Bashkim fondesh në Nju Jork për Seminarin Ndër-Dioqezan Shqiptar “Nëna e Këshillit të Mirë” Shkodër/
Nga Beqir SINA – New York/
YONKERS NY : Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” New York, në Nju Jork, me në krye me famullitarin e saj – Dom Pjeter Popaj – organizoj të dielën e kalur një darkë kulturore për ngritjen e fondeve të Seminarit Ndërdioqezan Shqiptar “Zemra e Këshillit të Mirë”, në lokalin e njohur Royal Regency Hotel në Yonkers NY.
Në, informacionin që na dha Kryetari i Komisionit Përgaditor Leonardo Berishaj, thuhet se në këtë darkë për grumbullimin e ndihmave materiale ishin të pranishëm rreth 300 mysafir, anëtar të famullisë Zoja e Shkodrës, veprimtar të komunitetit dhe kontribues të dalluar. Mysafir special i kësaj darke ishte zv/Rektor i Seminarit Dom Gjovalin Simoni, Kryetarja e Këshillit të Kishës Zoja e Shkodrës znj. Margarita Gazivoda Kocaj, Drejtor i ri Qendrës Nanë Tereza z. Marjan Cubi, Assembleisti z. Mark Gjonaj dhe Kryeredaktor i revistës Jeta Katolike z. Mark K. Shkreli
Aktivitetin e hapi Leonardo Berishaj i cili pasi faleminderojë mysafirët e nderuar, dhe pjesëmarrësit dhe donatorët, tha se kjo darkë organizohet nga Kisha jonë Zoja e Shkodërs dhe Famullitari Dom Pjetër Popaj për ngritjen e fondeve të Seminarit Nderdioqezan Shqiptar “Zemra e Këshillit të Mirë” Shkodër.
Fillimisht, Berishaj, iu drejtua pjesëmarrëseve, duke thënë se është privilegj dhe kënaqësi të kemi sonte në mesin tonë dom Gjovalin, të cilin në emër të Komisionit Organizativ të fushatës që unë e përfaqësoj e përshendes, ashtu si do të përshëndes të gjithë të pranishmit, me një falenderim i veçantë për bujarinë e tyre, dhe donacionet materiale.
“Ju falenderojmë të gjithëve për praninë tuaj, angazhimin dhe donacionet tuaja të shumta në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e kishave, qendrave fetare, shkollave, funeraleve dhe shumë e shumë projekteve të tjera si këtu në SHBA, poashtu edhe në vendlindjen tonë – Malësinë. Mbi te gjitha paraprakisht ju falenderojmë të gjithë ju donatorëve për kontributin tuaj të kësaj mbrëmje për përkrahjen e Seminarit Nderdioqezan Shqiptar, në Shqkodër” tha Kryetari i Komisionit Përgaditor Leonardo Berishaj,.
Më pas duke e faleminderuar për angazhimin dhe kontributin e dhënë. Berishaj ftoi të marrë fjalën udhëheqësin e kësaj darke, z. Gjergj Balaj, i cili tha ai ka dhënë dhe vazhdon ti japë kontribut të madh famullisë sonë dhe krejt komunitetit shqiptar.
Drejtuesi i kësaj z.Gjergj Balaj, mbasi ceku faktin se përse ishin mbledhur, këtë darkë, për të mbështetur Seminarin Nana e Këshillit të Mirë në Shkodër, u shpreh se :” Ky është vendi ku arsimohen për meshtarë shqiptarë. Ai , tha Balaj, është një institucion pa kufij – ku bashkohen djemt nga të gjitha trojet Shqiptare për hapur shpirtin e tyre me dashuri në shërbim të Zotit dhe të popullit besimtarë”.
Duke folur për historikun e këtij seminari, Balaj, tha se Seminari Papnorë u hap për herë të parë në vitin 1859, dhe vazhdoj deri në vitin 46, kur u mbyll barbarisht nga gjakatarët komunist. Prifta u vrane, dhe në Shqipëri ishte sikur të kishte vdek Zoti, por, Jo! Zoti nuk vdes kurr, tha Balaj, dhe shtoi se Seminari u rihap ne vitin 90!”
Në historikun e saj tha ai mësojmë se sot janë mbi 40 dioqezan dhe rreulltar që kan studiuar aty, emra të njohur si Dom Gjovalini, Dom Viktori, Patër Mikel Pllumaj, Dom Simon Filipaj, Dom Mirget Gega, Dom Artur Kola, etj, diokon Kled Vukaj. Dhe, pikërisht, dje është shuguru nji diokon i ri, Agustin Bardhi nga Mirdita.
Ndërkohë, duke tërhequr vëmendjen që të reflektojm pak, drejtuesi i kësaj darke në fjalën e tij, permendi se kush janë meshtarët tonë dhe rëndësin e meshtarve! duke mos harruar rilindasit tonë! Dom Nikoll Kaccori, At Gjergj Fishta, etj, etj,tha ai.
Nga Seminari i Shkodrës kan dal Dom Ndre Mjeda, Dom Lazër Santoja, Dom Ndre Zadeja, Kardinal Mikel Koliqi, Dom Simon Jubani, etj.
Në fjalën e tij tha drejtuesi i saj :”Populli jonë e ka nji histori të dhimbsheme. Gjatë pushtimit ottoman, ditët më të errëta të historisë t’popullit Shqiptarë, meshtarët në trojet tona kan qenë ata njerez, në shërbim të Zotit që mbijetuan duke sherbyer popullit. Mos t’ishte besnikerina dhe perkushtimi i tyre, ceku ai, ne sot do ishëm t’zhdukur plotësisht”.
Ne që jemi sot këtu, vijojë Balaj, rrjedhëm nga ato familje që mbijetuan bashk me ata meshtarë. Kisha jonë këtu në NY, uniteti jonë këtu në këtë famulli, ne të gjith jemi të lidhur si zinxhir me Kishën në atdheun tonë, ashtu si meshtarët ton, që jan zinxhir që lidhen drejt të dora e Krishtit. Trashigimi Apostulik.
Gjatë fjalës së tij – zoti Balaj, kujtojë edhe vizitën e Papa Franceskut në Shqipëri “Në Shqipëri për vizitën e Papës, tha ai u vendosën para syve tërë botës në bulevard – fotot e mbi 40 martirëve, viktimat e komunizmit. Gjaku i tyre nuk është derdh kot. Gjaku i tyre është rrahja zemrës t’popullit tonë. Mos t’harrojm sakrificen e tyre! Kemi përgjegjësi për të mbësht punën e tyre, sepse puna e tyre është vepra e Zotit! Martirizimi është sakrifica më e madhe që mund baj njeriu, ” tha Balaj
Kurse duke folur për darkën ai kërkojë nga të gjithë së bashku, t’hapin zemërat dhe të tregojnë mirënjohen dhe bujarinë, për sakrificën e tyre, e te mbështesin të gjithë këtë fushat, mbasi me mbeshtetjen e duhur tuajën, përmes këtij Seminari, theksojë Balaj, mund t’zevendsohen të gjith ata të humbur gjatë vitevet të komunizmit, dhe dasht Zotit që të shumohet edhe më shum numri i tyre, me ndhimen tonë”.
Në fund të fjalës së tij udhëheqësi i kësaj darjke, z. Gjergj Balaj, tha se :”Kjo fushatë që u mbajtë më 12 Prill 2015 për ngritjen e fondeve financiare për Seminarin Nana e Këshillit të Mirë në Shkoder, për kocidencë përkoi edhe me 45 vjetorin kur u hap zyrtarisht kisha e parë Katolike Shqiptare në Amerik “Zoja e Kshillit të Mirë”, pikërishtë më12 Prill 1970″
Pas fjalës së udhëheqësit të këtij programi, darkën e Bekoi ndimësfamullitari i Kishës Zoja e Shkodrës Dom Viktor Dedaj.Kurse, fjalën përshëndetëse, si organizator i kësaj mbrëmje, e mbajti famulllitari i kishës Zoja e Shkodrës, Dom Pjeter Popaj.
Ai përzemërsisht përshëndet dhe falenderojë të gjithë donatorët për kontributin e tyre, bujar,” të cilët tha Popaj, here pas here japin dhe nuk kurshen në çdo vend kur kërkohet ndihmë dhe nevoja paraqitet. Me kontributin tuaj theksojë Dom Pjetri, po ndërtohen dhe e reparohen Kisha, qendra fetare, funerale dhe shumë objekte tjera të nevojshme për popullin tonë në vendlindje, por edhe për besmitarët tanë në SHBA”.
Në mënyrë të veçantë Dom Pjetri falenderojë Këshillin e Kishës Zoja e Shkodrës dhe Komisionin Organizativ të Fushates, i cili me angazhimin e vet e bëri të mundshme, edhe këtë darkë, ashtu si dhe shumë evenimente të tjera.
Në fjalën e tij, zv/Rektori i Seminarit Shqiptar, Dom Gjovalin Simoni mbasi ka falenderuar Kryetarin e Komisionit pregaditor Leonardo Berishën, Këshillin e Kishës kryetaren Margarita Koçaj, udhëheqësin e programit Gjergj Balaj, Famullitarët Dom Pjeter Popaj dhe ndihmësin e tij, Dom Victor Dedaj dhe të gjithë përkrahësit dhe donatorët, foli në pika të shkurtra mbi Historikun e Seminarit.
Ai tha se “Seminari Ndërdioqezan Shqiptar ndodhet në qendër të qytetit të Shkodrës. Për herë të pare është hap nw vitin 1959 me emrin “Seminari Papnor” ku vitin shkollor e filluan 11 seminaristë të drejtuar nga Jezuitet.Për shkak të përndjekjes komuniste në vitin 1946 Seminari mbyllet dhe qëndron i mbyllur për 47 vite. Sipas vendimit të Selisë së Shenjtë në vitin 1992 përsëri hapet Seminari, duke u thirrur tashmë Seminari Ndërdioqezan Shqiptar “ Nëna e Këshillit të Mirë” duke iu kushtuar Pajtores së gjithë shqiptarëve”.
Në vazhdim Dom Gjovalini u shpreh se Seminari Shqiptar është i të gjithë shqiptarëve ku edukohen seminaristë nga Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët që jetojnë nën Malin e Zi e të tjerë.
Darkën e ka përshëndetur asamblesiti shqiptarë në Asemblenë e Shtetit të Nju Jorkut Distrikti 80të në Bronx, – z.Mark Gjonaj i cili u përfshi në grupin e donatorëve me shuma më të mëdha si : Gjergj Balaj, Familja e Noce Mati Gjonaj, Valentin Balaj, Dode Curanaj, Nreke Tonaj
Gjatë kësaj veprimtarie, Kryetarja e Këshillit znj. Margarita Gazivoda Koçaj e cila organizojë Lotarin e mbramjes, duke faleminderuar fituesit ka faleminderuar në mënyrë të veçantë edhe sponsorizuesit : Nreke Tonaj, Flames Restaurant ( Paloke Rudaj), Salon Chou Chou (Vera Elezaj), Familja Dushi, Artist Limousine Service (Lule Gjokaj), Zupa Restaurant dhe Benjamin Steak House,
Të angazhuar për argëtimin e kësaj darke ishin : Alfred Popaj me këngëtarin Agim Gerbeshi, dhe me një program më valle nga të gjitha trevat valletarët e Grupit Rozafati nën udhëheqjen e koreografes Agelina Nikaj
Meqënëse fushata për mbledhjen e mjeteve materiale për Seminarin Shqiptar në Shkodër, përfundoi me shumë sukses, Kryetari i Komisionit Përgaditor Leonardo Berishaj, deklarojë se grumbulluan më tepër se 55,000. dollar, deshiroj që në emër të Komisionit organizativ t’i falenderoj të gjithë donatorët dhe pjesëmarrësit që me kontributin me angazhimin e tyre/Photo crediti Leonardo Berishaj/
KOL BIB MIRAKAJ: VETVRASJA E NJË KOMBI
Nga Frank Shkreli/
Kohët e fundit më ra në dorë libri me titull, “Vetvrasja e një Kombi”, me autor Kol Bib Mirakaj, njëri prej protagonistëve kryesorë të ngjarjeve të periudhës kritike për Shqipërinë e viteve të Luftës së Dytë Botërore. Libri i botuar kohët e fundit nga Shtëpia Botuese Fiorentina në Shkoder është një vëllim prej 250-faqesh i dorëshkrimeve të përfunduara nga autori në vitin 1951, por që vetëm tani panë dritën e botimit dhe më në fund i vihen lexuesit në dispozicion.
Kol Biba, si shumë nacionalistë anti-komunistë të asaj kohe, pas ardhjes së komunistëve në pushtet, u detyrua të arratisej për në Itali, ku qëndroi për një kohë, ndërsa më vonë emigroi për në Shtetet e Bashkuara ku edhe ndërroi jetë në New York në vitin 1968. Duke marrë përgjegjësinë e plotë për dorëshkrimin dhe për botimin e këtij vëllimi, Kol Biba shkruan se qëllimi i kësaj kronologjie të ngjarjeve është që të, “nxjerrë kartat në shesh dhe me ia shtrue haptas pengjët Gjyqit të Historisë”.
Si protagonist kryesor dhe si pjesëmarrës aktiv në nivele të larta, në ngjarjet kronologjike të 50 e ca viteve të para të shekullit të kaluar dhe si njohës i mirë i Shqipërisë dhe Shqiptarëve të kohës së tij, Kol Bib Mirakaj na parashtron një libër, me qëllim që e “vërteta të jetë e dokumentueme” sepse sipas tij, “Me pranue me heshtjen tonë një cilësim të tillë që nuk i përgjigjet së vërtetës, mua më ashtë dukë se bajmë krim kundra vetvetes, kundra historisë e kundra fëmijve e njerëzve tanë, që do të mbeteshin me krye-ultë për breza të tanë para shoqnisë”. Por, shton autori, një qëllim tjetër i këtij libri është për t’i “Lanë historishkruesit të së nesërmes nji dokument që t’a kenë të gjithë Shqiptarët për studim”.
Autori thotë se u shty që librit t’i jepte titullin, “Vetvrasja e Kombit”, pasi është i bindur se po të dinin protagonistët kryesorë të asaj periudhe realitetin e situatës së viteve 1942-1944, si dhe rrezikun që i kanosej kombit shqiptar, Shqipëria sipas tij, nuk do të kishte ra “ndër këthetrat e bolshevizmit tiranik”. Ai shkruan se “Që prej 7 Prillit 1939 kam qenë pa ndërpremje në furrë të të gjitha ngjarjeve historike” dhe shton se ka pasur “përgjegjësi të përcaktueme politiko shtetnore”. Kjo përvojë, thotë ai, i dha atij mundësi të njihte mirë Shqipërinë dhe shqiptarët me përgjegësi dhe njëkohsisht të ishte dëshmitar i ngjarjeve historike të asaj kohe në Shqipëri si edhe në mërgim, pas arratisjes nga Atdheu. Si protagonist i këtyre ngjarjeve, Kol Biba pranon se me botimin e librit dikush mund ta konsideroj atë si “pjesë e interesueme” dhe si i tillë “jo i përshtatshëm si dëshmitar”, për të reflketuar mbi ato ngjarje, por pohon se ndonëse kjo është një vërejtje jo e pa vend, ajo që ai i paraqet këtu lexuesit, “ashtë e vërteta e çveshun lakuriq e ngjarjeve.”
Sikurë dëshiron t’i kërkoj ndjesë lexuesit, autori paralajmëron lexuesin se fjalët e tija mund të duken më tepër si një polemikë se sa një dokumentim, dhe për këtë ai ia ve fajin, “shpirtit të përvluem për tragjedinë e kombit”, ndërkohë që shpreh bindjen e tij se “po të kishin qenë partitë politike antikomuniste më të bashkuara do të kishin fituar kundër komunistëve”, ose siç thotë ai “kundër kolonës së pestë të slllavizmit”. Është kjo një temë që Kol Biba e ndjekë dhe e thekson prej fillimit e deri në mbarim, ndërsa përshkruan ngjarjet në Shqipëri dhe më vonë marrëdhënjet dhe kontaktet e tija me protagonistë të tjerë antikomunistë në mërgim, për të formuar një bllok të bashkuar antikomunist.Ai ankohet për veprimtarinë e atyre që sipas tij “penguan bashkimin e forcave antikomuniste në Shqipëri, e që po vazhdojnë akoma sot ta pengojnë në mërgim”, shkruan Mirakaj në vitin 1951. Ai posaçërisht ankohet për mungesën e bashkpunimit nga ana e Ballit Kombëtar dhe udhëheqsit të kësaj lëvizjeje Mithat Frashërit, karshi të cilit thotë ai ne i “drejtuem sytë e përpjekjet, tue e çmue si njeriun e kohës.” Kol Biba personalisht shpreh respekt për Mit’hat Frashërin, duke thënë se, “Rrallë kujt ndër burrat e Shqipënisë ia kishin sjellë rastin ngjarjet e historisë si Mit’hat beut, që ta lidhte emnin e Tij me fatin e Atdheut në mënyrë të pashlyeshme”, por ai shton se, “Mjerisht, nuk dijti të tregohet në naltësinë e misionit që e priste”, dhe si rrjedhim, gjatë viteve 1943-1944 si dhe më vonë në mërgim, “Ai vet i mungoi pikëpjekjes me historinë”. Për këtë mungesë, Kol Bib Mirakaj fajëson më shumë njerëzit rreth Mit’hat Frashërit, të cilët i cilëson si, “ekstremistë vocrrakë”. Autori shkruan se ai kurrë nuk do të vinte në dyshim atdhedashurinë dhe as qëllimet e mira të udhëheqësve të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, por nga ana tjetër Kol Biba ve në dukje bashkpunimin e “Nacionalistëve (Balli e Zogistë) me komunistët që prej mbledhjes së Pezës e deri në mbledhjen e Mukjës.” Ky flirtim me komunistët nga ana e nacionalistëve dhe mungesa e bashkpunimit midis forcave antikomuniste, ishte sipas tij, arsyeja që solli fitoren e komunizmit në Shqipëri.
Përveç asaj që ai e cilëson si mungesë të bashkpunimit midis forcave anti-komuniste shqiptare, Kol Biba ngarkon me faj edhe botën perëndimore për triumfin e komunizmit në Shqipëri dhe në botë në përgjithësi, duke thënë se, “Përgjegjësinë kryesore për të shpëtue sot njerëzimin e Botës së lirë nga helmatisja e propagandës komuniste e kanë intelektualët dhe borgjezia kapitaliste.” Ai akuzon rëndë edhe udhëheqsit e botës së lirë për një qëndrim krejtë “indiferent ndaj popujve që kanë ra nën këthetrat moskovite staliniste”, dhe shprehë zemërimin e tij, posaçërisht ndaj Anglisë dhe Amerikës, që lejuan që Shqipëria të binte nën influencën e Rusisë. Kol Biba shkruan se fatkeqsisht udhëheqsit e atëhershëm të botës së lirë nuk e kishin kuptuar se komunizmi nuk ishte një lëvizje e proletariatit siç reklamohej nga propaganda staliniste, por ishte një lëvizje e “imperializmit pansllav”, trashëguar nga carët e Rusisë me ndryshimin e vetëm se carët synonin shtrirjen e perandorisë së tyre përtej Dardaneleve deri në grykë të Otrantos, ndërsa carët e kuq, thotë autori, “synojnë të dominojnë gjithë lamshin e botës.” Këtë të vërtetë historike dhe efektet e saj mbi fatin e mbarë botës, nuk e kuptojnë udhëheqsit e botës së lirë dhe borgjezia kapitaliste dhe intelektualët perëndimorë, shkruan ai në dorëshkrimet e tia.
Kol Biba në librin e tij nuk u shmanget as akuzave të kundërshtarëve që e paraqisnin atë dhe të tjerët si ai, të grumbulluar rreth Bllokut Kombëtar Indipendent, duke i cilësuar ata si “fashistë dhe kolaboracionistë”. Pasi thotë se — në Shqipëri nuk kishte fashistë dhe antifashistë në kuptimin e vërtetë të fjalës — ai nuk mohon se ka shërbyer në funksione të ndryshme të Partisë Fashiste Shqiptare, por e konsideron se nën rrethanat e atëhershme, ishte e vetmja mënyrë për t’i shërbyer çështjes kombëtare dhe Atdheut. Mirakaj shpreh bindjen e tij, se siç thotë ai, “ajo fazë historie ndoshta ishte e vetmja rasë që i paraqitej Shtetit shqiptar për me arrijtë Bashkimin e Tij, ndër kufijtë që na caktojnë Gjaku, Gjuha, Historia dhe Ekonomia, pra ndër Kufinjtë Etnikë.” Kol Bib Mirakaj arsyeton se, “Kishe bindjen e plotë se ishte pikëpjekja e Kombit tonë me Historinë, për me realizue aspiratën ma të madhe e të drejtë të Tijë, për t’i afirmue drejtësinë kundër tregjeve diplomatike që ishin ba në kurizin e Tij prej shekujsh.” Kjo bindje e tij, shton ai, “u vërtetua tansisht në Prill të vitit 1941 me zmadhimin e Shqipnisë ndër kufinjtë etnikë”, me realizimin pra të “lirimit të tokave irredente dhe këthimit të Kosovës, Çamërisë dhe të tjera krahinave në gjiun e Nanës Shqipëni.” Edhe kundërshtarët më të egër të Kol Bib Mirakës besoj e kanë të vështirë të thonë se kjo ishte një ide e gabuar — pasi ishte hera e parë që të gjitha trojet shqiptare, përfshirë Kosovën, Tetovën, Dibrën e Madhe dhe zonat bregdetare të Ulqinit, u bashkuan në një shtet duke realizuar kështu ëndërrën e të gjithë brezave të shqiptarëve. Ishte kjo gjithashtu një periudhë kur qeveria shqiptare hapi një numër shkollash shqipe dhe dërgoi mësues në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve të tjera shqiptare. Dr. Rexhep Krasniqi në një shkrim mbi zhvillimin arsimor në trojet shqiptare gjatë atre viteve, nënvijon faktin se me urdhër të Ministrit të Arsimit, Profesor Ernest Koliqi, dërgohen rreth 200 mësues e mësuese anë e mbanë trojeve shqiptare. Rexhep Krasniqi shkruan se Ernest Koliqi i kishte prioritetin kryesor dhe rëndësinë e jashtzakonshme zhvillimit të arsimit kombëtar, sidomos në Kosovë.
Duke qenë i vetdijshëm ndaj kritikave, Kol Bib Mirakaj si burrat deklaron se, “Na nuk i mohojmë përgjegjësitë tona, por kemi dokumentue e dokumentojnë kurdoherë rrethanat që na kanë shty të marrim ato përgjegjësi”, dhe shton se ia “lamë historisë të gjykojë nëse ndër rrethanat e kohës duhej të merreshin përgjegjësitë a jo — se a jemi fajtorë, a po jo?”
“Vetvrasja e Një Kombi” mendoj se ka vlera historike dhe si e tillë, është një vepër me rëndësi megjithse vet Kol Biba thotë se ky vëllim nuk ashtë histori, por kronikë besnike e ngjarjeve për t’i shërbyer mendimit të përgjithshëm shqiptar dhe historianëve të ardhëshëm. Ai ia paraqet lexuesit këtë vëllim duke uruar që të jetë i dobishëm për të gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë nga e kaluara — nga tragjedia e madhe që pësoi populli shqiptar, por që sipas tij, mund të ishte zmbrapsur nga gremina, po të mos kishin qenë egoizmat vehtjake”.
Nuk besoj të ketë ndonjë familje shqiptare që të ketë pësuar një tragjedi më të madhe nga regjimi komunist i Enver Hoxhës se sa familja e Kol Bib Mirakës. Për 45 vjetë familja Mirakaj pësoi me të vërtetë golgotën komuniste, ku antarët e saj vetëm për mbiemërin që bartin, u vranë, u burgosën, u internuan dhe u dërguan në kampe përqendrimi. Duke u mbështetur në të dhënat e këtij libri familja Mirakaj ka vuajtur si familje gjithsejt 950-vjetë dënim në burgje dhe në kampe të ndryshme të internimit anë e mbanë Shqipërisë, përfshirë atë në Lushnje, Tepelenë e tjera. Libri i kushtohet Nënës së autorit, e cila ka vdekur në internim, me këto fjalë:
E tash o nanë….,
Ti, kujtimi ma i ambël e i dhimbshëm i kësaj jete!
Nuk ke mbetë gja tjetër veç nji kujtim
e nji grusht Eshtna të Bekuem,
nën nji grumbull dheut.
Pa asnji shënjë Varrit, pa nji Kryq drunit…
Afër Kështjellës së Tepelenës,
Që nuk di as vet se ku!
Syrgjyn edhe për së vdekuni!
Mbi familjen Mirakaj dhe mbi vet figurën e Kol Bib Mirakës, siç shkruan edhe Fritz Radovani në parathënjen e këtij libri, me të pa drejtë dhe pa asnjë arsye është hedhur vetëm baltë për pothuaj 70-vjetë. Kol Bib Mirakaj, me anë të këtij libri ka lënë pas testamentin e tij politik mbi ngjarjet kronologjike të kohës që jetoi, si një vepër dokumentare, jo vetëm për familjen e tij padrejtsisht shumë të vuajtur, por edhe një shërbim për historiografinë shqiptare të periudhës që ai jetoi. Është një burim i dorës së parë, nga njëri prej protagonistëve kryesorë të nacionalizmit shqiptar, që në mendimin tim – duke marrë parasyshë fazën dhe rrethanat historike nën të cilat jetoi e veproi — kontribon shumë në zhdukjen e perceptimeve të gabuara, të paragjykimeve negative mbi arsyen dhe të disa mjegullimeve që gjithnjë mbizotërojnë në disa qarqe, rreth emërit dhe veprimtarisë së Kol Bib Mirakës dhe familjes së tij.
SOKOL OLLDASHI: Nuk e di ç’lë pas, nuk e di ç’ke përpara
(Mbresa nga vëllimi poetik “unë dhe Unë” i Sokol Olldashit)/
Shkruan:Pirro Dollani/Las Vegas/
Sapo mbylla fletën e fundit të librit të Sokolit “unë dhe Unë” dhe në mendjen time vazhdon jehona e vargjeve të poezisë “Krishtlindje” që mbyll vëllimin:
Më falni, njerëz
në ju gjykova
keq!
Ju
fal,
që
më fyet
pa të drejtë.
Tani. . .
Krishti
Jam
Unë!
Kjo poezi tingëllon si një përfundim logjik i tërë jetës së trazuar, të rebeluar e shpirtit kryengritës të heroit lirik, pasojë e shëmtimit, hipokrizisë njerëzore që mbizotëron ku e keqja është bërë normë. Ai është i vetëdijshëm për peripecitë që do të ndeshë në luftë kundër së keqes, dhe kjo gjë e bën të vetëdijshëm edhe për fundin e tij. Ashtu si edhe Krishti që për t’u ngjitur në qiell, duhet më parë të vdesë—apo siç shprehet poeti “duke u ngjitur tëposhtë”—ashtu edhe ai tek poezia “Nuk di ç’të lë, nuk di ç’ke përpara” shkruan:
“Kufij ka përpara, kufij ka dhe pas,
Kufij anash, kufij lart, kufij poshtë,
Kalldrëmi mes hapësirës pa anë,
Unë mbi të duke u ngjitur tëposhtë.”
Prandaj fjalët “vdekje”, “varr”, “ikje” janë aq të shpeshta në poezinë e tij.
Që në poezinë “Kënga” që hap vëllimit me një varg migjenian, ai shpërthen: “Këndoje/ derisa qiellin të mbyllësh në grusht/ e me grushtin tjetër globit t’ia ngjeshësh.”
Të tërë poezitë e këtij vëllimi më shëmbëllejnë me një mozaik ngjyrash të ashpra e penelata të trasha që piktor si Rembrandi përdorën në autoportretet e tyre. Dhe ky vëllim është një autoportretizim i poetit. Madje, Sokoli është profetik në portretizimin e vetvetes, pasi është në gjendje të japë me saktësi, jo vetëm ç’bënë me të, por edhe të shohë vrasësit, hipokritët, servilët që qajnë gjatë ceremonisë së varrimit të tij:
“Në kortezh të përmotshëm, grumbuj dykëmbëshash pas një arkivoli që vrapon./ Ata e vranë./ Ata e përcjellin./ Ata e qajnë./ Në fund të fundit/ me dhé/ e mbulojnë./ Prifti bën Meshën e Fundit,/ u uron krimbave oreks.”
A nuk ndodhi vërtet kështu me të? Nxituan ta varrosin, sikur kërkonin të fshihnin diçka. Madje bënë të pamundurën ta kalonin në heshtje përvjetorin e parë të vdekjes të këtij luftëtari.
E harruan kaq shpejt këtë trim e intelektual të mençur, që nëse do të zbatohej MERITOKRACIA e DEMOKRACIA brenda radhëve të partisë së tij,
Sokoli do të ishte në krye të Partisë Demokratike, të kësaj Partie, që sot është bërë për t’i qarë hallin. Në krye të së cilës është një njeri që çuditërisht i ngritur me katapult,pa pasur asnjë meritë e kontribut paraprak në luftën për demokraci. . .
Krahas poezive që tingëllojnë si aktakuza ndaj së keqës, padrejtësisë shoqërore, shëmtimit njerëzor, zënë vend dhe një mori poezish me temën e dashurisë. Ato janë kaq të ndjera që nuk mund t’i lexosh pa njomur sytë dhe faqet. Te tilla do të përmendja,”Dhe unë dhe ti”, “Mikut tim, Xhimi”, “Do të iki një ditë bashkë me vjeshtën”, Dashuri”, “Letra e fundit”, “Si tingulli i një bluzi”, “17 shkurt 1993”, etj. etj.
Një nga karakteristikat e poezisë së Sokol Olldashit që e bën atë tejet unikale është ajo që do ta quaja “forca/pesha e retiçensës.” Retiçensa zë një vend të konsiderueshme në poezinë e tij. Ajo krijon një lloj “misteri” që nxit imagjinatën e një lexuesi të mirë dhe rrit më tej anën emocionale të poezisë. Nga poezia “Letra e fundit” po citoj strofën e fundit:
“Tani, bëj si di ti,
unë të premtoj veç një gjë:
sido që të zgjedhësh në fund,
unë do t’vij, o iki,
. . . pa zë.”
Po kështu poeti Sokol Olldashi ka gjithashtu një sy të mprehtë për detaje dhe në poezitë më të mira ai është tejet spontan.
Këto janë disa mendime të shprehura nxitimthi, si të doja t’i regjistroja për t’u rikthyer përsëri. Natyrisht, një vëllim poetik nuk mund të lexohet siç lexohet një tregim a roman nga fillimi në fund, siç e lexova unë ngaqë s’mund ta hiqja nga dora. Poezia në përgjithësi, dhe poezia e Sokolit në veçanti, nuk duan lexim, por rilexim. Sokoli ishte një djalë me talent të shumanshëm, por ma do mendja që po të merrej seriozisht me letërsinë, ai do të ishte padyshim një nga majat e letërsisë sonë. Apo siç shprehet i madhi Dritëro Agolli për poezitë e këtij vëllimi: “. . .Poezi të një niveli të lartë dhe të çuditshëm të poetit të vërtetë Sokol Olldashi.”
Libri i tij “unë dhe Unë” edhe mua më bën krenar, pasi kam qenë mësuesi i rrethit letrat të pallatit të Kulturës të Durrësit që përbëhej nga nxënësit më të talentuar të gjimnazeve të qytetit. Por Sokoli shquhej mbi ta në të gjitha drejtimet. Madje, që kur hynte në sallë vëmendja e letrarëve të rinj përqendrohej tek ai. Pasi ai i kishte të gjitha: talentin, zgjuarsinë, çiltërsinë dhe bukurinë e trupit e të shpirtit. Ai jetoi pak, por për ato pak vite bëri atë që shumë e shumë njerëz nuk e bëjnë edhe sikur t’i kalojnë të njëqindat. Edhe pse jetoi pak, ai e plotësoi dhe e tejkaloi atë që bën njeriu në një jetë.
Tani. . .
Krishti
Jam
Unë!
Po, ashtu je e do të jeshë nxënësi im i mrekullueshëm! Dhe si AI do të ngjallesh sa herë që lexuesi do të marrë në dorë librin e do të bashkëbisedojë me ty!
Las Vegas, 14 Prill, 2015, ora 23:15
NJOFTIM I FAMILJES KUPI PËR SHËRBIMET FUNERALE DHE VARRIMIN
SHËRBIMET MORTORE PËR TË NDJERËN LIRI KUPI TË PREMTEN, VARRIMI TË SHTUNËN/
Të Mërkurën me 15 Prill 2015, pas një sëmundje të rëndë, ka ndërruar jetë në Nju Jork, e ndjera Liri Kupi, bashkëshortja e Fatbardh Kupit, duke i lënë në pikëllim të thellë familjarët e saj të dashur dhe të gjithë rrethin miqësor e të njohurit. E ndjera ndërroi jetë në spital pas një sëmundjeje të rëndë. Liria ishte një ndër qëndrestaret e kampeve të internimit, ku nuk iu nda të shoqit gjatë sagës së vuajtjeve nëpër burgje dhe internimet gjysëmshekullore të diktaturës komuniste.
Familja njofton se shërbimet funerale do të organizohen ditën e PREMTE, me 17 Prill 2015, nga ora 3 pasdite deri në orën 9 të darkës në Shtëpinë Mortore: Schwartz Brothers-Jeffer Memorial Chapel, që ndodhet në adresën :
114-03 Queens Blvd, Forest Hills, NY 11375 , Phone:(718) 263-7600
E ndjera do të përcillet për në banesën e fundit Ditën e Shtunë 9 a.m 10-30, nga Funerali.
Varrimi do të bëhet në Kew Gardens Cimitery, aty ku prehen eshtrat e heroit të 7 prillit, Abaz Kupi.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA dhe Gazeta e saj Dielli ngushëllojnë bashkëshortin Fatbardh, djemtë dhe vajzat, të gjithë familjen Kupi, të afërmit dhe miqtë.I qoftë i lehtë toka e lirisë!Shpirti në Paqë!
Komunitet-Nje restorant i ri në rrugën “Mother Teresa” në Bronx
Nga Mimoza Dajçi/
“EZ ” – Mediteran Restorant quhet restoranti i sapo hapur në Bronx në rrugën “Mother Teresa”. Eshtë pronësi e familjes shqiptare Bollo, të cilët punojnë pa u lodhur me pasionin që i lidh bisnesi i tyre, por edhe kënaqësinë që u sjell buzeqeshja e klientit. Bashkëshortët Teuta dhe Edmond Bollo kanë pesë vite që jetojnë në Amerikë së bashku me fëmjët e tyre Marino dhe Joana. Për gati 18 vjet jetuan në Greqi, aty ku lindën djalin e vajzën. Përveç punëve të tjera që patën rast të kryenin atje punuan edhe nëpër restorante, duke provuar një eksperiencë të mirë në menazhim restorantesh.
Menuja në restorantin e tyre është e pasur dhe e shumëllojshme, variojnë kryesisht në stilin e traditës shqiptare. Me guzhinën tonë tashmë janë mësuar edhe të huajt, shumë prej tyre i pëlqejnë ushqimet shqiptare.
Sigurisht gatimi përveç dëshirës kërkon edhe vëmendjen e duhur, pasi kemi të bëjmë me jetë njerëzish, por si Teuta dhe Edmondi janē guzhinierë të zot, profesionin e kanë trashëgim nga prindët e gjyshërit e tyre. Koençidencë e bukur edhe bashkëshortë simpatikë edhe gatues të mirë. Sipas Teutës klienti për ata është si pjesë e familjes, prandaj i kushtojnë kujdes të veçantë.
***
Më takon të shkoj tek ky lokal, ngjitur është një lavanteri, shpesh aty laj rrobat e familjes. Kur ndresat rrotullohen vrullshëm nëpër lavatriçet e mëdha e fërkohen nën gurgëllimën e ujit ulem tek Restoranti “EZ” për një çaj të ngrohtë, e shikoj televizor në ekranin e madh vendosur përballë hyrjes kryesore. Përqark mureve disa piktura, e në çdo qoshe nga një vazo me lule. Eshtë lokal i thjeshtë, i këndshëm por shumë i pastër. Çdo gjë shëndrit, që nga gotat, pjatat, mbulesat e pecetat mbi tavolinë. Teuta i jep shumë rëndësi jo vetëm pamjes së restorantit por edhe rregullit brenda. Këtu është jeta jonë thotë ajo, na mban dhe e mbajmë gjallë, diku një punë do të bënin, por Zoti na e bëri mbarë që me fitimet e djersës tonë të kemi këtë bisnes.
Edhe pse i ri si lokal, përveç shqiptarëve ka filluar të tërheqë edhe shumë klientë të huaj. Amerikanët e pëlqejnë byrekun me spinaq, supën me limon e vezë, bakllavan e syltiaçin me qumësht e oriz, etj. Çdo gjë është e freksët dhe gatuar me shije.
Fëmijët e tyre pasi kryejnë detyrat e shkollës, e kur kanë kohë të lirë u vijnë krah prindërve, ata janë studentë shkëlqyer në mësime, Marino është në shkollë të mesme ndërsa Joana ndjek ciklin e ulët 9 vjeçarë. Në restorant shërbehet gjatë gjithë ditës, e mund të ulesh për të ngrënë mëngjes, drekë apo darkë, porosi bëhen edhe jashtë restorantit. Me rastin e festës së Pashkëve Teuta dhe Edmondi u dhuruan klienteve vezë të kuqe dhe shtruan drekë falas për disa familje me të ardhura të pakta në Bronx e më gjerë.
Do t’ju sygjeroja të provonit gatimet në “EZ” – Mediteran Restorant në Bronx, në rrugën “Mother Teresa” besoj do te mbeteni të kënaqur./
Ne foto jane Teuta dhe Edmond Bollo gjate punes ne restorantin e tyre./