Nga Avdulla Kenaci/
Romani “Djalli që pagova për këshillë” i shqiptaro-kanadezes Jeta Vojkollari./
Isha shumë kureshtar të lexoja romanin e Jeta Vojkollarit “Djalli që pagova për këshillë”. E para, jetojmë të dy në të njëjtën hapësirë kanadeze, vijmë të dy nga Tirana dhe jemi me origjinë nga Jugu i Shqipërisë. Ajo ka më shumë se një dekadë që jeton e punon në Toronto, ndërsa unë kam ardhur më vonë. Vallë cfarë mbart nga realiteti shqiptar ky krijim letrar i saj? Po ato cfarë ka përftuar autorja nga puna dhe jetesa në një vend të zhvilluar si Toronto si i ka përcjellë në roman? A u përgjigjet ajo këtyre pyetjeve që unë bluaj në mëndje para se të nis leximin, apo thjesht vepra e saj është një fikshën që nuk ka lidhje fare me pyetjet e mia. E kështu nis ta lexoj. Janë disa faqe ku si në një studio televizive prezantohen personazhet një nga një; Sabrina, Rakela, Fabiana, Moza, Luli, Amanda….Fillimisht asnjë pikë takimi midis tyre, por pastaj të gjithë vërtiten tek një personazh interesant, tek psikoterapiste Sabrina e cila është e përshkruar në dy plane, në jetën e saj personale dhe në marrëdhënie me gjithë të tjerët. Asaj thuajse i kushtohet i gjithë romani. Eshtë jashtë gjitha skemave, një panterë e zezë, e zgjuar, por që kafshon duke shpërndarë helmin që ka brenda saj edhe tek të tjerët. Prej këtej ka dalë edhe titulli i romanit, titull tërheqës e mjaft intrigues “Djalli që pagova për këshillë”. Duke lexuar, mendon se personazhet i ke takuar apo dëgjuar diku; një pinjoll artistësh, Tomi, parazit i neveritshëm, i paaftë që spekullon me gjoja një skenar filmi, një avokat i zgjuar që ka gardhuar një yll kinemaje, një prostitutë e abuzuar, një grua e dhunuar, një homoseksual i mashtuar, etj. Kapitalizmi i egër që po instalohet në Shqipëri, etja për t’u pasuruar me shpejtësi, ka sjellë edhe këto probleme sociale e deformime karakteresh. Autorja i ka përshkruar të gjitha këto me vërtetësi dhe kur ka vënë re se sa thellë kanë hyrë në “mëkat” personazhet e saj, (ashtu si Zhozh Sand) afër fundit është munduar t’ju gjejë thuajse të gjithëve një “happy and”. Romani të rrëmben me skenat e nxehta dhe përplasjen e karaktereve, me ligësinë e disave dhe fisnikërinë e të tjerëve. Fraza të shkurtëra, dinamike dhe përshkrime psikologjike befasuese, vecanërisht portretizimi i femrave. Ja një pasazh: “Edhe pa tualet ajo ishte yll e bukur. E gjatë, e hollë, e njomë, flokë të gjatë me onde të mëdha, flokë të shëndetshëm, me shkëlqim. Sy të mëdhenj ngjyrë bari. Buzë të kuqe me jetë. Buzë të plota, të buta. Hundë të vogël si të gdhendur me dorë nga ndonjë mjeshtër i madh që përjetësonte bukurinë femërore. Lëkurë e bardhë fëmijërore. Duar princeshe, sjellje princeshe…”
Shkrimtarja Jeta Vojkollari me shumë guxim i bën një skaner të plotë shoqërisë së sotme në kryeqytetin shqiptar dhe kontradiktave që lindin; ajo trajton pa iu dridhur dora marrëdhëniet në cift që janë aq të ndërlikuara, merr në mbrojtje femrën e abuzuar dhe indirekt vë gishtin në plagë, tregon meshkujt që abuzojnë me femrën dhe bën thirrje që atyre duhet t’u pritet dora e dhunës dhe e abuzimit.
Mos vallë këto problem janë vetëm në Tiranë?. Jo, ato janë në forma të ndryshme edhe këtu në Kanada, me një përjashtim, shteti ka projekte të vecanta për t’u ardhur në ndihmë familjeve të abuzuara dhe klientëve të tyre. Madje edhe për abuzuesit ka projekte reabilitimi. Jeta e njeh mirë edhe këtë realitet nga që ka nje kohë te gjate si punonjëse sociale. Ajo është diplomuar për ekonomiste në Shqipëri, por është riarsimuar në Kanada. Ka ndjekur kurëse pasuniversitare për aftësi këshillimi të avancuara dhe ka një certifikatë pasuniversitare për menaxhim projekti ndërkombëtar. Që nga viti 2002 ajo punon me kohë të plotë në qytetin e Torontos si punonjëse sociale në Departamentin e Ndihmës Sociale.
Leximi i romanit të befason me psiko-analizën që autorja ju bën personazheve, duket që rrëmon fort në botën e brendshme jo vetëm të viktimave të abuzimit, por edhe të psikologjistëve që merren me reabilitimin e klientëve të tyre. Pikërisht këtu qëndron edhe një nga sukseset e këtij romani, realiteti ndryshe, i sotëm, i përshkruar me shumë guxim e talent (kuptohet nga zhdërvjelltësia e frazës se ajo ka një kohë të gjatë që shkruan letërsi). Romani, edhe pse më shumë se 300 faqe, lexohet me një frymë.
Ylli i Davidit në fasadë, në Berat më 1943 …
Ne foto:Hebrenj të ardhur nga Prishtina të strehuar në Berat në vitet 1942-44./
Bisedë me publicistin e studiuesin Simon Vrusho
Nga Berati : Sulo Gozhina/
BERAT – Në ballin e ndërtesës dykatëshe, ndërtuar në vitin 1943 në lagjen më të madhe të Beratit, “Murat Çelebiu” në rrugën kryesore nwhyrje tw qytetit, çimentohen dhe 4 yje Davidi.
Në këtë banesë, në gusht 1943 pronari i saj, Qerim Kasapi, si dhe hebrenjtë Jozef e Isak Solomon bëjnë propagandë të rrezikshme. Po nje vit mw parw fëmijë hebrenj, nxënës hebrenj në shkollën “Kastrioti”, në Berat kalojnë klasëne parë në vitin shkollor 1942-43.
Vula e Solomonit në Berat..gjendet në dy vende të shenjëta, objekte kulti,shtëpi banimi etj, këto dhe të tjera detaje interesante për nga zbulimi kanë tërhequr vemendjen qytetare, por që ende janë fakte të pa zbuluara e bëra opublike.
Publicisti dhe studiuesi Simon Vrusho ka pasur këto vitet e fundit në fokus të mjaft shkrimeve e botimeve të tij tematikën hebraike në Berat, përqëndruar kryesisht në vitet e pushtimit fashist, ku qyteti i Beratit strehoi dhe shpëtoi mbi 600 hebrenj, duke qenë kështu një rast unik në radhën e emrave të qyteteve të të gjithë hapësirës shqiptare për dendësinë e strehimit të hebrenjve në kohën e Holokaustit. Dhe kjo ka bërë që Berati të mbetet në kujtesë si qytet i hebrenjve. Ai, Simon Vrusho është autor i librit “Hebrenjtë e Beratit”, botuar më 2010, ku qasje e tij ndaj strehimit të hebrenjve është në këndvështrimin e kujtesës gojore qytetare. Pothuaj çdo vit ai ka sjellë fakte të reja, të panjohura, të papublikuara më parë, informacione interesante, detaje domethënëse nga refleksionet e botës hebraike në Berat. Këtë herë vëmendjen e tij e kanë tërhequr elementë të tjerë: siç janë
një sërë vulash Solomoni në objekte kulti, e shtëpi banimi, 4 yje Davidi në fasadën e ndërtesës që i kanë parë të tërë prej rreth 70 vjetësh, por që publikohen, mediatizohen për herë të parë në vitin 2014 ! Po kështu, ai bën të njohur amzën e shkollës “Kastrioti” Berat ku në vitin 1942-43 kanë studiur dhe nxënës hebrenj …
-Z. Vrusho, ju thuajse çdo vit e keni pasur objekt të shkrimeve, studimeve e botimeve tuaja tematikën hebraike në Berat, duke filluar nga prania shumëshekullore e hebrenjve, prej pesë shekujsh në Berat. Ju keni sjellë fakte, argumente, informacione për larminë e pranisë së tematikës hebraike në ikona, në objekte të ndryshme, toponimi, por veçanërisht në strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve në vitet e pushtimit fashist e nazist. Çfarë e kanë tërhequr vëmendjen tuaj kohët e fundit ?
-Më ka bërë përshtypje një godinë e veçantë, e ndërtuar nga beratasi Qerim Kasapi.
banor i lagjes së madhe, Mora Çelepi, tregtar që bënte shpesh rrugën e Selanikut. Ai filloi të ndërtonte një shtëpi të re më 1941, të madhe, dykatëshe, pikërisht në rrugën kryesore, në qendër të lagjes, një shtëpi me një arkitekturë fine, një nga ndërtesat që është edhe sot mbresëlënëse. Vijën e sipërme e dominojnë dekoracione, por ai që dominon, zotëron kreun e fasadës, si të thuash në ballë, që përsëritet katër herë, si për t’i vënë theksin, është Ylli i Davidit. Djathtas një mbishkrim: “QERIM KASAPI 1943 . USTA DULE BUZI”
Qerim Kasapi vdiq i ri, në vitin e përfundimit të shtëpisë, pas 3 vjetësh, më 1943. Ishte 45 vjeç.
Për shtëpinë, thonë se ka qenë projekt italian. Usta Dule ishte nga Buzët e Beratit, usta i mirënjohur, i lagjes, por nuk dihet nëse ornamenetet zbukuruese, të cilat mbartin këto simbolika janë të usta Dules apo të projektit, sepse aty ka dhe gjysmëhënë, yll pesëcepësh, dhe, siç e përmendën, Ylli i Davidit që është më intensivi, përsëritet katër herë, më shumë se çdo motiv, ornament apo simbolikë tjetër. Mos ka qenë ide a mendim a sugjerim i vetë Qerim Kasapit ? A mos ka pasur ndonjë mik hebre në Selanik dhe në fasadën e dyqanit të Selanikut ka takuar këtë simbolikë?
Po, sigurisht, Qerim Kasapi, ka njohur, ka takuar, ka biseduar me hebrenj në ato kohë e ato vite pikërisht në Berat dhe është e dokumentuar që ai i ka ndihmuar me të holla hebrenjtë e Beratit. Fqinjë e tij, si Isuf Qojle etj. gjithashtu strehonin hebrenj në ato kohë. Po, Ylli i Davidit në qendër, në Mora Çelepias është i veçantë. Tërheq vëmendjen, vështrimin, interesin, tërheq qëndrimin, ndalimin përballë, tërheq aparate fotografikë, kamera, tërheq turistë… Ka 70 vjet që është çimentuar, që është betonuar aty në fasadën kryesore, por publikimi, çudi, ka munguar.
Çështja e simbolikës hebreje në këtë rast është menduar si shije, çështje arkitekti, çështje e të zot të shtëpisë, çështje hebreu, çështje ustallarësh…Por në fund të fundit mbetet punë ustai, çështje ustai…
-Po nga familjarët, trashëgimtarët e Qerim Kasapit nuk ka të dhëna, kujtime, ç’ruajnë në kujtesë ata?
-Kam takuar prej tyre, natyrisht. Memli Kasapi, nipi, me profesion inxhinier, që thotë: “Ne e kemi ruajtur Yllin e Davidit…se ç’domethënie ruan ajo, kjo është e komplikuar dhe, mbase, do të mbetet mister… Në kohën e diktaturës gjithë fasadën e lyenim me një ngjyrë, si gri, dhe Yjet e Davidit kërkonin përqëndrim për t’i parë, kurse tani, lyer me dy ngjyra, sfondi dhe relievi, kanë shikueshmëri maksimale.“, thotë inxhnier Memli.
Por ka një qasje tjetër që e shpjegon misterin dhe këtë e bën vetë Qermi Kasapi në një mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shkresave që i drejtoheshin Kuesturës Mbretnore në Berat në gusht 1943, nga zv.Prefekti, po i Beratit:
Berat, 17.8.1943 / Kuesturës Mbretnore / Këtu
…..
Pak ditë më pare në banesën e Qerim Kasapit është bërë një mbledhje, ku kanë marrë pjesë dhe dy hebrenj, Jozef Jozefi e Isak Solomoni, që gjenden të internuar në Berat.
Përveç kësaj thuhet me siguri që bëjnë edhe propagandë subversive në qytet e në rrethe se gjoja çetat i presin me dita-ditës që të hyjnë në Berat për të shpëtuar popullin nga ushtria italiane. Lutemi bëni hetime.
Për të kuptuar se si i shikonte qeveria e Tiranës e atyre viteve hebrenjtë e Beratit, mjafton të dimë se Ministri i Punëve të Brendshme në qershor 1942 i drejtohej Prefekturës Berat:
„Në Berat ndodhen një numër i madh çifutësh… Ata përfillen si elementë shumë të rrezikshëm, mbasi rreth këtyre dyshohet se mblidhet një organizim i gjerë subversiv, zhvillojnë propaganda aktive kundër Boshtit. Priten përfundime. Dërgoni relacion mbi sjelljen e tyre të përgjithshme.“ Ky fakt, ky vlerësim përfocohet edhe me një njoftim tjetër, kur nga Tirana, më 6 gusht 1942, Ministria e Brendshme njoftonte dhe kujtonte autoritet në Berat se „Njoftoj se të gjithë personat që internohen në Berat janë politikisht të rrezikshëm…“
Një vit më vonë, nga Berati, më 28.6.1943, i dërgohej për njoftim Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Tiranë informacioni se „Çifutët që përmban lista e bashkangjitur ( 39 çifutë) janë elementë të rrezikshëm, pasi zhvillojnë një propaganda kundër Boshtit dhe kërkojnë me ba organizime subversive me anë e mbledhjeve duke kaluar nga një banesë në tjetrën, ditën dhe natën… Jemi të mendimit të largohen…..”
Përfundimi është i qartë: Ja cilat kanë qenë kushtet, rrethanat, klima, atmosfera, por Qerim Kasapi i mirëpriste hebrenjtë jo vetëm si antifashistë, por edhe në një shtëpi që atyre u dukej dhe si shtëpi hebreje, me ato katër Yje Davidi në krye…
-Pak më parë kujtuat dhe fëmijët, nxënësit hebrenj në Berat, ç’bëhej për edukimin e arsimin e tyre, për argëtimin, lojrat…
-Po, rreth një muaj më parë, doktorantja Jacqueline Silver, nga Fielding Graduate Univeristy, në Santa Barbara, Kaliforni, studiuese, kërkonte të dhëna për shkollimin e fëmijëve hebrenj të strehuar e të shpëtuar në kohën e pushtimit nazist për vendet evropiane dhe veriun e Afrikës. Interesi i saj përqëndrohej për arsimimin e fëmijëve hebrenj që jetonin nën shtypjen naziste mes viteve 1933 dhe 1945. Në këtë kuadër ajo interesohej edhe për Shqipërinë, sesi mund të kenë marrë arsimim këta fëmijë hebrenj të shpëtuar nga fqinjët e tyre johebrenj.
Përsa i përket arsimimit të fëmijëve hebrenj në qytetin e Beratit në vitet 1942-1944, mund të përmend një kujtim të mësuesit Nevzat Lapardhaja ( nuk jeton), i cili , kur ishte dhe vetë fëmijë, në vitin shkollor 1942-43, ka qenë në një klasë dhe me një hebre të vogël, në
klasën e katërt, në shkollën fillore, tek tregu, që atëhere emërtohej shkolla e përzier “Kastrioti”, në qendër të qytetit. Këtë fëmijë hebre, shok klase, Nevzat Lapardhaja e kishte marrë dhe në shtëpinë e tij, por për të banuar hebreu i vogël banonte me gjithë familjen e tij tek një shtëpi afër, tek Resmie Spathara. Ky fakt gjendet dhe libri im, “Hebrenjtë e Beratit”, f.45, botim i vitit 2010. Por, siç duket dhe tek fotografia “Gra hebreje në kursin e gjuhës shqipe në Berat – 1944”, aty janë të pranishëm edhe fëmijë hebrenj. Edhe tek një foto tjetër, “Hebrenj nga Prishtina të strehuar në Berat” janë dhe disa fëmijë hebrenj.
Nga kërkimet e mia rezulton se fëmijë hebrenj janë regjistruar në shkollën e përzier “Kastrioti” ( shkollë në qendër të Beratit) në Berat në klasën e parë në vitin 1942-43 dhe janë kalues. Njëri, Juso Mihal Ruben, me nr. amze 1490, lindur në Prishtinë në vitin 1933, kurse tjetri, Vili Danilo Albahari, me nr. amze 1491, lindur në Beograd më 18.12.1934, Prindërit e tyre figurojnë si emigrant. Ky fakt, zbuluar së fundmi , nuk figuron në librin tim.( Nuk përjashtohet që mjaft fëmijë hebrenj të mbulohen me emra shqiptarësh; të paktën, nga shqyrtimi i Amzës kjo gjë duket e mundshme.)
-Ju keni shkruar rreth strehimit, shpëtimit, mikpritjes beratase për hebrenjtë, bazuar në kujtesën popullore, si të thuash, kujtesë gojore, e cila ka dhe ajo vendin e saj në histori. Ç’ u ka lënë mbresë?
– Do të doja të sillja dy detaje nga ky strehim i hebrenjve: një në qytet, Berat, e tjetra në Molisht, në fshat.
Bari Zeko, farmacist ka lënë kujtimin e tij: „ Ishin tre të fushës së mjekësisë, një mjek, një farmacist dhe një ndihmës farmacist, të ardhur nga Jugosllavia. Me ndërmjetësinë time dhe të drejtorit të spitalit të Beratit, Lluka Muço, nga Vunoi i Vlorës e të dr. Nikolla Dushnikut, doktori u aktivizua ilegalisht në spitalin e qytetit, kurse Rajko S. Baharin e mora në farmaci dhe e paguaja 6 napolona në muaj për t’i siguruar jetesën bashkë me gruan e tij, Rashela.“
Molishti, një nga fshatrat më të mëdhenj, më të ndjerë e më të rëndësishëm të trevës së Beratit, me banorë inteligjentë, të urtë dhe punëtorë, me kurajo dhe mikpritës; një fshat relativisht i pasur, me larmi fisesh e mbiemrash, është një fshat që ka strehuar hebrenj në vitet e Luftës II Botërore, hebrenj që nuk e harruan këtë mikpritje. Vite më vonë, hebrenjtë, dikur fëmijë shkruan se Molishti i priti me mollë, arrë, bajame, rrush, fiq, shegë, ftonj…i priti me aromë pemësh e ata , kur u larguan, morën me vete aromë frutash… dhe aromë kulaçi, pavarësisht se aty, kryesisht hahej bukë misri, por shijen, thërrimen e asaj buke misri hebrenjtë e kujtonin me nostalgji dhe 50 vjet më vonë në restorantet më luksoze të New Yorkut. „Thërrimen e asaj buke misri, – ka thënë njëri syresh, duke kujtuar mikpritjen e familjes Biçaku në Librazhd, – e kemi dhe sot në dhëmballë, sepse ajo është buka
më e shijshme në botë.“ Kjo është shija e bukës shqiptare. Zhulia Kantozi kujtonte se i çuan në Molisht për rreth 3 muaj. U mbushnin përparëset me mollë e lloj-lloj frurash të tjera. U jepnin dhe pekmez. La aty, si kujtim, edhe një fotografi… Mori, siç e përmendën, aromën e frutave, të kopshteve të Molishtit…
-Po vula e Solomonit ?
-Është një Yll Davidi, por që në skajet e gjashtë cepave ka disa elementë, gjethe zambaku apo nga i ashtuquajturi trëndafili i Sharonit, që lidhen me emrin e Solomonit të urtë, ndërtuesit të tempullit të famshëm, identifikuar me emrin e tij. Por kjo vulë, ky simbol, kjo unazë thuhet se lidhet dhe me mjeshtërinë e ndërtuesve të nivelit të lartë. Gjendet në Berat tek porta e Teqesë Helvetive, tek porta e hajatit të Xhamisë Mbret, po në Berat, për të cilat thuhet se i përkasin periudhës rindërtuese të këtyre objekteve të kultit, në fillim të shekullit XIX. Por Vulën e Solomonit e gjejmë edhe në porta e shtëpive të vjetra beratase, si ajo e shtëpisë së dikurshme të të parëve të qytetarit Nexhmedin Pilafi, në qendër të lagjes së vjetër, Vakëf, sot “Jani Vruho”. Edhe kjo mendohet se i përket fillimit të shekullit XIX. N.Pilafi mendon se prania e kësaj vule mund të lidhet me ekzistencën e ndonjë
grupi ndërtuesish të Beratit, të drejtuar apo financuar nga hebrenjtë beratas. Prania e këtij simboli, thonë se përdorej edhe nga ustallarët e Oparit, që vinin shpesh në këto anë. Sidoqoftë, dëshmon edhe për kulturë qytetare, edhe për tolerancë fetare, edhe për mundësi financiare.
NJOFTIM PER TE PAME NGA FAMILJA RRACI NE NEW YORK
Familja RRACI njofton komunitetin, se kete te diele me 25 Janar, nga
ora 10AM deri ne 5PM, hape te pame (per burra dhe gra) ne Royal
Regency Hotel, 165 Tuckahoe Rd. Yonkers per te ndjerin Florim Rraci,
qe vdiq papritmas, me 17 Janar ne NY, ne moshen 47 vjeçare, duke na
lene perjete te piklluar.
Familja RRACI nga Kosova dhe SHBA.
HAPJA E DOSJEVE PA LUSTRACION, VETËM DEMAGOGJI KOMUNISTE
Nga Besim Ndregjoni*
Jemi në vitin e 25 të ndrimit të sistemit nga ai totalitar në pluralizëm politik. Klasa politike shqiptare për dy dekada e gjysëm, jo vetëm që nuk u shkëput nga e kaluara komuniste , por përkundrazi krijoj një atmosfere “armiqësore” ndaj atyre që përballuan genocidin komunistë (ish të përndjekur politikë kundërshtar të regjimit komunistë) dhe pse këta, përçuan në shoqërinë postkomuniste : Paqen dhe jo hakmarrjen, virtute të larta njerzore të këtyre shqiptarëve të mirë që shquheshin dhe nga gjeneza kombdashëse nga vinin. Fatëkeqësishtë të përndjekurit u përballen në këtë çerek shekulli pluralizëm me një luftë të re “klasash” me metoda “demokratike,” pjesa intelektuale e ideollogjizuar nga diktatura dhe trashgimtarët e priviligjuar të sistemit totalitar u ndanë në dy kampe “demokratë” e “socialistë” përvetsuan me anë pushteti e korrupsion ekonominë kombëtare dhe sot numrojnë në partitë e tyre jo pak por 55 milardier në një ekonomi tregu allashqiptarçe që është e vdekur dhe e pakallur…Në këtë situatë politike pushteti aktual nxori në treg politikë e mediatik: “ Hapjen e Dosjeve të bashkpuntorve “. Klasa politike shqiptare e ka përdorur në formën e pinpongut këtë problem sa madhor por dhe shumë shqetsues për shoqërinë shqiptare. Hapja e dosjeve është një gur i rëndë për një shoqëri që ka kaluar trauma çnjerzore ku dihet shkaku dhe pasoja. Shkaku ishte mbajtja e pushtetit me dhunë nga diktatura dhe pasojat ishin viktimizimi i të pafajshmit qytetarët që kundërshtonin këtë tragjedi të një bande të çmendurish ideologjikë që e etikonin veten komunistë shqiptar. Viti 90 dhe fillimi i vitit 91 kishte një bilanc të tmerrshëm krimi 45 vjeçar, situata kishte agravuar në atë xhungël komuniste “të mbijetosh apo të vdesish” vetëm kjo ishte zgjidhje e shqiptarëve për at kohë terrori . Xhungla kishte rrethuar vendin me tela e me xhëmba dhe e kishte mbushur vendin me mijëra të vrarë e të zhdukur, me mijëra të burgosur të sakatuar e të çmendur me tortura në kampet famkeqe tronditse si Burreli, Spaçi, Qaf-Bari, mijëra familje nëpër kampet e internimit po humbnin gjuhën e vendin e lindjes dhe ishin kthyer në fantazma të mbijetuarish, Përçundimi , poshtrimi, depersonalizimi ishin metodat e edukimit të xhunglës komuniste shqiptare. 80% e popullsisë priste persekutimin pa ligje që mund të i ndodhte në çdo çast në xhunglën shqiptare. Ky bilanc krimi është bërë me dosjet që fuksiononte pushteti i xhunglës komuniste shqiptare. A duhen hapur dosjet? Sigurishtë dosjet duhet të hapen kjo është kërkesë e shoqërisë. Shoqëria kërkon transparencë dhe moral për të ndërtuar demokracinë .. Politika të kundërtën e shoqërisë të mos hapen, se hapja e tyre nxjerr në shesh shërbimet që i kan bërë pushtetit të xhunglës. Por kush duhet të i hapi dosjet? Ata që i krijuan dhe u shërbyen ekzekutimit të tyre, apo trashgimtarët e krijusëve të dosjeve! A ka moral politika e pushteti aktual direkt pinjollët e udhëheqësve të xhunglës komuniste të hapin dosjet. Këta “dosjer” dhe trashgimtarë dosjerësh gjatë 25 viteve refuzuan jo vetëm hapjen e dosjeve por nderuan xhelatin, dhe kryeterroristin e xhunglës, që zbatoi e ekzekutoi dosjen dhe përbuzën viktimën duke e etikuar siç e kishte sajuar dosja e krijusve e (prindërit e tyre). Hapja e dosjeve nuk do të penalizoi askënd deklaronte në një emision televiziv inisiatori i ligjit për hapjen e dosjeve, pushtetari i ardhun me bekim të “Sorosit” në drejtimin e një ministrie ku i kan besuar trajtimin e ish të mbijetuarve të xhunglës dhe viktimave të krimit të dosjeve . Pra do të ketë hapje mekanike të dosjeve. Nëqoftëse ndonjë viktimë kundështare e pushtetit që kërkon të jetë në politikë, atëhere këtij do të ja bëjmë publike dosjen. Ne nuk shkelim të drejtën e kriminelit, ajo mbrohet dhe pse ka bërë krimin, e ka bërë dosjen e kundërshtarit të xhunglës, se biem ndesh me Gjykatën Kushtetuese. Ne nuk hakmerremi anipse kjo gjykatë mbron krimin dhe penalizon viktimën.. Po, ne ishim dje Gjykata e xhunglës dhe bëmë dosjet, sot jemi Gjykata Kushtetuese dhe mbrojmë krimet e dosjeve që u sajuam dhe i ekzekutuam. Hapja e dosjeve nuk është për tu hakmarrë ndaj një individi me pushkatim, burg, internim, përçundim siç bëhej në xhungël komuniste shqiptare. Hapja e dosjeve është për të pastruar politikën nga krimi dhe krimineli, dhe për të ndërtuar një politikbërje me moral-ligj fuksionuese për një demokraci ku të denohet krimi e krimineli që xhungla mos të na përsëritet. Të drejtat dhe liritë e njeriut janë univerale dhe mbrohen nga të gjithë, por krimi denohet në çdo kohë dhe kur thuhet se kan kaluar 25 vite kur është bërë krimi. Projekt-ligji Velia është thjesht një demagogji tipike komuniste dhe asapak për të mësuar nga e kaluara e xhunglës komuniste pinjoll i sëcilës është dhe autori i këtij ligji. Nuk mund të ketë hapje dosjesh pa lustracion që denon krimin makabër që përmbajnë dosjet ndaj shqiptarëve në periudhën komuniste. Në qoftëse nuk denojmë pasojat e krimit të dosjeve , për çfar i hapim ato! Hapja e dosjeve nuk u takon atyre që trashgojnë pushtetin e Xhunglës , por kjo hapje i takon shoqërisë atyre që pësuan nga dosjet dhe refuzuan hakmarrjen. Krimi duhet të denohet, kjo nuk është një kërkesë politike apo e klasës së martirizuar nga dosjet , por një domosdoshmëri e një zhvillimi që imponon marrjen e nji qëndrimi që perjashton oportunizmin politik të ditës dhe synon ndërtimin e bazave të qëndrueshme morale të shoqërisë shqiptare. Përgjegjësia jonë sot nuk kufizohet me demaskimin e krimit komunist në Shqipëri që është hapi i parë por dhe denimin e këtij krimi. Ajo përfshinë edhe eleminimin e mundësisë së një përsëritje dhe ndërtimin e nji shoqërie që siguron paqen dhe sigurinë për brezat e ardhshëm. Kjo është përgjigjja e qytetruar , dinjitoze ku perjashton hakmarjen nji cilsi shtazarake vetëm për xhunglën. Hapja e dosjeve kërkon denimin e krimit , ndëshkimin e kriminelit dhe vendosjen e një drejtësie që siguron barazinë për të gjithë pa perjashtim. Morali është ligji i pashkruar por që gjen zbatim çdo ditë në një shoqëri të civilizuar e demokratike. Këtë Shqipëri duam ne të mbijetuarit e xhunglës . Kjo nuk është Shqipëria për të cilën luftuan kundërshtarët e komunizmit. Kjo nuk është Shqipëria demokratike , Shqipëria e qytetarëve të lire për të cilën kemi andruar e shpresuar në këta 25 vite. Hakmarje ? Jo! Drejtësi? Po!
*President i Unionit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë.
Vetëvrasja artistike
Nga Dr. Ilir Muharremi/
Te ekzistenca njerëzore ekziston një problem tejet madhështor dhe i arsyeshëm: vetëvrasja. Nëse i rrekemi nga aspekti filozofik atëherë vetëvrasja na del si problem shumë serioz. Kjo merr kahe në të jetuarit dhe të refuzuarit jetën. E jetuarit manifeston asgjënë, te i vetëvrari pyetja filozofike do të vazhdojë përjetësisht. Më shumë njohë njerëz që janë vetëvrarë për shkak së lexuari ndonjë libër, dëgjuarit muzikë sesa të shikuarit pikturën. Vetëvrasja shkon me ndjenjën e tejkalon, por njëherë arrin barazimin. Idetë, që rrjedhin nga shkrimtari, lindin iluzione dhembshurie që japin kuptim jetës së tyre. “Ajo gjë që quhet arsye për të jetuar është njëkohësisht një arsye e shkëlqyer edhe për të vdekur” thotë Kamy. Kuptimin e jetës ai e cilëson si të ngutshëm, atëherë si t’i përgjigjemi? Problemet thelbësore i radhitë te vdekja, ose shumëfishimin e dashurisë për jetën. Nuk kemi barazi edhe pse lufta drejt idealit nuk mungon. Njeriu e di mungesën e aplikimit momental të identikes që nuk mund të arrihet, atëherë më mirë ta teprojmë. Teprimi kërkon ose gjithçka ose asgjë.
Artistët si: Vinsent Van Gogh, Jack London, Ernest Hemingway, Jim Morison, Bekim Fehmiu, Merlin Monro, Robin Wiliams… u vetëvranë, duke vendosur se kishin mbetur prapa me jetën e tyre, ose nuk e kanë kuptuar. Këto veprime ishin të imponuara nga ekzistenca e tyre, kjo ndarje nga atdheu, ky migrim në një pafundësi iluzioniste të pa përvojë, tregon një karakter komik aspak të ndërgjegjshëm, ndoshta krimi edhe rrjedh nga ndërgjegjja sepse të gjitha pakënaqësitë mblidhen në një sekondë dhe akti ndodh.
Parapërgatitja e vetëvrasjes ka dy mendime: njëri është vetjak dhe tjetri vetëvrasës, veprim i tillë jeton në heshtjen e shpirtit. Aktivizimi mund të ndodhë menjëherë, vetëm se një kohë shpirti turbullohet nga kjo ndjenjë. Vetëvrasja buron nga realiteti, e realiteti është i papërballueshëm për shpirtin, zgjidhjen në shuarjen e gjithçkajes, qetësinë e absolutes, lirinë e kufizuar cila supozohet të arrihet më pastaj. A nuk flasim për një shqetësim apo mungesë, që duhet të arrihet nga braktisja e realitetit të zymtë. Nganjëherë njeriu edhe mund mos ta dijë. Tërheq këmbëzën, hidhet nga ndërtesa etj. Në momentin kur fillon të mendojë, njeriun e gërryen e vërteta nga brenda, parapërgatitja ndodhet te shpirti, aty duhet të kërkohet. Këtë lojë idiote që të dërgon drejtë qartësisë reale karshi ekzistencës, duhet ta kuptosh dhe ta sfidosh.
Cilat janë shkaqet e vetëvrasjes? Ato më të dukshmet nuk qentë të efektshme. Gjithçka fillon nga pakontrolli. Në media flitet për sëmundje të pashërueshme, depresione të ndryshme, vërtetë janë publikime të vlefshme. A mund të ndodh që një ditë një mik i një të depresionuari i flet ftohtë. Këtu gjendet fajtori, kaq mund të mjaftojë për t’i dhënë fund pakënaqësive. Nëse mendojmë që është i vështirë kuptimit i çastit të saktë, arsyeja e tendosur ka përzgjedhur vdekjen. Nëse shkojmë më thellë e analizojmë vetëvrasjen tok me absurdin, atëherë na del brohoritja e Kamysë që vetëvrasja shërben si zgjidhje për absurdin. Në çfarë parimi? Besimi i njeriut në të vërtetën përligj veprimin e tij. “Pra besimi në absurditetin e ekzistencës duhet t’i prijë sjelljes së tij” përshkruan Kamy. Atëherë, vazhdojmë së menduari se kureshtja e përligjur, pa lot të rremë, kërkon një përfundim të tillë që i reket braktisjes së gjendjes së pakuptueshme. ‘Vetëkuptohet” bërtet Kamy. Pajtimi me vetveten ngritë mendimin. Ai pranon çdo gjë nga vetja, nuk refuzon, bëhet i përshtatshëm për vetën.
Më shumë do ta shtroj vetëvrasjen filozofike e cila ka po-në dhe jo-në. Jo qëndron te shumica, ndoshta është pak ironizuese dhe satirizuese. “Ata që përgjigjen me “jo”, veprojnë sikur mendojnë të kundërtën”, vazhdon Kamy. Ai pranon kriterin Niçean me po-në. Vrasja e vetvetes ndodh edhe për shkak kapjes së kuptimit të jetës. Në një farë forme, ai do të rrijë, por edhe të vetëbraktiset nga kjo botë. “Këto janë kontradikta të përhershme”. Mprehtësia e tyre shpërfaqej nga logjika e cila dukej qesharake ngaqë aty nuhatej esenca dhe kuptimi i vërtetë, ndonëse përulej. Krilovi, Peregrinosi, Zhyl Lekjesë sipas Kamysë nuk shkuan deri atje sa ta mohonin kuptimin e jetës, por ata nuk e kanë pranuar kuptimin e jetës, jeta nuk ka ndonjë kuptim sepse po të kishte ai tashmë duhet arritur. Njerëzit si Shopenhauer flisnin për vetëvrasjen sikurse Kamy që shkruante për të. Nuk ka hapësirë për tallje me këtë tragjikë. “Ajo së fundi, bën portretin e njeriut që e ka përqafuar”, ulërinë Kamy para se ta mohonte vetë jetën. Ai përpiqet të dijë më shumë se momenti real i vetëvrasjes ai bënë hop më shumë se ndjenja dhe e vërteta. Ai parakupton arsyen e vetëvrasjes, por nuk e ndjen aktin e vendimit. Hemingëay, Londoni vetëvrasjen e bënë me përgjegjësi të madhe, me revoltë të pastër , kanë mbajtur timonin e jetës në larmi të ndryshme të formave, përnjëherë janë fut në shpellën me labirint. Kjo është te shkrimtarët. Te gjenitë është më ndryshe. Trupi arrin ndarjen me shpirtin përjetojnë divorc, realisht asnjëherë nuk qenë bashkë, vetëm në pasqyrë vështrohen nga këndvështrimi i tyre. Disa bëjnë vetëvrasja edhe kur ndjehen më së miri në jetë, por në vetëvrasje nuk ekziston koha e korrigjuarit aktin, nuk ka prapakthim dhe i vetëvrari e di.
Njeriu është ngushtë i lidhur me jetën, por ekziston diçka më e fuqishme. Atë që i ja bënë trupit në të njëjtën kohë ja bënë edhe shpirtit, vetëm se trupi sprapset para aktit. Jeta është para mendimit, por në garë të njëjtë. Gjatë rrugës ekziston edhe shmangia e kësaj tragjedie siç e quan Kamy “Shpresa”. Ndoshta për një jetë tjetër të menduar si të merituar, këta nuk jetojnë për veten, por për një iluzion “ më të madh” se jeta e tyre. Vet Kamy e detyron njeriun të mos mashtrohet nga paqartësitë, papajtueshmëritë dhe ikonosekuencat. Atëherë, duhet të merremi drejtpërdrejtë me të vërtetën. Cilën të vërtetë? Atë që dyshojmë që është e vërtetë. E vërteta përcaktohet dhe pranohet nga vetë individi dhe sipas tij s’ka të vërtetë më të madhe se kjo. Realisht ajo është e vërtetë personale.
Shumë prej tyre vrasin veten duke menduar se nuk ja vlen të jetohet. Kjo qe një e vërtetë sipas Kamysë shterpë dhe kështu duhet të jetë. Ky poshtërim i ekzistencës mos vjen nga mungesa e kuptimit? Kamy këtu vë në thelb absurdin i cili kërkon të shpëtojë përmes shpresës dhe vetëvrasjes kuptimin. Të shpëtojmë këtë kuptim nuk duhet ta kërkojmë, por duhet të jetojmë jetën ashtu si na është dhënë. Vetëm se njeriu i thellë mendon ndryshe. Këtë të dhënë ai e shkrin në vetvete duke e manifestuar nga vetvetja. “Njerëzit që vetëvriten ndjekin deri në fund rrjedhën e ndjenjave të tyre”, shprehë interesimin logjik Kamy duke e cilësuar si të padrejtë. Të jesh logjik është e preferueshme. Logjika a na përcjellë deri në vdekje? Nëse kërkojmë arsyen, atëherë Kamy e ngritë te absurdi, por ajo mund të kuptohet nëse ndiqet pa pasione.
Nëse një çoban 18 vjeçar vret vetën për shkak dashurisë, nuk mund të krahasohet me vetëvrasjen e shkrimtarëve me tituj më të lartë e që mbetën të pavdekshëm në këtë jetë. Të dytë arrijnë kulmin e guximit për aktin e njëjtë, mirëpo për motive dhe arsye të ndryshme. Te Novela e Cehovit, Cerviakovi vret vetën për një teshtitje të pavërtetë nga ana e tij. Atij i fiksohet në kokë se ka bërë një vepër të papranueshme. Gjykon vetën për këtë akt, përplaset në kolltuk dhe vdesë. Kaq mjafton për ta vrarë veten.