• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR DIELLI SHKRUANTE PËR KRYENGRITJEN E MALËSISË MË 1911

April 2, 2015 by dgreca

NJË SHKRIM I NIKOLLA MARTINAJ PËR KRYENGRITJA E MALËSISË MË 1911/
NGA GËZIM LLOJDIA*/
1.Më 14 qershor 1924, Gazeta e VATRES,”Dielli”,zeri i shqiptarëve të Amerikës dhe më e vjetra ndër media print të emigrantëve në tokën e përtej oqeanit , publikon një shkrim të Nikolla Martinai me një titull të qartë kushtuar kryengritjeve shqiptare të viteve 1909-1911.
Mirëpo fokusi i z Martinaj është përqendruar te Malësia e cila është një shkreptimë e madhe rrufe karshi pushtimit të gjatë të osmanëve në trojet e Arbrit dhe rrezikut që u kanosej këtyre trojeve nga fqinjët ardhacakë.
”Kryengritja e Malësisë më 1911. Kryengritja e Shqipërisë më 1911 ka një rëndësi edhe nga pikëpamja ndërkombëtare,nga shkaku se ajo ndezi shkëndijën e parë të luftës së Ballkanit. Kryengritja shqiptare e 1911 u ndodh si një rast për të provuar fuqinë fizike dhe morale të Turqisë së ahershme ,dhe shërbeu të jap shenjën shteteve të Ballkanit,që të bashkohen në mes tyre kundër Turqisë. Nga pikëpamja shqiptare ,kryengritja shqiptare e 1911 mund të quhet si fara e të tërë lëvizjes kombëtare të kohës së fundit e cila pati efektin që të shpëtoj independencën e Shqipërisë ,e cila u bë shkak të hapet e para fushatë për të mbledhur të holla për një qëllim patriotik kur e njohura filoshqiptare inglize Miss Edit Durham bëri një thirrje mes shqiptarëve të Amerikës,të parët shqiptarë të organizuar në shoqëri kombëtare moderne me qendrat në Boston për të parë krahu, lëvizjen .
Z. N. Martinai shkruan gazeta, ahere një djalë i ri ish-organizator i kryengritjes në Podgoricë. Miss Durham në letrën e saj fliste me entuziazëm për besnikërinë me të cilën Z.Martinai i qe vënë çështjes së asaj lëvizje. Nga ky shkak shkruan gazeta,nuk ka asnjë shqiptarë tjetër ,që të dijë më mirë se ay faktet e asaj kryengritje e cila është pjesa e parë e historisë së zhvillimit të ndërgjegjes kombëtare është në proces të zhvillimit të ndërgjegjes kombëtare është në proces dhe po zhvillohet me të shpejtë. Po që të kuptohet ky zhvillim, është nevojë të niset historia e tij që në krye dhe artikulli, që pason është i pari i një seri prej 10 artikujsh të shkruar prej Z.Martinai për Diellin ,të tjerat do të vazhdojnë me radhë,përfundon parathënie për shkrimet historike të Z.Martiai.
2.“Për pashkë t’ vjetës 1911 krisi pushka ner malet e Shqypnisë kundër Turiqisë,shkruan N.Martinai.
Shtypi evropian hapi fjalën sikur shqiptarët po nisen luftë për me ba shtet independent Shqypninë. Kjo fjalë ngiati për shumë ditë dhe zhurma e kësaj lufte u rrit për s’tepri. Shqyptarët që gjindeshin në’Evropë pyteshnin shoqishojnë.
-C’asht kjo kryengritje enigmatike?
Kishin arsye me vrejte prej s’largu si një kryengritje enigmatike pse e dishin që malsoret burra t’fortë, por akoma pa vetdije patriotizme, t’armatosun keq pa pare.pa krene lufte modern,nuk ishin të zott për me fillue luftën për independencën e Shqypnisë kundre një mbretënisë s’ madhe. Cudia u shtu kur erdh lajmi se ra Tuzi që qe vetëm pak bajraqe,Hot -Grud-Kastrat,kishin ngreh armët.
Ded Gjo Luli burrë i vjetre sillej ,sillej nëpër Podgoricë .Aty me mund pak e gjetëm disa vetë,disa vetë shqyptarë, arsynë e thellë kryengritjes .Promotori ishte Krajl Nikolla. Një andrë e madhe ja kishte ndeze trutë qyshe se kish njeshe kunoren e mbretenise. Varzat i kishte ner oborre t’vjetra t’Evropës,aj vete ish fis i ri,ardhur nga popat ne 1700.
(Autori përmend faktin e njohur për ardhjen e sllavëve në Ballkan)
Komenti ynë.
Kur invazioni serb zbriti deri në jug ,ai krijoi jo vetëm shkatërrime të mëdha. Pas dobësimit të Perandorisë Bizantine dhe Perandorisë Bullgare, në mes dhe në fund të shekullit të 13-të,shumica e territorit të vendit u bë pjesë e Serbisë. Tri subjekte shkruajnë burime të huaja, mbulojnë historinë e Shqipërisë, ndërmjet fund të shekullit të 12-të deri në fund të shekullit të 14, kur principatat shqiptare ishin krijuar në gjithë Shqipërinë. Ky vend dhe kjo tokë ka parë një sërë pushtimesh nga pushtues të egër nga kohët të hershme, kujtojmë luftërat e ilirëve me romakët deri te:gotëve, astrogotëve, visigotëve, hunëve, avarët, maqedonasit dhe më të vonshme përmendim :pushtimet serbe, bullgare, austro-hungareze, malazeze, greke, italiane e gjermane shekulli i XX ,deri në 1998 çlirimi i Kosovës,nga intervenimi i forcat të NATO-s.)
-Kur u proklamua mbret, shkruan N.Martinai, morrin titullin e një princi legjendar,një fare Ivan,princ i Xetes nga i cili ndofta rrjedh Kol Ivanaj. Ai princ thonë se jetoj ne shekullin e pesëmbëdhjete. Me at titull Krajl Nikolla i hipi kalit t’nje mbretërisë operete.Andra e madhe e tij ishte me ba te vetat malet e Shqypnise deri në kufi të Serbisë. Froni i Serbisë nuk ishte aso kohe forte dhe emni i Krajl Nikolles ishte shumë popullues ner Serbi. Krajl Nikolla shpenzonte me i vu ne themel aj vete mbretënisë jugosllave,thotë N.Martinai duke treguar manyrën se si u ngritën mbretëria që rrëmbeu tokat e fqinjëve shekullorë në Ballkan.
Kur filloi kryengritja e Malcisë në Mal të Zi u dha fjala se krajl Nikolla merr ner duer baketën drektoriale të politikës ballkanike. Shpirti i malcorëve përpara se të fillojshin luftën ,ishte i vramun nga turqit pak për arsyna fanatizme fetare të mbetun me shekuj,por ma fort pse Turqia e Re u kish vu taksa dhe u menaconte lirinë anarshike të tyne.Krajl Nikolla i ashpëroj edhe ma tepër me propaganda të fshehta dhe j’a u mbushi kokën se shpejtim për ta nuk gjindej veç me u nda nga Turqia dhe me u bashkua me Malin e Zi. Krenet malcore ju shtrunë këtij mendimi. Krajl Nikolla u muer fjalën dhe u vuni në një betim me një formë magjike.Rreshtoj një sallon disa ikone ,karshi ikonave ndezi qira dhe aty i vuni malcorët me ba këtë be:”Për këtë flakë qirash ,për këto shejta, që na njofin,po i bima turkut,për të miran t’one dhe për nderin e Krajl Nikollës.
Me këtë ideal filloj fshehtas kryengritja në 1911.
3.Në një shkrimtjetër gazeta Dielli shkruan:Një dokument i panjohur i Isa Boletinit për kryengritjen e vitit 1911.Gazeta e shqiptarëve të Amerikës” Dielli” sjell një lajm rreth përpjekjeve të Isa Boletinit për të takuar refugjatët në Mal të Zi. Lajmi i periodikes shqiptare është marrë nga (Levavt Herald, 25 Shkurt).Gazeta turke Silah e Selanikut shkruan pikërisht kjo gazetë,botoi në numrin e saj të funt me fjalimin që pati nga redaktorët e saj në Mal të Zi më të zgjuarin Isa Boletini , provokatorin e lëvizjes kryengritje se funtme ne Shqipëri të Veriut. Kapidani i shkëlqyer i shqiptarëve patë deklaruar që priten ngjarje me rëndësi pranverën që vjen. Një luftë do të ndodh doemos në mes të Turqisë nga njëra anë , Bulgarisë dhe të Greqisë nga tjatra. Shqipëria dhe Mali’ i Zi do të marrin pjesë. Gjithë ai redaktor pasi pyeti mirë mi numrin e refugjatëve otoman në Mal të Zi, lajmëron, që ka sot në Mal të Zi refugjatë otomanë nga këta 2562 shqiptarë,1024 serbë, dhe 215 kaçakë urie.
Guverna e Malit të Zi me gjithë varfërinë e saj,do ti përmbajë të gjithë harxhet e saj. Krerëve u ep 5 franga në ditë dhe të tjerëve 2 frënga.
S.D . Në qoftëse korrespodenca e Silah është e vërtetë dhe jo e fabrikuar në favor të saj, gjë që ngjan shumë herë me të metat e vogla, ahere s’është çudi që korrespondenti i Times-H të jetë lajthitur për lajmin që epte se Isa Boletini u fal dhe u kthye ne Shqiperi. Lajm e Silah u botua me 24 te Shkurtit dhe dy ditë më vonë u botua ajo e Times-H. Po të ish që të ato ditë Isa Bolotini që të kthehej në Shqipëri si i falur, do t’i kish thënë gjë korri pondentit të Silah-iH.
Pastaj vumë re se Vant herald-in e Stambollit gjer Shkurt dhe s’ bën asfare fjalë për kthimin e Isa Boletinit. Emëri i gjeneralit kryengritës Shqiptar është aqë i dëgjuar sa këtij s ‘’munt të shkonte i pavënë re, ose Isa Boletini ndodhet në Mal të Zi dhe mediton mi politikën e Ballkanit, ose kthehet fshehurazi në Shqipëri që të lozë dhe qëllimin e tij në turbullimet të cilat janë paralajmëruar.
4.Gjejmë në gazetën Dielli një shkrim tjetër.
5 tabore kurdësh kundër Mirditasve.
Mirditasit zaptuan Leshin dhe i dhanë rasje një vapori t’ afrohet e t’u sjellin armët qe prisjin. Thuhet qe Fuzli Pasha hyri në Shqipëri me këtë rasje. Armët që u soll ishin gjer 10,000. Proklamata e autonomisë dhe vendosja e një guverne provizore në Orosh janë bërë prej një Z. Anton Toçi të cilit TIMES i ep rëndësi. Guverna turke çoj 5 taborë kurdësh kundër Mirditasve cilët e lanë Leshin pasi muarrë armet, gjashtë taborë të tjerë u çuan kundër Shalës,e cila ka gjer 2,000 armë të sistemit të ri.
5.Katoliket e Shkodrës,thotë gazeta Dielli,janë në një frikë të madhe nga bashibozukët pas kryengritjes së Mirditës. Kjo friko u shtua, kur nisi guverna të burgos ceza krerë të krishterë në mes të cilëve dhe të kusherin e Prenk Bib Dodës kapidan Marko Gjonin. Me rasjen e udhëtimit të Sulltan Mehmedit në Kosovë, Torgut Pasha i ftoj malësorët të falen. Këta s’e përfillë dhe zunë luftën. Telegrafet e funtme na thonë që i venë përpara dhe që i kanë dbuar Turqit nga cesa vise. Kryengritësit janë të zëmëruar për mos ardhjen e Garibaldit. E shoqja e prinit trëshgimtar të Malit të Zi dhe princesha Xenia visituan spitalin ushtarak të Podgoricës,ku cesa shqiptarë të plagosur janë nën kujdes mjekësor malazias. Në mes të tyre ishin djema 17 a 18 vjec. Shumë të tjerë s’gjejnë as mjek as barra. Numri i refugjatëve po madhohet. Partia Republikane i Italisë me 60 deputetë në krye gatit një dërgim ndihmash dhe doktorësh.
6.Ismail Qemali arriu në Cetinë dhe u poq me mbretin Nikollën e Malit të Zi me të cilin foli foli tri karta t’ orës shkruan një shkrim tjetër në një numër të Diellit të Amerikës. Në pallat e shpuri sekretari i legatës turke Nuzimin Be.
Mbret Nicolla i paske thënë një korrespondenti italian që do mos do se do te krise lufte te Malit te Zi dhe të Turqisë.
Guverna turke u përpoq me ketë të marrë një hua 25 milionash lira prej një grupi frenqsh. Shkaku qe se Turqisë si mbeti më gjë që te mos ua ketë shitur të huajve dhe Frenqte s” japin ti holla ne ere pa sigurime
U lumtë Malësorëve!
Pas telegrafëve të funtine Kont Aehentheral u muar vesh me ambasadorin italian në Vjene që të japin se bashku këshilla ne Stamboll në Cektinë per ti pushuar turbullimet e Shqipërisë. Korrespondenti i gazetës italiane Secolo boton cesa letra në gazetë të tij mi pjekjen qe pati me te dy krerët e dëgjuar shqiptar Z. Sakol Bazi dhe Bajraktarin Ded Nikaj të Grudes, dhe boton gjerë e gjatë mendimet e tyre mi kryengritjen. Që të dy folën për pabesinë me te cilën Turqit zaptuan Decishin para se të shkonte koha e proklamatës.
Shtatëdhjetë e katër luanë e mbajtin këtë vent për 16 ore kundër flages së topave që u vinin prej tri anësh. Më në funt u shtrënguan të ikin si i mbaruan fishekët. Guverna turke dërgoj ne Gegëri 20,000, ushtarë të mbledhur nga Shqipëria e Jugës.

*Msc.Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve]

Filed Under: Histori Tagged With: Gezim Llojdia, PËR KRYENGRITJA E MALËSISË MË 1911/

NERITAN CEKA PROFESOR ARKEOLOGJIE, APO……?

April 2, 2015 by dgreca

Shkruan: Kozma Taho-Clearwater,Florida/
Nëpër faqet e librave “Butroti” dhe “ Iliret” Pjesa e parë . Burimet e shkruara. Prof. I arkeologjise N. Ceka, me një reputacion goxha të shkëlqyer në këtë fushë është kthyer sot në një historianë që po bën të pa mundurën për të mbrojtur sajesën e Akademisë se Kulturës së Romës Fashiste dhe Prof. të saj L.M.Ugolini ; se qytetin antik të Butrintit , kanë ardhur dhe e kanë themeluar kolonët Korinthas të Korkyrës aty rreth shek VII p.e.s. Madje ky arkeologo –historian do të shkoj edhe më tej , duke përfshir nën kontrollin e Korkyrës , jo vetëm Butrintin por edhe para e prapa tokën e tij . Kështu në librin Butroti ai do të shkruaj :–
“ E gjithë kjo situat (e ka fjalën për kompleksin e fortifikimeve sh.im ) mund të spjegohet me faktin se Butroti I shek. VII- V p.e.s. ishte një emporion , një pikë fortifikimi nën kontrollin e Korkyrës që shërbente për tregëtinë me vëndësit Kaon , por edhe për shfytëzimin e pasurive të liqenit .” Butroti fq 20
Sigurisht, për turpin e tyre , e kanë lexuar këtë shënim edhe tërë Akademistët tanë profesora të historisë dhe arkeologjisë dhe e kanë përtypur pa u ndjerë. Por, po për turpin e tyre një ndër filohelenistët më të shquar të shek. të kaluar, i cili ka bërë dhe një histori 4000 vjeçare të Epirit , Hammond ,dhe që e do të gjithë Epirin te jetë grek, nuk e pranon këtë . Në librin “Epiri “ 1967 fq 474 ai do të shkruaj:-
“ … Nuk ka ndonjë traditë për themelim të ndonjë kolonie greke këtu “
Një parantez për lexusit e këtyre shkrimeve :- Unë nuk pretendoj të bëj historinë , proto historinë dhe aq me tepër akoma prehistorinë e këtij qyteti , por meqense kam lindur e rritur në këto troje kam gjurmuar si çdo kush nga ne për të mësuar gjithçka shkruhet e flitet rreth tij, Të cilat flasin shumë më ndryshe nga ato që shkruan Prof. N. Ceka. Kështu u krijohet hapsirë për të folur e shkruar njerëzve të pa informuar ,sikurse nje S. Suljoti që shkruan në facebook se:-
“……..Ksamili ngitur me qitetin e lashte GREK BUTRINTI
nuk banohet nga qitetar Grek. Ky fakt ne minoritaret
Grek na shqetson dhe na merzit shume.”
Por S. Sulioti e shumë të tjerë , të gjithë ata që kanë lexuar librin “Butroti” dhe “Ilirët” të Prof. N. Cekës , kanë shumë të drejtë të flasin e shkruajnë kështu,sepse kështu shkruhet në këto libra, dhe jo nga nje person “radha “ por nga nje Profesor Arkeologjie , te suksesshem ne kete dege.
Shtrëmbërimin e fakteve të shkruara Prof Ceka do t’i filloj me të parin vizitor helen të Butrintit Hekateun e Miletit, duke vënë në dyshim të qënit apo të mos qënit të Butrintit qytet( Polis ); vleresuar prej tij . (520-515 p.e.s.) Po të më pyeste Profesori , me kaq sa di do ti thosha që sistemi i organizimit shoqëror të qyteteve helene , me përjashtim të disa huazimeve për titujt e administratoreve nuk përputhet aspak me atë të organizimit shoqëror të Iliro – Epirotëve . Helenët ishin organizuar në qytet –shtete ndërsa ilirët dhe epirotët në Konione fisnore , që tregonte një qendër me rrethnajat e saj të të njëjtit fis. Por le të citojmë çfar shkruan Prof N Ceka për këtë. :–
“ Të gjashtë qendrat jo greke të bregdetit të Adriatikut dhe Jonit
( Orgami i Istëve, Japingia, Oidanti, Sesareti i Taulantëve, Baiakea e
Butroti i Kaoneve – sh. im ) cilësohen nga Hekateu Polise, njelloj si
Apollonia. A do të thotë kjo se në këto treva “ barbare “ ishte vendosur
I njëjti sistem shoqëror si në Greqi dhe ishin krijuar qytetet e mirfillta ?
Kjo pyetje ka mar përgjigje të ndryshme nga historianët dhe arkeologët,
përgjithësishtë kanë menduar se përdorimi i termit Polis është në këtë
rrastë konvecional dhe përdorej për të treguar vendbanimet fisnore.
Nga ana tjetër gërmimet arkeologjike kanë treguar se nuk ka përpara
Shek. IV p. Kr. Asnjë vendbanimi ilir që mund të qëndronte krahas
Apolonisë për nga urbanistika dhe pamja arkitektonike. Nga Poliset
E përmendura nga Hekateu vetëm Butroti është identifikuar me
Kryeqendrën antike të Prasaibëve, Butrintin e sotëm . (Iliret fq 60 )
Unë nuk e di për cilët qytete Iliro – Epirote e ka fjalën Prof. N. Ceka , për ata që janë identifikuar e nuk jane zbuluar ende, apo për ata që ende nuk ja u dime vënd ndodhjen e që nuk janë pakë, por rreth 70 . Por di që qytete të tilla si Bylisi, Amantia , Butrinti , Foenika, madje edhe Belshi , me tej Dodona , Pasaroni , Bunima , Efyra e të tjerët, pa përmëndur Kryeqendrën e Pirros së Epirit, Ambrakinë, ishin të paisura me shëtitore , teatro , stadiume, faltore dhe element të tjerë që në paralelet kohore qëndrojnë baras e mundet më lartë se Apolonia .
Mesa di unë , kur qytetet e Epirit dhe Ilirisë ishin të paisur me teatro të gurt teatrot e helenëve ishin shumë të pakët , dhe për nga madhesia më tëe vegjël (Dodona rreth 20.000 vënde, Dionizi Athine 17.000 vende , Epidauti rreth 14000 vende . Dodona dhe Pasaroni duhet te jene ndertuar rreth vitit 420 p.e.s.; ndersa Dionisus eshte ndertuar prej druri ne fund te shek V p.e.s dhe prej guri perfundoj rreth vitit 325 -324 p.e.s. , teatri I Epidaurit ne periudhen 340 – 320 p.e.s. ) Per Ambrakinë P.sh. thuhet:–
“ Nga burime të qëmoçme , tani vonë u hetua se kryeqyteti
i Pirro Molosit, Ambrakia ( Arta), pat arritur një ngritje të tillë kulturore sa ishte i stolisur, ndër të tjera, përveç me dy teatro, dhe me plot 1015 shtatore të ndryshme, numër ky mahnitë për çdo metropol të rruzullit tokësor deri më sot……..Plini (Plaku) tregon se statujat e nëntë muzeve te Ambrakisë Pellazge u vodhen nga romaket. “ ( Dh . Pilika Pellazget fq 351)
Më poshtë Profesor Neritan Ceka Vazhdon :-“….Gërmimet arkeologjike të viteve të fundit kanë sqaruar aty (në Butrint sh . im ) të njëjtën tablo si të Belshit. Brënda një fortifikimi me sip. 0,7 ha, që nga mesi i shek VII p. Kr. Zhvillohet aty një vëndbanim në shtresat e të cilit, VEÇ QERAMIKAVE VËNDESE Gjendet po ajo masë amorfash joniane, korintase e korkyrase krateresh e hidriesh joniane , kupash korintase e joniane apo aribalesh korintike. Në kohën e Hekateut shkëmbimi i ishte më i dëndur dhe përfshinte edhe kratere lakonase e kupa atikase Pamja e vëndbanimit ishte modeste, por FORTIFIKIMI SOLID NDRYSHONTE NGA FORTIFIKIMET FISNORE TE FILLIMIT TË EPOKËS SE HEKURIT ( Shek XII- Xp.Kr. ) nga një përpunim i gurëve dhe përdorim I kthesave me kënd të gjërë, që i jepnin trasesë së mureve një pamje zigzake. “
( Iliret Fq 60 )
Në këtë shënim të gjatë të Profesorit përmblidhen shumë gjëra , por le të ndalemi të qeramikat dhe pikërisht te ato qeramika që Profesori i përmbledh me dy fjalë “ qeramikat vëndëse”. A ishin këto qeramika prodhime të veçanta , do me thënë vetëm të Buthrotasve? A nuk kishin lidhje këto qeramika bie fjala me qeramikat e gjetura nga Profesor Korkuti dhe Profesor Petruso I Universitetit Austin të Teksasit, në shpellën e pranë ndodhur të Konispolit ? A mund të pranohet se shpellarët e Konispolit nuk kishin lidhje , madje nuk e dinin se Kodër Butrinti ishte një vëndbanim qoftë edhe “ I thjeshtë peshkatarësh “ ? Qeramika e Konispolit e përshkruar edhe nga Profesor N Ceka në po të njëjtin libër Fq 19 -20, janë të lidhura me të tri fazët e neolitit ( 6000- 2600 p.e.s. ) dhe kanë lidhje me qeramikat e Cakranit të Fierit, të Dunavecit e Maliqit në Korçë e të Kolshit në Kukës, të cilat Profesor Ceka i ka përfshirë në ” grupin e kulturës jugore Ilire.” Po këtu Profesor Ceka tregon se Butrinti edhe në epoken e fillim hekurit kishte një fortifikim , sigurisht të ndryshëm nga ai që pa Hekateu , por kishte . Por , si i bëhet që në librin Buthroti ai shkruan se :-
“….Sipas të dhënave të gërmimeve arkeologjike Butroti i
Shek. XII p.Kr., kur ndodhi eksodi trojan, ishte vetëm një
fshat i thjesht peshkatarësh , i vendosur në pjesën më të lartë
të kodrës dhe i pa rrethuar me mur “ ( Butroti fq 20 )
Cilin shënim të Profesorit duhet të besojmë atë te Ilirët apo atë te Butroti.?
E rëndësishme është të pranojmë dhe duhet ta pranojmë pa tjetër,se Butrinti i kohës së Hekateut duhet të ketë qënë nje qytet –port i vogël që duhet të kishte edhe kalata për ankorim anijesh edhe mangazina për shkëmbim mallrash. Duhet të ishte pa tjetër nje pikë ku prodhuesit e rreth vendosjes së tij sillnin kryesisht produkte bujqësore e blegtorale që prodhoheshin me shumicë e që ishin tepër të kërkuara nga trejet e tjera. Në të kundërtën, Hekateu nuk kishte pse tja u rekomandonte tregëtarëve të largët Egjeas, për të hyrë në mardhënie me të.
Hidhemi tani tek qeramikat e importit. Akademisë së Kulturës së Romës Fashiste dhe Prof. Ugolinit i duhej me pa tjetër të mos kalohej shek I VIIp.e.s. Këtë po bën edhe prof N. Ceka nën hijen e arkeologes greke Kiti Hatzis . Por , dekumentat e shkruara flasin më ndryshe . Ato thonë se lidhjet Ishullar- Epir shkojnë shumë thellë në lashtësi. Homeri tek “Odisea “ tregon se Mëndesha e vajzës së Mbretit Feakas, Alkinout, ishte Epirote , mundet nga paratoka e Butrintit , dhe, ishte një nga personat më të rrespektuar në pallatin e tij. ( shiko kënga e VII) Po këtu Homeri tregon se kopet e Uliksit Itakas ndodheshin në kullotat e Epirit nën mbrojtjen e miqëve te tij . Pra bëhet fjalë për motet e Luftes Trojane rreth shek . XII p.e.s. Feakasit e Alkinout u zëvëndësuan nga një tjetër fis lundërtarësh, Liburnët Ilirë , të një kombësie e gjuhe. Edhe këta me paratokasit e ishullit , per nevojat e tyre me siguri ruajtën mardhënie të mira shkëmbimi . Floten dhe tregjet e Liburneve evune ne zotrim helenet , per te vazhduar deri ne kohen romake. Edhe periudha romake ashtu siç ka vënë re Ciceroni kur shkruan se :- “ Butrinti ishte për Korkyrën si Ati për Romën” ; tregon po të njëjtat mardhënie. Më pas kushdo që ka zotruar Korkyrën , ka kërkuar mardhënie te mira me Butrintin. Edhe kur Butrinti u rudhos në një qendër peshkatarësh u ruajtën po këto mardhënie . Ali Pash Tepelena përdori limanin e vogel të Kataetos , I cili bëri qendër tregëtare Mursinë që vazdoj deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Kështu që në qoftëse Prof Ceka dhe Kiti Hatzis nuk shohin e nuk gjejnë qeramika të tej shek . VIIp.e.s. është pak si e çuditëshme .Por le të shkojnë edhe njëher në muzeumin e Butrintit e të shikojnë disa qeramika të ekspozuara , të cilat Prof Çondi na i ka prezantuar në librin “ Butrint, Histori Monuments and Musum “ dhe që janë të datuara në shek e XVIII –XII p.e.s , pra edhe 600 vjet para Luftës Trojane . Në këtë kuadër a mund të qëndroj ajo që shkruan Prof N . Ceka në librin Butroti Fq 20 se :
“ …..Disa fragmente enësh të punuara trashë, si dhe ndonjë
vegël prej guri të punuar, dëshmojnë për një vëndbanimi të
izoluar pa asnjë lidhje me botën e largët Mikene . “
Kështu, Prof. N. Ceka e izolon Butrintin jo vetëm nga bota e largët mikene por edhe nga paratoka e tij , gjë e cila është jashtë realitetit.
Krejt në kundërshtim me prof N. Ceken jane studiuesit e antopologjisë e ndër ta E . Pitard , i cili pasi konkludoj se shqiptarët i përkasin tipit brakicefal e që mund të rrjedhin nga popullsitë e lashta pellazge të Gadishullit Ilirik , shton :
“….Persa i përket ishujve të Jonit, skemi asnjë mendim
për të pranuar që mund të jenë te banuara nga brakicefal.
Shqiperia dhe Epiri janë aq afër dhe ne e dim qëkuri se mbi
të dy brigjet e Aspropotamit, popullsitë janë brakicefale . “
Thjesht do të thotë se këto popullsi janë të një race e të një gjuhe . Por edhe vetë arkeologjia në këta ishuj , si në Korkyrë, ka ardhur në përfundimin se kulturat materiale e shpirtërore të tyre ka shumë element të përbashket e me zanafilla të lashta me trojet pëballë, madje dhe më në thellësi. Kështu që nuk na ndal asgjë të themi se edhe lidhjet e tyre tregëtare janë tepër të lashta e të pandërprera , qysh prej kohëve prehistorike e deri më sot. Por për këte nuk ka dhe aq faj Prof. Ceka , sepse eshtrave te Butrintit ja u gjeti vendin Ugolini. Prandaj nje barrikade fallco e shek VIIp.e.s. është tejet e pa pranushme dhe krejtësisht e pa vërtet.
Udhëtari, gjeograf e historian grek nga Kariada e Karisë Skylaksi(shek. VI –V p.e.s. në vepren “Lundrim gjat brigjeve te Europës dhe Azise” që na është përcjellë nga Pseudo Skylaksi (shek. IVp.e.s. ) ngjan të mos jetë vizitor i Butrintit. Me gjithë këtë, ai përmënd paratokën e Butrintit nën emrin ERYTHEIA ,njohur kjo në mitologji si kullotat e qeve të Gerionit , Mbretit të Thesprotëve . Po këtu ai na njofton se 40 stade të këtij bregdeti zotroheshin në fillim të shek. IV p.e.s. nga Alketa, Mbret i Mollosëve. Edhe Tuqididi nuk është vizitor i këtyre Trojeve , por, në veprën e tij madhore “Lufta e Peloponezit” , me rastin e strehimit të Themistokliut në Epir , njofton se këto troje nuk kontrolloheshin nga helenët. Autor të tjerë që i referohen Butrintit janë të periudhës romake dhe nuk kanë aspak lidhje me themelimin dhe përkatësin etnike të Butrintit , prandaj nuk po i marrim në shqyrtim. Pra , sipas lëndës së mësipërme duhet të biem dakort se ;- Butrinti I kohes së Hekateut e deri në pushtimin romak ,ka qënë një qytet –port i trojeve e popujve Kaon, dhe , aspak koloni e helenëve. Për me tej le ta thotë fjalën arkeologjia kur të nxjer në dritë akropolin e lashtë të tij.

Filed Under: Featured Tagged With: apo, Kozma Taho, NERITAN CEKA PROFESOR ARKEOLOGJIE

ELENI QIRICI SHQIPTARJA E PARE NE HOLIVUD

April 2, 2015 by dgreca

Nga Liliana PERO/
Eleni Qirici ishte aktore, kërcimtare dhe akrobate. Eshte e para shqiptare qe u hyri ne boten filmike te Holivudit qe ne vitin 1940. Artiste e famshme, me baba korçar dhe nënë australiane Eleni Qirici u lind në Australi ne vitin 1925. Jetën e kaloi mes këngës, aktrimit dhe kërcimit. Korçën, vendin e të atit, e preku vetëm kur ishte nëntë muajshe. Dha pak koncerte në Shqipëri, kurse pjesën më të madhe të suksesit të saj, Qirici e fitoi në Evropë dhe në Amerikë, ku jeton edhe sot në moshë te thtyer. Familja e Nikolla Qiricit nga Korça në vitet 1890 kishte emigruar së bashku me dy djemtë e saj, Vasilin dhe Dhimitrin, në Amerikë. Aty hapën një dyqan, në të cilin punonte gjithë familja. Por Vasili dashuronte kitarën, e për këtë vendosi të largohet për 20 vjet nga shtëpia, drejt Havanës. Bashkohet me një grup instrumentistësh aty dhe fillon të luajë në kitarovajonën e tyre. Nga Kuba emigroi në kontinentin e largët të Australisë, ku hapi kurs muzikë për të rinjtë, duke formuar kështu edhe një formacion orkestral. Mes këtyre instrumentistëve njohu edhe bashkëshorten e tij, Rudin me te cilen lindi Elenin. Për herë të parë, ashtu e ndrojtur dhe me çiltërsinë e një fëmijë, Qirici interpretoi në skenën e kinema “Majestik”, së bashku me grupin e xhaxhait, i cili falë saj, rroku një sukses të madh, që bëri të kapërcente kufijtë e Korçës. Kur ishte vetëm 13 vjeç, Elena pushtoi e vetme skenat e vendit. Koncertin e parë së bashku me prindërit e saj, instrumentistë, Elena e dha në kinema “Majestik” në Korçë. Ishte një koordinim i interpretimit të dy prindërve instrumentistë dhe vajzës së tyre që herë këndonte, herë kërcente dhe herë interpretonte si akrobate. Prindërit, duke qenë vetë artistë kuptuan se vajza kishte aftësi të rralla artistike, ndaj vendosën ta çonin për studime në Vjenë, në një shkollë danci. Nuk kishin kaluar as tre muaj që Elena mësonte në këtë shkollë, kur u ngjit në skenën e teatrit variete të Vjenës. Në një koncert të saj në Vjenë u paraqit përfaqësuesi i shoqërisë italiane “Frateli Schwarz”, tepër e njohur në atë kohë, që i ofroi një marrëveshje 6-mujore. Shtypi italian i rezervoi Elena Qiricit një vend të veçantë dhe për të u shkruan mjaft artikuj, ku ajo emërtohej si “La picola grande diva” (vogëlushja hyjneshë e madhe). Me këtë koncert ajo interpretoi në Romë, Milano, Bolonjë, Firence etj.. Me punen e talentin e saje Qiriqi u ra ne sy edhe mnenaxhereve amerikane te kohes.. Një përfaqësues i kinematografisë amerikane të Hollivudit, “Metro – Golduin – Mayer”, i ofroi të bëhej pjesë e projektit të tij. Qirici interpretoi disa role në të cilat këndonte, kërcente dhe interpretonte në mënyrë të shkëlqyer. Edhe pse tashmë jeta e saj artistike dukej e lidhur përfundimisht me Hollivudin, Elena Qirici jo vetëm nuk e harroi, por edhe nuk i shkëputi kurrë lidhjet me Europën. Kështu më 1942, ajo shkel sërish në kontinentin e vjetër, aty ku së pari fama e saj kishte njohur arritje kulmore dhe xhiron filmin “Ëoman of the day” (Gruaja e ditës), ku interpreton një nga rolet kryesorë përkrah aktores së famshme amerikane Ketrin Hepbërn. Në verën e vitit 1938, Elena bashkë me prindërit u kthye në Korçë, ku veç kujtimeve, kishte aty edhe plot të afërm. Për t’i respektuar ajo vendosi të japë një koncert tek kinema “Majestik”, prej nga mori rrugë veprimtaria e saj artistike. Bashkë me të interpretonin edhe prindërit. Pas përfundimit të luftës së dytë botërore Elena sërish kethehet në Itali, ku qëndron deri në fund të vitit 1954, dhe nga aty vendos të jetojë për disa kohë në Melburn të Australisë, në qytetin ku kishte lindur, në atdheun e origjinës së nënës së saj. Ndërkohë i përkushtohet shumë këngës dhe në fillim të viteve 60-të nxjerr në treg diskun e parë me këngë të interpretuara në gjuhën angleze. Pas një pauze të gjatë, bashkëatdhetarët e saj në Shqipëri arrijnë të ia dëgjojnë zërin në këngët e këtij disku, që u transmetuan herë pas here në valët e “Zërit të Amerikës” Arsyet nuk bëhen të ditura, por në fillim të viteve 60-të Elena gjendet sërish në dyert e Hollivudit. Në këtë rikthim në kontinentin e ri, ajo iu përkushtua edhe kërcimit. Talenti i saj prej kërcimtareje, bëri që të ishte në skenë përkrah një prej balerinave më të famshme të kohës në Amerikë, Eleonor Pauell. Por, pikërisht në momentin kulmor të këtyre sukseseve, në vitin 1965 kur kishte fituar aq emër e famë e lidhi jetën me Xherald Ford, djalin e Presidentit të mëvonshëm të Amerikës, Xhon Fordit. Pas kësaj hollivudiania e parë shqiptare i tha lamtumirë përgjithmonë skenës e ekranit, dhe jeton edhe sot në Kaliforni në pronat e kësaj familje elitare. Shkëlqimi i artistes së re shqiptare nuk kishte si të mos tërhiqte vëmendjen e elitës amerikane. Koncertet e saj dhe më pas edhe filmat ku ajo interpretonte ndiqeshin dhe vlerësoheshin prej shtresave të pasura të Amerikës. Babai i saj, Vasili, përpiqej ta mbante larg mjediseve të elitës amerikane dhe e këshillonte që shokun e jetës ta zgjidhte mes emigrantëve shqiptarë që jetonin dhe punonin në atë kohë në Amerikë… Pavarësisht kësaj, Qirici u martua me djalin e një prej familjeve më të pasura në Amerikë, Ford, familja e cila i ka dhene amerikes edhe nje president. Por kjo martesë i kushtoi artistes shqiptare të hiqte Pas martesës së Elenës dhe largimit të saj nga jeta artistike, i ati Vasili dhe nëna Rubi shkuan në Australi, ku jetuan vitet e fundit të jetës së tyre. Pavarësisht largësisë, çifti Qirici nuk i shkëputi lidhjet me Korçën, ku jetonin të afërmit. Rubi kishte mësuar kështu dhe shqipen dhe në familjen e tyre flisnin shqip.

Filed Under: Histori Tagged With: e pare, ELENI QIRICI SHQIPTARJA, Liliana Pero, NE HOLIVUD

Histori koalicionesh me impakte pozitive

April 2, 2015 by dgreca

Nga ARTUR AJAZI/
Sulmet politike mbi koalicionin PS –LSI, dhe qeverisjen e tyre, a duken ato si reagime nervoze në situatën e krijuar, apo si argumente politike ? Historia e koalcioneve në demokracinë shqiptare është e njohur për dukuri të tilla që nuk përbën asnjë lloj precedent në pluralizëm . Duke parë retrospektivën politike, konstatojmë se qysh në vitin 1992, kur PD mori pushtetin në mënyrë plebishitare, në qeverinë e tij Berisha ftoi socialdemokratët e Gjinushit të cilët iu përgjigjën pozitivisht. Por edhe në vitin 1997 kur Nano dhe koalicioni i tij fituan bindshëm zgjedhjet , në qeverinë e tij nuk mungonin edhe themeluesit e PD si Zogaj, Imami, Ceka etj. Akrobacirat e tilla, të provuara nga dy kampet e politikës realisht kanë dhënë rezultate pozitive, dhe kanë dëshmuar funksionim normal bashkëqeverisës, duke krijuar një mirëkuptim madje perfekt. Muajt e fundit nervoziteti që po shfaqet tek lidershipi i PS ndoshta nuk ka asnjë kontekst të justifikuar nga historia e koalicioneve të politikës. Ai mbetet në kufijtë e një përpjekje për të prodhuar alibi që duan të justifikojnë humbjen e PD dhe aleatëve. Por nga ana tjetër duket se realisht po përgatitet ruajtja e pozicionit të Ramës në krye të PS , pavarësisht se statuti, ( kushtetuta e socialistëve) qartazi e përcakton largimin e kryetarit dhe shpalljen e emrave të garuesve të rinj. Kjo është iniciativë e vetë Edi Ramës në Kongresin që e zgjodhi në mënyrë jo trasparente. Për të krijuar një iluzion të rremë ër fitoren e 23 qershorit, dhe për të krijuar alibitë që duhet të mbajnë Ramën kryetar partie, shpesh sulmohet politikisht koalicioni kundërshtar por edhe aleatët, të cilët janë jo vetëm një normalitet politik, por edhe një domosdoshmëri për stabilitetin e vendit. Koalicionet janë hapat e mundshëm institucionalë dhe parimorë që bëhen në demokraci, alibitë e tjera janë vetëm pazare dhe ndotnin më shumë politikën në Shqipëri. Alibitë gjithmonë kanë rezultuar jo vetëm jofunksionale, por kanë patur një faturë të madhe në proceset integruese Shqipërisë . E ndërsa para 23 qershorit në PS nuk mund të flitej për koalicion me LSI, kjo e fundit kishte opsione të tjera, racionale dhe efektive. Ndaj ajo me shumë vishtirësi dhe pas një vendimarrje të vështirë zgjodhi rrugën konstruktive, atë të bashkëpunimit me PS nuk përbën herezi dhe as argument për të bërë moral. Sulmet e shpeshta ndaj LSI shpesh të pa bazuara, janë pjesë e dëshprimit për mosarritjen e objektivit. Gjithmonë kanë synuar për ta nxjerrë jashtë loje si formacion politik, dhe kjo është vërtetuar edhe në dy zgjedhjet parlamentare të viteve 2005 dhe 2009 . Rezistenca e LSI-së në këto zgjedhje ishte befasuese, pasi ishte nën një presion shumë të madh, por edhe e ndëshkuar nga penalitete me kodin zgjedhor. Ato vijuan më pas me pabarazinë e fushatës. Mbijetesa politike e LSI ,për të fituar jo vetëm zgjedhjet, por edhe për të nxjerrë nga politika figurat e vjetra e ktheu atë në “kyçin” e zgjidhjes në 23 qershor. Duke i thirrur kujtesës, konstatojmë se LSI mbetet një standart që duhet vlerësuar, dhe që ka sfiduar fanatikët dhe esktremistët . Zgjidhja dhe zgjedhja e LSI mbetet impak pozitiv, dhe kontribut i standartit të bashkëjetesës politike edhe mes kundërshtarëve tradicionalë politikë. Si forcë politike ajo dha shembullin e sfidës, sipas të cilës pas garës zgjedhore, mund të bashkëpunohet e bashkëqeveriset edhe me kundërshtarin politik. Votuesit shqiptarë kanë arsye të ndjehen europianë për koalicionet e reja së pari sepse Shqipëria është tashmë në konturet demokratike të bashkëpunimit me aktorët politikë dhe e dyta , se përfundimisht ka marrë fund politika që synonte krijimin e kultit të individit që përfaqëson një njeriun me impakt të rrezikshëm në administrimin e pushtetit. Me iniciativën e saj LSI ka rrëzuar një psikologji që padrejtësisht ishte në polikën shqiptare, dhe kishte ngushtuar rrezikshëm polarizimin negativ që akoma vazhdon të jetë prezent. Mendoj se ky koalicion me LSI ka patur jo vetëm një impakt pozitiv në kulturën demokratike dhe në stabilitetin e vendit, por ka patur ndikimet e veta edhe në integrimin e Shqipërisë në strukturat europiane, duke nisur me marrjen e statusit kandidat për në BE, por edhe me vazhdimin e pandalshëm të reformave të cilat do ta shpajtojnë futjen e vendit në familjen e madhe europiane.
Karikature nga Bujar Kapexhiu:Interes Paraelktoral

Filed Under: Analiza Tagged With: Artur Ajazi, Histori koalicionesh, me impakte pozitive

Një libër që i BASHKON shqiptarët e të gjitha feve

April 2, 2015 by dgreca

Këto ditë doli nga shtypi libri ekskluziv “PRIJËS FETARË DHE SHPIRTËRORË SHQIPTARË – BASHKËJETESA NDËRFETARE DHE KONTRIBUTI I TYRE KOMBËTAR”, i autorit Faton Mehmetaj, botuar nga Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri (ISGJS), Prishtinë.
Në këtë libër të veçantë dhe tejet voluminoz, janë përmbledhur mbi 600 figura të shquara – prijës fetarë dhe shpirtërorë shqiptarë të të gjitha konfesioneve, të krishterë e myslimanë, të cilët më shumë se për fenë dhanë për atdhenë.
Libri i studiuesit Faton Mehmetaj “PRIJËS FETARË DHE SHPIRTËRORË SHQIPTARË – BASHKËJETESA NDËRFETARE DHE KONTRIBUTI I TYRE KOMBËTAR”, që vjen pas një pune disavjeçare është një ndër projektet më të mëdha për bashkëjetesën dhe tolerancën ndërfetare si një vlerë unike e popullit shqiptar dhe njëkohësisht si një vlerë e paçmueshme e mbarë njerëzimit.
Në këtë libër voluminoz, përmblidhen figurat më të shquara të komuniteteve tona fetare që e kultivuan bashkëjetesën, prijës fetarë e shpirtërorë shqiptarë, që njëkohësisht kanë qenë edhe njerëz të shquar të kombit, të dijes, të kulturës, të artit, shkencës, etj., edhe përtej kufijve kombëtarë.
Studiuesi Faton Mehmetaj thekson se, sa më shumë që thellohej në studimin dhe në hulumtimin e bashkëjetesës dhe të tolerancës ndërfetare, haste në figura të shquara ilire-shqiptare, që i takojnë harkut dymijëvjeçar të historisë, shumë prej të cilëve i kanë dhënë shumë jo vetëm popullit të vet, por mbarë njerëzimit, prandaj e pa të nevojshme dhe të arsyeshme që të përfshiheshin në këtë album historik me titull: “Prijës Fetarë dhe Shpirtërorë Shqiptarë – Bashkëjetesa Ndërfetare dhe Kontributi i Tyre Kombëtar”, duke theksuar se ishte i vetëdijshëm se ishte e pamundur që të përfshiheshin të gjithë.
Të gjitha tablot me ngjarje kaq të mëdha të periudhave të ndryshme kohore që nga antikiteti e gjer në ditët tona janë paraqitur në këtë album historik nëpërmjet biografive të mbi 600 figurave të shquara që kanë qenë bartës të këtyre ngjarjeve. Përzgjedhja e kësaj tematike është bërë sepse ka pak studime dhe trajtime të këtij spektri, ku trajtohen prijësit fetarë në një dimension kombëtar pa dallim feje, ku xhamia, kisha, teqeja e luajnë të njëjtin rol në dobi të çështjes kombëtare.
Sipas Mehmetajt, “ky album historik është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe një letërnjoftim unikat në botë mbi bashkëjetesën dhe tolerancën ndërfetare të popullit shqiptar, është një tablo e historisë sonë e pa trajtuar gjerë më sot nga ky këndvështrim. Biografitë, fotografitë e materialet tjera të paraqitura në këtë libër janë në kontinuitet me njëra-tjetrën dhe përbëjnë tërësinë e tekstit. Kam bërë përpjekje të ndjek vijën kronologjike, ndonëse nuk ka qenë e mundur të ndiqet në të gjitha rastet edhe për shkak të natyrës teknike”.
Sot kur në Kosovë flitet se ka përplasje ndërfetare, me theks të veçantë për ekstremizmin fetar islam, sot kur diskutohen teoritë e përplasjes në mes qytetërimeve, studiuesi Faton Mehmetaj, me këtë libër monumental i bashkon shqiptarët e të gjitha feve rreth një ideali dhe një identiteti kombëtar, ashtu siç kanë qenë vërtetë.
Ky libër i rrallë ka 535 faqe të formatit A4 kolor dhe i tëri është i ilustruar me fotografi të rralla të këtyre prijësve fetarë shqiptarë.
Është një libër që na ka munguar prej kohësh, e që secili duhet ta ketë në bibliotekën e tij! Një libër voluminoz, që duhet t’ia dhuroni çdo miku ndërkombëtar, çdo delegacioni e përfaqësie diplomatike. Një libër që i BASHKON shqiptarët e të gjitha feve!
Prishtinë, më 31 mars 2015
Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri, Prishtinë

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: e të gjitha feve, NJE LIBER, që i BASHKON shqiptarët

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3971
  • 3972
  • 3973
  • 3974
  • 3975
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT