Hap pas hapi, operacioni i ndjekur nga mjetet detare të FD/
Speciale per Diellin- Nga Shefqet Kërcelli/
Më datën 28 dhjetor, në orën 07.05, Komanda e FD, mori një informacion nga QBO e QNOD, të cilët mbi bazën e lajmit të marë nga Kapiteneria e Pirreut, Greqi, sqaronin se trageti me emër “Norman Atlantik”, MMSI247277400 dhe IMO 9435466, i nisur nga Igumenica për Ankona, Itali, ka marrë zjarr në bord dhe ndodhet në kordinatat, φ= 40 o24’1” N dhe λ=08 o59’ E. Për këtë arësye pasagjerët e anijes kanë filluar abondonimin,{braktisjen} e saj. Ky mesazh i është dhënë dhe Rojes Bregdetare Greke dhe asaj Italiane, si dhe mjeteve të tjera që lundronin në rajon. Më të marrë sinjalin, Komandanti i FD u njoh me situatën dhe prognozën e detit, dhe i dha urdhër anijes “Butrinti”, P-134, të dalë menjëherë në det për operacion kërkim-shpëtimi SAR. Në orën 07.50, anija P-134, doli në det për operacionin e kërkuar, duke ju drejtuar rajonin të aksidentit detar. Në orën 10.45, P-134, mbrriti e para në rajon, dhe raportoi se janë evokuar rreth 46 persona dhe 400 të tjerë ndodhen në bord. Në 10.55, vrojtuesi i anijes “Butrinti” sheh tymin e tragetit dhe raporton se vazhdon operacioni për evakuimin e pasagjerëve dhe fikjen e zjarrit brenda tragetit nga mjetet ajrore greke dhe italiane. Në orën 12.00, P-134, sheh praninë e një zadre të verdhë {mjet shpëtimi, shqip}, rrotull tragetit. Nga ora 12.40, anija P-134, nën drejtimin e tragetit ndihmues “Cruise Evrope”, mori pjesë në shuarjen e zjarrit me mjetet e saj, duke pompuar ujë më kapacitetin e saj dhe dukeu përpjekur për të marrë persona në bord. Por theksojmë se deti 7 ballë, vështirësonte kryerjen e veprimeve nga anijet për imbarkimin e pasgjerëve në bordin e tyre. Në orën 12.40, në operacion u fut dhe një rimorkiator i ardhur nga Italia {Marrieta}, i cili së bashku me P-134, u përpoqën për fikjen e zjarrit. Në këtë moment nga ana e personelit të tragetit është bërë kalimi i pasagjerëve në bashin,{pjesën fundore të anijes, shqip} të tragetit të përfshirë nga flakët, me qëllim evakuimin e tyre të shpejtë me helikopter dhe pa rrezikuar jetën. Në orën 13.00, ju dha urdhër dhe anijes “Lissus”, P-133, për të qenë e gatshme në rajon. Në orën 15.25, kapiteni i anijes “Butrinti” raporton se janë evakuar nga trageti 350 pasagjerë, dhe dy rimorkjatorë italianë po vazhdojnë shuarjen e zjarrit. Në orën 15.30, nga P-134, u raportua se gjatë evakuimit një shtetas grek është përplasur me anijen dhe si pasojë ka rënë në det, i cili u mor nga anija jonë dhe ju dha autoriteve përkatëse. Ndërsa një person tjetër i seksit femër pasi mori goditje gjatë evakuimit, u nis drejt Italisë me Motovedetën e Guardia Costiera Italiane, të ndodhur në operacion. Në orën 17.30, është raportuar se në traget janë dhe 220 persona në bord dhe po shihet mundësia mundësia e rimorkjimit drejt Brindizit nga ana e rimorkiatorëve italianë. Në orën 18.40, P-134, “Butrinti”, duke bërë kërkim rreth e rotull tragetit, raporton se në bordin e anijes ndodhen 170 persona. Gjatë kësaj kohe, Komandanti i anijes “Butrinti” herë pas here i bëri thirrje kapitenit të tragetit “Norman Atlantik” për tu strehuar në portin e Vlorës ose të Durrësit, pasi ishin marrë masat përkatëse nga shteti shqiptar për këtë emergjencë detare. Në orën 19.30, me urdhër të SHSHP, Gjeneralmajor Jeronim Bazo dhe Komandantit të FD, Gjeneralbrigade Qemal Shkurti, anija “Butrinti”, P-134, u urdhërua të kthehet në bazë. Theksojmë se këtë operacion tragjik detar e ndoqën nga afër kryeministri i Republikës së Shqipërisë, zoti Edi Rama, Ministrja e Mbrojtjes, zonja Mimi Kodheli, dhe drejtues të lartë ushtarakë dhe civilë të shtetit shqiptar. Më datën 29 dhjetor, në orën 05.10, P-133, “LISSUS”, doli në det të hapur drejt zonës së operacionit, brenda ujërave tona në VP të Vjosës, me drejtim Jug. Aktualisht në operacion marrin pjesë Anija “Lissus”, P-133, 4 rimorkiatorë italianë, Fregata italiane “SAN Giorgo”, e cila drejton operacionin, trageti “Cruise Europa”, dhe nëntë anije tregtare që ndodhen në rajon. Sipas burimeve të tragetit, deri tani, ora 14.00, data 29 dhjetor, nga trageti “Norman Atlantik” janë evakuar 380 persona, në anije ndodhen 140 persona, ndërsa 5 persona janë viktima të kësaj tragjedie detare. Trageti vazhdon lundrimin drejt Brindizit.
Konkluzione të operacionit
-Në vëllimin e parë të “Antologjisë së Detarëisë Shqiptare”, në faqen 178, ka një kapitull të vecantë “Detet i bashkojnë shtetet , të cilat ata vetë i ndajnë”. Aty thuhet shkoqur se kemi rivalizuar e vuajtur shumë historikisht Grekë, {Helenë}, Shqiptarë, {Ilirë}, Italianë,{Romakë} për të zotëruar e shfrytëzuar Detin Jon dhe Adriatik. Por rasti i tragetit “Norman Atlantik” tregoi se deti nuk të fal, se ne trekombasit e përjetshëm të Adria-Jonit , duhet të jemi bashkë, në të mirë dhe të keq, për të shpëtuar njerzit tanë. Në traget shumica e pasagjerëve ishin Grekë, Italianë, Shqiptarë e Ballkanas. Klithmat e tyre gjatë kësaj tragjedie na bënë thirje për bashkim. Kapiteni i anijes së Forcës Detare Shqiptare, “Butrinti”, djaloshi Orikumas, Ermal Hila, i kuptoi të gjitha gjuhët, dhe gjuhën e qytetarit grek, të cilin e mbajti në bord të pajetë. Pra, kjo tragjedi detare na bën thirje për të hedhur pas gjurmët e të kaluarës, sepse deti nuk njeh racë, komb, ngjyrë, por do humanizëm, vëllazëri, në emër të bashkëjetesës së brezave e gjeneratave që vijnë pas.
-Në operacion u bashkuan mjete dhe personel nga të tre shtetet Greqi, Shqipëri, Itali. Ky operacion tregoi më së miri vlerat e detarëve tanë, të qytetarëve tanë, se deti nuk ka ngjyrë e komb, ndaj le ta duam të gjithë, se një jetë kemi, dhe atë mos na i marrë as fortunali i Jonit, as ai i Adriatikut, që herë pas herë tregon egërsinë e tij.
-Operacioni i “Norman Atlantik”, bashkoi jo vetëm pasgjerët dhe ekuipazhin e tragetit, por dhe qeveritarët kryesorë të tre shteteve, të cilët njëzëshëm shprehën gatishmërinë për të vënë kapacitete zyrtare, operacionale, njerzore në shpëtimin e njerzve, viktima të kësaj tragjedie detare. Gjykoj se komunikimi midis zyrtarëve të tre shteteve fqinjë do ngelet në historinë e mijëvjecarit të III-të, si model bashkëjetese e sinqeriteti, në emër të paqes e shpëtimit të këtyre njerzve.
-Gjatë këtyre 20 viteve, të tre shtetet fqinje zotëruese të këtyre deteve kanë zhvilluar mjaft stërvitje të përbashkëta për kërkimi-shpëtim ose zbatim ligjshmërie , herë pas here dhe me Flotën e 6-të të SHBA, një përvojë e cila i shërbeu ecurisë së këtij operacioni.
-Operacioni tregoi më së miri dhe kapacitetet teknikë dhe operacionalë të mjeteve aero-detare të Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë.
-Gjatë dy ditëve ndoqa mjaft intervista e kronika, ku në mjaft raste shihja njerëz që donin të mburreshin, por që për mbarëvajtjen e operacionit nuk kishin asnjë kapacitet operacional përvec vetes.
-Për problematikën detare që ka vendi ynë, në vitin 2006, kam kërkuar organizimin e një konference kombëtare për detin, me qëllimin e mirë që shumë gjera të vihen në hullinë e duhur për detin, por si rrjedhim u hoqa nga puna nga klika ushtarako-civile e asaj kohe. Jam gati që me të gjithë institucionet detare shqiptare ta organizojmë këtë konferencë në vitin 2015. Duhet të vihet pika mbi “i” në shumë probleme të detit. Kjo duhet të jetë pjesë e programit të cdo qeverie shqiptare, kushdo të jetë.
-Paraprakisht po ju them, zoti kryeministër, që si Forcës Detare, ashtu dhe kompanisë së Mjeteve tona Detare, i duhet një mjet që të përballojë 10 ballë det, dhe mos shfaqësohemi, apo të fshihemi më me shprehjen, ishte deti 7 ballë, se si det JON ashtu dhe Adriatiku, kanë kapriciot e veta, por jeta e njerzve tane vlen më shumë se kushdo.
-Sot në mëngjes herët kur dola nga shtëpia kisha veshur një mushama marinari për të shmangur erën e fortë, kur komshiu im Ceni, mbasi më përshëndeti si do ditë më tha, o Ceto! – këta rob që u morën me atë operacion shpëtimi, po ti kishin kërkuar ndihmë Flotës së 6-të të SHBA, mund ti kishin shpëtuar këta njerëz për 1 orë, se ne si ballkanas-adriatikas, aq e kemi takatin. Po mire, a mund të na japin ata një anije që të përballojë 10 ballë!? Ose dhe mund të blihet, se jeta e robit nuk llogaritet!? Në heshtje vazhdova rrugën për të shkruar lajmin e radhës të detarëve tanë.
QAMILI
Nga Ilir Levonja/FLORIDA/
Atje në Lushnjen time, i bëri gjëmën vetes një lushnjar. E quajnë Qamil. Përpiqem ta kujtojë. Zelët janë një fis me emër. Por nuk më kujtohet. Sot faqet e gazetave kanë emrin e tij. Të thënura e të pa thënura. Në fund të fundit ai është një viktimë e metodave radikale. Vetos kokëfortë e politikës provinciale. Jo brenda Lushnjes, pasi lushnjarët vetë sado të angazhuar ia ruajnë erzin njëri-tjetrit. Sidomos kur bëhet fjalë për fiset. Por provincializmit politik në gjithë Shqipërinë. Madje më provinciale se vetë provinca, ajo është mu aty në mes të Tiranës.
Nuk e di a ka qënë në ngushëllim, a ka pirë një kafe deputeti Erjon Braçe? Pasi po shoh se si kuvendon në fb me qytetarët, birinxhi, sikur me qënë qytetar danez. Gjithçka ia ngjesh një lloj retorike antikulturore në lidhje me mos pagesën e faturës. Dhe këtë na i propogandon opozita.
