• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Horri nuk bëhet fis

January 15, 2015 by dgreca

Nga Mesila Doda/
Deputetja demokrate, Mesila Doda, reagoi pas lajmit se familja e Ermal Hoxhës mendon se arrestimi i tij ka për qëllim diskreditimin e diktatorit Enver Hoxha.
“Familja e te akuazuarit per narkotrafik Ermal Hoxha, reagon sot dhe thote se akuzat behen per te diskredituar emrin e Enver Hoxhes.
Me sa duket pafytyrsia nuk paska fund per disa njerez.
Besoj se nuk ka asnje nevoje per te diskredituar akoma emrin e Enver Hoxhes sepse nuk ka asnje personazh tjeter me te zi e me te urrryer ne historine e shtetit shqiptar, si njeriu qe e privoi kete vend nga gjysme shekulli histori normale njerzore, si njeriu qe vrau e dogji kombin e vet, shkak edhe sot qe ky vend vazhdon te mbetet peng i komunistve dhe krimit. Te mbrohesh pas nje mostre diktatori te vdekur eshte edhe me keq, dhe me e pamoralshme se te justifikosh krimin ordiner.
Krimi me sa duket, eshte bere nje kostum qe i shkon per shtat brez pas brezi disa njerzve.
Perkunder kesaj, me vijne nder mend qindra shembuj pinjollesh te dyerve te nderuara te ketij vendi, te cilet pasi u rriten internimeve e burgjeve sepse gjyshi kriminel kishte vendosur ti shprishte ADN ketij vendi dhe ti zhdukte cdo pjesez te memorjes historike, sot jane shembuj te shkelqyer ne Evrope dhe ne bote, ne art, shkence e politike. Mbesa e Musine Kokalarit kandidon per deputete ne Suedi, nipi i Enver Hoxhes kandidon per trafiqe ne Shqiperi. Shkoi haka te i zoti. Bari nuk behet dot lis, dhe horri nuk behet dot fis,”shkruan Doda në FB.

Filed Under: Editorial Tagged With: Horri nuk bëhet fis, Mesila doda

Flet balerina dhe koreografja Adela Muçollari: Të jesh një balerinë është një magji

January 15, 2015 by dgreca

-Unë jam një artiste profesioniste dhe kërcej në një tempull të shenjtë/
-Princi im do jetë ai që do më bëjë mua të ndihem princeshë në krahët e tij/
-Dashuria për mua është diçka qe kur ti zgjohesh je e lumtur/
-Karakteri dhe dinjiteti janë dy gjëra që duhet të ketë çdo femër/
Intervistoi:Albert Z. ZHOLI/
Një balerinë dhe një koreografe që po paraqitet me dinjitet në të gjitha kompeticionet. Sipas saj “Të jesh një balerinë është një magji, një profesion që të jep një sodisfaksion të jashtëzakonshëm”.Aktivitetet e saj janë të shumta pasi ka një kalendar të ngjeshur në TKOB. Mund të përmendim së fundi baletet si “Inpackt & Table” “Coppelia” dhe premiera e fundit “Risvegiol Dell Umanita”….etj.
-Si lindi dëshira për të konkurruar si balerinë?
Në fakt ka qenë një ëndërr e nënës, pasi unë kam qenë 3 vjeç e gjysmë kur e kam nisur ketë rrugë. Ajo kuptoi talentin tim dhe dëshirën për të kërcyer.
A nuk je paragjykuar në këtë profesion?
Jo absolutisht që jo. Unë jam një artiste profesioniste dhe kërcej në një tempull të shenjtë si është Teatri Operës e Baletit. Të jesh një balerinë është një magji, një profesion që të jep një sodisfaksion të jashtëzakonshëm.
-Kush ju mbështeti më shumë nëna apo babai?
Nëna ime është gjithçka në jetën time. Ajo është krenaria ime, ajo më ka qëndruar çdo ditë të jetës sime pranë dhe më ka mbështetur çdo moment të jetës sime. Ajo është mbretëresha jetës sime.
-Cila ishte shfaqja e parë dhe ku?
Shfaqja e pare ka qenë në moshën 5-vjeçare kur unë kam kërcyer “Vdekjen e “Mjellmës” në spektaklin “Talentet e Reja”
Si u ndjetë kur mbaruat shfaqjen e parë?
Mbaj mend që zemra më rrihte fort. Kisha shumë emocione dhe isha sikur po fluturoja duke kërcyer në atë skenë.
Cilat janë aktivitetet tuaja të fundit dhe çmimet?
Aktivitet janë të shumta pasi unë kam një kalendar të ngjeshur në TKOB. Mund të përmend së fundi baletet si “Inpackt & Table” “Coppelia” dhe premiera e fundit “Risvegiol Dell Umanita”….etj
– Sa role keni realizuar?
Kam 6 -vite që jam pjesë e Teatrit të Operës e Baletit. Kam pasur shume role solistike në skenë si brenda dhe jashtë vendit..
-Cili është baleti më i mirë që keni realizuar?
Baleti më i mirë për momentin mendoj qe ka qenë baleti “Coppelia”. Pasi në atë balet kam marrë vlerësime maksimale nga shume profesionistë dhe kritikë arti.
-Ku është vështirësia e të qenit balerinë?
Te jesh balerinë është shumë e vështirë. Duhet ti kushtosh shumë kohë këtij profesioni. Ka orë të tëra të mbushura me punë në sallën e baletit. Duhet të arrish perfeksionin dhe kjo gjë kërkon shumë përkushtim që të jesh në majë.
-Ky është një profesion me kufizim moshe, si e keni menduar të ardhmen?
Po, është e vërtetë që baleti ka kufizim moshe, pasi të kem mbaruar karrierën time si prima balerin do jem një pedagoge shumë e përkushtuar për një faze të dytë të karrierës sime.
-Jeni supersticioze dhe tek cilat numra, sende apo fenomene besoni?
Jo nuk jam fare supersticioze. Besoj shumë në veten time dhe mbështetem te puna ime. Ajo nuk me ka zhgënjyer asnjëherë deri tani.
-Njeriu ka dhe s’ka idhuj në jetë, ose më mirë të themi ka dhe udhërrëfyes të së mirës, ju keni të tillë. Apo cilat modele keni për zemër?
Kam punuar me shumë maestro të baletit. Nga secili nga ata kam marre vlerat më të mira të profesionit. Gjëra të cilat më udhëheqin edhe sot në jetën time artistike dhe sot punoj me maestron Ilir Kerni. Ndërsa për sa i përket modelit si balerinë është Luccia Lacarra
-Çfarë është më e shtrenjtë sot për një femër të emancipuar?
Për mua gjëja më e shtrenjtë është familja ime dhe karriera ime.
-Përveç baletit, keni ndonjë profesion apo hobi që ngjitet në nivelet e një talenti të dytë?
Profesioni ime përveç baletit është dhe koreografia pasi unë kam studiuar për të qenë një profesion pak më vonë në jetën time
– Jeni e dashuruar dhe ç’ është dashuria për ju?
Po jam e dashuruar. Dashuria për mua është diçka qe kur ti zgjohesh je e lumtur..
– Cilat janë lidhjet me muzikën dhe librin?
Kam një lidhje shumë të ngushtë me muzikën. Më pëlqen ta dëgjoj në çdo moment.
Librat zakonisht i lexoj në mbrëmje një moment për tu relaksuar. Libri që po lexoj është “Ana Karenina” Tolstoj (vëllimi 2)
– Si e ideoni princin e kaltër?
Princi i kaltër ekziston vetëm në përralla..haha. Princi im do jetë ai që do më bëjë mua të ndihem princeshë në krahët e tij
– Kur çoheni në mëngjes në dimër?
Mëngjeset e mija janë të njëjta, ora 7:20, pasi unë jam në punë çdo ditë e bëhem gati.
-Mendimi juaj për operacionet plastike?
Nuk është se jam kundra në momentet që njerëzit kanë nevojë për to pse jo mund ti bëjnë. Kështu do ndihen më të bukur ..hahaha
– Më shumë ju pëlqen shoqëria me femra apo me meshkuj?
Shoqërohem nga të dyja gjinitë dhe kam miq të mirë.
-Ku i kaluat festat e fundvitit?
Pranë familjes. Preferoj qe festat t’ia kushtoj familjes sime
– Cila është gardëroba juaj?
Ne gardërobën time gjen çdo gjë. Për çdo vend unë kam veshjen e duhur
– Çfarë pëlqen më shumë tek një mashkull?
Më pëlqen sinqeriteti dhe qëllimi për të qenë dikush për jetën e tij
-Cila është arma më e fortë e femrës në jetë?
Karakteri dhe dinjiteti janë dy gjëra që çdo femër duhet të ketë.
-Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?
Nuk mendoj qe femrat shqiptare kane probleme, thjesht mendoj që duhet të vlerësojnë veten dhe mos të jenë të varura në jetë.
– A ndiheni e vlerësuar?
Ndihem një femër shumë e vlerësuar dhe e kënaqur për jetën time deri më sot.

Filed Under: Interviste Tagged With: Adela Muçollari:, Albert Zholi, është një magji, Flet balerina dhe koreografja, Të jesh një balerinë

Kleçkat burokratike dhe bashkësia protestante shqiptare

January 15, 2015 by dgreca

Nga Petro Luarasi/
Rreziku nga terrorizmi dhe masat që duhet të merren për parandalimin e tij në botë diskutohen gjerësisht me gjakftohtësi në rangjet më të arenës ndërkombëtare. Ndërkohë, me dhjetra njerëz të pafajshëm, rracash, kombësish e besimesh fetare të ndryshme, vriten përditë në Ukrainë, Siri, Irak, Sudan e më gjerë. Por vetëm masakra e Parisit, e propaganduar gjerësisht si sfidë e fundamentalizmit islamik, i shkundi qarqet politike evropiane. Disa krerë shtetesh e etiketuan ngjarjen si krim të llahtarshëm mbi të drejtat universal të shoqërisë njerëzore, të tjerë u kundërpërgjigjën duke e cilësua si hipokrizi, manipulim racist, gjuhë të urrejtjes dhe islamofobisë. Prandaj mediat i quajtën disa deklarata politike si ‘’hipokrite’’, me ‘’standarte të shumëfishta’’ vlerësimi.
Solidariteti dhe vlerat shqiptare.
Masakra ndaj redaksinë së revistës satirike franceze “Charlie Hebdo”, e pasuar edhe nga dy akte të tjera kriminale, ku u vranë 17 persona, ishte paralajmëruar dhe dyshohet të jetë shkaktuar nga publikimet ndër vite të materialeve irrituese dhe nga disa karikatura satirike për profetin Muhamet, por edhe për krerikë islamikë dhe katolikë. Qarkullojnë edhe opinione për arësye më të thella të masakrës, e konfliktit si pasojë e situatës së acaruar ndërkombëtare, të interesave politike, ekonomike dhe gjeostrategjike, ku pak a shumë përzihen disa fuqi të mëdha.
Presidenti francez shpalli tri ditë zie kombëtare duke i kërkuar popullit të qëndrojë i bashkuar përballë terrorit të fundamentalistëve islamikë. U organizua edhe “Marshimi i Unitetit” në Paris ku morën pjesë, krahas mbi një milion njerëzve, edhe qindra personalitete të politikës, fesë dhe kulturës botërore.
Atje kombi shqiptar u solidarizua me thirrjen ngadhënjimtare ‘’edhe unë jam Çarli’’ duke u përfaqësuar në manifestim me krerë politikë e fetarë dhe mediat nga Shqipëria e Kosova. Mbi të gjitha publiku vlerësoi harmoninë e bashkësive fetare shqiptare , me katër përfaqësues të kryesuar nga Udhëheqësi i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj. Marshuan krahpërkrah krerët myslimanë bektashianë e synitë dhe të krishterë ortodoksë e katolikë, të cilët u duartrokitën e brohoritën në sheshin “Republika” si dhe kur vendosën kurora me lule për nder të viktimave. Edhe në këto momente dhimbjeje e qëndrese ndërkombëtare kombi shqiptar arriti të shfaqë me nder e krenari një nga visaret e tij të rrallë.
Në këtë ditë solemne, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi se e konsideron sulmin ndaj Francës së vlerave të lirisë, të barazisë dhe të vëllazërimit si një sulm ndaj gjithë Evropës. Ai e konsideroi praninë e katër përfaqësuesve të komuniteteve fetare shqiptare, si një mesazh të qartë për të mbajtur lart flamurin e vëllazërisë e harmonisë fetare, të barazisë mes të gjitha opinioneve dhe besimeve si dhe për të mos rënë në kurthin e urrejtjes, të përçarjes dhe të frikës. Mesazhe kuptimplotë shprehu edhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Përse mungoi kreu protestant?!

Edhe familja ime u indinjua nga aktet terroriste të Parisit dhe u solidarizua me popullin francez në dhimbjen për njerëzit e masakruar, sikurse çdo njeri i etur për liri e demokraci, për unitet e mirëkuptim ndërfetar. Ndoqëm me vëmendje lajmet, diskutimet dhe opinionet për vlerat tona përfaqësuese kombëtare. Krahas krenarisë së ligjshme si shqiptarë, u habitëm pa masë, madje u shqetësuam, kur pamë se në ceremoni nuk u përfaqësua edhe komuniteti protestant shqiptar ndërkohë që edhe mediat u treguan indiferente ndaj kësaj mungese të rëndësishme.
Nuk mund të anashkalohet nderimi e përgjegjësia kundrejt kontributeve të vyera atdhetare të rilindasve shqiptarë të përktësisë protestante, apo të nënvlerësohet për veprimtaritë bamirëse dhe social kulturore të VUSH-it në të mirë të kombit shqiptar deri në ditët tona. Për më tepër, bashkësia protestante kontribuon shumë, në raport me numrin e besimtarëve të saj, edhe për mirëkuptimin dhe tolerancën ndërfetare në Shqipëri e Kosovë që provohet nga aktivitetet në terren dhe takimet e përbashkëta, të përshëndetur nga krerët e shtetit e qeverisë, të pasqyruara gjerësisht nga mediat edhe gjatë vizitës së Papës në Shqipëri.
Pikërisht për këto vlera e kontribute madhore shekullore përgjatë periudhës së viteve 1892-2015 në trojet shqiptare, kjo bashkësi është ligjërua si fe zyrtare në Republikën e Shqipërisë(Ligji Nr.10 394, datë 10.3.2011 për ratifikimin e “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkësisë fetare “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella). Kur njihet veprimtaria e rëndësishme që kanë kryer drejtuesit e VUSH-it Pastor Fitor Muça, Pastor Ali Kurti, Pastor Akil Pano në Shqiperi apo Pastor Driton Krasniqi nё Kosovё. Mjafton të kujtojhen vlerat e simpoziumit shkencor “Miq pёr Perёndinё-Dritё pёr popullin-Uratё pёr Mёmёdhenё” ku studjues të ndryshëm dëshmuan pёr trashёgiminё ungjillore si vlerё kombёtare tё Shqipёrisё, mbi rolin e Kishёs Ungjillore nё formёsimin kombёtar dhe shtetbёrjen e Shqipёrisё, për pёrkthimet biblike shqip si ndihmesё e veçantё pёr kulturёn shqiptare dhe themelimin e Shkollës së Parë të Vashave në Korçë. (Andi Dina, Simpozium shkencor “Miq pёr Perёndinё-Dritё pёr popullin-Uratё pёr Mёmёdhenё”, 2 Janar 2013)
Apo të përmendim mesazhet e rëndësishme nga takimi ndërfetar :’’Mesazhe paqeje nga bunkeri që tentoi të zhdukte fenë’’
(http://www.nacionalalbania.al/2014/11/mesazhe-paqeje-nga-bunkeri-qe-tentoi-te-zhdukte-fene/

Shqetësimi i rilindasve
Natë e ditë ndjej brengë, vegime ngjarjesh e personazhesh historike, atdhetarë rilindas e bashkëkohës: protestantë, ortodoksë, katolikë, myslimanë synitë e bektashi, në përpjekjet kolektive, në sakrificat madhore për çeljen e shkollave shqipe, për botimin dhe shpërndarjen e librave shqip, për çeljen e shkollave të para kombëtare laike shqipe, për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe me gërma latine, për zhvillimin me sukses të dy Kongreseve të Manastirit, abetaret dhe Kongresit Kombëtar të Lushnjës, etj, etj. Më thërresin shpirtat e shenjtë rilindasish të mallkuar dhe shkishëruar prej klerikëve shovenëve: Gjerasim Qiriazi me vëllezër e motrat, Naum Veqilharxhin, Kostandin Kristoforidhi, Koto Hoxhi, Nikolla Naço, Grigor Cilka, por edhe Elena Gjika, Asdreni, Konica, Noli, Naim Frashëri, Vangjel Meksin, Grigor Gjirokastriti, Panajot Kapitarin, por edhe Koto Hoxhi, Thanas Sina, Kristo Shuli,Gjergj Fishta, Mithat Frashëri, si edhe im gjysh Petro Nini Luarasi, me amanetet e tij të përgjakura.
(https://sites.google.com/site/vushorg/ngjarje-fakte/historia-e-kishes-ungjillore-ne-shqiperi)
Të gjithë këta rilindas u kërkojnë llogari pasardhësve shqiptarë, rilindasve të kohës sonë, përse ia mënuan përfaqësimin, shpirtin dhe vlerat grigjës protestante në marshimin solidar të Parisit. Si t’iu them o rilindas të rinj, o vëllezër e motra shqiptare, pa dallim feje, krahine e ideje? Si të justifikoj përfaqësuesit e shtetit, të bashkësive të tjera fetare dhe mediat që nuk po bëzajnë per këtë indiferencë ndaj komunitetit protestant shqiptar, si një nga të pesë komunitetet e ligjëruara fetare? Kur ftohen turlilloj njerëz si perfaqësues të shqiptarëve ne Paris dhe jo një nga pesë shtyllat e unitetit fetar kombëtar, me rrënjë të thella historike e botëkuptimore angloamerikane, kjo është pakujdesi, nënvlerësim, keqdashje apo …., hej burra!!!

Aktualitet e perspektivë
Vërtet gëzohemi për idenë, përfaqësimin dhe imazhin pozitiv në Paris, por dhe sa më i suksesshëm do të kishte qenë përfaqësimi i të pesë komuniteteve të ligjshme fetare shqiptare në vëmendjen e opinionit publik botëror!!! Sidomos kur Vellazeria Ungjillore Shqiptare (VUSH) këtë vit do të perkujtojë njohjen si bashkesi fetare e ligjshme në Shqiperi, efekti do të ishte edhe më i madh, do të ishte një vlerë e shtuar për shtetin dhe besimtarët shqiptare, sikurse pesë gishtat e dorës, grusht bashkuar për unitetin kombëtar dhe besimin tek Zoti.
Do të ishte edhe një mesazh domethënës për ndërgjegjësimin dhe bashkëpunimin më të madh të qeverisë me komunitetin protestant e më gjerë për problemet me të cilat po përballen. P.sh si të mos mbulohen apo anashkalohen ndjeshmëria e ortodoksëve fanolistë, sikurse edhe besimtarëve katolikë, për tu drejtuar nga klerikë shqiptar apo mbi përkrahjen e shtetit, kontrollin e burimeve financiare, materiale, njerëzore, propagandistike dhe aktivitetit ligjor ndaj të gjitha bashkësive fetare. Në mënyrë që jo vetëm të respektohet ligji, por edhe të zbatohen realisht strategjia, objektivat dhe nismat promobvuese për tolerancë fetare, mirëkuptim e vëllazërim, gjithnjë për të mirën e popullit. Le t’ia lemë lexuesit shqiptar të gjykojë mbi deklaratat dhe ngjarjet, maskat dhe fytyrat e paradoksit demagogjik, të cilat analisti Kastriot Myftaraj pretendon të jenë realisht ‘’Teatër hipokrizie politiko-religjioze në mes të Parisit’’, (http://everteta.al/teater-hipokrizie-politiko-religjioz-ne-mes-te-parisit/ )
Githsesi, sikurse u shpreh studenti Alex Fougneri, “Hipokrizia e liderëve botërorë nuk e ul sinqeritetin e miliona njerëzve që marshuan’’ edhe ‘’kleçkat’’ burokratike nuk e ndalin dot misionin e bashkësisë protestante shqiptare, tok me të tjerat, në misionin e tyre ndaj kombit shqiptar e Zotit.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe bashkësia, Kleçkat burokratike, Petro Luarasi, protestante shqiptare

Çmenduria shqiptare dhe joshja e së zezës

January 15, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
(Kaq shumë e kanë ushqyer syrin shqiptarët me ngjyrën e zezë, saqë edhe kur u del perpara tyre diçka e bardhë besojnë se ajo është një lloj i të zezës!!! (Agron Bala )/
Partneri ynë strategjik, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka qenë shumë i ashpër duke komentuar marshimin e paqes në Paris.
Ai ka thënë se reagimi i Perëndimit ndaj sulmeve në Paris ka qenë i mbushur me islamofobi dhe se në marshimin ku merrte pjesë edhe miku i tij Rama, ka pasur udhëheqës që ushtrojnë terorizëm shtetëror. (gazetaexpress.com).
Si mendoni ju Sulltan Erdogan, te ndjekim rrugën e Serbisë , Malit të Zi, Maqedonisë ?
Shkojmë më tutje : Mediat serbe ishin ndoshta të vetmet e rajonit që thanë “nuk jemi me Charlie”-n. Kjo sepse revista pasqyronte terrorin serb në Kosovë. Deri pas luftës së fundit Franca ka qenë një ndër vendet më mike të serbëve. Keq për shoqërinë serbe sepse nuk rradhitet me bllokun e asaj bote me të cilën janë shqiptarët. Si fqinj.Duket sikur indikacioni të ringjallet serish blloku i të (pa)inkuadrarve në linjën “Rusi-Serbi-Maqedoni- vendet Arabe -Turqi” të ketë hyrë në realizim. Të drejtë kanë dhe mund ta bëjnë (Xh.Leka).
Por mosshkuarja e Serbisë në Paris e ka edhe arsyen tjetër , mu ne gazetat tona patëm lexuar që Serbia është shitëse e madhe e armëve ISIS-t dhe e të gjitha vendeve arabe. Si mendojmë ne që ajo do të prishet me turqit dhe arabët për shkak të një vrasjeje të flalës së lirë? . Jo . Ajo e ndjekë interesin e saj strategjik dhe ekonomik , dhe jo sepse i do aq shumë arabët . Po me turkun çka e lidhë ? përsëri tregu i armëve dhe mos të harrojmë planet e mëshefta në strategjinë perandorake te Davutoglut. E dijmë ne saktësisht se ku biejmë në atë strategji të Strategut ? e di inteligjenca shiptare se ç ka mendojnë turqit dhe serbët për këto pjesë të mbetura shqiptare?
Deshta të analizoj qëndrimin dinjitoz të shqiptarëve me rastin Je suis Charlie! Por më ngeci në fyt fyt kudestaria e disave që çdo veprim shqiptar e shohin të zi sa do që i bardhë të jetë ai. Marre!
“Kryeministri Edi Rama që ndodhej në Paris në marshimin për nderë të viktimave të Charlie Hebdo, bashkë me stafin e tij, klerikët nga katër fe, si dhe gazetarë nga Tirana, ka bërë një veprim simbolik, duke vendosur në xhepin e xhaketës së tij tre lapsa me ngjyrat që simbolizojnë flamurin e shtetit të Francës.Lapsi i karikaturistëve që ironizuan jo vetëm radikalizmin mysliman por edhe të gjitha ekstremizmat, është kthyer në simbol të lirise dhe mendimit të lirë.” Çfarë menqurie diplomatike një politikani shqiptar që premton shumë.! Bota e civilizuar i durtrokiti me zëmër (edhe unë ),; sa krenari kur civilizimi të thot në gjuhën e tij “ Bravo”? ( Ju lumtë !)
Por ne i kemi qyqet ndjellakeqe që shofin vetëm zi , dhe duhet pa tjetër të nxiejnë çdo të bardhë shqiptare që na “dhurojnë” rrethanat botërore për t`a çfaqur.
Shetita portaleve , gazeta shqiptare ; lundrova me barkën time gati në të gjithë titujt që i kushtoheshin CharlieHebdo-s dhe pashë shumë ngjashmëri të anëve tona me qëndrimin serb dhe turk.
Në një portal që lansohet nga Kanada , e që është kryekëput antishqiptar ;pro serb, pro grek ,pro turk i gjeta aty të gjithë grumbull me shkrimet e tyre Andi Bushatin: Si do sillej sot një parti islamike shqiptare?; Erol Velijajn :”Lufta e religjionit në Francë”; Kastriot Myftarajn me :” Katër mashtrues fetarë nga Shqipëria në Paris “;Shefqet Dellialisin me
”Konvertimi në një fe? Triumfoi toleranca fetare” Ilir Kullen me:” Shqipëria rrezikohet nga injoranca, varfëria dhe korrupsioni jo nga terrorizmi “ dhe shumë të tjerë që me shkirmet e tyre i pakan pëlqyer portalit extremist antikombëtar .
Ilir Kulla pyetet: A rrezikohet edhe Shqipëria nga akte të tilla, duke patur parasysh faktin se dhjetra shqiptarë luftojnë për ISIS në Siri? ..i nderuari analasit medon që ne presim që diçka tragjike të na ndodhë, te dirdhet gaju e pataj të dalim me sharje e stërsharje për të gjetur fatorin që nuk gjindet kurrë. Keshtu shkruante edhe Fatos Lubonja një here pas një “inspektimi” që i kishte bër Kosovës : “ Nuk vërejta asgjë fundamentaliste në Kosovë “
Një lajm i mirë për ne në këtë halakamë mbarëshqiptare “Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ka fituar Çmimin “Jeruzalemi” për vitin 2015.Çmimi do t’i dorëzohet Kadaresë në hapje të Panairit Ndërkombëtar të Librit muajin e ardhshëm në Jeruzalem.
DITA citon gazetën Haaretz e cila thekson se Kadare i dha shprehje lirisë njerëzore në librat e tij.
Librat e përkthyer në hebraisht të autorit janë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Viti i mbrapshtë”, “I ngrirë në akull”, “Pasardhësi”, “Prilli i thyer”, “Piramida”, “Dasma” etj.
“Kadare është një tregimtar ironik dhe tepër interesant që rrëfen shkëlqyeshëm me nënkuptime të tërthorta rreth fajit kolektiv, veçanërisht në mos ndëshkimin e këtij faji… Edhe pse në formën e të shkruarit personazhet janë kryesisht lokalë, kuptimi dhe rëndësia janë padyshim universale. ” – thuhet në motivacion.

Filed Under: Analiza Tagged With: cmenduria shqiptare, dhe joshja, e së zezës, Fahri Xharra

MALIT TE ZI NUK I INTERESON ZHVILLIMI I ULQINIT

January 15, 2015 by dgreca

NGA XHELADIN ZENELI/
Një ndër qytetet më të bukura bregdetare, me popullsi shumicë shqiptare, që sot gjindet nën administrimin e pushtetit të Malit të Zi, pra Ulqini, edhe përkundër bukurisë dhe resurseve të pasura natyrore që posedon ky qytet,megjithate, sot rradhitet në një ndër komunat më të pazhvilluara dhe qyteti më i pazhvilluar bregdetar në këtë shtet. Ashtu si edhe vitet e mëparshme, edhe viti 2014 që sapo kaloi, nuk solli ndonjë ngjarje apo lajm të rëndësishëm cili do do të ndikonte dukshëm në përmirësimin e jetës dhe standardit ekonomik të banorëve të kësaj
komune.Në të vërtetë viti i ri 2015 filloi me një të dhënë shqetësuese për të punësuarit e Ulqinit, publikuar nga Monstat-i ( Enti i Statistikës së Malit të Zi) i cili raportoi pagat mesatare e të punësuarëve në komunat e Malit të Zi për vitin e kaluar,ku të punësuarit e komunës së Ulqinit, kishin pagat më të ulta në krahasim me komunat e tjera.
Deri më tani janë përpiluar disa master plane për Ulqinin ku parashikohen ndërtime të hoteleve edhe me pesë yje, në përbërjen e të cilëve do të ishin në funksion me mijëra shtretër me akomodime luksose të standardeve përendimore. Por në realitet jo vetëm që asgjë nuk është realizuar nga këto plane, por ka ndodhur e kundërta, pra ka ardhur deri te degradimi drastik i ekonomisë, me theks të veçantë të industrisë hotelerike të komunës së Ulqinit.
Më kujtuhet kur gjatë viteve “80 -ta, të shekullit të kaluar flitej për egzistimin e një master plani të atëhershëm për Ulqinin , ku në mes tjerash parashikohej ndërtimi i një aeroporti lokal në fushën e Shtojit i cili kryesisht do të sherbente si lidhje ajrore për turistët që vizitojnë Ulqinin gjatë sezonit të verës. Tingëllon si ide e mirë por që fatkeqësisht edhe pas rreth tre dekadave, mbeti vetëm ide. A mos vallë dikush vertetë besoi se Mali i Zi do të ndërtonte një aeroport në një vendbanim me shumicë shqiptare, projekt ky i cili do të kishte ndikuar dukshëm në kunkurencën e një aeroporti tjetër i cili gjindet në një qytet tjetër bregdetar por me popullsi sllave, pra bëhet fjalë për aeroportin e qytetit të Tivatit !? Ky është vetëm një shembull i cili tregon se si pushteti malazez ushqen popullin me ëndërra të cilat nuk do të realizoheshin asnjëherë por që do t’i shërbenin atyre si farsë para opinionit se kinëse ky pushtet po mundohet për të ardhmen e këtij qyteti të lashtë .
Por krimi më i madh ndaj qytetit të Ulqinit është bërë me rrënimin e hoteleve të tij gjatë një periudhe disa vjeçare , me preteksin se në vendin e tyre do të ndërtohen hotele të reja nga investitorët privat. Hoteli ” Galeb” një ndër hotelet më të njohura dhe një ndër simbolet e hotelerisë së Ulqinit u ble nga një kompani private për të katërtën herë ( pasi që tre tenderët e mëparshëm dështuan),me 5 shtator 2006 dhe sipas

marrëveshjes punimet e para investuese do të duhej të fillonin në janar të vitit 2007. Por edhe pas shtatë viteve asgjë nuk lëvizë në këtë pikëpamje dhe në vendin ku dikur egzistonte hoteli në fjalë, gjithënjë vazhdon të shihet vetëm zbrazti. Rasti i hotelit Lido, në Plazhë të Madhe është i paprecedent.Investuesi nga Rusia,pasi që nënshkroi marrëveshtjen dhe u zotua për ndërtimin e hotelit të ri, rrënon të vjetrin, tërhiqet nga kontrata, largohet dhe shkon e ndërton një hotel të ri në qytetin Budva (!?).Një fenomen i ngjajshëm ndodh edhe me hotelet e tjerë që presin të ndërtohen apo të rinovohen: shpallet tenderi, paraqitet investuesi, zvarriteten punimet, anulohet marrëveshtja,terhiqet investuesi, paraqitet investuesi i ri dhe kështu me radhë. Këto ndodhin vetëm në Ulqin sepse në vendet e tjera bregdetare në Mal të Zi, zgjidhet çështja pronësore, jepet tenderi për privatizim dhe menjëherë fillojnë ndërtimet. Mjafton ti hedhni një shikim Tivarit, Kotorrit,Herceg Novit, e posaçërisht Budvës e cila po lulëzon me ndërtimin e hoteleve të ri dhe luksuse. Atëherë, përse tenderat, blerësit dhe investuesit e papërgjegjës dhe zvarritjet me pretekse të ndryshme,janë dukuri dhe paraqesin problem vetëm për hotelerinë dhe ekonominë e Ulqinit !? Lidhur me këtë askush deri më sot nuk ka dhënë një përgjigje bindëse apo të logjikshme.
Kur kësaj që u tha më lart i shtohet edhe fakti që komuna e Ulqinit tash më shumë se dy dekada vazhdon të dëmtohet ekonomikisht me Ligjin e ashtuquajtur i të Mirave Detare,përmes të cilit uzurpohet rreth 13% e territorit të kësaj komune nga ana e Podgoricës, me ç’rast nuk i lejohet qeverisë lokale që të administrojë me pjesën më të mirë të vijës së vet bregdetare . Gjithashtu, bregdeti i Ulqinit përbën 17.4 % e bregdetit të përgjithëshëm të Malit të Zi, por pjesa e territorit të kësaj komune që i takon territorit të të Mirave Detare është 57.32% , çka e pozicionon këtë komunë në garë të pabarabartë drejt përparimit ekonomik,me komunat e tjera në Mal të Zi.
Kështu që tani përfitohet një pasqyrë edhe më e qartë se e gjithë kjo çfarë po ndodh me Ulqinin,nuk është koincidencë,por një politikë e paramenduar që dirigjohet nga lart, pra nga Podgorica. Është qeveria qendrore,respektivisht ministria e turizmit si palë vendim-marrëse, e cila është përgjegjëse për zvarritjen apo dështimin e vazhdueshëm të kontratave me investuesit privat për ndërtimin e hoteleve të Ulqinit. Kurse parlamenti i Malit të Zi është përgjegjës për aprovimin e ligjeve të ndryshme që diskriminojnë këtë komunë dhe e vendosin ate në pozitë të pabarabartë me komunat e tjera në Mal të Zi.Përmendem këtu vetëm turizmin si një ndër pjesët më të rëndësishme të ekonomisë së këtij qyteti,por dëme të konsiderueshme kanë pësuar edhe fushat e tjera të ekonomisë së këtij mjedisi siç janë, prodhimtaria bujqësore,blektoria,prodhimi i kripës etj.
Tani shtrohet pyetja se,përse Malit të Zi nuk i intereson zhvillimi dhe përparimi ekonomik i Ulqinit ? A e shikon pushteti malazez zhvillimin potencial të Ulqinit si kërcnim ndaj qyteteve të tjera bregdetare në Mal të Zi si p.sh. Budva,Kotorri, Herceg Novi etj.? A ka mundësi që perparimi dhe zhvillimi ekonomik i Ulqinit do t’a shëndrronte këtë qytet në një fuqi ekonomike dhe financiare dhe si i tillë mund të bëhet edhe fuqi politike? Dhe një fuqi eventuale politike e një komune me shumicë shqiptare do të ishte kundër interesave dhe qëllimeve të Malit të ZI !?
Me keqardhje mund të konstatojmë se mos zhvillimi ekonomik nuk është karakteristikë vetëm e Komunës së Ulqinit por është dukuri egzistuese dhe shumë prezente edhe në trevat e tjera shqiptare, si në Malësi, Plavë – Guci, Krajë e Rozhajë. Dihen shumë mirë se cilat janë pasojat e mos zhvillimit të një qyteti, venbanimi apo
komune, në këtë rast të qytetit të Ulqinit dhe vendbanimeve të tjera shqiptare,pasoja këto që ndikojnë në rritjen e nivelit të papunësisë së banorëve,në pa perspektivën e të rinjëve për të ardhmen të cilët pastaj kërkojnë zgjidhje drejt rrugës së emigrimit apo shpërnguljes në botën e jashtme. Pushteti malazez, në raport me trevat e banuara me poppullsi shqiptare autoktone,gjithënjë vazhdon politikën e vet sipas parimit të njohur i cili thotë se mënyra më e mirë e sundimit të një populli( në këtë rast, të shqiptarëve) është që t’i varfërosh ata sa më shumë duke mos investuar në vendbanimet e tyre apo duke shkatërruar ate çka kanë dhe në këtë mënyrë duke realizuar qëllimin e tyre final në shpopullimin e trevave me popullsi shqiptare dhe kolonizimin e tyre me banorë të kombësisë sllave.
Paradoksi më i madh është se ata të cilët janë zgjedhur të përfaqësojnë intereset e shqiptarëve, nuk po e kryejnë detyrën e tyre si duhet dhe merren shumë me vetëvehten.Shembulli më i fundit i kësaj është ai i dy kualicioneve shqiptare në parlamentin e Malit të Zi, përfaqësuesit e të cilëve,tash disa muaj po konsumojnë kohë dhe energji të panevojshëme duke u marrur me debate dhe argumente të ndërsjellta lidhur me mandatin e deputetëve , me ç’rast vëmendja tërhiqet nga çështjet e mirëfillta dhe jetike të shqiptarëve në Mal të Zi të cilat kërkojnë këmbëngulje,fokus dhe angazhim të vazhdueshëm në zgjidhjen e tyre.
Njikohësisht, shpresojmë që me rastin e vizitës së zv.kryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, Malit të Zi,të paralajmëruar me 15 Janar 2015, që temë e bisedimeve të tij me udhëheqësit malazez,të jetë edhe çështja e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe statusi i tyre i pabarabartë në këtë republikë.

Filed Under: Analiza Tagged With: MALIT TE ZI NUK I INTERESON, xheladin Zeneli, ZHVILLIMI I ULQINIT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4166
  • 4167
  • 4168
  • 4169
  • 4170
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT