• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Konferenca e parë e stërvitjes rajonale “Adrion-Livex-2015”

January 29, 2015 by dgreca

“Adrion-Livex-2015”, marrin pjesër: Shqipëria, Kroacia, Greqia, Italia, Mali i Zi dhe Sllovenia., Iniciativa “ADRION”, është një nismë bashkëpunimi midis vendeve të Adriatikut dhe Jonit dhe ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë detare./
Më datën 29 janar 2015, në Komandën e Forcës Detare u zhvillua konferenca e parë planëzuese e stërvitjes rajonale “Adrion-Livex-2015”. Në këtë konferencë morën pjesë kuadro drejtues dhe organizues të kësaj stërvitje nga vendet pjesmarrëse të iniciativës “ADRION”, konkretisht nga Shqipëria, Kroacia, Greqia, Italia, Mali i Zi dhe Sllovenia. Iniciativa “ADRION”, është një nismë bashkëpunimi midis vendeve të Adriatikut dhe Jonit dhe ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë detare. Këtë vit është edicioni i 10-të i kësaj stërvitje, ku bazuar në sistemin e rotacionit të vendeve pjesmarrëse, vendi organizator i kësaj stërvitje është Shqipëria. Është hera e dytë kur detarët tanë, mbas stërvitjes “Adrion-Livex” të zhvilluar në vitin 2009, do të jenë protogonistë dhe mikpritës të kësaj stërvitje, ndaj ky event kërkon përkushtim dhe përgjegjsi të madhe. Për realizimin me sukses të kësaj stërvitje janë marrë të gjitha masat organizative dhe teknike nga Komanda e Forcës Detare dhe strukturat përkatëse në Flotilje dhe anije. Ky seriozitet u pa dhe në konferencën e parë të kësaj stërvitje ku u prezantua dhe diskutua qëllimi, objektivat, pjesmarrësit, mjetet, situatat detare, rajoni, formacioni i anijeve, radiokomunikimi,etj. Ishte vecori që për herë të parë në këtë stërvitje po bëhen përpjekje maksimale për të përmbushur STANAG-et e NATO-s. Në ndihmë të këtij objektivi madhor është dhe Qëndra jonë e Simulimeve Shqiptaro-Amerikane në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjeve. Kështu specialistët e kësaj qendre, zoti Tony Darlington dhe major Lulëzim Salihi i shpjeguan pjesmarrësve radhën dhe modalitetet që përdorin sektorët përkatës në strukturat e NATO-s për këto lloj stërvitje. Gjithashtu në mars të këtij viti në këtë Qendër do simulohen të gjithë skenarët e mundshëm të kësaj stërvitje të madhe detare, e cila do finalizohet në qershor të këtij viti. Gjatë konferencës specialistët e Degës së Planifikimit dhe Operacioneve në Komandën e Forcës Detare, si dhe përfaqësuesit e Flotave pjesmarrëse të kësaj inciative, Ai i Kroacisë, Lt.Nikola Basic, i Italisë, Lt.Paulo Calvaruso, i Greqisë Kapiten i Rangut të II-të Iosif Papadakis dhe i Malit të Zi, Lt. Ivan Lakovic, prezantuan dhe disktuan variantet dhe detajet e mundshme për realizimin me sukses të stërvitjes detare rajonale “ADRION-Livex-2015”. Konferenca u drejtua nga Kapiten i Rangut të I-rë Adnand Agastra, Shef Shtabi i FD, i cili vlerësoi punën cilësore që është bërë në përgatitjen e kësaj konference përgatitore nga grupi planëzues, gjë që garanton zhvillimin normal të kësaj stërvitje rajonale detare. Në fund të konferencës paraprake, Kapiten i Rangut të I-rë, Adnand Agastra, në emër të Komandantit të Forcës Detare, i falenderoi pjesmarrësit e kësaj konference për diskutimet dhe mendimet e vlefshme që ndihmojnë zhvillimin normal dhe realizimin e objektivave të stërvitjes “ADRION-LIVEX-2015”.

Filed Under: Kronike Tagged With: Nga Shefqet Kërcelli/ Konferenca rajonale

ATENTAT I DËSHTUAR I KOMINTERNISTËVE KUNDËR AHMET ZOGUT NË VITIN 1928

January 29, 2015 by dgreca

Ne Foto: Faik Shatku nga Dibra (1889-1964)-gjykatës/
Shkruan:Eugen SHEHU/
Në fillim të vitit 1927,duket se politika e jashtme e Shqipërisë kishte arritur në parametra të kënaqshëm.Përgjithsisht,kjo politikë,orientohej drejt fqinjësisë së mirë në Ballkan dhe pritej drejt lidhjes e bashkëpunimit me kombet e qytetëruar të perëndimit.Veçanërisht kjo gjë,vërehej në nënshkrimin e një sërë marrëveshjes e paktesh me Italinë,por edhe me marrëdhëniet e qëndrueshme të Shqipërisë me Anglinë,Zvicrën,Amerikën etj.Në këtë kontekst,Politika e Mbretit Zog nuk mund të mos ngjallte pështjellime në Beograd e Athinë.Të parët që vazhdonin me tone ankuese,ndaj lidhjes së Zogut me politikën perëndimore ishin ustallarët e guzhinës sllave të beogradit.Një varg protestash prej tyre synonin të paraqisnin të panevojshëm qëndrimin e presidentit Zog,lidhur me masat e tij për ruajtjen e Adriatikut.Por presidenti shqiptar,në vitin 1927 duke dashur të ruajë idenë e pavarsisë së politikës së jashtme të tij,nuk nguroi të deklaroi se ishte për krijimin e Paktit Adriatik midis Shqipërisë,Italisë,Jugosllavisë dhe Greqisë.Përpara kësaj ideje interesante të tijën,Greqia heshti ndërsa Jugosllavia bëri sikur pranoi në fillim,për t’lënë më pas plotësisht në haresë.Menjëherë pas kësaj,Beogradi bëri çishte e mundur të informonte kancelaritë evropiane se kinse Presidenti shqiptar,po ndërmerrte masa energjike për të fortifikuar kufijtë e Shqipërisë Veriore,në dëm të miqësisë me popujt jugosllav.Fjala ishte në të vërtetë,për një vendroje të thjeshtë që shteti shqiptar i asaj kohe,ndërtonte në malin e Taraboshit,jo shumë larg kufirit,çfar parashihej edhe në rregulloren e ruajtjes së kufijve.Por edhe në takimin me ministrin fuqiplotë jugosllav në Tiranë,kur ky i foli Presidentit Zog për postën e Taraboshit,burri i pjekur shqiptar iu përgjigj :“Ne nuk kemi nevojë të fortifikohemi se jemi një vend antar i Lidhjes së Kombeve,që sigurohemi nga trakte ndërkombëtare“.(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë.Fondi Legata Italiane,dosj.304,fle.18)
Nënteksi ishte i qartë.Shqipëria kish firmosur një pakt me Italianët,të cilët mund të shndrroheshin nesër në rivalë potencial të beogradit dhe atyre që fshiheshin pas tij.Ndërkaq në verën e vitit 1927,Beogradi nisi të grumbullojë në territoret e veta,një numër kundërshtarësh të Presidentit Zog,të cilët i mbante dhe i financonte Beogradi me paratë e veta,përkundrejt statutit të emigrantit politik.Madje ai nuk mungoi të thërras edhe kundërshtarë të tjerë politik të Zogut,të cilët jetonin në Shqipëri,Itali apo Austri.Aq i zellshëm tregohej shtabi serb në këtë proces të fshehtë antishqiptarë,sa nuk vonoi të krijohej komuniteti i Beogradit me shqiptarë,të cilët përgaditeshin të rrëzonin presidentin e tyre në Shqipëri për interesa të serbisë shovene.Grumbullimi i antizogistëve shqiptarë,filloi që në Triestë e mbaronte në Prizëren.Ata instruktoheshin prej emisarëve të beogradit,paguheshin me para në dorë dhe nisën t’u afroheshin kufijve të shtetit amë,sipas planit ushtarak të studiuar më së miri.Ndërkaq vazhdonte armatosja e tyre,“nga Franca,Belgjika dhe arsenalet luftarake të Kragujevacit“.(Ar.Qendror.i shtetit-Tiranë.Fondi 252,dosja 14,fleta 118).
Presidenti Zog e kishte mirë të gdhendur në memorje politikën ekspansioniste të Beogradit,qysh kur ai u largua nga jugosllavia e cila e cilësoi si shqiptar kokëfortë(„tvrdogllavi shiptar“)Zogun,ai gjatë largimit ministrit të jashtëm Pashiqit i pat thënë fjalët historike se „ndahemi si miq,dhe takohemi si armiq“.
Veçanërisht pas vrasjes së Ceno bej Kryeziut,ministër i Shqipërisë në beograd,tentativat e rrëzimit të Presidentit Zog erdhën duke u shtuar.Beogradi nxitoi të forconte bashkëpunimin me organizatën „Bashkimi Kombëtar“ duke bërë çështë e mundur të përmbyste Zogun,qoftë edhe me anën e atentatit.Në muajt e parë të vitit 1928,tek burri i shquar i Matit ishte pjekur mendimi për ndryshimin e qeverisjes nga Republika në Monarki.Në këto,die ai udhëhiqej jo vetëm prej shembujve të mbretërve në Ballkan,por edhe nga mentaliteti i shqiptarëve,të cilët të mbarsur me mentalitetin osman,kërkonin të kishin mbi krye gjithmonë,një prijës i cili të ishte personifikimi i tyre.Të gjithë këto sa thamë më lart,por sidomos përparimi i pa krahasuar i Shqipërisë me fqinjët e saj,çuan në hedhjen në sulme të verbëta,të kundërshtarëve politik të tij.Ngase format klasike të luftërave për të mposhtur burrin e Matit dështuan,antizogistët thirrën në qendër të vëmendjes së tyre krimin ordiner,krim i cili të kujtonte komplotet me të cilët bollshevikët ortodoks eleminuan kundërshtarët politik të tyre.Ndonëse komploti ( për të cilin do të flasim më poshtë) ende nuk është zbardhur në dimensionet e duhura,është vërtetuar tashmë se do të kryhet midis dy-tri bollshevikëve shqiptarë të organizatës „Bashkimi Kombëtar“ si dhe dy-tri pjestarëve të Organizatës së Brendshme Revullucionare Maqedonase- VMRO (Vunutrashnja Makedonaska Revullucionarna Organizacija). Për çudinë e shqiptarëve,në fillim të vitit 1928,një organizatë misterioze ka vepruar në Tiranë nën emrin „Komiteti Maqedon“. Ashtu siç u deklarua më pas në hetuesi,atentati kundër Presidentit Zog,ishte marrë përsipër të kryhej nga Teodor Gjeorgjev dhe Teodor Vullkanov,të dy agjent bullgarë të VMRO-së si edhe nga antarët e organizatës „Bashkimi Kombëtar“,Anastas Pandelja dhe Ibrahim Arapi.Kuptohet që përpara këtyre katër vrasësve të verbër,qëndronin forca të caktuara politike dhe usztallarë të beogradit,Sofjes dhe Moskës.Me egzekutimin e Presidentit Zog,ata parashihnin të arrinin dy gjëra.Së pari,të eleminonin atdhetarin e madh,burrin që po u dilte zot fateve të vendit të tij dhe mbarë shqiptarëve.Dhe së dyti,të shndrronin Shqipërinë,nga një vend i vogël që përparonte drejt qytetërimit perëndimorë,në një gërmadhë të orientuar nga komunizmi ortodoks,ku eksapnsionizmi sllavo-grek do ti kishte duart dhe më të lehta në synimet e saja.
Ishte gjetur pikërisht qyteti bregdetar i Durrësit,vendi ku do të realizohej atentati,në kohën kur Presidenti Zog do të shkonte atje për pushime.Njëri grup,që s’kish lidhje me atentatorët,ishte porositur të vëzhgonte lëvizjet e Presidentit,me ç’rast do t’i udhëzonte dy-tri ditë para atentatit,vrasësit shqiptaro-bullgar.Njëri prej grupit të atentatorëve,Gjeorgjevi,kishte shkuar në Shqipëri ç’prej vitit 1923,ai njihej dhe ishte i deklaruar se pat shkuar në Tiranë si udhëheqës i Federatës Ballkanike që kishte për qëllim bashkimin e shteteve ballkanike nën flamurin e komunizmit.Ndërkaq edhe Vullkanov kishte prirje të veçanta bollshevike.Të dy këta,pos idealit,bashkoheshin edhe prej marrëdhënieve shumë të ngushta familjare.Nuk është aspak për tu çuditur që rolin e koordinatorit të këtij atentati, e kryente kryesekretari i Konsullatës Bullgare në Tiranë.Në ditët e para të qershorit të vitit 1928,Zyra Sekrete e Ministrisë së Punëve të Brendshme Shqiptare,pati marrë njoftime mbi disa takime të fshehta të bullgarëve me komunistët shqiptarë,nuk pati vështirë të hidhte dritë mbi komplotin.Brenda pak ditësh,komplotistët u dërguan për gjykim.Jehona e kësaj ngjarjeje nuk mund të kalonte pa shtjellime në radhët e agjentëve të fshehtë të Beogradit e Sofjes,të cilët patën shprehur të zhduknin kësaj radhe Presidentin Zog. Ndërkaq,komentet ishin të shumtë edhe në shtypin shqiptar.Mendoj të sjell në këtë radhë,disa komente të gazetës „Shekulli i ri“ të datave 29 dhe 30 qershor 1928 .
„Teodor Gjeorgjev : Në fillim të muajt korrik 1926,së bashku me një agjent të Federatës Ballkanike të quajtur Zankov,shtetas Bullgar shkoi në Itali për të blerë disa vegla makina për automobila.Zarkovi kishte ardhur në Tiranë.Kopovski,ky ishte agjent i Federatës në Tiranë dhe të gjitha udhëzimet që i vinin m’i jepte mua me anë të një nënpunësi… Me Zonko-in kemi qëndruar në hotelin “Ballkan” të Triestes.Në një kafe të këtij qyteti jemi takuar me një njeri siç e mësaova më vonë ishte Hasan Prishtina.Zankov-i filloi bisedimet me një njeri që siç ma prezantoi ishte Hasan Prishtina.Mbasi mbaruan bisedimet,Prishtina më tha që pas dreke ora 14.00 ta prisja në këtë vend se kishte një pyetje për të bërë.Kur u takuam në orën e caktuar,Hasani më pyeti si shkojmë në Shqipëri dhe për disa persona.Pastaj më pyeti në mundesha unë të fabrikoja bomba për t’i përdorur më vonë kundër Zogut kur ky të vinte në Durrës.Iu përgjigja se në Durrës njoh Ibrahim Arapin dhe Anastas Pandelen,për këtë të fundit më tha se s’kishte besimMbas disa ditësh Zankov-i u nis për në Vjenë dhe unë për në Durrës.Kur erdha këtu i tregova kunatit tim Teodor Vullkanov bisedimet me Hasan Prishtinën dhe së bashku shkuam në garazhin e Ibrahim Arapit të cilit i thamë atë që na propozoi Prishtina.Arapi na këshilloi të mos bëjmë fjalë se edhe muret kanë vesh.
Shefki Shatku : – Në pyetsi ke thënë se Hasan Prishtina të komandoi të drejtohej tek I.Ohri në Kavajë në rast se nuk kishte për të gjetur material për fabrikimin e bombës se ai kish mjaft të tilla qysh nga koha e luftës së madhe ?
Teodor Gjeorgjev : Po
Shefki Shatku : Tani thua se pyete Vjenën,por më parë pretendoje se propozimin e Hasan Prishtinës ia refuzove krejt ?
Kiço Bisha ; Në rast se Vjena do të përgjigjej në favorin tënd bombën kush do ta fabrikonte ?
Teodor Gjeorgjev : Unë se materialin e kisha sjellë nga Austria dhe italia.
Po nga kjo gazetë “Shekulli i ri “ të datave të sipërpërmendura,po sjell disa shkurtesa dhe nga procesi gjyqsor kundër Ibrahim Arapit,30 vjeçar,siç doli edhe nga seancat gjyqsore ky kishte qenë anëtar i shoqërisë “Bashkimi” të Avni Rustemit.Ja një pjesë kryesore nga procesi ndaj tij.
Shefki Shatku : Çfar relazioni ke pasur me Hasan Prishtinën ?
Ibrahim Arapi ; Vetëm nga fytyra e njoh.S’kam ndonjë relacion dhe as jam njohur me të.
Shefki Shatku ; Pse u arratise kur edrhi qeveria legale ?
Ibrahim Arapi; Kam qenë anëtar i shoqërisë “Bashkimi”.
Shefki Shatku ; Ku e takove Gjeorgjev-in ?
Ibrahim Arapi ; Kur shkova në Itali e porosità të më sillte disa vegla për garazhin tim.Të nesërmen e kthimit tim në Durrës e takova në pazar së bashku me kunatin e tij Vullkanov dhe e pyeta për porosinë.M’u përgjigj negativisht… dhe më tregoi bisedimet me Hasan Prishtinën…
Shefki Shatku ; Këta e kishin marrë përsipër atentatin ?
Ibrahim Arapi ; …Gjeorgjevi i kish premtuar Prishtinës se dinte të bënte bomba.
Shefki Shatku : Dini ndonjë atentat tjetër kundër kryetarit të Republikës ?
Ibrahim Arapi ; Sulejman Kadriu më ka kallzue se përgaditen dy atentate kundër presidentit,emrat e guximtarëve nuk mi rrëfeu.Po vetëm më tha se një atentat do të bëhej nga një safene pranë Pallatit me pushkë të gjatë dhe tjetri do të kurdisej nga një person që ka miqësi me rrethin e kryetarit për tu pranuar nga shkëlqesia e tij në audiencë.Ky person ka qenë tuberkuloz dhe nuk trembej për jetën e tij edhe sikur të kapej ,atentatin do ta bënte brenda në sallën e audiencës.
Në fund të procesit kundër Ibrahim Arapit janë lexuar deponimet e tij në polici.Në thelb të dëshmisë së tij është fakti se Arapi ka pranuar propozimin e Hasan Prishtinës të bërë nga Gjorgjevi.
Ja dhe një shkurtesë nga procesi i mbajtur kundër Teodor Vullkanovit,i cili ka qenë i datëlindjes 1898,i lindur në Sofje duke bërë disa studime për pikturë.Kurse ka pasë dhënë motrën për grua Teodor Gjorgjevit.Ja një pjesë të procesit gjyqsor ndaj tij.
“Shefki Shatku ; U ka kallëzuar Gjeorgjev-i për çështjen e bombës ?
Teodor Vullkanov ; Vetëm dy fjalë
Shefki Shatku ; Gjeorgjev do të përgadiste bombën ?
Teodor Vullkanov ; nuk më tha se nuk shkojm mirë për arsye familiare.
Shefki Shatku ; Po atëherë të foli për çështjen e bombës ?
Teodor Vullkanov ; Nuk e di “
Më 2 korrik 1928,në bazë të provave të qarta,të dala nga deponimet e katër të arrestuarve kryesorë,gjykata shqiptare dënoi me vdekje Bullgarët Gjorgjev e Vullkanov,si edhe shqiptarin Ibrahim Arapi.Të tjerët,ngase patën treguar gjithshka që dinin,që në fillim,u liruan.Me këtë akt ligjor,qeveria dhe drejtësia shqiptare,u jepte një goditje të merrituar krejt qarqeve antikombëtare,të cilat kërkonin instalimin e komunizmit në Shqipëri dhe pengimin e reformave demokratike të ndërmara nga shetit i atëhershëm shqiptar,Dy muaj më pas,në bazë të vullnetit të popullit shqiptar i përfaqsuar prej Asamblesë Kushtetuese,burri i Matit shpallet Mbret i Shqiptarëve,duke u përballur me detyra të reja edhe më të vështira.Besoj se shumkush pak shqiptarë të asaj kohe, e patën kuptuar se shpëtimi i Mbretit të tyre prej këtij atentati,ishte shpëtim i tyre(qoftë edhe për 11 vjet) prej murtajës së rrezikshme të komunizmit ,që më vonë kjo u dëshmua.Por ajo që ka dhe një rëndësi të veçantë,është fakti që Mbreti i Shqiptarëve,Ahmet Zogu,jo vetëm kurë si njohu kufijtë e vitit 1913,por aq më tepër edhe atë copë të një shqipërie të mbetur politike e shpëtoi nga kthetrat e njëfar të ashtuqujature “federate ballkanke” ku do të dominonin popujt sllavo-grek,si gjithmonë nën dirigjimin e politikës Francese e Ruse.Kjo është një meritë e Mbretit Zog.
Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: AHMET ZOGUT, ATENTAT I DËSHTUAR, I KOMINTERNISTËVE, Kunder, NË VITIN 1928

MËSUESJA E ROGANËS

January 29, 2015 by dgreca

Nga Rrustem Geci-Dortmund/
Jam e përkushtuar në edukimin dhe mësimdhënien sa më cilësore tek nxënësit, shprehet mësuesja Belgize Hyseni-Kryeziu. Për 15 vjet të punës sime dhe të angazhimit tim në Shkollë Fillore „Metush Krasniqi“ në Roganë, kujtoj se kam bërë atë që duhet bërë. Nxënësit e mi e kanë nxënë kuptimin e ligjërimit, kuptimin e gjuhës dhe shkrimit, dhe kuptimin e vlerave historike dhe kuturore të popullit tonë. Dituritë e thella janë vlera të kohës sonë. Zhvillimet teknologjike në arsim japin shumë mundësi të marrjes së diturive. Nxënësit e mi, thotë Belgizare Hyseni-Kryeziu, e flasin dhe e shkruajnë drejt e bukur, gjuhën e letërsisë, identitetin suprem të qenies sonë.
Belgizare Hyseni-Kryeziu u lind në fshatin Breznicë në vitin 1974, nga prindërit; babai Hyseni, dhe nëna Elmazja. Belgizare Hyseni-Kryeziu shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan, ndërsa Fakultetin e Mësuesisë në Universitetin e Kosovës, në Prishtinë. Jeta e mësues, këngëtares së talentuar, spikeres dhe moderatores së shkëlqyer, Belgizare Kryeziut, është plotë beteja pune dhe suksesi. Dashuria për shkollën, dashuria për atdheun, dashuria për kulturën e popullit tonë, mësuesen e Roganes, Belgizare Kryeziun, e bëjnë vërtet mësuese të dalluar, dhe të rrespektuar.
Jeta ime me nxënës është bota ku unë krijoj. Thellësitë dhe gjerësitë e diturisë janë të pafund. Fal gjuhës së letërsisë nxënësit e mi, shprehet mësuesja Belgizare Hyseni- Kryeziu, mund të marrin dijet më cilësore për moshën. Për 15 vjet punë që jam mësuese në Roganë, çdo çast me nxënësit unë e përjetoj si çast të parë. Jam krenare për punën që bëj. Shkolla fillore „Metush Krasniqi“ ka 368 nxënës, dhe 35 arsimtarë. Me këtë shkollë e kam jeten time të mësues. Plotë e kam kraharorin me liri, plotë kam kraharorin me Kosovë. Në shkollë këtu ku punojë kemi një atmosferë të mirë kolegialiteti, ku unë ndjehem jashtëzakonisht e nderuar. E ndiejë veten të gëzuar, që shumë nga nxënësit e mi, sot janë studentë nëpër Universitetet e Kosovës. Liria e Kosovës më thotë Belgizare Hyseni-Kryeziu, është mundësi e madhe në arsimin tonë bashkëkohor.

E kaluara jonë nuk krahasohet me të sotmen. Unë shkollën e mesme e kam kryer në Shtëpitë-Shkollë. Kushtet e mësimit atë kohë kanë qenë nën rrethim policor. Por, fal atdhedashurisë të mësuesve për shkollën, dhe vullnetit të nxënësve për më shumë dije, ia kaluam edhe armikut edhe historisë. Mësuesi i Kosovës sot ka planprogramet e Kosovës së lirë, dhe ligjëron historinë dhe kulturën e popullit tonë me të gjitha vlerat dhe cilësitë e kohës.

Unë jam e diplomuar për pedagoge, por, letërsinë, këngën popullore, dhe folklorike, etnikumin e vendit tim, e kam për zemër, dhe e lëvroj me shumë dëshirë. Jam një çik kurnace dhe pak e druajtur në dëshirat e mia për këngën dhe poezinë. Në Luftën e UÇPBM- së, e tërë familja ime, në Breznicë, ishte krah dhe pjesëmarrëse me kryengritësit e Luginës. Në kohën që po jetojmë, tregon mësuesja e Roganës, Belgizare Hyseni- Kryeziu, nuk jam pa ëndërr. Unë i takoj dy shekujve, atij që iku, dhe këtij që jam. Profesioni i mësueses më pëlqen shumë, dhe këtë punë e bëj me pasion.

Në sferën e familjes më thotë Belgize Hyseni-Kryeziu jam e kënaqur; kam dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Bashkëshorti im, Gazmend Kryeziu me profesion është Magjistër i Farmacisë, ai më ndihmon shumë, në krijimin e hapësirës për punë. Unë dhe Gazmendi punojmë pandërprerë me fëmijët. E ardhmëja na do të ditur. Bija ime, Enisën, dhe biri im, Etniku, janë nxënës të mirë. Fëmijët e mi shprehet Belgizare Hyseni-Kryeziu, përveç mësimeve që marrin në shkollë, ata kanë „marrëdhënie“ të mirë edhe me bibliotekën në shtëpi.

Rogana, ku unë jetoj dhe punoj, më pëlqen shumë. Kushtet për jetë po edhe për punë ( në kushte fshati ) janë të kënaqshme. Rogana nga këdvështrimi im lirik, ka një pamje të pjatës së zgjeruar. Në Roganë, me pak investime mund të krijohen shumë vende për çlodhje, rekreacion, dhe aktivitete sportive. Në kohën e lirë ose mbrëmjeve, vargje të pashkruara ndjekin jetën time të pakënduar.
Në krijimet e mia në poezi fjala mbetet e para. Rogana është fshat i arsimuar dhe me qytetari të formuar. Rogana aktualisht ka 6 doktorë të shkencave, 15 magjistra, 13 shkrimtarë, mjekë, inxhinjerë, farmacistë, profesorë të profesioneve të ndryshme, kompozitorë, pikorë, skulptor, sportistë kombëtar dhe ndërkombëtar, me medale të parë, të dytë, të tretë, pilot, gjeneral, dhe kuadro nga të gjitha profesionet. Në Roganë ka rreth 100 qytetarë me diplomë Universiteti. Fshati Roganë ka 3 mijë banor. E kaluara e Roganës është ende e pashkruar. Në Roganë sot kemi rreth 230 biznese. Ndërtimi i shkollës së re që ka filluar pak muj më parë, është një ëndërr ma shumë për Roganën. Rogana me pamje të pjatës së zgjeruar, është si ( Unazë ) për 11 fshatra të Komunës së Dardanës dhe Komunës së Bujanocit॑. Gjatë një shekulli luftë kundër armikut serb, Rogana i dha lirisë së Kosovës, 75 dëshmorë.
Në kohën e lirë, jo rrallë, në mua troket muza, që t´ia hapi dritaren për ndonjë varg të çastit. Në këtë jetë kështu s´i është, dashurisë të gjithë i përkulemi. Jeta i do sukseset dhe kremtimet e saj. Unë lexoj vazhdimisht letërsi dhe shkencë më thotë Belgizare Hyseni-Kryeziu. Jeta në letër, dhe shkronjat e gjuhës në libra, prej kohësh ma kanë marrë gjumin. Sonte mund të shkuaj në fletoren tim; Jam lodhur nga gushtat e zemërimit / dhe nga inatet dashakeqe të pasqyrave/ vetëm vetes pa pasqyre mund t´ia hapi zemrën / dhe hijeve me hënë dhe yje…

Rrustem Geci – Dortmund, 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: MËSUESJA E ROGANËS, Rustem Geci

Fajet i ka Shqipëria!

January 29, 2015 by dgreca

Unë gjithmonë i kam para syshë fjalët e miqëve të familjarëve të mi që në netët e gjata të dimrit mblidheshin pas darke dhe bisedonin . Dhoma e madhe ; por mbushja e saj me tym duhani nuk e pengonte bisedën e gjatë sa vetë dimri për atdhedashurinë . Edhe pse ishim në tokën tonë , por mbi krye i kishim regjimet e huaja. Shpresat i varnin tek Shqipëria . E unë si i ri mendoja se ,që të gjitha të mirat duhet të na vinin nga mëma ynë. Neve na kishin shkëputur nga trungu , por nuk i kishin prerë degët , rrembat dhe njomëzat e trungut.
Bisedohej . Plaku që e dredhte cigarën në cepin kyesor të dhomës e kishte si të domosdoshme të na përsëritete se pa Kosovë nuk ka Shqipëri. Por prap se prap të mirën gjithëmonë e prisnim nga Shqipëria: na vinin librat të cilat i lexonim sa për një vrap pele, dhe prapë jetonim në pritje të së mirës.
Edhe gjatë verës kur e mbillnim duhanin për mbijetesë, e vapa të përvëlonte , prapë e njejta bisedë : atdhedashuria . Çka ishte patrotizmi ?A prekej ? jo. A kishte ngjyrë ? jo. A kishte shije ? jo. Ne nuk dinim më shumë , por vetëm se humbëshim në deliriumin e së kaluarës ; plot heroizëm , tradhëti , ndërskomësa dhe një shpresë që nuk fashitej ; sa mirë që e kemi Shqipërinë !
Ndiq e mos e zgjat , thot një fjalë popullore “ shyqyr” që e kemi Shqipërinë !( thonjëzat janë për shkak të fjalës së huaj) Ata në zor e në zor , asgjë nuk dinim për njeri tjetrin.

Ndërruen kohërat , në Shqipëri lindi demokracia e në Kosovë u fitua liria . Prapë shpresat nga Shqipëria. Çdo popull e ka qendrën e vet të rëndesës , E ne që jemi rreth e përqark Shqipërisë e që kufizohemi me qendron tonë të gravitetit , mbahemi të forte se e kemi një zë “tenori “ që duhej t`i ndihej ushtima nëpër qendrat botërore . Por…..
E dijmë ne që fjalët “emocion, sfidë , suportim, ingredient “ as që kishim menduar t`i përdornim në fjalorin tonë të përditshëm në Kosovë ? sepse nuk janë shqipe , dhe nuk i përdorin në Shqipëri ( deri në vitet e 90-ta ).
E dijmë ne që na humbi dëshira për gjuhë letrare , pasi që ajo nisi të stërmoqej në Shqipëri ?
E dijmë ne, se kurrë nuk kishim guxuar të kërkojmë gjuhën kosoovarishte dhe kombin kosovar sikur nga Shqipëria të vinin këshilla , vërejtje ?
Po kur dhe kush kishte guxuar në Kosovë që Oliver Jens Schmittin t`a bëj anëtar të Akademisë së Shkencave , sikur mos të ishin hullitë e plluguara në Shqipëri ?
Kur dhe kush guxuar që të flakareshë Skënderbeun në Kosovë , sikur ai të mos “serbizohej “ në Shqipëri ?
Kur dhe kish guxuar të kërkon ndërrimin e historisë në Kosovë sikur kjo mos të inicohej në Shqipëri ?
Fjala e nxjerrë fjalën dhe m`u kujtua që gjuhëtarët e Shqipërisë shkuan aq largë sa që e nxjerrën edhe gjuhën shqipe të një prejardhjeje me gjuhët sllave .
Fjala e nxjerrë fjalën dhe goja nuk rri urt , dhe nga pezmi dhe zhgënjimi njeriu e flet edhe atë që nuk është për tu folur : “Kur u shpiken partiti politike në botën shqiptare ra Perandoria Osmane. Akoma edhe sot militantizmi partiak ja kalon çdo lloj gjëje në këtë vend. Më e shtrenjtë është partia se atdheu. Sa te prapambetur që jemi. Bëri zgjedhje Greqia brenda disa orëve i numeroj votat ,të nesermën u betua kryemnisteri as iu as ciu, këto tonët janë kafshë, o pushtet o ska.(Elena Kocaqi )
Fajet i ka Shqipëria ! Mënyra e mos bërjes së shtetit solid si në Shqipëri ( për mbi 100 vjet) , po ndiqet edhe në Kosovë !Mos më shieni të flas më shumë!

Fahri Xharra, 29.01.15
Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Fajet i ka Shqipëria!

KOSOVA NJË GETO NË ZEMËR TË EUROPËS

January 29, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Kosova një Geto në zemër të Europës. Titulli i këtij shkrimi është tmerrues, por ky është realiteti në Kosovë. Për t’i shpëtuar kësaj getoje, qytetarët e Kosovës, kryesisht të rinjtë kanë marrë ikën përmes Serbisë. Duket sikur dialogu Kosovë-Serbi i ka shërbyer vetëm këtij eksodusi absurd. Stastistikat tregojnë se vetëm vitin që shkoi Kosovën e kanë lënë rreth 50 mijë shqiptarë të Kosovës, kryesisht të rinj, por këto shifra janë zyrtare që do të thotë se realisht ky numër duhet të jetë shumë më i madh.
Sot Kosova përballet me dy rreziqe: I pari nga një qeverisje dhe koalicion si në Republikat e Bananeve; i dyti nga pretendimet territoriale të Serbisë.
Reagimi i qytetarëve ndaj këtyre dy rreziqeve është braktisja e vendit dhe protestat.
Kosova zbrazet pasi nga brenda qytetarët e saj ndeshen me keqqeverisje, korrupsion, papunësi dhe varfëri, ndërsa sinjalet që vinë nga Europa janë indiferencë ndaj popullsisë dhe mbështetje ndaj Hashim Thaçit, i cili shihet si një nga përgjegjësit kryesorë të kësaj gjendje katastrofike që mbizotëron në Kosovë.
“Ne vimë, raportojmë, fotografojmë, e xhirojmë dhimbjen e tyre dhe asgjë nuk ndryshon”. Këto janë fjalët e gazetarit të luftës Anthony Loyd mbi situatën në Siri, por që pasqyrojnë një konkluzion therës dhe të hidhur për të gjitha zonat e krizave. Zona krizash janë ato që kanë luftë ose papunësi. Sepse papunësia gjithmonë prodhon trazira. Gazetarët tregojnë të vërtetën, por lodhen kot, duke rrezikuar jetën.
Konkluzioni i Loyd, që e ka pasë mbuluar edhe luftën në ish-Jugosllavi, vlen edhe për situatën kritike që mbizotëron në Kosovë tash 16 vjet pas ndërhyrjes të NATO-s. Kosova ishte tragjedia e fundit në zinxhirin e tragjedive gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e cila u shoqërua me krime kundër popullsisë civile shqiptare dhe spastrim etnik, por duke mos mjaftuar kjo, Kosova vazhdon të ketë mbetur një Geto në zemër të Europës.
Në 1 qershorin e vitit 1999, i Mbijetuari i Holokaustit dhe Nobelisti i Paqes Elie Wiesel do të shoqëronte Presidentin Clinton në kampet e refugjatëve nga Kosova në Cegrane të Maqedonisë. Ai duke evokuar eksperiencat e tij të hidhura do të thoshte: “Unë kam mësuar diçka nga përvojat e mia si bashkëkohës i shumë ngjarjeve, dhe kur djalli apo e keqja e tregon fytyrën e tij, ju mos prisni, mos e lejoni atë të forcohet, ju duhet të intervenoni, të ndërhyni menjëherë”. Ndërsa gazeta The New York Times e citonte Z. Wiesel të ketë thënë në Washington D.C. “se nëse Perëndimi do të kishte reaguar ndaj Milosheviçit dhjetë vite më parë, tragjedia e Kosovës do të ishte parandaluar”. Por Perëndimi nuk reagon. Ose reagon shumë vonë. Ashtu si reagoi shumë vonë në Bosnje.
Disa ditë më parë televizioni publik italian RAI UNO shfaqi filmin “L’angelo di Sarajevo” – “Ëngjëlli i Sarajevës”– me skenar të mbështetur në librin e gazetarit të luftës Franco Di Mare “Non chiedere perché”- “Mos pyet përse”, botim i Rizzoli, 2011, ku gazetari italian dëshmon se ajo kasaphanë ndaj boshnjakëve myslimanë që ngjau në Sarajevë e Bosnje, në praninë e Kaskave Blu, krahasohet vetëm me atë që ngjau në Auschwitz.
Dhe ndërsa Gjermania më 27 janar kujtonte 70 vjetorin e çlirimit të kampit të përqëndrimit të Auschwitzit, me një ceremoni në Bundestagun gjerman, në Prishtinë populli i Kosovës protestonte për largimin e Jabllanoviçit, ministrit serb të pakicave në qeverinë e Kosovës dhe në mbrojtje të Trepçes si pasuri kombëtare e Kosovës.
Presidenti gjerman Joachim Gauck, nga të paktat figura me të cilat mund të përfaqësohet sot Europa, tha në parlament se „nuk ka identitet gjerman pa Auschwitzin”. “Kujtimi i Holokaustit është një shqetësim i të gjithë gjermanëve, i të gjithë atyre që jetojnë në Gjermani.”
Kështu do të duhej të thoshte edhe presidenti i Serbisë për atë që ngjau në ish-Jugosllavi. Kështu do të duhej të thoshte edhe Ministri i pakicës serbe në Kosovë i cili pretendon të mos dijë asgjë nga tragjedia e Kosovës për të cilën flet Nobelisti i Paqes Elie Wiesel. Ky ministër që i quan Nënat zemërdjegura të Kosovës „egërsira“ pretendon të mos dijë asgjë as nga masakra në Mejë të Gjakovës, ku forcat kriminale serbe kanë ekzekutuar në prillin e 1999 rreth 500 burra e djem shqiptarë, nga mosha 14 vjeç deri 60 vjeç. Ai justifikohet me pretendimin se ka qenë adoleshent, ndërkohë që ka futur në fjalorin e tij arkaizma që tashmë nuk ekzistojnë më dhe kanë dalë nga fjalori si „Kosovë e Metohi“. Adoleshent ka qenë edhe Elie Wiesel kur e dërguan në kapin e përqëndrimit në Buchenwald dhe e ka të memorizuar në kujtesën e tij Holokaustin, ndërsa presidenti aktual i Gjermanisë ka lindur në vitin 1940 dhe prapë kërkon ndjesë për Auschwitzin. Dhe jam e bindur se Gjermani edhe pas një shekulli apo një milenari do të vijojë të mbajë përgjegjshmërinë për Shoah sepse vetëm duke kërkuar ndjesë do të çlirohet nga pesha e rëndë e fajit dhe nga ajo e shkuar turpi.
Ndërsa Serbia jo vetëm që nuk kërkon ndjesë tash e 16 vjet pas çlirimit të Kosovës, jo vetëm ka katapultuar në qeverinë e Kosovës një ministër që hiqet të paktën injorant, por më e madhja është se Serbia nuk ka hequr dorë nga pretendimet ndaj sovranitetit territorial dhe pasurive kombëtare të Kosovës, siç është Trepçja apo Brezovica.

Ndërsa Bashkimi Europian hesht. Pasi ka dirigjuar një dialog të dështuar prej katër vitesh midis Kosovës dhe Serbisë, i cili, në vend t’iu ketë shërbyer urave lidhëse të bashkekzistencës paqsore midis dy vendeve fqinj, sipas interesave bilaterale, Bashkimi Europian rri i heshtur ndaj orekseve të Beogradit, të cilat dihet që e kallën në zjarr e flakë ish-Jugosllavinë dhe aktualisht kanë ndezur protestat popullore në Prishtinë.

Kosova ishte viktimë e një konflikti. Po përse trajtohen sot qytetarët e saj të pafajshëm si të kenë qenë një ushtri agresore që ka shkaktuar tragjedi? Përse Kosova nuk integrohet në asnjë institucion Euro-Atlantik? Përse Kosova nuk ka të drejtë të jetë anëtare e NATO-s? Përse shqiptarët e Kosovës janë të vetmit qytetarë të Ballkanit që nuk gëzojnë të drejtën të përfitojnë nga liberalizimi i vizave? Përse shqiptarët e Kosovës trajtohen si qytetarë të dorës të fundit të Europës? Përse Bashkimi Europian toleron një qeverisje e cila sipas statistikave të institucioneve ndërkombëtare rradhitet si një nga më të korruptuarat në rajon? Përse shqiptarët e Kosovës duke qenë kombi më tolerant në Europë për bashkëjetesën fetare vazhdojnë të ndëshkohen nga Bashkimi Europian sepse janë me shumicë myslimane?
A ka shpresa për rininë e Kosovës, ku papunësia këtu arrin 70 %, kur varfëria këtu është e frikëshme, ndërsa është vendi me mesatare moshe më të re në Europë?
Dihet se konvertimi i shqiptarëve në myslimanë ka qenë tepër i vonët. Ai ka ndodhur në kuadrin e sundimit otoman. Por shqiptarët janë Evropianë doc, ashtu si gjermanët, francezët apo italianët. Po si e harron Europa Skënderbeun, i cili ia ndali hovin Sulltan Muratit III dhe birit të tij Sulltan Mehmetit për të pushtuar të gjithë Europën deri në Atlantik.
Më 7 janarin e këtij viti në mes të Parisit dy të rinj francezë me origjinë nga vendet ish-koloni të Francës dhe të besimit myliman kryen një akt terrorist dhe vranë 12 francezë të tjerë, artistë dhe gazetarë, duke shokuar dhe shkaktuar indinjatë të thellë në gjithë Perëndimin.
Pas këtij akti terrorist, elita franceze i bëri pyetjen vetes nëse ka gabuar diku Franca, që të prodhojë një urrejtje të tillë, ku francezët të shndërrohen në kriminelë xhihadistë dhe të vrasin francezë të pafajshëm. Dhe nuk do të vononte kur kryeministri i Francës Manuel Valls do të deklaronte se „në Francë ekziston një aparteid territorial, social, etnik” “Nuk bëhet fjalë të justifikojmë asgjë, por kemi nevojë edhe ta shikojmë realitetin e Atdheut tonë në sy” ka thënë ai.
Por në Kosovë është një realitet shumë më tronditës se në Francë. Sepse Kosova është një Geto në zemër të Europës, Geto e krijuar prej vetë Europës, për faktin e vetëm se popullsia e Kosovës është me shumicë myslimane. Nuk ka arsye tjetër. Shqiptarët e Kosovës paragjykohen, izolohen, ekskomunikohen lihen në mëshirën e fatit dhe atyre nuk u mbetet asgjë për të bërë veç të ikin, dhe ata që mbeten të protestojnë dhe rebelohen.

DUHET NDËRHYRJA E SHBA

Që Kosova të dalë nga Getoja dhe populli të fitojë besimin e humbur tek të gjithë, duhet ndërhyrja e SHBA. S’ka ilaç tjetër. Kështu u ndal spastrimi etnik dhe vrasja e civilëve të pafajshëm në konfliktin e 1999. Me ndërhyrjen e SHBA u ndal edhe kasaphana në Bosnje e cila zgjati pothuaj katër vjet. Po i referohem rishtas Elie Wiesel, dëshmitarit të Holokaustit, si një Ndërgjegje e Pastër e Vlerave të Perëndimit, i cili ndërhyrjen në Kosovë të amerikanëve e ka quajtur me të drejtë si një „luftë morale“. Por morali i asaj lufte ishte që Kosovës t’i hiqej konotacioni shekullor si “Fuçi Baruti”, çka e përjashton absolutisht kthimin e Kosovës në një Geto. Sepse transformimi në Geto ia kthen Kosovës prapë konotacionin e vjetër dhe rajonit ia kthen rishtaz pasigurinë. Po përse NATO bëri luftë atëherë?!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, KOSOVA NJË GETO, NË ZEMËR TË EUROPËS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4134
  • 4135
  • 4136
  • 4137
  • 4138
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT