• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E bukura Gridë…

April 15, 2015 by dgreca

Bëna të bukur. Pa goditur tavolina, pa sharë, pa ngritur gishtin tregues. Ti je pjesë e kulturës së Amerikës./
Nga Ilir Levonja-Florida/
Sapo e pashë emrin tend… çfarë nuk mendova! Së pari përrallën e bukura dhe bisha. Pastaj një lapsus i webit të Pd-së…, në emrin tend. Drida. Sikur d-ja të ishte t. Megjithëse edhe pa këtë lapsus ti je dritë. Ndërkohë që Webi i Pd-së e ndreqi gabimin e vogëlth. Të tjerë tituj vërshuan. Po mua edhe pse u gëzova prapë më trishtojnë konstatime të tilla. E zgjedhura e Bashës për Durrësin. Ashtu sikur edhe nga krahu tjetër, kur thonë e zgjedhura e Ramës.
 Së dyti… Para disa ditësh një qytetar, mësues i nderuar, studiues, më kujtonte se në Shqipëri, kandidaturat janë vendim absolut i kryetarëve. Jo të forumeve përkatëse. Nuk e di nga buron ky lloj absolutizmi kryetari për faktin e përvojës së pakte politike, si i angazhuar. Edhe pse jam një simpatizant i së djathtës. Simpatizant edhe i yti. Megjithatë vëmëndjes së mire të qytetarit i kam atashuar edhe atë mosbesimin klasik të provincialit. Që gjithmonë ka qënë kështu. Edhe pse ekzistonin forumet. Pra zgjedhjet me preference dhe jo zgjedhjet me vote forumesh. Dhe kësaj lloj praktike po ia shoh kërcitjet nga skaji i sipërm elektoral. Deri në deklaratën e fundit, që sapo u dha nga kryetari i Bashkisë së Sarandës. Edhe ky i eleminuar, për shkak preference. (Megjithëse kam obsionet e mia të rezervuara, edhe për këta që duan e riduan të rizgjidhen.)
 Ndofta këto janë gjëra që mund të sheshohen më pas, pasi demokrati mbetet demokrat. Dhe po ashtu socialisti, socialist. Mirëpo ekuivoku forum, kryetar bëhen një hendek. Në fund të fundit, ai që zgjedh ka të drejtën të zgjidhet. Po përmes kësaj formule, jo vetos së atij që zgjedh. 
 Por le të qëndrojnë në suksesin tend. Më erdhi mire përballë arrogances së parties republikane. Doli emir yt. Madje qesha me numrin e rritshëm të subjekteve pranë komisionit zgjedhor. Stoik, sapo doli dhe baba Gjinushi.
Që edhe pse e bëri Psd një thelë, prapë është kryetar. Më erdhi mire dhe uroj që ta spostosh vendit, tipin me pushtet të pangopur. Një legjislaturë e shumta dy janë mjaftueshëm. Edhe kur e ke bërë mire punën. Madje në kësi lloj situate, kurorëzohet suksesi. Merr pamje vlera.
 Së treti. Në Shqipëri po diskutohet rritja e përqindjes së gruas në forumet partiake, vendimarrjet, dikastere. A poste të larta drejtuese. Pra ka një përpjekje për rregullim me ligj. Për këtë ndoqa dhe një panel. Ky sigurisht asnjëri nuk e mbaroi fjalën. Ku gjithkush I jepte të drejtë, jo problemit, por mëndjes. Në fakt është një project ligj, marrëveshje a ku di unë çfarë…, që mënjehrë zhvleftësohet edhe për faktin preference kryetari. Por edhe për bashkëkohësinë. Ashtu sikur burrat e dine se mëndjemadhësinë e tyre. Bëjnë mire që shumë si ju, aty, dine dhe shfaqin mëndjemadhështinë e tyre. Pjesëmarrja nuk fitohet me rregullime përqindjesh, por me pjesëmarrje.

Së katërti. Në Shqipëri është futur, është bërë dominant kriteri i bukur. Fatkeqësisht I referohen pamjes. Jo mendjes, shpirtit dhe pamjes. E bukur Jozefina, por kur I sillte tavolinës, kur tregonte gishtin e madh. Kur na bëri të shikon Metën me të ndenjura mbi tavolinat e kuvendit të popullit. Nuk e di. Më vinte keq që isha në anën e saj. Kur shikoj gishtin asgjesues të një minister aktuale të ardhur nga Franca, po ashtu më vjen keq për popullin tim. Nuk është e bukur, e vogla, e imta Ema Bonino. Por është një histori suksesi. Nuk është e bukur Angela Merkel, por është një progress dominant në kohë e krizave të njëpasnjëshme. 

Nuk dua të shkoj më larg, pasi mesazhi im është i kuptueshëm. Bëna të bukur. Pa goditur tavolina, pa sharë, pa ngritur gishtin tregues. Ti je pjesë e kulturës së Amerikës. E di mire kuptimin e togfjalëshit, mos shëno me gisht njeriun.

Filed Under: ESSE Tagged With: E bukura Gridë, Ilir Levonja

Pronat ne Shqiperi…Kina komuniste më respekt për pronën?!

April 15, 2015 by dgreca

Nga Besi BEKTESHI /
Po mirë, a kemi qenë ne shteti ku në kapërcyell të viteve ‘90-të ishim më absurdët përsa i përket pronës së individit? A ishim momenti më i keq i pronës private, ku apartamentet ishin për shtetasit “prona të shtetit ku banonin qytetarët”? Ku toka pothuaj e gjitha ishte e shtetit? Ku kolektivi ishte gjithçka dhe individi pothuaj asgjë? Po sot, a jemi katandisur në një histeri individuale ku për hatër të veprimit personal, goditet prej më shumë se 24 vitesh ajo që në kapitalizëm konsiderohet publike? Ku një individ bën si i do qejfi me pronën jo vetëm të shtetit, por dhe individit tjetër, që dikur e ka pasur pronë të tijën? Sidomos toka? Nejse, ka shumë pyetje të tilla e për më tepër janë retorike?
Një nga shembujt që vjen nga Kina, sigurisht me një parti komuniste (pra jo pluripartitizëm) ku tregohet respekti ligjor për individin, edhe kur bëhet fjalë për ndërtime të shumta dhe masive në respekt të zhvillimit të tillë. Aty ndodhin jo thjesht pa një plan të madh si te ne, ndërtime masive për banesa, por kapaciteti i ligjit mbi pronën e individit përbën dhe shembullin se si respektohet ligji i qartë mbi pronën individuale. Në një qytet prej 2 milion banorësh si ai i Naningut është ndërtuar një rrugë e gjërë, shumë ndërtesa të mëdha ku banorët kanë shtëpitë, por në mes të rrugës vazhdon të ekzistojë një banesë e vogël, sepse pronari “nuk ka rënë dakord me pagesën për të cilën duhet të jepte leje prishjeje”! E shembuj të tillë ka shumë dhe në Pekin dhe Shangai, por dhe vende të tjera në qytetet e mëdha. Duket sikur unë jam kundër prishjeve të ndërtimeve pa leje. Jo, kurrën e kurrës, dhe jo vetëm jam dakord të prishen, por duhet të dënohen ata që i kanë toleruar të tilla monstra, por e kam fjalën se si zbatohet ligji mbi pronën nga një shtet komunist, por që pronën e respekton shumë më mirë se sa një medemek shtet kapitalist si puna e këtij tonit. Pra respekti i Kinës për pronën e individët dhe respekti ynë për pronën publike. Këtu e kam fjalën si krahasim. Ne, nuk respektojmë as pronën private dhe as atë publike.

Sa ndërtime idiote dhe pa respekt me pronën janë bërë mbi tokën e individit, por dhe shtetit, duke mos pasur lejen dhe ligjin me vete? Ka një histori të madhe dhe “Mullerin” ose mullixhiun gjerman, i cili ka detyruar Kajzerin të devijojë hekurudhën në Gjermani, sepse nuk donte të jepte mullirin e tij, qoftë dhe për të mirën e zhvillimit! Prandaj kanë dalë ligjet për të respektuar si pronën private dhe atë publike, duke vendosur rregullat e qarta se si veprohet, për të mos pasur idiotizëm urban si te ne. Kjo që ka ndodhur në Shqipëri, nga kalimi prej histerisë kolektive në komunizëm, në histerinë individuale në kapitalizëm, është e pa mëshirshme dhe më radikalja jo vetëm në Europë, por me sa duket dhe në botë. Ne kemi histerinë më idiote anti ligj dhe anti urbanizim.

Nuk është asgjë për të thënë diçka që e pranojnë të gjithë për të drejtë, dhe pastaj pothuaj të gjithë nuk e zbatojnë. Jo, nuk është asgjë, sepse është bërë një zakon i frymëzuar nga politikat e deri 23 qershorit 2013-të (e nuk e di në se akoma jemi futur në rrugë të drejtë) që individi nuk është se pengon si puna e kinezit me shtëpinë, por në këtë vend, individi jo vetëm shkatërron pronën e tjetrit me ligjin e më të fortit, por dhe shteti apo ligji nuk e dënon për këtë akt makabër mbi pronën. Te ne, individi është dhe pronë publike dhe private si …zaptues?! Akoma më tepër kur ky akt bëhet kundër pyjeve, pronës së shtetit, asaj publike në oborre shkollash dhe lulishte, në të gjithë tokën bujqësore. Sidomos kjo e fundit është një llahtarë e vërtetë, sepse mjafton të shikosh nga dritaret e aeroplanit dhe kupton se çfarë imazhi apokaliptik duket mbi tokën shqiptare! Në përballje jo me Gjermaninë dhe botën perëndimore, por dhe me Malin e Zi dhe deri tani edhe me Kosovën?! Individi me lejen e politikës në Shqipëri, jo vetëm ka dhunuar pronën e individit si shtëpi dhe prona toke, por dhe shtetin me shumicë. Ky individ me përkrahje të politikës dhe liderëve “maximus” në PD dhe nganjëherë dhe PS, në saj të bazeneve elektorale, kanë bërë “gjenocid” urban, kundër pronës private dhe asaj kolektive apo publike. Në qendrat e mëdha urbane, sigurisht i është bërë dëm i madh si individit me distancat dhe prishjet e shtëpive për të ngritur shumëkatësha pa kriter, por dhe pronës publike, që edhe në komunizëm ka qenë me e “arsyeshme” me rrugët dhe rrugicat, distancat dhe hapsirat e gjelbërta, apo dhe ato të lira për automjete. Komunizmi në Shqipëri edhe pse ndërtoi keq, nuk llogariti vend pushime për automjete, se nuk kishte (nuk lejonte) privati të tilla, kishte shumë më tepër hapsira të lira urbane për njerëzit dhe lëvizjet pikërisht urbane. Kjo rrëmujë antiligjore, antiurbane dhe anticivilizuese, ka sjellë tani përpara zgjedhjeve vendore, qytete dhe fshatra anti ligjorë, përsa i përket zhvillimit urban. Jo vetëm që janë prishur male dhe lumenj, por janë prishur të gjitha kurorat e gjelbërta që edhe komunizmi kishte ndërtuar me mundin e djersën shumë herë të pa paguar të qytetarëve?!
Sot në Kinë, vetëm një njeri i vetëm, nuk lejon asgjë të prishet për interesat e ndërtimit masiv, kurse te ne, jo vetëm që janë marrë nëpër këmbë interesat publike, duke bashkuar sipërfaqen e ndërtimit dhe atë të lejes, por dhe duke thyer me këmbë si publikun dhe privatin. E si gjithmonë ne e kemi me ligjin. Nuk e zbatojmë atë, si për publiken dhe privaten, si për shtetin dhe pronarin, të cilët “rrihen” nga grupet e të fortëve dhe të interesave politike me të fortë brenda. Kur do të jetë fundi i këtij histerizmi? Duket sikur është frenuar, por është larg së marri fund kjo histeri. Po, është akoma shumë larg.

Filed Under: Opinion Tagged With: besi bekteshi, kina me shume respekt, prona

Greci dhe shpëtimi shqiptar i Gadishullit Italian

April 15, 2015 by dgreca

Nga Shirley DIOGUARDI/
Historia e Grecit është e lidhur në mënyrë të pandashme me rolin vendimtar që figura kryesore historike e Shqipërisë, Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), luajti në shpëtimin e Gadishullit Italian dhe pjesës tjetër të Evropës Perëndimore nga dominimi i Perandorisë Turko-Osmane në shekullin e XV-të. Për këtë arsye, Gjergj Kastrioti ishte figurë e lartë e shekullit të XV-të jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë evropianët dhe pse trashëgimia e tij është e përjetshme. Gjeni ushtarak, filozof, mjeshtër i disa gjuhëve, diplomat dhe katolik i devotshëm, Kastrioti ka qenë subjekt i një numri librash në shumë gjuhë, i poezive nga Longfelloë dhe Byroni, dhe i një opere nga Vivaldi. Statuja të figurës së tij ikonike me shpatë në dorë mbi kalin e tij magjepsës i janë dedikuar atij në Romë, Vienë e Budapest. Historia e tij fillon në Shqipëri e mbaron në Greci.
Kastrioti ishte djali i një princi shqiptar, Gjon Kastriotit, i cili i mbajti turqit osmanë pushtues larg për më shumë se njëzet vite derisa ai dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë u detyruan të pranonin një traktat mashtrues të paqes në vitin 1422 me Sulltan Muratin e II-të për të siguruar pjesën e fundit të ushtrisë turke në Evropën Juglindore dhe për ti shpëtuar jetën popullit të tij nga tërbimi i Perandorisë Osmane. Për të garantuar marrëveshjen, Sulltani mori peng katër djemtë e Gjonit dhe i dërgoi ata në akademinë ushtarake osmane në kryeqytetin Adrianopojë.
Raporti shembullor akademik dhe ushtarak i djalit më të vogël të tij tërhoqi vëmendjen e Sulltanit, i cili do ti jepte atij gradën e gjeneralit në moshën 19 vjeçare dhe titullin nderues “Iskender Bey” apo siç njihet më mirë “Skenderbeg” në kujtim të Aleksandrit të Madh. Në vitin 1443, Skënderbeu mori lajmin se babai i tij kishte vdekur në shtëpinë e tij të lindjes në Krujë, Shqipëri. Për shkak se Gjoni ishte i mirënjohur si udhëheqës i opozitës shqiptare ndaj osmanëve, Skënderbeu ndjeu rrezikun që i kanosej atij dhe popullit shqiptar. Ai kapi momentin kur u dërgua në një operacion ushtarak për të mposhtur hungarezët e udhëhequr nga një tjetër luftëtar i madh i lirisë (dhe gjemb në anën e Sulltanit), Janos Hunyadi. Me aftësinë e tij ushtarake, Skënderbeu hutoi vëmendjen e komandantëve të tjerë osmanë dhe la fushëbetejën për t’u nisur për Shqipëri me 300 kalorës të tij besnikë. Pas hyrjes triumfuese në Shqipëri, ai iu vërsul Kështjellës së Bardhë në Krujë me 28 Nëntor 1443 dhe e rrëzoi guvernatorin osman. Për njëzet e pesë vite të ardhshme Skënderbeu do të kryente disa nga të bëmat më të mëdha ushtarake që do ta mbronin Evropën ndaj shtrirjes së Islamit nga Perandoria Osmane dhe do ta shtronin rrugën për shtete të lira e demokratike.

Në vitin 1461, Mbreti i Napolit, Ferdinandi I, i biri i Alphonsit të ndjerë, mik i ngushtë i Skënderbeut, i bëri thirrje atij që ta ndihmonte atë ti kundërvihej pushtimit eminent francez. Skënderbeu udhëhoqi një këmbësori elite prej 4.000 burrash dhe i largoi francezët në betejën e famshme të Apulias, afër Napolit. Si shpërblim për këtë fitore, Ferdinandi i dhuroi Skënderbeut dhe 2.000 ushtarëve të tij fshatin në majë të bjeshkës, Grecin. Siguria e Mbretërisë ishte garantuar kur Kastrioti vendosi të linte kalorësinë e tij në Greci ndërsa ai u kthye në Shqipëri për të vazhduar mbrojtjen e vendit nga dominimi turko-osman. (Vizitorët në Greci mund ta shohin që rruga kryesore mban emrin “Via Skenderbeg”, dhe se shtëpitë e para të ushtarëve të Skënderbeut janë ruajtur, edhe pse ato kanë nevojë të restaurohen.)

Vetëm pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468 osmanët ishin në gjendje të nisnin pushtimin e tokave shqiptare, duke i vënë ato tërësisht nën kontroll në vitet 1480-të. Pastaj, qindra mijëra shqiptarë u larguan përtej Detit Adriatik në Mbretërinë e Napolit dhe më gjerë në kërkim të lirisë nga dominimi turk dhe konvertimi i detyruar në fenë islame. Përveçse në Greci, ata do të themelonin edhe 50 fshatra të tjera shqipfolëse që do të zhvilloheshin dhe sot janë duke lulëzuar në Campania, Puglia, Sicili e Kalabri. Refugjatët shqiptarë të quajtur arbëreshë ruajtën traditat kulturore shqiptare, gjuhën dhe trashëgiminë e tyre katolike gjatë sundimit osman të tokave shqiptare që do të zgjaste për 424 vite. (Duke filluar në vitet ‘60-të, gjuhëtari i ndjerë shqiptar Martin Camaj do të kalonte shumë vite në Greci duke studjuar e dokumentuar atë që ai besonte të ishte forma më origjinale e gjuhës shqipe e cila flitej e shkruhej aty.)

Kjo është arsyeja se pse arbëreshët mbeten të lidhur me tokat shqiptare, dhe gjithashtu pse shqiptarët janë përgjithmonë të lidhur me Italinë. Pas rënies së Perandorisë Osmane në vitin 1912, shqiptarët e gjetën vetën duke luftuar kundër inkursionit sllav, duke filluar me Luftërat Ballkanike të 1912-1913. Me pëlqimin e të ashtuquajturave “Fuqi të Mëdha” (Austro-Hungaria, Britania, Franca, Gjermania, Italia, dhe Rusia), shqiptarët u ndanë padrejtësisht dhe artificialisht. Vetëm për shkak të ndërhyrjes së Presidentit të atëhershëm amerikan Woodroë Wilson në fund të Luftës së Parë Botërore në vitin 1918 u krijua shteti i Shqipërisë. Tre milion a gjysmë shqiptarë jetojnë sot në Shqipëri; një tjetër tre milion e gjysmë jetojnë krah për krah në kufijtë e saj – në Kosovë (shtet i pavarur që nga 2008), Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës (Serbi jugore), dhe Çamëri (Greqi veriore). Tetë milionë të tjerë jetojnë në diasporë, kryesisht në Shtetet e Bashkuara, Evropën Perëndimore, Turqi, dhe Australi – të cilët i kanë ikur terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet sllave dhe më vonë komunizmit në shekullin e njëzet.
Është Greci, në veçanti, për të cilin shqiptarët në gjithë botën janë të lidhur. Kur një fëmijë lind në një fshat shqiptar në Itali, fëmija ngrihet lart drejt Shqipërisë. Kur një fëmijë lind në çdo tokë shqiptare në Evropën Juglindore, apo në diasporë, ai ose ajo do të rritet duke mësuar për Skënderbeun, dhe se Greci ishte i vetmi fshat shqipfolës në Italinë moderne ku ka shkelur këmba e Skënderbeut.
Skënderbeu është heroi kombëtar që i bashkon të gjithë shqiptarët në një histori ende të papërfunduar kombëtare, që filloi në Itali gjashtëqind vite më parë.

Filed Under: Histori Tagged With: Greci, Shirly DioGuardi, shpetimi i Italise

LAME KODRA DHE “BOTA E RE”

April 15, 2015 by dgreca

Nga Luan Çipi/
E kam pasur që nga fëmijëria “merak” Lame Kodrën, qysh në vitet e para “pas çlirimit”, kur babai im, ardhur nga Amerika me ide “Fanoliste”, më dhuroi “Artikuj dhe Ligjërata’’ një libër me shkrime të tij politike. Unë, i dhënë pas poezisë së bukur bektashiane, thuajse i kisha mësuar përmendësh vargjet e tij muzikale e gjurmëlënëse, që më pas u bënë model imitimi dhe deklamimi.
Ruaj, prej atyre viteve, çdo gjë që lidhet me “të famshmin” Selfulla Malshova dhe midis tyre një seri të revistave “Bota e Re”, që në numrin e saj të parë në Korrik të vitit 1945, vetëm pak muaj pas “çlirimit” niste me një shkrim të gjatë të Lame Kodrës me titull ”ROLI I KULTURËS NË SHQIPËRINË E SOTME”.
E lexoj tani jetën dhe veprimtarinë letrare e politike të “Lame Kodrës” në Wikipedia e gjetiu dhe sërish mrekullohem: Personi i vërtetë, që fshihej pas pseudonimit letrar, Sejfulla Malëshova, lindi në një familje të madhe në Malëshovë të Këlcyres në 2 Mars 1900 dhe vdiq e u varros i vetmuar në qytetin e Fierit, më 9 Qershor 1971. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, kurse studimet e mesme i kreu në Itali në kolegjin e Shën Dimitri Korone, atje ku dikur kishte studiuar edhe De Rada e më pas Luigj Gurakuqi dhe atdhetarë të tjerë të shquar. Gjatë kësaj kohe, së bashku me mikun e tij Odhise Paskali, botoi revistën “Studenti Shqiptar”, në të cilën hodhi edhe vjershat e tij të para. Më pas, studiojë mjekësi në Romë dhe botoi në vitin 1923 poemën e tij të parë me pseudonimin “Kostandini”.
Kthehet në atdhe një vit më vonë kur dhe u bë për gjashtë muaj Sekretar i Kabinetit të Kryeministrit Fan Noli. Pas dështimit të “Revolucionit të Qershorit” do të emigrojë dhe në vitin 1926 fillon studimet në Universitetin “Lomonosov” të Moskës për filozofi, që i përfundon në vitin 1930. Pas një debati e grindje në një organizatë të partisë komuniste të BS, ku bënte pjesë, e largojnë nga Moska dhe për tre vjet punon në një uzinë në Kaukaz. Në vitin 1933 rehabilitohet dhe emërohet pedagog dhe tepër i suksesshëm, arrin deri dekan i Fakultetit të Filozofisë në Universitetin Lomonosov. Në vitin 1932, u martua me një moskovite, me të cilën u nda pas tre muajsh për arsye divergjencash aq të egra, sa vendosi përfundimisht, të mos martohej asnjëherë.
Në vitin 1934 pranohet në “Komintern” dhe më 1941, i ngarkuar me detyra të posaçme, vjen në Shqipëri, ku bëhet pjesë e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar.
Pas çlirimit, në vitin 1946, caktohet Ministër i Arsimit dhe Kulturës në Qeverinë e Enver Hoxhës. Ndërkohe që qysh në vitin 1945 zgjidhet Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, kryetari i parë i kësaj organizate të vetme letrare. Po këtë vit do të botohet edhe vëllimi i tij poetik “VJERSHA” me pseudonimin letrar Lame Kodra.
Në vitin 1946, për divergjenca të papajtueshme që kishte me Enver Hoxhën në fushat e ekonomisë, kulturës dhe drejtimit të partisë, po dhe si një rival e konkurrent potencial, përjashtohet nga partia dhe shkarkohet nga të gjitha funksionet. Kështu, poeti i njohur, intelektuali i dërguar nga Kominterni për përhapjen e ideve revulicionare në Shqipëfri dhe njeriu më i përgatitur teorikisht për Marksizël-Lenizmin dhe për midis komunistëve të kohës, më i arsimuari i Shqipërisë, internohet në Fier, ku jeton për 24 vjet, duke punuar si magazinier i thjeshtë në Ndërmarrjen e Grumbullimit.
Pas një jetë të vetmuar, në 9 Qershor 1971, Sejfulla Maleshova u nda nga jeta dhe u varros në varrezat e vjetra të qytetit të Fierit. Në vitin 1993 një grup intelektualesh u kujdesen për rivarrimin dhe për të realizuar ceremoninë e munguar, pë Fanolistin e thekur, për revolucionarin e shquar demokrat dhe komunist, për përkthyesin e Internacionales, Getes dhe Nekrasovit, apo poetin rebel, siç i pëlqente ta quante veten.

Revista “Bota e Re” e Korrikut 1945, botuar në Tiranë, (që u bë shkak për këtë shkrim dhe që me këtë rast meriton dy fjalë) kishte në redaksinë e saj Shefqet Musarajin, Zihni Sakon, Aleks Budën, Mitrush Kutelin, Andrea Xegën, Selaudin Toton, Andrea Varfin, Nexhat Hakiun dhe Jusuf Alibalin. Me një numër të madh faqesh (mbi 60) në numrat e parë të saj, kanë shkruar veç Lame Kodrës dhe anëtarëve të redaksisë edhe Manol Konomi, Dhimitër Shuteriqi, Ymer Dishnica, Nonda Bulka, Gjikë Kuqali, Timo Dilo, Kostaq Cipo, Gjergj Ashta, Vehbi Bala, Arshi Pipa, Risto Siliqi, dr. Gjergj Fishta, etj.
Revista letrare “Bota e Re” në Tiranën e sapo çliruar, nisi të botohet kur Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë ishte zgjedhur Sejfula Malëshova dhe vazhdoi edhe kur ai u bë Ministër Kulture, në Qeverinë e Enver Hoxhës.
Siç shkruhet në pjesën hyrëse redaktoriale (Fillimi): “Emni vet i kësaj reviste asht një program, një zotim. Lidhjet imediate i ka me tradita progresive të revistës korçare ” Bota e Re”. Revista jonë…i ka ngarkuar vetes: me u ba pasqyrë e zhvillimit kultural nër ne, në këtë periudhë veçanërisht të rëndësishme të jetës sonë kombëtare…rreth saj do të mbështillen forcat e shndoshta e progresive të kulturës shqiptare…do të krijojnë platformën e re të demokracisë…mendimi shqiptar do të jetë një forcë reale përparimi dhe revista jonë një shesh ku të zhvillohet lirisht kjo forcë. “Bota e Re” don të jetë vazhdimi i traditave pozitive e progresive… të Rilindjes…do përkrahë sidomos talentet e reja dhe…me ba ndërtimin e ri mendor… dhe kjo arrihet me bashkimin e përkrahjen e të gjitha energjive mendore që duan sinqerisht lirinë dhe përparimin…”
I lexon me radhë numrat e parë të kësaj reviste të bukur letrare dhe thua se nuk po jeton në periudhën e egërsisë komunist të Shqipërisë, sepse atje shkruhet dhe ëndërrohet për liri, barazi e demokraci, për prosperitet e shqiptari. Dhe shpejt, sapo lexon numrat e parë, e ndjen se këtu fryn era dhe mendimi i Lame Kodrës, me tendenca liberale e perëndimore zhvillimi. Shpejt e kupton se ai edhe pse zë përparimtar i vetmuar, po bëhej pengesë dhe kundërvënie për diktaturën komuniste dhe kjo shpjegon pse komunistët e Enver Hoxhës, e hoqën Sejfulla Maleshovën shpejt dhe dhunshëm nga skena politike e drejtuese, drejt izolimit dhe asgjësimit përfundimtar.

Tiranë, më 15.04.2015

Filed Under: ESSE Tagged With: “BOTA E RE”, LAME KODRA DHE, Luan Cipi

Hamit Matjani Legjenda e agjentit Shqiptare viktim e tradhetise se Kim Fillbit

April 15, 2015 by dgreca

Kur në prill të vitit 1954, në fushën e sportit në Lushnje, Hamit Matjani ngjitej në trekëmbësh, si i dënuar me varje në Washington dhe Londër i vunë një vizë operacionit “Valuable”‬‬/
Nga Beqir SINA – New York/
Xhavit Matjani, djali i vetëm i një prej “komandantëve” më të shquar shqiptar në vitet ´30-të, Hamit Matjanit, kur ishte në Amerikë,një vit para se të vdiste rrëfente nga Amerika ekskluzivisht për “Bota sot” gjithçka që kujtonte ai dhe dinte për babanë e tij “legjendar”. Transferimi i fisit Matjani nga zonat e Burrelit për hir të hasmërisë në kodrat e Peqinit dhe gjakmarrja e re që e bëri Hamit Matjanin, pas hakmarjes, një nga figurat më të njohura të zonës. Si u çua më pas në Napoli të Italisë, nga mbreti Zog, ku mbaroi shkollën e xhandarmërisë dhe emërimi në qytetin e Fierit. Beteja e trupave të xhandarmërisë së Hamit Matjanit me trupat e Riza Cerovës, gjatë kryengritjes së Fierit në vitin 1935 dhe shtypja e saj me ndihmën e forca të ardhura nga Tirana.
Simbas rrëfimeve të tij atdhetari dhe nacionalisti Hamit Matjani, lindi më 1910 në fashatin Matian të Lushnjes, fshat ky i krijuar nga njerëz të ardhur shumë kohë më parë nga rrethi i Matit, për hasmëri. Ky fshat i vogël, ka nxjerrë nga gjiri i tij, shumë njerëz patriotë që u dhimbsej atëdheu, dhe ishin gati të jepnin edhe jetën për të nëse do ta lypte nevoja. Dhe, me të vërtetë ashtu ndodhi. Shtatëdhjetë djem në lule të moshës, të cilët komandoheshin nga Isa Manastiri, u pushkatuan nga Mehmet Shehu, mes të cilëve gjendeshin shtatë Matjanë. Mes tyre ishin edhe Hamiti me gjithë dy vllezërit, Asllanin dhe Ibrahimin, Hasan, Dalip dhe Hajdar Matjani, nipërit e Hamitit si dhe Veliu, kushëri i tij.
Fatimeja, gruaja e Hamitit, edhe ajo ka bërë dhjetë vjet burg të regjimit komunist, ndërsa pjesën tjetër të jetës e kaloi në kampet e interrnimit në Savër e Gjazë. Shahe Matjani, gjith-ashtu ka bërë dy vjet burg. Po ashtu i gjithë fshati u internua. Historia e Hamit Matjanit fillon më 1929, kur u mobilizua me xhandarmërinë në Vlorë. Gjatë kryerjes së kësaj detyre, ai la përshtypje mjaftë të mira tek eprorët, të cilët shikonin tek ai një djalë trim, të shkathët dhe të zgjuar. Ai gëzoi besimin dhe respektin e tyre edhe pasi u largua nga kjo detyre. Më 1931 kur u largua nga ky shërbim, organet kompetente të asaj kohe, deshën ta mbanin ende në atë detyrë dhe i bënë thirrje të qëndronte pasi shikonin tek ai një njeri mjaft të zotin. Hamiti pranoi ta zgjaste shërbimin e tij, duke rritur aftësinë kualifikuese në kuadër të shërbimit të Xhandarmësisë. Duke parë aftësitë e tij të jashtëzakonshme, organet kompetente të asaj kohe e dërgojnë për studime në Shkollën e lartë të Xhandarmërisë në Napoli të Italisë, të cilën pasi e mbaroi me rezultate mjaftë të mira u kthye sërishmi në Vlorë.
Në prill të vitit 1935, Hamit Matjani transferohet si kuadër i shkolluar në Qendrën e xhandarmërisë në Fier. Më 10 dhjetor të vitit 1935, shpërthen një kryengritje e mercenarëve shqiptarë e pergatitur fshehtazi nga Italia fashiste. Këta mercenarë ishin të paguar nga italia për të përmbysur qeverinë e Ahmet Zogut. Në krye të kësaj kryengritje u vu komandanti, Musa Kraja, i cili qe një antizogist i thekur, i dëshmuar kundër monarkisë. Ai urdhëroi arrestimin e përfaqësuesve të autoriteteve qëndrore, duke shpresuar se shpërthimi i revolucionit do të merrte përmasa më të gjera në gjithë territorin e vendit. Në qytetin e Fierit, Hamit Matjani kishte reputacion të madh dhe bashkë me shokët e tij, ai, krijoi një rezistencë të madhe duke u ndeshur me çetën e Riza Cerovës, të cilën arriti ta shpartallonte duke e detyruar të largohej në drejtim të Mallakastrës, disa kilometra larg Fierit. Qeveria e asaj kohe, u vu në ndjekje të kryengritësve dhe gjatë kësaj lufte u vra edhe Riza Cerova. Ndërsa kryengritësit e tjerë u kapën, dolën para gjygjyt dhe u dënuan. Situata u stabilizua sërish dhe pas kësaj Hamit Matjanin e dërgojnë sërish me shërbim në Vlorë.
Pushtimi Italian në brigjet e Shqipërisë, më 7 prill 1939 në të gjith Shqipërin, nuk u prit me lule por me plumbat e patriotëve shqiptarë, luftëtarëve trima që nga Saranda e deri në Shëngjin, bënë rezistencën. Midis tyre, një rol të vecantë në këtë luftë luajti edhe Hamit Matjani, i cili luftoi me të gjitha mundësitë që ta hidhte në det Italinë fashiste për të mos e zaptuar Shqipërinë. Por kjo nuk u realizua për shkak të fuqisë së madhe ushtarake që dispononte në atë kohë Italia. Italia Fashiste, deklaroi pushtimin e plotë të Shqipërisë dhe në bashkëpunim me mercenarët e vendit ngriti qeverinë e saj. Por, kjo nisi pik së pari në arrestimin e shumë personave, patriotë dhe luftëtarë që e kishin kundërshtuar planin fashist që çonte në okupimin e vëndit të tyre. Kështu, që edhe Hamit Matjani u arrestua nga pushtuesit Italianët, ku u dënua me vdekje ku do të egzekutohej me varje në litar.

Qazim Dervishi nga Lushnja, ish mik i ngushtë i Hamit Matjanit, njëri nga veteranët e Luftës së Parë Botërore, kur mori vesh lajmin se Hamiti, qe arrestuar nga italianët dhe mercenarët shqiptarë dhe do të varej në litar, mundi të fuste në burgun ku mbahej miku i tij disa ushqime, mes të cilave edhe një sharrë hekuri, e cila do ti shërbente atij që të këpuste hekurat e dritares së qelisë. Kështu Hamit Matjani mundi të dilte e të arratisej duke u larguar në drejtim të fshatit të tij. Atëherë pasi vishet ushtarak, armatoset dhe zgjedh si vendqëndrim pyjet rreth një fshati malor. Arratisja e Hamit Matjanit, solli një shqetësim të madh mes personaliteteve të burgut, të cilët organizuan shumë forca të armatosura dhe u drejtuan drejtë fshatit Matjan për të kapur Hamit Matjanin. Ata nuk mundën ta kapnin Hamitin vetëm sepse ky i fundit zotëronte një dhunti të jashtëzakonshme natyrore, njihte mirë terrenin dhe ishte trim e i zgjuar. Atëherë në shenjë hakmarrje pse nuk mundën të shtinin në dorë Hanmitin, për ta demoralizuar shpirtërisht, vendosën ti interrnonin gjithë familjen.
Por, ky patriot, i shtoi akoma më shumë fuqitë dhe përsosi zotësinë. Ai ngriti çetën e tij me luftëtarë të zotët, djem besnikë dhe u hodh, mal më mal ku ra disa herë në përpjekje. Gjatë viteve 1941-1942, lindën grupet komuniste, të cilat filluan të organizoheshin në çeta të vogla, pastaj kompani, të cilat nisën të bënin një propogandë të madhe bolshevike. Ata afruan pranë tyre njerëz me qëndrime të lëkundura për të shtuar radhët e Partisë Komuniste. Njëri nga këta ishte edhe Mustafa Gjinishi. Pastaj ata i bënë thirrje edhe Hamit Matjanit, që të bashkohej me grupet komuniste, por ai e hodhi poshtë këtë ofertë. Hamiti i tha Mustafait se i vinte keq pse megjithëse ishte një njeri me mjaft kulturë nuk kishte kuptuar ende se komunizmi do të shkatërronte gjithshka në Shqipëri, që nga prona e deri tek identiteti kombëtar.
Në kuadër të kësaj përgjigjje, Matjani i drejtohet Gjinishit duke i thënë se “Ti bashkë me grupet e tua bën mirë të flakësh tej yllin bolshevik, që mban në ballë dhe të vish me mua sepse kjo ishte rruga më e mirë” Pas një debati të gjatë dhe të ashpër nuk u arrit asnjë rezultat dhe si përfundim Matjani i tha Gjinishit se “nëse dëshiron të vdesësh me nder ashtu siç i ka hije një atdhetari eja pas meje, në të kundërt po qëndrove aty ku je do të vdesësh me turp”. Të njëjtën thirrje ai i bëri edhe Sheh Karbunarës dhe mori po të njëjtën përgjigjje që i dha Gjinishi. Më vonë, Sheh Karbunara, bashkë me Gjinishin ranë pre e kurtheve të Enver Hoxhës, ku e pësuan me kokën e tyre. Ata u pushkatuan që të dy. Më 1943, Italia fashiste kapitulloi dhe në Shqipëri hyri Gjermania naziste. Hamit Matjani u vu përballë luftës me gjermanët, por edhe kundër komunistëve që shtoheshin në numër dita ditës. Si komandant i zoti, duke marrë nën kontroll Peqinin dhe Çorovodën si dhe disa zona të tjera, arriti të siguronte një territor për vetën e tij ku nuk qe e lehtë të vepronin komunistët. në kuadrin e luftimeve në të dy krahët , më të rrezikshme ishin luftimet që bëheshin me komunistët, pasi ata, veç luftës me armë përdornin mjaftë mirë edhe instrumentin e propogandës.

Populli nuk qe në nivelin e duhur për ta përballuar këtë propogandë dhe shumica ranë në kurthin e rekrutimit që iu bënë nga komunistët. Më 1944, kur Shqipëria u çlirua prej nazistëve, por jo nga komunistët. Ata morën pushtetin dhe nisën nga larja e hesapeve kundër patriotëve të vërtetë që nuk i kishin përkrahur duke mos u pajtuar me ideologjinë e tyre. Pjesa më e mirë e nacionalistëve shqiptarë e rrasën nëpër burgje, e pushkatuan dhe e dërguan në kampe interrnimi. Hamit Matjani vazhdonte të qëndronte në mal për të luftuar doktrinën komuniste bashkë me çetën e tij. Ai ra disa herë në përpjekje me komunistët. Kjo ndodhi në disa nga zonat më të njohura të asaj ane.
Ai u përpoq të krijonte bindjen në popull se nuk e kishin njohur mirë komunizmin i cili do ti krijonte vendit shkatërrime të mëdha. Ata që e kuptuan, u bashkuan me Hamitin, por rezistenca, për vetë kushtet e krijuara ishte mjaftë e vështirë. Hamiti bashkë me shokët dhe vëllezërit e tij, u rrethua në një pyll nga forca të shumta të ushtrisë dhe policisë. Kjo ndodhi për shkak të tradhëtisë që iu bë atijë nga një person, i cili qe në radhët e tij, por që punonte për sigurimin e shtetit. Rrethimi pati pasoja katastrofike për të, sepse pas një lufte të ashpër ku pati të vrarë nga të dyja palët ai humbi në atë rrethim vëllezërit dhe shokët e tij. Kjo ndodhi i përket vitit 1947. Kjo humbje e detyron Hamitin të largohet nga Shqipëria dhe të vendosej në Greqi bashkë me Nuri Plakun. Gjatë udhëtimit për në Greqi, ata arritën të mblidhnin me vete shumë njerëz të pakënaqur nga qeveria komuniste sepse kishin humbur pronat dhe personalitetin e tyre. Thuhet se kur po
kalonin kufirin, rastësisht ata u takuan me një bari, i cili po kulloste aty bagëtinë. Si u përshëndetën sipas traditës, Matjani i jep atij një cop letër, për të cilën i lutet ta çonte në postën më të afërt ku do ia dorëzonte
komandantit të postët duke i thënë “Ma dha Hamit Matjani”
Siç është parë më vonë, në këtë letër ai shkruante se “unë Hamit Matjani po largohem nga Shqipëria për në Greqi i plagosur rëndë dhe me shok të vrarë. Por kur të shërohem do të vij opërsëri në Shqipëri për ta vendosur në vend idealin tim. Dhe me të vërtetë ashtu ndodhi. Matjani erdhi në Shqipëri mbi njëzetë e pesë herë ku qëndronte me muaj të tërë nëpër bazat e tij ilegale. Sërishmi është tradhëtia që do ti hajë kokën. Më 1 maj 1953, Hamit Matjani kapet nga agjenti anglez, i cili punonte për shërbimin sekret rus. Ky quhej Kim Fillb.
Anglia mbasi mbaroj Lufta e Dytë Botërore, e mbajti sërish Intiligjent Servisin, që të punonte në mënyrë sekrete kundra rusisë dhe Komunizmit të përbotëshëm, edhe kur Amerika e pa mirë se propoganda komuniste, po shkonte shumë më larg se sa mendohej. Atëhere, Amerikanët dhe Anglezët në lojë kundra Rusisë dhe komunizmit të përbotëshëm së bashku zgjodhën Shqipërinë si vendin më të përshtashëm për të hedhur grupe diversantësh. Shqipëria, mbasi u “shkëput”, dhe nga Jugosllavia, për me i dhënë një grusht
të fort Stalinit, me lidhjen Tito – Hoxha, fituan një farë përkrahje Anglo-Amerikane për të vendosur një rregjim sipasë dëshirës së popullit shqiptarë dhe me njëher u bënë thirrje shqiptarve në perendim kush do me
luftue dhe me shkue në shqipëri vullnetarisht.

Mirpo Anglo-Amerikanët gabuan rëndë, siç u pa ma vonë, se ata nuk kishin pastuar akoma shtëpinë e vetë e lë pastaj të pastronin shtëpinë e shqiptarve nga komunizmimi dhe agjenturat serbo-ruse. Sepse që të pastronin Shqipërinë, duke pasë tradhëtinë në derë të tyre , misjonet e tyre për në Shqipëri ishin tradhëtuar qysh në ditët e para të nisjes së tyre. Duke filluar nga Agjenti angles Arnold Kim Filbi, që ishte i rekrutuar qyshë në moshën 17 vjeçare nga KGB-ja. Agjenti më i famëshëm në botë një ndër më të njohurit e agjenturave në botë, kur e mbaroi misionin e tij, të dubëlspiunazhit në dobi të KGB-ës shkoi e vdiq në Moskë, ku thuhet se ai jetonte me një partner mbasi thuhet që ai ishte homoseksual.

Anglo-Amerikanët e interesuar që Shqipëria të shkëputej realisht nga blloku i kuq Sovjetik i BRRSS, kishte analizuar dhe organizuar dhe zbarkime të grupeve diversatësh në Shqipëri, pasi anglo-amerikanët kishin informata të sigurta se rregjimi komunist në Shqipëri, nuk ishte stabil dhe se kishin lehtësira për ndërhyrje të ndrrimit të një rregjimi, mbasi dhe vetë gjëndja në të cilën ndodhej Shqipëria si niveli i ulët ekonomik e politik, i jepte shkas për të ndërrmarr hapa të tilla. Shteti ishte keqësuar , çdo ditë pushka-toheshin njerëz të pafajshëm, burgoseshin e interrnoheshin.
Kjo erdhi si rezultat kur u “keqësuan” dhe u “prishën” marëdhënjet me Jugosllavinë. Të mos harrojmë kjo periudhë i përket 1948 , perudhë kjo kur elementët patriotë, ballistë e zogistët, ende ishin të gjallë dhe ishin mjaftë aktivë.
Kur gjoja Shqipëria u prishë me Jugosllavinë, ajo faktikisht u gjendë e rrethuar nga të katër anët. Si për shëmbull për të shkuar në Hungari, duhej të hipje në një vaporr që nisej nga Durrësi, t’i bije për qark
deri në Detin e Zi, të dilje në Konstacë(Rumani) dhe pastaj nëpër Rumani të kaloje në Hungari. Jugosllavët i pezulluan dhe i bllokuan të gjitha flutrimet ajrore. Jugosllavët, nuk lejonin që të fluturonin aeroplanët që dilin nga Shqipëria mbi Jugosllavi, ata ju kërcënonin ulje të detyrushme dhe me dhunë në territorin Jugosllav. Kjo mënyr zgjati thuajse deri më 1956. Pra, kjo mënyrë e përdorur nga kjo bllokadë nxiti anglo-amerikanët të inkurajojnë forcat e tyre. Kjo kohë koncidojë me atë që Intiligjent Servisi dhe CIA, gjykuan se kishte ardhur koha e momenti i duhur që t’i jepej një goditje e fuqishme imperatorisë komuniste, të kuqve Moskë, Beograd, Tiranë.

Për këtë qëllim Anglo-Amerikanët zgjodhën Dejvid Smajli dhe Xhulja Emeri si dhe grupe të specializuar që bashkëpunuan me këta agjentë. Në Maltë u organizuan nga ana e Smajlit. Kur anglezët kërkuan ndihmën e Amerikanve , amerikanët krijuan një repart diversantësh e agjentësh me rreth 4,000 vetë në Gjermaninë perendimore me emigrantë shqiptar nga të gjitha trevat, Kosova, Maqedonia, Mali i zi, Çamëria e Shqipëria. Këto forca pasi u përgatitën në këto kampe u hodhën me parashuta në Shqipëri, dhe ranë prehë e pabesisë dhe e tardhëtisë, Ata u sollën në Shqipëri me anije dhe aeroplan por u likujduan thuajse të gjithë.
Për sa dihet sipas dokumnetave të arshivës së Intiligjet Sërvisit, CIA-s , për likudimin e tyre dihet mirë se vendimtare kanë qënë informatat e sakta që jepte Kim Fillbi, sipunit të KGB-ës që punonte me një aeroplan zbullimi MI-6(për agjensinë angleze të kundrasipunazhit) me të cilat Shqipëris i bëhej e ditur për ardhjen e këtyre forcave dhe vend zbarkimin. Angelëzët dhe Amerikanët, sot këtë lojë tradhëtie e kudnrasipunazhi ja atribojnë agjentit me famë botërore Kim Filbi, i cili përmesë Sovjetikve lajmëronte qeverinë shqiptare. Filbi duke ditur datën dhe vedëndodhjen e saktë të këtyre grupve arrinte të jepte alarmin për aksionet që ata kishin në plan të ndërrmerrnin .
Sipas dëshmive Mbreti i shqiptarve Ahmet Zogu, i cili kishte kaluar në ekzil, kishte sinjale se në brëndësi të grupeve kishte kundrasipunazh, prandaj dhe nuk i kishte përkrahur këto grupe dhe aksionet e tyre, duke ju bërë thirrje amerikanve dhe anglezve se po binin në lojën e sipunazhit sovjetik.
Në vitin 1953 hynë në lojë edhe Amerikanët, këta i’u lutën Mbretit t’ju jepte amerikanve katër vetë midis tyre edhe Zenel Shehun, i cili ishte adjutant i Mbretit. Zenel Shehu hyri i pari dhe ra në duart e sigurimit me
gjith paisjen e tij , radio, kodin dhe më vonë me gjith grupin dhe vu në shërbim të sigurimit shqiptar. Kështu përmes Shehut, sigurimi kërkonte armë për”çetat kundër pushtetit”, të cilat kinse ishin krijuar në Shqipëri, pastaj kërkonin dhe njerëz”për ndihmë” të cilët ishin vënë në shënjestër të sigurimit për tu kapur(Zenel Shehu u mbajtë disa vjet në burg, pastaj u lirua.
Hamit Matjani,është dekoruar si ‘Martir i Demokracisë’ nga ish-Presidenti Sali Berisha në vitin 1992.Ai ka qenë një nga desantët më të zhdërvjelltë, i cili ka hyrë disa herë në Shqipëri gjatë viteve 1950-54, në kuadrin e operacioneve agjenturore të CIA-s për të përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës, deri sa u kap i tradhëtuar nga forcat e Sigurimit dhe u var në fushën e sportit në Lushnjë, në prill 1954.

Filed Under: Histori Tagged With: Beqir Sina, Hamit Matjani, i biri Xhaviti, Kim Filbi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3938
  • 3939
  • 3940
  • 3941
  • 3942
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT