Nga Arben Muka/
Rindezja e debatit për lustracionin në Shqipëri po komentohet në mënyra të ndryshme. Dy projektligjeve të paraqitura në parlament i është bashkuar dhe një Apel i rreth 100 personaliteteve të njohur europianë.
“Shtëpisë së gjetheve”, një ndërtesë e fillimit të viteve ’30 në qendër të Tiranës, realisht i mungojnë këto ditë gjethet. Jo vetëm sepse jemi në stinën e antigjelbërimit, por dhe nga vendimi më i fundit i autoriteteve zyrtare për ta “nxjerrë në dritë” godinën. Kjo shtëpi misterioze që ka shërbyer për oficerët NS në Luftën e Dytë Botërore dhe për Sigurimin famëkeq të Shtetit në kohën e diktaturës komuniste, ka hyrë në procedurat e shdërrimit në muze, në zbulim të destinacionit dhe funksionimit të saj si një qendër e sofistikuar e përgjimeve, në aplikimin e “çimkave” regjistruese për mendimet dhe gjykimet e atyre që mendonin ndryshe nga infrastruktura e sistemit totalitar. “Shtëpia me gjethe” ishte laboratori dhe baza e të dhënave e regjimit paranojak, përmes të cilave përpunoheshin dhe stiseshin akuza dhe skema monstruoze për ndëshkime, përndjekje, eleminime të kundështarëve politikë dhe ideologjikë. Ministria e Kulturës kërkon që në mes të Tiranës të ndezë një projektor transparence për të shkuarën e errët, duke ju sjellë vizitorëve vendas dhe të huaj copëza nga realiteti i izolimit dhe përçudnimit të vlerave njerëzore.
E vërteta me qartësi, si mundësi shërimi
Ky projekt nuk ka shkaktuar vetëm kërshëri, por dhe ka rikthyer debatin e hershëm mbi hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Në ambjentet e parlamentit janë depozituar dy versione projektligji për mënyrën e hapjes së dosjeve të policisë sekrete. Por së fundmi ka nisur të qarkullojë dhe një peticion në formën e Apelit për parlamentin për hapjen e plotë të dosjeve të diktaturës komuniste, i mbështetur nga një grup prej rreth 100 personalitetesh të shquara nga vendet europiane, shkrimtarë, anëtarë parlamentesh, politikanë, studiues, përfaqësues të shoqërisë civile, medias etj. Shkrimtari dhe publicisti Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Tiranë, duke prezantuar thelbin e Apelit thekson se mijëra viktima të ekzektuara, qindra mijëra të internuar, të dënuar politikë, familjarë e të afërm, të cilëve iu rrënua jeta, duan drejtësi, nuk duan mëshirë, nuk duan zbukurim të së shkuarës.
“Ata nuk duan ta ndajnë në klasa shoqërinë, e të helmojnë bashkëjetesën siç vepruan përgjegjësit e regjimit komunist. Përkundrazi, kujtimi ndaj tyre duhet të sjellë paqen e brendshme, qëllimi është pajtimi… Viktimat e diktaturës nuk i përkasin asnjë partie, ato janë përmendore kujtimi e të gjithë Shqipërisë. Ka mundësi që leximi i një dosjeje personale mund të ngjajë me dhimbjen e një plage, mund të trondisë, por e vërteta me qartësinë që sjell është një mundësi shërimi”.
Përdorimi i dosjeve nga politika
Dorian Koçi, nëndrejtor i Muzeut Historik Kombëtar, mendon se vonesa për hapjen e dosjeve në Shqipëri është nga shkaku se elita politike që ishte protagoniste e tranzicionit lidhej me shumë fije me të shkuarën. Duke shkuar më tej këtij vlerësimi, ai arsyeton se loja jo e ndershme politike për të qendruar me çdo kusht në pushtet apo në krye të partive të mëdha politike, e shndërroi hapjen e dosjeve në një mekanizëm kontrollues prej nga mund të përfitohej dhe shantazhohej cilido i përfshirë në to. “Të gjithë vendet e ish Lindjes e zgjidhën problemin me të shkuarën që në fillimet e tranzicionit kurse këtu ky problem u hiperbolizua se do të sillte probleme të mëdha në shoqëri. Përdorimi i dosjeve për politikat e çastit u ka mohuar shqiptarëve çastin e tyre historik për t’u ndarë njëherë e mirë me të kaluarën”, thotë Koçi për Deutsche Welle-n.
