-Qeveri e Kosovës miraton e procedon në Kuvend Projektligjin për Trepçën, të premtën seanca plenare/
-Trepça është pronë e Republikës së Kosovës dhe kjo nuk mund të negociohet/
-Projektligjin për Trepçën nuk e votuan përfaqësuesit e Listës Serbe në qeverinë e Kosovës/
-Ligji për Trepçën-falënderim në jug, kundërshtim në veri/
PRISHTINË, 5 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Projektligji për Trepçën procedohet nga qeveria, e mbledhur sot, ndërsa do jetë në axhendën e Kuvendit të Kosovës në seancën plenare të së premtës, sipas vendimit të së hënës të Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare.
Në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës, në 29 shtator, kryeministri Isa Mustafa, duke u përgjigjur në pyetjet parlamentare, paralajmëroi një Ligj për Trepçën “në afatin që të mos rrezikohet e ardhmja e saj”.
Ndërsa, sot në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Mustafa theksoi se, “me ligj është thënë qartë se prona e Trepçës është pronë e Republikës së Kosovës dhe se kjo nuk mund të negociohet, se resurset minerare janë pronë e Kosovës”.
Ministri i zhvillimit ekonomik Blerand Stavileci ka theksuar se projektligj ka për qëllim krijimin e infrastrukturës për revitalizimin dhe investimet në Trepçë, se qeveria do ketë 80 për qind të aksioneve ndërsa punëtorët 20 për qind.
“Gjashtë muaj më së voni nga hyrja në fuqi e këtij ligji, qeveria së bashku me Bordin Mbikëqyrës të Ndërmarrjes, do t’ia prezantojnë Kuvendit për aprovim Strategjinë Zhvillimore të Trepçës”, tha ai.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në 1 tetor, gjatë vizitën në ndërmarrjen Trepça ka paralajmëruar perspektivë dhe ecje përpara duke theksuar se, “ligji i ri do të jetë në favor të punëtorëve, pa dallim etnie dhe religjioni, si dhe në favor të shtetit tonë në përgjithësi”.
Ndërsa, sipas medias serbe, drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç ka deklaruar sot se, “autoritetet e Prishtinës përmes projektligjit për Trepçën duan ta nacionalizojnë atë kombinat, por kjo nuk do iu kalojë dhe se Beogradi do e mbrojë në çdo mënyrë”.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës projektligjin për Trepçën nuk e kanë votuar tre përfaqësuesit e Listës Serbe, që janë një zëvendëskryeministër e dy ministra.
Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të mëdha PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, zhvilloi sot mbledhjen e 111-të, të 43-tën në 2016-tën, në vazhdim të punës në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
RAPORTI I GJERË: QEVERIA E KOSOVËS APROVOI PROJEKTLIGJIN PËR TREPÇËN
Prishtinë, 5 tetor 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës mbajti mbledhjen e 111, të drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ku ndër të tjera miratoi Projektligjin për Trepçën.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka prezantuar këtë Projektligj që ka për qëllim krijimin e infrastrukturës ligjore e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit tekniko-teknologjik si parakusht për vitalizmin e “Trepçës”, jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik. Dispozitat e këtij projektligji përcaktojnë transformimin e disa njësive biznesore të Ndërmarrjes Shoqërore “Trepça” në Shoqëri Aksionare me ç‘rast Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë pronar i 80 për qind të këtyre aksioneve, ndërsa punëtorët pronarë të 20 për qind të aksioneve. Më detajisht dhe më saktësisht nenet tjera të kapitullit që bënë fjalë për aksionarët i rregullojnë këto çështje.
Po ashtu, ky projektligj trajton nëpërmjet kapitujve të tij, edhe këto çështje specifike: resurset minerale, bartjen e pasurive të të drejtave dhe burimeve njerëzore, statusin, regjistrimi dhe qeverisja e Shoqërisë Aksionare, mundësia e formimit edhe të njësive tjera biznesore, mundësia e pjesëmarrjes së sektorit privat, çështje sociale dhe raportin me komunitetin, pretendimet e kreditorëve si dhe dispozitat kalimtare dhe përfundimtare.
Ministri Blerand Stavileci, po ashtu, tha se ky proces nuk përfundon me kaq dhe se qysh në fillim secili prej institucioneve ka marrë detyrat e tyre: komisioni parlamentar trajtimin e disa rasteve studimore; Agjencia Kosovare e Privatizimit përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit; dhe që pastaj hap rrugë për Strategjinë Zhvillimore të “Trepçës”.
“Edhe në ligj e kemi precizuar që gjashtë muaj më së voni nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Qeveria së bashku me Bordin Mbikëqyrës të Ndërmarrjes, do t’ia prezantojnë Kuvendit për aprovim Strategjinë Zhvillimore të saj. Duke e ditur që kjo ndërmarrje nuk është një ndërmarrje e thjeshtë dhe karakteri i punëve që janë aty ka një karakter shumë komercial, atëherë kemi dashur që shumë më shumë t’i japim trajtën e një Shoqërie Aksionare e cila i hap në të ardhmen rrugë investimeve, po ashtu edhe tek pjesa ku flet për punëtorët, një lloj kontributi i cili lidhet edhe me performancën e tyre në bazë të njësive biznesore ku ata janë të punësuar. Pra, kemi një ndërmarrje e cila në trajtën e një Shoqërie Aksionare, e cila i ka të definuara shumë mirë me parimet e qeverisjes korporative, dhe të cilat janë të përfshira edhe këtu. Jemi munduar pra që në kuadër të kapitullit të qeverisjes sa më mirë t’i specifikojmë funksionet e dy strukturave kryesore organizative të nivelit më të lartë në hierarkinë e kësaj Shoqërie, Bordit Mbikëqyrës dhe Bordit Menaxhues, dhe natyrisht që në shumë çështje tjera mbetet të precizohen nëpërmjet Statutit të saj. Po ashtu një kapitull shumë i rëndësishëm është ai i mundësisë së pjesëmarrjes së sektorit privat, që qysh tani ky aset i rëndësishëm të nis rrugën e saj të revitalizimit dhe të jetë i hapur për investime të ndryshme. Ne e dimë që sektori minerar në përgjithësi dhe fushat e veçanta të cilat i trajton në këtë rast edhe mineralet dhe xehet “Trepça”, sot për sot në botën bashkëkohore, i kemi disa modele të investimeve të cilat janë të preferuara. Ne edhe këto i kemi paraqitur, pra katër forma të mundshme të tyre: partneriteti publiko-privat; investimet private direkte; investimet e përbashkëta; po ashtu meqenëse kemi të bëjmë me një lloj shoqërie të tillë, edhe mundësia e shitjes dhe emetimit të aksioneve. Tjetër risi është edhe kapitulli për çështje sociale dhe komunitetin. Pra, kemi bërë edhe këtu në kuadër të principeve që kanë sot korporatat gjithandej, ta fusim konceptin e ri të përgjegjësisë sociale. Po ashtu edhe një përqindje e caktuar, e kemi si propozim, e rentës minerare, të jetë e dedikuar për komunitetin, në mënyrë që të mundësoj investime në fushën e infrastrukturës, mbrojtjes së mjedisit, shëndetësisë, arsimit dhe sportit”, tha ministri Stavileci.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu foli për Projektligjin për Trepçën.
“Ndoshta mund të jetë një mos të them problem, por pasqyrë e veçantë kjo që është përshtypja që në mënyrë të ngutshme ne po e vëmë këtë në rend dite edhe në Qeveri edhe në Kuvend. Kam parasysh edhe vërejtjet për këtë që dhanë disa anëtarë të Qeverisë, mirëpo po ashtu kam parasysh edhe një periudhë shumë të gjatë kohore, në të cilën ne kemi punuar për gjetjen e mundësive më të mira për statusin e ardhshëm të “Trepçës”. Ne e kemi themeluar me kohë një komision këtu në Qeveri, që ka pasur për detyrë të hartojë Ligjin për “Trepçën” dhe të përcaktojë statusin e saj, një komision i cili është përbërë prej ekspertëve që ne kemi menduar se janë më të mirët në këtë fushë, përfshirë edhe komunitetin serb. Kemi pasur prezantimin e pesë studimeve të rastit, që janë financuar nga Qeveria, por janë bashkërenditur nga Komisioni për Ekonomi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, që kanë trajtuar rastet e ngjashme ose të njëjta me vendet qoftë në tranzicion ose me vendet e tjera, të cilat pastaj na kanë shërbyer që ne të marrim disa elemente shumë të rëndësishme nga ato dhe t’i inkorporojmë në këtë ligj. Agjencioni për Privatizim ka kontraktuar Studimin e Fizibilitetit, për të cilin ne jemi zotuar me këtë ligj, se rezultatet e atij studimi, do t’i aplikojmë qoftë në themelimin e njësive të pavarura të ardhshme, qoftë edhe në atraktimin e kapitalit privat në “Trepçë”.
Natyrisht se unë si Kryeministër nuk mund të konstatoj se ne me këtë kemi gjet zgjidhjen optimale edhe një zgjidhje të pëlqyeshme dhe të pranueshme për të gjithë, por jam shumë i bindur se është një zgjidhje shumë e mirë për “Trepçën”, se ky ligj për “Trepçën” është me rendësi të veçantë, duke pasur parasysh se “Trepça” paraqet një sinonim të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por paraqet po ashtu një sinonim të sakrificës dhe flijimit për Kosovën, që nuk duhet ta lëmë anash. Por, ne me këtë ligj, si Qeveri, nuk pretendojmë në asnjë rast që ta kthejmë “Trepçën” në të kaluarën, por pretendojmë dhe kemi për qëllim që të pasqyrojmë të ardhmen dhe të hapim të ardhmen e “Trepçës”. Kjo e ardhme mendoj se është mjaft mirë e prezantuar në ligj, sepse janë konsultuar përvojat më të mira dhe rastet më të mira, të cilat na ndihmojnë që ky ligj të mbështes zhvillimin ekonomik, të respektoj kriteret e ekonomisë së tregut dhe të mbrohen interesat e punonjësve, përkatësisht minatorëve të “Trepçës”, përkatësisht të atyre që sot punojnë dhe të atyre që do të punojnë edhe në të ardhmen, sepse ligji i ofron mundësi të hapjes. Me ligj është thënë qartë se prona e “Trepçës” është pronë e Republikës së Kosovës dhe se kjo nuk mund të negociohet, se resurset minerare janë pronë e Kosovës, por po ashtu kemi hap një kapitull të ri në të cilin kemi paraparë që asetet mbitokësore të “Trepçës” janë aset mbi të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës do të ketë aksione 80 për qind dhe 20 për qind do të jenë të punëtorëve të “Trepçës”, dhe po ashtu edhe 20 për qind nga taksat minerare do t’i ndajmë për komunat, përkatësisht për komunitetin në të cilat veprojnë njësitë organizative të “Trepçës”, në mënyrë që të ndihmojmë atje ndërtimin e infrastrukturës, ndërtimin e objekteve të arsimit, kulturës, shëndetësisë, dhe të kompensojmë të gjitha dëmet që ju krijohen vendbanimeve atje dhe ambientit në atë pjesë.Unë mendoj se organizimi i tillë e nxit frymën konkurruese, sepse kemi pjesëmarrje në aksione edhe të punëtorëve të cilët do t’i mbajnë fitimet e tyre në njësitë organizative ku ata i realizojnë këto fitime dhe nuk do të ketë derdhje të të ardhurave prej një njësie në njësinë tjetër, ndërkaq “Trepça” do të jetë organizatë unike me bilanc të konsoliduar, pra njësitë biznesore do ta kenë pavarësinë e tyre në të ardhura, në shpenzime, në identifikimin e rezultatit dhe në ndarjen e devidentit sipas rezultatit që arrihet. E tha edhe ministri gjatë prezantimit që në bazë të Studimit të Fizibilitetit, lihen mundësi të hapura për themelimin e organizatave të reja, të themi te metalurgjia e plumbit, zinkut, industria kimike, por edhe të atyre tjerave që merren me përpunimin dhe me finalizimin e produkteve, edhe për partneritet privat, qoftë përmes investimeve direkte, investimeve të përbashkëta, shitjes së aksioneve.
Unë nuk shoh asnjë arsye që ne në këtë fazë të mos e përkrahim këtë zgjidhje. Unë pajtohem që edhe gjatë procedurave të Kuvendit të mundohemi që, përmes propozimit të amendamenteve, të gjejmë zgjidhje që do të jenë të pranueshme për shumicën e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Por, mund t’ju siguroj se ligji nuk është hartuar për të mbrojtur interesa politike, sepse ne përmes “Trepçës” tani nuk do të zhvillojmë aktivitete të tilla, por është hartuar që “Trepçën” ta konstituojmë në të ardhmen si organizatë e cila do të punojë mbi bazat e ekonomisë së tregut, do të realizojë objektivat ekonomike, do t’ju ndihmojë të punësuarve atje, do të rregullojë çështjet e ambientit dhe do të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit, nga e cila përfitojnë të gjithë njerëzit dhe të gjitha komunitetet, dhe ky është qëllimi ynë themelor që pretendojmë ta realizojmë edhe përmes këtij ligji. Prandaj, ju ftoj që ta përkrahim, ta votojmë dhe ta procedojmë në Kuvend, dhe po ashtu të jemi aktiv edhe në Kuvend dhe të përkrahim të gjitha iniciativat e deputetëve dhe grupeve parlamentare në Kuvend të cilat mund të përmirësojnë edhe më tutje këtë ligj”, tha kryeministri.
KOSOVË-LIGJI PËR TREPÇËN-FALËNDERIM NË JUG, KUNDËRSHTIM NË VERI
Menaxhmenti dhe Sindikata e Ndërmarrjes Trepça në jug në një deklaratë të dërguar falënderojnë për procedimin e ligjit për Trepçën nga qeveria e Kosovës në Kuvend.
“E falënderojmë qeverinë për këtë hap të shumëpritur dhe paraprakisht i falënderojmë të gjitha grupet parlamentare që shpresojmë shumë se duke votuar pro ligjit për Trepçën do të bëhen pjesë e fillimit të epokës së zhvillimit për Trepçën”, thekson deklarata.
“Ne si menaxhment i Trepçës dhe sindikata e pavarur e punëtoreve të Trepçës zotohemi për marrjen e obligimeve zhvillimore të Trepçës, e që do të jenë me shumë interes për të gjithë”, përfundon deklarata.
Ndërsa, sipas medias serbe, në veri punëtorët serbë të Trepçës kanë bllokuar sot për 15 minuta rrugën magjistrale që kalon nëpër komunën Zveçan për të kundërshtuar kështu procedimin e ligjit për Trepçën në Kuvendin e Kosovës.