Do të qe mire të ishte. Në fund të fundit është kudo Myzeqesë, me inagurimet, pastrimet e kanaleve, ribërjen e shesheve, prishjet, ndërkohë që në rrethina rrugët janë rruxhga, garrupe, gropa, etj. Madje si i kulturuar shkon edhe në kishat e degraduara, poston foto me martirët.
I dashur Qamil, litarin e kërpit e ke vendosur në vendin e gabuar. Soji ynë njihet për I butë, por ja që ne guxokemi. Deri sa e tejkalojmë .
Por le të flasim pak për politikën përpara se të ikësh.
A e ke vënë re, kanë filluar nga shantazhet që tani. Nuk kanë hallin tend, kanë hallin e tyre. Duan të rrinë kryetarë gjithë jetën. Duan të rrinë deputet deri sa të vdesin në karriken e Kuvendit. Luftojnë bizneset e njëri-tjetrit, dhe kur vinë me kamera tek dera jote, e bëjnë për tu dukur, jo në emër të ligjit. Aty ligji është provizor. Dhe privilegj. Nuk e shikon, në kulmin e një viti, shkatërrimesh, prishjesh, që fare mire ato prona ”të paligjshme” mund edhe të konfiskohen, tu jepen të pastrehëve, spitaleve apo shkollave etj. (Se nuk dua të përsëris vetveten.) Kryeministri I vendit tone inaguron shtëpinë e re. Dhe flet për shtet ligjor përmes deputetit tend, Erjonit. Flet për ligjin, kulturën e pagesës.
Ne kemi gra në Kuvend, në qeveri, për propaganda karshi Europës. Pasi ato veç lukut flasin me sharmin e burrave. Janë më të egra se vetë burrat.
Megjithëse, nuk e di se për çfarë lloji burrash duhet të flasim. E kënë vënë re, kanë bërë gati biografitë në Wikipedia . Shiko deputetin tend, deputetët në përgjithësi. Selfiet në sallonet e modës. Garë me modelet e flokëve.
Për hir të kësaj kaste, nuk ia vlente. Ai litar…! Por ti e bëre. Kurse Jonkën do ta zgjedhim për here të katërqindë deputet.
24 skuadra shqiptare zhvilluan Turneun e Futbollit të Vogël në Nju Xhersi
Futbollistët e Plav Gucisë së Nju Xhersit, fituan Kupën e Turneut të 6-të të Futbollit të Vogël – 2014 “Albanian Soccer Tournement” në vend të dytë Unitated Albania
Nga Beqir SINA – Nju Xhersi/
WAYNE NEW JERSEY : Kampionati shqiptar i Mini-Futbollit – në zonën e Tri-Shtetshit, për të gjashtin vit me rradhë, u zhvillua përsëri në ditën e pushimit të Krishtlindjeve – të ejten më 25 dhjetor 2014 – në fushat sportive të kompleksit “Turf City”, në Nju Xhersi
Turneu i Futbollit të Vogël – i cili luhet në salla të mbyllyra mes ekipeve vetëm shqiptare të komunitetit tonë, për Tri-Shtetshin, ka nisur me një ceremoni të thjeshtë dhe të bukur, ku nuk munguan dhe simbolet tona kombëtare –
Ky turne futbolli, mbahet nën kujdesin e mikëpritësit të saj : Fondi i Përbashkët Shqiptar i Patersonit dhe Klubi Futbollistik Vllaznimi nga Struga në Amerikë.
Skuadrat e 24 ekipeve të komunitetit shqiptar, nga zona e Tri-Shteshit luajtën për 10 orë të ndara në 6 grupe, të cilat përfaqësonin vendlindjen e tyre – pra vendorigjinën e këtyre futbollistëve, prej nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia -Çamëria dhe Lugina e Preshevës, duke nxjerr në pah edhe skuadrën më të mirë të turneut, golashënuesin dhe lojtarin më të mirë, madje edhe trajnerin më të mirë.
Turneu – është përshëndetur ngrohtësisht nga sportdashësit e shumtë shqiptarë, të cilët ndoqën me vëmendje këtë veprimtari, e cila është ngjarjam më e mëdhe sportive e vitit në komunitetin shqiptar.
Udhëheqësit e këtij turneu, pra stafi organizator : Pajazit Mena- kryetar ,Ajri Hoxha,Edip Ramadani,Kalosh Sela Izmir Alla, janë të mendimit se të tilla aktivitete po i shërbejnë më shumë zhvillimit të jetës sportive të komuniteti shqiptar, dhe si gjithmon ky turne do të mbetet mjaft i rëndësishme për vet jetën komunitare.
Mirëpo, për tu përshëndetur realizmin e këtij turneu – janë edhe ata që e kan mbështetur – çdo vit turneun – me ekipet e tyre pjesëmarrëse, të cilat mundësojn përzgjedhjen dhe organizimin e ndeshjeve si dhe dhe autoritetet e kompleksit sportiv “Turf City” – të cilat, vënë në dispozicion mjediset e tyre dhe fushat e futbollit për mbarvajtjen e kampionatit.
Në këtë turne, kësaj rradhe për tu veçuar janë dy futbollist nga skuadra e Mariborit në Slloveni – skuadër kjo që luan edhe në Kupën e Kampioneve të Europës, si edhe katër ish – futbollist të Klubit të Futbollit të Prishtinës – “Prishtina FC”.
Tuneu i Futbollit të Vogël – simbas kalendarit, u zhvillua i ndarë në katër grupe me nga gjashtë skuadra, secila, të cilat luajtën nga 15 minuta në mes tyre në të njëjtin kompleks sportiv – në dy fusha futbolli, përkatësisht në fushën A- dhe fusha B –
Turneu – u çel me intonimin e hymneve kombëtare të – të dy vendeve Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
Kurse, duke e hapur zyrtarshit kampionatin e 6të të Mini-Futbollit, nën/kryetari i Fonditit të Përbashkët Shqiptar të Patersonit, zoti Nebi Kaba, u ka uruar të gjitha skuadrave pjesmarrëse suksesë dhe një “Fair Play” si u shpreh ai. “Në emër të Fondit të Përbashkët Shqiptar të Patersonit, tha zëvendes kryetari i saj zoti Kaba, më lejoni t’ju faleminderojë të gjithë ju ekipeve për pjesmarjjen tuaj dhe të u dëshirojë suksesë se cilit prej ekipeve në këtë turnir kaq të bukur që mbahet për të gjashtin vit me rradhë”.
Më pasë nisën takimet në grupe: ku 24 skuadra të ndara në 4 grupe me nga gjashtë skuadra secila luajtën në mes tyre me sistem eleminimi me nga 15 minuta për çdo ndeshje. Në grupe u zhvillaun gjithësejt 36 ndeshje. Ndërsa 4 takime u zhvilluan në Gjysmë-finale dhe dy në Çerek-finale, dhe në fund takimi Final zgjati 25 minuta. Për shkak të një incidenti që ndodhi gjatë një loje – në grupin B, të dy skuadrat u përjashtuan nga turneu – mbasi ato thyen rregulloren.
Grupet dhe 24 skuadrat:
Grupi A : Vllaznimi FPSH-Rexha Brothers-Plisat-Vllaznimi NY-Flamurtari CT-KosovaNJ –
Grupi B : PrimeTimePizza-Dardania-FlamuratriCT 1- Kosova NJ- Plav Gucia NJ-Ulqini –
Grupi C:FC Gucia-Dologozhda-Kraja-Korabi NJ-Brooklyn Albanians-
Grupi D: Vllazenimi u16/U17-Cemi-Muriqi-Korabi NY-United Albania- Koha
1/16 finalistet e tuneut:
Vllaznia FPSH – Vllaznia N Y – Rexha Brothers – FlamirtariCT -Gologozhda- Korabi NJ -Broklyn Albania-Kraja-Plava GuciaNJ -Ulqini-KosovaNY- Dradania – Cemi- United Albania-Koha dhe Korabi NY.
Në të 1/ 8-at e finaleve;
VlazniaFPSH – VllazniaNY – Gologozhda- Korabi NJ – -Plava GuciaNJ -Ulqini–United Albania-Brooklyn Albania.
Në Gjysmë-finale kaluan 8 ekipe, të cilat u ndeshën në mes tyre me eleminim në bazë rendtijes, Korabi i New Jerseyit, luajti kundra Gologozhdës, ndërsa Plavë Gucia kundra Ulqinit, Vllazënimi FPSH kundra Vllaznimit NY dhe Brooklyn Albania kundra United Albania.
Në 1/4 finale ;
Gologozhda – United Albania dhe Vllazënimi Plavë – Gucia NJ
Në Çerekfinale u ballafaquan ekipet e Gologozhda me United Albania, kurse Vllazënimi i struganëve luajti kundra skuadrës Plavë Gucisë së Nju Xhersit, ku si United Albania dhe Plavë Gucia nga Nju Xhersi u kualifikuan me penallti të dyja për në finale.
Në finale : Plavë Gucia e Nju Xhersit, “Shqiptarët e Bashkuar – United Albania”,
Në finale luajtën Plavë Gucia e Nju Xhersit, e cila kishte në përbërjen e saj dy futbollist të Mariborit-Slloveni me skuadrën “Shqiptarët e Bashkuar – United Albania”, e cila mbante në fanelat e tyre edhe shënimin “Autokton”, një skuadër kjo e përbër me futbollist nga Kosova të cilët kan luajtur në superligën e Kosovës.
Mbas 25 minutave lojë fitorja u buzëqeshi lojtarëve të skuadrës së Palvë Gucisë Nju Xhersi me një gol shënuar në fund të takimit.
Plavë Gucia e Nju Xhersit, fituese e Kupës së këtij turneri u dallua si skuadra më cilësore e cila në përbërje të saj shquhej me disa futbollista të talentuar. Ajo luajti të gjitha ndeshjet e saj me këtë formacion : Idro Dejanin,Amir Dervishevic,Edi Cirikovic,Alen Krcio,Adhak Gustirovic, Salih Sadikovic, Esmir Vucetovic, Saimir Frasheri, Emir Ramadanovic, Alek Doshevic, dhe trainer Denis Djurkovic.
Skuadra “Shqiptarët e Bashkuar – United Albania”, e cila mbante në fanelat e tyre edhe shënimin “Autokton”, një skuadër kjo e përbër me futbollist nga Kosova, disa ish futbollista nga Prishtina, Mitrovica dhe Gilani – u dallua për shpirtin e garës dhe ekipi që shënoi më shumë gola: formacioni i saj : Fatos Selimi(kapiten) Drilon Berisha, Ilirijan Gjata(14 vjeçar), Shpendi Meta, Shpat Hashani, Kremtim Koliqi, Sead Hoxha,Senad Nikocevic,Shaqir Hoti .
Takimi final mes dy skuadrave më të mira të këtij turneu Plav – Gucia NJ dhe skuadrës kosovare United Albanians shënoi edhe mbylljen e këtij turneu dalluar për rivalitetin dhe cilësinë.
Ndryshe i gjithë turneu u zhvillua para rreth dhjetra tifozëve të futbollit në sallë, ndërsa me prezencën e tyre këtë turne dhanë një kontribut shembullor në mbarëvajtjen e tij – oficeri i policisë Lirim Kaba dhe dy kolegët e tij
Në mes një entusiami – u bë edhe ndarja trofeve të cilat ekipeve përkatëse dhe lojtarëve respektivë , ua dorzojë , Pajazit Mena, Edip Ramadani dhe Kalosh Sela duke folur në emër të mikëpritësit të këtij turneu tradicional me skuadra shqiptare.
Futbollistët e Plav Gucisë së Nju Xhersit, u nderuan me Kupën e turnirit,
Futbollisti më i mirë i këtij turneu u zgjodh golashënuesi më i mirë i turneut me 8 gola – futbollisiti i Plavë -Gucia i Nju Xhersit – i cili aktualisht luan me Mariborin e Sllovenisë në kupën e Kapmioneve të Europës, Elmir Ramadanovic ( i cili është vizitorë në SHBA). Epiteti i portierit më të mirë :”Portieri më i mirë i Turneut të 6-të të Futbollit të Vogël – 2014″ i takoi portjeri i Unitated Albania – Kremtim Koliqi, kurse, trajneri më i mirë i turneut – trajneri i Korabit NY – Razhid Prapaniku.
Përveç këtyre çmimeve, organizatorët e këtij turneu ndanë disa mirënjohje të veçanta për sponsorizuesit e këtij turneu. Gjithashtu, ata nuk harruan me këtë rast të faleminderojnë edhe mediat elektronike, të shtypit dhe atyre online, në mesin e të cilëve ishte edhe gazeta jonë.
TAKIM ME SHKRIMTARIN NAUM PRIFTI
Lajm i mirë: Shëndeti i shkrimtarit Naum Prifti është përmirësuar ndjeshëm. Këtë e konstatuam gjatë një takimi që ne, disa nga miq të tij, e bëmë sot, e hënë, 29 Dhjetor, në mesditë. E vizituam shkrimtarin në Qendrën e Rehabilitimit në Flushing, New York(Long Island Care Center Flushing,) ne adresen:2014 Long Island Care Center 144-61 38th Avenue Flushing, NY 11354 …
Në takim ishin regjisrori i njohur Kristaq Dhamo, regjisori Kristaq Papa, Lul Demi, Sili dhe editori i Diellit, Dalip Greca.
Qëndruam rreth një orë me të dhe biseduam lirshëm me të. Me kujtesë mjaft të mirë, me shëndet të përmirësuar, shkrimtari solli ndërmend ngjarje, takime të përbashkëta, ngjarje letrare, recitoi poezi,madje ai tha se sot kishte bërë një sprovë letrare për të shkruar një përsiatje rreth malin të Dhembelit.
I urojmë shkrimtarit Naum Prifti shërim të plotë!
..kur besimi ynë në qiell u trondit…, na u shtua besimi në njerëz…
PRANONI NGA NE KËTO FJALË…/
Nga Eda e Visar Zhiti/
Duam t’u shprehim mirënjohjen tonë të gjithë atyre që na u gjendën në dhëmbjen e madhe që na ra befas, kur shtëpia jonë u mbush me dritën e qirinjve të vdekjes.
Djali ynë Atjon Zhiti ndërroi jetë para ca ditësh në një aksident rrugor pas një feste me shokë dhe shoqe. Shpejtësia e madhe si e dëshirave të tij, pengesat e rrugës si një mallkim i kobshëm e çuan në tragjedi, duke i ndërprerë pa mëshirë gjithçka që sapo kishte nisur…
Përmes pikëllimit të thellë e hutimit mortor i falenderojmë mediat elektronike dhe ato të shkruara që jo vetëm e dhanë lajmin e zi duke shpërndanë imazhe të studentit 19 vjeçar të filozofisë Atjon Zhiti, por në shumicë botuan shkrimin e fundit të tij, të cilin e priste, por nuk e pa dot. Po kështu botuan dhe artikuj të veçantë që i kushtoheshin atij, njëri e shihte si trishtim në të gjithë Shqipërinë, tjetri ulërimë oqeanike, se ndodhej buzë oqeanit kur mori kumtin, ndërsa një prift zbulonte një mision të shenjtë te Atjoni ynë, etj, etj.
Së pari ne u dëshirojmë çdo të mirë të gjithë atyre që na thanë fjalë ngushëlluese apo u përlotën bashkë me ne apo heshtën, që nga fqinjët tanë të mirë e deri tek të njohurit e largët e të pa njohurit, nga kudo, nga miqtë nga Shqipëria e Kosova, nga Italia, ku djali ynë studionte në Milano, në Universitetin “Sacro Cuore”, nga Anglia e Greqia, Zvicra, Franca, Austria, SHBA-ja, Belgjika, Austria, Izraeli, etj, mirënjohje të gjithë atyre që kaluan pragun e derës tonë për të trembur mortjen, shokët dhe shoqet e shumtë të Atjonit, që sillnin forcë jete, pedagogë, shkrimtarë, bashkëvuajtës, deputetë, klerikë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, ambasadorë, ish ministra, ish Presidentë të Shqipërisë dhe të Kosovës, ku djali ynë shkonte me dëshirë, etj, etj, deri edhe alpinistët që iu ngjitën Himalajeve, pamë qiellin afër Zotin, na thanë, nuk dihen misteret e tij, kurse ne tani na mjafton një copëz tokë sa një varr dhe humnera e saj… Do të donim t’i kujtonim një për një, me emra, do të donim t’i falenderonim për gjithçka, edhe për duartrokitjet me të cilat u përcuall Biri ynë, kuartetin e harqeve, i premtuar për datëlindjen e tij të 20-të, për karafilat e kuq që hodhën mbi arkmort studentë e bashkëmoshatarë, për tufat me lule e kurorat që na erdhën nga kudo, nga ministra e deri dhe nga Kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës. Dhe ata që s’mundën të vijnë dot i kuptojmë… Humbja që pësuam ne është e madhe dhe e gjithmontë, e pa qetësueshme kurrë, mbase vetëm kur të jemi pranë birit tonë, por do deshëm të thoshim tani se, kur besimi ynë në qiell u trondit së tepërmi, na u shtua besimi në njerëz…
Shoqet dhe shokët e Atjonit i falenderojmë veçanërisht për gëzimet që kanë kaluar ata së bashku, për aventurat e pafajshme rinore, që e duan aq shumë, gjithmonë në kohë të tashme, për ato që thonë dhe shkruajnë për Atjonin e tyre, për takimet ku ai vazhdiumisht është…
Shokët dhe shoqet e Atjonit, një pjesë të cilëve kanë ardhur për pushimet e fundvitit nga universitete të ndryshme të botës, na thonë se Atjoni kishte një ëndërr dhe një përkushtim në arritjen e saj, ne e dimë cila është, shtojnë ata dhe buzëqeshin, është dhe jona, e dëshmojnë dhe ato pakëz shkrime që na la e arriti të botojë, e shpalosin dhe veprimtaritë e tij të porsanisura në Parlamentin Rinor Europian, si p.sh., në Riga, Barcelonë, etj, si dhe takimi i fundit për të të cilin po punonte, do ta kryenin në Shqipëri, në Korçë, i binduar se do të tregonte diçka të vyer nga vendi.
Ah, ne vetëm deshëm të përuleshim me nderim para dhëmbjes e mirësisë së të gjithëve atyre që na u gjendën, secili siç mundëte, në hatanë tonë dhe deshëm të thoshim diçka që e dinë të gjithë, por jo gjithmonë ndjehet, për fat të keq dhe harrohet, që nuk ka pasuri më të shtrenjtë e më të shenjtë se jeta dhe jeta e gjithsecilit është po aq dhe e të tjerëve që ka përreth dhe e duan, është lidhur dhëmbshëm, tmerrshëm, ulëritshëm dhe atë, jetën tënde, duhet ta ruash po aq shumë dhe për të tjerët, të rinjtë sidomos të ruhen nga gropat që ne kemi lënë rrugës, të mos i shndërrojnë në varre, se ky është fatkobi, apokalipsi… Ndërkohë po e mbyllim, me sytë plot lotë, duke i dëshiruar kujtdo të mirën që do të donte vetë e që vlen për të gjithë, vite të rinj të begatë atdheut, me besimin se ëndrra e Atjonit dhe e të rinjve për një jetë më të bukur është gjithandej, ata po kulturohen për t’i bërë të vërteta vizionet dhe idetë, të cilat janë më të mira se sa tonat dhe do të dijnë t’i përmbushin më mirë se sa ne.
Amen!
Eda e Visar Zhiti
Tiranë, 29 dhjetor 2014