• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ORA E RËNJES SË PRANGAVE

March 15, 2015 by dgreca

(Skllavët nuk shkruajnë)/
NGA REXHEP KASUMAJ/ Berlin/
1.“Lirinë keni ju, ne hekrat kemi”, u thoshte Ndre Mjeda të bekuarëve amerikanë, pasi kishte shkruar poemthin “Liria”, këtë odë që këndonin zemrat shqiptare. I përhihej, e kapte dhe i zhdukej shpejtësisht, imazhi i atdheut të lirë…
Dhe, njëmend, një popull i ndrydhur gjatë, mbijeton me trupin, por terron, poaq, me frymën. Në vrragët e tij nuk ka asgjë të shkruar…Sepse, thjeshtë, skllavët nuk shkruajnë! Dija apo e drejta e mendimit, ndaj, si një privilegj i të “epërmve të virtytshëm”, ishte rezervuar për aristokratët apo, madje, në viset e kolonive që i banonin popuj “natyrorë”, veçohej për metropolitanë dhe mëkëmbës të tyre të përgjakur.
A nuk ishte pokështu dhe ndër vëndet e arbërit? Qytetninë shqiptare e tjerrnin kryesisht ngulimet mërgimtare, kurse vendësit e përvuajtur gëzonin vetëm rrezet e shpresës së diellit të largët “alegorik”. Dhe në kishte letrari, ajo e tëra rrëmbehej ose pengmerrej nga programi i lirisë. “Kur më pyesin jashtë, keni poetë në Gjermani?, pohonte Niçe me ironi, “u them pa ngurrim: Po, Bizmarkun!” Ndonëse, pra, kishin përbashkuesin e madh, dhe bashkëkohësit e tij, do të jenë përfshirë në letërsinë e misionit politik…A nuk rëndon ende sot zymtor ky makth dhe përpjekja për këthjellim që, e denjë e flijuese, shndërrohet në religjion? Në religjionin e lirisë? Për të thuren më të bukurat ëndrra a farkohen më të ligjshmet ide…
2.Meditimi për fillin e krijimit, filozofinë kosmogonike a kuptimsinë e jetës, pastaj për pushtetin e vdekjes a shpresën e transcendencës – ishte prore i lartë, eterik dhe i pakapshëm si yjet! Të palirët e të shtypurit, nuk vuanin asnjëherë këtë brëngë: mjeshtërinë e mendimit. Vegjetonin në kënaqësinë e vakët të lodhjes dhe instinkteve që i mbanin larg njohjes mundimtare. “Dhjetë kafe gjumë kanë zbritur në këtë botë, nëntë i kanë pirë robërit dhe një të vetme të mbetur, e gjithë bota tjetër, predikon Talmudi shejtnor. Që këtej, metafizika e Mbinjeriut antikrisht dhe Fausti i mjegullnajave të Bohemisë apo Romeo e Beatriçja e dritareve të ndaluara të dashurisë, duhej të prisnin orën e tyre. Orën e rënjes së prangave…Ç’është e vërteta, letraria, kudo e përherë, është pronë e elitave. “Krijimtaria e masave” nga motet bolshevike ishte zvetnim i saj. Por, megjithatë, elitat e kombeve të lirë qarkullojnë e alternohen, poashtu, lirshëm e paprerë dhe mbi askënd nuk bie mallkimi fatal i Rendit të shpallur përfundimtar apo i Prijësit të cilësuar hyjnor.
“Ai ç’prej vjetësh tremijë
S’mësoj dot gjë për veten
I tretur mbetet në errësi
Nga dita në ditë të shtyjë jetën…”

Kështu shkruante Gëte, ky Patriark i letrave të Europës, e rrjedhimisht, prandaj, pas shekujsh të ndaluar të së drejtës dhe magjisë së shkrimtarisë, shqiptarët ndjejnë, vjershërojnë, mendojnë e shkruajnë! Ç’tjetër mund të pritej nga një popull që ka 2000 vjet gojëkyçur, pa hedhur një të vetme fjalë në letër për bukurinë a dhimbjen e jetës? Shpërthim më të përligjur nuk njeh liria e kësaj bote!

3.Porse mendjecektët fragmentarë, pijnoj të përbuzurish poashtu, (“kam parë njerëz të lidhur të varfër, që i shoqëronin dhunshëm njerëz të armatosur të varfër”, thotë një varg i madh) e përceptojnë gjendjen si krejtësisht natyrale, madje, një tabelë të predestinuar vlerash e popujsh! Kjo qenkësh, sipas llumit moçalor, një prima causa, një shtysë parake e vetë Rruzullimit…Ndonjë prej tyre, ndaj, do të shfrynte: ah, përse shkruajnë kaq shumë shqiptarët? Pyetja, ashtu si intonacioni i saj, sikur ndryn në vete pohimin obskur e të errtë, në formën e klithmës së fshehtë dëshirake: përse nuk mbajnë ende sharrë në supe udhëve të braktisura me thirrjen e thekshme “dru me pre”?! Veçse dilemë-pyetja e njëmendtë fundore do të ishte: si shpjegohet, vallë, ky zhgënjim me kah të kundërt e krejt dëshpërues: jo keqardhje e trishtim për mugëtirën e disfatën – por, përkundrazi, për dritën e ngadhnjimin!
Dhe s’është, ashtu, pos një nostalgji patogjene për kohët e lumura të skllavërisë, kur njerëzia s’kish pse të vriste mëndjen e ndërgjegjen, a mbase, mos o Zot, të “shpirtëzonte kundërshtinë” ndanë statusit robnor! Një letargji e qetë, e pabujë, e paemër dhe e njëjtësuar me fatin përjetësor, si të zbritur qiejsh! Ata thuase bëjnë anglezin imperial, që si më ka rënë të lexoj, i kishte ngarkuar Radios së BBC-së punën e vështirë për të evokuar ditët e paqme të popujve të posamëvetësuar, nën kurorën e dikurshme viktoriane. Apo, ndoshta, duke qenë larg, ah sa larg shkëlqimit të britëve, mallëngjimi i tyre ngjan më real e përafrues: mallin për shkronjëtarë zyrtarë, gjithësesi mediokër e provincialë, në shërbim të despotit lokal ose të sundtarit të huaj.
Tirania e njëshit, hazjajinit politik dhe i kostumprerësit letrar, ka ikur, tashmë, në harresë. E kjo, me sa duket, është votra e pikëllimit të tyre. Po nëse ka vetëm një diell që shkëndijon gjithësinë – në yllin Tokë, diejt e dijes e shkrimit janë të shumtë si lulet, fluturat, cicërimat, lotët, muzgjet, buzëqeshjet…Dhunti e tyre vjen udhësh të padukshme e të pandalshme prej hiresh të shpirtit të ultë njerëzor!
Kur mbreti serbian Aleksandër, gjatë një vizite ekspeditore, kishte zbritur në Fushë Kosovë, i tmerruar nga prania e gjithëkundshme shqiptare, i thotë adjutantit të tij: “ Sa shumë plisbardhë paskëshin mbuluar dhèun”! Mirëpo ai, urtësisht e pa vonuar, ia kthen: “Madhëri, të tillë janë më të mirë, ç’do të bëjmë kur ti heqin ato”! Pikërisht, pra! Adjutanti kishte të drejtë: krijimi intelektiv a thithja e nektarit të tij, iluminojnë mëndjen dhe rimojnë ëndrrën njerëzore…
Sepse, skllavët, mjerisht, nuk shkruajnë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Ora e renies, Rexhep Kasumaj

Një femër për të gjithë…një nga ato që aprovon Kryeministri

March 15, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Na gjeni një femër të mirë? Një femër pjellore? Një femër me sharm? Si ato nga podiumet e holleve ku partitë bëjnë deklaratat për shtyp. Na gjeni një femër që të na sigurojë fitoren. Një femër me klas. Një nga ato që shpon heshtjen e korridorit me majat e takave. Një femër që të bën të mbash frymën. Një femër që të flasi anglisht, frëngjisht, italisht, kinezçe, vetëm pasi ta miratojë kryeministri. 
Nga ana tjetër ka edhe deklarata të tilla, habitore…, femër? Pse jo… do ta shikojmë edhe këtë variant. Po një femër, burrë ama. Që di të shahet. Që të ketë luk femre, por frymë burri. Një femër të fortë. 
Një femër si ajo në Kosovë. Jo presidentja, por gazetarja. Ajo që edhe pse merr nga shtatë kërcënime në ditë. Se do ta vrasin, se do ta hedhin në erë me makinë, se do ta bëjnë prostitute etj, prapë shkruan me guxim. Një femër që i ngjan trëndafilit të vetëm. Ku? Në një varrezë gri makinash nga e gjithë bota. Një femër, por jo si ajo e doganave të Shqipërisë, që na la në mes të rrugës. Kishim një ritëm të mire me të ardhurat e tremujorëve. Ndofta po të vazhdohej ashtu, kushedi se ku do të shkonim në fund të vitit. Nga debitorë, mund të bëheshim rentierë. Ndërsa vetë shtetarët rrogëtarë. Kushedi? 
Por prapë, na duhet një femër. Erdhën zgjedhjet.
Në fakt është retorikë e dalë bojë. Një femër, një mashkull. Në këtë botë nuk ka gra, zonja, nëna. Nuk ka as burra, zotërinjë, as baballarë? Botë femrash dhe meshkujsh. 
Në fakt këto janë rezultatet e dialogut konfliktual të përjetshëm. 
Përqark e gjitha i ngjan vetëm një ferme blegtorie. Me meshkuj dhe femra. 
Cila është strategjia? Këtë e dëshmon barsaleta më poshtë.
Na ishte një here një tufë mëzatësh, tufë e madhe. Midis kishte edhe të vjetër në moshë. Pra dema të rinj e dema të vjetër. Ushqeheshin për qejf. Aq sa nuk ia vinin veshin misrit në arën përbri. Megjithëse i ndante edhe një gardh i lart. Dikur aty u shfaq një mëshqerrë e bukur. Mëzatët e rinj u shtynë, drejt arës duke marrë me vete gardhishte por edhe mëzatët e vjetër. Mirë këta të rinjtë, po ne të vjetrit, çfarë dreqin duam. Na morën frymën. Po na shtypin çunat. I thoshte demi i vjetër shokut të vetë. Dhe tjetri ia ktheu. Të përfitojmë nga situata, të hamë ndonjë misër të njomë.
Kaq është kismeti jonë o vëlla. 
Një femër? Që të fitojmë zgjedhjet.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, nje femer, për të Gjithë

Lule per Ty Lindita!

March 15, 2015 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/
Gëzuar ditëlindjen e dashur Lindita!
Desha të të këndoja në telefon “Happy Birthday”, por zëri im përballë nje artisteje të madhe duket sikur përplaset dhe thyhet midis tingullit tënd të magjishëm… Është më mirë të të uroj poetikisht, që është dhe dashuria ime e hershme deri në frymën e fundit. Mirësia e shpirtit tënd, zëri hyjnor dhe bukuria fizike mbyten në sytë e tu blu si deti në Vlorë, ku je lindur dhe rritur, valëzat e bardha të të cilit të kanë ledhatuar mijëra herë, por Andrea me veglën muzikore “Oboe” që ka luajtur mjeshtërisht nëpër skena e frymon dhe i nxjerrë xhevahiret nga deti në hapësirat pafund, atje ku e kanë vendin kjo racë artistësh. Ç’perla ka oqeani, dhe ç’yje ka qielli, por mjerisht vetëm shteti shqiptar është pa polumbar dhe pa astronom…
Pasi dhe disa koncerte në Operën Kombëtare, Ju u larguat si dy artistë, në vitet 90-të, ikët për ëndrrat tuaja, u larguat në vendin me të afërt në Greqi…
Greqia si gjithmonë që di t’i rrëmbejë të bukurit e Artit ndër kohëra dhe hapësirë, të pranoi ne TV-n kryesore të saj me konkurs të rreptë, ku ti ja dole mbanë dhe i magjepse si Hyjneshë, parardhëset e tua Hyjneshat greke, nëpër skenat greke dhe në Europë.
Erdhe në Amerikë pa mbështetjen e askujt arrite të mbaroje Master në Mannes College of Master of Music in Voice from Mannes College of Music at New School University dhe për një vit vazhdove “Professional Studies Program at Mannes College of Music”. Në bazë të kësaj merite sot po punon si mësuese muzike e liçensuar në shtetin e Nju Xhersit. Doje të mbijetoje, iu fute studimit, por koha po fluturonte për të qenë ne skenat e botës…
Në se do të kishje mbështetje nga shteti shqiptar si artiste me një karierë të shkëlqyeshme, dhe shteti yne do i shikonte të gjithë artistët dhe të talentuarit pa preferenca partiake, me syrin e nënës, me siguri do të ishje shumë, shumë më e dëgjuar se shumë të përkëdhelurit në breza…
Ti mbijetove edhe pse me babain në burg… Sot ai të bekon nga qielli që ti po e nderon kudo.
Je e vetmja shqiptare që ke dhënë koncert në Carnegie Hall në New York, por mjerisht shumë media në Shqipëri ju bëjnë jehonë ahengjeve dhe muzikës tallava…
Ke bashkëpunuar ngushtë me artistë ndërkombëtarë. Ke kontribuar për Diasporën si dhe në programin artistik të Shkollës Shqipe “Alba Life” dhe koncertin klasik që u organizua në Manhattan që hapi siparin në 100 Vjetorin e Pavarësise, në Diaspore, organizuar nga TV “Alba Life” dhe nje grup artistësh me udhëheqës pianistin e talentuar, artistin Petrika Melo.
Si pjesë e Diasporës ke dhënë disa koncerte në disa festa të organizuara si nga gazeta e mirënjohur “Illyria”, Motrat Qiriazi, Vatra, New York, Mass Besa dhe Holy Trinity Albanian Church në Boston. Je një mbështetëse krenare për populllin e Kosovës për të cilin dhënë koncert në Kombet e Bashkuara për të sensibilizuar njerëzit.
Herën e fundit ke qenë për Shoqatën “Ana e Malit” në 100 vjetorin e Pavarësisë, por jo e fundit siç te thanë organizatorët në Ditën e 7-8 Marsit ku more çmimin e lartë të mirënjohjes nga kjo organizatë frytdhënëse dhe atdhetare.
Ti ece udhëve të artit dhe të dijes me guxim dhe ndershmëri, herë si mjellmë e herë si Zanë Mali, dhe ja arrite, ja arrite aq bukur sa një ditë kori botëror i specializuar shpresoj të të dhurojë në skenë lule me mbishkrimin: “LULE PËR TY LINDITA! LULE PER TY ARTISTE VLONJATE SHQIPTARE, AROMË GRUAJE”!

12 Mars, 2015
Staten Island, New York

Filed Under: ESSE Tagged With: Keze Zylo, Lule per Ty Lindita!

UÇK, FITOVE LUFTËN, PO HUMB PAQEN

March 15, 2015 by dgreca

UÇK, fitove bëtejën kundër Serbisë në luftë, mos e humb në kohë paqe nga dezertorët dhe komandantët e pa qenë!/
Shkruan: Asllan Dibrani/
Vet fakti që Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës pati një betejë të sfidave të ndryshme ngaqë edhe e fitoj . Ajo diti dhe menaxhoj strategjinë ushtarake dhe me vet mohimin e vet e fitoj betejën nga okupatori serb, që terrorizoj dhe bëri gjenocid mbi këtë popull.
-Ajo sipas zhvillimeve të mëtejme pati edhe vështirësitë e veta nga faktorët e brendshëm të spiunazhit dhe bashkëpunimit me okupatorin nga individ të inskenuar si ushtarak, gjë që pati pasojat e veta edhe viktima në ushtarë, dhe popull.
Kjo që po ngjanë këto ditë në përpilimin e listave të ish veteranëve , lenë përshtypjen për shqetësim .Kjo po e tregon ma së miri , ngase kudo nga veteranët dëgjohen ankesa, reagime dhe protesta për keqpërdorime, falsifikime dhe mashtrime . Në mesin e ish veteranëve dhe luftëtarëve janë fut emra të pa njohur , emra që populli i kujton nga ato periudha që ishin në shtet perëndimore , në turizëm , si biznesmen,nëpunës në regjimin e Serbisë , apo në fund s’ishin fare pjesëmarrës të luftës. Tani manipulimet janë kudo , heqje emrash të atyre qe ishin në front dhe në ballë me armikun dhe u shtuan “luftëtarë ” nga farefisi i atyre që depërtuan në institucione me imponime, mashtrime edhe si dezertor , apo edhe si bashkëpunëtor të armikut.
“Sigurimsat” e kanë gëzuar “Nektarin e lirisë dhe të “Pavarësi së Kosovës” nga komunist, inspektor të UDB-ës dhe shërbëtor të Serbisë, tani në institucione dhe vende kyçe të Kosovës!
Po shihet se prapa këtij aktrimi në vet brendësinë e UÇK-ës ka veprua armiku i ashtuquajtur sigurim serb prandaj krejt ata “Sigurimsat” e kanë gëzuar “Nektarin e lirisë dhe të “Pavarësi së Kosovës” nga komunist, inspektor të udbës dhe shërbëtor të Serbisë në institucione dhe vende kyçe. Ndërsa ata që kanë qenë luftëtarë të vërtet për lirin e Kosovës , ata u janë nënshtrua, burgosjeve, torturave, moskujdesit , harresës , injorimit skamjes dhe i kanë sjellë në mjerim social dhe material. Ma në fund si (medalje aktuale) po iu servohen edhe procese të hetuesisë, çakë edhe nga instanca ndërkombëtare. Kjo vjen nga vet shqiptarët dezertorë, dhe bashkëpunëtorët e okupatorit. Një fjalë popullore thotë “Qeni i keq ta sjell ujkun në oborr” edhe kësaj si thuhet ndryshe. Vet po i kurdisin kartha nga radhët e “shqiptarëve”popullit tonë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje janë akorduar gjërat sa që janë detyruar ta themelojnë edhe “Gjykatën speciale kundër vlerave të UÇK-së !!!.Shiheni Kosovën se në çfarë gjendje ka ardhë ?.
-Kosova kurrsesi s’ka guxua me qenë këtu ,ku është tani ?
Kur populli me pa durim po dëshiron t’i njeh dëshmorët e vet dhe veteranet e luftës, sot po përballët me një terror psikik nga injorimi dhe keqpërdorimi i vlerave të UÇK-së!
Nga disa demagogë dëgjohen shprehje me plotë gojën luftë , me plotë gojën dëshmor, patriot , luftëtarë dhe trima .Tash kur populli me pa durim po dëshiron t’i njeh dëshmorët e vet dhe veteranet e luftës, sot po përballët me një terror psikik nga injorimi dhe keqpërdorimi i vlerave të UÇK-së, duke e shndërruar tradhtarët , dezertoret dhe spektatorët e luftës në “heronj dhe patriot” brenda nate nëpër kafe dhe duke e njollosur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës me vlerat e veta dhe me një histori të lavdishme, qe edhe vetëm 24 ore nëse ka qenë pjesëtar i UÇK-së në luftë kundër Serbisë ka vlerat e veta !?.

Duhet ta dimë se kush ishte luftëtar e dëshmor dhe kush tradhtarë e dezertorë!
Populli ynë është aq i mençur që edhe se nuk i ka shkruar me kohë, fatmirësisht kemi edhe njerëz të shtyrë në moshë që e mbajnë mend edhe luftën e 1945. Po ashtu edhe për ngjarjet e pasme e lere Luftën e fundit , që se cili e dimë për secilin se kush ishim, kush jemi, dhe kush duhet të jemi dhe ku e kemi vendin.
Ashtu qysh e meritojnë veteranët e luftës respektin e vet, ashtu duhet përkujdesje dhe vlerësim se vetëm përmes këtyre pjesëtarëve dh veteranëve duhet të shkruhet historia e assesi nga diktatet e Beogradit me “komandantët e pa qenë”, ndonjëherë në mesin e luftëtarëve për çlirimin e Kosovës. Duhet të ruhen dhe mos te përbalten figurat e UÇK-së me këta matrapaz. Duhet të ndahet shapi nga sheqeri. Duhet ta dimë se kush ishte luftëtar e dëshmor dhe kush tradhtarë e dezertorë. -Një gjë e tillë u bë pjesërisht edhe në mesin e ish të burgosurve politik, që edhe nëse ka qenë për ndonjë vepër ordinere, sot i gjendet emri i tij si ish i burgosur politik, ku vet prezenca e tij në aplikim e dëshmon një gjë të tillë pa kurrfarë turpërie kërkojnë që të jene ata qe s’ishin.
Veteranët e rrejshëm iu shërbejnë komandantëve të rrejshëm për t’i siguruar votat që të qëndrojnë gjithmonë në pushtet!
Nga të njëjtit që e përkrahën regjimin serb, para dhe gjatë luftës dhe sot ka nga ta që po udhëheqin me Kosovën nga e cila duhet tu shpallet luftë e pa kursyer deri në eliminimin e tyre nga skenat politike. Veteranët e rrejshëm iu shërbejnë komandantëve të rrejshëm për t’i siguruar votat që të qëndrojnë gjithmonë në pushtet, gjë që Kosovës i sollën një skandal politik . Ata karagjoz duhet t’i mbajnë larg duart nga ushtria jonë, sepse duhet ta kujtojnë se siç diti dhe pati guximin t’i shpartalloj forcat serbe në Kosovë , po ashtu do të dinë dhe do të kenë forcën ta fitojnë edhe betejën kundër ” komandantëve të rrejshëm , dezertorëve , tradhtarëve dhe abuzuesve me skenime të ndryshme antikosovare për përfitimet e veta personale.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan dibrani, FITOVE LUFTËN, PO HUMB PAQEN, uck

KUR PRISHET TRASHËGIMIA

March 15, 2015 by dgreca

Atdhe të patëm Nënë, na u bëre Njerkë…/
NGA HASAN KOSTRECI/
Nuk kam ndërmënd ta analizoj shkencërisht, se ç’është trashëgimia, sepse edhe sikur, s’do mundesha dot, por më shumë nga ana teorike dhe nga që njerëzimi e njeh prej kohësh këtë fenomen, është munduar gjithmonë që ta aplikojë. Një bujk, përshëmbull, e di mirë, se për të patur rendiment në një kulturë të caktuar, fillimisht zgjedh farën dhe sa më e shëndetëshme të jetë ajo, aq edhe më shumë ka garanci prodhimi. Një blegtor gjithashtu, për të patur një lopë apo dele që të japin sasi sa më të mëdha qumështi, mishi apo lesh, duhet që ato të jenë racë dhe për ta arritur këtë, zooteknika përdor metodën e kryqëzimit. Po a zbatohet ky ligj edhe tek njerëzimi? Sigurisht që po dhe çdo shtet, për të patur një shoqëri jo vetëm të fortë e të shëndetëshme, por edhe mirë të arësimuar dhe intelektuale, investon dhe në botë sot njihen mjaft kombe që janë më të avancuar nga të tjerët dhe ne i marrim ato si modele, përshëmbull ai englez, gjerman, francez, amerikan apo suedez dhe pikërisht nga këta, kanë dalë dhe dalin vazhdimisht edhe njerëz të ditur apo personalitete të fushave të ndryshme, si nga arti, shkenca, fizika apo inxhineria, të cilët me kontributin e tyre, i kanë dhënë botës zhvillim dhe përmirësuar mjaft jetën njerëzimit, por me avancimin e teknollogjisë, modifikimin e mjeteve të ndryshme, përfshirë këtu edhe ato të transportit që sot janë bërë tepër moderne dhe të shpejta, ka ndikuar ndjeshëm edhe në qarkullimin apo në lëvizjen masive të njerëzve, fenomen ky qe sot është bërë i pashmangëshëm, por problemi nga kjo nuk është edhe aq, sepse në këtë mënyrë janë duke u përzierë racat, se sa tek niveli i tyre i ndryshëm dhe sa më i theksuar që të jetë ky, aq më i vështirë bëhet edhe unifikimi, por për Shqipërinë, ky fenomen, pra, pëzjerja e racës, as nuk ka egzistuar dhe as nuk egziston, prandaj që të justifikohemi për këtë shoqëri aktualisht të prishur, duhet që fillimisht ta kërkojmë tek vetja, por edhe tek historia jonë, e sidomos tek politika, e cila, siç dihet, më shumë ka punuar për të na prurë në këtë gjëndje, se sa për te bërë një komb të edukuar, me vlera dhe cilësor.
Pushtimi pesëqind vjeçar Osman, pavarësisht se si pozicion gjeografik jemi në Europë, na pengoi, që të përfitonim edhe ne, sadopak, nga zhvillimi i saj, por megjithatë edhe pse të arësimuar dhe punësuar në atë perandori, mjaft intelektualë, që ne i kemi quajtur Rilindas, menduan edhe për vëndin e tyre dhe ishin ato përpjekje, që bënë të mundur të realizoheshin disa nga ato ngjarje aq të rëndësishme, të cilat më vonë çuan edhe në Shpalljen e Pavarësisë, por rreziqet për Shqipërinë nga një coptim i mundëshëm, sidomos gjatë Luftës Ballkanike dhe të Parë Botërore, përsëri nuk rreshtën, prandaj si Kongresi i Lushnjës më 1920, i cili vulosi përfundimisht edhe kufijtë e Shtetit Shqiptar me të gjitha institucionet, ashtu edhe ‘Mbretëria’, që shënoi shkëputjen njëherë e përgjithmonë nga oreienti, qenë mjaft të domosdoshëme, por të gjitha këto e të tjera, të cilat shkurtimisht përmënda, ndikuan mjaft njëkohësisht edhe në përhapjen në popull të ndjenjës së shqipëtarizmit, e cila sa vinte e po rritej dhe shprehjet ‘Atëdhe’ apo ‘Komb’ nuk ishin më nocione, por diçka e shenjtë, për të cilat, po të ishte nevoja, duhej edhe sakrifikuar dhe me këtë motiv, duke mos e kuptuar se më shumë po përkrahnin një regjim gjakatar, i cili do i vinte kazmën Shqipërisë, se sa po i shërbenin vëndit, me vetëdije, por të mashtruar, ata iu bashkuan Nacional Çlirimtares. Ndershmëria, besa dhe karakteri në atë kohë egzistonin dhe ishin të theksuara tek çdo shqiptar, por prapambetja dhe injoranca ishin ende në masë dhe kjo na kushtoi, sepse vakiumi që përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, la, i hapi rrugë virusit të kuq, i mbirë fillimisht në Rusi dhe nëpërmjet Jugosllavisë, pa dëshirën tonë, hyri edhe tek ne dhe me parrullën bolshevike se ‘Do të shkatërrojmë Botën e Vjetër’ dhe ‘Do të ndërtojmë një Botë të Re’, enveristët e ardhur në dyzet e katrën në pushtet, azgjësuan jo vetëm gjithë atë shtresë intelektuale, patriote dhe fisnike, e cila, siç thamë, punoi aq shumë për çështjen shqiptare, por zhduku njëkohësisht edhe atë trashëgimi të krijuar në vite e dekada dhe arësyeja, sepse ai regjim nuk donte popull, por një turmë që qorrazi t’i shërbente vetëm interesave të partisë dhe diktatorit.
Patriotizmi dhe fisnikëria nuk janë nocione, por vyrtute, të cilat kryesisht trashëgohen, edukohen dhe kultivohen dhe ashtu si nuk mund të shkruash një poezi, të pikturosh një tabllo, apo të kompozosh një këngë, pa patur jo vetëm ndjeshmërinë e një artisti, por edhe ambient familjar apo shoqëror, ku je rritur pak a shumë të tillë, ashtu edhe demokrat nuk mund të bëhesh, pa patur një prejardhje apo traditë dhe fakti që në nëntëdhjetën dhe mbas rënies së diktaturës, ato vyrtute i kërkuam përsëri, por nuk i gjetëm, tregon se ato ishin shkulur me rrënjë dhe nuk egzistonin më. Injoranca pra, historikisht na ka kushtuar dhe kjo, siç thamë edhe më lart, qe edhe një nga arësyet që përqafuan komunizmin dhe pastaj e pësuam; Nga padija dhe injoranca, duke rrëzuar një bust, menduam gjithashtu se shëmbëm edhe diktaturën dhe po nga injoranca kemi njëzet e pesë vjet, që s’po jemi në gjendje të seleksionojmë apo të zgjedhim çka dhe kush i duhet Shqipërisë. Diktatura komuniste me injorancë e ngriti dhe e ndërtoi atë regjim dhe me shofera, karrociera dhe mjelëse lopësh, e përfundoi, por mos ndofta i njëjti fenomen po ndodh edhe sot në demokraci, sepse sikur ajo farë, të cilën në nëntëdhjetën e kërkuam, por na mungonte, të ishte mbjellë, sadopak përsëri, mbas në çerek shekull tranzicion, do kishim me siguri të tjera redimente dhe shoqëria nuk do ishte kjo që aktualisht kemi sot.
Shqiptarët si brënda ashtu edhe jashtë atëdheut për situatën ku ndodhemi, janë mjaft të shqetësuar, por kurrë nuk do të dëshëronim që të humbasin durimin e të kalojnë në pesimizëm, sa të pranonin një shprehje të Shekspirit përdorur tek tragjedia ’Magbeth;
Atëdhe të patëm Nënë, na u bëre Njerkë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Atëdhe të patëm Nënë, Hasan Kostreci, na u bëre Njerkë.

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4020
  • 4021
  • 4022
  • 4023
  • 4024
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT