• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Grupi i ushtarakëve të Task-Forcës së FSK e përfundoi me sukses misionin në Shqipëri

February 10, 2015 by dgreca

Në ceremoninë përcjellëse të tyre mori pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral-major Jeronim Bazo /
Nga Shefqet Kërcelli /
Gjatë këtyre ditëve të vështira për popullin shqiptar si rezultat i përmbytjeve të jashtëzakonëshme kryesisht në zonën jugore të vendit, nuk mungoi as ndihma e popullit dhe shtetit të Kosovës. Pjesë e kësaj ndihme ishte dhe kontributi i vecantë që dha një grup ushtarakësh të FSK, pjesë e Task-Forcës së Regjimentit të Mbrojtjes Civile. Kështu djemtë me uniformë të FSK, nga data 4 deri më datën 9 shkurt 2015 morën pjesë në operacionin për stabilizimin e situatës së ujit në basenin e rezervuarit të Manskurisë. Drejtuesi i këtij grupi N/toger Drilon Llalloshi na tregon punën që u bë nga ushtarakët e FSK, për të larguar ujin e tepërt të basenit nëpërmjet motopompave, pamvarësisht vështirësive të motit e terrenit. Kështu ky grup bashkë me struktura të tjera të Ushtrisë Shqiptare, si Qendrën e Zhytjeve Pashaliman dhe një Togë të Brigadës së Mbështetjes Rajonale, bënë të mundur nxjerrjen e ujit të tepërt nga diga si dhe zhbllokimin e tubit kryesor dhe kolektorit të këtij rezervuari, duke mënjanuar një rrezik e katastrofë natyrore për zonën Golem-Kavajë. Gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri ushtarakët e FSK u shoqëruan nga kapiten Anton Legisi, Komandant i Qendrës Mobile të ASNI. Në respekt të kontributit të vecantë që dha ky grup ushtarakësh për vendin tonë në përballimin e situatës së vështirë të përmbytjeve, para largimit nga vendi ynë, në ambientet e Shtëpisë së Pushimit të Ushtarakëve Durrës, u zhvillua një ceremoni e thjeshtë përcjelljeje, ku mori pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral-Major Jeronim Bazo. Duke ju drejtuar ushtarakëvë të FSK, Gjeneral Bazo tha se së pari, ju sjell urimet më të mira dhe mirënjohjen më të thellë në emër të Ministrit të Mbrojtjes dhe Prefektit të Tiranës, zotit Sadik Vorpsi. Fjalët më të mira dhe urimet më të përzemërta i keni nga banorët e zonës dhe nga ana ime. Ju në emër të popullit e shtetit të Kosovës na u gjendët pranë në këto moment të vështira, duke treguar shpirt humanizmi e fisnikërie. Pamvarësisht sasisë e mjeteve, rëndësi ka mesazhi i këtij akti human, që kur bashkohen forcat, puna bëhet më mirë, njëkohësisht shpalosen dhe vlerat profesionale. Në si ushtarakë në momëntin e duhur bëjmë atë që kërkohet, pa fjalë , pa llafe, nuk presim falenderime por vazhdojmë para, theksoi Gjeneral Bazo. Në fund Shefi i Ushtrisë Shqiptare, falenderoi Popullin e Qeverinë e Kosovës, Shefin e Shtabit të FSK, Gjeneral Kastratin, për gatishmërinë e treguar në eleminimin e pasojave të këtyre përmbytjeve të pazakonta në Shqipëri. Pjesë e kësaj ndihme ishte dhe ky grup i vogël ushtarakësh, që meriton ndere dhe lavdërime për korrektësinë dhe punën që bëri këto ditë për stabilizimin e ujit në rezervuarin e Manskurisë.

Filed Under: Kronike Tagged With: grupi Task-Force, Shefqet Kercelli

Skenarë te rinj për të ardhmen e Kosovës!!!…

February 10, 2015 by dgreca

Nga Dr Enver BYTYCI/- Gazeta gjermane, më e madhja për nga numri i ekzemplareve në shitje, pra gazeta “BILD”, shkruan në numrin e saj të fundit së emigrimi i shqiptarëve nga Kosova dhe dyndja drejt Perëndimit ka vënë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës, aq sa disa vende që e kanë njohur ate po diskutojnë revokimin e njohjës.
Kjo do të thote së eksodi i shqiptarëve të Kosovës është shkak i mizerjes se qeverisjes, por edhe kurth i një projekti të ri për statusin e saj. Po cila do të jetë një zgjidhje e paramenduar, nese revokohet njohja e pavarësisë së Kosovës? Serbia e ka bërë të qartë: Ndarja e saj. Gjithkush e di, e madje as Beogradi nuk e do me Kosovën nën sovranitetin e tij.
Por Beogradi vazhdon të punojë për ndarjën e Kosovës, me qëllim që pasuritë e saj, miliardëshe në Trepcë e në veri të saj t’i aneksojë e t’i mbajë për vetën e saj. Patrick Moore shkruan se “Serbia nuk ka hallin e Kosovës, as të serbëve në Kosovë, ajo interesohet për pasuritë e veriut të Kosoves”.
Shqiptarët e Kosovës, qeverite e Kosovës, institucionët e Kosovës, edhe opozita e Albin Kurtit me duket së po dëshmojne argatine e Serbisë në këtë projekt. Por, me habit qendrimi indiferent i Qeverisë së Tiranës zyrtare për të gjitha ato që kanë ndodhur kohët e fundit në Kosovë?! Dua të shtroj pyetjen, fakti që Qeveria Shqiptare nuk ka bërë e nuk bën asnjë përpjekje për shtimin e njohjeve të shtetit të Kosovës, a mund të interpretohet e të jetë pjesë e këtij skenari serb?! Dëshiroj të jem i gabuar, por nuk me duket se konflikti artificial Tiranë-Beograd për Kosoven të mos këtë një prapavijë të dyshimtë.
Ndërkaq edhe Qeveria e Kosovës nuk flet më për angazhim për njohjet e pavarësisë së saj. Vetë ministri i jashtem dhe kryetari defacto i shumices, Hashim Thaci, me shumë flet për cështje të tjera, sesa për shtimin e njohjeve… Si mund ta interpretojmë këtë kthesë në qendrimin e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare?! Mos ndoshta edhe këta janë marrë vesh për ndarjën e Kosovës?! Po si do ta justifikojne këtë? Si do ta justifikoje politika e Kosovës, pozita e opozita e saj? Si do ta pranoje qeveria e institucionet e Tiranës?!
Me në fund eksodi i shqiptarëve a mos është një vepër e inskenuar per destabilizim, deri në demotivimin e shqiptarëve për mbrojtjen e integritetit dhe teresisë territoriale?! Sepse ndodh që ndërkombëtarët merren vesh me politikën, por politika kërkon të sigurohet së nuk delë nga skena pas zbatimit të skenareve të tillë. Dhe për këtë është punuar më kohë per t’ia ngushtuar lakun qytetarëve të Kosovës, deri në atë masë sa të harrojnë atdheun e vendlindjën në këmbim të mbijetesës!!!

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, për të ardhmen e Kosovës!!!..., Skenarë te rinj

Kadare, nderi i madh i kombit

February 10, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
“Është edhe i suedezëve”- me tha ajo me një buzëqeshje të lehtë duke me lënë kuptoj se Ismail Kadare tashmë është shkrimtar shqiptar i gjithë botës. (Qerim Kryeziu , Sweden ).
Tregimtar, temë analizues dhe poet, Kadare perfaqëson piken më të lartë te literaturës Shqiptare dhe i cili, pa i harruar rrënjet e tij, i ka kaluar kufijtë për t’u ngritur si një zë universal kundër regjimit totalitar. Ai vleresohet si një ndër shkrimtarët dhe intelektualet më të medhënj të Europës të shekullit 20-të dhe veprat e tij jan’ përkthyer në permbi dyzet (40) gjuhë të huaja (v.k) Dhe mbi 40 popuj flasin shqip ; dhe mbi dyzet gjuhë shkruajnë shqip.Mrekulli kombëtare, dhe krenari kreshtare e një populli të vjetër.
“Shqipëria, udhëkryq dhe pike neuralgjike në mes të Lindjes dhe Perëndimit ishte gjithmonë e pranishme në Europë dhe rreth saj, me një gjallëri dhe identitet original të tij.
Të gjitha fytyrat e dashura historike të këtij populli , të gjitha paraqesin madhështinë morale e njrezore , paraqesin gjallërinë dhe stoicizmin e tij si popull- që nga Skënderbeu e deri tek Nënë Tereza , që nga heronjt arvanit e epirot të revolucionit grek ,të udhëhequra nga shqiptari Marko Boqari e deri tek Kadareja’ që nga të parët e Maqedonisë e deri tek jeniqerët dhe 23 vezirët e Imperatorisë Otomane , – e përbëjnë deshminë shpërthyese të pjesëdhënjës shqiptare në historinë e Ballkanit dhe të Europës.
( Livre d’Or d’auteurs français sur les Albanais ), Populli shqiptar , është një popull që me xhelozinë më të madhe është i lidhur me lirinë e tij dhe si i tillë është një faktor i domosdoshëm për baraspeshën ballkanike dhe ate europiane
Gjallëria , identiteti dhe individualiteti i shqiptarit të djeshëm dhe të sotëm , pranohet nga të gjithë miqt tanë.. Nga i buron zëri dhe shpirti i tij që sillet si një forcë centrifugale . për të dhënë me mish e me shpirt si për të tjerët ashtu edhe për vete.
Shqiptari shkon largë na vetja e tij sepse duke e urrejtur shtypjen dhe duke e pasur në zemrën e tij lirinë , në mbijetesë e tij si prometheane ashtu edhe sizifiane. ka qenë i detyruar të shperngulët dhe dhe të shpërthen kufinjt e robërisë duke e dhënë kështu jetën e tij për të arrijtur atë pak që e ka sot/
Dhe nga ky popull lindi Ismail Kadare , , i cili me penën e tij i përshkroi virtytet e larta të shqiptarëve gjatë shekujve ,dinjitetin , krenarinë dhe shpirtbardhësinë e shpirtit të tij e në të njejtën kohë duke i dhënë vend edhe mjerimit të tij dhe dhimbjen në tragjikën e përjetuar . Jehona e historisë , barbaritë e kohërave dhe ethet e mbijetesës ndjehen dhe përjetohen në shkrimet e Kadares, ku nga aty shkëlqen me të gjithë forcën e tij shpirti flakërues e plotë zjarrë dhe i pa lëkundur i një populli më të vjetër të Europës.
Kadareja ndër të tjera për shtypin izraelit, thotë: “Të dyja vendet tona sidoqoftë, vazhdimisht përballen me rrezikun e shfarosjes. Ato jetojnë me rrezikun, me ankthin nga shfarosja.”
“Both countries, however, always face the “threat of disappearing,” he said. “They live with the threat, the anguish, of disappearing.” http://www.timesofisrael.com/albanian-author-of-muslim-origin-wins-book-fair-award

Fahri Xharra, 09.02.15 , Gjakovë

Filed Under: Featured Tagged With: Fahri Xharra, i Kombit, Kadare, nderi i madh

PROJEKT – LIGJI PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT

February 10, 2015 by dgreca

Nga Eugjen MERLIKA/
Mbas shumë vitesh përpjekjesh për të miratuar një ligj mbi trasparencën në dosjet e ish Sigurimit të Shtetit na paraqitet nga Qeveria aktuale një projekt-ligj “Për të drejtën e informimit për dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Në relacionin mbi projekt-ligjin, të datës 6 janar 2015, thuhet : “Nëpërmjet ndërtimit të një rrjeti shumë të madh bashkëpuntorësh dhe të përdorimit të metodave antiligjore dhe antinjerëzore, Sigurimi i Shtetit ka mundur të terrorizojë, të manipulojë, të dekurajojë, të torturojë, të dënojë, të internojë, të ekzekutojë, të shtypë dhe të dhunojë të drejtat elementare njerëzore të qytetarëve shqiptarë.”
Është një pohim shumë i rëndësishëm, mbasi sjell një të vërtetë të pakundërshtueshme mbi natyrën dhe karakterin e regjimit komunist shqiptar, si një regjim terrorist i cili, nëpërmjet organit të tij më shprehës, Sigurimit të Shtetit, e ktheu Shqipërinë në një kamp të stërmadh, ku nuk ekzistonte asnjë liri individi apo e drejtë njerëzore e ku viktimat e dhunës, për frymë poullsie, kalonin shifrat e secilit Vënd të Lindjes komuniste evropiane. Duke mbajtur parasysh se Sigurimi i Shtetit nuk ishte një organizëm i huaj në Shtetin komunist, por “dora besnike” dhe “syri vigjilent” i saj, gjithmonë nën drejtimin epror të partisë komuniste e drejtuesve të saj me Enver Hoxhën në krye, përfundimi logjik është se ajo parti mbeti, deri në fundin e saj, e njëjta parti terroriste, e themeluar nga Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, besnike e përjetëshme e parimeve diktatoriale të komunizmit primitiv të markës staliniane.
Historia e përpjekjeve për t’i dhënë shqiptarëve një ligj që duhej t’i jepte mundësi hyrjeje atyre në sekretin e dosjeve të ish-Sigurimit, është e pasur në dështime, sa që sot jemi i vetmi Vend ish komunist, krahas Rusisë, që nuk e kemi. Shpjegimi duhet kërkuar në një farë strategjie, që i ka shërbyer klasës politike pas komuniste për të ruajtur kontrollin e plotë mbi jetën administrative e politike të Vendit, kryesisht në shmangien e pjesëmarrjes në to të elementëve të padëshiruar, të cilët mund të frenoheshin nëpërmjet vendimesh që buronin nga “fshehtësia e dosjeve”, para të cilave qytetari ishte krejtësisht i pafuqishëm të mbrohej e të nxirrte në dritë të vërtetën e tij.
Duke mbajtur parasysh këto konsiderata mendoj se projekt-ligji qeveritar, nëse kthehet në ligj, është një hap i madh përpara, në drejtim të trasparencës, qoftë përsa i përket mundësisë që i jep viktimave të dhunës së ish Sigurimit të njohin bashkëpuntorët e tij në fatkeqësinë e tyre, ashtu sikurse i shërben edhe imazhit të Vendit, që do të rradhitej, edhe se i fundit, në shtetet e tjera të Evropës ish socialiste. Gjatë gjithë këtyre viteve është përkrahur nga nismëtarë të ndryshëm mendimi se ky lloj ligji duhej të ishte një mbiligj, i cili duhej të përfshinte brënda të gjithë krimin komunist, të personifikuar në ish Sigurimin e Shtetit, zbardhjen e tij e njëkohësisht edhe masat e penalizimit që duhej të rridhnin nga trasparenca mbi të, në drejtim të Shtetit, institucioneve dhe personelit të tyre. Trasparenca dhe lustracioni duhet të shkriheshin në një ligj të vetëm i cili, për arsye të ndryshme, nuk arriti kurrë të shohë dritën. Këmbëngulja për të vazhduar përsëri me atë kërkesë, pa vënë në dyshim vullnetin e mirë të mbështetësve, nuk më duket se tregon realizëm politik, mbasi siç ndodhi në 2008, përsëri mund të pësojë të njëjtin fat, duke u hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e përkrahur nga Komisioni i Venecias. Një gjë e tillë nuk i shërben ish të dënuarve të diktaturës, për të cilët ka më shumë rëndësi të mësojnë se cilët kanë qenë ata që i kanë “shitur” tek ish Sigurimi, duke ndihmuar në përcaktimin e fatkeqësisë së tyre dhe të familjeve, se sa nëse X apo Y janë në ndonjë funksion shtetëror.
Lustracioni, aq shumë i lakuar në këta vite duhet të ishte realizuar, së pari, mbi ish kadro të lartë të fazës së fundit kamaleontike të regjimit komunist të cilët, në projektin e kalesës ramiziane, u caktuan në role drejtuese në partitë e ndryshme. Emrat e funksionet e tyre janë të njohur për të gjithë, nga ish ministra tek ish kryetarë gjykatash, nga ish diplomatë tek ish funksionarë të Sigurimit, por nuk mbaj mënd ndonjë protestë të veçantë për raste të tilla. A kishte nevojë për të parë dosjet e paqena të tyre për të kërkuar largimin e tyre nga politika ?
Projekt-ligji qeveritar e shkëput lustracionin nga trasparenca. I parë në këndvështrimin e mësipërm është një ligj gjysmak, i ngjan gotës së ujit përgjysëm, që për dikë është plot e për dikë bosh. Si ish i dënuar i ndërgjegjes, pa dashur të përfaqësoj askend, veç vetes, mendoj se plotëson kërkesën kryesore që është : “të gjithë qytetarët e prekur të njihen me përmbajtjen e dokumentave të krijuara rreth tyre nga ish Sigurimi i Shtetit.”, thuhet në relacionin shoqërues. Në të njëjtin relacion, në lidhje me mundësinë e punësimit në funksione drejtuese të ish bashkëpuntorëve të Sigurimit thuhet shprehimisht : “ Në ndryshim nga ligjet e mëparëshme me këtë objekt, ndërsa e zbardh të gjithë veprimtarinë në shërbim të ish-Sigurimit të Shtetit për një kategori të gjërë personalitetesh të politikës dhe administratës shtetërore, ligji nuk sanksionon në mënyrë esplicite papajtueshmërinë e ish bashkëpuntorëve me funksionet aktuale përkatëse që ata mund të mbajnë në administratë. Kjo nuk do të thotë se ligji e lejon ushtrimin e funksioneve publike nga ish bashkëpuntorët, por ai e le këtë çështje në juridiksion të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore.”
“ Duke iu shmangur dispozitave ndaluese, ligji e le në dorë të institucioneve përgjegjëse që të hartojnë legjislacion apo akte të tjera rregulluese, në të cilat të përcaktohen ndalesa eventuale për ushtrimin e funksioneve publike nga bashkëpuntorët e ish-Sigurimit të Shtetit.”
Ky problem mbetet për t’u zgjidhur nga një tjetër ligj dhe aktet nënligjore pasuese. A ekziston tek ligjvënësi vullnet për të përballuar problemin ? Askush nuk mund të japë siguri në këtë drejtim, por kjo nuk do të thotë të mos pranohet ligji i parë, duke i vënë kusht sine qua non ligjin e dytë. Edhe në rastin më të keq, mbas miratimit të projekt-ligjit në fjalë mund të vazhdojë beteja për ligjin e dytë, atë të lustracionit.
“Zgjidhja e parë radikale do të ishte që dosjet e Sigurimit të hapen në tërësinë e tyre pa asnjë përjashtim, që do të thotë se qytetarët shqiptarë, të cilët e kanë arritur moshën madhore t’i gjejnë diku këto dosje dhe t’i lexojnë lirisht dhe falas, ashtu siç lexohen librat në një bibliotekë publike.” Hasa një pohim të tillë të çuditshëm në një shkrim të ditëve të fundit. Mos e dhëntë Zoti të sendërtohet një mundësi e tillë që përfytyrohet nga autori i shkrimit. Ata dokumenta nuk janë romane për të argëtuar lexuesit, por dëshmi dramash e tragjedish të shumë mijra njerëzish. Si të tilla nuk mund të jenë objekte panairi në shitje për këdo. Mbi to duhet të ruhet privatësia, siç e parashikon projekt-ligji. Secili duhet të jetë në zotërim të së fshehtës së tij, të cilën vendos ai me ndërgjegje të plotë nëse don t’a bëjë të njohur.
Por projekt-ligji a ka nevojë për ndryshime ? Në të gjej dy nene të cilët mendoj se duhen rishikuar. Neni 3, pika 4, gërma “c” konsideron bashkëpuntor të Sigurimit të Shtetit cilindo që “ka deklaruar gatishmërinë për të dhënë informacione ish Sigurimit të Shtetit”. Në këtë kategori, të formuluar në këtë nen, hyjnë të gjithë ata që kanë firmosur një deklaratë të pregatitur nga oficerët e ish Sigurimit. Ligjvënësi duhet të mbajë parasysh terrorin fizik e psikologjik të jashtzakonshëm që është ushtruar mbi t’ashtuquajturit “armiq të klasës”, apo dhe të tjerëve qytetarë shqiptarë për të rekrutuar njerëz në shërbim. Nëse ajo deklaratë nuk pasohet nga një veprimtari e ndërgjegjëshme në dhënie informacioni, por mbetet vetëm një copë letër e firmosur kush e di se në çfarë kushtesh, nuk duhet të përbëjë n’asnjë mënyrë akuzë bashkëpunimi. Në këtë drejtim mendoj se ajo pikë duhet të riformulohet.
Neni 22, që trajton “E drejta për informimin e t’afërmëve të të vdekurve apo të zhdukurve, në pikën 5 thotë : “Ky nen nuk zbatohet në rastet kur personi i vdekur ose i zhdukur ka shprehur, përpara vdekjes ose zhdukjes, me shkrim, vullnetin e tij për moszbulimin e informacioneve të kërkuara, ose kur ky vullnet mund të provohet qartësisht nga rrethana të tjera.” Më duket e pamundur që një njeri, para ekzekutimit, të kujtohej të linte me shkrim një pohim të tillë. Edhe se mund të ketë pasur ndonjë rast të tillë, përgjithësimi në ligj më duket se le shteg për spekullime, prandaj mendoj se duhet të rishikohet edhe kjo pikë e këtij neni.
Këto ishin dy vërejtje që më ranë në sy në leximin e projekt-ligjit, miratimi i të cilit do të plotësonte një zbrazëti në legjislacionin tonë pas diktatorial e do të ngushtonte, sado pak, hendekun ndërmjet klasës politike e qytetarëve, sidomos viktimave të dhunës komuniste. Projekt ligji parashikon informimin e plotë me emër e mbiemër të bashkëpuntorëve. Nëse ligji do të ndryshohej, në dobi të pseudonimeve apo inicialeve, do të ishte një tjetër mashtrim i madh, një tallje e papranueshme. Nëse Kuvendi i ynë do të merrte përsipër një turp të këtillë, do të dëshmonte paaftësinë dhe mungesën e seriozitetit të klasës politike për të vepruar në dobi të një zhvillimi qytetërues të shoqërisë sonë, duke dekretuar dështimin e saj të plotë e vazhdimësinë me mendësinë e diktaturës.
Shkurt 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: E INFORMIMIT, Eugjen Merlika, PËR TË DREJTËN, PROJEKT – LIGJI

4 – 11 SHKURT 1945- JALTA DHE “PËRANDORIA E SË KEQES”

February 10, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI*/
70 VJET NGA JALTA…/
“Ju jeni të rijë dhe njëditë keni me mërrijtë me pa se shka u ba me Shqipninë ato ditë të zeza të Shkurtit të vitit 1945, në Jalta…Ku, Rusvelti, Stalini dhe Çërçilli, firmosën robninë e Shtetit Shqiptar nën Jugosllavinë komuniste të Titos, me pelqimin e Enver Hoxhës…”
Këto ishin fjalët e njerzëve të dijtun, që mërrijtën me e kuptue robninë e ré mbas vitit 1944, kur në gjithë Europën popujt e shpartalluem nga Lufta e Dytë Botnore andrronin paqen dhe shtetin e lirë demokratik… Po, kurrë…, fshimjen nga harta e Europës!
Ishte PKSH që luftoi, punoi dhe krijoi kushtet që Shteti Shqiptar të fshihej nga Jalta!
Robninë sllavokomuniste të Titos, Partia Komuniste Shqiptare, me 29 nandor 1944 e quejti “çlirim” i Shqipnisë! Partizanët “çlirimtarë” me yllin e kuq në ballë, zhigatën edhe Flamurin e Gjergj Kastriotit me atë “yll të zi”, tue thirrë: “Bijtë e Stalinit jemi né!”
Oficerët anglezë dhe ata amerikanë që ndihmonin forcat partizane në Shqipni, vetem premtonin se do të këthehemi… E ajo ditë që nuk erdhi kurrma, lidhej me stinën kur të “fillonte me dalë gjethi i fikut…” Por, dimni bolshevik, thau edhe barin e fushave…
U vertetuen të gjitha parashikimet…Të Parët tanë vdiqën tue ba “Punën e Pendimit”, që kishin lindë fëmijë në këte Tokë të “mallkueme”, ku provohej vetëm fjala “robni”…
Presidenti i Madh Amerikan Ronald Reagan, e quejti “Përandoria e së keqes” krejt atë pjesë të Europës fatzezë që vazhdonte që në vitin 1944 – 45, me kenë nën robni e dhunen e pamëshirshme të diktaturës komuniste staliniste, ku bante pjesë edhe Shqipnia!
E po, mos ta shpartallonte Presidenti Reagan me Papen Gjon Pali II, robnia vazhdonte…
Vendimet e konferencave të Teheranit (1943) dhe ata të Jaltës (1945), u dyllosen permbi 40 vjetë, dhe as nuk u botuen asnjëherë, jo per arsye sekreti, as frike, nga ana e vetë shteteve nënshkruese, po vetem, per arsye “turpi” të vendimëve robnuese që kishin nenshkrue në emnin e Fuqive ma të mëdha të Botës, Amerikës, Anglisë dhe Bashkimit Sovjetik. Konferenca e Jaltës i “dhuroi” diktatorit sovjetik Stalinit, disa miljon skllavë!
Per me kuptue ma kjartë kush ishte Rusvelti, do të Ju paraqes një thanje të tij: “Mendoj se ai (Stalini shen. im) është përfaqësues i vërtetë i zemrës dhe shpirtit të Rusisë; dhe unë besoj se ne do të shkojmë shumë mirë me të dhe me popullin rus – vërtetë shumë mirë.” (H. Kissinger, Diplomacia, faqe 413.) Besoj, nuk ka nevojë për koment!
Çërçillit i dukej vetja në Kongresin e Berlinit kur fliste per Ballkanin… Dinte se aty asht edhe Greqia!! Per tjerat vendosnin Rusvelti e Stalini, dy “miqtë e mëdhej” të Jaltës…
Mendimet e tyne per shtetet që po dilnin nga lufta bazoheshin vetem nder premtime për zgjedhje të lira, qeveri demokratike në Europen Lindore përveç Jugosllavisë e Shqipnisë.
Mbas plot 20 vjetësh në krye të shtetit diktatorial komunist në Bashkimin Sovjetik, nga viti 1924 e deri në Shkurt 1945, kur Stalinin e njihte gjithë Bota, përveç Rusveltit dhe Fan Nolit (që e vizitoi dy herë Rusinë bolshevike – 1927dhe 1930), mbas Konferencës së Jaltës që u zhvillue në një ndertesë përballë Detit të Zi, “ngjyra e zezë” e Detit, siduket, errësoi trunin dhe pamjen e Presidentit Rusvelt deri aty, sa ai tha për Stalinin: “Ai kishte diçka tjetër përbrenda, përveç asaj revolucionares dhe bolshevikes…Mendoj se diçka futej në natyren e tij, lidhur me mënyrën si duhet të sillej një fisnik i krishterë.” (Diplomacia, fq. 417) Asht kenë perdorë në Shkoder një shprehje nga të vjetrit: “Shyqyr që nuk kam vdekë mbramë, pa e lexue edhe këte marri!” Na ruej Zot, nga truni sifilitik!
Stalini ka shkelë përditë marveshjet e Jaltës, futet ku i shkon mendja…Pushton Poloninë, vret, masakron ke dyshon…Shfarosë pa frikë mija e mija polakë, çekë, letonezë apo estonezë… dhe Çërçilli, i shkruen një letër “mikut tim Stalin”, ndërsa Rusvelti, deri diten që vdiq i shkruente “I dashur shoku Stalin!”…Stalini, i përgjegjët atyne pa pikë turpi: “Në qeverinë polake duhet të sillen vetem ata përsona, që kanë shprehur aktivisht një qendrim miqësor ndaj Bashkimit Sovjetik dhe që janë të gatshëm, ndershmërisht dhe sinqerisht për të bashkëpunuar me shtetin sovjetik.” Ky ishte kriteri i vendosjes së qeverive në të gjitha shtetet satelite të sovjetikëve të tiranit Stalini i “math”, mbas Luftës së Dytë Botnore. Ndersa, mbas Jaltës Stalini, me plot gojë shfaroste njerzit si mushkajat!
Vetem tradhëtarët e Atdheut që pranonin robninë sllavokomuniste bolshevike, vdisnin tue thirrë: “Rroftë babai Stalin!”. P.K.Shqiptare e themelueme nga jugosllavët e Titos me 8 nandor 1941 në Tiranën e Haxhi Qamilit, ashtusi Enver Hoxha, i plotsonte të gjitha kerkesat e Stalinit per qeverisje: “gatishmëninë, ndershmërinë dhe sinqeritetin per të bashkëpunuar me shtetin sovjetik”!! Ik një e eja tjetri ma tradhëtarë se pararendësi!
Enver Hoxha plotsonte të gjitha kushtet per fshimjen e Shtetit Shqiptar nga Harta!
***
Që në vitin 1920 kishte lanë një porosi Poeti ynë Kombtar At Gjergj Fishta, të cilën e këndonte Rinia Shkodrane, derisa në vitin 1945 filloi me mbushë 26 burgjet komuniste:
O Perëndi, a ndjeve?
Tradhëtarët na lanë pa Atdhé,
E Ti rri e gjuen me rrëfé
Lisat n’ për male kot…
O Zot i Madh i Ushtrive!
Shueje ket tokë barbare,
Qi kaq nji frotë tradhëtare
Rritka n’ ketë t’ mbramin mot.
Këtu kafshata e bakëqijvet
Kenka i drejti. Tradhëtari
Po, mund’ u lëkundka n’ ari
Pa drashtë as njeri, as Zot!
(At Gj. Fishta O.F.M. “Juda Makabe” fq. 28)
Melbourne, Shkurt 2015.
* Ne vijim te rubrikes:Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Filed Under: Histori Tagged With: 4 – 11 SHKURT 1945- JALTA, DHE “PËRANDORIA, E SË KEQES”, Fritz radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4105
  • 4106
  • 4107
  • 4108
  • 4109
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT