• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVË – QEVERIA NË MBLEDHJEN E 40-të MIRATIME PËR 4 MARRËVESHJE NDËRKOMBËTARE

July 29, 2015 by dgreca

-Sot u mblodh qeveria, nesër seanca e Kuvendit të Kosovës. Në pritje të riprocedimit të Gjykatës Speciale/
Nga Behlul JASHARI/ PRISHTINË, 29 Korrik 2015/- Qeveria e Kosovës është mblidhur sot, por nuk kishte ndonjë zhvillim të ri, pas paralajmërimeve për riprocedim të amendamentit kushtetues për Gjykatën Speciale, e cila nuk renditet ende as në axhendë të Kuvendit, i cili ka nesër sencë plenare.
E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Kosovës, sot në mbledhjen e 40-të, miratoi vendimin për t’i rekomanduar Presidentes së Republikës dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e marrëveshjes ndërkombëtare për bashkëpunim financiar me Qeverinë Federale të Republikës së Gjermanisë.
Poashtu, u miratuan edhe tre nismat për lidhjen e marrëveshjeve për bashkëpunim kulturor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Italisë, Zvicrës si dhe Malit të Zi.
Qeverita kosovare miratoi edhe vendimin për aprovimin e projektit të dorëzuar nga Këshilli Britanik për ndarjen e mjeteve financiare për sigurimin e këshillave ligjore dhe shërbimeve të ndërlidhura të diplomacisë publike, për përgatitjen e dokumentacionit dhe proceduarave tjera përcjellëse për aplikim dhe anëtarësim si dhe mbarëvajtje të procesit të Stabilizim-Asociimit me BE-në, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në UNESCO, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në agjencitë tjera ndërkombëtare e njohjen nga shtetet tjera.
Qeveria e Republikës së Kosovës, ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, në bazë të aprovimit të Kuvendit, për finalizimin e punimeve në ndërtimin e tre shkollave të mesme në Prizren, Ferizaj dhe Podujevë.
Qeveria ka miratuar edhe koncept dokumentin për Profesionet e Rregulluara, ku përcaktohen kriteret për ushtrimin e disa profesioneve të rëndësishme që lidhen me mbrojtjen e interesit publik, të sigurisë publike dhe të shëndetit, duke respektuar parimin e shqyrtimit të pavarur dhe autonominë e profesionistëve, mbrojtjen dhe garantimin e standardeve për disa profesione të rëndësishme, në mënyrë që ushtrimi i tyre të bëhet prej personave të kualifikuar që plotësojnë kushtet dhe kriteret e parashikuara me legjislacionin në fuqi.
Gjatë mbledhjes së sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.
E votuar në 9 dhjetor 2014, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, Qeveria e Kosovës për vitin 2015 ka paraparë të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.

PROJEKTLIGJ PËR DHOMAT E SPECIALIZUARA DHE ZYRËN E PROKURORIT TË SPECIALIZUAR

Një nga Projektligjet është ai për Gjykatën Speciale, gjegjësisht për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Në mledhjen ne Qeverisë së Kosovës në 19 qershor, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi ka bërë të ditur se Projektligji “është hartuar krejtësisht nga BE-ja dhe ka filluar me themelimin e grupit teknik nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka kërkuar që të shqyrtohet legjislacioni i pranuar nga Bashkimi Evropian për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.
“Ky është draft që nuk ka më hapësirë për negocim nga ekipi i ekspertëve”, tha ministri Kuçi.
Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se, “përgjigja përfundimtare, edhe e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë se ky është teksti i fundit në të cilin nuk ka hapësirë që të bëhen ndryshime”.
Ai ka vlerësuar se, një kontribut i madh i grupit kosovar të ekspertëve ka qenë heqja e fjalës dhe shprehjes gjenocid nga teksti i ligjit, të cilën e ka përmbajtë në versionin e mëparshëm dhe përshtatja e ligjit me ligjet ndërkombëtare që rregullojnë këto fusha.
“Ne kemi aprovuar në qeveri ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për këto ndryshime është dhënë mendim pozitiv edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Edhe ndryshimet kushtetuese dhe Ligji për Dhomat e Veçanta janë rrjedhojë e letërkëmbimit të Presidentes së Republikës së Kosovës me Baroneshën Ashton, që është bërë vitin e kaluar, dhe e Ligjit mbi ratifikimin e këtij letërkëmbimi që ka aprovuar Kuvendi i Kosovës me votat e mbi dy të tretat e deputetëve ”, ka theksuar kryeministri Mustafa.
Drejt riprocedimit të amendamentit për Gjykatën Speciale, ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nëse janë siguruar dy të tretat e votave për miratim, pasi 5 nga numri i nevojshëm 80 mungonin në 26 qershor, kur opozita nuk mori pjesë e nga pozita 7 ishin kundër, 2 abstenuan e 4 mungonin kur u votua.
Për miratim ndryshimesh kushtetuese në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh duhet përfshirja edhe e dy të tretave të votave të 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, prej tyre 10 serbë.
Një ditë pas mosarritjes së numrit të nevojshëm të votave në Kuvend, qeveria në 27 qershor, në një mbledhje konsultative paralajmëroi riprocedim dhe për këtë edhe bashkërendësim e bisedime edhe me opozitën. Por, tre partitë opozitare, VV, AAK e Nisma në një deklaratë të përbashkët që pasoi shprehën dhe vazhdojnë të mbajë qëndrimin se, “vendimi i Kuvendit të Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale është përfundimtar dhe i pakthyeshëm”. Në vazhdimësi të këtij qëndrimi pritet edhe ndonjë takim tjetër i tre partive opozitare kosovare.
Por, nga liderët e partive më të mëdha të koalicionit qeverisës, PDK e LDK, është kërkuar që deputetët të mos shkojnë në pushimet e verës para riprocedimit nga qeveria dhe vendimit të Kuvendit të Kosovës për Gjykatën Speciale.
Në Kuvendin e Kosovës, u takua sot grupi parlamentar i PDK-së, e nesër pritet takimi i grupit parlamentar të LDK-së, partive më të mëdha të koalicionit qeverisës, e më pas pritet që qeveria të riprocedojë amendamentin kushtetues drejt themelimit të Gjykatës Speciale.
Kryetari i PDK-së, njëherësh zv/kryeministri i parë e ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi deklaroi se takimi i sotëm i grupit parlamentar ka qenë i frytshëm dhe ka pajtueshmëri. “Sa i përket amendamenteve për Gjykatën Speciale, ishte rekomandim që gjatë javës së ardhshme të procedohet dhe të votohet. Kjo është në interesin e politikës së Kosovës dhe në interesin e Kuvendit dhe gjithë shoqërisë kosovare, dhe interesit të perspektivës euroatlantike dhe në vazhdimësisë së ndërtimit të partneritetit më BE-në dhe SHBA-në. Them se është në të interesin e të gjithëve që Gjykata Speciale të aprovohet”, theksoi Thaçi për median.
Ndërkohë, shtypi i sotëm kosovar shkruan se, “Bashkimi Evropian nuk i justifikon aspak vonesat e qeverisë dhe të Kuvendit sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale”.
“Qe një kohë të gjatë, çdo gjë ka qenë e gatshme për miratimin e amendamenteve kushtetuese dhe ligjit”, citohet një përgjigje e Zyrës së BE-së në Kosovë, ku shtohet se, “vonesat e mëtejshme nuk mund të justifikohen”.

Filed Under: Kronike Tagged With: 4 marerveshje nderkombetare, Kosove, Mbledhja e Qeverise

NJË DITË SHLODHËSE NË FSHATIN TURISTIK SKURAJ

July 29, 2015 by dgreca

Nga Ahmet ZANI/
Të udhëtosh nga kilometri zero në drejtim të fshatit Skuraj, për një orë je në destinacion. Provojeni, keni për të kaluar një ditë relaksuese. Në vetëm pak metra pasi të shkëputesh nga aksi nacional i superstradës Durrës- Prishtinë menjëherë të shfaqen në të dyja anët e rrugës disa pemë të larta ndërsa nga e majta e saj gjarpëron lumi Mat me ujin e pastër dhe të freskët. Rrjedha e lumit më parë ka kryer fundksionin e saj në mbushjen e dy hidrocentraleve të Ulzës dhe Shkopetit dhe ngadalë zbret tek fshati Skuraj. Në të nxehtit përvëlues të këtyre ditëve të fundkorrikut me qindra njerëz nën hijet natyrale të pemëve rrëzë lumit kalojnë një ditë pushimi mjaft këndshëm. Këtu gjejmë pushues nga zonat verilindore si dhe nga kryeqyteti e gjetkë. Në ditët e fundjavës numri i pushuesve ditorë rritet dhe natyrshëm fshati ndjen atmosferën e këndshme të miqve dhe mikeshave,- kështu do të shptrehej Tom Lala, një banor i fshatit Gallatë, fqinjë me fshatin turistik të Skurajt. Më tej Toma tregon dhe oazin e trupave diplomatike diku para viteve 90, ku syri ynë shihte autovetura me targa ” CD” që natyrisht i përkasin të huajve që do të kalonin ditët e pushimit , ndërsa ne banorët vendas nuk shijonim dot turizmin e fshatit tonë përgjatë fundjavës pasi tërë vandi rrethohej nga rojet e ambasadorëve. Ndërsa Tom Lala ky mik iu përhershem i mediave sikundër ai sjell shqetësimet e komunitetiti në vemendje të institucioneve në këtë rast ai na tregon për vlerat turistike të zonës dhe konkretisht të Skurajt të këtij pejzazhi mahnitës ku dhe zogjtë e malit janë të shumtë duke të harmonizuar freskinë e natyrës, të krahasuar njëkohësisht me simfoninë e gjikallave mbi drurët që mbulojnë tërë pjesën përgjatë një sipërfaqeje të konsiderueshme aty ku dhe njerëzit qëndrojnë në natyrë të shijojnë bukurinë e natyrës dhënë nga Zoti. Një pejzash jetësor të preferuar nga pushuesit të cilët nuk mund të largohen në orët e mbërmjes duke marrë me vehte shijen e një ditë ndryshe.
Ndërsa udhërrëfyesi ynë Tom Lala na shoqëron tek një lokal i thjeshtë dike ngjitur me rrjedhën e lumit, teksa mbretëronin melodia e gjatë e gjinkallave. Në këto temperatura shumë të larta nuk do të mungonte flladi perendimor nga pjesa e lumit që shpërndahej këndhsmë. Ky është lokali i një banori vendas që servir tërë gatimet me prodhimet e malit siç janë keci më i preferuari, dhe më pas qëngjat, mishi i gicit sigurisht dhe prodhimet e lumit që janë disa lloje peshqish të liqenit dhe lumit . Si për koiçidencë kjo ditë shënonte festën fetare të kësaj krahine, Shën Mëhilli, ndaj dhe Toma ishte përgatitur të shijonte me familjen e tij, ndërsa ishte drejt pjekjes keci në hell që do të servirte për familjarët e tij. Lokalet janë ngritur harmonikisht me natyrënpërgjatë bregut të lumit, dhe të gjithë servirin ushqimet bio të shëndetshme, madje tufat e bagëtive gjenden pranë lokaleve në pritje të theren sipas preferenmcave dhe porosive të pushuesve. Lokali ku në jemi stacionuar është i Valentin Jakaj nga Miloti dhe Toma do të tregojë më tej për gatimin tradicional të zonës duke ju shërbyer klientëve pushues sipas dëshirës së tyre dhe menjëherë një person me bluzë të bardhe afrihet poranë tavolinës ku qnëdruam bashkë me Tomën. Ai quhej Kosatandin Gjoka shërbente si kuzhinier ndërsa keci i porosisë së Tomës ishte mbështjellë më një letër natriban për të rujatur shijen.
Kosta siç e thërrasin të njohurit do të përgatitë tavolinën duke na sjellë rakinë e zonës me pak ngjyrë dhe menjëherë do të na mbushte gotat. Sipas dëshirës kemi dhe pije të tjera si verëray apo dhe birrën, por ne habitemi përse do të shtrohej tavolina, ndërsa Tom Lala kishte lajmëruar që herët për ardhjen tonë.
Kosta përpos një pjese të kecit që ende ishte në furrë kishte përgatitur qofte me mish dhe kungull, kukurec si dhe bukë misri të thekur me pak salcë dhe perme. Jemi befasuar nga kjo pritje ndërsa misioni ynë ishte të sillnim në vemendje këtë fshat si historik ashtu dhe mjat të preferuar për turizëm. Tom Lala largohet duke na lënë nën shoqërinë e kryeplakut të fshatit dhe pronarot të lokalit Valentin Jakaj ndërsa ne duhej të kryenim misionin tonë në shërbim të lexuesve të të njohin zonat turistike të vendit duke sjellë rastin e Skurajt ku dhe kostoja e një dreke nuk është e lartë.
Diku tutje një pasarelë mjaft e bukur dhe pranë saj të tjerë lokale që dhe nga reklamat anës të shoqëronin në tërë zonën ku shtrihet fshati Skuraj. Pushuesit të shpërndarë në hijet e pemëve të gjata dhe tavolinat e shpërndara sipas preferencave të klientëve, një pjesë e tyre laheshin në rrjedhën e lumit nga uji i pastër, ndërsa ne nuk ndaleshim duke shkrepur foto përreth perlës së bukur dhe mahnitëse në Skuraj.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Ahmet Zani, FSHATIN TURISTIK, NJË DITË SHLODHËSE NË, SKURAJ

“Sofra dibrane” te “Bijte e Shqipes”ne Filadelfia

July 29, 2015 by dgreca

Shkruan:Sadik ELSHANI- Filadelfia/
Ka vite qe shoqata “Bijte e Shqipes” ne Filadelfia vazhdimisht organizon veprimtari te shumta atdhetare, kulturore, perkujtimore, sportive, e shume te tjera, si: promovime te librave te autoreve te diaspores dhe trevave shqiptare, veprimtari perkujtimore, ku perkujtojme e nderojme figura te ndritura te historise, artit, kultures, shkences e tradites sone kombetare. Cdo vit me madheshti e festojme 28 Nentorin, Festen tone Kombetare, Diten e Pavaresise se Kosoves, festat e 7-8 Marsit, piknikun me bashkatdhetaret. Ndersa nga viti 2012, ne menyre madheshtore organizohet ngritja e Flamurit Kuq e Zi, flamurit tone ne Bashkine e Filadelfias. Tashme keto jane bere veprimtari te rregullta te kalendarit tone, ashtu te ngarkuar. Por, ketu nuk mund te leme pa permendur edhe kryeveprimtarine, kryeangazhimin e shoqates, funkcionimin dhe vazhdimin e suksesshem, tani per 12 vite me radhe , te shkolles shqipe. Eshte kjo veprimtaria me te cilen krenohemi me se shumti, eshte veprimtaria qe i jep kuptimin ekzistences se shoqates sone: femijve tane u mesojme, u lame trashegim gjuhen e embel shqipe – femijet tane njihen me historine, kulturen, artin, traditat tona kombetare, brumosen me ndjenjat e atdhedashurise e te krenarise kombetare. Numri i veprimtarive tona eshte i shumte, gama, llojllojshmeria e veprimtarive tona eshte e gjere. Ketu mund te perfshihen edhe shume tubime, takime shoqerore, festa familjare: ditelindje, diplomime, e shume raste te tjera te gezueshme qe na japin mundesine qe te jemi prane njeri – tjetrit, t’i ndajme gezimet se bashku.
Nje veprimtari e tille ishte edhe organizimi i “Sofres dibrane” keto dite ne mjediset e shoqates “Bijte e Shqipes”. Na mblodhi zoti Haki Collaku, i cili e mori persiper organizimin e kesaj veprimtarie te bukur e mjaft domethenese. Dihet se cka simbolizon sofra, vatra ne kulturen tradicionale shpirterore shqiptare: te qenit se bashku, grumbullimi i njerezve qe kane ide, qellime te perbashketa. Pse jo edhe per te ndare nje kafshate buke se bashku. Mblidhen njerezit rreth sofres se mbushur me plot ushqime e pije, simboli i begatise, mireqenjes, bujarise, mikpritjes shqiptare e argetimit, kenges, humorit. Klubin e shoqates Hakiu e kishte rregulluar per bukuri, kishte sjellur atmosferen e odes dibrane, odes shqiptare: ne mur i kishte varur instrumentet popullore, sharki cifteli, def dhe degjohej muzike e Zones se Dibres, kenge e valle nga te gjitha trevat shqiptare. Instrumentet nuk ishin sjellur vetem per zbukurim, Hakiu e Ramazani i binin ciftelive per bukuri dhe ne fund te gjithe e kenduam kengen shume te njohur, “Hajredin Pasha po i bjen Radikes”. Po, sofra dibrane ishte shtruar ne nje ode shqiptare, ne “Shtepine e shqiptarit”, sic njihet ndryshe ndertesa e shoqates “Bijte e shqipes”. Ne kete veprimtari te bukur ishin te pranishem bashkatdhetaret nga shumica e krahinave te Shqiperise Etnike: Vlashi Fili, Llazar Vero, Llukan Dylgjeri, nga Fieri (Myzeqe), Hys Hasa, Hamdi Gjana, Ramazan Koka, nga Kukesi (Has, Lume), Abedin Teme, nga Cameria, Eqerem Murataj e Sami Zaimi, nga Mallakastra, Tajar e Jakup Domi, nga Kalaja e Dodes, Ivzi Cipuri e Haki Collaku, nga Dibra, Bujar Gjoka, nga Durresi, Sadik Elshani, nga Kosova. Me vone erdhen Petrit Zanaj, nga Vlora, Bashkim Berdufi, nga Elbasani dhe Dritan Matraku, nga Devolli. Ishte i pranishem edhe mesuesi veteran, Baftjar Qinami, nga Kukesi, tani me banim ne Tirane.
Tavolinat (“sofra”) ishin te mbushura me plot ushqime e pije te llojllojshme. Biseda rridhte qetas, kendshem e me plot humor, si dikur ne odat shqiptare, per te vazhduar pastaj me ngritjen e dollive – perseri sipas tradites se zonave perkatese, tradites shqiptare. Dhe sa here qe Hakiu organizon festa te tilla, dolline e pare gjithmone e ngreme per te nderuarin Haxhi Dautin, babain e Hakiut. Sa here qe ngreme dolli per Haxi Dautin, shkruesi i ketyre radheve gjithmone ua terheq verejtjen te gjitheve: “Te ngreme nje dolli pa raki”, sepse vete titulli Haxhi tregon se Haxhi Dauti eshte besimtar i devotshem i fese myslimane. Haxhi Dauti ate mbremje nuk ishte i pranishem fizikisht ne mesin tone (ai jeton ne Tirane), por shpirterisht, si githmone ne gezimet tona, ai edhe ate mbremje ishte shume i pranishem. Sa here qe Haxhi Dauti vjen per vizite ne Filadelfia, ai gjthmone e viziton shpqaten tone. Ai madje eshte edhe anetar i shoqates sone, edhepse jeton ne Tirane. Haxhi Dauti, me burrerine, mencurine, urtesine, dashamiresine, miresjelljen shume njerezore, menjehere na ka bere per vete, na ka lene mbresa te pashlyeshme. Shkurt, Haxhi Dauti eshte misherim i burrit shqiptar te traditave tona me te mira. Familja e Haxhi Dautit dhe te pareve te tij, gjithmone eshte shquar per vlerat e larta familjare, kombetare e njerezore – besen, trimerine, burrerine, mikpritjen. I tille eshte edhe Hakiu. Ndoshta u zgjata pak ketu, por vetem per te treguar se nga “buron” Hakiu, ky burre bujar, me shpirt e zemer te gjere. Nuk thote kot nje fjale e urte e jona: “Dardha bie nen dardhe.” Krahina e Dibres gjate gjithe historise sone eshte shquar per trimerine, burrerine, atdhetarine e banoreve te saj, duke i dhene kombit tone shume figura te ndritura. Keto tradita fisnike i ka trasheguar Hakiu dhe familja e tij. Ne Shqiperi Hakiu ka qene ushtarak karriere me graden major. Kur ne vitin e mbrapshte 1997 forcat kriminele komuniste po ia venin flaken Shqiperise, ata shkuan edhe te Komisariati i Peshkopise, ku sherbente Hakiu si komandant. Ai nuk u dorezua, por si burre dibran, si burre shqiptar e mbrojti komisariatin dhe i shporri kriminelet. Edhe ketu, larg Shqiperise, ne dhe te huaj, ai i ruan keto tradita dhe me krenari i shpalosi ato ne kete veprimtari, rreth sofres dibrane – sofres shqiptare. Disa vlera koimbetare e njerezore, si: besa, nderi, burreria, mikpritja, ciltersia, respekti per njeri – tjetrin, jane vlera te padiskutueshme, te qendrueshme per te gjitha koherat dhe rrethanat ne te cilat ndodhemi.
Hakiu eshte nga burrat e rralle qe fjalet dhe veprat, veprimet e tij gjithmone perputhen. Gjithmone eshte ne sherbim te bashkesise shqiptaro – amerikane te Filadelfias e me gjere dhe se bashku me vellezerit e tij ne Shqiperi, ata e kane ndihmuar edhe vendlindjen e tyre. Hakiu dallohet nga te tjeret edhe per aftesite e tij organizative, vullnetin e forte per te bere gjera, pune te mira. Edhe herave te tjera, Hakiu ka organizuar veprimtari te ngjashme qe jane vleresuar per shijen e holle estetike, elegancen dhe atmosferen shume te perzemert. Si mjeshter i zoti, Hakiu ka bere edhe shume ndertime, meremetime, duke i zbukuruar edhe me teper mjediset e shoqates “Bijte e Shqipes”. I ka hije puna.
Kur i ruajme traditat tona te shkelqyera, gjuhen dhe identitetin tone kombetar, kur e ndihmojme dhe i dalim zot atdheut tone edhe nga larg, atehere nuk e kemi lene atdheun, por e kemi marre ate me vete. Ndoshta ky eshte nje ngushellim i vogel per mallin, dhimbjen qe mbajme ne zemer per Shqiperine. Ate mbremje dhe tani kur jam duke i shkruar keto radhe, me vijne ne mend vargjet e Cajupit: “Memedhe quhet toka/ku me ka renure koka”. Me vjen ndermend edhe piktura e Abdurrahim Buzes: “Shqiperia ne valle”, ku ne nje rreth jane duke hedhur valle shqiptaret nga te gjitha trojet etnike. Shqiptaret se bashku ne valle, shqiptaret se bashku rreth sofres, se bashku rreth vatres. Ka dicka me te mire?! Kjo eshte vlere kombetare! Ushqimi i pasur e i shijshem, biseda e cilter me plot humor, atmosfera e ngrohte vellazerore, kenga e vallja shqiptare e bene kete mbremje te paharrueshme.Te shpresojme e te urojme qe te shtrojme edhe shume e shume sofra te tjera nga te gjitha anet e Shqiperise Etnike. Hakiu e ka nisur mire, mbare!
Buke e kripe e zemer. Gezuar, me raki e pa raki!
Philadelphia, korrik, 2015
*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Komunitet Tagged With: "Sofra dibrane" te "Bijte e Shqipes", ne Filadelfia, Sadik Elshani

Kufijtë e Kosovës, përgjegjësi e të gjithëve

July 29, 2015 by dgreca

-Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj me ekspertët e vendit diskutoi demarkacionin e kufirit me Malin e Zi/
PRISHTINË, 29 Korrik 2015/-Me nismën e kryetarit të AAK-së, deputetit dhe anëtarit të Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Ramush Haradinaj, sot, në ambientet e Kuvendit të Kosovës, u mbajt tryeza tematike “Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi”.
Kryetari i AAK-së, Haradinaj tha se kësaj teme të ndjeshme dhe të rëndësishme për vendin, duhet t’i qasemi seriozisht dhe të mos e konsiderojmë asnjëherë si çështje të një partie politike ose grupi të caktuar. “Kufijtë janë përgjegjësi e të gjithë neve”, tha ai, duke i falënderuar ekspertët prezentë në tryezë dhe ftuar ata që të jenë pjesë e vazhdueshme e punës.
Në tryezë diskutuan ekspertë të fushave të ndryshme, profesorë universitarë dhe njohës të hartografisë, aerografisë, topografisë, çështjeve kufitare… si prof. dr. Muharrem Cërrabregu, prof. dr. Florim Isufi, prof. dr. Muhamet Mala, prof. dr. Muhamet Sadiku, Gazmend Muhaxheri, Ali Lajçi etj., si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe kryetarë të komunave.
Sipas komunikatës dërguar nga AAK, ekspertët dhanë argumentet e tyre që dëshmonin të kundërtën e asaj që është raportuar nga Komisioni Shtetëror për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Ekspertët e njohur të hartografisë në vend thanë se Agjencioni Kadastral i Kosovës nuk është organi kompetent për caktimin e kufijve.
Në fund u nxorën edhe konkluzionet e kësaj tryeze, në lidhje me demarkacionin shtetëror të kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi.
U tha se duhet referuar hartave kredibile, burimore të vitit 1962 dhe më herët; si dhe kufiri duhet përcaktur mbi parimet Ujëndarëse (Drini i Bardhë), Qafore, Kodrinore dhe Natyrore.
Gjithashtu, u vendos që të hartohen dhe të aprovohen nga institucionet e Kosovës bazat e punës Komisionit Shtetror për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi./B.Jashari/

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, Kufijtë e Kosovës, përgjegjësi e të gjithë neve, Ramushaj

TURP

July 29, 2015 by dgreca

Shkruan:Ilir Levonja-Florida/
Ne nuk e njohim turpin ambasador. Pse flet kot më kot. Çfarë është turpi? E kemi humorin e qejfit shqiptar. Le të flasim një çikë me tone të larta. Nuk e di? Ta them unë. Tek ne nuk njihet turpi. Pasi zgjat fare pak. Tri ditë. Turpin e hamë me bukë ne. I këpusim edhe një gotë verë. Për qejf.
Po deshe inat, po. Atë e njohim. E kemi me shumicë aq sa na nevrikosen edhe vetullat. Sytë na flakërojnë. Nuk e kemi për gjë të vrasim vëllain. Qoftë edhe për një gjerdhishte. A e di se çfarë është gjerdhishtja. Një lloj muri më i fortë se muri kinez. Bëhet me kallama luledielli të tharë. Me thupra. Ose rakita. Ose kallama gardhi i themi ne. I kemi edhe ato me shumicë. I hoven rrugëve nëpër lagje. Jo baçeve. Rrugëve ore rrugëve. Rrugës ku kalojmë. Ato dhe ferrat. Dhe garrupet e zhavoreve. Gurëve.
Se nga ana e brendshme, ua presim këmbët. Nuk kanë se si të vinë nga baçja. Vetëm nga rruga. Mundësisht t’ia marrin shpirtin asaj, rrugës ku kalon vëllai apo fqinji.
Dhe e di, kur shkon në rrethinë, tek ndonjë mik a ndonjë shokë. Nga ata që banojnë në periferi. Kur kanë hovur kallamat qiellit. Kallamat dhe ferrat. Sidomos në pranverë. Të duket sikur po u futesh pyjeve me fidanë kaçubash të reja. Gjarpërojnë për qejfin e më të fortit. Jo të ligjit. Si ato në pyjet tropikale. Plot djersë e gjinkalla të bëjnë.
Ja më këto bëhen gjerdhishtet. Më kësi lloj kallamash. Me kësi lloj rakitash. Kanë në mes edhe nga një hu. Na duhet kur na nxehet gjaku. E shkulim fët e fët dhe varda, vëllait. Por tani ç’është e drejta i ka ikur koha. E kam fjalën për hurin. E kemi zevëndësuar me kallashnikovin e socialrevizionistëve. Nuk e di këtë? Reforma e madhe agraro-bujare e zotit shqiptar, ajo e vitit 1997. Na ra për rrisk. Shkurt nga dhjetë të tillë për frymë.
Lëre më pastaj edhe tritolin. Atë e kemi si llokumet. Ta qerasim me qejf. Sidomos kur je veti i shtatë në makinë. Qoftë me nënën, me gruan, kalamajt. Nuk duam t’ia dimë. Kemi gjak ne. Jo për gjë.
Por le t’i lëmë gjerdhishtet. Se ato janë pjesë e njerëzimit të madh. Popullit. Turmës. Le të flasim pak mes nesh. Mes veti. Ne shtresat e larta. Balli i këtij vendi. Balli i kuq, i gjelbër. Gjaku blu. Baballarët i kemi me nga një dhomë e kuzhinë. Nuk e di?. I ndërtuam me orë punë. Në bazë ndërrmarrjesh. Boll e kanë. Ata për vete janë të kënaqur. Ne bijtë e tyre kemi nga tri a katër vila. I bëm me të ardhura rrufe. Me zgjuarsi. Me zotësi. Sepse ne, nuk jemi si prindërit tanë. Ata e zjejnë kafen në bombla gazi Elka. Nga ato të Zamira Kitës. Mirë tu bëhet se nuk ditën për veten e tyre. Ngelën duke u ankuar për pensionet e ulta. U vret gojën buka. E kanë gojën akoma me amalgan. Dhe tela protezash. Ne flasim e qeshim me porcelan. Kafen e pimë me ttatuazhe qumështi. Vdesim për shqiponjën.
Ne jo vetëm që kemi kapur bollëkun. Modernitetin. Por edhe tangallëkun. Ne kemi edhe qenusha. Të japim leksione. Të tregojnë se sa e rëndësishme është jeta kur shëtit një qen. Kurse prindërit tanë i mbanin përjashta. Herë të lidhur e herë të zgjidhur. Nuk ditën. Injorantët. Kafsha është shpirti i butë. ne tani, ndaj ulemi studiove ndryshe, shpinë drejt, këmbë mbi këmbë. Dhe kur jemi me minifund, rrimë pak menjëanë. Me qenushin. Të veshur me Armani. Ne, fëmijët e parafabrikateve.
Turp. Po çfarë turpi. Po ec aty se tri ditë zgjat. Ndaje shtatë herë një qytet. Jepu kush të jep një dorë para. Jepi çfarë të dojë. Do tokë? Jepi. Do shtëpinë e atij tjetrit? Jepja? Punë e madhe se kush jeton aty. Do tender? Jepi. Do të dalë nga burgu? Nxirre. Mjaft që të marrësh një dorë leku. Çfarë do fol? Do televizion? Do gazetë? Do çmime? Do të bëhesh vip? Të rregullosh jetën? Kollaj. Bëhu LSI-ist. Gdhihesh doktor, profesor, inxhinjer…., madje edhe amerikan. Madje edhe personel i Ambasadës tënde ambasador. Çfarë të keqe ka. Nuk di anglisht? Kollaj. Të japim brenda orës edhe gjuhën angleze. Çfarë do vetëm fol. Krimin më monstruoz të kesh bërë, lirohesh për i çikë. Si djal i mirë lagjeje. Çfarë do. Do të bëhesh familje dëshmori. Pa problem fare. Gjej një kushuri të shtatëmbëdhjetë. Mjafton të jetë vrarë në kohën e luftës. Le të ketë qënë në banjo. Të bëjmë dëshmor. Do të bëhesh kulak? Pa problem. Gjej një nga kushurinjtë që ka thënë, nuk bëjnë specat e fushës. Në kohën e Enverit. Dhe kaq. Nuk ka gajle sepse ti je zëmëruar me atë, kushuririn. Ku di gjë ai. Ai le të hajë trahana. Çfarë do tjetër?
Turp?! Po çfarë turpi. Ec mos e vrit mendjen. Le të jesh betuar shtaqind herë si demokrat. Gdhihesh që nesër socialist. Po qe se ke dhe ca lekë nga trotuaret e Italisë së natës. Apo nga dritat e kuqe të Hollandës. Aq më mirë. Jepu gjysmat fshatit. Se ia marrim prapë me një tender sa për shtatë rrugë. Që do u bëjmë budallenjëve kur të vi fushata tjetër. Aq duan ata. Sa t’u lyesh buzën përsipër. Lekët futi në xhep ti. Janë të tuat. Ta dimë ne. A, kemi burrni për këtë. Dhe po u ndave nga ne sivjet. Nuk ka gjë, se do e sjelli puna që të bashkohemi prapë. Ja kështu. Dhe gdhihesh deputet. Çfarë? Do të shajnë gazetarët? U japim nga një çmim? Pikërisht pse të kanë sharë. U japim dhe ca fonde për ndonjë a dy vjetë. Dhe aq. Ja turp është ky? Eshtë zotësi. Se kot nuk themi ne, bëj mirë sa ke në dorë. Lëre çfarë flasin për ligj shqiptarët. Ligji i tyre, është ky çfarë thashë. Bëj mirë sa ke në dorë. Kaq. Unë ty e ti mua etj.
Turp? Jo, inat. Me inat po. Ndaj mbaje mend mirë, mister ambasador. Turpi është pjesë e një faqe njerëzore. Ku e drejta është universale. Po aty nuk ekziston një e tillë. Aty është e universalizuar në emra konkret. Dhe kjo traditë, vjen nga një traditë e vjetër pagane e jona, mbi perënditë. Pavarsisht se sot jemi më myslimanë apo më katolikë se popujt nga kanë ardhur këto besime. Dhe pavarsisht se ata pionerë të besimeve në Shqipëri, ata nuslimanë të mirë, apo katolikë të mirë, apo ortodoksë të mirë…, që i kujtojmë sa për tu mburrur. I kemi varrosur me kohë. Po të na japi Kina lekë, ne bëhemi edhe si të dojë ajo, budistë apo kinezë komunistë. Kështu që ato të lutura në sheshe, apo qirinjtë e mesnatës janë pjesë e shout të sojit shqiptar. Me baballarë tmerrësisht të varfër dhe djem tmerrësisht të pasur.
Pastaj, duket sikur e ke me shaka. Kur thua…, kur deklaroni që ka (një) deputet të inkriminuar. Me sa duket nuk e di (dini) historinë tonë. Atë që është i yni, është me ne. Ja kështu. Ashtu si puna e çmimit me gazetarin. Të quajmë kriminel kur nuk je me ne. Po, po pasi bëhesh me ne, je i kulluar. Je kristal, qelibar. Dhe ne të tjerët, ne meleonat…, turma kujton se nuk e besojmë që kështu është? Njëqind përqind. Dorën në zjarr e fusim, deri në rrëzë të sqetullës. Për atë qelbësirën vritemi e bëhemi copa. Pra nëse gazetarit i japim çmimin. Qelbësirës i japim lavdinë. Ndaj shkoqur…, me gjithë mend qënka vetëm një aty brenda? Sikur nuk vete. Kaq. Dhe nuk është aspak turp.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Turp

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3674
  • 3675
  • 3676
  • 3677
  • 3678
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT