Shkruan: Washington Post/
Ne Foto: Don Albert Jakaj shpjegon arkitekturën e Kishës për vendasit e fshatit, duke përfshirë edhe kryetarin e Brodit, në Kosovë më 13 prill, 2015./
E përditshmja amerikane The Washington Post, ka bërë një hulumtim për rrënjët e shqiptarëve të Kosovës në aspektin religjioz.
Sipas hulumtimit të kësaj gazete, del se rrënjët e hershme të myslimanëve shqiptarë i përkasin pikërisht religjionit katoliko-roman.
Në fshatin Gjonaj të rajonit të Prizrenit, ekziston një kishë e vjetër më shumë se njëmijë vjeçare e cila është njëra nga dëshmitë për rrënjët katolike të shqiptarëve.
Çelësat e kësaj kishe i mbajnë serbët të cilët edhe thonë se u përket atyre, mirëpo banorët e atyshëm thonë se kjo kishë u përket shqiptarëve dhe ka qenë e tyre deri në konvertimin e fshatit në Islam.
Një banor i këtij fshati, i cili njëkohësisht është edhe prift ka thënë se beson që i gjithë Ballkani ka qenë me religjioz katolik, dhe sipas tij, janë pikërisht objekte të tilla fetare, si kjo kishë në Gjonaj që e dëshmojnë përkatësinë fetare të shqiptarëve dhe ballkanasve në kohën e dominimit dymijë vjeçar të Perandorisë Romake.
Pasi që Kosova kaloi nën regjimin otoman, nga pjesa e parë e shekullit 15 e deri në vitin 1912, pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës u konvertuan në Islam.
Mirëpo, përkundër asaj që pjesa më e madhe e rajonit të Brodit tashmë janë myslimanë, shumica e banorëve të këtij rajoni e përkrahin këtë hulumtim dhe kanë shprehur interesim për zbulimin e rrënjëve të tyre të kamotshme e pothuajse të harruara.
“Kjo është historia e kombit tonë”, ka thënë Ademi, “paraardhësit tanë kanë qenë katolikë dhe këta janë hapat tanë të parë për zbulimin e rrënjëve tona”, ka shtuar ai.
Zyrtarisht 90% e popullatës së Kosovës i takon besimit islam, ndërsa vetëm 3% e tyre atij katolik.
Mirëpo, përkundër këtyre të dhënave, prifti katolik Dodë Gjergji mendon se këto shifra fshehin afinitetin e vërtetë shpirtëror të kosovarëve. Sipas Gjergjit, vetëm 10% e popullatës kosovare e praktikojnë besimin mysliman, ndërsa pjesa tjetër janë sekularë.
“Besimi islam nuk është diçka që shqiptarët e kanë marrë vullnetarisht, por ka qenë diçka që ju është imponuar”, ka thënë Gjergji. “Historia kristiane është më e fortë se historia otomane”, ka shtuar ai, duke folur për Washington Post.
Gjergji ka thënë se është mjaft i kënaqur me rritjen që ka shënuar religjioni katolik në vitet e fundit.
“Jemi shumë të kënaqur për shkak se në këtë kohë pasigurie duhet guxim i madh që dikush të deklarohet se dëshiron të kthehet në rrënjët e veta”, ka thënë ai.
Po ashtu, në Kosovë nuk mungojnë as familjet ku bashkëjetojnë dy fetë, ajo myslimane dhe katolike.
Agron Bytyqi, ish-ushtar i UÇK’së, tani piktor dhe profesor i artit në Universitetin e Prishtinës, tregon se është rritur me babanë katolik dhe nënën myslimane.
“Si fëmijë nuk e kam ditur se çfarë religjioni i përkas, por pasi jam rritur kam pasur lirinë për të zgjedhur njërën nga të dyja fetë”, thotë Agroni, i cili është pagëzuar tek në vitin 1995.
Në anën tjetër, feja katolike njeh edhe “Laramanë”, të cilët e fshehin besimin e tyre të vërtetë. Epiqendra e këtij komuniteti është në lindje të Kosovës. Gjysma e shtëpive të fshatit Zhegër janë laramanë, për shembull. Ata nuk kanë kishë në fshat, por janë të njohur për ndezjen e qirinjve dhe lutjes në shtëpi sipas traditave katolike.
Një “Laraman”, Rexhep Sejdiu, jeton në Zhegër që 38 vite dhe është pronar i një pompe të benzinës.
“Ndjehem katolik”, ka thënë ai, duke shtuar se shumë rrallë e diskuton çështjen e religjionit jashtë familjes së tij. Ai e viziton kishën në Jakaj fshehurazi gjatë natës ndërsa ditën bëhet mysliman.
“Laramanët frikësohen të deklarohen si katolikë”, ka thënë prifti.
Sipas priftit, kjo ndodh sepse nëse e bën publik që i takon besimit katolik mund të shkaktojë probleme, një ndër të cilat është privimi nga martesa i fëmijëve të tyre.
“Laramanët” nuk deklarohen si katolikë për shkak se mendojnë se nuk do të mund të jetonin në stilin e jetës që dëshirojnë.
Gershman : “Shqipëria, ka një eksport të shkëlqyer. Nuk është frut, as zarzavate. Quhet Besa”
Presidenti Nishani përshëndet votimin e rezolutës nga Senati i Nju-Jorkut për rolin e kombit shqiptar – Heroizmin dhe altruizmi i shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore/
NGA BEQIR SINA/
Gershman : “Shqipëria, ka një eksport të shkëlqyer. Nuk është frut, as zarzavate. Quhet Besa”..
ALBANY NEW YORK : Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani në krye të delegacionit zyrtar vizitoi njërën nga institucionet më të rëndësishme të shtetit të Nju Jorkut, dy Dhomat e përfaqësueseve; Senatin si dhe Asamblenë e Nju-Jorkut, ku me rastin e 70 vjetorit të fitores mbi nazismin u paraqit rezoluta për rolin e kombit shqiptar në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga anëtari i Asamblesë që përfaqëson Distriktin 80, zoti Mark Gjonaj dhe Senatori i shtetit të Nju Jorkut Jeff Klain.
Në kuvendin e Nju Jorkut, Presidenti i Shqipërisë zyrtarisht është pritur në fillim nga Kryetari i Asamblesë së Nju Jorkut, Karl Heastie, Senatori Xhefri Klein, si dhe shumë anëtarë të tjerë të Asamblesë, me pjesëmarrjen e fotografit të njohur amerikan, zotit Norman Gershman, klerikëve shqiptarë dhe hebrenj, si dhe mjaft bashkatdhetarëve, Kreu i Shtetit me këtë rast vuri në dukje mbështetjen e tij dhe krenarinë për këtë rezolutë, e cila trajton 70-vjetorin e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore si dhe vlerëson në veçanti rolin e shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve.
“Sot, kur roli i popullit shqiptar në mbrojtjen e hebrenjve nga regjimi nazist sintetizohet në një rezolutë të mbështetur nga përfaqësuesit e Nju-Jorkut, ndihem vërtet shumë krenar. Hapja e dyerve për hebrenjtë u bë e mundur falë trashëgimisë historike dhe harmonisë fetare, por edhe dy institucioneve të forta morale të shoqërisë shqiptare, siç janë: Kodi i BESË-s, fjalës së dhënë dhe e mbajtur; dhe Mikpritja e kodifikuar në shprehjen: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e Mikut.” – u shpreh Presidenti Nishani.
Presidenti Nishani, si folësi kryesor, e mirëpriti këtë nismë duke marrë fjalën në këtë veprimtari të rëndësishme për imazhin e shqiptarëve jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën, dhe ishte i pranishëm në sallën e Asamblesë gjatë kohës kur u paraqit dhe u votua rezoluta, duke u takuar me shumë përfaqësues të zgjedhur të Shtetit të Nju-Jorkut, duke lobuar pranë tyre si dhe duke i falënderuar personalisht
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani ishte i pranishëm edhe në votimin e rezolutës nga Senati i Shtetit të Nju-Jorkut për rolin e kombit shqiptar në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, nismë kjo e kërkuar nga anëtarët i Asamblesë së Nju Jork-ut, zoti Mark Gjonaj dhe Senatori Jeffrey Klein.
Një numër i madh i shqiptarëve nga zona e Tri- Shteshit, veprimtar të dalluar të çështjes kombëtare morën pjesë në këtë ceremoni madhështore
Kryetari i Shqipërisë, zoti Nishani, pasi zhvilloi takim të veçantë me Senatorin Jeffrey D. Klein dhe shumë ligjbërës të tjerë nju-jorkezë, në prani të të gjithë anëtarëve të Senatit, të cilët e votuan unamimisht rezolutën mbajti një fjalim, ku kreu i Shtetit shprehu në emrin tij dhe të popullit shqiptar, mirënjohje dhe falënderimet për mbështetjen që iu dha rezolutës dhe miratimit të saj.
“Rezoluta që ju sapo miratuat vlerëson jo vetëm jashtëzakonisht dhe me të drejtë mbarë kombin shqiptar, jo vetëm popullsinë e Shqipërisë, por edhe atë të Kosovës, si dhe kudo tjetër ku jetojnë shqiptarët, duke theksuar edhe njëherë, akoma edhe më shumë kësaj radhe, edhe pse kanë kaluar më se 70 vite, Besën.” – theksoi, mes të tjerash, Presidenti Nishani.
Duke prezantuar para ligjëvënseve njujorkez Presidentin e Shqipërisë, në dhomën e përfaqësuesve, asamblesititi i parë shqiptarënë Asamblenë e Nju Jorkut, Mark Gjonaj, tha se :” Unë jam i nderuar për të prezantuar para jush të nderuar kolegë, dhe për të ndarë me këtë rast një pjesë të historisë së popullit shqiptar, Presidentin e Shqipërisë, Shkëlqesinë e Tij, zotin Bujar Nishani”, tha në fjalën e hapjes së kësaj ceremonie asamblesiti Mark Gjonaj .
“Përmes, “thjerrëzave” të celuloidit të aparatit fotografik, të fotografit të njohur hebre Noraman Gershman, do të kemi rastin të shohim angazhimin e shqiptarëve për t’u kujdesur dhe mbrojtur, ata që kanë nevojë, duke treguar atë mikpritjen shqiptare, e cila është kodi i nderit i quajtur Besa, “tha Assemblyman Gjonaj. “Është shumë e rëndësishme për ne që të vazhdojmë të krenohemi për këtë akt të papërsëritshëm që bën shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, për mbrojtjen e hebrenjeëve, me këtë shfaqje të veçantë, sidomos në botën e sotme, ku ne duhet të punojmë së bashku për të luftuar trendin në rritje të radikalizmit islamik dhe terrorismit, për të vendosur paqe, drejtësi, dhe bashkëpunimit ndër-fetar. Këto tregime si ky akt i shqiptarëve, sot, janë duke na kujtuar se ne duhet të kujtojmë tragjeditë e Luftës së Dytë Botërore për të mos u përsëritur më ato ngjarje; megjithatë, ne duhet të kujtojmë dhe nderojmë heronjtë e heshtur e Luftës së Dytë Botërore mbi shtigjet e të cilit ne duhet të vazhdojmë të ndjekim rrugën tonë sot, për të ndërtuar një botë tolerante dhe në paqe, në shtetin e Nju Jorkut, dhe në të gjithë botën. ” tha asambleisti Mark Gjonaj.
“Si nipi i të mbijetuarve të Holokaustit, Unë jam shumë mirënjohës, dhe kam respekt për aktin e shqiptarëve, që rrezikuan jetën e tyre për strehim dhe mbrojtjen e mijëra hebrenjëve, të cilët shpëtuan gjatë njërës prej kapitujve më të errët në historinë njerëzore. Shqiptarët, morën rreziqe të mëdha për të shpëtuar hebrenjtë në vendin e tyre, si dhe vendet fqinje, dhe veprimet e tyre shpesh të panjohura, janë heroike dhe për t’u nderuar . Unë jam i nderuar për të pritur Presidentin Nishani dhe të përgëzoj popullin shqiptar për mbrojtjen e hebrenjve dhe trimërinë e tyre. Jam gjithashtu krenar për të nderuar fotografin Norman Gershman puna e të cilit na jep mundësinë të mësojmë në lidhje me këtë akt të jashtëzakonshm dhe lidhjeve mes popullit hebre shqiptar, “tha senatori i Shtetit Jeff Klein.
“Kjo nuk është gjithmonë e lehtë për të gjithë ne për atë të besuar këtë fatkeqësi që pësoi populli hebre. Edhe sot e kësaj dite, njerëzit të gjithë në të gjithë botën janë të kërcënuar për shkak të racës së tyre, gjinisë dhe fesë. Veprimet e popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë qenë jo vetëm heroike, por janë edhe një shembull i tolerancës dhe dhembshurisë që ne të gjithë duhet të përpiqemi të posedojmë këtë virtyt të lart njerëzor. Unë do të doja të falënderoj Assemblyman Gjonaj dhe senatorin Klein për sjelljen e Presidentit Nishani për një vizitë të till në Nju Jork “, tha Kryetari i Kuvendit të Nju Jorkut Karl Heastie (D-Bronx).
Kryetari Heastie me këtë rast nderoi Presidenti Nishani me një “Big Apple”, si një shenjë nderimi për personalitetet më të larta në vizitën e tyre shtetin e Nju Jorkut.
“Sot, 70 vjet më vonë, në shumë pjesë të globit, duke përfshirë pjesë të kontinentit evropian, vërejmë një ndjenjë në rritje e anti-semitizmit. Sulmi më i fundit anti-semitist terrorist ishte në Francë, por edhe në vende të tjera, na bëjnë të mendojmë se qëllimi i arritur 70 vjet më parë, duket se është vendosur në pyetje edhe një herë, “tha presidenti Nishani. “Ne nuk duhet të lejojmë asnjë lloj pikëpyetje dhe paragjykimeve të ndikojë brezat e rinj, por në vend të kësaj ne duhet të veprojmë së bashku dhe me vendosmëri në luftën kundër anti-semitizmit dhe në mbrojtjen e deklarimit të drejtave universale të njeriut nga Kombet Bashkuara. Mësimet e nxjerra nga historia nuk duhet të harrohet. ” u shpreh Nishani.
Fotgrafi i njohur i mbijetiari i holokausttit Greshman, tha se :””Kam zbuluar këtë kod të pabesueshm të nderit, kodin e shqiptarëve Besa, i cili është diçka që shqip i thonë besa, kod ky që për mua është më shumë se vetëm një kod shqiptar. Ky është një kod që ne të gjithë duhet të përqafojmë. Kur unë them: “ne,” do të thotë se të gjithë ne – burra, gra, fëmijë – për të nderuar dallimet kulturore mes popujve të ndryshëm në vende të ndryshme, ” tha zoti Gershman duke shtuar se “Shqipëria, ka një eksport të shkëlqyer. Nuk është frut, as zarzavate. Quhet Besa”..
në vlersimet e tyre gjatë kësaj ceremonie u tha se Besa, është themeli i këtij akti të papërsëritshëm, i cili është një kod i nderit rrënjosur thellë në kulturën shqiptare dhe inkorporuar në besimin e shqiptarëve. Kjo thanë oratorët dikton sjelljen morale dhe kërkon nga çdo njeri që të marrë përgjegjësinë për jetën e të tjerëve në kohën më të vështirë të jetes së tyre pavarësisht rrezikut dhe pasojave që mund të ketët njeriu. Folësit treguan se në Shqipëri dhe Kosovë, shqiptarët kan strehuar jo vetëm hebrenjtë në qytetet dhe fshatrat e tyre, por ata kan ndihmuar ata si në kohën e Mbretit të shqiptarëve Zog i Parë, me dhënjen e pashaportës shqiptare dhe paisur me viza në atë kohë me mijëra refugjatë hebrenjë që të largoheshin nga rreziku për jetën nga vendet e tjera evropiane në Amerikë dhe Australi , me këtë rast shqiptarët, të krishter, mysliman, dhe ortodoks, e bën këtë akt historik duke vënë në rrezik të rëndë edhe veten dhe familjet e tyre.
Në këtë ceremoni të dy dhomat e përfaqësuseve Kuvendi dhe Senati i Shtetit të Nju Jorkut, kan kaluar rezolutat për njohjen e Shqipërisë të aktitit në mbrojtjen e hebrenjëve dhe rolin e shquar shqiptarëve luajtur shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më shumë se 2.000 hebrenjtë mbijetuan persekutimit nazist në Shqipëri, ku popullsia lokale shqiptare i fshehu duke vënë në rrezik edhe jetën e tyre, dhe në disa raste, në koston përfundimtare të jetës së tyre, mbas ardhjes së komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës.
Uran Kostreci, poeti që ëndërronte ta luftonte komunizmin me vargje
Uran Kostreci, ish i dënuar i diktaturës dhe shkrimtar, i cili ka vuajtur për një kohë të gjatë në burgjet e komunizmit, tregon për miqësinë me Petro Zhejin, njohjen me të në SHBA dhe sonetin e dedikuar atij pas vdekjes/
Zoti Kostreci, ju keni bërë 20 vite burg politik. Dhe krimi juaj i vetëm ishte sepse donit të ishit një poet i lirë. Thuhet se ju jeni përpjekur ta luftoni diktaturën komuniste me sonete dhe poezi. A është kjo e vërtetë dhe si mund të na e përshkruani këtë?
Unë që në shkollë e kam pasur pasion letërsinë dhe kam filluar të lexoj që në moshën 13- vjeçare. Letërsia më ka shpëtuar shpirtërisht e për pasojë edhe fizikisht kur rashë në burg. Babai im ka qenë një i burgosur politik gjithashtu dhe ato që unë shkruaja ndonjëherë ua jepja shkrimtarëve t’i lexonin dhe iu pëlqenin shumë, e megjithatë nuk u botuan asnjëherë. Bile është një moment interesant; Në vitin1955, isha në vit të dytë në Shkollën Normale në Elbasan, vjen një vajzë e cila punonte në gazetën “Rinia”, për të parë rrethin letrar. Ishim nja 12 veta ne, e pasi mblodhi shkrimet tona e i lexoi nja 3-4 orë, zgjodhi vetëm dy-Të dyja të miat. Me tha mua: ‘Uran, këto do të botohen’. Unë u bëra me fletë, se isha i ri, por një frikë e kisha. Prit dy javë, prit një muaj nuk doli gjë. Gjej paratë dhe hipi në tren për të ardhur në Tiranë dhe iki drejt e te redaksia e gazetës. Pyes për zonjushën dhe doli ajo e shkreta. Doli dhe nuk i harroj asnjëherë fjalët e saj me njëfarë keqardhjeje. “Uran, atyre fjalëve që të thashë në Elbasan iu qëndroj akoma; poezitë i pëlqeva shumë, por nuk varet nga unë botimi i tyre”. E mora vesh unë. Po u pikëllova shumë e më kujtohet që kur zbrita shkallët kam derdhur lot. Jua rrëfeva këtë duke dashur t’ju tregoj se mua nuk m’i botuan asnjëherë poezitë e mia. Në burg kam përkthyer sonete nga të Petrarkës, Dantes e me radhë, por m’i merrnin kapterët dhe më humbnin të tëra. Por shkrova edhe një poemë, e cila nuk u bë për një vit ajo, se jarebi, s’ndodh për një ditë. Një poemë satirike që e emërtova “Epopeja e karkalecëve” ose “Epopeja e komunistëve”. Këtë e shpëtova dhe e nxora jashtë, sepse e mësova të gjithën përmendësh, plot 2000 vargje. Bile më kujtohet që po më kontrollonin kur u lirova në 1981, e thosha me veten time: atë që e kam në kokë s’ma merr dot. Epopeja e karkalecëve është një satirë që demaskon, satirizon dhe stigmatizon komunizmin.
Nëse do të kishit edhe një shans të dytë, a do të bënit përsëri të njëjtën përzgjedhje, duke ditur që do të keni kaq shumë rreziqe dhe kaq shumë sfida në të njëjtën kohë?
Të më besosh, unë kam mbetur rebel siç kam qenë që në moshën 15 vjeç-are, e po të vinte komunizmi në atë formë që ishte, unë prapë do vete në burg sepse nuk rri dot pa folur. Edhe pastaj, a do dilja gjallë si dola herën e parë, atë s’e di. Këtë mund ta marrësh me mend vetë. Unë letërsisë i falem dhe pasioni për këtë është shumë i madh. Unë në burg nuk e ndjeja fare urinë si të tjerët. Kur vinte ajo supa që nuk e hanin as qentë, i vetmi që habitej sesa shpejt erdhi ora për të ngrënë isha unë, megjithëse isha më i urituri ndoshta. Aq isha i përfshirë në ato që bëja tërë ditën duke shkruar poezi, duke mësuar italishten, duke përkthyer. Kjo më ka mbajtur gjallë. Jam sot 77 vjeç dhe bëj sonete për dashurinë, sepse shpirti i një artisti nuk njeh as moshë, as nuk pyet për muret e larta dhe qelitë e burgjeve.
Ju njiheni gjithashtu edhe si një mik i ngushtë i studiuesit dhe humanistit Petro Zheji. Çfarë ishte për ju Petro Zheji? Si intelektual, si gjuhëtar dhe si njeri?
Pyetja juaj është aq e stisur sa ma bën kaq të lehtë përgjigjen. Me Petron nuk isha njohur më parë, derisa u takova me të në Amerikë, sepse kam jetuar atje nja 7-8 vjet. Më thotë një ditë një miku ynë i përbashkët që do ftonte për Vit të Ri disa miq të tij, ndër të cilët ishte edhe Petro. Ndenjëm tri ditë në Ëashington dhe aty e njoha. Ai njëherë, e para punës, qe një savan, një dijetar. Ai qe një njeri shumë i ditur, enciklopedik e poliglot. Ishte njohës i shkëlqyer i 9 gjuhëve dhe njohës i shkëlqyer i historisë së artit dhe filozofisë. Ai ka qenë ndër përkthyesit më të mirë që ka pasur Shqipëria. Ishte njohës i mirë i gjuhëve të huaja, por mbi të gjitha ishte një njohës i mirë i shqipes. I qofshim falë për Shqipen që na ka dhënë ai me shqipërimet e tij. I pata dërguar ‘Epopenë e karkalecëve’ me email dhe e kishte pëlqyer. Dhe më tha mua: Po kur do i botosh? “E para punës i thashë, s’kemi para, e dyta duhet ta botoj në Shqipëri”. Kur vendosëm ta botojmë, ai shkroi parathënien. I thashë: O Petro, po mos e ke tepruar me lëvdatat për mua? E dini ça më tha? “Po ta merr mendja se do turpëroj veten në pleqëri duke lëvduar një gjë që s’vlen?”.
Tani kam mbledhur edhe 40 sonete, të cilat i kam shkruar kohët e fundit, e ndër to është edhe një sonet dedikuar Zhejit që vdiq. Ia bëra jo sepse ishte miku im, por sepse ishte njeri me vlera të veçanta.
E ndërkohë, z. Kostreci reciton sonetin me një dashamirësi të jashtëzakonshme:
Një mik e tha e unë besoj, Ti… fjete
Mbas aq brilant përkthimesh, korife!
Mes mjegulle antike, o eremit më vete
Ti, rolin mesianik të shqipes pe!
Të gjuhës ton’ gjenezë,ndofta,gjete;
Si Zarathustra fjalën tënde e the
E do dëgjojmë, shpejt, mbase, tërmete
Për shqipen- çelsi i gjuhëve mbi dhe.
Sa shum’ ngjyrim e shpirt e fjalë ar
Ka fraza jote, sa frymëzim e afsh
Her’ si ujvarë e vrullshme ujë llagar
Dhe herë e qetë e butë si mëndafsh;
Ti, që u reke e aq ishe krenar
Për shqipen, Petro, atje… Parajsën pafsh.
Mendoni se bota e sotme është më e mirë se sa bota e djeshme, që ju futi padrejtësisht në burg?
Tani dëgjo, një nga gjërat që na ka bërë të vuajmë më shumë është se nuk themi dot një fjalë për një tjetër; Në i themi gjërat troç. Njeriu përballet me kohë të vështira ndonjëherë dhe ajo e komunizmit ishte ndër më të vështirat, ku nuk duhej thënë fjala troç, sepse e pësoje. Ne e ëndërruam njëçikë më të plotë e më të saktë këtë botën e re, se ne e dinim që do vinte, vetëm nuk ishim të sigurt nëse do arrinim ta shikonim apo jo. Ne e dinim që do të merrte fund ajo doktrinë artificiale, por nuk e dinim nëse do të dilnim gjallë nga ajo. E kemi përfytyruar më të saktë, më të mirë, më të drejtë. Nuk erdhi tamam ashtu. Për të qenë i sinqertë dhe i drejtë me ju, ne e dinim që ai sistem ishte i tmerrshëm dhe shyqyr që ra. E sot populli tashmë po merr fryme i lirë, u hapën udhët e njerëzit janë të lirë të shëtisin botën. Por disa gjëra u bënë gabim! Duhet të ishin të tjerë… ata që themeluan botën e re demokratike, duhet të ishin ata që u vranë. Ne ishim të etur për ta parë Shqipërinë demokratike dhe s’mund të mos e duam më shumë këtë botë. Shyqyr që u bë kaq sa u bë, edhe pse nuk erdhi ashtu siç menduam ne.
Ku ndryshojnë këto dy botë?
Ti nuk do vije dot të më merrje intervistë mua sepse unë, ose do isha i vdekur, ose do isha në burg. Ne sot kemi mundësi të flasim lirisht, por edhe të shkruajmë në qoftë se na hapet ndonjë hapësirë. Unë munda të botoj “Epopenë e Karkalecëve” të cilën nuk e botova dot atëherë. “Vendi i shfarosjes së armiqve të popullit”, shkruhej në burgun e Burrelit, ku ka qenë babai im i burgosur e më pas, unë. Janë dy botë diametralisht të kundërta nga njëra- tjetra. Kjo nuk është bota që prisnim ne, dhe e them, sepse unë e di mirë si ishte dhe sesi duhet të bëhej.
Intervistoi: Estela Xhafa
PETRO ZHEJI
Sonet nga Uran Kostreci
Një mik e tha e un besoj, Ti… fjete
Mbas aq brilant përkthimesh, korifè!
Mes mjegulle antike, o eremit më vete,
Ti, rolin mesianik të shqipes pe!
Të gjuhës ton’ gjenezë, ndofta, gjete;
Si Zarathustra fjalën tënde e the
E do dëgjojmë, shpejt, mbase, tërmete
Për shqipen – çelsi i gjuhëve mbi dhè.
Sa shum’ ngjyrim e shpirt e fjalë ar
Ka fraza jote, sa frymzim e afsh:
Her’ si ujvarë e vrullshme ujë llagar
Dhe herë e qetë, e butë si mëndafsh;
Ti, që u reke e aq ishe krenar
Për shqipen, Petro, atje, parajsën pafsh.
SENATI I SHTETIT TË NJU JORKUT VOTOI REZOLUTËN “SHQIPTARET PËR HEBREJTE”
*Presidenti Bujar Nishani dje, 5 Maj 2015, ne ALBANY, përshëndeti votimin e Rezolutës nga Senati i Nju-Jorkut për mbrojtjen e hebrnjëve në Shqipëri/
*Të pranishëm edhe një grup vatranësh me kryetarin Dr. Gjon Bucaj/
Presidenti i Republikës Bujar Nishani, që ndodhet në Shtetet e Bashkuara te Amerikes, ka qenë dje, e Martë 5 Maj 2015, i ftuar në Senatin e Shtetit të Nju Jorkut, në Albany.
Veprimtaritë në Kryeqytetin e Shtetit të Nju Jorkut janë organizuar me rastin e 70 vjetorit të fitores mbi nazizmin, ku u paraqit Rezoluta për rolin e Kombit Shqiptar në mbrojtjen e Hebrejve. Kombi Shqiptar i karakterizuar nga Kodi i Nderit, Besa dhe bujaria tradicionale, u dha strehë mbrojtëse hebrejve të kërcënuar nga nazistët.
Presidenti Nishani është pritur me nderime të evcanta nga Karl Heastie ,Kryetar i Asamblesë së Nju Jorkut, nga senatori Xhefri Klein dhe nga ansambleistë të tjerë. I pranishëm ishte edhe miku i shqiptarëve, Norman Gershman, që është kthyer në një ambasador i përhershëm i shqiptarëve në komunitetin hebre dhë në mbarë botën për kontributin e shqiptarëve në mbrojtjen 100 për qind të hebrejve dhe ka promovuar BESËN SHQIPTARE në mbarë botën.Të pranishëm në veprimtaritë e organizuara ishin edhe klerikët shqiptarë.
Anëtari i Ansamblesë së Shtetit të Nju Jorkut, i pari shqiptar në këtë tempull ligjvënës, z. Mark Gjonaj, me krenari prezantoi para ansambleistëve Presidentin Shqiptar, Shkëlqesiën e Tij z. Bujar Nishani. Z. Gjonaj, tha se ndjehej i nderuar që prezantonite para kolegëve të vet, Presidentin Shqiptar.
Ansambleisti Gjonaj përgëzoi mjeshtrin Norman Gershman, që përmes fotografive ka përjetësuar historinë e shqiptarëve që kanë mbrojtë hebrejtë, me mikpritjen dhe Kodin e Nderit-BESEN SHQIPTARE.
Kryetari i Ansamblesë, z. Karl Heastie , në shenjë nderimi për vizitën, ka nderuar Presidentin e Shqiperise, Z. Nishani me “BIG APPLE”.
Presidenti Bujar Nishani ka marrë pjesë në mbledhjen e senatit të shtetit të Nju Jorkut ku është votuar rezoluta për rolin e kombit shqiptar në mbrojtjen e hebrejve gjatë Luftës së Dytë të Botërore, e kërkuar nga anëtari i Asamblesë së Nju-Jorkut, Mark Gjonaj.
“Rezoluta që ju sapo miratuat vlerëson jo vetëm jashtëzakonisht dhe me të drejtë mbarë kombin shqiptar, jo vetëm popullsinë e Shqipërisë, por edhe atë të Kosovës, si dhe kudo tjetër ku jetojnë shqiptarët, duke theksuar edhe njëherë, akoma edhe më shumë kësaj radhe, edhe pse kanë kaluar më se 70 vite, Besën” -theksoi presidenti Nishani.
Pas votimit të kësaj rezolute, Presidenti i Republikës u është drejtuar me një fjalë të pranishmëve në punimet e Asamblesë si dhe Senatit të Shtetit të Nju-Jorkut.
Në ceremoni ishin të ftuar shumë bashkatdhetarë, ndër ta edhe një grup vatranësh me në krye dr. Gjon Bucaj, Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA. Ishin të pranishëm edhe z. Asllan Bushati, zv/kryetar i Vatrës, Zef Balaj-anëtar i Këshillit të Vatrës, Zef Përndocaj, dhe Dalip Greca. Po ashtu kishin ardhë edhe veprimtarë të shumtë të komunitetit shqiptar.
Presidenti do mbajë një ligjëratë në ‘Manhattan College’, si dhe do të ketë takime me politikanë të Nju-Jorkut e personalitete të shquara shqiptaro-amerikane me një kontribut të qenësishëm në promovimin e vlerave humane të shqiptarëve.
Kreu i Shtetit shqiptar do të zhvillojë takime edhe me drejtuesit e Fondacionit “Raoul Wallenberg”, me organizatën “Sisterhood of Salam” dhe “Ethnic Understanding”, të cilat punojnë në promovimin e dialogut ndërfetar.
Në përfundim të vizitës së tij, Presidenti Nishani do të mbajë një ligjëratë me temë: “Mbi tolerancën fetare” në Manhattan College, Riverdale si dhe do të përshëndesë aktivitetin, që do të mbahet në B’nai Jeshurun Sinagogue.
Ky aktivitet mbahet në shenjë vlerësimi ndaj ndihmës së vyer që dhanë shqiptarët në shpëtimin e hebrenjve.(DIELLI)
Eshtë arrestuar senatori i Asamblesë së Nju Jorkut
Autoritetet federale ngritën akuza ndaj senatorit të Asamblesë së Nju Jorkut Dean Skelos dhe djalit të tij, për përfshirje në një skemë korrupsioni. 67-vjeçari Dean Skelos krytar i shumicës republikane në organin ligjvenës të shtetit të Nu Jorkut dhe djali i tij Adam 32-vjeçar përballen me gjashtë akuza për konspiracion dhe mashtrim.
Babë e bir u arrestuan nga FBI-ja ditën e hënë, njoftoi prokuroria e Manhatanit, ndërkohë që pritej të paraqiteshin në një gjykatë federale. Preet Bharara është prokuror në Nju Jork.
“Gjashtë llojet e akuzave kanë të bëjnë me mënyrën se si Dean Skelos përdori pushtetin dhe influencën e tij si udhëheqës i maxhorancës në senat për të pasuruar në mënyrë të përsëritur dhe të paligjshme, të birin Adam, dhe indirekt vetveten. Mendohet se babë e bir vunë në jetë një skemë për të nxjerrë fitim nga posti zyrtar i Dean Skelos, duke zhvatur para nga të tretë, në emër të Adam Skelos, me pritshmërinë që këto pagesa do të influenconin vendimmarrjen e zotit Skelos.”
Sipas akuzës, që në vitin 2010, Dean Skelos dhe i biri ushtruan presion ndaj një biznesmeni të pronave të patundshme, që të mundësonte pagesa prej qindra mijëra dollarësh në emër të Adam Skelos.
Biznesmeni arriti të mundësojë pagesat, ndërkohë që lobonte zotin Skelos në lidhje me një legjislacion të rëndësishëm për biznesin e tij. Pagesat ishin të ndryshme, si p.sh. 20 mijë dollarë për Adam Skelos, për punë që nuk i kreu kurrë, ose 4 mijë dollarë çdo muaj nga një firmë teknologjike që shpresonte të fitonte një kontratë me qeverinë.
Në vitin 2013, kur bashkia Nassau, në Nju Jork, mendonte të rinovonte kontratën me kompaninë teknologjike, Skelos dhe i biri kërcënuan ta bllokonin kontratën nëse nuk rriteshin pagesat mujore. Për rrjedhojë, kompania filloi t’i paguante të birit, Adamit, 10 mijë dollarë çdo muaj, duke i dhënë një total prej 198 mijë dollarësh në pak kohë.
Ndërkohë, Dean Skelos, shfrytëzoi postin e tij për të lehtësuar miratimin e një kontrate 12 milionë dollarëshe për këtë kompani.
Ky rast hetimor është më i fundit në një seri rastesh të tjera që kanë përfshirë kryeqytetin e Nju Jorkut, Albany. Në muajin janar u arrestua kreu i dhomës së përfaqësuesve të Nju Jorkut, Sheldon Silver, një demokrat, nën akuzat për korrupsion. Të dyja këto raste hetimore u hapën pas shpërbërjes në mënyrë të papritur në vitin 2013 nga guvernatori i shtetit të Nju Jorkut Andrew Cuomo të një komisioni anti-korrupsion.
“Tashmë duket qartë se korrupsioni është një problem me rrënjë të thella në shtetin e Nju Jorkut, në të dyja dhomat e përfaqësuesve të zgjedhur, dhe në të dyja anët e politikës.”
Prokuroria premtoi se do të vazhdojë me të tjera hetime federale për të ndjekur me seriozitet maksimal këtë problem.(Kortezi:VOA)