• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë – Inaugurohet ura “Bailey” afër manastirit të Deçanit

July 15, 2015 by dgreca

Nga Behlul Jashari/.-PRISHTINË, 15 Korrik 2015/ Dy muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së ndërtimit, sot në mëngjes u zhvillua ceremonia e hapjes së urës “Bejli” afër manastirit të Deçanit, në Kosovë.
Projekti është mbështetur fuqimisht nga komandanti i KFOR-it, gjeneral major Francesco Paolo Figliuolo, për të zgjidhur problemet operacionale në mënyrë që të lejohen ushtarët e KFOR-it të Grupi Shumëkombësh i Betejës Përendim për të mbrojtur manastirin, ku KFOR-i vepron si reagues i parë për sigurinë e tij.
Gjithashtu në këtë ceremoni ishin shumë të ftuar nga institucionet në Kosovë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe dhe të organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.
Komandanti i KFOR u shpreh se ndërtimi i urës është një simbol i rolit të KFOR-it në përmirësimin e marrëdhënieve në mes të përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe dhe atyre të Komunës së Deçanit.
Ura e re do të shfrytëzohet edhe nga komuniteti lokal dhe hapja e saj do të mundësojë një qasje më të shpejtë dhe më të sigurtë në disa zona të komunës, duke mundësuar në të njëjtën kohë zhvillimin e mundshëm të zonës në dobi të gjithë popullit të Kosovës.
Gjenerali Figliuolo tha se, “normalizimi i marrëdhënieve dhe zhvillimi socio-ekonomik janë faktorë themelorë dhe esencialë të stabilitetit dhe mund të kontribuojnë për të parandaluar rritjen e çfarëdo lloji të ekstremizmit”.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë - Inaugurohet ura "Bailey" afër, manastirit, të Deçanit

GRABITQARËT ANTI-SHQIPTARË PËRSËRI U TURREN TROJEVE ARBËRORE

July 15, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug, duket se hienat shekullore anti-shqiptare vazhdojnë me lakmi tua mësyjnë trojeve shqiptare, me qëllim për t’i çkombëtarizuar ato. Për pasqyrim të kësaj situate, dy raste të ditëve të fundit kanë tërhequr vëmendjen e medias në trojet shqiptare. Njëra ka të bëjë me vizitën e Kryeministrit turk, Ahmet Davutogllu në Maqedoni ku ai deklaroi nga Shkupi se vendi i tij, “po punon për të rilindur kulturën turke në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni”. Ai u citua të ketë thënë gjithashtu se, “Ne do të dërgojmë nga një fjalor turqisht në çdo familje të Shkupit.” Kjo nuk është një deklaratë as politikë e re, por kjoështë një politikë, konstante, e llogaritur mirë nga Turqia, e cila prej disa vitesh tani ka vepruar në fushën politike, diplomatike, ekonomike dhe fetare për të shtuar influencën e saj në Ballkan, e sidomos në trojet shqiptare. Kjo vjen pas deklaratave të mëparshëme nga zyrtarët më të lartë të Ankarasë, të cilët, ndër të tjera, kanë kërkuar edhe rishikimin e teksteve shkollore, sidomos në Kosovë të historisë së shqiptarëve, me qëllim për ta ndryshuaratë .
Rasti tjetër ndodhi disa ditë më parë në rrethin e Ulqinit. Portali “Ulqini Online” njofton se popi i Kishës Ortodokse sllave në Ulqin, Radojica Bozhoviç paska shkuar në Shas për të bërë një shërbim liturgjik të fesë ortodokse. Problemi është se Shasi dhe as historia e tij nuk kanë të bëjnë aspak me fenë ortodokse serbe as me kulturën dhe historinë sllave. Shasi që gjëndet midis Shkodrës dhe Ulqinit, sipas historianëve, ka qenë dikur një prej katër “qyteteve satellitë” të Shkodrës, me shekuj qëndër me rëndësi e Kishës Katolike Shqiptare dhe e kulturës iliro-arbërore.
Gjatë sundimit të regjimit komunist jugosllav nuk flitej asgjë për historinë e lashtë të këtij qyteti.E mbajë mend si fëmij, pasi jam lind e rritur jo larg qytetit të vjetër të Shasit, kur të moshuarit na thonin se sipas gojdhanave Shasi ka patur dikur 365 kisha, secila e pagëzuar pas një shënjti ose shënjtëreshe të Kishës Katolike, një kishë për çdo ditë të vitit. Megjithëse për çdo ditë kalonim aty afër gërmadhave të qytetit të vjetër të Shasit, askush nuk fliste për historinë mijëra vjeçare të tij, madje as mësuesit e shkollës fillore që frekuentonim aty afër në Katërkollë.
Tashtimësohet se, politika komuniste sllave i kishte dhënë urdhër historianëve dhearkeologëve të sajqë të mos bënin hulumtime por ta lënë në heshtje pa e zbuluar historinë e Shasit, “Qytetit ilir që u fsheh nga sllavët”, duke mos dashur dhe duke mos lejuar, për arsye etnike dhe politike, të zbulohej historia e tij e vërtetë iliro-arbërore.
Fatbardhësisht viteve të fundit vihet re një interesim i ri për Shasin dhe historinë e këtij të qyteti të lashtë iliro-arbëror nga banorët shqiptarë të atyre viseve por edhe nga intelektualët shqiptarë tëmbledhur rreth organizatës jo-qeveritare Ora dhe të tjera, të cilët disa vjetë më parë në Ulqin organizuan një simpozium shkencor i titulluar: “Shasi i lashtë –Monument i Kulturës”, ku u përfshinë kumtesat e 13 studiuesvembi historinë e Shasit, këtij thesari të pa çmueshëm të trashëgimisë iliro-arbërore.
Si qëndër fetare me rëndësi, historianët përfshirë edhe ata shqiptarë si Prof Ruzhdi Ushaku, Prof Luan Maltezi, dhe Prof. Shaban Sinani, kanë shkruar se Shasi në bazë zë zbulimeve arkeologjike të deritanishme, “prekë Krishtërimin dhe periudhën ilire” dhe përveç rolit fetar, Shasi antik është njohur në kohërat e lashta edhe si qytet me rëndësi, me një tregti dhe zhvillim urban të dalluar për ato zona. Është një kulturë dhe histori që përputhet me atë të Komanit, kulturë e cila sipas historianëve i dallon bartësit e saj — shqiptarët –nga fqinjtë e tyre të ardhur shumë vonë në ato zona sllavët dhe grekët e vjetër. Prandaj, zbulimi dhe studimi i historisë së Shasit ka rëndësi natyrisht për hir të së vërtetës në përgjithësi, por për më tepër ka një rëndësi të veçantë për historinë e rajonit të rrethit të Ulqinit, si pjesë e pandarë e historisë së trojeve shqiptare dhe e historisë dhe të gjeografisë së kombit shqiptar në përgjithësi.
Prandaj lindë pyetja, ç’lypë popi Bozhoviç i kishës ortodokse sllave të Ulqinit, në gërmadhat e kishave katolike shqiptare të stilit romak në Shas, ku deri pak para disa viteve, historiografia sllave i kishte lënë në heshtje dhe si rrjedhim në shkatërrim e sipër ato monumente duke mos dashur të zbulonte origjinën e vërtetë iliro-arbërore të tyre. Tashti, popi Bozhoviç dhe kushdo qoftë pas tij – që siç duket është Kisha Ortodokse Serbe – duan të vjedhin historinë iliro-arbërore në trojet shekullore shqiptare, duke pretenduar se tashti ky monument i trashëgimisë iliro-arbërore na qenka për tu përdorur për ceremoni liturgjike të ortodoksizmit serb.
Ky rast nuk është i vetmi i përpjekjeve të Kishës Ortodokse për të përvetësuar objektet dhe vendet me rëndësi historike për fenë, kulturën dhe historinë e shqiptarëve. Në maje të malit të Rumisë, ku nuk ka pasur kurrë kishë sllave, është vendosur kohët e fundit një kishë ortodokse megjithë kundërshtimet e ashpëra të vendorëve. Në Shas janë raportuar raste të tilla edhe më heret ku njerëz të paidentifikuar, si hajdutë janë futur në gërmadhat e kishave të vjetëra të Shasit për të venë simbole të ortodoksizmit sllav, në përpjekje për të ndërruar identitetin e këtij monumenti historik fetar dhe kulturor iliro-arbëror — një përpjekje kjo e shëmtuar nga ana e përfaqsuesve të ortodoksizmit sllav që në këtë proces, duke ndryshuar simbolet fetare aty, mendojnë se do të ndryshohet edhe historia e mjedisit gjeografik iliro-arbërore të asaj zone në favor të asaj sllave.
Ulqinionline njofton se në festën e Lindjes së të ashtuquajturit, “Svetog Jovana Preteçe” (siç thuhet) prifti i kishës ortodokse të Ulqinit Radojica Bozhoviç këtë vit shërbeu Liturgjinë mbi rrënojat e Kishës së Shën Gjonit në Shas.(Shiko foto më poshtë). Portali në fjalë komenton se zonat historike të shqiptarëve nën Mal të Zi, vazhdojnë të jenë në shënjestren e ”Pravoslavna Mitropolija Crnogosrko primorska”, e cila është e lidhur ngushtë me Kishën ortodokse serbe.
Këto dukuri, natyrisht kanë shkaktuar shqetësime të mëdha në radhët e popullësisë shqiptare të asaj zone. Fatbardhësisht, përpjekjeve të këtyre hienave grabitqare antishqiptare për të vjedhur ose për të ndryshuar historinë e shqiptarëve në trojet e veta, u janë kundërvenë banorët e Shasit dhe të Anës së Malit.Meritë të veçantë në këtë mes ka Shoqata Ora, e cila për disa vite ka punuar dhe punon për të ruajtur, sipas saj “këtë vend të shënjtë për shqiptarët e kësaj zone”, si dhe Bashkësia lokale e Katërkollës e cila ka kundërshtuar për një kohë të gjatë tani paraqitjen e këtyre personave dhe simboleve të huaja fetare në Shas, duke u bërë thirrje autoriteteve vendore që tu dalin zot këtyre monumenteve kombëtare. Ata kanë kundrshtuar vazhdimisht përpjekjet e këtyre personave prej hajdutësh, për të vjedhur historinë kombëtare, kulturore dhe fetare të shqiptarëve të atyre trojeve, duke mbajtur ceremony fetare ortodokse dhe vendosur simbolet e tyre fetare të ortodoksizmit sllavo-serb aty ku nuk duhet dhe ku nuk përkasin, as për nga kultura, as për nga feja as për nga historia, as për nga kombësia.
Sipas medias vendore, në të kaluarën, një numër organizatash jo-qeveritare të shqiptarëve të asaj zone, përveç shoqatës Ora, përfshirë Art Club, Illyricum dhe Gjon Buzuku, kanë promovuar dhe kanë mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe fetare iliro-arbërore të objekteve të Shasit. Ato njëkohsisht kanë kërkuar nga autoritetet kompetente vendore dhe shtetërore që të zbardhen qëllimet e dukurive të tilla të pautorizuara dhe që të ndalohen përpjekje të tilla në të ardhmen, me qëllim që të mënjanohen edhe incidentet e mundëshme, pasi qytetarët janë tepër të shqetësuar dhe të zemëruar nga përpjekje të tilla të personave dhe institucioneve që fshihen pas tyre, të panjohur dhe të pa autorizuar, për të zhvilluar ceremoni të tilla në mjedisin e qytetit të lashtë të Shasit.
Në të kaluarën, organizata Ora dhe Bashkësia Katërkollë u kanë drejtuar thirrje Komunës së Ulqinit, Kryeipeshkvit të Tivarit, Ministrisë së Kulturës të Malit të Zi, Ministrisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Pjesëtarëve të Grupeve Etnike dhe Nacionale, Qendrës për Kulturë Ulqin, Ministrisë së Punëve të Brendshme – Sektorit të Sigurisë Ulqin dhe Entit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturo-Historike që të ndërhynin për të ndaluar aktivitetete të tilla. Por, përveç këtyre enteve, hulumtimet dhe mbrojta e së vërtetës së zbulimeve shkencore të historisë së Shasit është jo vetëm detyrë e autoriteteve vendore shqiptare, por nevojitë edhe mbështetjen e qarqeve politike dhe shkencore të Tiranës dhe Prishtinës, pasi ajo është një histori e pandarë dhe thesar i çmueshëm i trashëgimisë dhe identitetit kulturo-fetar të mbarë kombit shqiptar.
Në reagimin e fundit ndaj ceremonisë së liturgjisë ortodokse sllave nga popi I kishës së Ulqinit tek gërmadhat e kishave të Shasit, Organizata Ora dhe Bashkësia Katërkollë bëjnë thirrje që tu thuhet JO veprimtarive dhe dukurive të tilla qëllim këqia sllave, të cilat thuhet në reagimin e më poshtëm janë, “në kundërshtim me rrjedhën historike” të qytetit të vjetër të Shasit.

Pason reagimi i plotëi Bashkisë së katërkollës dhe i organizatës Ora, për ata që janë të interesuar.

Opština Ulcinj
Komuna e Ulqinit OJQ ‘’ORA’’
Mjesna Zajednica- Vladimir Nr. 40/15
Bashkësia Lokale- Vladimir Ulqin, 12.07.2015
Br./Nr. 04-07/15
Vladimir/Vlladimir, 12.07.2015
REAGIM
BL Vlladimir dhe shoqata Ora reagojnë në lidhje më organizimet e ceremonive fetare në objektet kulturore-historike që gjenden në Qytetin e Vjetër të Shasit të cilat janë publikuar në disa media të shkruara.

Qyteti i Shasit me shtresat kulturore arkeologjike që njihen deri më sot dëshmojnë rrjedhën e jetës në një periudhë prej rreth 8000 viteve. Me këtë rrjedhë historike trashëgimia kulturore e Shasit përfaqëson: historinë e kulturës neolitike (6000 – 3300 të eres së hershme) me të cilën zën fill historia e vendbanimit të Shasit, trashëgiminë kulturore të kohës së metaleve (3300 – 400 të eres së hershme) e cila fillon me kohën e bakrit (3300-2100) dhe vazhdon me kohen e bronzit (2100-1200 të eres së hershme) dhe te hekurit (1200-500 të eres së hershme) që është periudha kur vendbanimi i hershem i Shasit ishte i fortifikuar me mure ilire; trashëgiminë kulturore ilire të periudhës së Shtetit Ilir , kur Ana e Malit me qendren e saj të Shasit si trevë qendrore e hapsires ku merr vrullë zhvillimi i qyteteve ilire që fillon nga koha e dinastisë së Bardhylit (400 – 335 të eres së hershme) e vazhdon gjatë periudhës së dinastisë së Glaukut e dinastisë së Agronit zën një vend te rendesishem njëjtë si dhe gjatë gjithë periudhes antike kur dhe është e deshmuar rruga Ulqin-Shas-Shkoder; trashëgiminë kulturore të shekullit VI që përkon me periudhën e mbretërimit të perandorit ilir Justinianit, kur Ana e Malit është pjesë integrale e teritorit që administrohej prej kryeqendrës ilire – Justinianës; trashëgiminë kulturore arbnore apo të komanit; trashëgiminë kulturore të periudhës së Balshajve; trashëgiminë kulturore të kohës së re; trashëgiminë e kohës bashkëkohore e plot momente e ngjarje të rëndësishme të historisë sonë, shumë prej të cilave popullësia e Anës së Malit i ka ruajtur në legjenda e tregime.
Me këtë rrjedhë historike lokaliteti arkeologjik i Shasit perfaqëson rrjedhen e plotë të historisë së Anës së Malit dhe dëshmon identitetin shqiptarë të trevës sonë prej zanafillës e deri në ditët e sotme.

BL. Vlladimir dhe Shoqata Ora do të kërkojnë nga institucionet kompetente të mos lejojnë mbajtjen e aktiviteteve që bien në kundershtim më rrjedhen historike që është argumentuar në mënyr shkencore në lokalitetit arkeologjik të Shasit, me statusin që ka dhe që duhet të ketë lokaliteti arkeologjik i Shasit i cili është në procesin e hulumtimit shkencor së bashku më të gjitha objektet kulturo-hitorike që gjenden në këtë lokalitet i cili është në procesin e hulumtimit shkencor.

BL. Vlladimir dhe Shoqata Ora në bashkëpunim më institucionet kompetente do të finalizojë:
– Vënies në administrim e të gjithë lokalitetit arkeologjik të Shasit ashtu siç obligon ligji për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore (“Fl. zyr.”, nr. 49/10 e dates 13. 08. 2010);
– Revitalizimit të trashëgimisë kulturore të Shasit në harmoni më legjislacionin e Malit të Zi dhe konventave ndërkombëtare duke i venë të gjitha objektet kulturore hitorike në funksion të vlerave muzeale duke mos cenuar asnjë moment të rrjedhes historike të monumenteve kulturoro-historike dhe të lokalitetit.
– Vendosjes së eksponatave arkeologjike të Shasit në objektet kulturore-historike të këtij lokaliteti.
Në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit, Organizatën Turistike, Qendrën për Kulturë si dhe institucionet qëndrore kompetente do të vendosim qendrën turistike-informative, rojen e lokalitetit , si dhe vendosjen e zonës arkeologjike të Shasit nën mbikëqyrjen e kamerave.

Kryetari i Këshillit të BL Vlladimir Kryetari i Shoqatës “Ora
Sabri Salaj Bajram Mehmeti

Nga gërmadhat e qytetit të vjetër të Shasit

Fotografitë e botuara në Ulqinionline nga pjesëmarrja në shërbimin fetar të popit ortodoks, Bozhoviç në gërmadhat e Shasit

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, GRABITQARËT ANTI-SHQIPTARË PËRSËRI U TURREN, TROJEVE ARBËRORE

JAHJAGA: TAKIMI ME MBRETËRESHËN ELIZABETH II HISTORIK, MBART MË VETE NJË RËNDËSI TË VEÇANTË PËR KOSOVËN

July 15, 2015 by dgreca

-Presidentja Atifete Jahjaga u prit nga Mbretëresha Elizabeth II e Mbretërisë së Bashkuar/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Korrik 2015/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot nga Mbretëresha Elizabeth II e Mbretërisë së Bashkuar, në Oborrin Mbretëror në Buckingham Palace në Londër, me nderimet më të larta dhe me intonimin e himnit shtetëror të Republikës së Kosovës.
Takimin me Mbretëreshën Elizabeth II, presidentja Jahjaga e vlerësoi si historik, që mbart më vete një rëndësi të veçantë për Kosovën dhe që siguron mbështetjen për qytetarët dhe vendin nga Mbretëria e Bashkuar. Presidentja Jahjaga tha se Kosova e vlerëson mbështetjen dhe besimin e Mbretërisë së Bashkuar në qytetarët e saj për të arritur paqen, për të jetuar në liri dhe për të ndërtuar një vend demokratik.
Ajo theksoi se Mbretëria e Bashkuar ishte forca shtytëse e këtyre idealeve dhe vlerave që u ka dhënë shansin gjeneratave të reja në Kosovë që të punojnë për të ardhmen më ndryshe, dhe ishin mijëra ushtarë britanikë që i ofruan Kosovës sigurinë, duke mundësuar ndërtimin e institucioneve dhe një jetë të përbashkët.
Presidentja Jahjaga theksoi se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të jetë e angazhuar në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit në vendosjen e sundimit të ligjit dhe rendit dhe arritjen e paqes ndërmjet vendeve të këtij rajoni, në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.
Presidentja Jahjaga në bisedë me Mbretëreshën Elizabeth II foli për të arriturat e Kosovës në ndërtimin e shtetit demokratik, të bazuar në rend dhe ligj dhe një shtet gjithëpërfshirës, që garanton të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët, pa dallim, dhe gjithashtu një shtet kontribuues në sigurinë dhe paqen jo vetëm në rajonin e Ballkanit.
Presidentja Jahjaga tha se integrimi i vendit në NATO dhe në BE i ka bashkuar të gjithë qytetarët e tij dhe Kosova sot nuk ka alternativë tjetër. Ajo tha se po bëhen përpjekje të vazhdueshme për arritjen e standardeve për integrim evropian, përmes thellimit të reformave në shoqëri, përballjes me krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe vendosjen e një qeverisjeje të mirë, që do të mundësojë edhe rimëkëmbjen e ekonomisë dhe investimet e huaja.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë vazhduar të bëjnë punë të përbashkëta në fusha të ndryshme. Ajo tha se të dyja vendet janë angazhuar në parandalimin e dhunës seksuale gjatë luftës, ofrimin e mbështetjes edhe shëndetësore edhe sociale për viktimat e dhunës dhe përpjekjen për t’i integruar në shoqëri. Ajo tha se një grup ekspertësh britanikë, së bashku me autoritetet e Kosovës, kanë arritur që t’u ofrojnë viktimave nga Kosova të dhunës seksuale gjatë luftës, qasje në shërbime shëndetësore, në sistemin e drejtësisë dhe në mirëqenie.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova po vazhdon të ruajë dhe të kultivojë tolerancën dhe harmoninë ndërfetare, pavarësisht të kaluarës së saj të rëndë. Ajo tha se Britania e Madhe ka ndihmuar Kosovën në promovimin dhe kultivimin e tolerancës ndërfetare.

Filed Under: Kronike Tagged With: Jahjaga, Mbreteresha Elizabeth

EKONOMI- NJE PROJEKT ME VLERA TE SHUMFISHTA

July 15, 2015 by dgreca

*Nëse do të gjejnë përkrahjen e shtetit, problemi i fermerëve të Korçës do të jetë i zgjidhur përfundimisht./
*Prodhimi i maltove për birrë sjell kultivimin e shumë bimëve dhe shitje të garantuar të tyre. Një sipërmarrës vendas ose i huaj do t’i jepte jetë projektit/
Shkruajne:Ing. Engjell Sina & Specialist Demir Arëza*/
Gjatë 25 viteve të fundit jeta e fermerit korçar nuk ka qenë e lehtë. Ata asnjëherë nuk kanë qenë të orientuar çfarë duhet të mbjellin dhe çfarë kërkohet në tregun vendas dhe të huaj. Mbi të gjitha nuk kanë qenë konkurues. Shpesh herë prodhimet e tyre kanë mbetur pa shitur dhe dëmi ekonomik për ta ka qenë i madh. E njëjta gjë ka vijuar për vite të tëra me radhë. Janë hedhur ide të ndryshme si mund të dilet nga kjo situatë por deri më sot përmirësimet nuk kanë qenë ato që priteshin. Jo rrallë herë është menduar për rindërtimin e fabrikës së sheqerit, por investitorët e huaj pasi shohin gjendjen e fabrikës nga afër, ikin ashtu siç vijnë dhe nuk duken më. Pas çdo ikje të tyre e ardhmja e fermerit bëhet edhe më e pashpresë, mirëpo e vërteta nuk paska qenka kështu.

Studimi
Nga studimi që kemi realizuar rezulton se prodhimtaria e fermerit në qarkun e Korçës i ka të gjitha mundësitë për të qenë e suksesshme dhe me të ardhura të garantuara nga shitja e prodhimeve të tyre. Studimi bën fjalë për një punësim të përhershëm në përmasa të mëdha të fermerëve të Korçës. Aktualisht këtë gjë e bazojmë te fabrika e malterisë, ndërtuar në Sovjan të Korçës dhe te fabrika e alkoolit në Maliq, ndërsa më pas edhe te ngritja e fabrikës së sheqerit nga vetë biznesmenët vendas, pasi kjo fabrikë do të bëhet vetiu e nevojshme dhe do të tërheqë vëmendjen e investitorëve. Ne jemi të gatshëm të ndihmojnë për realizimin e këtij projekti madhor deri në implementimin e plotë të tij. Studimi, siç e theksuam edhe më sipër, pretendon punësimin masiv të fërmerëve që merren me bujqësi si dhe të atyre që kanë për aktivitet blegtorinë, pse jo edhe një punësim prej disa qindra vetash në fabrikat që do të përpunojnë prodhimet e ardhura nga fermerët. Pra, bëhet fjalë për një nga projektet më të sigurta të prezantuar deri më sot

Çfarë do të prodhohet
Sigurisht, si në çdo projekt madhor, fillimi është i vështirë, por jo në këtë rast. Nga ana jonë është përllogaritur me detaje gjithçka: çfarë bimësh do të kultivohen, sa do të jetë sasia e prodhimit, kush do të jetë blerësi, pse tregu do të jetë i garantuar etj. Studimi në fjalë synon prodhimin e maltos për prodhimin e birrës dhe maltos aktive, prodhimin e mushtit nga patatja, prodhimin e alkoolit, prodhimin e niseshtesë etj, si dhe të një sërë produkteve të tjera që mund të përdoren më sukses në blegtori për vetë vlerat ushqyse që kanë dhe çmimet e leverdisshme. Gjithsesi, le të ndalemi edhe një çast te prodhimi i maltove. Për prodhimin e tyre kërkohet kultivimi i shumë bimëve bujqësore, ose më konkretisht, fermerëve të Korçës do t’u kërkohen sasi të tilla prodhimi, si: 6.600 ton patate industriale në vit; 6.600 ton panxhar sheqeri në vit; 3000 ton elb polistik ose grurë në vit; 9.600 ton elb dyfletësh në vit etj. Gjithashtu, kërkohen sasi të të konsierueshme frutash, si: rrush, mollë, kumbulla, dardhë, boçe pishe, ftonj etj. Pa u thelluar në detaje teknike, për informacion, mund të sjellim një shembull të tillë: nga sasia prej 9.600 ton elb në fund të procesit sigurohet një masë prej rreth 7.488 ton malto në depozitë (sillozet) e gatshme për t’u tregtuar. Përfundimi: nga 128.2 kg elb distik dyfletësh përfitohen 100 kg malto për birrë.
Mato aktive

Së dyti, do të realizohet prodhimi i maltos aktive që do të përdoret në fabrikën e alkoolit në Maliq gjatë përpunimit të patates dhe panxharit të sheqerit për prodhimin e distilateve alkoolike 70%, me reflektim dhe aromatizim të produktit. Në malterinë e Sovjanit do të përpunohen 3.000 ton në vit elb polistik apo ekuivalenti në grurë duke kaluar në të gjitha ciklet e procesit dhe do të përdoret direkt siç del nga procesi. Krejt sasia e kërkuar nga linja e alkoolit do të jetë 2.640 ton në vit malto aktive. Siç e thamë edhe më sipër, fillimisht gjithçka do të bazohet te dy fabrikat: e malterisë në Sovjan dhe e alkoolit në Maliq. Hapi i parë i këtij projekti do të jetë nënshkrimii një marrëveshjeje me pronarët e dy fabrikave, të cilët do të jenë blerësit e prodhimeve të fermerëve të Korçës.

Prodhim mushtit nga patatja
Gjithashtu në studimin tashmë të përfunduar, kemi parashikuar edhe prodhimin e mushtit nga patatja. Kjo linjë e studiuar si në stadin laboratorik ashtu edhe në provat pilot, shoqërohet detyrimisht me skemën e projektit teknologjik për prodhimin e mushtit në stadin industrial me përmasa të mëdha në listën e makinerive dhe pajisjeve të domosdoshme për ecurinë e linjës së prodhimit. Në kompleksin për rikonstruksionin e pajisjeve të fabrikës së niseshtesë në Maliq do të përpunohen rreth 42 ton patate në ditë në bashkëveprim me rreth 4.2 ton malto aktive në ditë. Nga kjo skemë, duke përpunuar rreth 42 ton patate dhe 4.2 ton malto aktive do të prodhohen rreth 42.000 litra musht maltose në 24 orë, njëkohësisht do të veçohen si bërsi rreth 40 ton me lagështirë. Gjithashtu kemi marrë parasysh edhe mundësinë e eksportimit. Për këtë arsye, do të përgatiten kampionaturat për përdorim brenda dhe jashtë vendit. Këto do të realizohen nga prova e parë teknologjike që do të realizohet me përmasa të mëdha dhe pasi të jenë rezultatet, krahas ndërtimit të frabrikës së sheqerit në Maliq të bëhet e mundur të funksionojë dhe ky kompleks (malteria Sovjan dhe fabrika e alkoolit Maliq), shumë afër njëra- tjetrës, e cila vuan vetëm për organizimin e aktivitetit dhe sigurisht me një shtytje dhe kujdes shtetëror. Ky do të ishte një rast i mirë dhe i shpejtë për punësim konkret dhe të vazhdueshëm në përmasa të mëdha të fërnërëve

Për blegtorinë
Pra, siç e theksuam edhe më sipër, nga prodhimi i 4.2 ton malto, veçohen edhe 40 ton bërsi me lagështirë. Kjo bërsi është shumë e përshtatshme si ushqim për bagëtitë, veçanërisht për lopët dhe derrat. Fermerët në këtë zonë do te kenë nevojë për bërsi sepse ato janë të përpunuara, me to krijohen receptura të ndryshme përzjerjeje, gjithashtu krijohet mundësia e ndërtimit të stallave të mëdha me shumë lverdi. Përveç prodhimeve të lartpërmendura, nga proceset teknologjike veçohen 16.500 ton në vit bërsi me lagështi që përbëjnë një ushqim ideal për të gjitha llojet e bagëtive. Ndërtimi i stallave të mëdha pranë objekteve të pasura me ujë të bollshëm, shërbimi do të ishte një aktivitet shumëfitimprurës në të cilën investimet nuk do të shkonin kot. Në atmosferë lirohet gaz karbonik, një gaz biologjik i cili për nevoja të ekonomisë mund të disiplinohet dhe të shfytëzohet duke u mbushur nëpër bombula me gaz ushqimor

Punësime në fabrika
Përveç punësimeve në bujqësi edhe punësimi në fabrikë do të jetë i ndjeshëm pasi do të punësohen me qindra persona. ku është e nevojshme të kryhen një numër i madh procesesh. Sjellja e lëndës së parë, e patates industriale dhe e maltos aktive sipas kërkesave teknologjike do të realizohet me makina. Kjo lëndë, patatja, do të depozitohet në kavaleta pastaj në bunkerin operativ të fabrikës. Para se të përdoret patatja industriale, fillimisht ajo ka nevojë për procesin e pastrimit nga dherat. Kjo do të realizohet me anë të larjes me ujë në lavatriçe që do të vendoset për ketë qëllim. Patatja para se të hyjë në këto procese ka nevojë të cpëzohet, mundësisht sa më imët, gjithashtu me makinerinë e përzjerjes dhe pompës së llumit realizohet më së miri homogjenizimi i tre komponentëve të ngarkesës. Patate –malto dhe tretësirë me ph të caktuar. Procesi teknologjik garanton kalimin e plotë të amidonit në maltozë. Përfundimisht në baterinë e pompave të fuqishme do të dërgohet në linja respektive të prodhimit të mushtit të frekuentur, nga i cili prodhohet alkool 95 gradë. Prodhimi ditor do të jetë musht parafermentimit 42.000 litra dhe bërsi me lagështirë 40.000 kg

Prodhimi i distilave alkoolike
Prodhimi i distilave alkoolike me 70% alkool në përbërje, i aromatizuar sipas llojit të frutit dhe kerkesës së tregut. Kjo do të realizohet në fabrikën e akloolit në Maliq, pajisjet e se cilës janë në gatishmëri të plotë. Aktiviteti i saj do të jetë ky: ditë pune efektive në fabrikë 300; prodhimi ditor 8000 litra aklool 100%, i konvertuar në distilat alkoolike me 70%, në volum alkool gjithsej 11.400 litra dhe i aromatizuar me frutin përkatës, si: rrush, mollë, kumbulla, dardhë, boçe pishe, ftua etj. Sasia vjetore e prodhimit të alkoolit 70% si distilat i aromatizuar 340.000 litra. Ky prodhim vjetor ka nevojë që sektori i bujqësisë të sigurojë prodhimet bujqësore të sipërshënuara. Distilati alkoolik me 70% alkool në përbërje do t’i nënshtrohet një analize të plotë fiziko-kimike dhe organoleptike
Realizimi i projektit

Për realizimin e këtij projekti madhor na duhet të organizojmë një grup projektimi për një periudhë tre mujore për të kryer projektin e plotë të rikonstruksionit të ish-fabrikës së niseshtesë në Maliq, e cila do të përshtatet për prodhimin e mushtit në formë maltose të parafermentuar. Kjo është lënda e parë për prodhimin e alkoolit etilik 95 gradë, shumë cilësore, konform normave të Bashkimit Europian, ai plotëson të gjitha normat organo-leptike dhe kimike. Me këtë iniciativë praktike lind domosdoshëmria e sigurimit të lëndës së parë përpunuese të patates industriale në vend. Kjo kombinohet me malton aktive të elbit ose të grurit, e cila prodhohet nga vetë fabrika ose mund të sigurohet nga malteria në Sovjan ose në formën ALFA dhe BETA. Atëherë, përfundimisht mund të themi, nëse do të gjejnë përkrahjen e shtetit, problemi i fermerëve të Korçës do të jetë i zgjidhur përfundimisht.
* Ne Foto:Ing. Engjell SINA

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Demir Arreza, Engjell Sina, nje projekt, qe po pret realizimin, shteti

KUJT DUHET T’I SHËRBEJË LIGJI I ARSIMIT, PEDAGOGUT APO STUDENTIT ?

July 15, 2015 by dgreca

Opinion nga Gëzim Llojdia/
Ligji i arsimit të lartë është ndoshta projektligji më i diskutuar ndër ligjet që janë dërguar në kuvend. Njëmijë arsye që nxirren, kanë vetëm një shkak. Ky projekt të mos vihej në zbatim. Duke qenë se ky ligj është shumë i rëndësishëm për arsimin shqiptarë ngase ai vë në një front shtetin dhe privatin, ngërçet në fund të fundit këtë kanë synuar. Meqenëse ligji ka shumë fletë,nene dhe të tjera duhet të kujtojmë disa gjëra që ky ligj vë në vend.
a-Çdo të bëhet me pedagogët të cilët me ligjin e vjetër duhet të shkojnë të gjithë ose në burg ose ta shikojnë vetën jashtë këtij sistemi. Pra bëhet fjalë për korrupsionin.
Të gjitha format për ta luftuar kanë dështuar të gjitha. Rasti i fundit në shtetërorin e Vlorës,por edhe në Tiranë,Durrës,Elbasan, Korçë,pra ku ka universitete shtetërore,pra :”ku ka zë s’është pa gjë”, tregoi se në çdo sezon provimesh një pedagogë dhe sekserët e tij do ta gjenin vetën të akuzuar ,të përfolur ose të arrestuar. Si do ti vejë filli kësaj pune nëse nuk luftohet me rrënjë sistemi. Të gjithë flasin dhe thonë ,shajnë dhe ofshajnë kundër këtij fenomeni. Të gjithë ngremë zërin në qiell ,ngase padrejtësitë te shtetërori janë aq të mëdha sa në botë nuk njohin kësi absurdesh.
Pra ky sistem i dështuar që ka pjellë korrupsionin në masë te universitetet shtetërore luftohet vetëm me ligjin e ri. Përse kundërshtohet nga forumi ky ligj dhe më saktë nga pedagogët e universitetit shtetëror? Kanë hallin e tyre apo të studentit ?
Me ligjin e ri ikin shumë pedagogë dhe bëhet mirë që ikin ngase ashtu edhe kanë ardhur në këtë sistem si në një front pune të re sepse ky lloj sistemi ka dështuar sepse barazohet me të aftin i paafti sepse barazohet profesori me asistentin,madje ky i fundit bënë edhe rolin e sekserit. Por po ju kujtojmë vetëm një çudi,një lëndë në universitet shtetërorë ka vetëm 1 kredit. Pra duke u punësuar një pedagogë futet edhe një lëndë qoftë edhe e panevojshme sepse parate janë të taksapaguesve shqiptarë të cilëve asnjëherë nuk i është thënë se përse janë shpenzuar.
b-Parat e taksapaguesve shqiptarë shkojnë vetëm për të fryrë organika,për ndërtime,për komoditete për të shtuar pedagogë,menaxherë e gjithfarë “ushtrie të panevojshme”pra një prapavijë që shpenzon miliona për paga,sigurime pa folur për korruptimet në fund me tenderë. Mjaftojnë të kujtojmë faktin, që KLSH ka ushtruar jo pak kontrolle duke zbuluar çudira në tenderë e abuzime me parat e taksapaguesve shqiptarë. Përse ne duhet të paguajmë kaq shtrenjtë këtë sistem të dështuar arsimor kur dihet se bota dhe eksperienca e universiteteve private tregon se si mund të menaxhohet fare mirë ky sistem me shpenzime më të ulta.
Parat e taksapaguesve shqiptarë kanë shkuar dëm për një ushtri “urithesh” që janë vendosur në prapavijë e cila ka përvetësuar dhe përvetëson milion në rrugë të ligjshme dhe të paligjshme. Përse ne si taksapagues duhet të paguajmë për një sistem të tillë gati të dështuar dhe për një ushtri të panevojshme?
Besoj se është kuptuar se zhurma e madhe bëhet nga pedagogët e shtetërorit, ndërsa në debat nuk thirren ata të privatit me pretendimin se ky ligj i shërben privatit. Ulërima e tyre, që parat e taksapaguesve shqiptarë nuk duhet të shkojnë te privati është një absurd i madh?Dhe nëse thuhet për një finish të barabartë si mund të vihen në kushte të barabarta si duhen vënë ,apo që sërish të favorizohet shtetërori ai që përlan parat e taksapaguesve ai që zhytur këtë sistem në korrupsion dhe gjithçka që ka ky sistem është pjellë e tij,duhet kuptuar që edhe privati ka një mori problemesh. Hileja është te shtetërori,lepuri fle te shtetërori dhe këta e kanë kuptuar ku rreh çekani prandaj thërrasin studentët duke u bërë presin te nota e provimet për të bërë greva e mitingje kundër projektligjit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Llojdia, Ligji i Arsimit, opinion, Pedagogu, studentet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3713
  • 3714
  • 3715
  • 3716
  • 3717
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT