*Edi Rama dhe Lulzim Basha duhet të shqetësohen për faktin se Shqipëria ka siguri zero për investitorët e huaj. Dhe kjo gjendje nuk u krijua as sot, as kur erdhi Edi Rama në pushtet, por që në kohën e PD të Sali Berishës!
*Shqipëria është një vend kuazi mafioz dhe investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri, sepse aty nuk kanë siguri. Nuk e them unë, por Angela Merkel!/
Opinion nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Ndërsa përballë kryeministrisë dje konsumohej protesta e rradhës këtë çerek shekulli, nga periferia e Tiranës, kryeministri i Shqipërisë konsumonte edhe ai një deklaratë të rradhës, siç ishte hapja e Dosjeve.
Lulzim Basha thërriste në shesh për plagët e shoqërisë shqiptare, kur partia që sot drejton ai ka qeverisur vendin për 8 vjet rradhazi prej 2005-20013, duke i lënë të pamjekuara ato plagë. Në atë kohë Edi Rama si lider i opozitës organizonte protesta dhe bojkote.
Duke ricikluar njëri-tjetrin.
Sot Lulzim Basha shqetësohet për papunësinë, pensionet e ulta, bile shqetësohet edhe për fatin e të përndjekurve, kur ne e kemi parasysh se si u vetëdogjën të persekutuarit politikë mu në zemër të Tiranës dhe Lulzim Basha, nuk mori as mundimin që t’i takonte ata njerëz të mjerë, dhe i la në mëshirën e fatit.
Ndërsa vetë kur bëjnë greva – i keni parë se si i ngrejnë çadrat e bardha – me salltanet sulltanësh!
Në protestën e Lulzim Bashës morën pjesë ata që janë pushuar nga puna me ardhjen në pushtet të PS. Nga ana e saj PS punësoi ata që kishte pushuar nga puna PD kur kjo forcë politike kishte dalë në opozitë. Pra protestojnë punëmarrës që kanë humbur vendin e punës nga punëdhënësi i ri, dhe prandaj duan punëdhënësin e vjetër.
Ky është trafikim i pastër dhe turpi i kësaj klase politike mizerabël! I barabartë me trafikimin e qenieve njerëzore. Sepse ua ble votën në shkëmbim të një vendi pune!
Këtu konsiston thelbi i pseudoqeverisjes, që sa here vijnë në pushtet iu bëjnë shërbim klientelist votuesve, që marrin trajtën e klaneve tribale!
Edi Rama ka premtuar 300 mijë vende pune, premtim që nuk e paska mbajtur, sipas Lulzim Bashës. Domethënë që Edi Rama ka gjetur një papunësi drastike prej qeverisjes tetëvjeçare të PD. Natyrisht që po.
Prandaj që të rifitojë kredibilitetin e humbur, Lulzim Basha duhet të shajë veten dhe partinë e tij, të paktën të bëjë autokritikë.
Edi Rama ka gjetur papunësi drastike dhe 10 miliardë Euro në vit sipas Guardia di Finanza të Italisë, prodhim hashashi nga tregu mafioz.
Prodhim, të cilin kërkon që ta kthejë nga një produkt të mafies, në një produkt të shtetit mafioz deputeti i PS Koço Kokëdhima, sepse, sipas tij, për marihuanën e prodhuar në Shqipëri ka kërkesa të mëdha në Europë, pasi është e cilësisë më të mirë!
Cilësia e hashashit po, ndërsa gjendja e shtetit të së drejtës është përtokë.
Edi Rama dhe Lulzim Basha duhet t’i tregojnë elektoratit se vendet e punës nuk i krijon partia ku ata votojnë, por shteti ligjor i cili siguron lirinë e tregut për investitorët e huaj.
Po si mund të flitet për liri të tregut, kur shteti shqiptar ende nuk i ka zbuluar vrasësit e Artan Santos dhe nuk i ka shkuar deri në fund vjedhjes dhe sistemit klientelisto-nepotik të Bankës të Shtetit. Sepse Ardian Fullani ishte vetëm shërbëtor i bindur i politikës.
Edi Rama dhe Lulzim Basha duhet të shqetësohen për faktin se Shqipëria ka siguri zero për investitorët e huaj. Dhe kjo gjendje nuk u krijua as sot, as kur erdhi Edi Rama në pushtet, por që në kohën e PD të Sali Berishës!
Shqipëria është një vend kuazi mafioz dhe investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri, sepse aty nuk kanë siguri. Nuk e them unë, por Angela Merkel!
Shqipëria, një perlë e Mesdheut, duhej të ishte tregu i parë për turizmin europian. Aty do të duhej të zbarkonin me miliona turistë gjermanë, suedezë, finlandezë, zviceranë, polakë, hungarezë. Nuk vjen asnjë prej tyre. Preferojnë të shkojnë në plazhet e Turqisë.
Sepse në Shqipëri nuk kanë siguri, nuk ndjehen të sigurt.
Kjo është e vërteta. Prej këtu nis edhe shtetbërja, edhe opozita.
Edi Rama nuk ka se përse të shqetësohet me protestat. Janë një riciklim. Ai e di mirë se si organizohen. Se si sillen njerëzit me autobusë nga rrethet, se si autobusët i paguan partia, ua paguan edhe drekën për orët e humbura.
Edi Rama, nëse i hap Dosjet, do të mbetet në histori, por do të bëjë vetëm detyrën.
Por atij i duhet së pari të mbajë premtimet që i ka dhënë kancelares Angela Merkel, për të çuar përpara drejtësisë peshkaqenët e politikës shqiptare atje ku e kanë vendin.
Këtyre ditëve në TV e Tiranës u intervistua zonja Monica Luisa Macovei, sot anëtare e Parlamentit Europian, e cila ishte Ministre e Drejtësisë e Rumanisë nga 2004-2007. Ajo tha për audiencën shqiptare se rruga e vetme e Shqipërisë për të hyrë në BE është përmes reformave në drejtësi. Pastaj ajo tregoi se si, kur kishte qenë Ministre e Drejtësisë, kishte drejtuar reformën anti-korrupsion. Me këtë rast ajo kishte krijuar Direktoratin Kombëtar të Antikorrupsionit dhe kishte filluar të hetonte dhe të fuste brenda si kolegë të saj, deputetë e ministra nga krahu politik që përfaqësonte, ashtu edhe nga krahu tjetër.
Gjë që Edi Rama nuk e ka bërë dot prej 15 muajsh që ka marrë në dorë frenat e shtetit.
Për këtë gjë duhet të shqetësohet!
Në Ballkanin e shkuar apo në Europën e ardhshme?
Nga Nga Saimir Lolja/
Një arkitekturë europiane shkakton ndjenja europiane dhe projekti i deritanishëm i faltores muslimane nuk shkon në drejtimin europian. Të jesh pjesë e qytetërimit europian nuk do të thotë të “hysh në BE” me letra, vetëm dhe vetëm për disa politikanë që kanë vite që kanë “hy në BE”. Ato që janë votuar si përfaqësues të popullit shqiptar i shërbejnë me vendimet e tyre vetëm përparimit dhe bashkimit shqiptar.
Projekti i deritanishëm i Xhamisë së Madhe në kryeqytet (dhuratë nga qeveria e shkuar), e kthen Tiranën në një “Stamboll të vockël”, si në Stamboll, si në Tiranë do jetë e njëjta pamje. Dhe Turqia me shumë entuziazëm do e investojë një ndërtim të tillë. Zgjidhje për faltoren moslemane është ndërtimi i sipas një arkitekture të ngjashme me atë në Rijeka të Kroacisë ose Strasburg të Francës, të dyja të përfunduara në vitin 2013.
Me një faltore muslimane të stilit europian, shqiptarët dhe jo-shqiptarët do i përfytyrojnë shqiptarët si pjesë e Europës Juglindore, pjesë e Europës. Me një xhami të stilit të vendeve të lindjes, shqiptarët dhe jo-shqiptarët do i përfytyrojnë shqiptarët si pjesë e Ballkanit, zgjatimit anadollak në Europë, të ardhur nga vendet arabe dhe që nuk e meritojnë qytetërimin dhe shërbimin europian. Tradita e besimit mosleman shqiptar ka veçantitë e tij edhe arkitekturore në gjithë mozaikun e këtij besimi. Kjo gjë nevojitet të shprehet edhe me ndërtimin e kësaj faltoreje. Një model që të mos jetë kopje e xhamive të tjera, por që ka simbolikën e duhur dhe nuk përçon mesazhe kundrathënëse.
Faltoret fetare janë qendra shpirtërore ku një njeri me vullnet të lirë mund të gjejë paqe, respekt dhe lehtësim. Projekti i tanishëm nuk pasqyron modelin shqiptar europian për të ardhmen. Përparimi dhe bashkimi shqiptar nuk arrihet me ndërtimin prej grekëve të katedrales ortodokse dhe prej turqëve osmanë të xhamisë në Tiranë. Atë që osmanët nuk e bënë me forcën e armëve, duket sikur po e riprovojnë me anën e ideve emocionale. Kjo përputhet me shprehjen e Viktor Hygosë (1802-1885) se: “Një popull mund t’i bëjë ballë pushtimit ushtarak, por nuk mund t’i bëjë ballë pushtimit prej ideve”.
KRISTAQ TURTULLI SJELL”ORËT E ZEMRAVE TE EMIGRANTEVE” NE SOFREN E DIELLIT
Poemë nga Kristaq Turtulli/
I-
Orë të pagjuma janë vëlla, orët e zemrave të emigrantëve,
me shtigje të panjohura mbijetese.
Shpërndarë kudo në hapësirë, në skaje të ndryshme ku ka filiza jete;
Pranë cepave të holluara prej konsumimit të përditshëm, të lektisur të yjeve,
Në përleshjet e harruara me dema, pa spektatore,
me dritë hije të mekura të toreadorëve.
Në bishtat e përflakura prej sarkazmave artistike të kometave,
Në mesin e monopateve, ku mezi dallohen gjurmët e përrenjve,
si shpirtra të humbura xhunglave,
Ku zogjtë dhe kafshët janë hibride të eksperimenteve.
Rruginat e ngushta gjarpërojnë nëpër shpatet dhe skërkat e maleve,
Shqiponjat ikën, nuk kanë më fole, ngaqë ka shumë zvarranikë.
Në kthinat e pista dergjet etja, dehja, orgjia dhe kurvëria është mizantropie,
Në rrudhat e thella me mbarsje paradoksale të autostradave,
Në krahët e ndehur të lodhura të ëndrrave të purpurte fëmijëve,
Të gjoksit seksual të qiellit të dytë.
Me tik-take të pandërprera dhe të malluara,
Atje gjenden zemrat e vagëlluara të emigrantëve
Vëlla im i lodhur. Atje….
II
Vëlla, a nuk të ngjan sikur të mërguarit prej nevojës për një lot vese,
të vjetër dhe të rinj, thonë, nuk dinë ç’kërkojnë,
Le të flenë në krahët e një ure.
Le të ëndërrojnë mbi shtëllungën e një reje.
Mbasi shumë gjëra kanë ndryshuar, nuk janë si më parë.
Përsipër është hedhur pëlhura e ronitur e qetësisë.
Telat me gjemba u prenë,
Të tjerë tela najloni, janë vënë në hisen e buzëqeshjes së parë.
Por ti mos beso, të gjitha të vërtetat janë të rreme,
Dhe gënjeshtrat shiten si salsiçe në kryqëzimin e një autostrade.
Vajzat gjoks dhe kërthizëzbuluar vallëzojnë dhe bëjnë paradë mode,
Dhe pleqtë ashikë shqyejnë sytë dhe hedhin dollarët në erë.
III
Janë holluar vëlla, bërë pesë ujë e një oriz dashuritë.
Të sinqertët çapiten ngadalë dhe mbajnë në shpinë një thes me halle.
Rrufetë grinden, kolliten herë pas here, kanë marrë të ftohtë.
Diku më tej përplasen orgji, kurvëri, mendësi, pasione.
Autostradat janë me shumë krosi, por që mblidhen në një dalje.
IV
Shalli i vjetër i ylberit është bërë garniturë,
Për mezenë e zakonshme së kohës së pathënë.
Ngjyrat e mrekullueshme
Iu shitën nën dorë qiellit të parë, me çerek çmimi, në tregun e zi.
Në muajt e vështira, të çmendura të pranverës së trishtë.
Fjala e dëlirë u mbars shpejt ngaqë ish e virgjër, por mbeti shtatanike.
E vendosën në tavolinën e parlamentit për ti bërë ekzaminime,
U krijuan të tjera parti, grupime, komisione dhe nënkomisione
Më në fund e futën me nxitim në mesnatë, në kornizë të metaltë,
U përfol se nuk kish kohë, se ish dimër dhe se binte shumë dëborë.
V
Shamia e hallemadhes nënës tonë, si gjithnjë strehë e përhershme,
Mall ish për ne, ëndërr e ëmbël dhe qetësie,
Por shumë shpejt u përcëllua shamia,
u përzhit, u dogj prej flakëve të marrëzisë,
Lëmsheve të zjarrta,
Nga indiferenca e viteve dhe heshtja.
Zjarrfikësit ishin dehur dhe bënin gjumë të thellë…
VI
Përgjatë gërmuqes së grindur të fillimit të shekullit njëzet e një,
Qielli i dytë shkundte shpatullat me bezdi,
Ai nuk dëgjon rrahjet të dëshiruara,
Të orëve zemra të mërguarve.
Që drithërohen për një lule gjithë aromë pranvere mëmëdhe,
Fjalë të çiltër zemre, premtim të fortë bese malësie dhe miqësie.
Për ujë të freskët burimi të kulluar që rrjedh nga shpati,
Për një serenatë të ëmbël dashurie.
Për zërat melodioze të bilbilave, kanarinave në mes të një pylli,
Për erë të ngrohtë fushe dhe erë të freskët mali.
VII
U tha vëlla, u bë trokë fjala parë e fillimit të një poeme.
Nën peshën e krizave ekonomike dhe çmendurive,
Nën epshin e pangopur të politikave dhe prostitutave.
Nuk mund të shkundët lehtë impakti i shurdhërive.
Është ronitur rripi i lëkurtë i brezit prej stërmundimit dhe përçapjeve,
Shtrëngohet çdo ditë, shpohet nga një brimë, deri kur më…
Tendosur qëndron midis dy brigjeve ura lëvizëse,
Poshtë dergjen shkëmbinjtë e thikta të një gremine.
Nën meloditë e vjetra, të stërthëna të urës së Qabesë dhe të Moresë.
Sërish është e nevojshme të krijohet një këngë e re, një himn, një perlë!
Mos vallë poetët flenë gjumë?!
Apo nuk kanë bojë të shkruajnë, as letër dhe penë.
VIII
Vëlla i dëgjon, ngarejnë të paduruara naivitete dhe pasione të zvargura.
I sheh, në erë fluturojnë kartolina të zverdhëlluara dhe letra të pashkruara.
Ndërsa në humnerë, në ujërat e turbullta ku zbardhin eshtra dhe kokalla,
Bën tualetin e ballos së zakonshme shtriga.
IX
Vëlla, Orët e Zemrave të mërguarve.
Dita ditës, dalë ngadalë po tkurren prej largësive,
Po marrin të ftohur, po rrudhen, fishken prej lëmsheve kozmikë
Dhe prej vrapit të pandalshëm të viteve.
Qielli i parë që është diku matanë
Po i humbet forca magnetike.
Nuk ka kohë dhe dëshirë tu kushtohet të ikurve,
Rend pas mendimeve shkencore dhe problemeve të mëdha,
Si të qëndrojë në këmbë një vezë pate.
X
Vëlla, kometa flakëruese e ardhur nga larg, qëlloi si shigjetë
Mushkërinë e sëmurë të botës.
U drodh kozmosi prej klithmave dhe rënkimeve.
Ditët e mugëta shkrofëtijnë, mezi mbushen me frymë.
Plagët lëpijnë si kafshë prehistorike.
Në litarët e gjakut e të djersës ngjiten xhuxhmaxhuxhë.
Nuk shpërndajnë më lodra për fëmijë,
Por kakaroçë.
XI
Vesa mëngjesore nuk ka më reflekse
Ku të lindë një puthje virgjërie.
Është bërë bronztë.
Nëpër katakombet e nëndheshme bëhet kacafytje,
Janë shtuar gjarpërinjtë dhe minjtë.
XII
Pyjet e lashta flakën tutje me nënvleftësim kostumin e blertë.
Gjelbërimi është tashmë i dalë mode.
Prej dritave fosforeshente.
Degët pikojnë lëng limoni, portokalli dhe reze kançeroze.
XIII
U marros Ylli i mëngjesit pas vajzës koketë së Arushës,
Në çantën e shpinës ngjyrë portokalli, gjithë ngutje,
Vendosi në të linjtat e reja, iniciale, shpata, tehe, germa kineze
Dhe kozmetikën më të fundit plastike.
Dragonjtë kartonë aziatikë zgërdhihen prapa perdes.
Marrëzitë dhe dashuritë bajate janë pjesë e lojës…
XIV
U lodh hëna së kurdisuri me çelësin e vjetër fate, ngjarje
Dhe lindjen e mesme,
Është në grevën ekonomike të urisë,
Këmbëngul me kokëfortësi, s’do të dëgjojë të kurdisë orët e reja të zemrave,
Me lakuriqësi të zbehtë shket në errësirë.
Në heshtje Yjet kovaçë po farkëtojnë një hënë të re.
XV
Vëlla, Ditari i viteve të prapme,
Nisi të shkruhet prej një dore skelektike,
jo me pendë pate por me kërcell gjethe vjeshte.
Gjithashtu gdhendet me gishtërinj dëbore
Dhe u falet si lëmoshë të verbërve dhe të paditurve.
Orët zemra e të mërguarve.
Trokëllijnë pa ndërprerje
Me tik- take të malluara
Si tim- tamet në mes të zjarrit të indianëve.
Në gjoksin e qiellit të dytë,
Dielli me përtaci fshin sytë
Vesh benevrekët e irnosura dhe shkon të flejë…
XVI
Vëlla, shallet, fustanet e çngjyrosura të nënave
Nuk janë më krahë të rrëgjuara ndërmjetëse,
Shtigje shprese, malli, përdëllim e dritë.
Statuja të palëvizura heshtjeje,
Të vetmet nyje lidhëse midis dy qiejve.
Në pritje të një fjale dhe të një përshëndetjeje…
Frymët e ngrohta u ftohen prej erërave të rrugëve,
u bënë akull si dhe vizionet e papara të ëndrrave.
Por kandilat e zemër plagosurat Nëna po shuhen një nga një.
Po ashtu priten litarët e urave lidhëse…
XVII
O Zot vëlla, ka shumë erë, sa shumë!
Përplasen dyer dhe dritare.
Rrapet e vjetra po shemben përdhe.
Nuk kanë kohë nënat e gjora të lënë ndonjë shenjë të lotuar lamtumire.
Qielli është i rëndë dhe atyre u lanë mpirë gishtërinjtë, s’mund të shkruajnë.
TË PËRNDJEKURIT E MESDHEUT
E kishte kete edhe dr. Anna Kohen: …A mund të ngrihej një monument ,përmendore në brigje, pranë humbëtirës së madhe ujore të Gjrit të Vlorës ,për të përndjekurit e Mesdheut,për hebrenjtë e ikur nga Spanja në valën e përndjekjeve të vitit 1492,ku nën vrazhdësinë e kohës ishte kërkuar ikja e madhe e përgjithmonë. Nga versioni historik mësohet se :ata kishin lënë brigjet me pikëllimin,që u ndihej në shpirt dhe si udhërrëfyes kishin tokën ku gjendej Gjiri i Vlorës?/
Nga Gëzim Llojdia/
1.Me skulptorin vlonjat Zeqir Alizoti,bir i Çamërisë trime, kthjelluam një ide,dikur e ka cekur Dr. Ana Kohen. A mund të ngrihej një monument ,përmendore në brigje, pranë humbëtirës së madhe ujore të Gjrit të Vlorës ,për të përndjekurit e Mesdheut,për hebrenjtë e ikur nga Spanja në valën e përndjekjeve të vitit 1492,ku nën vrazhdësinë e kohës ishte kërkuar ikja e madhe e përgjithmonë. Nga versioni historik mësohet se :ata kishin lënë brigjet me pikëllimin,që u ndihej në shpirt dhe si udhërrëfyes kishin tokën ku gjendej Gjiri i Vlorës? Qyteti jetonte me shpirtin tek deti Dhe lajmet që mërinin për të ardhurit. Turmat e mëdha zbarkonin ne Treport,atje më tej 8 km ku qyteti nuk ndjente gjumë. Sytë e të ardhurve,rridhnin lot të patharë. Dhe sa më lart,sa më i fuqishëm bëhej përgjërimi i të ardhurit si kurrë ndonjëherë në këtë gji detar ,aq më tepër vala eksodistëve trefishohej. Ishte e vetmja shpresë,Gjiri i Vlorës,vendmbritja e hebrenjëve ishte skela e Treportit, një ndër qytetet me port të madh në shekullin e IV pr. Kr. Duke u torturuar nga dhimbja pa pasur kujt tija rrëfenin veç vetes fatkeqësinë e tyre,ata nuk mund të duronin dot dëshirën,që kishin për të derdhur lot. A mbritën të gjithë ata, që ikën nga përndjekja?Kësaj pyetja i përgjigjen hulumtuesit e huaj që thonë:Numri i atyre që u përzunë nga Spanja në këtë mënyrë është vlerësuar në mënyra të ndryshme nga ana e vëzhguesve të ndryshme dhe historianët . Juan de Mariana , në historinë e tij të Spanjës , pohon deri në 800.000 . Isidor Loeb , në një studim të veçantë të subjektit në Revue des Etudes Juives, zvogëlon numrin e vërtetë të emigrantëve në 165,000 . Bernáldez jep detajet e rreth 100.000 të cilët shkuan nga Spanja në Portugali : 3,000 nga Benevente në Braganza , 30,000 nga Zamora në Miranda , 35,000 nga Ciudad Rodrigo në Villar , 15,000 nga Miranda de Alcántara në Marbao dhe 10,000 nga Badajoz në Yelves . Sipas të njëjtit vëzhgues , ka pasur krejt 160.000 hebrenj në Aragoni dhe Castile . Abrahami Zacuto llogarit ata, që shkuan në Portugali me 120.000 . Lindo pohon se 1,500 familjet e Moriscos hebrenj nga mbretërinë e Granadës ishin të parët që largohen nga vendi . Ajo që mund të jetë me interes për të dhënë vlerësimet e mëposhtme të Loeb -të ,e numrit të atyre që kanë qenë në Spanjë para dëbimit dhe e atyre që emigruan në pjesë të ndryshme të botës :
Algjeria 10.000
Amerika 5,000
Egjipt dhe Tripoli 2,000
France 3000
Holandë, Angli , Skandinavi dhe Hamburg 25,000
Itali 9,000
Marok 20,000
Turqi 90,000
Në vende të tjera 1,000_
_______
Gjithsej emigruar -165,000
pagëzuar 50.000
Vdiqën rrugës 20,000
________
Gjithsej në Spanjë në vitin 1492 -235,000
Kështu ëndrra për një truall të ri, perëndimin e shpresës,mbeti dhimbje,mbeti kujtim i shndërruar tash në rrëfim. Për ata,që si varr u mbeti deti,streha e fundme e tyre vendi ku ish ngjizur dhimbja , gëzimi, dëshpërimi, ëndrra, frika, dhe vdekja në fund. Kështu,kujtimet e dhjetëra të përndjekurve,që i mori deti,vijnë tek ne dhe mbijnë përherë të reja në tokën e shpirtit tonë. Një lutje prano ti udhëtar i detrave ,aty hidh një lule,se për të mëritur këtu në vendin tënd,ata rrugët i shtruan me gjak.
—–
Z.Alizoti ,ka ngritur edhe një përmendore për çamët si dhe mikpritjen që u dha populli i Dukatit,të ikurve nga vatra amtare. Skulptori vlonjat ka një sërë eksperienca të tjera në fushën e arti figurative. Dhe duke qartësuar këtë ide kujtuam se diku në Afrikë,shteti aktualisht mbanë emrin Benine ishte porti,vendi që merrte e transportonte zezak në Europë ,ishte ngritur një përmendore për skllevërit e mjerë.
2-Një prej emërtimeve të hebrenjve gjendet qysh nga mesjeta emrin Jeriko,kështu thirrej Oriku në mesjetë një qytet tjetër që ka lidhje me Gjirin e Vlorës. Dr M.Zeqo , Në Gjirin e Vlorës shkruan ai, është qyteti arkeologjik i Orikumit themeluar sipas mitit nga princër eubeas pas rënies së Trojës..më e pabesueshme është se në kohën mesjetare të kryqëzatave,Orikumi quhet me emrin e qytetit biblik Jerikos( muret e këtij qyteti i rrëzuan me tingujt e burive).
Këto të dhëna i lidhim duke synuar të dalim tek pyetja:Mos vallë të ikurit e vitit 1942, që erdhën në brigjet e Gjirit të Vlorës ,ri-themeluan Orikun duke e pagëzuar me emrin Jeriko?
3.Idea e Dr.Ana Kohen.
…Mu në bregun e qytetit Plymouth të shtetit Masaçusets është një shkëmb apo gur me përmasa mesatare, i cili ruhet dhe mbrohet nga shteti. Parku Shtetëror Historik i “Gurit të Plimuthit” përkujton zbarkimin më 1620-ën të pelegrinëve apo të emigrantëve të parë në brigjet lindore të Atlantikut në Amerikën Veriore. Çdo vit ai vizitohet nga mbi një milion turistë nga e gjithë bota. Mijëra kilometra më në perëndim, në anën tjetër të Atlantikut, shtrihet Kepi i Triportit në Vlorë. Pikërisht aty, më 1492-shin zbarkuan qindra hebrenj sefardikë që ishin larguar nga Spanja për t’i shpëtuar përndjekjeve të inkuizicionit. Ata u ngulën në Vlorë dhe rindërtuan jetën e tyre, duke u mbështetur në mikpritjen, mbrojtjen dhe harmoninë e popullit vlonjatë. Breza të tërë izraelitësh sefardikë jetuan për disa shekuj në Vlorë, deri sa u shpërngulën drejt Beratit dhe viseve të tjera të Arbërisë, kur Vlora u pushtua nga Venediku.
Cfarë do të mund të përmbante monumenti?
Dr.Ana Kohen citon:Për vlerat e mëdha dhe të njësishme të tij, Kepi i Triportit, duhet të kthehet në një Park Historik [Kombëtar ose ndërkombëtar] për nderimin e të përndjekurve në Mesdhe. Për mendimin tonë, organet e pushtetit vendor në Vlorë të fillojnë menjëherë procedurat përkatëse dhe t’ia paraqesin propozimin në fjalë Ministrisë së Kulturës dhe shpresojmë që kjo nismë të mbështetet pa rezervë edhe nga deputetët e Vlorës, pavarësisht se kujt partie i përkasin.
Ne këtu po punojmë me qeverinë amerikane që, për rastin e Triportit të zbatohet edhe Marrëveshja Dypalëshe për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore. Do të ishte mirë sikur në hyrje të Parkut Historik të Triportit të gdhendeshin fjalët e zonjës Irene Grünbaum, gruas me prejardhje hebrenje, të cilën shqiptarët e strehuan dhe i shpëtuan jetën gjatë pushtimit fashist e nazist të vendit.
4.Histori e thënë germë për germë,por shkurtazi.
Hebrenjtë spanjisht, dikur përbënin një nga më të mëdhatë dhe më të begatë të komuniteteve hebraike, nën sundimin mysliman dhe të krishterë , para se së bashku me myslimanët rezidentë , ishin të detyruar për të kthyer në katolicizëm , të përjashtohen , ose të vriten kur Spanja u bë e bashkuar nën monarkinë e mbretit Ferdinand dhe Isabella në vitin 1492 .
Rreth 13,000 deri në 40,000 hebrenj që jetojnë në Spanjë sot ( çifutët Sefardikë , edhe pse shifra në mbarë botën është jashtëzakonisht e vështirë për të arritur në mënyrë specifike për hebrenjtë, që vijnë nga vende ku ka pasur një dekurajim monetare dhe sociale për të pasur një sfond çifut dhe për arsye të ndryshme të tjera. Numri i hebrenjve të prejardhjes sefardikë në Izrael ishte vënë pak më shumë se 60% të popullsisë të përgjithshme izraelite hebrenj dhe jo- hebrenj më 1990 .
—–
Kur Henry de Trastámara hipi në fron i njohur si: Henry II ka filluar për judenjtë, kastilian një epokë e vuajtjes dhe intolerancës ,duke kulminuar në dëbimin e tyre .Kleri,fuqia e të cilit u bë më e madhe nën sundimin e vëllavrasjes,nxitën paragjykimet anti – hebraike të masave në pohimin plot zhurmë në Cortés e Toro. Ajo u kërkoi, që Judejtë të mbahen larg nga pallatet e mëdhenj, nuk duhet të lejohet të mbajnë poste publik , duhet të jetojnë larg nga të krishterët , nuk duhet të veshin rroba të kushtueshme, as të hipin mbi mushka ,duhet të veshin simbol , dhe nuk duhet të lejohen të mbajnë emrat e krishterë ….
Në Cortés e Soria ( 1380 ) ishte miratuar, që rabinët , apo shefat e aljamas , duhet të ndalohen, në dënimin e një gjobë prej 6,000 maravedís , të shkaktojë mbi hebrenjtë dënimet e vdekjes , gjymtimi,dëbimit, apo shkishërim, por në procedurat civile ata ishin ende të lejuar për të zgjedhur gjyqtarët e tyre .Çifutët nuk guxonin të tregojnë veten e tyre në publik pa simbol , dhe si pasojë e urrejtjes gjithnjë në rritje ndaj tyre se ata ishin më të pasigurt për jetën, ata u sulmuan dhe u plaçkitën u vranë në rrugë publike . Gjoni ishte i detyruar ( 1385 ) të nxjerrë një urdhër që ndalonte punësimin e hebrenjve si agjentë financiare ose tatimore – fermerë të mbretit , mbretëreshës , Infantes , apo të mëdhenjtë . Për këtë u shtua rezoluta e miratuar nga Këshilli i Palencia që ka urdhëruar ndarjen e plotë të hebrenjve dhe të krishterëve dhe ndalimin e çdo shoqate mes tyre .” Ekzekutimi i Joseph Pichon dhe fjalimet nxitëse e predikimet e dorëzuar në Sevilje nga Archdeacon Ferrand Martinez , ka ngritur urrejtjen e popullatës në fushën më të lartë . I Pafuqishëm Mbreti, pavarësisht nga përpjekjet e mjekut të tij Moisiu ibn Z.arz.al ti zgjasin jetën, vdiq në Alcala de Henares më 9 tetor 1390 , dhe u pasua nga djali i tij njëmbëdhjetë vjeçar. Këshilli – regjent i caktuar nga mbreti në testamentin e tij, e përbërë prej prelate , të mëdhenjtë , dhe gjashtë qytetarëve nga Burgos,Toledo,Leon,Sevilje,Kordova dhe Murcia, ishte e pafuqishme ,çdo gjurmë të respektimit të ligjit dhe drejtësisë ishte zhdukur nga Ferrand Martinez. Paralajmërime të shumta,për të nxitur publikun kundër hebrenjve dhe për të inkurajuar për aktet e dhunës që në fillim të janarit 1391, judenjtë e shquar që ishin mbledhur në Madrid morën informacion për trazira dhe se ishin të kërcënuar në Sevilje dhe Kordova. Një revoltë shpërtheu në Seville në 1391. Juan Alfonso de Guzman , dhe qeveritar i qytetit , dhe vëllai i tij kryetar bashkie ” Aalto Perez de Guzman , kishte urdhëruar , në Ash Ëednesday , 15 Mars, arrestimin dhe fshikullim publik të dy nga udhëheqësve.Ferrand Martinez ka vazhduar i papenguar ankesat e tij inflamatore në turmë për të vrarë hebrenjtë apo ti pagëzoj ata .Më 6 qershor turma u sulmua Juderia në Sevilje nga të gjitha anët dhe vrau 4.000 judenjë . Pjesa tjetër dorëzohet në pagëzim si mjeti i vetëm për ti shpëtuar vdekjes .” Në këtë kohë, në Sevilje është thënë se përmbante 7,000 familje hebreje. Nga tre sinagoga të mëdha ekzistuese në qytet,dy janë shndërruar në kisha.Në të gjitha qytetet e në të gjithë kryepeshkopatat, si në Alcala de Guadeira,Ecija,Cazalla dhe në Fregenal, judenjtë u grabitën dhe u vranë në Kordova,kjo thertore u përsërit në një mënyrë të tmerrshme,gjithë juderia është djegur , fabrikat – shtëpi janë shkatërruar nga flakët .Para se autoritetet do të mund të vijnë në ndihmë të njerëzve të pambrojtur, çdo një prej tyre – fëmijët,gratë e reja,pleq – ishin vrarë pa mëshirë ,2,000 kufoma në grumbuj në rrugë , në shtëpi dhe në sinagoga ishin mbytur “.
” Nga Kordova, fryma e përhapjes së vrasjeve në Jaén .Një thertore e tmerrshme u zhvillua në Toledo më 20 qershor. Në mesin e dëshmorëve shumë ishin bijtë të rabinëve të famshme toledane.Shumica e komuniteteve kastilianisht vuajtën nga persekutimi , .. më 9 korrik, një shpërthim ka ndodhur në Valencia më shumë se 200 persona janë vrarë dhe shumica e hebrenjve të atij qyteti u pagëzuan nga frati Vicente Ferrer , në 2gusht vala e vrasjes ka vizituar Palma , në Majorca , 300 hebrenj u vranë dhe 800 gjetën strehim në fortesë , nga të cilat me lejën e guvernatorit të ishullit dhe nën mbulesën e natës , lundruan për në Afrikën e Veriut , shumë u dorëzuan për t’u pagëzuar, tre ditë më vonë,të shtunën, më 5 gusht , një protestë filloi në Barcelonë në ditën e parë, 100 hebrenj ishin vrarë , ndërsa disa qindar të tjerë gjetën strehim në qytetin e fortifikuar, të nesërmen turma pushtoi juderinë dhe e ktheu në gërmadhë . Më 8 gusht në kala u sulmuan , më shumë se 300 hebrenj dhe u vranë . Trazira shpërthyen në Barcelonë deri më 10 gusht dhe shumë çifutët ( edhe pse jo 11.000 siç pretendohet nga disa autoritete ) u pagëzuan .Në ditën e fundit – filloi sulmi mbi Juderinë në Girona , disa Judenj u grabitën dhe u vranë. ” Qyteti i fundit që vizitoi vdekja ishte Lerida (13 Gusht). Çifutët e këtij qyteti më kot kërkuan mbrojtje në Alcazar, 75 prej tyre u vranë , të tjerët u pagëzuan.”Viti 1391. Forma të një pikë-kthese në historinë e çifutëve spanjollë . Persekutimi ishte paraardhës i menjëhershëm i inkuizicionit , nëntëdhjetë vjet më vonë , u prezantua si një mjet për të shikuar çifutët të konvertohen .Numri i atyre që kishin përqafuar krishterimin, për t’i shpëtuar vdekjes , ishte shumë e madhe . Cifutët e Baena,Montoro,Baeza,Ubeda,Andujar,Talavera , Maqueda,Huete, dhe Molina dhe sidomos Saragoza,Barbastro, Calatayud , Huesca , dhe Manresa , ishin paraqitur për t’u pagëzuar në mesin e atyre të pagëzuarve disa burra dhe dijetarë .” Pas ekseseve të përgjakshme të vitit 1391 urrejtja popullore karshi hebrenjve ka vazhduar pa u pakësuar .Shumica e hebrenjve nga Valencia , Katalonja dhe Aragon shtyhej për Afrikën e Veriut ,veçanërisht Algjeri .
Këto vlerësime ndoshta mund të konsiderohet si një minimum , por është mjaft e mundshme që të paktën 200,000 u larguan nga vendi , duke lënë pas tyre të vdekur dhe një numër i madh i të afërmëve të cilët ishin të detyruar nga rrethanat për të fshehur fenë e tyre dhe për të miratuar krishterimin .Rreth 12,000 duket se kanë hyrë në Navarre, ku ata ishin të lejuar të mbeten . Tudela në Navarre kthehet në një strehë . Në Tudelans kishte shpallur tashmë në vitin 1486 se: ” Nëse ndonjë hetues hyn qytetin e tyre ,ai do të hidhet në lumin Ebro “.
Nën presionin e mbretërve të Spanjës, të Navarrese hebrenjtë që nuk konvertohen në katolik u dëbuan nga mbretëria në 1498 . Dëbimi duket se ka prodhuar një krizë dhe varkat e mbushura me hebrenjë . Portet e Kartagjenës , Valencias dhe Barcelonës janë siguruar nga Ferdinandi me anije për të marrë të arratisurit, por judenjtë shpesh kanë gjetur vështirësi në ulje , për shkak të sëmundjeve,moshës së thyer . Pjesa tjetër u kthye në Spanjë dhe u pagëzuan . Nëntë anije të mbushur me njerëz erdhën në Napoli. Në Genoa ata ishin të lejuar vetëm me kusht që të marrin pagëzimin . Hebrenjtë që shkuan në tokat nën sundimin Perandorisë Osmane u vendosën kryesisht në ( Selanik) dhe deri në një masë në Stamboll dhe Izmir .
LIGJI MAQEDONAS PENGON ABETAREN E NJESUAR SHQIPTARE
MAQEDONI, 23 Nentor/Një nga mënyrat për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe është unifikimi i abetares dhe i alfabetit.
Kështu shprehet kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë Nuhi Dardhishta.Sipas tij edhe nxënësit shqiptarë të Maqedonisë duhet që mësojnë nga e njëjta abetare si bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë e Shqipëri. Dardhishta me këtë rast kërkoi nga Ministri i Arsimit Abdilaqim Ademi i cili është kuadër i BDI-së që të realizojë këtë projekt sa më shpejtë të jetë e mundur.
‘Përmes abetares, përmes shkronjave ne e ruajmë gjuhën në të gjitha trojet, kështu që të gjitha ato dialektet, lokalizmat bashkohen në një gjuhë dhe kjo duhet të jetë një ndër kriteret kryesore në shkolla, në media dhe të gjitha institucionet shqiptare duhet të jetë. Jemi në pritje që të bëhet që të bëhet unifikimi dhe jemi tash në pritje, urojmë që kemi ministër shqiptarë në Ministrin e Arsimit në Maqedoni dhe ai ministër të hapëron sa më shpejtë e të firmosë marrëveshjet me Ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës.’
Ndërkohë Ministri Ademi tha se unifikimi i abetares është më se i nevojshëm edhe për shqiptarët e Maqedonisë por që një hap i tillë mbetet peng i Ligjit për tekstet Shkollore i cili parasheh që të gjithë nxënësit në vend të mësojnë nga një libër i unifikuar dhe nga një autor. Ademi tha se ai dhe ekipi i tij kanë kërkuar që ligji në fjalë të ndryshohet.
‘Unë e kam thënë edhe më herët, për momentin në Maqedoni Ligji për Tekstet Shkollore është që për një lëndë mësimore të mësohet nga një tekst unike dhe për momentin kjo është pengesa kryesore. Jemi duke punuar që Ligji për Tekstet Shkollore të ndryshohet dhe veçanërisht të përmirësohen tekstet kontroverse për disa lëndë për nxënësit shqiptarë dhe të tjerët dhe besojë se me ndryshimin e ligjit do të krijohen edhe baza juridike jo vetëm për përmirësimin e teksteve por edhe për të pasur një abetare unike për nxënësit shqiptarë kudo që jetojnë”, tha Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Tashmë prej 2 vjet e gjysmë në Kosovë dhe Shqipëri Abetarja e Unifikuar është libri i vetëm që përdoret nga nxënësit e klasave të para për të mësuar shkrim e këndim. Përveç abetares Shqipëria dhe Kosova këtë vit pritet të nisë puna për unifikimin e teksteve të Gjuhës Shqipe dhe Historisë ndërsa më pas edhe të teksteve tjera./kosovapress/