• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIGJET SHTEPIA E XHAFERR DEVES NE MITROVICE

March 29, 2015 by dgreca

Djegia e shtëpisë së Xhafer Devës, vepër antishqiptare!/
Një rom, i vë flakën trashëgimisë shqiptare, shtëpisë monumentale/
Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar në Mitrovicë, në lidhje me zjarrë vënien e shtëpisë monumentale të Xhafer Devës.
Shtëpia monumentale e Xhafer Devës në Mitrovicë është përfshirë nga flakët të shtunën rreth orës 13.00. Shtëpia e cila daton që prej shekullit 19-të, ishte planifikuar të shndërrohej në shtëpi muze, për shkak të vlerave të mëdha historike e kombëtare.
Policia e Kosovës tashmë po e mbanë nën arrest një person që dyshohet se ka djegur monumentin kulturor në Mitrovicë.
Motive politike
Analistët vlerësojnë se djegia e djegia e shtëpisë së Xhafer Devës mund të jetë bërë për motive politike, por edhe për motive komerciale, ashtu siç ka ndodhur edhe me disa monumente të tjera në Kosovë.(kortezi- Bota Sot)

Filed Under: Kronike Tagged With: Digjet shtepia, e Xhaferr Deves

ENVER MEMISHAJ ZBULON BASHKIAKËT E VLORËS

March 29, 2015 by dgreca

NGA QAZIM SHEHU/
Enver Memishaj i njohur për lexuesin me studimet e veta serioze,pasi ka shkruar përmes hulumtimit të thellë një varg librash duke shpluhurosur historinë e anatemuar nga regjimi komunist, vjen së fundi ,me librin interesant:”Kryetarët e bashkisë së Vlorës-një histori e shkurtër e Vlorës”,një libër reprezantativ me një vështrim shterues për historinë e Vlorës dhe të drejtuesve të saj, që kur në Vlorë u ngrit flamuri e më pas.Memishaj ka pasur si pikë referenciale historinë e gërshetuar me protagonistët e saj më të shquar,duke e vijëzuar përmes arsyetimit faktologjik gjithë atë rrjedhë ngjarjesh herë të qeta e herë të vrullshme dhe dramatike,ku spikatin personalitete të ndryshme ,të cilët ,qëllimin kryesor të jetës së tyre patën idealin kombëtar,mbrothësimin dhe shpëtimin ,jo vetëm të qytetit, por edhe të kombit, nga kthesat e papritura përmes konjukturave të brendshme, po edhe të jashtme, ashtu siç i sillte koha ,apo ,ato, vetiu paraqiteshin dhe ndërlikoheshin edhe për rrethana objektive.Si studiues skrupuloz ai i ka dhënë vendin secilit duke paraqitur një historik të shkurtër për çdo kryebashkiak, po lexuesi i vëmendshëm ndalet tek disa figura të larta që u rritën dhe u madhëruan përmes kulturës së gjërë dhe idealizmës kombëtare.Kujtesa dhe vëmendja, vetiu i shkëput këta nga radha kohore e të tjerëve dhe vetiu na i sjell edhe sot të gjallë e të madhërishëm duke na krijuar kështu modelin e kryebashkiakut që ende nuk po arrihet nga ata që erdhën më pas dhe në ditët e sotme.KËTA FIGURA JANË:Nuredin bej Vlora,Qazim Kokoshi,Ali Asllani, Osmën Haxhiu.”Duke qenë se Bashkia e Vlorës nuk ua ngriti monumentin këtyre njerëzve të shquar, më mbetet, thotë autori ,tu ngre një monument këtyre njerëzve përmes një libri…”Dhe nuk ka monument më të bukur se sa njohja e jetës së tyre, sepse ne shpesh kemi nevojë t`u rikthehemi njerëzve të ndritur të cilët vunë në shërbim të atdheut edhe pasurinë e tyre ,ndryshe nga shumë zyrtarë të tjerë të rëndomtë që vunë atdheun në shërbim të pasurisë së tyre.Ky kontrast i thellë reflektohet me një shtresë nëntekstuale dhe veçohet duke u përqasur me realitetet e ditëve të sotme, realitete gri e me bëma kryebashkiakësh dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, të cilat i lexojmë nëpër faqet e shtypit të përditshëm,ku historitë e tyre fillojnë me një gong të fuqishëm dhe përfundojnë si telenovelat e sheqerosura, deri sa humbasin për të kaluar në një ngjarje tjetër që përbën dhe sjell çudinë e radhës.
Në fillim të librit autori bën një përshkrim të detajuar të historisë së Vlorës ,të gjeografisë dhe etnografisë së saj,duke e parë Vlorën si pikën e vlimit të revoltës kombëtare për liri ,po edhe si pjesë integrale e domosdoshme e qëndresës kombëtare.Kjo qasje e kujdesshme që bën autori na sjell një falktologji të gjallë koherente dhe konkrete brenda skrupolozitetit të një studiuesi ;të ekonomisë,lëvizjeve popullore,kulturës, etnogjenezës dhe fillesave të muzgut të ngjizjes krijuese të historisë,çfarë e artikulon dhe krijohet një tablo mbresëlënse e gjithë atij spektri kohor në pak faqe.Autori nuk i ik faktit, po edhe kërkon ta sjellë atë në një sistemim sintetizues ku vertikaliteti kohor mbushet dhe krijohet me gjërat më të domosdoshme duke e qëruar nga tepritë dhe analogjitë lëndore.Për të njohur historinë e Vlorës mbase do duheshin volume, por autori merr majanë e ngjarjeve dhe fakteve duke krijuar një tablo shekujsh jetese dhe mbijetese në këtë vis të begatë të kombit tonë dhe këtë tablo e lidh në afeksionin moral të qëndresës dhe luftës së pareshtur për të ruajtur etninë dhe ato vlera të larta kulturore, dalluese për historinë e kësaj zone të bukur.Të dhëna që sjell autori për resurset natyrore ,apo për zhvillimet bujqësore dhe ekonomike industrial, vijnë paralelisht me të dhënat historike për luftrat me ushtritë e huaja dhe lëvizjet e panumërta kombëtare që ka bërë kjo zonë.Pastaj me një gjallëri stili autori përshkruan familjen që ka qeverisur Vlorën ,familjen Vlora, me origjinë nga Kanina e që për 350 vjet ka mbajtur ofiqin e sanxhakbeut të Vlorës.Pa qenë nevoja t`i përmendim këtu ,sepse nuk e mbajnë kufijtë e një shkrimi ,autori i merr me radhë figurat e kësaj familje , për të arritur tek figura e ndritur e kombit tonë, Atit të Pavarësisë, Ismail Qemalit.Vihet re se kjo Derë e Madhe edhe pse gëzonte ofiqe pushteti, asnjëherë nuk e harroi detyrën ndaj kombit,për të ardhë pastaj tek fëmijtë e Ismail Qemalit, të clët u harruan dhe u injoruan nga regjimi komunist,gjë e cila nuk duhej të ndodhte .Është fakt i trishtueshëm të ndjekësh kronologjinë e jetës së Qazim Vlorës,Qamilit,Mevedetit,etj.Autori thekson se ende mbetet një detyrë e studiuesve për të hulumtuar dhe sjellë të dhëna për familjen Vlora.
Një ide e rëndësishme në libër vjen si rëndësi e posaçme ,kur kumtohet përmes një materiali shtjellues se është shumë e rëndësishme të dihet historiku i administratës qeverisëse shqiptare, format e organizimit të jetës sociale e politike qoftë nën pushtime të ndryshme ,qoftë me kohë më të qeta;kjo edhe për të pasuar atë kundëride acaruese të ndonjë antishiptari se gjoja ne nuk kemi traditë qeverisëse ose të ndonjë skeptiku snobist.Zoti Memishaj këtu sjell patjetër një kontribut të shquar dhe shpresojmë se këtë nismë dhe ide do e shtjellojë edhe në libra të tjerë, sepse projektet e tij studimore nuk ndalen vetëm në këtë libër.Informacione të pafundme sjell ai me data, vite, emërtime termash ,persona realë që vepruan në beledijen osmane.Jo vetëm kaq,por edhe shifra të përcaktuara të numrit të popullsisë, ndarjeve krahinore etj ej.Studimi i tij i thellon njohuritë në një flkuks ideshë të pakontestueshme edhe në aspektin e riformulimeve juridike dhe parimeve të ndryshme të jurispundencës që patën dhe me të cilat funksionuan këto njësi administrative nëpër kohra.Pra, vështrimi i studiuesit është tërësor dhe synon shterrimin praqitës të asaj çka merret në konsideratë duke e lypur dhe kërkuar informacionin në funksion të realizimit të tablove paraqitëse dhe të besueshme.Duhet thënë se autori i rri konkretësisë dhe pasurimit të faktit gjithnjë në aspektin kohor ,për ta përsjellë dhe prurë sa më realisht diçka.
Kryebashkiaku i parë i Vlorës është Abaz Mezini nga fisi i shquar: Mezini i Vlorës,i cili jetën e tij ia kushtoi çështjes së qytetit, po edhe çështjes kombëtare duke luftuar kundër rebelëve dhe të huajve për shtetësinë dhe konsolidimin e lirisë dhe pavarësisë së vendit.Ai jo vetëm që është i pari po edhe renditet ndër figurat e rralla të atyre administratorëve patriotë që bënë çfarë mundën në shtetndërtimin e vendit…Vijmë pastaj tek figura e Osmën Haxhiut,krybashkiakut dhe luftëtarit të devotshmëm ,njeriut që punoi dhe veproi në një kohë trazirash të mëdha dhe asnjëherë nuk i ndali dhe nuk i pa të ndara idealet e veta kombëtare me ato qeverisëse dhe demokratike.Figura e tij ridimensionohet fuqishëm në një radhua të gjërë veprimtarishë duke gërshetuar tiparet e humanistit, bamirësit dhe njeriut që gëzon të drejtën e përfaqësimit popullor në evente të rëndësishme kombëtare ,siç është Kongresi i Lushnjës.Kur vijmë tek figura e Ali Asllanit ndalemi pak edhe me një ndjenjë tjetër ,sepse na duhet të flasim për një nga lirikët e fuqishëm të poezisë kombëtare,autorin e himnit: Vlora,Vlora,të poezisë: Hakërrim dhe të poemës së famshme :Hanko Halla e të sa lirikave brilante që shkëlqejnë si valët e Jonit në mëngjesin bregdetar.Por Ali Asllani nuk është vetëm i këtij formati.Figura e tij dimensionohet në shumë kënde shikimi dhe çdo kënd është i mjaftueshëm për të kuptuar madhështinë e këtij patrioti të shkëlqyer.Historia e letërsisë njeh mjaft poetë të mëdhenj si: Pablo Neruda ,që kanë qenë edhe diplomatë, që kanë shërbyer në shërbimet diplomatike të vendit të tyre dhe kanë krijuar emër të madh.Autori e sjell Ali Asllanin përmes një kronike shkëlqimtare të jetës së tij,koha kalon dhe sa më tepër zhytemi në të ,aq më tepër na dalin përpara hijet e këtyre njerëzve të mëdhenj,të cilat ruajnë të freskët lavdinë e tyre dhe jep vetiu mësim për të ardhmen.Punërat e tij në shërbim të çështjes kombëtare së bashku me Qazim Kokoshin ,kur presin të dërguarin e presidentit Uillson, çmohen vetëm përmes ndjenjës së një repekti dhe përulje të thellë.Është meritë e Memishajt që ka ditur ta japë personalitetin e këtij shtetari- poet në konfigurimin e një kohe aktive dhe plot ngjarje të mëdha, po njëherit të na tregojë edhe sjelljen e sistemit komunist me Ali Asllanin,sjellje aspak e denjë dhe denigruese përmes heshtjes dhe varfërisë ku e lanë këtë personalitet.Ishte koha kur diktatura ngrinte idolet e rreme dhe thurte fanfara për personalitetet e dyshimta që i shërbenin asaj me zellin e tam tamit komunist.Ali Asllani ka bërë punë të lavdërushme si bashkiak i Vlorës që me themelimin e bibliotekës së qytetit, apo vepra të tjera publike , duke sjellë gjithnjë erën e ndryshimit që vjen nga një kryebashkiak i ditur dhe patriot.I këtij formati , I rri pranë edhe Qazim Kokoshi.Bashkë me dhëndrrin e vet Ali Asllanin,ata ndikojnë tek Haveni,konsulli amerikan ,i dërguari i Uillsonit ;ai është në krye të luftës për çlirimin e Vlorës,deputet i parlamentit shqiptar, botues shtypi dhe kryebashkiak i suksesshëm që shndrron qendrën e qytetit të Vlorës;edhe në emigracionin politik nuk i ndërpret kurrë idealet demokratike.Dënohet mizorisht nga regijimi komunist dhe i persekutohet familja.Një yll tjetër i nacionalizmit shqiptar, Nuredin bej Vlora, vjen në penën e Memishajt si një vazhdues i denjë i asaj tradite të burrave të mëdhenj.Është një nga ato figura tëndritura që jep kontribut të madh në konferencën e Paqes në Paris, më 1919.Ndihmon finaciarisht anëtarët e delegacionit shqiptar që përbëhej nga ajka e patriotëve dhe njerëzve të ditur dhe, nuk duhet harruar se në veprimtarinë e tij të lartë u gjend edhe bashkëshortja amerikane Karolinë Borden.Si kryebashkiak ai inicion e themelon arsimin në Vlorë,institucione të tij,gjithashtu bëri një punë konceptuale në infrastrukturë ,etj.Nuredin bej Vlorën do ta zevendësojë Zyhdi Karagjozi.Po kështu Abedin Nepravishta do kujtohet si një bashkiak i devotshëm e që me sjelljen e eshtrave të Ismail Qemalit nga Kanina në Vlorë kreu një akt fisnik në nderimin e Atit të Pavarësisë.Në libër do të gjejmë edhe emrat e kryetarëve të bashkisë gjatë pushtimit nazist, apo peridhën e regjimit komunist,e më pas sistemin e demokracisë.Mendojmë se autori,Enver Memishaj e ka konceptuar dhe shtjelluar këtë libër në disa rrafshe: në rrafshin historik ,duke e parë historinë shqiptare të ndërlidhur me skenat dramatike botërore,atëhere kur ,pikërisht ,duheshin gjetur dhe u gjetën protagonistë të denjë të kuptonin situatat dhe të çmontonin rrethanat e disfavorshme me luftë,diplomaci, duke marrë edhe armën në dorë ,apo duke vënë edhe pasurinë e tyre në shërbime të kombit,në rrafshin e një vertikaliteti kohor, kur na duhet të kuptojmë dhe të mbartim ato pika nga fillon e ngjizet historia e familjeve të mëdha;në aspektin e nxjerrjes nga harresa dhe për t`i sjellë në tribunën e duhur të vlerësimit disa figura që u anatemuan dhe u lanë në heshtje për shkak të ideologjive të mëvonshme,dhe në aspektin e një vërshmi historik tronditës në etapa kohore që konsolidoheshin me një ritëm të shpejtë për të na sjellë modele burrash të mëdhenj ,të cilët, më shkollimin perëndimor dhe traditën familjare, ditën të japin kontribute të mëdha e të na sjellin sot ,jo vetëm një pasuri shtetformuese dhe qeverisëse ,po edhe një trashëgimi kulturore dhe historike.Në libër ka vend për sejcilin nga kryetarët e bashkive që qeverisën Vlorën që nga themelimi i shtetit shqiptar,ndaj ky libër ka vlera jo vetëm njohëse, po edhe ballafaquese, thelluese ,ruan mirë ritmin e leximit të një proze shkencore ku argumenti dhe fakti herë herë ia ndërrojnë pozicionin njëri tjetrit, po kurrë nuk largohen.Me librin e ri,Enver Memishaj sjell një ndihmesë të shquar jo vetëm në njohjen e administratës shqiptare,çka e bën këtë libër unikal, po edhe të historisë duke u bërë një homazh përkujtues shumë figurave emblematike të kohës që mbeten shembull frymëzimi edhe për sot dhe, me kohë ,kanë hyrë në panteonin e kujtesës kombëtare…

Filed Under: Featured Tagged With: BASHKIAKËT E VLORËS, ENVER MEMISHAJ ZBULON

“ATDHEUT I KAM BORXH JETËN…”

March 29, 2015 by dgreca

Nga:SEJDO HARKA/
Nuk ka shumë ditë qëkur u nda përgjithnjë nga jeta, poeti përmetar Rrapo Këlliçi. Në nderim e kujtim të tij, më poshtë po botojmë një shënim për librin me 160 faqe dhe me titullin “Flladet e vjeshtës”(Tiranë, 2006).
Ai lindi më 23 prill 1943, në fshatin Leskaj të Përmetit. Mbaroi shkollën e mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri”, në Gjirokastër dhe pastaj shërbeu mësues në disa shkolla të rrethit Përmet. Në vitin 1981, u diplomua për gjuhë-letërsi shqipe, në Universitetin e Tiranës dhe dy vjet më vonë kreu studimet psuniversitare për filozofi. Në vitet e fundit jetoi në Tiranë e dha mësim në shkollat e mesme të përgjithshme “Petro Nini Luarasi” dhe “Eqrem Çabej”. Ka botuar librat “Bardhi piktor”, “Alo, Alo!” dhe “Mëngjese e perëndime”. Ky është libri i katërt i tij.
xxx
Të shkruash për poezitë e Rrapo Rëlliçit,në radhë të parë, duhet ta njohësh mirë shpirtin e tij.Për këtë, mjafton të lexosh vargjet :”Nga jashtë, jam i ashpër si stralli,/Shkëndija , flakë e dritë në gji mbaj,/Si t’i kam zemër ,nuk jam një copë zall…/Cingërisëm pak…/Më puth/ të shohësh sa ëmbël di të qesh apo të qaj”,me të cilët mbyll poezinë “Autoportret”. Sado fjalë të bukura të përdorësh për të karakterizuar portretin poetik tij,ato do të tingëllonin të paplota,para vargjeve të mësipërm , të cilët e pikturojnë, jo vetëm autorin, por dhe kredon e tij poetike. Në këto vargje, ai shfaqet sa i ashpër aq dhe i butë, sa rrebel , aq dhe i arsyeshëm ,sa i egër aq dhe njerëzor ,me shpirt të bardhë si bora.
Për të vërtetën është thënë e shkruar shumë. Populli, për të theksuar pavdekësinë e saj, ka krijuar një mori aforizmash dhe sentencash filozofike, të tilla si “E vërteta zhytet, por nuk mbytet”. Vërtetësia e kësaj thënieje është absolute. Askush nuk ka mundur ta varrosë përjetësisht të vërtetën ,edhe kur mbi të derdhen male me shkëmbinj e baltë. Atë nuk e kanë helmuar as gjarpërinjtë ,që mbytën Laokontin, i cili guxoi të thoshte të vërtetën për Kalin e Trojës.
Rrapo Këlliçi është autor i katër librave me poezi. Ato, që e kanë bërë të njohur në botën e letrave, janë vëllimet “ Mëngjese dhe perëndime” dhe “ Flladet e vjeshtës”, të clët kanë dalë në qarkullim kohët e fundit.Tematika e krijimtarisë së tij është sa e gjerë,aq dhe aktuale.Kredoja e poetike e saj është e vërteta dhe pavdekësia e saj. Për këtë poet, e vërteta mund të baltoset ,por nuk “ndryshket”, mund të gjakoset e mbytet ,por nuk vdes kurrë. Ja ç’shkruan autori për pavdekësinë e saj: “Mëngjese dhe perëndime janë dashuritë,/ Mëngjese dhe perëndime kanë qeveritë, /mëngjese dhe përëndime ka gjithë jeta,/veç lindë dhe s’vdes kurrë,/vetëm e vërteta”.Autori dëshiron ta shohë të vërtetën në sy.Atë e gjen te dashuria dhe miqësia e sinqertë , te bukuritë e shpirtit dhe besa e fjalës, te poezia dhe trupi nudo,te kthjelltësia e syve dhe mendimi i qartë, dhe jo te falsiteti e gënjeshtra, xhelozia dhe hipokrizia , te grykësia dhe përçmimi. Ndaj ai shkruan:”I urrej/ xhelozitë, /mëritë”, sepse ato e zbrazin dhe e brejnë shpritin e njeriut,si krimbi mollën. Ndërsa më poshtë vazhdon:”I dua miqësitë, /dashuritë”,që fatkeqësisht janë “mungesat e kohës”. Të vërtetën autori e gjen tek e dashura e zemrës ,për të cilën thurë vargjet më të bukura:”Të dua të bukur, si drita e ylberit,/të dua me shpirt/si beben e syrit,/të dua të pastër,të çelur/si zemra pa borxhe”.Autori, të dashurën e çmon,”edhe kur qeshë edhe kur qan/edhe kur qetësinë ia prishë/ edhe kur shan”. Por, “që të mos mbetet si akullnajë /vetëm indiferentizmin s’ia fal”.
Poezia e tij e ndjenjës është sa tradicionale, aq dhe moderne. Në to, bashkëjeton koncepsioni i Naimit, me atë të Eseninit, për dashurinë. Në poezinë “Përjetësi”,dashurinë e koncepton të përjetshme , gjë që e shpreh në vargjet:” Ç’u plekse kështu me mua,/ Si pjergulla pas lisit të vjetër?/ As ti s’shqitesh, /As unë s’dua/ të pranoj kalorës tjetër…”. Për të, dashuria është përmendore. Për njeriun e zemrës, ai shkruan:”Le të vdesim të dy në një ditë,/ Në heshtje dashurisë ne i ngritëm përmendore”!Megjithatë ,autori nuk mbetet rob arkaik i dashurisë,që shuhet si flaka e kashtës pas shiut .Në poezinë “Kërkoj”,ai përputhet me ndjesinë e Eseninit për dashurinë,sipas së cilës njeriu,për të gjetur dashurinë e vërtetë ,kërkon tërë jetën.Aq më tepër sot,kur jorrallë, dashuria shitet e blihet me para.Ndaj poeti shkruan:”Kërkoj dikë të ndjekë gjurmët e mija/…në rrugë më lënë,s’u bëmë kurrë dy./Ta gjejmë,/ta ndjejmë,/ku është dashuria”!
Ndjenja më e veçantë njerëzore, për autorin, është dashuria për nënën .Ajo është sa tokësore aq dhe qiellore . Në vargjet:”Në i fala kaq dashuri Hënës./Dhe s’ndahem prej saj asnjëherë,/e dua se më ka emrin e Nënës,/të dyja të bukura/… pranverë mbi pranverë”, autori nëpërmjet një paralelizmi të bukur figurativ, e vë shejën e barazimit ndërmjet nënës së tij dhe Hënës, të cilat i bashkon bukuria e rrallë.
Edhe lirinë e do të vërtetë e jo fasadë e falsitet. Për të, liria është : “Enigma më e madhe e kohërave, /dashuria më e madhe e brezave,/ krahu më i fuqishëm i shpendëve”. Prandaj ai e thërret:”Eja e pastër, pa maska , veshje e stoli,/siç lind fëmija nga nëna/e thjeshtë /Nudo…Liri”. Autorin e frymëzojnë e bukura dhe e mira, sinqeriteti dhe ndershmëria, komizmi dhe tragjizmi i jetës. Në penën e tij ato marrin vlerën e sentencave filozofike gjithëkohore, si p.sh:”Vdekja është më e shtrenjtë se jeta”, “Kush di të vuajë, s’ka frikë nga vdekja”etj.
Simbol i së vërtetës dhe bukurisë shpirtërore , i mençurisë dhe sinqeritetit për autorin, është bërë Naim Frashëri, cili për të është “lule, që s’vyshket kurrë”dhe”bilbili i gjuhës dhe i poezisë shqipe”.Autori vendosë raporte të drejta ndërmjet njeriut e Atdheut, të vërtetës dhe jetës. Me njerëzit ai shlyhet ,kur u thotë të vërtetën, ndërsa për Atdheun e falë edhe jetën.
Në krijimtarinë e Këllçit, krahas poezisë së pejsazhit, gjejmë të lëvruar edhe poezinë e meditimit, siç është ajo me titullin ”Një fije floku”, ku autori mediton për lindjen dhe vdekjen, për jetën, të vërtetat dhe paradokset e saj, për kohën , ndryshueshmëriënë , shndërrmin dhe vlerat e saj.
Autori, ashtu siç i respekton njerëzit, që e vlerësojnë dhe e mbrojnë të vërtetën, po me aq force i fshikullon ata, që e shtrembërojnë atë. Mbytësit e së vërtetës janë gënjeshtarët, hipokritët, egoistëst ,sadistët dhe grykësit. Hipokritët.ta qajnë hallin, kur hiqesh zvarrë.Ndërsa, “kur të dhëmb shpirti,/të quajnë të marrë!”.Grykësit, “si krimba lëvrijnë në kërma e pleh”, ndërsa servilët dhe egoistët.”si qeni, vetëm për vete lehin”.Për autorin, bartës kryesorë të këtyre veseve janë politikanët dhe pushtetarët ,të cilët janë shkaktarë të varfërisë dhe amullisë ,të deforimit të votës, të gjallërimit të korrupsionit dhe krimit, duke errësuar të vërteten. Në poezinë me titull ‘”Politikanëve”, ai u drejtohet me pyetjet retorike:”A keni sy e veshë, zotërinj politikanë?!/Si nuk u vjen keq, kur e shihni…Atdheun, që përpëlitet si zogu në mes të llohës” ?!”Ata,edhe kur “përgjërohen” për popullin, “çirren për kolltuk e para”. Politikanët dhe pushtetarët e korruptuar janë ata, që “…me gjakun tonë bëjnë tregëti ,ata që edhe zanat i nxorën në pazare rrospish”. Ata, që “as gjak, as nder, s’na lanë në faqe”. Në vend që të gjenerojnë qetësi e paqe, “i gjakosin e vrasin njerëzit ,si në përralla me kuçedra”. .Është kjo arsyeja ,që autori shpërthen nga zemërimi: “Edhe në xhungël ka më shumë qetësi, /më shumë mirëkuptim mes shumë egërsirash”. Protesta e autorit e arrin kulmin në vargjet:”Na lodhët! Na vodhët! Duam paqe”!
Për t’i fshikulluar veset e njeriut , autori krijon shumë fabula të bukura. Edhe pse narracioni e karakteret janë të njohura, në trilin e tij krijues marrin vlera të papërsëritshme . Nëpërmjet tyre përçohen mesazhe unviersale e tepër aktuale. Mund të themi se fabulat janë krijimet më të bukura poetike të Rr.Këlliçit. Pas bëmave dhe veseve të kafshëve fshihen karakteret njerëzore. Kështu, pas mizës, e cila për të ndyrë dhallin, mbytet në të, fshikullon mburravecët sadistë, të cilët për t’u bërë keq të tjerëve, sakrifikojnë dhe veten.Pas këpushës së shtypur nga lopa, së cilës i pi gjakun , kur zhgërryhet ledheve, fshihet njeriu, që fryhet e pasurohet, duke pirë gjakun e të tjerëve.
Një nga fabulat më të bukura të krijimtarisë së këtij autori është ajo me titullin “Ujku rojtar” , Narracioni i saj është sa i bukur ,aq dhe tallës, sa i vërtetë aq dhe paradoksal. Vesi i grykësit, herë duket sikur kalon nga egërsiarat te njerëzit e herë nga njerëzit te egërsirat, por kjo e fundit duket më finoke.Për të treguar rrjedhën e narracionit të fabulës, po citojmë disa vargje. “Ca mishngrënës ndanin gjahun, njëri kofshën ,tjetri krahun”. Ata ,u grindën kaq shumë me njëri- tjetrin, “sa tundi vendin shamataja,/ për mëlçitë u bë hataja”. Në këto cast, ujku thotë:” Mos u zini, ja u ruaj unë,/ sa të merrni një sy gjumë”. Kur egërisrat u zgjuan të uritura dhe kërkojnë pjesën, ujku u përgjigjet me sentencën e mençurisë popullore: “Ç’pjesë kërkoni, or qyqarë,/ kini parë ujqër rojëtarë”?
Poezia e Rrapo Këlliçit është e çiltër ,sponatne dhe tepër e ndjeshme. Ajo vjen natyrshëm ea sforcime, me fjalë, shprehje e figura të kërkuara . Brendia e saj mban shqetësimin e njeriut të kohës për Kombin dhe formimin e tij,për fatin e Kosovës dhe të Çamërisë , për krijimin e një shteti unik dhe të një shoqërie të përparuar. Në to, gjallon dashuria njerëzore, freskia e maleve të vendlindjes, shushurima e dallgëve të Vjosës, ëmbëlsia e vargjeve të Naimit dhe shpirti i ngrohtë i njerëzve të atyre anëve. Autorin e ngazëllen gjithçka e mirë dhe e nervozon gjithçka e keqe ,që e pengon njeriun dhe shoqërinë të ecë përpara. Për t’i afirmuar virtytet më të mira të njeriut , autori fshikullon vese të tilla të tij, si gënjeshtra, hipoktrizia, servilizmi, egoizmi e sadizmi, të cilat i mjergullojnë shpirtin dhe i turbullojnë mendjen. Herë me humor e herë me ironi e sarkazma, autori synon ta zhveshë njeriun nga veset dhe të këqijat , për ta bërë pjesë të ndryshimeve të mëdha të kohës. Gjuha e përdorur është e bukur dhe me një figuracion të pasur.Është kjo arsyeja, që poezitë e këtij autori i mbeten lexuesit në mendje , si një këngë e bukur, edhe kur dëgjohet për herë të parë.Poezitë e Rr.Këlliçit dallohen ,jo vetëm për origjinalitetin e papërsëritshëm, por edhe për shumëllojshmërinë e vargjeve dhe të strofave.Nervi poetik i autorit është sa spontan,aq dhe i kultivuar në vite,që tregon pjekurinë e një poeti të formuar.
Tiranë, mars 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: “ATDHEUT I KAM BORXH JETËN…”, Sejdo Haka

MIKU I MIRË DHE TË QESHURAT TA ZGJATIN JETËN!

March 29, 2015 by dgreca

Nga Makfire M Canolli/
Libri është miku më i mirë dhe nuk plaket kurrë! Por kur edhe autorin e librit e ke mik atëherë libri të bëhet dy fish mik edhe më i mirë dhe më i dashur! E unë për fat, të tillë miq kam shumë e një ndër ta është edhe Profesori i nderuar Salih Zogiani!
Para pak ditësh më erdhën librat e tij të mbushura përplot thesare të Kombit dhe Atdheut tonë dhuratë nga vetë dora e autorit qe i kishte nisur përmes një mikut tonë të përbashkët Shaban Mehmetit i cili jeton e vepron këndej oqeanit. Ne mërgimtarët jemi mësuar të qajmë edhe në raste gëzimi edhe atëherë kur duhet të qeshim ne qajmë sepse largësia dhe malli po e bëjnë të vetën dhe ne jemi si ai fëmiu qe është me vaj në buzë!. Por ,të qeshi me lotë ka kohë të gjatë qe nuk më ka ndodhur dhe falë librave dhe anekdotave të profesor Salih Zogianit unë këto ditë pranvere qe nuk të ngjajnë aspak me pranverën dhe të shkakton një lloj mërzitjeje, malli e nostalgjie i kalova duke u çmallur me pasuritë shpirtërore dhe trashëgëminë tonë të lashtë qe falë profesorit të nderuar z. Zogiani ajo sot ruhet dhe bartët tek brezat e rinjë. Edhe pse ndodhem larg Atdheut e na ndajnë mijëra kilometra, male, fusha dete e oqeane në mes,unë përmes librave të profesorit Zogiani shëtita gjithë andej në trojet tona dhe më dukej vetja si një shqiponjë duke fluturuar në çdo cep të Atdheut tonë.
Sado që lexuesi të jetë i pa disponuar dhe ndoshta e ka filluar një ditë pa humor të mirë anekdotat e profesor Salihut lexuesin e bëjnë për vete qysh në fillim dhe vështirë e ka të ndalet së lexuari. Ato jo vetëm qe të sjellin disponim dhe të qeshurat e ke vështirë t’i ndalësh por në vete bartin edhe mesazhe edukative. Profesori ynë i nderuar me një talent prej një mjeshtri të rrallë që ia di rendin dhe peshën fjalës i ka gdhendur dhe skalitur aq bukur anekdotat dhe ka arritur qe lexuesin ta mëshiroj nga afër sa me anekdotën aq edhe me personazhet e tyre apo vetë rrëfyesit e anekdotave. Këto ditë dimri ndiehsha shumë e mërzitur dhe shpesh herë më dukej se po më përfshinë thellë në shpirt një lloj depresioni por falë anekdotave të profesorit të nderuar unë tani ndihem sikur të kisha ngrënë mjaltin e të gjitha bletëve të cilat e kan thithur nektarin e të gjitha luleve të Shqipërisë! Hoqa mallë për Prishtinën, Prizerenin, Gjakovën, Pejën, Llapin e Gollakun e të gjitha fshatrat e Kosovës, pa i harruar ato andej nga Presheva, Kumanova e deri në Shqipëri!
Me të drejtë autori thotë se “Anekdota nuk i tregohet gjithkujt dhe gjithkund”! Prandaj ai që nuk e kupton anekdotën dhe nuk e zbërthen formulën e saj ai i lexon kotë sepse në disa raste ndodh edhe ta ngatërron me barcoletën. Unë falë babait tim i cili shpesh mbrëmjeve na tregonte anekdota, ato i dua dhe me kënaqësi i dëgjoj e i lexoj.
Shpesh herë më dukej se pranë meje ndodhet i ulur babai im i ndjerë dhe më bëhej se po e dëgjoja zërin e tij kur e lexoja ndonjë anekdotë qe ai ma kishte treguar dhe kështu e hoqa edhe mallin e tij e më dukej se po bisedonim e po qeshnim së bashku. Ndieja emocione edhe kur hasja në ndonjë anekdot të treguar nga ndonjë mik i babait dhe më dukej se po e shoh të ulur në konakun e babait tim! Te anekdotat e profesorit Salih Zogiani gjejmë shumë virtyte njerëzore si trimërinë, bujarinë, mikpritjen, zgjuarsinë, etj. por edhe gjejmë anët negative si dembelinë, kopracinë, gënjeshtrën, mendjemadhësinë e disa veti tjera negative.
Ajo që më bëri përshtypje është se duke i lexuar anekdotat nga profesor Salih Zogiani shpesh herë lexuesit i duket se po i sheh bashkëbiseduesit e asaj ngjarje dhe vetvetiu të pasqyrohej skena çka i jepte shpirtë akoma më shumë me plot humor, pa e harruar edhe dialektin apo të folurën e gjuhës pavarsisht se cilit rajon apo zonë i takonte anekdota.
Kur ka ndërruar jetë i pavdkeshmi bacë Anton Çeta të gjithë kemi menduar se aty morrën fund edhe anekdotat dhe trashëgimia jonë gojore, por nuk e kemi ditur se krah i djathtë i tij paska qenë Profesor Salih Zogiani dhe ai do ta vazhdon rrugëtimin dhe do të ecë gjurmëve të bacës Anton për të mbledhur margaritarë të çmuar gjithë andej në trojet tona dhe trashëgimin kulturore gojore nuk do ta lë të mbulohet me pluhurin e harresës por do ta stolisë e do ta hedhë në letër për të mbetur përjetssisht si thesar i kombit trashëgim për brezat e rinjë!
Ne mërgimtarët jemi mësuar t’i nderojmë të tjerët, të japim për Atdheun, t’i presim e t’i nderojmë politikanët tanë sa her vinë në vizita në diasporë por nuk jemi mësuar qe dikush nga ata të ketë bë diçcka për nder tonin. Për ne mërgimtarët nder dhe respekt pati profesori ynë Salih Zogiani kur një libër përplot anekdota ua dedikoi mërgimtarëve në shenjë respekti dhe dashurie!
Thonë se e qeshura ta zgjatë jetën! Prandaj profesori ynë i nderuar anekdotat që ai i mbledh gjithandej trojeve tona si thesar dhe trashëgimi gojore e shpirtërore dhe na i sjell neve lexuesve dhe admiruesve të tyre duke e përcjellur mesazhin e tyre sa edukativ aq edhe humoristik ai edhe na e zgjatë jetën secilit nga ne, prandaj uroj nga zemra që të të ketë shëndet, lumturi familjare dhe mbarësi e suksese në rrugëtimin e mbledhjeve të thesareve tona kombëtare gjithandej trojeve tona!
Ju e pasuruat jo vetëm bibliotekën time por edhe mendjen dhe mbi të gjitha shpirtin tim duke i sjellur freski, frymëzim dhe aromë Shqipërie!
T’u zgjat’të jeta profesori ynë i nderuar Salih Zogiani ashtu siq po i zgjatni Ju jetët tona duke na sjellur humor dhe ëmëlsi shpirti përmes anekdotave dhe po e bartni këtë pasuri kombëtare ndër breza me radhë. Ne mërgimtarët nuk duam para, as nuk kemi nevojë pë asgjë më shumë se sa për dashuri dhe një fjalë të ngrohtë e të ëmbël e ato na i dhuruat Ju përmes librit tuaj “Anekdota shqiptare 5” dedikuar mërgimtarëve!
Faleminderit profesor i nderuar për këto dhurata me shumë vlerë dhe për mjaltin që ma dhurove si mehlem shpirti nga trojet e Atdheut tonë!

LUM KOSOVA QE TË KA DJALË

Kush gjithë jetën nëpër oda
mblodhi për ne anekdota,
fjalë me peshë, fjalë shqiptare
bacë Salihi me zemër të madhe!

Qysh i vogël në fëmijëri
me urtësi e mençuri
kur moshatarët loznin me lodra
Profesorit në shpirt i flinte anekdota!

Fjalët ne oda qe i dëgjonte
në shpirt e mendje i strehonte,
kur në dritë me libra i qiti
na i dhuroi s’i mehlem shpirti!
Ja dinë vlerën tanë Kosova

por më së shumti diaspora,
mërgimtarët të gjithë i nderoi
enkas për ta librin e botoi.
E nderon gjithë shqiptaria

me të krenohet Shqipëria,
brezat shekujve do ta kujtojnë
Profesorin me anekdotë!
Mos të shterroftë mendja e pena

njëqind vite t’u zgjatë jeta,
për të mbledhur gjithmonë thesar
anë e kënd trojeve mbarë.
Ju tregove gjuhëve tjera

se ne kemi më shumë vlera,
gjuha jonë me margaritarë
i ka fjalët përplot thesar!
Dritë pastë nëna qe të lindi

bekuar djepi qe të rriti,
nder për kombin shqipëtarë
lum Kosova qe të ka djalë!
Në shenjë respekti këto vargje dhuratë për Prof. Salih Zogiani

nga Diaspora motra mërgimtare!
©Makfire M Canolli
New York

Filed Under: ESSE Tagged With: Makfire M Canolli, MIKU I MIRË DHE TË QESHURAT, TA ZGJATIN JETËN!

Gjyqi i Shopenhauerit…

March 29, 2015 by dgreca

rrëfim nga Dine Dine/
Kjo ngjarje ka ndodhur, pak kohë pasi e arrestuan Ahmet Kolgjinin për të dytën herë.
Ishte një e dielë vere. Gjithçka dukej frymësuese; dielli vezullues, nji fllad i ëmbël që të mbushte me frymë, lulet shumëngjyrëshe në oborr dhe flutura nga më të ndryshme në madhësi e ngjyra, që përpiqeshin të rrëmbenin nektarin e luleve, zogj të pambarim çuçurisnin aq gëzueshëmm e shpenguar në drurët plot gjelbërim të plepave aq sa pa e tepruar mund të them, se të jepnin përshtypjen e një sinfonie, plot ngjyra e nuanca. Që të jem i sinqertë, shkak i këtij frymëzimi, ishte bërë një arsimtare e hijshme, e cila një ditë papritur erdhi e u ul pranë karriges sime, ndërsa haja drekë në mencën e sektorit, pasi atë ditë nënën s’e kisha aty.
Pa u zgjatur, ajo m’u lut që të dukesha herë pas here në Shtëpinë e Kulturës, për t’i rënë fizarmonikës, duke më thënë se ishte e vetmja mundësi për t’u parë pa rënë në sy. Kur e pyeta nëse vërtet dëshironte të më shihte sa më shpesh, ajo tundi kokën me një buzëqeshje të ëmbël dhe u zhduk si nji krijesë ere… veçse emocionet që ajo më krijoi më mbetën të pashlyeshme…
Nevoja për pak dashuri të çiltër, më kishte bërë aq optimist dhe me flatra, sa atë ditë besoja se gjithçka mund të ndyshonte dhe të përbysej… kjo ishte edhe arsyeja që dola në oborr dhe nisa t’i bija muzikës së gojës, që e ruaja si sytë e ballit, atë relike të fëmijërisë, pasi në atë kohë nuk ishte e lehtë t’i gjeje në shitje. Kështuqë atë ditë kisha atë ndjenjë, që më shtynte ta shijoja natyrën në mënyrë të veçantë.
Dukej se edhe harmonika Olympia, atë ditë kishte një tingëllim ndryshe… dhe unë vazhdoja t’i bija e t’i bija… kur papritmas një zë metalik ma preu melodinë në mes… U ktheva dhe pashë përgjegjësin e sektorit, Rrapin hipur në majë të bunkerit përballë shtëpisë sime…
-O Dine! Më telefonuan para dy orësh, po unë e paskam humbur fare… Për hatrin tim, nisu sa më shpejt në Degën e Brendshme… se të presin atje.
S’e merrja vesh për ç’arsye duhej t’ia kisha hatrin atij, por sidoqoftë i thashë si me ironi, e gjysëm shakaje se: “Zakonisht, në kësi rastesh, ata s’të mundojnë, po vijnë e të marr me gaz… po kët rradhë paskan ndërruar stil, si duket!”
-Jo Dine, jo! Të ma besosh, nuk është aspak për keq. Ja kur të kthehesh, hajde dhe më tako se jam në merak!
-Vajtja dihet shoku Përgjegjës, po ardhja asnjëherë…! – ia mërmmërita jo pa ankth dhe në sy të tij i hypa menjëherë biçikletës, dhe i thashë se do të mundohem të jem atje sa më parë…
Rrugës ndërsa mendoja njëmijë rrethana, m’u kujtua një episod i ndodhur shumë vite më parë…
Ndërsa çlodhesha në nji breg kanali, dëgjoja një bilbil që ligjëronte për shtatë palë qejfe, e nuk pushonte për asnjë çast. U përpoqa ta dalloj zogun këngtar, mes gjetheve të denduara, po ato e fshihnin dhe qe e pamundur ta shihja.
“Ku e gjen gjithë atë energji… – mendoja ndërsa me sy kërkoja ta zbuloja derisa në nji moment e pikasa. E që të mos zgjatem me meditimet dhe admirimin që po përjetoja ato çaste, ndërsa dëgjoja atv çuçurimën e tij të ëmbël e melodioze, që e zotëronte përsosurisht… nxjerr instinktivisht nga xhepi llastiqet, i fus një gur zalli të vogël dhe i tërheq thjesht për ta trembur… Po do ti, shkon guri dhe e godet mu në shenjë këngëtarin e fshehur ndër gjethe dhe ai rrëzohet i pajetë te këmbët e mia…
U preka shumë, kur e pashë atë krijesë të vogël e të pafajshme, që aq mrekullisht ligjëronte pak çaste më parë, që pa trazuar askënd e kishte mbushur vendin. Ndërsa e shihja, ndjeva ta urreja veten. I zemëruar i kapa llastiqet i bëra copa copa dhe i hodha në kanal. Ky qe çasti i fundit i vrasjes së zogjve, nga ana ime, të çfardolloji. M’u kujtua pikërisht ky episod, ndërsa i bija muzikës me aq pasion, nën efektin e një dalldie dashurore, kur Përgjegjesi i sektorit, më kish ndërprerë në mes, duke më lajmëruar të shkoja në Degën e Brendshme…
Kisha kaluar Savren, dhe isha diku afër Fabrikës së Plasmasit, i përhumbur ndër mendimet, kur dikush papritur ma vuri dorën në krah.
-Po ku je ore, se kemi katër orë që të presim! Na bëre merak. Shokët e Degës janë shqetësuar, se u vonove shumë!
Ndjehesha aq i tensionuar, sa isha gati t’u përgjigjesha se: “Për shqetësimin e atyre shokëve, as po më plaste fare…”, po heshta, që mos ta acaroja edhe më tej situatën, pa e marrë vesh se pse më kishin thirrur.
Iu përgjigja shkurt se: “Nuk kishte qenë faji im, dhe se isha nisur menjëherë sa po më kishin lajmëruar!”
Dhe vazhdova me biçikletë në drejtim të qytetit, ndërsa “gazi” që ishte parkuar në cep të rrugës, më ndiqte nga pas me shpejtësinë e biçikletës sime.
Provoja një gjendje të tmerrshme tensioni, pasigurie dhe ankthi, që edhe mund edhe s’mund ta shpjegoja. Pse jo, edhe njëlloj frike, kur çoja ndërmend se më “kishin ftuar” të më arrestonin pa shumë bujë.
Ndoshta ishte më mirë kështu e pabujshme… dhe prisja që sapo të hapej dera, tre a katër prej tyre të më mbërthenin duart mbas shpine, e të më vinin prangat duke shqiptuar ato shprehjet tashmë bajate: “Në emër të Popullit, je i arrestuar” dhe kështu ankthi merrte fund njëherë e mirë!
Mendime nga më kontradiktoret më shoqëruan gjithë rrugës. Sapo iu afrova portës metalike jeshile, një person civil, që si duket qe ngarkuar të më priste, më pyeti për emrin dhe më shoqëroi sipër. Trokiti në derë, dhe vetëm pasi dëgjoi një “Hyr!”, hapi dhe mbasi mori një “Faleminderit!” u largua.
Personi që më ftoi përzemërsisht të ulesha, më prezantoi edhe dy të tjerët, që unë s’i njihja. I pari që u ngrit e më dha dorën, më tha se ishte hetuesi i Ahmet Kolgjinit, ndërsa tjetri nuk e kujtoj fort mirë se si m’u prezantua. Hetuesi i Ahmetit, kishte nji palë mustaqe të zeza, të prera me kujdes, që s’më lanë ndonjë përshtypje fort të mirë. Tjetri kishte një fytyrë të rruar e të shëndetshme, që të jepte përshtypjen e një babaxhani.
Sapo u ula, hetuesi i Ahmetit m’i nguli sytë, sikur përmes atij vështrimi do të zbulonte gjithë sekretet që mund t’i shërbenin punës së tij hetimore.
-Do t’i biem shkurt – tha Hetuesi i Ahmetit – Pasi nuk kemi shumë kohë në dispozicion! – dhe bëri ca lëvizje me duar sikur kërkonte diçka mbi tavolinë, pastaj hapi një sirtar dhe prej andej, nxorri një fletore.
E pashë që ishta fjala për nji fletrore timen dhe kur ai më pyeti me autoritetin e dokumentit ndër duar se e “Kujt ishte ajo fletore…?!” nuk hezitova të pranoj se “Ishte e imja!”
-A mund të na shpjegosh se e kujt është kjo punë, që mban emrin tënd përsipër?
Ja thashë, dhe ai pa më lënë kohë të vazhdoj m’u drejtua me gisht:
-A e di ti se Shopenhaueri është filozof pesimist dhe reaksionar, dhe se idetë e tija janë në kundërshtim të plotë me pikpamjet tona marksiste-leniniste? Po ç’të duhet ty, nji i ri, i edukuar me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver të merresh më kësi paçavuresh, që i kanë çuar njerzit deri në vetvrasje?! Po të flas për të mirën tënde!! Më kupto drejt! Po të qe ndryshe, s’të thërrisja fare, po të linim të zhyteshe në atë batak dhe një ditë të bukur, do të vinim prangat dhe të fusnim brenda, ku e kanë vendin të gjithë ata që merren me kësi prapësish…! A më kupton?! Sot je i thirrur vetëm se ta duam të mirën tënde! Ti nuk e di se çfarë ka katranosur ai shoku yt?! Jam i sigurt se ti nuk e di aspak, sepse po ta dije, nuk do t’ia kishe dhënë kurrën e kurrës atë fletore. Ai e ka përdorur, atë fletore tënden, për të bërë agjitacion e propagandë… Hë si thua ti… mendon se unë po gënjej?!
-Unë vetëm një gjë mund ta them me siguri, që Ahmeti s’kishte nevojë që ta përdorte fletoren time për të bërë agjitacion e propagandë. Ahmeti nuk ma ka kërkuar atë fletore, dhe as e dinte që unë isha marrë me përkthimin e Shopenhauerit, dhe as besoj se “Metafizika e Dashurisë”, që kisha marrë guximin ta përktheja, mund të ishte diçka e rëndë për mua dhe për atë… Po ta dinte, sigurisht do të qeshte me të madhe, për anglishten time të varfër. Libri i Ahmetit kish mbetur aksidentalisht në shtëpinë time, prej një kohe të gjatë, mbasi atë e kishin interrnuar prej disa kohësh në Kampin e Çermës.
Një ditë kishte ardhur në Gjazë, të shihte një mikun e vet, dhe ndërsa po largohej u pamë rastësisht, dhe atij ju kujtua libri.
-Besoj se nuk të duhet, – më tha – po deshe ma kthe!
Libri, bënte gjumë prej kohësh në shtëpinë time, prandaj edhe unë nxitova, shkova në shtëpi ia mbështolla me të shpejtë me një gazetë dhe ia dhashë. Qysh prej asaj kohe s’jemi parë më… Tani që po e shoh fletoren time këtu, e kuptoj që e paskam harruar dhe gabimisht ia kam dhënë bashkë me librin. Kjo është e gjitha!
Në fakt gjithçka kisha thënë, s’përputhej me të vërtetën, pasi Ahmeti atë ditë kishte qenë për drekë në shtëpinë time, dhe kishim ndejtur pothuaj gjithë ditën bashkë.
Bile atë ditë ftova edhe kushërinjtë e mi, edhe ndonjë shok tjetër dhe hëngrëm, pimë e bëmë muhabet gjithë kohës, sigurisht duke trajtuar edhe ato tema, për të cilat rreziku i kokës ishte i pranishëm.
Hetuesi i Ahmetit, më hodhi një vështrim disi zhbirues, sikur t’i kujtohej diçka e rëndsishme, që i kish dalë nga mendja, dhe tha: “Po a e di ti se Ahmeti, ka bërë agjitacion e propagandë me Shopenhaurin tënd!?”
-Së pari ai nuk është Shopenhauri im, dhe së dyti Ahmeti nuk ka pasë nevojë të përdorë fletoren time, se e njeh anglishten më mirë se unë…
-Edhe ne e dimë kët gjë, por fakti është se ai ka përdorur pikërisht materialin tënd. Shopenhauerin e kishte idhullin e tij, dhe a e di ti pse?! Ja po ta tregoj unë: Sepse Ahmeti ishte tip thellësisht fetar. E ka pranuar vetë këtë gjë! Ai shpesh shprehte nji sentecë të Shopenhauerit që e kishte bërë të vetën: “Zoti është ideja ime!” Kuptohet që ai ishte i prekur nga ideollogjitë reaksionare, po ajo që më habit është se pse i duhej të të infektonte edhe ty… Pse duhej t’u mbushte mendjen të tjerëve se “Feja është shërim!” kur i më i madhi i doktrinës sonë ka thënë që “Feja është opium për popullin…”?! Dhe ai heshti nji çast.
Ne nuk na vjen keq për të, sepse ai tashmë e ka mbushur kupën! – Vazhdoi Hetuesi i Ahmetit, – Po të ishte ashtu do t’i vinim prangat ty! Do të mjaftonte edhe vetëm kjo fletore që ti ke përpara, e që e pranon se është e jotja, për të vënë prangat e për të rrasur në burg… sepse ke përkthyer nji libër të ndaluar, me përmbajtje reaksionare, që s’ka asgjë të përbashkët me ideollogjinë tonë përparimtare! Edhe fakti, që ai të ka besuar ty Shopenhauerin tregon se ka pasur shumë besim tek ti, si shok që të ngushtë që ishit.
Kuptohej që tani Hetuesi i Ahmetit po përdorte edhe shantazhin që të më friksonte, qoftë për të fajsuar Ahmetin, apo edhe mua që kisha rënë viktimë e një “Armiku të deklaruar”.
Heshta një hop, pastaj u shpreha se nuk kisha pasur asnjë lloj shoqërie të veçantë me të, se kisha shkuar në shtëpinë e tij si gjithë të tjerët, në ndonjë rast hidhërimi… dhe kaq…
Por ai këmbëngulte, bile më akuzoi se isha parë shpesh të shkoja në shtëpinë e Ahmetit natën. Jo vetëm kaq, po akuzohesha se rrija gjatë me të dhe kjo tregonte se më kripesh edhe muhabeti.
“Oh – ju thashë gjoja me njëfarë habie, – është e vërtetë që më keni parë të shkoj andej, por jo në shtëpinë e Ahmetit, shkoja në shtëpinë e Ismail Spahiut, sepse punoja me të dhe ai e kishte zakonin që mbante gjithnji bishta lopatash rezervë, dhe mua më ndodhte shpesh që të më thuheshin bishtat gjatë punës, dhe gjithnji gjeja derman te Ismaili. Kjo mund të jetë nji arsye që jam parë shpesh asaj rruge, po unë kthehesha në të majtë nga Ismaili dhe jo në të djathtë ku banonte Ahmeti… Kështu që mund t’tju kenë dhënë informacion të gabuar në kët rast!
Ai m’i nguli sytë me një lloj nervozizmi sikur desh të më hante, por u përmbajt, sepse donte t’ia arrinte qëllimit. Për një çast u step dhe bëri sikur u ngrit nga karrigja dhe përsëri u ul si me rrëmbim
-Sa për dijeni, ne informacionet i kemi gjithmonë të sakta, dhe që ta dish ti, Partia jonë, nuk akuzon kurrë njerëz mbi informata të rreme!
-Unë besoj është thjesht një keqkuptim – shtova me një lloj pafajsie ironike pa u zgjatur!
-Ti thua që te Ismaili rrije nga dy orë për nji bisht lopate?!
-Jo, – thashë prerë. – Ismaili ishte njeri mikpritës dhe nuk të linte t’i dilje nga shtëpia pa nji gotë raki, dhe e shoqja sapo niste rakia e bënte mezen gati… dhe kështu kalonte ora pa u ndjerë. Dhe unë që s’para pi raki, me nji gotë behesha në qejf dhe harroja se nëna bëhesh merak…
-Nejse, – më ndërpreu Hetuesi i Ahmetit – nuk na interesojnë hollësirat, por çfarë bisedonit kur bëheshe në qejf… se helbete…
-Flisnim për hudhrat, qepët, domatet, sepse edhe unë isha qejfli dhe i mbillja çdo vit në kopështin tim… ja për kësi gjërash, po edhe për problemet e ndërtimit, mbasi të dy ishim të profesionit si muratorë dhe shpesh punonim bashkë…
-Unë besoj sinqerisht se me Ismailin mund të kesh diskutuar kësi gjërash, sepse je njifarë pelivani ti, që i përshtatesh seicilit, nuk po ta them me kuptim të keq, të më besosh, por meqë ra fjala, duam të dijmë se ç’bisedoje me Ahmetin, se ai është intelektual, ka njohuri të gjera dhe kulturë të gjerë, di gjuhë të huaja, është i këndshëm në bisedë, apo jo?
Fillimisht bëra sikur buzëqesha, po ishte si një lloj ngërdheshje nga e keqja.
-E di që s’do të më besoni, po ai ishte një tifoz i sëmurë futbolli. Po të rastiste që të punonim bashkë në bujqësi, nga mëngjesi në mbrëmje bënte tifozllëk.
-Sigurisht do të ketë qenë me gjermanët – tha Hetuesi i Ahmetit, dhe unë mbeta disi i shastisur, se nuk isha i përgatitur, për kët variant gënjeshtre. Por aty për aty iu përgjigja shpejt e shpejt, se sigurisht bëhej fjalë vetëm për skuadrën e Traktorit të Lushnjes, pasi në ishim rritur në atë qytet.
Në fytyrën e Hetuesit të Ahmetit u shfaqën shenja irritimi, pasi u ngrit në këmbë dhe me gishtin tregues, m’u kërcënua plot mllef:
-Dëgjo o Dine, ndofta mendon se na mrekullove me këto pallavra që na shpike, po dije se një ditë do të bien mbi kurrizin tënd. Po të paralajmëroj, sepse vetë fakti që ke shfletuar Shopenhauerin, autorin më pesimist, më reaksionar, që është në kundërshtim flagrant me ideollogjinë tonë, objektive, optimiste, që ndërton socializmin me forcat e veta, pra vetëm ky fakt është i mjaftueshëm për të t’i futur të dyja këmbët në një këpucë. Nëse ti nuk do ta kuptosh, paç veten më qafë!
Sot, unë të kam thirrur këtu për fletoren që mban sipër emrin tënd përsiper për të na shpjeguar lidhjet e tua me Ahmet Kolgjinin, i cili e ka përdorur këtë material me dëshirën tënde, ku dhe si i ka dashur qejfi, duke abuzuar dhe bërë agjitacion e propagandë kundra pushtetit tonë popullor… Por, meqë jemi këtu te fletorja e Shopenhauerit, do të bëj edhe një pyetje tjetër, për të parë se sa i sinqertë je me ne…
Po për ato esetë e tjera që janë mbas kësaj që ke përkthyer, e që unë jam i sigurt se ti, në mos i ke lexuar, së paku i ke shfletuar të gjitha… dhe që besoj ti i mban mend mirë, çfarë mund të na thuash? Po për Gratë, për Vetvrasjet, për Zhurmat, për Letërsinë… çfarë mendimi ke… apo thjesht s’i ke lexuar dhe nuk di gjë fare për to?
Në të vërtetë unë i kisha përkthyer të gjitha ato, po vala e arrestimeve që kishte përfshirë gjithë brezin tonë, më kishte detyruar t’i digjja të gjitha… kështu që e vetmja rrugdalje ishte që mos t’i jepja asnji lloj shpjegimi të mëtejshëm për kët gjë.
Ndërsa hetuesi përpiqej me çdo kusht të më tërhiqte të pranoja se kisha dijeni edhe për esetë tjera, e në veçanti për atë “Mbi vetëvrasjen”, për një moment m’u fanit para syve portreti i shokut tim, Ahmetit. Befas shpërtheva në të shara: “Maskarenj, të paftyrë, ushtroni zanatin më të padenjë në botë, atë të mashtrimit të njerëzve të ndershëm që s’ju kanë asnjë borxh, për t’i dërguar në fund të ferrit, vetëm e vetëm pse nuk e duroni dot inteligjencën e tyre. S’e kuptoj ç’kërkoni më prej tij?! E latë tërë jetën në burg! Herën e parë e arrestuat në bangat e shkollës, kur ishte pothuaj fëmijë! Pse edhe atëhere bënte agjitacion e propagandë?! Ishte i urtë, i zgjuar ndaj ju vriste sytë. E groposët të gjallë në ferrin e burgut të Burrelit edhe pse qe pa mbushur 18 vitet! Mëkatarë të pandreqshëm! Mos u mërzisni, në këtë botë do të paguhen të gjitha! S’dini se ç’bëni! S’ju vret ndërgjegja për asgjë, dhe ndjeheni mirë vetëm duke bërë keq…!
E kisha humbur pothuaj fare… Kujtoja Ahmetin dhe më bëhej sikur e kisha para syve, me mallin që s’më ndahej asnji çast, kur ndjeva një dorë që më shtrëngoi papritur: Ej, kujt i flet kështu?! Më duket se ke lajthitur! Më qe vërsulur hetuesi i Ahmetit.
U përmenda… E ndjeva se nuk isha mirë, e megjithatë më duhej të vazhdoja…
Ai buzqeshte hidhur, dhe bënte ca ecejake para meje në pritje të ndonjë përgjigjeje dhe kur e pa që s’mori asnji lloj përgjigjeje, mori një copë letër dhe filloi të shkruaj vetë. Pasi shkroi rreth një gjysëm faqeje, me dorë, ku ndjehej vetëm zhurma e stilolapsit, ma dha ta lexoja… Unë iu ankova se asgjë prej atyre që kishte shkruar nuk ishte e vërtetë. Atëhere ai, i indinjuar thellësisht ma shtyu letrën me nervozizëm, para syve të mi dhe më ulëriti: Merre dhe shkruaj vetë çfarë të do qejfi. Me dorën që po më dridhej, mora stilolapsin dhe shkrova gjithçka që isha i bindur që s’mund ta përdornin si dëshmi kundra Ahmetit. Përsa më përkiste mua, pranova se fletorja me 44 faqe ishte e imja, dhe hodha një firmë, duke pranuar gjithçka nën përgjegjsinë time…
Pas disa muajsh më erdhi rradha edhe mua, të kem fatin e keq të Ahmetit dhe sapo u futa në sallën e gjyqit, gjykatësi Sofokli Papajani, për t’u bindur se deklaratën e kisha firmosur vetë, gjoja konfidencialisht më tha: “Gabim i madh të lexosh Shopenhauerin, sepse ka çuar me mijra vetë në vetvrasje!”
Unë vetëm heshta dhe ai s’u zgjat më tej! Emri i Hetuesit të Ahmetit, nuk u përmend askund. Pas gjithë atyre fatkeqsive të hetimit dhe gjykimit, më çuan nga Kaushi drejt e ne Spaç. Në Kampin e Spaçit më prisnin shokët e vuajtjeve nëpër kampet e Interrnimit si Qemal Dema, Lekë Mirakaj, Naim Staravecka, kushëriri im Adnan Nasufi, e shumë të tjerë me të cilët njiheshim qysh fëmijë. Pasi u përqafova me mall me të gjithë, në fund vura re fytyrën ngjyrë dheu të Ahmetit…
U përhumbëm në krahët dhe mbetëm ashtu të varur në qafat e njëri tjetri derisa dikush prej shokëve na thirri… Hej, po jemi edhe ne të tjerët këtu.
Kur u nisëm drejt mensës për darkë, pasi qe si traditë, që të burgosurit e rishtë ishin mjaft të uritur, u afruam edhe njiherë me Ahmetin… dhe i pëshpërita në vesh një thënie të Shopenhaurit që e pëlqenim të dy: “Është e vështirë që e një e keqe të vijë pa kompensimin e vet!”
Ai me një buzqeshje të dhimbsur, edhe njëherë ma hodhi krahun në qafë dhe më shtrëngoi edhe njëherë dhe u ulëm në tavolinën e bukës, duke kujtuar kohët e shkuara dhe ndarë atë të keqe ku na kishte hedhur fati e që s’dihej se kur do t’i vinte fundi…
New York , janar 2015
New York , janar 2015

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dine Dine, Gjyqi i Shopenhauerit...

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3982
  • 3983
  • 3984
  • 3985
  • 3986
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT