Në mbështetje të neneve 8 dhe 57 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në LIGJIN Nr. 69/2012 PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, Neni 11 (Arsimimi për fëmijët shqiptarë jashtë vendit), si dhe të përvojës katërmbëdhjetëvjeçare të mësimit plotësues të gjuhës shqipe nga mësues vullnetarë në Greqi e gjetkë,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË:
VENDOSI
Neni 1.
Të njihet mësimi i gjuhës shqipe në mërgatë, shkollat dhe mësuesit.
Neni 2. Shpenzimet për shkollimin shqip të fëmijëve në mërgim miratohen si zë i veçantë në Buxhetin e Shtetit të Republikës së Shqipërisë.
Neni 3.
Shkolla shqipe në mërgim është pjesë organike e shkollës shqipe në Republikën e Shqipërisë.
Neni 4.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Arsimit dhe e Sporteve të lidhin aktmarrëveshje me të gjitha vendet pritëse të mërgimtarëve shqiptarë në mënyrë që mësimi të zhvillohet në mjediset shkollore, si gjuhë e dytë ose si mësim plotësues i Gjuhës Shqipe.
Neni 5.
Burim për financimin e mësimit të gjuhës shqipe në mërgatë janë:
a.- Buxheti i shtetit;
b– të ardhurat nga shërbimi konsullor në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Shqipërisë në botë:
c.- dhurimet dhe sponsorizimet;
d.- të ardhura të tjera të ligjshme.
Neni 6.
Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore që rrjedhin nga ky ligj.
Shënim: Ftoj deputetët, Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Ministrin e Punëve të Jashtme, Ministren e Arsimit dhe Sporteve, shoqërinë civile, median e shkruar dhe elektronike, të gjithë ata që e kanë në shpirt gjuhën e bukur shqipe, t’i mbështesin me të gjitha mënyrat mësuesit e gjuhës shqipe në mërgatë që fjala dhe germa shqipe të jetojë ndër breza…
Abdurahim Ashiku
Gazetar-ish mësues
Shënuar më 1 qershor 2015, Ditën Botërore të Fëmijëve
„MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS“ BESË BURRASH PËR ATDHEUN
Shkruan:Eugen Shehu/
Shqiptarët,gati të vetmuar për nga konstitucioni moral i Evropës së qytetëruar,enden deri më tash në qerthujt e frikshëm të kanunit të maleve.Bjenë e ngriten si në jerm,si në ëndërr,duke paraparë sigurisht një qiell drite diku në ardhmëri.Përmes atij dimensioni drite është sigurisht ajo vlerë e çmuar ; BESA !
Kjo prej shekujsh i asht dhanë,mikut ,shokut,të afërmve të dashur apo edhe dikujt që mund ta shohësh për të parën dhe të fundmen herë.Dhe besa ka jetuar gjatë.Po,kur,këtë besë,ja jep atdheut, atëherë fjala fiton peshë tjetër.Ajo bëhet gur themeli në ate kështjellë që topat e mitralozat e armiqve,kurr s’munden me e rrëzu,e që quhet atdhetari.Aty ku fillon besa ndaj atdheut,natyrisht humbet përgjithmon jeta e mjer e njeriut të vogël. Kësaj bese me peshë prej guri,do ti qëndronin gati në fillim të vitit 1918,qindra e mijëra shqiptarë që intuitivisht ndjenin se i vetmi shans ( në mbarim të Luftës së Parë Botërore) për mos t’u bërë më tej pre e lakmive të fqinjëve,ishte pikërisht bashkimi i tyre.Dihet tani më se Shkodrën e vitit 1915,një grusht burrash mëmëdhetarë,të organizuar prej Kadri Prishtinës (Hoxhë Kadria) patën formuar një „Komitet të Fshehtë“ i cili mund të merret si embrion i Komitetit të ardhshëm të „Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës“. Duhet thënë se veprimtaria e fshehtë e këtij Komiteti,tek e mbramja u dallua së tepërmi në propagandën për bashkimin e krejt trojeve shqipëtare,në një shtet të pavarur,zot të fateve të veta,me gjuhën dhe etninë e vet.Ndërkaq,në aspektin gjeografik,ky komitet ndonëse në ilegalitet të plotë u shtri në veri të Shqipërisë e gati në krejt Kosovën pa lënë menjanë edhe viset e Maqedonisë Shqiptare.Ndërhyrjet e panumërta,të pabesë,të egra,të fqinjëve tanë ballkanike në vitet 1915 – 1918,jo vetëm nuk e shuan dot zjarrin në shpirtin e besëdhënësve shqiptarë por përkundrazi e ndezën dhe më tepër atë nën një shpresë më të madhe për liri e prosperitet kombëtar.Tashmë çetat e vullnetarëve shqiptarë të udhëhequr prej Azem Galicës,Ali Pashë Gucisë,Hysen Budakovës,Sadik Ramës,Bajram Currit,Elez Isufit,Sali Butkës,po shkruanin faqe heroizmi në luftën e tyre të paepur për ruajtjen e kufijve të atdheut të tyre.Këto beteja të zhvilluara,në një rrafsh tjetër,u dëshmonin kancelarive diplomatike të kohës se ndjenja e shqiptarëve për pavarsi e bashkim të trojeve etnike jo vetëm nuk do të humbiste nëpër fortunat por do të ritej me shpejtësinë e ortekut në male me dëborë.
Pikërisht në këtë situatë të trazuar të Shqipërisë,në vitin 1918,“Komitetit i Fshehtë“ u inkuadrau në një lëvizje më madhore,vepruese dhe të përkrahur tashmë prej atdhetarëve të shquar të parisë shqiptare.Ka qenë pikërisht dita e parë e majit e vitit 1918 kur në Shkodër,në mbledhjen e parë,ky komitet u quajt,“Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“.Kryesia e këtij komiteti u bëri një vlersin të saktë situatave të krijuara dhe veçmas atyre në Kosovë.Forcat e mëdha ushtarake serbe kishin filluar rreprezalje të mëdha në fillim të atij viti ku numrat e saktë të shqiptarëve të vrarë,e të masakruar,dënuar apo dëbuar me forcë prej tokave e vatrave të tyre,ende deri më sot nuk janë saktësisht të njohur.Shqiptarët e Kosovës,pos varfërisë u bënë në këto kohra,preh e dominimeve të Fuqive të Mëdha dhe e vasaleve të tyre. „Kufiri në mes të Bullgarisë dhe Austro-Hungarisë,ishte prej fshatit Milloshevë nëpër lumin Llap,deri tek derdhja e tij në Sitnicë,pastaj kalon tek pyjet e Ciçavicës,nëpër mesin e Drenicës ku përfshinte Rakovecin me rajonin e tij dhe kalonte në Drinin e Bardhë deri në Prizëren.Pra siç shihet,nën okupimin bullgar mbesin : Llapi,Prishtina,Gjilani, Kamenicaq,Vitia,Kaçaniku,Ferizaj,Lipjani,Gllogovci,Suareka,Rahoveci dhe Prizëreni“.( L.Rushiti „Rrethanat shoqërore-politike në Kosovë 1912 – 1918“ faqe 178 .).
Përballë kësaj gjendje kaq të ndjerë prej trazimeve ballkanike,komiteti „Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“ vendosi të ndërrmarë hapa konkrete çka mund,të fitohej në kohë dhe në terrenin konkret luftarak.Tri ishin drejtimet kryesore mbi të cilat u përqendruan udhëheqsit e këtij komiteti në ditët e para të majit 1918.
E para, organizimi dhe shtrirja e menjëhershme në degë të këtij Komiteti,pothuaj në krejt trevat veriore të Shqipërisë,në Kosovë dhe Maqedoninë Shqiptare.Në krye të këtyre degëve do të viheshin njerëz trima,që kishin treguar më parë se e donin atdheun.
E dyta , organizimi i njësive vullnetare shqiptare të cilat do të merrnin udhëzime direkte nga Komiteti „Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“ dhe do të mund të përdoreshin vetëm në funksion të pavarsisë dhe bashkimit të trojeve etnike shqiptare.
E treta, angazhimi i detyrueshëm për ndërkombëtarizimin e çështjes kombëtare shqiptare në Evropë dhe Amerikë
Pas mirëkuptimit të thellë mbi rrugët e realizimit të këtyre synimeve,Komiteti kreu dhe zgjedhjet ku në unanimitet të plotë kryetar u zgjodh personaliteti i shquar atdhetar Hoxhë Kadri Prishtina,sekretar Bedri Pejani dhe nënkryetar Hysni Curri i cili posaçërisht u ngarkua të organizojë dhe udhëheqë rezistencën e armatosur të kryengritësve.
Mendoj se zgjedhja e Shkodrës si qendër e këtij Komiteti,ka të bëjë sa me praninë e forcave ndërkombëtare në këtë qytet asi kohe,aq edhe me një sërë konsullatash të huaja që funksiononin aty. Kjo do t’u jepte mundësi edhe punë por edhe afirmim,krerëve të Komitetit „Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“ të cilët nën praninë e një force ndërkombëtare,kuptohet do ta kish më të lehtë punën.Dihet se në fillim të veprimtarisë së vet,komiteti filloi punën krejt ilegalisht.Kanë qenë ndërhyrjet e njëpasnjëshme të Hoxhë Kadriut,me cilësinë e kryetarit të Komitetit tek autoritetet Franceze të qytetit,të cilët mundësuan legalizimin e tij.Fill pas legalizimit,komiteti nxori organin e vet publicitar,gazetën „POPULLI“ në nëntorin e vitit 1918.Rreth kësaj gazete u bashkuan atdhetarët e mençur shqiptar të cilët edhe pse vinin prej krahinave të ndryshme, e patën kuptuar se drejt një bashkimi kombëtar duhej ecur me pendë,me pushkë, me vëllezërim gjaku e jo me paragjykime krahinore.Gjuka,Nivica,Ceka,e Topulli do të ishin me faqet e kësaj gazete,tribunë të shpirtit të pavarur arbëror,të aspiratave liridashëse dhe demokratike të popullit tonë.
Sidoqoftë edhe pse autoritetet e larta ushtarake të qytetit të Shkodrës lejuan funksionimin e këtij komiteti në qytetin verior,degët e nëndegët e tij në Kosovë u ngritën dhe vijun punën e tyre jo vetëm ilegalisht por edhe nën presionin e vazhdueshëm fizik dhe psikologjik të propagandës serbo-malazeze e bullgare.Veçanërisht në Ferizaj,Vushtri e Podrimje,jeta e krerëve të degëve të këtij komiteti kaloi përmes një kalvari të egër të vuajtjeve.Kjo është e kuptueshme ngase ndër idetë kryesore për të cilën luftonte „ Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“ ishte bashkimi i krejt territoreve shqiptare të lira apo të rrobëruara duke mohuar padrejtësitë që iu bënë këtij kombi në vitin e mbrapshtë 1913.
Pesha e veprimtarisë së këtij Komiteti në jetën politike dhe shoqërore të vendit tonë me kalimin e kohës bëhet mjaft e madhe.Veçanërisht drejtuesit e komitetit gëzojnë reputacion në popull.Kështu, nëse Qeveria e dalë nga Kongresi i Durrësit,nuk mundi ti realizonte qëllimet e veta të hapura antishqiptare e proitaliane,kjo përpos të tjerave i dedikohet veprimit të matur politik e diplomatik të komitetit „Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“.Krejt hapur në popull,por edhe në rrethet politike të kohës,sidomos Hoxh Kadria,Vehbi Dibra,Sali Gjuka e Bedri Pejani,demaskuan traktativat e pushtetarëve shqiptar për t’u futur në ombrellën politike italiane duke marrë peng lirinë dhe pavarsinë e kombit tonë.Përpjekjet për një Shqipëri vetqeverisëse,u shfaqën dukshëm edhe në luftën diplomatike të komitetit „Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“.Dihet tanimë se përfaqsuesit e këtij komiteti në konferencën e Paqës në shkurt të vitit 1919 ishin atdhetarët e mëdhenj shqiptarë Gjergj Fishta dhe Mid’hat Frashëri.Interesante është të dihet se mbi bazë të një shkrese lëshuar prej udhëheqësve të këtij komiteti,këta dy burra mendimtarë mund të përfaqsonin „Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës“ vetëm nëse do të deklaronin në kongres dy vendime të vegjëlisë shqiptare.
Epara – të pranohej prej Evropës një Shqipëri e vetqeverisur, dhe E dyta – të bashkoheshin me shtetin amë krejt troijet etnike shqiptare të coptuar padrejtësisht në Londrën e vitit 1913.
Pra siç shihet në përpjekjet diplomatike të Komitetit të Kosovës,nuk lihet jashtë vëmendjes edhe Çamëria. Dhe kjo vlen të kuptohet si duhet.Nëse ky komitet organizohej edhe në jug të Shqipërisë,nëse ky komitet mbante lidhje me trimat e Çamërisë,kjo bëhej ngase në vitet 1920-1925,qeveria greke e asaj kohe ndërmori veprime shfarosëse ndaj shqiptarëve të pa fajshëm në tokat e veta.Ky akt,( dhimbja e kosovës për çamërinë) tregonte përpos të tjerave se burrat e Shqipërisë ishin tejpamës në përpjekjet e tyre.Pikërisht,duke alternuar përpjekjet diplomatike me ato politike në vend,ndërkohë që zhvillohej Konferenca e Paqës e polemizohej aty për Shqipërinë,Hoxh Kadria me shokë mblidhte popullin e Shkodrës e të malsive të saj dhe deklaronte në mënyrë të hapur e soleme ; „Nëqoftëse jemi bijtë e atyre të Lidhjes së Prizërenit,do ta shpëtojmë Shqipërinë, përndryshe ate e coptuan“.
(Arkivi Qendror i Shtetit,fondi 846 , dosja 33 , fleta 3).
Të inicuar prej ideve të këtij komiteti,mjaftë shqiptarë të ndershëm që mbanin detyrë të rëndësishme në administratën shtetërore të qeverisë së Durrësit,u përpoqën me çdo mjet për të sensibilizuar masat e gjëra të popullit,lidhur me idetë dhe vendimet që vinin prej Shkodre.Ndër këta natyrisht ze një vend të nderuar,atdhetari Halim Gostivari i cili në cilësinë e shefit të Rendit në Durrës,punoi kurdoherë në frymën e ideve të „Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës“.Më pas është pikërisht ky trim prej Gjakove (por me preardhje familjare nga Gostivari) i cili pa u tutur prej rrezikut të rënies prej hierarkisë ushtarake,në krye të disa trimave të tjerë u vu në mbrojtje të plotë të zhvillimit të Kongresit të Lushnjës.
Pranvera dhe vera e vitit 1919,do të vinte në Kosovë së toku me një terror të pashembullt,të organizuar e drejtuar prej kancellarive ushtarake të beogradit.Kolonët serb,të përkrahur sa prej ligjeve të tyre aq edhe prej veglave të verbëra policore,jo vetëm terrorizonin e plaçkisnin fshatrat e krahina të tëra të Kosovës por njëherazi nguleshin në tokat tona si kolonë dhe në Maqedoninë Shqiptare duke shpallur luftë të hapur ndaj etnisë shqiptare. Përballë kësaj gjendje mjaft të rëndë,krerët kryesor të komitetit,përgadisnin një plan të detajuar për organizimin luftarak e civil të shqiptarëve të emërtuar ; „Program i Përgjithshëm i Kryengritjes së Kosovës“.Realisht ky program,përmblidhte në vetvehte të gjitha zhvillimet luftarake dhe mundësitë e përballimit të makinës ushtarake serbe dhe malazeze.Mendoj se është tepër e vlershme të dihet prej shqiptarëve (por edhe fqinjëve tanë) se ky program lufte bëhej tek e mbramja për të mbrojtur jetën, vatrat,fëmijët,nderin,dhe trojet Shqiptare.Kjo luftë nisej nga një mision i madh i mëvonshëm,ai i paqës. Lidhur me këtë die une mund të sjell vetëm një pikë të këtij programi luftarak në të cilën shprehet kategorisht ; „Kot e pa nevojë as gjaku i popullit tonë,as gjaku i popullit armik,s’ka me u derdhë.Por aty ku asht nevoja,nji kryengritës s’ka me kursye aspak gjakun e vet“. (Arkivi Qendror i Shtetit fondi 846,dosja 2,dokumenti 708).
Po në prill të vitit 1919,komiteti „Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“ i dërgon Papës së Romës një letër në të cilën ve në dijeni për krejt çka ndodh në Kosovë.Letra shoqërohet me të dhëna të sakta të barbarive serbe,me shifra të vrarësh,të dëbuarish me dhunë,apo lista e fshatrave të tëra të djegura.Jo pa qëllim,në këtë letër i kujtohej Papës e kaluara gjenetike e shqiptarëve e nënçmuar në ato ditë prej Evropës së qytetëruar.Iluzionet,përpos të tjerave,binin mbi Francën e cila duke patur interesa të mëdha ekonomike dhe gjeostrategjike në Jugosllavi,mbyllte sytë paturpërisht përpara dramës së mënxyrshme shqiptare.
Sipas planit të ideuar në tryezën e komitetit të Kosovës,kryengritja e përgjithshme pati një shtrirje mjaft të gjërë.Mbi dhjet mijë luftëtarë të udhëhequr prej Azem Bejtës në Drenicë,Ram Alisë në Pejë, Sadik Ramës në Rahovec,shkruan faqe të lavdishme heroizmi në këtë fillim shekulli.Të përkrahur edhe prej forcave e veprimeve luftarake të Bajram Currit dhe Elez Isufit në Tropojë e Dibër,luftëtarët e kosovës në krye të herës aritën të ndalin valën shfarosëse të genocidit serb.
Sidoqoftë në vjeshtën e këtij viti,kryengritja gati shteroi në veprimet luftarake pasi u munguan në çdo rast armatimet përballë serbëve që furnizoheshin rregullisht nga vija bograd-moskë.Mandej pikërisht në këtë kohë jan dhe nja dhejtmijë rus të bardhë (bjellogardist)që vijn të luftojnë në kosovë përkrah serbëve në funksion të ndërtimit të Sërbisë së Madhe.Përballë kësaj gjendje,kryengritësit u shpërndanë gjithsesi duke i treguar Evropës shpirtin e palëkundur të shqiptarëve për pavarsinë e bashkimit të trojeve.Komiteti i Kosovës,veproi në këtë kryengritje si një shpirt i saj.Ai diti të organizoj popullin ushtarakisht,ta drejtojë ate politikisht por edhe të mbrojë aspiratën e tij madhore në qarqet diplomatike të kohës.
Një dimension tjetër që rrëfen veprimtarinë gjithkombëtare të komitetit të Kosovës,është padyshim,lidhja e ngushtë me ngjarjet e trevave shqiptare në Mal të Zi.Gjatë krejt funksionimit të vet,komiteti pati në kryesi përfaqsues të këtyre trevave i cili mirrte pjesë rregullisht në veprimtari të shumta me karakter kombëtar.Në fund të vitit 1919 popullsia e pambrojtur e Plavës dhe Gucisë u gjend krejt pa pritur në një dhunë të paparë deri asaj kohe të formacioneve të rregullta të ushtrisë malazeze.Natyrisht ky dhunim i egër i të drejtës për të jetuar,ndërthurej me planet serbe të zhdukjes masive të shqiptarëve.Lidhur me këto krime të ushtarëve malazias,një dëshmitar okular thote :
„E përshkruaj ate ngjarje vet,meqë u ndaodha nën mrojtjen e një malaziasi në shtëpinë time.Quhej Aleks Gjuriqi.Ky malazias përveç meje kish marrë nën mbrojtje edhe shumë familje shqiptarësh.Malazezët sulmuan në gjdo lagje,futeshin nëpër shtëpitë muhamedane shqiptare,njerëzit i vritnin pa kurrfarë mëshire kurse mallin e gjënë e gjallë e plaçkisnin.Një turmë malazezësh sulmuan shtëpinë e Aleks Gjuriqit,ku ndodheshim neve,në mbrojtje,në besë.E thyen portën e avllisë dhe pastaj ate të vetë kullës,ku i zoti i shtëpisë nuk mundi ti ndalojë ate turmë si llavë ujqish të vërtetë.Këto egërsira nxuarën shumë njerëz nga mbrenda që ishin shqiptarë,burra gra dhe fëmij,afër 50 vetë,i zbritën në katin e dytë ku ishin shtallat e kafshëve,i lidhën nëpër dyreket me litarë dhe nuk i vrisnin me plumba pushkësh por i ç`ponin me syngjija… Aty kam parë gruen shtatzane që e ç’puen me bajonetë dhe foshnja që nxori bajoneta në maje u flak në pleh aty afër“.
(E.Plava“Plava dhe Gucia në lëvizjen kombëtare shqiptare“ kujtime dhe dokumente historike faqe 155 A.Q.SH.SH.)
Për hir të së vërtetës duhet thënë se veprimet luftarake të çetave shqiptare në Mal të Zi,sa vinin e bëheshin më konkret në drejtim të kërkesave të tyre për pavarsi e bashkim të trojeve etnike shqiptare.Në këto veprime luftarake,vihej re një vlim i shpirtit shqiptar i cili kërkonte të fitonte lirinë e atdheut me çdo çmim,me çdo sakrificë.Bijtë e Ali Pashë Gucisë e Jakup Ferrit,duke bashkuar gjokset me burrat e Bejto Plavës e Isa Boletinit,njëherazi me përpjekjet e tyre politike, duke kërkuar pavarsinë me grykën e pushkëve dëshmuan frymëm luftarake e besimin e palëkundur të tyre në bashkimin e trojeve.Plava e Gucia,me krejt rrethinat e tyre,gurgulluan prej lumenjëve të gjakut duke iu kujtuar jo vetëm ushtrive malaziase,serbe e ruse por krejt Evropës së qytetëruar se paqja mund të vijë vetëm nëpërmjet shungullimave të luftërave për liri e demokraci.
Duke përfituar edhe nga afërsia natyrore e këtyre trojeve me Shkodrën,me këtë zemër të Komitetit të Kosovës,kapedanë çetash zbrisnin prej maleve duke ardhur në këtë qytet dhe duke biseduar e marrë udhëzime konkrete mbi lëvizjet politike dhe ushtarake të forcave vullnetare që vepronin për pavarsi.Ndërkaq,edhe prej kryesisë së Komitetit të Kosovës,është treguar kujdes i vazhdueshëm për të vënë në dijeni popullin dhe parinë e Plavës e Gucisë lidhur me ate veprimtari të bollshme kombëtare që kjo kryesi zhvillonte enkas për trojet shqiptare të ndara padrejtësisht prej trungut amë,prej lakmive gjakatare ballkanike.Kështu në një telegram që kjo kryesi dërgon me 31 janar 1919,thuhet përpos të tjerave ;
„Parisë dhe popullit të Plavës e Gucisë ! Zotërinj ; Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen,që nga fillimi i aktivitetit të tij,ka ba çdo përpjekje,e sidomos brenda tri muajve të fundit e ngriti zanin për çlirimin kombëtar me anë të komiteteve të formueme në vendet Evropiane dhe t’amerikës,tue e vue në dukje masakrat e bamuna nëpër Kosovë,në popullin trim,nga serbo-malazezët.Rezulltatet e protestave tona janë ;
1)-Derisa të përfundojëkrahina e Plavës me Gucinë të mos pushtohet nga malazezët ose serbët.Për këtë gja ka urdhnue vet Komandanti i Lindjes,gjenerali Frances Doprier (urdhën i premë) për meritë sidomos që ajo krahina (Plava me Gucinë) e ka të fitueme në saj të trimërisë qi tregoi vet ay popull.Pra „bashkimi dhe besnikëria shembin malet“… Nga dashuria qi kemi ushqye dhe ushqeni për atdhe,si deri tash,duhet akoma përpjekje e tillë e vazhdueshme dhe nuk ka dyshim që së shpejti krahina e Plavës me Guci do të çlio¨rohet përgjithmonë dhe do të hyje në kufijtë e Shqypnisë.
2)- Kryesia e këtij Komiteti u takue me gjeneralin dhe u bisedue gjërësisht me Ekselencën e tija për nji orë e gjysëm.Ekselenca,gjenerali natha se „ një shtet shqiptar do të krijohet por nuk mund e mendojë se nga lindja e Shqipërisë të përmblidhen Shku e Prishtinë“.Pra nga kjo deklaratë del qartë se mbrenda kufijve etnik të Shqipnisë përfshihen Plava me Gucinë,Peja ,Gjakova,Prizëreni,Gostivari.Por edhe Ohri,Shkupi e Prishtina patjetër do të shpetojnë“
( Arkivi Qendror i Shtetit , fondi 846 , dosja, 8 , fleta 4 )
Një vlerë tjetër me dimension kombëtar,ishte përkujdesja që Komiteti i Kosovës tregonte për kufijtë jugorë të Shqipërisë.Mbarimi i luftës së Parë Botërore jo vetëm nuk solli ndonjë siguri të kufijve shqiptare por përkundrazi ata mbetën kurdoherë të rrezikuar sa prej lakmite të fqinjëve,aq edhe prej luftës së verbër politike për pushtet të forcave të mbrendshme Shqiptare.Kësisoj,çetat e andarteve greke,të përkrahur veçanërisht prej kishës ortodokse greke,ndërmuarën aventura të reja në drejtim të Korçës e Gjirokastrës duke u kujtuar Shqiptarëve se lufta për Vorio-Epirin do të ishte tepër e gjatë dhe me pasoja të dhimbshme për fshatarët e pa mbrojtur.Kryesia e Komitetit të Kosovës,duke ndjekur nga afër këto zhvillime në jug të atdheut,ndërmori veprime konkrete sidomos përmes degëve të saja në Ohër,duke bashkërenduar punët e detyrat luftarake me patriotët shqiptarë të trevave të Korçës e Gjirokastrës.Kjo kryesi përshëndeti guximin dhe nisiativën e disa nacionalistëve në radhët e Ushtrisë Kombëtare të cilët në krye të ushtarëve marshuan drejt jugut të atdheut tonë.Në një qarkore të atyre ditëve,Komiteti i Kosovës,deklaronte ; „Burrat e Shqipërisë, nën komandën e oficerëve shqiptarë,nën udhëheqjen e Sali Butkës,i zunë vendet strategjike dhe i informuan botën se Korça ka për të qenë një Izmir i dytë për greqinë.“(Arkivi Qendror i shtetit, fondi 846 dosja 47, faqja 3 ).
Por dhelpëritë greke nuk mundën të kishin një stacion të përhershëm qëndrimi.Ata që mijëra vjet më parë patën shpikur kalin e drunjtë për të rrënuar shpresa te trojanëve,tani gjejnë kohë të „ulin nervat“ me Italinë e të bëjnë pazare në kuriz të tërësisë teritoriale shqiptare.Kësisoj,në mënyrë shum të fshehtë mbyllën pazarllëqet e Minstrit të Jashtëm Italian,Tommaso Tittoni,me Vorioepirin „e famshëm“ Venizellos me 29 korrik 1919.Në marveshjen e firmosur prej të dyve,thuhej shprehimisht që në Konferencën e Paqës,Roma do të mbështeste me çdo mënyrë aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës prej Greqisë,ndërsa kjo e fundit do të përkrahte mandatin italian mbi Shqipërinë si edhe aneksimin e plotë së Vlorës prej Italisë.
Lëvizjet politike të diplomatëve shqiptarë,në konferencën e Paqës,në Paris,ishin gati kaotike.Vajtja aty e tri-katër delegacioneve,tek e mbramja ishte tregues i një përçarjeje në lëvizjen atdhetare shqiptare.Duke mos rënë në unison,në kërkesat e tyre,politikanët shqiptarë,përpos të tjerave,ndikuan në marrjen e vendimeve sa ma të shenjta prej kokave të përgjumuara të diplomacisë së kohës. Natyrisht,duhet theksuar kështu qëndrimi amerikan i cili synonte pavarsinë dhe vetvendosjen e shteteve duke mos ndarë kurrsesi këta në të vegjël e të mëdhenj.Një rezonancë tronditëse përsa u përket ndjenjave kombëtare,shihej dukshëm prej antarëve të Qeverisë së Durrësit,të cilët patën filluar të manifestonin në potencë prirjet dhe qëndrimet e tyre proitaliane.Përballë kësaj gjendje,sërish u vu në provë besa e burrave për mos të lënë në baltë nënën e tyre të sulmuar prej lakmive të fqinjëve nga jashtë dhe verbërisë së bijve nga mbrenda.Rrethet atdhetare në Korçë,Gjirokastër e Vlorë filluan organizimin e armatosur të tyre duke kritikuar haptaz qëndrimin e qeveritarëve të Durrësit.Prej tyre u lëshua kushtrimi „Atdheu në Rrezik“,dhe unë mund të them me plot bindje se , thirrja u mirëprit sakaq prej Komitetit të Kosovës duke u shumëfishuar në valë të tëra drite,force,besimi e sublimiteti në krejt veriun e Shqipërisë. Në krye të kësaj lëvizje të dalë prej gjirit të popullit (ashtu siç del llava prej maleve),organi i komitetit të Kosovës,në këto momente do të shkruante : „ Askush nuk mund të ketë të drejtë dhe forcë që të ndaloj një komb fisnik,që të mos vdese,kur atdheu i tij gjendet në rrezik të coptimit,pa kurrfare arsye tjetër,vetëm si ajo përralla e ujkut me qingjin“.( Gazeta „Populli“ 27 janar 1920 ).
Ajo çka do të përcaktonte qëndrimin e mëtejshëm konseguent në kahjen kombëtare të komitetit të Kosovës,ishte padyshim veprimtaria shumëdimensionale në prasg dhe pas punimeve të Kongresit të Lushnjës.Ky kongres,për vetë situatën që kalonte Shqipëria,nën qiellin e ndezur të intrigave ballkanike,do të mbetej përpos të tjerave një gurrë prove përgjithkend që e quante veten atdhetar dhe punonte si i tillë.Një sërë qarkoresh të këtij komiteti në ato kohra,provojnë edhe sot mendimin e madh se atdheu përpara se të duhet me fjalë e parrolla,duhet me veprën tënde. Pragkongresi i Lushnjës,ishte një punë kolosale jo vetëm e Komitetit të Kosovës por e krejt atdhetraëve shqiptarë. Pasi u nxuarën në shesh „ të palarat“ e „burrave“ që donin dhe punonin për protektorat Italian, intelektualët dhe atdhetarët shqiptarë,me anë të disa peticioneve dërguar Fuqive të Mëdha të Evropës dhe Amerikës,bënë të qartë mendimin e popullit tonë se ai mund të jetonte i lirë,të vet qeverisej dhe të punonte për mbrojtjen e tij jo vetëm pa ndihmën e të tjerrëve,por sidomos pa pranuar që në fatet e tij të futeshin intriga të kombeve të tjerë.Kësisoj,nëse nëse në kancelaritë evropiane,me 14 janar të vitit 1920,firmosej coptimi i plotë i Shqipërisë prej Italisë,Francës dhe Anglisë,në trojet tona,nis të fryejë një furtunë e revoltave të pandërprera,të fuqishme, mbarëkombëtare të ideuara në Shkodër,të miratuara e përkrahura në krejt viset ku flitet shqip.Sigurish se çmimi i kësaj revolte popullore do të ishte shum i madh.
Së pari, u vra në Shkodër,më 10 janar të këtij viti,ideatori dhe redaktori i gazetës „Populli“ Sali Nivica.Dora vrastare,duke shtënë mbi te,kujtonte se kjo gazetë,tribun e Komitetit të Kosovës,do të heshte.Ajo s’ndodhi.Ajo s’ka ndodhur kurrë me shpirrtin fisnik të shqiptarëve të cilët përballë vrasjeve makabre janë bashkuar me forcat e tyre duke dëshmuar unitetin e tyre përballë rrezikut egzistencial.Por në prag të Kongresit të Lushnjës,vritet prej dikujt të shitur tek fashizmi italian Abdyl Ypi i cili ishte duke shkëmbyer mendime qetësisht në Lushnjë,me mikun e bashkëpuntorin e tij të vjetër,Sali Gjykën.Rëketë e gjakut të tij të derdhur,dëshmonin jo vetëm atdhetarinë por edhe ate shpirt të papërkulur ndaj çdo lloj shantazhi e dhune.Pa dashur të bëjmë këtu një analizë të punimeve me vlera të Kongresit të Lushnjës,mendoj se duhen rikujtuar pikërisht ato tri vendime të rëndëishme të tij,të cilat parë në aspektin e ngjarjeve të sotme,u ngjajnë tri rrugëve të mundshme për datë biblike për ruajtjen dhe mbajtjen të gjallë vetëdijen kombëtare të shqiptarëve.
Që në krye të herës,Kongresi i Lushnjës,duke qenë zëdhënës i aspiratave shekullore të popullit shqipëtar,u shpreh se do të derdhej edhe pika e fundit e gjakut „ kundër gjdo vendimi që do të vinte në rrezik tërësinë toksore dhe pavarsinë e tyre të plotë“. Kjo frymë emblematike e ndjenjës kombëtare,përbënte sakaq një grusht të rëndë në tavolinën e bisedimeve të konferencës së Paqës,e cila me të drejtë mund të quhej si një tavolinë kasapi ku trupi i Shqipërisë coptohej e ndahej sipas orekseve të fqinjëve tanë. Vendimi i dytë i rëndësishëm i këtij Kongresi ishte mosnjohja e Qeverisë së Përkohshme të Durrësit(duke e quajtur ate si antikombëtare) si edhe zgjedhja e Qeverisë së re.Mjafton të përmendim emrat e këtij kabineti dhe çdo lexues i pasionuar në historinë tonë e kupton se drejtimin e shtetit shqiptar të asaj kohe e merrnin burra të tillë si ; Sulejman Delvina,Eshref Frashëri,Mehmet Konica,Sotir Peci Hoxhë Kadriu e tj. Së treti,duhet thënë se ky kongres,historik,pas zgjedhjes së një këshilli të Lartë prej katër vetësh,zgjodhi edhe një Këshill Kombëtar duke bërë një hap përpara në drejtim të demokratizimit të krejt jetës së vendit.Ajo çka vlen të thuhet për mbarvajtjen e punëve të këtij Kongresi,është padyshim ndjenja e lartë e sakrificës e krejt popullit të Myzeqesë si edhe e kuadrove nacionaliste të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Sidoqoftë në këtë rrafsh vlen të përmenden edhe një sërë masash të marra prej Komitetit të Kosovës i cili parashihte në këtë kuvend të burrave shqiptarë edhe një zgjidhje e frymë të re ndaj problemit të Kosovës.E vërteta është se kjo pjesë e shqipërisë,e ndarë padrejtësisht prej trungut të shtetit amë,u përfaqsua në Kongresin e Lushnjës prej tri trimave : Rexhep Mitrovica,Xhemal Prishtina dhe Hysni Curri.Veçanërisht në debatet për trojet shqiptare të coptuara,elokuenca dhe fjala e trimërore e Rexhep Mitrovicës,ngriti peshë zemrat jo vetëm të kongresistëve por të krejt atyre shqiptarëve që ndiqnin me vëmendje punimet e këtij kuvendi.Idetë e shpalluara prej kohësh të komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës,u shpallosën në Lushnjë nëpërmjet delegatëve të Kosovës e Dibrës duke elektrizuar situatën dhe duke u kujtuar të gjitha zyrave të kancelarive evropiane se përderisa shqipëria të ishte e gjymtuar,Ballkani kurrë nuk do të kish qetësi e paqë.Mendoj gjithashtu se jehona e këtij kuvendi ishte mjaft e madhe,dhe se reputacioni i Komitetit të Kosovës gëzonte veç rritje,kur prej qeverisë së Kongresit,legjendari Bajram Curri,merrte detyrën e Ministrit pa protofol në Mbrojtjen Kombëtare Shqiptare.Madje,jehona e kësaj zgjidhje politiko-ushtarake u ndje deri në shtypin e asaj kohe kohe në beograd.Zhurma e propagandës serbe u ndje gjithsesi edhe pas emërimit të Hoxhë Kadriut,kryetar i Komitetit të Kosovës,në funksionin e Ministrit të Drejtësisë,të qeverisë të dalë prej këtij Kongresi.Vizioni i kryesisë së Komitetit të Kosovës,lidhur me pjesmarrjen e tij në sociopolitikën shqiptare të kohës,është jo vetëm i plotë por sidomos tejpamës.Ky vizion,potencon pjesmarrje dhe veprim energjik mbarëkombëtar të Komitetit që në programin e tij.Kështu,pas një organizimi të mbrendshëm pas vitit 1920,në këtë program,përpos të tjerave shprehej qartë ;
-Nye 14 –
Detyrat e Komitetit Qendror janë ;
a– Me i dhanë një drejtim të mbarë politikës së mbrendshme e të jashtme të qeverisë.
b – Me e përbërë një pari të fortë në parllamen e cila do t’i ndihmojë e do t’i përkrahet qeverisë duke u arvatur t’i dergojë në vend dëshirat kombëtare bashkë me dëshirën që e ushqejnë kosovarët
c – Me u përpjekë me mjete politike për shpëtimin e Kosovës qoftë edhe pjesërisht.
d – Duke ju drejtuar shteteve të mëdha,të sigurohen të drejtat politike e shoqërore të bashkëkombasve që kanë mbetur në Kosovë.
e – Me u përpjekë për ta përmirsuar gjendjen ekonomike të kosovarëve emigrantë ose t’u përgaditet këtyre vendbanimet.
-Nye 15-
Detyrat e degëve janë identike me ato të Komitetit Qendror,duke i ndihmuar këtij për qëllimet e tija që u përmenden në Nyjen e sipërm.
( Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 846 , dosje 13 , fleta 2 ).
Edhe pse historiografia shqiptare,ka heshtur rreth fjalimeve të zjarrta dhe objeksioneve largëpamës të deputetëve të Kosovës e Dibrës në parllamentin shqiptar të viteve 20 të këtij shekulli,vërteta natyrisht e gjakosur,ka dalë. Të udhëhequr prej ideve e vendimeve të Komitetit të Kosovës,këta deputetë kanë ngritur zërin fort në rrafshin e kërkimit të të drejtave elementare njerzore që u mohoeshin shqiptarëve në Kosovë,Maqedonin Shqiptare e Mal të Zi,prej monarkive ballkanike, njëherazi ato nuk e ndërprenë luftën dhe përpjekjet edhe në aspektin diplomatik.
Kështu në vitet 1921 – 1923, i dërguari i Komitetit të Kosovës për Gjenevë,Bedri Pejani,zhvillon një aktivitet të dendur diplomatik e politik lidhur me çështjen e Kosovës.Janë dhjetra peticione të tij dërguar zyrave të Fuqive të Mëdha,por edhe mjaft shkrime publiçistike që hedhin në dritë mbi masakrat serbë në trojet shqiptare.Krejt hapur,duke iu kundërvënë propagandës jugosllave,Pejani lëshon thirrjen e madhe se pas fasadave butaforeske të mashtrimeve serbë,vijnë kryqzatat e sulmit mbi Shqipërinë e mbetur pas coptimit të vitit 1913 të ngjajshëm me ato të car dushanit.
Pak kush prej historianëve shqiptarë,është ndalur të hulumtoje mbi rrjedhat tragjike të këtij Komiteti pas vitit 1924.Ky tragjizëm,nuk ka të bëjë asesi me dobësinë e radhëve të këtyre burrave ndaj besës së dhënë atdheut.Ajo është diçka më e thellë,ajo ka të bëjë me « Hamzat Kastriotët » e Shqiptarisë.U lanë krejt në harresë,në përbuzje,burra të tillë si ; Hoxhë Kadria,Hasan Prishtina,Sali Gjuka,Mit’hat Frashëri,Aqif Pashë Elbasani,Abdi bej Toptani,Rexhep Mitrovica,Bedri Pejani,Hysni Curri të cilët ishin dhe mbetën nderi i këtij komiteti dhe i krejt trojeve ku flitet shqip. U vra Bajram Curri ky komandant legjendar i dhjetra betejave për Kosovë e Dibër.Mercenarët bellorus dhe dora vrastare që merrte florinj prej beogradit shoven godiste lulen e patriotizmit dhe atdhetarisë shqiptare.Sigurisht se trimat nuk frigoheshin.Pas vrasjes të Bajram beg Currit,Komiteti i Kosovës dërgonte qarkoren :
„ KOSOVARË ! Përmblidhuni pra rreth idesë së naltë për të cilën Bajram Curri,kreu ma i lartë i Komitetit tonë luftoi dhe vdiq. Pse në këtë botë vetëm ideja nuk vdes,e pse as plumbat e tradhëtarëve,as intrigat e Pashiçit,nuk kanë si ta mbajnë në rrobëri popullin e Kosovës ! „
Burrat Shqiptarë betoheshin mbi varret e vëllezërve të rënë në fushën e nderit, e fjalët e tyre jehonin e jehojnë në memorjen e kombit tonë .
SHTOJCË DOKUMENTASH TË ARKIVIT LIDHUR ME KOMITETIN
“MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS”
= “Pas organizimit dhe popullarizimit të Këshillit të Qendrës,interesimi për antarsim në organizatë rritej çdo ditë e më tepër.Midis antarëve të rinj përmendim Hamit Qullin dhe Fahri Gjilanin të cilët u betuan sipas rregullave të komitetit.Me ndërmejtsimin e Kadri Prishtinës u antarsuan në këtë organizatë edhe Aqif Pashë Elbasani,Bajram Curi të cilët u betuan pa ndonjë ceremoni. Njëkohësisht u krijuan degë të kësaj organizate edhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë”.
( Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 846,dosja 9, fleta 2, dokumenti 707 / 978 ).
= “Pika e dytë e programit të 1 majit 1918 ,parashihte si detyre të Komitetit “MKK” që të protestonte kundër politikës antishqiptare të shfarosjes në masë,që kishin ndjekur e që mund të vazhdonin ta ndiqnin serbomëdhenjtë edhe në të ardhmen në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare.Vlen të theksohet se në këtë pikë egzistonin dyshimet mbi politikën e Antantës pas Luftës së Parë Botërore ndaj problemit të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare.Gjithashtu egzistonte dyshimi dhe frika për mundësinë e manipulimeve të mundshme në mes të Antantës dhe shovenistëve fqinj në dëm të interesave kombëtare të popullit shqiptar”.
( Arkivi Qendror i Shtetit , fondi 846 , Dosja 1 , fleta 100 ) .
= “Në një dokument,i cili mban vulën e Komitetit,datën 22.12.1918,dhe nënshkrimet e Bedri Pejanit dhe Hysni Currit,i shohim disa nga kërkesat e Komitetit drejtuar parisë dhe popullit shqiptar të Kosovës,ku kërkohet vigjilencë e madhe në ato rethana të vështira për atdheun.Kërkohej që të grumbulloheshin të holla për veprimtarinë e Komitetit dhe të dërgoheshin në Shkodër.Pastaj kërkohej që t’i dërgonin në seli të Komitetit në Shkodër statistikat e mbarë popullit shqiptar dhe serb për ato krahina,që ishin të numëruara në programin themeltar të Komitetit si dhe të propagandohej në masat popullore në Kosovë për aktivitetin dhe veprimtarinë e Komitetit”.
(Arkivi Qendror i Shtetit , fondi 846, Dosja 45 , fleta 7 ).
= “Qëndrimi i Komitetit të Kosovës ndaj Qeverisë së Durrësit
1- Të njoftohet se Komiteti i Kosovës nuk mund tu bëjë lutje italianëve e as nuk mund të marrë ndaj tyre angazhim.
2- Kërkohet qëndrimi i francezëve përkundër politikës së përgjithshme të Shqipërisë dhe ç’mendim dhe aspirata kanë ata për kryesinë e Esat Pashës.
3- Me ju shkrua letar malësive dhe me ju treguar mënyrën e veprimit.
( Arkivi Qendror i Shtetit fondi 846 , dosja 9 , fleta 66 ).
= “Në rastn kur Ushtria Kombëtare shkoi në Korçë për tu përballuar me shovinistët Grek, Komiteti i Kosovës me anë të një qarkorje informonte se ; “Burat e Shqipërisë,nën komandën e oficerëve shqiptarë nën udhëhqjen e Sali Butkës,i zunë vendet strategjike dhe informuan popullin se Korça ka për të qenë një Izmir i dytë për Greqinë “.
( Arkivi qendror i Shtetit , fondi 846 , dosja 47 ).
= “Programi i Komitetit të Kosovës për kryengritjen e vitit 1919 në Kosovë ishte :
1- Asnji kryengritës nuk guxon me i damtue shkiet e vendit,veç atyre që qendrojnë me armë në dorë kundër qëllimit shqiptar.
2- Asnji kryengritës nuk guxon me djegë shtëpia e me renuar kisha.
3- Plaçka ashtë jashta kryengritjes.
4- Asnji kryengritës nuk guxon me ba naj shemtim mbi trupat e të vramëve të anmikut as me çveshë ata anmiq që jesin dekun e të plaguem ose të xanë rob.
5- Veprimi ma i gjallë ka me kenë kundra ushtrisë,xhandarmërisë,kundra komiteteve të anmikut që kundërshtojnë me armë në dorë edhe në kjoftë se anmiku ban mizorina shqiptarëve pa armë me vete,ka per tju përmbajt plotësisht e rreptësisht katër pikave të nalt përmenura.
6- Nji shqiptar që e kundërshton luftën krahas me anmikun ose veç asht kundra qëllimit,ka për tu vra pa gjyq e pa afat kushdo që të jet.Por nji tradhëtar pa armë në dorë ka me u gjykue para gjygjit të kryengritjes e ka me u dënue mbas dokumentave e jo me përalla të hallkut.
7- Me të zaptuemit të nji shehri ose të nji katundi,serbët,shkijet e vendit ashtu edhe qarshia të rruhen me njerëz besnika e kryengritësit të ndjekin anmikun pa afat e pa bjerë asnji dakik nëpër shehre e katunde.
8- Kot e panevojë as gjaku i popullit tonë as gjaku i popullit anmik ska me mujt me u derdh.Por aty ku asht nevoja,nji kryengritës ska me guxue me krsye aspak gjakun e vet.
9- Ajroplanat,konsullat e shka ka që i perket këtyne,kan për ti ruejt me gjinde ma besnik e ma të marrun vesh.
10- Të vramët shqiptar s’kan për tu varrosur gjer sa të vij ndonji komisjon i huaj.Mizorinat e bame prej anmikut ka për të mbet shënue edhe për me i dëftue Evropës e Amerikës”.
( Arkivi Qendror i Shtetit , fondi 846 , dosja nr 2 , dokumenti nr. 708 / 045 ).
= “Komiteti kishte hartuar edhe kërkesat e kryengritësve të Kosovës më 1919,të cilat do t’i parashtroheshin qeverisë jugosllave siç ishin ;
1- Derisa të ipet një lajm mbi viset shqiptare që Konferenca e Londrës më 1913 i ka pas lanë nën Serbi,ushtria e Serbisë ka me qëndruar vetëm në qytete të caktuara duke mos u marr me punë civile.
2- Derisa të vendosen kufijtë në mes Shqipërisë e Serbisë nga Paqa e Versajës,xhandarmëria e policia e Kumanovës,Preshevës,Shkupit,Tetovës,Gostivarit,Kaçanikut,Ferizajit,Gjilanit,Prishtinës, Vuçitërnës,Mitrovicës,Rozhajës,Pejës,Plavës , Gusija,Prizëreni kanë për tu komanduar nga populli vendas,nga ato vendas që i beson populli.
3- Perlimtarët e krahinave të sipërpërmendura kanë për tu themeluar me vota të popullit.
4- Prefektët dhe nënprefektët kanë për ta qeverisur vendin sipas ligjeve civile pa i marr parasysh ndërlikimet fetare e kombëtare.
5- Fëmijët shqiptarë të mos shkojnë në shkolla serbe por të hapen shkolla shqipe.
6- Ti jepet fund plaçkës,vrasjeve pa gjygj dhe masakrimve kundër shqiptarëve.
7- Do të gjykohen nënpunësit civil e ushtarak që e kanë urdhëruar çdo vepër të paligjshme.
8- Qeveritarët e vendit do të dërgohen para gjygjit për çdo punë të paligjshme dhe sidomos për ato që i përkasin jetës,nderit dhe mallit.
9- Në gjygje kanë për t’u vendosur këshilltar të vendit të cilët do të zgjidhen me votën e hapët të popullit.
10- Ushtria serbe ka për t’u larguar urtësisht dhe pa prekur asnjë jetë të popullit prej atyre krahinave shqiptare që paqa e Versajës do ti bashkon me Shqipërinë politike.
11- Zbatimi i këtyre pikave ka me u kontrollue nga nji komision amerikan që mund të emërohet prej pushteteve të mëdha të Antantës”.
( Arkivi Qendror i Shtetit fondi 846 , dosja 29 , fleta 22 ).
= Njëkohësisht në trevat e Kosovës vepronin grupe të armatosura,nga të cilat mund t’i dallojmë për aktivitete të shquara ;
1)- Grupi i Drenicës në krye me Azem Bejtën dhe çetat e tjera të udhëhequra nga Mehmet Delia,Fazli Berani,Bajram Tërnavci,Ramadan Maliqi,Dan Derovci etj.
2)- Grupi i Rugovës udhëhiqej nga Kera i Sadri Bardhit, Mic Sokolit etj.
3)- Grupi i Pejës udhëhiqej nga Sali Rama,Gjon Taranca,Demush Rrahmani,Mal Bajrami,Sadik Cera,Ramë Kashi etj.
4)- Grupi i Gjakovës,Bajaram Curri,Zefi i Vogël,Ramë Binaku dhe nIman Ferizi.
5)- Grupi i Istogut, Beqir Rexha,Ramë Alia,Ramadan Shabani etj.
6)- Grupi i Rahovecit , Sadik Rama,malush Mariqi,Met Ymeri,bali Fezliu etj.
7)- Grupi i Prizërenit , Sali Shabani (Kabash),Mark Meteja,Deli Azemi,Hysen Esati etj.
8)- Grupi i Vushtrisë Mehmet Konjuhi,Azem Gjakja,Beqë Ramë Pantina,Vëllezërit Bajqinovci etj.
9)- Grupi i Shalës së Bajgorës përbëhej prej Habit Lubeqit-Mengjiqi e shumë të tjerëve.
10)- Grupi i Llapit,Ramë Vllasa,Osman Pollata,Hysë Popova,Tahir Uka,Sahit Repa etj.
11)- Rrethi i Prishtinës, Iljaz Reçaku,Ibush Vuçitërnalia,Gjekush Bajraktari dhe Adem Reçaku.
12)- Grupi i Karadakut (Mali i Zi i Shkupit) kumanovë-Gjilan, Gel Guri,Lot Vaku,Ali Nekushtaku,Bexhet Runica etj.
13)- Grupi i rrethit të Ferizajit Ymer Devetaku,Rexhep Berisha,Bislim Tahiri etj.
Kurse nga grupet kaçake jashtë territorit të kosovës dallohet ai i Kërçovës i udhëhequr nga Kalosh Dan Zajazi “.
( D. Rushiti , lëvizja kaçake në Kosovë , Prishtinë 1981 , faqe 92 – 93 ).
= Shumica e luftëtarëve të Kosovës në Shkodër kalonin jetë të mjerueshme.Këta luftëtarë qëndronin duke pritur përmirësimin e gjendjes por në Kosovë kishte vetëm forcim të pushtetit ushtarak nga serbët me qëllim kolonizimin e Kosovës me element sllav.Sipas dëshmive,në të gjitha anët e Kosovës prej të burgosurve merren nga pes mijë gjer në tetëdhjet dinarë rryshfet për lirimin e tyre”.
( Arkivi Qendror i Shtetit fondi 846 , dosja 35 , fleta 37 ).
Kjo shtojcë dokumentash ua dedikoj studjuesve dhe historianëve shqiptarë për ato periudha.Historia nuk njeh lëmosha të servilosura të çasteve politike,ajo të mban ose të hedh në kosh plehrash.Historianët duhet të jenë përgjegjës të shkencës,duke shpalosur të vërtetat historike dhe jo karkalecë të miopëve politik,e aq më keq në shërbim të shkecës antishqiptare.
Bern-Zvicë
Luftëtarët e Kumanovës,jo terroriste, por kryengritës!
Ata duhet të mbesin me epitetin kryengritës ,luftëtar dhe simbol i çlirimtarëve për trojet shqiptare nën okupimin maqedon. Për ti fshehur këmbët pas kësaj që ndodhi në Kumanovë, disa zyrtarë kosovarë dhe në Maqedoni po përpiqen që interesat e tyre ti shndërrojnë ne viktimizim, vlerat tona kombëtare siç ishte rasti i luftëtareve shqiptarë në Kumanovë./
Opinion nga Asllan DIBRANI/
Ngjarjet e dhe aksionet kundër shqiptarëve nuk po ndalen edhe ne ketë shekull. Ne si komb po i paguajmë haraçet e padrejtësive historike qe u bënë ndaj shqiptareve !.Luftërat shekullore për tu çliruar nga pushtuesit po vazhdon. Gjyshërit ,stërgjyshërit dhe baballarët tanë rezistuan në format e veta për ta mbrojtur vlerën tonë kombëtare, po pushtuesit qe na servuan robërinë po shkallëzohen me dhunë terror dhe vrasje edhe këto ditë në Maqedoninë e vockël sllave të ndikuar nga qarqet e Beogradit dhe Moskës dhe Atinës. Lufta heroike ishte gjithmonë ballash por kësaj here kjo luftë nuk i ngjan luftës dhe historisë se luftëtarëve shqiptaë gjatë shekujve, kjo u tradhtua!
Serbia dhe Maqedonia kanë vështirësi t’a dallojnë konceptin dhe terminologjinë e shprehjeve në vlerësimin e akteve terroriste dhe atyre revolucionare kur kanë të bëjnë me shqiptarët?!.Veprimet e kryengritësve luftëtarë në Kumanovë që shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni që diskriminohen , dhe terrorizohen në forma të ndryshme.Pushtetet Serbo-maqedone përpiqen që t’i japin një karakter ,islamik ,terrorist etj. Ata përpiqen t’i degradojnë pran popullit shqiptar. Kësaj propagande qëllim keqe sikur po ju fryjnë edhe disa lider shqiptar në Maqedoni dhe Kosovë që po përfliten që ishin ne një mënyrë të devalvuar në misionin e tradhtisë!
Në të gjithë e dimë që, si Serbia gjithashtu edhe Maqedonia çdo kryengritje sidomos ato shqiptare qëllimisht i quajnë organizata terroriste edhe pse këtë e bëjnë pa fakte argumente dhe dëshmi?.
Këtë e bënjë pa fakte, sepse vetëm kështu duke i shpallur kryengritësit shqiptarët terrorist , i jep vetes autoritet për të shtypur popullin shqiptar edhe ma barbarisht ne forma sistematike !
Çdo shtet në botë është i obliguar ne raste konflikti t’i respekton dhe t’i përmbahet rregullave dhe konventave ndërkombëtare sidomos me dorëzimin e robve të luftës e jo ti vras pas dorëzimit siç veproj Maqedonia terroriste.
Kjo çfarë ka bërë regjimi shovinist maqedon është në konflikt me rregullat dhe konventat e Gjenevës. OSBE dhe komuniteti ndërkombëtar për mbikëqyrje te rregullave të luftës duhet kërkuar llogari nga regjimi i dhunshëm maqedon për keqtrajtimin brutal të qytetarëve dhe civilëve si dhe shembjen e lagjes se trimave në Kumanovë.
Titullime të tilla me akte terroriste të vlerësuara gjoja se si terrorist për kryengritësit shqiptar duhet të analizohen dhe te hetohen nga komuniteti ndërkombëtar, se kush ishte në rolin e terrorizmit në Kumanovë, shteti maqedon në krye me Gruevskin ,Nikullovsken dhe argatët shqiptar tradhtar dhe të dëgjueshëm nga serbosllavet maqedon ,apo shqiptaret që ishin ne shtëpitë e tyre në Kumanovë. Këta duhet të mbesin me epitetin kryengritës ,luftëtar dhe simbol i çlirimtarëve për trojet shqiptare nën okupimin maqedon .
Bashkësia ndërkombëtare duhet përpiluar rregulla dhe standarde kur një grup quhet terrorist por disa nga ta u treguan ma të sinqertë se vet shqiptarët që po gjenden në vlerësimet e kësaj ngjarje. Për ti fshehur këmbët pas kësaj që ndodhi në Kumanovë, disa zyrtarë kosovar dhe në Maqedoni po përpiqen që interesat e tyre ti shndërrojnë ne viktimizim vlerat tona kombëtare siç ishte rasti i luftëtareve shqiptarë në Kumanovë.
Kur nisi sllavizmi e myslimanizmi i shqiptarëve?
Kronisti papnor tregon se si popullata shqiptare nisi të kthehet në fenë myslimane, që të mbronte kokën e dinjitetin nga terrori i priftërinjve serbë, të cilët i solli Turqia, megjithëse në Pejë e Dardani, nuk pati serbë. Ndërkaq ishin marrë vesh që priftërinjtë serbë të bënin terror, kurse sundimtarët turq t’u ofronin më zemërgjerësi shqiptarëve vendës të konvertoheshin në fenë myslimane, ose të mbeteshin bujkrobër të Patrikanës./
Nga Gani MEHMETAJ/
Në Dardani, pjesë e Shqipërisë etnike, veziri i madh i Perandorisë Otomane, serbi Mehmet Pashë Sokoloviq, caktoi të vëllanë, peshkop të Patrikanës së Pejës, duke i dëbuar priftërinjtë ortodoksë shqiptarë, por edhe ata bizantinë, sipas marrëveshjes me Sulltanin. Të njëjtën gjë e bëri edhe në Kishën e Deçanit, e në të gjitha kishat bizantine deri në Nish. Pakkush e di se në Kishën e Deçanit, pjesë e kishave shqiptare, Onufri e ka bërë një pikturë murale me vlerë të madhe artistike. Historianët e sotëm serbë e fshehin këtë fakt, ose e lënë në heshtje, ashtu sikurse e lënë në heshtje faktin se në Kishën e Deçanit meshat i mbanin shqiptarët ortodoksë, sepse serbë në atë krahinë të Dukagjinit nuk pati asnjë për be.
Me konsolidimin e priftërinjve serbë të caktuar nga Stambolli, raportonte një relacion i priftit katolik shqiptar nga Peja, drejtuar Vatikanit, nisi terrori i priftërinjve serbë ndaj popullatës shqiptare me ndihmën e zabitëve turq. Perandoria Osmane që e qeveriste këtë qytet më tërë Dardaninë jo vetëm nuk i mbronte fatkëqijtë, por ankesat e tyre i kthente mbrapsht, duke deklaruar se nuk përzihej në punët e brendshme të kishës. Ndërkaq ishin marrë vesh që priftërinjtë serbë të bënin terror, kurse sundimtarët turq t’u ofronin më zemërgjerësi shqiptarëve vendës të konvertoheshin në fenë myslimane, ose të mbeteshin bujkrobër të Patrikanës. Kronisti papnor tregon se si popullata shqiptare nisi të kthehet në fenë myslimane, që të mbronte kokën e dinjitetin nga terrori i priftërinjve serbë, të cilët i solli Turqia, megjithëse në Pejë e Dardani, nuk pati serbë. Kështu qeveritarët otomanë luanin lojë të dyfishtë. Ndërkaq, rugovasit, që e mbronin Patrikanën e Pejës, nisën ta braktisin këtë kishë, duke u mbyllur në gëzhojën e tyre, ose u tërhoqën në bjeshkët e mjegullta. Qyteti me rrethinë iu nënshtruan terrorit të shkombëtarizimit e konvertimit.
Gjendja paraqitej e rëndë edhe në territoret e tjera etnike, ku pushtetin shpirtëror e mori Patrikana e Stambollit dhe Qeveria turke, duke i detyruar shqiptarët të dëgjonin predikimet e lutjet në gjuhë të huaj. Nisi shkombëtarizimi i shqiptarëve ortodoksë ose kthimi i tyre i dhunshëm në myslimanë. Shqiptarët katolikë e mbronin gjuhën e fenë prapa maleve të mjegullta, ose në qytetet e fortifikuara.
Është cinike farsa e historianëve serbë kinse për shpërnguljen e madhe të serbëve nga Kosova në Panoni (Vojvodinën e sotme), që ishte tokë austriake. Kronistët e kohës nuk e shënojnë asnjë serb në Kosovë, ashtu sikurse nuk e shënojnë asnjë serb në Panoni. Përkundrazi, shkruajnë për arbërorë të fisit të Kelmendit që u shpërngulën në ultësirat e Panonisë (pinjollët e të cilëve ishin të pranishëm deri në luftën e fundit kroate-serbe në këtë meskufi), të cilët së bashku me shqiptarët myslimanë iu kundërvunë Perandorisë Osmane, ndërsa e pësuan keq, meqë austriakët u mundën nga kolera që e mbërtheu Ushtrinë austriake.
Në vend të Vjenës, aleate e shqiptarëve, Rusia bëhej faktor gjithnjë e më i fuqishëm. Nga presioni i Rusisë, e cila nisi të forcohej, duke e dëbuar Turqinë nga territoret e pushtuara, pozita e shqiptarëve vështirësohej, sepse ishin në mes dy të këqijave: të pranonin fenë myslimane, gjithnjë e më agresive, ose të hidheshin në kthetrat e kishës pansllaviste, që e pronësoi popullatën ortodokse, sepse gjuha shqipe, e vetmja gjuhë në Gadishullin Ilirik, ndalohej edhe me fermanë të Sulltanit.
Shqiptarët ortodoksë, që u shuan në kombet e tjera janë kaptina më e dhimbshme e historisë sonë, sepse dikur përbënin më shumë se gjysmën e popullatës në veri të Shqipërisë deri në Nish dhe në jug deri në Peleponez. Nga konvertimi i arbërorëve ortodoksë dolën pjesa dërmuese e shqiptarëve myslimanë. Natyrisht edhe arbërorët katolikë, që jetonin në rrafsh apo që nuk iu qepën maleve, i detyruan të ndërrojnë fenë. Ishim populli më tragjik jo vetëm në Gadishullin Ilirik, por edhe në tërë Evropën. Nga Perëndimi nuk patën asnjë ndihmë, nga Lindja na vinin goditje të njëpasnjëshme.
Qele-Kulla dhe flijimi i shqiptarëve për pavarësinë e Serbisë: Pinjolli i fisit të Kelmendit, Gjergj Pjetri (turqisht Karagjorgji, serbisht Gjorgje Petroviq) udhëhoqi kryengritjen e të krishterëve kundër Perandorisë Osmane në territorin e sotëm të Serbisë. Për ta ndëshkuar kryeneçësinë e tij, pushtuesit turq bënë hakmarrje të tmerrshme kundër shqiptarëve ortodoksë, kreu i të cilëve e udhëhoqi këtë kryengritje, ndërsa bajraktari serb, Milosh Obrenoviqi, një fshatar i pagdhendur që u pasurua në kohën e Turqisë, u lidh me turq dhe ua ofroi kokën e Gjergj Pjetrit, për ta qetësuar zemërimin e Perandorisë Osmane. M. Obrenoviqi me serbët e vet vranë në pabesi pinjollin e fisit të Kelmendit, kokën e të cilit ua dorëzuan turqve dhe e hapën rrugën për autonomi, duke u pavarësuar shkallë-shkallë.
Kështu kryengritjen kundër Turqisë në Serbinë e sotme e nisën shqiptarët, e vazhduan serbët me ndihmën e Rusisë, ndërsa e pësuan shqiptarët. Turqit bënë një masakër të paparë në qytetin e Nishit, duke vrarë mijëra shqiptarë ortodoksë dhe duke syrgjynosur mijëra të tjerë në Anadoll. Qele-Kulla, një pirg i tmerrit në qytetin e vjetër të Nishit, me 952 kafka të murosura, u bë sinjal alarmi, ndërsa Serbia e ndërtoi mitin e rezistencës me flijimet shqiptare. Shqiptarët e tjerë u kthyen në islam nga tmerri i terrorit turk, ose ia mbathën përtej Danubit.
Më shpalljen e pavarësisë së Serbisë, vala e shkombëtarizimit të shqiptarëve ortodoksë arriti kulmin, sepse ata gjendeshin në mes të dy shpatave: të vriteshin nga turqit, ose të kërkonin shpëtimin nga Rusia, e cila mori tutelën mbi ortodoksët e Ballkanit. Brenda kryeqytetit të tyre, Beogradit, serbët vranë të gjithë serbët e konvertuar në myslimanë, vranë edhe të gjithë myslimanët e kombeve të tjera, i zhbinë 200 xhami dhe i fshinë të gjitha gjurmët pesëqindvjeçare të sundimit turk. Nuk lanë asgjë nga trashëgimia e ndërtimi oriental.
Disa dhjetëra vjet më vonë, ushtria serbe me ndihmën e bandave kriminale-çetnikëve, nisi pastrimin etnik të Sanxhakut të Nishit, duke vrarë, apo shpërngulur të gjithë shqiptarët myslimanë (muhaxhirët). Në këtë territor shqiptar, mbeti vetëm një koloni jo e madhe ortodokse, me mbiemrat e tyre apo me emërtimet e katundeve Arbanas, Arnaut etj. , ndërsa përndiqeshin, sepse e flisnin gjuhën e vet. Brezi i ri nisi të fliste sllavisht, një sllavishte të zvetënuar, e cila edhe sot e kësaj dite dallon dukshëm nga sllavishtja serbe që ndërtohet mbi një sintaksë tjetër (sa do të dilte interesante po të bëheshin reportazhe nga televizioni me banorët e Nishit të sotëm, të cilët dikur flisnin shqip, ashtu sikurse në Ohër, në të njëjtën periudhë kohore. Sa do të kontribuonin historianët po të nisnin ndriçimin e kësaj periudhe dhe anketimet me banorët e sotëm të kësaj hapësire). Shumë banorë të territorit të Nishit e vinin në pah se janë ortodoksë, madje edhe në fund të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, por asnjëherë nuk e thoshin se janë serbë, disa u shmangeshin përgjigjeve se cilit komb i takonin, sepse druanin, kurse të tjerët flisnin në mënyrë të papërcaktuar. Pjesa dërmuese e popullatës fshatare në territore të tëra të Serbisë deklarohen ortodoksë, por e shpërfillin përkatësinë kombëtare. Është çështje e mungesës së vetëdijes kombëtare? Ose nxirrte krye një përkatësi tjetër kombëtare e ndrydhur? Asnjëherë nuk është studiuar ky fenomen në kohën e ish-Jugosllavisë. Kjo ishte edhe më e theksuar ndër “serbët” e Kosovës.
Sllavishtja me sintaksë shqipe flitet edhe sot e kësaj dite nga ortodoksët e Kosovës, një e folme me të cilën në Beograd tallen, duke i quajtur “shqiptarë” “bashkëkombësit” e tyre nga Kosova. Shqiptarët e fundit ortodoksë vendës, ishin në rrethin e Pejës, Deçanit, Istogut, Vitisë e Gjilanit. Ata mbiemrave shqiptarë, ua shtuan mbaresat “iq”, apo “viç”, ashtu sikurse i patën edhe shqiptarët myslimanë e katolikë në kohën e terrorit serb. Shala, Gashi, Berisha, Lajçi, Dashi, Palbardhi, Kastrati, Pjetri etj. me mbaresat sllave ishin mbiemrat tipikë jo vetëm në Rrafshin e Dukagjinit, por edhe në Serbi e Mal të Zi. Pjesë të popullatës ortodokse të sllavizuar ka ende në katundet e Dukagjinit (Pejë: Sigë, Brestovik, Bjellopojë etj. apo të Komunës së Istogut: Zhakovë, në disa katunde të Drenicës etj ). Asnjëri prej tyre nuk e mohonte në vitet e shtatëdhjetë të shekullit të kaluar se të parët e tij flisnin shqip një ose dy breza para tyre, d.m.th. flisnin shqip deri në vitet njëzet të shekullit të kaluar.
Nuk kanë kaluar më shumë se 100 vjet nga periudha e shkombëtarizimit të shqiptarëve ortodoksë në Kosovë, apo 150 vjet nga koha tragjike e shuarjes së bashkëkombësve tanë në Serbinë e sotme dhe ne nuk e kemi asnjë dokument të publikuar për tragjedinë e tyre, as për proceset e asimilimit. Nuk kemi bërë asnjë përpjekje të ndriçojmë këtë periudhë, ndërsa është çelësi i kapërcimeve të mëdha.
Kujtesën e kemi aq të shkurtër, sa as emërtimet e shumicës së katundeve, lumenjve e rretheve në Kosovë, Maqedoni e në territoret etnike nuk i mbajmë në mend si ishin në gjuhën shqipe, para vitit 1923-25, kur i sllavizoi gjeografi i shtetit serb, Jovan Cvijiq. Shumicën e katundeve i quajmë edhe sot sipas gjeografit shkombëtarizues.
Me ndihmën e shqiptarëve kundër shqiptarëve: Për zemërplasje procesi i pavarësimit të Greqisë, ashtu sikurse pavarësimi i Serbisë kalonte nëpër të njëjtën fazë: kryengritjen e udhëhiqnin kapedanët e prijësit arvanitas-shqiptarë, shtetin e gëzuan grekët dhe të greqizuarit. Ndërkaq, grekët në emër të Zotit, i detyruan ortodoksët shqiptarë të mos flisnin shqip, ndërsa Serbia e Greqia i pavarësuan shtetet e veta me ndihmën e shqiptarëve, duke i persekutuar pastaj shqiptarët e të dy feve.
Në territore tjera etnike ku mbizotëruan shqiptarët, nisi sërish përndjekja e predikimit të fjalës shqipe, herë nga kisha greke, herë nga kisha serbe apo nga Turqia. Territore të tëra ose u spastruan, ose popullata u detyrua të bjerrte gjuhën e traditën. Shqiptarët ortodoksë në Perandorinë Osmane në Veri quheshin “shki”, në jug “grekë”, shqiptarët myslimanë, emërtoheshin “turq”, ndërsa shqiptarët katolikë “latinë”. Kombeve të tjera nën sundimin e Perandorisë Osmane, Stambolli ua lejonte të quheshin sipas kombeve që u përkisnin, u lejohej gjuha e predikimi fetar. Shkollat shqipe ishin rreptësisht të ndaluara, shkollat serbe e greke lejoheshin, madje stimuloheshin në territoret shqiptare.
Këto goditje fatale Perandoria Osmane i bëri, sepse shqiptarët treguam shenja dobësie, sepse pranuan konvertimin, megjithëse bënë luftë kundër pushtuesve si asnjë komb tjetër. Fillimi i konvertimi të shqiptarëve në myslimanë, pas terrorit të egër, ua shtoi oreksin turqve, ua nxiti fantazinë e shpresën se do t’i përdornin në shkallë të gjerë kundër popujve të tjerë dhe se me ndihmën e tyre do t’i ruanin zotërimet e interesat në Ballkan. Edhe serbët u dhanë vezirë e qeveritarë Perandorisë Osmane, madje më shumë sesa shqiptarët, mirëpo në çastin vendimtar ua kthyen shqelmat pushtuesve, natyrisht me ndihmën e Rusisë, duke u shkëputur nga ndikimi fatal turk. Shqiptarët u vonuan. Prandaj Stambolli e ndaloi shqipen, e persekutoi alfabetin, predikimin, duke ndaluar çdo shprehje të veçantive kombëtare, me shpresën se do të na shkombëtarizonin, përkatësisht se do të na turqizonin, ashtu sikurse bënë me miliona shqiptarë myslimanë, madje edhe me shqiptarë katolikë të rretheve të Vitisë e Gjilanit.
Marre Nga libri “A di Zoti shqip”, që doli këto ditë nga shtypi.
QË TË NA MBETEJ NË KUJTIM MAJI…
Nga Murat Gecaj/
Tashmë, ,janë të njohura takimet e ndryshme, me kolegë, miq e dashamirë. Ato bëhen me raste festash, por dhe në përurime librash, në ditëlindje ose gëzime të tjera. Por mund të jenë edhe të rastësishme, pra kur takimet tona nuk janë planifikuar që më parë. Sigurisht edhe këto kanë kënaqësinë dhge bukurinë e tyre, pra na mbeten në kujtesë për disa kohë. Ndërsa janë fotografitë, që ato i fiksojnë dhe i ruajnë për një kohë shumë të gjatë.
Kërkoj ndjesë për lexuesit e këtyrë radhëve, pasi e kuptoj që u zgjata paksa, për të treguar për një nga këto takime tonat. Siç e thshë më lart, edhe ky ngjau fare rastësisht. Ja, si ndodhi…
Po kaloja në afërsi të Bibliotekës Kombëtare të kryeqytetit dhe në një lokal të thjeshtë aty, vërej mikun e kahershëm timin, vlonjatin e mirë, prof. Bardhosh Gaçe, pedagog, studiues e autor librash. U përshëndetën përzemërsisht dhe, sakaq, solla në kujtesë që ishim takuar jo një herë në Tiranë, edhe gjatë kohëve të fundit. Një nga ato takime ishte dhe kafja, që pimë bashkërisht me mikun e dashur Sadulla Zendelin (i njohur ndryshe, Daja), nga Gostivari dhe që jeton tash 50 vjet në Suedi. Ai vjen rregullisht në Panairet e Librit, që organizohen në Tiranë. Dhe jo si një vizitor i thjeshtjë, por duarplot. Pra, paraqet aty libra të rinj, me poezi ose prozë. Por ajo, që e ka bërë atë më të njohur, janë fjalorët suedisht-shqip dhe shqip-suedisht, ky i fundit, me 1.600 faqe.
Nuk e kam të saktë, se ku qëndron në Durrrës, Bardhoshi, kur vjen këtej nga Vlora. Por di që ai ka dëshirë të lerë takime në Tirhanë, sigurisht një ditë më vonë, me miq dhe të njohur të tij. Kësaj here, ai më befasoi me një lajm, sa të papritur, por dhe që më solli kënaqësi. Bardhoshi më tregoi se kishte kaluar një operacion, në Klinikën Gjermane të Tiranës. Po, për fat, kishte dalë me sukses të plotë dhe tani ndjehej shumë mire nga shëndeti. Ai më shfaqi dëshirën që dje, pra në ditën e fundit të majit të këtij viti, kur të vinte nga ai qytet bregdetar, të pinim kafe bashkë me kolegun dhe mikun e përbashkët, shkrimtarin e publicistin e njohur, Viron Kona. Gjithashtu, njoftova të ishte i pranishëm me ne edhe arsimtari e publicist, Sejdo Harka, me origjinë nga Prmeti dhe me banim familjarisht në Tiranë.
“Me të thënë e me të bërë”, është një shprehje. Kështu, në vendin dhe orën e caktuar, ne u bashkuam të katër. Për të bërë pak shaka me miqtë e mi, u thashë se, edhe pse dy nga ata janë vlonjatë, do t’i kisha nën “komandë”, si tropojan që jam (ha,ha). Bisedat tona ishin të këndshme dhe ato u sollën, sa për jetën tonë të përditëshme, për shkrimet e botimet, por dhe për tema shoqërore e historike.
Nga ky “tubim” i thjeshtë, tani ruajmë kujtim edhe një fotografi të përbashkët, të cilën po e bashkëngjes me këtë skicë modeste.
U ndamë, duke u përqafuar me njëri-tjetrin dhe duke uruar për takime të tilla, të shpejta e sa më të shpeshta. Sigurisht, tema e bisedave tona përsëri do të jetë e larmishme.
Kështu, ne e përcollëm ditën e fundit të majit me një kujtim të bukur. Por, sigurisht, presim që edhe qershori të na sjellë ditë e ngjarje tjera të këndshme, të shënuara e të gëzuara. Një nga këto, është edhe Festa e 1 Qershorit të sotëm, që për ne gjyshërit është gëzim, bashkë me nipat e mbesat tona.
Tiranë, 1 qershor 2015