Në të njëjtën linjë është dhe gazetari Arben Vata, sipas të cilit dosjet nuk janë përdorur prej palëve në skenën politike për të sulmuar kundërshtarët. Madje dhe për t’u mbajtur gojën mbyllur ish-bashkëpunëtorëve të ish Sigurimit famëkeq të diktaturës, thotë ai për Deutsche Welle-n. “Dosjet janë përdorur si mjet i luftës politike dhe mjafton të përmendim këtu komisionet për verifikimin e dosjeve përpara zgjedhjeve në vitet ’96 dhe ‘97. Mendoj se nuk ka pasur asnjëherë seriozitet për çështjen e dosjeve, siç nuk ka pasur seriozitet për shumë levizje e reforma sociale, fatkeqësisht”.
Shkrimtari dhe publicisti Lazër Stani para disa muajsh ishte bashkëideator në ngritjen e muzeut të parë virtual dedikuar jetës së tmerrshme nën diktaturën hoxhiste në Shqipëri, mbi krimet, dënimet, ekzekutimet, persekutimet dhe ferrin e burgjeve dhe vendinternimeve. Sipas tij, përfaqësuesit e popullit dhe politikanët që kanë sunduar në këto 24 vite, asnjëherë nuk shprehën vullnet për t’u ndarë njëherë e mirë nga komunizmi, si një e keqe katastrofike që mbi të gjitha dhunon liritë e individit, poshtëron dhe shkatërron përsonalitetin njerëzor, ushqen urrejtjen në vend të dashurisë, mizorinë në vend të mëshirës, padrejtësinë në vend të drejtësisë. Sundimtarëve të rinj postkomunistë, të të gjithë krahëve, në një farë mënyre, u ka pëlqyer modeli komunist i sundimit, shprehet për Deutsche Welle-n Lazër Stani.
Jo vullnet për transparence të krimeve të komunizmit
“Ky model mbështetej në kriminalizimin e individëve dhe shndërrimin e tyre ne qenie depërsonalizuara, krejtësisht të varura nga makina shtetërore. Mëkatarët e djeshëm, ishin shërbëtorët më të devotshëm të sundimtarëve të rinj, mjafton që mëkatet e tyre të fshiheshin, krimet të mos hetoheshin, po veç të demaskohehsin më fjalë gazetash, e fjalimesh populiste. Ndërkaq zërat e vetmuar të intelektualëve, të përfaqësuesve të shoqërisë civile, por edhe nisma ligjore deputetesh të caktuar, gjithnjë kanë dështuar, sepse vullneti për të bërë transparencën e krimeve të komunizmit dhe hapjen e dosjeve, asnjëherë nuk arriti të shndërrohej në maxhorancë në institucionet vendimmarrëse.”
Stani është skeptik për përpjekjet aktuale në trajtimin e problemit të dosjeve. Pasi, sipas tij, nuk artikulohet ende qartë nëse hapja e dosjeve do të shoqërohet me një dënim të qartë të krimeve të komunizmit dhe me një çlirim të institucioneve të vendit dhe të politikës, nga ata individë që kanë shërbyer në hierarkinë e diktaturës. Kurse gazetari Arben Vata bën asociim me sekuencat e filmit të njohur shqiptar, “Vdekja e kalit”, ku një ish i burgosur politik takon ish persekutorin e tij, njeriun që e denoncoi dhe e futi në burg pa asnjë arsye. Persekutori, tashmë deputet, i thotë të burgosurit të veshur keq që “nëse ke nevoje, ti e di, unë të ndihmoj. Të kaluarës nuk kemi ç’ti bëjmë. Ashtu ishte regjimi…!”.
“Mjaftojnë këto sekuenca dhe lotët e aktorit që luan ish të burgosurin, për të kuptuar lojën që bën politika shqiptare me dosjet. Në gjithë këto vite, dy palët kanë pastruar dosjet e veta ndërsa risjellin në skenë debatin për dosjet sipas interesit të tyre. Sigurisht edhe për të shmangur vëmendjen ndaj problemeve të mëdha të ditës si kriminaliteti, pasiguria e jetës, korrupsioni qeveritar, papunësia, varfëria, etj.”
Nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi shpreson se këtë herë ekziston dëshira dhe vullneti për t’a çuar përpara procesin e hapjes së dosjeve. “Largimi nga politika i një sërë protoganistësh të ndrrimit të pushtetit në fillim të viteve ’90 e bën më të lehtë këtë proces dhe sigurisht duke u bazuar në përvojën më të mirë të vendeve ish komuniste mund të hartohet një ligj që hedh dritë më shumë për të shkuarën, sqaron të tashmen dhe sigurisht i hap udhë së nesërmes”.
Gjermania, shembulli për raportin mes demokracisë me të shkuarën
Duke promovuar projektin e shndërrimit në muze të “Shtëpisë më gjethe”, kryeministri Edi Rama ka përmendur rastin e Gjermanisë në mënyrën se si e ka menaxhuar problemin e dosjeve. Ai ka vlerësuar procesin si një ballafaqim i hapur, i drejtpërdrejtë dhe pa frikë për të shkuarën. “Nëse Gjermania është sot një vend shembull për raportin e vet me demokracinë dhe me të shkuarën dhe nëse Gjermania arriti të bëjë një proces të shkëlqyer transparence në raport me komunizmin, kjo erdhi edhe si rezultat i faktit se Gjermania përbën një shembull unikal në historinë e njerëzimit për mënyrën sesi u përball me fajësinë e Luftës së Dytë Botërore”.
Njëri prej organizatorëve të Apelit për parlamentin shqiptar në lidhje me çështjen e hapjes së dosjeve, ish-deputeti Mark Marku, thotë për Deutsche Welle-n se ligjvënësit në Shqipëri e kanë të kollajtë vendimarrjen. “Nuk ka nevojë për asnjë autorësi shqiptare në hartimin e një ligji të ri, por le të miratohet dhe zbatohet ligji gjerman për lustracionin. Është një gjë e provuar, që ka dhënë rezultat të pakontestueshëm, ndaj thjesht deputetët le të miratojnë atë.”(DW)
Leksion i hapur –Mesila Doda: Nismë e re për ligjin e hapjes së dosjeve dhe lustracionin
Kryetarja e Aleancës së Grave të Shqipërisë dhe deputete e PD-së, Mesila Doda, ka mbajtur një leksion në Albanian University me temë “Ligji për hapjen e dosjeve dhe lustracioni”.
Në një postim në faqen e saj Facebook, Doda thote se “Shpreha falenderimin tim për peticionin e nënshkruar nga nobelistja Herta Muller, zevendëspresidentja e Parlamentit Europian, Lunacek, deputet të Bundestagut, intelektuale vendas dhe të huaj, që kërkojnë hapjen e dosjeve dhe lustracionin, ashtu siç parashikon ligji që kemi dorëzuar tash dy muaj në Kuvendin e Shqipërise. Një falenderim i vecantë shkon për intelektualet tanë Lindita Arapi, Mark Marku, për punën e jashtëzakonshme që po bejnë në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar dhe suksesin e këtij peticioni”.
“Gjatë takimit shpjegova pasojat që sjell në sistemin e sotëm, në politike, drejtësi, administratë, diplomaci e siguri, mosndarja nga e kaluara politike kriminale. Ende eksponentët e regjimit të se kaluarës po mbajnë peng të ardhmen e vendit. Kjo nisme e re kërkon shmangien nga vendimmarrja të gjithë elementëve të krimit të djeshëm dhe të sotëm që vazhdojnë të mbajnë peng shoqërine shqiptare. Eksponentët e regjimit, spiunët, persekutorët, kriminelet, duhet të jenë jashtë politikës, jashte drejtësisë, jashtë administratës dhe diplomacisë”, thekson Doda.
Basha: Përfshirja e efektivit te FA në trafikun e drogës, njollos MB dhe Shqipërinë
TIRANË, 29 Janar/Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka konsideruar përfshirjen e efektivit të Forcave të Arnmatosura në skandalin e drogës në Spanje, si një skandal të përsëritur dhe si njëllosje e rëndë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shqipërisë në arenen ndërkombëtare.
Kryetari i PD-së, Basha, nëpërmjet statusit të social Facebook sot, shprehet se “Përfshirja e efektivit te FA në trafikun ndërkombëtar të drogës, ashtu si avionët e drogës një vit më parë në aeroportin ushtarak të Gjadrit, njollosin rëndë emrin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Paaftesia për të zbuluar trafikun në zemër të vendit dhe të institucioneve, tradheton syshkeljen qeveritare ndaj narkotrafikut”.
“Këto fakte dhe pasioni për emerimin e bosëve të krimit dhe drogës në parlament, qeveri dhe administraten publike, janë këmbanat e përballjes me kriminalizimin e shtetit shqiptar. Kjo është fytyra e të keqes, që të gjithë së bashku duhet ta shkulim me rrënjë”, mbyll Basha postimin e tij.
Mjerimi i mediokrit, profanit e të paaftit
Vetëgjymtimi dhe vetëvrasja intelektuale shkojnë dorë-për-dore/
Opinion nga Raimonda MOISIU/
Mjerimin e mediokrit, profanit e të paaftit, e shoh në makutërinë dhe etjen e ankthshme, drithëronjëse, të llahtarrëshme për para. E shoh në luftën e konkurencës mes dy rivalëve, shumë rivalëve, se kush të fitojë më shumë në kurriz të tjetrit! Mediokri është i paqëndrueshëm, pompoz dhe i stërgjatur, I “veshur modern” gjithmonë me rezultate të mira e të suksesshme, sepse ai mendon se nuk është duke u korruptuar apo mashtruar nga artet e retorikës, por në sajë të maskës së intelektit.
I paafti apo profani është sinonimi i mediokritetit, ekzistenca e njeriut të plotë të mjerimit, vetëgjymtimit e vetvrasjes intelektuale. Ata janë të përditshëm, absolutisht mediokër e të paaftë për të vështruar realitetin ashtu si ata e mendojnë, sepse tipa të tillë kanë vetëm një nocion, që në pamje të parë duket e thjeshtë, por që përpiqen t’I bindin njerëzit se mendimi I tyre ka shkuar më tej e më thellë, brenda sferës së tyre të duhur,- pasurimit, parasë, famës, të shijuarit e qejfeve që të ofron jeta. E gjithë kjo është sa e zbavitëse aq edhe e mjerë, naive dhe e sinqertë!Duhet patur kujdes në selektimin e informacionit negativ, se informacioni mbetet informacion, dhe ato bëhen aq pompoze se kanë gjithmonë një prapavije politike,sepse edhe mendimin e kanë të lidhur gjithmonë me politikën apo admirimin ndaj dikujt tjetër edhe pse jo edhe urrejtjen nga prapavijë tjetër! Vetëgjymtimi dhe vetëvrasja intelektuale shkojnë dorë-për-dore,Ndarja e brendëshme, neveria dhe dhembshuria, keqardhja dhe trishtimi, dëshpërimi dhe mjerimi pak i egër përkundrejt kësaj dobësie të karakterit të dyfishtë ne gazetari, të bindin për të ripërcaktuar brenda kontekstit, realitetin mjeran..!
Berisha në Parlament: Të ngrihemi si popull që ta çojmë vendin në zgjedhje të parakohshme
Sot ka filluar seanca e parlamentit me debate te forta mes PD dhe mazhorances. Ish-kryeministri Berisha ka sulmuar fort qeverine dhe Edi Ramen si kupola e krimit , klike e cila duhet rrezuar me forcen e popullit. Ndaj ai beri thirrje publike ne parlament qe te ngrihemi e ta rrezojme kete qeveri me zgjedhje te parakohshme parlamentare ne qershor te ketij viti.
Mesohet se edhe deklarata e ish-kryeministrit Berisha ne studion e Eni Vasilit para dy ditesh se “Shqiperia po shkon drejt vitit 1997” eshte ne vazhden e kesaj levizjeje.
Kuvendi ka nisur ditën sotme seancën e parë të plotë plenare për këtë vit, ndërkohë që opozita, e cila mungoi për më tepër se 6 muaj në atë sallë shfrytëzoi rastin të bënte një ekspoze të të gjitha ngjarjeve të ndodhura gjatë mungesë së tyre duke lëshuar një mal akuzash ndaj policisë.
I rikthyer pas mungesës së gjatë, ish-kryeministri i vendit Sali Berisha akuzoi qeverinë për lidhje me krimin dhe mafien dhe u bëri thirrje qytetarëve që së bashku ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme.
“U bëj thirrje shqiptarëve të ngrihen fuqishëm, ta çojmë vendin në zgjedhje të parakohshme si kusht për të shpëtuar procesin e integrimit të vendit nga duart e mafies”, tha Berisha.
Sipas Berishës, me mënyrën e tij të qeverisjes me anë të shtetit policor, Rama po rrezikon ëndrrën më të madhe të shqiptarëve, që është integrimi në BE.
Tahiri: Drogën e mbollët ju, numri i vrasjeve ka rënë
Ndërkohë Ministri i Brendshëm u është përgjigjur akuzave të opozitës për shtim të kriminalitetit në vend, përfshirë dhe trafikun e drogës me baza në Shqipëri.
“Ky është operacioni më i rëndësishëm i drogës në vend, – tha Tahiri. – Deri dje droga ishte në Lazarat, në Dukagjin dhe në Elbasan po të doni. Shqiptarët janë dëshmitarë për këtë, por policia e atëhershme nuk ka qenë atje për të zbatuar ligjin. Sot është ndryshe dhe rezultatet flasin vetë. Kur Policia e Shtetit luftonte vjet në verë në Lazarat, u quajtën plaçkitës bandash nga opozita, ndërsa trafikantët i konsideruan viktima të shtetit policor”.
Tahiri tha se është gati të japë dorëheqjen nëse del se shifrat e krimit sot janë më të larta se në vitin 2013: “Ju kishit dijeni për çdo parcelë droge, sepse ua kanë dhënë hartat partnerët ndërkombëtarë, – vazhdoi Tahiri. – Është kjo arsyeja që e gjetëm Shqipërinë me drogë në çdo pëllëmbë. Sot Shqipëria nuk është vend trafikimi droge. Nëse vrasjet janë më të larta se në vitin 2013, unë jam gati të jap dorëheqjen bë sekondë. Sillni shifrat dhe jam gati të përballem me to”, – shtoi Ministri i Brendshëm.
Braçe: Europa, rruga e vetme e Shqipërisë. Fjalimi i Berishës , i turpshëm
Duke marrë fjalën pas ish-kryeministrit Berisha, deputeti socialist, Erjon Braçe e cilësoi fjalimin e këtij të fundit si të turpshëm që për akuzat e lëshuara duhet të çohet në prokurori e gjykatë. Braçe u shpreh se destinacioni i vetëm i Shqipërisë është padyshim Europa dhe BE, pavarësisht ngjarjeve të dhimbshme nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë.
‘Më duhet të konfirmoj më forcë se Europa është destinacioni ynë pavarësisht ngjarjeve të 97, 96 e 98 që e kanë vonuar tmerrësisht këtë vend për t’u integruar në Europë. Askund në Europë nuk do të gjeni një fjalim si ai që dëgjuat pak më parë, një fjalim i tillë që nuk shoqërohet nga asnjë akt dërgimi në prokurori dhe më pas në gjykatë për të gjitha ato akuza të rënda. Ndërkohë që sot në prokurori e gjykatë janë tërësisht të paprekur të gjithë ata persona të emëruar me vullnet të plotë nga qeveria e mëparshme. Por janë ministrat dhe kryeministri që ka kërkuar ballafaqim në gjykatë e prokurori për këto akuza. Ky është ndryshimi dhe sjellja ligjore, ndërsa ajo që u dëgjua më parë është sjellja që ka nxjerrë jashtë një Europë e tërë”, tha Braçe.
Gjatë seancës së sotme pritet të votohen emrat e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (vendet vakante) të cilët janë Denar Biba nga PS, nënkryetar dhe Edlira Jorgaqi e Gëzim Veleshnja nga LSI, anëtarë.
Topalli: Deputeti i mazhorancës u kap me drogë në Vilun
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nga foltorja e Kuvendit ka akuzuar në nisje të seancës plenare të ditës së sotme mazhorancën për lidhje me bandat e drogës.
Deputetja e PD-së, tha se një deputet i majtë, i pranishëm në sallë sipas saj, u kap me drogë në makinë në Vilun dhe më pas u lirua nga policia.
“Çfarë burrash jeni ju që keni frikë të përmendni emrin e Shullazit? Pse nuk e thoni që anëtari i atyre që u arrestuar është kushëriri i ‘Hakmarrjes për Drejtësi’. Më pëlqen që flisni për djalin e diktatorit. Për lidhjet tuaja me drogën ne ikëm nga Parlamenti. Kush ishte deputeti që kishte lidhje me drogën në Vilun? Këtu e keni mes jush”, – iu drejtua Topalli deputetëve të majtë.
Më tej, ish-kryeparlamentarja akuzoi edhe një herë mazhorancën se ka mbështetur të arrestuarit e laboratorit të drogës në Xibrakë: “Ku janë kokat dhe trafikantët e laboratorit? Si ka mundësi që ministri Tahiri ndërhyn në emisione dhe thotë kush jeni ju që flisni për laboratorin e drogës? Shqiptarët nuk janë naivë të mendojnë se bëhet trafik ndërkombëtar droge dhe nuk mbështetet nga qeveria”, – deklaroi Topalli.