• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

OPOZITA NE SHESH-Mbi 200 Mijë qytetarë para Kryeministrisë: “Duam punë e dinjitet”

November 22, 2014 by dgreca

Kreu i Partise Demokratike, njekohesisht kryetari i Bashkise se Kryeqytetit, Lulzim Basha ka ironizuar rivalin e tij politik, duke theksuar se fshehja në bunker nuk e shpëton dot nga revolta popullore. “Sot është futur në bunkerin e Enver Hoxhës për të mos ju shikuar ju. Është futur aty se mendon se aty nuk ju dëgjon dot, nuk ju shikon dot, nuk e ndjen forcën e bashkimit të një populli të tërë.Është futur në bunkerin e izolimit, Kryeministri që mashtroi dhe bën sikur harroi. Por ne jemi në shesh sot, jemi në bulevard që t’ja kujtojmë turret e mashtrimit të tij dhe ta pyesim me zërin e bashkuar pse nuk qeveris po do të sundosh, pse nuk dëgjon qytetarët por i godet ata pas shpine si kaçak.Jemi ta pyesim ç’kërkon dhuna në kohët moderne, po na kthen në pashallëkun primitiv?”
Partia Demokratike dhe sindikatat kishin thirrur te shtunen me 22 nentor qytetarët nga i gjithë vendi që të protestonin për gjendjen tyre ekonomike dhe sociale. Protesta u parapri nga një tur i kryetarit të opozitës Basha në rrethet kryesore të vendit, paralelisht me shyrtimin nga mazhoranca në Kuvend të paketës fiskale dhe projekt-buxhetit të shtetit për vitin që vjen. Qytetarët ankohen për rritjen e taksave, rritjen e çmimit apo faturimit abuziv të energjisë elektrike, për mungesën e vendeve të punës dhe të mbështetjes ndaj fermerëve. Opozita ka deklaruar se projekt-buxheti dhe paketa fiskale duhet të bllokohen, pasi, sipas saj çojnë më tej, rrënimin që shkaktuan reformat fiskale të qeverisë në vitin që po lëmë pas.
Në fjalën e tij kryetari demokrat Lulzim Basha iu drejtua kryeministrit Edi Rama që të mos fshihet pas bunkerëve të diktaturës, se shqipatrët nuk i kanë harruar mashtrimet
“Mos luaj me bukën e fëmijëve dhe me të ardhmen e tyre, shqiptarët nuk i ngop dot me propagandë. Shqipatrët të thonë sot këtu duam punë dhe dinjitet”-apeloi Basha.
***
Qytetarë të shumtë i janë bashkuar mesditën e sotme protestës së thirrur nga Sindikatat, e cila është mbështetur fort nga Partia Demokratike. Ashtu siç ishte paralajmëruar marshimi ka nisur rreth orës 12:00 nga sheshi “Skënderbej” në kryeqytet, për tu ndalur në bulevardin përpara godinës .
“Jam sot këtu pasi pashë Shqipërinë në lot”. Kështu u është drejtuar kreu i opozitës, Lulzim Bashamijëra simpatizantëve dhe mbështetësve demokratë te mbledhur në shesh nga e gjithë Shqipëria.
Në fjalën e tij para qytetarëve, por një godine Kryeministrie pa të zotin e shtëpisë, Basha i ka kërkuar llogaridhënie qeverisë Rama-Meta mbi varfërinë dhe padrejtësitë me të cilat qytetarët përballen çdo ditë.
“Jemi më shumë se asnjëherë në historinë e këtij qyteti. Në bulevardin e shpresës, bashkimit dhe dinjitetit të shqiptarëve të lirë. Në protestën më të madhe për të drejtat ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve kundër rritjes së çmimit të energjisë, rritjes së taksave, papunësisë, varfërisë dhe abuzimit qeveritar me pushtetin. Kemi ardhur sot të përballemi, të mbrojmë të drejtat tona,ta izolojmë të keqen dhe ti kthehemi të mirës përgjithmonë.Kemi ardhur këtu, sepse nuk ka ardhur dhe nuk vjen më Edi Rama tek ju, nuk i pyet më qytetarët ky Kryeministër”.
Basha ka ironizuar rivalin e tij politik, duke theksuar se fshehja në bunker nuk e shpëton dot nga revolta popullore. “Sot është futur në bunkerin e Enver Hoxhës për të mos ju shikuar ju. Është futur aty se mendon se aty nuk ju dëgjon dot, nuk ju shikon dot, nuk e ndjen forcën e bashkimit të një populli të tërë.Është futur në bunkerin e izolimit, Kryeministri që mashtroi dhe bën sikur harroi. Por ne jemi në shesh sot, jemi në bulevard që t’ja kujtojmë turret e mashtrimit të tij dhe ta pyesim me zërin e bashkuar pse nuk qeveris po do të sundosh, pse nuk dëgjon qytetarët por i godet ata pas shpine si kaçak.Jemi ta pyesim ç’kërkon dhuna në kohët moderne, po na kthen në pashallëkun primitiv?” Basha i kërkoi qeverisë të zbatojë kontratën që sipas tij ka firmosur me qytetarët në zgjedhjet e 23 qershorit, në të kundërt të largohet nga qeveria. “I them Edi Ramës e Ilir Metës lëreni historitë e Nastradinit, lëreni adhurimin për Enver Hoxhës. Shkunduni! Hapini veshët! Dëgjoni! Keni detyrimet sipas kontratës të hapni 300 mijë vende pune, të siguroni shëndetësi falas. Kur e merr gjithë pushtetin do mbash të gjitha përgjegjësitë. Kontrata me shqiptarët është e shenjtë, nuk mund të luani me shqiptarët. Kur nuk përmbush kontratën nuk largohet qytetari, por jepet dorëheqja ose rrëzohet qeveria. Ne nuk do pranojmë qeverinë e mashtrimit, ne do ju largojmë”- u shpreh Basha.

Fjalimi i Lulzim Bashës mbylli protestën e 22 nëntorit dhe lajmëroi vijimin e asaj që e quajti luftë për të drejtat e shkelura të qytetarëve.
“Nuk do të pushojmë së luftuar për të drejtat e shkelura të qytetarëve shqiptarë. Këtu na keni sot nesër, javën e ardhshme, muajin e ardhshëm derisa të plotësoni kushtet e kontratës tuaj me qytetarët. Mos të të gënjejë mendja se mund t’ia hedhësh duke u marrë me zërin tim, zëri im është zëri i protestës, i qytetarëve shqiptarë, është zëri i drejtësisë. Të gjithë në këmbë, të gjithë të bashkuar, të gjithë në një mendje për të drejtat tona, për të shpëtuar vendin”- deklaroi Basha.

Filed Under: Featured Tagged With: “Duam punë, e dinjitet”, Mbi 200 Mijë qytetarë para Kryeministrisë:

N O E L I

November 22, 2014 by dgreca

-Një fëmijë i jashtëzakonshëm në Tiranë, vetëm katër vjeç, di të numurojë, të shkruajë emra, di të tregojë vjersha dhe përralla pafund…./
Nga Avdulla Kenaçi/
Para tre vjetësh, në një nga linjat e autobusit urban në Tiranë ndodhi një ngjarje e pakëndëshme. Shoferi u grind keqas me faturinon. Të bërtiturat u ngritën në kupë të qiellit, ashtu siç dijnë të bëjnë ballkanasit. Asnjë nga pasagjerët nuk po ndërhynte, megjithëse që të gjithë e ndiqnin të shqetësuar grindjen, por një zë i hollë fëmije, i padukshëm, thirri:
– Xhaxhi, mos bërtit, është turp…
Grindja pushoi si e komanduar me shkopin magjik, zërat u mekën. Një heshtje e frikëshme. Kush foli? Cfarë ishte ai zë ëngjëlli si i rënë nga qielli?! Të gjithë kërkonin me sy se nga erdhi ajo thirrje fëminore. Dhe kryet e të gjithëvë po ktheheshin nga një nënë e re e cila mbante në duar një fëmijë pesëmbëdhjetë muajsh. Faqet e saj ishin ndezur prush. I dukej sikur vetë ajo kishte bërë një faj. Edhe ajo ishte çuditur. Ishte zëri i birit të saj, Noelit, ai që bëri shkaktoi aq shumë habi. Nuk i besohej. Dhe nuk dinte si ta merrte, për krenari apo për marri. Por pasagjerët ngriheshin mbi majat e gishtrinjëve për të parë më mire kush ishte ai që solli qetësinë. Dhe pyesnin: “Ku është?’ “Kush është?”. “Uaa, pse ky foli, ky qënka kaq i vogël’. “S’më besohet…” – thosh një tjetër. Ngjarja kaloi gojë më gojë në gjithë rrethin familjar. Kujtoheshin farefisi me radhë, brez pas brezi, kush ka folë para kohe, kush ka ardhur i belbër, kush ka folë më parë e kush ka folë më pas. Mos vallë në fisin Domi kishte ardhur një njeri ndryshe?! E po nuk e quanin kot Noel…..
Noeli e ka zgjedhur emrin vetë. E po si, do të thoni ju, si mundet që një i porsalindur ta zgjedhë emrin vete?! Ja që është e vërtetë. Ngjarjet rrodhën kështu: Lindi pas shumë kohësh në familjen me shumë njerëz me origjinë nga Bicajt e Kuksit. Kishte kohë që në farefis nuk dëgjohej zë fëmije, prandaj edhe kush e kush më parë kërkonte që të kishte privilegjin të ishte ai që do t’i vinte emrin. Secili nga farefisi i tij dëshëronte të ishte nuni. U sollën në memorie emra të vjetër e të rinj, por e ëma, Gjylja këmbëngulte të kishte një emër të ri që ai të mos ndjehej inferior në radhët e brezit të vet. Mirpo ku lëshonin pe hallat, tezet, gjysh stërgjyshi e me radhë…Për të mos u zemëruar asnjeri, u zgjodh një rrugë origjinale; secili të shkruante emrin e vet dhe pusullën le ta zgjidhte vetë fëmija, ta tërhiqte me dorën e tij. Po a do të mund ta bënte ai një gjë të tillë?! Ai ishte vetëm katër ditë. Ishin të gjithë në ankth. E si mund të urdhërohej një i sapolindur të merrte nga pjata një pusullë?!
– Do ta bëjë – këmëbëngulte e ëma. Kaloi një minut, dy…Kur të gjithë i kishin prerë shpresat se ai mund ta bënte atë veprim. Fëmija zgjati doçkën dhe tërhoqi një pusullë. Gjyles i shkëlqyen sytë. “Le të ketë zgjedhur çfarë të dojë, mendoi ajo, fati i tij..” Dhjetra duar u lëshuan për të hapur atë pusullë që tërhoqi ai. Përsëri sytë e të ëmës shkëlqyen. NOEL, emëri që dëshëronte ajo, megjithëse e kishte përcaktuar halla e madhe që kishte ardhur posaçërisht nga mërgimi, nga Italia. Zoti po ia plotësonte dëshirën Gjyles ashtu edhe siç ia plotësoi kur lindi djalë. E pse të mendonte kështu kur ishte ajo vetë femër? Kishte një arsyetim të saj; fëmija i parë duhet të jetë djalë që të udhëheqë në familje, t’u dalë zot atyre që vijnë më pas. Nuk është punë pasurie. Për vajzën në Shqipëri ka ende ndrydhje, paragjykime, mentalitete, sidomos në zonat veriore…Dhe Noeli e nisi jetën i përkëdhelur nga të gjithë. Ishte një fëmijë ndryshe nga të tjerët. Nuk flinte asnjë sekond pa pasur njeri aty pranë. Vendosi një orar të vetin, pikërisht kur një nga prindërit nuk lëvizte nga dhoma, do ta gjeje në gjumë midis orës 23 dhe 4 të mëngjesi si dhe në drekë. Po si t’ia bënin në drekë? Nuk mund t’i rrinin gjithënjë pranë. Vinin tek koka e tij celularin me muzikë. Muzika e qetësonte. Dhe është pikërisht muzika klasike ajo që i pëlqen më shumë. Në moshën një vjeç nisi të flasë dhe çudia është se shqiptoi drejt çdo fjalë , asnjë tingull të belbët. Ndryshe nga fëmijët e tjerë nuk është i fiksuar pas një lodre, por kërkon t’i dijë të gjitha si funksionojnë. I vëzhgon, i çvidhos, i veçon, i bashkon, i lidh, i zgjidh gjersa lodrat që eksploron i mërziten dhe i hedh në një kënd. Pastaj i detyron prindërit t’i blejnë të reja. Dhe po vendosi të dojë një gjë, nuk ka zot që e ndalon. Kukullat nuk i ka qejf. Nuk janë të vërteta, thotë.
I pëlqejnë shumë përrallat dhe vjershat të cilat i mban mënd thuajse të gjitha. Ka një kujtesë fenomenale. Prindërit dhe hallë Ida tashmë duhet të lexojnë pafund që të furnizojnë kujtesën e Noelit me ato vjersha e përralla që nuk ia kanë treguar ndonjëherë. Dhe ndodh në mbrëmje, para gjumit që ata kanë zbrazur memorien e tyre, por Noeli kërkon e kërkon të reja. Si ta qetësojnë?! I kthehen:
– Noel, tani na trego ti se cilën nga përrallat ke pëlqyer më shumë. Dhe ai nis të parën, të dytën….Pastaj dëgjohet zëri i tij thirrës:
– Po ty të paska zënë gjumi.

Noeli tani shkon në kopësht, është më i rritur. Por ka një kërkesë tjetër. Përrallat dhe vjershat duhet t’ia lexojnë nga librat sepse edhe edukatore Rita dhe Ola i lexojnë nga librat. Dhe prindërit e tij, Hekurani dhe Gjylja e shëtisin librari më librari duke e pyetur se a të pëlqën ai titull apo ky titull.
– Këtë jo, thotë ai se e ka në kopësht edukatore Ola, këtë tjetrin e ka edhe edukatore Rita, këtë këtu nuk e kanë, këtë dua.
Di të numurojë deri në njëzetë, di të shkruajë emrin e vet dhe të prindërve, ndërsa anglisht numuron deri në dhjetë.
Tani i është qepur hallë Idës. Ajo i gjen lojra nga ekrani i kompjuterit. I ka mësuar se si t’i gjejë edhe ai vetë. Ida është bërë njeriu më i dashur, ajo e ka zhytur në pafundësitë e kompjuterit dhe thotë:
– Shpesh më vë në pozitë të vështirë me pyetjet e tij të pafundme. Duhet të lexoj më parë vetë që t’i përgjigjem saktësisht Noelit. Në familje jemi në garë se kush e do më shumë. – Ida ka mbaruar shkollën e lartë për ekonomiste dhe është më e lidhur me kompjuterin, e njeh informatikën, por i duhet të dijë edhe sit ë gjejë lodra dhe përralla me figura, sepse Noeli di të vizatojë, veçanërisht peisazhe deti dhe peshq..

Teksa ishim të gjithë në kafe me prindërit dhe hallë Idën, Noeli e ndjeu që nuk ishte bisedë për ta dëgjuar ai, u mënjanua në një karrike aty afër dhe nga celulari i së ëmës vazhdoi të shkarkonte lodra. Një celular fare i vockël dhe unë mendova se atij i duhet një Ipad. Po nuk guxova ta them këtë sepse për fëmijë të tillë të jashtëzakonshëm duhet jo vetëm Ipad, por edhe kushte të tjera, edhe më specifike. Shoqëria shqiptare ka detyrime ndaj yre. Talentet i duhen kombit. Ndoshta së shpejti ai dhe brezi i tij, do t’i kenë të gjitha duke ia kthyer investimin dhe diturinë Atdheut. Ndoshta në Shqipëri po ngrihet një brez që do ta shpjerë vendin shumë më përpara. Ndoshta ka shumë Noelë, por unë njoha dhe u befasova nga ky fëmijë që u përshkrova më lart.

Filed Under: Featured Tagged With: Avdulla Kenaci, N O E L I

Nju Jorku,mikëpritës i festivalit të III-të të Javës së Filmit Shqiptar

November 22, 2014 by dgreca

Edicioni i tretë i AFW-së do të zhvillohet në kinemanë AMC në Manhatan, Nju-Jork, në këtë edicion i cili po organizohet nën drejtimin e Nil Production ku me këtë rast do të prezantohen 47 filma të kinematografisë shqiptare dhe dy filma nga produksioni i huaj. Të cilët do të konkurojnë për 10 çmime në kategoritë të ndryshme./
Beqir SINA, New York City/
WEST VILAGE – MANHATTAN NYC : Qyteti i New Yorkut është i njohur për pseudonimet që ia dhënë si “Big Apple”ose “Qyteti që nuk fle” dhe “Qendra e Universit”, është mikëpritës i festivalit të III-të të Javës së Filmit Shqiptarë. Në mes të gjithë kësaj, Java e Filmit Shqiptar, është parë nga organizatorët dhe themeluesit e saj si një ngjarje e mrekullueshme kulturore e cila nisi me festivalin e parë të këtij lloji për industrinë e filmit shqiptar në Amerikë, në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë me moton “100 filma në 100 vjetorin”.
Misioni ynë thotë Mrika Krasniqi themeluese e këtij festivali – është për të transformuar mënyrën se si njerëzit shohin kulturën shqiptare nëpërmjet filmit. Vizioni ynë tha ajo është që të promovojë mirëkuptimin kulturor dhe për të inkurajuar zhvillimin e artistike dhe rritjen.
Java e Filmit Shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është festivali i parë i këtij lloji. Nëpërmjet veprave të ndryshme të filmit, producentë dhe regjizorë, aktorët dhe artistë shqiptarë nga vendorigjina dhe diaspora synojnë për të paraqitur vlerat kulturore dhe historike të kombit shqiptar dhe udhëtimin të kinematografisë shqiptare. Misioni tyre është për të transformuar mënyrën se si njerëzit shohin kulturën shqiptare nëpërmjet filmit.
“Java e Filmit Shqiptar” nisi, sot në Nju-Jork dhe në këtë edicion do të marrin pjesë filma shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, si dhe filma nga vende të tjera, dhe ato të prodhimit nga shqiptarët e Amerikës, të cilët me produksionet e tyre, kanë trajtuar ngjarje shqiptare, ose luajnë aktorë shqiptarë.
“Albanian Film Week” , është një aktivitet kinematografik i kinemasë shqiptare, që për të tretin vit me rradhë në muajin nëntorë po mbahet në Nju-Jork, për promovimin e kinemasë dhe kulturës shqiptare në SHBA. Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, dy përfaqistë tona në New York – Misioni i Përherëshëm i Shqipërisë – në OKB dhe Konsulltata e Përgjithëshme e Kosovës personalisht nga Konusullja e Përgjithshme Vlora Çitaku, si dhe një numër i bizneseve Shqiptaro Amerikane.

Edicioni i tretë i AFW-së, kësaj rradhe zhvillohet në Manhatan, në kompleksin e kinemave AMC në Nju-Jork e cila gjendet në pjesën e poshtme të qytetit – aty ku çdo natë ku gjallëron jeta kulturore artistike, botërore.
“Në këta dy vjet janë shfaqur më shumë se 150 filma shqiptarë të të gjitha kohërave që nga themelimi i
Kinostudios shqiptare e deri në ditët e sotme. Aktiviteti në dy edicionet e tij ka pasur më shumë se 10 mijë spektatorë dhe vitin e fundit të zhvillimit të tij arriti suksesin e madh që përveç publikut pati edhe pjesëmarrje të personaliteteve të kulturës amerikane” thotë organizatoria dhe themeluesia e këtij festivali Mrika Krasniqi.
Dhe, shtonë se :”-Java e Filmit Shqiptar në Nju Jork edhe këtë edicion po organizohet nën drejtimin e Nil Production ku me që rast do të prezantohen 47 filma të kinematografisë shqiptare dhe dy filma nga produksioni i huaj. Si edhe viteve të tjera në programin tonë është përfshier filmi i gjatë, filmi i shkurtër dhe ai dokumentar. Festivali jonë si zakonishtë do të zhvillohet në muajin Nënëtor prej 21 deri më 27 në një ndër teatrot më prestigjioze në botë,aty ku bëhet shfaqja e blackbosterave amerikane, në AMC Theatre”
Krasniqi theksonë se arsyeja që ne kemi zgjedhur një teater me kaq prestigjozë është që ti japim mundësi artistëve dhe filmit shqiptar, që të vlerësohet dhe trajtohet në nivelin më të lartë si asnjëherë më parë. Ndërsa shprehet shumë e lumtur që këtë edicion ka një pjesmarrje massive të artistëve shqiptar gjithandej botës, artistë të cilët kanë bërë emër në fushën e kinematografisë, siç janë: Ernest Meholli, Blerim Destani, Astrit Alihajdari, Arben Bajraktari, Mike Dusi, Blerim Gjoci, Antoneta Kastrati, Lendita Zeqiraj, Spartak Pecani, Ibrahim Deari, Alban Zogjani, Genc Berisha, Senad Abduli, Suela Bako, etj
Në karpetin e kuq të festivalit në ceremoninë e hapjes “parakaluan” mbrëm natën e parë, duke u fotografuar , dhe dhënë intervista, aktorë, producentë dhe regjizorë, veprimtarë të dalluar të komunitetit, personalitete të filmit, kritikë, adhurues të filmit, e të tjerë, të cilët jo vetëm që do të promovojnë kinemanë shqiptare – por gjatë kësaj jave edhe do të kenë mundësinë të njohinë nga afër kinemanë shqiptare, e po ashtu do të organizohen edhe seminare të ndryshme ndërmjet kineastëve të rinj shqiptarë në Akademinë e Filmit në Nju-Jork,.
Java e Filmit Shqiptar” në New York City nisi me tre filma shqiptar filmin “Gone Back”, me regji të Ernest Meholli, filmin The Journey me Drejtor filmi: Jack Dusi shkruar nga: Jack Dusi, Mike Dusi, rolet kryesore: Mike Dusi, Xhevat Limani, Adriana Matoshi, Blerim Gjoci dhe filmin She Comes in Spring një film i metrazhit të shkurtër i Antoneta Kastratit . Këto filma ishin për natën e parë, si një pjesë e kësaj nate të veçantë në hapjen e “Javës Shqiptare të Filmit” AFW, e cila do të zgjasë nji javë deri më datën 27 Nëntorë.
40 filma janë në seksionin zyrtar të konkurimit: nji Albanian classic, 2 special screening dhe 4 noncompetition. Kategoritë e filmave që do ti prezantojnë kineastët shqiptarë janë: Filmi i gjatë, filmi i shkurtë dhe ai dokumentarë. Zhanret janë nga më të ndryshmit; drama, triller, comedi, aksion etj të cilët do të nderohen me çmimet përkatëse.
Java e Filmit Shqiptar ne New York, njofton sot se ajo fton te gjitheve ne nje debat te hapur me temen “Kinematografija shqiptare dhe bashkeprodhimet”.Debati do te zhvillohet tek Producers Club Theatre 358 W 44str (between 8 & 9 avenume).

47 filmat në nji javë do të konkurojnë për 10 çmime në kategoritë e mëposhtme:

Filmi më të mirë
Filmi më të mirë të shkurtër
Filmi Dokumentar më të mirë
Aktori më i mirë
Aktorja më e mirë
Muzika më e mirë
Kamera më e mirë
Skenari më i mirë
Producenti më i mirë
Çmimi i publikut
Regjisori më i mirë
Dhe editori më i mirë

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, mikëpritës i festivalit të III-të të Javës, Nju Jorku, së Filmit Shqiptarë

“RINGJALLJE” APO…RIPERSERITJE…?

November 22, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI*/
Dy fjalë që në “politikë”, përdoren shpeshë me “një” kuptim…kur e lypë nevoja!
Kam lexue disa artikuj plot “optimizem” për vizitën e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd… Shpesh ngjet, që ndër disa rrethana të veçanta asht perdorë edhe një shprehje nga Bibla: “Je ba si Shën Toma!”… Për Shqiptarë asht thanja ma e drejta!
Eksperienca e ngjarjeve në këta 100 vjetë, shpeshë, ka shkue tue “ringjallë” ose ma mirë me thanë tue “ripersëritë” të maparshmën… sado e idhtë t’ ishte ajo!
Deri tashti, nuk dij se ka ndryshue gja në politikat e qeverisjes 100 vjeçare, flas për faktet dhe dokumentat historike që vertetojnë vazhdueshmëninë pasuese të tyne.
Janë të njohuna ndonse, me vonesë, dokumentat e nënshkrueme që në vitin 1914 me Serbi, Malin e Zi… Jugosllavi, Rusi, Greqi, Itali, “Konferenca Islamike”… Po, mos të harrojmë, se njohja e tyne asht kenë gati kur janë dukë se u shfuqizuene, tue fillue nga Esad Pasha, Ahmet Zogu, dhe tashti mujtëm me njohtë dokumentat e vitit 1941, kur edhe Enver Hoxha, si paraardhësit e vet, “shiti Trojet Shqiptare”… Kur janë nënshkrue këta dokumenta, u publikuene ata?! Né Bristolin e kemi pa vetem si ndertesë!!
– Asnjë dokument nuk kemi pa! Kush i tregoi? – Vetëm Historia!
Cila qeveri pasuese holli poshtë dokumentat e nënshkrueme perpara? – Asnjena!
Nga të gjitha pazarlleqet e bame prej qeveritarëve tanë, asht vertetue ndonjë nga këta, që asht ba pa dokumenta dhe pa nënshkrime me firma të kryeministrave? – Asnjë!
Po, takimi i fundit i kryeministrit Rama, a ka pasë DEKLARATA bashkpunimi, mirkuptimi, ose të ndonjë ANULUMI të dokumentave të maparshëm, të trashiguem nga Enver Hoxha? As këte, askush nuk di me e tregue.
Po, me logjikë të shndoshtë, a duhet të na shkojë mendja tek ndonje “dokument” që nënshkruhet në Beograd, flas për takimin e fundit, ku mund të “rifreskohet” edhe ndonjë nga dokumentat e para 72 ase 73 vjetëve perpara?! – Ndoshta! Edhe mundet!!
Të vërteten e tregojnë VETEM nënshkrimet e deklaratave të qeveritarëve.
Se çka asht nenshkrue sivjet në Beograd a e di kush?! – Jo, askush!
A ka takim zyrtar pa nënshkrime deklaratash nga të dy palët?! – Jo…Jo…Jo…
Kryeministri Rama ka deklarue se do të “ringjalli”… ose do të “ripërsëris”… ose do të “rilindi”… dhe pa kalue java që u “rikthye” në Tiranë, shihet i knaqun me foton e Enver Hoxhës, në sfondin festiv të 17 nandorit 2014…Pikrisht, 70 vjetorit të fillimit të qeverisjes sllavokomuniste të Tito – Enver – Stalinit… A e do Serbia këte?! – Besoj, se po!
***
Bisedat e qeveritarëve në ekrane TV, janë si kangët e dasmave…
“Sa e bukur na ka dalë nusja!”
Edhe kur.., nuk ka dreq që e sheh me sy…
Melbourne, Nandor 2014.
*Nga cikli:Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Filed Under: Featured Tagged With: Fritz radovani, Në 70 vjetorin e përmbytjes, së Shqipnisë...

Fitimtarët jemi Ne!

November 22, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/*
Klithmat e korbave të zinj po dëgjohen gjithmomë e më tepër, me një mllef të paparë edhe sot, për të ringjallur atë epokë që populli shqiptar e përmbysi njëherë e përgjithmonë në fundin e viteve 90-të. Këto klithma vijnë nga “shakaxhinjtë e përparimit” siç i quante Noli këta pelivanë. Flamurin e këtyre klithmave sot e ka marrë një zotni me gradë shkencore “Doktor” dhe dhe titull “Profesor”, një zotni që ka kryer shumë detyra të larta shtetërore si ministër, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kryetar apo sekretar komisionesh të kuvendit, një zotni që kryen shumë detyra si përgjegjës katedre, dekan fakulteti, anëtar i shumë këshillave shkencore, një zotni që ligjëron në shumë universitete shqiptare dhe të botës mbarë. E pra ky zotni, kryetar i një partie, që ka gati 20 vjet që është krijuar dhe nuk ka zhvilluar asnjë kuvend por që ka një kryetar dhe asamble të përhershme të zgjedhur nuk e di se nga kush. Medet që nuk na u ndanë këta kryetarët e përjetshëm që nuk i luan as topi nga postet e tyre. E pra, ky i vetquajtur kryetar, në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit fitoi vetëm 11.891 vota nga 1.723.295 që ishin gjithsej, baras me 0,69% të tyre. Megjithatë vazhdon ta quaj veten, madje kështu e quan edhe media shqiptare , “historian”. Më falni, por a keni dëgjuar në ndonjë vend të botës, që një kryetar partie të jetë edhe historian i pavarur. Cilën histori do të studiojë dhe do të shkruaj ai? Atë të botës mbarë, të vendit të tij apo të partisë që drejton? Ky zotni është “historiani” Paskal Milo që është vendosur në krye te komisionit per rishikimin e historisë së Shqipëris. Çfarë historie do te rishkruajë ky zotni? Ka kohë që ai është bashkuar me korin e korbave të zinj që këlthasin për “70 vjetorin e çlirimit” apo për rishikimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha, kriminelit më të madh të të gjitha kohërave. Përkrah tij janë një grup korbash që u ka mbetur ora më 8 nëntor 1941.
Në debatet e zhvilluara në shtypin e shkruar apo atë viziv dëgjoj mendime nga më të ndryshme lidhur me qëndrimin e Ballit Kombëtar apo Legalitetit gjatë periudhës së luftës për liri. Disa i paraqesin si bashkëpuntorë të pushtuesit dhe të tjerë të kundërtën. Unë rri dhe arsyetoj: Kush e filloi i pari luftën kundër pushtimit fashist? Kush ishte organizatori i rezistencës kundër këtij pushtimi më 7 prill 1939? A nuk ishte i paharruari Abaz Kupi? A nuk ishte heroi i asaj rezistence, kapteri i ushtrisë mbretërore Mujo Ulqinaku, që dha edhe jetën e tij për këtë atdhe duke u bërë dëshmori i parë i luftës kundër pushtuesit? Po grupet komuniste ku ishin? Emri i ndonjë komunisti a është dëgjuar në këtë ngjarje? Asnjë. Për ta ende nuk kishte ardhur ndonjë urdhër.
Lexojmë shpesh mendimet e mykura të disave që e mbajnë veten për historianë të paanshëm por që, në të vërtetë, i gryen nga brenda krimbi i komunizmit. I dëgjojmë t’i derdhin bateritë e tyre të shkarkuara mbi figurat më të shquara të këtij kombi, Mithat Frashërit, Safet Butkës, Hasan Dostit, Ramazan Jaranit, Hysni Lepenicës dhe plot luftëtarëve të tjerë të lirisë. Për vlerësimin e tyre unë nuk kam nevojë të gërmoj nëpër arkivat që, shpesh herë, janë të manipuluara. Unë kam kujtimet e mia të rinisë kur ata burra të shquar, të cilët u bënë mësuesit e mi në konditat e ferrit komunist, më flisnin për drejtuesit e pakrahasueshëm të nacionalizmit shqiptar, me të cilët kishin luftuar krah për krah. Njeri prej tyre, juristi i njohur Xhevdet Kapshtica më dha një shkrim, futur fshehurazi në burg, që luftëtari Bardhyl Pogoni e kishte shkruar një ditë pas ngjarjes dhe botuar në gazetën “Flamuri”. Titulli ishte “28 nëntor 1939” midis të tjerave shkruhej:
A do të varrosnim këtë ditë të përzierë me flamujt e këngët e armikut? A do të dëgjonim në heshtje profkat e tradhëtarve? Jo! Jo, thanë të gjithë shqiptarët e mirë! Jo, doli fjala nga shtëpia e Lumo Skëndos dhe vesh më vesh në gjithë Shqipërinë! Jo, tha Safet Butka! Jo, tha Hysni Lepenica! Jo, gjëmuan malet dhe zëri i djalërisë tha: Jo!”
Shkrimi vazhdonte me zhvillimin e demostratës. Një turmë e tërë në mbrojtje të lirisë
së vendit. Në këtë turmë nuk mungonin as fëmijtë. Ja se si vazhdon shkrimi:
“Eja mblidhuni këtu!” ia krisi kënga dhe asnjë nuk tha “përse?” Qe klithma e dhimbjes së kombit, qe zëri i ndërgjegjes që kërkonte shpërthim. liri. Armiku na pa, dëgjoi por s’lëvizi. Asgjë s’na ndante, ne ecnim të gjithë.Turma e bashkuar me një ideal të vetëm drejt varrit të Naimit. Atje larg,mbi një breg të vetmuar, u mblodhëm përqark njeri-tjetrit. Flamurin me zhgabë e mbanim lart. Dhe vasha shtatëvjeçare që ndoqi pas t’anë, Ramazan Jaranin, qëndronte zbathur, veshur me të zeza. Vendosëm lule mbi varrin e ftohtë dhe, kryeulur, qamë. Qante në heshtje, Safet Butka! Qante në heshtje, Ramazan Jarani! Qanim të gjithë ne dhe vasha me të zeza qante…”
Ndërsa në fund autori shkruante:
Atë natë ne kënduam me zjarr. Atë natë ne folëm me zjarr. Atë natë ne ndezëm një zjarr, zjarrin e shqiptarve të lirë. Atë natë nuk kishte as komunistë dhe as “çlirimtarë” me yll…”
Vini veshin frazës së fundit: “ Atë natë nuk kishte as komunistë dhe as çlirimtarë me yll…” Përse? Dhe ishte 28 nëntori i vitit 1939. Ku ishin komunistët? Ata nuk kishin marrë ende urdhër për të luftuar dhe ky urdhër nuk ishte dhënë pasi idhulli i tyre, Bashkimi Sovjetik, ishte ende në aleancë me Gjermaninë hitleriane.
Këto fjalë i thoshte një luftëtar pjesëmarrës i asaj demonstrate të paharruar, një luftëtar i lirisë. Kush ishte ky luftëtar? Bardhyl Pogoni, biri i Pertef Pogonit, zёvendёsministёr i Arsimit tё Shqipёrisё nё kohёn e Mirash Ivanajt. Autoritetet fashiste kishin dhёnё urdhёr pёr arrestimin e tij, mirёpo i ati e kishte larguar nga Shqipёria pёr t’i shpёtuar burgimit.
Nje shembull tjetër që provon se kush ishte ngritur kundër pushtimit fashist e tregojnë emrat e të internuarve nga Italia fashiste në kampin e Ventotenes. Kush u internuan atje? Ishin pikërisht krerët e Ballit Kombëtar Safet Butka, Abaz Ermenji, Isuf Luzaj, ishin Abdurrahman Kreshpa, Myzafer Pipa, Stavro Skëndi, Fazlli Frashëri, Selman Riza që nuk duronin dot zgjedhën fashiste, ishin luftëtarët e Kosovës kreshnike Gani, Hasan dhe Seit Kryeziu. Ishin pikërisht këta që e kundërshtuan më shumë se kushdo pushtimin fashist. Po komunistët ku ishin? Nga këta dallohen vetëm emrat e atyre që ishin idealista dhe që me vonë do të pushkatoheshin apo dënoheshin me burgime të rënda nga vetë krerët e tyre si Llazar Fundo, Sinan Gjoni, Zef Mala. Po ata që urdhëruan vrasjen apo burgosjen e tyre ku ishin? Ku ishte kreu i tyre, diktatori Enver Hoxha? Ai rrinte fshehur në shtëpinë e të kunatit të cilit, pak vite më vonë, do t’i dhuronte plumbin ballit dhe do ta etiketonte si “kolaboracionist”, si shpërblim të mikpritjes. pasi e tillë ishte ujdia me padronin e tyre jugosllav.
Kur u themelua Fronti Nacionaçlirimtar, në Konferencën e Pezës, komunistët, mjeshtra të mashtrimit, hodhën parullën demokratike të bashkimit “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, parullë që simbolizonte bashkimin e gjithë forcave politike në një front të vetëm dhe zgjidhjen e problemit të pushtetit pas fitores me anën e zgjedhjeve të lira. Kjo parullë bëri që lideri legalist Abaz Kupi, të rreshtohesh në rradhët e këtij fronti. Por, pas Konferencës së Mukjes, papritur, kjo parullë demokratike u zëvendësua me atë revolucionare: “Pushteti buron nga gryka e pushkës”, ndërsa hymni i partzanëve u bë kënga:
Bijt’e Stalinit jemi ne,
Që derdhim gjakun an’e mbanë
Sa të valojë përmbi dhe,
Flamuri drapër e çekan!
Vini veshin! Komunistët dhe partzanët nuk luftonin për flamurin kuq e zi me zhgabën dykrenore në mes por për flamurin me drapër e çekan të vendit ku sundonte diktatura komuniste, të vendit që kishte në krye tiranin Stalin, që synonte të pushtonte të gjithë botën.
Kjo gjë solli si pasojë fillimin e luftës civile, një luftë numri i viktimave të të cilit e kalon
disa herë atë të luftës kundër okupatorit, nga të dyja forcat ndërluftuese. Nuk kishte më luftë çlirimtare. Nuk kishte më luftë kundër okupatorit. Lufta ishte e shqiptarit kundër shqiptarit, një luftë e egër për pushtet. Ja se si i këndon kësaj ngjarje poeti i shquar Ali Asllani në poezinë “Dasma e madhe”:
Dhëmb për dhëmb e sy për sy, si ti mua dhe unë ty,
Nëna ime, nëna jote, zën’e qajnë për të dy,
Djali babën, baba djalin vuan ta zër’e ta përzërë,
Që ta pjek në hell të gjallë, t’i pres mishin me gërshërë,
Bot’e çmëndur, djall i çmëndur, Zot’i çmëndur, gjith’të çmëndur.
Vetëm vdekja bën të sajat, ha e ha dhe s’ka të dëndur!
A nuk janë një përshkrim i përkryer i luftës civile këto vargje?
Një faqe tjetër e historisë së nacionalizmit shqiptar do të shkruhej pas vendosjes së pushtetit të regjimit komunist në vendin tonë. Një histori e paparë në asnjë vend tjetër të Europës Lindore, do të jetë ajo e rezistencës shqiptare kundër këtij regjimi. Krahina të tëra si Postriba, Malsia e Madhe, Zhabokika e të tjera do të ngriheshin në këmbë për liri e demokraci. Grupe të tëra luftëtarësh të lirisë do të pranonim më mirë plumbat në gjokset e tyre apo prangat e rënda të burgjeve në vend të lirisë së mohuar. Të tjerë do të braktisnin lehtësirat që mund t’u jepte bota e lirë dhe do të ktheheshin në atdheun e tyre, në kuadrin e batalionit 4000 të Nato-s për t’u sakrifikuar për të. Dhe ishin pikërisht këta, që propaganda komuniste vazhdonte t’i quante “kolaboracionistë dhe bashkëpuntotë të pushtuesve“, në një kohë kur vetë bota e lirë i kishte strehuar në gjirin e saj. Çuditërisht, idetë e këtyre martirëve rezistuan për 46 vjet, megjithë shtypjen e egër që ushtronte regjimi. Ata i treguan atij regjimi se do të vinte dita e përmbysjes së tij dhe fitores së idealeve demokratike. Dhe, me të vërtetë, në saj të kësaj rezistence dhe goditjes që i dha së fundi lëvizja studentore e viteve 90-të, sistemi komunist u përmbys dhe u vendos sistemi demokratik.
Ka vite që në median shqiptare po zhvillohet nje debat i madh se kush janë në të vërtetë fitimtarët e ndërrimit të sistemit. Mendimet janë të ndryshme. Këto debate zhvillohen nëpër faqet e shtypit të shkruar por më trepër ndiqen nëpër debatet televizive që kanë mbushur faqet e televizioneve të ndryshme. Pseudohistorianët sharlatanë të regjimit të përmbysur deklarojnë se Mithat Frashëri dhe Abaz Kupi dolën të humbur nga beteja. Jo, mor zotërinj! Historia na mëson se Spartanët e mundën Athinën, por fitimtarët e vërtetë ishin Athinasit pasi janë ata që hynë në histori dhe vazhdojnë të kujtohen dhe të nderohen edhe në ditët tona. Mithat Frashëri dhe Abaz Kupi hunbën vetëmn një betejë dhe këtë e humbën sepse nuk ishin vrasës prapa krahëve si ju, nuk ishin të prapaskenave të pështira si ju. Ata ishin për një Shqipëri të lirë demokratike si shumica e vendeve të botës së lirë. Ata nuk donin të derdhnin gjak shqiptari si ju. Nuk donin të ngjallnin ndjenjën e vllavrasjes midis shqiptarve si ju. Donin bashkimin dhe vëllazërimin e të gjithë kombit në një të vetëm dhe jo si ju që braktisët Kosovën martire për hir të interesave tuaja të pështira. A nuk ishit ju që dërguat brigadat partizane në Kosovë për të ndihmuar armatën jugosllave ta ripushtonte atë vend? A nuk ishin Ramiz Alija dhe Rahman Perllaku që përcillnin nacionalistët kosovarë, nëpërmjet tokës shqiptare, drejt Tivarit ku i priste një masakër e pashembullt? Madje “Apostulli i Shqiptarizmës”, Mithat Frashëri, edhe në çastet e largimit nga atdheu, deklaronte:
– Ne po largohemi nga Shqipëria jo për të shpëtuar kokën, por për të vazhduar luften
për çlirimin e saj nga thundra komuniste dhe për të vendosur sistemin demokratik.
Atëherë “Kush janë fitimtarët?” Dy janë idetë që janë ndeshur me njera-tjetrën gjatë shekullit të kaluar. E para ideja nacionaliste që mbështetej në ekonominë kapitaliste të tregut të lirë ku individi të kishte të drejtën e fjalës dhe të veprimit, të drejtën e pronës dhe të banimit, të drejtën e shkollimit dhe specializimit, të drejtën e votës së lirë dhe përfaqësimit. E dyta mbështetej në ekonominë socialiste ku individi pothuajse nuk kishte asnjë të drejtë, ku prona ishte rrëmbyer dhe bërë pronë e shtetit, ku shkollimet dhe specializimet bëheshin vetëm për persona të zgjedhur nga regjimi, ku e drejta e votës së lirë mungonte plotësisht.
Përfaqësuesit e idesë së parë ishin Mithat Frashëri dhe Abaz Kupi me pasuesit e tyre. Ishim ne që u ngritëm kundër diktaturës totalitare, që luftuam dhe dhamë jetët tona për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi. Ndërsa përfaqësuesit e së dytës ishin diktatori Enver Hoxha dhe pasuesit e tij. Ishit ju, ndjekësit besnikë të tij, që ju zunë duart kallo nga duartrokitjet për të duke i thurrur hymne lavdie dhe kur e patë se ai u përmbys, si rezultat i revoltës popullore, ndërruat fletën si kameleoni që ndërron ngjyrën por në zemrat tuaja keni ende figurën e diktatorit.
Këto ditë dëgjojmë zërat e korbave të këlthasin për ditën e “çlirimit”. I shohim të parakalojnë, si dikur, me portretet e dikatorit dhe thirrjet histerike për sistemin totalitar. Kjo skizofreni arriti kulmin katër ditë më parë kur në vallen e vdekjes së sistemit obskurantist u shfaq edhe kryeministri i vendit dhe lakejtë e tjerë të tij nën hijen e atit të tyre shpirtëror gjë që, më në fund, shkaktoi edhe reagimin e komunitetit ndërkombëtar. Kush qenka liria që na dhuruan këta “çlirimtarë“? A keni dëgjuar në ndonjë vend tjetër të botës që ditën e vendosjes së diktaturës ta paraqesin si ditë e “çlirimit“? Mos vallë qenka ditë “çlirimi“ ajo që na ndau nga bota perëndimore për të na degdisur në shkretëtirat ruse apo kineze?
Ndaj, në këto ditë, kur në vendin tonë është instaluar sistemi kapitalist i ndërtimit të shoqërisë, pikërisht ai sistem për të cilin ne luftuam, fitimtarët e vërtetë të tij jemi ne, nacionalistët shqiptarë, është “Apostulli i Shqiptarizmës” Mithat Frashëri. Është heroi i 7 prillit 1939, Abaz Kupi. Janë dishepujt e tyre, sepse pikërisht idetë e tyre fituan, ndërsa humbësit jeni ju, mbeturinat e sistemit të përmbysur.
Sa herë flitet për masakrat e kryera nga regjimi totalitar komunist, më dalin para syve sekuencat e nje filimi gjerman të pas Luftës së Dytë Botërore, që shfaqesh në ekranet e kinemave në fëmininë time, në ditët e para të të ashtuquajturit “çlirim”. Ishte historia e një mjeku nazist që eksperimentonte në laboratoret e tij format më të tmerrshme të torturave që më vonë ushtroheshin mbi hebrejtë, robërit e luftës dhe kundërshtarët e regjimit. Me mbarimin e luftës mjeku arrestohet dhe dënohet. Pothuajse i kam harruar skenat e tjera të filmit, por më ka mbetur e gjallë finalja e tij: Mjeku, i kapur pas hekurave të burgut, duke thërritur: – Jam i pafajshëm! Jam i pafajshëm! Ndërsa në sfond, prapa tij, shfaqeshin krimet e kryera, dhomat e tmerrshme të gazit dhe torturat e tjera. Filmi kishte një titull kuptimplotë: “Vrasësit janë midis nesh”. Unë meditoj dhe pyes:
– A kemi vrasës midis nesh?
Përgjigjen e jap po vetë:
– Po, janë ish-prokurorët dhe ish-gjykatësit, janë punonjësit e ish-Sigurimit të Shtetit
dhe organeve të tjera të dhunës komuniste që sot janë në krye të skakierës shtetërore. Ata, në
një kor të përbashkët me pseudodemokratët, pseudohistorianët dhe korbat e tjerë të zinj, po thërrasin si mjeku gjerman:
– Jemi të pafajshëm! Jemi të pafajshëm!
Atëherë , kush qenka fajtor për tërë atë katrahurë që kaloi vendi ynë? Mos vallë
qenkemi ne që e paguam me jetët tona? Mos vallë tani, pas njëzetekatër vjetësh që komunizmi është përmbysur, duhet të drejtohemi pikërisht prej atyre që ishin ithtarët e atij sistemi? Mos vallë nuk paska Shqipëria djem dhe vajza të reja, që kanë mbaruar studimet në universitetet më në zë të botës dhe nuk janë të infektuar nga ideologjia komuniste, pavarësisht cilit krahu i përkasin, për t’i vendosur në postet e ishve të kompromentuar?
Para disa ditësh Gjermania, Europa dhe e gjithë bota mbarë, kremtuan 25 vjetorin e rënies
së murit të Berlinit, perdes së hekurt që ndante botën e lirë nga bota totalitare komuniste. Po Shqipëria a do ta rrëzojë ndonjëherë murin e komunizmit?
Jam i bindur, megjithëse unë, për moshën që kam, nuk do t’ia arrij asaj dite, se ky mur më në fund do të shembet. Jam i bindur se do të vijë dita që e vërteta do të triumfojë mbi gënjeshtrën dhe hipokrizinë. Do të vijë dita kur emrat e këtyre pseudodemokratëve dhe pseudohistorianëve do të hidhen në koshin e plehrave, ndërsa emrat e martirëve të nacionalizmit shqiptar do të ngrihen në piedestalet më të larta. Do të vijë dita kur nxënësit tanë nuk do të dëgjojnë më pallavrat tyre por do të mësojnë historinë e vërtetë të popullit tonë martir. Atëherë ata i prêt vetëm një gjë, në mos ndëshkimi i drejtësisë njerëzore, ndëshkimi i drejtësisë qiellore.
Kjo ditë do të vij!
Kumtesë mbajtur në Konferencën Shkencore të organizuar nga Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, në bashkëpunim me partitë e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, më datën 21 nëntor 2014, me temën:
*Krimet dhe masakrat e regjimit komunist në Shqipëri

Filed Under: Featured Tagged With: Fitimtarët jemi Ne!, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4275
  • 4276
  • 4277
  • 4278
  • 4279
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT