Nga George PANI/ Hartford CT/
Shqiptarët e Hartfordit dhe rrethinave përreth festuan me madhështi e krenari kombëtare së bashku Festën e Pavarësisë. Në një atmosferë të ndezur festive plot krenari, gëzim e shqiptari, qindra pjesëmarrës për rreth 6 orë, dëfryen nën muzikën shqiptare dhe këngët e kënduara nga Ylli Baka dhe Entela Ilirjani. Në sallë ndodheshin rreth 250 Shqiptarë dhe Shqiptaro-Amerikanë, banorë të Hartfordit, Glastonbury, Rocky Hill, West Hartford, Neëington, Southington, Bristol, Windsor, Neë Haven, Waterbury etj.
Këtë eveniment historic e kombëtar e nderoi me pjesëmarjen e tij edhe Kryetari i Bashkisë në Hartford, Zoti Pedro E. Segarra, i cili u foli të pranishmëve për vëllazërimin mes popullit Shqiptar dhe atij Amerikan, për vlerat dhe kontributin e Shqiptarëve ndër breza këtu në Amerikë. Mbrëmjen e hapi studentja Amerikano-Shqiptare, Raisa Ballo duke uruar Mirëseardhjen të gjithë bashkëtdhetërve, dashamirësve të kulturës shqiptare dhe të pranishmëve të tjerë. Më pas moderatorja e mbrëmjes artistik-historik-patriotik, i dha fjalën Kryetarit të Degës “Vatra” Hartford”, zotit Ilam Peci, i cili falenderoi pjesëmarrësit në këtë eveniment të vecantë , duke iu uruar atyre: Gëzuar Festën e Pavarësisë. Pas Kryetarit, z. Peci, e mori fjaën, vatranja, dhe njëkohësisht, Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Zonja Raimonda Moisiu, e cila bëri një përshkrim të shkurtër historic të Ditës së Pavarësisë, datat historike dhe personalitetet historike të lidhura me të. Pas zonjës Moisiu, fjalën e mori edhe Kryetari i Bashkisë në Hartford, zoti Pedro E.Segarra, i cili mes të tjerash vlerësoi lart kontributin e Shqiptarëve në USA, vëllazërimin dhe ngjashmërinë me kulturat e tjera që janë emigrantë ne USA. Ai theksoi se “këtë vit vendosëm Flamurin Shqiptar në ndërtesën e Bashkisë në Hartford. Këtë e bëmë dhjetë ditë më parë dhe do ta lemë atje, derisa një ditë tjetër e shënuar e ndonjë kulture tjetër të ketë ditë festive.” Pas tij, Zoti Peci e quajti të hapur mbrëmjen duke i uruar të gjithëve: “Gëzuar Ditën e Pavarësisë”.
Këngët e kënduara nga Ylli Baka dhe Entela Ilirjani ndezën atmosferën dhe pista u mbush menjëherë me shqiptarë që kërcenin nën vallet popullore shqiptare nga të gjitha trevat dhe trojet shqiptsare Shqipëri, Kosovë, Camëri dhe Maqedoni. Asnjëherë më parë nuk kishte pasur kaq pjesëmarrës një eveniment i tillë në shtetin e Connecticut. Organizatorët gjendeshin në këmbë, duke bërë të mundur, që gjithkush të mbetej i kënaqur në këtë mbrëmje, kaq të vecantë për komunitetin shqiptaro-amerikan në Hartford. Ajo që binte më shumë në sy ishin, të rinjtë, shumë prej tyre të lindur në USA apo të ardhur shumë të vegjël, kërcyen dhe kënduan këngët e vallet popullore shqiptare. Pista asnjëherë nuk mundi të kmbetej bosh dhe rinia tregoi se tradita vazhdon dhe Shqiptarizma mbahet gjallë, pavarësisht largësisë nga Atdheu. Flamujt Shqiptarë dhe Amerikanë ishin vendosur mbi pistë të vendosur në pjesë të ndryshme të sallës. Kudo sundonin ngjyrat kuq e zi dhe simbolet shqiptare.
Vajza 12 vjecare e një Shqiptaro-Amerikani, e quajtur Sara, ishte e para që ftoi Zotin Pedro E. Segarra të kërcente nën ritmin e valleve shqiptare dhe ai u ngrit me kënaqësi duke i kërcyer vallet tona. Me pas ai kërceu edhe shumë herë të tjera nën ritmet e muzikës vecmas te serenatave korcare, që për cudi i ngjasonin me ritmet e muzikës latine nga edhe kishte origjinën. Kudo kishte hare dhe kënaqësi në atë mbrëmje aq të bukur e mbresëlënëse. Para se të largohej Zoti Segarra bisedoi shkurtimisht me disa pjestarë nga kryesia e “Vatra Hartford” duke hedhur mendimin për binjakëzimin e Hartfordit me një nga qytetet Shqiptare. Ai u shpreh, “Nuk i dihet kohërave dhe situatave, por gjithnjë duhet të dini se keni vend një vëlla dhe mik të mirë në krahun tuaj që është Amerika.” Të shumtë ishin ata qe e falenderuan, për ardhjen e tij në këtë mbrëmje.
Mbrëmja u organizua nga Kryesia e Degës “Vatra” Hartford” si edhe nga kompania Eagle 3 Dots – Dardhë Albania, kompani e cila kishte marrë përsipër dekorin festiv të mbremjes. Fotoreporteri i njohur i RTSH—së, z. Julian Napoloni realizoi filmimet e mbrëmjes dhe Fatjon Gjashta ishte tekniku i qëndres së zërit në sallë. Bisnesmenët e mirënjohur të indusyrisë kulinare në Hartford CT sponsorizuan me ushqime të bollshme sipas traditës shqiptare. Shumë nga pjesëmarrësit shprehën kënaqësinë e tyre në këtë mbrëmje duke premtuar pjesëmarrjen e tyre në evenimentet e ardhëshme që do të organizohen.
George PANI
Hartford CT USA
Mbyllen festimet e 102 vjetorit te Pavrësisë në Michigan
Nga Pjetër Jaku/
Me një darkë festive në sallën “Gjergj Kastrioti” të Qendrës së njohur të Shën Palit në Detroit, përfundojnë aktivitetet përkujtimore të 102 vjetorit të Pavarsisë në Michigan.
Edhe pse një jave e ngjeshur me festime dhe koncerte, ku ne komunitetin shqiptar të Detroitit ishin këngëtarët e njohur Eli Fara, Meda, Zef Beka dhe Elizabeta Marku, me datën 30 Nëntor 2014, në Sallën “ Gjergj Kastrioti” të Qendres së Shën Palit u përkujtua 102 vjetori i Pavarësisë, në një atmosferë festive dhe organizim serioz, si në të gjitha rastet e mëparshme. Ishte pikërisht kjo qender atdhetare dhe fetare që e përkujtoi Pavarësinë të ndarë nga Flamuri me yll i periudhës së komunizmit, në fillimin e viteve 80-të me një rregullore të veçantë organizative, ku përfshihej, pothuajse i gjithë komuniteti. Një model për t’u marrë shembull edhe në ditët tona. Në këtë manifestim, i cili vinte pas dy manifestimeve të mëparshmë në Imperial House dhe Kisha e Zojës Pajtore, merrnin pjesë klerikë të komunitetit; Don Fran Kola, Dom Anton Kçira, Dom Ndue Gjergji, Konsulli i Nderit të R Sh Ekrem Bardha, i ftuari kryesor Dr. Eduart Grishaj, Dr. Martin Berishaj, ish ushtaraku i Ambasades shqiptare në Washington, Everest Haxhi, dy TV-të e komunitetit dhe shumë aktivistë që që kanë kontribuar në vite për çeshtjen shqiptare. Moderator i mbrëmjes festive ishte Nik Ivanaj. E ftuara për argëtimin e të pranishmeve, këngëtarja Elisabeta Marku. Pas hyrjes triumfale të flamujve, të cilëve u printe aktivisti i njohur, veterani vatran Vasel Ujkaj, u mbajt nje minut heshtje për te rënët, per t’ia lën vendin grupit te valleve të kësaj qendre, me një nga krijimet e fundit nga folklori tradicional i trevave të Malësisë.
Pas hymneve të Amerikës dhe Shqipërisë, Don Fran Kola bekoi aktivitetin me një tekst domethënës të Nënë Terezes, për dashurinë që duhet të tregojmë ndaj njëri-tjetrit. Fjala kryesore e Dr. Eduart Grsihaj u përqëndrua në disa fakte të reja, që u prinë aktiviteteve të Pavarësisë. Konciziteti dhe pjekuria historike, bëri që fjala kryesore të degjohej me shumë vëmendje nga të pranishmit.
Aktivitetin e përshëndetën ; Don Anton Kçira, Ekrem Bardha, Alfons Grishaj, Dr.Martin Berishaj, dramaturgu i njohur Fadil Kraja, Nikollë Sinishtaj, Everest Haxhi. Majori i qytetit Rochetsr Hills Bryan Barnett, pas përshendetjes së komunitetit shqiptar të Detroitit, kërkoi edhe njëherë të merrte fjalën për të na kujtuar me një minut heshtje ish majorin e qytetit Streling HTS, i cili para pak ditësh ndrroi jetë.
Nw mbyllje, të pranishmit u argëtuan nga këngëtarja Elisabeta Marku, ardhur enkas për këtë aktivitet.
Malësorët e Ded Gjo Lulit midis palëve të Flamurit
Nga Keze Kozeta Zylo/
Nëntorin e Flamurit, Nëntorin e Pavarësisë shqiptarët kudo si dhe në Amerikë e kanë muajin më të shenjtë, muajin më të bukur, sepse mblidhen të gjithë së bashku rreth Flamurit të Nënës Shqipëri.
Në restorantin Eastwood Manor në Bronx, Fondacioni Plavë e Guci festoi me madhështi 102 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Salla plot e përplot ku organizohej Festa ndrinte nga flamujt kuq e zi dhe njerëzit veshur me këto ngjyra kombëtare. Ata me krenarinë e ligjshme e festojnë këtë ditë të shenjtë, ata përkujtojnë se pikërisht në vendin e tyre në Bratile të Hotit u valëvit Flamuri i Gjergj Kastriotit në prill të vitit 1911 pas luftrave, përpjekjeve heroike, pas robërimit të zi 500 vjeçar nga turqia otomane.
Ndërsa i shikoja që takoheshin dhe përshëndeteshin grupe-grupe më dukej sikur dhe përshëndetja e tyre ishte një betim si në vitin 1911:
De Gjo Luli lëshon kushtrimin/ çoni burra të bëjmë betimin/…
Mbrëmjen e kanë moderuar Gjovalin Nikci dhe Alberita Rugova.
Gjovalin Nikci veshur kuq e zi dhe me plisin e bardhë në kokë një traditë e lashtë e popullit tonë përshëndeti gjithë të pranishmit për Festën e Flamurit. Gjatë moderimit z.Nikci me një humor të hollë ai tha se të gjithë dëshirojmë Shqipërinë etnike dhe uroj që njeri nga ambasadorët që kemi këtu mysafir të shkojë në shtëpi kur të bashkohemi në një…
Ai iu uroi atyre se Flamuri shqiptar do të valëvitet në perjetësi, ndërkohë ka ftuar znj.Vlora Çitaku, Konsulle e Përgjithshme e Kosovës e cila iu uroi gjithë pjesëmarrësve: Gëzuar Ditën e Flamurit! Ajo tha se ambasada jonë është dhe shtëpia juaj dhe të gjithë jeni të mirëpritur. Ne duhet të punojmë së bashku fort për ta ngritur dhe më lart emrin e Shqipërisë, Kosovës dhe të gjitha trevave që u ndanë padrejtësisht nga fuqitë e mëdha. Kosova ju ështëgjithmonë mirënjohëse për cfarë ju keni bërë për Pavarësinë e saj.
Z.Ferid Hoxha ambasadori shqiptar pranë misionit të përhershëm të Kombeve të Bashkuara i cili midis të tjerash tha se e kam kënaqësi të veçantë të ndodhem midis jush si malësor dhe shqiptar për të festuar 102 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë së bashku. Shqipëria në këto vite në arenën ndërkombëtare ka ecur me shpejtësi dhe emri i saj po dëgjohet dhe më shumë në qarqet e larta politike. Uroj që së shpejti ta festojmë së bashku.
Pas dy ambasadorëve fjalën e ka marrë Ansambleisti i parë shqiptar në shtetin e Nju Jorkut z.Mark Gjonaj, i cili siç e kam thënë në çdo shkrim të befason me pjesëmarrjen e tij në festat dhe ngjarjet e rëndësishme të komunitetit. Z.Gjonaj pasi kishte organizuar festën e përbashkët dhe madhështore në Maestro Restorant e gjeti kohën për të ardhur midis bashkatdhetarëve të Fondacionit Plavë e Guci.
Z.Gjonaj iu uroi Gëzuar të gjithëve ditën e Flamurit, Gëzuar nga mot. Nuk ka më kënaqësi kur shikoj gjeneratën e re të vinë së bashku në këtë ditë të shenjtë dhe të valëvisim Flamurin kuq e zi kudo, Flamurin e Skënderbeut. Le të jemi të gjithë së bashku se kështu do të mbërrijmë atje ku ëndërrojmë për Atdheun tonë. Për mua nuk ka asgjë tjetër më shumë se ajo që më bën krenar të jem shqiptar. Ai falënderoi Fondacionin “Plavë e Guci” per këtë organizim të bukur dhe ne veçanti fjalë miradie ishin dhe për z.Esad Gjonbalaj kryetar i Fondacionit. Ai theksoi se nuk ka djalë më të mirë dhe patriot si Gjonbalaj, i cili punon me aq përkushtim dhe ndershmëri për Kombin dhe Plavë Gucinë, bashkëpunimi me të ka dhënë frutet e veta.
Pas fjalës së z.Gjonaj ka përshëndetur në emër të shoqatës atdhetare Malësia e madhe nga Detroiti dhe në emër të 9 shoqatave shqiptaro-amerikane me origjinë nga trojet etnike shqiptare nën Mal të Zi, z.Pashko Gjokaj i cili tha se: “Ju uroj gëzuar 28 Nëntorin ditën e Pamvarsise, festën e krenarisë së Kombit tonë. Ne përkujtojmë të gjithë ata që flijuan jetët e tyre qe ne të gezojmë dhe të jem krenar që jemi keta që jemi sot.
Ne jemi sonte malësorë mes malësorve, vëllezër mes vëllezërve.
Falënderoj kryesinë dhe kryetarin e Fondacionit Plavë e Guci zotin Esad Gjonbalaj për ftesën që më bëri dhe përshëndes të gjithë të pranishmit dhe të ftuarit e nderit të shoqates suaj prezent në këtë mbrëmje. Ishin pikërisht ngjarjet e ndodhura në trojet etnike nën Mal të Zi sot që i shtyn fuqitë e mëdha ta marrin më me seriozitet cështjen shqiptare, ishin ngjarje që edhe i paraprinë Pamvarsisë së një pjese të kombit tonë. Betejat e komandant Jakup ferrit me ushtrinë e Mark Milanit u shpartalluan nga kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 e udhëhequr nga heroi yne kombëtar Dedëe Gjon Luli.
Me plot duartrokitje u mirëprit plaku patriot dhe i mënçur, veterani i çështjes kombëtare në moshën 92 vjeçare Rexhep Gali Balidemaj i cili ka përshëndetur të gjithë mysafirët, pjesëmarrësit dhe iu ka uruar atyre ta gëzojmë Flamurin Kombëtar dhe le të valëvitet ai pafundësisht në të gjitha trojet shqiptare.
Në këtë mbrëmje kanë qenë mysafirë si: kryetari i shoqatës Ana e Malit Ismet Kurti si dhe Xheladin Zeneli n/kryetar, Marko Kepi president i organizatës “Rrënjët”, Kryetari i Fondit Humanitar Malësija, z.Ejllo Berishaj
të cilët së bashku kanë përshëndetur bashkatdhetaret kudo që janë në Ditën e Flamurit Kombëtar.
Në fund e ka marrë fjalën i zoti i shtëpisë, z.Esad Gjonbalaj njëherazi dhe kryetar i fondacionit Plavë e Guci i cili tha se:
Sonte është një natë e veçantë, sonte shoqata jonë me antarsinë e gjerë të saj dhe malsorët e Plavë Gucisë kremtojnë së bashku me ju Festën e Flamurit.
102 Vite më parë plaku legjendar Ismail Bej Vlora ngriti Flamurin tonë Kombëtar në Vlorën tonë heroike duke shpallur kështu Shqiperinë tonë të dashur, shtet të pavarur dhe sovran. Plaku i urtë dhe mendje hollë Ismail Bej Vlora e dinte mirë se tokat shqiptare të përgjakura me gjakun e bijve ma të mirë të kombit tonë, po gllabëroheshin nga fqinjët tanë me ndihmën e Rusisë cariste. Një muaj ma herët se të shpallej Pavarësia e Shqipërisë, e pikërisht më 19 Tetor 1912-të, Plavë Gucia heroike pushtohet nga bandat e Avrocemit dhe Malit te Zi të Kral Nikollës.
Sonte në këtë natë Festojmë 102 vjetorin e Pavarësisë dhe përkujtojmë dëshmorët e genocidit malazes në Plave Guci të njohur si masakra e Previsë.
Ju uroj gëzuar Ditën e Flamurit dhe le ta festojmë së bashku këtë ditë të shenjtë!
Duke i ndjekur me vëmendje dhe kënaqësinë më të madhe fjalimet e bashkatdhetarëve të mi malësorë, për Flamurin, Ismail Qemalin, Ded Gjo Lulin, nuk ka se si të te mos vijë ndërmend ajo çka ka thënë Ismail Bej Vlora për Ded Gjo Lulin i cili kur shkoi në Vlorë për ta përshëndetur për Pavarësinë, plaku i urtë dhe i mençur Ismail Vlora e quajti ate: quajti atë me të drejtë pushkë e ngrehur për Shqipërinë.
Mjaft interesante dhe tejet tradicionale ishte ndarja e bukës, që simbolizon mikpritjen e shqiptarit të thëna aq bukur nga goja e tij si: Bujrum të gjithë ne sofrën malësore: Bukë e krypë e zemër!
Pas fjalëve përshëndetëse një program i bukur artistik është shfaqur në mjedisin kuq e zi. Shoqata “Bashkimi Kombëtar” me artistë të mirënjohur të Diasporës si Shaban Lajçi, veshur si Ismail Qemali dhe Tom Gjergji si Isa Boletini, ndersa Agim Rugova Agim Rugova veshur me kostumin kombëtar i cili me fjalën e tij hyrëse e përfshiu sallën në emocion duke thënë para dronit që u shfaq aq madhërishëm në stadiumin e Beogradit ku djemtë e kombëtares me Lorik Canen si Ante i vunë gjoksin për ta mbrojtur. Shikoni kush ma ka dhuruar këtë Flamur i thotë Shaban Lajçit në rolin e Ismail Qemalit dhe Tom Gjergjit ne rolin e Is Boletinit që se hoqi kurrë koburen nga brezi dhe në sallat mondane të Anglisë… Loja e tyre aktoreske ishte mjaft tërheqëse dhe profesionale çka i dha sallës dhe më shumë argëtim dhe bukuri. Fahrudin Kukaj me zërin burrëror ka kënduar me fjalë të zgjedhura për Shqipërinë, malësorët që i dolën ballë shkjaut, turqisë, krajleve të zinj që pushtuan tokat tona. Nxënësit e shkollës shqipe në Bronx me z.Gjergj Dedvukaj, Engjëll Jumçaj dhe Dia Caverbasha kënduan plot dashuri para bashkatdhetarëve në ditën e Flamurit.
Z.Mehmet Vuçetaj i ka kënduar me lahutë Flamurit, historisë së Kombit shqiptar dhe heronjve që dhanë jetën për Atdhe e Flamur.
Pjesëmarrësit janë argëtuar nën tingujt melodiozë të këngëve të ndryshme nga këngëtaret Ismet Aloshi dhe Alma Vela nën drejtimin e DJ-it, të cilët me interpretimet e tyre e kanë çuar të gjithë sallën të këndojnë dhe vallëzojnë së bashku midis palëve të Flamurit.
Bronx, New York
2 dhjetor, 2014
BERATI- Kujtesa e Arbërit
Kriza e përgjithshme që kishte mbërthyer Perandorinë Bizantine krijuan kushtet që në vitin 1204, arbërit të krijojnë shtetin e tyre/
Nga Harallamb Kota-studiues/
Berati, vendbanimi i hershëm ilir i shek VI-V p.k. i quajtur Partha, në fillim të shek. III p.k., u shdërua në kështjellë qytet dhe luajti rol të rëndësishëm në luftërat ilire-romake. Berati ka qënë një nga vatrat e hershme të krishtërimit, ç,ka dëshmohet edhe nga kodikët e ruajtur deri në ditët tona. Qysh nga shek.XI e këndej, marëdhëniet e Arbërisë me Perandorinë Bizantine u dalluan nga konfliktet e përpjekjet e armatosura dhe nga marëdhënie bashkëpunimi. Berati ishte vatër e kryengritjeve kundër sundimit bizantin. Pjesëmarja ose jo,e arbërve në konfliktet e Bizantit,me normanët, anzhuinët etj.,është konsideruar si faktor me rëndësi per fitoren ose disfatën e perandorisë.
Kriza e përgjithshme që kishte mbërthyer Perandorinë Bizantine në shek.XII pas luftërave me normanët dhe shkatërimi i saj nga kryqëzata IV, krijuan kushtet që në vitin 1204, arbërit të krijojnë shtetin e tyre të pavarur, “Principatën e Arbërit” me kryeqëndër Beratin. Sundimtar i parë i kësaj principate u bë Progoni, pas tij i biri Gjini dhe i fundit Dhimitri i Arbërit, i quajturi “arkond i madh”, burrë fisnik, “Princ i Arbërve”, i cili për shkak të rethanave nuk mundi ta konsolidonte shtetin e tij.
Po në këtë vit u krijua formacioni shtetëror “Despotati Epirit” nga Mihal Komneni me shtrirje nga lumi Drin deri në gjirin e Korintit, me kryeqëndër Artën. Mihali-I, u vra në Berat në vitin 1205. Pasardhësi i tij, Teodor Engjëlli në vitin 1215 e ktheu këtë formacion në shtet të fuqishëm që ushqente synimin për të rimëkëmbur Perandorinë Bizantine. Me vdekjen e Dhimitrit të Arbërit më 1216, në vartësin e “Despotatit të Epirit”, hyri edhe “Shteti Arbërit”. Në këto kushte Berati u bë realisht qëndra e dytë më e rëndësishme pas kryeqëndrës Arta. Që nga shek.XIII paria feudale arbënore, ka dalë në shesh gjithnjë e më shumë si një forcë politike e pavaruar me tituj të lartë dhe me ushtri të saj të veçantë.
Familja feudale e Muzakajve u vendos në qytetin kala të Beratit në fillim të shekXIII dhe zotëronte fushat e mëdha përreth, të cilat morën emërin Muzakia (Myzeqe). Në vitet 1250-1270, përball përpjekjeve të Perandorisë Bizantine për tu rimëkëmbur dhe për të konsiliduar pozitat e sajë prej fuqie të madhe në trevat perëndimore të Ballkanit, feudalët arbnorë u bashkuan me kryengritjen e madhe dhe më 1272 hynë në marëveshje me Anzhuinët. Pas këtyre ngjarjeve, arbërit kudo që gjëndeshin ishin në konflikt të vazhdushëm me Perandorinë Bizantine. Andre Muzaka në vitet 1280-1319 gjatë sundimit të Anzhuinëve ishte “Marshall i Arbërisë”. Kryengritja e vitit 1335-1336 e malsorëve arbër, u shtri nga Shkumbini e deri në malet e Labërisë, duke përfshirë gjithë Arbërinë deri sa i dha fund sundimit bizantin. Me shëmbjen e bizantit më 1350, u krijuan tre principatat e para arbnore. Topiajt me qëndër Durrësin, Shpatajt me qëndër Artën dhe Balshajt me qëndër Shkodrën, e cila bashkoi për herë të parë nën sundim një pjesë të madhe të trojeve arbnore nga Tivari në Prizeren, Vlorë e Berat. Familja feudale Muzaka, me aleancat e formuara me anë martese të Komita Muzakaj me Balshën II dhe të një pinjolleje tjetër me sundusin e Ohrit nga familja Gropa, përforcoi më tej pushtetin e sajë. Më 1372 familja feudale Muzaka, mori nën sundim Kosturin, ku një kishë e ndërtuar prej tyre mbante ende emërin e zotërusve të vendit.
Me sulmet e para Osmane mbi trojet arbnore, si dhe veprimet e Venedikut me ndikime shpërbërëse, principatat e para arbnore pësuan tronditje e çarje të brëndshme, të cilat u shtuan edhe nga veprimi i prirjeve ndarëse të feudalëve të veçantë.
Në këto kushte në vitin 1380, krijohet “Principata e Muzakajve”. Në kulmin e fuqisë nën Andrenë II, që mbante titullin despot, zotërimet e Muzakajve shtriheshin që nga JP i fushës së Kavajës(fshati Gosë),duke përfshirë Myzeqenë e Madhe e të Vogël deri në lumin Vjosa dhe duke aritur në Selenicë e në bregun e detit. Që nga lumi Devoll ato përfshinin Tomoricën, Skraparin, fshatrat Opar, Lavdar, Marjan,etj., fushën e Korçës, Devollin e Madh e të Vogël, deri në Kostur. Gjatë sundimit të Muzakajve Berati ishte kryqëndër e tyre, ku lulëzoi zejtaria dhe përmëndej për punimin e mëndafshit. Brënda në kështjellë u ndërtuan disa kisha me afreske të çmuara dhe pati një shkollë pikture e të bukurshkrimit. Më 1385 arbërit shpartalluan në Betejën e Akelout edhe përpjekjen e fundit të sundimtarëve bizantinë për tu rivendosur në trevat perëndimore të gadishullit Ballkanik. Për gati 10 shekuj, tërësisht ose pjesërisht, u ndodhën nën sundimin politik dhe nën ndikimin kulturor të Perandorisë Bizantine, arbërit u afirmuan si popull më vete, me gjuhë e kulturë të përbashkët, në një teritor të përbashkët që nga mesjeta e hershme, si forcë gjithnjë më e pavarur nga pushtusit e huaj, aktivë dhe me peshë në zhvillimin e ngjarjeve në truallin e tyre në krejt gadishullin Ballkanik. Më 1389 Teodori II Muzaka, me ushtrinë e vet mori pjesë përkrah koalicionit të sundimtarëve arbër të Ballkanit në betejën e Kosovës dhe mbeti i vrarë atje. Prej vitit 1394 Muzakajt u gjëndën nën trysninë e vazhdushme të osmanëve, që aritën tua mernin për disa kohë Beratin. Më 1402 kur sulltan Bajaziti u mund e u zu rob prej Timorlengut, arbërit ngritën krye dhe muzakajt e rimorën kështjellën e Beratit. Por në vitin 1410, Balsha III pasi mundi në fushën e betejës ushtrinë turke të Evrenozit, u ngatërua me Venetinë, e cila i deklaroi luftë dhe i vënë mes dy zjarresh u mund. Në këto kushte, Durrësi,Leshi,Ylqini,Tivari,Drishti e Shkodra,ranë nën vasalitetin e Venetisë, ndërsa Kruja më 1415 dhe Berati,Vlora e Kanina më 1417, ranë nën vasalitetin e turqve të sulltan Mehmeti I. Edhe si vasalë të sulltanëve, muzakajt mbajtën marëdhënie politike me Venedikun e Raguzën, ndonëse disa pinjollë të tyre, duke përqafuar muslimanizmin, aritën të bënin karierë në radhët e elitës sunduse osmane. Njëri prej tyre Jakup beu, në vitin ’30 të shek.XV u bë sanxhakbej i “Sanxhakut Arbër”. Muzakajt mundën të ruanin një pjesë të zotërimeve të tyre jashtë sistemit të timareve, por pa Beratin, i cili qeverisej në kushtet e vasalitetit nga garnizoni osman. Në gusht të vitit 1434, Aranit Komneni shkatëroi ushtrinë turke, duke shtënë në dorë Vlorën dhe Kaninën. Kryengritja u përhap në Toskëri. Teodor Korona rrëmbeu Beratin duke prishur vasalitetin me turqit dhe përzuri garnizonin e tyre. Më 1438 Turhan Pasha e rrethoi Beratin, te cilin e mbronte Teodor Korona’ e pasi e rahu fortesën më kot shtatë muaj me radhë, u shtrëngua të hiqej i turpëruar pa bërë gjë, duke humbur nja10.000 të vrarë. Muzakajt u bashkuan më 1443 me kryengritjen e përgjithshme të udhëhequr nga Skënderbeu. Gjin Muzaka mori pjesë në “Lidhjen e Lezhës”, duke u bërë një nga bashkëluftëtarët e afërt të Skënderbeut, aleancat e të cilit me Venetinë, Raguzën e Napolin, u pasuan me ardhjen e ushtarëve nga këto vende dhe praninë e tyre për mbrojtjen e kështjellave nga reziku i sulmeve të ushtrisë osmane. Kështjella e Beratit mbrohej nga garnizoni me ushtar Venetian, Raguzian e Napolitan.
Në krye të motit 1450, Teodor Korona duke mos patur asnjë trashëgimtar, ia fali Beratin Skënderbeut. Me testament dhe me të vdekur e sipër, e ftoi të dërgonte një ushtri që t’ja dorëzonte fortesën. Skënderbeu dërgoi Pal Maneshin me 800 ushtarë për këtë mision. Po pashai i Gjirokastrës,me të dëgjua këtë lajm,mblodhi një ushtri të madhe. Natën kur garnizoni e ndenjësit po flinin të qetë, turqit duke paguar rojat hynë me tradhëti në qytet, dhe e zaptuan kështjellën pothua pa derdhur gjak fare. Pal Maneshi u zu rob dhe u lëshua nga pashai turk, pasi u shpërblye nga Skënderbeu me 500 dukata. Teodor Koronën e ngritën turqit nga shtrati i vdekjes dhe e vranë në tregun e qytetit. Në këto kushte, Skënderbeu me shtabin e luftës hartoi planin për rrethimin e Beratit. Vendimi u mbajt i fshehtë dhe të gjithë të tjerët kujtonin që ushtria do të bariste kundër Sfetigradit. Moissi Golemi njëri nga gjeneralët më në zë të tij, e kishte tradhëtuar tek turqit dhe gjeti një mënyrë mos vente në Berat, gjoja nga shkaku që ndodhja e tij në kufi ishte më e nevojshme. Nga ana tjetër, për të provuar sa besnik i ishte kryezotit të ri, Moisiu e lajmëroi sulltanin dhe kumandarin e Beratit për pllanin e Skënderbeut dhe rezikun që ndodhej ajo fortesë. Skënderbeu kuptoi menjëherë që ishte tradhëtuar. Më 13 qershor 1455, me një ushtri prej 14000 e rrethoi Beratin. Të nesërmen dha urdhër për të nisur bombardimin e kështjellës. Në dy ditë e sipër një pjesë e murrit u rrëzua nga gjylet, u ça një udhë për ushtrinë rrethonjëse. Skënderbeu dha urdhër për një sulm të përgjithshëm. Kumandari turk për të fituar kohë kërkoj ta negocionte dorëzimin e fortesës dhe propozoi disa kondita. Skënderbeu nuk deshte në asnjë mënyrë të binte në këtë grackë. Po këshilla e luftës, tok me kumandarin napoletan Palerino, e pëlqyen këtë propozim si fare të arësyshëm. Pas një bisedimi të gjatë, Skënderbeu u shtrëgua prej shtabit të vet, ti jepte kumandarit turk njëmbëdhjetë ditë kohë. Ushtarët arbër dhe napolitanë u gëzuan për këtë vendim, se nuk e shijonin asfare rrethimin e fortesave. Skënderbeu, të cilit nuk i rihej njëmbëdhjetë ditë pa punë, për të bërë sehir Beratin së jashtmi, u ngrit me Gardën Pretoriane dhe shkoi për të marrë një tjetër fortesë disa mila më larg. Komandën e ushtrisë, meqenëse kishte humbur besimin nga tradhëtia, ia dha kunatit Muzhaq Topisë, një djalosh i papjekur në luftë dhe mëndjefjetur. Informatorët ushtarakë të Skënderbeut flinin këtë herë dhe nuk lajmëruan që një ushtri armike e fortë nën komandën e Isa bej Evrenozit, po vinte me vrap për të shpëtuar Beratin nga rrethimi. Muzhaq Topia u shtrua sikur ishte në shtëpi dhe e lëshoi ushtrinë të bënte qejf gjer sa të shkonin të njëmnbëdhjetë ditët. Ushtarët ca flinin,ca loznin,ca pinin,ca këndonin,ca duallnë për gjah, ca çapëlitnin anës lumit. Tanush Topia dhe disa gjeneralë veteranë e shikonin rezikun po nuk e flisnin as muarrën ndonjë masë, se ishin zëmëruar që Skënderbeu i vuri nën urdhërin e një çilimiu. Isa bej Evrenozi me 25 qershor 1455, zbriti pa pritur si rufe, e mori nëpër këmbë dhe e coptoi turmën ushtarake të dizorganizuar, që dëfrente rreth Beratit. Skënderbeu po kthehej në Berat. Udhës i gjeti arbërit që po iknin dhe mori vesh mjerimin që kishte pësuar ushtria e tij. Vetë Skënderbeu u ndodh në rrezik, kur në dëshpërim e sipër u sul midis armiqve, u rrethua prej tyre nga të gjitha anët edhe mezi çau udhën me shpatën e tmeruar. Nga zëmërimi i ishte çarë buza e poshtme dhe gjaku po i ridhte si rëke.Kur u er, u përpoq të riorganizonte ushtrinë, por të gjithë kishin marë sytë edhe iknin si të xhindosur. Për fat të mirë erdhi nata dhe ushtria shpëtoi nga një katastrofë tërësore.
Me të mbëritur në Krujë, Skënderbeu mori vesh tradhëtinë e Moisi Golemit dhe u trishtua më shumë. Pasi shteri dëshpërimin dhe mori fund “Qarja e Madhe” për të vrarët, riorganizoi ushtrinë arbnore dhe për 25 vite me radhë i shpartalloi osmanët. Kështjella e Beratit, të cilën ja dhuroi me testament Teodor Korona Muzaka, qëndroi e pushtuar nga osmanët. Kështjella mbrohej nga garnizoni turk dhe ai nuk e mori dot asnjëherë. Plaga e Beratit i qëndroi e hapur deri sa mbylli sytë. Kishte lënë një amanet, i cili u kry vetëm më 28 nëndor 1912, kur Ismail Qemali me burrat e kombit shqiptar, ngritën flamurin në Vlorë dhe shpallën mëvehtësinë e Shqipërisë nga Turqia. Po në këtë datë u largua garnizoni turk nga Berati dhe mori frymë e lirë kështjella mijeravjeçare.
Në Nju Jork u botua gazeta,,Zëri i Çamërisë,,
Nga Skender KARCICA/
Në Nju Jork të SHBA-ve për nder të kremtimit të 28 Nëntorit-Ditës së pavarësisë,u botua numri i parë i gazetës që afron dhe bashkon shqiptarët,,Zëri i Çamërisë,,.Në faqet e kësaj gazete e para e këtij lloji që i kushtohet trevës shqiptare të Çamërisë,janë botuar punime të nduarnduarta nga fusha kërkimore historike e gjuhësore që hedhin dritë për orët vrastare në shkallë të gjencidit të shtetit helen ndaj popullit shqiptarë të pjesës tashmë më të dhimbshme kombëtare të Çamërisë.Në ballinën e kësaj gazete është botuar portreti në kolor i një të reje çame e veshur me kostumin karakteristik të kësaj treve shqiptare që tregon etninë burimore se toka e Çamërisë është dhe do të mbetët shqiptare.
Në këtë numër solemn të kësaj gazete prijnë punimet ,,Shqiptarët e Greqisë,,që hedh dritë përkitazi për kohën kur fuqitë e mëdha në kongrese dhe konferenca :Kongresi i Berlinit(1878)dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër(1912-1913)vedosën që Çamerinë dhe viset tjera shqiptare në Ballkan të japin për fqinjët grabitqarë të Greqisë,të Serbisë,të Malit të Zi dhe Maqedonisë.Po në faqen në vazhdim është botuar punimi i Faik Konicës,,Çamët dhe shqiptarsia,,që si thotë me tonet e rrepta intelektuale Konica se Çamëria është vend i bukur ,një nga gurët më të çmuar të kurorës së Shqipërisë,zuri të lëviz dhe të zgjohet.Njënga njëhësit e mirë të marrëdhënieve shqiptaro-greke,Prof.dr.Pëllumb Xhufi sjell punimin nga fusha e tij historike me titull,,Megali-Idea,,dhe pasqyrimet e saj në marrëdhëniet shqiptaro-greke.Profesor Xhufi thotë me argumentin kërkimor-shkencor se sipas Fallmerayer,në dejet e grekëve të sotëm nuk rrjedh gjaku i grekërve të vjetër,por një përzierje ,ku pjesa kryesore i takon gjakut shqiptar,thuhet në punimin e tij të gjatë historik.Këtë herë nuk është harruar poeti çam Bilal Xhaferri,i cili vjen me një cikël të poezive në gjuhën shqipe dhe angleze e vënë në ballë poezia,,Baladë Çame,,që ka zënë vendin e merituar në shumë antologji të poezisë shqipe në atdhe.Me interes është punimi i botuar në faqet e kësaj gazete,,Gjuha e ilirëve-gjuhë e shqiptarëve,,shkruar nga Nikos Stylos,për të vazhduar me punimin e Mustafa Ibrahimi,,dy këngë për Marko Boçarin nga folkloristi rus Stefan Verkoviq.Vrasja e Negovait është vjersha e Zef Skiroit,poetit arbëresh që pas Jeronim de Radës i tarsuan rrugën e mirfillt intelektuale të kohës për gjuhën dhe kulturën shqiptare të shpërngulur jasht atdheut arbërorë.Me interes të kohës,në gjuhën angleze janë botuar punimet e F.W.Halsuck,,Albanian Settlements in the Aegean Inslnds,,për të vazhduar me punimin e autorëve Miranda Vickers-James Pettifer,,Çëshja çame-etapa e re,,dhe në fund punimi në gjuhën angleze i Faik Konicës,,The Background of the Italian-Greek Conflict,,
Ndonëse gazeza,, Zëri i Çamërisë,,është botuar në dy gjuhët shqip dhe anglisht,do të preferonim redaksisë që kjo gazetë shqiptare në Amerikë që është një dritare për të vërtetën e Çamërisë ti dërgohet miqëve tanë në Kongresin dhe Senatin Amerikan në Uashington si dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (Joe DioGuardi).Redakisinë e kësaj gazete e përbëjnë kryeredaktor Kristo Sotiri,Zavendës-kryeredaktor Ilir Ademaj,Redaktor Endri Merxhushi dhe art grafik Thoma Nasi.Gazeta është botuar në dy gjuhë shqip dhe anglisht dhe me teknikën kolor të faqeve që e bëjnë të afërt dhe traktive për lexuesit e saj në Amerikë dhe më gjerë.