• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Merkel dhe Hollande për një politikë të përbashkët azilimi

August 25, 2015 by dgreca

Nga Sabine Kinkartz/
Qendra evropiane regjistrimi në Itali dhe Greqi, një ndarje e drejtë e barrës dhe kthim i shpejtë i azilkërkuesve të refuzuar: në politikën e BE ndaj refugjatëve pritet të ndryshojnë disa gjëra.Në fakt Kancelarja gjermane dhe Presidenti francez donin të flisnin vetëm për Ukrainën në takimin e tyre në Berlin. Por gjendja dramatike e refugjatëve hodhi hijen e saj mbi gjithçka tjetër. “Ka momente në historinë evropiane, ku ndodhemi para situatave të jashtëzakonshme”, tha François Hollande në Berlin. “Sot kemi një situatë të tillë të jashtëzakonshme, e cila do të zgjasë për aq kohë sa nuk janë zgjidhur krizat”. Evropa nuk mund të presë dhe të përpiqet çdo ditë të përshtatet me situatën. “Duhet të organizohemi dhe ta rakordojmë politikën tonë”.
Kjo duhet të bëhet shpejt dhe boshti gjermano-francez do të krijojë presionin e nevojshëm. Dhe nuk janë vetëm pamjet e refugjatëve që kërkojnë rrugën për në Evropën Qendrore dhe Veriore përmes Mesdheut dhe vendeve të tjera, që i kanë alarmuar Angela Merkel dhe François Hollande. Është edhe frika për pasojat e eksceseve të tjera ekstremiste të djathta si ato në Heidenau të Saksonisë.
Pamje që të turpërojnë
“Unë i dënoj në mënyrën më të ashpër trazirat”, tha Kancelarja. Atmosfera agresive dhe e drejtuar kundër të huajve nuk mund të pranohet në asnjë mënyrë, tha ajo. “Është e neveritshme si përpiqen ekstremistët e djathtë dhe neonazistët të shpërndajnë mesazhe të urrejtjes. Por është po kaq për të ardhur turp se si qytetarë dhe qytetare, madje familje me fëmijë, i mbështesin ato duke marshuar së bashku me ta.” Gjermania është një vend që respekton dinjitetin e secilit, tha Merkel.
Përleshjet në Heidenau vërtet “e patën përmendur”, plotësoi Presidenti francez. Asgjë nuk mund ta justifikojë një mënyrë të tillë veprimi. Por për të është e qartë që përgjegjësia për refugjatët nuk mund t’i lihet vetëm një vendi, por se atë duhet ta mbajë e gjithë Evropa.
Tërheqje vëmendjeje ndaj vendeve të BE
Të gjitha shtetet e BE duhet ta vënë plotësisht në jetë ligjin e përbashkët të azilit. “Ne i lutemi Komisionit Evropian që të kujdeset, kur shtetet anëtare nuk i plotësojnë këto marrëveshje”, kërkon Merkel.
Veç kësj, në BE duhet të ketë një përkufizim të unifikuar se cilat shtete ballkanike duhen parë si shtete të ashtuquajtura të sigurta dhe cilat jo. Para nëntë vjetësh, Komisioni i BE propozoi një listë me vende të sigurta të origjinës, por nuk e zbatoi dot vullnetin e tij. Në shtator kjo temë do të ritrajtohet.
Kanalizim i vërshimit të refugjatëve
Gjermania dhe Franca këmbëngulin që qendrat e regjistrimit të refugjatëve në Greqi dhe në Itali, për të cilat kanë rënë dakord kryetarët e shteteve, të ngrihen që këtë vit. “Kjo është e domosdoshme për t’i regjistruar refugjatët që vijnë në brigjet tona dhe duan të hyjnë në Evropë”, tha Hollande. Të gjitha shtetet e BE mund të vënë në dispozicion personel atje. “Kjo duhet të ndodhë shpejt, ne nuk mund të pranojmë zvarritje”, plotësoi Angela Merkel.
Njëkohësisht duhet të futen standarde të përbashkëta për kthimin. “Duhet bërë dallim midis njerëzve, që kanë të drejtë për azil dhe atyre që vijnë këtu për shkaqe të kuptueshme, por që nuk mund të pranohen”, tha Hollande. Për ata që marrin leje qendrimi, duhet të pasojë një shpërndarje e drejtë në vendet e qendrimit. Më tej Kancelarja gjermane dhe Presidenti francez lidhin shumë shpresa me takimin e nivelit të lartë BE-Afrikë që do të mbahet në vjeshtë në Maltë. Në të ndër të tjera do të diskutohet lidhja e marrëveshjeve të ripranimit për refugjatët.

Filed Under: Komente Tagged With: azilimi, Merkel dhe Hollande për një, politikë të përbashkët, Sabine Kinkartz

Vala e parë e migrantëve arrin Hungarinë

August 25, 2015 by dgreca

Mbi 1,000 migrantë dhe refugjatë nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika kanë arritur në Hungari nga Serbia, nëpërmjet një udhe ndërkufitare hekurudhore, në afërsi të fshatit hungarez, Roszke. Policia e Hungarisë raportohet se i ka shoqëruar ata në qendrën më të afërt të regjistrimit.
Vala e re e migrantëve që arrijnë Bashkimin Evropian, vjen pasi autoritetet maqedonase kanë rihapur kufirin me Greqinë, duke lejuar hyrjen e mbi 7,000 emigrantëve gjatë tre ditëve të fundit.
Serbia dhe Maqedonia, të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, kanë qenë të ngufatura me migrantë këtë verë, të cilët përpiqen të arrijnë bllokun evropian përmes rrugëve të Ballkanit perëndimor.
Të premten e kaluar, Maqedonia ka mbyllur kufirin me Greqinë për migrantët, duke përdorur edhe forcën kundër atyre që kanë bërë përpjekje të kalojnë kufirin.
Sipas agjencisë kufitare të BE-së, Frontex, rreth 102,000 migrantë kanë hyrë në BE përmes Maqedonisë, Serbisë, Bosnjës, Shqipërisë, Malit të Zi ose Kosovës në periudhën janar-korrik, të këtij viti.
Kjo, krahasuar me vetëm 8,000 në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Grupi që ka arritur në Hungari, i përbërë kryesisht nga refugjatë sirianë, ka kaluar përmes një seksioni të kufirit që nuk është ende i rrethuar me tela.
Qeveria e Hungarisë është duke ndërtuar një gardh përgjatë kufirit me Serbinë, në përpjekje për të ndaluar valën e emigrantëve. Afati për përfundimin e këtij muri me tela është 31 gushti.
Budapesti po ashtu planifikon që në muajin shtator të kalojë legjislacionin që kriminalizon kalimin e paligjshëm të kufirit ose çdo përpjekje për të kapërcyer gardhin.
Vala e parë e migrantëve që kanë arritur në Hungari do të ndiqet shpejt edhe nga të tjerë, pasi, nga fundjava, 7,000 deri në 10,000 njerëz kanë hyrë në Maqedoni nga Greqia dhe shumica prej tyre janë tani nëpër Serbi.
Rritja e numrit të emigrantëve ka brengosur udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe ka detyruar vendet e varfra të Ballkanit që të merren me ta.
Komisionari i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara ka kritikuar vendet e pasura të Bashkimit Evropian, si Gjermaninë dhe Suedinë, për mbështetje jo të mjaftueshme financiare për shtetet e varfra.
“Problemi nuk do të zhduket shpejt dhe ai prek gjithë Evropën”, ka thënë drejtori i Byrosë në Evropë të OKB-së, Vincent Cochotel.
Bashkimi Evropian i ka ndarë tashmë Maqedonisë 90,000 euro për ta ndihmuar në mbulimin e nevojave themelore për migrantët. Greqia, ndërkaq, pritet të marrë rreth 425 milionë euro për menaxhimin e kufijve dhe për krijimin e një qendre për shqyrtimin e kërkesave për azil.
“Duhet të kuptojmë se hedhja e fajit nuk sjell ndonjë rezultat pozitiv”, ka thënë shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Ajo po ashtu ka theksuar nevojën që të trajtohen shkaqet rrënjësore të migrimit, siç janë konflikti në Siri, trazirat në Afganistan dhe disa pjesë të Afrikës, si dhe dështimi për të krijuar qeverinë e unitetit kombëtar në Libi.Përgatiti: Valona Tela

Filed Under: Emigracion Tagged With: arrin Hungarinë, e migrantëve, Vala e parë

DEGRADIM KOMBETAR

August 25, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Po jetojmë kohën e degradimit kombëtar. E ndesh kudo. Tek rrenat, tek injoranca e të gjitha ngjyrave, tek analfabetizmi, tek folklori që i shet idiotësitë si art, tek rrjetet sociale e deri tek gazetat, portalet e televizionet, që e shënojnë si kulm të arritjes kur faqet e tyre i mbushin me foto të pasmesh.
Sot në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni nuk krenohet kush me zërin, me talentin, me diturinë, me formimin, kulturën, me pastërtinë e karakterit, me integritetin; nuk krenohet kush për kredo, për ideale, për ëndërra, por veç për të pasmet. Kur nuk i kanë të kolme i fryjnë me pompa biçikletash.
Si një paranojë kolektive. Truri tash ekuivalizohet, barazvlerësohet me të pasmet.
Shtypi shqiptar po përjeton me çmenduri dramën e (mos)klikimeve. Askush nuk i klikon nëse në faqet e tyre nuk kanë të pasme. Pronarët e botuesit nuk japin lajme, i fshehin të vërtetat, dhe gjithë këtë mungesë profesionalizmi dhe etike e mbushin veç me të pasme, me të pasmet e të gjithë planetit. Një pornografi dhe vulgaritet në neveri.
Për pronarët dhe botuesit konkurenca e lirë ka humbur si nocion prej kohësh, dhe ata gjithmonë klikueshmërinë e lartë nuk e kërkojnë tek fjala e lirë, por duke sjellë në faqet e portaleve dhe gazetave të tyre të mbrapmet cullake të gjitha racave dhe llojeve.
Ne s’kemi mendimtarë, s’kemi idealistë, s’kemi ideologë, s’kemi shkrimtarë, s’kemi as njerëz të ndershëm që t’i referohen traditës, vlerave, ku e mira si nocion i etikës është objektiv i shoqërive të qytetëruara njerëzore, ku individi nis e edukohet që në barkun e nënës, me qumështin e gjirit, pastaj në kopësht, shkollë e deri me shtyp e mediumet sociale e masive. Dihet se vlerat e qytetërimit janë e Mira, e Bukura dhe e Vërteta, me një lidhje të pazgjidhëshme midis tyre. Po për shtypin e televizionet shqiptare e bukur, e mirë dhe e vërtetë janë vetëm të pasmet e lumpenit.
Në strategjinë kombëtare të një shteti, është detyrë themelore që të edukohet njeriu që në embrion, duke u shkolluar, këshilluar, duke dëgjuar muzikë të kultivuar, lexuar libra kryevepra, ndjekur shtypin dhe televizionin, i cili në botën shqiptare është përmbytur nga këneta e të pasmeve, konformizmit klientelist dhe artit trash.
Ky mjerim kombëtar që ka përfshirë gjithçka kalon me indiferencë totale nga elita, e cila në diktaturë ishte shëmtimi i tokës, sepse e tërhiqnin për hunde si servitore të bindur në këmbim të përfitimeve personale, po tani çfarë justifikimi do të gjente kur rri e vëren kombin të ushqehet veç me vulgaritet dhe shëmtimin ekstrem.
Është e pamundur t’i gjesh nëse i kërkon fotot e figurave historike, fotot e personaliteve të artit e kulturës, ndërsa kurrësesi jo të pasmet e të gjitha kategorive këngëtaresh idiote, që përbëjnë veç llumin e shoqërisë shqiptare që nga shtypi serviret si shembull dhe modeli për t’u ndjekur. Me këtë ushqim të toksifikuar ngopet rinia apo ai kontigjent i kombit, që orët e papunësisë i kalon duke kërkuar lloje të pasmesh nëpër faqet e gazepit të portaleve dhe gazetave shqiptare. Mos pyesni pastaj se përse rritet kriminaliteti.
Mjerë rinia shqiptare që jeton në këtë kënetë e në vend të ushqimit të pastër merr helmin e shëmtimit e dekadencës. Mjerë rinia shqiptare për prindërit që e kanë sjellë në jetë, që rrinë e bëjnë sehir kur fëmijës së tyre nuk i mbetet alternativë tjetër ose të shesë të mbrapme ose të marrë ikën nga vendi.(VOAL)

Filed Under: Opinion Tagged With: degradimi, Elida Buçpapaj

Edhe do fjalë për Hysamedin Ferajn

August 25, 2015 by dgreca

Nga Fahri Xharra/
Shkas; KUSH DHE PSE PO E NXJERR SOT SKËNDERBEUN NË MEJDAN? (Prof.Dr.Hysamedin Feraj)
Një lexues shkruan: “ Analize me negative se kjo e H.Ferajt nuk kam hasur keto kohet e fundit.Nuk po kam shum kohe qe “bithperpjetesit” Hysamedin,tja nxjerri laknat ne shesh,duke u bazuar vetem tek shkrimet e Rilindasve tane te te gjitha feve. Aferim bre “Abdullah” Feraj. “ Kurse një analist, bashkëmëndimtar i “ klanit “ të Abdi Baletës & Co , qahet dhe vajton” Vepra e Dr. Ferajt është, pa asnjë dyshim, një ndër kontributet më esenciale që është shkruar ndonjëherë në këtë lëmi në gjuhën shqipe. Ndër botimet e ngjashme shqiptare, Skica i kapërcen me pashë të gjitha veprat e botuara më parë dhe, të paktën deri sot, të gjitha që janë botuar pas saj, dhe me keqardhje thotë… “Shpresoj që heshtja e padrejtë dhe e padenjë që e ka mbështjellur këtë vepër dhe autorin e saj, Dr. Hysamedin Feraj ka të bëjë me botimin rishtazi të veprës; por druaj që ajo varet nga fakti se shumë vetë mund të jenë ndjerë të provokuar nga ajo, nga naiviteti, keqkuptimi ose ngase e kanë mizën nën kapele.” Mëtimi i tij vajtues.!
Ç`deshi bashkëmendimtari i Ferajt “Kur çuni i përrallës bërtet që “mbreti qenka lakuriq”, të tjerët reagojnë dhe mbreti ikën.” ; demek Hysamadini na e “zhveshi” Skënderbeun , populli “ reagoi” dhe Skënderbeu “ iku “ . Jo . ore nuk zhveshët Skënderbeut ; atij iu shtuan parzmoret elektronike më të sofistikuara të cilat do ta mbrojnë deri në pafundësi .
“Me kriteret e sotme kombëtare, Skënderbeu, Duhani dhe Henriku i VIII do ta kishin të vështirë ta nxjerrin pasaportën, pasi secili prej tyre ose ish i martuar me tjetër kombësi, ose e kish të paktën njërin prind të huaj.” e thoshin nëpër xhami ( si mundet një hoxhë që tërë jetën e tij , as nga prindët e as nga shkollimi arabo-turk , nuk ka “mësuar” kurrë për Skënderbeun) , në ndërkohë e mësoja se ata e lexonin
Hysamedin Ferajn, dhe ishin të porositur që të bërtasin sa më shumë e me zë sa më të lartë ,në mënyrë që të binden edhe porositësit , se fjala e tyre e “mori dhenë “.
Feraj , shoku i pendës i Abdi Baletës ,( mu si farkëtari e rrahin të njejtën çdo ditë ): “ Skënderbeu ka vrarë masivisht shqiptarët që ishin kthyer në fenë islame. Prandaj Skënderbeu mund të përdoret për të bërë thirrje që të masakrohen masivisht pakicat fetare siç masakroi Skënderbeut fshatarët mysliman të rrethit të Krujës.” Pyetja vetën se nga po na “frymëzohen” këta gjakshprishurit , që me këtë fjali na i mbushnin të gjitha “raftet dhe fiokat “ informative.? Unë , jo: sepse e njihja”këshilltarin “ e Albin Kurtit, Hysamedinin. Për atë Albini nuk e fliste asnjë fjalë kur në parlamentin e Kosovës i ulej afër “shamiverdha”.
Hysamedini frikohej se mos vallë edhe ne si : “Skënderbeu e ka ndërruar fenë disa herë dhe mund të bëhet thirrje ta ndërrojmë fenë përditë ‘si Skënderbeu!’ .
Hysamedini i kishte “premtuar” Erbakanit në Stamboll ( kur ishin së me Abdi Baletajn ) se: “Prandaj debati i sotëm për Skënderbeun nuk ka asnjë lidhje me vlerësimin ose përshkrimin e Skënderbeut real, por me vlerësimin e përdoruesve të sotëm të Skënderbeut. Debati për Skënderbeun nuk ka lidhje me Skënderbeun por me dy politika që u propozohen sot shqiptarëve: njëra, shqiptarocentrike, tjetra, katolikocentrike, që vë në qendër fenë katolike ndërsa kombin shqiptar e sheh në shërbim të katolicizmit botëror.“ Hajde Eruakan hajde,po i pasur paske qenë !
Thjesht Hysamedini nuk dëshiron që shqiptarët da duan vetën “që vë në qendër shqiptarët dhe gjithçka tjetër e sheh në shërbim të kombit shqiptar’ . Mu si në kohen e Sulltan Hamitit , kur ai e urrente shërbimin e shqiptarëve për vetveten por i donte shqiptarët si elementin më besnik në perandorinë e tij islamike ( për 32 vjet , aq sa ishte si pejgamer )
Hysamedinajve iu pengon “Ndjenjat kombëtare të shqiptarëve “ nga frika se “preken si mjet për t’i shty të kthehen në katolik.” Dm.th. nëse je shqiptar duhesh patjetër të jesh turk.
Hej , hej , po ku po i gjeni këto “Mirëpo dihet se Skënderbeu dhe Dukagjinit nuk kanë shkuar aq mirë – se p.sh. Skënderbeu iu nënshtrua Vatikanit pa marrë parasysh rrjedhojat për vendin dhe popullin e vet, ndërsa Dukagjinasit menduan për vendin e popullin shqiptar pavarësisht ambicieve të Vatikanit, Skënderbeu kish miqësi familjare e politike me serbët, ndërsa Dukagjinasit jo etj., – aq sa Vatikani gati i shkishëroi pse kundërshtonin politikën shkatërrimtare të Skënderbeut. Pra, dukagjinasit nuk i ka dashtë shumë Vatikani dhe i ka dashtë populli; Skënderbeun nuk e ka dashtë aq shumë populli por e ka dashtë Vatikani. Rryma e sotme katolike do të harroj Dukagjinasit dhe të glorifikoj Skënderbeun krejt pavarësisht ndjenjave të popullsisë katolike shqiptare. “ as “Historia e Skënderbeut” e shkruar nga serbet nuk e thotë këtë.
“Pas leximit të “Skicë e mendimit politik shqiptar”, ky respekt më është forcuar edhe më. E them me plot gojën që “Skicë e mendimit politik shqiptar” është njëra ndër punimet më sfiduese dhe më interesante që është shkruar ndonjëherë në lëmin e politologjisë shqiptare. “ – shkruan një analist gjakovar i prekur nga klani i Abdi Baletës”
Kritiku i shkrimit thotë : Te lexuesi shqiptar, i shkolluar në frymën e konvenancave të imponuara a të vetzgjedhura historike, efekti i parë që e krijon “Skica e mendimit politik shqiptar” është stepja, çmëria. Apo ç’të thuhet për këto citate: “Shembulli që e qartëson me kthjelltësinë më të madhe këtë kuptim të termit serbofil është Isa Boletini….. Isa Boletini është rasti më i dokumentuar i zbatimit të programeve politike serbe e malazeze ndaj shqiptarëve si vegël e lojtar i lojës politike të qeverive serbe e malazeze ndaj shqiptarëve…. (fusnota, fq. 124). Ose: “Skëndërbeu, Pjetër Bogdani etj., u ndodhën jo thjeshtë krahas Perëndimit, por krahas sllavëve, krahas serbëve e rusëve, krahas armiqve kryesorë sipas konceptit nacionalist shqiptar, në luftë kundër Perandorisë osmane” (fusnota, fq. 83). Ose, ca më mirë: “….. Skënderbeu….., nuk ishte luftëtar i vërtetë për liri kundër të gjithë pushtuesve, por përkundrazi, ishte i prirë për bashkëpunim me pushtuesit më të rrezikshëm, pushtuesit sllavë, kundër një pushtuesi tjetër, pushtuesit osman….” (fusnota, fq. 84). “
Historinë e idesë politike shqiptare autori e sheh të ndarë në dy vija, në vijën e urtë që e pranon të keqen e largët, si dhe në vijën që, për shkaqe të nduarduarshme, e lufton atë, duke e disfavorizuar në planin afatgjatë orvatjen e kombit shqiptar për mbijetim. Feraj ndalet p.sh. gjerë e gjatë te periudha e pushtimit turk, që ai e sheh si fenomen tejet domethënës për fatin historik të kombit shqiptar. Për të, pushtimi turk qe e keqja e vogël, momenti që e ndaloi triumfin e plotë e të papenguar të së keqes së madhe dhe shkombëtarizimin e shqiptarëve nga mbretëritë e forta serbe e greke. Rrjedhimisht dhe logjikisht, shpëtimtare e Shqipërisë nuk qe “vija skëndërbegase” për luftë kundër Perandorisë Osmane po përkundrazi, vija që e infiltroi perandorinë, duke ia stopuar tkurrjen territoriale etnitetit të ndrydhur shqiptar.
Sa të “mençur “ që jemi , kur jemi me trup në shqiptari e me kokë në tradhti. Mjerë ne.
Fahri Xharra. 25.08.15
Gjakovë

Filed Under: Opinion Tagged With: Edhe do fjalë, Fahri Xharra, për Hysamedin Ferajn

BRUKSEL-KOSOVE-SERBI, KATER CESHTJE NE TRYEZE

August 25, 2015 by dgreca

Kosovë-Serbi, në Bruksel po zhvillohet raundi 28-të kryeministror, katër çështje në tryezë bisedimesh/
-Shtypi kosovar: Presion i madh ndaj palëve për marrëveshje-/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 25 Gusht 2015/ Në Bruksel, sot, kryeministrat e Kosovës e Serbisë po takohen në raundin e 28-të, të pestin të Isa Mustafës e Aleksandar Vuçiçit, të tretin për katër çështje: Parimet themelore për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kodi telefonik, energjia dhe ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini fillimisht takoi veçmas kryeministrin kosovar Mustafa, pastaj kryeministrin serb Vuçiç, për të vazhduar me takimin e përbashkët trilateral, si edhe në raundet e kaluara.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e qeverisë pas kthimit nga raundi i 27-të deklaronte se në dialogun me Serbinë në Bruksel “temat të cilat tani i kemi në rend të ditës nuk janë shumë të lehta, janë tema që kërkojnë vëmendje të veçantë, sepse janë zgjidhje specifike të cilat ne nuk i kemi pasur deri më tani në Kosovë”.
Ai bënte të ditur se, për Asociacionin e komunave janë përafruar qëndrimet, jo të Statutit, por vetëm të parimeve themelore, për kodin telefonik marrëveshja është e përfunduar praktikisht, ndërsa çështjet e marrëveshjes për energjinë dhe lidhur me urën mbi Ibër nuk janë përfunduar dhe kanë mbetur që të diskutohen në vijim.
Qëndrimi që ka prezantuar Kosova në raundin e 27-të kryeministror në Bruksel është që të bëhen përpjekje që këto katër marrëveshje të përfundohen dhe që si pako të realizohen, duke u nënshkruar secila veç e veç.
Ndërsa sot kryeministri Mustafa është shprehur se, “është në interes të Kosoves dhe qytetarëve të saj të perfundoj me sukses marrëveshjet në disa fusha me Serbinë, me ndërmjetesimin e BE-se dhe mbështetjen e SHBA-së”.
Ai bëri të ditur se, gjatë ditës së djeshme është biseduar në nivel teknik për energjinë, lirimin dhe lëvizjen mbi urën e Ibrit, që lidhë pjesën jugore dhe veriore të Mitrovicës dhe për parimet për themelimin e Asociacionit te Komunave me Shumicë Serbe.
“Gjate ditës së djeshme jemi takuar me ekipin tonë teknik dhe në biseda të ndara edhe me përfaqesues të BE-se dhe të SHBA-së. Vlerësoj se eshte arritur progres i caktuar, ndersa janë disa çeshtje të cilat do t’i trajtojmë sot në nivel të kryeministrave të dy vendeve. Marrëveshjet që mund të arrihen janë në interes të sovranitetit të vendit dhe të integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, theksoi Mustafa.
Ai vijoi se, çeshtja e energjisë, e Asociacionit te komunave, kodit telefonik dhe levizjes në uren mbi Ibër, janë diskutuar gjatë, me vite të tëra.
“Ky fakt tregon se janë trajtuar në menyrë të hollësishme mundësitë si dhe korniza kushtetuese e ligjore dhe nuk është vepruar dhe nuk do te veprohet në arritjen me çdo kusht të asnjë marrëveshjeje. Ju siguroj se kemi analizuar dhe kemi konsultuar ekspertizën e brendshme dhe ndërkombetare për çdo temë dhe për çdo element të saj dhe se do të kërkojmë rrugëzgjidhje, e cila krijon prosperitet për vendin, fuqizim të rendit kushtetues dhe progres ekonomik”, u shpreh kreu i qeverisë së Kosovës.
Ketu, vijoi ai, nuk kemi ardhur të bëjmë fushatë, gjendemi këtu të zgjidhim problemet, të cila pesëmbdhjetë vite me radhë po e ngulfasin Kosovën dhe po na paralizojnë të merremi me çeshtjet tona jetike.
“Paralizimi i pavarësise dhe funksionalitetit të shetit të Kosovës iu konvenon vetëm atyre që akoma jetojnë me mendësinë e së kaluares, por besoj se ka ardhur koha të hiqet dorë nga kjo mendësi”, përmbylli deklaratën kryeministri kosovar Mustafa, sot, para takimit me kryeministrin serb Vuçiç.
Në Bruksel, kryeministrat Mustafa e Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, do zhvillonjë takimin e pestë të tyre, ndërsa nga 27 raundet deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.
“Presion i madh ndaj palëve për marrëveshje”, është sot një nga kryetitujt e shtypit kosovar.
Delegacionet e kryesuara nga kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë të martën në Bruksel pritet të arrijnë marrëveshje për krijimin e asaj që kosovarët e quajnë “Asociacion”, ndërsa serbët “Bashkësi” të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe për së paku disa nga tri temat e tjera për të cilat pritet të diskutohet, e që përfshijnë energjinë, telekomin dhe fatin e të ashtuquajturit “Parku i paqes”, që në fakt është një barrikadë në urën mbi lumin Ibër, që ndan qytetin e Mitrovicës, shkruan shtypi
Mustafa dhe Vuçiçi, me delegacionet e tyre me një numër mjaft të madh zyrtarësh, do të nisin takimet që në orët e mëngjesit, por, të mësuar nga përvoja e mëhershme, burimet e BE-së nuk mund të parashikojnë se sa do të zgjasë takimi, shkruan sot Koha Ditore. Nga BE-ja këtë raund të nivelit të lartë përsëri do ta ndërmjetësojë përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.
Pala serbe, më saktësisht kryeministri Vuçiç, ka insistuar të hënën se shkon në Bruksel “me qëllim që të arrijë marrëveshje”, por ka shtuar se nuk do të pranojë “asgjë që nuk është në interes të Serbisë dhe të popullit serb në Kosovë dhe Metohi”.
Në BE pritjet më të mëdha janë që të arrihet marrëveshja për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë (në anglisht BE-ja përdor të dyja termet për të kënaqur të dyja palët) së komunave me shumicë serbe. Por palët edhe një ditë para këtij raundi të dialogut kanë mbajtur qëndrimet e kundërta rreth asaj se çfarë kompetencash do të ketë ky formacion.

Filed Under: Featured Tagged With: BRUKSEL-KOSOVE-SERBI, KATER CESHTJE, NE TRYEZE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3596
  • 3597
  • 3598
  • 3599
  • 3600
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT