• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

QEVERIA E KOSOVËS APROVOI PROJEKTLIGJIN PËR TREPÇËN

October 5, 2016 by dgreca

1-qeveria-kosove-5tetor2016-Qeveri e Kosovës miraton e procedon në Kuvend Projektligjin për Trepçën, të premtën seanca plenare/

-Trepça është pronë e Republikës së Kosovës dhe kjo nuk mund të negociohet/

-Projektligjin për Trepçën nuk e votuan përfaqësuesit e Listës Serbe në qeverinë e Kosovës/

-Ligji për Trepçën-falënderim në jug, kundërshtim në veri/

1-qev-treshePRISHTINË, 5 Tetor  2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Projektligji për Trepçën  procedohet nga qeveria, e mbledhur sot, ndërsa do jetë në axhendën e Kuvendit të Kosovës në seancën plenare të së premtës, sipas vendimit të së hënës të Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare.

Në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës, në 29 shtator, kryeministri Isa Mustafa, duke u përgjigjur në pyetjet parlamentare, paralajmëroi një Ligj për Trepçën  “në afatin që të mos rrezikohet e ardhmja e saj”.

Ndërsa, sot në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Mustafa theksoi se, “me ligj është thënë qartë se prona e Trepçës është pronë e Republikës së Kosovës dhe se kjo nuk mund të negociohet, se resurset minerare janë pronë e Kosovës”.

Ministri i zhvillimit ekonomik Blerand Stavileci ka theksuar se projektligj ka për qëllim krijimin e infrastrukturës për revitalizimin dhe investimet në Trepçë, se qeveria do  ketë 80 për qind të aksioneve ndërsa punëtorët 20 për qind.

“Gjashtë muaj më së voni nga hyrja në fuqi e këtij ligji, qeveria së bashku me Bordin Mbikëqyrës të Ndërmarrjes, do t’ia prezantojnë Kuvendit për aprovim Strategjinë Zhvillimore të Trepçës”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në 1 tetor, gjatë vizitën në ndërmarrjen Trepça ka paralajmëruar perspektivë dhe ecje përpara duke theksuar se, “ligji i ri do të jetë në favor të punëtorëve, pa dallim etnie dhe religjioni, si dhe në favor të shtetit tonë në përgjithësi”.

Ndërsa, sipas medias serbe, drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç ka deklaruar sot se, “autoritetet e Prishtinës përmes projektligjit për Trepçën duan ta nacionalizojnë atë kombinat, por kjo nuk do iu kalojë dhe se Beogradi do e mbrojë në çdo mënyrë”.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës projektligjin për Trepçën nuk e kanë votuar tre përfaqësuesit e Listës Serbe, që janë një zëvendëskryeministër e dy ministra.

Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të mëdha PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, zhvilloi sot mbledhjen e 111-të, të 43-tën në 2016-tën, në vazhdim të punës në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.

RAPORTI I GJERË: QEVERIA E KOSOVËS APROVOI PROJEKTLIGJIN PËR TREPÇËN

Prishtinë, 5 tetor 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës mbajti mbledhjen e 111, të drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ku ndër të tjera miratoi Projektligjin për Trepçën.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka prezantuar këtë Projektligj që ka për qëllim krijimin e infrastrukturës ligjore e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit tekniko-teknologjik si parakusht për vitalizmin e “Trepçës”, jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik. Dispozitat e këtij projektligji përcaktojnë transformimin e disa njësive biznesore të Ndërmarrjes Shoqërore “Trepça” në Shoqëri Aksionare me ç‘rast Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë pronar i 80 për qind të këtyre aksioneve, ndërsa punëtorët pronarë të 20 për qind të aksioneve. Më detajisht dhe më saktësisht nenet tjera të kapitullit që bënë fjalë për aksionarët i rregullojnë këto çështje.

Po ashtu, ky projektligj trajton nëpërmjet kapitujve të tij, edhe këto çështje specifike: resurset minerale, bartjen e pasurive të të drejtave dhe burimeve njerëzore, statusin, regjistrimi dhe qeverisja e Shoqërisë Aksionare, mundësia e formimit edhe të njësive tjera biznesore, mundësia e pjesëmarrjes së sektorit privat, çështje sociale dhe raportin me komunitetin, pretendimet e kreditorëve si dhe dispozitat kalimtare dhe përfundimtare.

Ministri Blerand Stavileci, po ashtu, tha se ky proces nuk përfundon me kaq dhe se qysh në fillim secili prej institucioneve ka marrë detyrat e tyre: komisioni parlamentar trajtimin e disa rasteve studimore; Agjencia Kosovare e Privatizimit përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit; dhe që pastaj hap rrugë për Strategjinë Zhvillimore të “Trepçës”.

“Edhe në ligj e kemi precizuar që gjashtë muaj më së voni nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Qeveria së bashku me Bordin Mbikëqyrës të Ndërmarrjes, do t’ia prezantojnë Kuvendit për aprovim Strategjinë Zhvillimore të saj. Duke e ditur që kjo ndërmarrje nuk është një ndërmarrje e thjeshtë dhe karakteri i punëve që janë aty ka një karakter shumë komercial, atëherë kemi dashur që shumë më shumë t’i japim trajtën e një Shoqërie Aksionare e cila i hap në të ardhmen rrugë investimeve, po ashtu edhe tek pjesa ku flet për punëtorët, një lloj kontributi i cili lidhet edhe me performancën e tyre në bazë të njësive biznesore ku ata janë të punësuar. Pra, kemi një ndërmarrje e cila në trajtën e një Shoqërie Aksionare, e cila i ka të definuara shumë mirë me parimet e qeverisjes korporative, dhe të cilat janë të përfshira edhe këtu. Jemi munduar pra që në kuadër të kapitullit të qeverisjes sa më mirë t’i specifikojmë funksionet e dy strukturave kryesore organizative të nivelit më të lartë në hierarkinë e kësaj Shoqërie, Bordit Mbikëqyrës dhe Bordit Menaxhues, dhe natyrisht që në shumë çështje tjera mbetet të precizohen nëpërmjet Statutit të saj. Po ashtu një kapitull shumë i rëndësishëm është ai i mundësisë së pjesëmarrjes së sektorit privat, që qysh tani ky aset i rëndësishëm të nis rrugën e saj të revitalizimit dhe të jetë i hapur për investime të ndryshme. Ne e dimë që sektori minerar në përgjithësi dhe fushat e veçanta të cilat i trajton në këtë rast edhe mineralet dhe xehet “Trepça”, sot për sot në botën bashkëkohore, i kemi disa modele të investimeve të cilat janë të preferuara. Ne edhe këto i kemi paraqitur, pra katër forma të mundshme të tyre: partneriteti publiko-privat; investimet private direkte; investimet e përbashkëta; po ashtu meqenëse kemi të bëjmë me një lloj shoqërie të tillë, edhe mundësia e shitjes dhe emetimit të aksioneve. Tjetër risi është edhe kapitulli për çështje sociale dhe komunitetin. Pra, kemi bërë edhe këtu në kuadër të principeve që kanë sot korporatat gjithandej, ta fusim konceptin e ri të përgjegjësisë sociale. Po ashtu edhe një përqindje e caktuar, e kemi si propozim, e rentës minerare, të jetë e dedikuar për komunitetin, në mënyrë që të mundësoj investime në fushën e infrastrukturës, mbrojtjes së mjedisit, shëndetësisë, arsimit dhe sportit”, tha ministri Stavileci.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu foli për Projektligjin për Trepçën.

“Ndoshta mund të jetë një mos të them problem, por pasqyrë e veçantë kjo që është përshtypja që në mënyrë të ngutshme ne po e vëmë këtë në rend dite edhe në Qeveri edhe në Kuvend. Kam parasysh edhe vërejtjet për këtë që dhanë disa anëtarë të Qeverisë, mirëpo po ashtu kam parasysh edhe një periudhë shumë të gjatë kohore, në të cilën ne kemi punuar për gjetjen e mundësive më të mira për statusin e ardhshëm të “Trepçës”. Ne e kemi themeluar me kohë një komision këtu në Qeveri, që ka pasur për detyrë të hartojë Ligjin për “Trepçën” dhe të përcaktojë statusin e saj, një komision i cili është përbërë prej ekspertëve që ne kemi menduar se janë më të mirët në këtë fushë, përfshirë edhe komunitetin serb. Kemi pasur prezantimin e pesë studimeve të rastit, që janë financuar nga Qeveria, por janë bashkërenditur nga Komisioni për Ekonomi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, që kanë trajtuar rastet e ngjashme ose të njëjta me vendet qoftë në tranzicion ose me vendet e tjera, të cilat pastaj na kanë shërbyer që ne të marrim disa elemente shumë të rëndësishme nga ato dhe t’i inkorporojmë në këtë ligj. Agjencioni për Privatizim ka kontraktuar Studimin e Fizibilitetit, për të cilin ne jemi zotuar me këtë ligj, se rezultatet e atij studimi, do t’i aplikojmë qoftë në themelimin e njësive të pavarura të ardhshme, qoftë edhe në atraktimin e kapitalit privat në “Trepçë”.

Natyrisht se unë si Kryeministër nuk mund të konstatoj se ne me këtë kemi gjet zgjidhjen optimale edhe një zgjidhje të pëlqyeshme dhe të pranueshme për të gjithë, por jam shumë i bindur se është një zgjidhje shumë e mirë për “Trepçën”, se ky ligj për “Trepçën” është me rendësi të veçantë, duke pasur parasysh se “Trepça” paraqet një sinonim të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por paraqet po ashtu një sinonim të sakrificës dhe flijimit për Kosovën, që nuk duhet ta lëmë anash. Por, ne me këtë ligj, si Qeveri, nuk pretendojmë në asnjë rast që ta kthejmë “Trepçën” në të kaluarën, por pretendojmë dhe kemi për qëllim që të pasqyrojmë të ardhmen dhe të hapim të ardhmen e “Trepçës”. Kjo e ardhme mendoj se është mjaft mirë e prezantuar në ligj, sepse janë konsultuar përvojat më të mira dhe rastet më të mira, të cilat na ndihmojnë që ky ligj të mbështes zhvillimin ekonomik, të respektoj kriteret e ekonomisë së tregut dhe të mbrohen interesat e punonjësve, përkatësisht minatorëve të “Trepçës”, përkatësisht të atyre që sot punojnë dhe të atyre që do të punojnë edhe në të ardhmen, sepse ligji i ofron mundësi të hapjes. Me ligj është thënë qartë se prona e “Trepçës” është pronë e Republikës së Kosovës dhe se kjo nuk mund të negociohet, se resurset minerare janë pronë e Kosovës, por po ashtu kemi hap një kapitull të ri në të cilin kemi paraparë që asetet mbitokësore të “Trepçës” janë aset mbi të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës do të ketë aksione 80 për qind dhe 20 për qind do të jenë të punëtorëve të “Trepçës”, dhe po ashtu edhe 20 për qind nga taksat minerare do t’i ndajmë për komunat, përkatësisht për komunitetin në të cilat veprojnë njësitë organizative të “Trepçës”, në mënyrë që të ndihmojmë atje ndërtimin e infrastrukturës, ndërtimin e objekteve të arsimit, kulturës, shëndetësisë, dhe të kompensojmë të gjitha dëmet që ju krijohen vendbanimeve atje dhe ambientit në atë pjesë.Unë mendoj se organizimi i tillë e nxit frymën konkurruese, sepse kemi pjesëmarrje në aksione edhe të punëtorëve të cilët do t’i mbajnë fitimet e tyre në njësitë organizative ku ata i realizojnë këto fitime dhe nuk do të ketë derdhje të të ardhurave prej një njësie në njësinë tjetër, ndërkaq “Trepça” do të jetë organizatë unike me bilanc të konsoliduar, pra njësitë biznesore do ta kenë pavarësinë e tyre në të ardhura, në shpenzime, në identifikimin e rezultatit dhe në ndarjen e devidentit sipas rezultatit që arrihet. E tha edhe ministri gjatë prezantimit që në bazë të Studimit të Fizibilitetit, lihen mundësi të hapura për themelimin e organizatave të reja, të themi te metalurgjia e plumbit, zinkut, industria kimike, por edhe të atyre tjerave që merren me përpunimin dhe me finalizimin e produkteve, edhe për partneritet privat, qoftë përmes investimeve direkte, investimeve të përbashkëta, shitjes së aksioneve.

Unë nuk shoh asnjë arsye që ne në këtë fazë të mos e përkrahim këtë zgjidhje. Unë pajtohem që edhe gjatë procedurave të Kuvendit të mundohemi që, përmes propozimit të amendamenteve, të gjejmë zgjidhje që do të jenë të pranueshme për shumicën e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Por, mund t’ju siguroj se ligji nuk është hartuar për të mbrojtur interesa politike, sepse ne përmes “Trepçës” tani nuk do të zhvillojmë aktivitete të tilla, por është hartuar që “Trepçën” ta konstituojmë në të ardhmen si organizatë e cila do të punojë mbi bazat e ekonomisë së tregut, do të realizojë objektivat ekonomike, do t’ju ndihmojë të punësuarve atje, do të rregullojë çështjet e ambientit dhe do të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit, nga e cila përfitojnë të gjithë njerëzit dhe të gjitha komunitetet, dhe ky është qëllimi ynë themelor që pretendojmë ta realizojmë edhe përmes këtij ligji. Prandaj, ju ftoj që ta përkrahim, ta votojmë dhe ta procedojmë në Kuvend, dhe po ashtu të jemi aktiv edhe në Kuvend dhe të përkrahim të gjitha iniciativat e deputetëve dhe grupeve parlamentare në Kuvend të cilat mund të përmirësojnë edhe më tutje këtë ligj”, tha kryeministri.

1-trepca-veriKOSOVË-LIGJI PËR TREPÇËN-FALËNDERIM NË JUG, KUNDËRSHTIM NË VERI

1-trepca-jug

Menaxhmenti dhe Sindikata e  Ndërmarrjes Trepça në jug në një deklaratë të dërguar falënderojnë për procedimin e ligjit për Trepçën nga qeveria e Kosovës në Kuvend.

“E falënderojmë qeverinë për këtë hap të shumëpritur  dhe paraprakisht i falënderojmë të gjitha grupet parlamentare që shpresojmë shumë se duke votuar pro ligjit për Trepçën do të bëhen pjesë e fillimit të epokës së zhvillimit për Trepçën”, thekson deklarata.

“Ne si menaxhment i Trepçës dhe sindikata e pavarur e punëtoreve të Trepçës zotohemi për marrjen e obligimeve zhvillimore të Trepçës, e që do të jenë me shumë interes për të gjithë”, përfundon deklarata.

Ndërsa, sipas medias serbe,  në veri punëtorët serbë të Trepçës kanë bllokuar sot për 15 minuta rrugën magjistrale që kalon nëpër komunën Zveçan për të kundërshtuar kështu procedimin e ligjit për Trepçën në Kuvendin e Kosovës.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, për Trepçën, PROJEKT – LIGJI, qeveria e Kosoves

PROJEKT -LIGJI PER PRONAT NE KONFLIKT ME VENDIMIN E GJYKATES SE STRASBURGUT

November 17, 2015 by dgreca

VENDIMI I GjYKATES SE STRASBOURGUT DHENE NE FAVOR TE PRONAREVE, KUNDERSHTON HAPUR PROJKET-LIGJIN E QEVERISE QE PO MIRATOHET NE KUVEND/
NGA AGIM TORO/*
Ne daten 10.11.2015 Gjykata e Strasbourgut mori vendimin e radhes duke u dhene te drejte subjekteve te shpronesuara qe kishin paraqitur kerkese per gjykim ne ate te Nderuar Gjykate.
Ky vendim mer nje rendesi te jashtezakoneshme per pronaret shqiptare, te drejtat e te cileve nuk po respektohen nga ana e Shtetit Shqiptar.
Vleresimi i Gykate se Strasbourgut per te drejten e pronesise ne Shqiperi eshte dhene gjithmone ne favor te pronareve dhe asnjehere ne favor te shtetit. Gykata e Strasbourgut i ka mbeshtetur konkluzionet e veta ne faktin se pronaret shqiptare, nen regjimin komunist, jane shpronesuar me dhune e pa shperblim, kush kundershtonte ndeshkohej. Ndryshim i sistemit totalitar me sistemin demokrat duhej, vec te tjerave te korrigjonte fajet e sistemit te kaluar ne drejtim te te drejtave te njeriut, keshtu nder hapat e pare qe duheshin ndermare ishte kthimi i prones pronareve te shpronesuar padrejtesisht si dhe riabilitimi dhe demshperblimi i te perndjekurve politike.
Persa i perket te drejtes se prones, ne fillim u veprua drejte duke shfuqizuar Kushtetuten e viti 1976 qe e kishte shpallur shtetin, pronar te te gjithe tokes. Por pas ketij akti, nen ndikimin e ideve te bartura nga e kaluara u kalua ne ligje pupuliste, me arsyetimin e gjendjes tejet te varfer te fshtarsise. Me ligjin famekeq 7501 toka ju dha falas fshtareve, por qe nuk e punuan ate per arsye se toka u nda ne mbi 2.5 milion ngastra, kushtet e punimit te tokes ishin tejet mjerane dhe prodhimi vendas nuk mund te konkuronte prodhimin e importuar per shkak te cilesise dhe kostos. Keshtu fshataret ne vend qe te punonin token, emigruan jashte shtetit duke punuar ne tokat e atyre vendeve, por qe ishin shume here me te administruara se sa toka ne Shqiperi. Toka ju dha fillimisht ne perdorim dhe me pas ne pronesi. Shteti padrejtesisht ndau edhe token qe nuk ishte pronar dhe ligjji 7501 nuk u zbatua ne gjithe territorin por vetem ne zonat fushore e kodrinore te Shqiperise.
Mbeshtetur ne parimet e keti ligji u zbatua edhe privatizimi i sektoreve te tjjere te ekonomise si privatizimi i ndermarrjeve ne favor gjoja te puntoreve, privatizimi i dyqaneve ne favor te shitsave etj. etj.
Fillimi i ekonomise se tregut tregoi se sigurimi i nje prone te vlefshme te hapte rrugen per tu pasuruar. Politikanet shqiptare dhe militantet e te gjitha partive politike, sidomos ato parlamentare, ju versulen pronave pa pyetur per demin qe u shkaktonin ekonomise se vendit dhe sidomos pronareve. U miratuan ligje vendime e urdhera qe shkelnin me te dyja kembet normat elementare te nje shteti demokratik. Kjo do te conte ne nje deshtim total te ekonomise dhe nga vendi i pare ne Europen Lindore qe po zbatonim reformat e ekonomise se tregut jemi vendi i fundit ne Europen Lindore per t’ju bashkuar familjes europiane. Korrupsioni dhe makuteria e shkelsave te te drejtave te pronareve, te ndihmuar nga ligjet qe i miratonin vete dhe nga sistemi tejet i koruptuar gjyqesor qe gjeten parajsen ne kete vend te quajtur Shqiperi cuan ne kete situate ku shteti eshte ne prag falimentimi si rezultat I vendimeve te gjykates se strasburgut.
Publiksht u pranua se prona i duhej kthyer pronarit, por pa prekur interesat politike dhe ekonomike te klases politike, u miratuan ligje te cilat ne thelb neperkembnin te drejten e pronesise, kthenin me kufizim token truall dhe do kompensonin pronen qe nuk e kthenin. Nga viti 1993 e ne vazhdim eshte pranuar me consensus te forcave politike ne Kuvend se pronaret duheshin kompensuar, per te githe siperfaqen dhe me cmimet e tregut, por asnjehere nuk u mendua si do realizohej ky dertyrim qe premtohej me aq buje.
Erdhi nje dite dhe pronaret u zgjuan, nuk i besuan me politikes dhe drejtesise shqiptare por ju drejtuan Gjykates se te Drejtave te Njeriut, e cila i vleresoi kerkesat e pronareve si te drejta, ka dhene dhjetra vendime ne favor te tyre dhe eshte duke gjykuar disa qindra te tjere. Ajo dha edhe nje vendim pilot ku jepeshin detyra konkrete per Shqiperine, por keto detyra rane ne vesh te shurdher.Asnje prej ketyre detyrave nuk u zbatuan. Partia politike qe drejton pushtetin ekzekutiv u kujdes me shume qe t’u mbushte mendjen nderkombetareve qe po punonte per te zgidhur problemin e pronave, u kujdes me shume te shtynte afatet e detyrimeve qe kishte ndaj pronareve dhe ne thelb nuk beri asgje. AKKP e ngrakuar nga ligji drejtohet nga nje person totalisht i pa afte dhe qe nuk e njef fare procesin e kthimit dhe kompensimit te pronave dhe megjithese kerkoi dhe miratoi ne Kuvend dy here shtyrjen e ligit per vendimarrjen e kthimit te prones pronareve, nuk ka mare asnje vendim duke u bere shembull i qarte i abuzimit me detyren, por eshte prokuriria qe nuk vepron. Kjo Agjensi ne vend qe te zbatonte detyrat qe i ka vene ligji, justifikohet me arsyetimin se po harton ligjin, qe nuk e ka detyre. Dhe zgjidhja u gjet EUREKA, pronareve nuk u japim asgje, perkundrazi te detyrohen ata t’i japin Qeverise.
Se fundmi Qeveria Shqiptare ka derguar per miratim, me procedure te pershpejtuar nje projekt-ligj te ri, te hartuar nga AKKP, qe eshte vleresuar si nje goditje shume e rende e te drejtave te pronareve. Kalimi me procedure te pershpejtuar duke mos mare parasysh ne asnje germe te tij interesat e pronareve duke i kthyer ata nga kerkues te kthimit fizik ne natyre te prones apo kompensimin e saj, padrejtesisht ne borxhlinj te Qeverise, tregoi haptazi se ky projekt – ligj nuk mer parasysh jo vetem Lirite dhe te Drejtat e Njeriut te shprehura dhe pranuara nderkombtarisht, por edhe te Kushtetutes Shqiptare dhe te rregullave e ligjeve te deri sotme. Vullneti i kesaj Qeverie u duk qartazi ne miratimin e hartes se vleres te miratuar ne vitin 2014 te cilen Gjykata e Strasbourgut e hedh poshte.
Qendrimi i Shoqates Kombetare te te Shpronesurve “Pronesi me Drejtesi” ka qene gjithmone ne perputhje me Kushtetuten tone dhe Karten Europiane te te Drejtave te Njeriut, por ka qene dhe eshte Qeveria Shqiptare ajo qe nuk pranon asnje konsultim me Shoqaten dhe nuk respekton e nuk zbaton te drejtat e tyre. Nuk eshte faji i Shoqates qe ndeshkimet e Strasbourgut po vine dhe do te vine njeri pas tjetrit, duhet qe Qeveria, Kuvendi dhe te gjithe te kuptojne se ceshtja e pronave nuk eshte ceshtje e pronareve por e Shtetit Demokratik.
Pa respektimin e te drejtes se prones nuk ka Shtet Demoktratik, nuk ka drejtesi, por ka vetem korrupsion dhe pasurim te politikaneve. Ky eshte thelbi i projket ligjit qe po miratohet ne Kuvend. I bejme thirrje Kuvendit te mos gaboje dhe te miratoje kete projekt-ligj, port ta ktheje mbrapsht per te hartuar nje projekt-ligj te ri ne perputhje me ato qe kerkon e drejta kushtetuese.
Shoqata jone ka kundershtuar fort projekt-ligjin sepse kerkon:
Toka qe nuk kthehet duhet te kompensohet me cmimet e tregut sot. Kurse projekt – ligji i Qeverise nuk parashikon ne asnje rast kthimin fizik te prones pronareve qe u takon, por fut termin e ri, abstract, kompensim brenda prones se pronarit. Pra pronari do kompensohet brenda prones se vet, pra edhe e njef pronen e pronarit me kufi e vendndodhje dhe i thote qe te kompensoj per vleren e gjithe prones, brenda tokes se vet dhe kete e ben duke ndruar zerin kadastral dhe e vlereson me vleren e nje toke tjeter. Lind pyetja e theshte pse nuk perdoret fjala kthim. Sepse Shteti ben dy vleresime per token e pronarit nje me zerin kadastral te 1945 dhe nje me zerin kadstral te 2015 duke ulur cmimet deri 200, 300 deri 1000 here.
Cmimet e tokave sidomos ne qytete gjate ketyre viteve por sidomos ne vitin 2014 pesuan nje ulje drastike, te pa justifikuar edhe para Gjykates se Strasburgut. Kjo i parapriu miratimit te ketij projekt – ligji, pacavure, i cili u miratua nga Qeveria ne menyre te fshehte e pa asnje konsultim .
Prona nuk eshte thjesht prone fizike por te paret tane i kane blere ato per te shtuar kapital, pra per t’u zhvilluar ne te ardhurat e tyre dhe ne zhvillimin prespekriv te prones. Ne e shohim pronen jo si nje send te thjeshte por si nje aset qe prodhon kapital dhe ky eshte nje process ne vazhdim. Meqenese pronat fizike jane te kufizuara dhe kerkesat per zhvillim jane ne rritje atehere pashmangerisht vlera e prones rritet dhe eshte kjo arsyeja qe ne nuk biem dakort me emertimet dhe vleresimet e vitit kur eshte konfiskuar prona, por te pakten me vleren e tregut sot. Nuk eshte shteti qe i ka dhene vlere dhe qe po e perfiton ate tani, por eshte zhvillimi ekonomik i shoqerise qe ka rritur vleren e prones. Sistemi komunist ne kundershtim me ate kapitalist perkundrazi nuk e ka zhvilluat pronen ne vlere te njejte me sistemin kapitalist, prandaj dhe sistemi komunist deshtoi. Poqese pronaret do te gezonin pronen nga viti 1945 e ketej, duke qene se do te ishin ne sistemin ku zhvillohet privatisht prona do kishin perfitime shume here me te medha nga sa kerkojne pronaret sot.
Me i cuditshem eshte fakti se me kete ligj urdherohet Gjykata e Strasbourgut te mos gjykoje me ceshtjet e ardhura nga pronaret shqiptare. Nuk kuptojme ne cfare pozite e kane vene veten hartuesit e ketij projekt-ligji por edhe ne cfare pozite e ve veten Qeveria kur guxon te urdheroje Gjykaten Nderkombetare te Strasburgut? Vaj medet mendesise qe kane, kujtojne se jane keta zoterit e Europes .Por Gjykata e Strasburgut nuk eshte sistemi gjyqesor shqiptar i korruptuar dhe qe perpunohet sipas deshirave te politikaneve shqiptare.
Gykata e Strasburgut shprehet qarte se kthimi i fizik ne natyre i prones eshte nje detyrim dhe vetem ne rastet kur nuk eshte i mundur kthimi fizik ne natyre i prones, ajo te kompensohet dhe kompensimi duhet bere vetem per pronat qe u perdoren per interes public dhe per kete duhet te paguaje e gjithe shoqeria. Por, korrupsioni ekonomik dhe politik nuk lejon kthimin fizik ne natyre te prones. Sot Qeveria ndan tokat me ligjin famekeq 7501, shet toka me 1 euro, jep me qera tokat per 99 vjet me cmime qesharake, nderton gjoja fshatra turistike dhe ua shet token pronareve te vilave (kryesisht politikane dhe pushtetare) me cmime thuajse falas, legalizon falas gjithe ndertimet pa leje edhe ato te ndertuara ne vitin 2014. Vetem mendohet sit e sajojme ne ligj qe pronaret te mos marrin asgje.
Nuk eshte e rastit thirrja e zv.ministrit te drejtesise qe Shteti Shqiptar eshte ne prag te falimentimit dhe se Shteti Shqiptar shkel perdite te drejtat e njeriut. Po te mos luftohet korrupsioni ekonomik e politik dhe po mos kete nje drejtesi qe te mos lejoje ne asnje rast shkeljen e ketyre drejtave sigurisht qe Shqiperia do falementoje jo vetem ne fushen e pronave por ne cdo gje dhe eksperincat e vendit tone ne kete drejtim nuk mungojn.
Gjykata e Strasbourgut jo ne nje rast i ka ardhur ne ndihme Shtetit Shqiptar me konkluzione dhe detyra konkrete por ka qene Shteti Shqiptar qe nuk I ka vleresuar dhe nuk I ka zbatuar ato dhe per kete nuk eshte faji i pronareve.
Me poshte po japim pjese te vendimit te Gjykates se Strasbourgut te dates 10.11.2015 ku trajtohen temat e mesiperme.
2. Vlerësimi i Gjykatës
78. Duke pasur parasysh natyrën joefektive të sistemit aktual të kompensimit dhe duke pasur parasysh, në veçanti, për faktin se tani ka 8 deri 21 vjet që subjektet e shpronesuara presin kompensimin, gjykata, pa i paragjykuar zhvillimet e mundshme në të ardhmen, qe ka parasysh krijimin e një mekanizmi efektiv të kompensimit, e konsideron të arsyeshme për të dhënë subjekteve te shpronesuara, qe jane ankuar ne Gjykate një shumë e cila do të përfaqësojë një zgjidhje përfundimtare dhe shteruese të rasteve.
79. Gjykata përsërit parimin e saj përcaktues se dëmi pasuror të jepet në rastet e shpronësimit të paligjshëm duhet të korrespondojë me vlerën aktuale të pronës nëse kthimi fizik ne natyre nuk eshte i mundur. (shih Brumărescu v. Rumanisë (i drejtë) [GC], nr. 28342/95, §§ 19-24, GJEDNJ 2001-I, dhe Scordino v. Italy (nr. 3) (i drejtë)).
80. Gjykata shqyrtoi një çështje të ngjashme në Vrioni dhe të tjerë k. Shqipërisë, nr. 35720/04 dhe 42832/06, §§ 33-39, 7 dhjetor 2010, në të cilën ajo ka arsyetuar dhe ka arritur në përfundimin se, në rastin e shpronësimeve të paligjshme, të tilla si në aplikimet pranishëme ne Gjykate, në lidhje me të cilën autoritetet duhet t’i japin kompensim në vend te kthimit ne natyre të pasurisë, shuma e kompensimit do të korrespondojnë me vlerën aktuale të pronës.
81. Në Vrioni dhe të tjerët (i drejtë), cituar më lart, Gjykata i dha kompensim në bazë të hartave të vlerësimit të pronave të miratuara në vitin 2008. Kjo metodë e llogaritjes së dëmit material është aplikuar në mënyrë konsistente në të gjitha gjykimet e mëvonshme të miratuara nga Gjykata ( shih Manushaqe Puto dhe të tjerë, cituar më lart, § 125;. Delvina kundër Shqipërisë (i drejtë), jo 49106/06, § 17, 21 maj 2013;. Karagjozi dhe të tjerët [Komiteti], cituar më lart, §§ 63 dhe 65; Siliqi dhe të tjerët [Komiteti], cituar më lart, § 27; dhe Metalla dhe të tjerët [Komiteti], cituar më lart, § 37).
82. Në rastin konkret, Gjykata duhet të përcaktojë nëse ajo duhet t’i referohet hartave të vlerësimit të pronave të vitit 2008 apo ato të vitit 2014 për llogaritjen e dëmit monetar. Pasi shqyrtoi argumentet e palëve, gjykata bën vërejtjet e mëposhtme.
3. Ne vendimin pilot Manushaqe Puto dhe të tjerë, cituar më sipër, në lidhje me dështimin e autoriteteve për të paguar kompensim në vend të kthimit te pronës u dha nga Gjykata më 31 korrik 2012. Ai u bë përfundimtar më 17 dhjetor 2012. Në paragrafin 121 dhe dispozita operative nr. 7 Gjykata nuk vendosi të shtyjë seancën gjyqësore të rasteve që kishin qenë të parashtruara para dorëzimit të këtij vendimi, por për të vazhduar shqyrtimin e tyre edhe pasi vendimi mori formë të prerë. Në lidhje me këtë, aplikimet e pranishëme ishin paraqitur në Gjykatën midis 15 majit 2008 dhe 19 dhjetor 2011. Njoftimi I per keto aplikimeve i është derguar Qeverise nga 25 janar 2010 deri me 20 dhjetor 2013 .
84. Gjykata merr parasysh argumentet e Qeverisë në favor të aplikimit të hartave të vlerësimit të pronës të vitit 2014 për llogaritjen e dëmit material. Ajo mirëpret faktin se vlerësimet e pronës janë (menduar të jetë) të përditësuar çdo vit në bazë të një metodologjie që u miratua me vendim të Qeverisë në vitin 2012. Megjithatë, kjo nuk është bindur nga propozimet e Qeverisë.
85. Në radhë të parë, hartat vlerësimi i pronës 2014 janë miratuar pas futjes së aplikacioneve të pranishëm, që po shqyrtohen në përputhje me udhëzimet e përcaktuara në vendimin pilot. Në këndvështrimin e Gjykatës, referenca për hartat e vlerësimit të vitit 2014 do të sjellin pabarazi në trajtimin e aplikantëve për aq sa mbështetje të çmimit referent është i shqetësuar.
86. Së dyti, Gjykata do të referohen rezervave të bëra gjatë takimit parlamentar të 7 maj 2012 që vërteton se transaksionet e regjistruara me ZRPP nuk pasqyronin në përgjithësi dhe nuk pasqyronin domosdoshmërisht vlerën reale të tregut, si rezultat i evazionit fiskal të kryer nga palët në një kontratë e shitjes. Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se mbështetja në çmimet e shitjes të transaksioneve të regjistruara do të jetë në mospërputhje flagrante me parimin e mirë-vendosur që kompensimi, në rastet e shpronësimit të paligjshëm, duhet të korrespondojë me vlerën e tregut,dhe Gjykata nuk eshte për të treguar masat për të frenuar dhe luftuar evazionin fiskal.
87. Së treti, dhe e lidhur ngushtë me arsyen e dytë, Gjykata është e shqetësuar se çmimet e pronave në disa qytete, veçanërisht në zonat që përjetojnë një rritje të zhvillimit relativisht të lartë, të tilla si qendër të kryeqytetit, Tiranë, kanë përjetuar një rënie të madhe. Gjykata nuk është në gjendje të flasë arsyet për rënie të tillë, por ajo nuk është e bindur se ata objektivisht pasqyrojnë vlerën aktuale të tregut dhe se ata ishin “interesat dhe inflacioni indeksuar”, në mënyrë që të mbulojë për dëmin shkaktuar nga pamundësia e kompensimit gjatë gjithë këtyre viteve (krahasoni Vrioni dhe të tjerët (shpërblim), cituar më lart, § 37).
88. Nuk mundet qe Gjykata të pranojë raportet e ekspertëve të paraqitura nga aplikantët. Vlerësimi i tyre ishte bazuar kryesisht në çmimet e shitjes të blloqeve të apartamenteve ngritur në parcela ngjitur e tokën në vend të vlerave të krahasueshme të ngastrave fqinje të tokës. Në çdo rast, raportet e ekspertëve nuk jane mbështetur ne çmimet e referencës të cilat, ata, përmendin duke u mbështetur në dokumentet mbështetëse.
89. ……
90. Duke pasur parasysh vlerësimet e mësipërme, Gjykata arrin në përfundimin se ajo duhet të përcaktojë dëmin financiar mbi bazën e hartave të vlerësimit të pronës të vitit 2008. Duke pasur parasysh materialin në zotërim të tij, Gjykata e çmon të arsyeshme për të bërë çmime në lidhje me dëmin pasuror dhe jopasuror te tabuluar në shtojcën nr 3.
Agim Toro
Sekretar i Pergithshem i Shoqates Kombetare te te
Shpronesuarve “Pronesi me Dretesi”
* Shkrimit i paraprine kjo leter per Redaksine e Gazetes Dielli:

Filed Under: Analiza Tagged With: Agim toro, Kuvendi, PROJEKT – LIGJI, pronat, Strasburgu

PSE VENDOSA TË HARTOJ NJË PROJEKT – LIGJ PËR MËSIMIN E GJUHËS SHQIPE NË MËRGATË?

June 1, 2015 by dgreca

Mësuesit shqiptarë në mërgatë më të përkushtuarit dhe më të harruarit/
Ftoj deputetët, Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Ministrin e Punëve të Jashtme, Ministren e Arsimit dhe Sporteve, shoqërinë civile, median e shkruar dhe elektronike, të gjithë ata që e kanë në shpirt gjuhën e bukur shqipe, t’i mbështesin me të gjitha mënyrat mësuesit e gjuhës shqipe në mërgatë që fjala dhe germa shqipe të jetojë ndër breza… 
 Shpresoj që në shtator 2015, mësimi plotësues i gjuhës shqipe në mërgatë, të fillojë bazuar me një ligj të veçantë të Kuvendit të Shqipërisë, me akte nënligjore dhe me marrëveshje të dyanshme mes shtetit shqiptar dhe shteteve të tjera për krijimin e një hapësire të gjerë për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e mërgimtarëve…


 Nuk jam jurist dhe nuk kam aq njohje juridike për të formuluar një projekt – ligj për tu miratuar nga Kuvendi i vendit tim, por si gazetar në mërgim, kam njohjen dhe përvojën e një armate mësuesish mërgimtarë në Greqi dhe më gjerë që mbledhin fëmijët e emigrantëve, ku të mundin dhe si të mundin dhe, si në vitet e Rilindjes Kombëtare, u mësojnë atyre të shkruajnë, lexojnë e këndojnë në gjuhën e nënës.
 Mësimi i Gjuhës Shqipe në Mërgatë nga fëmijët e brezit që lindën dhe u rritën në mërgim është një detyrim kushtetues që rrjedh nga nenet 8 dhe 57 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
 Këtë detyrë, përpara shtetit dhe shoqërisë në Atdhe, më mirë se kushdo e kanë përjetuar mësuesit shqiptarë në Greqi, mësues vullnetarë që pa asnjë përkrahje, pa asnjë shpërblim, pa asnjë vlerësim moral, pa asnjë fjalë të mirë, tash katërmbëdhjetë vjet, që nga 7 marsi i vitit 2001, e kanë shtrirë mësimin plotësues të Gjuhës Shqipe nga Selaniku e Kavalla në Veri të Greqisë e deri në Jug, në Patra, Arta dhe në ishujt e largët të Egjeut. Vetëm në Shkollën Shqipe të Selanikut kanë dhënë mësim në katërmbëdhjetë vite mësimore 21 mësues, të cilët u kanë mësuar më se njëmijë fëmijëve ta shkruajnë, ta lexojnë e ta këndojnë fjalën shqipe.
 Përvoja dhe përkushtimi i mësuesve për t’u mësuar fëmijëve gjuhën e nënës është dokumentuar në qindra shkrime në shtypin shqip në Greqi e në gazetat shqiptare, në tre libra monografikë (“Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqiptare e Athinës” dhe “Shkolla shqipe e Selanikut”) si dhe në filmin dokumentar “Vera, mësuesja e dy ishujve”.
 Njëkohësisht përkushtimi atdhetar i tyre është prezantuar në 8 seminare zhvilluar në qytete të ndryshme të Greqisë si dhe në 7 seminare mbarëkombëtare për zhvillimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë; zhvilluar në Durrës, Strugë, Mitrovicë, Vlorë, Prishtinë, Ulqin dhe Berat.
 E kam ngrit zërin e mësuesve në letra të hapura drejtuar ministrive e ministrave, avokatit të popullit etj., por, fatkeqësisht ai ka mbetur pa përgjigje, pa zë e figurë të shtetit e të pushtetit zyrtar në Shqipëri, të shoqërisë civile dhe të organizatave jo qeveritare.
 Më 23 mars 2015, në protokollin zyrtar të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, në pikën 6 flitet për një marrëveshje të bashkëpunimit për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe Mërgatë”
 Kanë kaluar muaj nga 23 marsi 2015 i mbledhjes së dy qeverive pa një zë të vetëm për organizimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë dhe, sikur kjo mos ishte e shkruar e zeza mbi të bardhë dhe të ishte përcjellë nga të gjitha mjetet e komunikimit modern, për ironi Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, ndonëse paralajmëroi se do të ishte e pranishme me një person të saj në një orë mësimi me fëmijët shqiptarë në Greqi më 26 prill dhe se do të merrte pjesë në seminarin e 8-të për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Greqi organizuar nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë”, jo vetëm nuk erdhi njeri por nuk dërguan qoftë edhe një e-mail të thjeshtë në shenjë urimi për këtë ngjarje me vlera të mëdha për mbijetesën e gjuhës shqipe në brezin më të ri të mërgimtarëve.
 Kanë kaluar 14 vjet nga ora e parë e mësimit të gjuhës shqipe në Greqi dhe për ironi asnjë mësues nuk është shpërblyer edhe për një orë mësimi të gjuhës shqipe, nuk i është dhënë qoftë edhe një fletë lavdërimi e thjeshtë, për mos me thënë pastaj për vlerësime presidenciale me dekorata e tituj nderi…(!) 
 Për mua mësuesit shqiptarë në mërgim janë NDERI I KOMBIT, Rilindësit e Rinj të Kohës Sonë.
 Përballë heshtjes ndaj mësuesve dhe shkollës shqipe në mërgatë vendosa…
 TË FLAS…
 TË SHKRUAJ…
 TË VIKAS…
 Shpresoj që Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ta vendosë këtë projekt – ligj në kalendarin e Kuvendit të Shqipërisë duke qenë i sigurt se ai do të marrë votat e të gjitha kuvendarëve.
 Shpresoj që në shtator 2015, mësimi plotësues i gjuhës shqipe në mërgatë, të fillojë bazuar me një ligj të veçantë të Kuvendit të Shqipërisë, me akte nënligjore dhe me marrëveshje të dyanshme mes shtetit shqiptar dhe shteteve të tjera për krijimin e një hapësire të gjerë për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e mërgimtarëve…

Shpresoj… 

Abdurahim Ashiku 
Gazetar-ish mësues.
Shënuar më 1 qershor 2015, Ditën Botërore të Fëmijëve

Filed Under: Mergata Tagged With: Abdurrahim Ashiku, gjuha shqipe, mergata, PROJEKT – LIGJI

PROJEKT – LIGJI PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT

February 10, 2015 by dgreca

Nga Eugjen MERLIKA/
Mbas shumë vitesh përpjekjesh për të miratuar një ligj mbi trasparencën në dosjet e ish Sigurimit të Shtetit na paraqitet nga Qeveria aktuale një projekt-ligj “Për të drejtën e informimit për dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Në relacionin mbi projekt-ligjin, të datës 6 janar 2015, thuhet : “Nëpërmjet ndërtimit të një rrjeti shumë të madh bashkëpuntorësh dhe të përdorimit të metodave antiligjore dhe antinjerëzore, Sigurimi i Shtetit ka mundur të terrorizojë, të manipulojë, të dekurajojë, të torturojë, të dënojë, të internojë, të ekzekutojë, të shtypë dhe të dhunojë të drejtat elementare njerëzore të qytetarëve shqiptarë.”
Është një pohim shumë i rëndësishëm, mbasi sjell një të vërtetë të pakundërshtueshme mbi natyrën dhe karakterin e regjimit komunist shqiptar, si një regjim terrorist i cili, nëpërmjet organit të tij më shprehës, Sigurimit të Shtetit, e ktheu Shqipërinë në një kamp të stërmadh, ku nuk ekzistonte asnjë liri individi apo e drejtë njerëzore e ku viktimat e dhunës, për frymë poullsie, kalonin shifrat e secilit Vënd të Lindjes komuniste evropiane. Duke mbajtur parasysh se Sigurimi i Shtetit nuk ishte një organizëm i huaj në Shtetin komunist, por “dora besnike” dhe “syri vigjilent” i saj, gjithmonë nën drejtimin epror të partisë komuniste e drejtuesve të saj me Enver Hoxhën në krye, përfundimi logjik është se ajo parti mbeti, deri në fundin e saj, e njëjta parti terroriste, e themeluar nga Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, besnike e përjetëshme e parimeve diktatoriale të komunizmit primitiv të markës staliniane.
Historia e përpjekjeve për t’i dhënë shqiptarëve një ligj që duhej t’i jepte mundësi hyrjeje atyre në sekretin e dosjeve të ish-Sigurimit, është e pasur në dështime, sa që sot jemi i vetmi Vend ish komunist, krahas Rusisë, që nuk e kemi. Shpjegimi duhet kërkuar në një farë strategjie, që i ka shërbyer klasës politike pas komuniste për të ruajtur kontrollin e plotë mbi jetën administrative e politike të Vendit, kryesisht në shmangien e pjesëmarrjes në to të elementëve të padëshiruar, të cilët mund të frenoheshin nëpërmjet vendimesh që buronin nga “fshehtësia e dosjeve”, para të cilave qytetari ishte krejtësisht i pafuqishëm të mbrohej e të nxirrte në dritë të vërtetën e tij.
Duke mbajtur parasysh këto konsiderata mendoj se projekt-ligji qeveritar, nëse kthehet në ligj, është një hap i madh përpara, në drejtim të trasparencës, qoftë përsa i përket mundësisë që i jep viktimave të dhunës së ish Sigurimit të njohin bashkëpuntorët e tij në fatkeqësinë e tyre, ashtu sikurse i shërben edhe imazhit të Vendit, që do të rradhitej, edhe se i fundit, në shtetet e tjera të Evropës ish socialiste. Gjatë gjithë këtyre viteve është përkrahur nga nismëtarë të ndryshëm mendimi se ky lloj ligji duhej të ishte një mbiligj, i cili duhej të përfshinte brënda të gjithë krimin komunist, të personifikuar në ish Sigurimin e Shtetit, zbardhjen e tij e njëkohësisht edhe masat e penalizimit që duhej të rridhnin nga trasparenca mbi të, në drejtim të Shtetit, institucioneve dhe personelit të tyre. Trasparenca dhe lustracioni duhet të shkriheshin në një ligj të vetëm i cili, për arsye të ndryshme, nuk arriti kurrë të shohë dritën. Këmbëngulja për të vazhduar përsëri me atë kërkesë, pa vënë në dyshim vullnetin e mirë të mbështetësve, nuk më duket se tregon realizëm politik, mbasi siç ndodhi në 2008, përsëri mund të pësojë të njëjtin fat, duke u hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e përkrahur nga Komisioni i Venecias. Një gjë e tillë nuk i shërben ish të dënuarve të diktaturës, për të cilët ka më shumë rëndësi të mësojnë se cilët kanë qenë ata që i kanë “shitur” tek ish Sigurimi, duke ndihmuar në përcaktimin e fatkeqësisë së tyre dhe të familjeve, se sa nëse X apo Y janë në ndonjë funksion shtetëror.
Lustracioni, aq shumë i lakuar në këta vite duhet të ishte realizuar, së pari, mbi ish kadro të lartë të fazës së fundit kamaleontike të regjimit komunist të cilët, në projektin e kalesës ramiziane, u caktuan në role drejtuese në partitë e ndryshme. Emrat e funksionet e tyre janë të njohur për të gjithë, nga ish ministra tek ish kryetarë gjykatash, nga ish diplomatë tek ish funksionarë të Sigurimit, por nuk mbaj mënd ndonjë protestë të veçantë për raste të tilla. A kishte nevojë për të parë dosjet e paqena të tyre për të kërkuar largimin e tyre nga politika ?
Projekt-ligji qeveritar e shkëput lustracionin nga trasparenca. I parë në këndvështrimin e mësipërm është një ligj gjysmak, i ngjan gotës së ujit përgjysëm, që për dikë është plot e për dikë bosh. Si ish i dënuar i ndërgjegjes, pa dashur të përfaqësoj askend, veç vetes, mendoj se plotëson kërkesën kryesore që është : “të gjithë qytetarët e prekur të njihen me përmbajtjen e dokumentave të krijuara rreth tyre nga ish Sigurimi i Shtetit.”, thuhet në relacionin shoqërues. Në të njëjtin relacion, në lidhje me mundësinë e punësimit në funksione drejtuese të ish bashkëpuntorëve të Sigurimit thuhet shprehimisht : “ Në ndryshim nga ligjet e mëparëshme me këtë objekt, ndërsa e zbardh të gjithë veprimtarinë në shërbim të ish-Sigurimit të Shtetit për një kategori të gjërë personalitetesh të politikës dhe administratës shtetërore, ligji nuk sanksionon në mënyrë esplicite papajtueshmërinë e ish bashkëpuntorëve me funksionet aktuale përkatëse që ata mund të mbajnë në administratë. Kjo nuk do të thotë se ligji e lejon ushtrimin e funksioneve publike nga ish bashkëpuntorët, por ai e le këtë çështje në juridiksion të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore.”
“ Duke iu shmangur dispozitave ndaluese, ligji e le në dorë të institucioneve përgjegjëse që të hartojnë legjislacion apo akte të tjera rregulluese, në të cilat të përcaktohen ndalesa eventuale për ushtrimin e funksioneve publike nga bashkëpuntorët e ish-Sigurimit të Shtetit.”
Ky problem mbetet për t’u zgjidhur nga një tjetër ligj dhe aktet nënligjore pasuese. A ekziston tek ligjvënësi vullnet për të përballuar problemin ? Askush nuk mund të japë siguri në këtë drejtim, por kjo nuk do të thotë të mos pranohet ligji i parë, duke i vënë kusht sine qua non ligjin e dytë. Edhe në rastin më të keq, mbas miratimit të projekt-ligjit në fjalë mund të vazhdojë beteja për ligjin e dytë, atë të lustracionit.
“Zgjidhja e parë radikale do të ishte që dosjet e Sigurimit të hapen në tërësinë e tyre pa asnjë përjashtim, që do të thotë se qytetarët shqiptarë, të cilët e kanë arritur moshën madhore t’i gjejnë diku këto dosje dhe t’i lexojnë lirisht dhe falas, ashtu siç lexohen librat në një bibliotekë publike.” Hasa një pohim të tillë të çuditshëm në një shkrim të ditëve të fundit. Mos e dhëntë Zoti të sendërtohet një mundësi e tillë që përfytyrohet nga autori i shkrimit. Ata dokumenta nuk janë romane për të argëtuar lexuesit, por dëshmi dramash e tragjedish të shumë mijra njerëzish. Si të tilla nuk mund të jenë objekte panairi në shitje për këdo. Mbi to duhet të ruhet privatësia, siç e parashikon projekt-ligji. Secili duhet të jetë në zotërim të së fshehtës së tij, të cilën vendos ai me ndërgjegje të plotë nëse don t’a bëjë të njohur.
Por projekt-ligji a ka nevojë për ndryshime ? Në të gjej dy nene të cilët mendoj se duhen rishikuar. Neni 3, pika 4, gërma “c” konsideron bashkëpuntor të Sigurimit të Shtetit cilindo që “ka deklaruar gatishmërinë për të dhënë informacione ish Sigurimit të Shtetit”. Në këtë kategori, të formuluar në këtë nen, hyjnë të gjithë ata që kanë firmosur një deklaratë të pregatitur nga oficerët e ish Sigurimit. Ligjvënësi duhet të mbajë parasysh terrorin fizik e psikologjik të jashtzakonshëm që është ushtruar mbi t’ashtuquajturit “armiq të klasës”, apo dhe të tjerëve qytetarë shqiptarë për të rekrutuar njerëz në shërbim. Nëse ajo deklaratë nuk pasohet nga një veprimtari e ndërgjegjëshme në dhënie informacioni, por mbetet vetëm një copë letër e firmosur kush e di se në çfarë kushtesh, nuk duhet të përbëjë n’asnjë mënyrë akuzë bashkëpunimi. Në këtë drejtim mendoj se ajo pikë duhet të riformulohet.
Neni 22, që trajton “E drejta për informimin e t’afërmëve të të vdekurve apo të zhdukurve, në pikën 5 thotë : “Ky nen nuk zbatohet në rastet kur personi i vdekur ose i zhdukur ka shprehur, përpara vdekjes ose zhdukjes, me shkrim, vullnetin e tij për moszbulimin e informacioneve të kërkuara, ose kur ky vullnet mund të provohet qartësisht nga rrethana të tjera.” Më duket e pamundur që një njeri, para ekzekutimit, të kujtohej të linte me shkrim një pohim të tillë. Edhe se mund të ketë pasur ndonjë rast të tillë, përgjithësimi në ligj më duket se le shteg për spekullime, prandaj mendoj se duhet të rishikohet edhe kjo pikë e këtij neni.
Këto ishin dy vërejtje që më ranë në sy në leximin e projekt-ligjit, miratimi i të cilit do të plotësonte një zbrazëti në legjislacionin tonë pas diktatorial e do të ngushtonte, sado pak, hendekun ndërmjet klasës politike e qytetarëve, sidomos viktimave të dhunës komuniste. Projekt ligji parashikon informimin e plotë me emër e mbiemër të bashkëpuntorëve. Nëse ligji do të ndryshohej, në dobi të pseudonimeve apo inicialeve, do të ishte një tjetër mashtrim i madh, një tallje e papranueshme. Nëse Kuvendi i ynë do të merrte përsipër një turp të këtillë, do të dëshmonte paaftësinë dhe mungesën e seriozitetit të klasës politike për të vepruar në dobi të një zhvillimi qytetërues të shoqërisë sonë, duke dekretuar dështimin e saj të plotë e vazhdimësinë me mendësinë e diktaturës.
Shkurt 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: E INFORMIMIT, Eugjen Merlika, PËR TË DREJTËN, PROJEKT – LIGJI

Artikujt e fundit

  • “ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË BOTË DHE NË MËNYRË TË VEÇANTË I MËRGATËS TONË KOMBËTARE NË SH.B.A”
  • SHQIPËRIA, LUFTA DHE KRIZA E ÇMIMEVE, SI DO NDRYSHOJNË EKUILIBRAT
  • NË BE ME STANDARDE TË PLOTËSUARA DHE JO ME RETORIKË SARKASTIKE
  • KALATË PELLAZGE TË GANJOLLËS, PECËS E XIBRIT 

  • Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák takime në Kosovë
  • BETEJA E FUSHË-KOSOVËS 1389 DHE TRASHIGIMIA E SAJ…! 
  • President Biden and World Leaders Affirm Unity at the G7 Summit in Europe
  • KOSOVA PARA 33 VITEVE, DAULLE LUFTE TË SERBISË NË DITËN E VIDOVDANIT
  • Pikniku vjetor i AADLC dhe shkollës shqipe “Children of the Eagle”
  • Mundësi të barabarta? – Endërra në sirtar!
  • 20 vite më parë, Familja Mbretërore kthehej përfundimisht në Atdhe
  • “UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
  • DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT
  • Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York
  • Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT