonda MOISIU

Filed Under: Analiza Tagged With: i qytetit te Korces, Iljaz bej Mirahori, Pa varr themeluesi, Raimonda Moisiu, Vepror Hasani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3583
  • 3584
  • 3585
  • 3586
  • 3587
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT